• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA DHE AMERIKA NË MES TË NJË MIQËSIE TË VJETËR DHE NJË KAPITULLI TË RI

August 2, 2022 by s p

Shkruan Mehmet PRISHTINA/

Valixhja diplomatike e krerëve shtetërorë Osmani e Kurti pas kthimit nga Washingtoni, kësaj radhe mund të peshojë pak më tepër , kurse efektet e saj mund të ndjehen në dy drejtime -njëri është fuqizimi i pavarësisë energjetike të Kosovës, do të thotë, më pak energji nga Serbia – dhe drejtimi tjetër, mbështetje politike për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Kosova në hartën e globit është një pike mikroskopike, por në fokusin e politikës së jashtme amerikane vendi ynë ndodhet në një dioptri të zmadhuar.
Për Kryeministrin Albin Kurti mund të jetë një kapitull i ri marrëdhënia e Kosovës me SHBA-të, siç e tha edhe ai vetë, sidomos pas takimit me Sekretarin shtetëror, Antony Blinken, por shqiptarët kanë një miqësi më të hershme. Kjo dëshmohet edhe në bazë të një ankete të realizuar së fundmi nga agjencia prestigjioze për hulumtimin e opinionit publik GALUP, sipas së cilës 82% e shqiptarëve janë dakord me lidershipin amerikan, dhe për rrjedhojë Shqipëria dhe shqiptarët janë populli më pro-amerikan mes shteteve anëtare të NATO-s.
Në emër të kësaj miqësie janë ndërtuar edhe raportet e ndërsjella dhe janë konfiguruar pozicionet në favor të zgjidhjeve që kanë rezultuar në pavarësimin e shtetit të Kosovës.
Por, referuar edhe burimeve diplomatike në të cilat thirren disa media në rajon, mund të thuhet se rezultatet e kësaj vizite të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, mund të ndjehen në dy drejtime -njëri është fuqizimi i pavarësisë energjetike të Kosovës, do të thotë, më pak energji nga Serbia – dhe drejtimi tjetër, mbështetje politike për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Gjithsesi, valixhja diplomatike e krerëve shtetërorë Osmani e Kurti pas kthimit nga Washingtoni, kësaj radhe mund të peshojë pak më tepër, si në aspektin e porosive që ata morën nga Amerika, ashtu edhe në aspektin e përmbajtjes substanciale, që kësaj radhe kishte të bënte me nënshkrimin e Marrëveshjes me MCC-në.
Buzëqeshja e delegacionit kosovar atë ditë kur zbritën në aeroportin ndërkombëtar të Kosovës, kishte kuptim për disa arsye, por ajo që është më e rëndësishme ka të bëjë me faktin se pozicioni i Kosovës në politikat e jashtme amerikane mbetet prioritet i palëkundur dhe se udhëheqja e re kosovare, edhe përkundër dilemave në opinionin publik, megjithatë gëzon mbështetje të pakursyer nga ana e administratës së Joe Biden.

“Kosova është një partner i palëkundur i Shteteve të Bashkuara dhe mendoj se siç e dini të gjithë, ka një histori të gjatë dhe të fortë mes nesh, veçanërisht me Presidentin Biden, i cili ju dërgon përshëndetjet e tij të ngrohta për të dy”, tha sekretari Blinken në takim me Osmanin dhe Kurtin. Për ta përforcuar këtë qëndrim, Blinken pas takimit ka shkruar në Twiter: “Jemi duke punuar së bashku për të përcaktuar disa çështje që janë të rëndësishme për SHBA-në dhe shtetin tuaj”, duke shtuar se me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin, Albin Kurti, “kanë diskutuar edhe për çështjet kritike të sigurisë rajonale”, por nuk ka dhënë më shumë detaje.

Kosova në hartën e globit është një pike mikroskopike, por në fokusin e politikës së jashtme amerikane vendi ynë ndodhet në një dioptri të zmadhuar. Këtë e konfirmoi edhe zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, i cili tha se gjatë takimit, sekretari shtetëror i SHBA-së, Blinken, ka potencuar partneritetin e qendrueshëm midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, me ç’rast ai ka falenderuar dy udhëheqësit kosovarë për mbështetjen e tyre për Ukrainën dhe pritjen e afganëve që u larguan nga vendi i tyre pas ardhjes në pushtet të Talebanëve.
“Ata diskutuan për rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllim njohjen reciproke, në rrugën drejt integrimeve euroatlantike”, tha zëdhënësi Price.
Atmosfera që mbretëroi në zyrat e State Departamentit Amerikan, atë ditë kur po qëndronin udhëheqësit nga Kosova, ishte një konfirmim praktik për miqësinë tradicionale shqiptaro-amerikane. Ishte vetë Presidentja Vjosa Osmani ajo e cila nuk e fshehu entuziasmin nga takimi me shefin e diplomacisë amerikane, duke nënvizuar se takimi me Blinken “ishte i shkëlqyeshëm”, dhe , sipas saj, edhe një herë u konfirmua që “Kosova nuk ka mik më të madh e më të mirë se sa SHBA-në”.
Presidentja Osmani dha edhe hollësi të tjera nga takimi me Antony Blinken, që në të ardhmen mund të jenë edhe pikat orientuese të një udhërrëfimi për politikën e Kosovës.
“Biseduam për fuqizimin e subjektivitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, nevojën e Kosovës që të jetë anëtare e NATO-s, si dhe për rolin konstruktiv të Kosovës në dialogun me Serbinë”, tha Osmani.
Sa i përket dialogut me Serbinë, presidentja Osmani tha se në takim me Blinken, “kanë biseduar në detaje për disa nga marrëveshjet e arritura në kuadër të këtij procesi, siç është ajo e energjisë”, dhe shtoi se “administrata e SHBA-së ka qenë e qartë që procesi i dialogut të përqendrohet në njohje reciproke, gjë që është konfirmuar edhe sot gjatë këtij takimi”. Por, duke qenë miqë dhe aleat besnik, Kosova dhe SHBA ndajnë edhe shqetësimet e përbashkëta sa i përket kërcënimeve destabilizuese në Ballkan dhe më gjerë. Një prej atyre shqetësimeve , sipas Presidentes Osmani, që është ngritur në takim me Antony Blinken, “ishte edhe roli që ka Rusia në destabilizimin Ballkanit Perëndimor”.
“Sekretari Blinken, njësoj sikurse presidenti Biden, e njohin shumë mirë këtë histori të intencave ruse në rajonin tonë dhe në asnjë moment nuk e largojnë vëmendjen e tyre, gjë që na konfirmuan edhe sot, në mënyrë që bashkërisht të punojmë që t’i ndalim këto tendenca për destabilizim në rajonin tonë”, tha Osmani.
Për të kuptuar më mirë rolin që ka Amerika në shtrirjen e ndikimit të saj në rajon, shikuar nga prizmi i vizitës së fundit të krerëve shtetëror të Kosovës në Washington, mjafton të lexohen analizat që botohen në shtypin e Beogradit, e të cilat mbështeten edhe në burime të huaja diplomatike.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës zgjodhën një moment të tillë për këtë vizitë duke e pasur në mend nevojën për të konfirmuar prezencën e tyre në rajon, tani që përflitet për rreziqe sigurie në rajon si pasojë e ndikimit rus në pjesë të Ballkanit Perëndimor – veçanërisht në Serbi, e cila dukshëm po vonohet ose s’është e gatshme të rreshtohet drejt politikave perëndimore në lidhje me konfliktin në Ukrainë dhe sanksionet ndaj Rusisë; dhe kjo është më e rëndësishmja se pse ShBA-ja të forcojë edhe më shumë bashkëpunimin me Kosovën”.
Kështu e kanë shpjeguar burimet diplomatike të gazetës serbe “Danas” takimin e krerëve shtetëror kosovarë në Departamentin amerikan të Shtetit, duke e quajtur atë “përtej nënshkrimit të marrëveshjes për energji”, por si “forcim të lidhjeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Kosovën”.
Ekonomia e Kosovës po kalon nëpër sfida të shumta, sidomos pas krizës në Ukrainë, si pasojë e invazionit rus, ku pasojat e kësaj krize po reflektohen edhe jashtë zonës së konfliktit. Kjo ka qenë edhe arsyeja që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, takimin me ministrin e Jashtëm Blinken e ka shfrytëzuar për të kërkuar më shumë investime amerikane në Kosovë dhe rritje të shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve.
Zatën edhe qëllimi kryesor i vizitës së Presidentes Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Kryeministrit Albin Kurti, në SHBA ishte që të marrin pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për Programin Kompakt me Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit, një projekt ky që kap vlerën e 236.7 milionë dollarëve. Kjo ndihmë e SHBA-së ka për qëllim “forcimin e sektorit të energjisë në Kosovë dhe fuqizimin e përfshirjes së grave në këtë fushë”.
Në emër të Kosovës, firmën në marrëveshje e ka hedhur ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ndërsa nga pala amerikane, nënshkruese ishte Alice Albright, udhëheqëse e MCC-së dhe vajza e ish-sekretares Medeline Albright.
Por, gjithsesi kjo vizitë e rëndësishme e krerëve shtetërorë të Kosovës në Washington shpërfaqi edhe njëherë intencën që politika jonë e jashtme ka nevojë për një koordinim më të ngeshur me Amerikën. Kjo edhe për faktin se, sado që Kryeministri Kurti ka një pikëpamje krejt tjetër, megjithatë procesi i shtetndërtimit të Kosovës ende po varet nga disa sfida të jashtme, sidomos nga mospërmbyllja e problemeve me Serbinë.
“Rreth 80% të vëllmit kohor të atij takimit ka pasur të bëjë me raportet bilaterale Kosovë – Amerikë dhe kontekstin ndërkombëtar. ShBA-ja e njeh Kosovën siç i ka shpallur kufijtë. Shtet i pavarur dhe sovran. Raportet tona me Serbinë nuk janë normale dhe duhet t’i normalizojmë. Si duket, për formulën e normalizimit të raporteve me Serbinë, pajtohemi me Amerikën. Është marrëveshje e obligueshme për normalizim të raporteve me njohje reciproke. Është përmendur Manastiri i Deçanit. Por 80% kemi folur për kontesktin ndërkombëtar të Kosovës”, tha Kurti.
A mundet Kosova të zhvillohet së brendshmi, duke mbajtur qafën varur nga gurët e rëndë të moszgjidhjes së problemeve me Serbinë?
Apo ndoshta lidershipi kosovar duhet të angazhohet në të dy “fronte” paralele, duke aktivizuar, në njërën anë, potencialin e brendshëm njerëzor e natyror në nxitjen e ritmeve zhvillimore të vendit dhe, në anën tjetër, duke imponuar një kreativitet më të madh politik e diplomatik, dhe në koordinim të plotë me Washingtonin e Brukselin, në përmbylljen pa hezitim të procesit negocues me Serbinë. 

Filed Under: Emigracion Tagged With: Mehmet Prishtina

Platforma e pakompletuar e Kosovës, po krijon perceptim të gabueshëm mbi gjoja rrezikimin e serbëve

July 20, 2022 by s p

Shkruan Mehmet PRISHTINA

Nëse dialogu me Serbinë qenka përcaktuesi kryesor i procesit euro-integrues të Kosovës, dhe nëse Serbia ka qasje bllokuese ndaj Kosovës, atëherë si duhet të sillet BE? Çka duhet të ndërmerr Brukseli që kjo qasje e Beogradit të mos vazhdojë deri në pafundësi, ndërkohë që e ardhmja evropiane Kosovës të varet, jo nga anagazhimet e saj për të ndërtuar shtet ligjor, me të gjitha kapacitetet demokratike, por nga teket e Serbisë.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut shënuan një hap të rëndësishëm në procesin eurointegrues, pas fillimit të negociatave për anëtarësim në BE. Ky është një lajm tepër i veçantë për gjithë rajonin, sidomos për shqiptarët, sepse vlerat evropiane tash e tutje marin një kuptim më thelbësor, mu në kohën kur kërcënimet e jashtme dhe të brendshme për destabilizim të Ballkanit Perëndimor janë më evidente se kurdo herë më parë.

Një përfituese e tërthortë i këtij procesi gjithsesi është edhe Kosova, për shkak se hapen mundësitë që edhe vendi ynë të jetë më afër axhendës evropiane për zgjerim, por edhe për shkak se tash e tutje reflektorët e BE-së do të përqëndrohen më tepër tek çështjet e pambyllura me Serbinë.

Megjithatë, nëse i referohemi gjendjes momentale do të shohim se procesi i dialogut me Serbinë duket të jetë pengesa e Kosovës për shumë procese, përfshi edhe përfitimin e statusit të vendit kandidat për BE dhe liberalizimin e vizave.

Ndonëse, kryeministri Albin Kurti është zotuar se brenda këtij viti Kosova do të aplikojë zyrtarisht për anëtarësim në Bashkimin Evropian, kjo nuk është kurrfarë garance që shteti ynë mund ta marrë statusin e kandidatit pa e përfunduar dialogun me Serbinë.

Pra, gjithçka është e varur nga Serbia, gjegjësisht nga vullneti i saj për të demonstruar konstruktivitet në raport me Kosovën, gjë që tani për tani nuk po ndodhë.

Në një situatë të tillë kur Serbia nuk është gjithaq e interesuar të jetë pjesë e BE-së dhe ka qasje bllokuese ndaj Kosovës, si duhet të sillet Brukseli?

Çka duhet të ndërmerr BE që kjo qasje e Beogradit të mos vazhdojë deri në pafundësi, ndërkohë që e ardhmja evropiane e Kosovës të varet, jo nga anagazhimet e saj për të ndërtuar shtet ligjor, me të gjitha kapacitetet demokratike, por nga teket e Serbisë.

Nëse i hedhim një sy procesit nëpër të cilin ka kaluar Maqedonia e Veriut, dhe sidomos stagnimit të saj për shkak të problemeve që i ka shkaktuar Bullgaria lidhur me çështjet identitare maqedonase, do të vërejmë se qasja e BE-së erdhi duke evoluar në favor të një zgjidhjeje kompromisi, ku e fituar doli sërish Maqedonia e Veriut.

Fillimisht Bullgaria ishte tepër rigjide në qëndrimet ndaj Maqedonisë së Veriut, duke e kushtëzuar atë të heq dorë nga disa elemente qenësor të identitetit nacional, siç janë gjuha, historia, heronjtë kombëtarë etj.

Në shikim të parë fitohej përshtypja se asnjëherë nuk do të tejkalohet hendeku bullgaro-maqedonas, mirëpo ndodhi ajo që edhe skeptikët nuk e kishin parashikuar. Bullgaria e hoqi veton, kurse Maqedonia e Veriut u zotua se do t’i përfshijë bullgarët në preambullën e Kushtetutës së saj. Për rrjedhojë u hapën negociatat për anëtarsim në BE.

Në rastin e Kosovës në raport me Serbinë, analogjia e mësipërme mundet të përdoret si model, por edhe të bëhen disa përjashtime.

Fillimisht cilat janë ato përjashtime dhe ku nuk mund të vie në shprehje analogjia:

E para, Serbia nuk është anëtare e BE-së dhe nuk është në pozitën e Bullgarisë që t’i vendos veto Kosovës dhe të nxjerr kushte sipas kutit të saj;

E dyta, në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk ka çështje të pazgjidhura identitare dhe për pasojë procesi eurointegrues nuk mund të mbahet peng i këtyre çështjeve;

E treta, Bullgaria nuk kishte kurrfarë pretendimi juridiko-kushtetues ndaj Maqedonisë, siç ka aktualisht Serbia, e cila ende nuk e ka hequr Kosovën nga Kushtetuta e saj dhe e ka mohuar kategorisht njohjen e saj si shtet;

Brukseli, siç ka pohuar edhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak, po punon për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve, por ende nuk është definitive nëse njohja e Kosovës do të jetë pjesë e dialogut në Bruksel. Sipas Lajçakut, Kosova e Serbia duhet të dakordohen nëse do të ketë apo jo njohje reciproke në procesin e dialogut.

Krerët shtetëror dhe intitucional, si dhe spektri i gjerë politik-opozitar e shoqëror i Kosovës duhet të ndërtojnë një platformë e cila do të saktësonte shumë çështje dhe do të mbyllte disa dilema sa i përket problemeve me Serbinë që po paraqiten si pengesë për procesin eurointegrues të shtetit tonë.

Së pari kjo platformë duhet ta ketë një formulim të qartë se Kosova duhet të dialogojë me Brukselin e jo me Beogradin sa i përket temave mbi pakicat dhe konform standardeve europiane të merr zotime për mbylljen e këtyre temave.

Së dyti, nëse Serbisë i lejtohet të ketë qasje paternaliste ndaj serbëve të Kosovës, atëherë me automatizëm një e drejtë e tillë duhet t’i njihet edhe Kosovës sa i përket shqiptarëve në Jug të Serbisë.

Platforma e re e Kosovës, e cila do të saktësonte shumë tema dhe do të përmbyllte disa dilema, duhet t’i përmbajë patjetër këto elemente të qenësishme, sepse tryeza e bisedimeve me Serbinë do të ngelte e mangët nëse nuk shtrohet çështja e reciprocitetit edhe në trajtimin e minoriteteve në shtetet përkatëse.

Kjo platformë gjithashtu duhet të jep sqarime shtesë edhe sa i përket pozicionit të Kosovës në kontekstin rajonal e evropian, duke e afirmuar aspiratën e saj properendimore, si garancë e ruajtjes së baraspeshave gjeopolitike, ndërkohë që Serbia vazhdon të mos iu bashkohet sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë.

Këto dhe çështje të tjera duhet t’i thuan më zëshëm zyrtarët e Kosovës, të cilët po i shohim shpesh në Bruksel, por edhe në takimet me diplomat të rëndësishëm amerikanë e botërorë.

Këto duhet t’i thuan edhe përfaqësuesit e opozitës, të shoqërisë civile si dhe të botës akademike e intelektuale.

Në shtypin ndërkombëtar mungojnë autorët nga Kosova, të cilët do të argumentonin më gjithanshëm dritë-hijet e raporteve me Serbinë. Kjo ka shumë rëndësi, sepse ende në një pjesë të diskursit publik evropian ekziston perceptimi i gabueshëm mbi cënimin e të drejtave fetare të serbëve ortodoksë në Kosovë, përfshi edhe Manastirin e Deçanit, i cili në hartat e Europa Nostra figuron si trashëgimi fetare gjoja e rrezikuar.

Është i pakuptimt madje absurd ky pasivitet i autorëve të Kosovës, të cilët gabimisht e kanë kuptuar se mbrojtja e atdheut nga propaganda e keqe është vetëm detyrë e qeverisë dhe intitucioneve shtetërore.

Për të painformuarit që jetojnë në Londër, në Bruksel, në Paris, në Berlin etj. perceptimi mbi Kosovën krijohet mbi atë çka thotë propaganda serbe dhe ata do të vazhdojnë të ngelin të painformuar dhe të dezinformuar nëse autorët e Kosovës nuk e paraqesin anën tjetër të medaljes, e cila mund të jetë komplet e ndryshme nga tymnaja serbe që hidhet mbi qiellin e kthjelltë të Kosovës.

Prishtinë, 20 korrik 2022

Filed Under: ESSE Tagged With: Mehmet Prishtina

Liderët shqiptarë duhet të kultivojnë frymën e Lidhjes së Prizrenit

June 10, 2022 by s p

Nga Mehmet PRISHTINA

Liderët tanë në Prishtinë, Tiranë , Shkup, Podgoricë e Luginë të Preshevës, do të duhej të mblidhen dhe të takohen më shpesh në mes veti se sa me politikanët tjerë të rajonit. Atdhetarët shqiptarë nuk u flijuan vetëm për një copë lirie që e gëzojmë ne sot. Ata u flijuan mbi të gjitha për një kauzë panshqiptare e cila do të sillte më shumë mirëkuptim e harmoni të brendshme kombëtare, si parakusht i ndërtimit të urave të bashkëpunimit dhe integrimit edhe me popujt tjerë në kuadër të ombrellës euro-atlantike.

Sot mbushen 144 vjet nga organizimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit , një ngjarje kjo me karakter panshqiptar që për herë të parë në histori fermentoi energjitë e brendshme politike e ushtarake kombëtare.

Pas Kuvendit të Lezhës të marsit të vitit 1444, nën organizimin e Gjergj Kastriotit Skënderbeu dhe udhëheqësve të principatave, përkatësisht të princave shqiptare në shekullin e 15, Lidhja e Prizrenit do të mbetet platforma më gjithëpërfshirëse e aspiratave shqiptare për unitetin kombëtar dhe territorial të tyre.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk erdhi vetvetiu dhe spontanisht si ngjarje e shkëputur nga konteksti i kohës. Sikundër dihet, Komiteti i Stambollit i themeluar nga ajka kombëtare e kohës, më 1877, me qëllim të çlirimit dhe të ruajtjes së territoreve shqiptare nga hegjemonizmi sllave dhe ai grek, pasi që Perandoria turke pas Tanzimatit (1848) dhe luftërave ruso-turke më 1875/76, me shpejtësi po goditej dhe tronditej nga e ashtuquajtura “Kriza Lindore”, me kohë kishte nuhat rrezikun e copëtimit të trojeve të tyre, andaj, me shpejtësi themeloi “Komitetin e Shpëtimit” të trojeve etnike.

Historia e formimit të Lidhjes së Prizrenit na ka dëshmuar një fakt të pamohueshëm se pa përfshirjen e ajkës së kombit, që përbëhet nga intelektualët dhe atdhetarët më të devotshëm, liria dhe pavarësia kombëtare nuk do të arrinte asnjëherë. Kjo komponentë u vërejt që në Komitetin e Stambollit, i cili përbëhej nga një plejadë intelektualësh më të shquar të kombit: Pashko Vasa, Jani Vreto, Ymer Prizreni, Zia Prishtina, Sami Frashëri, Ahmet Korenica, Mihal Harito, Iljaz Dibra, Mehmet Ali Vrioni, Seid Toptani, Mustafa Nuri Vlora, Mon Tahiri etj. Këtyre intelektualëve do t`u bashkohet ideologu dhe patrioti i shquar i familjes së njohur Frashëri, Abdyl bej Frashëri.

Bashkimi i këtyre figurave të shquara të kombit, i hapi rrugën të gjitha aksioneve politike e ushtarke të shqiptarëve që ndodhën pas firmosjes së Marrëveshjes së Shën Stefanit mes Rusisë dhe Turqisë, ku Shqipërisë nuk iu njoh asnjë e drejtë territorial. Kështu lindi edhe Lidhja e Prizrenit , e cila u mblodh si kundërvënie ndaj aspiratave për copëtimin e viseve shqiptare.

Ajo çka e bën të veçant këtë Lidhje ishte fakti se delegatët që morën pjesë në Kuvendin Mbarëkombëtar kishin si ajtmotiv pune një unitet të plotë mendimi e veprimi pasi që të gjithë qenë të vendosur për të kundërshtuar me çdo çmim copëtimin e trojeve shqiptare dhe për të mbrojtur tërësinë tokësore të Shqipërisë.

Karakteri dhe programi plitik i Lidhjes së Prizrenit do të shërbejë për shumë dekada si udhërrëfyes i atdhetarëve shqiptarë, të organizuar në grupime e orientime të ndryshme politike e ideologjike. E përbashkëta e këtij udhërrëfimi ishte vendosja e interesave kombëtare mbi ato partiake e ideologjike. Vendosja e Atdheut mbi çfarëdo lloj interesi personal, siç veproi edhe kolosi kombëtar Hasan Prishtina, i cili mbetet shembull unik në historinë politike shqiptare, me vetëfljimin e tij për interesin e përgjithshëm kombëtar, duke hequr dorë nga të mirat materiaiale e fianciare që pati.

Kanë kaluar mbi një shekull dhe shqiptarët janë në kërkim të një Hasan Prishtine të dytë, i cili vizionin e udhëheqjes do ta bazonte mbi parimet e pastra kombëtare, që nënkupton sakrifikimin e egos personale në favor të kauzës shqiptare.

Sot fatkeqësisht kemi plot politikan të zgjuar, por ata ende vuajnë pasojat e robërisë së brendshme shpirtërore, si rezultat i egove të mëdha, sepse, siç thonë psikologët, robëria e brendshme i pengon njerëzit ta perceptojnë drejt lirinë e jashtme.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit sot nuk do të duhej të mësohej vetëm si një leksion në orët e para të mësimit nëpër shkollat tona. Ajo parasegjithash do të duhej të mbindërtohet si ndërgjegje e pastër politike për të gjithë ata që e kan pasion marrjen me punë të rënda shtetërore e institucionale.

Kur u mbajt Lidhja e Prizrenit, shqiptarët ishin të dekdisur në të katër anët dhe ishte vështirë të grumbullohen në një vend për të marrë vendime historike. Mirëpo ideali kombëtar ishte më i madh se kapriciet individuale, prandaj ajo depërtoi në zemrat e çdo idealist dhe e ndezi zjarrin e atdhedashurisë në të gjitha cepet e viseve shqiptare.

Sot kur rrethanat kanë ndryshuar në favor të proceseve për të cilat shqiptarët kishin luftuar me shekuj, a mund të themi se klasa politike – edhe në Kosovë edhe në Shqipëri, po e neglizhon peshën dhe vizionin e Lidhjes së Prizreni, duke mos punuar në frymën e saj?

Vetëm pak ditë më parë, në Ohër u mbajt samiti i radhës i Ballkanit të Hapur, ku përpos Kosovës ishin prezent edhe politikanët kryesor të rajonit. Në mesin e tyre edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, lideri i BDI-së Ali Ahmeti si dhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

Do të tingëllonte anakronike të kërkojmë që shqiptarët të vazhdojnë të mbajnë kokën prapa dhe të kufizohen vetëm në forume të brendshme kombëtare, siç ishte edhe Lidhja e Prizrenit. Por, ajo çka është e pafalshme për liderët aktual shqiptarë, ndërlidhet me mosbashkëpunimin dhe moskoordinimin në mes tyre, siç u vërejt edhe në Samitin e Ohrit, ku politikanët shqiptarë ende nuk e kanë një qëndrim unik nëse duhet apo jo të merret pjesë në këtë iniciativë rajonale. Kjo edhe për faktin se Kosova ende nuk i ka kapërcyer sfidat për t’i siguruar asaj perspektivë evropiane. Se kjo është kështu, dëshmon edhe mesazhi që solli sot në Prishtinë Kancelari gjerman Olaf Scholz, i cili në takimin me kryeministrin Albin Kurti, theksoi rëndësinë e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë. Ai ka bërë thirrje për dialog mes dy vendeve si të vetmen mundësi drejt rrugës në BE. Është e paimagjinueshme që dy vende që nuk njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të BE-së, tha Scholz, duke kërkuar që dy shtetet të vazhdojnë bisedimet për dialog.

Kancelari Scholz gjatë qëndrimit në Prishtinë u mor edhe me Ballkanin e Hapur. I pyetur nëse Gjermania mbështet Ballkanin e Hapur, nismë ku Kosova refuzon të marrë pjesë, tha se vendi i tij i jep prioritet Tregut të Përbashkët Rajonal.

Scholz theksoi se Procesi i Berlinit është forumi që i çon në BE vendet e Ballkanit Perëndimor, jo Ballkani i Hapur.

“Sa i përket Open Balkan, dua ta them të qartë se ne prioritet të madh i japim Tregut të Përbashkët Rajonal që mendojmë se duhet të përparojë dhe çështjet brenda tij mund të realizohen dhe të çohen përpara”, tha ai.

Më tej kancelari Scholz tha se shtete që duan të anëtarësohen në BE duhet t’i ndjekin rregullat e lirisë së lëvizjes.

“Të gjithë duan të shkojnë në BE atje edhe ashtu ekzistojnë dhe janë të vlefshme rregullat e lirisë së lëvizjes dhe kushdo që dëshiron t’i bashkohet BE-së duhet t’i ndjek ato”, u shpreh Scholz.

Vizita në Kosovë e Kancelari Scholz po koincidon me 140 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, prandaj sfidat janë shumë më të mëdha se kapriciet individuale të politikanëve tanë në Prishtinë, Tiranë , Shkup, Podgoricë e Luginë të Preshevës , të cilët duke kultivuar frymën e unitetit dhe bashkërendimit që pati Lidhja e Prizrenit, do të duhej të mblidhen dhe të takohen më shpesh në mes veti se sa me politikanët tjerë të rajonit. Atdhetarët shqiptarë nuk u flijuan vetëm për një copë lirie që e gëzojmë ne sot. Ata u flijuan mbi të gjitha për një kauzë panshqiptare e cila do të sillte më shumë mirëkuptim e harmoni të brendshme kombëtare, si parakusht i ndërtimit të urave të bashkëpunimit dhe integrimit edhe me popujt tjerë në kuadër të ombrellës euro-atlantike.

Prishtinë, 10 qershor 2022

Write to Mehmet Prishtina

Filed Under: Politike Tagged With: Mehmet Prishtina

MANGËSITË E DIPLOMACISË SONË EKONOMIKE

May 27, 2022 by s p

Burimet natyrore, si thëngjilli dhe disa minerale të tjera, mund të jenë faktorë kyç në krijimin e një qëndrueshmërie ekonomike dhe mund të sigurojnë një rritje ekonomike dhe joshje investitorëve strategjikë. Mirëpo në pratikë ka ndodhur e kundërta. Jo vetëm që nuk u joshën investitorët e huaj, por ata u dëbuan me metodat më barbare. Kjo edhe për faktin se nuk funksionon diplomacia ekonomike, e cila përmendet shkarazi vetëm në ndonjë takim kurtoazie të politkanëve tanë me diplomat e huaj.

Nga Mehmet PRISHTINA/

Para shpalljes së pavarësisë (2008), Kosova me të drejtë ankohej se nuk kishte sovranitet të plotë politik e institucional për të hartuar një strategji të mirëfillt ekonomike, sepse disa kompetenca të kësaj fushe i takonin UNMIK-ut, si rrjedhojë e Rezolutës 1244. Efektet negative të mungesës së sovranitetit janë reflektuar negativisht në shumë fusha dhe sidomos në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar me organizatat ndërkombëtare, siç janë Banka Botërore, OBT dhe organizatat tjera financiare ndërkombëtare-tregtare. Megjithatë bashkësia ndërkombëtare siguroi një mbështetje substanciale për rindërtimin e pasluftës dhe rivitalizimin e Kosovës, me ç’rast u zbatua me sukses programi i rikonstruimit gjatë fazës emergjente, ku edhe u shënua progres në zhvillimin ekonomik, posaçërisht gjatë periudhës 1999-2002.Në fazat e mëvonshme u dëshmua se zhvillimi ekonomik nuk u dhëhoq nga një strategji afatgjate e cila do të bazohej mbi mendimin shkencor të ekspertëve. Të gjitha qeveritë, pa përjashtim, hartuan strategji ekonomike populiste, vetëm për efekte elektorale, që nuk u zbatuan asnjëherë, sepse ishin të destinuara të dështojnë. Një ekonomi kombëtare konsiderohet e qëndrueshme nëse është e aftë të shfrytëzojë burimet dhe kapacitetet e saj njerëzore, financiare dhe kapitale, për gjenerimin e rritjes të vazhdueshme ekonomike dhe për sigurimin e mirëqenies së gjithë banorëve të saj.Përvoja 20 vjeçare ka dëshmuar se burimet njerëzore në Kosovës janë sfrytëzuar vetëm në ato fusha ku përkatësia partiake ka qenë kriter mbizotërues kundrejt kritereve profesionale. Kjo pastaj ka ndikuar në ngecjen e rritjes ekonomike dhe të mirëqenies së qytetarëve.Sipas statstistikave rezulton që nga viti 2002 rritja ekonomike ka shënur një ngadalësim gradual që u reflektua në përkeqësimin e pozitës sociale të qytetarëve, gjegjësisht në rritjen e papunësisë. Ky trend negative i zhvillimit ekonomik ndikoi negativisht edhe në psikologjinë e investitorëve e donatorëve të huaj, dhe për pasojë kemi reduktimtë donacioneve ndërkombëtare për 75% në krahasim me periudhën deri më 2002.Nëse iu referohemi të dhënave që i plasojnë here pas here ekspertët, mund të themi se sa i përket pasurive natyrore, Kosova mund të konsiderohet relativisht e pasur dhe ka përparësi në krahasim me vendet e rajonit. Këto pasuri, sidomos minierat, mund të konsiderohen burime të zhvillimit, me kusht që të janë të shoqëruara me teknologji të avancuara dhe shërbime nga fusha e hulumtimeve zhvillimore. Burimet natyrore, si thëngjilli dhe disa minerale të tjera, mund të jenë faktorë kyç në krijimin e një qëndrueshmërie ekonomike dhe mund të sigurojnë një rritje ekonomike dhe joshje investitorëve strategjikë.Mirëpo në pratikë ka ndodhur e kundërta. Jo vetëm që nuk u joshën investitorët e huaj, por ata u dëbuan me metodat më barbare. Tani kur Kosova ballafaqohet me një normë papunësie prej 40%, dhe me bilanc negativ tregtar, është shumë vështirë të binden investitotorët e huaj që të derdhin kapitalin e tyre në vendin tonë. Kjo edhe për faktin se nuk funksionon diplomacia ekonomike, e cila përmendet shkarazi vetëm në ndonjë takim kurtoazie të politkanëve tanë me diplomat e huaj, por edhe çpër faktin se nuk kemi ndonjë dokument që mund të quhet Strategji e diplomacisë ekonomike.Çdo shtet që ka pretendime serioze, i kushton një rëndësi të madhe diplomacisë ekonomike, për arsye se diplomacia ekonomike është një krah i fortë që mund të shërbejë për të zgjeruar rritjen e influencës ekonomike.Në rrethanat kur shërbimi ynë i jashtëm diplomatik nuk është kompletuar me stafin e domosdoshëm, është iluzore që të kemi një diplomaci të mirëfillt ekonomike. Nëse bazohemi në gjendjen faktike, atëherë ambasadat tona kanë dështuar të lehtësojnë qasjen në tregjet e huaja për bizneset nacionale, në tërheqjen e investimeve direkte të huaja dhe pjesëmarrja në institucionet ndërkombëtare duke i’u shërbyer interesave nacionale.Prandaj, është e domosdooshme që krahas Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës të aktivizohen edhe digasterët tjerë që të ndërrmarin nisma të përbashkëta për funksionalizimin ndër-institucional me qëllim realizimin e suksesshëm të diplomacisë ekonomike. KJo mund të arrihet nëse misionet diplomatike sigurojnë material propagandues për kapacitetet egzistuese të Kosovës, si dhe organizojnë takime të odave ekonimikee tregtare ku bizneset nga Kosova do të prezantonin vlerat dhe kapacitet e veta. Por kjo nuk mund të arihet pa një kuadër të kualifikuar profesionalisht, i cili do të operonte me njohuri që janë kompatibile me trendet ndërkombëtare të ekonomisë dhe biznesit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Mehmet Prishtina

HASAN PRISHTINA, NJË AMANET I DYFISHTË QË SHKOI NË VLORË

May 10, 2022 by s p

Mehmet Prishtina*

Të ndruar motra dhe vëllezër, të nderuar njerëz të mirë të Vlorës, I nderuari Kryetar i Bashkis Vlorë z. Dritan LeliI nderuari Minister i Mbrojtjes së Republikes së Kosovës z.Armned Mehaj I nderuari kryetar i kryqytetit të Kosovës z. Perparim Rama,sot para jush vjen një amanet i dyfisht nga Kosova. Amaneti i parë është vet historia Kosovës që është ngusht e lidhur me Vlorën e Pavarësisë, me Vlorën e Ismail Bej Qemalit, kurse amaneti i dytë është i babait tim të ndjerë si detyrim moral për mua, që u vra në një ballafaqim me forcat serbe në Drenicë. Ky amanet sot ndodhet para jush, është shtatorja e kolosit tonë Hasan Prishtina, e derdhur në bronx nga skulptori nga Mitrovica, Sabri Behramaj, një vepër kjo artistike e punuar me dashuri e përkushtim të madh krijues. Prandaj, shfrytëzoj rastin që sot publikisht të faleminderoj Sabriun për këtë vepër që u bë edhe shkas të jemi sot bashkë të gjithë në Vlorën tonë të lavdisë dhe bujarisë, aty ku në shiritin e kohës na rikthehet edhe një herë ballkoni prej ku u valvit për herë të parë flamuri i shtetit të pavarur shqiptar si dhe fama e burrave të Kaninës, prej ku doli figura markante e Ismail Bej Vlorës.Hasan Prishtina që moti e kishte vendin në Vlorë, aty ku ai fizikisht, intelektualisht e shpirtërisht ishte i lidhur, por rrethanat e kohës, që dijnë nganjëherë të jenë edhe absurde, ndikuan që të ndodhë një shkëputje në mes të vet figurës së Hasan Prishtinës dhe Vlorës si piemont i pavarësisë së Shqipërisë. Dhe tani, jo vetëm që po e kthejmë në vend një padrejtësi të shtresuar me dekada, por po vendosim edhe një komunikim të përhershëm e të pandërprerë në mes të këtij kolosi dhe brezave të ardhshëm, me qëllim të ruajtjes së vazhdimësisë historike e kombëtare të procesit të shteformimit shqiptar.Kjo edhe për faktin se Hasan Prishtina, jo vetëm që ishte një nga arkitektët kryesor të Pavarësisë së Shqipërisë, por, ai me dijen, guximin dhe largpamësinë vizionare i dha kombit tonë dinjitetin përfaqësues në arenën e madhe diplomatike të kombeve tjera. Ky përfaqësim fillimisht buronte nga brenda, sepse ai me besnikëri dhe devotshmëri të lartë i përfaqësoi krahinat shqiptare që nga Shqipëria e mesme e deri ato të jugut të Shqipërisë në negociatat me autoritet turke në prag të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Duke qenë anëtar i kabinetit të parë qeveritar të Ismail Qemalit, pastaj edhe kryeministri i tetë i Shqipërisë, Hasan Prishtina, gjithë trajektoren e veprimit të tij politik e kombëtar e kishte të përqëndruar në krijimin e rrethanave për një atdhe të përbashkët të shqiptarëve. Por, gërshërët e konferencave ndërkombëtare e pamundësuan realizimin e këtij projekti… Sot kur në Vlorën tonë të lavdisë dhe dinjitetit kombëtar po e përjetësojmë figurën e Hasan Prishtinës në formë të kësaj shtatoreje të bukur, s’ka si të mos faleminderojmë të gjitha ato subjekte, individë, institucione e segmente shtetërore këtu në Shqipëri, sidomos Bashkinë e Vlorës, për nderin që po i bëhet sot figurës së Hasan Prishtinës, duke e vendosur atë në një hapësirë mjaft të dinjitetshme, në një diagonale me figurën markante të Ismail Bej Vlorës, me çka po plotësohet edhe një mozaik i munguar i kujtesës urbane në këtë qytet historik me rënëdisi jetike për gjihë shqiptarët. Hasan Prishtina udhëtoi nga Mitrovica në Vlorë i shoqëruar nga trupat e Forcave të Sigurisë së Kosovës, prandaj një faleminderim i sinqertë shkon edhe për ta, duke veçuar me këtë rast kontributin e ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës. Z. Armend Mehaj, i cili vuri në dispozicion një prej segmenteve më të shenjta institucionale të shtetit tonë – FSK-në Personalitetin e Hasan Prishtinës nuk mund ta shohim të shkëputur nga proceset nëpër të cilat kaloi edhe Kosova, prandaj shfrytëzoj rastin që të faleminderoj për kontriburtin e tyre atdhetar edhe çlirimtarët tanë që padrejtësisht sot ndodhen në Hagë, si dhe gjithë pjesëmarrësit dhe veteranët e Ushtrisë së Lavdishme Çlirimtare të Kosovës. Sepse vetëm lufta heroike dhe flijimi për liri i ushtarëve të UÇK-së, prodhoi krenarinë e madhe kombëtare të cilën Hasan Prishtina paraprakisht e kishte projektuar në platformëm e veprimti të tij politik e kombëtar. Pra, duke qenë ndjekës të rrugës së Hasan Prishtinës, klasa politike shqiptare ka shanse ideale që të konsolidoj strategjinë shtendërtuese, jo vetëm me fjalë por edhe me vepra konkrete, ashtu siç veproi Hasan Prishtina, i cili ishte një shembull i rrallë në historinë tonë kombëtare, duke mos marrë asgjë nga politika, por vetëm duke i dhënë asaj gjithçka të shtrenjtë. Hasan Prishtina shqiptarisë i dha modelin e politikanit që nuk blihet as nuk shitet në këmbim të kauzave të huaja politike. Ai ndërtoi kauzën e tij dhe e zgjeroi në gjithë hapësirën shqiptare, që nga Juniku, në Shkup, që nga Drenica në Labëri, që nga Prishtina në Plavë e Guci.Duke iu faleminderuar gjithë juve që keni ardhë sot nga e gjithë Shqipëria, Kosova, Maqedonia, dhe nga viset tona shqiptare në Mal të Zi, Serbi e gjetiu, në emër të familjes së gjerë të Hasan Prishtinës u shprehim mirënjohjen tonë të thellë me një zotim se doktrina hasaniste do të jetë pjesë e angazhimit tonë të vazhdueshëm kombëtar.

*Fjalimi me rastin e inaugurimit të shtatores së Heroit kombëtar Hasan Prishtina në Vlorë!

Filed Under: Kronike Tagged With: Mehmet Prishtina

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PRAPË BIEN KAMBANAT NË KISHËN E CURRJAVE T’ EPËRM
  • Çerçizi…
  • BIOGRAFIA E SHKRIMTARIT DHE LETËRSIA…
  • Rrugës për sovranitet
  • #SiSot, më 18 gusht 1887, u lind një nga përfaqësuesit më të rinj të lëvizjes për pavarësi të Shqipërisë, Ferit Vokopola
  • Kujtime për xhaxhain tim Peter Prifti, 12 vjet larguar
  • Fazli Graiçevci, dëshmori i shkollës shqipe
  • TË HIQEN PËRGJITHMONË ARMËT BËRTHAMORE
  • Borrell: Nuk ka marrëveshje Kosovë – Serbi, bisedimet vazhdojnë
  • Fjala e Kryeministrit Kurti në konferencën e përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg
  • DEKLARATË e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, lidhur me takimin e nesërm Kurti-Vuçiq
  • DREJTËSIA DHE PASTËRTIA E LUFTËS SË UÇK-së
  • TË PIKTUROSH ATË QË NDJEN…
  • JO NDARJE, ASOCIACION, EKSTRATERRITORIALITET-JO SHAMIJA, JO PËRÇARJE DHE PIKË
  • Presidentja Osmani ia dorëzoi “Urdhrin Hero i Kosovës”, familjes së heroit Sali Çekaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT