• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dr. Zef Mulaj:Mrekullia në kafaz…

November 7, 2020 by dgreca

Mrekullia në kafaz – Miracolo in gabbia është libri më i fundit me poezi nga Zef Mulaj në italisht, libri i tij i 13-të dhe i 5-ti në italisht. Libri sapo ka dalë nga shtëpia botuese Simple Macerata, në Itali, poezi Haiku.

Përpjekja e fundit nga shkrimtari italo-shqiptar titullohet “Mrekullia në kafaz”.
Një përmbledhje poezish për të folur për shkencën dhe artin, por edhe për momentin e vështirë që po përjetojmë për shkak të Covid. “Mrekulli në një kafaz” është vepra e fundit e Zef Mulaj një poet dhe shkrimtar i italo-shqiptar, i përkthyer edhe jashtë vendit. Ndër të tjera, ai është një Doktor i Shkencave Farmaceutike, një ekspert ndërkombëtar në bimët medicinale, një konsulent shkencor në toksikologjinë kimike forenzike dhe një anëtar i prestigjozës “Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencës dhe Arteve” në New York.

“Ky është libri im i 13-të me poezi, i pesti në italisht – shpjegon Mulaj -. Përbëhet nga 420 haiku, kompozime të shkurtra që luajnë me shumë interpretime që lexuesi mund të japë. E gjitha filloi gjatë Covid, dhe në fakt tema kryesore është këmbëngulja për të luftua te keqen. Kafazi është rihapur sot, duke shpërndarë fara të helmuara të quajtura Covid, një armik i fshehur. Njerzit janë të detyruar të reflektojnë, të shtyrë nga frika, e cila është zbulimi i dobësisë së tyre. Por kjo është gjithashtu një ftesë për të luftuar kundër një bote prej guri dhe gjaku dhe për të gjetur guximin për të fituar luftën, ndoshta me ndihmën e një buzëqeshjeje, një puthjeje ose një gjeste dashurie, duke perdorur fjalët tona me sinqeritet, ditët tona. Në shpresën e kthimit për të besuar në mrekulli.(Dardania)

Filed Under: LETERSI Tagged With: Dr. Zef Mulaj, Mrekullia ne Kafaz

JOE BIDEN: DO TË JEM PRESIDENT I TË GJITHË AMERIKANËVE

November 7, 2020 by dgreca

Nga Dalip Greca/

Amerika feston dhe proteston. Feston kampi demokrat, proteston ai republikan. Në Time Square demokratët kanë ngritur flamujt e fitores e po brohorasin, ndërsa në Michigan e shtete të tjerë, republikanët protestojnë duke i konsideruara zgjedhjet të manipuluara. Numrimi i votave po shkon drejt fundit, por beteja ende vazhdon. Mendoj se beteja ligjore do të jetë pa ndikim në ndryshimin e verdiktit të votave të amerikanëve. Tashmë Joe Biden është Presidenti i 46-te I zgjedhur i amerikanëve,që që do të akomodohet në Shtëpinë e Bardhë me 20 Janar 2021, ndërkohë që Kamila Harris regjistron rekordin historik të një zv/presidenteje me ngjyrë.

       Lajmin e fitores së Biden e zyrtarizoi së pari agjensia prestigjioze Associated Press(e cila e kishte parashikuar fitoren)  dhe më pas NBC News, CNN, por edhe konservatori në anën e republikanëve, Fox News TV, i cili evidentoi krahas publikimit të lajmit”JOE BIDEN, PRESIDENTI I 46-të”, edhe faktin se ky rrjet e kishte parashikuar fitoren e Joe Biden. Gjithësesi të gjithë televizionet amerikane CNN, NBC, CBS, ABC, FOX NEWS, por edhe agjensit e pavarura prestigjioze, perfshire Reuters  dhe Associated Press, e kanë konfirmuar vërtetësinë e lajmit, por presidenti Trump deklaroi se presidentin nuk e shpall media, por vota reale (Jo ajo e manipuluar).

      Presidenti Tump dhe ekipi i tij duket se nuk do ta pranojnë lehtë humbjen dhe nuk kanë ndërmend të dorëzohen. Ata janë përgatitë për betejë të gjatë ligjore. Vetë presidenti Trump shkroi se zgjedhjet i ka fituar Ai.

Nga ana e tij Biden pasi deklaroi fitoren tha se do të bashkojë amerikanët dhe do të shërojë plagët e Amerikës.Ai shkroi në Tweeter:”Amerikë, jam i nderuar që më ke zgjedhur për të udhëhequr shtetin tonë fantastik. Puna përpara nesh do të jetë e vështirë, mirëpo ta premtoj këtë: Unë do të jem president i të gjithë amerikanëve – pavarësisht nëse më keni votuar apo jo. Do ta ruaj besimin që më keni dhënë…”

Joe Biden ka marrë urimet e para nga kampi i vet si nga: Presidenti Klinton, ish presidenti Obama, por duket se edhe evropianët mezi kanë pritur: I pari uroi Presidenti i Parlamentit Europian  David Sassoli,  presidenti Francez Macron, kryeministri Britanik Boris Johnson, e pas tij krerët e Këshillit Europian, Kryeministri i Kanadase, Ministri i Jashtem i Gjermanise, dhe të tjerë liderë rajonal nga Ballkani, si Presidentja, njëkohësisht Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, Kryeministri Avdulla Hoti,kryetari i Opozitës në Shqipëri Lulzim Basha, ish lideri historik Dr. Sali Berisha, Kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti e të tjerë(nuk kemi të dhëna nëse kanë uruar ende kinezët apo JO?).

KUSH ËSHTË JOE BIDEN?

Presidenti Joe Biden me 20 nëntor do të mbush 78 vjec, ndërsa me 20 Janar kur të bëjë betimin, do të regjistroi rekordin e presidentit më të vjetër në marrjen e detyrës.

Biden ka shërbyer për rreth gjysmë shekulli në Ëashington, ndër të cilat 36 vjet i takojnë karrierës së tij si Senator( 3 herë kryetar i Komitetit të Senatit për Marrdhëniet me Jashtë), dhe 8 vjet nënpresident nën administratën e Presidentit Barak Obama.Këtë jetëgjatësi në karrierë politike dhe shtetërore, kundërshtari i tij, Presidenti Trump, u përpoq t’ia kthente në bumerang, duke I përsëritë në cdo debat si dhe gjatë të gjithë fushatës:Këto premtime që po merr përse nuk i realizove për 47 vjet Joe?

Por duket se demokratët i kishin bërë mirë llogaritë dhe e kishin ngritur strategjinë në kurthin e së cilës ra vetë presidenti dhe ekipi i tij i fushatës. Asaj që ia kishte frikën presidenti, votës me postë, ndodhi, pikërisht ajo llojë vote e ndëshkoi!

Filed Under: Histori Tagged With: dalip greca, Joe Biden, President i 46

KUJTOJMË PROF.DR.SAFETE S. JUKA, FIGURË E MADHE KOMBËTARE

November 7, 2020 by dgreca

Nga Eduard M. Dilo-New York

Si sot, 15-te  vite më parë, në New York, ndërroi jetë, për të ngelur e pavdekshme shkencëtarja, studjuesja, piktorja, arkeolog-ja, eruditja – Prof.Dr. Safete S. Juka.

Kam patur fatin të jem takuar disa herë me këtë zonjë të rrallë,  që duhet të jemi krenare që përket racës shqiptare. Ruaj për të një respekt dhe konsideratë të veçantë.

 Sa e ditur dhe enciklopediste që ishte, aq ishte  dhe e thjeshtë.  Kish të kultivuar nga familja një dashuri të thellë për mbarë kombin dhe ishte angazhuar totalisht në zgjidhjen e padrejtësive dhe mizorive që i bëheshin Kosovës sonë tejet të martirizuar e terrorizuar nga barbarët serbë .

Ka bërë shumë shkrime e studime, të cilat i ka botuar në revista e gazeta me emër si : “Ectrits de Paris”, “Relitess”, “The French Review “, “Revue Francaise”, “Le Mond”, “East Europian Quartely”e sa e sa te tjera; duke mos harruar dhe gazetat shqiptare në mërgim “Dielli “, “ILYRIA”, “Koha e jone”, etj.

Ajo jo vetëm që zbuloi kopjen e vetme në Bibliotekën e Harvardit të librit “Albanians’ Golgotha”, të Freundlich, me të cilin njihej personalisht, por dhe e përktheu në anglisht dhe e shpërndau në gjithë kancelaritë e botës, për ta bërë të njohur kudo të drejtën e popullit tonë kosovar, autokton në ato troje, që kur ësht krijuar njerëzimi.

E mbylli jetën e saj me një studim shkenecor të bazuar vetëm në fakte e dokumente për Kosovën, qe e kish aq për zemër.

E kanë çmuar dhe vlerësuar punën e saj, si dhe ja kanë ditur vlerën, personalitete të tilla,Shkrimtari  Ismail Kadare, studjuesi Mojkom Zeqo, Aurel Plasari,e shumë të tjerë.

Besoj se aty ku prehet, në tokën që e lindi, në Shkodrënloce, e ka ndjerë shpalljen e Pamvarsisë së Kosovës, të cilën e mori peng ne varr! Ajo si shume figura te medha kombetare, kjo Rilindase e diteve tona do te gezohet aty ku ka shkuar te pushoje, kur te mesoje se Kosova ju bashkangjit trungut Ame; nje enderr e saj, nje realitet i pritshem nga gjithe ne  ne nje kohe sa me te afert.

I qofte e lehte balta e tokes meme, me shprese se nje dite, ne atdheun tone do te vendosen ne vendin e merituar njerzit e vertete qe na bejne krenare ta ndjejme veten bashkekombas te tyre!

Me erdhen nder mend vargjet e Fishtes, poetit tone Kombetar, qe dhe Dr. Safete Juka e kish aq per zemer dhe e vlersonte shume, qe mendoj aq shume i perkasin Asaj:

“Dersa t’mundem me ligjrue

E sa gjall me frym un jam,

Kurr, Shqypni , s’kam me t’harrue,

Edhe n’vorr me t’permende kam.”

 Kjo Zoje e rralle, per nga dijet dhe e shquar per patriotizmen e larte,  la amanet qe kursimet e saj te shkojne ne adrese te Bibliotekes Kombetare ne Atdhe; nderkohe qe shkuan, u muaren nga institucioni,  nuk kemi degjuar te pakten te jete vendosur nje pllake ne kujtim te ketij xhesti teper te larte, fisnik e shembellor. A nuk eshte vendi ketu qe  ti propozohet gjithashtu Presidentit te Republikes per ti dhene titullin e larte” NDERI I KOMBIT”(eshte kerkuar dhe me pare ne artikuj te ndryshem per te nga intelektuale te ndryshem), por deri sot nuk eshte bere asgje. Nderkohe edhe Qeveria e Kosoves, e thekesoj qe KOSOVA ISHTE SHPIRTI I SAJ, e per te punoi e sakrifikoje tere jeten, duhet te beje diçka ne nderim te kesaj figure ne permasa te medha patriotike.

Filed Under: Opinion Tagged With: Eduard dilo, Prof.Dr. Safete Juka

KUSHTETUTA AMERIKANE: DOBËSIA E NJË MODELI

November 7, 2020 by dgreca

–Kushtetuta amerikane ka 233 vite. Është më jetëgjata në botë.–

Nga SABINO CASSESE-

Përktheu nga “Corriere della Sera” Eugjen Merlika/

Më 2 prill 1831 një gjykatës njëzetegjashtëvjeçar francez hipte në një anije në Le Havre, së bashku me një shok, në drejtim të New Yorkut, ku arritën mbas tridhjetetetë ditësh lundrimi. Bëhej fjalë për një udhëtim hulumtimi, formalisht mbi sistemin amerikan të vuajtjes së dënimit, në të vërtetë mbi demokracinë e re t’atij Vendi. Nga bisedat e leximet ai i ri fisnik, Alexis de Tocqueville, mbas katër vitesh botoi pjesën e parë të një libri të famshëm, ende sot një klasik, i emërtuar Mbi demokracinë n’Amerikë.

Deri atëherë, kultura evropiane e botërore kishte përlëvduar revolucionin anglez të 1688, si shëmbull demokracie. Tocqueville e ktheu shikimin e botës në drejtim të një tjetër shëmbulli, atij amerikan të viteve 1776 – 1789. Që atëherë bota ka parë me adhurim Kushtetutën amerikane të vitit 1787. Adhurimi është rritur me fuqizimin e zhvillimin e Shteteve të Bashkuara. Në kohën e udhëtimit të fisnikut francez ato kishin 13 milion banorë e dy milion skllevër. Sot ai Vend është 25 herë më i madh në popullsi, me një zhvillim e një fuqi të jashtzakonshme. Nëse ka patur ndonjë meritë presidenca Trump ka qënë ajo e vënies në dukje të dobësive t’atij modeli aq t’adhuruar para gjithë botës.

Kushtetuta amerikane ka 233 vite. Është më jetëgjata në botë. Gjatë gjithë këtyre viteve ka pësuar vetëm 27 ndreqje, edhe se janë propozuar më shumë se dhjetëmijë të tilla. Është edhe njëra ndër më vështirësisht të ndreqëshmet (të dy proçedurat e ndryshimit të parashikuar janë tepër të ndërlikuara dhe të pështjelluara). Kjo ka ushqyer idetë e çuditëshme të “origjinalistëve” (ishte gjykatësi kushtetues Antonin Skalia dhe është pasuesja e tij, gjyqtarja e sapoemëruar Amy Coney Barrett), simbas të cilëve gjyqtarët duhet të respektojnë gjithmonë vullnetin zanafillor t’atyre që shkruajtën një Kushtetutë të herëshme prej gati dy qinvjetorësh e gjysmë. Një model kaq i largët në kohë, me gjithë të tëra insinuatat e mprehta për të shmangur mbizotërimin e “tiranisë së shumicës”, të ndruajtur nga John Adams, James Madison dhe Alexis de Tocqueville, nuk është gjithmonë në gjëndje të mbajë peshën e moshës. Disa Kushtetuta bashkëkohore përmbajnë parime që gjermanët i përcaktojnë si të përjetshëm sepse të pandryshueshëm, por bëhet fjalë për parime të veçanta. Pasoja më e rëndë e pandryshueshmërisë thelbësore kushtetuese amerikane është ajo e çrregullimit të gjithë sistemit duke i dhënë një fuqi të pamasë Gjykatës së Lartë, i vetmi organ i aftë të përshtasë parimet kushtetuese realitetit të sotëm. Kështu Gjykata e Lartë bën ligjin. Nuk shpjegohet ndryshe fakti që edhe vdekja e një gjyqtari të saj merr rëndësinë e vdekjes së një mbreti.

Shënja e dytë e dobësisë së sistemit kushtetues qëndron n’atë që ka lejuar rritjen tej mase të pushtetit të presidentit. N’origjinë presidenti nuk kishte një rol kaq të rëndësishëm: në fillim të shekullit të shkuar, William Howard Taft e la me dëshirë postin për të dhënë mësim e më pas u bë Chief Justice; në fund të jetës së tij deklaroi se as nuk e mbante mënd që kishte qënë president. Presidenti amerikan është Komandant i përgjithshëm i forcave t’armatosura, kryetar i partisë që e ka kandiduar, kryetar i Shtetit dhe i qeverisë, mund t’i verë veton ligjeve, e me miratimin e Senatit emëron të gjithë gjykatësit federalë, përfshirë ata të Gjykatës së Lartë. Pesha e fituar nga Shtetet e Bashkuara në politikën botërore gjatë viteve 1900 ka shtuar edhe  më tepër rolin e pushtetet e presidentit. Historiani Arthur Schlesinger, që qe këshilltar e tre Kennedëve, e quajti “presidencë perandorake”. I ka bërë jehonë Bruce Ackerman (“Gjithë pushtetet e presidentit”, Bolonja, Il mulino, 2012) me një përimtim të këtij përqëndrimi të jashtzakonshëm pushtetesh.

Pika e tretë e dobët: presidenti amerikan flet n’emër të kombit, por nuk është i zgjedhur nga populli. Më tre nëndor zgjidhen zgjedhësit e njërit prej kandidatëve, të cilët,   për t’u zgjedhur duhet të sigurojnë shumicën e Shteteve, jo shumicën e votave popullore (në votimet e 2016 zonja Clinton pati pothuajse tre milionë vota më shumë se Trumpi dhe humbi) Kjo kundërshtueshmëri është shtuar nga shtysa skajore e një presidenti si Trump-i, që ka polarizuar të gjithë politikën e tij dhe ka arritur të kërcënojë se nuk do të njohë përfundimin zgjedhor.

E katërta: kryefjala amerikane është e pluribus unum (nga shumë një). Por nëse Shtetet janë të bashkuara në paktin e përbashkët, nuk është e bashkuar popullsia, po të mbajmë parasysh se 14 % (45 milionë afroamerikanë nuk kanë arritur njohjen e plotë të gjithë të drejtave të tyre. Ka të drejtë juristi i madh Guido Kalabresi kur pohon se Bashkimi Evropian (që për kryefjalë ka zgjedhur më urtësisht in varietate concordia, pra bashkësi në ndryshueshmëri) është më i bashkuar se Shtetet e Bashkuara t’Amerikës, aq herë të marra si shembull të zhvillimeve t’ardhëshme t’Evropës. Ai Vend që lëvdohet se është një melting pot (një poç) ka në brendësi të tij ndryshime që janë më të fuqishme se ato territoriale që kemi ne n’Evropë.

Një tjetër pikë e dobët ka të bëjë me Gjykatën e Lartë (dhe gjykatat e tjera federale) antarët e të cilave janë vënë në të njëjtën sërë të një mbreti apo të Papës, si titullarë të postit përjetë. Kjo nuk është vetëm një e keqe në vetvehte, sepse siguron këmbime shumë të ngadalta, por është burim edhe i një tjetër shtrembërimi sepse i lejon presidentit që rastësisht i takon t’emërojë më shumë se një gjykatës, të lerë gjurmët e politikës së tij shumë më gjatë se sa mandati i tij (i kufizuar në katër vite që mund të përsëriten vetëm një herë).

Si  përfundim, Kushtetuta që ka ravijëzuar një sistem politik të marrë si shembull nga e gjithë bota tregon të gjithë vitet e saj  dhe është pak shëmbullore. Trump-i nuk është një problem vetëm për Vendin e tij, por edhe për demokracinë.

“Corriere della Sera”, 3 nëndor 2020           Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Featured Tagged With: Eugjen Merlika, Kushtetuta amerikane, Sabino Cassese

MARK QEHAJA: A PO PËRJETON KOSOVA PABESI NDËRKOMBËTARE?

November 7, 2020 by dgreca

Mark Qehaja, ish – Komandant Batalioni në Ushtrinë Shqiptare, i diplomuar në Akademinë e NATO-s, aktualisht kryetar i Shoqatës Shqiptaro – Amerikane “Skenderbej” Inc, në një intervistë ekskluzive dhënë gazetarit Sokol Paja për gazetën Dielli të VATRËS – New York, ka kundërshtuar me forcë dhe dënuar ashpër shoqërimin në Hagë në Dhomat e Gjykatës Speciale të Presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, ish kryeparlamentareve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqit, deputetit të Kosovës, Rexhep Selimi dhe veteranët e UÇK Mustafës, Ngucatit e Haradinajt. Gjykata Speciale me mandat të skaduar nuk ka asnjë të drejtë të arrestojë krerët e shtetit të Kosovës dhe luftës në Kosovë. Drejtësia ndërkombëtare po bën një padrejtësi të pafalshme ndaj shtetit të Kosovës.

Mark Qehaja, ish – Komandant Batalioni në Ushtrinë Shqiptare ka deklaruar se arrestimi dhe konfirmimi i aktakuzave ndaj krerëve të institucioneve të shtetit të Kosovës si Presidentit  të vendit Thaçi, drejtuesve politik të institucioneve në Kosovë, deputetëve dhe veteranëve të luftës, janë një dëshmi se ndaj shtetit të brishtë të Kosovës po bëhet një lojë shumë e padrejtë dhe e pabesë ndërkombëtare.Viktima po trajtohet si persekutor dhe persekutori si viktimë. Kjo sipas  Mark Qehaja, ish – Komandant Batalioni në Ushtrinë Shqiptare, është shumë qesharake për botën e civilizuar. Mbajtja e Kosovës pa liberalizim vizash, veçimi si një ishull i vetmuar në Ballkan dhe më së fundmi arrestim i krerëve të shtetit, janë hapa mbrapa në forcimin e themeleve të institucioneve demokratike të shtetit të Kosovës. Këto ngjarje janë shumë kthim pas. Janë një përpjekje e poshtër për të mpleksur kriminalisht luftën e pastër dhe të drejtë të udhëheqësve shqiptarë të Kosovës në mbrojtje të lirisë e vatanit.

Lufta e UÇK sipas Mark Qehaja, ish – Komandant Batalioni në Ushtrinë Shqiptare, është ndër luftrat më të drejta, më të ndershme, më të pastra dhe më të domosdoshme për kombin tonë. Një popullsi civile u gjend nën genocidin e pashembullt serb për vite rradhë. Drejtësia ndërkombëtare nuk mund të veprojë me dy standarte. Si fillim duhet të zbardhë krimet e agresorit më pas duhet të merret me krimet e supozuara të UÇK. Mark Qehaja, ish-Komandant Batalioni në Ushtrinë Shqiptare deklaron se: shprehi bindjen  e thellë se lufta për liri e pavarësi e popullsisë shqiptare në Dardani nuk do të njolloset në asnjë mënyrë nga asnjë Gjykatë Ndërkombëtare që funskionon mbi bazën e ligjeve dhe të normave të shkruara e gjithëpranuara ndërkombëtarisht. Ky sulm që po bëhet në Kosovë, sipas z.Qehaja është një sulm jo ndaj individëve që udhëhoqën luftën, por ndaj institucioneve të shtetit.

Ky sulm i pabesë është një sulm dinak, i egër, i poshtër dhe i sponsorizuar nga qarqet të caktuara antishqiptare. Gjaku i të rënëve për liri, dëshmorët e gjallë të Kosovës, varrezat e Jasharëve, të masakruarit e Reçakut nuk e meritojnë kurrë këtë poshtërim. Z. Qehaja apelon që ndaj kësaj padrejtësie dhe pabesie ndaj popullit shqiptar të Kosovës duhet të ndërhyjnë institucionet më të larta ndërkombëtare për të ndalur këtë maskaradë. Qëndresa e Jasharëve, nderimi dhe respekti për 56 familjarë të vrarë të Jasharëve e mijëra të vdekurve e të humburve pa varr në përpjekje për liri e pavarësi në Kosovë nuk meritojnë barazimin me kriminelë të luftës. Veprimi i Gjykatës Ndërkombëtare është një veprim i pamoralshëm nga këto isntitucione drejtësie ndërkombëtare me mandate të skaduar.

7 milionë shqiptarë janë sot krenar sipas z.Qehaja dhe përulen në nderim dhe respekt të luftës heroike dhe patriotike të UÇK në mbrojtje të trojeve të shenjta shqiptare. Arrestimet e funksionarëve të lartë të shtetit dhe të luftës është një përpjekje për të kontribuar në shpërbërjen e shtetit të Kosovës dhe njollosjen e luftës së UÇK-së. Sipas z.Qehaja Kosova nuk mund të trajtohet si kanibale europiane por si një shtet me të drejta të plota dhe vlera të larta në bashkësinë evropiane.

Nga kjo gjykatë po vjen një sulm i pamoralshëm për atë që Kosova ka arritur deri më sot. Mark Qehaja, ish – Komandant Batalioni në Ushtrinë Shqiptare ka një ftesë dhe thirrje për të gjithë Shqiptarët në të gjithë hapsirën mbarë shqiptare në Ballkan dhe diaspora kudo në botë, që në këtë moment të padrejtë që po u bëhet vëllëzërve tanë në Kosovë, duhet të jemi të bashkuar dhe të solidarizuar ndaj kësaj pabesie që po luhet në kurriz të shqiptarëve. Sot më shumë se kurrë duhet unitet dhe vëllazëri.

Sipas z.Qehaja, hasmi ndërkombëtar po kërkon të përçajë kombin tonë dhe të shkatërrojë vlerat vëllazërore dhe kombëtare të kombit shqiptar. Asnjë veprim ndërkombëtar i padrejtë nuk duhet të përçmojë dhe ulë vlerat e një luftë me jehonë ndërkombëtare dhe kauzë ndërkombëtare. Këto arrestime sipas z.Qehaja bien ndesh me frymën e mbështetjes amerikane dhe NATO në Kosovë dhe luftës së denjë e të drejtë për lirinë e pavarësi. Nëse Gjykata e Hagës e ka njohur një herë pavarësinë e Kosovës, nuk mundet asesi që po kjo gjykatë apo çdo lloj gjykate e drejtësie e supozuar ndërkombëtare të vërë në dyshim Kosovën, Luftën, UÇK-në dhe mbi të gjitha popullin e kombin shqiptar në Ballkan, përfundon deklaratën e tij për gazetën Dielli të VATRËS z. Mark Qehaja, ish – Komandant Batalioni në Ushtrinë Shqiptare. 

Filed Under: Featured Tagged With: Mark Qehaja, Pabesi Nderkombetare, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 316
  • 317
  • 318
  • 319
  • 320
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT