PRISHTINË, 7 Maj/Kuvendi i Republikës së Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme të sapopërfunduar vendosi për shpërndarje dhe së shpejti pritet të shpallet data e zgjedhjeve paralamentare të parakohshme, që sipas shumë gjasave do jetë 8 qershori.
“Konstatoi se me 90 vota pro, 4 kundër, 3 abstenime, Kuvendi vendosi për shpërndarjen e Legjislaturës së katërt të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha kryeparlamentari kosovar Jakup Jrasniqi.
“Mirë u pafshim pas zgjedhjeve”, përfundoi ai duke mbyllur seancën e fundit në këtë përbërje të Kuvendit të Kosovës që e drejtoi në dy mandate.
Në momentin e votimit, prezenca fizike në seancë ishte 111 deputetë nga 120 anëtarët e Kuvendit të Kosovës. Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, për shpërndarjen e Kuvendit nevojiteshin së paku 80 vota pro, pra dy të tretat e të gjithë deputetëve kosovarë
”Newsweek”: Spiunazhi izraelit në SHBA i kalon limitet
UASHINGTON, 7 maj – Izraeli spiunon SHBA-në më shumë se aleatët e tjerë dhe kjo mbikëqyrje i kalon limitet, njoftoi sot e përjavshmja ”Newsweek”.
”Sekretet industriale dhe teknike amerikane janë kryesisht të shënjestruara nga spiunazhi izraelit”, shton e përjavshmja duke cituar takime konfidenciale që kanë të bëjnë me një legjislacion që do të lehtësojë shtrëngimet për viza për qytetarët izraelitë.
”Një anëtar i Kongresit që mori pjesë në një takim informues në muajin janar e cilësoi dëshminë shumë tronditëse, alarmante dhe të tmerrshme, dhe një tjetër e ka gjykuar këtë sjellje si të rrezikshme”, vijon e përjavshmja.
“Asnjë vend tjetër i afërt i SHBA-së nuk i ka kaluar limitet deri në këtë pikë përsa i përket aktiviteteve të spiunazhit ashtu siç ka bërë Izraeli”, është shprehur një ish-anëtar i Kongresit, i cili kishte marrë pjesë në një takim tjetër konfidencial në fund të vitit 2013”, sipas Newsweek.
Sipas këtij ish-anëtari të Kongresit, shërbimet sekrete kanë cituar, pa dhënë shumë detaje, ”spiunazh industrial, nga ata që vijnë në SHBA për misione tregtare, me shoqëritë izraelite që punojnë me shoqëritë amerikane, apo agjentë të shërbimeve sekrete nën urdhërat e qeverisë, që do të thotë, nën urdhërat e ambasadës së Izraelit.
”Aktivitetet e spiunazhit izraelit në SHBA janë të pakrahasueshme me ato të aleatëve të tjerë të afërt si Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Japonia”, theksuan agjentët e kundërspiunazhit për anëtarët e Komisionit të Çështjeve Gjyqësore dhe Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve”, sipas Newsweek.
“Nuk besoj se këto zbulime janë një surprizë për ndonjë”, deklaroi ish-anëtari i Kongresit
SHQIPTARJA ELONA ZHANA SYNON PARLAMENTIN RAJONAL BELG
Quhet Elona Zhana, prej shumë vitesh jeton në Belgjikë dhe tashmë ka vendosur të kandidojë në zgjedhje për tu bërë pjesë e parlamentit rajonal belg . Ajo është një vajzë e thjeshtë, bujare, ambicioze e përkushtuar pas punës. Elona gëzon një respekt në të gjithë komunitetin shqiptar që jeton në Bruksel e rrethinat e tij.
Në mesazhin e saj për kandidimin, drejtuar mbështetësve dhe miqve të saj Elona Zhana shkruante: “ Pas një reflektimi relativisht të gjatë dhe pas konsultimit me miqtë, të afërmit, mentorët dhe përkrahësit e mi, mora vendimin të angazhohem politikisht në Belgjikë. Në zgjedhjet rajonale të datës 25 maj 2014, do të jem kandidate për deputete në Parlamentin Rajonal të Brukselit, në radhët e partisë CDH (Centre démocrate humaniste)”– (Qendra e demokracisë humaniste), është Parti e qendrës së djathtë, anëtare të PPE (Partive Popullore Europiane)
Kush është Elona Zhana?
Me origjinë nga Bajram Curri, Tropojë, Elona Zhana jeton në Bruksel që prej vitit 2001. Është diplomuar për Marrëdhënie me Publikun dhe Administrim e Menaxhim të Punës në ULB – Université libre de Buxelles (Universiteti i Lirë i Brukselit). Është “grua e plotpërmbushur”, siç shprehet vetë dhe nënë e lumtur e një vajze dymbëdhjetëvjeçare.
Elona njihet nga bashkësia shqiptare për angazhimet e saj në fusha të ndryshme. Ajo është e apasionuar pas shkencave të komunikimit dhe kulturës. Elona zotëron disa gjuhë të huaja. Ajo është kryeredaktore e gazetës “Albania” ne Belgjikë, por gjithashtu njihet si botuese, përkthyese, shkrimtare.
Elona dhe ideja për të hyrë në polikë
“Lidhjet e mia me politikën nuk datojnë nga dje as nga sot, por shumë më herët. Realisht jo vetëm studimet, por edhe praktikat e mija profesionale i kam realizuar në fushën politike apo fushat e lidhura me të. Ndërsa hapi për të kandiduar në këto zgjedhje erdhi si shprehje e nevojës për një ndyshim në realitetin e përditshëm”, thotë Elona Zhana për “Koha Jonë”.
Elona thekson se ajo ka vendosur t`i hyjë garës zgjedhore për të dhënë kontributin e saj në Bruksel, por edhe për të ndikuar në planin e avancimit dhe zhvillimit të çështjes së shqiptarëve si në diasporë dhe në vendlindje.
Ajo shton se ka zgjedhur një forcë politike e cila mbron edhe interesat e komuniteteve të veçanta. “Unë jam pjesë e të Partisë CDH (Qendra e Demokracisë Humaniste) e cila përfaqëson të gjithë qytetarët, të gjitha programet dhe ofertat për rininë, aspektet sociale, politike dhe ekonomike, kulturën dhe sportin. Unë jam anëtare e kësaj partie pasi që dua të tregoj se shqiptarët jemi me vlera dhe tradita Evropiane dhe perëndimore, dimë të bëjmë edhe politikë dhe të interesohemi edhe për të tjerët. Idetë e mija kanë të bëjnë me një mentalitet të ri, i cili duhet të aplikohet edhe tek shqiptarët, e ky mentalitet është prosperimi dhe avancimi i çështjeve të rinisë, kulturës, sportit, aspekteve sociale dhe politike, pa dallime fetare, racore e etnike. Por njëkohësisht dua të tregoj dhe të lartësoj edhe çështjen tonë shqiptare, ta ndihmoj e ta mbështes atë në forma të ndryshme. Të jem shembull se si duhet që një shqiptare të përfaqësojë një institucion këtu në qendrën e politikës dhe integrimit në Bruksel”.
Jam e bindur që nësë ne arrijmë të përfaqësohemi në parlamentin e Brukselit, do të jetë një hap gjigand në përmirsimin e imazhit por edhe një investim direkt në mirëqënien e përbashkët të komunitetit.
Elona Zhana është autore e shumë artikujve, sidomos në shtypin e diasporës shqiptare të Belgjikës.
Nga Sonia Memoci
Familja Zeqiri e terrorizuar nga shtetit maqedonas arriti në Shtutgart të Gjermanisë!
Ne Foto: Pritjen e kësaj familje e organizuan Asllan Dibrani , Vitor Spaqi nga Shtutgardi dhe Halit Gashi, që debatuan deri në orët e vona bashkërisht të shqetësuar për gjendjen aktuale të shqiptarëve dhe pozitën e saj në Ballkan!Nga e majta kryefamiljari Zymer Zeqiri ,Idriz Sinani,Vitor Spaqi ,Asllan Dibrani dhe Halit Gashi me pjesëtaret tjerë të familjes Zeqiri, me datën 06.05.2014 Shtutgard./
Nga Asllan DIBRANI/
Shqiptarët e Mërgatës shqiptare u solidarizuan me familjen Zeqiri , dhanë ndihmën e vet. Ata dënuan oportunizmin e faktorit shqiptar në Ballkan si atë të Shqipërisë , Kosovës ,po edhe të faktorit shqiptar në Maqedoni!
Mbrëmë në orët e vona të natës rreth 23.30 minuta nga Maqedonia arriti familja e kryefamiljarit Zymer Zreqirit, i sulmuar në shtëpi e vet , dy net ma herët nga huliganet maqedonas të nxitur nga shteti dhe politika maqedonase dhe shovinistët e Gruevskit dhe VMRO-së. Gruevskit iu lejua që të zbatojë politikë antishqiptare me terror e dhunë për pastrim etnik në Maqedoni.
Pamje e familjes se Zymer Zeqirit pas arritjes në Shtutgart e strehuar në banesën e zotit Vitor Spaqit, e shoqëruar me z.Idriz Sinanin kryetar i ” Forumit Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Lirinë e Njeriut” me seksion në Maqedoni. Ata u betuan pran fotografisë së heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut qe edhe ma tutje do ti dalin zot atdheut kudo që të jenë!.
Ai arriti që të krijojë një gjeneratë të re antishqiptare dhe ky qëndrim u manifestua me rrahjen e të rinjve shqiptarë,familjeve dhe popullatës në tërësi . Sulmi i përditshëm ndaj shqiptareve vrasjet , burgosjet dhe dhuna e pa parë , arriti kulmin me largimin e kësaj familjeje e njohur me qëndresën dhe rezistencën e pa shoqe. Kjo familje dha dëshmor për interesin kombëtar. Deri me tash kjo familje ishte objekt sulmi, pa përkrahjen e asnjë institucioni shqiptar “kukulla” në instancat e Maqedonisë.
Maqedonia po boshatiset nga shqiptaret!
Familja 50-të anëtarësh Zeqiri, ka dhjetë vjet që është nën kërcënimet e vazhdueshme të terrorit dhunës dhe reprezaljeve të ekzekutuara nga huliganëve maqedonas të dirigjuar nga shteti maqedonas i formuar artificialisht me ndihmën e kryekasapit të Ballkanit Sllobodan Mishosheviqit . Dy herë i kanë hedhur bomba në shtëpi, dy herë të tjera i kanë hedhur koktej molotovi, ndërsa më 13 prill, 30-të persona tentuan të hynin me dhunë në këtë familje, ku dhe e shtypën me makinë loken e shtëpisë, 75 vjeçare Sherife Zeqirin. Para dy netësh kjo familje prapë u sulmuar me ç’rast në shtëpinë e tyre hynë grup i madh që lanë të plagosur prapë Sherife Zeqirin ,Besnik Zeqirin 23 vjeçar, i thyen dorën dhe plagë të konsiderueshme pësoj Gjelil Zeqiri, po edhe natarët tjerë u goditen me rrahje masive. U krijuan një terror fizik dhe psikik ndaj kësaj familje, duke e kërcënuar me vdekje ose të shpërngulen nga vendlindja e tyre baba-babadem nga krijimi i botes njerëzore!?…Shpërngulja e tyre, edhe pse po ndodh në shekullin e 21 nuk shqetësoi asnjë politikan shqiptar, por ta shohim se pas shpërnguljes së shqiptarëve nga Maqedonia, kenë do ta përfaqësojnë, apo do të mbesin vegla ma të turpshme akoma të sllavistëve të vegjël maqedonas. Prioritet i debateve në parlamentin e Maqedonisë për faktorin shqiptar, dominon tema e karrierës personale , interesi personal duke e anashkaluar çështjen e shqiptarëve si në fushën politike, atë kulturore dhe etnike. “Braktisja e shtëpisë së familjes Zeqiri nga Radishani, ikja e tyre për në Gjermani, është një plage e vjetër për shqiptarë që po përsëritet edhe tani me programin e sllavo-shovinistëve maqedonas!
Kjo familje nga 16-të veta , të familjes 50-të anëtarëshe Zeqiri nga Radishani i Shkupit, të hënën lanë vatrën e tyre me destinacion Gjermaninë. Ata mbërritën në Gjermani, të shoqëruar me z.Idriz Sinanin kryetar i Forumit ndërkombëtar për të drejtat dhe lirinë e njeriut me seksion në Maqedoni. Në rastin e takimit me zotin Idriz , dha një deklarate shqetësues për gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni, po edhe konkretisht me rastin e kësaj familje .
-Fillimisht ndihmë ju dolën shqiptarët e emigrant nga Kosova Asllan Dibrani publicist, ish i burgosur politik dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve në Gjermani , Vitor Spaqi kryetar i Qendrës Kulturore në Shtutgard, dhe këshilltar i Misionit Katolik në Shtutgard,dhe Halit Gashi kryetar nga “Shoqëria Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut me qendër në Kosovë.
Këta persona e ndanë shqetësimin shumë serioz me këtë familje të cilën e strehuan të familja e Vitor Spaqit me mikpritjen shqiptare, bujarinë dhe virtytet e trashëguara nga e kaluara dhe zakonet shqiptare. Aty ngrohtësisht u shtrua edhe darka për të gjithë anëtaret e familjes refugjate .Edhe se kishim kushte edhe ne tjerët për ta strehuar këtë familja , zoti Vitor Spaqi këmbënguli qe mos te ndahet kjo familje. Aty fjetën dhe pushuan deri në mëngjesin e sotëm nga e cila ramë në kontakt me disa organe shtetërore gjermane dhe i dorëzuam në Qendrën e Strehimit për të huaj, te ndihmuar deri ne Karlsruhe , me vendosmërinë dhe kërkesën e kësaj familje për kërkim të azilit politik në Gjermani.
RRUGËTIM I GJUHËS GJERMANE, NËPËR SHQIPËRI
Nga Prof. Dr. Brikena Kadzadej- Zavalani/
drejtuese e Departamentit të Gjermanishtes, në Universitetin e Tiranës/
Kur, kohë më parë, bëja kërkime në një bibliotekë të Gjermanisë, midis të tjerash, hasa një fragment të albanologut të madh N. Jokli, i cili shprehej: „Gjuha e shqipëtarëve ose skipëtarëve, deri sot, ka mbetur një thjeshtër e gjuhësisë indogjermane“. (Die Sprache der Albaner oder Skipetaren ist bis heute ein Stiefkind der indogermanischen Sprachëissenschaft geblieben…“ -Norbert Jokl: Linguistisch-kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des – Sprach- und Kulturëissenschaft, Leipzig 1923, fq. 109.)
Në atë sallë të ngrohtë, plot libra, sikur ndjeva „të ftohtë“, nga ndjesia për vendin e popullin tim. Kjo zgjati pak, sepse menjëherë solla në kujtesë rendin e gjatë të albanologëve shqiptarë dhe të huaj dashamirës, që punuan për shqipen dhe se tani ajo qëndron me dinjitet ndërmjet motrave të saj indoevropiane.
Rreth një shekull e gjysmë më parë, Johann Georg von Hahn, konsull gjerman në Greqi, zgjati dorën tej punëve konsullore dhe u mor me gjuhën shqipe. Pra, gramatika e parë për gjuhën shqipe është hartuar nga një gjerman. Pa dyshim që për ne, në ato rrethana kur ende s`kish një shkollë shqipe dhe ku rilindësit po luftonin për gjuhën e tyre, kjo qe një mrekulli.
Më vonë, të tjerë studiues nga hapësira gjermanofolëse: Jokli, Majer, Lamberc, Vajgand, Fidler, Ulrish, Buholc e Këderiç dhe albanologët tanë më të shquar: Çabej, Domi, Riza e Demiraj bënë studime të rëndësishme për shqipen, duke iu drejtuar edhe gjuhës gjermane.
Ndoshta, dikush do të mendojë që pse e bëra këtë hyrje me shqipen. Sepse, desha të theksoj se studiues të hershëm, nga hapësira gjermanfolëse, e kanë kthyer vëmendjen ndaj popullit shqiptar dhe gjuhës së tij. Dhe jo vetëm kaq, ata kanë dhënën ndihmesën e tyre për këtë gjuhë, siç përmendëm Hanin.
Pavarësisht historisë së rënduar të shqiptarëve, lidhjet me Gjermaninë kanë qenë të hershme, si ato shpirtërore, po ashtu edhe ato kulturore. Jo më kot kemi përkthime nga letërsia gjermane ose studiues shqiptarë, që shkruanin për gramatikën shqipe në gjuhën gjermane, si Gj.Pekmezi, më 1908.
Mësimi i gjuhës gjermane në vendin tonë të vogël ka një traditë relativisht të gjatë. Në vitet `20-të dhe `30-trë, të shekullit të kaluar, jo pak familje shqiptare i dërgonin fëmijët e tyre për studime në Evropë, ndër të tjera, edhe në Austri e Gjermani. Mbas mbarimit të studimeve, këta sillnin me vete në atdhe kulturën dhe mendësinë gjermane, megjithëse natyrisht ishin pak. Kështu, në atë kohë, kemi përkthime nga letërsia gjermane, në gazeta ose revista të kohës.
Në vitet `50-të dhe ´60-të, të shekullit të kaluar, në kuadrin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Republikës Demokratike Gjermane, shumë të rinj shqiptarë u dërguan për studime atje, me mbështetjen e Qeverisë Gjermane. Në atë periudhë, pati përpjekje për të futur gjuhën gjermane në shkolla të mesme, si p.sh., në atë „Sami Frashëri“ ose edhe në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, të Universitetit të Tiranës. Po, për fat të keq, ato ishin jetëshkurtra edhe për shkak të mungesës së kuadrove dhe librave e materialeve tjera mësimore.
Në vitin 1961, siç dihet, me ndërprerjen e marrëdhënieve të vendit tonë me vendet e Evropës Lindore, studentët tanë u kthyen në Shqipëri. Por ata u bënë edhe një herë transmetuesit e kulturës gjermane dhe të vetë gjermanishtes. Ishin pikërisht ata, që drejtuan disa kurse të vogla të gjermanishtes, qoftë edhe private.
Në Universitetin e Tiranës, themeluar në 1957, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, mësohej vetëm gjuhën ruse, e cila ishte vazhdimësi e degës së asaj gjuhe, në Shkollën Pedagogjike të Tiranës. Në vitet 1960-1961, gjithashtu, u hap dega e anglishtes dhe, më pas e frengjishtes.
Në vitin 1979, në Shkollën e Mesme të Gjuhëve të Huaja, në Tiranë, u hapën tri gjuhë të paofruara më parë, ndërmjet tyre edhe gjermanishtja. Kjo u shtri vetëm për katër vjet, me nga 10 nxënës në vit, pra gjithsej rreth 40. Këtyre nxënësve të gjuhës gjermane nuk iu dha mundësia që ta kishin degën e tyre në shkollën e lartë. Prandaj u ndanë në dy grupe, me një program të veçantë, në gjuhë- letërsi shqipe dhe histori. Sipas programit të hartuar, krahas lëndëve shqip, ata bënin gjuhësi dhe letërsi gjermane, për katër vjet. Si përfundim, diploma e tyre ishte e dyfishtë, për shqip dhe gjermanisht. Qoftë në Shkollën e Mesme të Gjuhëve të Huaja, si dhe në grupet e lartpërmendura në Fakultet, kanë qenë pedagogë gjermanë, por krahas tyre edhe pedagogë shqiptarë, që kanë studiuar në Gjermani.
Pas një izolimi shumëvjeçar, në fillim të viteve ´90-të të shekullit të kaluar, Shqipëria u hap ndaj Perëndimit, me domosdoshmërinë për bashkëpunim dhe integrim në fqinjësinë evropiane. Erëra të reja po frynin edhe për gjuhët e huaja. Kështu, ato morën një vend të veçantë, përfshi edhe gjermanishten. Mund të përmendim se, deri në këtë periudhë, anglishtja, frengjishta e rusishtja (tashmë e tkurrur) ishin gjuhët që mësoheshin si në Universitet, po ashtu edhe në arsimin parauniversitar. Interesi i shqiptarëve u rrit, veëanërisht për gjuhë si gjermanishtja. Kjo bëri që, në vitin 1991, mësimi i gjermanishtes u rikthye në Shkollën e Mesme të Gjuhëve të Huaja, “Asim Vokshi” të Tiranës.
Në vitin 1992, gjermanishtja u hap, degë më vete, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, tashmë, e shkëputur nga Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë. Departamenti, asokohe, përbëhej vetëm nga dy pedagogë, pra drejtuesi i departamentit dhe përfaqësuesi i parë i DAAD-së (Shërbimi Gjerman për Shkëmbime Akademike).
Në vitet pasuese, 1992-1993, gjuha gjermane u shtri edhe në shkollat e mesme të gjuhëve të huaja, pra në Elbasan, Shkodër e Korcë, si dhe në Universitetin e Elbasanit e të Shkodrës, si degë. Për herë të parë, gjermanishtja u programua gjuhë e huaj në gjimnazet “Ismail Qemali” dhe “Sami Frashëri” (1992), në këtë të fundit më vonë u eksperimentua një projekt austriak, i quajtur pilot, për një mësim të përforcuar të gjuhës së huaj gjermane, pra 4-5 orë në javë. Në këto gjashtë vitet e fundit, falë punës shumë dashamirëse të shtetit gjerman, në shkollën „Sami Frashëri“ gjermanishtja është futur jo thjesht gjuhë, por me program të plotë . Pjesë e këtij projekti është edhe mësimi i gjuhës gjermane në tri shkolla 9-vjeçare të Tiranës („Fan S. Noli“, „Avni Rustemi“ e „Jeronim de Rada“). Nxënësit e tyre kalojnë direkt në gjimnazin „S.Frashëri“, ku testohet niveli gjuhësor. Gjatë dy viteve të fundit, gjithnjë falë kësaj mbështetje, diploma e shkollës së mesme nga Gjimnazi „Sami Frashëri“ njihet në Gjermani dhe çdo vit, dy nga gjimnazistët më të mirë, dërgohen atje për studime.
Po ashtu, gjuha e huaj gjermane ka hyrë prej vitesh në programin e shkollave të mesme të Tiranës (“Petro Nini Luarasi”, “Shkolla e Mesme Hoteleri e Turizëm”, “Shkolla e Mesme Teknike dhe Ekonomike”) dhe të Durrësit, Shkodrës e Korcës.
Në vitin 1993, mësimi i gjermanishtes ka nisur edhe në Universitetin Politeknik të Tiranës, ku vazhdon të jepet. Në mënyrë jo të rregullt jepet edhe në Fakultetin Ekonomik, Akademinë e Arteve dhe Akademinë Ushtarake.
Aktualisht, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, në Universitetin e Tiranës, numri i studentëve për gjuhën gjermane është më i madhi (Bachelor, gjithsej 370 studentë dhe Master 115), në krahasim me gjermanistikën e Elbasanit dhe të Shkodrës. Është e rëndësishme që ajo jepet në Fakultetin tonë jo vetëm në degë, por edhe gjuhë e dytë ose e tretë. Është për t`u vlerësuar fakti që gjermanishtja jepet edhe në shkollat jopublike, pra në arsimin privat.
A mund të realizoheshin të gjitha këto arritje, vetëm me dashurinë për gjuhën gjermane dhe me dëshirën për ta mësuar atë, pa një mbështetje të vazhdueshme e bujare të Qeverisë Gjermane?!
Ja, që këtë mbështje dhe ndihmë e patëm që në fillim të viteve të Demokracisë, me DAAD-në (Shërbimi Gjerman për Shkëmbime Akademike), me qendër në Bonn, një institucion i njohur për shtrirjen e tij në shumë vende të botës, jo vetëm për Evropën por edhe në të tjera kontinente. Ai mbështet shkencëtarët e rinj për kërkime dhe studime të mëtejshme, deri në doktoraturë. Kështu, nëpërmjet përfaqësuesve të vet në vende të ndryshme, zhvillon projekte të lidhura me zhvillimin e arsimit të lartë. Po ashtu, ai ndihmon edhe me bazë materiale. Në Shqipëri, ne e kemi ndier këtë ndihmë jo vetëm në gjermanistikë, por edhe në të tjera degë, si në për ekonomi, inxhinjeri, mjekësi, arte etj. Me dhjetëra shkencëtarë të rinj shqipëtarë marrin bursa të përvitshme, afatshkurtra dhe afatgjata, për në Gjermani. Përsa i përket degës së gjuhës gjermane, DAAD ka dhënë një ndihmesë të jashtzakonshme, duke nisur që para hapjes së degës së gjuhës gjermane. Ata dërguan këtu përfaqësuesin e tyre, i cili ndonëse në rrethana shumë të vështira të asaj kohe, bëri një punë të jashtëzakonshme për departamentin. Ambasada Gjermane në Tiranë, në bashkëpunim me DAAD-në, ka dhuruar bibliotekën e parë për gjermanistikën, e cila falë kësaj mbështetjeje, vazhdimisht është pasuruar. DAAD-ja nuk ka rreshtur së dërguari lektorët gjermanë dhe, madje në 5 vitet e fundit, e ka përforcuar me një assitent, po gjerman. Veç këtyre, në bashkëpunim me Shërbimin e mësipërm, Fondacioni „Herder“ e ka mbështetur për disa vjet shkencërisht gjermanistikën, me profesorë të shquar gjermanë (si, p.sh., Prof. dr. Mario de Matteis, tepër i përkushtuar), si në Tiranë dhe Elbasan.
Por, a mund të mos theksohet fort ndihma në vazhdim e Institutit famëmadh Goethe?! I njohur si institucion për përhapjen dhe mbështetjen e gjuhës gjermane në të gjithë botën, ai ka qenë i pranishëm edhe në Shqipëri, që pas viteve `90-të të shekullit të kaluar. Fillimisht, ka specializuar mësuesit e rinj të gjermanishtes, pothuajse të gjithë. Sot është më shumë se kurrë i pranishëm me organizimin e kurseve, sipas niveleve dhe provimeve përkatëse, me grupmosha të ndryshme. Ai, gjithashtu, ka qenë i pranishëm me zbatime projektesh metodike-didaktike, për shkëmbim përvoje. Kështu, dita-ditës, numri i kursantëve është në rritje.
„Sami Frashëri“ nuk po e lë gjermanishten. ZFA (Enti Qendror për Sistemin Arsimor jashtë Gjermanisë) është i pranishëm te ne, që pas viteve ´90-të të shekullit të kaluar, me përfaqësuesit e saj, në fillim në shkollën e mesme “Asim Vokshi”. Ndërsa tani vazhdon me projektin, që përfshin 3 shkollat nëntëvjeçare të sipërpërmendura dhe Gjimnazin “Sami Frashëri”. Ky institucion, krahas kualifikimit të stafit mësimor, ofron bursa për nxënësit e shkollave të mesme.
Të rinjtë tanë mund të jenë edhe politikanët e ardhshëm, prandaj për këtë gjë ka menduar Bundestagu Gjerman. Që prej vitesh, ai mbështet studentë aktivë dhe me njohuri të mira të gjuhës gjermane, me bursa për praktikë disamujore në Parlamentin Gjerman.
Shtetet gjermanofolëse, në bllok, e kanë ndihmuar përzemërsisht dhe sinqerisht mësimin e gjuhës gjermane në Shqipëri. Që në vitet `90-të të shekullit të kaluar, si në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe më pas në degën e historisë, u dërguan lektorë austriakë. Ndërsa Qeveria Austriake dha bursa të shumta kualifikimi për stafin e studentët dhe tani kjo mbështetje është përqendruar në Shkodër, në arsimin e lartë dhe në atë të mesëm. Pjesë e fuqishme e kësaj ndihme, padyshim, është „Kulturkontakt Austria“, e njohur në mbarë Shqipërinë, me ndihmesën që jep për arsimin e mesëm profesional, si me bazë materiale dhe me projekte e bursa studimi. Siç dihet, pjesa më e madhe e Zvicrës shprehet në gjermanisht, kështu që dashamirësia dhe ndihma e Ambasadës Zvicerane në Tiranë është mjaft e njohur dhe e pranishme.
Sigurisht, në këtë shkrim nuk mund ta shprehim tërë mirënjohjen tonë për mbështetjen, që na është dhënë për mësimin e gjuhës gjermane në Shqipëri, jo vetëm materialisht, por edhe për faktin se studentët e të rinjtë shqiptarë po tërhiqen ndaj mësimit të kësaj gjuhe, gjithnjë e më shumë. Natyrisht, kjo na gëzon ne si popull, pjesë e Evropës. Prandaj dhe e ndjeva për detyrë, si shqiptare dhe pedagoge e gjuhës gjermane, për të cilën kam investuar, ta bëj të njohur sadopak këtë rrugëtim të gjuhës gjermane në vendin tonë, deri në ditët e sotme.
Tiranë, prill 2014