• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MBIJETESA E LETËRSISË SË VLERAVE

September 18, 2013 by dgreca

Shkruan: VIOLETA ALLMUÇA */

Momenti në të cilin gjendemi, sidomos lidhur me vlerat e mirëfillta letrare, është nga më të vështirat sa i përket mundësive të botimit, njohjes dhe vlerësimit të saj. Botimet serioze, pra vlerat letrare, si dhe autorët që prodhojnë shenja të mirëfillta estetike, gjenden të rrezikuara seriozisht, gati-gati për të humbur komunikimin me lexuesin dhe studimet serioze.

Rrethana e krijuar, pra ajo që theksuam hapur, moskomunikimi me lexuesin, lidhen me një mori shkaqesh që kanë të bëjnë me humbjen e vëmendjes ndaj letërsisë shqipe. Letërsia shqiptare në përgjithësi dhe sidomos ajo e vlerave të mirëfillta gjendet realisht e rrezikuar, përveç të tjerash për këto arsye:

         Së pari: Përqëndrimi i vëmendjes vetëm tek letërsia e huaj, pra tek përkthimi i saj, pavarësisht se ky ka ardhur në shumicën e rasteve me 1001 probleme, dhe, lënia jashtë vëmendjes, sidomos e letërsisë së periudhës së tashme, pra e prodhimit letrar të këtyre viteve.

Së dyti: Letërsia në mjediset tona, gjithnjë e më shumë, po tentohet të paraqitet si letërsi e tipit “Bestseller” ose si letërsi që matet me shitshmërinë dhe jo nga vlerat, çka ka përbërë atë që sot letërsia serioze të jetë e rrezikuar. Në tipin e librave “Bestseller” përfshihen libra historik, letërsi me vlera të dyshimta, libra aventuresk, etj. Pra, tashmë mesa duket kjo lloj “letërsie” ka zbritur nën nivelin mesatar, çka e bën letërsinë në tërësi një element klasifikimi të padrejtë dhe pa estetikë.

Së treti: Autori shqiptar dhe letërsia shqipe, veçanërisht ajo serioze dhe me vlera gjendet e rrezikuar edhe prej shkaqeve ekonomike, sepse tashmë në praktikën e botuesve shqiptarë, gati është bërë rregull botimi i librave duke paguar autorët që në fakt është një kambanë alarmi mbi fatin e letërsisë shqipe, mbi fatin e vlerave të kulturës shqiptare në përgjithësi.

         Së katërti: Në këtë periudhë ka një prirje të shumë individëve, moshave dhe profesioneve të ndryshme, që të merren me shkrime librash të karakterit historik, kujtime, enciklopedik, letrar, ndonëse autorët vijnë nga profesione të ndryshme dhe për fatin e keq, sot, lexuesit janë të paktë.

Megjithëse, arti i të folurit dhe të shkruarit është i lirë, sidomos, kur bëhet fjalë për letërsinë duhet që në fill të saj të lidhet mendimi kritik ose krahasim i vlerave estetike, që e dallon një vepër letrare. Nuk është për t’u habitur se qysh në kohën e lindjes së artit dhe të letërsisë në veçanti, kur libri i shkruar u kthye në shërbim të njerëzimit fillojë të lulëzojë edhe mendimi kritik në botën dhe terrenin letrare. Le të përmendim këtu Francën, Spanjën, Italinë, Austrinë, etj. ku rolin kryesor e merrnin vlerat e vërteta, ato vlera që njerëzmi realisht i vlersonte për vlerat artistike e estetike.

Në kritikën tonë letrare, vihet re me shqetësim, që vlerat i marrin dhe antivlerat. Shfrytëzimi i mediave për të rritur vlerat e dyshimta ka bërë që sot të kemi një letërsi të “lustruar” nga një kritikë e padenjë. A është sot në krizë kritika jonë letrare? A është sot kritika letrare një reflektim i letërsisë mbi vetveten? A po promovohet letërsia e mirëfilltë apo një lloj letërsie jashte vlerave letrare?

Fjala dhe letërsia brenda vetes, duhet të jetë pak më e normativizuar. Edhe pse kemi folur dhe nuk kemi mohuar ekzistencën e kritikës së mirëfilltë letrare, nëse e marrim këtë si një ankim, ka disa krijues që e marrin mungesën e kritikës si “vërtetim” melankolik i realitetit letrar, kulturor dhe artistik. Po ndodh që edhe ata që mbahen sot si kritikë të një vepre letrare, dhe për hir të vërtetës mund të themi se janë në një përfaqësim të vogël, shfaqin mendime në rrethe të ngushta, duke i bërë në veçanti krijuesit e rinj që posa kanë filluar të hedhin hapat e parë në letërsi, ta ndjejnë veten të “lartësuar”. Në faqet e kulturës, të gazetave shqiptare, në të dy anët e kufirit Kosovë, Shqipëri, gjen gjithfarsoj shkrimesh për librat e botuara. Por në këto shkrime nuk ka asgjë të ngjashme me analizën artistike të një vepre letrare, përveç një profili të vakët të shikimit të librit në veçanti dhe fenomeni i çuditshëm i theksimit se ky autor ose autore po vjen si një “zë” i ri, me këtë apo atë risi e nivel artistik, që nuk mund të quhet asesi një vepër e arrirë vetëm me “gjykimin” e gazetarëve, ose pseudogazetarëve “lajkatarë”. Ndoshta ky informacion viziv apo i shkruar sipas mendimit informativ të gazetarëve të kulturës, në vend të fillimit të përfaqësimit të letërsisë së vërtetë të çdo autori, ofrojnë atë që në ditët e sotme quhet “prodhim” mediatik të një vepre e cila nuk ka lidhje me shkrimin letrar. Leximi i veprave të tilla, ende pa ditur vlerat e tij artistike dhe estetike, nuk ka sjellë asgjë të re nga funksioni letrar apo më keq ka sjellë mediatizimin e grupit. Ka shkrimtarë që librat e tyre artistikë i promovojnë me audiencë politikanësh, analistësh politikë, të gjithfarsoj ideve politike. Mund të ndodhë që edhe politikanët të lexojnë letërsi, por nuk mund të ndodhë që analistët politikë që bëjnë analistin e partive reciproke të bëjnë analizën e librit duke i thurur “lavde” shkrimtarit dhe librit të tij, pa mendimin e vyer të kritikut që ndoshta do t’i jepte vlerën e duhur veprës letrare..Ky është një promovim për të fituar mediumin e tyre, pra për të pasur përkrahjen e politikanëve që ndoshta nuk dijnë të bëjnë as politikën e drejtë ndaj letrave shqipe në përgjithësi dhe shkrimtarëve apo institucioneve të tyre me librin e jo më të flasin për artin dhe letërsinë. Shqipëria mund të jetë i vetmi vend në Europë ku nuk ekziston asnjë institucion i shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë.  Vetë letërsia dhe arti duhet të mos bëhen shtojcë e rolit dhe medias politike. Duke hyrë në klanet e politikës, letërsia nuk e gëzon më të drejtën në shërbim të misionit të saj për të përcjellë tek lexuesit vlerat artistike dhe estetike.

Në projektet e shtëpive botuese për publikimin e librave në të ardhmen mund të merret

parasysh edhe mendimi i kritikut letrar ashtu siç ndodh në vendet e tjera të botës së zhvilluar

letraro-artistike ku për çdo libër para se të botohet dhe të dalë në treg jepet mendimi i

specializuar i kritikës letrare, pra vlerat e veprës letrare.  Kjo është e e domosdoshme edhe

për ne që të lexojmë libra të mirë me vlera artistike dhe estetike. Kjo është po aq e

rëndësishme edhe për një letërsi mbarëkombëtare.

Pa një analizë të thellë të veprës letrare, zor se do t’u japim të drejtën shkrimtarëve të vërtetë, aq më pak të rinjve, që në radhë të parë duhen falenderuar sepse kanë marrë penën dhe vetë kohën e tyre për të shkruar. Përpjekjet e tyre për të bërë atë çka është më e mirë, “sipas vetes” dhe jo sipas vlerave që sjellin, pra krijimin e vlerave të mirëfillta, qoftë nga leximi i tekstit, analiza e veçantë e kritikut, sjell tek lexuesi të bukurën për të gjithë dhe jo vetëm për një “kor” të vogël.

Ai që analizon, që sjell mendimin kritik letrar ose krahasues për një vepër letrare pa vlera, me një vepër tjetër të një autori të vlerësuar në kohë dhe hapësirë nuk bën asgjë më shumë përveçse e “përkëdhel” një krijues. E njëjta situatë ndodh edhe kur e vlerëson veprën e dikujt “si një vepër pa art”, ose një vepër e zakonshme me vlera të vakëta estetike. Ndonjëherë mendimi i kritikut shihet si i “gabuar”, zemëron autorin që nuk pranon kritikën, dhe shpall luftën ndaj kritikuesëve duke i nënvlerësuar ata si individë, kinse u mungon niveli i duhur mbi kulturën e vlerësimit.

Kjo gjë vihet re sot në mungesën e shkollës së kritikëve dhe shpërfaqjen e gazetarëve të kulturës që më së paku duhen përgëzuar se informojnë median e shkruar dhe vizive për daljen në dritë të librave të rinj. Megjithë dëshirën e tyre të mirë, ata nuk mund ta bëjnë dot rolin e kritikut të mirëfilltë për një vepër letrare sepse të flasësh për konceptin e kritikës duhet në radhë të parë të kesh “esencën” e kritikut.

Mënyra e të thururit “lavde” pa kuptim, pa vlera artstike dhe estetike, të çfarëdolloj botimi, që hidhet në treg në periudhën e tashme i ka bërë keq vetë letërsisë. Nëse ballafaqohesh sot me stendat e librave vihet re, që jo vlerat kanë zënë vendin, të cilin nuk e meritojnë, një meritë që nuk ka lidhje me të sotmen e letërsisë shqipe por edhe me të ardhmen e saj. Lulëzimi i një letërsie të plotësuar lidhet po aq ngushtë me një kritikë të plotësuar, pa e instrumentalizuar konceptin letrar në tërësinë e veprës së mirëfilltë.

Kritika letrare edhe pas viteve 90-të vazhdon të na shfaqet si diçka e padukshme, në gjithëpërfshirjen e dukshme të letërsisë së tashme, prozë, poezi, arte figurative apo gjini të tjera. Më keq akoma, mund ta quaj, humbje të misionit dhe fuqisë së saj. Pa lënë mënjanë atë çka është arritur në periudha të kaluara, ose ndonjë përpjekje impulsive në kohën e sotme, mesazhet e kritikës së vërtetë mbi tekstin letrar kanë shterur. Në një numër marramendës botimesh të reja të viteve të fundit ka fare pak analiza serioze të krijimeve letraro-artistike. Kjo do të jetë një mangësi e mëvonshme që do të ndikojë në cilësinë e vërtetë të veprave të mirëqëna që sigurisht duhet të mbartin vlerat leximore. Vepra pseudoletrare të ngjizura për komercializëm nuk quhen vepra të vërteta. Ato janë të përkohshme në kohë, por asnjëherë nuk janë vlera të vetëdijshme letrare.

Unë personalisht nuk di si ta shpjegoj këtë paradoks. Tek ne nuk ekziston sistemi dhe shkolla e kritikës letrare dhe kritikës së artit, e cilia më bën të besoj se vlerat dhe antivlerat do të mbeten në hije, që do të thotë se as shkrimtarët dhe as kritikët nuk do të ballafaqohen me njëri-tjetrin për atë çfarë quhet vlerë e një vepre dhe antivlerë e një vepre të cilat duhet të ndahen nga njëra-tjetra vetëm nga kontributi i kritikës dhe lexuesit.

Ajo që më shqetëson më shumë është se ne nuk kemi studime të mirëfillta mbi kritikën bashkëkohore si një zhvillim i domosdoshëm për artin dhe ndikimin e tij në shoqërinë njerëzore. Po ashtu një mungesë e tillë  do të ndikojë edhe në vendosjen reale e korrekte të hierarkisë së vlerave të dëshmimit të saktë të veprave letrare. Ky fakt do të sjellë diçka të padëshirueshme në njohjen e krijmtarisë së re në letërsinë bashkëkohore. Kujtesa për një mendim realist, rreth asaj çka i duhet çdo epoke për të vlerësuar si duhet veprat letrare më shtyn të besoj se gjithçka mund të mbulohet me heshtje. Do të ishte njësoj si të përsëritej rituali i harrimit të kohës, përjetimit dhe tranzicionit kulturor. Me duket se edhe disa përpjekje jo profesionale, për arritjet apo mosarritjet në zhvillimet e reja letraro-artistike kanë mbështetje klanesh në median e shkruar dhe vizive që kthehet në një akt komercial dhe aspak si një libër me dëshmim vlerash realiste. Sa për hierarkinë e vlerave besoj se ajo ka mbetur në vend ose aty ku ishte në të shkuarën. Mendoj se vetëm fryma e kritikës së vërtetë mund ta nxjerrë letërsinë dhe artin shqiptar nga hullia ku ka mbetur. Deri atëhere, le te presim shpërblimin e vetëhumbjes. Në pikëtakimin me të ardhmen, duke dimensionuar vlerësimin artistik nëpërmjet vlerësimit kritik, nuk duhet të harrojmë rolin e artit dhe letërsisë së mirëfilltë në shërbim të qytetërimit.

 *Shkrimtare, Studiuse. Violeta Allmuca eshte autore e 7 librave, 2 prej tyre me poezi. 4 romane(Era e Pasionit, eshte pritur shume mire nga kritika)-Ka shkruar nje liber publicistike ”ZE GRUAJE”. Kritika letrare ka shkruar per krijmtarine e saj si zeri me i njohur pas viteve 90-te. Gjithashtu merret edhe me kritike letrare. Me kete shkrim nis bashkepunimi i shkrimtares dhe studiuses me gazeten Dielli)

Filed Under: Kulture Tagged With: Mbijetesa e Letersise.\, se vlerave, Violeta Allmuca

DASHAMIR SHEHI DO TE KTHEHET TEK SHTEPIA E VJETER

September 18, 2013 by dgreca

Ndoshta se shpejti do të themi se na ishte dikur LZHK-ja që tentoi të bëhej parti, por që nuk u bë dot as lëvizje sic pretendoi dhe as Parti, mbeti partickë. Madje në zgjedhjet e fundit parlamentare përfitoi vetëm nga futja në nënsqetullën e Partisë Demokratike dhe aleatëve, duke shënuar një rezultat më të ulët se në zgjedhjet e mëparshme.Mjafton që të përmendim Tiranën, ku mendohej se LZHK kishet oazin e vet, u morën më pak vota se ne të gjitha zgjedhjet e mëparshme parlamentare apo locale, qe merreshin ne kryeqytet nga kjo force politike.Kthimi në shtëpi i plangprishësit Dashamir Shehi është veprimi më i mirë politik që ai ka bërë në karrierën e vet. Fundja më në fund, ai shkoi dhe në Parlament dhe këtë as për meritë të vet, as për meritë të Partisë, vetëm të PD-së.

Shënjën për kthim tek formacioni i Bashës e ka dhënë vetë kreu i LZHK-së Dashamir Shehi i cili thotë se është i gatshëm që partia e tij dhe strukturat të bëhen një me Partinë Demokratike e kjo do të varet nga negociatat gjatë ditëve në vijim.

Shehi ka thënë se me kryetarin e ri të PD-së duhet nisur një fillim i ri për çuarjen e opozitës së djathtë drejt mazhorancës.

“Duhen bërë ndryshime kushtetuese -thotë kreu i LZHK-së Dashamir Shehi ndërsa i referohet jo vetëm pavarësisë së institucioneve dhe situatës së krijuar në parlament ku pjesa më e madhe e deputetëve janë preferancat e kryetarit të partisë por edhe për vendime të tilla siç ishte ai i qeverisë për heqjen e fotos së presidentit nga institucionet.

Ndërsa flet për ofertën e kryeministrit Rama për të bashkëpunuar për çështjen e pronave, Shehi thotë se  nuk ishte një mesazh që i drejtohej posaçërisht atij por opozitës në tërësi.

Shehi thotë se opozita do të jetë e gatshme të bashkëpunojë në çdo kohë për sa i përkret procesit integrues të Shqipërisë, pasi shumë vite ky proces është zvarritur më së shumti nga politika.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Dash Shehhi, Lzhk, PD

DITAR PËR QEVERINË RAMA – RRETH VIZITËS NË BRUKSEL DHE SHKRIMIT TË NEUE ZÜRCHER ZEITUNG

September 18, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Kryeministri i ri i Shqipërisë sapo ka vizituar Brukselin, ku është pritur nga të gjithë krerët e institucioneve më të larta të NATO-s dhe BE-së. Pritja ishte shumë e mirë, me plot shpresa dhe detyra për të përmbushur. Një pjesë e takimeve u dhanë „live“ –kështu që ne i pamë me sytë tanë e i dëgjuam me veshët tona çka u tha midis zyrtarëve më të lartë të Bashkimit Europian dhe kryeministrit Rama. Për Shqipërinë statusi i vendit kandidat për në Bashkimin europian është i arritshëm edhe në dhjetor, pra brenda këtij viti, por për këtë nevojiten përpjekje konkrete kundër krimit të organizuar e korrupsionit përmes hetimeve proaktive. Me pak fjalë, krerët e Brukselit i kërkojnë Ramës jo retorikë por luftë dhe rezultate konkrete kundër erozionit të shtetit ligjor. Që shqip do të thotë se kryeministrit të ri i duhet të çojë përpara drejtësisë të korruptuarit dhe mafiozët që kanë kapur shtetin. Brukseli i kërkoi Ramës si shumë të rëndësishme edhe bashkëpunimin me opozitën, e cila deri më tani është në një pozitë shumë amatore dhe qesharake.

Në ditën e dytë të vizitës të Ramës në Bruksel, gazeta presigjioze zvicerane Neue Zürcher Zeitung tek rubrika e saj Analiza dhe Reportazhe botonte në ueb analizën e Thomas Fuster, nga Viena, ku që në nëntitull, autori vendos kritikën sipas së cilës Edi Rama arriti ku deshi, por iu largua idealeve të larta, sepse, sipas autorit, ai bëri „aleancë me kryetarin e LSI-së, Ilir Metën, i cili konsiderohet si një nga politikanët më të korruptuar.“

Thomas Fuster lavdëronte luftën që Edi Rama si kryebashkiak dhe reformator i kishte bërë anarkisë urbane të kryeqytetit, kritikonte bojkotet dhe arrogancën si lideri i opozitës, por fokusohej tek aleanca me Metën.

Kjo kritikë si thikë me dy presa, pasi qeverisja Rama është në ditët e saj të para, ndërsa ish-kryeministri Berisha ishte pikërisht personi që e faktorizoi Ilir Metën në politikë, sepse si Fatos Nano ashtu dhe Edi Rama bënë gjithçka që ta defaktorizonin dhe nxirnin jashtë dyerve të saj.

Shkrimi i Neue Zürcher Zeitung paçka se ishte përkthyer gati në mënyrë integrale nga Radio DW, në Tiranë kaloi në heshtje ose i censuruar dhe i botuar si shkrim lavdërues. E censuroi edhe një platformë online shqipfolëse në Zvicër që botohet në tri gjuhë. Në Tiranë variantin e DW e botoi në ueb Panorama por nuk e vendosi në faqe të parë në gazetë. Ndërsa Balkanweb dhe Shekulli botuan atë pjesë ku lavdërohej Rama dhe censuruan plotësisht pjesën ku flitej për Ilir Metën.

Prej kësaj, edhe një herë del në spikamë roli negativ i mediave në Shqipëri, që operojnë si anekse të formacioneve politike. Kryeministrit të ri Edi Rama i duhet që të ndikojë në rimëkëmbjen e shtypit të lirë, i cili aktualisht ka paytyrësinë klienteliste të klasës politike.

Nëse gazatet dhe televizionet e Tiranës do të vazhdojnë të jenë në sintoni të plotë me politikën, duke ndryshuar padron, ashtu si kanë vepruar gjatë qeverisjes Berisha, kjo do të jetë minë me sahat në realizimin e detyrave që Brukseli dhe Washingtoni i kërkojnë kryeministrit Edi Rama, i cili kësaj here i duhet të ndërmarrë veprime jo si reformator urban, duke e pastruar Lumin e Lanës, që kalon mespërmes metropolit të shqiptarëve, nga arkitektura bizare dhe abstraksioniste e kioskave, por si një reformator shtetëror, që i duhet ta pastrojë shtetin nga strukturat e fuqishme të antishtetit, të cilat së pari synojnë dështimin e Ramës. Lufta me kioskat duket mikroskopike përpara kësaj që e pret. Por mund t’ia dalë. Dhe çdo shqiptar i ndershëm kërkon që Rama t’’ia dalë. Këtë gjë duhet të synojë edhe opozita.

©

Filed Under: Analiza Tagged With: ditar i Rames ne Bruksel, Elida Buçpapaj

Picasso: gjenitë dhe mjeshtrit e tyre

September 18, 2013 by dgreca

Nga Luan RAMA/

Në Paris, në sallat e mëdha të „Grand Palais“ apo në Louvre dhe në Musé d’Orsay, ekspozitat tematike dhe retrospektive për artistë të ndryshëm janë të vazhdueshme, pasi Parisi vazhdon të mbetet një metropol i pikturës botërore. Por ekspozita e hapur këto kohë në “Grand Palais”, në Champs Elysées, është e një natyre të veçantë. Jo vetëm pse i kushtohet punimeve emblematike të gjeniut të artit piktural botëror siç është Picasso, por sepse ajo synon të deshifrojë e zbulojë përmes krijimtarisë së këtij artisti të madh, rrugën e përshkuar nga ai, frymëzimet e tij, të tregojë se cilët ishin mjeshtrit e tij, udhërrëfyesit, ata që ai pati në zemër, duke ndërtuar njëkohësisht një lloj dialogu brënda ekspozitës, midis vetë veprave, duke ballafaquar midis tyre tabllotë e mjeshtërve që ai adhuroi në rininë e tij, apo dhe më pas, gjatë gjithë jetës së tij artistike. Ja pse kjo ekspozitë është ndryshe nga të tjerat dhe quhet «Picasso dhe mjeshtrit e tij» (Picasso et ses maitres). Dhe mjeshtrit e tij ishin Velasquez, El Greco, Rembrandt Goya, Delacroix, Manet, Ingres, Lautrec apo Cezanne. Dikush mund të thotë se janë shumë, apo të ndryshëm nga njëri tjetri. Por tjetër gjë na thotë krijimtaria e këtij gjeniu.

Para disa vjetësh, po në sallat e “Grand Palais” isha gjëndur përballë një ballafaqimi të tillë midis tabllove të Van Gogh dhe Millet, ashtu si më pas, në Amsterdam, midis tabllove të Caravaggio-s dhe Rembrandt. Ishin ballafaqime krijimtarish dhe tabllosh që kanë hyrë në historinë e artit botëror, ku ndikimi artistik nga njëri tek tjetri dukej në mënyrë të jashtëzakonshme. Vërtet Van Gogh kishte hedhur në telajo të njëjtat figura të pikturuara më parë nga Millet, duke i vendosur personazhet në të njëjtat pozicione, por tabllotë e tij kishin një gjëndje krejt tjetër. Të tjera linja, ngjyra, penela. Një tjetër art, të cilin e kisha admiruar që 30 vjet më parë, në një tabllo të Van Gogh sipas Millet, që e mbaja sipër kokës së krevatit dhe ku në tone okër ishte një fshatar që flinte rrezë një mullari bari. Po kështu ndodhte dhe tek italiani i famshëm Caravaggio që frymëzohej nga mjeshtri i tij. Por kjo ekspozitë në Paris është një ndërmarrje akoma më e thellë, pasi Picasso-n e ballafaqon me disa gjeni të tjerë pararendës, apo bashkëkohës të tij. Madje koncepti i kësaj ekspozite mbështetet dhe nga dy ekspozita të tjera të njëkohëshme: „Picasso dhe Delacroix“ në Louvre dhe „Picasso dhe  Manet“  në Muséee d’Orsay. 210 vepra në Grand Palais përfshijnë një epokë të madhe kohore, ose disa shekuj: nga shekulli XVI i Velasquez, deri në shekullin e XX, kohë kur jetoi dhe Cezanne. A nuk shkruante Picasso se «Unë thitha qumështin e tyre dhe me të u rrita»?

Picasso asnjëherë nuk e ka fshehur se disa tabllo të tij emblematike kishin tema e subjekte, apo ishin frymëzuar nga mjeshtër të tjerë të pikturës si nga Goya, Manet, Delacroix e gjer te Toulouse-Lautrec. «Thonë se pikturat e mia të para në Paris ishin kopje të Lautrec… por askush nuk i ngatërron veprat e mia me ato të tij. Duhet të përpiqesh të frymëzohesh dhe jo të thjesht të kopjosh», – thoshte ai.

Picasso i piktakoi veprat e Degas dhe Toulouse-Lautrec në rini të tij, kur nga Barcelona vinte të shikonte Parisin dhe i ngjitej kodrës së Montmartre-s. Nga i dyti, ai u ngacmua shumë më tepër, siç e tregojnë dhe mjaft nga tabllotë e rinisë së tij si Gruaja që pi absint,  Moulin de la Galette, Heteria, etj. Dhe padyshim, veprat e tij, edhe pse “kopje” të tabllove të tjera, janë krejt tjetër gjë. Një tjetër art, një tjetër frymë, një tjetër botë pikturale. Një mënyrë tjetër të pikturuari. Ç’rëndësi ka se është i njëjti portret, e njëjta odaliskë, i njëjti subjekt. Tek Picasso arti arrin perfeksionin e vet dhe askush nuk mendon veprën e një gjeniu tjetër. Eshtë e vërtetë se Dejeurner sur l’herbe (Drekë mbi bar) e Eduard Manet është në të njëjtin kompozicion dhe te Picasso. Por tabllotë janë ndryshe nga njëra tjetra. I frymëzuar nga tablloja e El Greco-s Varrimi i kontit Orgaz, Picasso realizoi tabllonë Varrimi i Casagermos, pothuaj në të njëjtin kompozicion. Por këtë gjë e pikas fort mirë në ballafaqimin e tabllosë Fëmija e Margarita Teresa me fustan blu, e vitit 1659 dhe Isabel de Velasco e Picasso-s, e vitit 1957; Masakra e Koresë e Picasso-s me Pushkatimin e kryengritësve të majit të Goya-s. Nudo e xhveshur me macen, e Picasso-s është në të njëjtin kompozim si dhe tablloja e Ingres, apo më direkte Les Demoiselles d’Avignon (Zonjushat e Avinjonit), kjo kryevepër e shkollës kubiste që evokon tabllonë Banjo turke të Ingres. Po kështu, Venus-in e Ticianit, Goya-s apo të Manet-së, ne e gjejmë përsëri në tabllotë e tij. Të ngjan se ai ka dashur t’i ç’mitizojë ato, t’i “xhveshë”, dhe t’i rikrijojë me ngjyrat e tij, t’i përcjellë me shpirtin e tij drejt tabllosë, siç e hedh peneli i tij, duke i dhënë një tjetër “jetë”. A nuk ka ndodhur kështu me të gjithë mjeshtrit e tjerë të mëdhenj? A nuk frymëzoheshin mjeshtrit nga mjeshtrit e mëparshëm? Piktorët e mbarë Evropës, nga vëndet e veriut, nga Franca, Spanja dhe vëndet gjermanike vinin në Itali për tu frymëzuar nga piktorët e mëdhenj të Rilindjes italiane, nga piktorët e “Quattrocento”-s apo “Cinquecento”-s, nga Michelangelo apo Da Vinci, nga Raffaelo, Tintoretto, Piero Della Francesca, Paolo Uccello, Mantegna, etj. Flamandët, me Rubens, Rembrandt, Van Dyck, etj, e gjenin frymëzimin pikërisht në pikturën italiane, ashtu siç Goya do ta gjente tek Rembrandt, e më pas, Picasso e Becon tek Rembrandt-i. Edhe Caravaggio imitonte Rembrandt-in. Në vitin 1955, Picasso realizoi 15 variacione nisur nga tablloja e njohur e Delacroix-së Gratë e Algjerit. Tetë prej tyre janë ekspozuar aktualisht në sallën Denon të Louvre-it. Ç’kishte menduar Picasso kur ishte gjëndur përballë kësaj tablloje të mjeshtrit të parapëlqyer të tij? Ç’kishte thënë kur ai kishte vizatuar variacionet e tij? “Besoj se ai do ta kuptonte, – ishte shprehur dikur Picasso. – Dhe unë do t’i thoja atij: kur ju bënit  një “Delacroix”, ju  kishit në mëndje veprat e Rubens-it. Kështu ndodh dhe me mua. Duke menduar për ju, unë bëj veprat e mia.»

Biografët e tij shkruajnë se kur u vendosën disa tabllo të tij në sallat e Louvre-it, Picasso kërkoi t’i vendoste në krah të mjeshtrit të dashur të tij, Delacroix. Kështu ndoshta ai dëshironte ta shikonte veten si një dishepull të tij. Me të drejtë Picasso thoshte: «E ç’është në fund të fundit një piktor? Ai është një koleksionist që kërkon të formojë koleksionin e tij, duke i bërë vet tabllotë që kanë bërë të tjerët”. Besoj se asnjë artist, nuk do ta kundërshtonte këtë thënie të tij. Kjo i ngjan aksiomës. Sepse artisti nuk lind në një terren të virgjër, por ai formohet dhe mbarset nga pararendësit të tij. Kjo ka ndodhur në të gjitha kohrat. Dhe kështu do të vazhdojë. Nga Van Eyck, Memling, Vermeer deri te Van Gogh, Modigliani e Chagall, ata nuk lindën të tillë. Ata u bënë.

Që në rininë e tij, siç shkruan dhe vetë Picasso, ai kishte një adhurim të veçantë për mjeshtrin spanjoll El Greco dhe Velasquez. “Kisha parë disa tablo të El Greco-s që më kishin tronditur, – shkruante ai. – Atëherë udhëtova drejt Toledos, ku pikturat e tij më lane një mbresë të veçantë. Nëse personazhet e mia të “epokës blu” janë të zgjatura, padyshim që në ato është influenca e tij”. Por në vitin 1957, Picasso do t’i drejtohej mjeshtrit tjetër të tij, madje më të parapëlqyerit: Velasquez. Piktori andaluz filloi të bënte një sërë etudesh për të realizuar një vepër finale: Les Menines. Kjo ishte tablloja e Diego Rodriguez de Silva y Velazquez, me titullin Las Meninas, që trajtonte një skenë të mrekullueshme me dhjetë figura, me në qëndër dy vogëlushet e oborrit mbretëror që ishin “demoiselles d’honneur”. Kjo tabllo e pikturuar nga Velasquez në vitin 1656, e kishte tërhequr aq shumë Picasso-n, saqë ai realizoi 58 tabllo, duke zbërthyer gjëndjet dhe personazhet e mjeshtrit, duke shtuar këtu dhe figurën e shambellanit, personazhin e piktorit, shkurtabiqin, etj. Duke ballafaquar dy tabllotë, kupton njëherazi dy elemente të rëndësishme që përbëjnë thelbin e artit të Picasso-s: lirinë e tij dhe forcën. Lirinë, sepse ai është krejt i lirë në zgjedhjen e linjave dhe ngjyrave; forcën sepse është tejet i fuqishëm nga pikpamja emocionante. Të duket një punë e thjeshtë rikrijimi i një tablloje duke iu referuar një tjetre, por për këtë tabllo, Picasso ka punuar 6 muaj rresht gjersa e mbaroi. Lidhur me këtë gjëndje të krijimtarisë së tij, Picasso thoshte: “Në fillim të një tablloje kam përshtypjen se kam dhe dikë që punon krah meje. Por kur jam nga fundi, kam përshtypjen se punoj i vetëm, pa bashkëpuntor”. Pak kohë pas Picasso-s, ishte piktori anglez, moderni Francis Becon që do t’i drejtohej po një tablloje të njohur të Velasquez: Papa Inocent X

. Dhe ky portret i Papës së ulur në poltronin e tij do të hynte në historinë e artit modern.

Picasso ishte një polifoni e vërtetë vizuale dhe kjo ndodhte pasi ai interesohej për gjithçka, për artin modern apo atë të shoqërive primitive, maskat afrikane apo të popujve të Polinezisë, etj, pra ai frymëzohej aty ku ishte arti i vërtetë. Dhe ai kishte gjithnjë dëshirë ta arrinte këtë lloj arti, ta zotëronte në mënyrën e tij, të krijonte pastaj diçka të tijën, ndryshe, por duke të rikujtuar nga larg atë pararendëse. Ja pse ai thoshte se “unë jetoj një periudhë kur lëvizja e mendimit më intereson më shumë se vetë mendimi im”.

 

Cilët janë mjeshtrit e piktorëve të traditës shqiptare?

 

Për Picasso-n është shkruar shumë dhe sigurisht s’do të shkruaja për të, pasi nuk do të thoja asgjë gjë të re, por ideja e e deshifrimit të frymëzimeve të piktorëve të mëdhenj është padyshim e vlefshme. Menjëherë mendova për piktorët tanë të traditës romantike apo realiste, të para diktatit të «realizmit socialist», apo dhe për autorë e gjeneratës së sotme. Piktorët e shquar gjithnjë kanë patur dhe kanë mjeshtrit e tyre. Cilët kanë qënë mjeshtrit e Kolë Idromenos, Vangjush Mios, Abdurrahim Buzës, Nexhmedin Zajmit, Sadik Kacelit, etj? A nuk mund të analizonim në këtë frymë krijimtarinë e tyre. Duke biseduar me Omer Kaleshin, ai më tregonte një ditë se që në fillimet e tij, mjeshtrit që i treguan udhët e krijimtarisë ishin Goya dhe Rembrandt. Madje ka disa piktura ku kjo influencë është e dukshme. Francezi Jacques Lacarriere, poet, historian dhe kritik arti, ka analizuar disa tabllo të tij duke I krahasuar me ato të mjeshtrit Goya. Po kështu, një seri e pikturave disi të “errta” të tij  (Drama Ballkanike apo Clochard, etj, janë eho të largëta të pikturave të “periudhës së zezë” të Goay-s në afresket e pikturuara në fund të jetës së tij në Quinta del Sordo, “Shtëpia e shurdhit”, meqë në fundin e jetës së tij, Goya u shurdhua). Po kështu piktura e Kacelit. Në Paris, ku bëri studimet, ai kishte mjeshtrit e tij, dhe po t’i kërkosh ato mund t’i gjesh në krijimtarinë e tij. Ja një fushë e historianëve dhe kritikëve të artit. Madje edhe në fillimin e viteve 70’, tek disa piktorë shqiptarë gjen influencat e drejtpërdrejta të një Matis, Leger, të fauvistëve, tashistëve, etj. Edison Gjergo, Oseku, Velo, Sulovari, kishin mjeshtrit e tyre. Ata asnjëherë nuk kopjuan, por rikrijuan në mënyrën e tyre. Ja pse kur shohim tabllotë e piktorëve shqiptarë nuk duhet të nxitohemi dhe të themi: kjo s’është e tij, është një Paul Gaugin, një Klée, Derain, apo Chagall. Sabri Arnauti në Turqi (me origjinë shqiptare), ishte një adhurues i Matisse-it. Gjithë jetën ai pikturoi në këtë mënyrë. Por ajo çka krijoi ishte vepra e tij.

Në vitet 60’, historiani amerikan i artit Harold Rosenberg, fliste për “ndërgjegjen historike” dhe atë çka krijohet tek artisti i madh në pasqyrimin e traditës tek ai. Kjo “ndërgjegje historike” është padyshim e domosdoshme për të kuptuar vlerën e mirëfilltë të vetë artit. Dhe Picasso ishte një ndërmjetës i shkëlqyer midis modernitetit dhe traditës së mirënjohur, një përcjellës i kësaj tradite.”Ne piktorët, – thoshte Picasso, – jemi trashëgimtarët e vërtetë të Rembrandt-it, Velasquez, Cezanne e Matisse. Një piktor ka gjithnjë një at dhe një nënë. Ai nuk vjen nga hiçi”.

 

Misteri Picasso

 

Ekspozita “Picasso dhe mjeshtrit e tij” në Paris, i ngjan padyshim një dialogu të vendosur midis Picasso-s dhe mjeshtërve të tij. Një dialog ngjyrash, figurash, simbolesh dhe linjash, që flet për proçesin krijues të atij arti të madh. Kjo ekspozitë ripohon njëkohësisht gjeninë e madhe të këtij artisti, që kritika e ka përshëndetur si “gjenia e shekullit XX”. Në vitin 1956, regjisori francez Henry Clouzot xhiroi filmin Misteri Picasso. Në film jepet një moment kur në praninë e regjisorit, Picasso nis një tabllo dhe brënda pak minutash arrin të bëjë me një energji e shpejtësi të jashtëzakonshme kompozimin e nisur. Ky moment është nga më befasuesit në historinë e artit piktural. Vallë ky ishte “misteri” Picasso. Ishte Picasso që pikturonte apo dikush tjetër brënda tij? Mos ishte dikush tjetër, “Tjetri brënda meje”, siç thoshte poeti Jean Cocteau. Ishte vetë gjenia! Shumëkush e ka në mëndje shprehjen e famshme të Picasso-s që thoshte: “Piktura është më e fortë se unë. Ajo më bën të pikturoj, atë që do ajo”. Dhe kjo gjeni tek Picasso punoi gjer ditën e fundit të jetës së tij, njëlloj si Ticiani 90 vjeçar. Në fakt Picasso ishte 92 vjeçar dhe një ditë para se të vdiste ai do të shkonte pranë tabllosë së fundit të tij: Gruaja nudo dhe një portret. Përsëri një nudo, gjer në fund një nudo… dhe një portret. Ndoshta vetë ai apo hija e tij. Sidoqoftë, ai u ngrit nga shtrati që t’i jepte pak dritë më shumë tabllosë, që në vetvete i dukej e errët. Të nesërmen ai vdiq në Mugins, në shtëpinë e tij në jug të Francës.

Tregojnë se kur Raffaelo kishte filluar të pikturonte, i ati i tij e kishte lënë pikturën. Picasso-s i pëlqente gjithnjë të shtonte në biografinë e tij një detaj të përafërt, atë që kur ai filloi të pikturonte, i ati i tij, Don José, kur pa talentin e të birit, i dorëzoi bojrat dhe penelat dhe nuk pikturoi më kurrë. Por Picasso nuk i la asgjë birit të tij; tabllotë, penelat dhe bojrat e tij, ai ia la njerëzimit. Në fakt ai la diçka më të madhe: vetë gjeninë e tij. Picasso do të lumturohej që dikush ta “kopjonte” në mënyrën e tij. Po kjo padyshim është një detyrë tejet e vështirë. Duhet një tjetër gjeni. Pas vdekjes së Picasso-s, duket se gjenitë po mungojnë të shfaqen në botën e sotme. Megjithatë, edhe nëse do të vijnë ndonjë ditë, ata padyshim do të kalojnë në të njëjtat shtigje e rrëpira që kaloi dhe Picasso. Do të hedhin sytë pas dhe do të shohin madje shumë larg, që nga Michelangelo e Da Vinci. Pasi arti i madh është gjithnjë një buronjë e pashtershme…

Filed Under: Kulture Tagged With: nga Luan rama, Picaso

Në Sofrën e DIELLIT, i ftuar Neki Lulaj-GJERMANI

September 18, 2013 by dgreca

POETËT/

Poetët janë si gurra bjeshkësh/

Si shtretërit e lumenjve/

Plot ujë lundrojnë/

E nuk shtjerren kurrë/

Poetët janë si pranvera plot gjelbrim/

Vargjet e muzat e tyre/

Njomësojnë çdo shpirt/

Si lulet e bukura me vesë në ditë/

Poetët janë si zogjtë e bekuar

Si kanarinat gojë ëmbla

Që festë e gëzim

E kanë çdo  stinë

 

Poetët janë si gacat e bungut

Që ndizen gjatë në oxhak

Ngrohin me dashuri të pakufishme

Dimrat me dëborë e murlan thatak

 

Poetët janë ambasadorë të kulturës

Që e lidhin metaforën

Me trungun e lisit

Dhe i bashkojnë trojet e fisin

 

Poetët i mbajnë vravashkat në shpirt

Edhe pas grillave të qelive

Muzat i mbajnë  pengë

Ushqejnë vargjet nusërojnë poezitë

 

Poetët kanë shpirt të bardhë

Bardhësinë e shofin çdokund

Ata janë fjalëpakë

Janë si ne si ti si unë…

 

SHTIGJET E JETËS

 

Gjatë u enda shtigjeve

Të jetës

Leqenjve të mendimeve ngarkuar

Me frymën nën krahëror ngulçuar

Mbi Gogolin e këtij shekulli

Në shpinën e Djallit

E pyes vetëveten ku janë

Emrat e gjithë atyre

Që askush më nuk po i përmend

Si e pse

Pse kaq shpejt u harroka robëria

Pse për dëshmorë nuk mendon njerëzia

 

E ku jenë emrat

E atytre që duhet të jenë

Mbuluar me shkurre

E në zallishta

Ata që dje e çanë gjoksin

Për lirinë tonë

 

TEJMATANË ATLANTIKUT

 

Tërthor Oqeanit Atlantik

Ne tokën e premtuar të nxehtë

Erdha të jua kërkoj gjurmët të çmallem

Atje ku me ImZot bëtë punë e jetë

 

Mbi dyert e pavdekësisë rruhet thesari

Shëndrit si ar mikpritja e traditës sonë

Këtu u mplak  ImZot Fan Noli

Agimi e muzgu e zuri

Me shqipen dykrenore në gojë

 

Sa qirinj u ndezën gjatë lundrimit të largët

Përcjellur plotë mundime e krajata

Sa trungje të ullirit lëshuan fryte të ëmbla

Për miqtë e bekuar nga Vatra

 

Sa bilbila fluturuan nga kafazi

Për të kërkuar dritën e shpëtimit

Në cilën shpellë u gropos floriri

Sa gjatë u luajt drama për fatin shqiptar

 

POETI PA VARR

 

(Kushtuar poetit patriot, Avzi Nela,Martir i vargjeve lirke)

 

Lëkura feudale

Kruhej nga zgjebja

Nga kolera

E tiranisë së lidhur

Në zinxhirë me gjemba

Është çartur si ujku

Nga uria e nëpërkës

 

Po fryjnë erërat

Me kokërriza të akullta

Edhe mbi bunker

Pritet të çelë pranvera

 

E në vatrat bujare

Bukë e krypë e zemër

Me portën e hapur

Na pret Hafzi  Nela

 

MË THUAJ

 

Pa më thuaj të lutem

Mbi re a ka kufi

Atje lart në Univers

Cila shqipe këndon në vetmi

 

Nën qerpikun e hënës

Cili sy mbyllet në qetësi

Cila zemër troket e përlotur

Çamja ime ku je ti

 

A ri ajo e vetmuar

Siç rimë unë e ti

Të djegur e të përvëluar

Për një besë për një dashuri

 

Kur t’i ndërtojmë urat

A bashkohemi në të dy

Sa ditë do bëjmë dasmë

Krushk do te jetë

Krejt shqiptaria

 

E kur do bëhesh ti nuse

Çamja ime e bukur hyri

Do vijnë të gjitha vatrat

Për martesë e lumturi

 

TE GURI I SOKOLIT

 

Frymëmarrjen duke e gulçuar

Po ecë  shpatit me nxitim

Një freski bjeshke më ka pushtuar

Lugjet e verdha në shpirtin tim

Syri kullot stanin e vjetër

Në lëndinën plotë blerim

 

I le pasë gjurmët e jetës

Ecë ta zë hien në perëndim

Ajo po ik…

E më pret atje

Në themelet e kullës së gjyshit tim

E sa më pushton nostalgjia

 

Mbi ato themelet e mia

Gurë e mure të rrënuara

Ka ritur shtatin myshku e largësia

 

Këtu dikurë mbaheshin kuvende

Burrat me plisa tirq e jataganë

Ca nga Shkodra, Buletini e Mirdita

Dimrat i kalonin odat në prita…

 

Eh burrat e kombit tim kreshnik

Atje mbi trapazan i varnin hutat

E pinin duhan kaçak nga llullat…

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: cikel per Diellin, neki Lulaj, poetet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5182
  • 5183
  • 5184
  • 5185
  • 5186
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT