• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SI TA ZHDUKIM VARFËRINË EKONOMIKE?

February 10, 2015 by dgreca

Nga Prof. As. Dr. Vangjel Kici/Toronto/
Trojet tona janë shumë të pasura. Ne kemi fusha, kodra, male, lumenj, përrenj, liqene, dete. Këto terrene, dhe klima jonë e ngrohtë, janë shumë të favorshme për zhvillimin e bujqësisë dhe të blegtorisë. Këto terrene, dhe klima jonë, janë shumë të përshtatshme edhe për zhvillimin e turizmit. Nëntoka e Shqipërisë dhe e Kosovës është shumë e pasur me minerale, sidomos me krom, qymyr, naftë, gaz, plumb, zink, bakër, ar, argjënd, nikel, kobalt etj. Këto minerale gjënden në sasi të mëdha. Në këto kushte shtrohet pyetja: Pse populli ynë është shumë i varfër ekonomikisht? Pse ai po detyrohet, në Shqipëri dhe sidomos në Kosovë, të braktisë atdheun? Përgjigja është shumë e thjeshtë: Sepse neve na mungon qeverisja dhe organizimi shtetror i përshtatshëm për shfrytëzimin me nikoqirllëk të këtyre pasurive. Ne nuk kemi strategji të drejtë për zhvillimin ekonomik të vëndit. Cilat janë degët kryesore, që garantojnë zhvillimin ekonomik të vëndit? Ku duhen përqendruar investimet? Këto çështje nuk janë të qarta, ose nuk janë përcaktuar drejtë. Qeveria e kaluar rekomandonte kultivimin e pemëve arrore, por kjo nuk mund të siguronte aspak zhvillimin ekonomik të vëndit. Qeveria e sotme flet për një “model të ri ekonomik”, por ky model i ri nuk po shihet me sy. Ai nuk ekziston, ose është modeli i shitjes (privatizimit) dhe dhënies me konçensione (pa dyshim korruptuese) të të gjitha pasurive kombëtare. Cili shtet në botë e ka zbatuar me sukses këtë “model të ri ekonomik” dhe ka arritur zhvillim? Asnjë shtet. Ky model i shitjes (privatizimit) dhe dhënies me konçensione të të gjitha pasurive kombëtare pasuron vetëm pushtetarët, varfëron shumë popullin dhe rrit në kulm papunësinë. Tek ne këto rezultate tepër të hidhura i kanë treguar shumë qartë privatizimet dhe marrëveshjet e deritanishme konçensionare, që janë bërë në naftë, në miniera etj. Këto probleme kërkojnë zgjidhje nga ekonomistat tanë, por ata, fatkeqësisht, janë në gjum. Edhe kur zgjohen, ata, sikurse edhe qeveritarët tanë, merren vetëm me problemet e taksave, tatimeve, qirave, doganave, pakove fiskale etj. Ata nuk merren me probleme ekonomike, me probleme prodhimi, por veprojnë në përputhje me politikën qeveritare. Ata janë konformista. Unë nuk jam ekonomist, por gjeolog. Kam disa njohuri elementare mbi ekonominë, sikurse çdo kuadër i zakonshëm me arsim të lartë.
Më poshtë po paraqes disa mendime personale, mbi mundësitë e zhvillimit ekonomik të vendit tonë dhe zhdukjen e varfërisë ekonomike. Ndoshta këto mendime mund t’u shërbejnë, sado pak, qeveritarve tanë, nëse kanë qellime të mira për popullin tonë.
Degët kryesore të ekonomisë së vendit tonë janë: Bujqësia, industria dhe turizmi.
1- Bujqësia jonë nuk mund të zhvillohet duke u bazuar në parcela të vogla toke private, sikurse janë sot tek ne, pas prishjes së kooperativave bujqësore. Në këto kushte nuk mund të zbatohet mekanizimi dhe modernizimi i bujqësisë, që është shumë i nevojshëm. Pra, duhen krijuar sa më parë ferma private bujqësore, duke bashkuar parcelat e tokës. Nuk duhet bërë thirrje për formim kooperativash bujqësore, sikurse po bënë tani ministri ynë i bujqësisë, sepse tremben fshatarët, nga eksperienca e hidhur me kooperativat e të kaluarës. Në këto ferma të kultivohen ato lloje bimësh, që japin prodhimet e kërkuara nga tregu i brendshëm dhe ai i jashtëm. Tokat e veçanta janë të përshtatëshme për bimë të veçanta. Për shembull, fshati Jagodinë e ka marrë emrin (sllavisht) nga luleshtrydhet.
– Ne kemi burime ujrash të nxehta squfurore (në Llixhat e Elbasanit, në Peshkopi etj.). Në këto zona, me shpime shumë të cekta (10-30 m), mund të zbulohen edhe shumë burime të tjera ujore të nxehta. Këto ujra të nxehta squfurore mund të përdoren jo vetëm për qellime kurative, por edhe për ngrohjen e serave dhe prodhimin e perimeve gjatë gjithë vitit, pa shpenzime për ngrohjen. Në vazhdimin perëndimor të linjës së Llixhave të Elbasanit, në fushën e Cërrikut, në një pus kërkimi në vitet 1970 është zbuluar ujë i nxehtë squfuror me debite të larta. Ai pus mezi është mbyllur. Pse të mos rihapet ai pus dhe uji i tij i komanduar të përdoret për qellime kurative, dhe sidomos për ngrohjen e serave, për prodhimin e perimeve gjatë gjithë vitit? Këto prodhime do të furnizonin qytetin e Cërrikut dhe të Elbasanit, dhe kjo i shërben mirëqënies së popullit.
– Ne kemi shumë rezervuarë uji. Përveç ujitjes së bimëve bujqësore, këta rezervuarë mund të përdoren edhe për rritjen e peshkut krap (jo peshk ballëgjërë gjithë hala!). Aty mund të rriten edhe pata puploze, për mish dhe sidomos për pupla (për mbushje jorganesh dhe jastëqesh). Përvoja për këto punë është në Republikën Çeke.
– Ne mund të kultivojmë bimë mjeksore për eksport, sepse klima jonë është e përshtatëshme. Kështu mund të fitojmë më shumë sesa nga prodhimi i drithrave.
– Ne mund të kultivojmë bimë dhe lule për prodhimin e esencave të parfumerisë. Nga shitja e tyre mund të kemi të ardhura të mira.
– Për zhvillimin e pyjeve le të marrim shembull nga Austria, Gjermania apo Çekia. Në çdo pyll mund të krijohet një parcelë e vogël për mbjelljen e farave dhe rritjen e fidaneve. Pylli nuk është vetëm burim për lëndën drusore, por edhe për bimët mjeksore. Në pyll rriten kafshët e egra për gjuetinë, rritet fazani dhe mund të kultivohet rritja e kërmillit për eksport, rritja e kërpudhave etj.
2- Industria tek ne mund të zhvillohet në shumë drejtime, por investimet le të bëhen në drejtimet kryesore. – Të gjithë lumenjtë tanë të shumtë rrjedhin nga malet në lindje dhe vazhdojnë drejt fushave dhe detit në perëndim. Le të ndërtojmë shumë hidroçentrale, të mëdhenj dhe të vegjël, për prodhimin e energjisë elektrike. Në këtë rast kërkohet vetëm investimi fillestar, sepse më tej energjia fitohet nga rrjedhja e ujit, pa kosto. Me shitjen e kësaj energjie populli ynë mund të jetojë i lumtur. Për këtë qellim, të hiqen të gjitha liçensat, që u janë dhënë prej kohësh militantëve të partive, dhe nuk janë vënë në zbatim. Ndërtimi i shumë hidroçentraleve është njëra nga mënyrat për zhdukjen e varfërisë ekonomike të popullit tonë.
– Në Shqipëri të ndërtohet uzina për prodhimin e nikelit dhe kobaltit (ish uzina 12 e kombinatit metalurgjik të Elbasanit), sepse kemi rezerva shumë të mëdha të mineralit të hekur-nikelit dhe të nikelit silikat. Kjo kërkon riaktivizimin e minierave ekzistuese të hekur-nikelit. Në Kosovë të zgjerohet industria ekzistuese e ferronikelit. Nikeli dhe kobalti kanë çmime të larta. Ato janë shumë të kërkuar në tregun botror.
– Mbi të gjitha, Kosova ka dy pasuri shumë të mëdha natyrore, që mund ta bëjnë të lumtur jetën e popullit, dhe këto pasuri janë: Rezerva shumë të mëdha të qymyrit linjit (Kosova zë vëndin e pestë në botë!) dhe rezerva shumë të mëdha të polimetaleve (plumb, zink, bakër, ar, argjënd etj.). Kjo situatë kërkon të aktivizohen minierat e polimetaleve dhe të riaktivizohet kombinati Trepça. Në lokalitete të ndryshme të Kosovës të ndërtohen pajisje teknologjike për gazifikimin e qymyreve linjit të Kosovës. Ky gaz të përdoret për ngrohjen e qyteteve dhe të fshatrave, sikurse edhe për qellime të tjera. Në këtë drejtim të merret eksperienca gjermane, çeke, austriake etj. Të ngrihet një Institut modern Teknologjik për studimin e qymyreve linjite të Kosovës, sepse nga qymyri nuk nxirret vetëm gaz për ngrohje, por edhe nënprodukte të tjera.. Mbi të gjitha, minierat e polimetaleve, kombinati Trepça dhe qymyret e Kosovës të mos privatizohen dhe të mos jepen me konçensione. Ato të jenë pasuri shtetrore (pasuri kombëtare) dhe t’i shërbejnë vetëm mirëqënies së popullit.
– Shqipëria dhe Kosova kanë perspektivë shumë të madhe për naftë dhe gaz. Në Shqipëri është faktuar prej kohësh prania industriale e naftës dhe e gazit, por perspektiva më e madhe e tyre ndodhet në Shqipërinë lindore (brezi i Mirditës), që vazhdon pothuajse në të gjithë Kosovën. Brezi i Mirditës përfshin afërsisht 1/3 e sipërfaqes së Republikës së Shqipërisë. Brezi Mirditë-Kosovë, nga ana gjeologjike ngjan me brezin naftëgazmbajtës të Azerbajxhanit. Në të dy rastet kemi të bëjmë me basene pas-harkut vullkanik. Pres që së shpejti në këtë brez të zbulohet kjo naftëgazmbajtje e madhe, në thellësi të vogla deri mesatare (1500 deri rreth 4000 m). Kjo naftëgazmbajtje e madhe e pritëshme mund ta bëjë kombin tonë të pasur ekonomikisht, por me një kusht: Që nafta dhe gazi të jenë pasuri shtetrore (pasuri kombëtare), të mos na e marrin hajdutët vëndas në bashkëpunim me hajdutët e huaj, por t’i shërbejë vetëm mirëqënies së popullit tonë. Që të arrihet kjo, nga populli kërkohet trimëri dhe guxim, sepse për naftën shtetet e botës bëjnë jo vetëm presione, por shpallin edhe luftra. Pse nuk ia grabisin dot naftën dhe gazin Norvegjisë? Sepse nuk të lejojnë vikingët trima. Nafta dhe gazi të mos privatizohen dhe të mos jepen me konçensione, sepse këto privatizime dhe konçensione e kanë çuar ekonominë tonë në buzë të katastrofës. Nëpërmjet privatizimeve dhe konçensioneve hiqet përfundimisht ky shans i madh për zhdukjen e varfërisë ekonomike të popullit tonë! Prandaj, i bëj thirrje qeverisë shqiptare që ta tërheq vendimin për shitjen (privatizimin) dhe dhënien me konçension të gjithë naftës dhe gazit të Shqipërisë. Le të marrim shembull nga Norvegjia, që e ka naftën pasuri shtetrore. Nga shitja e gazit dhe e naftës ajo ka të ardhura të mëdha (ka superfiçit buxhetor dhe “nuk di ku t’i çojë paret!”). Populli norvegjez ka mireqënien më të lartë në botë. Nga burime qeveritare mësojmë se gjoja nafta dhe gazi nuk mund të bëhen pasuri shtetrore, sepse gjoja vendburimet e pazbuluara të naftës dhe të gazit tek ne ndodhen shumë thellë, dhe kjo kërkon shpime të thella me kosto të lartë, që shteti ynë nuk mund t’i përballojë. Kjo nuk është aspak e vërtetë, sepse tek ne ka struktura të pazbuluara, që ndodhen në thellësi të vogla, në thellësi mesatare dhe në thellësi të mëdha. Strukturat në thellësi të vogla shteti ynë, sado i varfër ekonomikisht, mund t’i kërkoj dhe shfrytëzoj vet, me shpenzime relativisht të vogla, pa vështirësi të mëdha financiare. Me të ardhurat e kësaj nafte mund të fillojë rigjallërimi i naftës shtetrore shqiptare dhe të rritet punësimi dhe mirëqënia e popullit tonë. Kjo është një mënyrë tjetër për zhdukjen e varfërisë ekonomike të popullit tonë. Dhënia e naftës me konçensione korruptuese një ditë do të dënohet rëndë. Askush të mos mendoj se nuk do të ndëshkohet.
– Mirëqënies së popullit tonë i shërben edhe mbrojtja e mjedisit. Në Tiranë, dhe në qytete të tjera të Shqipërisë, janë vendosur shumë kosha të mëdhenj për hedhjen e mbeturinave. Kjo është një gjë shumë e mirë, por nuk ka kosha me ngjyrë të veçantë dhe me mbishkrim për hedhjen e mbetjeve plastike. Prandaj, mbetjet plastike janë të përzjera me hedhurinat e tjera. Po krijohet një ndotje e tmerrëshme jo vetëm në Tiranë, por edhe në të gjithë Shqipërinë. Këtë e lejojnë kuadrot drejtues të papërgjegjshëm. Një shembull: Kryetari i Bashkisë së Tiranës i kushton shumë kujdes paraqitjes së tij të jashtme, dhe mirë bënë. Kjo është e drejta e tij. Ai është i paraqitshëm, por kujt i duhet kjo paraqitje e tij e jashtme luksoze, kur ai Tiranën po e lë të mbytet në plehra? Duke specifikuar koshat, kjo ndotje e madhe mund të shmanget, sepse mbetjet plastike, nga koshat e veçantë mund të çohen për riciklim.
– Mirëqënies së popullit i shërben edhe uji i ngrohtë në banesa. Vendi ynë, gjatë gjithë vitit, ka shumë ditë me diell. Prandaj, vendosja e paneleve diellore është shumë e leverdisshme nga ana ekonomike, sidomos në fshatra.
3- Lidhur me turizmin mund të merret shembull nga vendet fqinje, që kanë traditë (Greqia, Italia, Kroacia). Plazhet tona janë të ndotura. Për shembull, plazhi i Semanit ka qindra m gjerësi dhe shumë gjatësi, por rëra e tij është e ndotur me toptha bitumi, hedhurina plastike, rroba të vjetra, letra…Një ndotës i madh i plazhit, dhe i detit Adriatik, është kanali i madh, që derdhet në det, duke rrjedhur përmes pyllit të pishave të Semanit. Ky kanal është tepër i ndotur me mbeturina nafte dhe acide naftanike. Ai po ndot jo vetëm detin Adriatik, por edhe detin Mesdhe. Çfarë bëjnë qeveritë tona për këtë problem?
Këto janë disa nga mendimet e mija, zbatimi i të cilave mund të ndihmojë në zhdukjen e varfërisë ekonomike të popullit tonë. Ftoj të gjithë shqiptarët, kudo që janë, të shprehin mendimet e tyre se si të zhduket varfëria ekonomike e popullit shqiptar, dhe varfëria ekonomike e kombit tonë në përgjithësi në trojet etnike.

Toronto, 10 shkurt 2015.

Filed Under: Analiza Tagged With: Prof. As. Dr. Vangjel Kici, Si ta zhdukim, varferine

Entuziazmi rrejshëm i ”emigrantëve” dhe despotët

February 10, 2015 by dgreca

Nga Aurel Dasareti, USA/*
Kosova nuk është shtet por një kaos në univers, e okupuar nga sundimtarët me pushtet absolut, despotët. Ndërkaq, ”emigrantët” e përkohshëm ilegal ”kosovarë” synojnë të arrijnë lehtë një qëllim të caktuar me përpjekje të pamatura, të papeshuara e pa parim; prirje për veprimtari të çmendura-aventura. Megjithatë, besoj se Kombi Shqiptar ka fuqinë për të mbijetuar, sepse ai është aq i pasur nga arsyeja që kurrë nuk do të jetë në gjendje për të kapërcyer: entuziazmin. Sidomos kur ajo transmetohet këtu, në çmendurinë e historisë së ikjeve masive.
***
Një pjesë të konsideruar të shoqërisë “kosovare”, për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike dhe propagandës së kontrabandistëve, e kanë kapluar mendimet e koklavitura (aftësitë njohëse) dhe emocionet e çuditshme me pasoja të rënda për jetën e përditshme të tyre, familjes dhe përreth. Këta “emigrantë” entuziast nuk janë më në gjendje për të mbajtur kontakte me realitetin e tyre të zakonshëm. Ndërgjegjësimi i tyre për realitetet e tyre të brendshme dhe të jashtme aktivizon ndjenjat e padurueshme e shumë të dhimbshme, kërcënuese apo natyrën katastrofike.
***
“Emigrantët” e rrejshëm e rrejnë vetveten kur arsyetohen kinse ikin prej varfërisë, por kjo nuk është e vërtetë sepse asnjëherë më parë nuk kanë qenë të pasur, përkundrazi, kanë qenë më të varfër.
”Emigrantët” nuk vuajnë nga varfëria absolute – sidomos lufta – që të arsyetojnë ikjen në askund. Jetojnë në varfëri relative e cila shumë shpejtë mund të përmirësohet nëse ata vendosin seriozisht për një gjë të tillë: duke filluar nga shkarkimi i sundimtarëve despotik, kallëzimi penal dhe konfiskimi i pronave të tyre kolosale të fituara jo-ligjërisht nga tradhtia kombëtare, korrupsioni dhe krimi i organizuar; zgjedhja ne pushtet e njerëzve të përshtatshëm dhe reformat në gjithë sferat. Vetëm miniera e Trepçës dhe termocentrali i Obiliqit (nëse rregullohet ndotja) peshojnë sa gjithë Kosova. Shumë mundësi zhvillimi dhe punësimi edhe në bujqësi, blegtori…
***
Nuk mund të presim ndihmë nga të huajt, nga ata që tërë ditën predikojnë për të drejtat e njeriut. Sot nuk janë me rëndësi të drejtat e njeriut por luftërat për territore.
Derisa popullata e dalldisur është duke e boshatisur tërësisht vendin, qeveritarët indiferentë nuk e ndalojnë aspak këtë boshatisje, por akoma, pa mandatin e shqiptarëve, negociojnë me Serbinë – për mposhtjen përfundimtare të Kosovës.
Heshtin edhe Akademia e Shkencave të Kosovës dhe Shqipërisë. Heshtën Kisha katolike dhe klerikët e saj “patriotik” të cilët mërziten vetëm për faktin se një patriot shqiptar mysliman do të bëhet ambasadori i shtetit laik shqiptar – në Vatikan. Heshtën edhe Xhamia me klerikët e saj myslimanë të cilët shpesh organizojnë demonstrata masive me xhematë të çmendur shqipfolës për “shkeljen e të drejtave të njeriut” të “vëllezërve” të tyre imagjinar të shpellave: turk, arab, pakistanez, somalez, IS sirian, por janë indiferentë për eksodin tragjik të vëllezërve të vërtetë dhe tragjedisë së vendit.
***
Pse shqiptari kështu vet-shkatërrues?
“Emigrantëve kosovarë” u mungon aftësia për të bashkuar arsyen me entuziazmin.
“Kur unë pi raki ose konsumoj drogë e harroj vetveten dhe më kaplon një ndjenjë e mrekullueshme”- më thoshte me krenari një i dehur.
***
Konventa e Refugjatëve:
1) Jashtë vendit të origjinës
2) Frika e bazuar
3) Persekutimi
4) Në bazë të racës, fesë, kombësisë, anëtarësisë në një grup të veçantë shoqëror ose mendimit politik
5) Mos mbrojtje në vendin e origjinës

***
“Kosovarët” janë relativisht të varfër por jo politikisht të rrezikuar. Nuk e plotësojnë aspak asnjë kusht që përmenda. Janë azilkërkues të rrejshëm sepse:
• jetojnë në trojet e veta etnike e jo jashtë vendit të origjinës.
• nuk ekziston frika e bazuar – për jetën
• nuk persekutohen
• nuk ndiqen për shkak të racës sepse nuk janë minoritet në vendin e vet. Qeveritarët i kanë të së njëjtës racë, fe dhe kombësi. Nuk rrezikohen për shkak te mendimit politik sepse pushteti nuk mërzitet aspak për mendimet politike të qytetarëve – aq më tepër kur ata që ikin nuk kanë aspak mendime politike; sikur të kishin nuk do të iknin por do të luftonin seriozisht për ato mendime
• pasi askush nuk i persekuton, nuk kanë nevojë të mbrohen në vendin e origjinës.
***
Përfundim: Nuk janë aspak të kualifikuar si refugjatë. Do të dëbohen. Sikur të fitonin azil pa i plotësuar kushtet, do të ishte e barabartë me: sikur dikush të diplomon në universitet – përkundër faktit se është analfabet.
Perëndimi nuk e di këngën ”Ku je nisë moj zanë” por ”Ku je nisë o aventuristë”
***
Për diasporën:
Është obligim atdhetar dhe përgjegjësi juridike që ne, pa përjashtim, të respektojmë 100% ligjet e shtetit ku jetojmë. Të mos bëhemi pjesëmarrës të veprës penale: emigrimit ilegal. Dhe shpërbërjes së Kombit, Shqipërisë, ndryshimit demografik të trojeve tona.
Apeloj: Secili prej nesh (në periudhë prej 3 vjetësh) të përmbajmë ekonomikisht nga 2 familje nevojtarësh, nga 100 euro në muaj për familje. Veproni, tash, menjëherë.
Pjesa dërmuese prej jush nuk është e pasur por nuk është as e varfër, asgjë nuk u gjen për këtë shumë simbolike që propozova. Jemi racë humane. Atdheu thërret, t`i ndihmojmë. Me siguri se shumica prej jush keni pasur arsye të forta në kohën kur braktisët tokën ku u lindët dhe u rritët; megjithatë, me siguri se diku thellë brenda jush ndjeheni “fajtor” për këtë braktisje. Nëse ndihmoni pak motrat dhe vëllezërit e juaj fukarenj, përveç humanizmit dhe solidaritetit vëllazëror, do të lehtësohet shumë ndjenja e ndërgjegjes së juaj.
*Ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au)

Filed Under: Analiza Tagged With: Aurel Dasareti, dhe despotët, Entuziazmi rrejshëm, i ”emigrantëve”

NJË MBRËMJE E VECANTE NE DITELINDJEN E VERES, VAJZES SE ADEM DHE MIMOZA BELLIUT

February 10, 2015 by dgreca

E shtuna e 7 shkurtit ishte fare e vecantë, na bashkoi ditëlindja e Verës , vajza e Adem dhe Mimoza Belliut. Vera është një vajzë e vecantë, ku bashkohen cilësi të vyera, ajo është jo vetëm një studente e shkëlqyer, por dhe një person publik për komunitetin shqiptar përmes Televizionit Kultura Shqiptare, ku atë e shohim shpesh herë në Kamera e here si intervistuese. Gjithësesi mbrëmja e së shtunës ishte e mbushur me emocione: Miqtë, të afërt të familjes, shoqe të Verës, gazetarë dhe familjet e tyre, përjetuan emocione gjatë darkës së organizuar në restorantin Maestro. Në krye të sallës së madhe të restorantit, ishte vendosur një tavolinë gjatsore, ku qëndronte Vera me Shoqet e saj, ndersa pista e vallezimeve mbeti gjate te gjithe kohes e mbushur me vallezues.
Festa e ditëlindjes ishte një shou i bukur, mbushur me : muzikë, këngë, valle, kujtime përmes vidiove, urime, Kamera e TV Kultura Shqiptare fiskoi gjithcka, ndërkohë që Studio e Dritan Haxhisë fiksoi momente gjatë të gjithë festës, nga hapja e deri tek Torta me qirinjët e Ditëlindjes.
Dy ishin momentet më emocionuese: Vidio e shfaqur, ku përcilleshin castet nga jeta e Verës, nga bebe e vogel-deri në castët e sotme, si dhe urimet e përcjella përmes regjistrimit nga Ardian Hila me familje, daja i Verës. E gjithë darka ishte e mrekullueshme. Vera do ta kujtojë gjatë festën e bukur të kësaj ditëlindjeje.
Gezuar ditelindjen Vera!
Happy Birthday VERA!

Filed Under: Komunitet Tagged With: dalip greca, MIMOZA BELLIUT, NE DITELINDJEN E VERES, NJË MBRËMJE E VECANTE, VAJZS SE ADEM DHE

INFORMACION- Prezantim serb ne librarine e Kongresit

February 10, 2015 by dgreca

Nga Arsim CEJKU/
Sot ne libraryine e Kongresit “bishop-i” Maksim Vasileviq beri prezentimin e librit me titull mjaft provokativ “ The Christian Heritage of Kosovo and Metohija- The Historical and spiritual heartland of serbian people “
Prezantimi ishte mjaft provokative dhe me te paverteta te medhe , Po e vecoj ku Vasileviq-i e quajti librin e Noelm Malcom-it -liber politik ne krahasim me librin qe e prezentonte do te duhej me qene shkencor. permendi se serbet shume kane vuajtur pas Luftes ne Kosove . Gjithashtu , ne prezantimin e siper , ai tha se ka edhe shqiptar te “mire” ne anglishte eshte shprehja “ few good Albanians”. Prezentimin e beri ne gjuhen serbishte e perkthimin e bente Obrad Kesic-i, nje aktivist i vjeter serb ne DC dhe Chicago i cili ka ardhe ne SHBA ne moshen 2 vjecare me ndihmen e gjyshit te tije, i cili gjate Luftes se Dyte Boterore ka qene pjestar i inisiative cetnike ne Kroaci dhe Bosnje . Kjo eshte ne baze te rrefimit te tij ne emisionin Cirilica te Milomir Mariq-I, tjeter aktiviste serbe qe njoh ishte Danijela Sremac. Pjesemare gjithesejt kisha than jo me teper se 40 veta , prej ane shqiptare isha une dhe Eduard Bucaj, prej Federates VATRA. Nga ana Amerikane foli Steven Meyer, (www.gordon.edu/ccs/usaspeakers/stevemeyer) i cili gjithmone e paraqet anen serbe , njeherezai ne Institut in per Paqe e ka paraqite anen serbe , e anen e shqiptare ka qene Lulzim Peci.
Ne fund pati vetem disa pyetje prej publikut. Une u paraqita per pyetje. Pasi u prezantova se jam shqiptar nga Kosova dhe nga Prizreni e bera kete pyetja: Ju e prezentuat Kishen Ortdokse Serbe si shume paqedashese. Une pyes: Si e shpjegoni faktin qe Kisha juaj, kurre nuk e ngriti zerin gjate luftes ne Kroaci -Vukovari u rrafshu me token, Sarajeva ishte ne rrethim per 3 vjet dhe u pergjak, dhe ne fund krimet ne Kosove, edhe Ironija me madhe eshte se mu ne kete ndertese gjendet dokuminti i pare tentimit serb per gjenocide ne Kosove me 1912.Natyriht atij nuk I erdhi mire.
Pergjegjja e tij u shmang pyetjes- pervecse ngeli te shprehja gjenocid dhe definicioni i saj. Ne fund Vasiljeviqi erdhi ne drejtim te timin dhe mu drejtu “ Ku je vendas i imi” ! Ai thote se paska linde ne Prizren.
Une iu pergjigja “ Ju jeni njeri i te kaluemes” ! Ai e mohoj duke thene se ai mendon vetem per te ardhmen.

Filed Under: Kronike Tagged With: Arsim Cejku, E KONGRESIT, INFORMACION- Prezantim serb ne, librarine

ERMONELA JAHO:”GURI I RENDE NE VEND TE VET”

February 10, 2015 by dgreca

Sopranoja Ermonela Jaho: Nuk është e kotë shprehja “guri i rëndë, në vend të vet”/
-Nuk mund ta kuptoni kur merr një vlerësim në gjuhën tënde, nga vendi yt/
– Një artist që nuk ka provuar vuajtjen, nuk mund të jetë kurrë artist/
– Ernest Hemingueji, shkruan se për të qenë shkrimar duhet të kesh një fëmijëri të vuajtur/
– E ndiej veten më mirë,si Odisea, nëpërmjet artit zbuloj veten time
– Artistët janë një racë e veçantë, edhe aty ku nuk ka probleme, ne i krijojmë/
– Janë hapur dyert e TKOB, taman si krahët e një nëne që pret bijtë e saj/
– Sot duhet të jesh edhe aktor, sepse duhet të japësh emocionin përmes këngës/
– TKOB ka nxjerrë shumë artistë që performojnë në botë tani
– Jashtë skenës, përpiqem të jetoj sa më thjeshtë, të marr eksperincë humane/
(ERMONELA JAHO, PËRBALLË GAZETARIT ROLAND QAFOKU NË EMISIONIN “DEBATI NË CHANNEL ONE” )
Nga Roland Qafoku/
Mund të them se si të gjithë njerëzit, ne jemi çdo ditë ndryshe. Si të gjithë, ndryshojmë. Nga ana fiziologjike ndryshojmë, sepse siç kemi qenë mbrëmë, nuk jemi sot. Është një ditë e re edhe në përkushtimin dhe përballimin me jetën e përditshme. Në rastin konkret, ndryshimi që ka qënë me Ermonelën, nga 2007-ta e deri më tani. Mund t’ju them, se ka qenë një rrugë e gjatë, është një kërkim i vazhdueshëm për të përmirësuar veten. Si çdo majë, megjithëse nuk dua të them se jam në majë, sepse po të kap majën, duhet të them se ku të shkoj më.Kam gjëra për të dhënë, akoma. Ndryshon nga ana shpirtërore, psikologjike, sepse jeta të jep një lloj eksperience që të shenjojë. Kjo ka bërë që Ermonela të ndryshojë, t’i shohë gjërat me një sy tjetër edhe përballimin me karrierën. Mund të marr një shembull më konkret: Po të marrim operën “La Traviata”, është opera që nisën ëndrrat e mia për t’u bërë këngëtare dhe e kam kënduar mbi 200 herë, deri më sot. Nga viti 2007 deri në 2015, është kënduar shumë, shumë herë.Dhe shoh qëështë e njëjta muzikë, i njëjti person që e këndon, por emocioni është ndryshe.Është një Ermonelëme një eksperiencë tjetër dhe këtë ndryshim te vetja, e shoh në rezultatin që kam në skenë dhe mënyra sesi më pret spektatori. Është një rrugë e gjatë, qëështë bërë dhe vazhdon të bëhet. Kam dëshirë tëjap akoma, gjëra të reja. Ështëky ndryshim, kjo punë e palodhshme, e vështirë. Sepse një rezultat optimal, tëshijon më shumë nëpërmjet mësimit të jetës dhe rrugës së mundimshme.Vetëm kështu e shijon më tepër edhe suksesin.-thekson në hyrjen e bisedës Ermonela Jaho
Ju jeni një model për ne shqiptarët që kemi zgjedhur që punën tonë ta bëjmë në Shqipëri. Ndryshe nga ju, që punën tuaj e bëni jashtë.
Jam e emocionuar, për dy arsye. Fillimisht, nuk mund ta kuptoni kur merr një vlerësim në gjuhën tënde, nga vendi yt. Nuk është e kotë shprehja “guri i rëndë, në vend të vet”. Nuk ëshë prezantim vetëm për Ermonelën, por edhe për të gjithë artistët e tjerë, që kanë dalë nga Shqipëria.Është një dritë shprese për brezat e rinj. Nuk ka vend pa vështirësi. Unë jetoj në largësi, por zemrën e kam këtu.I imagjinoj vështirësitë që kanë të rinjtë. Por, nuk ka asgjë në botë që nuk mund ta arrish, kur e do me shpirt. Në rastin tim, ka qenë e vështirë. Ermonela nuk ka lindur artiste e madhe, nuk ka lindur këngëtare, nuk ka lindur me të gjitha oportunitetet.Më duket sikur kam jetuar dy-tre jetë, në çdo hap që kam arritur.Vështirësitë kanë qenë të jashtëzakonshme. Por edhe nga ky vend ku kishte vështirësi që ti të merrje edhe një vizë që të konkurroje në një konkurs, apo një biletë avioni. Gjë që tani nuk është.Shqipëria tashmë nuk i ka këto probleme. Por perla më e çmuar, del nga fundi i detit. Ylli del në ato vende ku ka vështirësi, aty ku ka probleme. Një artist që nuk ka provuar vuajtjen, nuk mund të jetë kurrë artist.Mund të jetë, thjesht një fotografi e bukur, por kurrë artist.Muzika është gjuha e shpirtit, gjuha e zemrës.Edhe kur u krijua teatri, në kohën e lashtë, ishte si një lloj katarsisi.Të shkarkohesh nga ana shpirtërore.Është një dashuri midis artistit, atij që ta jep këtë emocion dhe publikut. Unë kam pasur dy prindër të jashtëzakonshëm, që kanë besuar shumë tek unë dhe kanë qenë dy ingridientët më perfektë. Një baba idealist, në një moment kur çdo gjë ishte e fshehtë. Ishte rrezja e diellit në fund të tunelit. Dhe xheneroziteti i madh i nënës sime, i nënave shqiptare. Prandaj edhe kur erdha herën e kaluar dhe këndova “Butterfly”,ia dedikova atë titull, grave shqiptare sepse kanë bërë sakrifica të jashtëzakonshme. Madhështia shpirtërore e të qenit prindna kanë dhënë diçka të veçantë, sepse unë mendoj se nga ky vend kanë për të dalë gjithmonë artistë.
E sigurt?
Pa dyshim, vetëm se duhet të kenë një besim të jashtëzakonshëm edhe t’i dedikohen.Është toka, që i prodhon.Janë vështirësitë. Ernest Hemingueji, shkruan se për të qenë shkrimar duhet të kesh një fëmijëri të vuajtur. Këtë ua drejtoj brezave të rinj.Nuk ka formulë. Po nëse do të realizosh diçka përmes artit, me punë dhe përkushtim arrihet.
Ju flisni me shumë dashuri për vendin tuaj edhe pse në skenat e botës ju shkëlqeni.Ju u bëtë e famshme në Shqipëri, pasi u bëtë e famshme në botë.
Të gjithë e kemi ndjekur filmin “Odisea” të Omerit, ku thoshte se rruga për në shtëpinë tënde, vjen përmes botës.Ndoshta, asnjë nuk është profet në vendin e tij. Mbaj mend në kohën time, mënyrën sesi trajtoheshin talentet. Talente në kohë time, ishte ai qëe kapte mësimin shpejt.Ai ishte gjeni. Ti, që kishe nevojë për më shumë kohë, nuk do të bëheshe gjë. Në rastin tim, kjo nuk ka funksionuar. Të gjithë kemi lindur me diçka, të gjithë e kemi brenda vetes. Por, mendoj që 10% është dedikim. Ndoshta nuk kam qenë e talentuar sa duhet, që të dilja në fillim nga Shqipëria, të bëja rrugën e kundërt. Tani, të gjithë mund të thonë se “Ermonela do të bëhej e madhe”, se “Ermonela ka qenë talent që atëherë”…Nuk është e vërtetë.
E ke dëgjuar këtë?
Po.Unë studioja. Asnjë nuk lind i madh. Ti bëhesh në momentin që i vë detyrë vetes.Kam mësuar sesa më shumë të punoj, aq më shumë fat kam.
Sa orë punoni në ditë?
Mund të them, se jeta ime i është e dedikuar punës, sepse këndoj nga një vend i botës në tjetër, nga një repertor në tjetrin. Flasim për opera, për role protagonisti dy – tri orëshe. Je një gladiator i skenës.Jo vetëm hap gojën dhe këndo.Është një punë kolosale edhe nga ana teknike dhe psikologjike. Për mua është e rëndësishme emocioni që jap te publiku. Puna është e përditshme dhe nuk mund të bësh dot pazar me talentin, me përkushtimin, personalisht si artist. Të gjithë jemi unikë dhe kemi një energji të jashtëzakonshme për të nxjerrë gjëra të jashtëzakonshme.
Më kujtohej një frazë e juaj, në intervistën që ju kam marrë në vitin 2007, se më ofronin një copë akull.
Që të çosh gjithë botën të shohë atë ndjenjën tënde, me sytë e Ermonelës, kërkon një punë shumë të madhe. Çdokush që kishte dëgjuar për Shqipërinë kishte dëgjuar gjëra negative, por megjithatë ishim nga ato vende që nuk kishim shumë të njohur për çdo gjë. Kjo ka qenë ajo thyerja e akullit.
A veçoni dikë që ishte i pari, që u afroi ju pas suksesit që morët në skenat botërore?
Ata që më ka mbështetur më shumë, kanë qenë prindërit e mi. Ata mëkanë shtyrë që unë të njihesha në Shqipëri. Ndoshta ka qenë mentaliteti i vendit të vogël. Por, konkurrenca në vendin tonë s’e kuptoi. Ai që ka kaluar me ty një lloj eksperience shkolle, nuk e pranonte dot.
Pse?
Nuk e di.Disa gjëra, i kam akoma sot e kësaj dite. Ndoshta, nga mentaliteti.
Ju e vuani këtë?
Më përpara, po. Për shkak të tim ati, sepse thoshte: “Ti ke bërë këtë, ke bërë atë… përse të mos i tregojmë?”. I thashë se nuk do të tregojmë asgjë. Do të vijë momenti, që jehona nga jashtë do të vijë në Shqipëri. Dhe kisha të drejtë! Pritshmëria ishte shumë e madhe për të kënduar dhe zhgënjimi po ashtu. Në kohët e fundit, kemi filluar njëlloj bashkëpunimi, që t’ëjap më tepër eksperiencën time, se çfarë ka arritur Ermonela. Vendi është i hapur ndaj cdo informacioni.
Si ia del Ermonela? Në komunikimet tona, më thoje: “Jam në Londër, jam në Milano, jam në Vienë”..?
Është pasioni. Për mua, të kënduarit është ideal.Është katarsis.
Odisea apo Magelani?
E ndiej veten më mirë,si Odisea. Nëpërmjet artit zbuloj veten time.Në muzikë, arti është një ekspresion i ndenjave të realizuara.Zbuloj dhe veten time, me kalimin e kohës. Do një regjim të jashtëzakonshëm. Nga ana fizike, duhet të kesh kujdes. Me kalimin e kohës dhe më shumë kalon mosha, edhe kjo energji që ti ke pasur kur ke qenë 20 vjeç edhe pasioni, është po ai .Që të mbash edhe nga ana fizike një energji të tillë, të duhet një përgatitje e jashtëzakonshme fizike Zakonisht thuhej për këngëtaret se duhet të flenë shumë, t’i marrin gjërat me qetësi.Por, kam zbuluar të kundërtën. Çdo ditë, bëj ushtrime për zërin edhe për trupin.Ka ndryshuar edhe imazhi i këngëtarit në botë, që duhej të jesh shumë i shëndoshë.Edhe lëvizjet skenike, në të kaluarën ishin të ngrije dorën edhe aktro. Sot duhet të jesh edhe aktor.Sepse duhet të japësh emocionin përmes këngës. Në rolin dramatik, personazhi kryesor vdes.Je më vulnerabël kur një person të sheh që vuan vërtet. Ajo gjë, kërkohet tani në skenë.Duhet të këndosh në pozicione të jashtëzakonshme, që nuk janë komode në skenë. Por elasticiteti që bën me ushtrime fizike, të bën që të këndosh në çdo lloj pozicioni, pa dëmtuar edhe tingullin qëdel.
Sa do të zgjasë ky pasion?
Pasioni, nëse është i vërtetë zgjat gjithë jetën. Po të flasim nëse do të zgjasë gjithmonë në këto nivele, në këto role të vështira është të gënjej veten. Asgjë nuk zgjat përgjithmonë.
A e keni arritur majën, apo synoni gjëra të reja?
Synoj akoma. Nëse do të kisha arritur majën, tashmë duhet të isha duke rënë. Kam frikë të them se kam arritur në majë.Kam akoma gjëra për të dhënë.
A mund të na thoni diçka më shumë për koncertin që do të keni në ditët në vijim?
Unë jam kthyer për të kënduar “Suor Angelicën”. Është një opera që e kam shumë përzemër. E kam kënduar edhe në Lodnër. Ka pasur një sukses të veçantë. Për mua, nuk ka rëndësi ku je. Në Metropolitan, në Lascala, skena është magjike. Unë transformohem kur jam në skenë.
Si të duket ajo skenë e Teatrit të Operas dhe Baletit? Ne kur shkojmë atje, kemi ftohtë, salla e vjetër?..
Artin, njeriu duhet ta bëjë në çdo vend. E kuptoj që kushtet janë të vështira. Por ai teatër, ka nxjerrë shumë artistë që performojnë në botë tani.Ju thashë edhe më lart, ku është vështirësia më e madhe ka edhe artistë.Por në momentin kur të gjithë ne bashkohemi dhe themi këto janë kushtet, të përpiqemi ta përmirësojmë këtë teatër.Më besoni, niveli ka për t’u ngritur.Dikush duhet ta bëjë. Por, nëse themi nuk shkohet në atë teatër se është ftohtë, nuk këndohet atje sepse është ftohtë, kush do ta bëjë?
Ka nga ata që bëjnë naze?
Artistët janë një racë e veçantë.Edhe aty ku nuk ka probleme, ne i krijojmë.Ka dhe nga ata që bëjnë naze me të drejtë.Unë erdha nga Italia edhe ishte i njëjti problem.Dhe këngëtarët ankohehsin se nuk këndohet sepse është ftohtë. Më shkoi mendjate kolegët e mi në Shqipëri. Dhe ata po prisnin që Ermonela është diva dhe nuk thotë asgjë.U thashë se ka edhe më keq. Të gjithë bashkë do ta ngrohim njëri-tjetrin me atë dashuri të madhe dhe me atë frymëzim, qëështë arti.
A mjafton që ta ngrohim teatrin e Operas dhe Baletit me frymën e divës Ermonela Jaho, apo edhe shumë të tjerëve?
Momentin që të gjithë do tëbashkëpunojmë, do të vlerësojmë njëri-tjetrin dhe ta bëjmë për të mirën e këtij teatrit, nuk do të kemi probleme të tilla.
Çfarë ndryshimi kaTeatrin e Operas dhe Baletit, në vitet e fundit, edhe me ardhjen e drejtorit Ilir Kerni?
Ndryshimi më i madh që është bërëështë se janë hapur dyert e teatrit, taman si krahët e një nëne që pret bijtë e saj. Kanë ardhur shumë këngëtarëdhe shumëartistë, që deri dje e kishin ëndërr.Jo se nuk kanë performuar në skenat e botës.
Po kush i mbante krahët mbyllur?
Po nuk e di tani…Ndoshta, një lloj xhelozie.
E kishin drejtuesit?
Po, ndoshta edhe drejtuesit.
Mua më shkon mendja te Zhani Ciko?
Nuk dua të përmend emra sepse nuk i kemi njerëzit prezentë. Por, njeriu nuk duhet të mbajë mend gjëra negative. Ai teatër ka një aktivitet të jashtëzakonshëm, ku janë rritur performancat. Janë bërë 4 -5 herë më shumë dhe shikohet një interes i publikut. Publiku shqiptar po shkon drejt teatrit.
Cili është mendimi juaj për Ilir Kernin, në aspektin organizativ, sepse ju thatë seju nuk ka ftuar vetëm, ju por edhe artistë të tjerë?
Ilir Kerni është një artist në radhë të parë dhe ka bërë jetesën jashtë vendit të tij. Është një ndër personazhet që kupton shumë mirë problemet e një artisti, nevojat e tij. Mendoj që Ilir Kerni ka bërë një punë të madhe… Vetëm hapja e dyerve të këtij teatri!
Ju paguan shteti?
Jo. Është diçka që e bëj personalisht. Në momentin që do të bësh diçka për vendin tënd, nuk mund ta bësh duke kërkuar faturën kashen tënde. Në mund të kërkoj kashen atë që marr jashtë shtetit, në vendin tim. Çfarë po ijap vendit tim? Vendi im është në vështirësi. Unë dua tëjap eksperiencën time. Kjo ështëhera e dytë që kam ardhur edhe e bëj për vendin tim. Nuk do të bëhem e pasur në vendin tim. Jam dakord që artisti duhet të paguhet. Në një vend si ky i yni, në një teatër që po rilind, duhet të nisë nga diçka. Nuk mund të marrim një standard si ai i Metropolitantit apo i Parisit.
Dhe aq të varfër nuk jemi ne. Por të marrësh artistët që shkëlqejnë në skenat e botës e t’i sjellësh në teatrin e Operas dhe Baletit e të mos u japësh as para, unë nuk e kuptoj. Sa do të vazhdojë kjo?
Kjo vlen për artistët që kanë bërë një karrierë jashtë dhe duan të ndihmojnë vendin e vet. Në qoftë se them që dua të bëj diçka për vednin tim, nuk mund të kërkoj pagesën që ma jep “La Scala” këtu, sepse nuk mundesh. Nuk i kanë ato mundësi. Në momentin që ne punojmë së bashku me kolegët tanë të Operas dhe Baletit dhe ia dimë vlerat njëri-tjetrit, askush nuk duhet të ndihet inferior. Ne jemi artistë, kemi zgjedhur dy rrugë të ndryshme për të kontribuar. Nuk mund të jemi të frustruar,kush rri e kush jo. Por, nëse flasim me idealizëm, që ta bëjmë këtë teatër të përmasave evropiane, japim eksperiencën.Një artist si unë, që ka punuar në të gjithë botën, me një lloj dispiline.Në momentin që ti këtë disiplinë e sjell këtu dhe shikon njerëz që vijnë me vonesë, apo pinë cigare përpara teje.
Kjo nuk ndodh më?
Jo, mesa kam parë deri më tani, nuk ka ndodhur.
Çfarë ka ndodhur që janë disiplinuar?
Diçka duhet të ketë ndodhur, patjetër.Unë nuk jetoj këtu, por shoh ndryshimin. Ose mbaj mend vite më parë, që kishte probleme me kostumet, vonesa. Mendoj ky lloj bashkëpunimi dhe vlerësimi sepse ne shqiptarët e kemi shumë të vështirë të themi fjalën e mirë. Fillimisht themi fjalën e keqe, që të zhyt në negativitet… Pikërisht neve, që po bëjmë diçka të mirë jashtë.Flasim të njëjtën gjuhë. Të gjithë kemi ardhur nga kyvend. Vetëm ai bashkëpunim dhe ideali, do të bëjë që teatri të jetë një nivel shumë më i lartë.
Po për debatin e “gropës së orkestrsës”?
Po në të gjtihë botën, këngëtaret dhe regjia është sipër dhe orkestra poshtë, që e shoqëron. Por nëse flasim për kushtet e orkestrës, atëherë është tjetër gjë.
Ku jeni ndier më mirë jashtë sallave, kur është përmendur emri juaj?
Është eksperiencë jashtëzakonisht e fortë dhe të jep edhe ty si artiste, njëlloj konfirmimi jashtë skenës, kur shikon publikun qëështë zhytur në një jetë të dytë.Mëka qëlluar të këndoj dy- tri hetë në opera me fëmijët.Pas një jave që ka mbaruar shfaqja, në postë me vjen një dedikim nga të gjithë ata fëmijë.Përlotem gjithmonë, sepse artisti duhet të lërë diçka prapa, një lloj trashëgimie.Mund të veçoj kur kam kënduar në teatrin e Operas në Detroit, isha zhytur aq shumë në rol dhe në fund, personazhi kryesor vdes. Dhe këto ishin fëmijë të vegjël 5 ose 6 vjeçarë. Madje edhe dedikimet ia kishin shkruar prindërit: “Mimi, ti je një yll që ndriçon”, “Mimi, do të doja që kur të rritem, të bëhem këngëtar”, “Mimi, shpresoj të jetosh më shumë sesa në opera, sepse më bëre për të qarë”. Kur flet me gjuhën e zemrës, edhe fëmija të kupton.Ose njëherëtjetër, kur kam kënduar “Butterfly”, i njëjti vizatim nga fëmijët e vegjël.Janë kujtimet më të bukura. Jashtë skenës, përpiqem të jetoj sa më thjeshtë. Të marr atë eksperincë humane, pa shkuar shumë në shoping. Shkoj në vendet ku sheh lagje të degraduara, ku sheh njerëz që nuk kanë të hanë “një çapë bukë”. Sheh një tëri në depresion. Sepse dua të prekem. Jeta është bërë kaq materiale, kaq sipërfaqësore nga problemet e përditshme. Ky është frymëzimi që marr.
Nga 1990-ta dhe deri më sot, numërohen deri në 2 milionë shqiptarë, që kanë ikur nga Shqipëria. Si është një shqiptar jashtë Shqipërie?
Është një shembull i jashtëzakonshëm. Sepse nëçdo lloj kontakti ku është folur për shqiptarët, më ka rënë në sy shqiptarët e parë në atë sakrificë që kanë bërë për të mbijetuar e kanë kthyer nëkulturë të jashtëzkonshme për fëmijët. Prezantimi i një shqiptari jashtë vendit, ka për të qenë siç kanë bërë hebrenjtë. Në çdo lloj vendi që kam qenë, investimi që kanë bërë shqiptarët për fëmijët është kolosal.
Por, ku do të dalë?
Në një dhjetëvjeçar, në të gjitha fushat. Por, ne nuk i njohim.
Për mua, ju jeni shqiptarja më e famshme, pas Ismail Kadaresë. A ka pasur ndonjëherë fatin që të takohesh me të?
Po, me të madhin Ismail Kadare, jam takuar disa herë.Sa herë shkoj në Paris, në ftesat familjare apo në koncert. Unë këndoja në Bilbao operën “La Traviata” , ku Ismail Kadare erdhi për të marë një çmim, edhe ishin fotografi gjithandej. Në një anë, media po bënte reportazh për operën, në anën tjetër ndaheshin çmime, ku edhe Ismail Kadare mori njëçmim.E kam pasur edhe të ftuar në Bilbau, si pjesëtarët e familjes sime. Për çdo shqiptar që kam në teatërjam shumë krenare, më duket si një Shqipëri e vogël, qëështë aty. Në atë rast kisha Ismail dhe Elena Kadarenë. U ndjeva me krahë, sikur më kishin ardhur dy prindër nga Shqipëria.
Do të doja një koment tuajin, për sulmet në adresë të shkrimtarit të madh Ismail Kadare, një javë para ndarjes së çmimeve “Nobel”?
Pemës me kokrra i gjuhet gjithmonë. Është natyra njerëzore.
Cili është mendimi juaj, për Nënë Terezën?
Për mua, Nënë Tereza, është e vetmja humanitare e njohur në të gjithë botën për humanitetin e saj. Për ironinë e fatit, pikërisht pak humanitet kërkonte Nënë Tereza, që të vinte në vendin e saj e të takonte nënën dhe motrën.Iu mohua. A e meritojmë ne një figurë humanitare të madhe, si Nënë Tereza?
Çfarë ju bën më shumë përshtypje, kur vini në Shqipëri?
Shoh gjithmonë e më shumë përmirësime. Kjo studio televizive më pëlqen shumë. Kur je person publik dhe je ftuar në të gjtiha studiot nëpër botë dhe dalloj që është bërë një punë e jashtëzakonshme. Nuk mund të them ku jam.E kuptoj që flas shqip, por më duket vetja si në Paris, Londër. Janë bërë gjëra shumë të bukura. Kemi arritur këto, por duhet të mësojmë edhe nga gabimet.
Çfarë ka ndryshuar në Tiranë, kur vini ?
Vij dhe rri aq pak…Kam aq shumë mall, saqë edhe balta më shijon.Shoh që nuk ka shumë dallim. Shumë gjëra i shoh sikur jam edhe në vende të tjera të Evropës. Duhet menduar me pozitivitet. Unë nuk fle gjumë pa parë një emision, kam parë edhe emisionin tuaj, edhe lajmet në shqip.
Ju e kujtoni gjuhën përmes lajmeve?I lexoni gazetat?
Pothuajse përditë. Nuk fle pa i lexuar. Një copë e zemrës sime është këtu dhe jam shumë e ndjeshme për çdo gjë që ndodh këtu. Edhe ndaj përmbytjeve.Unë kam ikur, por Shqipëria nuk ka ikur kurrë nga zemra e Ermonelës.
Rrezikon që të ikë?
Deri tani,jo. Shtohet gjithnjë e më shumë.
Çfarë është një gjë e keqe, që duhet të ndryshohet menjëhërë?
Shqipëria po ndryshon ngadalë, por po ndryshon. Por njerëzit janë xhelozë. Nuk e thonë fjalën e mirë.Këtu kemi akoma punë për të bërë.

Ju e përmendët më lart që nuk shërben vetëm zëri, por si aktroni?
Sepse besoj në atë që bëj. Kur jam në skenë jam vetvetja. Aktori më I mirë është ai që të prek.
Si është jeta juaj në Neë York?
Unë shpenzoj shumë pak në shtëpi. Mund të them se duke mbledhur ditët, 2 muaj në vit I kaloj në shtëpi. Është shumë e vështirë, do doja që ët shpenzoja pak kohë më shumë me shokun tim të jetës, me ët cilin kam studiur.
Mund të na thuash diçka më shumë për të?
Quhet Ervin Stafa. Kemi studjuar bashkë muzik, kemi qënë në pallatin e pionervenë Tiranë. Jeta na ndau. Unë vajta në Itali, ai shkoi në Neë York. Jeta na bashkoi përsëri. Mendoj që po nuk pate një mbështetje, një dashuri nga personi që ken ë krah do të ishte edhe për mua e vështirë, të bëja këtë profesion. Ai ka mbaruar për muzikologji dhe e kam kritikun më të ashpër. Bëjmë edhe një shkëmbim idesh të dy shokëve që kanë studiuar muzikë. Do doja të kaloja më shumë kohë me të në Neë York.
A ka ndonjë të vecantë në intervistat që të ka bërë një gazetar I huaj me të një gazetari shqiptar?
Ka më shumë emocion kur e jep në shqip. Ata janë ëm të stakuar. Të pyesin ndryshe për jetën e artistit. Janë më të detajuar në operan që po vihet në skenë.
Në një intervistë për BBC, për kanë mirëpritur me një këngë shqiptare arbëreshe. Aq e bukur! Dhe më thanë që a e njihni këtë pjesë? I thash që jo.
Si ka mundësi që perlat e kryeveprës klasike janë shkruar 200 vjet më parë?
Kjo nuk është e vërtetë. Është vëmëndja e spektatorit edhe në zhanerat e tjera. Por për mua, muzika klasike dhe opera mbetet dicka shumë e thellë. Një javë më parë këndova “Dialogun e Karmelitave”, e shkruuajtur nnë 1956. Kryevepër!
Kjo ëhstë edhe dicka që do të bëjmë me teatrin e Operas dhe Baletit. Do të vendosim njëlloj repertori.
Unë u kënaqa kur ju dhanë një vlerësim nag kryeministri. Por a ke frikë që kur merr famë shqiptari, të gjithë vijnë aty?
Unë jam artiste dhe flas me gjuhën e zemrën e artistes. Për mua është një ndjenjë e madhe kur ndjehesh e vlerësuar nga kryeministri. U respektova si artiste. Unë do të jap kontributin tim gjithmonë, pavarësisht se cfarë partie është në pushtet.
Nuk e prisja cmimin që më dhanë. Një moment shumë e bukur.
E lidhni faktin që kryeministri është artist, I dyti kryeministër në Shqipëri, pas Fan Nolit?
Dhe ajo ndikon. Artisti me artistin kupton detajet, menyrën e të shprehurit.
Jeni e madhe sepse jeni modeste.
Të gjithë ne kemi pasur vështirësi në jetë. E dimë shumë mirë që nuk do të na duan të gjithë, kur jemi në karrierë publike. Ma ka thënë që e ke difekt që je modeste. Por nuk do të isha unë nese do ta bëja. Nuk ka gjë më të bukur ti urosh më të mirën.
Ju nuk do ndyshoni?
Nuk do të jem unë ndryshe.

Filed Under: Interviste Tagged With: Ermonela Jaho, Guri i rende, ne vend te vet, Roland Qafoku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4103
  • 4104
  • 4105
  • 4106
  • 4107
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT