• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“ITAKA” E ALI AHMETIT

May 1, 2014 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1.
Homeri pellazgjik në motmote të antikitetit ka mjaltue epikë tek kryevepra e tij “Iliada” (shek. VIII p.e.s.) edhe për fisin e “Paionëve të Vardarit” pjesmarrës në kryeluftën e Trojës, sëbashku me fiset ilire Dardanët, Perraibojtë (nga Dodona në Selanik) etj. Apiani tek “Historia e Romës” (v. 60 e.s.) dijenon se, sipas mitologjisë, Paioni ishte nip i të parit tonë – Ilirit (Paion Autariat Iliri) dhe e kishte hallë Europën, motrën e dinastit Kadmi në brigje të liqenit të Ohrit. Pra, kësisoj, ne ishim genelidhë e të integruar në hapa ecjeje me Europën kontinentale e ishullore mijëra vite ma herët se sllavët e Ballkanit nga përplasje luftërake aziatike të vinin në trebrezat: tajgë, tundër e stepa të Siberisë. Fisi i madh ilir i “Paionëve të Vardarit” me kryeqytet Amydomin (diku, ndërmjet Shkupit e Selanikut) e, tevona, Bylazorën (Velesin) e kishte kryekult pagan Diellin, të cilin FYROM ua mori e vnoi në Flamurin e vet Shtetëror Republikan.
Homeri i verbër, epik e epokal, sikur të ngrihej si në atë legjendën e moçme shqiptare të Konstandinit, kishte me ardhë përgjatë rrjedhës së Vardarit e, patjetër, kishte me shkrue poema të tjera për Paionët e Rinj, për kreshnikun modern Ali Ahmeti, legjendë e gjallë e Zajazit, Ohrit, Shkupit…Kombit Shqiptar.
Homeri i madh, i lindur ndoshta në brigjet e epërme të Jonit, do t’i hapte sytë e në kompjuterin e tokës e të kohës panshqiptare do të shkruante dy kryevepra të tjera të reja: “Iliada” e “Odisea” për liderin epope e epokal Ali Ahmeti që i nisë emri me germën e parë të Shqipes dhe shpirtdon e veprimtaron ta çojnë shqiptarisht çështjen shqiptare tek “Zh” e saj.

2.
Si dikur në Antikitetin e lashtë u ringritën pasardhësit e “Paionëve të Vardarit”, Dardanëve, etj., të inkuadruar në “UÇK” në Kosovë, Luginën e Preshevës nën Serbi e në Maqedoni dhe luftuan kundër sllavëve, të cilët erdhën si “kalë Troje” në trevat etnike shqiptare në Ballkan dhe u keqsollën si “zot shtëpie” tue aktkrye pushtime e aneksime të tokave etnike shqiptare, genocid e spastrim etnik ndaj shqiptarëve trojenik.
Kjo ishte një tjetër “Luftë Troje”. Një luftë moderne. Kësaj here në truallin e shqiptarëve, në tri hapësira gjeopolitike të tij. Në rrjedha të historisë luftërat epokale në strategji e veprim luftarak nuk ngjasin njejtësisht me njëra-tjetrën. As prijëtarët e heronjtë e tyre nuk janë të njëjtë.
Tek vepra “Iliada” e Homerit në “Luftën e Trojës” përmendet edhe prijësi i “Paionëve të Vardarit”, Pelagoni, djali i tij tek duelon me Akilin, bashkëluftëtarët e tij tek luftojnë ballas në front. Mitologjia e lashtë ilire e Homeri e paraqesin Pelagonin si “Perëndia i Vardarit” e në etimiologji të dy kanë domethanie njisoj: “në ecje tuj punue”. Kjo më duket se i palcëngjit e diellndrit shqiptarit të madh Ali Ahmeti, lider epope e epokal i këtyre viseve etnike shqiptare në brigje të tre lumenjve burimor në Maqedoninë Shqiptare: Vardari (në Vërtok – Gostivar), Drini i Zi (liqeni i Ohrit) e Morava e Binçes (në Malet e Karadakut). Gjithë jeta e veprimtaria e Ali Ahmetit është “në ecje tuj punue” në luftë e në paqe, në dy shekuj.
Në koft se Homeri, poeti epik legjendar, do të kalëronte përgjatë brigjeve të Vardarit e do të njihej me tjetrën “Luftë të madhe të Trojës së Re” do ta shkruante një tjetër vepër të re “Iliada” për një nga prijësit kësaj lufte moderne legjendare, për Ali Ahmetin, një “Pelagon” i ri i pasardhësve paionë. Klasik, biblik, bohemik. Ish Komandanti Suprem e Përfaqësues Politik i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni. Azgan Haklaj, president i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar, e cilëson “Strateg i Luftës, Arkitekt i Paqes” (gaz. “Voal Online – Zëri i Shqiptarëve”- Zvicër; gaz. “Dielli”–Amerikë, shkurt 2014). Përndryshe: si e lartnon realisht e mrekullisht ish ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Besnik Mustafaj, si “Një Hero në Kohën Tonë”. (gaz.“Panorama”, Tiranë, 21 janar 2014).

3.
Udha e jetës e veprës të liderit historik Ali Ahmeti është në ecje të përhershme e të përjetshme drejt Perëndimit: Drejt Zvicrës si azilant e veprimtar kombëtar politik (1986-2001). Drejt Europës Perëndimore si një nga organizatorët e protestave masive të diasporës shqiptare në shtete të saj (1989-1990). Drejt Brukselit e Uashingtonit (2001-2014) për integrimet euro-atlantike të Maqedonisë së sotme (FYROM) dhe për integrimin e shqiptarëve me të drejta të plota kushtetuese demokratike si shtetformues në Maqedoni. Pra, krejt ndryshe nga udha e Pelagonit, prijësit legjendar të “Paionëve të Vardarit” (prej trungut të tij genetik rrjedhin disa degë-fise të reja ilire), të cilët shkuan drejt Lindjes në luftëra të mëdha si në Luftën e Trojës në Azinë e Vogël e me Aleksandrin e Madh deri në Indinë e largët.
Në koft se Homeri i madh do të kalëronte në udhën e gjatë të misionarit kombëtar panshqiptar Ali Ahmeti do të shkruante një tjetër vepër të re “Odisea” për këtë lider euro-atlantik, kreshnik modern, luftëtar shumplanësh e politikan shumëdimensional. Triumfatori i herëpashershëm Ali Ahmeti përngjet si Odisea legjendar i Homerit vetëm për kah simbolika e rikthimit në “Itakën” e tij të madhërishme, hyjnore, magjike: në Zajazin e lindjes tek kulla e gurtë, tek toka e lashtë e babës, tek Nanëmadhja e tij Huma nga Kumanova dhe në trevat etnike shqiptare në dy brigjet e rrjedhës së Vardarit në pritje të pushkës dinjitare çlirimtare të UÇK të tij në Maqedoni e të Marrëveshjes së Ohrit të gushtit 2001…e në pritje të 27 prillit 2014.
Ali Ahmeti në moshën 20 vjeçare hyri si “nxanës” në politikë tue kërkue e realitetue në gjimnazin e Kërçovës përdorimin e gjuhës Shqipe dhe u “diplomua” si politikan në vitet ’80 kur studionte në Universitetin e Prishtinës për Filozofi, kur ishte ndër organizatorët e pjesmarrësit e demonstratave studentore e popullore, kur u burgos një vit për bindje e veprimtari politike për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë e Maqedoni. Ali Ahmeti do të “merrte” gradën “doktorr” në politikë kur ishte azilant e veprimtar politik në Zvicër (1986-2001), kur u zgjodh antar i Këshillit të Përgjithshëm të LPK me detyrë ndërlidhjen ndërmjet Kosovës dhe Europës (1986-1988) dhe antar i Kryesisë së LPK (1988-1993) e kur u rizgjodh (1993) me detyrë speciale në sektorin ushtarak, kur ishte njëri ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (1996), kur u zgjodh antar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (1998). Ai do të bahej “profesor” në politikë kur ishte Komandant Suprem e Përfaqësues Politik i UÇK në Kosovë, Preshevë e Maqedoni, Kryesues i Këshillit Koordinues që bashkonte partitë politike shqiptare në Maqedoni; kur themeloi e drejtoi BDI. Tashti, kësokohe, Ali Ahmeti është pamëdyshje Akademik në Politikë.
Politika jeton brenda Ali Ahmetit dhe Ali Ahmeti jeton për politikën. Ai u rrit me Politikën dhe Politika e rriti Ali Ahmetin.
Unë nuk jam ka i thom kurrkujt se Ali Ahmeti është vet Zoti në Maqedoni e në Shqiptarinë e Ballkanitpo veçse kurrkush nuk mundet me ma mohue faktin se Ali Ahmeti me jetën e tij, me luftën e politikën e tij, me kontributet e atributet e tij nuk është Dalëzotas i Çështjes Kombëtare Shqiptare në Maqedoni e në shtete e treva shqiptare në Ballkan e në diasporat shqiptare.
Ali Ahmeti është rikthye në “Itakën” e tij..

Filed Under: ESSE Tagged With: “ITAKA”, E ALI AHMETIT, Ramiz Lushaj

DIKTATORI… FANATIKU… DHE “DEMOKRACIA”…

May 1, 2014 by dgreca

Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë…/Nga Fritz Radovani/

“Lirinë e keni ju, na hekra kemi…” thonte i Madhi Don Ndré Mjedja…
E vetmja arsye që më shtynë me shkrue sot, mbas gati 30 vjetësh që ka vdekë diktatori dhe tradhëtari i Popullit Shqiptar Enver Hoxha, asht vetem një: Thanja e dijetarit të Madh të shkencës së matematikës, së të ndjerit Profesor Petro Fundo:
“Diktatorë si Enver Hoxha, vazhdojnë për të sunduar edhe pas vdekjes së tyre!..”
Enver Hoxha tha në veprat e tij: “Hoxhallarët janë pa shkolla, prandaj nuk sjellin ndonjë rrezik për shoqërinë socialiste…” (E.H. Vepra nr. 3, 1945 – 1946, Tiranë)
Sikur t’ ishte vertetë kështu, atëherë, kush e bani të “dijtun” Enver Hoxhën, me të gjithë antarët e burove politike të K.Q. P.P.Sh., kryetarët e sekretarët e Kuvendit Popullor të RPSh (RPSSh), që kanë aprovue pushkatimet dhe shfarosjet e mbi 50.000 Shqiptarëve, dhe kanë aprovue ligjët per burgosjet, dëbimet e internimet e mbi 500.000 Shqiptarëve të tjerë nder kampet e shfarosjes komuniste në gjithë Shqipninë?!.. Kush i edukoi të gjithë kryeministrat, zv. kryeministrat, ministrat e mbrendshem e të jashtem… diplomatë dhe ata perfaqsues të pashkollë, që na perfaqsonin deri në OKB, perveç “mejtepeve”?!..
Nikita Hrushovi në librin “Kujtime” shkruen: “Shumë shumë të varfër dukeshin fshatarët. Varfënia dhe primitivizmi mbretnonin atje kudo…Liderët shqiptarë, me metodat e tyne të vrasjeve të fshehta e të hapuna, formuen një parti, që mbahet grusht rreth tyne vetem nga frika. Populli asht i detyruem t’i durojë. Nuk ka ç’ban! Pikërisht kështu ka qenë tek ne në kohën e Stalinit. Ai zhdukte të gjithë kuadrot e herëshme e populli thërriste: “Rroftë Stalini!” Stalini ishte “ miku dhe babai” i të gjithë popullit…
Ne donim të ngrinim ekonominë shqiptare në nivelet bashkëkohore, ta banim Shqipninë një perlë, e cila do të terhiqte drejtë komunizmit vendet muslimane, dhe sidomos ata të Lindjes së Afërt e të Afrikës…” (N.S. Hrushov “Kujtimet”, 1998).
Nuk duhet perjashtue fakti se në Shqipni kishte edhe “katolikë” (po i themi), me pikpamje komuniste dhe tesera të PPSh nder xhepa… Atëherë, pse nuk u gjet “një” prej tyne mbas vitit 1952, me zevendsue “katolikun” Tuk Jakova, apo me u zgjedhë të pakten “NJË”, kryeminister, kryetar i Kuvendit Popullor, minister i mbrendshem, i jashtem, perfaqsues i RPSSh në OKB, sa me u hjedhë pluhun syve delegacioneve të Organizatës Kombeve të Bashkueme në New York, se mbas pushtimit sllavo komunist të Shqipnisë, nga anadollaku Enver Hoxha, “Atdheu i Nanë Terezes nuk i ka zhdukë intelektualët e besimit katolik në Shqipni”, prandej, “ja ku e keni një perfaqsues t’ atij besimi këtu!” Por, JO! Jo vetem, që i zhduku të gjithë, po edhe shumë muslimanë dhe ortodoksë që ishin deri në fundin e jetës së tyne “Shqiptarë e Vllazen besnikë” me katolikët Shqiptarë!
Dhe, ja, edhe mbas vdekjes s’ atij perbindshi të ardhun nga gjaku i pistë i tokave të shkretnueme të Azisë apo të Kaukazit, që e lidhnin ma shumë me shkretinat e atyne viseve barbare se me Atdheun e Gjergj Kastriotit… Pasuesi i tij, boshnjaku i pabesë dhe tradhëtar i 12.000 kosovarëve të premë në besë, në rrugen e Kalvarit Kukës – Tivar, në vitin 1945, “vëllau i gjakut me turq” Ramiz Alia, vjen në Shkoder dy javë mbasi vdiq apo ngordhi Enver Hoxha, dhe u thotë shtatë sekretarëve të PPSh, në komitetin e Shkodres: “Shoku Enver na la… duhet të jemi më vigjilentë se kurrë mbasi armiqtë e Partisë, do të punojnë të prishin unitetin tonë. Ata në këtë kohë, si gjithënjë, do të kërkojnë për të gjetur mundësinë për të realizuar qëllimet e tyre të këqia ndaj Partisë… Prandaj, të jemi shumë vigjilentë sidomos, me pjesën katolike, e cila nuk e ka dashur kurrë Partinë. Ata në këtë situatë kanë per të kërkuar për të përfituar për të përçarë këtë unitet të Partisë sonë … por, kudo që të vëreni një çfaqje të vogël, mos prisni por sinjalizoni Partinë, vini prangat dhe jipni plumbin ballit!” (Prill 1985).
Ndersa, në mbledhjen e Byrosë Politike të PPSh, me 14 korrik 1990, Ramiz Alia shprazë urrejtjen antikatolike tue porositë “pasardhësit” e vet: “Nuk ka qytet tjetër ku vepron më tepër agjentura e armikut se sa Shkodra. Në Shkodër agjentura vepron shumë e organizuar, e ndërthurur. Atje ka agjenturë serbe, italiane, gjermano-perëndimore dhe franceze. Vatikani ka hedhur agjenturën e vet, prandaj, duhet ndenjur gjithmonë në tension dhe të rritet vigjilenca.”
Si munden me ngja që këta diktatorë fanatikë, vllavrasës e tradhëtarë, hajdutë e batakqijë…me vazhdue me kenë edhe sot si Enver Hoxha me 15 dekorata: Urdhri “Hero Kombëtar”, Titulli “Hero i Popullit”, Titulli “Hero i Punës Socialiste”, Urdhri i Lirisë i Klasit të Parë, Urdhri i Flamurit, Medalja e kujtimit, Urdhri “Ylli Partizan” i klasit të parë, Urdhri i “Skënderbeut” i Klasit të Parë, Urdhri i Trimërisë, Urdhri “Ylli i kuq”, Medalja e Trimërisë, Medalja e Çlirimit, Dekoratë nga Partia Komuniste Jugosllave në 1946, Italiane me Urdhrin “Ylli Garibaldit”, Dekoratë me Urdhrin “Suvorov” të Klasit të I nga Presidiumi i Sovjetit Suprem të BRSS, e kushedi çka i kanë dhanë vendet terroriste islamike që nuk e dijmë ne… tue mos zanë me gojë fare kobren Nexhmije Hoxha, Ramiz Alinë, apo një nga terroristët e Spanjës komuniste me emnin Mehmet Shehu, që me paturpësi shokët e tij kriminelë i perkujtojnë edhe 100 vjetorin e lindjes…dhe sot këtyne diktatorëve të pashpirtë e fanatikë vllavrasës, mendohet me u ngritë dhe obelisqe…
Nuk asht me u çuditë aspak, perderisa në Shqipni sundojnë terroristët…
Shqipnia po ban 22 vjet antare e “Konferencës Islamike”… Një nga veprat ma të shemtueme të anadollakëve “demokratë”, që ishin e mbeten besnikë të perjetshem të vepres e porosisë së mësuesit amoral të tyne, diktatorit fanatik turkoshak Enver Hoxha:
“Shqiptarët duhet t’ i pershtatën Kur’anit !..”
Kjo porosi perforcon até dëshmi rrenqethëse që ka thanë komunisti Sh.S., një burrë i sinqertë nga Shkodra, një mikut të vet (DG): “Ai më tha, duke me pyetur se sipas meje: në cilen zonë, në cilin qytet, komunizmi ka qenë ma i ashpër?
Unë, i thashë, mendoj se Vlona. Jo, më tha, aspak, Vlona ka furnizue me komunista Shqipninë, por komunizmi asht zhvillue ma egersisht në Shkoder, tamam tamam në lagjet tuaja, më tha e më shikoi drejtë e në sy dhe mandej m’ u kthye: Nuk e kena marrë teseren e partisë se e deshtem komunizmin, që nuk e kuptueme kurrë, por e morem se na erdhi rasti me nxjerrë shpaten e me ju shkatërrue ju. Kjo ishte andrra e gjyshave e baballarëve tanë. Partia e punës na e dha këte mundësi.”(Dëshmi nga DG).
Vazhdon…
Melbourne, Prill 2014.

Filed Under: ESSE Tagged With: DIKTATORI... FANATIKU... DHE “DEMOKRACIA”..., Fritz radovani

E ARDHMJA E EUROPËS: BALLKANI NË FOKUS

May 1, 2014 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Më 29 dhe më 30 Prill në Washington u mbajt konferenca dy ditore e organizuar nga Këshillit i Atlantikut për të përkujtuar disa përvjetorë me rëndësi jetikë për komunitetin trans-atlantik, përfshirë 25-vjetorin e shëmbjes së Murit të Berlinit, 15-vjetorin e zgjërimit të parë të antarësimit në NATO pas mbarimit të luftës së ftohët, dhe 10-vjetorin e zgjërimit të madh të antarësimit të vendeve ish-komuniste në Bashkimin Europian dhe në Këshillin e Europës. E drejtuar nga ish-Sekretarja amerikane e Shtetit Madeleine Albright, demokrate, dhe nga ish-këshilltari i Presidentit George Bush, për çështje të Sigurimit Kombëtar, Stephen Hadley, republikan — në konferencë morën pjesë, ndër të tjerë, edhe Zëvendës Presidenti i Amerikës, Joe Biden dhe Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, si dhe senatorë amerikanë dhe udhëheqës europianë. Qëllimi i konferencës, sipas Këshillit të Atlantikut, ishte për të venë në dukje transformimin e Europës deri tani, si dhe rëndësinë e këtyre përvjetorëve. Konferenca mundësoi gjithashtu zhvillimin e bisedimeve për të ardhmen e NATO-s dhe të Bashkimit Europian, dhe ishte një rast i mirë për të shkëmbyer mendimet dhe pikëpamjet e të ftuarve për përballjen e sfidave, drejtë një Europe të tërë dhe të lirë.

Njëri prej folësve kryesorë të konferencës ishte Sekretari Amerikan i Shtetit (DASH), John Kerry, i cili iu bashkua një numëri ministrash të jashtëm nga Europa, përfshirë edhe Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, për të celebruar, sipas DASH, “Këto arritje historike, si dhe vlerat e përbashkëta të cilat kanë forcuar dhe kalitur një komunitet trans-atlantik të fortë, demokratik dhe të begatë. Sekretari Amerikan i Shtetit ritheksoi gjithashtu edhe angazhimin e fortë të Shteteve të Bashkuara për një Europë të tërë, të lirë dhe në paqë. Zoti Kerry nënvijoi mbështetjen e administratës së Presidentit Obama ndaj aleatëve të NATOs duke u thënë ministrave dhe diplomatëve europianë, se “Ne jemi gati të bëjmë çdo gjë për të ndihmuar NATO-n që të mbrojë territorin e anëtarve të saj kundër ndonjë konflikti që mund të përhapet si përfundim i grabitjes së Krimesë nga Rusia, si dhe nga sulmet ruse në Ukrainën lindore.” Kryediplomati amerikan ritheksoi mbështetjen amerikane ndaj Ukrainës dhe kritikoi Rusinë se nuk ka marrë asnjë hap për të zbatuar marrveshjen e arritur këtë muaj në Gjenevë midis tij dhe ministrit të jashtëm rus, Lavrov, marrveshje që kishte për qëllim të ulte tensionin e krizës. Ai u tha zyrtarëve, ekspertëve politikë dhe gazetarve të pranishëm në conference, se “ky konflikt është një alarm për ne dhe për aleancën e NATO-s”. Zoti Kerry tha se, “Ne gjëndemi para një momenti përcaktues historik për komunitetin trans-atlantik”, dhe u bëri thirrje vendeve anëtare të NATO-s që të angazhohen seriozisht, që gjatë pesë viteve të ardhëshëm, të cakëtojnë të pakën dy për qind të buxhetit të tyre të përgjithëshëm për nevojat e mbrojtjes. Zoti Kerry u bëri gjithashtu thirrje aleatëve të NATO-s “që menjëherë të marrin masa urgjente për të siguruar që vendet europiane të mos jenë të varura nga Rusia për pjesën më të madhe të nevojave të tyre për energji”, dhe të përfundojnë bisedimet për një bashkpunim më të thellë ekonomik të komunitetit trans-atlantik. Ai shtoi se NATO duhet tani të përqëndrohet më shumë në mbrojtjen europiane, pas disa vitesh që aleanca ishte e angazhuar në misione në Irak dhe në Afganistan, duke thënë se tani, “kriza në Ukrainë na thërret që t’i këthehemi rolit për të cilin ishte krijuar NATO, e që është mbrojtja e territorit të aleancës dhe të avancimit të sigurinë trans-atlantike.” Xhon Kerry përfundoi fjalimin e tij duke thënë se, “Ne duhet t’ia bëjmë absolutisht të qartë Kremlinit se territori i NATO-s është i padhunueshëm. Ne do të mbrojmë çdo pëllëmbë të tij…”

Menjëherë pas fjalimit të Sekretarit amerikan të Shtetit, konferenca e organizuar nga Këshilli i Atlantikut e titulluar, “Drejtë një Europe të tërë dhe të lirë”, zhvilloi edhe një sesion kushtuar Europës Jugore, me pjesmarrjen e Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe ministrave të jashtëm të Malit të Zi, të Maqedonisë dhe të Bullgarisë. Sipas Këshillit të Atlantikut, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë vuri në dukje se Ballkani përballet gjithnjë me sfida të mëdha, duke theksuar ndër të tjera, çështjet kufitare, problemet e njohjeve dhe konflitet etnike. Ministri Bushati u citua të ketë thënë se, “Humbasin gjithnjë kohë se kush do ulet në tryezë, në vend që të përpiqemi të zgjidhim problemet për të ardhmen.” Në lidhje me antarësimin eventual të vendeve të Ballkanit Përendimor në Bashkimin Europian (BE), përfshirë Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë, Ministri shqiptar i punëve të jashtëme, ndonëse pranoi se është shënuar përparim i madh drejtë BE-së, ai vërejti se reagimi i BE-së ndaj vendeve të Ballkanit Përendimor ka qenë kryesisht tepër i ngadalshëm për procesin e integrimit të këtyre vendeve dhe se ekziston nevoja për marrjen e masave më të shpejta nga ana e BE-së. Ai shprehu mendimin e tij se, “Konsolidimi i vendeve të Europës Jugore është një proces sfidues dhe si i tillë nevojitë një angazhim më të madh nga ana e Bashkimit Europian dhe nga Shtetet e Bashkuara.” Kryediplomati shqiptar shprehu shqetsimin e tij se në mungesë të një interesimi më të madh mbi të ardhmen e Ballkanit nga BE-ja, procesi i përparimit në rajon mund të zgjasë indefinitivisht dhe mund të përfundojë në një fragmentim më të thellë të rajonit, me pasoja që askush nuk do t’i dëshironte.

Ndërsa në lidhje me zgjërimin e antarësimit në NATO, përfshirë Malin e Zi, Maqedoninë dhe Bosnje-Hercegovinën, vende këto që aspirojnë antarësimin në aleancën perëndimore, Zëvëndës-kryeministri dhe ministëri i jashtëm i Malit të Zi, Igor Luksiq shprehu shqetësimet e tija të thella me procesin e deritanishëm të antarësimit në NATO dhe shtoi se duhet të ketë një angazhim të qartë për antarësimin e vendeve të rajonit, si një kusht paraprak për një Europë stabile. Ministri malazez i tha konferencës se, Europa nuk mund të jetë e tërë, e lirë dhe në paqë, nëqoftse vendeve të Ballkanit perëndimor që dëshirojnë të bëhen anëtare të NATO-s, nuk u jepet mundësia të bëhen pjesë e aleancës perëndimore.” Edhe Ministri i jashtëm maqedonas, Nikola Poposki foli për ndihmën që vendi i tij u ka dhënë operacioneve të NATO-s megjithëse nuk është anëtare e aleancës dhe shtoi se NATO është forca kryesore shtytëse në procesin e reformave në Maqedoni. Ministrat e jashtëm të Ballkanit, sipas Këshillit të Atlantikut, theksuan gjithashtu natyrën ndërlidhëse të politikave rajonale, duke thënë se ngjarjet që mund të ndodhin në njërin prej vendeve të rajonit, mund të kenë efekte të drejta për drejta mbi stabilitetin rajonal në përgjithësi, dhe duke pasur parasyshë mjedisin politik në atë rajon, është e nevojshëme ruajtja e komunikimeve dhe përqëndrimi i përbashkët mbi zhvillimin e strategjive për sigurimin dhe stabilitetin e rajonit. Ndërsa Ministri i jashtëm bullgar, Kristian Vigenin tha, gjatë sesionit kushtuar Europës Jugore, se ashtu si Ukraina, edhe Ballkani gjëndet para një momenti historik vendimtar për të ardhmen e vet dhe si pasojë, është me rëndësi, shtoi ai, që vendimet të cilat do të merren në lidhje me këto vende, të jenë masa për të cilat ka nevojë stabiliteti dhe paqa në rajon.

Konferenca përfundoi punimet me një fjalim nga Zëvendës-Presidenti amerikan Joe Biden, i cili njoftoi se në Qershor, Presidenti Obama do të vizitojë Poloninë me rastin e 25-vjetorit të zgjedhjeve të lira atje, zgjedhje të cilat shënuan shkëputjen e atij vendi nga qeverisja komuniste e dominuar nga Bashkimi Sovjetik. Kjo vizitë po bëhet siç në duket, në përpjekje për të treguar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për aleatët e tyre në Europën Qendore dhe Lindore, përballë ballafaqimit të komunitetit trans-atlantik me Rusinë, në lidhje me agresionin rus kundër Ukrainës. Kritikët e administratës së Presidentit Obama kanë komentuar në të kaluarën se ajo nuk ka provuar mbështetjen e nevojshme për aleatët amerikanë në Europën Qëndrore dhe Lindore.

Këshilli i Atlantikut tha se kriza në Ukrainë përbën një rrezik serioz, ndaj përparimit të bërë deri tani drejtë një “Europe të tërë dhe të lirë”, ç’prej mbarimit të luftës së ftohtë, prandaj edhe vendosi të organizonte këtë konferencë ku morën pjesë udhëheqës dhe zyrtarë të lartë amerikanë dhe europianë, për të biseduar mbi gjetjen e mënyrave më të mira për ruajtjen dhe avancimin e përparimit të bërë deri më tani drejtë paqës dhe sigurisë në Europë, megjithë sfidën më serioze ndaj vizionit për një Europe të bashkuar dhe në paqë, ç’prej mbarimit të luftës së ftohtë, pothuaj një çerek shekulli më parë. Këshilli i Atlantikut tha se e organizoi këtë konferencë të udhëheqsve trans-atlantikë, ndërkohë që presidenti rus, Vladimir Putin po hedhë poshtë këtë vizion dhe ndërsa ai po u bën presion dhe ndërmerr sulme ushtarake kundër vendeve fqinje të Rusisë, në përpjekje për të mos i lejuar ato që të vendosin vet nëse duan të bëhen pjesë e vizionit për një Europe të tërë dhe të lirë. Kjo konferencë, theksoi Këshilli i Atlantikut, është pjesë e një fushate që ka ndërmarrë për nxitjen e marrjes së masave për të siguruar se Ukraina mbijeton si shtet, dhe njëkohësisht për forcuar identitetin dhe rolin e vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore dhe njëherazi edhe për të fuqizuar aleancën e NATO-s.

Filed Under: Featured Tagged With: BALLKANI NË FOKUS, E ARDHMJA E EUROPËS:, Frank shkreli

NXËNËSIT DURRSAKË NË KRYE TË OLIMPIADAVE KOMBËTARE

April 30, 2014 by dgreca

Nga 57 nxënës fitues, 18 janë nga shkollat e Durrësit/
Para dy ditësh, të hënën e 28 Prillit 2014, në Qendrën Kulturore të Fëmijëve në Durrës, DAR organizoi ceremoninë e shpërndarjes së çmimeve për nxënësit fitues të klasave: 9–10–11–12, të qarkut të Durrësit, të cilët ishin pjesëmarrës në olimpiadat kombëtare, në lëndët: matematik, fizik, kimi, biollgji dhe informatik.
Në këtë veprimtari kaq të rëndësishme, në sallë ishin të pranishëm nxënësit fitues, prindër, mësues, drejtorët e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, publike dhe jo publike dhe përfaqësues të DAR-së Durrës, Lindita Muka drejtore, Anesti Shuka përgjegjës i kurikulës, Gani Meçe inspektor, Avni Çuni drejtor i QKF Durrës dhe i ftuar i nderi Tasim Besho Doktor shkencash për matematikë.
Për nxënësit, prindërit, mësuesit, drejtuesit e shkollave dhe strukturat drejtuese të arsimit të qarkut të Durrësit, një takim i tillë festiv është diçka e zakonëshme, pasi përsëritet çdo vit në këtë stinë bollëku me olimpiada. Në kushte të tjera këjo veprimtari do të kalonte si një lajm i zakonshëm, që natyrisht përcillet me emocione. Por ky vit ka diçka më shumë, diçka që e bën të dallohet e që do të mbahet mend gjatë, pasi një numër i madh çmimesh, nga 57 fitues në shkallë kombëtare, plot 18, afërsisht 1/3, janë fituar nga nxënësit e shkollave të qarkut të Durrësit. Është vërtet një ngjarje dhe lajm i gëzueshëm për të gjithë, e cila e vlen të festohet e publikohet, sepse pjesëmarrja dhe fitorja në konkurs është mënyra më e mirë për të vlerësuar e dalluar më të mirët, ata që ne me mburrje i emërtojmë “talente”. Është forma më e bukur, për të vlerësuar kujdesin që bëjnë drejtoritë e shkollave edhe punën e kualifikuar të mësuesve të pasionuar të lëndëve shkencore nëpër shkollat tona publike dhe jopublike. Kështu që, me kaq shumë çmime e vënde nderi, cilido nga ne ka të drejtë të mburret e krenohet me arritjet e nxënësve tanë.
Nuk është gjë e re dukuria që vihet re në këto vitet e fundit. Numri i nxënësve që i kushtohen lëndëve shkencore, sa vjen e rritet. Është një frymë që kultivohet në familje dhe në shkollë. Vetë numri i fituesve të dalë nga faza e dytë e olimpiadës, e cila zakonisht organizohet brenda qarkut, i bën të panevojëshme fjalët e tepërta. Janë 106 fitues çmimesh të ndarë reciprokisht: 26 me çmim të I-rë, 15 me çmim të II-të, 26 me çmim të III-të dhe 38 nxënës që morën fletë lavdërimi.
Në atmosferën e festës dhe emocioneve, të pranishmit i përshëndeti Drejtoresha e DAR-së znj. Lindita Muka, e cila në fjalën e saj uroi nxënësit fitues, që nderuan veten, familjen, shkollat dhe mësuesit e tyre, duke kërkuar që në të ardhmen të shtohet më shumë numri i tyre. Durrësi ka nevojë për këta nxënës të ditur, që nesër do t`i khtehen qytetit tonë si kuadro me vlerë. Një përshëndetje dhe falënderim të veçantë u drejtoi mësuesve, sepse pas çdo nxënësi të sukseshëm qëndron një mësues i zoti. Sepse janë pikërisht këta mësimdhënës që zbulojnë talentet, e më pas me shumë durim e përkushtim, pa zhurmë e bujë, punojnë me ta dhe po arrijë rezultate kaq të mira, të cilat na gëzojnë e na nderojnë të gjithëve. Ne na vjen mirë që shkollat e Durrësit po arrijnë të konkurojnë e po fitojnë denjësisht me më të mirat e vendit. Fitoret janë pasqyra dhe pashaporta e emrit të tyre.

OLIMPIADAT KOMBËTARE 2014
Fituesit e Qarkut të Durrësit

Tabela
Lënda Matematike

Nr
Emri Mbiemri Shkollat Klasat Pikët Renditja
çmimi Lënda
Gledis Kallço Turgut Ozal X 35 2 Matematik 12
Boriana Gjura Turgut Ozal XII 34 2 Matematik 12
Rei Myderrizi Turgut Ozal IX 32 3 Matematik 9
Devid Duma Turgut Ozal XII 29 3 Matematik 12
Shënim: Gledis Kallço, nxënës i klasës X-të, konkuron për matematik 12.

Lënda Fizike

Nr
Emri Mbiemri Shkollat Klasa Pikët Renditja
çmimi Lënda
Evis Hoxha Turgut Ozal XII 43 1 Fizik 12
Rubin Deliallisi Rilindja XII 38 1 Fizik 12
Genti Rustemi Turgut Ozal XII 36 2 Fizik 12
Xhoana Bylykbashi Naim Frashëri XII 32 3 Fizik 12

Lënda Kimi

Nr
Emri Mbiemri Shkollat Klasat Pikët Renditja
çmimi Lënda
Xhesika Koroveshi Turgut Ozal XII 39 1 Kimi 12
Boriana Gjura Turgut Ozal XII 37 2 Kimi 12
Rubin Deliallisi Rilindja XII 36 2 Kimi 12

Lënda Biollogji

Nr
Emri Mbiemri Shkollat Klasat Pikët Renditja
çmimi Lënda
Rubin Deliallisi Rilindja XII 38 1 Biollogji 12
Valentina Sadikllari Turgut Ozal XII 34 2 Biollogji 12
Fiona Metalla Rilindja XII 28 3 Biollogji 12
Andi Zaimi Rilindja XII 28 3 Biollogji 12

Lënda Informatik

Nr
Emri Mbiemri Shkollat Klasat Pikët Renditja
çmimi Lënda
Devid Duma Turgut Ozal XII 50 1 Informatik 12
Evis Hoxha Turgut Ozal XII 48 1 Informatik 12
Jeton Shehu Leonik Tomeo XII 39 1 Informatik 12

Festa e shpërndarjes së çmimeve u shndërua në spektakël të bukur, pasi në skenë u ngjit grupi i valltarëve të vegjël të QKF-së, i cili sapo ishte kthyer nga një turne në Turqi, ku mori pjesë në një konkurs ndërkombëtar të fëmijëve. Vallet e tyre të luajtura mjeshtërisht, u përcollën nga të pranishmit me duartrokitje gjatë gjithë kohës.
Urojmë që takime dhe festa të tilla të kemi përherë!
E dergoi artikullin:Kadri Tarelli, bashkepunetor i Diellit

Filed Under: Kulture Tagged With: Kadri Tarelli, Olimpiada, prine Durresi

Ministri Makolli: Mërgata ka qenë, është dhe do të jetë një

April 30, 2014 by dgreca

Nga vizita e ministrit të Diasporës të Republikës së Kosovës z. Ibrahim Makolli në Montreal/
Nga Ajet Nuro*/
Ditën e shtunë më 19 prill 2014 mbrriti në Montreal, ministri i Diasporës i Republikës së Kosovës, Z. Ibrahim Makolli. Ai filloi nga Montreali një sere takimesh me emigrantët shqiptarë që janë vendosur në Amerikën e Veriut, (Kanada dhe Shtetet e Bashkuara). Ministri Makolli, mbrriti në Montreal me qëllimin e vetëm për të takuar emigrantët shqiptarë, të vendosur në metropolin e Kebekut. “Nuk do të doja të shkoja për here të tretë në Toronto, pa kaluar nga Montreali dhe pa u takuar me shqiptarët që jetojnë këtu”, -tha ai me të mbrritur në aeroportin Trudeau të Montrealit.

Ministria e gjithë shqiptarëve…
Nuk di sa ministri ka qeveria e Prishtinës dhe sa ministri ka ajo e e Tiranës por një ministri, ajo e Diasporës më ka rënë në sy për veprimtarinë e saj në mbështetje të diasporës dhe lidhjen e saj me vendlindjen. Ndonëse ky dikaster është pjesë e qeverisë së Republikës së Kosovës ajo u shërben njëlloj të gjithë emigrantëve shqiptarë pavarësish se nga është origjina e tyre. Kështu, kjo ministri ka shpërndar abetare e libra të tjerë për fëmijë dhe për të rritur, ka ndihmuar në hapjen dhe mbajtjen e shkollave shqipe edhe aty ku vetëm shqiptarë nga Republika e Shqipërisë si në Greqi psh. Kjo më bëri që në fillim të këtij viti, t’I kërkoj një intervistë titullarit të kësaj ministrie z. Ibrrahim Makolli dhe mund t’u them se vet procesi i kësaj interviste ishte një process që rrallë e sheh në zyrat e tjera në Prishtinë apo në Tiranë. Stafi I kësaj ministrie është një staf I sjellshëm dhe i vëmendshëm ndaj kërkesave që u dërgohen.
Vizitë e papritur
Vetëm në fillim të javës, zdhënësi i Minsitrisë së Diasporës, Zgjim Gashi më bëri të ditur dëshirën e ministrit Makolli për të ardhur në Montreal për të takuar shqiptarët që jetojnë dhe punojnë këtu. Por, nga ana tjetër, shqiptarët e kanë në gjak ndjenjën e mikpritjes, kështu që vumë në lëvizje gjithë njerëzit tanë këtu dhe ndonëse fund-java ishte prej kohësh e planifiuar dhe fund-javë pashkësh, ia dolëm të planifikojmë pritjen e minitrit Makolli.
Pas pritjes në aeroport, përfitova nga disa minuta të lira për të shëtitur me z. Makolli në Montreal dhe në ishullin Saint-Hélène. Kuptohet që dimri sapo ka dal dhe pranvera është duke ardhur por, edhe kështu qyteti i Montrealit është i bukur për t’u parë.
Mbrëmje mes shqiptarësh
Ndonëse, jo të gjithë ata që do të doja të ishin në mbremje, munda t’i mblidhja, rreth njëzetë shqiptarë u ulën në restorantin « Bâton Rouge » për të respektuar mikun e nderuar nga Prishtina. Në fakt, aty kishte shqiptar nga Çamëria, Vlora, Tepelena, Shkodra, Elbasani, Korça, Kamenica, Prishtina dhe Obiliqi (Për të mos i numëruar të gjitha vendet e përfaqësuara…)Ne patëm nderin të kemi në tavolinë edhe katër përfaqësues nga Toronto, mes tyre edhe anëtaren e kryesisë së shoqatës shqiptaro-kanadeze në Toronto znj. Emiliana Anastasi dhe aktivitin e kësaj shoqate z. Leonard Zoga.
Do të desha t’i falenderoj të gjithë të pranishmit e mbi të gjitha z. Shkëlqim Tola që u tregua i papërtuar dhe në dispozicion për të pritur e nderuar mikun e veçantë nga Prishtina.
Nder për Kosovën
Duke falenderuar pjesëmarrësit për ardhjen e tyre si dhe z. Makolli, unë theksova se nderimi që ne i bëjmë mikut të lart nga Kosova i takon së pari një zonje të rëndë siç është Kosova. Kur Kosova ishte nën thundrën e serbëve dhe para pavarësisë, uronim që kjo ditë të vinte dhe ardhja e një ministri nga Kosova, është treguesi i pare e i prekshëm i asaj që Kosova sot është një vend i pavarur. Sigurisht, me këtë pritje ne nderojmë edhe mikun nga Prishtina dhe dikasterin që ai përfaqëson. Ministria e Diasporës n’a ka bërë të ndihemi se ekzistojmë dhe të vlerësohemi. Do të donim që edhe Tirana të kujdesej edhe më shumë. Ministria e Diasporës nuk flet por vepron. Edhe njëherë u kujtova të pranishmëve, se edhe fëmijët tanë përfituan në dhjetorin e kaluar nga dhuratat e dërguara nga Ministria e Diasporës së Kosovës prandaj dua t’a falenderoj z. Makolli për gjithçka që ai dhe dikasteri i tij bëjnë për ne emigrantët. Ne, emigrantët, nuk kemi nevojë për parà apo për ndihë ekonomike por për një kujdes shtetëror.
Gjuha shqipe dhe ruajtja e identitetit kombëtar duhet të n’a bashkojnë të gjithë shqiptarëve
Pasi falenderoi për mikpritjen, ministri i diasporës tha se është kënaqësi për mua të takohem menjerëzit tanë të cilët siç e dini jeni të shpërndarë në të gjithë botën dhe nuk ka vend ku nuk ka shqiptarë. Unë kam një aktivitet në Toronto por nuk mund të shkoja përsëri në Toronto pa u ndalur dhe takuar shqiptarët e Montrealit. Unë veprimtarinë Tuaj e kam ndjekur nga larg por është ndryshe ajo që e prek vetë. Nuk do t’a konsiderojmë sukses përsa kohë nuk kemi lidhje të mira mes atyre që jetojnë jashtë dhe ne që jetojmë brenda. Mërgata nuk është e Kosovës, as e Shqipërisë. Mërgata ka qenë, është dhe do të jetë një dhe çdo veprim që bëjmë e bëjmë për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Ne kemi bashkëpunim të mirë me Shqipërinë sikurse me ministrinë e arsimit dhe ne e plotësojmë njëri-tjetrin. Ne kemi disa objektiva për njerëzit tanë që jetojnë jashtë. E para dhe mbi të gjitha është ruajtja e identitetit . Nëse në të kaluarën është arritur që të ruhet, sot nuk është dhe aq e lehtë. Nuk është e lehtë sepse zhvillimet teknologjike e kanë bërë të vetën. Nëse ju keni ardhur në moshën 15 apo 20 vjeçare por fëmijët që lindin këtu që kurse fillojnë të flasin janë në çerdhe apo shkolla dhe krijojnë një farë identitet. Kështu me njerësit tanë që jetojnë jashtë po reagojmë për këtë çështje. Nuk jemi të kënaqur me mësimin plotësues sepse është pak për nevojat që kemi. Në këtë drejtim Suedia është më mirë sepse mësimi bënë pjesë në mësimin e rregullt. Gjatë këtyre 2 vjetëve kemi arritur të rrisim numrin e shkollave dhe të nxënësve, kemi shpërndarë mbi 260 mijë libra në shkolla por edhe në biblioteka të qyteteve dhe do të vazhdojmë kësisoj edhe në të ardhmen. Objektiv tjetër yni është të dimë numrin e mërgimtarëve tanë dhe kemi filluar të regjistrojmë mërgatën dhe këtë kemi dashur t’a bëjmë së bashku me Shqipërinë sepse kështu mund të nxjerrim edhe rezultatet se sa emigrantë ka nga Shqipëria, sa nga Kosova, sa nga Mali i Zi apo nga Maqedonia. Rëndësi i kushtojmë edhe Luginës së Preshevës pasi nëse nuk kujdesemi ne, nuk ka kush të kujdeset për ta. Kemi filluar organizimin e mërgatës në aspektin profesional të saj. Kemi organizuar rrjetin e mjekëve shqiptarë në botë, kemi organizuar një konferencë në Prishtin. Numri i mjekëve shqiptar të një profili të lartë në botë vërtitet rreth numrit 700. Po ashtu kemi punuar për krijimin e shoqatave të inxhinierëve dhe arkitektëve shqiptarë në shumë vende të Europës po ashtu edhe shoqata të juristëve dhe profesione të tjera. Gjithashtu po krijojmë edhe shoqata të biznesmenëve shqiptarë dhe kydo të jetë edhe qëllimi i një mbledhje që do të organizohet në Toronto pasnesër. Gjer më sot kemi krijuar rreth 17 rrethe të tilla. Këto organizime ndihmojnë raportet mes shqiptarëve në vendet ku ata jetojnë por kjo favorizon edhe marrdhëniet e tyre me vendlindjen. Jemi duke diskutuar me Shqipërinë për të patur një komitet për mërgatën që do të ketë autoritet këshilldhënës mbi qerveritar. Ne kemi qeveritë tona por ne kemi nevojë për një politikë kombëtare për mërgatën. Ne kemi një strategji për diasporën që nuk është një strategji e mbyllur por jnë strategji e gjallë.
Pastaj z. Makolli foli për arritjet e dikasterit të tij, arritje që siç tha ai nuk mund të realizoheshin pa bashkëpunimin e dikasterit të tij dhe komuniteteve shqiptare kudo në botë. Pastaj ai tha se jemi nga pupujt e paktë që kanë mbi dy të tretat e popullsisë që jeton jashtë kufijve të saj. Ai tha se në botë vetëm pas viteve ’60 janë mbi tre millionë shqiptarë (pa përmendur shqiptarët e detyruar që të shpërngulen në Turqui nga dhuna e klikës Rankoviç-Tito.)
Përfaqësimi i diasporës në politikën shqiptare është një nga projektet e ministisë së diasporës dhe, edhe aty z. Makolli theksoi kujdesin që disapora mos të ndahet apo partizohet dhe po punohet të gjendet mënyra më e mirë e pëfaqësimit. Në fund, miku i nderuar falenderoi të pranishmit për mikpritjen dhe u kërkoi atyre dhe gjithë emigrantëve të tjerë të ndihmojnë në misionin e ministrisë së diasporës dhe të shkruajnë të flasin madje edhe të kritikojnë por duke sugjeruar edhe zgjidhje.
Pastaj mbrëmja kaloi në një atmosferë vllazërore
Për t’u bërë një përmbledhje të atmosferës që krijoi ministri Makolli, nuk ka më bukur se shprehja që më tha një nga pjesëmarrësit të nesërmen e takimit: Me vdekjen e Ibrahim Rugovës, nuk besoja se ndonjë politikan tjetër do më ngjallte entuziazëm dhe shpresë si z. Makolli …
Të nesërmen z. Makolli pati takim me një grup emigrantësh në kolegjin Brebeuf në Montreal, takim i organizuar nga Bashkësia e Shqiptarëve të Kebekut në Montreal.
• E dërgoi për Diellin vetë autori. E falenderojmë!

Filed Under: Featured Tagged With: Ajet Nuro, dhe do të jetë, është, Makolli: Mërgata ka qenë, një

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4653
  • 4654
  • 4655
  • 4656
  • 4657
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT