Ndjesë Kadaresë për heshtjen pas pretencës penale të ‘Pallatit të ëndrrave’/Mbi librin me kujtime “Jeta që na dhanë”/Brenga e shkrimtarit që s’e mbrojti kolegun gjatë sulmeve për “Pallatin e ëndrrave”/
Nga Agron GJEKMARKAJ/
Një botë bardhezi nuk ka nevojë as për letërsinë, as për shkrimtarin. Shoqëri të tilla janë totalitare. Ne ende e kemi kujtimin dhe trashëgiminë e një shoqërie të tillë. Në një aso shoqërie ekstremesh, ku vdekja e artit është siguri matematike, ku “e mira” dhe “e keqja” e skajshme ishin terminologjia jonë, lind pyetja: Si jetoi, si mbijetoi, si u transformua, si doli prej asaj shoqërie shkrimtari dhe intelektuali shqiptar, ai që pati fatin të jetojë në “liri”(të paktën nuk provoi drejtpërdrejt burgun)?
Jam munduar ta shuaj kuriozitetin nëpërmjet hulumtimesh, bisedash, leximesh, por gjithmonë kam mbetur i pangopur, i pabindur, i turbullt pas përgjigjeve apo reflektimeve mbi librat që trajtojnë këso temash. Shija e manipulimit, e fshehjes, e tjetërsimit, e justifikimit të paranojës të mbetet gjatë në psihë si përkufizim i një gjysmëshekulli historie. Bardhyl Londo, poet e shkrimtar i njohur, i cili një pjesë të rëndësishme të jetës dhe të veprës i ka jetuar dhe realizuar nën komunizëm, ka ndërmarrë aktin moral e intelektual të rrëfimit nëpërmjet një libri, le ta quajmë kujtimesh. Nuk jam i sigurt nëse “Jeta që na dhanë” duhet konsideruar një libër mirëfilli kujtimesh, sepse më shumë se ngjarja, subjektin e tij e dominon interpretimi i subkoshiencës të kohës pas një transformimi etik të dyanshëm: të shkrimtarit dhe të shoqërisë. Shkrimtari që në fillesë ka bërë një betim a përbetim pothuaj mbi Bibël: ai shpall se çdo gjë që rrëfen është e vërtetë dhe vetëm e vërtetë. Domosdoshmëria për t’u betuar nënkupton kërkesën për të marrë besim, por edhe krizën në të cilin besimi gjendet në shoqërinë e sotme shqiptare. Kodi i komunikimit është i rrejshëm dhe i projektuar mbi faktin se si duhet të ishim dhe jo si ishim me të vërtetë. Emetuesi dhe receptuesi në Shqipëri bëjnë lojën e së vërtetës tek servirin dhe pranojnë gënjeshtrën. Primo Levi, tek kujtonte Aushvicin shprehej: “Ndoshta çfarë ka ndodhur nuk duhet të kuptohet deri në masën sa të kuptosh do të thotë të justifikosh”. Te libri i Londos justifikimi mungon. Të kuptuarit në këtë rast shërben për të ndryshuar. Në asnjë rresht shkrimtari nuk shfaqet si narrator neutral, por shpalos opinionin e tij mbi fytyrën, mbi mekanizmin, duke shquar pikërisht atë që ishte “perpetum mobile” e shoqërisë dhe sistemit tonë totalitar. Të kuptosh të keqen do të thotë edhe të propozosh mjetet që pengojnë kthimin e saj. Fjala në emër të së cilës rrëfehet thërret “mea culpa” për mungesën e fuqisë për t’u rebeluar, kundërshtuar, kuptuar më shumë e më thellë, e gjitha kjo e shumëzuar me shifrën disa milionëshe të këtij populli. Pa “ndoshta”, pa “sikur” Bardhyl Londo rrëfen një shoqëri të depersonalizuar, të mposhtur, të nënshtruar, të banalizuar e po aq të tillë intelektualin e saj. Ai rrëfen injorancën si vatër fanatizmi, fuqinë e saj mobilizuese. Dilemës së Rusoit “Të pranosh, apo të rezistosh” shoqëria jonë pothuaj njëzëri iu përgjigj: “Pranojmë!”. Leximi i “Jetës që na dhanë” të bën të kuptosh sesi intelektuali shqiptar zhytet në historinë “e re”, në historinë e fituesit pa i rezistuar asaj.
Jeta në liri e ka ndihmuar shkrimtarin ta çlirojë mendjen dhe të gjykojë mbi robërinë, duke kryer një nga analizat më të thella mbi vetëdijen dhe pavetëdijen e elitës, pseudoelitës, individit dhe masës. Kujtesa si shenjë është gjithmonë individuale, ndërsa kujtesa kolektive nuk është gjë tjetër veçse një diskurs i destinuar për hapësirën publike. Në këtë kontekst, ligjërimet nuk përputhen. Londo ka zgjedhur deheroizimin dhe gjykimin kritik. Të tjerë të kundërtën. Individi i rrëfyer nga Londo, duke nisur nga vetja, është një njeri pezull ndërmjet asgjësë, ankthit dhe dyshimit, i sulmuar në bindjet personale. Ai ka humbur natyralitetin, ka humbur gjuhën, ka humbur besimin, ai është njeriu i ri, ai flet “newspeak”, ai beson në fenë e re dhe “Mesinë” e saj, Enver Hoxhën. Ai është pjesë e masës. Masa është turmë dhe turmat i “adhurojnë spektaklet ku vetë janë aktorët kryesorë, aktorë të cilët identifikohen me zhurmat, fjalët e përsëritura, të bërtitura, të ulëritura, fjalë të cilat e pushtojnë aq shumë mendjen, sa që e paralizojnë intelektin, e mbysin shpirtin kritik, e asgjësojnë sensin e dyshimit dhe bëjnë të triumfojë llahtaria gënjeshtare”. Mes turmës përpëlitet shkrimtari, i cili ishte “kompromisi me kohën në të cilën jetoi”.
Duke shoqëruar Bardhyl London në këtë rrëfim, nga rinia studentore në Tiranë te jeta në Përmet dhe izolimi në fshatin kufitar Zhepë dhe kthimi në Tiranë si gazetar i “Dritës”, e ndiejmë peshën e kohës dhe mënyrat se si ajo rëndon. Ndiejmë vuajtjen e fjalës.
Në formën e heshtjes, si frikë e skalitur kudo në fytyrat e njerëzve nga Jugu në Veri, tek heshtja si aprovim, tek heshtja si konsensus, tek heshtja si pranim, si kod i qeverisjes me të qeverisurin, i mundësit me të mundurin. Por, po aq ndihet krrokrrama e gjuhës ideologjike, e gjuhës citat, në shkollë, në zyrë, në vdekje, në dasmë, në dolli, në vëllime poetike, në poezi oficerësh dhe veteranësh, në të parin libër poetik të vetë Bardhyl Londos, prej të cilit nuk ka pasur kurrë kurajën të marrë një poezi te vetme për ta përfshirë në një antologji. Në një shoqëri totalitare, raporti i individit, i masës dhe, më shumë se i kujtdo tjetër, i shkrimtarit me gjuhën përcaktohet nga autocensura si instrument mendor, por edhe gjuhësor kundër vetë gjuhës.
Askush më mirë se gjuha nuk e shpreh thelbin e një sistemi që i friket lirisë në kulturë e jo vetëm. Londo e shpjegon në mënyrë racionale këtë gijotinë vdekjeprurëse mbi krijimin. E pranon haraçin që i ka paguar ai dhe krejt letërsia jonë.
Duke ecur më tej në këtë linjë, autori rrëfen rastet kur autocensura testohej nga natyrshmëria e ndërgjegjes dhe pikërisht këto momente shndërroheshin edhe në provë për komunitetin e krijuesve, për raportin e tyre me artin dhe sistemin. Artisti sulmohej në gjithë qenien e tij nga kanoni i socrealizmit, nga kolegu dëshmitar, nga studiuesi ekspert, nga aparatçiku i zellshëm, ndërsa mbi maskën e sistemit autocensura shkëlqente si emblema e gardës pretoriane.
Autocensura ka nevojë për terrenin e vet pjellor dhe ky terren ishte provinca e vogël dhe e madhe. Në optikën time, askush më mirë se Bardhyl Londo nuk e ka përshkruar atë si gjendje mendore, shndërruar edhe si realitet fizik. Provinciali shqiptar është njeriu “levantin” që historikisht i ka shitur shpirtin djallit. Ai është tjetërsuar sa herë ia ka kërkuar barku. Pa drojë ka vendosur interesin e atypëratyshëm mbi çdo ideal. Hilet i ka njohur para rregullave. Instinkti i dominon arsyen. Frika e nxit në veprim anarkik. Liria e tremb, e bezdis, nuk di si të sillet me të. Robëria është gjendja e tij e natyrshme. Suksesi i tjetrit është plaga e tij. Hibridë njerëzorë të tillë Bardhyl Londo gjen kudo përgjatë jetës së tij shqiptare në ditët e para të punës, në vijim të saj, në zbor me kapter Aliun, por edhe në “zemrën e kulturës”, në Lidhjen e Shkrimtarëve.
Mjerimi, frika dhe xhelozia e shkrimtarit shqiptar shfaqet ndoshta në një përmasë që krijon model të së keqes, kur në vitin 1982, Ismail Kadaresë i lexohej pretenca penale nga kolegët e tij të letrave dhe shefat e tyre partiakë për romanin “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”. Të gjithë heshtin, askush nuk e mbron dhe të gjithë e braktisin tek i vetmuar dhe i zymtë zbret shkallët e Pallatit të Kulturës për në shtëpi. Të gjithë shtiren të pamëkatë, të gjithë gjuajnë edhe gurin e fundit kundër tij. Kjo është një brengë për Bardhyl London, i cili ishte aty i frikur si të tjerët. Kadare po i vetmuar dhe i zymtë e shndërroi letërsinë shqiptare në vlerë referenciale botërore, ndërsa Plenumi i vitit 1982 mbeti fytyra e vërtetë e provincës letrare shqiptare socrealiste. Duhet fuqi morale dhe intelektuale për t’u bërë pjesë e fajit të një epoke edhe atëherë kur ti gjendesh në skajin më të padëmshëm të tij. T’ia njohim këtë akt Bardhyl Londos.
Edhe si një shërbim emancipues për brezat e kulturës mund të konsiderohet “Jeta që na dhanë”, sepse i identifikon fenomenet, ideologjitë, njerëzit, i rrëfen ata në veprim, i gjykon në dy kohë, veprim, i cili ofrohet vetë për t’u gjykuar nga dy lexues të dy kohëve të ndryshme.
Shkrimtari shpjegon fazë pas faze se si e ka përjetuar kohën nën komunizëm në një qytet të privatizuar nga “sekretari i parë” dhe shpura e tij. Tek këqyr atë fotografi, sheh se si harliset mentaliteti i nënshtrimit dhe gjuha që e ushqen atë. Shkalla e ngjitjes për t’u bërë kastë drejtuese e regjimit evidentohet sa tek natyra e njeriut, aq dhe tek mbyllja mendore e shkaktuar nga izolimi e po aq nga joshja diaobolike e sistemit, tek lubrifikanti i tij: lufta e klasave. Këtë proces subjektiv shkrimtari na e shpjegon në dy përmasa, duke sintonizuar atë që ka ndodhur, emrat e ngjarjet me reflektime filozofike mbi natyrën e njeriut. Lasgush Poradeci në kujtesën e Londos na shfaqet tronditës, i veçantë, origjinal për mendjet mekanikisht të njësuara. Dy herë befasi, atëherë kur ka pasur fatin që në përvjetorin e lindjes ta dëgjojë e shohë dhe po kaq e mos më shumë tani pas gati 30 vjetësh, i rrëfyer si model i intelektualit që nuk “është kompromisi me kohën e tij”.
Të gjithë popujt që kanë lidhje të vonë me modernitetin kanë folklor të zhvilluar. Brenda këtij pohimi jemi edhe ne. Duke lexuar “Jeta që na dhanë” të krijohet ideja që tendenca folklorike e popullit e ka ndihmuar regjimin në krijimin e mitologjisë së tij. Folklori socrealist shfaqet si armiku kryesor i letërsisë shqipe të bashkëkohësisë, por edhe shpëlarësi kryesor i trurit.
Londo nuk është bukolik dhe himnizues i fshatit në rrëfimin e tij që i prek të gjitha, përkundrazi, ai është qytetar në kuptimin metafizik të fjalës dhe fokus i tij është ajo çka mund të përkufizohet si “shpirti i qytetit”, ajo që mbeti gjithmonë “polis”, por kjo nuk e pengon të konstatojë që veset e “njeriut të ri” kishin prekur më shumë qytetin se fshatin.
Provinca atij nuk i ndahet, e ndjek si hije kudo. Në Tiranë për pak kohë beson se i ka shpëtuar. Por jo: në tjetër formë, nën tjetër kozmetikë frikshëm ajo i del para përsëri me gjithë shëmtinë dhe kërcënimin e saj. Piramidale e kolektive e zbulon ai paranojën, atëherë kur kalon së pari kufirin shtetëror në vitin 1983, për një udhëtim në rolin e gazetarit për në Greqi.
Një sërë episodesh të rrëfyera mjeshtërisht dekonstruktojnë mitin e “shqiptarit krenar”, të “Shqipërisë, kopsht i lulëzuar”, atë “të epërsisë” së “njeriut të ri” mbi njeriun kapitalist.
Ndien një trishtim të thellë pasi ke lexuar këtë rrëfim, sepse zbulon se izolimi dhe ideologjia e kanë shndërruar shqiptarin e shek. XX në një foshnjë tragjikomike, naiv e paragjykues, mosbesues e tinëzar, me aparat të kufizuar komunikimi, ashtu si një memec me një njeri normal, të varfër deri në dhimbje. Elita e një vendi, si artistë e këngëtarë, shfaqen si skuadër pastrimi tek mbledhin shishe plastike rrugëve të shtetit helen apo tek vjedhin shishe uzoje.
Londo kur flet për të tjerët nuk përjashton veten. Nuk e fsheh paranojën e tij, habinë, frikën, paragjykimin, por edhe mundësinë e madhe që iu krijua për të dyshuar mbi dogmat dhe realitetin në të cilin jeton. Gjatë udhëtimit në Gjermani i rrëzohet miti i cigares “DS”, të cilat ndotin lokalin tek i pi dhe detyron klientët të dalin jashtë. Ulur gati në vetmi në Panairin e Librit në Frankfurt goditet nga ballafaqimi me realitetet europiane, ndien mjerimin kulturor e politik të vendit të tij. Në Bullgari, në vitin 1987, vendos dy karrige pas derës së dhomës në hotel nga frika hipotetike mos e rrëmbejnë shërbimet ruse…
Të gjitha diktaturat në parime performojnë njësoj duke ndërtuar mitin e kombit të zgjedhur, të udhëheqësit të pagabueshëm, të armikut të përjetshëm e gjithmonë aktiv. Rrëfimi i Bardhyl Londos në këtë libër të jetës është dëshmi e luftës për të mbetur njeri, por edhe e një luftë tjetër më të vështirë, të asaj për të mbetur shkrimtar në një shoqëri me dy ngjyra. Në optikën time, ky libër është rrëfimi më i plotë dhe më i ndershëm që një shkrimtar shqiptar ka bërë deri më sot për atë që ka qenë dhe mbi të gjitha për ç’nuk ka qenë.(Kortezi Panorama)
Sfida e Arben Malajt
Shkruan: Behar GJOKA/
Kandidimi si i pavarur i Arben Malajt, pa dyshim një nga figurat e rëndësishme të së majtës dhe të PS në historinë e njëzet viteve, mbart dy momente. Së pari, kundërshtimin e mendimit zyrtar të PS, që bazohet në të drejtën e liderit për të hartuar listat, për të mos e përfshirë në listën e vet. Së dyti, edhe një akt individual dhe qytetar. Ardhja në këtë pikë, nevralgjike të fatit të demokracisë, lidhet në fakt me hapësirat e pakufishme të liderëve për të kontrolluar partitë e gjithë spektrit të politikës shqiptare, pra edhe vetë hartimin e listave, na shpie natyrshëm në asgjësimin e mendimit ndryshe, si dhe në instalimin e një demokracie përgjithësisht të kontrolluar nga majat e politikës. Shpallja e kandidaturës si i pavarur, në marrëdhënie me demokracinë, është një rreze drite në këtë atmosferë të ndezur të zgjedhjeve të radhës, që tregon se ka ende individualitete me integritet, të cilët pavarësisht pasojave, megjithatë nuk reshtin së përpjekuri për ta futur demokracinë e brishtë shqiptare në hulli më normale. Pra, kandidimi si i pavarur është edhe një akt politik dhe juridik që dëshmon se edhe në këtë humnerë të garës së kontrolluar elektorale, gjithsesi, duhen krijuar hapësirat për të dalë nga tuneli ku morali dhe idealet shpesh barazohen me rreckat që shkundin pluhurat. Akti i tij është politik sepse ka shpërfillur edhe llogaritë matematikore, ku elektorati i majtë është vështirë të dalë nga rreshtimi i unitetit partiak. Nga ana tjetër, edhe në këtë fushatë individuale, Malaj në të gjitha herët deklaron aspiratën për të mbetur përfaqësues i PS. Po kaq, kandidimi si i pavarur është një akt juridik, ku pavarësisht riskut të madh, tregon se edhe në kushtet e ligjit zgjedhor që na legalizon një demokraci të kontrolluar, që u jep fuqi të jashtëzakonshme liderëve të politikës shqiptare, nëse duam ndryshimin e vërtetë, daljen nga projektimi absurd i popullit të majtë dhe të djathtë, krijuar me kontributin e veçantë të PD dhe PS, që kanë futur psikologjinë e mosbesimit, të luftës së ashpër, madje deri në asgjësimin e plotë të tjetrit, që pavarësisht bindjeve të ndryshme, voton në liri të plotë dhe pastaj vijon jetën normale, pa pasur në mes armiqësinë shkatërrimtare. Akti qytetar, politik dhe juridik i Arben Malajt nuk ka të bëjë me mërmërimat e çuditshme të humbësve të privilegjeve, të cilët në ndonjë oponencë sporadike, lëshuar në media, kanë bërë sikur i janë kundërvënë politikës zyrtare të PD, kur edhe ata mund të kryenin një akt të ngjashëm me atë të Malajt. Veprimi i Malajt është ndryshe, sepse kandidimi i tij si i pavarur, dukshëm e veçon nga llomotimat e jargavitura të hamësve të pushtetit, por njëherësh e vë përballë liderit të PS, sepse kandidimi i tij vjen si rrjedhë logjike, si një kundërshti e njohur brenda radhëve të PS, qysh në zgjedhjet elektorale të vitit 2009. Rreshtimi i tij në Lëvizjen për Mendimin Ndryshe, ku bënin pjesë edhe Kastriot Islami, që tanimë ka kapërcyer në listat e PD, edhe prej faktit se u përjashtua nga radhët e PS, Andis Harasani, që para disa muajsh shpalli largimin, Ben Blushit, që ia ka mbërritur të strehohet në krye të listës për qarkun e Elbasanit, Marko Bello që nuk është fare në lista. Arben Malaj, në historinë e katër viteve, pavarësisht mendimit ndryshe dhe kritikave ndaj liderit të PS, gjithherë mbeti dhe është besnik i elektoratit të majtë, i objektivave politikë të PS për të ardhur në pushtet, por mbeti besnik dhe konsekuent edhe i mendimit ndryshe. Pra, rasti i Arben Malajt, që në këtë zallamahi zgjedhore ku nuk e merr vesh i pari të dytin, ku amoralja mbyt moralin, ku pragmatizmi politik është shndërruar në yll polar, përbën një gjest dhe dukuri qytetare, politike dhe juridike, që vërteton dhe na kujton se ende ka vetëdije për ndryshim. Nga ana tjetër, Arben Malaj është edhe kambana e alarmit për të ndryshuar ligjin e zgjedhjeve, që hartimin e listave ia delegon liderëve të politikës, ligjin që vë në zgrip ekzistencial fatin e demokracisë dhe i ka hapur udhën lulëzimit të autoritarizmit, që po e vonon realisht funksionimin e demokracisë si shtet ligjor, me qytetar të barabartë përpara ligjit.
• E falenderojmë mikun e gazetës Dielli, studiuesin Behar Gjoka, që pati mirësinë ta dërgonte artikullin edhe për lexuesit tanë.
“ARTI DHE FAMILJA”, EKSPOZITË FOTOGRAFIKE NË NEW YORK E AKTORIT ALEKSANDER RRAPI
“ARTI DHE FAMILJA”, EKSPOZITË FOTOGRAFIKE NË NEW YORK E AKTORIT ALEKSANDER RRAPI
Aleksandër Rrapi, një ndër aktorët emigrant më të aktivizuar në Europë , në New York vjen me ekspozitën fotografike “Arti dhe Familja”. Ekspozita do të hapet me 25 Maj 2013, ora 18.00 në Art Studio NALLBANi, që ndodhet në adresën:
368 Broadway St. #412, NY 10013
SHOQERIA E PARE SHQIPTARE NE AMERIKE”MALLI I MEMEDHEUT”
Shoqeria “Malli i Memedheut” u themelua ne 1905 ne Jamestown, NY, si e para shoqeri me fryme kombetare ne Amerike.Arkitekt ishte martiri i shkronajve shqipe, i shkolles Shqipe, Petro Nini Luarasi, i cili kishet gejte strehe ne vendine lirise, Amerike.
Në prill 1904, P.N.Luarasi ishet arratisur nga burgu ku ishte mbyllur nga qeveria turke dhe u strehua në Shtetet e Bashkuara, si emigrant politik. Në Sh.B.A. Petro Nini Luarasi zhvillon një aktivitet të gjërë. Krijoi shoqëritë e para patriotike shqiptaro-amerikane : “Pellazgu” dhe “Malli i Mëmëdheut”, ndihmoi Sotir Pecin për botimin e gazetës “Kombi” dhe Fan Nolin që të kurorëzohej prift e të hidhte themelet për krijimin e kishës autoqefale shqiptare në Sh.B.A., themeloi librarinë e parë me libra shqip e anglisht, bashkëpunoi ngushtë me Kristo Dakon , lider i protestantëve shqiptarë në Sh.B.A., për të futur frymën kombëtare midis emigrantëve ekonomikë, të cilët ishin të tërhequr e të frikësuar nga reaksioni shovinist mbi familjet në atdhe. Petro Nini Luarasi përçoi kudo tezën: “Kombi mbi të gjitha”.
Më 1908 u kthye në Shqipëri së bashku me disa miq e farefis, për të luftuar si komitë për çlirim. Në atë kohë u shpall Hyrieti e ai filloi veprimtarinë patriotike legale duke u lidhur ngushtë me misionarët protestantë amerikanë, çiftin Kenedi. U helmua me 1911 nga armiqtë e kombit. Por fjala e tij u përjetësua në vepër: “Ruamani gjakun, se do të duhet për shkrimin e gjuhës shqipe…Edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi !”
SHEMBULLI I TRAFIKIMIT TË NARD NDOKËS, SHENJË E DEGRADIMIT TË SISTEMIT POLITIK
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Demokracia në Shqipëri është duke përjetuar traumën më të thellë. Atë të trafikimit të deputetëve, i cili është kthyer në gangrenë për sistemin politik.
Trafiku i deputetëve, kalimi sa majtas-djathtas, i të njëjtave fytyra, me qëllimin e vetëm për të uzurpuar pushtet paraqet sot fenomenin më negativ, ku amoraliteti i politikës është kthyer në modë, duke rënë në veshin e shurdhër të mediave dhe shoqërisë civile. Dhe përbën një dramë të madhe fakti që zëri kritik luftohet me të gjitha mjetet, dhe ata gazetarë të paktë që guxojnë të kritikojnë, sulmohen nga skalionet e zagarëve të militantëve si „tradhtarë“ të idealeve të partisë të Sali Berishës apo si „të shitur“ tek opozita apo të ashtuquajturit kundërshtarë. Them të ashtuquajtur, sepse sot ata janë armiq për vdekje midis tyre, nesër janë aleatë të përbetuar. Shembulli tipik është Sali Berisha-Arben Imami, Berisha-Meta, Rama-Meta tj.
Trafikimi i deputetëve ka goditur në zemër standardet, vlerat dhe parimet e demokracisë, sepse mbajtja e pushtetit apo marrja e pushtetit është kthyer në paranojë, duke rrezikuar stabilitetin e vendit.
Nëse mediat do të operonin me mjete të ndershme, plagët kishin shans të kuroheshin. Ndërsa kur mediat operojnë me mjete të pista, kur tregojnë atë që kanë interes të tregojnë dhe fshehin atë që kanë interes të fshehin, duke e privuar opinionin publik nga e vërteta, dhe duke e dirigjuar opinionin publik atje ku duan ata, si duan ata dhe për kë duan ata, atëhere vendi jonë po rrezikon të kthehet në një shtet rogue, të paaftë për të qeverisur bazuar në shtetin e së drejtës, ku tre pushtetet duhet të ushtrojnë në mënyrë të pavarur detyrimet kushtetuese, sikundër edhe pushteti i katërt, që duhet të jetë barrikadë në mbrojtje të demokracisë.
Fati i gjithçkaje është në dorën e njëshit dhe interesave të tij. Deputetët hyjnë e dalin nga listat si të jenë dele. Dalin pa zhurmë dhe futen pa zhurmë.
Nuk ka garë, nuk ka meritokraci, ka trafik dhe memecëri. Nuk po marr këtu të diskutoj rastin e Kastriot Islamit, siç po e diskutojnë disa, të mbetur jashtë listave sot, si „Kaçi i zi“. Profili i Kastriot Islamit si politikan ka ndryshuar, ka qënë konsekuent në kritikat e tij për hir të interesave madhore të vendit. Do të ishte e ndershme që Islami të krijonte parti të tijën të majtë, se sa të ndryshonte kravatën nga të kuqe në blu, por ky është stili.
Do të fokusohem tek Nard Ndoka, jo si person, por si një prototip i deputetit të trafikuar.
Si kryetar i Partisë Demokristiane, Nard Ndokës në zgjedhjet e 23 qershorit, i është dhuruar karrikja e deputetit, pasi është i katërti në listën e PD në Shkodër.
Në të largmen e afërme, në protestën e „puçit“ të 21 janarit 2011, ishte i rreshtuar me puçistat ose thënë ndryshe ishte njëri prej puçistave.
Nard Ndoka, po ashtu, është nga më agresivët që nuk i ka ndalur akuzat dhe sulmet kundër Nr.2 të PD, zonjës Topalli. Jo më larg se 17 tetori 2011, Nard Ndoka e quante Topallin publikisht « kone e përkëdhelur e Berishës që shpesh krijon tensione“. E akuzoi edhe për vjedhje votash më 2009, por pas numërimit doli se kishte dy-tri vota më shumë nga sa duhej. Tani Jozefina Topallit do t’i duhet të dalë në fushatë me Nard Ndokën. Situatë shumë bizare.
Në faqen zyrtare në Facebook të Partisë Demokristiane, ku Nard Ndoka ka vendosur deri fotot më të fundit nga takimi i djeshëm tek Top Story i Sokol Ballës, po të hedhësh një sy kurioz dhe të zbrezësh në 19 marsin e 2012, do të shohësh publikimin e një interviste të kryetarit të saj që mban datën 19 mars 2012, ku Nard Ndoka e akuzon Berishën se „e ka shndrruar Partinë Demokratike në kazermë ku individët trajtohen si merecenarë”.
Por nuk kalojnë as 11 ditë, dhe më 30 mars 2012, Partia Demokristiane e Nard Ndokës publikon po në faqen e saj zyrtare në Facebook se“ PDK po shqyrton ofertat e bashkimit me PD“.
Më tutje shohim mbërritjen e „ofertës“, goxha të majme, ku më 1 tetor 2012, Nard Ndoka emërohet zvministër i brëndshëm nga kryeministri i Shqipërisë! Dhe para disa ditësh iu fut Jozefina Topallit në listat e Shkodrës! Tani shtypi rozë i Tiranës po thotë se zonja Topalli nuk po e përmend më emrin e Berishës nëpër mitingje! Po si t’ja përmendë! Ajo ka ba « hara kiri » politik për të!
Ju pyes, ju njerëz të nderuar, a ka moral këtu? Kush e ka tradhtuar Sali Berishën dhe PD: ne apo vetë ai, ka tradhtuar veten e tij dhe PD dhe shpresat tona, që e mbështetëm për njëzet vjet, sepse besuam që e djathta shqiptare do të kishte rolin kryesor, edhe në ndërtimin e shtetit ligjor, edhe për të krijuar një klasë politike me standarde Perëndimore!
Nard Ndoka s’ka lidhje me asnjë standard perëndimor, veç me trafikun, i cili mund t’i kthehet Berishës në një bumerang me efekt të menjëhershëm, kur të gjithë të listuarit e importuar nga PS dhe pseudoaleancat e tij, të rikthehen nga ardhën. Për një « ofertë » më të mirë! Diçka e ngjashme me Ilir Metën, por jo tre muaj para zgjedhjeve, si veproi kryetari i LSI, por disa ditë a javë pas 23 qershorit! Dhe pastaj Berisha do t’i kërkojë llogari vetvetes se si ia shiti shpirtin Nard Ndokës!
Zhgënjim i Berishës ndaj Nard Ndokës, gjithësesi do të jetë i vogël, po të krahasohet me zhgënjimin tonë 20 vjeçar! Sa të marrë paskemi qënë !
Po gjithësesi tani na janë hapur sytë!
Më mirë vonë se kurrë!