• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PO Ç’KA ELVIS ROSHI ME MONUMENTIN E DY GISHTAVE TË FITORES NË KAVAJË

June 3, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Kavaja është simbol i demokracisë në Shqipëri, e njohur si bastion antikomunist. Gjithmonë e deklaruar djathtas me votën e sovranit. Në zgjedhjet lokale të fundit në bashki fitoi përfaqësuesi i PS, Elvis Roshi, i cili u bë i njohur si personazh i kronikës rozë nga një dramë sentimentale të përdorur asaj kohe politikisht.

Sot shtypi i Tiranës e kishte futur prapë në kronikë Elvis Roshin, jo në atë të gossipeve rozë, por në gossipet e fushatës ku kryebashkiaku i Kavajës pretendoka që, në rast fitoreje të PS, ndër prioritetet e tij të jetë heqja nga qendra e qytetit të monumentit simbol të dy gishtave kushtuar lëvizjes së parë demokratike në Shqipëri, që mori pikënisje në Kavajë. Kjo lëvizje do t’i paraprinte lëvizjes së studentëve ende pa dalë në skenë Berisha apo Rama. Revolta e parë antikomuniste në Shqipëri daton pikërisht më 25 mars 1990, kur në stadiumin e Kavajës, gjatë ndeshjes Besa-Partizani, gjithë stadiumi u ngrit në këmbë me parrullat „poshtë diktatura“, „liri-demokraci“ dhe qyteti pati reprezalje nga regjimi. Elvis Roshit si qytetari nr. një i qytetit i bie të kujdeset për këtë monument dhe jo ashtu si ka ndërmend të veprojë.

Gazeta Panorama pas deklarimeve të liderit socialist Edi Rama, në një vizitë elektorale në Kavajë, se ky bust do t’i sillet Kryeministrit në Tiranë, sjell konfirmimin e vetë kryebashkiakut të qytetit Elvis Roshi, i cili paska thënë tekstualisht se “Monumentin e dy gishtave do ta heq me helikopter, e pastaj do t’ia çoj kryeministrit Berisha dhe do t’ia lë para derës së Partisë Demokratike”. Vulgaritet.

Po përse, kjo do të jetë rruga e reformave, që të çrrënjosin simbolet antikomuniste? Kur PS do t’i duhet që rrugën e reformave ta nisë duke u pastruar tërësisht nga simbolet komuniste! Po me çfarë simboli do ta këmbejë Elvis Roshi monumentin e dy gishtave? Me kazmën e çekanin apo me grushtin e diktaturës së proletariatit!

Simboli i dy gishtave është një simbol paqësor, simbol i fitores. I përdorur nga Berisha që më 1992, kur u rrëzua sistemi diktatorial, si gjest i huazuar dhe i shfrytëzuar gjatë përmbysjeve të regjimeve totalitariste asaj kohe.

Përse nuk e përdor Rama simbolin e dy gishtave, çfarë të keqe ka ky simbol? Simboli „Victory“. « The V sign is the symbol of unconquerable will! » «Simboli V i dy gishtave është simbol i vullnetit të pamposhtur! » Thënie e njohur e Uinston Çurçillit (Winston Churchill) gjatë luftës të Dytë Botërore. Gishtat e fitores i ka përdorur ai dhe Dwight Eisenhower. Edhe Nixon, dhe do të vazhdojnë t’i përdorin. Kush është fans i Beatlesave, duhet ta ketë parasysh një foto të John Lennon me Yoko Onon me gishtat e fitores si protestë kundër Luftës në Vietnam. „V“e fitores e ka përdorur po ashtu Lech Walesa, edhe Presidenti George Bush senior.

Dy gishtat e fitores janë ngritur lart edhe gjatë Pranverës Arabe në Libi nga ata që rrëzuan Gadafin. E do të vazhdojnë e ta përdorin në vijimësi, si simbol i paqes, pa pyetur aspak për „idetë gjeniale“ të Elvis Roshit, apo shefit të tij. Është një simbol që nuk konsumohet. Që ka mbijetuar. Është një simbol entuziast, edhe populist.

Pra ta fokusosh fushatën tek heqja e simbolit të dy gishtave, simbolit të fitores të së mirës kundër të keqes, të demokracisë mbi tiraninë, është mjerim i madh. Nonsens i mirëfilltë politik.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Elida Buçpapaj, Elvis roshi, Kavaje, monumenti i dy gishtave

“GURGULLIMA” E SHPIRTIT POETIK…

June 3, 2013 by dgreca

Nga Prof. Murat Gecaj/

1.Ka shumë kohë, që njihem me kolegun dhe mikun e letrave, Namik Selmani. Ai ka profesion të parë mësimdhënien e gjuhës dhe letërsisë shqipe, lëndë të cilën e jep me pasion e profesionalizëm. Por, po aq e dashur për të, është edhe krijimtaria letrare. Numri  26 (nga të cilët 9 vëllime poetike), i veprave të tij, sigurisht, nuk është i vogël. Por, kryesorja, duhet nënvizuar se, në to, ai ka derdhur fjalën e ëmbël shqipe, aty rrahë pulsi i një atdhetari të flaktë e krijuesi të talentuar. Jo vetëm në vëllimet me poezi, por edhe në ato me prozë, shquhet për ndjenja të fuqishme dhe për shpirtin shpërthyes.

Në këto çaste, ndërsa shfletoj librin më të ri të Namikut, sjell në kujtesë udhëtimin e përbashkët, në përbërje të një grupi të vogël të Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare, me qendër në Tiranë. Atë e kryem, në  pranverën e vitit 2011, me nismën e të ndjerit Dr.Ibrahim Gashi. Ndërmjet nesh, Namiku u shqua për shkathtësinë e veprimeve, por dhe se krijoi e recitoi poezi të reja, gjatë vizitave në Shkup, Preshëvë, Prishtinë e Ulqin. Ato i përshkonin ndjenjat e forta atdhetare, dashuria për trojet amtare shqiptare stërgjyshore dhe dëshira e pashuar për t’i parë ato të bashkuara, sa më shpejt. Se atë e thërriste dhe e thërret përherë zëri i Çamërisë martire, bir i denjë i të cilës është.

Përmbledhje e  shkrimeve, me përshtypje nga ato vizita tonat, ishte libri im publicistik, “Rrahin zemrat arbërore”(Tiranë, 2011). Në faqet e fundit, me kërkesën time dhe pëlqimin e atij, botova poezitë e Namikut: “Zëri i Atdheut”, “Anës lumit të Vardarit” , “Kalaja e gjuhës shqipe” dhe “O,sa mirë, të jeshë në Preshevë!”

                                                        2.

Për ato, që shkrova më sipër, bëhesh dëshmitar, që në poezinë e faqes së parë të vëllimit të ri poetik, me titullin shprehës, “Bëj të zë, po të merr era!”  Cikli, me të cilin hapet ky libër, është: “Atdheu, brenda vetes”. Pra, në një farë mënyre, e vërteton më së miri edhe mendimin e thënë më lart. Duke shprehur një realitet të hidhur të së shkuarës, ai nisë të ligjërojë: “E donim Atdheun/ edhe kur tratë e doganës na ndalën ëndrrën…”. Dhe më tej: “E donim Atdheun/ edhe kur shkronjat shqipërore  na i gjakosën e na i vranë!”(“Zëri i Atdheut”).  Me frymëzim e pasion dhe po në këtë linjë, ai shkruan  edhe te poezitë: “Aromë Çamërie” e “Këngë e ngrohtë, që vjen nga Joni”,  te “Magjia e Beratit”, “Festa e plisit”, “Mani i mëhallës”, “Lulet e Gostivarit”, “Në Shkodër”, “Për ty, Malishevë” (recituar atje, me rastin e “Ditës së Kulturës Çame”) ose “Fjongoja e një libri për Atdheun” etj.

Ndjenja e dashurisë për vendlindjen, për tokën stërgjyshore, është më fisnikja dhe më e madhja për çdo shiptar. Për atë “u shkrinë si qiriri” dhjetëra e qindra atdhetarë, duke mos kursyer mendjen, zemrën as shëndetin e tyre. Njëri nga ata ishte edhe Hasan Tahsini, të cilit poeti ynë i drejtohet me fjalë nderimi e krenarie: “Me fjalën e ëmbël, ligjëruar dikur te djepi,/ti flisje me shekuj si ushtarë të venë në radhë,/ju flisnje djemëve frashërllinj me fjalë të forta lisnajash,/ të stisura në Kalanë e pathyeshme të shpirtit arbëror” (“Trëndafil i diturisë”). Ndërsa për përhapësin e palodhur të shkronjave shqipe, Josif  Bagerin, mirënjohja e brezave nuk shterron: “Një hambar me shkronja shqipe paske hedhur/ e Reka, Nistrova, të kanë dhënë një shall flladi,/e Gostivari nxjerr nga sepetet kujtesën dritëndezur…”.

Po, ky poet, i shprehë fjalë nderimi e falënderimi të veçanta edhe kapedanit popullor, Isë Boletinit, i cili u bë gardë mbështetëse e fuqishme, në Aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, mbi 100 vjet më parë, pra më 28 Nëntor 1912. Kryetrimi përbetohej, se ndër breza do ta ruajmë këtë akt të shenjtë dhe këtë fitore historike, të arritur me dituri, djersë e gjak shqiptarësh: “Kur t’i humbë diellit rrezja dhe kur hana të mos ndrisë,/ do na gjeni në bedena, në shërbim të Pavarësisë!” (“Balada e Princit të Pavarësisë”).  Ndërsa Flamurin tonë Kombëtar do ta mbajmë kurdoherë lart e më lart, sepse: “Pikën e syrit të patëm, pikën e dritës së shpirtit…”. E bukur është edhe balada për Çelo Mezanin (“Moj martinë, që vrave trimin!”), si dhe ajo kushtuar poetit Din Mehmeti (“Ugari i fjalës”) dhe tjetra për Ali Podrimjen, për të cilin shprehet me fjalë zemre: “Të donim kapiten të patutur, në Anijen arbërore të Fjalës…”.

Si çdo autor tjetër, vargjet më të bukur të shpirtit të tij poetik, N.Selmani i derdhë në kujtim të Nënës, me të cilën: “Në ditënetët kalëruam bashkë, mes borës e prushit/ e kurrë nuk na munguan sytë e saj, ndër mote” (“Kur thehet kroi i jetës”). Po me kaq dhimbje e mall të pashuar i thurë vargje edhe babait, mbetur larg tij, të cilit i drejtohet: “Ti, engjëll krahëhapur, atje ku humbë dhe kufiri…”. Por autori i këtij libri i përjeton edhe mendimet e ndjenjat e trishta të njerëzve me aftësi të kufizuara shëndetësore. Për këtë, ai shprehet në poezinë “Karroca e poetes”. Me gjithë fatkeqësinë, qa ajo ka, dashurinë për jetën e shfaqë, duke shkruar vargje optimiste dhe prandaj shprehet për të: “Oo, gjeni xixëllonja për Zanën, që jetën e sfidoka!”

                                            3.

Në ciklin e dytë të këtij vëllimi, “Gurgullima e shpirtit”, janë 50 poezi, nga gjithësej 86, që ka ai. Gjithashtu, autori e vazhdon aty ritmin e zhdërvjelltë të krijimeve të tij poetike, duke prekur tema të ndryshme jetësore. Ato janë si një ujëvarë mali, që hyjnë thellë në shpirtin e lexuesit dhe ngjallin ndjenja të bukura, të freskëta. Duke e kuptuar mirë shpirtin e ndjeshëm të kolegut poet, me “një trastë ëndrrash”, i drejtohet atij, se ka ditur t’ia lexojë mirë “kodin sekret” (“Ah, poeti im!”). Ndërsa në poezinë “Motiv popullor” shprehet: “Prita, prita shtiza syri,/ sa njëmijë gjyle të nxehta…”. Prej saj e ka marrë emrin tërë vëllimi poetik, ku janë edhe këto radhë të frymëzuara: “Bëj të zë, por të merr era,/ të bën lule dhe polen,/ përmbi buzë çelë luleshqerra,/ përmbi ball një diell zbret”. Por dhe e vijon më tej këtë mendim, te poezia tjetër, “Bëj të zë,  me vrap prej ere”. Një vajzë, me sinqeritetin e moshës, i drejtohet mikut të saj: “Sot jam bërë  e tëra një pulëbardhë, me krahë të brishtë ëndrre…” (“Besomë, miku im!”).

Pastaj, poezi pas poezie, autori na “zbërthehet” me ndjenjat e natyrshme të dashurisë njerëzore, e cila ia rrëmben mendjen dhe zemrën cilitdo. Të tilla mund të përmendim këtu: “Ç’po ndodhë kështu?”, “Duke të pritur ty”, “Eja”, “Erashka e shpirtit”ose “Këngë pas kënge, zgjova natën”(motiv çam), ku autori i përmbyllë vargjet e tij: “I derdhë rrezet varg te shtrati,/për ty digjem e ringjallem,/ në qerpikun dritë behari”. E pastaj vijojnë poezi tjera “të grunjta”, duke na u paraqitur Namiku një poet lirik, me ndjenjat shpirtërore të një djaloshi (ha,ha). Prandaj nuk ndalet e thurë vrullshëm vargje të kësaj natyre, si  te poezia “Mjalti”, ku lexojmë: “Të dy, qenkemi kthyer në hoje mjalti pranvere…”. Duke vazhduar me poezitë: “Moj e bukura, luleshqerrë”(motiv popullor), “Molla, që na bëri të gjithëve, Adamë e Eva”, “Muzeu i përkëdheljeve”…Te poezia “Në flatrat e flaturuara”, shprehë një dëshirë, e cila i pëlqen gjithësecilit: “Dua të  shlodhem në lëndinën e gjoksit të zjarrmuar,/ të më këndosh disa ninulla, që vetëm ti ua di burimin e etur…”. Ndërsa te poezia tjetër, “Serenata e pakënduar”, na flet për një ëndërr të plotësuar: “Ooo, sonte jam mbret, me thesare mbushur,/ teksa buzët e përvëluara i zbres gushes…”.

Lexuesi ndjen kënaqësi, duke e vazhduar leximin e poezive me temë dashurie, disa nga të cilat janë përsëri me motive nga Çamëria (“Trëndafil, me gjemba mbushur”), por dhe nga Shkodra (“Eja, eja, luleborë!”). E, si me një himn të bukur për ndjenjën mbarënjerëzore, autori e ka renditur në fund poezinë, “Sot, preka dashurinë”. Aty janë edhe këto radhë  të frymëzuara: “Isha bërë pjergull, rreth trupit tënd të lisnajtë,/kishte humbur vetë koha, kur emrin ta pëshpërita!…”.

…Në mbyllje të këtyre radhëve, e përgëzojmë kolegun e mikun Namik Selmani, për  vëllimit e ri poetik, “Bëj të zë, po të merr era…” dhe i urojmë shëndet të plotë, krijimtari të frytshme, arritje në detyrën e edukatorit e mësimdhënësit dhe lumturi, vetjake e familjare!

Tiranë, 3 qershor 2013

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Murat Gecaj, namik Selmani, Poezite

TURQIA NË TYM

June 3, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Për disa ditë rrjesht tani, protestuesit në Sheshin Taksim të Stambollës kanë zhvilluar protesta anti-qeveritare, të cilat filluan si një demonstratë kundër një plani urban ndërtimi në tokën e një parku, por të cilat, eventualisht, morën përmasa kundër qeverisë  dhe poltikave të Kryeministrit turk  Recep Tayyip Erdogan Erdogan.   Demonstratat nga protestuesit, të cilët Kryeministri turk  Erdogan i cilësoi si ”elementë ekstremistë”, janë ndër më të mëdhatë që kanë ndodhur në Turqi për një periudhë të gjatë.   Policia, ndërkaqë, ka ndërmarrë masa të forta kundër protestuesve disa prej të cilëve kanë marrë guximin, të përballen me forcat e mëdha policore, duke marshuar drejtë zyrave të Kryeminstrisë.   Policia ka përdorur gaz lotësjellës,  dhe Ministria e Mbrendshme e Turqisë ka thënë se mbi 1700 veta janë arrestuar, ndërkohë, që sipas saj, shumë prej tyre janë liruar tanimë.   Deri tani, mediat ndërkombëtare njoftojnë se ka pasur shumë të plagosur nga dhuna policore ndaj  protestuesve.

Por mënyra se si u soll qeveria Erdogan me protetsuesit paqësorë, duket se zemëroi shumë qytetarë turq, të cilët iu bashkuan protestave, pasi  u shprehën për  median se ata besojnë në një shoqëri shekullore, jo në dogma fetare, ndërsa akuzojnë qeverinë me baza islamiste të Kryeministrit Erdogan, se pas dhjetë vjetësh në pushtet, aid he qeveria e tij po bëhen gjithnjë më autoritarë.

Reagimet nga organizata ndërkombëtare të drejtave të njeriut mbi përdorimin e tepruar të forcës me dhunë  nga autoritetet turke , ishin të shpejta dhe denoncuese, ndërsa aleatët perëndimorë të Turqisë, përfshirë edhe Uashingtonin, i bën thirrje qeverisë turke që të tregohet e matur dhe të mbrojë të drejtën dhe lirinë e të shprehurit.   Duke iu përgjigjur   pyetjejes së një  gazetari fund javën që kaloi, në lidhje me autoritarizmin në rritje e sipër të Kryeministrit Erdogan dhe nëse protestat anti-qeveritare nëTurqi, mund të jenë shënjë e një përkeqësimi të gjëndjes në rajon — zëdhënsja e Departmentit Amerikan të  Shtetit (DASH), Xhen Psaki, u përgjigj duke thënë se, “Ne jemi të shqetësuar në lidhje me numërin e njerëzve që u plagosën kur policia shpërndau protestuesit në Parkin Gezi të Stambollës”.  “Ne besojmë”, tha zëdhënsja e DASH, “se stabiliteti, sigurimi dhe begatia afatgjatë e Turqisë garantohen më së miri duke mbrojtur liritë bazë të fjalës së lirë, të të drejtës për tu mbledhur dhe për të protestuar, që siç duket,  ishin këto të drejta që po ushtronin protestuesit.   Mbrojtja dhe zbatimi i këtyre lirive është  jetësor për çdo demokraci të shëndoshë”, komentoi ajo duke dhënë reagimin zyrtar amerikan. Ndërkaq ,Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kerri that ë hënën  se Shtetet e Bashkuara janë duke e ndjekur për së afërmi situatën  në Turqi dhe se janë të shqetsuara nga lajmet që thonë se është përdorur forcë e tepruar nga policia kundër protestuesve.   Ai shtoi duke thënë gjithashtu se Uashingtoni është tepër i shqetësuar nga numëri i madh i personave të plagosur, gjatë protestave.   Kryediplomati amerikan u tha gazetarve sot në Departmentin Amerikan të Shtetit se, “Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht lirinë e plotë të të shprehurit, përfshirë të drejtën e njerëve për të bërë protesta paqësore, sepse këjo është themelore e demokracisë.   Zoti Kerry nenvijoi se komentet e tija nuk kanë për qëllim ndërhyrjen në punët e mbrendshme të Turqisë, por janë një shprehje e sinqertë  e rëndësisë që Shtetet e Bashkuara u kushtojnë vlerave të demokracisë në të gjitha vendet.”   Ai gjithashtu u bëri thirrje, “të gjitha palëve që të mënjanojnë provokimet dhe dhunën.”

Zëdhënsja e DASH u tha gazetarëve se natyrisht ne kemi parë raportet e organizatës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Amnesty International, mbi ato që po ndodhin në Turqi.   Organizata Amnesty International në një deklaratë në portalin e saj mbi protestat në Turqi, citon Drejtorin e Amnesty International për Europën, Xhon Dalhuisen, i cili e cilësoi ndërhyrjen e policisë atje si një, “përdorim të shëmtuar i forcës së tepëruar policore në Stambollë”,  dhe nënvijon se, “përdorimi i forcës së tepëruar  me dhunë në Turqi është rutinë, diçka e zakonshme, normale — por përgjigja e egër ndaj protestave krejtësisht paqësore në sheshin Taksim, është me të vërtetë një përgjigje e turpëshme.”    Ndërhyrja e egër e policies turke, thotë organizata Amnesty International, “ka ndezë dhe pezmatuar gjëndjen nepër rrugët e Stambollit, ku kanë mbetur të plagosur me dyzina njerëz.”Amnesty International shton se, “Autoritetet turke duhet të marrin masa urgjente për të parandaluar vdekje dhe plagosje të tjera,  dhe njëkohësisht u bën thirrje atyre të lejojnë protestuesit që të ushtrojnë të drejtat e tyre themelore për të protestuar , dhe të garantojnë sigurinë e të gjithë publikut”, ndërkohë që janë plagosur lartë nga 1000 protestues dhe ka pasur të pakën dy të vdekur,  sipas  orgnaizatës së të drejtave të njeriut, Amnesty International.

Drejtori i Amnesty Interational për Europën, Xhon Dalhuisen shtoi se, “Është e qartë se përdorimi i forcës nga ana e policisë turke ndaj dhunës që  në vetvete ishte tepër e vogël nga ana e protestuesve — nuk u nxit nga dhuna e demonstruesve, por nga dëshira (e autoriteteve) për të ndaluar dhe për të diskurajuar çdo lloj proteste.”

Amnesty International thotë gjithashtu se megjith keqësimin e krizës, autoritetet turke nuk po tregojnë asnjë shënjë se ata do të ndryshojnë drejtimin politik  ose nëse do të marrin masat e nevojshme për të siguruar sigurinë e demonstruesve dhe të  publikut në përgjithësi.   Si rrjedhim, Amnesty International u bën thirrje urgjente aktivistëve të saj anë e mbanë botës që të marrin masa në lidhje me gjëndjen e krijuar në Turqi dhe njëkohsisht  i bën thirrje Kryeministrit turk, Erdogan, “që menjëherë t’i japë fund dhunës policore, arrestimeve të dhunëshme dhe arrestimeve pa afat”  të protestuesve, dhe u bëhet thirrje autoriteteve që të ndërmarrin një “hetim të pavarur dhe efektiv në lidhje me dhunën”, dhe të mbajë përgjegjës ata që kanë kryer  dhunë dhe abuzime ndaj protestuesve paqësorë.   Mediat ndërkombëtare njoftojnë nga Stambolla dhe Ankaraja se protestat anti-qeveritare kanë filluar të përhapen anë e mbanë vendit, si një shënjë e moskënaqësisë së protestuesve ndaj asaj që ata konsiderojnë si një politikë autoritare e qeverisë së Kryeminstrit Erdogan,  politikë këjo që, sipas tyre,  kërcënon liritë individuale të qytetarëve, ndërsa  përpiqet  t’i imponojë shoqërisë turke një agjendë politike konservatore me bazë në dogma fetare.   Sipas lajmeve dhe imazheve në televizion, pjesëmarrësit në këto protesta janë kryesisht në moshë të re dhe thuhet se vijnë nga shtresa të ndryshme të shoqërisë turke, por Kryeminsitri turk i cilëson ata si një pakicë “plaçkitësish” dhe “ekstremistësh”, të cilët po përpiqen t’i imponojnë shumicës vullnetin e tyre dhe njëherazi ngarkon me faj partitë kryesore të opozitës se janë ato që po manipulojnë protestat për qëllime të veta partiake, si dhe akuzoi grupe të pa emër, “të mbrendshme dhe të jashtme”, të cilat sipas tij, duan të dëmtojnë Turqinë.Por siç duket,  Presidenti i Turqisë Abdulah Gul, nuk i shikon këto protesta me të njëjtin këndveshtirm politik si kryeministri Erdogan.   Ai u tregua më i kuptueshëm ndaj kërkesave të protestuesve duke thënë se zhvillimi i protestave paqësore është një e drejtë demokratike dhe shtoi se “demokracia nuk do të thotë vetëm mbajtja e zgjedhjeve”, por sipas presidentit Gul demokracia, “duhet të lejojë edhe shprehjen e lirë dhe të natyrshme të pikëpamjeve të ndryshme, në situata të ndryshme dhe me kundërshtime dhe mendime opozitare të lloj llojshme”.

Reagimi i ashpër ndaj protestave paqësore në Turqi nga qeveria e Kreministrit Erdogan ka shkaktuar shqetësime jo vetëm në radhët zyrtare amerikane, siç vihet në dukje nga komenti i zëdhënses se DASH, por edhe në median amerikane, e cila ka raportuar gjërë e gjatë mbi protestat dhe dhunën e policisë ndaj protestuesve turq në Stambollë.  Gazeta Nju Jork Tajms në një editorial të saj thotë se “Z. Erdogan shpesh ka folur në lidhje me angazhimin e tij për të zhvilluar Turqinë si një vend model demokratik dhe si një fuqi politike dhe ekonomike rajonale……por mos toleranca e tij në rritje e sipër karshi atyre që kundërshtojnë politikat e tija, përpjekjet e tij për të frikësuar median si dhe planet e tija për të ndryshuar kushtetutën, me qëllim për t’i dhënë kompetenca më të mëdha presidencës, detyrë për të cilën ka në plan të kandidojë më 2014, me objektivin për të zgjatur periudhën e pushtetit të tij — janë tepër shqetsuese”,  komenton Nju Jork Tajms dhe përfundon duke thënë se “Megjithëse Z. Erdogan ka fituar në tri zgjedhje…. revolucionet e pranverës arabe kanë treguar se sa shpejtë mund të ndryshojnë fatet politike…..Në këtë moment të rrezikshëm, Z. Erdogan dhe partia e tij duhet të tregojnë angazhimin e tyre serioz në mbrojtje të lirisë së fjalës dhe të drejtës për tu mbledhur dhe për të protestuar, si dhe të deklarojnë zotimin e tyre për të plotësuar nevojat e popullit turk”, përfundon editoriali i gazetës amerikane Nju Jork Tajms, në lidhje me protestat dhe dhunën e përdorur kundër demonstruesve nga policia turke.

 

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Frank shkreli, Turqia ne Tym

Thirrje nga SHBA, për të votuar kandidaten Leonora Laçi në Pukë më 23 Qershorë

June 3, 2013 by dgreca

Legalistët në Amerikë shprehin mbështetjen për kandidatin e PLL-së, në Pukë Leonora Laçi, ndërsa bëjnë thirrje votouesve pukëjanë, që me 23 qershor të votojnë vlerat dhe krenarinë e historisë së Pukës, zonjushën Leonora Laçi/Foto: Elez Ali Neza, Musli Mulosmanaj, Kolonel Xhemail Laci si dhe Sahit Beg Kryeziu/

Nga Beqir SINA/

NEW YORK CITY : Një grup veteranësh të komunitetit emigrantë të vjetër, mbretërorë besnikë, këta, me në krye anëtarin e Seantiti të degës së Partisë Lëvizja e Legalitetit, ish – Oraganizatës Kombëtare Lëvizjes e Legalitetit në Amerikë, zotin Musli Mulosmani, kan njoftuar të shtunën se ata do ta përkrahën me të gjitha mundësit e tyre, kandidaten e Partisë Lëvizja e Legalitetit, për Qarkun e Shkodrës – zona elektorale Pukë, zonjushën Eleonora Laçi, për zgjedhjet e përgjithëshme në Shqipëri, të cilat mbahen më 23 qershor.
Në këtë mesazh shpërndar për shtypin shqiptar zoti Musli Mulosmani një mik dhe bashkëluftëtar i përbetuar anti komunist i Kolenel Xhemal Laçit, u bënë thirrje votuesve pukjanë të votojnë kandidaten për deputete në Parlamentin e Shqipërisë, zonjushen Leonora Laçi, e mbesa e Kolonelit Xhemal Laçit, këtij mbretërori legjendar në SHBA. Ajo është kandidate e PLL, e cila kandidon në koalicionin”Aleanca për punësim, mirëqenie dhe integrim” e kryesuar nga Partia Demokratike.
Mulosmani u bën apel votuesve të Pukës, se duke votuar kandidaten Laçi këtë pinjolle të njërës prej nga familjet më të njohura pukiane, ju do ti ktheni dinjetetin Pukës, dhe do të keni gjithmon pas vetes një zë të fortë në Paralamentin e Shqipërisë, për një Shqipëri Etnike, apostulatin e Mbretit të Shqiptarëve Zogu i Parë. Vota juaj për kandidaten e partisë PLL, është me një vlerë shumë të rendësishme jo vetëm për Pukën dhe partinë që ajo përfaqëson dhe koalicionin dajthtë, por edhe për shqiptarët që të përkrahin kandidaten nga rradhët e partisë Lëvizja e Legalitetit e cila ka si princip të saj vlerat e Mbretërisë Shqiptare.
Në mesazhin e Mulosmanit thuhet se :”Të dashtun miqë të rrethit të Pukës, dhe të Qarkut të Shkodrës, fort të nderuar votues të kësaj zone elektorale, njoftimin se mbesa e Atdhetarit dhe patriotit të njoftun, si në Atdhe ashtu ma shumë në mërgaten tonë antikomuniste në diasporë, e prita me një gëzim të papërshkuar së bashku me bashkëluftëtarët e mi rrugëve të mërgimit për shumë dekada, sepse Eleonora është mbesa e të pavedëkëshimit Kololenal Xhamai Laçi, kandidate për deputete në zgjedhjet e 23 Qershorit në Shqipëri. Përfitojë nga ky rast tju bëjë thirrje ta përkrahini dhe të votoni për kandidaten LEONORA LAÇI, e cila na nderon ne të gjithve por natyrishtë dhe mbar Pukën, që Kolonel Xhemal Laçi e deshti aq shumë”
Thirrjes së grupit të veteranëve të komunitetit emigrantë të vjetër, mbretërorë besnikë, këta, me në krye anëtarin e Seantiti të degës së Partisë Lëvizja e Legalitetit, ish – Oraganizatës Kombëtare Lëvizjes e Legalitetit në Amerikë, zotin Musli Mulosmani, bër pukjanëve për të votuar me 23 qershor kandidaten e PLL , znj. Leonora Laçi i është bashkuar edhe publicisti, kritiku letrar, shkrimtarit të disa librave, autorit Tomë Mrijaj, Sekretar i Përgjithshëm i “Lidhjes së Tretë të Prizrenit”, disa vatranë dhe mbretërorët Legalistët e njujorkut.
Zonjusha Laçi, është pinjolle e kësaj familje pukjane me tradita të vyera kombëtare, patriote e zjarrtë, e cila i ka dhënë shumë kombit tonë. Ajo është e mbesa e Kolenelit të Mbretit të Shqiptarëve Xhemal Laçit.

Kolenel XHemal Laçi është një nga figurat më të rëndësishme të historisë së Shqipëris që dha kontribut në sferën politike, ku u dallua për përpjekjet e tij – për përmbysjen e komunizmit në Shqipëri. Ai gjithë jetën e tij i’a dedikoi kombit tonë, këtë e tregon fakti që dhe në emigrim ai punoi për të rrëzuar sistemin komuniste të instaluar pas Luftës së Dytë Botërore, me ardhjen në vendin tonë të regjimit diktatorial të Enver Hoxhës, me qëllim për të vendosur sistemin demokratik në Shqipëri dhe lirinë e Shqiptarëve të roberuem.

Rrugën e tij në dobi të Shqipërisë, duket se po e ndjek mbas kaq dekadash duke u futur me guxim dhe largëpamësi në politikë, edhe e mbesa e tij – 21 vjeçare, studentia në degën e historisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi “të Shkodrës, zonjusha Leonora Laçi, e cila ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e saj për një vend në Parlamentin e Shqipërisë, në zonën elektorale nga e ka edhe origjinën e saj në Pukë.

Në një intervistë të posaçme për gazetën kombëtare Bota Sot, kandidatja e PLL, znj. Laçi foli javën e kaluar se si i hyri ajo kësaj fushate, duke thënë se ” që të përfaqsosh Pukën dhe Malësinë e Madhe në këtë qark kërkon vullnet, vendosmëri dhe aftësi.”

Njëkohësisht, ajo ka pohuar se origjina e saj e ka shtyrë që të hyjë politikes megjithëse studion për historinë. “Që ti futem politkiës më shtyu geni…Politka kërkon njerëz guximtar e mendoj se kjo cilësi nuk më mungon.Kush guxon del i fituar.” thotë znj. Laçi në intervistën e parë, të saj prej se kur shpalli kandidaturën e saj – për herë të parë, prej se kur ajo u përzgjodh nga Partia Lëvizja e Legalitetit në listën për kandidateve të kësaj partie në zgjedhjet Parlamentare që do të mbahen me 23 Qershor në Shqipëri.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Leonora Laci, Mulosmanaj, nga Beqir Sina

“NAFTA DHE POLITIKA”,KRYQEZON KORRUPSIONIN SHQIPTARE TE NAFTES

June 3, 2013 by dgreca

-Liber shkruar nga Prof.Dr. Maksim Shuli, ish deputet dhe President I Keshillit Drejtues te Albpetrolit-/

Shkruan- Ing.Ahmet Çollaku/Filadefia/

Oferta që prof. dr.Maksim Shuli ish anetar I parlamentit Shqiptare dhe Presidente I Keshillit Drejtues te Albpetrolit, I bënë publikut tone me librin “Nafat dhe politika”, nuk duhet parë apo ndier si një rrefim a shkundje mekati por si nje armë që ai na jep ne shqiptarëve, kudo ndodhur, brenda apo jashtë per te kuptuar veten tone dhe per te kryqezuar te gjithë hainite dhe perbindshat qe vazhdojne te dhjamosen me naften tone, e qe per me shume, edhe na luftojne.

Libëri I me siperme bije si një meteor tek të gjithë shqiptaret, po me kumbues tek naftëtarët, te të gjithë moshave dhe gradave, për ti zgjuar sado të plakur nga frika apo nga skleroza teksa shtiren gjoja të kënaqur pranën atyre partive antishqiptare. Për ne ky libër është një super bombe qe duhet ta zbrazim kunder kësaj qeverije që na vjedh dhe na lufton.

Me këtë liber dhe me intervistat e tij të mëparshme, qe nga viti 1998 ky specialist, mprehë një karakter shumë të lartë, krejtë ndryshe nga ata që me titujë shkencor ekspozohen pranë partive të tyre, si prostituta rrugësh pa bërë asgjë civile apo profesionale. Maksim Shuli aktivizon valencat e naftëtarëve te ndershem dhe te gjithë Shqipetareve kudo ndodhur, per njohjen e ketij makrokorrupsioni te pa pare dhe degjuar ndonje here deri me sot, ai I ka zhbiruar te gjitha keto, prandaj u hap abuzueseve dyerte e burgut te perjetshem. Sepse nuk behet fjale per dy pula, apo per tri ferra ne ane te rruges dhe as per nje fuci ne ane te lagjes, behet fjale per naften qe ka vlera ekonomike te pa llogaritsheme, fale sa pari asaj morale ne krye te kokes tone.

Qeveritarët dhe gjithë beniaminet e sajë, e shohim me mos perfillje botimin e ketij libri për naftën Shqiptare krejte ndryshe nga gjithë librat e tjera që derdhen në Shqipëri si rëra e Saharasë, shume nga te cilat kullojne ujra te zeza, se jane pa art dhe pa moral. Artin kerkojeni atje tek Kycyku I ri, ne ate “Perlen” e vertete.

Mendojme se ketu është vendi më komod të citojme Eduard Bulwer-Lytton, novelistin, poetin, dramaturgun dhe politikanin anglez te shekujve te kaluar qe thote, ligjet vdesin, librat asnjë herë.

Eshtë e domosdoshëme që Shqiptarët të mirë informohen sa më shpejtë qe te jete e mundur për të kuptuar diabilizmin e qeverisë tone ndaj naftës Shqiptare, të mos e konsiderinë naften si gogol, shumë te vështirë për tu kuptuar dhe manazhuar, qe nafta të mos jetë para e fshehur në xhepat e një kompanije bretkocash, vendas dhe te huaj, por pronë dhe moral i gjithë Shqiptarëve kudo ndodhur. Gjithashtu, eshtë e domosdoshëme të tregohen të gjitha evenimentet e saja, që nga puna e mirëfilltë shqiptare bërë për zbulimin e sajë, si dhe gjithë fazat e tjera teknologjike – nxjerrese nga çdo sistem shoqëror dhe politik, pa lëne jashtë skemat vjedhëse nëpërmjetë marrëveshjeve koncesioniste skllavëruese te cilat jane aktive edhe tani kur po lexoni keta rreshta.

Të gjithe këto problem sa thame me super, autori Maksim Shuli, i trajton shumë saktë, pa harruar data, emëra, shifra, ai citon sikur të jetë në nje auditorë të madh, dhe gjithcka e ka perballe. Në këtë kënd vështrim ky liber ngjan si një ekuacion algjebrike, me koeficianta, te njohura dhe të pa njohura, po ai di te gjeje vlerat e te gjithë ketyre koeficienteve sepse nafta nuk të le të supozosh, se dihet saktë kur nisi shkatërrimi, partitë dhe personat që kërcyen valle, si u pasuruan dhe pronotuan bileta për në planetin Mars. Jane skenuar marrëveshjet hidrokarbure koncesioniste, me data, firma, emëra, me pas bekuar nga qeveritaret dhe skora e tyre te cilet nuk kane ide per naften. E gjithë kjo maskaradë vazhdon te ekspozohet para syve tanë, kurse ne vazhdojmë të bëjmë sehirë. Sehir bënë edhe maja e elitës shqiptare, ata shtiren sikur nuk e ndiejnë dhe kuptojne naftën tonë Shqiptare, e per me shume kerkojne edhe cmime…

Prof. dr. Maksim Shuli, ndryshe nga gjithë të tjerët, këtë denoncim e ka bërë me kohë që nga maja e Albpetrolit, apo Parlamentit Shqiptarë. Trishtohem ne limit ekstrem kur shikoj qe specialistet e naftes, shoket dhe koleget e mi dhe tuajit, shtiremi indifferent me kete liber, ne vend qe te vrapojme ta blejme ate sa me pare. Libri “Nafta dhe Politika”, eshte nje llahtari per naften tone. Ky specialis I di te gjithë horelleqet qe u bene me naften Shqiptare, qe ne fillim, prandaj ai ndryshe nga ne pordhalece, e hedh pertej friken dhe nuk do te ia dije per rrezikun e asnjerit, te madh apo te voget, te majte apo te dajthte, mafioz vendi apo te huaji.

Po, se pari provoni te shfletoni librin, futeni nëpër labirinthat e tij. Neper ato flete ,do te shikoni autostradën e vjedhësave, shpejtësitë dhe korsitë që ata aplikojnë, shpeshë herë kaotikë dhe në drejtime te kundëta. Ishalla nje dite thyejë qafën! Se vjen një ditë, dhe buka e popullit të zë sytë!

Në 262 faqe, autori rrëfehet cfarë është bërë dhe cfarë po bëhet me naftën tonë, nisur nga pozicioni tij drejtues suprem në Albpetrolin Shqiptarë si dhe nga formacione qeveritare, partiake dhe parlamentare me njëherë ne prag te vitit te mallkuar te ’90-tes, ku me një rënie të vetëme trumpete, gjithça u grabit turpshëm. Pra, ky specialist e ka pare mirë këtë lojë tragjike ku nuk u ndez asnjë fishek zare, per te mbrojtur naften Shqiptare. Korrupsion dhe vetem korrupsion. Korrupsin ne hartimin e ligjeve per Hidrokarburet, korrupsion ne marreveshjet me te huuajit, korrupsin ne negociata, korrupsin ne shfrytezimin e vendburimeve… Korrupsion Kompania Sream OIL, kompani fantazem qe shfrytezon vendburimet Cakran-Mollaj, Ballsh-Hekal, Gorisht-Kocul, Delvine e me radhe… Firme disa vjecare… As nje investim… as nje kontrolll… Po me vendburimin e Marinzes, cfare behet?! Kompania Bankers Petroleum Ltd. po e thane Marinzen tone, te huajit duan ti dalin Marinzes ne fund, prandaj e thethijne nate- dite, pa pushim, me te shtuna, me te djela, me festa…Te gjithë ne Shqiptaret duhet te varim nga nje gure ne qafe dhe te hidhemi ne det, te mbytemi te gjalle…

Aplikimet koncesioniste te para me të huajit moren për keq, qeveritë dhe partitë e ndryshëme interferuan me njëra tjetrën për të mbyllur të gjitha saraçineskat, ta çojne ne xero prodhimin e naftës Shqiptare. Te gjitha keta me PD, me PS, me LSI… jane ne kor. Abuzime, shëmbje që arrijne miliarda dollarë… Konkretisht, tani eshte fushate votimesh, qeveritaret jane betuar te mos thone asnje fjale per naften, megjithese ne kutite e votimit do jete kryesisht nafta Shqiptare. E kemi thene para disa vitesh, “Ne kutite e votimit eshte nafta Shqipatre”.

Tragjedia e naftes jepet ne pjesa e dytë, ne kapitullin “Historiku i konçesioneve të naftës në Shqipëri” I cili zë gati 100 faqe dhe është shtylla e këtij libri sepse krahas ekspozimit të konçesioneve, autori nis të rrëfejë trysninë shpirtërore dhe ndikimin direktë në manazhimin e marrëveshjeve, POR këtu gjithashtu, nis përplasja e madhe, perplasje nga te gjithë anë dhe me të gjithë. Në naftë eshtë e vështirë të zëshë shokë për punë të ndershëme. Ai thotë sinqerisht ate që bene dhe ndien, prandaj replikon, diskuton, po muri është i madh. Kundërshtarët jane shumë afër, ngjitur. U shkrun ish K/Ministrave, Nano, Majko, ish Presidentit Mejdani, i drejtohet Parlamentit…Ky Ylli Bufi, sipas Prof. Maksit ka “merite” se e shkterroi si asnje tjeter naften tone dhe me pas e hoqi faqe Maksin nga gjithë funksionet, hakmarrja shqiptare nuk ka limit. Ky eshte ai Bufi, qe tha dikur se kemi buke vetem per disa ore ndersa tani bene ligjin ne kete palo PS. Prof. Dr. Maksim Shuli, ngeli vetem, vetem si Skenderbeu yne.

Ne pjesen e tretë te librit “Kontratat koncesioniste të lidhura me Albpetrolin”, analizohen kontaktet me të huajit, veprimet praktike te shkerdhimit të Shqiperisë, ku shqiptarët shfaqen, si të jene fise të egera indianë. Pushtohen vëndburime nafte me vlera kolosale, ato konvertohen si prona personale të qeveritareve. Ne pjesët e katër dhe te pesë që zenen rreth 25 faqe, vazhdojnë aktet e tjera të masakrës, vidhet naftë, punëtoret flaken në rruge… Specialistët heshtin… Nga je, pyten dikur nje indiferent, ai u pergjegj, jam nga fshati shurdhit dhe memecit(!) Ja, keta jane shoket, koleget, specialistet, pedagoget, profesoret, elita, doktorat tane ne shkencat e naftes. Mjerimi nuk njeh kufi. Ky lejtmotiv e pershkruan tej per tej kete liber ndryshe nga gjithë librat e tjera botuar per naften deri me sot. Poeti I madh Amerikan, W.Whitman u tregon lexueseve librin e tij dhe u thot, kujdes kur prekeni kete liber, me keni prekur mua. Keshtu ndihet ky tundim edhe ne librin e kolegut tone Maksim Shuli., dokumentuar dhe illustruar me grafikë, skema, tabela, me letra. Eshte nje monografi e dokumentuar si nje pasaporte.

KYy liber duhet te jetë në duart e gjithë Shqiptereve, po vecanerisht ne duart e naftëtarëve tanë, per te denojme të gjithë ata mafiozë, të vegjël apo të mëdhenjë që e kane vjedhur dhe vazhdojne ta vjedhin naftën tonë. Prof .Dr. Maksim Shuli na jep nje armë të tillë, tani e kemi radhen ne te tjeret, shqiptare dhe naftetare. Po se pari ta lexojme kete liber shume interesant, te kuptoni varferine tone ekonomike dhe renien morale e shpirterore si as nje here deri me sot. Eshte fjala per naften tone!

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Ahmet Collaku, korrupsioni, Nafta, politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5415
  • 5416
  • 5417
  • 5418
  • 5419
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT