• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHËMBULLI MOLDAV DHE HIPOKRIZIA E POLITIKËS SHQIPTARE

November 19, 2020 by dgreca

Nga Eugjen MERLIKA- Ditët e fundit u zhvilluan votimet për kryetarin e Shtetit moldav. Belegu zhvillohej ndërmjet kryetarit të socialistëve, të kudondodhur në të gjithë Vendet ish komuniste, Igor Dodonit, që përkrahej nga filorusët dhe drejtueses së partisë “Veprim e solidaritet”, Maia Sandu, një ekonomiste e shkëlqyer, e diplomuar në universitetin e njohur të Harvardit, që ka lënë punën e saj në Bankën Botërore, për të hyrë në politikën e Vendit të saj me të gjithë peshën e formimit të saj e përvojës  në njërin ndër institucionet më të rëndësishme të botës financiare. Belegu përfundoi me fitoren e Maia Sandu-t me 57,75 % të votave kundrejt 42,25 % të kundërshtarit të saj.

Shumë nga Vendet ish socialiste kanë përqafuar në kushtetutat e tyre sistemin presidencial në përcaktimin e Kryetarit të Shtetit. Kjo mënyrë zgjedhjeje i jep më shumë mundësi larmisë së pushteteve e krijon hapësirë për të gjithë spektrin politik, i cili gjen mundësinë të shprehë vullnetin e tij jo vetëm në votimet parlamentare, por dhe n’ata presidenciale. Ndodh që të dy këta votime mos të përkojnë në përfundimet e tyre sepse në rastin e Kryetarit të Shtetit imponohet më shumë personaliteti i kandidatit se sa besimi politik të cilit i përket. Para disa vitesh në Rumani me votë popullore u zgjodh një president që gëzonte shumë popullaritet për ndershmërinë e tij, edhe se i përkiste pakicës hungareze e nuk vinte nga asnjë forcë politike. Edhe presidentja e zgjedhur në Sllovaki kërë vit vinte nga klasa intelektuale e Vendit. Dy vjet më parë presidenti austriak u zgjodh, duke mundur kandidatin e partisë fituese të zgjedhjeve parlamentare.

Në Shqipëri është parapëlqyer nga hartuesit e Kushtetutës sistemi i zgjedhjes së kryetarit të Shtetit nga parlamenti që deri tani nuk ka prodhuar asnjë personalitet të spikatur n’atë vënd, por në më të shumtën e rasteve, ka qënë shprehje e autokracive të kryetarëve të partive në pushtet, ose i kompromiseve politike të tyre, që kanë emëruar njerëzit më të padëmshëm për ta. Ndoshta në këtë drejtim ka bërë zgjedhjen e gabuar Rama në 2017, them ndoshta sepse “sherret” e fundit mes tij e Metës i shëmbëllejnë më shumë një marrëveshjeje për të ruajtur gjëndjen ekzistuese.

 Presidentia e zgjedhur në Moldavi, ku është në fuqi ligji për votimin e të mërguarve, ka marrë një pjesë të mirë të votave të 1,2 milion qytetarëve moldavë që jetojnë e punojnë jashtë Vendit, kryesisht në BE. Simbas gazetës ruse “Komersant” kanë votuar rreth 260.000 zgjedhës të mërguar, nga të cilët rreth 88 % të tyre kanë votuar për të. Gjithënjë simbas asaj gazete, pa ato vota fitorja e saj do të kishtë qënë shumë e shtrënguar, me rreth 3 %. Përgëzime votuesve moldavë që ndërmjet një aparatçiku të vjetër komunist e një gruaje të suksesëshme në mjediset e Harvardit e të Bankës Botërore, ka zgjedhur këtë të dytën. Në deklaratën e parë për shtypin mbas zgjedhjes zonja Sandu pohoi: “ Kam ndërmënd të çoj përpara një politikë të Jashtëme të barazpeshuar dhe një dialog pragmatik me të gjithë Vendet, përfshirë edhe Rusinë”. Jo rastësisht, nga të parët që përgëzuan Presidenten e re 48 vjeçare moldave qe Presidenti rus Putin, i cili me mesazhin e tij i “preu krahët” edhe filorusit Dodon, që kërkon të verë në dyshim vërtetësinë e hapjes së votave, duke bërë paditë në gjyqe, simbas një mode të ditëve të fundit. Zonja Sandu është e vendosur të zhvillojë fuqishëm lidhjet me BE, nga i cili shpreson të ketë edhe ndonjë ndihmë tepër të dobishme për Vendin e saj, të varfëruar nga qeverisje socialiste, të mangëta në ide e programe. Përgëzimet nga udhëheqësit evropianë nuk kanë munguar, duke filluar nga Kryetari i Parlamentit evropian, italiani Davide Sassoli. Sa për integrimin në BE nuk bëhet fjalë sepse Moldavia ka një problem të mprehtë me krahinën e Transnistrisë që është shkëputur nga Shteti moldav.

Ndonjeri që mund të lexojë këtë shkrim mund të vërejë se çfarë interesi mund të ketë për shqiptarët kjo përvojë e bukur e Moldavisë, një ish republike sovjetike me një popullsi prej 3,5 milion banorësh, pak a shumë në kushtet tona. Them, përvojë e bukur, sepse e tillë duhet quajtur një vendim popullor, që ve në krye të Shtetit një grua, duke i besuar aftësisë së saj të provuar e përkushtimit atdhetar që dëshmohet nga lënia e një posti të nderuar në Bankën Botërore e zotimit për të përballuar problemet jo të thjeshta të Vendit të saj.

Ngjajshmëritë ndërmjet Shqipërisë e Moldavisë nuk janë të pakta. Të dy Vendet vijnë nga përvoja komuniste ortodokse. Të dy kanë probleme kombëtare. Të dy Vendet kanë një sasi të madhe mërgimtarësh, kanë parti socialiste të fuqishme që vazhdojnë të kushtëzojnë jetën e popujve të tyre. Por ndërmjet të tyre ka edhe ndryshime, për mendimin tim thelbësore, që mund të përcaktojnë kahe të ndryshme të zhvillimeve të tyre. Së pari kanë një sistem presidencial që i jep mundësi popullit të votojë drejtpërsëdrejti për Kryetarin e Shtetit, gjë të cilën ne nuk e kemi e po e shohim përditë e më tepër dëmin që rrjedh prej mungesës së tij. Me gjithë përpjekjet, mendimet e propozimet që janë bërë në gjithë këta vite nga shumë anë të opinionit publik shqiptar, “reformat” zgjedhore nuk e kanë vënë asnjëherë në diskutim mundësinë e ndryshimit të kushtetutës sa i përket zgjedhjes së presidentit. Kjo ndodh sepse demokratura e jonë nuk don të lerë asnjë shteg për të ripërtërirë pushtetin që ajo e mban prej tridhjetë vitesh nën diktatin e saj. Madje do t’a quaja të udhës që t’i jepet mundësi popullit, nëpërmjet një referendumi me një pyetje të përcaktuar qartë e jo me një impiant kushtetues të plotë, për të vendosur mbi këtë pikë. Por me që këtu vendim-marrja është atribut i shumë pak njerëzve të partitokracisë, asnjë nuk vendos të tërheqë mendimin e vërtetë të qytetarëve, të cilët  me shumë gjasë, ndërmjet vendimit të pak njerëzve të nomenklaturës e votës së tyre të drejtpërdrejtë, do të pëlqenin këtë të fundit.

Ndryshim tjetër i rëndësishëm mes dy Vëndeve është se Moldavia, në kundërshtim me Shqipërinë, i njeh qytetarëve të saj të mërguar të votojnë e, me votën e tyre të japin mendimin e tyre për ata që do të qeverisin Vendin e tye. Në Shqipëri, ku klasa politike, në shumicën dërmuese, është emblemë hipokrizie të mirëfilltë, ka dhjetëvjeçarë që flitet për votat e të mërguarve, madje nuk kanë munguar as premtimet e bujshme të politikanëve të ndryshëm para çdo fushate zgjedhore n’atë drejtim, për të përgënjeshtruar ndyrësisht vetveten mbas zgjedhjeve. Kështu ndodhi edhe sivjet, kur “Këshilli politik” në përfundimet e tij të firmosura, çuditërisht, në një ambasadë të huaj, qoftë dhe ajo e SHBA, la si porosi që “të shihet mundësia e votës së emigrantëve”. Ajo porosi kaloi si një top tenisi nga Këshilli politik tek Kolegji zgjedhor e që aty tek parlamenti e Kryetari i Shtetit, i cili, çuditërisht, pati mjaft për të thënë kundër shkeljeve të Kushtetutës, por nuk foli kurrë për votat e të mërguarve, edhe se kishte buçitur shumë vite më parë për ta. Lindi përkohësisht një shpresë e zbehtë tek Opozita kuvendore që e vuri fillimisht votën e të mërguarve si njërën ndër tre kërkesat e saj kryesore për të votuar ndryshimet zgjedhore. Por në bisedat me kryeministrin, kjo kërkesë u mpak deri në heqjen e saj nga programi.

Kështu edhe Opozita kuvendore, që ishte shquar deri atëherë për ndonjë replikë apo padi të dobishme, u uniformua me mendimin e përgjithshëm, duke flijuar në sallën e Kuvendit votat e të mërguarvet për të marrë të drejtën mjerane të përfaqësimit me 1% të votave, duke fituar një apo dy vënde në kuvendin e ardhshëm, për t’u siguruar ndonjë drejtuesi rrogën kuvendore. Nuk bëjnë përjashtim në këtë kor të kamufluar e të përgjithshëm kundër votës së të mërguarve, as mediat në shumicën e tyre, të cilat në larminë e tyre nuk lënë asnjë problem pa shqyrtuar, me të ftuar disa puthadorë të politikës, apo partizanë të njërit apo tjetrit, e që nuk e quajnë të dobishëm diskutimin e paditjen e kësaj dukurie, që përjetëson gjëndjen e sotme e i mbyll të gjitha shtigjet ndryshimeve thelbësore, aq të domosdoshme për jetënn institucionale shqiptare.

Fatkeqësisht, kemi mbetur ende të fundit, si para tridhjetë vitesh, kur mbas rrëzimit të Murit të Berlinit miratonim ligje për të mbrojtur përmendoret e Stalinit e vrisnim në kufi djemtë që dëshironin të shkonin e të jetonin në një botë tjetër. Ka tridhjetë vite që kemi ngelur në vend, përsa i përket drejtimit politik, në mëshirë të pak njerëzve që i kanë vënë tapitë karierave politike, drejtues të improvizuar pa asnjë cilësi shtetari, pa asnjë meritë të spikatur, veç demagogjisë, mashtrimit e përrallave me mbret, mbi të cilët rëndojnë padi të hamendësuara për pasuri prrallore, të përfituara me mjete e mënyra të paligjëshme, të cilat presin verifikimet e nevojshme institucionale.

Shqipëria ka nevojë për njerëz të aftë e të ndershëm, sidomos në jetën politike e n’administrimin e institucioneve. Le të shërbejë shëmbulli i Moldavisë për t’a zgjuar nga letargjia pothuajse shekullore e të zbulojë në gjirin e saj më të mirët për t’i vënë në drejtimin e saj.

Nëndor 2020  

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, hipokrizia shqiptare, Shembulli moldav

Amerika që frymëzon kthehet në votrën e saj

November 19, 2020 by dgreca

NGA SAMI REPISHTI, PHD/

Ridgefield. CT.- Stuhia e rrezikshme katërvjeçare në vendin tonë kaloi! Nji ditë e re ka ague! Amerika që frymëzon botën mbarë u kthye në votrën e saj. Demokracia amerikane tregoi forcën e saj, e fitoi! Me 3 nandor 2020, u mbajtën zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkueme të Amerikës. Pjesëmarrja në votime ka thye rekordin: ma shumë se 160 milionë qytetarë amerikanë votues treguen vullnetin e tyne në nji proces të rregullt, atmosferë të lirë dhe administrim me ndershmëni. Amerika ka 330 milionë banorë.Amerika që na frymëzon, tregoi forcën e saj në mënyrë shembullore!

