• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJE DITE QE HARROHET-DITA E JETIMËVE… “20 MAJI”

May 17, 2013 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/ Melbourne-Australi/

20 Maji asht “Dita Nderkombtare e Jetimëve”! Ndoshta, nder ma të veçantat…
Hana ka një pjesë të sajen që njerzimi nuk e ka pa kurrë! Edhe Toka ku jetojmë na ka një pjesë të veten që shumica e njerzimit nuk e ka njohtë kurrë këte emen! Ata janë “jetimët”!
Asht kohë e gjatë, shumë e gjatë, që mendoj me shkrue per këte ditë, me të cilen, më lidhi perjetsisht data 13 Tetor 1943. Plot 70 vjet! Një pjesë e trunit tim nuk dijti kurrë me thirrë Babë!
Të gjitha luftat në Botë, sjellin nder mija e mija fëmijë perditë “harresen” e emnave ma të dashtun, ma të shtrenjtë dhe të pazevendsueshem për ta në gjithë jeten, Emnat “Nanë e Babë”!
E sa pak “jetimë” janë bijtë e atyne perbindshave që i fillojnë e i mbarojnë ato lufta!
Shqipnia asht një nder shtetet ku fjala “jetim” asht e kudondodhun, mbasi rrethanat e saj historike në të gjitha kohët kanë “punue” me shtue perditë e pernatë këte mjerim dhe tmer në shumë nga familjet që perjetsisht, rritën e ushqyen me shumë sakrifica jetimët e tyne. Sa shumë do të shkruhej po të donim me tregue se kush punoi dhe vazhdon pa pikë mëshire me i shtue në Botë këta fëmijë që perjetsisht thirren “jetima”, dhe shpesh, edhe perbuzen se janë pa prind. Me një mimikë ftyre të perçudnueme ashtu si kanë edhe zemren ndigjon nga goja e tyne: “Lene mor ma, as mos u merr me té, ai asht jetim i rritun nder brefotrofe…”, sikur flet per lebrozë… E të tilla raste nuk janë të pakta aq sa mos me u perfillë nga shoqnia e sotme. Menjëherë mbas Luftës së Dytë Botnore, ndryshuen shumë koncepte në shumë shtete. Edhe jetimët u perfshine aty me ata ndryshime, dhe ma vonë kur filluen me u rritë, u percaktue edhe “kllasa” së ciles i perkiste edhe pse gjithë jeten e filluen dhe e mbyllen në vorfni pa njohtë fare prindët e vet.
Kujdesi per jetimët perfshihej nder grupe të percaktueme kryesisht nga prejardhje e tyne. Ndoshta, kjo bante që porsa fillonte një jetim me u rritë, ai duhej të percaktohej menjëherë edhe me etiketen “i kënaqur ase i pakënaqur”, që kushtëzohej me prejardhjen familjare të tij. Jo pak prej tyne ma vonë u shpallën të “pakënaqur” dhe banin pjesë në grupimin e “luftës së kllasave”. Ndersa, “ata” që mendoheshin të “besueshem”, vazhdonin shkollat e nalta ose në “specializime sekrete”, prej ku vinin kuadro të “besuara”…dhe, u sigurohej puna dhe e ardhmja e tyne…
Sot, mbas sa vjetësh, nepermjet këtij shkrimi due të tregoj se jo gjithmonë PPSh, ka pasë sukses në “rritjen e këtyne jetimëve”, në sherbimin e saj. Lexuesit duhet të me falin per tregimin tim me siglat FS, të emnit të nderuem per të cilin due me shkrue, mbasi ka mbi 25 vjet që nuk i dij rrethanat e personit. Ishte ditë vere e vitit 1969. Trokiti në derë dhe e ftova me hy mbrendë. Erdhi në dhomë dhe mbasi u pershndet me gruen time, e cila shkoi me pergatitë kafet, kjo më tregoi se një mësues që kishim punue me té, i kishte kerkue nder ato ditë, që kjo, me pranue per me denoncue per mue se “unë i kam tregue atyne barceleta me karakter politik kunder pushtetit”, gja e cila nuk ishte aspak e vertetë. Kjo me një qendrim autoritar të natyrës së saj, menjëherë e kishte shikue me perbuzje dhe i kishte thanë: “Çfarë më kujton ti mua, si mund të keni guxim jo vetem per të shpifur per Fritzin, per diçka që nuk e kam dëgjuar kurrë nga ai, por edhe kerkoni që të bëni edhe të tjerë shokë si veten shpifës, per të shkatrruar familje dhe jetë njerëzish! Turp të kini per këte dhe të lutem, mos e zini më emrin tim në gojë, se nuk dua t’iu shikoj as fëtyren!”
Mbas tri ditësh ka ardhë tek unë dhe më ka sinjalizue për këte tradhëti të organizueme nga ai bashkpuntorë i sigurimit të shtetit… Nuk po e publikoj emnin e tij (FL) se ka ngordhë.
Ju them të verteten se kushedi sa kohë kam ndejë tue mendue me vete: “Si mundet me ngja që një vajzë që e njihja shumë pak, dijshe se asht jetime, po jo, se asht Burrneshë e vertetë.”
Ajo nuk ishte as nga Shkodra…ndersa, spijunët organizatorë banonin tek çinari…
Ajo ishte rritë deri në moshen 20 vjeçare pa njoh as Nanen e vet dhe as baben, të cilët e kishin braktisë fëmijë disa ditësh nder brefotrofe…e ma vonë në shtëpija fëmije, po duhet thanë dhe një e vertetë, se Ajo kishte pasë fatin me punue në arësim katundesh dhe me bashkjetue me shumë mësues të perfshimë nga “lufta e kllasave”, gja që i kishte brumosë në Shpirtin e Saj, një dhimbje dhe keqardhje të madhe, per persekucionin që u bahej nga komunizmi njerzëve vetem tue u nisë nga prejardhja e tyne shoqnore e mjaft shpesh, edhe krahinore apo fetare.
Ajo ishte shumë e sinqertë dhe, si e tillë, nuk i pranonte veset e gënjeshtres, mashtrimit, perbuzjes klasore, urrejtjes së besimtarëve katolikë…e per ma teper të shokëve të punës.
Ndoshta, sot mbas 40 e sa vjetëve, shumë kujt mund t’i duken të pabesueshme ngjarjet që kemi jetue para sa kohe, nder rrethana me rrezik jete…Por, jo vetem, i kemi jetue këta tmere, po as nuk duhet ti harrojmë edhe ata që vuejten me ne, e pra këta ishin “jetimë”…që PPSh mendonte me i pasë per vete dhe në sherbimin e saj, në sigurimin e shtetit terrorist…
Nuk duhet harrue thanja popullore: “Njeriu i lajmëruem, gjysë i shpetuem”!
Kushtet e jetës së tyne i detyruen me kenë nder konvikte apo shtëpija fëmije ku mengjesi dhe mbramja mbyllej me fjalët “parti Enver”…nga kujdestarët e atyne institucioneve.
Kam njoh prej tyne njerëz të mbrekullueshem që në dukje qendronin të ndrojtun, por në të vertetë mbrenda Shpirtit tyne ndrynin virtytet ma të mira të edukatës qytetare.
Shqiptarët sot duhet të krenohen per Figuren Botnore të Nanë Terezës, e cila në qendren e Shpirtit Saj, kishte të ruejtun dashunin dhe sakrificen per jetimët e gjithë Botës…
Per një fakt jam shumë i sigurtë se Jetimët, as nuk mendojnë, as nuk andrrojnë, as nuk e dishrojnë dhe, as nuk punojnë kurrë dhe asnjëherë, gjithë jeten e vet, që nga veprat e tyne Bota që i rrethon me pasë të pakten edhe një jetim ma shumë se ka!
Nga zemra iu uroj atyne fatzezëve që kanë këte emen, që e ardhmja të mos iu randojnë sado pak ndergjegjen e tyne me pamundsinë me i sherbye familjes e shoqnisë, me evitue në çdo kohë mundsinë me shtue edhe një jetim ma shumë në çdo vend ku i ka shpernda jeta.
Me shumë dashuni, u uroj jetimëve Diten e Tyne… 20 Maji 2013 !

Melbourne, Maji 2013.

Filed Under: Kulture Tagged With: dita e jetmive-20 maji, Fritz radovani

Ismail Kadare: Në diktaturë, liria e vetme e shkrimtarit është gjuha e tij

May 17, 2013 by dgreca

Numri i parë i revistës filozofike franceze “NOOR” hapet me intervistën e shkrimtarit Ismail Kadaré dhe një tregim të Ylljet Aliçkës. Janë dy shqiptarë që zënë një vend me rëndësi në një botim të çdo përgjashtëmuajshëm, në një revistë të themeluar nga një grup i njohur intelektualësh francezë.
Në intervistën e tij Kadare ndër të tjera thekson se “Shqipëria nuk do kishte ekzistuar, nëse ne nuk do kishim tolerancën mes myslimanëve dhe krishterëve” dhe se “ishte jeta jonë e vështirë që na bëri të kuptojmë logjikën dhe nevojën e tolerancës”. Revista gjashtëmujore “NOOR” u shfaq suksesshëm këtë pranverë si një ide e një grupi filozofësh të njohur si Malek Chebel, Mark Ferro, etj, me synimin “të nxisë debate dhe reflektime mbi spiritualizmin dhe laicitetin, mbi racizmat dhe radikalizmat në ngjitje, sinjale këto të një bote që po vdes nga frika dhe që ushqehen gjithnjë e më shumë nga absolutizmi i mendimit dhe nga humbja e pasioneve kolektive”.
fa.ni.
Librat e tij janë të çuditshëm dhe me një finesë të madhe, që e bëri të njohur Shqipërinë në krejt botën, vend ky në zemër të Ballkanit, hyrja e të cilit në Bashkimin Europian ka mbetur në ‘stand-by’. Emri i tij është cituar vazhdimisht si favorit i çmimit Nobel. Është i martuar me shkrimtaren Helena Kadare, ndër shkrimtaret e para femra, që e ka botuar librin e saj të parë në vitin 1970.
Botimi i romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i solli atij famën ndërkombëtare, falë përkthimit të Jusuf Vrionit. Në librin e tij të fundit “Mosmarrëveshja” (2012), ndër të tjera Kadare evokon fajet e vendit të vet, i rikthehet historisë së Shqipërisë dhe më konkretisht, duke kaluar nga gjysmë mijëvjeçari i zgjedhës otomane, deri në formimin e republikës, monarkisë, pushtimit hitleriano-musolinian, komunizmit stalinian e më pas atij maoist, para një kthimi hezitues ndaj demokracisë, teksa troket në portat e një Europe, e cila duket se po i sorollat ca…
Në tetor 2012 Këshilli Europian i parashtroi Shqipërisë një listë “prej tri kriteresh kyçe” për marrjen e statutit të vendit kandidat. Mes këtyre kritereve ajo duhet të garantojë funksionimin demokratik të parlamentit të saj, të reformojë administratën dhe të luftojë seriozisht korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Vendi juaj, nën regjimin e Hoxhës ishte i vetmi vend mbi planet që u deklarua krejtësisht ateist, duke frenuar të gjitha fetë. Cila ishte arsyeja e kësaj mase të jashtëzakonshme. Si reagoi populli shqiptar? Po ju vetë, si e përjetuat zhdukjen e Zotit me dekret?
Hoxha e justifikonte vendimin e tij, si përgjigje ndaj “kërkesës” së rinisë shqiptare. Kur e vuri në jetë këtë vendim në vitin 1968, ai përfitoi nga konteksti i lëvizjeve të atij viti në disa vende europiane, koha e lëvizjeve studentore dhe e revoltave sociale, ku ndër të tjera pati dhe lëvizje kundër kishës. Hoxha u përpoq ta justifikonte si një lëvizje progresiste. Edhe sot, unë ende nuk e kuptoj arsyen e vërtetë të këtij vendimi. Apo mos ndoshta kjo ishte një çmenduri e pastër e Hoxhës, një trill i një diktatori megalomaniak? Apo mos ndofta donte të imitonte “miqtë tanë” kinezë, në mënyrë që të fitonte simpatinë e tyre? Kush e di?
Si reagoi populli? U rebelua për t’i mbrojtur këto vende kulti?
Populli pothuajse nuk reagoi. Njerëzit kishin probleme të tjera, jeta e përditshme ishte tmerrësisht e vështirë. Kishat dhe xhamitë ishin braktisur prej 20 vjetësh më parë në diktaturë.
Ju vetë, prindërit tuaj ishit të besimit bektashi. Si e përjetuat këtë diktat?
Unë jam rritur në një shtëpi intelektualësh. Nuk shkonim as në xhami, as miqtë tanë të krishterë nuk shkonin në kishë. Një ndër krenaritë tona të rralla është bashkëjetesa paqësore e tri besimeve, shprehje e një tolerance fetare të jashtëzakonshme. Nuk do desha të them se kjo është rezultat i një pjekurie specifike shqiptare, ne nuk jemi më të ndriçuar se të tjerët. Ndofta ishte rezultat i jetës së vështirë, që na bëri të kuptojmë logjikën dhe nevojën e tolerancës. Edhe para ardhjes së turqve ne ishim mësuar me bashkëjetesën e dy besimeve të krishtera. Më pas u bënë tri besime, s’kishte arsye të ndryshonim.
Pse u konvertuan shqiptarët me ardhjen e ushtrisë otomane?
Një pjesë e popullsisë së varfër, u detyrua të konvertohej me dhunë. Disa të tjerë ndërruan kamp për arsye ekonomike, disa të tjerë për një fenomen tepër të rëndësishëm për shqiptarët, pasi vetëm një mysliman kishte të drejtë të mbante armë. Shqiptari ishte para dilemës: si do mundte ai të mbronte dinjitetin e familjes së tij pa armë? Ndodhte që një vëlla i po të njëjtës çati konvertohej dhe një tjetër jo. Pra, psikologjikisht ne ishim të përgatitur ndaj një jete sociale të tolerancës. Por pushtimi otoman nuk krijoi asnjë liri, pavarësisht iluzioneve, duke nxitur konfliktet mes klaneve. Feudalët ishin “të lirë” të bënin luftë mes tyre. Sot, nëpërmjet fesë së Islamit, Turqia përpiqet përsëri të ndikojë dhe modifikojë konceptin tonë të jetës sociale. Perandoria otomane duket se po rivjen në një tjetër formë.
Pas rënies së diktaturës, fetë e mëdha, nëpërmjet emisarëve të tyre u përpoqën të riinvestojnë shoqërinë shqiptare?
Ka tendenca radikalizimi dhe kjo s’është gjë e mirë. Prej mbi 20 vjetësh shoqëria shqiptare përpiqet të rindërtojë identitetin e saj kulturor, social e politik, që i përshtatet. Por pavarësisht mjaft rindërtimeve të xhamive apo kishave, unë nuk shikoj ndonjë ndryshim të rëndësishëm në zakonet e bashkëpatriotëve të mi. Nga ana tjetër, disa madje tentojnë të rishkruajnë historinë tonë duke minimizuar veprën e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që sipas meje duhej të ishte përfshirë në historinë europiane. Padyshim që politika kërkon të përfitojë nga gjithfarëlloj radikalizmash, fundja si kudo.
Ju vetë jeni shënjuar nga literatura antike dhe mitologjitë helenike. Atëherë çfarë influencash keni pasur?
Letërsia më ka mbrojtur nga çdo influencë, ideologjike apo fetare. Ashtu dhe populli im, i cili ka të tjera probleme për t’u ndikuar. Ne shqiptarët jemi popull i emancipuar, ndofta më i emancipuari në botë. Europa duhet ta marrë seriozisht në konsideratë tolerancën tonë. Ajo duhet ta mbrojë dhe mbështesë vendin tonë, pasi ne përfaqësojmë një shembull unik dhe tepër të çmueshëm.
Çfarë rreziku paraqet në vendet e Europës Lindore “nacionalizmi” i ri?
Patriotët shqiptarë, shumë përpara se Shqipëria të ekzistonte si komb, kanë zgjedhur Marsejezën si himnin e ardhshëm kombëtar, pasi ajo simbolizonte lirinë, vëllazërinë, barazinë.
P.Hajnrih Bël ka thënë “Gjuha ime është djepi im”. Nëse ju zëvendësoni termin djep me komb, atëherë nuk është i njëjti kuptim?
Në diktaturë, liria e vetme që i mbetet një shkrimtari është gjuha e tij. Për këtë arsye ne lexonim male me libra. Për pasojë realiteti zhdukej pas këtyre librave……
(Kortezi Gazeta Shqiptare)

Filed Under: Kulture Tagged With: Ismail Kadare, revista"Ndoor"

Topalli prezanton kolanen e botimeve të “Bisedimeve Parlamentare” 1920-1939

May 17, 2013 by dgreca

Për herë të parë prezantohet një botim unik i kolanës “Bisedimet parlamentare, vitet 1920-1939”. Jozefina Topalli: “Këto botime ia kemi detyrim madhor historisë. Në mandatin e ardhshëm do të vazhdojmë punën për të gjithë periudhën që ka mbetur e pabotuar. Është një botim historik prej 46 vëllimesh i realizuar pas tre vjetësh punë.
Punuan tre vjet për të mbërritur në një botim historik prej 46 vëllimesh. Kuvendi është në ditët e fundit para shpërndarjes, por në mbyllje të kësaj legjislature ai vë në dispozicion të studiuesve, politikanëve apo dhe studentëve një botim me të gjitha bisedimet parlamentare nga viti 1920 deri në vitin 1939.
Sot është gjerësisht i pranishëm debati mbi koncecionet, opërgjatë ketyre vëlloimeve e gjeni serish. Ndërsa në diktaturë ato ishin tradhëti kombëtare
Jozefina Topalli, kryetare Kuvendi në dy legjislatura ka gjetur tek këto bisedime parlamentare vlera virtyte e parime të larta njerëzore, parlamentarët sot nuk janë ashtu.
Ka gjetur mendimin filozofik dhe pjekurinë politike
Të transkriptuara janë edhe bisedimet parlamentare nga viti 1990 deri sot, brenda dy viteve të ardhshme zonja Topalli tha se do të transkriptohen edhe ato të peridhës së komunizmit.
Për herë të parë hidhet dritë mbi bisedimet parlamentare të viteve 1920-1939. Në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli prezantoi sot kolanën me 46 libra, me mbi 24 mijë faqe bisedime.
Ky botim unik u bë i mundur përmes inisiativës së Kryetares Jozefina Topalli, pas një pune kërkimore intensive 3 vjeçare, në bashkëpunim me Arkivën e Shtetit, Bibliotekën Kombëtare, Bibliotekën e Kuvendit të Shqipërisë, Bibliotekën “Marin Barleti” të Shkodrës, dhe Institutin e Historisë.
“Një promovim historik”, u cilësua nga historianët dhe studiuesit e pranishëm, botimi i kësaj kolane, ndërsa Kryetarja e Kuvendit tha se “kjo kolanë është historia e tribunës së mendimit filozofik shqiptar, e idealizmit dhe e botëkuptimit politik, intelektual, kulturor, të oratorisë dhe estetikës politike.
‘Këto vite ‘20-‘39, u shpreh ndër të tjera Jozefina Topalli, janë historike për kombin tonë jo vetëm se elita kombëtare lindi parlamentarizmin shqiptar, por sepse në këtë tempull, me urtësi e dije, me mençuri e patriotizëm, përkushtim e sakrificë këta burra punuan që Shqipëria të rritej si një vend demokratik. Këta burra të mëdhenj i bashkoi një ideal sublim; Shqipëria, e ardhmja e saj dhe për këtë bindje, ata sakrifikuan me vetëmohim gjithçka”.
Në këto botime vijnë fjalimet, diskutimet për ligjet dhe politikën, punimet parlamentare nga elita politike dhe intelektuale e kohës, që nga lindja e parlamentarizimit në vitin 1920 deri në vitin 1939, si diskutimet e Fan Nolit, Luigj Gurakuqit, Gjergj Fishtës, Ndre Mjedës, Mithat Frashërit, Anton Harapit, Pandeli Evangjelit, Eshref Frashërit, Kostaq Kotës, Petro Pogës, Lef Nosit, Idhomene Kosturit, Visar Xhuvanit, Ferid Vokopolës, Fejzi Alizotit, Dhimitër Kacimbrës, Engjëll Serreqit, Ali Këlcyrës, Eqerem Vlorës, Iljaz Vrionit, Musa Jukës, Qazim Koculit, Lef Nosit, Rexhep Mitrovicës, Hasan Prishtinës, Ahmet Zogut, Mehdi Frashërit, Hilë Mosit, Lazër Shantojës etj.
Ndërkohë Kuvendi i Shqipërisë ka skanuar punimet parlamentare të viteve 1940-1966, afro 10 mijë faqe, të cilat priten të botohen së shpejti.
Kryetarja Jozefina Çoba Topalli tha se “botimi i kësaj kolane përbën një detyrim madhor ndaj historisë për mohimin vrastar që i’u bë kombit 45 vjet me rradhë nga diktatura komuniste për të fshirë këtë faqe të ndritur të parlamentarizmit”.
Gjatë ekspozimit të kolanës së botimeve parlamentare, një ndër shkrimtarët e njohur Zija Cela tha se: “gjatë gjithë përvojës sime në promovimet e librave dhe botimeve të ndryshme, mund të them se sot është një promovim historik. Janë 46 vëllime që sjellin një histori të plotë, i japin një mësim lexuesve të sotëm, jo thjesht të njihen me të kaluarën, të shohim dhe të kuptojmë se nga vijmë dhe ku duam të shkojmë.”
Fjala e plotë e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli:
Kjo kolanë është historia e tribunës së mendimit filozofik shqiptar, e idealizmit dhe botëkuptimit politik, intelektual, kulturës dhe estetikës së oratorisë dhe estetikës politike.
Në rradhët e fjalimeve të kësaj plejade, elitës së kombit, rroken vlerat, virtytet dhe parimet më të larta njerëzore. Këto vite 20-39, janë historike për kombin tonë jo vetëm se elita kombëtare lindi parlamentarizmin shqiptar, por sepse në këtë tempull, me urtësi e dije, me mençuri e patriotizëm, përkushtim e sakrificë këta burra punuan që Shqipëria të rritej si një vend demokratik. Këta burra të mëdhenj i bashkoi një ideal sublim; Shqipëria, e ardhmja e saj dhe për këtë bindje, ata sakrifikuan me vetëmohim gjithçka.
Në këto fjalime nuk ka retorikë, nuk ka shterpësi e vakuum mendimesh, ato janë leksionet më të shkëlqyera për ligjërimin politik, lirinë, tolerancën, vlerat, besimin dhe ideologjinë kombëtare.
Me vokacion perëndimor parlamentarët e këtij 20 vjeçari këmbëngulën që identiteti evropian i shqiptarëve të orientohej nga iluminizmi evropian. Në këto botime vijnë fjalime dhe qëndrimet e korifejve të publicistikës, politikës, artit, gjuhësisë, kulturës, religjionit, mendjet e ndritura, vjen Ciceroni, Demosteni, Platoni, Aristoteli e Seneka shqiptar.
Gjithkush do të krenohej me nuhatjen, me largpamësinë, vizionin dhe oratorinë e Fan Nolit, Luigj Gurakuqit, Gjergj Fishtës, Ndre Mjedës, Mithat Frashërit, Anton Harapit, në gojën e të cilëve fjala shqipe tingëllon e gjithëpushtetshme, me pjekurinë politike të Pandeli Evangjelit, Eshref Frashërit, Kostaq Kotës, Petro Pogës, Lef Nosit, Idhomene Kosturit, Visar Xhuvanit, Ferid Vokopolës, Fejzi Alizotit, Dhimitër Kacimbrës, Engjëll Serreqit, Ali Këlcyrës, Eqerem Vlorës, Iljaz Vrionit, Musa Jukës, Qazim Koculit, Lef Nosit, Rexhep Mitrovicës, Hasan Prishtinës, Ahmet Zogut, Mehdi Frashërit, Hilë Mosit, Lazër Shantojës, etj.
Arti i politikbërjes i filozofisë politike, dhe ndjenja e pakufishme atdhetare shpalosen me mjeshtri dhe me një fjalor të përkryer që tingëllon bukur dhe qartazi shqip në të folurit e patriotëve.
Ia kemi detyrim madhor historisë për mohimin vrastar që ju bë kombit tonë 45 vjet me rradhë nga diktatura komuniste për të fshirë këtë faqe të ndritur të parlamentarizmit, familjarëve dhe pasardhësve të këtyre njerëzve, Njëherësh është dhe një mundësi unike për të rinjtë, të njohin dhe të vlerësojnë etërit dhe elitat e Kombit, atdhetarët e vërtetë, njerëzit e dijes dhe të penës që na kanë lënë ketë trashëgimi ta papërsëritshme. Dalja në dritën e botimit të kësaj kolane i jep nder dhe dinjitet civilizimit tonë.
Jam e kënaqur që në mandatin e parë bëra të mundur që të transkiptoj të gjithë bisedimet parlamentare nga vitet 1990 deri më sot, që nuk ishin, nuk ekzistonin dhe ajo është arkiva. Është arkiva jonë, arkiva e historisë sonë të këtyre 20 viteve.
Gjatë mandatit të dytë nxorrëm në dritë kolanën me 46 vëllime, 24 mijë faqe të bisedimeve parlamentare dhe të të gjitha ligjeve nga periudha 1920-1939. Sigurisht që në mandatin e ardhshëm do të vazhdojmë punën për të gjithë periudhën që ka mbetur e pambuluar dhe kështu, shumë shpejt, besoj se në dy vitet e ardhshme do të kemi të mbuluar të gjitha bisedimet parlamentare, në fakt të gjithë historinë e Shqipërisë përsa i takon këtij pushteti të jashtëzakonshëm, ku merren vendime të jashtëzakonshme që kanë një impakt direkt mbi qytetarët, mbi historinë, mbi vendin, mbi kombin dhe mbi të ardhmen.
Unë falënderoj të gjithë të pranishmit dhe ju ftoj ta shihni këtë botim. Kam bërë kujdes të madh për ta shpërndarë jo vetëm në bibliotekat e Shqipërisë, por edhe në Kosovë. Ua kam bërë dhuratë edhe institucioneve kryesore të Kosovës. Natyrisht do të shkojnë edhe në Maqedoni. Është një gjë jashtëzakonisht e bukur. Unë jam e sigurtë se do të gjeni në to, gjëra që nuk i kishit menduar më parë dhe unë falënderoj të gjithë stafin për punën që kanë bërë. Është një punë tre-vjeçare për të kërkuar në biblioteka, në arkiva, kudo ku kemi gjetur ato vëllime që ne na mungonin dhe më pas puna që është bërë për skanimin, pastrimin nëpërmjet Photoshop-it dhe më pas botimi i tyre.
Falënderoj drejtorinë e botimeve. Falënderoj drejtoreshën e arkivës. Falënderoj drejtorin e bibliotekës. Ju falënderoj ju të gjithëve për të gjithë mbështetjen dhe realizimin e kësaj kolane të jashtëzakonshme të historisë, jo vetëm të parlamentarizmit, por të historisë sonë kombëtare.

Filed Under: Kulture Tagged With: Bisedime Parlamentare, e botimeve, Jozefina Topalli, Kolanen, prezanton

US Congress honors Halil Gashi as Extraordinary Artist of 2013

May 17, 2013 by dgreca

By: Ermira Babamusta, Ph.D., New York/
Eminent artist Halil Gashi received the extraordinary talent achievement recognition in performing arts, dance, theatre and music, in Washington DC, in April 2013. Senate Majority leader Harry Reid presented a certificate of recognition, honoring Halil Gashi’s exceptional achievements and his significant contributions to creative arts.
The award honored Halil Gashi for his legendary work at Cirque du Soleil Beatles’ LOVE in Las Vegas and for his outstanding creative achievements in performing arts in United States and around the world.
At the request of the Honorable Senator Harry Reid the American Flag was flown at the United States Capitol Building in Washington DC on April 29, 2013. “The flag was flown for Halil Gashi, one of the world’s most treasured artists, who with profound artistry, extraordinary talent and creativity has ignited the stages of the world’s greatest dance and theatre companies. Thank you for your extraordinary work with Cirque du Soleil’s LOVE in Las Vegas and for your significant contributions to the cultural life of our nation and the world through the performing arts in music, dance and theater.”
Halil Gashi’s contributions to performing arts have garnered him numerous outstanding awards in dance competitions in Germany, UK and France, including 3rd place in all of Europe Breakdance contest in Paris with Crew UK All Stars, 2013 Distinguished Artist Award, Best Body 2012, Sex Symbol 2012 and Best Model of Year 2012. In 2013 the government of United States honored Halil Gashi for his contributions to American culture and arts.
Halil Gashi earned wide critical appreciation for his portrayal of two lead characters, “Sargent Pepper” and “Dancer” in James Cameron’s Worlds Away 3D film. The movie was written and directed by Andrew Adamson, who also directed the first two Chronicles of Narnia films, and was executive-produced by James Cameron, director of hits Avatar and Titanic. The story of Worlds Away tells of a young couple that must travel through the bizarre and dreamlike universe of Cirque du Soleil in order to be reunited.
Following its successful premiere at the 25th Tokyo International Film Festival in Japan, the film was released in American cinema and worldwide on December 21, 2012. The film accumulated over $32.6 millions world wide. “Cirque Du Soleil: Worlds Away”, a production of Paramount Pictures, has had the widest release in the entire cinema history, shown in 840 theatres and ranked # 11.
Halil Gashi is considered one of the biggest Cirque du Soleil stars, attracting renowned celebrities at his sold-out solo performance for Beatles’ LOVE show at Mirage theatre in Las Vegas, including Arnold Schwarzenegger, Donald Trump, Steve Carell, Kylie Minogue, Susan Sarando, Mel B (Spice Girls), Luke Perry, Lisa Kudrow, Bon Jovi, David Duchovny, Aerosmith’s Steven Tyler, Paul McCartney, etc.
Halil Gashi has performed at a series of special events. Halil Gashi performed to “Something in the way she moves” song from the two-time GRAMMY Award-winning LOVE album at the 54th Grammy Annual Awards in Los Angeles in February 2012 and at the 2012 MusiCares Person of the Year gala, honoring Sir Paul McCartney. Halil performed in front of music legends Smokey Robinson, Bonnie Raitt, Carole King, Herbie Hancock, Brian Wilson, David Crosby, Jack Nicholson, Richard Branson, Norman Lear and Lou Adler who attended the Grammys.

Filed Under: Kulture Tagged With: Artist of 2013, as Extraordinary, Ermira Babamusta, Halil Gashi, US Congress

NJË JAVË E KEQE PËR ADMINISTRATËN OBAMA

May 16, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Jam i bindur se Presidenti Barak Obama dhe administrata e tij po presin me ankth fund javën. Ishte një javë tepër e vështirë për ta por edhe për sistemin politik amerikan, pasi presidenti dhe zyrtarët e tij u përballuan me akuza të ashpëra nga media dhe nga Kongresi në lidhje me zbulimin se Departmenti i Thesarit, që në të vërtetë është Agjencia Tatimore, kishte venë në shënjëstër grupe dhe organizata konservatore, të cilat gjatë dy vjetëve të fundit janë përpjekur të aplikojnë për stausin e përjashtimit nga taksat. Sipas njoftimeve, ato iu nënshtruan një kontrolli të imtësishëm duke mos aprovuar statusin e tyre, ndërsa, sipas gazetës amerikane USA Today, grupet me prirje liberale që kishin aplikuar gjatë të njëjtës periudhë, u aprovuan pa asnjë problem. Presidenti Obama, gjatë ditëve të fundit, i ka cilësuar këto veprime të Agjencisë Tatimore, që media amerikane po i cilëson skandaloze, si të ”patolerueshme dhe të pafalshme.” Ai gjithashtu u zotua se punonjës të kësaj agjencie që mund të jenë fajtorë, do të mbahen përgjegjës, dhe njëherazi bëri thirrje për marrjen e masave që një gjë e tillë të mos ndodhë kurrë më. Edhe Prokurori i Përgjithshëm Erik Holder tha se çfarë ka ndodhur në këtë agjenci, ”është sigurisht skandaloze dhe e paranueshme” dhe shtoi se ka urdhëruar bërjen e hetimeve nga zyra e tij në lidhje me këtë çështje. Ndërkohë, Agjencia Tatimore ka kërkuar ndjesë për ato që kanë ndodhur dhe presidenti Obama njoftoi dje se si rrjedhim, kishte pranuar dorëheqjen e drejtorit të përgjithëshëm të kësaj agjencie.
Çështja tjetër skandaloze me të cilën po përballet këtë javë administrata e Z. Obama është konfiskimi i të dhënave telefonike nga Ministria e Drejtësisë për një periudhë prej dy muajsh, të një numëri gazetarësh dhe redaktorësh të agjencisë së njohur të lajmeve Associated Press (AP). Megjithë zemërimet e shprehura nga media dhe nga Kongresi për këtë masë, që ekspertët ligjorë dhe anlalistët e quajnë si të pa precedencë, Prokurori i Përgjithshëm Erik Holder mbrojti të drejtën e entit që ai drejton — për hetimet rreth njoftimit të agjencisë së lajmeve AP në lidhje me një operacion të agjencisë së fshehtë amerikane CIA, që kishte parandaluar një operacion terrorist në Jemen. Ai tha se këjo nxjerrje informacioni nga agjencia e lajmeve AP “ishte tepër, tepër serioze” dhe se informacioni i nxjerrë nga agjencia AP, sipas tij, “pa ekzagjerim rrezikon popullin amerikan”.
Reagimet ndajë këtyre veprimeve të administratës Obama, ishin të shpejta dhe të furishme, nga media, nga Kongresi amerikan dhe nga nga grupe të ndryshme të të drejtave civile dhe të mbështetës të lirisë së shtypit, nga spektri i majtë dhe i djathtë.
Vet agjencia e lajmeve Associated Presss, duke reaguar ndaj konfiskimit të të dhënave telefonike nga Ministria e Drejtësisë, në një letër të ashpër dërguar Prokurit të Përgjithshëm Erik Holder, më heret këtë javë, Presidenti i AP, Gary Pruitt protestoi duke thënë se, ”Nuk mund të ketë asnjë justifikim të mundshëm për një konfiskim të tillë të të dhënave të komunikimeve telefonike të agjencisë AP dhe gazetarve të saj. Këto të dhëna telefonike zbulojnë burimet konfidenciale të gazetarve dhe të operacioneve të agjencisë AP, aktivitete këto për të cilat qeveria nuk ka asnjë të drejtë të dijë për to. Ne e konsiderojmë këtë masë të Ministrisë së Drejtësisë si një ndërhyrje serioze në të drejtat konsitucionale të agjencisë AP, për të mbledhur dhe raportuar lajmet.”
Shoqata e Gazetave Amerikane, pasi mësoi për konfiskimin e të dhënave telefonike nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, të agjencisë AP, lëshoi një deklaratë duke thënë se, “këjo masë shokon ndërgjegjen amerikane dhe shkel lirinë kritike të shtypit që mbrohet nga Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara “. Gazeta Nju Jork Tajms tha në një editorial kritik ndaj administratës Obama, se “Këto taktika nuk do të na frikësojnë ne as agjencinë AP, por mund të frikësojnë burimet dhe kontaktet konfidenciale mbrenda në qeveri, të cilat janë ablsolutisht jetike për median, për të raportuar mbi punët e qeverisë.”
Gazeta USA Today në editorialin e saj mbi këtë çështje thotë se, “është e vërtetë se qeveria ka përgjegjësinë për të mbrojtur sigurimin kombëtar, por këjo përgjegjësi ka kufi dhe rasti i agjencisë AP është i tepruar. Këjo administratë ka nevojë të mendojë gjatë e mirë në lidhje me abuzimin e pushtetit.”
Ndërsa gazeta Uashington Post, e njohur për vijëpn e saj liberale dhe normalisht përkrahse e Presidentit Obama, në një koment kritik në lidhje me abuzimet në Agjencinë amerikane të Tatimeve kundër grupeve të djathta konservatore, u shpreh se, “Gur themeli i parimeve të demokracisë amerikane është se pushteti i qeverisë nuk duhet të përdoret kurrë për qëllime partiake.’’
Kongresi ka njoftuar se në ditët dhe javët e ardhëshme, një e treta e komisioneve të Dhomës së Përfaqsuesve dhe të Senatit, do të mbajnë séanca në lidhje me këto çështje. Kongresistët, si republikanë ashtu edhe demokratë, janë të zemëruar dhe po kërkojnë shpjegime për ato që kanë ndodhur dhe njëkohsisht i bëjnë thirrje administratës së Presidentit Obama që të ndëshkojë fajtorët dhe të sigurojë marrjen e masave që aktivitete të tilla nuk do të përsëritën më. Udhëheqsi i republikanëve në Dhomën e Deputetve, John Boehner tha dje gjatë një konferencë shtypi se, “Pyetja ime nuk është se kush do të japë dorëheqjen”, pyetja ime”, shtoi ai, “ është se kush do të ndëshkohet me burg për këtë.” Në lidhje me abuzimet në Agjencinë Tatimore, Kongresisti Boehner tha se, “Për këtë lloj abuzimi ne kemi ligjet” dhe është e nevojshme tha ai të dime se cilët janë personat që abuzuan dhe nëse ata shkelën ligjin.
Edhe udhëheqsi i demokratëve në Senat dhe përkrahës i administratës Obama, Senatori Harry Reid iu bashkua kritikave të kolegëve të tij në Kongres ndaj Ministrisë së Drejtësisë për konfiskimin e të dhënave telefonike të agjencisë AP, duke thënë se, “e kam shumë të vështirë të mbroj atë që ka bërë Ministria e Drejtësisë. “Është e pafalshme. Nuk ka asgjë që mund të justifikojë një gjë të tillë”, tha udhëheqsi demokrat i Senatit.
Këjo javë ishte me të vërtetë shumë e keqe për presidentin Barak Obama dhe për administratën e tij, sigurisht java më e vështirë e mandatit të tij deri tani. Por vera mund të jetë edhe më e vështirë dhe më e nxehtë politikisht në Uashington. Megjithëse siç duket administrata Obama ia shkaktoi vetvetes këto probleme – republikanët me zi kanë pritur për një moment të tillë, duke njoftuar menjëherë mbajtjen e një numëri seancash në Kongres për të zbuluar të vërtetën, jo vetëm për këto dy çështje, por edhe për sulmin terrorist në Bengazi të Libisë, shtatorin e vitit që kaloi, ku mbetën të vrarë katër diplomatë amerikanë, përfshirë edhe ambasadorin Christopher Stevens, pasi kohët e fundit kanë dalur në shesh informacione të reja që nuk përputhen me shpjegimet fillestare të administratës së Presidentit Obama në lidhje me atë sulm. Për të gjitha këto, Kongresi dhe populli amerikan duhet të kërkojnë nga Presidenti Obama dhe administrata e tij të vërtetën si dhe pushimin nga puna ose ndëshkimin me burg të atyre që mund të kenë shkelur ligjin dhe Kushtetutën amerikane. Amandamenti i parë i kushtetutës amerikane që, ndër të tjera, garanton lirinë e shtypit, është aty dhe i pari ndër amnadamentet e tjera për një arsye. Baballarët e këtij kombi dhe hartuesit e kushtetutës amerikane e kishin paraparë rëndësinë e tij. Populli amerikan ka të drejtën dhe meriton të mësojë të vërtetën për të gjitha këto abuzime nga qeveria e tij.

Filed Under: Komente Tagged With: Frank shkreli, nje Jave e keqe, per administraten Obama

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5442
  • 5443
  • 5444
  • 5445
  • 5446
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT