Ne radhet e organizates me te vjeter te Shqiptareve ne Bote, para dhe pas festimeve te 100 vjetorit te themelimit te Federates Panshqiptare te Amerikes VATRA, jane anetaresuar qindra bashkatdhetare, madje numri i degeve te Vatres sa vjen e rritet. Po atehere perse po e vecojme anetaresimin e nje anetari te vetem? Vete jeta e tij,jeta e nje emigranti qe iku femije nga Shqiperia, pa perkujdesjen e te rritureve, suksesi i tij ne Amerike si biznesmen, por edhe mesazhi i tij per brezin e ri,-perbejne motivet perse po e vecojme nga te tjeret. Bashkëatdhetari Eltion Seferi, me origjinë nga Peshkopia,i biri i Dalip dhe Fatmire Seferi, është vetëm 28 vjecar, por nga biznesmenët më të sukseshëm në sektorin e ndërtimtarisë. Me kompaninë e tij” LT Construction,LLC, ai është bërë shumë i kërkuar në zonën ku veprom. E nisi me një punëtor, por sot ka shumë, ndërkohë që numri i kontraktorëve vjen në rritje, ndërsa ai klientëve, i kalon të 360-ët. Eltioni tha për Diellin se pasioni për ndërtimtarinë e ka shoqëruar që në fëmijëri. Që 15 vjec ai është marrë me ndërtimtari duke ndihmuar më të rriturit. Nuk ka dibran që të mos i jetë i pasionuar pas ndërtimtarisë, tha ai për Diellin. Emigrimi në kushte të vështira drejt Italisë, kur nuk i kishte mbushur 17 vjecët, punët dhe jeta e vështirë e emigrantit, nuk e penguan që të kryente shkollimin bazë në Venezia, ku qe vendosur.
Në SHBA emigroi për një jetë më të mirë. U vendos fillimisht tek i vëllai në Brooklyn në New York, ku punoi në ndërtim, kryesisht në riparim catishë , por edhe rinovime e ndërtime të mirfillta. Një punë ndërtimtarie në New London-CT, e lidhi me këtë qytezë dhe u vendos atje. Krijoi kompaninë e tij në fillim me një punëtor, më pas erdhi rritja. Kompania e tij prej kohësh është “kompanai e muajit” e shpallur nga Home depot rajonale.
Të mërkurën me 18 Qershor Eltion Seferi, i shoqëruar nga zv/kryetari i Vatrës, z. Agim Rexhaj, vizitoi Shtëpinë e Vatrës. Mbresat e shkëlqyera, emocionet që përjetoi, i përcolli përmes një interviste për Gazetën Dielli.
Eltioni u anëtarësua në Vatër me motivin se në Vatër ruhet atdhetaria dhe se ajo shërben edhe si urëlidhëse SHBA- trojet kombëtare.
Eltion Seferi dha një intervistë për Telvizionin Kultura Shqiptare me pronar Adem Belliu, dhe u intervistua edhe për Gazetën Dielli.(Te plote lexojeni ne Gazeten Dielli te printuar)
Gjenialiteti i Nolit dhe Konices eshte Bashkimi i Shqiptarve rreth Vatres
Nga Kolec Ndoja*/
Mënyra më e mirë për të parashikuar të ardhmen është ta shpikesh ate. (A.K.)
Per te shpikur dhe pastaj krijuar ate, pikesepari duhet te dime se kush jemi.
Per te ditur se kush jemi dhe nga vijme duhet te kerkojme dhe mbrojme trashegimine tone etnike qe ne origjine.
Ajo trashegimi eshte Identiteti Yne, treguesi themelor se kush jemi!
Gjenialiteti i Nolit dhe Konices eshte Bashkimi i Shqiptarve rreth Vatres, qe e Drejta e tyre te ishte nen Mbrojtjen Ligjore te nje Shteti ne ngritje, per tu vertetuar disa here ne 102 vitet e fundit deri me Lirimin e Kosoves!
Pra, ndryshe nga pergjumja Shqiptare e Shekullit te 19-te (perfshi efektin negativ te Endrrave te Ali Pashes/Jug e Karamahmut Pashes/Veri), ku renia e Stamolles shihej qarte me shkeputjen prej Saj dhe krijimin njepasnje te Shteteve te Pavarura si Greqi, Serbi, Mal i Zi, Maqedoni, Bullgari, Rumani… nga Fuqite e Medha/Rusia (edhe pse Popullsia dhe Tokat ishin kryesisht Shqiptare), per tu zgjuar disa muaj pas Traktatit te Shen Stefanit me Lidhjen e Prizrenit vetem tre dite para Kongresit te Berlinit, Noli dhe Konica permes Vatres “parashikuan” per Shqiptaret Aleat te Drejte e te Forte!
Shteti Shqiptar ka demostruar ne kto 100vjet paaftesine per largpamesi dhe bashkim, perkundrazi, ka detyruar krijimin e Diaspores me te madhe ne histori.
Pikerisht per kyt arsye Ne sot duhet ti japim Vatres strukturen e nevojshme Demokratike dhe mjetet Financiare te domosdoshme per Qellimin e Saj per te Kerkuar e Mbrojtur Identitetin dhe Trashegimine Etno-Kombtare!
Permes Identitetit te Vertete (dhe jo Hijeve) mund ti paraprijme te Ardhmes se Bashkuar!
*Kolec Ndoja
Kryetar i Deges se Vatres South Florida
Pershendetja e mbajtur ne kuvendin e Vatres, 14 Qershor 2014
I Suksesshëm Festivali i 9-të Shqiptar në Waterbury,CT
Nga Arben DULO/ Waterbury/
Festivali i 9-të Shqiptar në Waterbury, CT përfundoi me sukses të Shtunën më 7 Qershor, 2014. Koha e bukur u përshtat më së miri me atmosferën festive dhe e veçoi këtë festival, duke e bërë atë festivalin më të suksesshëm për qëndrën e Komunitetit Shqiptar në 38 Raymond St, Waterbury, CT. Rreth 3000 pjesëmarrës provuan kuzhinën, kulturën, traditat, këngët dhe vallet Shqipare.
Atmosferën festive e bënë të mundur muzikantët dhe artistët e zonës së Waterbury-t dhe Connecticut si; DJs Enton Shahollari dhe Sajmon Gjyli. Në festival pati dhe koncerte live nga Hermes, Argjend Lloga, Grupi Rinia dhe Generation Brass.
Festivali nuk ishte i veçantë vetëm nga pjesëmarrja. Ketë vit për herë të parë në festival u mirëpritën dy kandidatë me origjinë Shqiptare. Peter Lumaj për Sekretar të Shtetit Connecticut dhe Karl Shehu për Senator të Shtetit Connecticut në Distriktin e 15të. Të dy kandidatët me origjinë Shqiptare së bashku me Tom Foley-n që kërkon të zgjidhet Guvernator i Shtetit Connecticut në Nendor të këtij viti, përshëndetën dhe uruan zhvillimin e mbarë të Festivalit të 9-të të Premten më 6 Qershor.
Të Shtunën më 7 Qershor cermoniali i Festivalit të 9-të u vazhdua me studentët Sergei Ivani, Tomor Dishnica,Renee Manelli,të cilët u nderuan me bursat vjetore të Komunitetit Shqiptaro-Amerikan, me nga $500 secili. Fryma e bujarisë dhe e bashkëpunimit në Festival u bë edhe më e bukur kur pjesmarrës dhe donatorë të festivalit bënë të mundur rritjen e fondit të ndihmës të ngritur prej vitesh nga Komuniteti Shqiptaro Amerikan në Waterbury, Connecticut.
Biznesmeni dhe filantropisti Shqiptaro-Amerikan Richard Lukaj e dyfishoi fondin e bursës studentore që këta të rinj përfituan, duke vlerësuar ruajtjen e vlerave të komunitetit dhe theksuar rëndësinë e edukimit dhe arsimimit të brezit të ri. Ai gjithashtu dhuroi $700 per programin “Wheels for Olsi”, të Albanian Student Association, iniciuar nga studentët Shqiptarë në Universitetin e Connecticut. Ky program është ngritur për të ndihmuar invalidin 25-vjeçar Olsi Alushaj nga Fieri, për të pasur një jetë sa më normale dhe pajisjen e tij me karrige të levizshme elektrike.
Bujaria e donatorëve dhe pjesëmarrësve vazhdoi ta bëjë atmosferën më festive kur familja Albert (familje që zotëron Albert Bro’s Metals Co. of Waterbury) dhuroi $1000 në fondin e burses studentore si mirënjohje të shumë e shumë Shqiptarëve të punësuar nga kompania e tyre.
Kryetari i Bashkisë në Waterbury Neal O’Leary vazhdoi kontributin e tij për studentët Shqiptarë. Në fëmijërinë e tij O’Leary pa shtëpinë e tij të shkatërruar nga zjarri. Ai gjithashtu pa se si Komuniteti Shqiptaro-Amerikan në atë kohe ndihmoi fuqimisht ta rindërtojë atë shtëpi. Për të nderuar Komunitetin Shqiparo-Amerikan dhe prindërit e tij, Kryetari i Bashkisë O’Leary vazhdon të kontribojë në fondin e bursave studentore për studentët Shqiptarë. O’Leary ka kontribuar në fondin e bursave studentore për studentët Shqiptarë prej krijimit të këtij fondi tre vjet më parë.
Prezantueset Krisela Karaja dhe Ingrid Stringa udhëhoqën ceremoninë e cila gjithashtu përfshiu prezantimin e çertifikatave të bursave nga Senatorja e Shtetit, Connecticut Joan Hartley, dhe deklaratat e mirënjohjes për studentët fitues nga përfaqsuesja në Kongresin Amerikan Elizabeth Esty, Senatori i ShBA-së Chris Murphy, dhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Washington DC Gilbert Galanxhi.Programi festiv vazhdoi me vallet tradicionale Shqiptare me grupin “Vallet Tona” nga Worcester, MA.
Festivali vazhdoi deri në mesnatë duke prezantuar me sukses të plotë traditat dhe vlerat e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në Waterbury, Connecticut.
NANËMADHJA 115 VJEÇARE DEMIRE DUROLLARI RENDITET E 139-ta NË BOTË PËR NGA JETËGJATËSIA
Nga Ramiz LUSHAJ/
1.
Në të bukurin Hudenisht, skej liqenit të Pogradecit (Ohrit), mrekulli e natyrës shqiptare e pasuri botërore e UNESKO-s, më 14 shtator 1895 ka lind Demire Xhudollari-Durollari e shenjuar në enciklopedi të botës si një nga ma jetëgjatat e planetit. Plot 115 vjet e 224 ditë jetë.
Në ma të fundit dokument identiteti të lëshuar nga Agjensia e Pasaportave në Filadelfia më 9 maj 2000 e nr. 095124375, figuron e lindur më 12 gusht 1895. Po, sipas pasaportës së vjetër shqiptare ia kishin “shkurtuar” një pesë vite jetë dhe ia kishin afrue në kohë tridhjetë e dy ditore ditëlindjen e saj. Këto pasaktësi iu shkaktuan pas largimit të detyruar nga Shqipëria, përgjatë emigrimit dy dekador në Maqedoni, përkohor për dy vjet në Itali e qëndrimit përgjithnji në Nju Xhersi të Amerikës. Ajo nuk i kreu juridikisht këto dy ndryshime në dokumentat e identitetit, pasi në kohën e komunizmit euro-lindor kishte vështirësi politiko-procedurale një sipërmarrje e tillë. Po as nuk ndihej e nevojshme.
Në Amerikë, derisa ndrroi jetë më 26 prill 2011 ajo e festonte 14 shtatorin si ditën e lindjes së vet. Veçmas në kapërcyell të shek. XXI, ditëlindja e Nanëmadhes Demire Durollari përbente një event të madh e të rrallë jo vetëm familiar e farefisnor, pasi kapi rekord botëror. Masmedia amerikane e shqiptare e cilësonin si “e tre shekujve”…
2.
Nanëmadhja Demire Durollari ishte patriote në shpirt, mbretnore në gene, qëndrestare në jetë. Një nga simbolet e femrës shqiptare në shekuj, mjaft e përkushtuar për kombin e vet, idealin e saj, familjen e saj.
Ajo vinte nga një Derë e Madhe. Babai i saj, Hajdar Agë Xhydollari, përndryshe, i thirrun në popull e zyrtarisht: Hajdar Aga i Hudenishtit, ishte mjaft i njoftun në kolonitë shqiptare të Stambollit, në kit’ kryeqënder të një prej superfuqive ma të mëdha edhe në shek. XIX. Një nga miqtë e tij të ngushtë ishte babai i Mbretit Zog, prijësi atdhetar Xhemal Pashë Zogu (1860-1911) i Matit, të cilët nuk i ndau asgja ndërveti në gjallje të vet. Vllai i saj, Novruz Hajdar Xhydollari (Hudënishti) ishte një shok i pandarë i Ahmet Zogut gjatë shkollimit të tij në Stamboll. Kushëriri i parë i saj, Muharrem Hudënishti (Xhydollari), oficer i Mbretërisë Shqiptare, sipas urdhërit të Mbretit Zog e ndërgjegjës së tij atdhetare, ishte një ndër qëndrestarët e prillit 1939 kundër pushtimit fashist të Shqipërisë, ndaj fashistët italianë e arrestojnë dhe e ekzekutojnë në Tiranë e trupi i tij prehet në vendin e lindjes. Pasardhësi i tij, Nuri Hudënishtin, ishte mbretëror i vendosur, legalist i pakursyer, luftëtar i pandalur. Ata, të dy, hynë në histori si monarkistë e si antifashistë, xhydollarë atdhetarë.
Në shtëpinë e Demire Xhydollarit (Durollari) gjatë Luftës Antifashiste u zhvillua Kongresi i Dunicës, Kongres i Lëvizjes Monarkiste, si dhe u (ri)ngrit Çeta nacionaliste zogiste që kreu aksione në Resing, Qafë Thanë, etj., po edhe kanë meritën se i shpëtuan nga fashistët 6 oficerë anglezë, etj.
Demire Xhydollari (Hudënishti) u martua në një fis tjetër në Hudënsisht, në shtëpinë e fisme e atdhetare të Durollarëve, me Rrapushin, të cilin e vranë pushtuesit italianë gjatë një bombardimi në Fushën e Domosdovës në Prrenjas. E la me tre fëmijë jetimë, të cilët u rritën si ma të mirët, ndër ma të lumturit.
Komunizmi iu mori prona e pasuri, i shpalli “kulakë” etj., çka e detyroi nanën e tij Demire Durollari (Hudenishti) të arratiset për në Maqedoni me fëmijët e saj, kur, asokohe, më 14 gusht 1949. Gjatë qëndrimit në Maqedoni, djali i saj i vetëm, Guri Durollari, burgoset në burgun e Idrizovës nga sllavo-maqedonasit, pasi në bibliotekën e shkollës kishte vizatue Flamurin Kombëtar Shqiptar. Po kështu ia burgosin edhe një nga dhëndrrat e tij, Bexhetin, për të vetmin fakt se përshendeti shqiptarçe, si monarkist, si zogist, me dorë në zemër. Njëzet vjet ma pas, shpërngulen tranzit në Itali e shkojnë në Amerikë, në shtetin e Nju Xhersit, ku i kaloi mbi katër dekada jetë me shumë sakrifica, plot lumturi, krejt ardhmëri.
3.
Qëndra e Kërkimeve Gerontologjike (Gerontology Reserach Group) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (Los Anxhelos, Nju Jork, Uashington DC, Atlanta) dhe Instituti i Kërkimeve Demografike Max Planck në Gjermani kanë publikuar më 3 dhjetor 2013 një listë të femrave ma jetëgjata në moshë, të cilat i përkasin moshës mbi 115 vjeç.
Rekordmene, në kryet, qëndron Mario Do Carmo Geronimo nga Brazili, e lindur më 5 mars 1871, në një moshë tejet të thyer, 129 vjeçare, e ndjekur nga shtatë të tjera 128 vjeçare nga Xhamajka, El Salvador, Dominika, Uzbekistan, Kolumbia, India e Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lista me 155 emra rekormenesh mbyllet me 115 vjeçaren Marfa Salaikijskaja nga Lituania (1889 – 10 shtator – 2004).
Shqiptaro-amerikanja, Nanëmadhe Demire Durollari nga Hudënishti i Pogradecit renditet e 139-ta, pasi ka jetue 115 vjet e 224 ditë.
Moshën e saj, 115 vjeçe, e kanë mbrri vetëm 29 femra në të gjithë botën në këta tre shekujt e fundit: 8 nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 5 nga Kina, 4 nga Brazili, 2 nga Kanadaja e Meksika, veç nga 1 Mbretëria e Bashkuar, Azerbajxhani, Nigeria, El Salvadori e Kili.
4.
Para së gjithash, “sekreti” i jetëgjatësisë të Nanëmadhes Demire Durollari, është genetik. Ka pasë një konstrukt fizik të fortë e të lehtë, një ecje trupdrejtë. E ka mbajt veten në punë, në gjallëri. Ajo e ndërtonte jetën e vet e të familjes në mënyrë të atillë që ta mbante larg stresin. Ajo, disa herë, edhe në gazeta e televizione shqiptare shprehej se “stresi është burim i të gjitha sëmundjeve”. Në vazhdimësi ka qënë e rrethuar me dashuri e përkujdesje nga fëmijët e vet, nga dhjetra nipa e mbesa deri në mbi dy brezni. Ajo ka pas një respekt popullor në gjithato rrethe të Shqipërisë, në Nju Xhersi të Amerikës, etj. saqë shpesh herë në veprimtari kombëtare të Oborrit Mbretëror Shqiptar apo të Legalitetit ose në ato për Kosovën e shqiptarët në Maqedoni, etj. fliste thuaj është lidere, pasi fjalët i kishte të mençura, me timbër të veçantë, plot pasion, me mesazhe mirësie, pa frymë hakmarrjeje, me vizione ardhmërie.
E vetmja herë në jetën e saj që iu ka dasht të shkojë tek mjeku është 11 shtatori i vitit 2001 i sulmit terrorist mbi Kullat Binjake në Nju Jork, pasi pësoi tronditje të madhe. Kjo i ndodhi nga dashuria e madhe për nipin e vet, Astritin, djalin e vajzës, i cili punonte aty dhe sapo ishte fejuar tek Starovajt e Pogradecit. Rastisi që ai nuk kishte shkue në punë atë ditë, po dhimbja e thellë prej nanëlokje e dha efektin e vet. Atë e çuan në spital. Mjekët e Nju Xhersit kur ia panë moshën 106 vjeçare nëpasaportën e saj u habitën shumfish, ndaj i banë një orë intervistë mjekësore. Dhe, siç pohojnë pogradecari Bardhyl Berberi e nipi i saj Rrapush Durollari në një shkrim tek“Shekulli” (21/02.2007), “mjekët amerikanë i kërkuan leje për t’i bërë disa analiza për studime shkencore”. Ata e pyetën se çka kishte konsumuar ma së forti e, ajo, iu përgjigj: “Peshk të freskët të liqenit të Pogradecit, koranin e rrallë, mbretin e peshqëve…”. Në lajmin homazh për jetën e vdekjen e saj “Zëri i Amerikës” (28.04.2011) thekson se “Zonja Durollari gëzonte vazhdimisht shëndet të mirë” dhe, ma tej, “sekreti i jetëgjatësisë ka qënë ushqimi: ajo hante shumë peshk dhe bulmetëra, nuk konsumonte as duhan, as alkol”.
Nanëmadhja Demire Durollari, që ndrroi jetë në moshën 115 vjeçare në Amerikë, ishte ndër të parët prej emigrantëve politikë që erdhi në Shqipëri, sëbashku me djalin e saj dr. Guri Durollari, monarkist i lindur, kryelegalist i suksesshëm, që bani aq shumë punë të mëdha për kauzën Mbretërore, për Mbretin Leka I, për Legalitetin, për Demokracinë e Kombin, saqë e nesërmja e shpejtë ka me ia dhanë meritat e tij si një burrë i madh i politikës shqiptare jo veç në tranzicion. Ajo u çmall me vendin dhe nuk bëri thirrje për hakmarrje, për ndëshkimet kriminale që komunizmi kishte bërë ndaj njerëzve të saj, por e rreshtuar në grupimet e atyre që kërkonin Mbretëri Kushtetuese ju bëri thirrje popullit shqiptar nga podiumet e kongreseve dhe në televizione shqiptare e të huaja për pajtim-vëllazërim dhe paqe. Dhe, herën ma të fundme, me t’u kthye nga Shqipëria, shumë e preokupuar për hallet e vendit të saj. U lidh me një korrespondencë të rregullt me presidentin e SHBA-së, Xhorxh Ë. Bush. I kërkoi përkushtim të veçantë për çështje të demokracisë e ekonomisë në Shqipëri, si vendi ma i varfër në Europë. Brenda dhjetë ditësh, më 27 gusht 2004, i ktheu përgjigje me foto-kartolinë dalë me bashkëshorten e tij, Laurën. Në respekt të jetës e veprimtarisë të kësaj nanëmadhje shqiptare Presidenti Bush i premtoi asaj se “Shqipëria do të ecë në rrugë të mbarë”.
SIMBOLIKA E GJATËPRITUR IDENTITARE
(Legjenda e Djaloshit me Traktor)/
Nga Rexhep KASUMAJ/ Berlin/
1.Që herët, posa zbardhi agu i lirisë, Republika e re pati sërish një trishtim. Por ai ishte paksa ndryshe. Nuk vinte nga gjaku dhe hekurat e pushtimit. I tillë, herë-herë ngjante dhe fin e luksoz: fqinjëronte me delirin e madhështisë. Kushedi kur do të jetë ngjizur joshja e tij, por gjithësesi ishte i kahershëm. Veçse tani, nën ditët djellandritëse të Indipendencës, sëmbonte thershëm. Kolonialistët ishin shpërngulur dhe entuziazmi popullor prekte, tashmë, kufijtë e lumnisë përhumbëse. Pse jo! Kurrë më çizme dhe helmetë serbiane. Tani ajo kishte bukën dhe librat e ndaluar. Kulla e bulevarde vezullues. Megjithatë një brejcë, e heshtur dhe e ngadaltë, gërryente mortshëm ëndrrën e saj. E idhta kishte trajtën e një gjakimi të vjetër. Pas ngulimit të aleatëve në dhèun e tyre, bijtë e Arbnit sikur iu dorëzuan fare idhujtarisë vetore: u ndien të ishin kërthizë planetare. Si bënte, pra, që epiqendra pulsuese të mos kishte një veçanësi që do ta shquante në botë? Që këndej trysnonte ky ngut për një ornament të largdëgjuar. Dhe ai do behte aherë e andej nga s’e priste kush. Do të vinte beftë, thjeshtë e rustikalisht, një muzg të rrëmujshëm tek piqeshin qershitë. Kje viti i 2014, pas Zotërisë. Nuk u shfaq në kalë baladash a bartur rèsh nga qiejt e mugët dhe as i ngarkuar hamejsh prej detesh të valëzuar. Një Traktor me Djaloshin trimosh e të hallakatur mbi krye, do t’ishte kumti i gëzuar i maratonomakut frymësosur…
2.
Ndaj, duhet të gjendet patjetër e të mos humbasë ngeshmërisë tipike, ky investor i historisë. Të bëhet shpejt i njohur emri i tij risimtar e për ngahera i uruar. Militanti që kremtoi me traktor fitoren zgjedhore të Prijësit për legjislaturën kuvendare, në mes të turmës së tromaksur, i dha miljeut politik e qytetnues të Kosovës mëvetësore, simbolikën përfekte: traktorizmin, këtë shenjë pathyeshmërie dhe flijese në pragun e lavdisë. Si të përjetësohet, vallë, akti i tij atdhetar? Sheshet metropolitane janë zvogluar shumë. Mezi marrin frymë nga bustet e gjithandejmë. Por një grimë truall e meriton përmendorja impozante e këtij çunaku ëmbëlosh, që do të mbijetojë stuhitë e shekujve. Statujat e tanishme ngjajnë pak të mërzitshëm e njëtrajtësorë: burra të krekosur, kaluer a në këmbë, hiç një Zonjë imtake që ka marrë kurajon të përbirohet mes tyre. Kurse monumenti i “traktoristit” do t’skeptëronte krejt ndryshe. Fillimisht, ai nëvojitë më shumë hapsirë, mund e imagjinatë artistike. Sepse ngritja e tij, do të ketë tre plane të vështirë: njeriun e fanitur, tutje, traktorin e marrosur (që do të jetë keqardhur pse ka ateruar aty ku s’duhet) dhe, në sfondin diskret, harenë popullore. Mandej, si për të sfiduar pararendësit, projekti do përplotësohej dhe me një anë tjetër ogjinale: do ngrihej për të gjallë të bëmësit gjenial. Si rrjedhojë, autorët kolegjialë që do ta ideojnë e përmbarojnë atë, do ta gëzojnë përherë praninë e Traktoristit, i cili do t’ua evokojë atyre jo vetëm pozicionin, marshrutën, përvijimin mespërmes brohoritjeve të mbështetësve dhe mnirjes së kundërshtarëve, por dhe emocionet e kohës. Gjigandi i mbiditshëm, kështu i paragatitur, do të përfundonte i përkryer.
Ndërsa pranë tij, kur heroi të shuhej një ditë, do të hidhte shtat dhe një Mauzole i purpurtë ku do të ekspozohej kurmi i tij i balsamosur. Dyzimi harmonik do krijonte një ansambël unikal, të askundparë në yllin që quhet Tokë. A nuk kanë bërë dhe të tjerët kështu? A nuk kanë balsamosur, fjala vjen, në verilindje të Europës, madje deri organet gjenitale të Poetit sarhosh, si një atraksion të jashtëzakonshëm, që, më pas, njerërzia të thyejë këmbët në turravrapin për ti parë? Sidoqoftë, po të hezitonte fantazisti sypatrembur për të dhënë pëlqimin e të dyja dedikimeve, e veçmas, për tu “mauzoleuar”, aherë duhet kërkuar ndikimin e tribunëve moralë, uratën e atoriteteve fetarë dhe këshillën e urtë të shkoqitësve kanunorë, Pleqnarë me nam që (në Dukagjin) ende prejnë drejtësinë e përdhunuar nga shteti i së drejtës e barazisë!..Nuk duhet nënçmuar as praktikat e moçme spirituale. Do të merrej prej tij një fije floku a rub teshash, e do t’përndahej faltoresh të shumta për të siguruar ndërhyrjen e shpirtërave të mirë…Dhe ata, krejt bashkë, do të shpreheshin në favor të kompleksit ansamblor, sepse këtë e dikton interesi i lartë: për mbamendjen e brezave dhe për triumfin kombëtar!
Ishte, njëmend, çasti i arrirë për të. Pothuaj të gjithë kryeqytetet dritëbardhë që regëtijnë të piketuar hartash të cicëronëve turistikë kanë ngrehën ( “Eifeli”, “Kremlini”, “Brandenburgu”, “Shtatorja e lirisë”, “Koloseumi”, “Sheshi i paqes qiellore”) e tyre glamuroze. Krykasabaja jonë ishte, ndërkaq, në zor të sajonte kolosin që tu rivalizonte. Nuk kishte trashëguar një shenjëzim njohës e identitar. Kje shtrënguar gjatë të priste shkas, konjukturë e frymëzim. E pra një objekt magjepsës, i rrallë tejembanë rrokullisë, do ti jepte dhe kryeqendrës dardane fascinitetin e munguar: traktorin mbrothësor! Po, ja, Hyu mëshirëplotë do ia dhuronte një të tillë. Pak vonë, por duhet patur mirëkuptim, se ishte merakosur thellë për ta zbritur një të pazakontë, ashtu siç duken shpesh të pazakontë edhe ata që jetojnë poshtë atij nënqielli. Pritësit e mëdhenj u shelbyen. Përjetuan shendimin çlirues nga ankthi i mangësisë mistike. Durimi, njëmend, ishte shpërblyer: simbol më domëthënës, reprezentues, të bukur e smirëndjellës, nuk ishte mbrujtur as në shkëndijëzat e tyre më vegimtare. Madje, ndryshmëria e kryeveprës shqiptare do t’ishte absolutisht sipërore. Vetë kulti i tyre ndër mijëvjeçarë. Ata nuk do të imitonin godina parlamentare (si Reichstagu zymtor me prapaskena tmerri) a teatro, muze (eksponatesh të bezdisshme), biblioteka të mërzisë dhe as shtëpi Sinfonie e të tjera gjëra squllosëse kombesh të lajthitura që kanë hyrë në udhë të vdekjes klinike. Traktori dhe vetëm ai, posedonte fuqinë jetëprurëse dhe sublimitetin rrezëllitës të gjithmonësisë…Ndaj, Akropoli, Louvri, Broadway e Burgtheatri, pallatet imperialë e sulltanorë dhe ç’janë të tjerët andej, nuk do të ngjajnë veçse si shemra fatkobi. Do pëlcasin nga marazi të gjithë: miqtë e rremë dhe armiqtë e vërtetë! Për moskonsideratën shqiptare, sigurisht do të hidhërohen me të Epërmin. Por ç’ti bëjnë? Ky ishte verdikti i tij i paapelueshëm. Traktori u mbetet shqiptarëve. Dëshmi e lirisë për veten dhe epërsisë ndaj të tjerëve. Në jetë të jetëve.
Ky kompedium i admiruar bujkrobnie, si një arritje e pamohueshme e fitimtarëve të përkorë, më parë se për Autorin e natës së bekuar, flet për zotërit e tij dhe nuk flet maska e jashtësisë, por tharmi i mbuluar i kulturës së tyre të hollë…I tillë, ai dëfton, njëkohësisht, ideologjinë doktrinare a postamentin dallues në kohët turbulente që vijnë. Tani, në vend emrash e titujsh të lodhshëm hierarkësh të vranët, mjafton të thuhet “traktoristët” që çdogjë të jetë e qartë. Po, tevona, a nuk janë ngadhnjimtarët që përcaktojnë ikonografinë metropolitane?
3.
Porse, si në shumëçka tjetër, mbase për hirin e dialektikës që refuzon përsosmërinë, edhe këtu kanoset pasmbetja nga një cen. Nëse shumë prej veprave madhnore të vendeve a metropolëve (si ndriçimi i rrugëve në Belgjikë), thonë se shihen nga Hëna, heroin tonë, të konceptuar përmasash të epigonëve që e rrethojnë, nuk besoj ta kapë Syri i largët hënor. Prandaj, mjeshtërit do ti kenë parasysh, ndoshta, dhe kordinatat kozmike. Kostoja mund të dalë e lartë, porse demosi i stërkënaqur, sidomos humanistët e tij, do të heqin nga kafshata e gojës për këtë emblemë të dashur të zemrës së tyre.
Athua do të lëmohej jo vetëm sedra provinciale, po dhe vetë hirësia e tij e rëndë që do ketë përballës anë e kënd rruzullimit, sikur përbindshi glorifikant të lokalizohej vetëm në Metropol? Për ta bërë, pra, më vendar, autentik e gjithësorë, akademikët e mprehtë dhe guvernantët e trashë, do të latonin e jetësonin shpejt idenë që dhe qytetet tjera të pajisen me dytësa dinjitozë. Më të vegjël, u muar vesh, sepse nuk do guxonin të ngucnin atin parak. Pokështu do të prodhoheshin, pse jo, dhe disntiktivë, bluza të rinjësh, borsalina dinjitarësh e kravata pensionistësh të harruar, e sidomos vegëleri e veshje bujqësh me figurën fatsjellëse në t’përparmen e tyre. Po në këtë rrjeshtim të lëbyrshëm, do të mbaheshin tradicionalisht orë përkujtimore, festivale ku do të muzikonin komponistë e artistë dhe do të themeloheshin çmime demokracie me emrin e famlartë! Ah, për pak ta harronim më të rëndësishmen: abetaret e librat shkollorë, nuk do kishin në faqen e parë foto të ftohtë presidentësh a kryezotësh mesjetarë, veç pikërisht pamjen krenare: traktorin grandioz me heroin e pashëmbëllt sipër tij! Por fabula nuk mbaronte. Do vente tej përkushtimi, njëshbërja flatruese me makinën e pafajshme që e bënte aq zulmëtar këtë banorësi të vuajtur. Pjesëtarët e fisit afrikan Ga (të Ganës) kanë ca rituale autoktone varrimi interesant. Për ata që iu lënë shënde‘në porosisin arkmortër formash të çuditshme, që duhet të pasqyrojnë pasionin e të ikurit: si piano e çekan, peshk a kitarë…Tani që janë bërë globalë, shqiptarët do mësojnë përvojat e vyera ndaj, me gjasë, më shumë se vetë ganezët e zinj, do të deshnin një arkë të pangjashme për mbetjet e tyre trupore. Nuk do të joshen fare nga peshku e çekani, aq më pak nga një piano e përzishme. Të devotshëm e venddashës, ata kallen dhimbjes për një sarg a, madje, sarkofag solemn me profilin e hyjnizuar!..
Së mbrami, kur sundtarët të vërenin entusiazmin e trullosur të turmave, do të miratonin gjithçka, duke iu qasur dhe ndryshimit definitiv e përthekues, të kërkuar me afsh anëpërtej tokës amtare: kësaj përmendareje do ti rezervohej statusi i Tempullit shejtnor, kurse stema, flamuri amorf dhe hymni memec do të kishin në pikëqendrën e tyre militantin e traktoruar madhor dhe këngën e tij. Me këtë ndërmarrje të vëmendshme do të mbyllej njëjtësimi total me portretin e ri ftyrëçelur, të pllakosur si nata pa hënë në truallin veriarbnor.
Vitet do iknin dhe ngjarja do të arkivohej në legjendë. Qysh tash e parashoh se si gjyshërit do tu tregojnë mbesave e nipërve para gjumit, rrëfenjëza për mitin e një djaloshi që festoi me Traktor në epokën e mbërritjeve më të sofistikuara të njerëzisë, anipse ai vetë nuk përfitonte asgjë. Ishte i papunë dhe i ngujuar në geto të Europës së lirë. Fëmijët, në fund, si rëndom do të pyesnin: përse? Po ata do tu thoshin: flini tani. Do ua rrëfejmë nesër mbrëma.
Po dhe aherë pa përgjigje, natyrisht!
R.Kasumaj, Berlin, qershor 2014