Mbas disa ditë votimesh u përfundue se numri ma i madh i votave të rregullta,- ma shumë se 78.6 milionë vota- u fituen nga kandidati presidencial demokrat, i nderuemi Joseph R. Biden, Jr., ish-nënpresident i Shteteve të Bashkueme (2008-2016) dhe politikan i karrierës për afër 47 vjet dhe me 6+ milionë vota ma shumë se kundërshtari i tij, Presidenti Trump, që fitoi 72.01 milionë. Kandidati Biden grumbulloi 306 vota në Kolegjin Elektoral kundrejt 232 vota për kundërshtarin Trump. “Presidenti” D.J.Trump nuk pranoi rezultatet e dhanuna dhe filloi nji seri ankimimesh ligjore pranë gjykatave federale të vendit, nji procedurë që do të zgjasë disa javë dhe që pengon “tranzicionin” e pushtetit në duert e fitimtarit.

Ky qëndrim obstruksionist ashtë i panjohun në historinë e republikës amerikane që nga fillimi, 244 vite ma parë, dhe damton randë prestigjin e votës së lirë dhe imazhin e SHBA-ve para botës. Publiku amerikan ashtë i bindun në fitoren finale dhe e konsideron këte manovër politike nji metodë vonuese e kapriçove të shumta të ishPresidentit Trump, nji narcisist i papërmbajtun, pa lidhje me normat tradicionale të vendit. Deri tashti, ish-Presidenti Trump nuk ka paraqitë nji evidencë me mbrojtë tezën e vet. Pa nji evidencë të tillë, nuk ka gjykime. Si rrjedhim, gjykatat amerikane konsiderojnë ankimimet “without merit”!

Ky qëndrim paraqitet nga shtypi trumpist sikur “votimet nuk kanë përfundue akoma”, se ata do të përfundojnë me ankimimet ligjore, prandej nuk dorëzohet pushteti. Të tjerë flasin për zgjedhje të qeta me gjithë vështirësitë e pandemisë vrastare (250.000 viktima), pa kërcënime, pa dhunë dhe pa pengesa për makinën e demokracisë. Në rrugët dhe sheshet e qyteteve amerikane ndërkaq, populli festoi rezultatin “Biden-Harris Victory” me flamuj, kumbonë dhe klaksone makinash. Nji popull feston!

Fletorja me renome ndërkombëtare “The New York Times”, në edicionin e saj të 8 nandorit 2020 shkruen me tituj të mëdhej: “Biden Beats Trump”, me këtë përshkrim: “Joseph Robinnette Biden Jr. u zgjodh Presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkueme, të shtundën, tue premtue restaurimin e normalitetit dhe frymën e bashkimit kombëtar në përballjen e krizave shëndetësore dhe ekonomike, që tmerrojnë sot vendin…”.

Fitorja e Biden shikohet si përbuzja e Trump nga miliona votues të lodhun nga politika e tij përçarëse dhe administrata e tij kaotike, fitore që u ba e mundshme nga nji koalicion i grave, qytetarëve me ngjyrë, pleq dhe të ri, si dhe nji sasi republikanësh të lodhun nga Presidenti.

Me 13 nandor, shtypi amerikan njoftoi se zyrtarët e administrimit të votimeve, demokratë dhe republikanë, hodhën poshtë akuzat e ish-Presidentit Trump për vota “të vjedhuna” dhe “numërime jo të sakta”. Vetëm pak orë mbas votimeve, Trump përsëriti akuzat e tij tue thanë se nji sistem makinash i perdorun në votime “ka shlye 2.7 milionë vota në të gjithë vendin”; kështu ai kundërshtoi grupin e zyrtarëve federalë, të cilët lëshuen nji deklaratë të enjten, me 12 nandor, ku deklarojnë pa asnji rezervë se votimet “kanë qenë ma të sigurtat në historinë amerikane” dhe se “nuk ekziston nji evidencë” se ndonji sistem votimesh të ketë qenë komprometue.

“Që nga dita e shtunde në mëngjes, kur kandidati demokrat Biden u deklarue si fitues i zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, ish-Presidenti Donald Trump ashtë mbyllë në Shtëpinë e Bardhë, refuzon ma pranue disfatën, mbledh të holla për “nji forcë për mbrojtjen e zgjedhjeve”, dhe shpik komplote të imagjinueme e teori mbi “vjedhjen” e votave të partizanëve të tij. Nuk parashikohej si do të veprojshin ndjekësit e tij në 50 shtetet e federatës. Doli në shesh se ata vepruen njilloj si kanë veprue deri tashti për katër vite të gjata me radhë: tue përkrahë ate në rrugën e gabueme. Deri në nji pikë!

Me 13 nandor, ish-Presidenti Trump mbajti nji konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë në lidhje me aksionin anti-Covid. Ai nuk zuni me gojë votimet dhe indirekt iu referue administratës së ardhme, tue lanë me kuptue se nji tjetër fitues do të jetë President. Qartazi, pushteti po kalon qetësisht në duert e Presidentit të zgjedhun, zhvillim që edhe Z. Trump ma në fund e ka kuptue.

Rezultati i votimeve tregoi se zgjedhja e Senatorit nga California, Zonja Kamala Harris, ashtë me randësi historike: bijë e nji çifti me nanën nga India dhe babën nga Jamaica. Mbas zgjedhjes historike të ish-Presidentit Barack Obama, 2008, zgjedhja e Zonjës Kamala Harris si nënpresidente e SHBA-së ashtë fitorja e dytë madhore e demokracisë amerikane dhe nji provë e pakontestueshme e të ashtuqujtunit “exceptionalism”- Amerika vendi i oportunitetit për të gjithë. Ashtë e para herë që nji grue me ngjyrë zgjidhet nënpresidente e SHBA-së, nji hap i madh drejt nji shoqënie ma civile dhe ma demokratike. (Ashtë opinion i përgjithshëm se Biden do të udhëheqë Partinë Demokratike nga pozita ma ideologjike – nga nji qendër e majtë…).

Por Biden ka mbajt gjithherë nji pozicion afrimi, bashkimi dhe pajtimi, nji karakteristikë e posaçme e tij që në ditët e para të jetës së vet politike. “Tashti që fushata elektorale ashtë perfundue, theksoi ai, ka ardhë koha me harrue inatet tona dhe retorikën e ashpër, dhe me u bashkue si nji komb i pandamë. Ka ardhë koha për Amerikën me u bashkue dhe me shërue plagët e hapuna. Na jemi të gjithë Shtetet e Bashkueme të Amerikës. Dhe nuk ka objektiv që nuk mund të marrim dhe të marrim së bashku”. (Joseph R. Biden, Jr.)

Z.Trump, në deklaratën e tij tha se “…nuk janë përfundue zgjedhjet, përkundrazi, dhe se “…do të filloj ndjekjen e objektivave tona në gjykata”. Ai nuk dha hollësina! Por me refuzimin e rezultatit të zgjedhjeve, Trump duket se u ban thirrje ndjekësve të tij me “vallëzue dancing” e mosmarrëveshjes dhe pa dyshim ka mjaft që do të pranojnë! Ka pasë disa incidente me dhunë nga “trumpistët” e demonstrata të zhurmëshme, deri tashti pa incidente. Shumë amerikanë shqetësohen se këto “mosmarrëveshje” nuk kanë vetëm karakter politik, por edhe personal, në relacionet ndërqytetare. Fatkeqësisht, ky orientim ka damtue edhe unitetin e bashkësisë shqiptaro-amerikane. Nji humbje e madhe për të gjithë!

Partia Republikane -tashti “the Trump Party”- ka humbë shumë nga prestigji i saj si “Partia e Lincoln-it”, mbajtëse e vlerave dhe traditave amerikane, si atdhetarizmi, feja, trashëgimi patriotik, konservatizmi politik, ekonomik dhe shoqënor në mes tjerash, dhe për katër vite ajo u paraqit si nji grumbull amorf qytetarësh statikë dhe të gatshëm me avancue “tezën” trumpiste. Me humbjet në votimet e 3 nandorit 2020, PR e Amerikës asht tronditë. Zane të reja thrrasin për nji “rinovamento” të pikëpamjeve politike dhe të kuadrova për drejtim.

Nuk duhet të harrojmë se republikanët kanë fitue 72 miljonë vota, dhe 7 deputetë në Dhomën e Përfaqësuesve; ata kanë humbë nji senator (në Arizona). Kjo tregon se ajo përmban nji forcë të vërtetë politike dhe ushqen shpresën e nji kthimi në fuqi në të ardhmen si nji parti e rinovueme.

Elektorati amerikan përballet me dy sfida madhore:

a) Si të veprojë për asgjasimin e influencës së “Trump Party” në publik, e sidomos racizmin e tij malinj dhe sistematik; dhe

b) Çfarë mund të bahet me pengue ardhjen e nji “Trumpi” të ri në të ardhmen?

Me gjithë gabimet e mëdha në qeverisjen e ish-Presidentit Trump, nuk mund të veprohet me frymën e hakmarrjes. “Republikanët”, përfundimisht, janë bashkatdhetarë që mendojnë ndryshe, nji qendrim që garantohet nga Kushtetuta si e drejtë e mendimit dhe veprimit të lirë. Fajtori kryesor ashtë qytetari Donald J.Trump, i cili mashtroi masat me nji propagandë populiste, negative dhe anmiqsore. Gjendja e randë që trashëgojmë sot ashtë ma e randë se “fatkeqësia Trump”. Sepse edhe humbja ka pasoja nga ata që kapen mbas premtimeve të tij.

Afërsisht 40 përqind e votuesve amerikanë dëshirojnë mbajtjen e tarifave doganore dhe murit kufitar me pengue lëvizjen e lirë të mallnave dhe personave, emigrantë ilegalë në SHBA, tue përfshi edhe deportimin e tyne. Ashtë nji reagim popullor kundër “globalizmit” dhe emigracionit.

Të tjerë elementë negativë që republikanët përqafojnë janë: dallimet racore, sidomos popullsinë zezake, nji viktimë e persekutimit sistematik që nga shekulli 16, koha kur grabiteshin, burra, gra e fëmij, nga piratët amerikanë, transportoheshin të lidhun me zinxhirë në hambarët e vaporeve pirateske ku vdisshin me qindra, e shiteshin si skllevër në tregjet e shteteve jugore të Amerikës.

Humbja e vendeve të punës, sidomos në industri, ka dermue shoqëninë amerikane e klasën punëtore, që ka qenë vazhdimisht demokrate me sindikata të fuqishme. Shumë impiante industriale u larguen dhe u vendosën në Kinë e Meksikë kryesisht. Nuk ka dyshim se ish-Presidenti Trump fitoi më 2016 me votat e këtyne të papunësuemëve.

U krijue kështu nji atmosferë shqetësuese me vdekje fëmijësh, gra pa burra, vdekje nga alkoolizmi dhe nga droga. Emigrantët që punojshin në punët ma të vështira zunë vendet e pakëta si argatë të pakualifikuem. Globalizmi për mallna dhe persona ngriti zemërimin në shumicën e popullsisë. “Tregtia e lirë dhe globalizmi, shkruente Sarah Stockman, kanë pasunue vendin, por ky pasunim ka qenë në favor të kapitalit dhe të arsimuemëve, ndërsa damet e tyne ranë mbi shpatullat e amerikanëve të papunë”.

Shumë punëtorë të pakualifikuem kanë votue për ish-Presidentin Trump. Ata “adhurojnë” personin që vuni tarifat. Por nuk kanë qenë shumë nga ata punëtorë që kuptuen se Trump nuk ka qenë në anën e tyne. Edhe në vitin 2017, zbritja e taksave ndihmoi vetëm të pasunit dhe korporatat. Tani që ish-Presidenti Trump përpiqet me eliminue ligjin për shërbime mjekësore (the Affordable Care Act) të vendosun nga ish-Presidenti Obama e që mbulon mbi 21 milionë familje amerikane, ish-përkrahësit kuptuen cili ashtë në fakt ish-Presidenti Trump dhe votuen kundër tij.

Por “goditja vdekësore” për fushatën elektorale të Trump ka qenë paaftësia e plotë e tij me udhëheqë në luftën kundër pandemisë COVID19. Ai e fshehu rrezikun që vinte nga Kina që nga nandori 2019 deri në mars 2020, kur bashkëpunëtorët e tij e paralajmëruen se sëmundja paraqet rrezikun ma të madh për administratën e tij presidenciale. Ndërkaq, pandemia bani kërdinë në popullsi dhe numri i të vdekuneve arriti në 1.000 viktima në ditë. Ish-Presidenti Trump refuzoi me marrë masa drastike -ashtu si e gjithë bota e jashtme- refuzoi këshillat mjekësorë nga ekspertët mjekësorë dhe smundja u përhap. Të zhgënjyem nga ky zhvillim fatkeq, shumë amerikanë vendosën me votue kundër dhe “me u lirue” nga ky ankth. Por asgja nuk bindi ishPresidentin Trump se ky qëndrim i padeje dhe shumë i rrezikshëm do të sillte disfatën e tij… që ai akoma refuzon me pranue…!

Shkrime alarmuese njoftojnë se ish-Presidenti Trump po përgatitet për nji “coup d’etat”. Në fakt, ai pushoi nga puna Sekretarin e Mbrojtjes, Mark Esper, sepse refuzoi me nxjerrë trupat ushtarake për qetësimin e turmave në demonstrata masive në shumë qytete të Amerikës dhe e zëvendësoi atë me nji element besnik të ish–Presidentit, dhe persona që ai mendon se kontrollohen. Flitet që ai mendon me pushue nga detyra edhe shefin e FBI-së dhe CIA-së dhe me i zëvendsue me “lojalistë”. Simbas analistit Masha Gessen të revistës “The New Yorker”, Trump ban përpjekje me arrijtë nji “autocratic breakthrough” (nji hyrje në autokraci) dhe me diskreditue kështu rezultatet e zgjedhjeve, të cilat i japin fund qeverisjes së tij. Shanset e tij me fitue janë shumë të vogla; megjithatë ashtë me randësi me kuptue si duhet se Presidenti i SHBA-së tenton nji “coup” që do të shkatërronte demokracinë amerikane, si e njohim na në historinë 244-vjeçare.

Dezertimet nga vija politike e ish-Presidentit nga republikanët në Kongres vijnë me pak vonesë. Kongresistët heshtën kur Trumpi abandonoi aleatët tonë ushtarakë në Azi e në Europë, sulmoi institucionet tona qeveritare dhe nxiti sentimentet raciste e frikën në popull, nji gabim fatal që ndau popullin amerikan… Sot ka shenja se kongresistët republikanë kanë arrijtë përfundimin se ish-Presidenti Trump ka pësue nji humbje të plotë në zgjedhjet e 3 nandorit dhe përpiqen të distancohen nga ai. Flitet për nji fëtyrë të re republikane që nuk ashtë ajo e Trumpit dhe për forcimin e identitetit të humbun republikan. Gjithashtu, flitet haptas se qarqet republikane me influencë punojnë intensivisht për rindërtimin e PR-së mbas humbjes.

Edhe marrëdhëniet me botën e jashtme do të pësojnë nji ndryshim rranjësor në epokën e Presidentit Joe Biden. Në nji ese prej 30 faqesh, botue në revistën “Foreign Affairs”, Nov/Dec. 2020:

“Pse Amerika Duhet Të Udhëheqë—Ripërtëritja e Politikës së Jashtme mbas Trumpit”, ai shkruen: “Sido që të matet, kredibiliteti dhe influenca e Shteteve të Bashkueme në botë ka pësue nji zbritje mbas largimit të Presidentit Obama nga zyra presidenciale, më 20 kallndor 2017. Presidenti Donald Trump ka pakësue peshën tonë, ka damtue dhe në disa raste ka abandonue aleatët dhe partnerët tonë. Ai ka ofendue profesionistët e shërbimeve informative, diplomatëve dhe forcave të armatosuna. Ai ka forcue kundërshtarët tonë dhe ka keqpërdorue mjetet tona në sfidat e sigurimit kombëtar që vijnë nga Koreja e Veriut, Irani, nga Siria deri në Afganistan dhe Venezuela, pa pasë asgja me tregue përse. Ka shpërthye lufta tregtarE kundër miqve të Shteteve të Bashkueme si dhe të anmiqve nji lloj, që damtojnë klasën e mesme amerikane. Åi ka heq dorë nga udhëheqja amerikane në mobilizimin e aksioneve kolektive me përballue kërcënime të reja, veçanërisht të atyne që janë unikë për shekullin tonë. Åi thellësisht ka neglizhue vlerat demokratike që i japin forcë kombit tonë e na bashkojnë të gjithë si nji popull.

Ndërkaq, sfidat globale që përballojnë Shtetet e Bashkueme -që nga ndryshimet klimaterike dhe emigracionet masive deri te ndërpremjet teknologjike dhe smundjet infektive-janë ngritë në nji kompleks dhe janë ba ma urgjente me ngritjen e shpejtë të autoritarianizmit, nacionalizmit dhe antiliberalizmit që minojnë aftësinë tonë me i përballue në forma kolektive. Demokracitë – të paralizueme nga hipërpartizania, të lëkunduna nga korrupsioni, të randueme nga pesha e pabarazisë- e gjejnë shumë të vështirë me mbajtë premtimet e dhanuna popujve tyne. Frika nga Tjetri ashtë rritë. Edhe sistemi ndërkombëtar që Shtetet e Bashkueme kanë ndertue me aq kujdes po shkyhet nga forcat përçarëse. Trumpi dhe demagogët rreth e rrotull botës mbështeten në këto forca për përfitime personale dhe politike….

Presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkueme do të flasë para të gjithë botës në kallndor 2021, dhe do të mbledhë copat e shpërndame që do të jetë nji ndërmarje enorme. Ai do të përpiqet me nxjerrë nga pozita ku kanë ra emnin tonë të mirë, me ndertue konfidencën në udhëheqjen tonë, me mobilizue vendin tonë dhe aleatët tonë për përballimin e shpejtë të sfidave të reja. Nuk do të kemi kohë me humbë…”(ff. 1,2) “…Menjiherë, na duhet të pajisemi me (ata) forca dhe të mbledhim Botën e Lirë me përballue sfidat që na dalin para sot. U takon Shteteve të Bashkueme me udhëheq. Nuk ka komb tjetër që ashtë ndërtue mbi këte ide. Na duhet me proklamue lirinë dhe demokracinë, me rifitue krediblittin tonë, me shikue me nji optimizëm të pandërpremë dhe me vendosmëni të ardhmen tonë”.

Filed Under: Politike Tagged With: amerika, Sami Repishti PhD

NJË SQARIM I DOMOSDOSHËM PËR INCIDENTIN NË MICHIGAN

November 19, 2020 by dgreca

ALBANIAN AMERICANS FOR TRUMP

 A LEGAL GROUP MEMBER OF TRUMP OFFICIAL CAMPAGNE

   US PRESIDENTIAL ELECTIONS 2020

SQARIM RRETH INCIDENTIT TË RENDITJES SË KOMUNITETIT SHQIPTAR NË LISTËN E LINDJES

Në respekt dhe si obligim ndaj shqetësimit të drejtë të komunitetit shqiptar në Michigan, në Shtetet e Bashkuara apo edhe më gjerë, në lidhje me renditjen 

në një reklamë disa ditë më parë të komunitetit shqiptar si komunitet i Lindjes së Mesme, ne grupimi “ALBANIAN AMERICANS FOR TRUMP” në Michigan, e kemi investiguar deri në fund këtëçështje e cila rezulton sa më poshtë vijon: 

        Me date 28 Tetor, një perfaqësi e komunitetit shqiptar në Amerikë, ka depozituar pranë qendrës së Fushatës Trump në Michigan një Letër-Ankesë për këtë incident.Në të njëjtën ditë, është marrë përgjigje me shkrim nga S. M.drejtor i Fushatës për Fitoren e Trump. Drejtori S. M. ndër të tjera, kërkon falje komunitetit shqiptar për këtë incident dhe siguron se nuk do të ndodhë më. Po ashtu ai thekson në përgjigje, se qëllimi i aktivitetit ishte bashkimi i të gjitha komuniteteve etnike për të mbështetur Presidentin Trump. 

Në lidhje me reklamën ku komunitetiti shqitar ishte listuar si komunitet i Lindjes së Mesme, S. M. pohoi se nuk ishin përfaqësuesit e fushatës Trump të cilët kanë shtuar komunitetit Shqiptar në reklamë por janëdrejtuesit e Koalicionit të Lindjes së Mesme dhe në të njëjtënkohë na siguroi kontaktin me drejtuesin e këtij Koalicioni. 

Një përfaqësues i grupimimit tonë kontaktoi drejtuesin e Koalicionit të Lindjes së Mesme me inecialet S. Y. dhe i kërkoi shpjegime në lidhje me reklamën. Drejtuesi S. Y. deklaroi se ishte ai organizatori i eventit dhe ishte ai përgjegjës për reklamën. Ai sqaroi se pranë Koalicionit të Lindjes së Mesme ishte paraqitur në disa raste një person me emrin Gjevalin Gegaj, i cili ishte prezantuar si udhëheqës i komunitetit shqiptar në Michigan dhe me autorizimin e z. Gegaj, ai kishte shtuar komunitetin shqiptar në listë me kombet aziatike.

 Kur e pyetëm se nëse Gjevalin Gegaj kishte paraqitur ndonjë vertetim me shkrim se ishte përfaqësues i komunitetit shqiptar, ai theksoi se z. Gegaj ishte prezantuar i vetëm dhe nuk kishte paraqitur ndonjë dokument të tillë. Po ashtu drejtuesi S. Y. theksoi se ishtei pakënaqur me z. Gegaj, pasi i kishte premtuar pjesëmarrje të komunitetit shqiptar në aktivitetin e Lindjes së Mesme, por që as z. Gegaj vetë nuk kishte marrë pjesë. Në përfundim të këtij investigimi, duket qartë se z. Gjevalin Gegaj është personi i vetëm që ka renditur shqiptarët si popull oriental. Ai ka vepruar individualisht, ka marre një tagër të pamerituar, i pakonsultuar dhe i pa-autorizuar nga komuniteti shqiptar në Michigan.

Ne anëtarët e grupimit “ALBANIAN AMERICANS FOR  TRUMP”, si pjesë e komunitetit politik dhe fetar shqiptar shumëngjyrësh në Michigan, distancohemi plotësisht nga ky veprim. Akte të tilla, edhe në qoftë se nuk nisen nga ky qëllim,dëmtojnë unitetin e komunitetit shqiptar, zbehin mardhëniet e komunitetit shqiptar me grupet e tjera etnike dhe kanë ndikuar negativisht në suksesin e fushatës së Presidentit Trump.

Ky artikull nuk ka për qëllim uljen e figurës së askujt. Nga anatjetër, duke parë ndjeshmërinë dhe reagimin e shqiptarëve në Amerikë dhe vendet tona amë, po ashtu duke e ndjerë peshën e presionit të komunitetit ndaj nesh si suportues të Presidentit Trump, e patëm si detyrë sqarimin deri në fund të këtij incidenti dhe distancimin bazuar në fakte nga ky akt.

Me Respekt

“ALBANIAN AMERICANS FOR TRUMP”

Michigan, November 19, 2020

Filed Under: Opinion Tagged With: Albanian American for Trump, incidenti

TOLERANCA SI NJË VIRTYT I DOMOSDOSHËM NJERËZOR DHE SHOQËROR

November 18, 2020 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

“Çfarë është toleranca? Është e domosdoshme për njerëzimin. Të gjithë jemi plot dobësi dhe gabime; le të falim reciprokisht marrëzitë tona – ai është ligji i parë i natyrës.” – Volter/

16 Nëntori shënoi Ditën Ndërkombëtare të Tolerancës, e shpallur si e tillë nga Asamblea e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara (OKB-ja) në vitin 1993, me nismën e UNESCO-s.  OKB-ja ka për mision të vetin angazhimin e saj për forcimin e tolerancës duke nxitur mirëkuptimin e ndërsjelltë midis kulturave dhe popujve.  Ky zotim është thelbi i Kartës së Kombeve të Bashkuara, si dhe i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.  Ky angazhim është më i rëndësishëm se kurrë në këtë periudhë të ekstremizmit të dhunëshëm në rritje dhe konflikteve të shtuara që karakterizohen nga mos respekti i përgjithshëm dhe themelor për jetën e njeriut, thekëson OKB-ja, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Tolerancës, ditë që shënohet ndërkombëtarisht çdo vit me 16 Nëntor, nga të gjitha vendet anëtare të organizatës botërore, ç’prej miratimit të rezolutës, për këtë qëllim, në vitin 1996, në përputhje me Deklaratën e Parimeve mbi Tolerancën, sipas OKB-së.

Me një të hedhur sy medias në trojet shqiptare, nuk shoh të jet përmendur në mediat kryesore shqiptare kjo ditë ndërkombëatre kushtuar tolerancës në botë.  Megjithse flitet shumë për tolerancën fetare midis shqiptarëve të feve të ndryshme – veçanërisht nga politikanët shqiptarë, sidomos, para të huajve — toleranca është diçka më shumë se vetëm ajo fetare, sado e mirë dhe e nevojshme është ajo dhe për të cilën të gjithë shqiptarët jemi krenarë. 

Në Deklaratën e Parimeve mbi Tolerancën, miratuar në Paris me 1995 nga shtetet anëtare të UNESCO-s, të cilën nuk e gjeta të përkthyer në shqip në asnjërin prej portaleve të institucioneve shqiptare ku duhej të ishte, toleranca në kuptimin e Kombeve të Bashkuara, sadddo e rëndësishme që është, nuk është vetëm për marrëdhëniet ndërfetare, por përfshin të gjitha fushta dhe larmitë e veprimtarisë njerëzore, politike kulturore, gjuhësore e të tjera. 

Në Deklaratën e lartëpërmendur thuhet se tolerance do të thotë se njerëzit kudoqoofshin duhet të respektojnë njëri-tjetrin, në të gjithë larminë e tyre politike, besimit, kulturës, gjuhës dhe dallimeve tjera midis tyre.  Nuk duhet pasur frikë nga dallimet dhe nuk duhet që ato të jenë objekt shtypjesh, brenda dhe midis shoqërive, por dallimet të vlerësohen si një pasuri e çmuar, jo vetëm të një vendi, por mbarë njerëzimit. Toleranca pra ka një kuptim shumë më të gjërë – përveç atij fetar, me të cilin u pëlqen shqiptarëve të mburren para botës – përfshir tolerancën politike, në nivelin kombëtar të shqiptarëve.  Në vitin 1996, Asamblea e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara u ka bërë thirrje të gjitha vendeve anëtare që të marrin përsipër, në nivel kombëtar, zbatimin e Deklaratës së Parimeve mbi Tolerancën. Prandaj ia vlen që të kujtojmë me këtë rast se për çfarë tolerance bëhet fjalë në Deklaratën e OKB-së mbi Parimet e Tolerancës, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Ja një përkthim jo formal i disa prej parimeve më të thekësuara të deklaratës në fjalë:

“Toleranca do të thotë respekt, pranim dhe vlerësim i larmisë së pasur të kulturave të botës sonë, formave tona të shprehjes dhe mënyrave të jetës së njeriut.  Ajo nxitet nga dija, sinqeriteti, komunikimi dhe liria e mendimit, ndërgjegjes dhe besimit…Ushtrimi i tolerancës nuk është vetëm një detyrë morale, por është edhe një kërkesë e nevojshme politike dhe ligjore. Toleranca, është virtyti që bën të mundur paqën dhe që kontribon në zëvendësimin e kulturës së luftës me kulturën e paqës.” 

“Toleranca është, mbi të gjitha, një qëndrim aktiv i nxitur nga njohja e të drejtave universale të njeriut dhe lirive themelore të tjerëve.  Në asnjë rrethanë nuk mund të përdoret për të justifikuar cenimin e këtyre vlerave themelore. Toleranca duhet të ushtrohet nga individë, grupe dhe shtete”.

 “Toleranca është përgjegjësia që mbështet të drejtat e njeriut, pluralizmin (përfshirë pluralizmin kulturor), demokracinë dhe shtetin e së drejtës.  Toleranca përfshin gjithashtu refuzimin e dogmatizmit dhe absolutizmit dhe afirmon njëherazi standardet e përcaktuara për tolerancën në instrumentet ndërkombëtare të drejtave të njeriut”. 

“Në përputhje me respektimin e të drejtave të njeriut, ushtrim i tolerancës nuk do të thotë aspak që të tolerohen padrejtësitë shoqërore ose të braktisen dhe të shtypen bindjet e dikujt. Tolerancë do të thotë se njeriu është i lirë t’u përmbahet bindjeve të veta dhe të pranojë që të tjerët t’u përmbahen dhe të ruajnë bindjet e tyre. Do të thotë të pranosh faktin se qeniet njerëzore, natyrshëm, të ndryshme në pamje, nga rrethanat e jetës, ndryshimet në të folur, në sjellje dhe për nga vlerat e tyre individuale, kanë të drejtë të jetojnë në paqe dhe të jenë ashtu siç janë.  Kjo gjithashtu do të thotë që pikëpamjet e dikujt nuk duhet t’u imponohen të tjerëve”. 

Këto pra, janë pikat kryesore në Deklaratën e Parimeve mbi Tolerancën të OKB-së, deklaratë që e cilëson ushtrimin e tolerancë, jo vetëm si një detyrë morale, por edhe si nevojë dhe kërkesë politike dhe ligjore për individët, për grupet e ndryshme shoqërore dhe politike, e sidomos për autoritetet shtetërore dhe qeveritare. Ata duhet të jenë të parët që të japin shembull për tolerance. Shtetet dhe qeveritë duhet të miratojnë ligjet e nevojshme për të garantuar drejtësinë dhe trajtim të barabart për të gjitha grupet dhe individët, pa dallim. Përveç politikës, një rol të rëndësishëm në promovimin e tolerancës luan edhe edukimi, i cili duhet të ndikojë tek të rinjtë që të zhvillojnë kapacitetet për gjykim të pavarur dhe për mendim e arsyetim kritik, sipas interpretimit të Deklaratës së Parimeve mbi Tolerancën.

Mund të thuhet se asnjë vend në botë, pa marrë parasyshë sistemet qeverisëse, nuk është imun nga të këqiat që vijnë nga mungesa e tolerancës zyrtare dhe shoqërore ndaj atyre personave ose grupeve që i konsiderojmë si ndryshe nga ne, qoftë edhe për nga pikëpamjet politike. Vendet normale e kanë kuptuar tanimë se toleranca – sidomos toleranca politike — dhe pajtimi janë gurthemeli i një shoqërie të drejtë dhe të barabart për të gjithë dhe pa dallim.  

Në fillim të këtij muaji, bota shqiptare shënoi 100-vjetorin e lindjes së Anton Çetës, pajtimtarit të Kombit. Duhet thekësuar se, historikisht është provuar se, toleranca dhe pajtimi nuk janë të lehtë për asnjë shoqëri, madje as për shoqëritë më të zhvilluara, e sidomos nuk janë të lehta për shqiptarët me një të kaluar të tmershme përçarëse komuniste. Por, megjithë vështirsitë me të cilat përballet një shoqëri, toleranca ndaj njëri tjetrit – sidomos në radhët e politikës – por dhe pajtimi janë të domosdoshëm, sepse në mungesë të tolerancës dhe pajtimit kombëtar, sidomos kur konfliktet midis palëve janë tepër të acaruara në një shoqëri me institucione politike pa tradita demokratike — siç është shoqëria shqiptare — si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, gjëndja mund të përkeqësohet mëtej, duke çuar në konflikte të reja. 

Prandaj është detyrë dhe përgjegjësi madhore e udhëheqësve më të lartë të vendit që me deklaratat e tyre të papërgjegjshme – dhe grindjet e llojit që kemi dëgjuar javët dhe muajt e fundit në Tiranë dhe në Prishtinë — të mos i fryjnë erës së konfliktit, mos-tolerancës dhe mos-pajtimit ndër shqiptarët, por të punojnë drejtë vendosjes së besimit dhe bashkpunimit midis palëve në konflikt dhe shoqërisë, në përgjithësi.  Mos-toleranca nxitë mos-tolerancën, paralajmëron OKB-ja, duke theksuar se për të luftuar mos-tolerancën në shoqëri — si individët ashtu edhe qeveritë — duhet të jenë të vetdijshëm për lidhjen që ekziston midis sjelljeve të tyre jo tolerante ndaj kundërshtarëve politikë dhe atyre që mendojnë ndryshe — dhe ciklit të mbrapsht vicioz të mos besimit dhe dhunës politike dhe kriminale në shoqëri, të cilat janë domosdoshmërisht pasojë e mungesës së tolerancës politike dhe shoqërore në të gjitha nivelet e jetës.

                      

Filed Under: Opinion Tagged With: Dita e Tolerances, Frank shkreli

Amerika i akordon Kosovës mbi 33 milionë dollarë

November 18, 2020 by dgreca

Presidentja ne detyre Dr. Vjosa Osmani nenshkruan Marreveshjen.

-U.d. e Presidentes dr.Vjosa Osmani nënshkruan marrëveshje me USAID-in, falënderon popullin Amerikan për përkrahjen e vazhdueshme për qytetarët e Republikës së Kosovës/

-Grant 33 milionë dollarësh për Kosovën nga  Objektivat Zhvillimore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës/

PRISHTINË, 18 Nëntor 2020- Gazeta DIELLI/ Ushtruesja e detyrës e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka nënshkruar sot Marrëveshjen e Grantit për Objektivat Zhvillimore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Republika e Kosovës përfiton mbi 33 milionë dollarë nga USAID-i.

Kjo Marrëveshje ndërlidhet me Objektivat Zhvillimore të USAID-it për pesë vitet e ardhshme. Më të synohet shërbimi më i mirë ndaj qytetarëve nga institucionet  llogaridhënëse dhe efektive të qeverisjes, si dhe rritja e mundësive për pjesëmarrje gjithëpërfshirëse demokratike dhe ekonomike.

Objektivi i parë zhvillimor përqendrohet në mbikëqyrjen e institucioneve nga ana e qytetarëve dhe shoqërisë civile, ndërsa i dyti adopton një qasje më të gjerë ndaj pjesëmarrjes demokratike. Me të synohet përmirësimi dhe bashkëpunimi ndërmjet qytetarëve, shoqërisë civile, bizneseve dhe sektorit publik në mënyrë që komunitetet lokale të kenë pozicion më të favorshëm për t`i adresuar sfidat zhvillimore të Kosovës.

U.d. e Presidentes Osmani ka falënderuar popullin amerikan për përkrahjen e vazhdueshme për qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Investimi i vazhdueshëm i ShBA-ve përmes projekteve të ndryshme është konfirmim i përkushtimit të përhershëm të Qeverisë dhe popullit amerikan kundrejt rritjes së mirëqenies dhe zhvillimit të përgjithshëm social e ekonomik të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka theksuar u.d. Presidentja Osmani. Ajo ka vlerësuar lart punën e USAID-it, ka potencuar se kjo ndihmë përqendrohet në rritjen e llogaridhënies së vendimmarrësve dhe institucioneve, si dhe në gjenerimin e mundësive demokratike dhe ekonomike për të gjithë qytetarët.

Filed Under: Politike Tagged With: 33 milione dollare, Dr.Vjosa Osmani, per Kosoven

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 303
  • 304
  • 305
  • 306
  • 307
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT