• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqipëria shans për të bërë historinë

October 8, 2015 by dgreca

Ndeshja me Serbinë, Shqipëria shans për të bërë historinë/

Atmosferë festive në Elbasan për ndeshjen Shqipëri-Serbi/

TIRANË, 8 Tetor/Nga Gjergji Mima/ -Ndeshja e futbollit Shqipëri-Serbi e mbrëmjes së sotme në “Elbasan Arena”, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian “Francë 2016”, është një nga sfidat më të rëndësishme që kombëtarja shqiptare kaluajtur në historinë e saj, sepse kjo ndeshje mund të vleje kualifikimin historik për herë të parë në fazën finale të një Kampionati Europian.

Shqipëri – Serbi, skenaret e kuaifikimit të kombëtares

Shqipëria momentalisht ndodhet në vendin e tretë të grupit I, me 11 pikë, 1 më pak se rivalët e drejtëpërdrejtë për vendin e dytë, Danimarka dhe 4 më pak se Portugalia kryesuese. Në këtë aspekt, vendimtare për shanset e kuqezinjve për t’u kualifikuar do të jetë edhe ndeshja e sotme në Braga mes Portugalisë dhe Danimarkës. Nëse skuadra e Olsen nuk fiton në ndeshjen e saj të fundit të kualifikuese dhe kjo kombinohet me suksesin e shumdëshiruar të Shqipërisë në Elbasan Arena, atëherë mbrëmja e sotme do të jetë ajo e festës së madhe, pasi Shqipëria siguron automatikisht vendin e dytë në grup.

E rëndësishme do të jetë që Danimarka të mos fitojë, pasi kjo do t’i lejonte Shqipërisë që të shpresojë kualifikimin nga dera e madhe në Europian edhe në ndeshjen e fundit, të dielën e ardhshme në Yerevan me Armeninë, ku në këtë rast do t’i duhej me cdo kusht fitorja për të siguruar vendin e dytë. Shqipëria ruan këtë opsion për në Yerevan edhe nëse arrin në 8 tetor të njëjtin rezultat me danezët. Skenari më i keq, më mirë të mos thuhet qoftë edhe për supersticion, kombinimet matematikore janë disa, por e sigurt është dicka, Shqipëria ndryshe nga Danimarka është vetë zonjë e fatit të saj dhe ka në dorë për të hedhur cdo skenar negativ. në rast të dy fitoreve rradhazi kuqezi në dy ndeshjet e fundit të kombëtares, atëherë nuk ka opsion që shpëton rivalët.

Shqipëri-Serbi, shifra dhe fakte historike

Serbi-Shqiperi1Në prag të përballjes vendimtare mes Shqipërisë dhe Serbisë në “Elbasan Arena”, mbrëmjen e sotme në oren 20:45, në kuadër të eliminatoreve të Europianit, panoramimi i disa fakteve historike, por edhe të ditëve të sotme, do të jepnin një ide më të qartë rreth diferencave që ekzistojnë mes të ekipeve.

Federata Shqiptare e Futbollit është pranuar në FIFA në vitin 1932, ndërsa homologia serbe është bërë anëtare e institucionit më të lartë të futbollit botëror që në vitin 1919.

Pozicionin më të mirë në renditjen e FIFA-s, të 22-tin Shqipëria e ka arritur në Gusht të këtij viti, pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë për t’i dhënë fitoren 0-3 në tavolinë ndaj Serbisë, për sfidën e Tetorit të një viti më parë, ndërsa pika më e ulët, që është vendi i 124-t, është shënuar në vitin 1994.

Ndërkohë, Serbia pozicionin më të mirë të 10-tin në botë, e ka arritur në vitin 1998, ndërsa pozicioni më i ulët, i 101, është shënuar në vitin 1994.

Golashënuesi më i mirë i kombëtares shqiptare është Erjon Bogdani me 18 gola, ndërsa futbollisti me më shumë ndeshje është Lorik Cana me 86 paraqitje me fanellën kuqezi. Te Serbia si golashënuesi më i mirë i historisë spikat Stjepan Bobek, me 38 gola, ndërsa Dejan Stankovic ka luajtur plot 103 ndeshje, më shumë se cdo futbollist tjetër me kombëtaren serbe.

Vlera totale e futbollistë kuqezi kap shifrën e 34 milionë euro, ndërsa lojtarët serbë vlerësohen 158 milionë euro.

Fitoren më të thellë Shqipëria e ka arritur në miqësore ndaj Qipros në gusht të 2009, me rezultatin 6-1, ndërsa humbjen më të thellë e ka regjistruar me Hungarinë 12-0 në vitin 1950.

Në vitin 1972, Serbia, në atë kohë pjesë e ish-Jugosllavisë, fitoi 10-0 me Venezuelën, ndërsa humbjen më të rëndë e ka pësuar ndaj Cekosllovakisë në vitin 1920 me rezultatin 7-0.

Shqipëria i luan ndeshjet brenda në “Elbasan Arena”, që ka një kapacitet 12 800 vende, ndërsa Serbia në stadiumin e Partizanit të Beogradit, që mund të akomodojë 32 719 persona.

Shqipëri- Serbi, interesim maksimal i medias botërore

1444289566elbasan-arena-1Ndeshja e “Elbasan Arena” mes Shqipërisë dhe Serbisë ka tërhequr vëmendjen e disa prej mediave kryesore botërore.

Interesimi i jashtëzakonshëm padyshim që ka të bëjë me historinë mes dy vendeve, por mbi të gjitha me ato që ndodhën një vit më parë në Beograd, me mediat globale që janë të interesuara të bëjnë dhe krahasimin me mënyrën se si u sollën tifozët serbë në 14 tetor dhe atë që do të shohin e përjetojnë në ‘Elbasan Arena’.

Mësohet se në tribunën e shtypit të “Elbasan Arenës” si kurrë më parë në ndonjë stadium shqiptarë do të jenë përfaqësues të mediave më të njohura të planetit. Siç konfirmon zyra e marrëdhënieve për shtyp në Federatën Shqiptare të Futbollit, në tribunën e mediave do të jenë gazetarët e CNN, BBC, Sky, Daily Mail, NY Times e të tjerë dhe padyshim ata të gazetave më të rëndësishme sportive si Gazzetta Dello Sport në Itali, L’Equipe e Francës apo Marca në Spanjë.

Shqipëri-Serbi, masa të rrepta sigurie për mbarëvajtjen e ndeshjes

Policia-Foto-Agim-Dobi-(2)Për sigurinë dhe mbarëvajtjen e ndeshjes Shqipëri- Serbi në Elbasan janë marrë një sërë masash të rrepta sigurie nga Drejtoria e Policisë së Elbasanit.

Në kuadër të këtyre masave që prej orës 08.00 të mëngjesit të sotëm është ndaluar qarkullimi rrugor tek bulevardet “Qemal Stafa” dhe “Aqif Pasha”, si dhe në aksin rrugor nga ish-Konservimi i vjetër deri tek Harullajt.

Gjithashtu, gjatë ditës nuk do të lejohet parkimi i automjeteve nga rrethrrotullimi i Luleve deri tek ai i Zaranikës; përreth dhe përballë stadiumit; si dhe përgjatë dy bulevardeve kryesore.

Hyrja e tifozëve në stadium do të fillojë në orën 16:30, me qëllim shmangien e radhëve të gjata. Ata do të kontrollohen të gjithë në hyrjen e stadiumit dhe duhet të jenë të pajisur me kartën e identitetit dhe të mos kenë me vete sende të forta, shishe, monedha apo metale. Lidhur me ndeshjen janë angazhuar 1.500 punonjës policie, nga të cilët 308 nga Drejtoria e Elbasanit.

Gjithashtu, të gjitha lokalet në këto zona do të jenë të mbyllura nga ora 12:00 deri në përfundim të ndeshjes, ndërsa në pallatet përreth nuk do të lejohen persona që nuk janë anëtarë të familjeve që jetojnë në to.

TIRANE, 8 Tetor /- Qyteti i Elbasanit është kthyer ditën e sotme në kryefjalën e emocionit, festës dhe shpresës për fitore, për të gjithë tifozët e kombetares shqiptare që do të ndjekin ndeshjen në Shqipëri-Serbi në stadiumin “Elbasan Arena”.

Flamuj kuq e zi, kapele, bluza e shalle me simbolet e Shqipërisë shihen ngado në rruget e sheshet e qytetit te Elbasanit.

Ndërkohë që, përveç tifozëve të kombëtares shqiptarë nga e gjithë Shqipëria, shumë tifozë shqiptarë nga Kosova, Danimarka, Zvicra etj, do të jenë sot në stadium për të parë ndeshjen Shqipëri- Serbi, e cila është vendimtare në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Euro 2016.

Qindra tifozë nga Kosova, Presheva dhe Shkupi kanë mbërritur prej mbrëmjes se djeshme në Elbasan dhe të tjerë pritet të mbërrijnë gjate dites.

Tifozët, përveçse shprehin emocionet e mëdha për këtë ndeshje, u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve për të shmangur çdo incident, pasi kjo mund të ndikojë në të ardhmen e futbollit shqiptar.

Kombetarja shqiptare do të kërkojë trepikëshin në fushën e gjelbërt, ndërsa festa në të gjitha trevat shqipëfolëse ka nisur prej ditësh.

Ndërkohë, Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për të garantuar mbarëvajtjen e ndeshjes. Janë mbi 2300 policë si dhe njësia antiterror që janë angazhuar prej ditës së mërkurë, ndërsa RENEA do të ruajë kombëtaren serbe.

Kompanitë e basteve: Shqipëria favorite përballë Serbisë/

TIRANE, 8 Tetor /ATSH/. – Per ndeshjen Shqiperi – Serbi, në grupin I të eliminatoreve për Euro 2016, qe do te luhet sot ne oren 20.45 ne “Elbasan Arena”, kompanitë e basteve qe operojne ne vend favorizojnë ekipin shqiptar.
Ja disa nga kuotimet e kompanive te basteve:
1              X              2
Eccobet          2.50          2.95         2.80
bet365            2.87          3.00         2.90
eurolloto         2.75          3.00          2.75
lottosport        2.45          3.10          2.80
xhoilloto          2.75          3.00          2.80   /a.ke/

Filed Under: Sport Tagged With: atmosfere festive, elbasan, per histori, shans, shqiperia

Shqipëri-Serbi, dy tifozeritë bashkë

October 8, 2015 by dgreca

-Ndeshja e futbollit Shqipëri-Serbi e mbrëmjes së sotme në “Elbasan Arena” e vlefshme për eleminatoret e Kampionatit Europian “Francë 2016”, duket se ka bashkuar edhe tifozeritë e dy vendeve.

Kështu faqja e “Facebook”-ut “Jeta Osh Qef” ka publikuar një foto ku dy vazja nga Zvicra kanë dërguar një foto ku mbajnë flamurin e Serbisë dhe Shqipërisë, para lojës në Elbasan Arena.

Në një moment ku media të shumta botërore kanë hedhur sytë nga Shqipëria, kjo foto sjell një moment të bashkimit mes dy tifozerive për ta perjetuar këtë ndeshje, si një aktivitet sportiv ku tensionet historike duhen ulur.

Filed Under: Sport Tagged With: bashke, dy tifozerite, Shqiperi-Serbi

Marinarë dhe shqiptaro-amerikanë mes ekipit tonë Kombëtar të futbollit

October 8, 2015 by dgreca

Ekskluzive per Diellin- nga Shefqet Kërcelli/

Jo të gjithë shqiptarët  luajnë futboll, por të gjithë janë dashamirës futbolli/

Nga dritarja e katit të 3-të të Komandës së Forcës Detare, Plepa,  mund të sodis një pjesë të Gjirit të Durrësit, por po të hedh sytë në veri të godinës, rreth 30 -50 m,  mund të ndjek lehtësisht aktivitetin e djemve tonë të kombëtares  së futbollit. Aty kombëtarja jonë vjen rregullisht para cdo ndeshje, gjë që nuk i ka shpëtuar syrit të kolegëve të mi detarë. Kam qënë dhe ngelem tifoz i motociklizmit, atletikës dhe notit, pamvarësisht se kam luajtur dhe futboll, por  nuk mund ta mohoj, se ka 6 vite që unë po ndjek me vëmendje kombëtaren tonë të futbollit, cdo stërvitje që ajo zhvillon tek fusha sportive e “Tropikalit”. Pse? Këtë pyetje mund ta bëjë cdo shqiptar kudo që është. Por në llogjikën time them se këta djem që përbëjnë këtë kombëtare na e kanë bërë të magjishëm këtë sport, ashtu sic e perceptojnë shumica e ndjeksve të këtij sporti.

Loriku dhe familja Cana

Në fakt për hatër të studimve të mia në fushën e historisë kam një lidhje të vjetër më të ndjerin Prof. Zekeria Cana, xhajën e Lorikut. Kam vizituar profesorin në shtëpinë e tij sa ishte gjallë. Një shtëpi qytetare prishtinase,  që nuk dallonte shumë nga shtëpitë qytetare shkodrane, tiranase, durrsake, korcare, etj. Isha mik në këtë shtëpi disa here, sa ishte profesori gjallë, jo thjesht prej punës sime studimore, të cilën e kam theksuar tek vëllimi i parë i “Antologjisë së Detarisë  Shqiptare”, por dhe për një shkak tjetër, pasi kjo familje krahas kontributit në qytetarinë e spikatur dhe  studimeve historike, ka nxjerë dhe pinjollin e kulturës dhe profesionistit të futbollit, kapitenin e lavdishëm Lorik Cana. Kam pasur fat që në intervistën e realizuar me prof. Zekerinë, midis të tjerave më ka thënë se, unë ja kam vënë emrin Lorikut. E shoh shpesh këtë djalë në ndeshje futbolli në shumë TV Evro-shqiptare, ndërkohë e kam takuar disa herë tek “Tropikali”. Një njeri i thjeshtë, që të bën për vete, modest për atë cka përfaqëson në të vërtetë, atdhedashës, futbollist profesionist, qytetar i spikatur shqiptaro-evropian, familjar, vlera që hasim rrallë tek brezi i tij, ky është kapiten Loriku.  Loriku shquhet jo vetëm si kapiten i fushës së blertë por dhe si dashamirës i detit, pasi vitin e kaluar bregëzoi lehtësisht jahtin e tij në portin e Sarandës,  ndaj ai  vec shkrimeve të shumta për sportin, është pjesë e 3 vëllimeve të “Antologjisë së Detarisë”. Kapiteni i skuadrës sonë kombëtare  ka dy vite që është pronar dhe kapidan i një mjeti detar, pra është kapidan në stere dhe në det, njëkohësisht  ai është dhe student i Historisë së Popullit Shqiptar në Universitetin e Tiranës. Mbase një ditë të bukur do shkruaj shumë  për këtë familje të ndritur të kombit shqiptar, por sot po them vetëm kaq,  për mua dhe mjaft qytetarë shqiptarë, Loriku është “Nder i kombit shqiptar”.

Loriku dhe marinarët

Mbasi mbylla punët e mija të përditëshme në komandën e FD, i dërgova një email të shkurtër kapiten Lorikut, nëse kishte kohë për një takim të shkurtër. Midis qindra emaileve që i vinin nga gjithë bota, Loriku vecoi emailin e detarëve, ndaj dhe gjeti kohën të priste. Me miqtë e mi, Adin, Naimin e Bardhin u drejtuam tek rezidenca “Tropical”. Ne fakt ne si ushtarakë të pavlerësuar nga të tjerët u ngazëllyem nga ftesa e kapitenit për takim. Një ditë para ndeshjes na u duk si befasi e këndshme. Shkuam 10 minuta para. Shiu i rrëmbyer i datës 7 tetor nuk i pengoi djemtë tanë të kombëtares të zhvillonin stërvitjen e radhës. Shpresojmë që nesër “Elbasan Arena” do jetë e thatë nga moti. Mbasi kaluam postbllokun e “Tropikalit” ju drejtuam hotelit ku pushonin futbollistët tanë. Ishim 10 minuta para, kur nga dritarja e barit kryesor të këtij resorsi po trokiste dikush. Ishte Loriku që sapo na pa, trokiste tek xhami. Hej! Deri ku shkon thjeshtësia e këtij njëriu, thamë së bashku. Në këtë afrimitet biseda rodhi natyrshëm. Fillimisht e uruam për djalin, Boikenin.  Si detarë i propozuam  se dëshira jonë është që Boiken të bëhet kapidan anije. Dhe unë kam shumë dëshirë, le të bëhet! Një kapidan deti më shumë për kombin shqiptar! Na gëzoi fakti që kapiteni ishte mirë me shëndet, pamvarësisht problemit të javës së kaluar. Por Kapiteni, mbasi na siguroi për shëndetin e vet, i përqëndruar ke shokët,  na shpjegoi se gjendja shëndetsore e skuadrës është shumë e mirë. Nuk deshëm të jepnim këshilla, se ekipi ynë kombëtar përbëhet nga profesionistë të mirë, por dhe trajnierë e psikologë të spikatur. Pamë se djemtë e kombëtares ishin gjakftohtë, të qetë dhe bisedonin lirshëm me personelin e restorantit, por dhe me vizitorët e shumtë. Natyrisht që në kësi rastesh cdo njeri përpiqet të dhurojë dicka,  ndaj i dhuruam kapitenit “Antologjinë e Detarisë Shqiptare”, vëllimi i dytë, me nënshkrimin, Kapiten Lorik Canës, si qytetar, atdhedashës,  futbollist profesionist dhe dashamirës i detit”, të cilin ai e pranoi me kënaqësi.

Shqiptaro-amerikanë dhe futbollistë

Ndërkohë që po dilnim në pjesën e jashtme të restorantit, një grup njerzish po bisedonin dhe bënin foto me futbollistët tanë. Janë shqiptaro-amerikanë e diaspora, na sqaron Loriku.  Kanë erdhur nga New Yorku, New Jersey, Suedia, Zvicra, etj, për të ndjekur ndeshjen, por paraprakisht me plot dashuri takojnë me lojtarët tanë. Trajnieri ynë De Biazi ka një mënyrë të veten origjinale, futbollistët i le të takojnë dashamirësit e futbollit kudo që janë, duke lënë një orë të caktuar, thotë kapiten Loriku. Kështu dhe grupi ynë bëhet pjesë e këtij gëzimi. Shaka, lotë gëzimi, shtrëngime duarsh, urime pa fund, kjo ishte atmosfera që të dhuronin ambientet e “Tropicalit”, sot 7 tetor. Kujtimi, Murati, Lulzimi, Aliti, Xhevati, Burani, Syrjaj, Elvisi,  Luftari, Kreshniku, amerikani Charlie Asken,  bashkë me lojtarët  Ansi Agolli, Ervin Bulku, Cikalleshi, Lila, Berisha, etj. ishin pjesë e kësaj feste të përbashkët.  Në këtë ambient tepër miqësor kapiten Loriku thekson, “Le të fitojë futbolli, kultura, toleranca nesër më 8 tetor. Futbolli është i magjishëm se ka brenda emocionet, por djemtë tanë dinë ti menaxhojnë ato si duhet, gjë që do tregojnë dhe nesër”. Por kjo ditë e bukur, me plot emocione dhe takime nuk mbaron këtu.  I ndodhur disa metra larg, trajnieri De Biazi po shihte këtë ambient miqësor dhe na u afrua menjëherë. Jam me ju, na thotë, ky njeri i thjeshtë dhe me zemër të madhe. Të them të vërtetën e kisha parë në TV trajnierin, por duke shtrënguar duart, mu duk shqiptar e kaluar shqiptarit! Kam parë dhe trajniere të tjerë të huaj para tij që nuk afronin kollaj shqiptarë. Mes këtij gëzimi ku përfshihen shqiptarë nga cdo cep i globit, erdhi dhe presidenti Duka, që u bë pjesë e grupit tonë. Emocione pa fund! Më mirë që  këto emocione po i kalojmë mbas shiut dhe para ndeshjes, u shpreh dikush. Ndërkohë që një TV shqiptaro-amerikan po përgatiste një dokumentar për kombëtaren tonë të futbollit të cilin do e japë në SHBA për gjithë shqiptaro-amerikanët javën e ardhëshme. Mu ka shtu jeta 30 vite sot, o miq, na flet Murati, president i klubit sportiv, “Harvardmaint”, ne New Yourk.

Skënderbeu dhe ekipi ynë i futbollit

I ndodhur në këtë grup miqsh, ku ciltërsia, zemërgjerësia  dhe krenaria shpreheshin natyrshëm, mendja më shkonte dhe më larg për këta djem. Dikur Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti, për luftëtarët e shquar në beteja afronte pushime në kalatë e ngritura përgjatë bregdetit. Midis tyre kalaja e Rodonit ishte më e preferuara. Mund të duket paksa naive, por që djemve tanë tu sigurohet nga një lundrim i përshtatshmë kohor përgjatë bregdetit shqiptar me anijet e Flotës Luftarake, “Butrinti”, “Lissus”, etj, nuk është nonjë gjë e madhe. Sigurisht që tashmë ata kanë parë aeroportet e rivierat e botës, por  shteti shqiptar le tu afrojë dhe mundësi të tilla. Besoj se djemtë tanë e mirëpresin. Gjatë takimit me futbollistët  kishte biseda të ndryshme. Njëri thoshte harxhova kaq për biletën me ardh nga New Yorku, tjetri kaq nga Suedia, tjetri  thoshte bleva enkas ekranin plazma  x, euro, etj. Kur dëgjoja këto më kujtoheshin mundësitë e Federatës sonë të futbollit për pagesat e këtyre djemve që lartësojnë emrin e shqiptarit. Unë dhe mjaft kolegë të mi, nuk e kalojmë 300 $ në muaj, dhe prapë kur vjen puna për këta djem jemi gati të japim dicka. Po këta bashkëatdhetarë që harxhojnë kaq këtu e aq atje, le të rezervojnë një sasi të hodhash në numurin e llogarisë të kombëtares sonë. Se dhe këta kanë shpenzime pa fund. Mendoj se ka ardhur momenti që gëzimin, spektaklin  dhe emocionet që po na dhurojnë këta djem ta shoqërojmë jo vetëm me brohoritje, por kush ka mundësi dhe me dicka konkrete. Këta njerëz na e bëjnë zemrën mal e na shtojnë krenarinë si shqiptarë, kudo që të jemi. Por dhe institucionet shtetërore shqiptare që japin medalje duhet të mendojnë dicka për kapiten Lorik Canën e këtë Kombëtare Historike. E pra, këtyre djemve i takon “Medalja e Artë e Shqiponjës”, se bënë histori në futbollin shqiptar, ndaj duhet të hyjnë në historinë e kombit tonë.

Ndeshje futbolli si gjithë të tjerat

Këtë po më thoshte Adi, një miku im që e ka mbushur lokalin me foto të kombëtares sonë në vite, por dhe me foto të  Erion Bogdanit, Alban Bushit, Lorik Canës, etj. Më pëlqeu qetësia dhe gjendja e ekipit sqaron Adi. Mos i japim kësaj ndeshje asnjë ngjyrë ekstremizmi nacionalist, politik e gjithfarësh, sic ndodh rëndom. S’ka asnjë arësye. Luajmë me një shtet fqinj si gjithë të tjerët.  Ne kemi luajtur dhe me Greqinë disa here. Po ti hyjmë gjërave, është i njëjti mentalitet e relacion politik, thonë disa qytetarë.  Këtë mendim ma forcoi dhe kushuriri im Pëllumbi në Elbasan, i cili ka shtëpinë ngjitur me stadiumin, ku dikur nga ballkoni i katit të IV-të,  së bashku shihnim ndeshjet. Qytetarët elbasanas e shohin si një ndeshje të radhës, pamvarësisht nga emri i ekipit. Mjaft qytetarë durrsakë që takova kur po shkoja në shtëpi, më shprehën të njëjtin mendim. Man Tonuzi, Suel Strazimiri, Endri Shquti, Elio Kokomani, etj, më thanë se i urojmë shqiponjave kuq e zi fitore, ashtu si dhe në ndeshjet e tjera. Ne presim që të na dhurojnë një finale të bukur. Një fitore do ja lehtësonte kalimin në Euro 2016. Përndryshe do s’forcohen me Armeninë. Kështu e shihnin këtë ndeshje qytetarët durrsakë. Nuk shihja asnjë shenjë ekstremizmi. Nuk jam marrë me parashikime futbolli, as me lloto, por po i bësoj parashikimit të djalit tim, një fitore të Shqipërisë me rezultatin një më zero. Dhe njëherë, urime Shqiponjave Kuq e Zi në Elbasan-Arena!

Shefqet Kërcelli

Tropikal Resors

Durres

7 tetor 2015

 

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: Me futbollistet e Kombetares, në Durrës, Shefqet Kercelli

Pa gurë është më e bukur fitorja

October 8, 2015 by dgreca

* Shqiptaret duhet t’i luten Zotit t’i ruaje nga vetevetja/

*Shoh një marri gati kolektive, televizionesh, studiosh, webesh… Shoh disa webe në Kosovë që e trajtojnë problemin e deklaratave të një djali nga Gora me emrin Miralem Sulejmani, si shkak paralajmërim të një rrebeshi vërshëllimash dhe sharjeve. E thonë me kënaqësi se, çfarë ka për të hequr i ziu në Elbasan…/

* Paska deklaruar që ndihet serb. Në fund të fundit, çfarë ka këtu për t’u befasuar. Një goran i lindur në Beograd, i rritur aty. Brenda një familje futbollistësh. Nga shkolla serbe. I suksesshëm në Europë. Mjaft t’i shikosh skedën. Çfarë duhet të presim./

Nga Ilir Levonja/

Nëse nuk fitojmë sot me Serbinë, nuk është faji i ekipit. Biles përgatituni të mos u shkumosni duke i sharë. Eshtë faji i juaji. I këtij publiku apo populli që mbeti me brohorima entuziazmi. Aq sa duket sikur është forcë vullnetare e përjetshme. Më vjen keq që shprehem kështu. Unë jam pjesë e juaja. Por me keqardhje zbuloj se jemi më shumë se sa duhet. Më shumë se sa duhet për zhurmë, për fjalë patriotike, për dukshmëri, për të bërtitur etj. Dhe me sa duket, as që kemi për të vënë mend. Më shumë se sa duhet të dehur. Më shumë …

Nuk e di nga i gjejmë këto energji çoroditëse. Këto shfryma që një njeri i urtë i përmbledh me thelbin e mbrojtjes brenda psikologjisë tonë. Zot na ruaj? Por nëse të tjerët, ata jashtë sojit shqiptar.

I luten Zotit t’i ruaj nga gjithçka. Shqiptarët duhet t’i luten t’i ruaj nga vetvetja. Pra jemi më shumë se normalja. Jemi sa për t’u dukur. Sa për t’u treguar esnaf me fjalë, jo si burrat që pretendojmë se i kemi dhe se i respektojmë. Nuk jemi të tillë… Dhe për më tepër tani, në liri.

Shoh një marri gati kolektive, televizionesh, studiosh, webesh… Shoh disa webe në Kosovë që e trajtojnë problemin e deklaratave të një djali nga Gora me emrin Miralem Sulejmani, si shkak paralajmërim të një rrebeshi vërshëllimash dhe sharjeve. E thonë me kënaqësi se, çfarë ka për të hequr i ziu në Elbasan. Përse? Paska deklaruar që ndihet serb. Në fund të fundit, çfarë ka këtu për t’u befasuar. Një goran i lindur në Beograd, i rritur aty. Brenda një familje futbollistësh. Nga shkolla serbe. I suksesshëm në Europë. Mjaft t’i shikosh skedën. Çfarë duhet të presim.

Patriotizëm? Për Gorën, apo goranët…? Të cilët edhe aty ku janë sot, flasin akoma sllavisht. Dhe ndihen serbë, bullgarë apo maqedonas? Pra në mes të Shqipërisë. Kurse një i rritur në mes të Beogradit, vetëm pse ka emër mysliam, duhet të ndihet shqiptar. Ndryshe është tradhtar dhe Elbasani do e fërshëllejë?! Ndërkohë që kemi shqiptarë që çfarë nuk po bëjnë të ndihen deri kinezë. Mjaft që të ikin prej asaj Shqipërie.

Dhe nuk e di pse duhet të kënaqesh kaq me ekzaltim, deri frenetisht sikur do ringjallim gjithë çfarë kemi humbur nga politikat shfarosëse të Serbisë. Madje ngelëm duke kujtuar genocidet, barbaritë, luftrat nga mesjeta e këtëj. Se kush ka të drejtë, serbët apo shqiptarët? Dhe sepse atyre u pëlqen të mashtrojnë historinë në sytë e njerëzimit, ne duhet ta zhbëjmë atë. Njerëzimi e di më mirë nga ne historinë. Por si nga tradita, nga vitet që palosen, e keqja e vetvetes i ka mbajtur në barazpeshë anët e kandarit. Nuk ka qënë vetëm i huaji, por edhe me ne njëri­tjetrin. Ndaj sot na ka kapur marrëzia.

Ndaj jemi edhe kaq të shfrenuar. Na ngjan se na ka ardhur shanci në derë që ata njëmbëdhjetë njerëz në fushë t’i dërrmojnë deri sa të na kënaqet shpirti ynë prej vullnetari të përjetshëm. Pa e kuptuar aspak se po i përgjigjemi, vulgaritetit historik me të njëjtën monellë. Jo për liri, jo për lavdi, jo për patriotizëm por thjesht se kemi rënë në grackën e vulgarizmit. Sidomos, së pari studiot e Kosovës. Një vrull i shfrenuar, të gjorët viktima, lufta, liria, vatani. Autobuzi i ekipit serb me flamur shqiptar. Si u ka shpëtuar serbëve? Si u a hodhëm?! Gorani Miralem Sulejmani etj. Ai ambasadori atje, që refuzoi notën e protestës etj. Bravo, bravo i qoftë. Këto janë përralla.

Ideollogji. Pasi sa kohë që nuk respektoni njëri­tjetrin dhe mbetët duke u zënë me domate e tranguj në Kuvend. Nuk ka komb kështu. Por ka njerëz që për komb kanë dëshirën e shfrenuar. Së dyti, mjaft i ratë më qafë gjoksit dhe dëshmorëve të luftës. Kosovën e çliroi NATO dhe Amerika. Po, kështu është. Ata e çliruan. E çliruan por jo për të themeluar 57 parti, jo për të rrahur gjoksin, jo për t’u vulgarizuar si armiku i juaj, jo për tu ekzaltuar dhe bërë qiellin e Ballkanit të barbarizuar nga një lloj reshje benzine sikur kemi kapur dhe çliruar botën.

Së treti këta tipa që përgjërohen me drone e që politikanët tanë dritëshkurtër i publikojnë pamjet e tij me mjekërr talebani, për heroin e stërrët të fushës së zezë. Ja morën shpirtin së kuqes.

Shqiponjës, etj. Që nuk ngopen dhe i shtojnë dozat deri në histeri. Ballistin po e përmend edhe bota. Po, po…, por nuk ka përse të jetë e habitshme, që pas disa ditëve të na thuhet se e kanë pompuar qëllimisht me sponsorizim të serbëve. Ata qytetarë që mallkojnë një qeveri kur ndalon.

Dhe që janë gati të shkelin me mijra ligje vetëm e vetëm që ”patrioti” ballist, të dali e të ndezi qiellin e benzinë.

Së katërti, shqiptarët brenda shtetit të kafshuar amë. Që edhe pse kanë një grup të mrekullueshëm profesionistësh, duan si e si t’i bëjnë talebanë xhihadistë.

Webe, statute me patriotizëm. Poza pa fund politikanësh. Dhe e keni vënë re, që këta shtetarët tanë mbushen plot statute e foto, me lojtarë me emër, me këngëtarë e aktorë. Dhe policë apo ushtarakë të vrarë. Vetëm në adete e mysybete. Jo në të përditshmen. Statute të tilla…, Mbytini, vritini etj.

Një komb një atdhe. Edhe pse ia mbajmë njëri­tjetrit traun tek hunda. Jemi vëllezër, jemi shqiptarë.Kthjellohuni se, qytetarisë së një vendi të lashtë i ka ardhur koha të dëshmojë. Për prapësitë e historisë që mundet edhe jo, të të duan ndëshkimin prej Zotit. Por jo prej shqiptarëve.

E sotshmja është një ndeshje futbolli që duhet të justifikojë edhe drejtësinë europiane karshi burokracisë dhe marrëdhënieve mes tarafeve dhe miqve të interesit. Që çuditërisht mëshirohen deri në intelektualë të tipit Mishel Platini. Shqiptarët e kanë brohoritur, adhuruar, dashurar.

Por puna është se ai u bë pjesë e pikërisht, kësaj vulgarizme globale që vuan prej shekujsh edhe qytetaria në Ballkanin perëndimor. Jepuni serbëve ujë bujarisht dhe lërini të qetë djemtë tanë.

Jepuni serbëve mesazhe paqeje. Po ashtu dhe njerëzimit nëpër botë. Jo tipat e ballistave që vdesin të duken talebane. Jepuni lule, jepuni brohoritje dhe tregojuni se klasit të respektit i erdhi shanci në historinë ballkanase të tregohet prej lashtësisë shqiptare. Ajo ka kohë që ka triumfuar.

I druhem kësaj shfryme, kolektive. Qoftë e afërt dita kur edhe të ndërrojmë.

Filed Under: Analiza Tagged With: është më e bukur, Fitorja, Ilir Levonja, Pa gurë

Muzika eshte jeta ime – flet Prof. Shqipe ZANI, Soprano (Mjeshtër i Madh)

October 8, 2015 by dgreca

Interviste / Histori Suksesi – nga Liliana Pere/

Profili i Shqipe Zanit/

Shqipe Zani e lindur ne Qyteze te vogel Gramsh, me nje bukuri te mbuluar nga zoti me malin madheshtor te Tomorrit dhe qe ne mes rri muri i Devollit mendon se ka marre nje pjese te bukurise, ate qe quhet talent. Dekori I bukur I natyres se qytetit qe ne vegjeline e saj e frymezoi Shqipen, dhe e ushqeu  boten e saj shpirterore artistike. Shqipja rrjedh nga nje familje intelektuale, te cilet e kane edukuar  me dashurine per artin dhe vlerat me positive.Ata  kane qene pjesmares te luftes nacional-clirimtare dhe kane punuar ne dobi te vendit.  Shqipja diplomohet ne 1964 – 1968 : Liceu Artistik “Jordan  Misja”,Tirane, diplomuar në Teoritikë. Vazhdon me pas ne Konservator ne vitin 1970 – 1973 : Studime të larta ne Konservatorin e Tiranës, dega Kanto, në klasën e Prof. Shpresa Nishani, me pas,stazh njëvjeçar pranë Teatrit të Operas dhe Baletit, trupa e Solistëve.

1995 – 1996 : Akademia Santa Çeçilia, Romë (5 muaj) me bursë Tempus

1998 : Akademia Santa Çeçilia, Romë (1 muaj) me bursë Tempus

1984 – 1992 : Pedagoge e Jashtme në Fakultetin e Muzikës, Dega KANTO, Akademia e Arteve të Bukura

1992 e në vazhdim – Pedagoge e Brendshme Definitive në Fakultetin e Muzikës, Dega KANTO, Akademia e Arteve të Bukura.

1996 – Emërohet Shefe e Seksionit të Kantos në Fakultetin e Muzikës

Nje karriere e dashur, e bukur e suksesshme, me nje nje aktivitet te dendur artistic, dhe te vleresuar te adhurueshem per publikun me shume cmime…Vleresimet per Shqipe Zanin jane te shumta

Urdhri “Naim Frashëri”, klasi III, “Për interpretim të Lartë të muzikës shqiptare dhe popullore të përpunuar” Tirane më 21.09.1985, Dekret nr.7000

  1. Çmimi I Dytë në Konkursin “Tefta Tashko” Korçë në vitin 1988
  2. Çmimi I Parë dhe I Dytë në Festivalin e Këngës Popullore të Përpunuar në vitet 1977,1978, 1979
  3. Çmimi I Parë dhe I Dytë në Dekadat e Majit, në vitet 1981, 1982, 1983
  4. Çmimi I Parë dhe I Dytë I Romacës Shqipatre në vitet 1988, 1997
  5. Titulli “QYTETAR NDERI”, me vendim të Këshillit Bashkiak GRAMSH, Nr.3 datë 21.07.2000
  6. Titulli “PROFESOR”, me VKM dhe Komisionit të Kualifikimit Shkencor nr.147 datë 27.07.2007
  7. Titulli “MJESHTËR I MADH”, me nr. Dekreti 7333 dt. 12.03.2012 dekretuar nga Presidenti Bamir Topi

Ndiqni bashkebisedimin…

Pyetje:Ku e gjen frymezimin Shqipja, kush e zbuloi talentin tuaj muzikor qe ne femijeri, mbeshtetja  dhe ndikimi ne formimin tuaj profesional si kengetare lirike kush ka qene?

Pergjigje- Frymezimin per te kenduar e kam gjetur ne qytetin tim ne bukurite dhe dashurine e madhe qe kam per te,  dhe ne deshiren dhe pasionin e madh per te qene nje kengetare e mire lirike

Profesori im I pare qe ka konstatuar qe une kam vesh muzike dhe talent, ne moshen 10vjec, ka qene Profesori im I muzikes Eduart Nosi.Ndersa mbeshtetjen dhe shtytjen e kam pasur nga babai im qe ka sakrifikuar shume. Puna ddhe durimi bene qe une te rritesha profesionalisht ne skene, Pedagaget qe ndikuan ne formimin tom kane qene Simon Gjoni , Malto Vakaj, Kseonthipi Mullisi , Lumturi Kalenja. Per tub ere nje kengetare e mire lirike duhet nje formim I mire muzikor dhe nje pune ne perditshmeri per te mbajtur zerin dhe timbrin e tij ne cilesine  e duhur.

Ardhja ne TOB , dhe bashkepunimet e mija me kengetaret me te mire te TOB si I ndjeri artisti madh Mentor Xhemali,Nina Mula, Ramiz Kovaci,Burhan Spahiu  u bene nje mbeshteje e forte dhe nje shtytje per tu perfeksionuar si artiste, Bashkepunimi me dirigjentet e medhenj si Refat Teqja I cili ishte dhe nje njeri shume imadh ne boten e tij.

Pyetje: E dashurShqipe ;ju  na keni zbukuruar jeten me zerin dhe muziken tuaj  a mundeni te sillni ne vemendjen e lexuesve, si ka qene karriere juaj artistike?

Pergjigje: Karriera  ime artistike ka pershkruar nje rruge te gjate te bukur, dhe shume pune e devocion, udhehequr nga pasioni per tu bere nje kengetare lirike, qe kur isha femije kete term nuk e njifja fare. Ndjeja Brenda vehtes se duhej te kaperxeja disa kodra dhe male per te ardhur ne Tirane. Kam realizuar mbi 2500 koncerte me Piano, Muzikë Dhome, Koncerte me orkestër, Koncerte me filarmoninë e qytetit Tiranë, me orkestrën e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve popullore, me orkestrën simfonike të Radio Televizonit Shqiptar, me orkestrën e pedagogëve dhe studentëve të Universitetit të Arteve, me orkestrën e qytetit të Shkodrës, Durrësit, koncerte me Orksetrën e Ansamblit të Ushtrisë, Koncerte me grupin “Na bashkoi kënga popullore”. Kam realizuar concert Premierë me muzikë shqiptare të muzikologut Prof. Ramadan Sokoli.

Po permend disa nga rolet e mia muzikore ne vite:

1974 – 1992 : Soliste në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku kam realizuar këto role në veprat skenike:

  1974 – roli i Davës, Opera “Mrika” të Prenk Jakovës

  1976 – roli i shoqes, Opera “Komisari” të Nikolla Zoraqit

  1976 – roli i Lules, Opera “Zgjimi” të Tonin Harapit

  1977 – roli i Afrovitit, Opereta “Karnavalet e Korçës të Avni Mulës

  1982 – roli i Myzetës, Opera “Boheme” të Xhiakomo Puçinit

  1983 – roli i Fraskitës, Opera “Karmen” të Zhorzh Bizet

  1984 – roli i Rozinës, Opera “Berberi I Seviljes” të Xh. Rossinit

  1985 – roli i Toskës, Opera “Toska” të Xhiakomo Puçinit

 1986 – roli i XHildës, Opera “Rigoleto” të Xhiuzepe Verdit

1987 – roli i CiuciuSanit, Opera “Butterfly” të Xhiakomo Puçinit

1989 – roli i Nedës, Opera “Paliaçi” të L. Kavalos

1990 – roli i Elit, Opera “Liceistët” të Josif Mingës (me orkestrën e Korçës)

1990 – Koncert recital me 16 pjesë, shoqëruar në piano nga Johan Botka

1991 – roli i Eleonorës, Opera “Trovatore” të Xhiuzepe Verdit

2000 – koncert në Prishtinë, Kosovë shoqëruar nga pianistja Mira Keta

2000 – koncert recital në Prishtinë, Kosovë

2004 – koncert vocal I muzikës së dhomës me soprano Shqipe Zani, me pjesëmarrjen e Stefano Donaudy (36 Arie të stilit antic, për kanto e pianoforte)

2007 – koncert recital me muzikë shqiptare :Portreti I Ramadan Sokolit”, shoqëruar në piano nga pjanistja Lea Kilica

2010 – koncert “Tre sopranot” Sh.Zani, S.Frashëri, M.Leka

2012 – koncert për 100 vjetorin e Pavarësisë shoqëruar nga Orkestra e Akademisë së Arteve të Bukura

  • 2014 – koncert me formacionin muzikor të muzikës Barok
  • 2015 – koncert me kuartet harqesh në Pejë, Kosovë
  • 1991 – e në vazhdim – koncerte të vazhdueshme në skenë me Piano e Orkestër

Pyetje: Kam kuriozitet te di lidhjen pedagogjike dhe muzikes si dhe artikujt te realizuar nga ju, cilat jane si dhe eksperienca te tjera pedagogjike?

 

  • Artikujt Muzikore te realizuar nga Shqipe Zani

 

  • 2004 : “Fizionomia kombëtare e krijimtarisë sonë përmes interpretimeve vokale” – botuar nga Instituti k Studimeve Pedagogjike
  • 2004 : Kumtesë “Raporti k muzikës së kultivuar më publikun dhe roli I një edukatori në kultivimin e shijeve të drejta te brezat e rinj”
  • 2005 : Kumtesë “Roli izërave femërorë në trajtimin e figurave në operat shqiptare”
  • 2005 : Material teknik “Frymëmarrja” (Përkthim)
  • 2005 : Programi mësimor për vitin akademik 1998 – 1999
  • 2006 : Promovimi k librit “Ëndrra dhe realitete” (Monografi Jorgjia Truja), Referon Shqipe Zani

EKSPERIENCAT PEDAGOGJIKE

1984 – 1992: Pedagoge e Jashtme në Fakultetin e Muzikës, Dega KANTO, Akademia e Arteve të Bukura1992 e në vazhdim.

Prej vitit 1984 e deri sot kam përgatitur mbi 40 diplomantë ndër të cilët do veçoja:

  • Nereida Fico (Soliste TOB)
  • Erinda Agolli (Soliste TOB)
  • Mirela tafaj (Soliste TOB)
  • Romina Baçe (Soliste TOB)
  • Dorina Selimi (Soliste TOB)
  • Era Limani (Kosovë) (Koncertiste)
  • Anila Tërshana (Soliste, Greqi)

Pyetje:Kisha deshire te permendnit disa nga koncertet tuaja kryesore mundet ?

Pergjigje: Po sigurisht. Kam realizuar mbi 2500 koncerte me Piano, Muzikë DHome, Koncerte me orkestër, Koncerte me filarmoninë e qytetit Tiranë, me orkestrën e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve popullore, me orkestrën simfonike të Radio Televizonit Shqiptar, me orkestrën e pedagogëve dhe studentëve të Universitetit të Arteve, me orkestrën e qytetit të Shkodrës, Durrësit, koncerte me Orksetrën e Ansamblit të Ushtrisë, Koncerte me grupin “Na bashkoi kënga popullore”. Kam realizuar concert Premierë me muzikë shqiptare të muzikologut Prof. Ramadan Sokoli.

PJESËMARRJE NË AKTIVITETE NDËRKOMBËTARE

1974 : Turne në Jugosllavi me grupin e Durrësit

1975 : Turne në Kinë dhe Kore me Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve

1977 : Turne në Turqi me grupin “Na bashkoi kënga popullore”

1979 : Turne në Greqi me Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve

1981 : Turne me Orkestrën e Radio Televizionit në Itali

1984 : Turne me Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve në Egjypt

1986 : Turne me Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve në Itali

1998 : Turne me Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve në Palermo, Tunizi

1999 : Turne me Ansamblin e Bashkisë Tiranë në Itali

2006 : Turne me Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve në Wells, Angli

2011 : Koncert me Muzikë Dhome, Ulqin (Mali I Zi)

2015 : Koncert “Mesazherët e Paqes”, Paris (Francë)

Rifat Teqja, dirigjent i TOB (Artist i Popullit të Republikës së Shqipërisë, Prof. në Akademinë e Arteve) flet per Shqipe Zanin si deklaron më poshtë:

E njoh sopranon e mirënjohur Shqipe Zani qysh në fillimet e saj si studente në institutin e Lartë të Arteve të Bukura, për një vokal sa të bukur e plot dritë, aq edhe për një diapazon të gjerë e kualitet tingëllimi. Ajo u emërua si Soliste e Parë në TOB për kualitetin e lartë të vokalit të saj, duke u renditur me dinjitet me bashkëkohësit e saj më të mirë të këtij institucioni, duke u aktivizuar në role kryesore të shumë veprave skenike si opera, opereta e koncerte.

Me vlera të larta profesionalizmi e artistike janë realizimet e saj si Afroviti te “Karnavalet e Korçës”, Rozina te “Berberi i Seviljes”, Myzeta te “Boheme”, Ned ate “Paliaçi”, Leonora te “Trovatore”, Toska te “Toska” etj…

Në mënyrë të vacantë kontributi i saj ka qenë në veprat shqiptare ku karakteristikë e interpretimit të saj ka qenë individualiteti artistik. Zor se i ka shpëtuar repertorit të saj ndonjë vepër skenike kombëtare, koncert, konkurs, festival, ku Shqipja është nderuar edhe me çmime. Këndueshmëria e këtyre roleve me një timbrikë ekspresive dhe të pasur ka bërë që Shqipja të krijojë individualitetin e saj dinjitoz. Kontributi shumë i rëndësishëm ka qenë ndër vite e sidomos aktiviteti i saj koncertal për të cilin ajo është shquar për prirjen e saj të veçnte duke korrur sukses Brenda dhe jashtë vendit.

Një prirje po aq e rendësishme eshtë edhe kontributi i saj në fushën dhe jetën pedagogjike, krahasa asaj artistike, ku nga dora e saj janë përgatitur dhe përgatiten me shumë sukses me dhjetra këngëtare të talentuara e të pajistura me aftësi dinjitoze profesionale dhe artistike. Shkurt 1999, Tiranë.

Mesazi im per boten e muzikes eshte:

Kendon shpirti , pastaj zeri , dhe mendja duhet ushqyer me pare me nje formim te forte muzikor shkollor si dhe nje pune te perditesuar dhe te papertuar.

Falenderim i Shqipes:

Nje falenderim shume shpirteror dhe nje vleresim te madh per gruan inteligjente,dhe Org ‘’Gruaja Shqiptare ne  per punen e palodhur dhe perkushtimin serioz ne missionin e saj, Liliana Pere, qe me ftoi ne interviste vete kembengulese. me pasion dhe dashuri me shume respect dhe dashamiresi , ne nje kohe qe gjithe jeten time nuk me ishte afruar asnje gazetar per interviste. Koleget kane shkruar por une drejt per drejt me dekada te tera jam shprehur sinqerisht me nje pergatitje serioze per Lilianen.Urime Liliana dhe suksese ne misionin tuaj.

Ju faleminderit ju e dashur Shqipe Zani qe ma bête diten kaq te bukur, bisedova me nje artiste te madhe, me nje shpirt socal, dhe bote te madhe muzikore.E ndjeva muziken e saj afer ne veshin tim , duke kenduar kengen lule bore ne fund te intervistes , dhe me ne u bashkuan gjithe grate qe ndodheshin rreth nesh.

Faleminderit nga zemra artistja e madhe Shqipe Zani.Ishte kenaqesi biseda me ju.

Liliana Pere

Presidente e organizimit Internacional

Gruaja Shqiptare ne Bote

Keshilltare nderi ne Misionin Diplomatik per P. P

“Missionare e Paqes”

Filed Under: Interviste Tagged With: flet Shqipe Zani, Histori Suksesi, Liliana Pere

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3471
  • 3472
  • 3473
  • 3474
  • 3475
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT