PRISHTINË, 7 Shkurt /-Ministri Kosovar i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, theskoi në një intervistë televizive se “organizatat kriminale të trafikimit, me një organizim shumë të mirë, janë fajtorët kryesorë të ikjes së qytetarëve të Kosovës në mënyrë masive”.
Hyseni pranon se situata është alarmante, por sipas tij, papunësia dhe problemet e tjera të qytetarëve po shfrytëzohen nga trafikantët.
Hyseni tha në televizionin publik kosovar se rritja e numrit të personave që po ikin nga Kosova është një fushatë e orkestruar nga kriminelët në të dy anët e kufirit Kosovë-Serbi.
“Po gjithsesi kemi të bëjmë edhe me një fushatë të orkestruar mirë kryesisht nga kriminelët e organizuar në të dy anët e kufirit Kosovë-Serbi. Gjithsesi nga kriminelët e organizuar në Serbi dhe pashmangshëm edhe nga ata që janë të kyçur në këtë proces të paligjshëm të lehtësimit të kalimit të kufirit Serbi-Hungari për qytetarët e Kosovës”, tha Hyseni në emisionin ‘Debat’ në RTK.
Ai i bëri thirrje qytetarëve mos të largohen nga vendi, pasi të gjithë do të rikthehen.
Sipas medias, shumica e kompanive që po transportojnë qytetarët e Kosovës në drejtim të Serbisë, janë dënuar mbrëmë nga autoritetet përgjegjëse.
“Secili nga ne që kemi pasur më shumë se një autobus jemi dënuar me 1 mijë euro gjobë. Arsyetimi ka qenë se ne nuk kemi të drejtë që të nisim më shumë se një autobus për natë, pa pasur edhe leje shtesë për numër më të madh të nisjeve”, ka bërë të ditur një nga pronarët e autobusëve.
Sipas tij, nisjet e rregullta janë kryer vetëm në orën 9:30, ku në drejtim të Serbisë kanë udhëtuar mbi 250 persona.
“Nisjet e mëvonshme janë bllokuar nga policia dhe asnjë nga ne s’ka mundur të nis më shumë se nga një autobus. Kështu që gjysma e udhëtarëve kanë mbetur në tokë”, ka sqaruar burimi i “Tribuna”.
Fol Kim Mehmeti , se shqiponja nuk është haram !
Fol Kim Mehmeti e thuaj hoxhë Bajramit se ‘ orrli “ nuk është haram!/
Nga Fahri XHARRA/
Një mik i imi , publicist shumë me vlerë pati shkruar :”Unë nuk e di se ku i merr faktet një njeri si Kim Mehmeti, cili është konsideruar si model i jugosllavit të realizuar dhe më vonë produkt i vyeshëm i multikulturalizmit (duke vjelë fonde nga të huajt deri vonë) në Maqedoni të falsifikoj historinë. E kjo s’ka të bëjë me islamin si besim, por me një falsifikim të qëllimtë të fakteve. Pse e bën Kimi këtë punë? Jo për historinë, por për aktualitetin. Ai e di se në anën tonë dhe në Kumanovë sidomos viteve të fundit është radikalizuar islami për qëllime politike dhe Kimi ku ta dijë se për çfarë ëndrre lufton, të bëhet lider? Nuk e di.”
As unë nuk e di si Kimi po ka nerva të qeta dhe heshtet karshi Hoxhë Bajramit i cili ka thënë se shqiponja apo ‘orrli’ siç i thuhet shqiponjës në gjuhën sllave është haram sipas interpretimit të drejtë të sektit hanefi dhe jo si e praktikojnë besimtarët sot …. Madje sipas këtij hoxhe ai që nuk fal namaz me kokfortësi mund të dënohet edhe me prerje koke (klan.mk) . Kim , nëse nuk e ke degjuar po ta përsëris : ” Shqiponja është haram ” paska ligjeruar Hoxha i ”mirënjohur” i anëve tuaja .
Ju merr mendja , miq të nderuar që hoxhallarët e kanë mësuar ndonjë herë në jetën e tyre se çka është shqiponja ; jo . E ka me të urdhërueme sepse edhe kur flet e flat ashtu si i kanë thënë ”orrli”. E di hoxha se kush ishte Skënderbeu :jo. E ka lexuar hoxha ndonjëherë Kadarenë: jo. Pra , krejt dijën e tij e ka prej Kim Mehmetit dhe të tjerëve që kujdestarojnë në shërbim kundër vetvetës ( kombit) në stilit mercercenaresk se kush jep më shumë.
Kimi një herë e kishte një konstatimi apologjik mbi dy (sub)komunitete që jetojnë (kanë jetuar) afër tij; komuniteti ortodoks dhe ai katolik shqiptar. Ai ishte përthelluar në faktin se ata nuk janë më!
”Pse u zhdukën? Për veç disa faktorëve tjerë jo pa relevancë, ata morën goditjen e fundit kur struktura kulturore shqiptare u ça në atë regjion. Kur diferencat identitare u rriten brenda trupit shqiptar dhe shqiptarët e islamizuar krijuan një subpopullacion kulturor, ortodoksët të vetin, katolikët po ashtu. Asnjëri prej tyre nuk i qëndroi supremacive kulturore (osmane a sllave) që rrinin si shtëllungë tymi mbi trojet e tyre: i pari i mohoi të dytët dhe të tretët, e këta të fundit mohuan vetveten. Pse kështu, sepse kishin dy disfavore, e para, ishin pak në numër dhe integralizmi nuk i kishte lënë të prodhonin elita vetjake, pra ushqim shpirtëror; dhe e dyta gjendeshin në periferi të kombit, kulturalisht, politikisht, fizikisht… Kur terri integralist shkoi në theqafje, të parët nuk u shëruan kurrë plotësisht nga hamendja; herë çon krye te ta shkaba dykrenshe (kur fryejnë erna Perendimi), herë nostalgjia për Babën (kur duhmat e Lindjes vijnë deri te ta). Të dytët dhe të tretët, tashmë kishin harruar të zgjoheshin.” (Visar K. B.)
Kim Mehmeti , çdo fjalë e ke me thimthin e grejzës ; asgjë tek ty nuk është e rastit .
” Ai thotë se në Maqedoni islami i ka ruajtur shqiptarët nga asimilimi. Unë e pyes ata kauboj: cili nga të burgosurit, nga të vrarit dhe nga dëbuarit nga Maqedonia u sakrifikua sepse ia mbyllën xhamisë? Sa hoxhallarë nga 1935 – dmth që nga ballistët e deri sot – e deri 2013 u burgosën sepse janë besimtarë radikal? Po kojshi i dashur a ke harruar se kafeneja e babait tim Zeqirit kishte “Pazar” më shumë në ramazan, ditën, (me perde) se sa natën? Po i dashur kojshi po a i ke harruar ata pak pleq që shkonin rregullisht në xhamitë e Dobërdollit që ma rrëfenin mua historinë ë e popullit shqiptarë dhe historinë e luftës së dytë botërore (jo në shkollë se atje mësonim sekretarët e SKOJ-it) ashtu siç thonin ata se ka qenë. A ke harruar se ne luanim k… duke ua vjedhur këpucët atyre pak njerëzve që shkon në xhami ose u dilnim natën nga varret të mbështjellë me çarçafë të kuq për t’i tmerruar? Po a i ke harruar ata imamë që kishin dashnore maqedonase dhe na thonin mos më dëgjoni kur flas në taravi? Unë nuk shpi f aspak i dashur kojshi kur them se hoxhallarët kanë punuar me udbën, se jo e dinim të gjithë, por ku jam dënuar unë për Kundërrevolucion me 6 vjet burg jam përballur me dëshmi të tilla?( Xhemal Leka).
Por Kimi vazhdon se e ka për detyrë ” “Krimi monstruoz në Paris tregon se jetojmë në kohë kur shërbëtorët e djallit, vrasin në emër të Zotit! Por, ky krim trishtues gjithashtu pasqyron edhe të vërtetën se bota Perëndimore, ku perëndi i vetëm është paraja, përballet me atë që në mas të madhe e prodhoi vetë ajo: të mbetur pa armikun ideologjik që e ‘stimulonte’ kapitalizmin të ecë përpara – komunizmin, disa qarqe Perëndimorë bënë çmos që të ‘shpikin’ armik të ri, madje edhe duke angazhuar ‘ekspertë’ që duhej fenë e paqes- Islamin, rrejshëm ta tregonin si fe që stimulon dhunën! Dhe ja, tani bota është futur në spiralen e dhunës, që prodhon tragjedi. Dalja do jetë më e vështirë seç e besonin ata që të mirën e vetvetes e ndërtonin mbi urrejtjen dhe fatkeqësinë e të tjerëve. Andaj ne shqiptarët, si popull shumëfetarë, sot duhet të jemi më të afërt me njëri tjetrin se kur do qoftë më parë. Pra, ne duhet ta dimë se sot, si kurrë më parë, qarqet antishqiptare, do investojnë që të dëmtojnë më të shenjtën që kemi – trungun shumëfetarë të shqiptarisë! Andaj duhet ta mbrojmë këtë trung kombëtarë, me çka edhe do u dëshmojmë të gjithëve atë që shumëkush e ka harruar: se nuk janë fetë ato që stimulojnë dhunën, por është destruktiviteti njerëzorë ai që i keqpërdorë fetë për ta arsyetuar dhunën!” ( Kim Mehmeti)
Po fjala është për terrorizem islamik dhe pergjegjës jeni edhe ju vet. Shpesh ne tekstet tua ti perkrah islamin ekstrem dhe glorifikoni pushtuesit otoman. Një fe e cila na u imponua me dhunë e gjenocid, ju e spjegoni si pranim te natyrshëm, madje kaloni edhe në absurd duke thënë se na ka sjellë të mira….. Edhe unë e ndaj mëndimin që “Kim Mehemti është njeriu i fundit i cili mund të flet në emër te Shqiptarëve apo si Shqiptar. Vonë të ka rënë në mend se nga te deklaruarit si Shqiptar ka perfitime. Perfitime per te falsifikuar historinë dhe trungun tonë. Nga një poull i vjetër, ndër më të vjetrit në Evropë, mundoheni te paraqitni nje komb multi-kulti, mbeturina te pushtuesve të ndryshëm të cilët kaluan nëpër Ballkan në kohë të ndryshme gjatë historisë.(nga Sali Rexhaj)
Fol Kim Mehmeti e thuaj hoxhë Bajramit se ‘ orrli “ nuk është haram !
Fahri Xharra,07.02.15
Gjakovë
Natyra barbare e dënimit te paramenduar
*Unë nuk besoj që arrestimi i Gjikës është kryer me urdhër të Kryeministrit Rama, siç po lexoj në shumë komente në rrjetet sociale, por sjellja e kryeministrit dhe veçanërisht fjalori I tij, pasioni me të cilin shqipton burgun, kanë kontribuar./
* Muajt e fundit ka patur shumë arrestime, nga ato më të bujshmet si në rastin e laboratorit të kokainës, deri tek arrestimet masivo-qesharake të energjisë elektrike. E përbashkëta e të gjithave është krekosja e policisë për arritjet dhe përdorimi i gjykatave, në rastet kur i lënë të lirë të pandehurit, si alibi për dështimet, për mospërmbushjen e lumit të premtimeve, për keqqeverisjen. /
Opinion nga Edmond Banushi/
Sapo mora lajmin për arrestimin e kryetarit të bashkisë Vlorë, qytetit tim, u trishtova. Nuk ka vend për gëzim kur njeriu privohet nga liria, gjëja më e shtrenjtë pas jetës. Ndjeva të njëtën gjë dhe kur u arrestua Fullani. Pavarësisht se do të mjaftonin fotot për jetën e shfrenuar që bënin fëmijët e tij që të jepte dorëheqjen, arrestimi nga ana e prokurorisë m`u duk pa vend. I vetmi efekt (shumë pozitiv) qe largimi i tij, por kjo është detyre e atyre që e vunë, jo e organit të akuzës. Unë nuk besoj që arrestimi i Gjikës është kryer me urdhër të Ramës, siç po lexoj në shumë komente në rrjetet sociale, por sjellja e kryeministrit dhe veçanërisht fjalori i tij, pasioni me të cilin shqipton burgun, kanë kontribuar.
Muajt e fundit ka patur shumë arrestime, nga ato më të bujshmet si në rastin e laboratorit të kokainës, deri tek arrestimet masivo-qesharake të energjisë elektrike. E përbashkëta e të gjithave është krekosja e policisë për arritjet dhe përdorimi i gjykatave, në rastet kur i lënë të lirë të pandehurit, si alibi për dështimet, për mospërmbushjen e lumit të premtimeve, për keqqeverisjen.
Përveç Ramës edhe përfaqësues me peshë të qeverisë, përkatësisht ministri i drejtësisë dhe ministri i brendshëm vazhdimisht sulmojnë me tone të ashpra gjyqësorin. Të bën përshtypje fakti se të dy kanë patur eksperienca me vendimet e gjykatës. I pari sepse është në atë post si pasojë e vendimit të pafajësisë që mori Ilir Meta, pasi iu bë një gjykim special me një shkallë gjykimi. Dhe nëse ka vendim që ka cënuar besimin tek drejtësia është pikërisht ai. Jo dhe aq për shkak se pamjet filmike nuk ishin te qarta vetëm për ekspertët e thirrur nga gjykata, sesa për faktin që Tahiri dhe kolegët e tij, në atë kohë opozitare, e cilësuan si kulmin e padrejtësisë madje ngritën përkrahësit e tyre në revolta që kulmuan me ngjarjet tragjike të 21 Janarit. Nuk ka kuptim të flasë për ligje të gabuara kur LSI ka votuar çdo ligj që prej 2008. Ai ka qënë prokurori i 14 Shtatorit dhe e di mirë që presioni i politikës e shtynte që mitingun e paligjshëm ta quante grusht shteti.
Ndërsa ministrit Tahiri iu arrestua babai dhe gjithsesi gabim njerëzor, apo politik (siç e quajti vet ai), e ka provuar dhe ai drejtësinë që funksionoi, dhe vetëm për këtë shkak duhet të jetë më i matur kur flet.
Kjo klimë ka sjellë ndoshta edhe ndryshimin e standartit në prokurorinë e Vlorës, që për të akuzuarit për shpërdorim detyre kërkon mbajtjen e tyre në burg. Në rastin e Gjikës ai u përball njëherë me të njëjtën akuzë, pa iu shmangur as edhe një ditë proçesit, madje duke dalë i pafajshëm.
Përkundrejt rritjes së varfërisë dhe kriminalitetit, përballimit të përmbytjeve dhe çdo fatkeqësie tjetër natyrore, përgjigja nuk mund të jetë kurrësesi përdorimi pa kriter ose abuzimi me kriteret e paqarta të masës së sigurimit “arrest me burg”.
Për të dyshuarit ndoshta ka elemente që të bëjnë të mendosh një dënim të mundshëm nga ana e gjyqtarit, që do të drejtojë proçesin dhe do të japë vendimin “në emër të Republikës”, por të dyshuarve u duhen krijuar kushtet që të mbrohen. Drejtësia e shëndoshë, mbështetur nga ligje të mira, ka për detyrë t’ua krijojë ato. Organi i akuzës nuk ka nevojë për përparësi të tilla. I ka të gjitha mundësitë të kërkojë dhe gjejë (nëse ekzistojnë) faje të tjera ose bashkëpunëtorë të tjerë. Ndaj mendoj se një subjekt i dyshuar, i pafajshëm kushtetueshmërisht deri në vendimin përfundimtar (nëse pretendojmë që jetojmë në një shtet të së drejtës), duhet lënë i lirë, kur nuk ka mundësi të përsërisë krimin për të cilin akuzohet. Nga shpeshtësia e dhënies së mases “burg pa afat” ose dhe “arrest në shtëpi”, të krijohet përshtypja se ato jepen si antipastë e dënimit të ardhshëm, pra një burg i paramenduar. Shtoji këtu arrestimet me policë të maskuar, në mes të rrugës, armët në duar, filmimet etj. burgu i paramenduar kthehet në një torturë të vërtetë dhe në vendet demokratike ajo është e ndaluar.
Ndoshta kjo torturë është e domosdoshme për t’u aplikuar tek njerëz me rrezikshmëri të lartë shoqërore, por duhet të jetë përjashtimi, jo rregulli.
Rastësisht për persona publike fillimi i kësaj torture është ditë e premte dhe në këtë mënyrë i jepet koha e mjaftueshme mediave të perbaltin e linçojnë, të japin dënimin e “merituar”, duke rritur artificialisht presionin ndaj gjyqtarit që do të vendosë masën e sigurisë. Zbatimi i dënimit të paramenduar te personat e mësipërm, përveç rënies psiko-fizike, do shkatërrojë përfundimisht dhe bizneset e tyre, duke flakur në rrugë dhjetëra të punësuar. Do të ishte shumë më mirë që ata të liheshin të lirë, pranë familjeve të tyre, të bisedojnë me kë të duan. Është e drejtë e secilit që të përballet me proçesin në ngarkim me dinjitet, nga pozicioni i njeriut të lirë. Unë nuk jam specialist i fushës, por kaq gjë e di ama, që njeriut i privohet liria, kur merr dënimin përfundimtar. Pikërisht kur Dënohet! Shpesh dita e dënimit të dikujt përputhet me ditën e lirimit të tij. Kjo tregon për abuzimin me Dënimin e paramenduar dhe afatet e tejzgjatura të tij.
Delikatesa me të cilën duhet të trajtohet gjëja më e çmuar e njeriut, Liria, theksohet dhe nga fakti që Proçesi Penal është i dështuar që në nisje, qoftë edhe kur në fund jepet një vendim i drejtë. Ai nuk e realizon dot misionin e tij hyjnor, ripërqafimin e individit të dënuar nga ana e shoqërise, sepse pjesa më e madhe e tyre ridënohet.
Edmond Banushi
DY FJALË PËR VEPRËN “BRIGJEVE TË DRINIT, MORAÇËS E LIMIT”
Sot po merr udhë për botim kjo vepër kolanë: “Brigjeve të Drinit, Moraçës e Limit”, e cila përfshin shkrime të ndryshme të mijat për treva etnike shqiptare në disa shtete ballkanike që rrjedhat e tyre ujore derdhen në këta tre lumenj degëshumtë, të mëdhenj e të gjatë.
Ky botim, në çdo vëllim, në vazhdimësi, ndahet në katër ble (kapituj). I pari: “Brigjeve të Drinit”. I dyti: “Brigjeve të Moraçes”. I treti: “Brigjeve të Limit”. I katërti: “Dosje”. Bleu i fundit nuk mund të zenë vend ma shumë se një të katërten e çdo libri apo të krejt kësaj vepre disa vëllimshe. Çdo botim do ketë deri në mbi dyqind faqe dhe, në brendi të secilit, dhe nga një bllok tetëfletësh dyanësh me ngjyra. Vepra pajiset me aparatin e vet shkencor – treguesi i emrave të njerëzve e ai gjeografik e tematik, burimet bibliografike, etj.
Shkrimet e këtij botimi serial, si gazetari, publicistikë e letërsi, janë përzgjedhur nga rreth tridhjetë mijë faqe të shkruara prej meje e të botuara në media shqiptare e të huaja, në librat e mij e të tjerëve, etj. Pjesa ma e madhe e tyne, publikohen për herë të parë apo ato ma të hershmet do të jenë të ripunuara e të plotësuara me trajtesa e fakte të reja. Shumë sish, nga këto shkrime, janë shkruar enkas për kit’ vargni botimi udhënisun.
Ky botim, për arsye fondesh të pamjaftueshme, fillanis me një tirazh të ulët (rreth 300 kopje), ndaj shpërndarja gjeografike e tij dhe blerja e tij nga ente të interesuara e lexues në vise etnike shqiptare në Ballkan e në diasporat shqiptare në botë si dhe me porosi paraprake (abonim para botimit të vëllimit të dytë, të tretë…) do të krijojnë mundësira e hapësira për botimin e vëllimeve të tjerë në një kohë më të shpejtë, të afërt, e me një tirazh më të lartë e me tipografi më cilësore, etj.
Së fundit, për secilin lexues të këtij botimi disavëllimsh kisha një kërkesë: në se gjen kohë e mundësi reale të ketë mirësinë për të përcjellë mendime, vrejtje, sugjerime për kit’ vëllim të parë e të tjerët në vargavijë.
Në përmbyllje po them diçka për miradije: ky botim serial mund të kishte dhe titullin “Brigjeve të Drinit e të Vjosës…” apo ndryshe, po jam ndalë me shkrue për disa pjesë etnike të kombit shqiptar përgjatë rrjedhave të Drinit, Moraçës e Limit pasi në historitë e jetët e tyre të derisotme në Malin e Zi, Maqedoni, Sanxhak (Serbi), etj. po vazhdon rreziku i asimilimit, shpërnguljeve, tjetërsimit etno-historik të tyre edhe në kit’ shek. XXI, në kit’ Rend të Ri Botëror, pasi Koha me faktorët e saj po punon e fryton për Shqipërinë në kufijtë e vet etnik të mundshëm, për Shqiptarinë në lartësime të reja epokale.
Laiciteti i shtetit shqiptar nuk duhet diskutuar…as ne rastin e emerimit te ambasadorit ne Vatikan
….Po qe se do të publikoja se çfarë di unë për qëndrimin e z. Zhiti ndaj Kishës Katolike, spiritualiteti i këtij krijuesi të talentuar, që ka përjetuar kalvarin jo më pak se disa besimtarë, do ta bënte të skuqej edhe ndonjë Kardinal./
Shkruan: Dr Gëzim Alpion-Angli/
Sipas mediave, Kisha Katolike shqiptare ka dalur kundër propozimit për të emëruar z. Visar Zhiti ambasador në Vatikan.
Një institucion fetar ‘ka të drejtë’ të identifikoj se dikush i përket këtij apo atij besimi po aq sa mjekut ‘i lejohet’ të publikoj informacion për pacientët e tij.
Përkatësia fetare nuk është si ajo etnike, nacionale apo politike. Nëse i përkasim një besimi fetar apo jo, është një çështje tërësisht personale dhe intime. Për këtë ka të dhëna vetëm ‘vetëdija’, të cilën nuk mund ta ‘lexoj’ askush, përfshirë priftërinjtë dhe hoxhallarët.
Arsyja se përse po komentoj për këtë çështje nuk ka të bëj me faktin se propozimin në fjalë e bëri kryeministri aktual i Shqipërisë. Unë nuk kam gjetur gjuhë të përbashkët me ‘pronarët’ e qeverive shqiptare. Megjithatë, ndryshe nga krerët intolerantë të politikës, disa nga të cilët akoma nuk kanë mësuar të respektojnë intelektualët e pavarur, meqë nuk sillen si ‘dele të edukuara’, kam integritetin t’i ‘përkrah’ këta ‘vizionarë me henë’ duke përmbushur në këtë mënyrë detyrimin tim moral dhe qytetar ndaj së vërtetës.
Po kështu, nuk po komentoj për këtë çështje meqë z. Zhiti e kam mik. Po qe se do të publikoja se çfarë di unë për qëndrimin e z. Zhiti ndaj Kishës Katolike, spiritualiteti i këtij krijuesi të talentuar, që ka përjetuar kalvarin jo më pak se disa besimtarë, do ta bënte të skuqej edhe ndonjë Kardinal.
Si insitucionet fetare, edhe unë nuk kam të drejtë të komentoj për spiritualitetin e z. Zhiti. Por kjo nuk do të thotë se nuk mund të flas se ku qëndroj unë përsa i përket çështjes së besimit.
Unë nuk i përkas asnjë besimi fetar – dhe nuk kam ndërmend të konvertoj ndonjëhere – por kjo nuk do të thotë se jam ateist. Për mendimin tim, perceptimi se ku qëndrojmë ne si specie në ‘strategjinë’ kozmike është përtej kapacitetit njerëzor. Kjo nuk do të thotë se ne nuk duhet të jemi gjithmonë në kërkim të hyjnores apo të pengojmë njëri tjerin kur tentojmë të shkelim në ‘zona të ndaluara’.
Gjatë 15 viteve të fundit, që vazhdoj të jem i angazhuar me studimin e figurës së Nënë Terezës jo si fetar por nga këndvështrimi i shpirtit dhe arsyjes, jam befasuar dhe trishtuar disa herë nga zëra që kanë kundërshtuar përkushtimin tim pikërisht se unë nuk i ‘përkas’ fesë katolike. Këta zëra po protestojnë edhe tani se përse një intelektual jo katolik si unë po lobon për shenjtërimin e Nënë Terezës, ndërkohë që ata që e quajnë këtë murgeshë të ‘tyren’ nuk po pipëtijnë për këtë çështje. I vetmi autoritet i lartë në Kishën Katolike në Shqipëri që është shprehur publikisht në favour të peticionit nuk ka shtetësi shqiptare. Mos vallë duhet të themi se nuk duhet të ketë vend në Kishën Katolike shqiptare për priftërinj jo shqiptar? Apo duhet të kritikojmë Nënë Terezën se ajo ju përkushtua njerëzve të varfër fillimisht në Indi dhe më vonë në mbarë botën por ‘u ktheu shpinën’ shiptarëve, veçanërisht katolikëve ‘të saj’ të vobektë?
Në monografinë e re për Nënë Terezën, që do të botohet në fund të këtij viti, do të publikoj për herë të parë informacion për disa aspekte të jetës së kësaj murgeshe. Ky informacion do të kishte humbur përgjithmonë si rezultat i akrobacive të dënueshme të biografëve dhe hagiografëve katolikë të Nënë Terezës në Ballkan të cilët, duke ndjekur avazin e politikanëve amatorë, kanë folklorizuar deri në vulgarizim dhe ofendim për intelektin një figurë të tillë fetare shumë dimensionale. Shpreh bindjen se për Nënë Terezën duhen bërë akoma studime akademike të mirëfillta jo për ta ngritur atë në piedestal por për të kuptuar se çdo të thotë të kesh besim dhe të tundohesh nga mosbesimi por kurrë të mos dyshosh në natyrën e shenjtë të dinjitetit njerëzor.
Në qoftë se besojmë se jemi komb që karakterizohemi nga toleranca fetare, emërimi i ‘muslimanit’ Zhiti, tregon se ky virtyt, për të cilin krenohemi vend e pa vend, vërtet është diçka e veçantë për ne. Nuk është e mjaftueshme vetëm të ‘predikosh’ tolerancë fetare. Kush beson tek Zoti, duhet ta dijë se kjo ‘krijesë’ hyjnore nuk ka përkatësi fetare.
Shteti shqiptar ka kusuret e veta, por laiciteti i tij nuk duhet komprometuar kurrë, aq më tepër në kohën tonë kur fryma e murtajës së radikalizmit fetar, që po gangrenizon një pjesë të botës, fatkeqësisht ka metastazat e saj edhe në Ballkan.