Në Shqipëri sot u festua 102 vjetori I Pavarësisë së vendit. Krerët më të lartë të shtetit ishin në Vlorë, qyteti ku u shpall Pavarësia më 28 nëntor të vitit 1912.
Presidenti Bujar Nishani, kryetari i parlamentit Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama morën pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit. Mijëra qytetarë, nga qyteti i Vlorës e nga zona të tjera të vendit si dhe nga Kosova e Maqedonia ishin mbledhur në Sheshin e Flamurit.
Këtë herë simboli kombëtar shqiptar u ngrit nga dy sportistët Romela Begaj dhe Daniel Godelli, falë të cilëve, vetëm pak javë më parë, flamuri i Shqipërisë u valëvit në kampionatin botëror të peshëngritjes ku ata u shpallën fitues.
Përveç himnit kombëtar, në ceremoni nuk pati deklarata nga asnjëri prej drejtuesve të Shtetit të cilët vijuan më pas të ndarë me aktivitete të tjera.
Kreu i opozitës Lulzim Basha bëri pasdite homazhe pranë bustit të Ismail Qemalit në Tiranë, ndërsa më herët gjatë ditës ai kishte bërë homazhe edhe pranë bustit të Adem Jasharit në kryeqytet si dhe në varrezat e Dëshmorëve për 70 vjetorin e çlirimit nga nazifashizmi.
Demokratët vazhdojnë të njohin si festën e çlirimit 28 Nëntorin dhe jo datën zyrtare të 29 Nëntorit.
URIME PER SHKËMBIMIN E SHTATOREVE NË PRISHTINË DHE VLORË!
Nga Mr.Sc.Mehmet Prishtina/
CEO/Founder/
Baballarët e Kombit Shqiptar, Hasan Prishtina dhe Ismail Qemali, të udhëhequr nga fryma e unitetit dhe e integritetit të popujve dhe marrdhënive të mira fqinjësore, edhe pas një shekulli, po shërbejnë si një shembull dhe tregues i mirë eksperience, se si thyhen kufijtë e ndarjes në mes të popujve me qëllimin e përbashkët dhe fisnik, që të gjithë të jetojnë të intergruar në një familje të madhe europiane.
Me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në nivelet më të larta shteterore arritëm të realizojmë me sukses ngritjen, nderimin dhe përjetësimin në bronz, të figurës së Hasan Prishtinës në tri kryeqendrat shqiptare: në Prishtinë, në Shkup dhe nëTiranë, dhe në fund të kurorëzojmë dekorimin në nivelin më të lartë të Shtetit Shqiptar.
Personalisht ndjejë një kënaqësi të veçantë, që dhe në nivelin e të dy bashkive, asaj të Prishtinës dhe Vlorës, u pranua propozimi im drejtuar Shtetit Shqiptar, ndërmjet Këshilltarit të President Nishanit, z. Ndriçim Kulla dhe Drejtorit të Kontrollit të lartë të shtetit, z. Bujar Leskaj, i cili më 17 Janar 2014, kur unë dorëzova kërkesat e mija zyrtare me shkrim, President Nishanit, Kryeministrit Rama, dhe Kryeparlamentarit Meta, për rivarrimin e mbetjeve mortore të Hasan Prishtinës nga Kukësi për në Varrezat e Panteonëve, të cilat i mungojnë Tiranës dhe Prishtinës, u zotua në emër të Kryebashkiakut të Vlorës dhe Kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, që këtë projekt do ta bënin realitet andaj i falenderoj nga zemra.
Më gëzon fakti që nga ky bashkëpunim i suksesshëm, u arrit të sigurohen mjetet e nevojshme për financimin dhe realizimin e këtij projekti madhor, të cilin unë e kisha propozuar në Janar dhe Prill të vitit 2014 nëTiranë dhe Prishtinë. Prandaj përgëzoj dhe falenderoj të gjithë stafin e bashkisë së Vlorës dhe të Prishtinës, për kujdesin që treguan në përfundimin e këtijprojekti kombëtar.
Kjo ide e hershme, të cilën e kishim menduar që në vitin 1997, në Munich dhe në Tiranë, së bashku me zonjën e nderuar Nermin Vlora Falaskin, mbesa e Ismail Bej Vlorës, tani po behët realitet. Shpirti i saj u prehtë në paqe perderisa ëndrrat tona po behën realitet.
Sot po konstatoj me kënaqësi të veçantë, se ngritja e vetëdijes qytetare shqiptare, po thyenkufijtë shqiptar dhe ato të shteteve fqinje duke reflektuar, demokraci, barazi, eurointegrim me vlerat e figurave që jetuan me këtë frymë të bashkëpunimit me popujt e tjerë edhe para një shekulli dhe që po shërbejnë si një shembull brilant edhe në ditët e sotme.
Mëdatën 2 Maj 2014, obligimi i vonuar i shtetit shqiptar për të dekoruar Hasan Prishtinën nga Presidenti Nishani me “Urdhërin e Flamurit” po bëhej realitet, lindi pyetja se kush do të ishte personi i duhur, që do ta pranonte këtë nder kaq të madh?
Carrie Hooper:SHQIPTARE- GEZUAR 28 NENTORIN!
HAPPY ALBANIAN FLAG!/
HAPPY ALBANIAN INDEPENDENCE DAY!/
I dashur Dalip;
Editor i DIELLIT!/
Përshëndetje! Desha t’i uroja të gjithë shqiptarët kudo në botë për Ditën e Flamurit. Në këtë ditë të madhërishëm t’i kujtojmë atdhetarët tanë që me gjak dhe djersë flijuan vetveten për lirinë e kombit shqiptar dhe për daljen nga robëria pesëshekullore të vendit e shqiponjave. T’i lartësojmë margaritarët e historisë shqiptare si motrat Qiriazi, Dora d’Istrias, Edith Durham, Gjerjj Fishtën, dhe mijëra dritë të tjera që shkëlqenin me praninë e tyre. Ta kujtojmë heroin tonë më të madh Gjerjj Kastrioti-Skënderbeun! T’i kujtojmë me mirënjohje kontributet e shqiptarëve në mërgim dhe punën e palodhur të shoqatave shqiptare si Vatra dhe të lidhjeve të tjera të shkrimtarëve dhe të artistëve. T’i festojmë virtytet shqiptare si mikpritje, trimëri, tolerancën fetare, dhe dashurinë për lirinë. Gëzuar Ditën e Pavarësisë!
Carrie Hooper
Ermira/ New York
Reflekset e 28-ës
NGA ANTON ÇEFA*/
Festa e 28-ës na përndizet të gjithëve me një hov të fuqishëm ndjenjash që trazojnë zemrën e çdo shqiptari dhe zgjojnë një mori refleksesh.
Një zjarr dashurie për tokën tonë, për fjalën, për frymën, na përflak; një etje e pashuar, e përgjithmonshme, e të gjitha brezave për lirinë na dëshirohet; një dell manifestues krenarie për lavdinë e bëmave të dikurshme na vezullon në sy e në ballë; një dhimbje e thellë për fatkeqësitë e panumërta na shtrëngon në gjoks; të gjitha të plazmuara në palat e atij Flamuri të Shenjtë, para të cilit qëndrojmë në këmbë, në më të bardhën ditë të kohëve të reja të kombit tonë-në Ditën e Madhe të 28-ës.
U ngrit, së pari, në epopenë më të lavdishme të popullit tonë, në dorën e Skendërbeut, për të zëvendësuar flamujt përçarës të principatave, duke mishëruar vullnetin e një prijësi dhe gjakimin e një populli, që nuk pranon të nënshtrohet.
Ai u ngrit për t’i dhënë qenies sonë një frymë harmonie, vetëdijes shqiptare një parim kombësie, ndjenjës popullore një shkëlqim vëllazërie, vullnetit tonë një forcë bashkimi.
Sado që 500 vitet turke u përpoqën ta hedhin atë në hauret më të errta të kujtesës kombëtare, ai shkëndijoi gjithnjë në kraharorët shqiptarë dhe u ngrit herë pas here nga duar kryengritëse, që nuk munguan kurrë, deri në Ditën e Bardhë të 28-ës, kur Plaku i Kombit e fisnikëroi në Vlorë, duke e qarë me lot gëzimi e malli, dhimbjeje e përkushtimi.
Ai qe lartësuar më parë në Prizren, qe përgjakur në Deçiç, dhe në ditët tona shkëlqeu në Prishtinë.
Në këmbë përpara asaj pëlhure të kuqe me shkabën e zezë, “lagur me lot, djegur me flakë”, përjetojmë edhe reflekse tejet të dhimbshme, kur e kujtojmë të rënduar e të përdhosur nga simbolet e huaja, spatave të Liktorit dhe yllit gjakatar të internacionalizmit proletar pansllavist.
Qëndrojmë më këmbë me nderim të thellë, në atë Ditë të Madhërishme, para asaj pëlhure të kuqe me atë shpendin e zi, zemërak për padrejtësitë, përbuzës ndaj shovinistëve, mospërfillës ndaj ksenofobisë së huaj, kërcënues për armiqësitë, por zemërhapur për miqësitë dhe krahështrirë kurdoherë për të përfshirë dhe mbrojtur të gjithë bijtë e tij.
E kush nuk shpirtësohet në vetëdijesimin e atij simboli identifikues që të prushit në gjak shqiptarësinë, duke na yshtur të ripërtërijmë me vlera më të freskëta trashëgimitë tona të gjakut, ato që janë më të denja për ngjyrat e këtij Flamuri të magjishëm, të përtërijmë përvojat tona, ato më të fismet, që i bëjnë nder atij, të këndellim vullnetin tonë këmbëngulës për të shmangur ndasitë e ushqyera nga të gjitha izmat e hisës së zezë të shpirtit tonë, që fatkeqësisht na e fali natyra!
E kush nuk tronditet për ditët e bardha, sado të pakta, të valëzimit të tij në fllade lirie ngazëlluese !
E kujt nuk i dhembin plagët që hoqi e heq ai stinë pas stine, dikur dhe sot ! E kush nuk gazmohet nga një vizion plot shkëlqim dëshirak i së ardhmes së këtij Flamuri, që pau aq pak ditë të bardha !
E kush nuk akullohet e ngrin menjëherë porsa refleksi të zbresë me këmbët në tokë dhe të prekë me duar të sotmen!
Mungesë e plotë parimësie në politikë, mohim idealesh kombëtare, luftë e paprinciptë për sundim, etje e çmendur për pasurim, lojë e ndyrë pushtetarësh mbi kurrizin plagë të një populli, mjerim e varfëri, krim e korrupsion .
Por, edhe në këto ditë të vështira, që po kalon vendi, në Ditën ogurmire të 28-ës, gjithsesi, kur ndodhemi para tij, shpresa na përkëdhel dhe besimi na forcohet, mendja na e thotë dhe zemra na e ndjen që ky Flamur i Shenjtë, me shtizën të ngulur thellë në zemrën e kombit, do të valëvitet triumfues në përjetësi, se
“Zoti vetë e tha me gojë,
që kombe shuhen përmbi dhe,
por Shqipëria do të rrojë;
Për të, për të luftojmë ne.”
* Autori Anton Çefa, Ish editor i DIELLIT
KENGE PER VLOREN E FLAMURIT
Një këngë për Vorën / Flasin autorët Kastriot Tusha “Mjeshtër i Madh” dhe 12 vjeçari vlonjat, Andreino Lena
Nga Albert Z. ZHOLI/
Një këngë e veçantë e kënduar nga një tenor i madh dhe një djalosh 12 vjeçar nga qyteti i Vlorës. Një këngë patriotike e kënduar me ndjesi, ku zëri i fuqishëm dhe burrëror i Kastriot Tushës, harmonizohet si një fllad pranvere vlonjate me zërin fëminor të Andreinos. Një duet, interesant, që kur i dëgjon të bën që këngën ta kthesh përsëri. Edhe vetë xhirimet në pikat kulmore historike të Vlorës dhe rrethinave të saj e bëjnë këtë këngë tepër surprizante dhe të nxit kërshërinë. Një këngë plot temp, me tekst plot befasi, me melodi që i përshtatet vargjeve dhe idesë së autorit duke i vënë të gjitha në funksion të këngëtarëve. Ndoshta ky lloj dueti përbën risi në llojin e vet, për natyrën e këngës, ndryshimeve moshore, por dhe mënyrës së interpretimit. Përshtatja e Tushës në këtë këngë me një fëmijë me temperament vlonjati, përbën dhe vlerat e veçanta të një njeriu sa zemërgjerë po aq dhe artist në jetë. Kur dëgjon këngën dukesh sikur shikon një film dokumentar për Vlorën, me vendet që përcjellin historinë më pikante të saj.
Kastriot Tusha “Mjeshtër i Madh”.
Kënga që më mbushi zemrën, më gufoi shpirtin, më fisnikëroi mendimin, më ledhatoi sedrën atdhetare
Ky duet është fryt i një dëshire të babait të Andreinos, i cili duke përmbushur dëshirën e madhe të fëmijës së vet më kërkoi një bashkëpunim për një këngë ndryshe. Shpeshherë njeriu ndërmerr nisma që janë të paplanifikuara. Kështu ishte dhe ky duet disi I veçantë. Them disi i veçantë për vetë faktin, se është një duet me një fëmijë 12 vjeçar, është një duet i realizuar duke kënduar një këngë për Vlorën (nga është këngëtari i vogël), është një këngë pasi ka përbrenda dhe historinë e madhe të këtij qyteti magjik. Nuk mund të refuzoja për sa më lart por edhe për faktin se e ndjej që i jam borxhli Vlorës, i jam borxhli këtij qyteti me histori, që sa herë këndoj himnin mendja më shkon në 28 nëntorin e vitit 1912 kur Plaku i fisëm Isamil Qemali ngiti flamurin e lirisë. Janë këto momente që më ofruan shumë me këtë këngë, që më ofruan me Vlorën e detit, të malit, të gjelbërimit, të trimërisë, bujarisë të sa e sa historive që tashmë janë kthyer në legjenda. Nuk e di, por e them që sa herë vij në Vlorë ndjej një emocion të veçantë, sa për historinë por edhe për njerëzit mikpritës të këtij qyteti. Flladi i detit me atë pastërtinë e tij më mbush mushkëritë dhe duket sikur zëri merë forcën e Anteut për të nxjerrë tingujt më të bukur. Flladi detar, me atë gjelbërim kodrash, përbëjnë një mozaik natyror të mrekullueshëm që të dalldis dhe të nxit të këndosh. Shtysa për këtë këngë u përforcua më shumë nga vargjet brilante të poetit të madh Jorgo Papingji dhe melodia hyjnore e Edmond Zhulalit. Tek ato vargje pashë forcën e poezisë që të ngjiz ëndrrën e atdhedashurisë deri në kufijtë e “Marrëzisë”, pashë heroizmin e një qyteti që barazohet me flamurin kombëtar, pashë amanetet e të parëve që përcjellin mesazhet e trimërisë në emër të lirisë. Për më tej, melodia e këngës të bën të besosh se harmonia tekst- muzikë, kur arrin ekuilibrat më të dëshiruar, kënga si me magji të rrëmben për ta përcjellë me zërin e zemrës tek publiku vlonjat aq i dashuruar me këngët patriotike. Kur këndon me një fëmijë duket sikur dhe zogjtë i ndalin cicërimat, pasi cicërima në këtë rast është zëri i fëmijës, një zë i çiltër që ofron, gëzim, dëshirë jete, mirësi, lutje për paqe dhe vëllazërim. Fëmija është qenia më e paqtë, më e bukur e zotit, që edhe ditën më të zymtë ta bën pranverë, edhe dhimbjen ta kthen në buzëqeshje. Më duket se kjo këngë në kuadër të 70-vjetorit të çlirimit të atdheut, për vetë tematikën e vargjeve, është një himn njerëzor, vlonjat për këtë luftë heroike dhe amanetin e të rënëve për një Shqipëri të lirë dhe demokratike. Këngë të tilla kanë brenda melodinë më të bukur shpirtërore, të cilat me tingujt e këngës përbëjnë një duet magjik që të emocionon në kufijtë më të bukur të ëndrrave njerëzore. Në labirintet e jetës, këngë të tilla janë si një lule e freskët që përhap aromë dhe shije pozitiviteti në emër të dashurisë njerëzore. Më duket se i lava një borxh Vlorës, pasi borxhet për të dhe flamurin janë të përjetshme si vetë ideali i lirisë që u kurorëzua në këtë qytet plot histori. Ishte një duet që më mbushi zemrën, më gufoi shpirtin, më fisnikëroi mendimin, më ledhatoi sedrën atdhetare.
12-vjeçari, Andreino Lena
Kur keni filluat të këndoni?
Ashtu si shumë fëmijë edhe mua më ka pëlqyer të këndoja, por prindërit e mi vunë re se tek unë ishte zhvilluar një lloj prirjeje e veçantë. Në moshën 7 vjeçare ata me drejtuan te një profesor muzike i cili tha se me pak punë do të arrija të bëhesha një këngëtar. Pas kësaj kam kënduar rregullisht në studio muzikore. Kam kënduar fillimisht në Festën e Abetares dhe më vonë mora pjesë në Perform Fest ku fitova vendin e tretë dhe u vlerësova me Çmimin e Publikut .
Sa vjeç jeni? Në çfarë shkolle jeni? Jam 12 vjeç dhe studioj në shkollën Jani Minga, stafin pedagogjik e së cilës dua ta përshëndes për punën e tyre, në veçanti profesorin e muzikës.
Pse zgjodhët profesor Kastriotin për të kënduar? Vendosa të këndoj me profesor Kastriotin, idhullin tim, sepse ai është një nga tenorët më të shquar shqiptar.
Kush e bëri tekstin e këngës dhe pse pikërisht zgjodhët një këngë për Vlorën? Tekstin e këngës e shkroi Jorgo Papingji. Duke e konsideruar veten si vlonjat patriot vendosa që së bashku me zotin Kastriot te realizonim një këngë për Vlorën duke qenë se jemi në vigjilje të festës kombëtare.
Ku, në cilat vende u realizua klipi dha me cilën bashkëpunuat?
Klipi u realizua në Sheshin e Flamurit, te Manastiri në Zvërnec, në Kaninë dhe gjatë bregdetit të Vlorës. Punuam me Jorgo Papingjin, Edmond Xhulalin e shume të tjerë
Kush ishte pjesa më e vështirë e klipit? Gjatë xhirimeve u ndeshëm me shumë vështirësi e veçanërisht te Sheshi i Flamurit ku na u deshën orë të tëra për të përfunduar pjesën, sepse kishte shumë njerëz që donin të na ndiqnin dhe ndonjëherë pa dashur na krijonin pengesa.
Kush të përkrahu më shumë dhe si ishte bashkëpunimi me Kastriotin, si sillej ai? Gjej rastin të falënderoj prindërit për mbështetjen që më kanë ofruar gjatë gjithë kohës e së fundmi për mbështetjen që më kanë dhënë për realizimin e këngës Vlora ime. Fillimisht ndihesha i emocionuar që do të takoja dhe për më tepër do të realizoja një këngë me tenorin Kastriot Tusha, i cili me thjeshtësinë e tij ma bëri më të lehtë bashkëpunimin me të.
Kastriot Tusha &Andreino Lena
K’tu kam lindur, deshi fati.
Në k’të tok të jetoj,
Kam në zemër gjak vlonjati,
Dhe për vlorën do këndoj.
Kjo është Vlor’ e fëminis.
Vlor e detit dhe e malit,
Djep i artë i pavarsisë.
Vlor e Ismail Qemalit.
Hajt ja marrim bashk një kënge
Për Vlorën të dy të këndojmë,
Jemi degët e një rrënje ,
Degët rrënjën se harojn.