*Zonja Elsa Ballauri e Shoqërisë civile ka konflikt interesi për të qenë përfaqësuese për hapjen e dosjeve sepse i ati i saj, Robert Ballauri, na ka dalë dëshmitar akuze (dëshmitar rëndues) në gjyqin tonë dhe ajo e di mirë këtë./
* Lustracioni?…ka raste që të indinjojnë, të revoltojnë. Dikur si deputete, sot si drejtuëse e një emisioni televiziv na del përpara, si për karshillëk, fytyra e Diana Çulit! Ç’farë mendojnë kur e shohin e bija e Vilsonit e djali i Gencit? Sa të lënduar, sa të fyer ndjehen ata?/
….Hapja e dosjeve, a do te ndodhe apo serish do te shohim show. Ish i perndjekuri politik Niko Kirka mendon se dy projekt ligjet bëjnë sikur i hyjnë problemit, por nuk zgjidhin asgjë. Hapja e plotë e të gjithë dokumentave të asaj strukture kriminale dhe publikimi i tyre pa asnjë kufizim është e vetmja mënyrë për të mbyllur këtë plagë të thellë të shoqërisë sonë. Kirka mendon se dekomunistizimi i shoqerise shqiptare eshte nje proces i zvarritur qellimisht.
Ai sjell si paralele veprimin e gjermaneve pas Luftes se Dyte Boterore: Denazifikimi u bë me prerje kirurgjikale, sepse Gjermania u pushtua me luftë. U dënua jo vetëm krimi nazist, por edhe kriminelët nazistë. Ndërsa komunizmi u vetshkërmoq, u kthyen xhaketat dhe sigurisht ata që bënë këtë gjë nuk mund të vetdënoheshin. Pra dekomunistizimi u bë dhe po bëhet me vetpastrim, gjë që kërkon kohë të gjatë dhe u jep mundësi xhaketakthyësve të ripërtëriten. Ndiqeni te plote intervisten dhene editorit te Diellit.
Dielli: Mendimi juaj për hapjen e dosjeve?
-Niko Kirka: Në Shqipëri kur flitet për dosjet nënkuptohet gjithmonë dokumentimi i aktivitetit të spiunëve të sigurimit. Kurse ato janë një pjesë e krimit që kreu regjimi komunist ndaj popullit shqiptar. Sipas mësimeve të çekistëve sovjetikë e udbashëve jugosllavë edhe në vëndin tonë u ngrit dhe veproi një sistem i tërë strukturash që me dhunë e terror do të mbante të nënshtruar nje popull të tërë. Pra, për të filluar, në bazë të dokumentave që egzistojnë, duhet bërë publike se si dhe kush filloi ngritjen e strukturave te atij sistemi që nga qendra e deri në degët poshtë. Kush kanë qënë individët dhe ç’kanë bërë, në renditje kronollogjike që nga fillimi. Të publikohet se ku dhe si merrej informacioni në bazë, duke filluar me organizatat bazë të partisë që kishin kontigjentin potent, mbështetur në faktin që një nga dhjetë cilësitë e komunistit ishte “vigjilenca revolucionare”. Të vazhdohet me informatorët gjysmë të punësuar që futeshin në ambiente ku kish grumbuj njerëzish si në kafenera, rradhë, autobuzë për të përgjuar se çfarë thuhej. E në fund me bashkëpunëtorët ose spiunët që ishin detyruar të spiunonin individë të ndryshëm si rrjedhim i një presioni kërcënuës të egër, në ndonjë rast edhe barbar, por gjithmonë me karakter të dobët. Pra, në se vërtet duam ta pastrojmë duke e dekomunistifikuar shoqërinë shqiptare, duhet bërë e njohur publikisht veprimtaria gadi gjysmë shekullore e atij sistemi kriminal.
Dielli: Mendimi juaj se si ndërthuret dekomunistizimi me dosjet e sigurimit?
N. Kirka: Denazifikimi u bë me prerje kirurgjikale, sepse Gjermania u pushtua me luftë. U dënua jo vetëm krimi nazist, por edhe kriminelët nazistë. Ndërsa komunizmi u vetshkërmoq, u kthyen xhaketat dhe sigurisht ata që bënë këtë gjë nuk mund të vetdënoheshin. Pra dekomunistizimi u bë dhe po bëhet me vetpastrim, gjë që kërkon kohë të gjatë dhe u jep mundësi xhaketakthyësve të ripërtëriten. Kështu që edhe tek ne janë paraqitur projekt-ligje në të kaluarën edhe sot që, jo vetëm nuk dënojnë kriminelët më të egër të të gjithë ish vëndeve komuniste, por duke e ngritur vetëm fare pak “petën e lakrorit”, synojnë që vetpastrimin ta shtyjnë sa më gjatë në kohë.
Dielli: A mendoni se hapja e dosjeve do të ketë pasoja të rënda sociale si hakmarrje, prishje familjesh, etj.?
N. Kirka: Këtë zhurmë e kanë bërë ata që nuk duan hapjen e dosjeve jo vetëm për të fshehur ndonjë prapësi të tyren, por edhe për të bërë presion tek të tjerët. Shtresa e nacionalizmit nuk ka menduar kurrë për vetgjyqësi, sepse mbi mllefin e urrejtjen në shpirtin e tyre qëndronte dashuria për vëndin. Ata prisnin e presin ende qe drejtësinë ta bëjë shteti shqiptar me ligjet e tij. Ato familje, ku pjestarët kanë spiunuar njëri-tjetrin, janë më se të prishura, janë të kalbura. Nuk pashë në asnjë rast që individëve që mbanin në duar portete të diktatorit në mitingje t’u dilnin përballë pasardhës të komandantëve e komisarëve që ai i pushkatoi në masë, t’ua hiqnin nga duart për t’i shkelur me këmbë.
Dielli: Eshtë folur shumë për ndërhyrje tek dosjet nga qeveritë që kanë pasuar njëra-tjetrën gjatë këtyre 24 viteve. Mendimi juaj?
N. Kirka: Duke nënkuptuar gjithmonë me fjalën dosjet spiunët e sigurimit, Blendi Fevziu në një panel të tij tha se sipas të dhënave, për gjatë gjithë periudhës kanë qënë rreth 120.000. Nga vitet 94-95 një miku im, figurë e lartë në qeverinë e kohës, më ka thënë se dosjet u rregjistruan në kompjuter dhe dolën rreth 60.000 spiunë. Sot po flitet se do të hapen 4.000 dosje. Të shohim? Unë jam tepër skeptik. Më duket se do veprohet më tepër për të kaluar rradhën, se jemi i vetmi vënd kandidat për anëtarësim në Europë që s’e ka bërë. Të tjerë, gjoja specialistë, thonë se sado të zhduken, lenë gjurmë se dosjet ndërlidhen njëra me tjetrën. Mund të zhdukësh kartelën e X-it, por emit i tij del tek dosja e atij që ka spiunuar. Vetëm për një gjë jam i sigurtë që hapje publike të të gjithë dokumentave që do të tregonin gjërësinë e thellësinë e krimit të atij sistemi të llahtarshëm nuk do te ketë.
Dielli: Të përndjekurit politikë kanë kërkuar të jenë palë në këtë proçes, mendimi juaj?
N. Kirka: Eshtë domosdoshmëri që përfaqësuesit e tyre, pra të viktimave të atij krimi, të jetë shumica në komisionin që do të kryejë atë proces. Nga anët tona ka një thënie që nuk mund të bëhet dasmë pa dhëndrin e nusen.
Dielli: Ka zëra që thonë se midis spiunëve të sigurimit ka shumë nga shtresa e të përndjekurve. Sipas jush cila është e vërteta?
N. Kirka- Kjo është thënë me synimin djallëzor për të mos i hapur dosjet, se gjoja të gjithë jemi të përlyer!
E vërteta është krejt ndryshe. Ta analizojmë. Edhe midis vetë të burgosurve ka pasur spiunë, numuri i të cilëve ndryshoi sipas kohës. Në fillim ishin sa gishtat e dorës, sepse të burgosurit kishin një ideal e bindje politike. Më vonë u shtuan, sepse të burgosurit vinin nga shtresa të ndryshme, për interesa të ndryshme, pa bindje. Kurse jashtë burgut gjëndja ishte kjo. Pjesa dërrmuëse e popullsisë jetonte në fshat. Pjestarët e familjeve të përndjekura ose ishin internuar në qendra të caktuara, ose pjestarë të tyre kishin ikur në qytete ose qendra pune për të humbur në anonimat. Në fshat armiku i përndjekur ishin kulakët, të cilët ishin të izoluar, asnjë nuk hynte e dilte tek ata, askush nuk u fliste.Bile edhe njëri me tjetrin nuk afroheshin. Atëhere të rekrutuarit e sigurimit kë do përgjonin e spiunonin? Vetëm muret e shtëpisë!! Kështu që në fshatin e asaj kohe spiunët nga rradhët e të përndjekurve nuk vlenin. Kurse ata me biografi të mirë po. Marrim korpusin e madh të oficerëvë, për rrezikun që mund t’i vinte diktaturës nga ushtarakët për vetë specifikën e tyre. Cili oficer do të shoqërohej e miqësohej me ndonjë armik të përndjekur që ky i fundit ta spiunonte?! Marrim administratën, nëpunësit e së cilës nuk shoqëroheshin e të zinin miqësi me ndonjë me biografi te keqe, se rrezikonte vëndin e punës. Vetëm në arsim pati ca të rinj nga familjet e përndjekura, të cilët punuan në fshatrat e largëta ku nuk vinin ata me biografi të mirë. Kjo vazhdoi deri nga viti 1970 kur i pushuan të gjithë, duke i zëvëndësuar me mësues vëndas nga nxënësit që ata vetë kishin pregatitur. Edhe ne që punonim puntorë ata me biografi të mirë nuk na afroheshin, bile shpesh herë na kujtonin që të mos harronim se kush ishim! Prandaj spiunët nga rradhët e të përndjekurve do të jenë në numur të kufizuar, sepse nuk i hynin në punë sigurimit. Para do kohe një shkrimtar i përmëndur vetdeklaroi se kish punuar për sigurimin. Tani dy shkrimtarë shumë të njohur po akuzojnë njëri tietrin si spiunë. Asnjëri nuk ka qënë i përndjekur, përkundrazi kane qënë komunistë!
Dielli Për hapjen e dosjeve janë paraqitur dy projekt-ligje një nga shoqëria civile nëpërmjet dy deputetëve dhe një nga qeveria. Mendimi juaj?
N. Kirka: Përsa i përket përfaqësueses të shoqërisë civile, zonjës Ballauri, ajo ka konflikt interesi, sepse i ati, Robert Ballauri, na ka dalë dëshmitar akuze (dëshmitar rëndues) në gjyqin tonë dhe ajo e di mirë këtë. Projekti i tyre parashikon që vetëm i interesuari mund të shohë dosjen e tij dhe po vdiq ai ajo mbyllet përgjithmonë. Projekti qeveritar e shtrin këtë të drejtë edhe tek trashëgimtarët e afërt, si biri ose nipi. Veçse të dy projektet më shumë i hermetizojnë dosjet se sa i hapin ato, sepse emri i spiunit fshihet nën inicialet, duke shumëfishuar hamëndjet, dyshimet, duke rënduar edhe më shumë shoqërinë shqiptare. Kufizime që më shumë mbrojnë spiunët, sikur duan t’iu rruajnë “namuzin”! Qarkullojnë edhe teza të tilla si “në se individë të nderuar, me pozitë shoqërore të mirë, nuk kemi të drejtë t’i lëndojmë duke treguar se babai i tyre ka spiunuar e futur në burg shokun ose mikun e tij. Mendimi im është se këta individë duhet ta dine se babai i tyre ka bërë një krim, një vrasje, sepse nuk dënohej vetëm viktima e tij, por e gjithë familja, ndoshta më gjërë, bile edhe tek ata që nuk kishin lindur ende! Gjithashtu ata duhet ta dinë se ata sot janë profesorë, doktorë,etj. si rrjedhim i krimit të babait të tyre, kur se bijtë e viktimës, ndoshta edhe më të talentuar se ata, kanë ngelur hekurkthyesa, marangozë, muratorë etj, e ndoshta atë fat e jetojnë sot edhe fëmijët e tyre. Eshtë njerëzore të mendosh se kërkimi i faljes prej viktimave të krimit të ktyer nga i ati, do t’i bënte të ndjeheshin më të lehtësuar edhe ata vetë. Këta dy projekt ligje bëjnë sikur i hyjnë problemit, por nuk zgjidhin asgjë. Hapja e plotë e të gjithë dokumentave të asaj strukture kriminale dhe publikimi i tyre pa asnjë kufizim është e vetmja mënyrë për të mbyllur këtë plagë të thellë të shoqërisë sonë.
Dielli: Pse po ndahet lustracioni nga dosjet në projektin qeveritar?
N. Kirka: Në fillim të viteve 90, kur në vëndet e ish regjimeve komuniste filluan të hapeshin dosjet sekrete dhe nuk synohej dënimi i autorëve të krimeve të kryera, për të zbutur revoltën e shtresave të gjëra të shoqërive përkatëse, u procedua që për një farë kohe,sipas vëndeve të ndryshme, të inkriminuarit të mos lejoheshin të merrni pjesë në jetën politike shoqërore. Sot pas gadi 25 vjetësh, kur vetëm Shqipëria ka ngelur pa e bërë këtë proces, me ligjet, rezolutat mbi të drejtat e individit, interpretimet, etj. është e pamundur të bëhet vërtet spastrimi i mëkatarëve. Ish hetuesa, të shndruar në juristë e avokatë i gjen kudo. Njëri grupim politik që ka më shumë nuk e bën për arsye votash, kurse grupimi tjetër ka më pak, por i ka si emblemat e veta. Të rinjtë që po drejtojnë sot këto grupime, sigurisht për interesa të pushtetit të tyre personal, po krijojnë ekipe me të rinj që s’kanë të bëjnë fare me lustracionin e me regjimin e kaluar. Pra synohet që lustraionin ta bëjë koha, por që vazhdon gjatë. Por ka raste që të indinjojnë, të revoltojnë. Dikur si deputete, sot si drejtuëse e një emisioni televiziv na del përpara, si për karshillëk, fytyra e Diana Çulit! Ç’farë mendojnë kur e shohin e bija e Vilsonit e djali i Gencit? Sa të lënduar, sa të fyer ndjehen ata? Ajo pamje ua hap atë plagë që nuk do mbyllet kurrë, sepse në duart e saja ata shohin gjakun e baballarëve të tyre! Edhe ajo është vrasëse e dy poetëvë, se me ekspertizën e saj ligjëroi trillimet e akuzat e sajuara të kriminelëve xhahilë të sigurimit! Mendoj e pres që zonjat fjalëshumë të shoqërisë civile që bëjnë zhurmë për të drejtat e homoseksualëve ose të njerëzve me ngjyrë, të ngrenë zërin në mbrotje të viktimave të diktaturës kriminale. Jeta private e Diana Çulit nuk na intereson, është e lirë të bëjë atë që do, por dalja e saj në ekrane vazhdimisht është fyese, është cfilitëse për fëmijët e poetëve dhe jo vetëm për ta. Për ta mbyllur çështjen lustracion po përdor frazën e fundit që gazetari i shquar Italian Enzo Biagi shkroi në Lubjankën e tij “…e për gjithë ato krime askush nuk u gjykua, askush nuk u pendua, askush nuk kërkoi të falur.”
(Intervistoi:Dalip Greca)
Vetësakrilegji deri në absurd i një atdhetari të shquar….
-Ndryshe Shtjefën Ivezaj, rilindasi shqiptar i kohës moderne/
NGA KADRI UJKAJ/*
Kujtdo që i ka takuar të vizitojë Muzeun etnografik në lagjen Lekaj , Tuz, Mali i Zi, është befasuar nga një punë jo e zakonshme e një njeriu të thjeshtë, rreth të 80-tave, Shtjefën Ivezajt . Falë këtij investimi , së paku, prej 12 vitesh drejtori i këtij muzeu, z. Shtjefën Ivezaj nderohet në një mënyrë krejt të veçantë nga vizitorë të ndryshëm dhe mbarë Malesia përballë shpërfilljes, së plotë, deri në absurd ndaj veprës së tij, nga qeverisja lokale dhe qendrore në Mal të Zi, mjerisht edhe aty ku “qeverisin”shqiptarët.
Qytetërimet, që në gjenezën e tyre, kanë nderuar investimet cilësiore, në dobi të emancipimit të vet, kurse nderimi në fjalë, vjen disi ndryshe, sui-generis, jo thjesht, për ato që përmban, por, shumë më tepër se kaq, për motivin që e ka sjellur në jetë një vepër të tillë, si i pari i këtij lloji në tërë hapësirën natyrore të Malësisë së Madhe”Nderi i kombit”.E, pra, aspak, thjesht për atë që na ofron si vlerë dhe pasuri me ineteres kombëtar, ajo thelbësorja, ardhja e tij në jetë, në kontekstin e një vetësakrilegji deri në absurd, falë shpirtit të madh prej atdhetari, ndryshe sjelljes prej patrioti iluminist në postiluminizëm , të arkitektit dhe menaxherit të kësaj pasurie sa lokale, po aq kombëtare, Shtjefën Ivezajt, sot kemi këtë arritje brilante, Muzeun etnografik në trevën tonë,në Malësi të Madhe.
Kaq ,natyrisht, do të ishte e pamjaftueshme për të deshifruar vlerat dhe motivin e një përkushtimi të tillë, precedent në Shqipëri dhe shumë më gjërë nga z.Ivezaj, pa një shpalosje dhe njohje, larg frymës së provincializmit banal apo sentimentalizmit të sëmurë , të jetës së tij. Si mbaron shkollën fillore dhe atë 7- vjeçare në lagjen e tij , Lekaj , të Tuzit, Shtjefni i ri vazhdon shkollën profesionale 3- vjeçare, për tornitor, në kryeqytetin malazez, Podgoricë. Nga viti 1954 ushtron profesionin e bukur të fotografit, si amator, duke arritur të anëtarësohet në klubin e fotografëve dhe kinoamatorëve të Malit të Zi. Spiralaja e suksesit tek ky djalosh nuk do të mjaftohej me kaq.
Si përfundon suksesshëm provimin para komisionit të ngritur nga Komuna e Podgoricës, arrin të marre licensën për hapjen e dyqanit, si fotograf, në Tuz afro 49 vite më parë.
Në vitin 1969 kalon suksesshëm provimin diferencial për fotograf, me rezultatin shkëlqyeshëm , në Podgoricë. Falë pasionit dhe përkushtimit profesional ndaj fiksimit në celuloid, artit të mrekullueshëm të fotografisë, fotgrafi i parë malësor në M.Madhe,në Mal të Zi, në vitin 1970 përgatit kartolinën e parë, brendësinë e së cilës do ta përbënin: Portreti i Flamurit tonë Kombëtar, portreti i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, si dhe portreti i “Heroit të Popullit”Ded’ Gjo’Luli.
Këto kartolina u shpërndanë në tërë botën shqiptare, çka nga UDB-ja jugosllave u përjetua si një kërcënim serioz i “Vëllazërim-Bashkimit”, kësaj farse politike kobzezë, të mirënjohur nga shqiptarët, duke sjellë paraburgimin e Ivezajt, gjithë vullnet dhe ëndrra të shëndetshme për të iluminuar dhe trashëguar vlerat tona kombëtare, pa i hyrë në hak askujt në pjesën e tij të diellit…
Fati sjell që kjo situatë paraburgimi të ketë një fund të shpejtë, falë faktit që asokohe në Beograd ishte botuar , në gjuhën shqipe, libri i Nolit, kushtuar Skënderbeut. Reagimi intelegjent dhe fatlum i Ivezajt në qelitë e UDB-së ”Unë nuk e kam ditur që Skënderbeu është i ndaluar në gjuhën shqipe”, bëri që i ndaluari të lirohet nga paraburgosja, pasi ‘‘sqarohet” se Dedë Gjo’Luli është i ndaluar, por kartolina e tij, që sot ruhet në Muzeun Etnografik, pranë “Marubëve”, do të “sistemohej” në fondin e librave të zinj të UDB-së, shërbimit të fshehtë jugosllav.
”Në këtë kontekst dhimbjeje, survejimi dhe persekutimi, i detyruar të mbijetoj, shpeshherë më ka qëlluar të nxjerrë jashtë ekzistencës tituj librash shumë të rëndësishëm, në emër të mbijetesës sa ekonomike, sa fizike”, – mësojmë nga Ivezaj. Nga sa përcollëm më lart nuk është e vështrë të lexohet se rruga e këtij investimi shembullor prej atdhetari dhe intelektuali do të ishte një rrugë tejet e mundimshme: Përndjekje, përbuzje, diferencim diskriminues në të gjithna format nga politika zyrtare, antishqiptare, ndryshe sulme që do ta ndjeknin kudo, aq keqas sa do ta detyronin të shesë, me gjithë tokën, dyqanin e tij dhe ç’kish për të mbijetuar si familje dhe ruajtur, si të shenjta, vlerat muzeale kombëtare, të mbledhura me aq mundim, në një mjedis ku identiteti ynë kombëtar rrezikohej rëndëshëm. Dhe ,padyshim, në rrugëtimin e çdo arritjeje, do të thonin psikologët, patjetër që duhet lexuar edhe ajo , e padukshmja, influenca e instinkteve të fjetura:
Kështu nëna e tij, Drane Turmalaj nga Vrithi, Shkrel-Malësi eMadhe, do të shquhej si koleksioniste e sapunit, e pullave të xhaketave dhe të këmishave, veprimtari që trashëgohet edhe nga djali dhe vajza e Ivezajt, Martini dhe Drita, të dy banues aktualisht në SHBA, koleksione që sot ruhen pranë muzeut. Ndryshimet Demokratike , si tek cilido mes nesh sollën shpresën e një të ardhmeje plot zgjidhje në kontekstin demokratik sa lokal, sa kombëtar, të shqetësimeve prej atdhetari dhe intelektuali të Ivezajt, njëherazi anëtar i Lidhjen Demokratike në Malësi, me kryetar z.Nikollë Camaj, që në 1989-ën. . Forumi i Intelektualëve në Ulqin, me kryetar Bahri Briskun, me kërkesën e e Forumit intelektual shqiptar,Tiranë, në vitin 2011, mbi bazën e propozimit të Klubit të Shkrimtarëve në Ulqin,me kryetar z.Nail Draga , e nderon me titullin”Ambasador i paqës i Koresë së Jugut”, verifikuar nga ana e koreanëve jugorë. Në muajin maj të 2002-it , kur bindet se, jo vetëm qeverisja qëndrore në Podgoricë, por as partitë politike shqiptare nuk po e ngrinin zërin, përjashtuar ndonjë sponsorizim modest, me efekt elektoral, pra jo me gjoks, as mes vedi, në mbështetje të një vlerë të tillë kombëtare si Muzeu etnografik,”shembulli i shkëlqyer i një rilindasi në kohën tonë”, i inicuar që në moshën 12 vjeçare, me koleksionimin e pullave postale, Ivezaj vendos të sakrifikojë banesën e tij, shtëpinë.
Gjithç’kishte, mobilje, orendi i largoi duke i zëvendësuar me mobilje në funksion të muzeut. 4 dhomat , korridori dhe ballkoni impromvizohen enkas për sistemimin e materialit muzeal.Nga fosili i kërmillit të gurëzuar, kosat ilire, shpatat, gurët e gjakut, veshjet e ndryshme për burra e gra, etj.etj përbëjnë atë pasuri që, normalisht, do të kërkonte një sipërfaqe prej 10.000 metra katrorë, ‘’normalizohen’’ nga ana Ivezaj në shtëpinë e tij; Sakrilegj deri në absurd i një atdhetari të vërtetë.
E vetmja mbështetje e përhershme dhe e sinqertë e tij qe bashkëshortja 76 vjeçare, invalide, pa pension, pa asistencë, kurse i vetmi stimulim moral “ Për ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare” qe nga ish-kryetari i komunës urbane të Tuzit, zoti Maliq Çun Mulaj. Përballë kësaj gjendjeje Ivezaj pronari,
drejtori dhe roja 24 orëshe e këtij objekti , kundrejt një pensioni prej 96 evrosh, kur një pension nacional , minimal, në Mal të Zi paguhet me 800 evro në muaj.
Më 24.03.2014 Shoqata patriotike”Malësia e Madhe”Nderi i kombit”, përmes kryetarit të saj z.Sytki Ndreca , në rrjetin social facebook, iu drejtua me një letër sensibilizuese Presidentit tonë të Republikës, z.Nishani, Kryeparlamentarit z.Meta , Kryeministrit z.Rama si dhe Ministrit të Jashtëm z.Bushati lidhur me këtë status absurd të drejtorit të Muzeut etnografik të Malësisë, z. Shtjefën Ivezaj, megjithatë, deri tani, asnjë reagim. Dhe ky trajtim vazhdon, edhe pse nga z.Ivezaj, si atdhetar i klasit të parë, në një kontekst sakrilegji deri në absurd, ndryshe me një përkushtim iluminist në postiluminizëm, sukseset e këtij muzeu janë të habitshme.Filatelia me 35000 pulla postale, fototeka me filmat,negativët e 40 viteve, si dhe biblioteka me 3800 tituj ku ka edhe shumë libra muzealë në 4 gjuhë: shqip, serbisht,anglisht dhe gjermanisht, krahas vlerave dominuese etnografike, shënojnë një pasuri të shtuar kombëtare.Falë një sakrilegji të llojit të vet, sa personal, sa familjar duke na bërë krenarë për substancën tonë atdhetare, kur nën ethet e kultpragmatizmit të egër, po harrojmë, jo rrrallëherë të shkuarën tonë të vyer, hipotezën e së ardhmes sonë dinjitoze. Me statusin e kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Malësisë së Madhe”Nderi I kombit” personalisht, precedentin e krijuar me Muzeun etnografik shqiptar , më 13.01.2015 e kam rIngritur si problem serioz edhe pranë Ministrisë sonë të Kulturës, tek z.Zef Çuni, Zëvendëministri i Kulturës, njëherësh edhe deputet i qarkut të Shkodrës mora premtimin se, në bashkërendim veprimesh me faktorin shqiptar dhe qeverinë malazeze, homologët tanë , do të investohemi seriozisht për zgjidhjen e kësaj situate absurde, një precedent që kompromenton edhe seriozitetin e angazhimeve integruese në BE të vetë Malit të Zi, çka nënkupton, mes tjerash, respektimin e trashëgimisë kulturore të pakicave. Një shpërfillje e tillë, e pafalshme, ndaj trashëgimisë kulturore shqiptare në Mal të Zi, bëhet akoma më absurde , përballë heshtjes sistematike, në të gjitha nivelet e pushtetit , kur, atje funksionon edhe një ministri e pakicave e drejtuar gjithnjë nga shqiptarët, krahas përfaqësuesve shqiptarë në parlamentin malazez, apo atë lokal në Tuz dhe Ulqin.
Koha e kësaj zgjidhjeje, koha e braktisjes së kësaj shpërfilljeje absurde ka ardhur, nëse si komb, konceptin rilindje, sikur atë të integrimit së pari brenda vetes, ne dhe fqinj ynë i parë, Mali I Zi e kemi secili nesh seriozisht me vetveten.Pikërisht këtij misioni, rivlerësimit dhe mbështetjes reale, si një vlerë kombëtare e shtuar, të Muzeut etnografik në Malësi, Mali i Zi ,kam bindje se do t’i shërbejë edhe vizita që së shpejti pritet të zhvillojë në Tuz Zëvendësministri i Kulturës z.Zef Çuni.
Le të shpresojmë se dikur dhe dikush ,vërtet, do të vërë dorë përballë kësaj shpërfilljeje zyrtare ndaj Muzeut etnografik shqiptar në Malësi,Tuz, Mali i Zi duke hijeshuar staturën e vetvetes sonë të munguar si komb, në mirëruajtjen dhe funksionimin normal të kësaj pasurie kombëtare, në trojet tona, me koshiencën se të gjitha lëvizjet tona politike do të kthehen në iluzione të rreme brenda vetvetes, nëse nuk arrijmë të kuptojmë se integrimi real në Bashkimin Evopian, aq më pak bashkimi ynë kombëtar, nuk mund të arrihen pa bashkimin tonë shpirtëror, në funksion të të cilit vihen me aq shumë dinjitet dhe efiçiencë vepra të tilla si Muzeu etnografik në fjalë.
Koplik, më 14 janar 2015
*Kadri Ujkaj, studiues/ ”Mirënjohja e M. Madhe“Nderi i kombit”, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve -M.Madhe.
MINISTRI I ARSIMIT GREK PËR ROLIN E JANULLATOSIT
Nga Rasim Bebo/
Ministri i arsimit të Greqisë, Andrea Laverdho deklaroi në parlamentin grek, se një pjesë e shkollave greke në Shqipëri, janë organizuar nga kryepeshkopi Anastas Janullatos, ku kisha afron shpërblim për mësuesit e gjuhës greke. Sipas ministrit të Greqisë, Andrea Laverdho, në Gjirokastër punojnë me dhjetëra vullnetarë nga Greqia me “ndërgjegje kombëtare, ndërgjegje misioni”. Janë kryesisht djem dhe vajza nga Greqia e Veriut që shkojnë aty … Laverdho shpjegoi rreth mbështetjes financiare për këto shkolla, duke bërë gjithçka të qartë, se Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare ka financuar për shkollat greke dhe për pagesat e mësuesve. (S. Alla, 8-1-2015.)
Janullatosi, përhapjen e helenizimit në Shqipëri e ka filluar që nga kopshtet e fëmijëve. Sipas artikullit pa emër të autorit, datë 28-12-2014 “Pse e dua dhe jam mirënjohës pafundësisht Kryepeshkopit Janullatos”, vazhdon: “Ai zhvilloi programe pionier në fushat e edukimit, shëndetësisë, kujdesit social, zhvillimit rural, kulturës dhe ekologjisë. Ngriti 17 kopshte fëmijësh në qytete të ndryshme. 3 shkolla fillore, një gjimnaz, një konvikt shkolle për vajzat, një lice profesional, dy Institute të Formimit Profesional, Universitetin “Logos” në Tiranë, Themeloi qendrën mjekësore Diagnostike me 24 specialitete në Tiranë dhe tre qendra mjekësore në qytete të tjera”. Përpunoj planin me gjuhën greke, gjeti vendet dhe filloi ndërtimin me gjuhën greke, i kompletoi këto institucione dhe filloi edukimin me gjuhën greke. Pra, ai ka mbështetur dhe bën rreth vetes njerëz pa principe, pa identitet, të shitur, antishqiptar, për “misionin sekrete”, ka këshilltarë dhe anëtarë të këshillit të ortodoksëve të Shqipërisë, si Pirro Prifti, Vangjel Dule, Panajot Barka, Elsa Ballauri, Thoma Miço. Këta ndihmojnë Janullatosin në tjetërsimin e kombit tonë, nëpërmjet përçarjes, prishjes së harmonisë fetare midis vëllezërve të një gjaku, të një gjuhe, të një kulture. Përpiqen duke ngritur një Principatë greke Brënda shtetit Shqiptarë”. (Aurel Desareti, USA. 5-1-2015).
Lënia e një hapësire greke kaq të madhe, është tradhtia e Tiranës zyrtare dhe e akademikëve tanë. Është një eveniment i pa parë në botë, që qeveria e cila drejton vetë vendin e saj, të tradhtojë kombin e vet, duke i dhënë çdo gjë që i kërkojnë dhe nuk u jep atë që u takon. Ky është “greku”. Çdo ditë lindin kërkesa të reja prej tij. Janullatosi duke mos çarë fare kokën për qeverinë shqiptare, lidhet me qeverinë greke që t’i dërgojë mësues grekë për institucionet e ngritura prej tij për edukimin në gjuhën greke.
Këto ditë më 9 dhjetor 2014, z. Artur Vrekaj në shkrimin: “Neokozmallinjtë, e Amerikës në një linjë me Dulen dhe Janullatosin”, shkruan: “Është një organizatë joqeveritare në SHBA… ku tingëllon e fortë edhe kauza helenistike e Kozma Etolit. Ja çfarë thotë: “… duhet siguruar ruajtja e statutit unik të Himarës, si bastion i helenizmit dhe ortodoksisë, e cila ka shpëtuar përmes shekujve. (Greqia u njoh si shtet më 1828, me kufi që kalon në jugë të gjirit të Prevezës, Çamërisë Epirit, në jug të Thesalisë dhe në Detin Egje. Te ky kufi duhet të kthehet Greqia.”
(Sot përgatiten dokumenta për gjyqin e Hagës, për bashkimin e trojeve shqiptare. Çamëria – Epiri, Thesalia u pushtua nga greku në mars të vitit 1913 me dhunë e raprezalje të mëdha, se kështu deshi Evropa putanë, shën. im). Sot ajo që ngroh këta greke të Himarës në SHBA është posti i Dules si nënkryetar i kuvendit dhe vetë dora e zezë e ish kolonelit Janullatosit”. Internet LIFESTYLE dikur KULTURA më datën 8-1-2015, boton artikullin “Gejxh e propozoi për president të Greqisë”. “…I vetmi që mund të bashkojë popullin, është Kryepeshkopi Anastas i Shqipërisë. Është më i përshtatshmi për president. Kujtoni se në çastet e vështira për Helenizimin, kanë marrë rol udhëheqësit kombëtarë, si Kryepeshkopi Makarios, ashtu edhe Kryepeshopi Damaskinos” – tha. E çuditshme është se askush nuk kundërshtoi, përfshi dy deputetët dhe ambasadorit amerikan shkruan “To Vima”, Anastas Janullatos duhet lavdëruar thotë ministri i arsimit Andrea Laverdho, se Kisha Shqiptare paguan mësuesit grekë që përhapin greqizimin në “Epirin e Veriut”.
Nga James Pettifer, shkruan: “…I gjithë qëndrimi në post i Janullatosit, është shënuar nga polemika shpesh të ashpra Brenda Kishës, në lidhje me fatin nëse ishte e përshtatshme për një qytetar grek të imponohej për të zaptuar postin më të lartë. Këto rezerva janë shfaqur gjithashtu edhe midis shumicës myslimane të Shqipërisë. Kjo kulmoi kohët e fundit me demonstratat e rrëmujshme anti Janullatos brenda kishës kryesore ortodokse shqiptare në New York Cyti, kur ai vizitoi Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar. (DITA “Janullatosi nuk është modeli i liderit ortodokës” 18-8-2014).
Nga Ndriçim Kulla. Gazeta” MAPO”. 24 -12 – 2014. “Tradita jonë e krishterë dhe sfidat e autoqefalisë”. Ai i drejtohet Janullatosit, që t’i japë fund kësaj “aventure” të autoqfalisë me ndarjen njëherë e përgjithmonë nga epoka e tranzicionit mbi 20 vjeçar. Ne duam konsolidimin e formulës për klerin ortodoksë shqiptar dhe me parimet kombëtare të udhëheqjes së saj.” Janullatosi i tronditur nga ky lajmërim i dalë nga presidenca Shqiptare, pas dy ditëve më 26 – 12 – 2014 i dërgoi gazetës “ILLYRIA” në SHBA artikullin: “Të mahnitshëm janë ndërhyrjet e Perëndisë, kapërcimi i së pamundurës”. Ndërmjet të tjerave shkruan: “Ai thekson faktin, se misteri i madh i lindjes, lidhet me mbarë krijesën: “Në fillim ishte Fjala … dhe Fjala ishte Perëndi … Dhe Fjala u bë mish dhe qëndroi ndër ne” (Jn. 1:1,14). Por duke qëne Fjala pa pësim, pa kundërrfare tjetërsim, mori mish, pa ndryshuar natyrën e Tij hyjnore” (Migne P.G.56:385-386). Në personin e Krishtit u bashkua natyra hyjnore dhe ajo njerëzore. Perëndia i paafrueshëm dhe i pafund mori natyrën njerëzore, duke nxjerrë në pah vlerën e pafundme të njeriut. Shpesh edhe neve përballemi me kundërvënie të pakapërcyeshme. Le të mos e humbasim mendjen. Besimi në Krishtin fal bindjen se nuk jemi të vetëm në këtë botë të ashpër. Fjala e mëshiruar e Perëndisë mbetet në mënyrë të pandërprerë me ne. Ai jep kuptim, dritë dhe fuqi në çdo fazë të jetës sonë. Ai çel udhë në vende të vështira për të kaluar. Afron mundësinë e kapërcimin të asaj që është e pa mundur nga ana njerëzore. Me sigurinë se “të pamundurat për njerëzit janë të mundura për Perëndinë” (LIK.18:27).
Unë nuk jam teolog, por këto më duken të pabesuara. Ju arritët të uzurponi Kishën Noliane me “dinakërinë dhe pabesin greke”dhe me rrugën që u hapën tradhtarët e kombit shqiptar, si Ramiz Alisë, Fatos Nanos, Sali Berishës dhe së fundi nga Edi Rama, të gjithë këta janë drejtuar nga ju për të arritur deri këtu. Shqipëria jeton prej mijëra vjetësh, kanë ardhur shumë pushtues kanë thyer hundët dhe janë larguar, ashtu si do të largoheni dhe ju me turp. Gazeta 55, datë 24-8-2014, shkruan: “Rama deri tani, ka hedhur themelet e Katastrofës”. Që prej ardhjes së tij në pushtet. Edi Rama ka lëshuar betimin se do ta çoje vendin drejt rrënimit dhe katastrofës. Ai premtoi se edhe në kushtet e një keqqeverisje ekstreme, ai do të mbijetojë në pushtet përmes formave të ndryshme të dhunës. Një vit më parë ai prezantoi programin qeverisës në Kuvendin e Shqipërisë. Por çfarë ka ndodhur që prej asaj dite? Rrënim, rrënim dhe vetëm rrenim. Pushteti i tritolit, rrënoi shtëpitë e shqiptarëve në të katër anët e vendit, ndërsa po ashtu bandat e krimit të organizuar rifilluan aktivitetin nën bekimin e ministrit të brendshëm, Sajmir Tahirit. Ekzekutimet e tipit terrorist me tritol, që prej ditës së uljes së Edi Ramës dhe ministrave në karriget e pushtetit. Sikurse, atentatet mafioze kanë marrë dhjetëra jetë njerëzish, midis tyre edhe biznesmenë të njohur. Jeta e gjithë secilit prej nesh është në rrezik permanent. Kemi të bëjmë me një qeveri të lidhur këmbë e krye me krimin e organizuar. Shufrën e dirigjimit të orkestrës e banë Janullatosi, të cilin mund ta zgjedhin edhe president,si armiq të atdheut që janë.
Nga gazeta 55, 9-1-2015 lexojmë: “Kur kërcënohet kryetari i opozitës, është vendosur diktatura”. Shteti dhe politika janë kriminalizuar fund e krye. Kërcënimi i kryetarit të PD, Lulzim Basha nga kapobandua i lidhur me qeverinë dhe Edi Ramën, Emiljano Shullazi, i cili është më i njohuri i botës së krimit, anëtar i disa bandave të kriminale … Përplasja më 5 janar 2015 mes bandave në rrugën e Kavajës, nga atentati mbeti një i vdekur dhe disa të plagosur. Në automjetin e Emiljano Shullazit, u gjetën një arsenal armësh, e arrestojnë, por nën avokatinë e Edi Ramës, nuk u pa e arsyeshme burgosja e Shullazit. Edi Rama i ktheu mirënjohjen Kapobandës për fushatën zgjedhore të 2013-ës, kërcënimet me jetë të ushtruar ndaj votuesve të djathtë nëpër vendvotime. Kërcënimi me jetë i liderit të opozitës, Lulzim Basha, është treguesi, se vendi ka rrëshqitur në diktaturën e krimit dhe dirigjohet nga kapobanda E. Shullazi dhe shefi i tij i krimit të organizuar nga Edi Rama.
Agim Hamiti në shkrimin: HIPKRIZIA E PJESËMARJES SË EDI RAMES NË “MARSHIMIN REPUBLIKAN” TË PARISIT. “shprehet: “Ne marshimin e madh kundër terrorit në Francë ka marrë pjesë edhe kreu i terrorit shtetëror në Shqipëri, Edi Rama por që nuk është pranuar të jetë në krah me liderët të botës demokratike… Por, edhe pse tentoi, ata e larguan si njeriun që mbjell terror ndaj popullit të tij, si njeriun që ka të burgosur më shumë qytetarë, se Iraku dhe Siria, si njeriu që iu ka vënë tritolin shtëpive shqiptarëve. Kryeministri shqiptar ishte ne mes të turmës së njerëzve të thjeshtë, i shpërfillur dhe i shpërfytyruar”. Kryeministri s’po ndalet së promovuari të njerëzve të krimit. 19 deputetët kriminele të grupit parlamentar socialist, janë një skenar i Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij, për të pasur rreth vetes të “fortët e krimit, … po kapin shtetin me një nxitim të rrufeshëm, duke bërë që bandat kriminale të dominojnë mbi ligjin dhe mbi lirinë e qytetareve. Emiljano Shullazi është një prej dhjetë kokave të bandave të krimit organizuar, si njeri i Edi Ramës dhe i Saimir Tahirit. Ky bëri përcjelljen e mesazheve kërcënuese të Ramës për kryetarin e opozitës Lulzim Basha.“
Sali Berisha paralajmëroi Edi Ramën, “se ndaj çdo cënimi, dhe çdo akti kundër cilindo anëtar të opozitës, do të ketë për ne, një dhe vetëm një përgjegjës, një dhe vetëm një autor dhe ky përgjegjës, dhe ky autor do të jesh vetëm ti. Ne këtu jemi!”.
Këto dy parti janë pjella e kupolës të ngrehura nga anëtari i saj Ramiz Alia, për të shpëtuar rendin komunist. Deri sot nuk kanë qenë kaq të acaruara, sa duan ti hanë kokën njëra tjetrës. Kjo situatë i vjen përshtat grekut. Nacionalistëve shqiptarë, bashkë miqve historikë, po u vjen koha të thonë fjalën e tyre.
Rasim Bebo Addison Çikago janar 2015
NJOFTIM- FLORIM RRACI KA NDERRUAR JETE NE MOSHEN 47 VJECARE
SOT, E DIELE, PRITEN NGUSHELLIME NGA ORA 11 AM – 9 PM NE SHTEPINE MORTORE RUGGERO & SONS. VARRIMI TE HENEN/
Njoftojme komunitetin se dje papritmas, ne moshen 47 vjecare vdiq i dashuri yne Florim Rraci. Nderimet e fundit te ndjerit Florim behen ne shtepine mortore Ruggierio & Sons ne Yonkers Avenue, ne Yonkers, NY, sot, diten e diele, nga ora 11AM deri 9PM, ndersa varrimi behet neser, diten e hene me 19 Janar ne ora 12.30 ne varrezat Oakwood ne Mount Kisko, NY. Nisja e kortezhit per varreza nga shtepia mortore eshte ne ora 10AM
Me vizione të reja, na priftë e mbara!
NJE FEMER NE KRYE TE NJE PARTIE SHQIPTARE, SHANS PER ZBUTJEN E AGRESIVITETIT POLITIK- NJE SHEMBULL QE VJEN NGA PPD E SHQIPTAREVE NE MAQEDONI/
NGA TEUTA LLALLA/*
Të nderuar delegatë,
Të nderuar simpatizantë dhe anëtarë të PPD-së,
Më lejoni që t’Ju falenderohem për përkrahjen dhe votëbesimin që më dhatë në këtë detyrë të lartë politike, qëllimi i të cilës është rikthimi i shpresës dhe i dinjitetit kombëtar. Që prej kaq vitesh sa nuk ishte PPD aktive në Kuvendin e Maqedonisë këto cilësi janë shkelur.
Ky rikthim kësaj rradhe ishte më i mundimshëm se herëve tjera sepse dolën nga burgu i padrejtë Vullneti, Adnani dhe Amiri, nga guximi dhe dëshira e 1.000 qytetarëve që haptazi para notarit të nënshkruajnë fletë aderimin për PPD-në si dhe nga guximi i 186 qytetarëve që ta mbrojnë platformën politike të PPD-së para gjykatës dhe ai lindi nga vullneti dhe këmbëngulja e nismëtareve të PPD-së për ta rikthyer këtë fole të demokracisë në jetën politike.
Më lejoni që me këtë rast ta falenderoj Përfaqsuesin dhe Prezantuesin e deritashëm të PPD-së zotin Vullnet Halilin i cili dha kontributin e tij rinor për rregjistrimin e partisë si dhe anëtarët e deritashëm të Kuvendit Qendror dhe Kryesisë së Partisë për mundin e pafund që e dhanë për këtë kauzë.
Të nderuar delegatë,
Sot gjendja e shqiptarëve në Maqedoni është me keq se në komunizëm. Partia shqiptare në pushet, disa vite me radhë nuk arrin të zgjedhë problemin e emërtimit të tabelave të rrugëve dhe shkollave. Ata nuk janë në gjendje të kuptojnë ende se çfarë është parlamenti dhe çfarë është qeveria si koalicion politik. Ata, nuk mund të kuptojnë kush i sulmon nxënësit shqiptarë në Shkup prej kaq kohësh. Ata, nuk mund të kuptojnë se ku shkojnë paratë e shqiptarëve dhe sa harxhohen për Shkupin 2014. Po ashtu, ata nuk mund të kuptojnë ende pse ikin të rinjtë në kurbet. Askush nuk merret me çështjen pse u mbyllën shkollat shqipe? Pse braktisja e fshatrave po bëhet përditë dhe duke filluar nga Likova e Kërcova, Dibra, Shkup etj.
Sot Shqiptarët janë pa mbrojtje. Partitë shqiptare në Parlament grinden njëra me tjetrën. Partia në pushtet është shndërruar në zëdhënëse të politikës së VMRO-s. Kuadri i paaftë i sajë është bërë objekt diskutimi i Komisionit dhe i Parlamentit Evropian dhe ambasadave të huaja në vend. Partia tjetër shqiptar në opozitë, kënaqet duke luftuar dhe shkatërruar partitë shqiptare opozitare më të dobta dhe kur i duhet atij për interesa, ia voton buxhetin VMRO-DPMNE, duke e nxjerr nga balta. Nuk duhet njerëzit të mashtrohen me fjalë boshe dhe fjalime emocionale, duhet më shumë dije e guxim, prandaj nuk duhet që shqiptarët të humbin kohën me premtime të parealizueshme. Duhet të veprojmë bashkërisht si një trup, duke protestuar fortë për çdo të drejtë që na shkelet. Vetëm në këtë mënyrë do të ndalen proceset degraduese siç ishin enciklopedia, Brodeci, Radusha, Odri, Vaksinca, rrahjet e nxënësve, dhunimi i lokaleve në emër të ndaljes së duhanit, etj., etj.
Për shkaqet e mësipërme vëllezër dhe motra kërkojmë përkrahjen tuaj. Vetëm ju mund të na ndihmoni të ringrihemi përsëri lart, krenar pse jemi shqiptar. Ne, publikisht ua shtrijmë dorën që të na përkrahni ashtu si qëmoti, pra Uniteti është ai që bënë fuqinë dhe përparimi tonë.
Ne, do jemi si gjithnjë në ballë të nismave madhore kombëtare si më 1990, në 1994 dhe në 2001, ishte PPD ajo që i bëri ballë presioneve të pushtetit afatgjatë të diktaturës komuniste, ishte PPD përkrahësja kryesore për themelimin e UT, ishte PPD që u gjend pranë ushtarëve të UÇK, ishte këmbëngulja e PPD për arritjen e një marrëveshje për ndalimin e konfliktit të 2001. E ku s’ka qenë PPD, në krye të lëvizjeve tona kombëtare, por kuptohet këto s’kanë qenë të lehta për ne. Shumë padrejtësi dhe kurthe ju bënë PPD, shumë punuan strukturat shtetërore dhe vasalët e tyre për ta zhdukur rrënjësisht PPD, por nuk ja arritën qëllimeve dashakeqëse sepse PPD nuk jam vetëm unë, PPD nuk jemi vetëm ne që ndodhemi këtu në këtë sallë, por PPD janë të gjithë shqiptarët në Maqedoni dhe Diasporë. PPD është promotoria e lëvizjeve të mëdha kombëtare jo vetëm në Maqedoni, por kudo. Ajo ishte e para dallëndyshe që lajmëroj rënien e diktaturës komuniste, ajo ishte e para që lajmëroi pranverën e demokracisë në Maqedoni.
PPD, ka qenë dhe është pronë e popullit dhe jo e liderit, PPD nuk ka duruar dhe nuk do të durojë asnjëherë diktaturën e liderit, këtë ua premtoj edhe unë që më keni besuar sot këtë detyrë kaq të lartë dhe të vështirë. PPD ka punuar dhe punon për mbrojtjen e vlera kombëtare, për ruajtjen e dinjitetit njerëzor, besimin e njeriut në Zot, që do të thotë se ne ekzistojmë.
PPD ka qenë dhe mbetet ambient demokratik që nuk duron diktatura. Ne do të ndërtojmë ambientin tonë tradicional ku kryetari i partisë do të bashkëveprojë me organet e saja për ndërtimin e platformave politike, ekonomike, sociale, arsimore, kulturore. Do të zbatojë platformat dhe nuk do të vihet në pozitën e të gjithë të diturit. Anëtarët e organeve udhëheqëse të PPD-së do të punojnë për realizimin e vizionit të përbashkët politik ashtu siç kanë vepruar rilindësit tanë në të kaluarën e jo ashtu siç veprojnë politikanët ballkanas: paraja mbi të gjitha.
PPD ka qenë dhe mbetet burim i pashtershëm i platformave politike. Koncepti ynë fillestar ka qenë dhe ende më tej mbetet ai i shtetit dykombësh. Nëse për një arsye ose tjetër forca politike të caktuara nuk janë në gjendje ta pranojnë këtë filozofi politike atëherë alternativa jonë do të ishte ajo e qytetarëve të barabartë dhe jo ajo e një kategorie qytetarësh të pagëzuar me emër e mbiemër dhe e qytetarëve numra me përqindje. Thënë shkurt, PPD parimet e veprimit të saj politik i ka paraqitur qysh në Deklaratën e Grupit parlamentar për barazinë e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë në vitin 1992 dhe ato janë parime bazë të veprimit tonë politik.
Pas 25 vitesh zhvillim demokratik platforma e PPD-së ende nuk është realizuar plotësisht, ende duhet kohë për realizimin e saj. Nuk është ndonjë thënie e mençur po qe se themi se aktiviteti ynë politik do të mbështetet kryekëput në Marrëveshjen e Ohrit. Fundja ajo marrëveshje bazë politike ka pasur platformën e PPD-së, madje edhe e hartuar nga ekspertë të PPD-së, e hartuar për kohë të caktuar dhe rrethana të caktuara. Por, çdo gjë jeton në kohë dhe hapsirë. Marrëveshja e Ohrit e humbi shansin të hyjë në histori si marrëveshje e realizuar, si një marrëveshje që i dha fund luftës dhe pabarazisë. Sot ajo duhet riplotësuar, rishkruar.
PPD, gjithnjë ka qenë partia që ka vërtetuar se për çështjet e mëdha kombëtare dhe shoqërore, ka afruar zgjidhje dhe bashkëpunim. Është PPD, ajo që i mundësoi formacionit ushtarak të papranuar nga komuniteti ndërkombëtar që të paraqitet me subjekt politik, por kjo parti e nëpërkëmbi sinqeritetin e PPD-së dhe anëtarëve të saj dhe u angazhua për zhdukjen e saj nga skena politike. Të mos harrojmë se PPD është partia mëmë e këtyre dy partive dhe është mëkat të sulmohet dhe shpifet pa fakte për të. PPD-ja afirmon vendosjen e partneritetit dinamik me tërësinë e organizmave dhe asociacioneve të shoqërisë civile.
Juve që më votuat për një dëshirë, për ëndrrën e rikthimit me nder të PPD në skenën politike, që më mbështesni në kohët e vështira dhe që më keni besuar postin e kryetarit nuk do t’ju tradhtoj, nuk do t’ju braktis kurrë për asnjë interes e asnjë çmim dhe asnjëherë për ndonjë përfitim personal. Nuk do të bëj pas shpinës suaj asgjë që do të cënojë jetën, dinjitetin, të ardhmen dhe shpresën tuaj. Nuk do të marrë asnjë vendim pa e ndarë me ju, pa u këshilluar me ata që më kanë besuar dhe votuar, sepse nuk do të gjej paqe në shpirtin tim për shkak të trazimit të besimit dhe shpirtit tuaj.
Rruga jonë, e juaja dhe imja, e anëtarëve dhe simpatizantëve të PPD ka qenë e vështirë për të ardhur deri në këtë Kongres sepse zhurma për riorganizimin e PPD ishte shumë e madhe dhe shqetësimi i kallur brenda nesh nga skenarë të sajuar nga dashakeqët ishin tmerrsisht shqetësues, por ne shkuam tek çdo njeri që në zemër kishte PPD, biseduam me çdo shqiptar që ende ruante me fanatizëm librezën e anëtarësimit të PPD, folëm me fjalë zemre. Fjalët e mia dhe të bashkëpuntorëve të mi janë të sinqerta, ato vijnë nga thellësia e shpirtit të pastër, prandaj ne triumfuam dhe jemi bashkë këtu sot, në këtë Kongres për tju treguar se, PPD me popullin shqiptar vazhdojmë të ecim përpara.
Ju gjyshër, e prindër, të rinj, kudo që jeni, në këtë sallë, në Maqedoni dhe jashtë saj keni pritur me zemër të dridhur nëse PPD do riorganizohet apo të zhduket.
E pra, na kujtohet të gjithëve koha e PPD kur lumi i njerëzve nuk ndalej përballë hermelinave dhe kordoneve policore për të votuar për intelektualët e vërtetë, për të dërguar me votën e lirë profesorë të dëshmuar përballë të tjerëve.
Më lejoni t’jua them sot, hapur, në sy, se ne punojmë dhe përpiqemi të rikthejmë krenarinë dhe dinjitetin kombëtar, të rikthejmë besimin dhe shpresën për një të ardhme më të mirë, të dërgojmë me votën tuaj njerëzit më të suksesshëm në institucionet shtetërore. Por gjithnjë ua kam përsëritur miqve, bashkëpunëtorëve të mi se na duhet votëbesimi i gjithë popullit, për të dalë faqebardhë, më të fortë me qëllimin e mirë që rinia shqiptare të mos largohet për të emigruar. Na ndihmoni pra, për të kontribuar të gjithë bashkë për të mundur të keqen, për të dalë nga balta ku na kanë futur prej kaq vitesh politikanët vasal, planprishës dhe keqpërdorues të besimit të popullit. Duke kontribuar të gjithë bashkë për të mirën e njerëzimit, për një të ardhme më të sigurt për fëmijët tanë, për brezat që vijnë pas. Duhet të dimë se është mëkat që PPD të mbetet jashtë Kuvendit të Maqedonisë, sepse ajo ka qenë dhe është partia e vlerave të larta, partia që bëri historinë e vërtetë të shqiptarëve në Maqedoni.
Me vizione të reja, na priftë e mbara!
* Fjala e kryetares së sapo zgjedhur e PPD Teuta LLALLA