• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mëmëdhe(Nëno) mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë…!

September 15, 2020 by dgreca

…Ç’thot’ ajo e ve e gjorë,
-Mbretëreshë pa kurorë-
Faqe-çjerrur, lesh-lëshuar,
Shpirt e zëmër përvëluar;
Gjysm’ e vdekur: “O Shqiptarë,
Nënës mos ia bëni varrë!”
Mbahu, Nëno, mos kij frikë
Se ke djemtë n’Amerikë…(Noli, maj 1917)

Shkruan: Ajet Delaj, New York-*

Thënia profetike e Nolit të madh: Mëmëdhe(Nëno) mo ski frikë se ke djemtë në Amerikë është dhe duhet të jetë  fanar orientues për sot e për nesër në orientimin e diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Për të vërtetën, të njëjtin orientim duhet të mbajnë edhe shetet shqiptare në Gadishullin Ilirik së bashku me faktorët e rëndësishëm shtet-formues në Maqedoninë e Veriut e Malin e Zi gjë që fatekeqësisht nuk ka ndodhur pargjatë katër viteve të Presidencës Trump dhe ka tendencë të mos respektohet vizioni modern i angazhimit të diasporës shqiptare që duhet të jenë gjithnjë me institucionet Amerikane duke respektuar vullnetin e popullit Amerikan.

E them këtë me bindje pasi diaspora shqiptare e Amerikës në tërësinë e saj nuk është faktor përcaktues në zgjedhjet për senat e kongres e aq më pak në zgjedhjet e përgjithshme presidenciale.

Reshtimi i disa shqiptarve përkrah kandidatit Biden nuk shkon në interes të kombit shqiptar në tërsinë e tij në hapsirat e Gadishullit Ilirik e aq më pak në interes të vetë komunitetit shqiptar të Amerikës.

Pikpamjet e preferencat politike të gjithsecilit është biznes personal i gjithsecilit dhe natyrisht gjithkush është i lirë të votojë apo të shprehi simpati për një krah politik apo kandidat por kur vjen puna për t’u shprehur në emër të komunitetit, gjithsecili duhet të mendojë se nuk e ka një tager të tillë pasi fatekeqësisht diaspora shqiptare nuk ka një institucion qëndror koordinues të aftë për të marrë një vendim në emër të diasporës.

Megjithse, edhe po të ketë  në raste shumë të rralla e madje të mirëstudijura dispora mund të marrë një vendim për t’u pozicionuar apo mbështetur një krah politik apo person preferencial  në fushatën presidenciale Amerikane. Pra, kur ta gjykojmë bashkarisht nëpërmjet institucioneve të diasporës që shpresojmë t’i kemi në një të ardhme jo të largët(Jo ata që ka emëruar qeveria Rama).

Shembulli i keq i pozicionimit politik i Kryeministrit Shqiptar në fushatën elektorale Presidenciale Amerikane të 2016-ës ka lënë një shije e praktike të keqe që fatkeqësisht ka vazhduar përgjatë gjithë mandatit presidencial të Presidentit Trump në shtypin mediat e portalet shqiptare që nuk kanë lënë letër pa marrë në kanalet e gjirizit të botës mjafton që të shkruanin apo më mirë të themi të shpifnin ndaj presidentit Trump duke i botuar në faqet e para të gazetave apo ballinat e portaleve të tyre.

Qëllimi i këtij reagimi të shkurtër nuk është vazhdimi i përçarjes së diasporës siç kanë bërë zonjat dhe zotërinjtë majtistë pse jo radikal majtistë që në shqip do të thotë komunistë e titistë që janë pozicionuar publikisht në krah të Joe Baiden madje duke iu bërë edhe thirrje të tjerëve që të rreshtohen krah tij.

Unë thellësisht mendoj se kjo nuk i shërben çështjes sonë kombëtare por meqë zotërinjtë majtistë ishin munduar të gjenin disa arsye se përse ishin rreshtuar përkrah z. Biden gjë që për mua nuk qëndrojnë dëshiroj të bie në vëmendjen e gjithsecilit arsyen se përse Presidenti Trump triumfoi në 2016-ën e me siguri do triumfojë edhe në 2020-ën për arsyen e thjeshtë se misioni vazhdon, gjë që thellësisht mendoj se shkon në drejtim të interesit kombëtar shqiptar.

Logoja e fitores së Presidentit trump ishte “Dry the swamp in Washington and demolish rigged system together with establishment corruption in Washington DC!”- çfarë do të thotë tharjen e korrupsionit në Washington e shkatërrimin e strukturave të shtetit të kapur në Washington.

A vlen kjo praktikë e filozofi e Presidentit Trump për shoqërinë shqiptare në Gadishullin Ilirik për tu çliruar nga  shtetet e korruptuara madje super të korruptuara shqiptare në Gadishullin Ilirik që e kanë kthyer Shqipërinë dhe Kosovën ndër vendet më të korruptura dhe më të varfra të kontinentit dhe a është kjo një ndër arsyet themelore që estabilishmentet e korruptura në Shqipëri dhe Kosovë janë rreshtuar fort kundër Presidentit Trump madje që kur z. Trump ishte kandidat për president por kishte shpalosur platformën e tij? Sigurisht që po, madje duke llogaritur edhe ndihmën e Administratës Trump.

Lulëzimi i korrupsionit madje instalimi i antishtetit në Shqipëri e Kosovë ka ndodhur gjatë mandateve  Clinton dhe Obama ku padyshim në të dytin një rol të rëndësishëm ka pasur në atë kohë zv/Presidenti Biden, sot kandidat për në Shtëpinë e Bardhë.

Nëqoftëse ndonjë shqiptar i diasporës së Amerkës e më gjerë që ka ikur  nga Shqipëria përgjatë 30 viteve të fundit e nga Kosova përgjatë 20 viteve nuk është dakort me mua se në Shqipëri e Kosovë sundon antishteti atëherë me bindje të plotë mund të them se individë të tillë kanë mashtruar atoritetet e emigracionit në Amerikë dhe Evropë për të marrë lejë qëndrimi.

Shumica dërmuese e shqiptarëve kanë argumentuar para institucioneve të specializuara Amerikane se krimi i organizuar në Shqipëri e Kosovë kanë kapur majat dhe se antishteti në këto dy vende është në fuqi dhe ka rrezikuar jetët e tyre dhe të familjeve të tyre, gjë që institucionet Amerikane i kanë gjetur të vërteta duke iu garantuar  mbrojtje nëpërmjet leje qëndrimit.

E thashë këtë se mbrojtja apo tentativa për të mbrojtur status quo-në në Shqipëri e Kosovë është veprimtari e pastër kundër interesave të popullit shqiptar në hapësirat e Gadishullit Ilirik gjë që garantuesin e kësaj status quo-je padyshim që e shohin tek  z. Biden.

Zotërinjtë majtistë që publikisht janë rreshtuar përkrah z. Biden realisht janë pjesë e estabilishmetit të korruptuar në Shqipëri e Kosovë që e shohin z. Biden si shpresë për ta pasi doktrina Trump i rrezikon seriozisht trashëgiminë komuniste e titiste që janë arkitektët dhe zbatuesit e kapjes së shtetit në Shqipëri e Kosovë për interesat e tyre kriminale por që kanë pasur lidhje direkte me stabilishmentin e korruptuar të Washingtonit. Këtë mendoj se tashmë shqiptarët e dinë.

Presidenti Trump nga foltorja e United Nation në paraqitjen e tij të parë iu ka bërë thirrje patriotëve të gjithë botës që të ngrihen në këmbë në shërbim të kombeve të tyre ashtu siç Presidenti Trump i shërben kombit të vet “America First” gjë që vlen edhe për shqiptarët  pasi God Bless America (Zoti e Bekoftë Amerikën) na e ka lejuar që t’i shërbejmë me besnikëri Amerikës por edhe Shqipërisë .

 Unë thellësisht mendoj se duke u rreshtuar me hajnat në Amerikë apo Shqipëri nuk i shërbejmë asnjërës por i shërbejmë vetëm krimit të organizuar ndërkombëtar ku padyshim Ukraina, Kina dhe Ballkani janë egzemplarë.

Qytetar i ndershëm i këtij vendi është ai që rreshtohet kundër shtetit të kapur këtu në Amerikë përkrah Presidentit Trump por edhe atdhetar i mirë shqiptar nëse rreshtohet kundër status quo-së 20-30 vjeçare në Shqipëri e Kosovë.

Gjithçka tjetër është demagogji e pastër sllavo-komuniste që i bën dëm Amerikës e kombit shqiptar.

  • Artikulli paraqet opnionin e artikullshkruesit dhe nuk ka të të bëjë me vijë editoriale të Gazetës”DIELLI”dhe të Federataës “VATRA. Ne jemi të lirë për cdo opinion.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ajet Delaj, Memedhe, ne Amerike

DITA E FALËNDERIMEVE NË AMERIKË, 2017

November 22, 2017 by dgreca

2-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/

Për shumicën e amerikanëve, imazhi i Ditës së Falënderimeve lidhet me gjelin e detit të pjekur dhe me një festë familjare që normalisht bashkon familjet.   Njihet gjithashtu edhe si një ditë paradash, qoftë ditë me borë, apo shumë e ftohtë.   Por edhe një ditë kur luhet futboll amerikan.

1 Thanksgiving-Day-November-2

Por kjo festë ka një domthënje më të madhe se kaq.Dita e Falenderimeve në Amerikë është një ditë e dalluar në kalendarin vjetor të këtij vendi.   Është me të vërtetë një festë kombëtare, në të cilën përfshihen dhe marrin pjesë të gjithë qytetarët, për një qëllim të përbashkët dhe pa dallim feje, pikpamjesh politike ose origjinë etnike — vetëm e vetëm për të falenderuar Perendinë për bekimet që u ka dhenë atye individualisht, familjeve dhe vendit të tyre, ku ata jetojnë.2 Xhorxh Washnigton

Pak histori në lidhje me këtë fetes tipike amerikane.   Çdo vit, Dita e Falënderimeve shënohet të ënjten e katërtë të muajit Nëntor.  Kjo festë e ka origjinën në fillim të historisë së këtij vendi kur kolonët e parë pelegrinë nga Anglia u vendosën në këtë hapësirë në shekullin e 16-të dhe të cilët, pas të korrurave të bollëkshme,vendosën që të pushonin nga puna e mundshme, me qëllim për të falënderuar Perëndinë, për të gjitha bekimet që u kishte dhënë atyre gjatë një periudhe shumë të vështirë për ta.   Thuhet se pelegrinët e parë mësuan nga indianët vendas për të mbjellur misër, fasulje dhe kunguj, ashtuqë në Vjeshtën e vitit 1621, nja 90 prej tyre, së bashku me indianët vendas, përgatitën një darkë të madhe për të shënuar ditën e parë të Falënderimeve.

Por historia e kësaj feste e ka zanafillën zyrtare në vitin 1789, pas një deklarate nga presidenti i parë i këtij i vendi, Xhorxh Uashingtoni, kur Amerika festoi zyrtarisht ditën e parë të Falënderimit ndaj Zotit, në bazë të kushtetutës së re, të caktuar si, “Një ditë Falënderimesh publike, kushtuar të Madhit Zot, Autorit të të gjithë të mirave që kanë qenë, që janë dhe që do të jenë”. Presidenti Xhorxh Uashington, duke caktuar ditën e Falënderimeve si festë kombëtare, ka përdorur një ton gjithëpërfshirës, pa preferuar ndonjë fe ose besim, por në të njëjtën kohë, ai ka theksuar edhe “Bekimet politike, morale dhe politike për demokracinë e re” – të cilat sipas tij bëjnë të mundur funksionimin e një qeverisjeje të mirë, duke perfshirë edhe “Pendimin personal dhe kombëtar”, kur është e nevojshme për të pranuar gabimet, madje edhe në nivel kombëtar, sipas Xhorxh Washingtonit.Historia amerikane shënon se në Tetor të vitit 1777, të gjitha 13 kolonitë e para amerikane të asaj kohe, u bashkuan për të festuar ditën e Falënderimeve, që në të njëjtën kohë shënoi edhe fitoren e kolonive të reja amerikane në luftën e tyre kundër Perandorisë së atëherëshme britanike.  Gjatë viteve që pasuan, festimi i kësaj dite ka pësuar disa ndryshime, por më në fund, presidenti Abraham Linkolni më 1863 ka shpallur zyrtarisht të Ënjtën e katërt të Nëntorit si Ditën Kombëtare të Falënderimeve.Disa prej presidentëve më të dalluar të Shteteve tëBashkuara, siç janë  Xhorxh Washingtoni, Abraham Linkolni dhe Franklin D, Rusvelti — kanë luajtur rol me rëndësi për të bërë  që Dita e Falënderimeve të jetë për të gjithë amerikanët, pa dallim,  një ditë për të festuar me familjet e tyre, traditat, vlerat dhe idealet amerikane.   Urata e Xhorxh Uashingtonit për Ditën e Falënderimeve ishte kuptimplotë nga pikpamja përsonale si dhe në nivel kombëtar si udhëheqës i këtij vendi por edhe , pasi i lutej Perëndisë edhe për shtetet mike të Amerikës, me uratën:  “Le të bashkohemi dhe t’i lutemi me përvjutërinë më të thellë të Madhit Zot dhe Udhëheqsit të kombeve dhe t’i kërkojmë Atij që të na fali gabimet tona kombëtare dhe mëkate të tjera dhe i lutemi të na mundësojë që në jetën tonë private ose publike të kryejmë detyrat tona ashtu siç duhet dhe siç kërkohet nga ne; që qeveria jonë të jetë gjithmonë e mençur, e drejtë dhe të zbatojë ligjet kushtetuesee me besnikëri…Që Perëndia të ruaj dhe të mbrojë të gjitha shtetet sovrane, sidmos ato që janë mike me ne dhe bekojë të gjithë ata o Zot me një qeveri të mirë, falu atyre o Përendi paqë dhe mirëkuptim”, ishte shprehur Xhorxh Wasshingtoni.

Duke i qëndruar besnikë kësaj tradite, gjatë gjithë historisë amerikane, presidentët amerikanë i kanë ofruar lutje dhe falënderime Perëndisë për bekimet ndajë këtij vendi — por pa preferuar një besim fetar ose një tjetër.

Edhe sivjet, me rastin e kësaj dite të shënuar në jetën e shoqërisë amerikane, Presidenti Donald Trump, në deklaratën e tij me rastin e Ditës së Falënderimeve të këtij viti — që festohet të ënjtën me 23 nëntor ka theksuar se, “Në këte Ditë Falënderimi – ashtu siç kemi bërë për pothuaj katër shekuj –Amerikanët falënderojnë Zotin e Plotëfuqishëm për bekimet tona të bollëkshme.   Me këtë rast ne mblidhemi së bashku me të dashurit tonë për të falënderuar Zotin për liritë tona që gëzojmë, për miqët dhe për familjet tona si dhe për Atdheun tonë të begatë”.   Në meazhin e tij, Presidenti Trump u kujtoi amerikanëve tragjeditë shokuese me të cilat është përballur vendi gjatë këtij viti, siç ishin uraganët shkatërrues, zjarret që goditën rëndë pjesën perëdnimore të Amerikës, si dhe aktet e dhunës dhe të terrorit në Las Vegas, në qytetin e New York-ut dhe në shtetin Teksas. “Ndërkohë që mbajmë zi për këto ngjarje të dhimbëshme, ne jemi si gjithmonë të bindur se vendosmëria dhe optimizmi i popullit amerikan do të triumfojnë”, u shpreh Presidenti Trump në deklaratën e tij me rastin e Ditës së Falënderimeve të këtij viti.  “Ashtu siç kanë bërë dikur pelegrinët e parë në këtë vend, Amerikanët sot janë të fortë dhe të vendosur për të mbrojtur familjet dhe të ardhmen e tyre, për të ruajtur dhe për mbështetur vlerat e tyre dhe për t’u përballur me çdo sfidë”, tha Presidenti amerikan Donald Trump, në mesazhin e tij drejtuar bashkëkombasve të vet, në shënim të Ditës së Falënderimeve, festës së përvitshme, tradicionale amerikane.

Amerikanët, nga natyra janë popull optimist madje edhe në kohë të vështira dhe plot sfida me të cilat është përballur dhe përballet vendi i tyre, në fushën politike të mbrendshme dhe ndërkombëtare.   Megjithë problemet ekonomike, shoqërore dhe megjithë fatkeqsitë natyrore me të cilat u pëball ky vend gjatë këtij viti e të cilat i përmendi edhe shefi i Shtëpisë së Bardhë në mesazhin e tij, në Ditën e Falënderimeve, Amerikanët  kujtojnë ditët e para të demokracisë së tyre si dhe vështirsitë dhe fatkeqsitë e brendshme dhe të jashtme gjatë historisë së tyre, përfshirë edhe luftën civile, ndërkohë që përballë të gjitha këtyre problemeve në të kaluarën dhe atni, ata janë të vetdijshëm se jetojnë në një vend me shumë bekime për veten, për familjet e tyre dhe për kombin — dhurata të Përendisë këto ndaj këtij vendi, në të cilin çdo qytetar I këtij vendi ka të drejtë të jetojë, të punojë dhe t’i lutet Perendisë në liri të plotë dhe në mënyrën që dëshiron vet – jo vetëm Ditën zyrtare të Falënderimeve, por çdo ditë.

Filed Under: Featured Tagged With: 2017, dita e Falenderimeve, Frank shkreli, ne Amerike

Mbahu, Nëno, mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë!

August 7, 2017 by dgreca

1 Vatar parade1 VatraVatra1 Noli Konica1 Vtra e Tampes12 albanian exelence

Nga Ilir Levonja/ Janë vargje të Nolit. Shkëputur nga vjersha ”Jepni për nënën”, të cilën peshkopi, eruditi, poeti, muzikologu, politikani, qeveritari e shkroi nga viti 1917-të. I bie plot njëqind vjet nga sot. Eshtë koha kur Vatra kishte nisur aktivitetin. Dhe Shqipëria gjëndej nën rrëmujën e luftës së madhe.

Një vend katastrofë midis turkoshakëve shqiptarë, pro austrohungarezëve, italianëve, grekëve, serbëve e malazezëve. Pro dikujt nga jashtë, dhe, asnjëherë pro njëri-tjetrit. Dhe Noli me të drejtë i jepte shpresë nënos së braktisur e të rraskapitur luftrash.

Por kohët ndryshojnë. Dhe nëse atëhere Nolit i dhimbsej me të drejtë nëna Shqipëri, për shkak të të huajve. Sot ajo Shqipëria, përmes atyre që aq shumë e duan dhe nuk e tradhëtojnë, siç bëjnë këta emigrantët, tradhtarët e pambarimtë dita ditës, po verteton një gjë, botërisht se, armiqtë e vërtetë të saj janë vet shqiptarët. Ata në vendin amë.

Po i referohem Nolit, për një arsye të thjesht, pasi po e shoh me sytë e mi se asaj drojes, për përdorimin e emigrantëve nga vendi amë, sikur i ka ardhur ora.

M’u bë të them atë batutën e Kadri Roshit tek filmi Gjeneral Gramafoni, që, plasi në Kuçovë.

Dhe vërtetë ka plasur.

Dhe ne të gjithë emigrantët, po e shohim me sy katrahurën.

Në Shqipëri nuk na duan. E thonë me qejf…, e kujt i plasi se po largohet ky trapi. Kujt i plasi se iku ky koqja. Në gop të sëmës shkofsh. Boll na çatë bythën. Lekë duam. Po na sollët mirë, po nuk na sollët, ik pirdhuni. Se e dimë ta bëjmë vet Shqipërinë.

Dhe vërtet, sot është koracë, a zhgun social, është zgjatje jete një kulturë e tillë. Një zhargon i tillë u mbush gjoksin. Dhe ata ndihen me fat.

Në të gjitha webet e Shqipërisë sot përshembull, dominon ky debat. Aq sa të thuash shqiptarët janë dakort me zjarret, me drogën, me papunësinë dhe lëmoshat e përkrahjes sociale, etj. Madje e dëshmuan me vote… Janë dakort që të jetojnë një lloj drame sociale me bij që vetëm paguajnë. U paguajnë ushqimin, banesën, sëmundjet. Shërbimin skandaloz të shëndetësisë ”falas”.

Se qeveritë do prishin e ribëjnë sheshet.

Rrethrrotullimet.

Fasadat.

Shqiptarët janë dakort me jetën falas. Aq sa horizontalisht e kanë përqafur atë indinjatën poetike të Orhan Veliut… dhe në kor, ta plasin në sy. Me krenari. Të thonë: falas jetojmë ne, falas…/ Falas bukën/ Falas shëtitjen/ Falas pluhurin e rrugës /Falas plehrat, /Falas budallepsjen/ Falas urrejtjen, /Falas pështymat/ Falas dekoratat e presidentit, etj.

Janë dakort me dramat e largimeve…

Prindër të braktisur.

Azile me kontribute fushatash.

Breza pa asnjë vjetërsi pune.

Me pritjen se ndonjë çun, dhëndërr, a vajzë…, deri nga Zelanda e Re, sjell ndonjë dorë që të blej ca vite pune në zyrat sociale. Për babain, nënën, vjehrrin a vjehrrën. Të blej ndonjë karrocë për vëllain invalid. A për ndonjë të sëmurë autik etj.

Janë dakort me të gjitha.

Rrofshin këta që janë. Këta që jetojnë trendi. Armiqtë realë.

Se shqiptarët, masat, kanë se me çfarë të merren.

Po ia lërojnë nënën njëri-tjetrit në internet. Kush ikën, tradhtarë. Kush rri patriot.

Eshtë një mishmash, një katrahurë veç prej shqiptarësh.

Dhe me që iu referova vjershës njëqind vjeçare të Nolit.

Këta djemtë në Amerikë e gjetkë. Edhe pse kanë shoqata, pse kontribuojnë. Pse mbajnë në dyert e shtëpisë, a në makina, flamurin shqiptar. Pse shohin tv-të shqiptare thuajse 24 orë. Pse jetojnë si shqiptar në dherat e huaj. Nuk kanë prej dheut të nënës privilegjin minimal, të drejtën e votës.

Dhe jo rastësisht.

Dhe prapë ata thon, Mbahu, Nëno, mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë!

 

Filed Under: Featured Tagged With: Ilir Levonja, Mbahu, mos ki frikë, ne Amerike, Nëno, se ke djemtë

“KOLOMBI” SHQIPTAR QË ZBULOI AMERIKËN PËR SHQIPTARËT

July 24, 2017 by dgreca

*At Kol Kristofori ndërroi jetë me 26 Korrik 1940. Ai ishte i pari shqiptar që “zbuloi” Amerikën më 1884.

* Faik Konica: Kol Kristofor ishte dekani për shqiptarët e Amerikës.

* Duke shfletuar librin e Costantine A. Demo”The Albanian in America”-The First Arrivals, për të cilin Noli porosiste se duhet ta lexojnë të gjithë shqiptarët ….

1 Kole KristoferNGA DALIP GRECA/Dihet se Amerika, u zbulua nga Kristofor Kolombi më 1492.Po shqiptarët, kur e zbuluan Amerikën? Kur erdhi shqiptari i parë në Kontinentin e ri? Kësaj pyetjeje janë përpjekur që t’i japin përgjigje shumë studiues, por askush nuk ka shkuar përtej asaj përgjigjeje që na ka dhënë Kostandin Demo, në libërthin e tij.

Është shkruar “Copy Paste” në shumë gazeta e revista se i pari shqiptar shkeli në Amerikën e  Veriut më 1876, por nuk qëndroi këtu,-u largua për në Argjentinë. Po kush ishte ai shqiptar? Si e kishte emrin? Ku zbriti, ku qëndroi, pse iku? Nga ç’rrethina të Shqipërisë erdhi? Gazeta”Kombi” më 1907 na orienton: Kur erdhi shqiptari i parë këtu më 1884, kishte më shumë se 20 mijë shqiptarë, por ata ishin arbëresh. Pra shqiptari i parë erdhi më 1884.

Të dokumentuara gjurmët e shqiptarëve në Amerikë gjenden në librin e Costantine A. Demo”The Albanian in America”-The First Arrivals- publikuar nga Shoqëria FATBARDHËSIA”GOOD Fortune”, Shoqatë e Katundësve, e krijuar që me 20 Nëntor 1908, e cila është një nga më të hershmet dhe më punëshumtat prej shoqatave lokale të shqiptarëve në Amerikë. Në parathënien e librit, Kostandin Demo, falenderon Shoqërinë”Fatbardhësia” dhe bashkafshatarët e vet Katundllinj, që patën mirësinë ta botonin këtë libërth të vockël, por shumë të rëndësishëm, si një dëshmues i rrallë për ardhjen dhe jetesën kolektive, 10-15 vetë në një konak të shqiptarëve të parë në Amerikë, mënyrën e ndarjes së punëve brenda konakut, mënyrën e kursimeve, të gatimeve etj.

“Katundi” i rrahu herët rrugët e mërgimit. Madje ky fshat kishtë në Amerikë edhe Shoqërinë e Zonjave të Katundit, e cila ishte pagëzuar me emrin”DRITA”, e themeluar me 17 Qershor 1928. Edhe kjo Shoqëri e zonjave i kishte vënë vetes të njëjtin qëllim, ku ishte fokusuar Shoqëria e burrave ’Fatbardhësia”. Qëllimi i përbashkët, siç shkruhet në Kanunoren e Shoqatës ishte:” Të ndihmojë Katundllinjtë të përparojnë në çdo degë shkollore dhe mendore”.

DY FJALË PËR KATUNDIN DHE KATUNDLLINJTË

Sipas Kostandin Demos, shqiptari i parë që erdhi në Amerikë ishte nga fshati i Katundit, Kol Kristofor.  Po hapim një parantezë për historikun e Katundit: Sipas Demos fshatin Katund i takon krahinës së Korçës. Fshati lindi nga brengat e Vithkuqit, që sot është një fshat në rrethin e Korçës, por që në kohën kur në tokat arbërore u sulën pushtuesit turq,Vithkuqi ishte një qytet i bukur dhe i përparuar. Turqit e shkatërruan Vithkuqin dhe banorët e tij u shpërndanë brenda dhe jashtë Shqipërisë.Një prej banorëve ishte edhe At Demoja, prifti i Vithkuqit, i cili pasi u shpëtoi otomanëve, u vendos në Katund, një vend i rrethuar me male e me ujë të ftohtë.Pikërisht At Demoja njihet si themelues i Katundit. Të tjerë njerëz të njohur të Katundit ishin: Vëllezërit Stoja, Jorgo dhe Zoto Prifti, djemtë e At Thanas Domollarit. Pas ca kohësh në Katund u vendosën edhe të shpërngulurit e tjerë që erdhën nga fshatrat e Zagorisë;Panariti, Selenicës e Pishës, Gjanci etj, të rrënuar nga lufta. Katundi u rrit dhe u bënë shumë shpejt 106 familje.Katundllinjtë bënë shkollë, shumë prej tyre morën rrugët e kurbetit, ku fitonin para dhe dije….Katundllinjtë qenë ndër më të suksesshmit në kurbet dhe i ndihën shumë Lëvizjes Kombëtare këtu në Amerikën e Veriut.Edhe vetë Costantine A. Demo ishte prej Katundi. Ai mbërriti në Amerikë që më 1903. Axhenda e rrugëtimit të tij është tepër interesant. Studiuesi i njohur Petr R. Prifti, ish editor i Diellit dhe sekretar i Vatrës, në fjalën që mbajti të dielën me 24 mars 1974 në darkën e dhënë për nder të Nini Demos në Pier Four në Boston ka shkruar se Demos iu deshën 57 ditë për të ardhur në Amerikë. Itinerari ishte ky: Nga Katundi në Korcë, që andej në Manastir, që andej në Selanik me tren, me vapor shkoi në Pire, ku priti 8 ditë vaporin për në Napoli, ndërsa në Napoli priti dy javë vaporin për në Amerikë, ndërsa rrugëtimi Napoli-Amerikë i mori 17 ditë.

KOLË KRISTOFOR, SHQIPTARI I PARË NË AMERIKË

Kolë Kristofor, arriti në Amerikën e Veriut, sipas dëshmisë së Demos rreth vitit 1884. Ende nuk është saktësuar data dhe muaji i mbërritjes. Kur e shkroi librin Demo ua la për detyrë të rinjëve që të investigonin për t’i saktësuar këto të dhëna, por ende nuk janë gjetur saktësisht.Nuk dihet saktë as data dhe as muaji i ardhjes së tij, por duhet të ketë qenë mot i ngrohtë, stina e Verës ose e pranverës, sepse natën e parë ai e kaloi jashtë, në natyrë. Kola udhëtoi me një vapor grek dhe zbriti në Boston. Nuk dinte ku të shkonte nga që nuk njihte njeri,  kështu që natën e parë në Amerikë fjeti jashtë stacionit të trenit, në  stacionin jugor(South Station). Sipas rrëfimit të Demos Kola e kaloi natën jashtë me disa grekë, me të cilët kishte udhëtuar bashkë…Te plote lexoje ne Diellin e printuar

Filed Under: Featured Tagged With: At Kol Kristofor, dalip greca, ne Amerike, shqiptari i pare

Në Waterbury u organizua Festivali i katërt i shkollave Shqipe në Amerikë

May 23, 2017 by dgreca

2 0k Festival1 ok Festival1 Festival2 festival3-1 FestivalPo të ishte Ismail Qemali gjallë do të kishte udhëtuar nga Vlora në këmbë për t’i puthur në ballë një e nga një këta mbrojtës të zjarrtë të Gjuhës Shqipe në Amerikë, ndërsa Fan Noli nga qielli i shpirtit do të ripërsëriste refrenin:  “Mbahu Nëno mos ki frikë/ se ke djemtë në Amerikë”!…

Nga Keze Kozeta Zylo/

4 Fesival5 Festival6 festival7 Festivali8 Fetsival

Në një ditë të bukur Maji ku bluja e qiellit harmonizohej si në pikturë me ngjyrën jeshile të gjetheve dhe nuancat e saj nëpër pemët që i rrinin si kurorë qytetit historik Waterbury në shtetin e Konektikat u organizua Festivali i katërt i Shkollave Shqipe në Amerikë. Radhën e organizimit të Festivalit e kishte Shkolla Shqipe “Hasan Prishtina” në Waterbury me president të saj z.Rakip Etemi.  Realizimi i programit u krye në shkollën publike amerikane që mban emrin e presidentit të 35-të të Amerikës John Kennedy.

9 Festivali10 VajzaKjo ide e mbajtjes së Festivalit të shkollave Shqipe ka qenë hedhur katër vite më parë nga ish Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në New York, z.Bekim Sejdiu të cilit i jemi mirënjohës.Prindër, mësues, nxënës si dhe dashamirës të shkollave shqipe udhëtuan nga larg gati 2-3 orë për të arritur ne destinacionin e duhur dhe për të marrë pjesë në këtë aktivitet të rëndësishëm kulturor kombëtar, disa prej tyre kishin ardhur një ditë më parë.Është festive dhe mjaft atdhetare të dëgjosh zërat shqip te fëmijeve dhe të shikosh nga afër kostumet kombëtare dhe veshjet kuq e zi të nxënësve të Shkollave Shqipe në Amerikë.Mirënjohjet e prindërve dhe bekimet e gjyshërve jane të pakufishme për themeluesit e shkollave dhe për gjithë mësueset që punojnë me përkushtim për përhapjen e fjalës hyjnore në Shqip.

 

Programi i Festivalit të katërt të Shkollave Shqipe

Prezantuesja e programit zonjusha Fitore Kaçi ka ftuar gjithë pjesëmarrësit të këndojnë hymnin amerikan ndërsa hymni shqiptar u interpretua nga nxënësja e talentuar e shkollës shqipe në Waterbury Eliana Dani.

Prezantuesja tha se ne këtë festival marrin pjesë këto shkolla: Shkolla Shqipe “Alba Life” me nje aktivitet 10 vjeçar dhe që operon në disa lagje të Nju Jorkut, Shkolla Shqipe “Bronx”, Shkolla Shqipe Riverdale New Jersey, Shkolla Shqipe Clifton New Jersey si dhe shkolla shqipe “Hasan Prishtina” Waterbury CT.Programi është hapur sipas traditës me këngën “Gjuha Shqipe, Gjuha Jonë”, muzika Petrika Melo, teksti Kozeta Zylo, orkestracioni Tom Lleshaj interpretuar nga Elsa Kulla, Era Vadahi, Dea Kerliu, Arsi Muda dhe Elira Dzemaili.

Zonjusha Fitore Kaçi ka ftuar në skenë avokatin e mirënjohur Peter Lumaj ish kandidat i Partisë Republikane për postin e Sekretarit të Shtetit në Konektikat.  Avokati Lumaj ka përshëndetur të gjithë pjesëmarrësit, organizatorin dhe mikpritësin z.Rakip Etemi dhe të gjitha shkollat pjesëmarrëse në këë Festival duke iu uruar punë të mbarë.  Z.Lumaj vazhdoi fjalën e tij se është krenari të shikosh gjithë këta nxënës të këndojnë dhe të flasin shqip veshur në kostumet tona të mrekullueshme dhe tejet të larmishme.  Të ruash traditën dhe të mësosh gjuhën Shqipe në Diasporë është një punë e vyer dhe tejet atdhetare pëfundoi avokati Lumaj.

Fjala e tij u mirëprit nga gjithë pjesëmarrësit.

Programi i Festivalit ka filluar me nxenësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” në New York me drejtuese artistike sopranon e mirëjohur Dëshira Ahmeti Kerliu.

Dea Kërliu këndoi këngën “Alfabeti Shqip” me tekst të Parashqevi Qiriazit të shoqeruar nga  kori i shkollës Shqipe “Alba Life”.  Kënga e “Mesuesit” orkestracioni Gust Daija. Këndoi dhe luajti në piano Dea Watkins nxënëse e shkollës Alba Life në Staten Island NY.

Dea Watkins këndoi këngën e mësueses interpretuar në piano nga vetë ajo.

Eneo dhe Kelvin Rustani interpretuan këngën e nënës shoqëruar nga kori i shkollës shqipe.

Për mëmëdhenë kënduan Elsa Kulla, Era Vadahi shoqëruar nga kori i shkollës shqipe.

“Kuq e zi” kënduan: Elsa Kulla, Era Vadahi,  Joana Kulla, Bora Dushi dhe Ilirian Karamuca te shkolles “Alba Life” në Queens, shoqëruar nga kori i shkollave Alba Life  dhe interpretuar nga grupi i valltarëve  të shkollës shqipe në Staten Island, NY të përgatitur nga mësuese Entela Muda.

Shkolla Shqipe në Bronx u paraqit me këtë program:Kënga për mësuesin: Era Shala dhe grupi.  Prane burimit interpretuar nga Besart Hasangjokaj.  Kënga e nënës interpretuar nga Josef Juncaj, Nora Bruncaj dhe grupi.  Xhamadani vija-vija interpretuar nga Josef Juncaj, Nora Bruncaj dhe grupi.  Melodi në piano, vals nga Tonin Arapi.

Shkolla Shqipe në Qendrën kulturore Shqiptaro Amerikane në Riverdale New Jersey u prezantua me këtë program:  Valle nga grupi i parë, Vallja e Tiranës, Shka Bajram Curri.  Grupi i dytë Potpuri vallesh.Shkolla Shqipe në Clifton New Jersey solli këngën: “Shqipërinë e duam se jam shqiptar”, Kosovën e duan se jam Kosovar shoqëruar nga kori.  Vallja e Devollit nga grupi i djemve të qendrës.Ani moj Kosovë o moj bukuroshe kënduar nga kori.Jam shqiptar kenduar nga Alisa Kapaj.  Kolazh vallesh nga Veriu.  Valle kosovare.

Shkolla Hasan Prishtina Waterbury

Vallja e Mollëve kërceu grupi i shkollës Hasan Prishtina

Eliana Dani intepretoi këngën “Një lahutë dhe një Flamur”.

Tek burimi Kërceu grupi i fëmijëve

Festë e Madhe: grupi i fëmijëve.

Programi mbaroi me plot sukses dhe në fund të Festivalit Presidenti i Shkollës Shqipe Hasan Prishtina Waterbury Connecticut ka ndarë trofetë për Shkollën Shqipe “Alba Life” dorëzuar Dr.Valbona Zylo Watkins, Shkolla Shqipe në Bronx dorëzuar Violeta Dushollarit,

Shkolla Shqipe në qendrën kulturore Shqiptaro amerikane në Riverdale New Jersey, dorëzuar z.Abedin Braha.

Shkolla Shqipe në Clifton New Jersey dorëzuar z.Shaban Gjoka drejtor i shkollës në Waterbury dorëzuar z.Xhemal Dani drejtori i shkollës.

Z.Rakip Etemi ftoi gjithe pjesëmarrësit me plot bujari për të drekuar së bashku në qendrën kulturore islamike Hasan Prishtina.

Festivali i katërt i shkollave Shqipe në Amerikë është një aktivitet i rëndësishëm kulturor kombëtar, por shpesh nga shteti amë Shqipëria lihet në harresë. Shteti i Kosovës dhe ministria e Diasporës së Kosovës është ndjerë shumë më tepër në inkurajimin e punës sonë dhe mbarëvajtjen e shkollave shqipe.

Duke i ndjekur dhe dëgjuar me vëmendje zërat shqiptarë të fëmijëve si një mësuese me një pervojë të gjatë jetësore mendoja se: “Po te ishte Ismail Qemali gjallë do të kishte udhëtuar nga Vlora në këmbë për t’i puthur në ballë një e nga një këta mbrojtës të zjarrtë të Gjuhës Shqipe në Amerikë, ndërsa Fan Noli nga qielli i shpirtit do të ripërsëriste refrenin:  “Mbahu Nëno mos ki frikë/ se ke djemte ne Amerikë”!…

Festivali u filmua nga TV “Alba Life” me kameraman Todd Watkins dhe me fotograf Shpëtim Bardhin.

21 Maj, 2017

Waterbury, Connecticut

Filed Under: Emigracion Tagged With: Festivali i katërt i shkollave Shqipe, Keze Kozeta Zylo, ne Amerike

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • AMBASADOR BLERIM REKA VIZITON VATRËN TË MËRKURËN NË ORËN 2 PM
  • PROF.DR. ZYMER NEZIRI LIGJËRATË NË VATËR TË ENJTEN MË 30 MARS ORA 6.30 PM
  • “Fëmijët shqiptarë të Kosovës – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë 1981 – 1999”
  • BOKSIERI SHQIPTAR KRISTIAN PRENGA — NJË MOMENT KRENARIE PËR TË GJITHË SHQIPTARËT KUDO
  • Dashuri dhe vdekje – Fati tragjik i prindërve të Karl Thopias
  • Kryeministri Kurti: Masakra ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë
  • Kosovë-Homazhe te Memoriali në Izbicë
  • Kryetari Glauk Konjufca takoi Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-së, Gabriel Escobar
  • DR. ELONA SHEHI, A STORY OF SUCCESS AND INSPIRATION IN NEW YORK
  • Albania
  • 1 Prill “Bashkë për Drejtësi”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së
  • Kryeministri Kurti përkujtoi 40 të vrarët në masakrën e lagjes “Dardania” në Pejë
  • JA PËRSE PUTINI NA KËRCËNON TË GJITHËVE NE
  • KUJTESA HISTORIKE NGA FRANK SHKRELI
  • What We Need Is Albanians of Fan Noli’s Stature, What We Have are the Words of his “Albumi”

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT