• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Të rinjtë kosovarë nuk ndihen evropianë

May 13, 2013 by dgreca

Nga Luljeta Krasniqi – Veseli/
Nuk mund ndihemi evropianë, ndoshta për faktin që kurrë nuk kemi pasur mundësi të shkojmë në vendet evropiane për të parë ngjashmëritë apo dallimet që mund të jenë ndërmjet të rinjve që jetojnë në ato vende evropiane dhe të rinjve në Kosovë.
Kështu përgjigjen shumë të rinj në Kosovë, kur pyeten se a ndihen se i përkasin familjes evropiane.
Në rubrikën e përjavshme VOX, të Radios Evropa e Lirë, shumë prej tyre tregojnë se ndihen të diskriminuar karshi të rinjve të vendeve të rajonit e më gjerë.
Thonë se ndihen të izoluar dhe se kanë nevojë dhe dëshirojnë të udhëtojnë kudo në botë, pa pasur nevojë për viza, e jo vetëm në katër shtete. Konsiderojnë se janë pjesë e Evropës, por ndihen se janë shumë larg saj.
Lulzim Halili është 21 vjeç nga Prishtina. Gjithçka që di për Evropën, e ka mësuar nga televizori apo interneti. Ai asnjëherë nuk ka udhëtuar drejt ndonjë vendi evropian.
“Jemi pjesë jashtë Evropës. Nuk kemi viza, nuk kemi gati asgjë çfarë mund të ketë një vend evropian. Nuk ka organizim të duhur institucional që të rregullohen gjërat që edhe ne, si të rinj, të ndihemi evropianë, mungojnë shumë gjëra”, thotë Lulzimi.
Republika e Kosovës, si një shtet i ri evropian, me banorët e saj të njohur si evropianët më të rinj, vazhdimisht nga udhëheqësit e institucioneve të vendit ishte cilësuar se është e gatshme të luajë rolin e saj si një vend që di të marrë përsipër përgjegjësitë e veta.
Këto deklarata të vazhdueshme të zyrtarëve qeveritarë të rinjtë i quajnë retorika boshe që asnjëherë nuk u jetësuan.
Valoni është student i Fakultetit Ekonomik. Sipas tij, institucionet e Kosovës kanë ngecur në përmbushjen e shumë kritereve për të qenë pjesë e familjes evropiane dhe si të tillë të rinjtë e Kosovës, shton ai, kanë mbetur të izoluar.
“Nuk i kemi plotësuar të gjitha kushtet që të jemi evropianë. Kemi shumë fusha ku duhet të punohet më shumë. Ka rregulla për të qenë pjesë e Evropës, duhet punë”, shton Valoni.
Ngjashëm mendon edhe Nita Ndrecaj:
“Nuk ndihem si evropiane. Jemi shume larg Evropës. Kemi shumë fusha ku nuk kemi ecur përpara”.
Derisa vendet e rajonit kanë nënshkruar marrëveshjen për Stabilizim-Asociim dhe kanë hequr vizat me Bashkimin Evropian, Kosova ende nuk ka filluar negociatat për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
Aktualisht, vendi është duke pritur nga Bashkimi Evropian që më 25 qershor të këtij viti t’i i jep dritën jeshile për fillimin e negociatave. Fillimi i negociatave konsiderohet të jetë hapi i parë, me të cilin Kosova hyn në një proces të vendosjes së marrëdhënieve kontraktuale me BE-në.
Ndërsa, sa i përket liberalizmit të vizave, Komisioni Evropian i ka dorëzuar Kosovës udhërrëfyesin për vizat më 14 qershor të vitit 2012. Por, që deri më tani, thuhet se Kosova nuk ka përmbushur kriteret që qytetarët e saj të udhëtojnë pa viza.
Në raportin e fundit, Komisioni Evropian i kërkon Kosovës që të bëjë hapa konkret në luftimin e dukurive negative në mënyrë që të ecë drejt liberalizimit.
Po ashtu, aty përmendet si pengesë në këtë proces edhe migrimi ilegal, reformat në drejtësi dhe çështje tjera që ndërlidhen edhe me legjislacionin.
Shteti i Kosovës mund ta ketë flamurin e vet, himnin kombëtar dhe pasaportat , por jo të jetë shtet evropian, thotë Leutrimi.
“Ndoshta i takojmë në një përqindje Evropës, por jemi shumë larg në disa fusha. Gjeografikisht jemi në Evropë, por jo evropianë. Nuk kemi arritur t’i plotësojmë kriteret që na janë përcaktuar”, thotë Leotrimi.
Ajo se çfarë i dallon të rinjtë e Kosovës me të rinjtë e shteteve evropiane, sipas Diana Gashit, është edhe shkollimi dhe kushtet e jetesës. Ajo thotë se sistemi arsimor në Kosovë është shumë larg edukimit që kanë vendet tjera evropiane, derisa sa i përket punësimit, siç thekson ajo, është shumë më lehtë në vendet evropiane.
“Shumë gjëra mungojnë në Kosovë. Evropa ka shumë gjëra që ne nuk i kemi. P.sh edukimi, pastaj të rinjtë në Kosovë, shumica janë të papunë derisa në Evropë papunësia nuk është në shkallë shumë të lartë si te ne. Kushtet atje janë më të mira”, konsideron Diana.
Derisa, Vjosa Kaçaniku shprehet optimiste se në një të ardhme të afërt të rinjtë e Kosovës mund ta konsiderojnë veten evropianë, por që aktualisht thekson ajo, jemi larg.
“Jemi larg Evropës, nuk kemi kushte për t’u konsideruar evropianë, megjithatë shpresoj se do të bëhet mirë”, shprehet Vjosa.
Ndryshe, nga Vjosa e Diana, mendon Melihate Kastrati. Ajo thotë se ndihet evropiane, pavarësisht shumë gjërave që i kanë të rinjtë në Evropë e që nuk janë në Kosovë.
“Ndihem si evropiane. Ka disa kushte që duhet të plotësohen, por shumë prej këtyre kushteve ne i kemi plotësuar. Me realizmin e disa kritereve që i cakton BE-ja, ne do të jem pjesë e Evropës”, mendon Melihatja.
Ngjashëm shprehet edhe Lulzim Muholli:
“I takojmë Evropës, plotësisht i kur i takojmë territorit evropianë mund të themi se ndihemi evropianë, mirëpo pa integrim evropian nuk mund të themi me plot fjalën se ndihemi evropianë. Na mungojnë disa gjëra. Në fakultetet tona mungojnë disa fusha të studimeve që do të dëshironim t’i studionim”.
Ndërkaq, Liridona Tahiri konsideron se të rinjtë e Kosovës nuk mund të krahasohen me ata të rinj që jetojnë në vendet evropiane. Kushtet, në të cilat jetojnë ata, thotë Liridona, nuk krahasohen me kushtet e të rinjve në Kosovë
“Jetën dhe kushte e jetesës i kanë më të mira, janë më të integruar. Kanë mundësinë e lëvizjes së lirë. Kanë edukim më të mirë. Në të gjitha këto fusha ne jemi shumë mbrapa”, thotë Liridona.
Kosova më 9 maj shënoi Ditën e Evropës. Në këtë ditë në Kosovë ka pasur performanca, përmes së cilave janë shprehur pakënaqësitë për, siç është thënë, një qeverisje të keqe, rritje të korrupsionit dhe një ekonomie të dobët, e që sipas organizatorëve, janë probleme kyçe që Kosovën po e pengojnë në rrugën drejt integrimit evropian.(Kortezi:Evropa e Lire)

Filed Under: Interviste, Komente Tagged With: Lindita Krasniqi, nuk ndjehen europiane, te rinjet kosovare, Veseli

Rilindje…. pa rilindas!!! (II)

May 13, 2013 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/
Në demokracinë e paparcit formalisht ruhen fasadat e një zhvillimi demokratik. Por tipar kryesor i saj është zbatimi selektiv i ligjit. Edhe shtetet më të organizuara në botë, siç është Franca, e kanë të pamundur të funksionojnë përmes kësaj demokracie. Sepse krimi ekonomik e financiar, informaliteti dhe fshehja e të ardhurave do të favorizohej nga ikja prej detyrimit të ligjit të taksës progresive. Të mos flasim për transferimin e kapitaleve e madje lënien e shtetësisë, duke kërkuar strehë në vendet e tjera me taksë të sheshtë.
Ndërsa në Shqipëri duket se kja masë aplikimi synohet posaçërisht për të legjitimuar gjuetinë e shtrigave ndaj kundërshtarëve politikë. Tek ne taksa progresive nuk do të polarizonte shoqëronë thjesht për shkak të një ligji absurd në taksimin e të ardhurave, por dhe për shkak të seleksionimit politik të qeverisë që do ta aplikonte atë, e majtë ose e djathtë qoftë ajo. Fatmirësisht e djathta shqiptare ka qenë dhe mbetet e vendosur në aplikimin e taksës së sheshtë, e cila nuk le hapësirë për spekullime të këtij lloji në zbatimin e saj.
Së dyti, nëse shqyrtojmë me kujdes procesin e fushatës elektorale në Shqipëri, çdo kush ve re lehtësisht disa karakteristika, të cilat nuk kanë të bëjnë aspak me Rilindjen e proklamuar nga opozita. P.sh Rilindja nuk ka asnjë lidhje me bojkotin, me bllokun e bllokimin, me dhunën e rrugës e të shejtanit. Deri më sot asnjë “shenjtan politik” në Shqipëri nuk ka grumbulluar njerëz të protestojnë përballë shtëpisë së kundërshtarëve të tij politikë. Predikuesit e Rilindjes shqiptare u bënë shumë herë të pabesueshëm në këtë aspekt. Por kur ata bllokuan hyrjen e pallatit ku banon Kastriot Islami u bënë dhe qesharakë e njëkohësisht dhanë mesazhin e një polarizimi të paparë në Shqipëri e në vendet e tjera të tranzicionit rreth nesh. Kjo sjellje e përsëritur me tërheqjen e përfaqësuesve në komisionin qendror të zgjedhjeve nuk është mënyrë që përcakton një proces rilindjeje, por një akt revolucionar të tipit bolshevik. Ndërkaq asnjë ekspert në botë nuk i ka përcaktuar revolucionet si akte të rilindjes. Kombet gjithashtu nuk kanë lindur përmes revolucioneve, por përmes një procesi relativisht të gjatë të rizgjimit kombëtar, të rikthimit të identitetit dhe kulturës kombëtare, të rilindjes si komb e si popull me dinjitet, pra përmes një procesi normal evolucioni. Nëse rilindasit në krye të Partisë Socialiste i përceptojnë revolucionet si kusht të Rilindjes, atëherë atyre u duhet dhënë e drejta ta quajnë edhe fushatën elektorale të 23 qershorit si “fushatë të Rilindjes”.
Së treti, në të vërtetë sllogani për Rilindjen ka karakter të pastër politik dhe aspak moral. Kjo duket qartë kur shohim sesi janë ndërtuar koalicionet, si janë përzgjedhur kandidatët për deputetë, si janë përjashtuar figurat qendrore të PS-së nga kandidimi e për pasojë edhe nga jeta politike e kështu me radhë. Në moralin e rilindasve ishte përbashkimi, jo përjashtimi. Ndërkaq pas slloganit të Rilindjes nuk qëndron vetëm përjashtimi, por edhe linçimi. Ndarja në “besnikë” të udhëheqësit e në “tradhëtarë” të udhëheqësit të Partisë është filozofi morale që demanton çdo pretendim për rilindje. Ndërkohë krijimi i një koalicioni me ata “që fundosën Shqipërinë në këto katër vitë”, nëse i referohemi kreut të “skuadrës së Rilindjes”, dmth me LSI-në e Ilir Metës, do të trondiste çdo akt serioz të një lëvizjeje për Rilindje, këtij sllogani mashtrues të zotit Rama.
Nga pikëpamja filozofike rilindja dhe rilindasit nuk mund t´i përmbahen skemës së mohimit të arsyetuar me nihilizmin ekstrem. Aq më pak bëhet i besueshëm partneri kryesor i “rilindasve” socialistë, pra zoti Meta, kur në mitingjet elektorale flet për “skëterrën qeverisëse”, skutat më të errëta të së cilës i takojnë atij personalisht si dhe bashkëpunëtorëve të tij në qeverisje. Nuk besoj se në këtë konstatim them ndonjë gjë të re, po të kemi parasysh se para shpalljes së koalicionit opozita kishte në shënjestër si vrima e zezë e qeverisjes pikërisht ministritë që zoti Meta kishte marrë me qera nga demokratët. Për këto arsye sfondi për Rilindje, sepse përmbajtje nuk ka mundur të ketë kurrë, është shpërfytyruar dhe ka dalë boje. Përdorimi i këtij sllogani, vetëm sa i irriton spektatorët e të gjithë krahëve, pasi çdonjëri prej tyre e kupton faktin se Rilindja e zotit Rama është thjesht një mashtrim elektoral.
Së treti, Rilindja duhet të ketë medoemos si çdo patentë ose vepër tjetër autorët e saj. A ka autorë Rilindja e proklamuar nga opozita shqiptare? Në të vërtetë ajo ka të ashtuquajtur autorë. Të tillë janë vetëreklamuar Rama, Ruçi, Kokëdhima, Taulant Balla, Sajmir Tahiri, Fatos Klosi e në mesin e tyre kanë marrë edhe Spartak Brahon, personin të cilin Meta e shiti te Rama, se nuk ia pranonte askush në skuadrën e tij elektorale. Edhe emrat e tjerë të lartpërmendur nuk do t’i pranonte askush në asnjëlloj skuadre. Ndaj ata gjetën strehë te “skuadra e rilindjes” e zotit Rama. Kështu “Rilindjen” e marrin përsipër një grup njerëzish të komprementuar. Unë nuk e di sesi mund të quhet rilindas p.sh një kryetar bashkie, I cili që jep leje dërtimi për të mbjellë pallate me 5-10 metra larg njëri-tjetrit. Dhe këtë nuk kemi për ta mësuar kurrë në rastin e zotit Rama, i cili në 11 vite si kryetar i Bashkisë së Tiranës ka ndërtuar me qindra palate të tilla të paligjshme. Nuk mund të kuptohet se si një rilindas mund të jetë i tillë edhe kur që t´i marrë frymën qytetarëve të vet, thjesht për përfitime personale e korruptive. Nuk mund të kuptohet gjithashtu fakti se si një rilindas sillet në mënyrë vandale e banale me qytetarët që ai ka pretenduar se i qeveris. Nëse Rama do të ishte një rilindas i vërtetë, atëherë nuk do të kishte të bënte me aksionet politike për bojkot dhe për bllokimin e integrimit europian të Shqipërisë. Edhe në këtë pikë ai spekullon me të ashtuquajturin “Koalicionin e Shqipërisë Europiane”, sepse e kishte në dorë që Shqipërinë ta çonte në dyert e Europës që para tri vitesh. Por nuk deshi dhe këmbënguli deri në fund që ta ç´orientojë Shqipërinë, duke bllokuar mirsatimin e ligjeve europiane.
As vetë zoti Rama nuk të jep dot shpjegim sesi mund të realizohet ndonjë projekt rilindjeje me Ruçin, Fatos Klosin apo Spartak Brahon në listat e sigurta të deputetëve?!!! Nëse keta dhe klanet e tyre përbëjnë atë grupim që i sjell Shqipërisë ndonjë Rilindje, atëherë Shqipëria do të duhej të kishte rilindur me dhjetra herë deri më sot. Çka i bie se ajo do të ishte varrosur gjithashtu me dhjetra herë. Por fatkeqësisht autorët e Rilindjes së proklamuar e të predikuar për vetëmashtrim mësë shumti kanë qenë dhe janë autorë të rrënimit të Shqipërisë. Megjithatë ata e kanë një meritë: Ia kanë arritur që punën e varrëmihësit t´ia faturojnë kundërshtarit politik. Në këtë kuptim ata nuk mund të quhen të paaftë, përkundrazi specialistë të zotë, siç i kishte përcaktuar i urti dhe i çmuari Pjetër Arbnori.
Së katërti, me nocionin Rilindje nënkuptohet edhe ringjallja. Psh Janullatosin e pamë para disa ditësh, në ditën e Pashkëve, kur na thoshte të vetmet fjalë në shqip “Krishti u ngjall”. Ngjallja e Krishtit është njësuar me rilindjen. Rilindja e Krishtit i dha udhë kristianizmit, këtij besimi fetar me një cikël mbi 2000 vjeçar në qytetërimin tonë. Në këtë kuptim rilindja e opozitës sonë do të duhej të nënkuptonte ringjalljen e Shqipërisë. Domethënë ringjalljen pas 23 qershorit. Ndërkohë kjo do të nënkuptonte se shqiptarët jetojnë në një Shqipëri të vdekur, të varrosur, të bërë kurban, nëse i referohemi librit të liderit të opozitës. Po cila është e vërteta? A është Shqipëria sot më e dobët, më e ligë, se dje? Pa bërë pyetjen retorike, nëse ajo është e gjallë apo “e vdekur”.
Që ta marrësh përgjigjen e kësaj pyetjeje do të duheshin shkruar libra të tërë. Por për ilustrim mund të shpjegohet ajo me disa matës të dukshëm. Shqipëria dhe shqiptarët i japin jetë sot me kontributin e tyre proceseve botërore të globalizimit. Mjafton të shihet kontributi ynë në strukturat e NATO-s e të operacioneve paqesore të saj. Shqiptarët sot ndjehen shumë krenarë kur zbresin në aeroportet e portet e Europës, sepse aty ata gjejnë ngrohtësinë dhe respektin e barabartë me të gjithë europianët, edhe pse deri para pak vitesh ne ishim si “bishti i qenit”. Shqipëria sot është me kilometra më mirë në stdandardet e saj, sesa në kohën dhe cakun ku e lanë pseudorilindasit e sotëm socialistë, qofshin këta grupime klanesh mafioze, apo mumje ose kufoma politike, nëse marrim në konsideratë etiketimet që ata i bëjnë vetë njëri-tjetrit.
Shqipëria sot është vendi i një infrastructure të paimagjinueshme në kohën dhe cakun ku e lanë atë pseudorilindasit. Shqipëria sot është Shqipëria e banorëve me nga dy banesa, me internet, me shkolla, spitale, me rrugë të reja, edhe pse në kohën e pseudorilindasve ishte Shqipëria e territ, e gjeneratorëve dhe zhurmave të tyre kumbuese në mes të kryeqytetit e në mes të ditës. Shqipëria është ndryshe, por jo ajo Shqipëri që e duam ne të gjithë. Ne duam vërtet një Shqipëri që t’i ngjajë Europës. Jo thjesht në ifrastrukturë, por para së gjithash në mentalitet, në sjellje, në mendim, në kulturë, në arsyetimin e proceseve e të fenomeneve e në vlerësimin e të shkuarës, të sotmes e të përspektivës. Ndërkaq Rilindasit kanë në kokë një Shqipëri virtuale, perfekte, të tillë, që nuk mund të ketë shembull në Europë e në botë. Por virtualja mbetet e tillë, thjesht si përceptim, jo si realitet. Ndaj asgjë virtuale nuk sjell ndonjë rilindje. E megjithatë “rilindasit” e sotëm nuk besoj se janë aq idealistë dhe ëndërrimtarë, sa të mendojnë qoftë dhe virtualisht krijimin e një Shqipërie tjetër. Ata janë të prirur që virtualen, ëndërrën ta shesin si parim, si perfeksion, pra kanë prirjen, dëshirën dhe apetitin që të mashtrojnë poblikun shqiptar. Ndërkohë grupimi i “rilindasve” të shquar të kupolës së opozitës nuk ka dhënë deri më sot asnjë provë konkrete as në pozitë, as në opozitë se ka të bëjë diçka me idealizmin e rilindasve të vërtetë.
Së pesti, rilindasit si në art, si në filozofi, kanë evokuar dhe ringjallur një traditë, një histori njerëzore të përcaktuar. Rilindasit e vetëshpallur të së majtës shqiptare në ditët e sotme në vend të evokimit, operojnë me mohimin nihilist të çdo gjëje. Pastaj kthehen dhe akuzojnë kundërshtarët e tyre politikë për virtualitet. Eshtë qesharake kur sheh që në këtë kor është bashkuar aktivisht partneri kryesor e njëkohësisht gllabëruesi i pamëshirshëm i resurseve të pushtetit të Berishës, pra kreu i LSI-së, zoti Meta. Mohimi, pa pohuar një alternativë të qenë e të dukshme është thjesht vepër e rrënuesve, nuk është e nuk mund të jetë vepër e rilindasve. Rilindasit i ndërtojnë fillimisht themelet e asaj që ëndërrojnë, më pas strukturojnë arkitekturën e asaj që do të ndërtojnë e më në fund shpallin një program ringjalljeje shpirtërore e kombëtare. Rilindasit tanë virtualë nuk bëjnë asgjë nga këto. As nuk na kanë thënë se cilat janë themelet e asaj që do të ndërtojnë në këtë vend, as na kanë treguar ndonjë projekt për të qenë të infrastrukturës që ëndërrojnë. Në Vlorë lideri i “rilindasve” u premtoi vlonjatëve se “do ta ndërtojë baypassin e këtij qyteti. Por si mund të premtohet diçka që ka marrë udhë në projektet e kundërshtarëve të tij politikë?! Eshtë absurditet t’i marrësh shaka të tilla për rilindje. Kaq shkon e gjithë ajo çfarë rilindasit i premtojnë në këtë fushatë elektorale zgjedhësve shqiptarë.
Në këtë kuptim keqpërdoret, keqinterpretohet dhe abuzohet me termin Rilindje. Rilindja nuk vjen prej hiçit, çfarë edhe përfaqëson nihilizmi. Nihilistët nuk kanë sjellë ndonjëherë ndonjë markë të rilindjeve dhe nuk kanë nxitur kurrë procese zhvillimore. Ata thjesht kanë abuzuar me sllogane të tilla, por nga pikëpamja filozofike, politike e praktike nuk mund të promovojnë ide, vizione, praktika dhe veprimtari zhvillimore. Nga ky këndvështrim, është e udhës që të kuptohet dhe interpretohet lëvizja elektorale e së majtës shqiptare “për rilindjen e Shqipërisë”.
Thelbin e koncektit filozofik e politik të rilindjes e përbën ideja dhe vizioni për të ardhmen. Ndërkohë në diskursin elektoral të së majtës spektatorët dëgjojnë thjesht premtimin “Ne e kemi një vision për të ardhmen”. Ky premtim vjen mbas një mijë akuzave dhe shpifjeve e trillimesh për realitetin e sotëm shqiptar. Mbasi është derdhur një lumë fjalësh e frazash të zeza, shqiptarëve u serviret dogma: “Ne e kemi një zgjidhje”. Po cili është ky vision, cila është kjo zgjidhje, e ndryshme nga ajo që ofron me vepra e me programin e saj mazhoranca? Zgjedhësit shqiptarë deri më sot ende nuk e kanë dëgjuar, jo më ta kenë absorvuar dhe përthithur mediakisht, ose konkretisht. Dhe a mund të ketë rilindje pa një vision?! A mund të ketë rilindje pa një alternativë bindëse, konkrete e të qartë?! A mund të vijë rilindja në një realitet shoqëror thjesht për shkak të përzgjedhjes së një sllogani dhe më së shumti, a mund ta sjellin rilindjen ata që në më shumë se 23 vite, pra në demokraci e para saj, kanë dëshmuar se i përkasin një detashmenti tjetër dhe që sot e kësaj ditë janë të përkushtuar në iluzionin e rikthimit të metodave staliniste të drejtimit të shtetit, por në kushtet e një sistemi të ndryshëm nga sistemi stalinist në Shqipëri?! Nihilizmi ishte tipari kryesor i sistemit komunisto-stalinist në vendin tonë. Ndërkaq shohim se nihilizmi është thelbi i politikës së “rilindasve” të sotëm, të cilët identifikohen shumë lehtë si pasardhës të sistemit disa dekadash të diktaturës komuniste në Shqipëri. Nëse stalinizmi dhe besnikët e stalinizmit në vendin tonë mund të quhen rilindas, atëherë mund të besojmë se pasasrdhësit e tyre të sotëm janë dhe mbeten rilindas!!! Por është shumë e vështirë që dikush ta pranojë këtë logjikë…
Në numrin e ardhshëm: Ku ndryshon rilindja e shekullit XIX me pseudorilindjen e “rilindasve” të sotëm?

Filed Under: Komente Tagged With: Enver Bytyci, Rilindje pa rilindas II

RRENJET SHQIPTARE SYNOJNE PJESMARRJEN E 5 MIJE SHQIPTAREVE NE PARADEN E NJU JORKUT

May 13, 2013 by dgreca

U mbajt takimi i radhës i Këshillit Organizativ për Paradën Multikulturore Ndërkombëtare të Emigrantëve.
Rrënjët Shqiptare: Synojmë të bëjmë së bashku kësaj rradhe në këtë paradë të madhe ndërkombëtare multikulturore të emgrantëve;duke sjellë më shumë se 5 mijë shqiptarë nga zona e Tr-Shteteve, Nju Jork, Nju Xhersi dhe Kenektiket
Nga BEQIR SINA, New York/
BRONX NEW YORK : Te dielen në lokalin e njohur në Bronx, New York, “Giovanni’s”, nën kujdesin e organizatës Rrënjët Shqiptare, me President zotin Marko Kepi, u zhvillua një takim i hapur me lider dhe veprimtarë të komunitetit, lidhur me pjesmarrjen e shqiptarëve në paradën Ndërkombëtare e Emigrantëve, e cila zhvillohet në qytetin e New Yorkut, për çdo vjet të djelën e tretë të muajit qershor. Me këtë rast u zgjodh edhe një Këshill Organizativ, i cili do të ndjek nga afër punën për Paradën Multikulturore Ndërkombëtare të Emigrantëve, që do të zhvillohet me 22 qershor.
Kjo paradë, e cila mbahet rregullisht për më shumë se 35 vjet, e organizuar nga Fondacioni Ndërkombëtarë për Emigrantët, ka qenë një organizim Ndërkombëtarë, i të gjitha Kulturave nga mbarë rruzulli. Ndërkohë, që për çdo vjet kjo paradë multikulturore, është bërë si një festë e veçantë e komuniteteve, thanë pjesëmarrësit, e cila i jep mundësi të gjithë emigrantëve nga e gjithë bota, që në mënyrë të organizuar, të dalin për të nxjerr në pah kontributet e tyre, që japin ata për shoqërinë amerikane, duke demostruar gjatë parakalimit në njërën prej bulevardeve më të njohura në qytetin e New Yorkut “America”: kulturat e tyre, arritjet e tyre, trashëgmnin, historinë, sportin kulturën dhe artet, veshjet popullore, këngët e vallet e tyre, para një opinioni të gjërë amerikan, turistëve të huaj – si dhe të tjera kuadrateve pjesëmarrëse të të gjitha ngjyrave nga çdo komunitet .
Organizata më e re, në komunitet e cila ka në bërthamën e saj – studentë dhe stduente nga Shqipëria, Kosova dhe viset shqiptare, Rrënjët Shqiptare – Albanian Roots, e cila këto 5 vitet e fundit ka qenë organizatore kuadratit shqiptar, të paradës multikulturore – Fondacioni Ndërkombëtarë për Emigrantët, ka menduar që këtë vit t’a bëjë këtë paradë sa më masive . Diskutantët, në takim e parë të rradhës ranë dakrod, që të japin kontributin e tyre me qëllimi që të mbledhin në këtë paradë, më shumë se 5 mijë shqiptarë.
Në takimin e mbajtur, dje, drejtuesit e kësaj organizate e formuar nga studentët e rinj shqiptarë dhe profesionistëve, e cila i është i përkushtuar çështjes sonë kombëtare për të forcuar komunitetin shqiptar në Nju Jork, u tha se ata janë duke u bashkuar me këtë paradë, me gjithë komunitetin shqiptarë në Amerikë, kryesishtë ata të zonës së Tri-Shteteve, të paktën edhe në një ditë të bukur, si kjo e zgjedhur e 22 qershorit, për të demonstruar kulturën dhe traditat tona shqiptare, e njërit prej vendeve të kulturës më të vjetër në Evropë, Shqipërisë.
Në takimin e Këshillit Organizativë të Paradës, morën pjesë disa veprimtar dhe drejtues shoqatash të shquara në komunitet, zoti Zef Bala ,z. Ismet Kurti,z. Xheladin Zeneli, z. Shpendi Selimllari, z. Gjergjë Dedvukaj, përfaqësues të Apen-it,, Ana e Malit, Bashkimi Kombëtar, Grupi Rozafati, Shoqata Devolli, Shoqata Dibra dhe shoqata Vatra, të cilat, u angazhuan dhe premtuan se do t’i bashkëngjiten kësaj parade, me të gjitha mundësit e tyre, për të treguar me 22 qershor në zemër të New Yorkut, krenarinë tonë kombëtare.
Parada, e cila do të mbahet më 22 qershor, 2013 dhe do të nisi në orën 11:00 të paradites në bllokun e gradacileve në Rrugës 46 dhe bulevardit Amerika (6 Ave), në qytetin e New Yorkut, sipas drejtuesve të oragnizatës Rrënjët Shqiptare, (Marko Kepi, Ervin Toro, Dorian Nasto, Edrit Topalli, Adrian Tahiri), të cilët udhëhoqën edhe takimin e Këshillit Organizativ të Paradës, thanë se ata kan si qëllim dhe prioritet të tyre, edhe kësaj rradhe për të bërë komunitetin shqiptar së bashku, në mënyrë që të tregojnë kulturën tonë, të bukur në sy të publikut amerikan dhe turistëve të huaj në Nju Jork.
Ata thanë se në mesin e pjesmarrësve, këtë vitë do të jenë edhe personalitete të nderuar si: Martin Oliner – kryetari aktual i Lawrence, Nassau County New York edhe president i Globe Instituti i Teknologjisë, i cili u ka dhënë shumë studentëve shqiptarë, një mundësi për të ardhur në Nju Jork dhe të ndjekin arsimin e lartë në këtë tempull të dijës, Presidentin e mirënjohur të Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane, lobit të parë dhe të vetëm në SHBA, Joe DioGuardi, si dhe Shirli Cloyes Këshilltare e Çështjeve Publike në LQSHA, si dhe asamblestin Mark Gjonaj, i cili është edhe i pari shqiptar i Amerikës në një detyrë kaq të lart, duke përfaqësur Districtin 80 në Kuvendin e Nju Jorkut,
Në paradë jan konfrimuar se do të marrin pjesë edhe Përfaqësuesit, e dy shteteve tona në New York, zoti Dritan Mishto Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë, dhe Ambasadori Bekim Sejdiu, Konsull i Përgjithshëm i Kosovës, konsulli Fatmir Zajmi, si dhe Dr. Waheed Waheedullah – Ish ambasadori i OKB-së në Shqipëri në 2000-2008, aktualisht një anëtar i lartë i Forumit të Energjisë Botërore dhe Organizatës Botërore të Ujit me bazë në Nju Jork.
Paradën Multikulturore Ndërkombëtare të Emigrantëve, më 22 Qershor 2013, do ta nderojnë me pjesmarrjen e tyre edhe Melinda Ademi – finaliste e talenteve të reja në spektakilin American Idol si dhe Toni Dovolani mjeshtëri i vallëzmit, kampioni i botës në kërcimin “Dancing with the Stars” si edhe artistë, aktorë dhe këngëtar?7 sportistë e grupe të këngeve të valleve të komunitetit të cilat priten të konfirmohen në takime e ardhëshme.

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: e Parades, mblodhi Keshillin, per organizimin, rrenjet shqiptare

Shajkaqa, perandor i Romës?

May 13, 2013 by dgreca

Faksimil i librit” Serbi Perandor i Romës” i Relja Novakoviçit (1999)/
Nga Fahri XHARRA/
Civilizimi i parë në tokën e Bulgarisë së sotme ishte ai i Thrakasve.Politikisht e copëtuar por shumë e ngritur në art ,kulturë dhe ekonomi ,Thrakia e arrijti kulmin e saj në shek.VI-të prK . Të dhënat historike flasin se duke iu falënderuar mosbashkimit të tyre politik ,ata shpesh ishin të sulmuar ,pushtuar dhe në fund edhe të humbur. … Në shekullin e katërt pas Krishtit ,kur Imperatoria e Romës u nda në mes Romës dhe Konstatinopolit ata që mbetën në Thraki iu nënshtruan ,kulrurës së lindjes dhe e morrën krishtërimin. Jemi me qëllim në Bullgari që të spjegohet më lehtë se me kë u ballafaqua Ballkani në shekullin VII-të të erës sonë. Hordhitë e Bulgarëve erdhën në këto anë. Bulgarët ishin një përzierje turke e Azisë ( fjala e vjetër turke “Bulgar” do të thotë “ i përzier “ , pra pa pëcaktim etnik) Të ardhur nga regjionet në mes të Uralit dhe Volgës ,stepave të veriut të Detit Kaspik bulgarët ishin të njohur si kalorës të fortë ushtarak, dhe kishin një organizim të madh politik duke iu falënderuar pricërve të tyre të quajtur “khan”. Ishte viti 681 kur Khani Asparukh e detyroi Impetarorin e Bizantit , Konstantinin e V-të , që të njihte shtetin Bulgar , me kryeqytet Pliskan.(historymedren.about.com/library/text/ntxtbulgaria).
Asparuhi , ishte pra themeluesi i shtetit të parë Bulgar ( 680-681) ( në gjuhën iraniane , të dikurshme perse do të thoshte “”aspa’’- “kali” dhe “rukh”- “shpirti” pra Shpirti i Kalit).
Të kotë e kanë serbët që mundohen të lashtësojnë vetën në këto toka. Ata këndejpari kanë ardhur si endacak të nevojshëm për një “kore bukë” ,dhe kanë qenë shërbëtorë të perandorive të kohës. “Serbët para se të vendoseshin në Ballkan kanë qenë mercenar në shërbim të sundimtarëve iranian, dhe si mercenarë edhe erdhën këndej parit. Ky status i këtyre kalorësve-avar në ambientin e ri të Ballkanit u garantua edhe nga perandorët bizantin. ”(S.Riza) Atyre iu mungon arkeologjia dhe poçaria e filigranologjia, armët dhe mënyra e tyre e varrosjes,kronologjia, seragjistika, heraldika, gjenealogjia, bibliografia, arkivistika, toponimia, fitonomia . Të gjitha këto mundohen ti marrin nga ne, dhe t`i quajnë serbe.

Deri sa ne luhateshim në djepat e kohës me përralla dhe përgjumoheshim dhe flinim, serbët punuan në një drejtim që për ta ishte shumë efikas ,dhe me histori të vjedhur nga ne ia siguruan vendin veti në rradhën e popujve të Europës. Lexoje librin :Sima M. Ćirković : Serbët në mesin e pupujve të Europës”
Kësaj rradhe për analizë, i morra dy libra të autorëve serb ,të cilët me një përvetësim të paskrupullt të historisë së huaj ( në këtë rast ,asaj t`tonës) mundohen t`i krojnë vetit një themel të lashtë ,bile shumë të lashtë për historinë serbe.Më qudit fakti se si nuk iu mirren mendët duke fluturuar aq largë, e mu në kohërat kur ana aziatike e tyre posa kishin zbritur nga drunjt.
”Perëndesha Diana , perëndesha e xeheroreve të argjendit në tokën e Serbisë” nga Bojana Plemiç si dhe ” Serbi ,perandor i Romës ” nga Relja Novakoviç.Sa më shumë po lëxoj librat e këtij lloji aq më shumë po e çmoj të kaluarën tonë që padyshim ,mu ashtu si toka e jonë ishte pre e ardhacakëve. Sa më shumë që po i lexoj këto libra , aq më shumë po më forcohet bindja që historianët e llojit të Oliver Jens Schmitt ,nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se në stilin copy-paste i marrin këto dhe e ”ribindin” Europën për historinë e ”bujshne”serbe. Historia është një , nga ata që e kanë bërë ,nga ata që e kanë lënë të përjetuar dhe si e tillë nuk i ka dy protogonist . Kush janë ata protogonistë : Serbët? Të shofim se çka shkruajnë autorët e lartë përmendur:
Bojana Plemiç shkruan se për kultin e Dianës si perëndeshë mbrojtëse e e xeheroreve të argjendit kemi shumë dëshmi. Për hulimtim janë marrë disa shembuj të monedhave të argjendta të Kosmajit, Guberavicës, Kolovratit të Prijepoljes, Çaçakut si dhe dëshmitë tjera nga malet e Jelicës , reliefi i breut të lumit Kuçajne. Autorja vie në përfundim se shumëfaktësia e rritë besimin dhe provat që Perëndesha Diana ishte mbrojtëse e të gjitha minierava të argjendit në tokat e Serbisë Ajo i përshkruan më tutje se duken ato monedha: ”Në gjetjet e Kosmajit takohen dy shembuj nga seria e monedhave me legjendën Metal Delm të cilat lidhen me Mbretëreshën Diana (Simić i Vasić 1977) , të cilat lidhen me kohën e sundimint të Hadrianit. Ay është koka e gruas ,me flokë të grumbulluar në ”kapakun” e kokës ; kurse në anën tjetër të monedhës është drenusha,që mund të lidhet me ate që ndoshta ishte shtazë e kultit të Dianës..
Pra çka gjëndet në tokat e Serbisë së sotme është e trashëgimisë serbe .Dhe aspak nuk është e quditshme pse asnjëherë nuk i përmendin shqiptarët që ishin të parët e këtyre anëve. Shtrembërimi ,dhe përvetësimi i tyre i historisë nuk e lejon këte.

Relja Novakoviç ,ne librin e tij fillimisht ankohet që sa herë është shkruar historia e Serbisë ,asnjëherë nuk janë çfrytëzuar burime te vjetra vendëse (pra Serbe) ku ngjarjet dhe personalitetet e kanë sajuar historinë serbe ; rasti ëshë edhe me Liciniusin i cili ishte në farefisni me Konstatinin e I-rë , nje figure e rëndësishme e krishterimit .( Gaius Valerius Licinianus Licinius Augustus c. 263 – 325) i l;indur në Moesinë e Epërme afër Zajeçarit (sot Serbi ) ishte Imperator I perandorisë së Romës( 308 – 324 psK) Gjatë gjithë kohës së mbretërimit ishte edhe mik edhe rival i Konstantinit të Pare dhe që dytë ishin autorë të Ediktit të Milanos ,i cili e lejonte Krishterimin në imperatorinë Romake të Lindje dhe të Perëndimit.. Ai u mund në betejën e Krisopolisit dhe pastaj me urdhërin e Konstantinit të parë edhe u egzekutua..Verejtja e ime)
(Nga Edikti i Milanos “Kur unë Konstandini Augusti dhe Liciniusi Augusti , fatmirësisht u takuam në Mediolanum ( Milano) dhe shqyrtuam gjithëçka që ka te bëjë me sigurinë dhe mirëqenjen publike ku adhurimi i Hujnive natyrisht duhet të ishte i pari ,ne vendoseëm tu japim të krishterëve dhe të tjerëve autoritetin e plotë të besojnë në atë çfarë duan… prandaj është kënaqesi për ne që kemi hequr të gjitha pengeat ndaj të krishterëve në Ediktin e dhëne zyrtarisht me shkrim. Tash e tutje ,kush deshiron te besoj në ate Fe mund t`a bëj atë lirisht,hqapur dhe pa pengesa … “ (Nikollë Loka& Gjet Kola “Iliria Biblike”)

Sipas autorit Novakoviq , figura e Liciniusit , në historinë serbe ka mbetur pa u qartësuar mirë.Kur njëfarë Ljuba Stojanoviç në vitin 1927 e paska pas bërë Historinë e atdhetarëve serb ai nuk e paska pas dhënë qartas prejardhjen serbe të Liciniusit . Burimet kishtare ,thotë Novakoviçi ,nuk është që pa arsye që e kanë përmendur Liciniusin si Serb. ata dini diçka. Ata ishin të bindur që serbë në gadishullin Balkanik kishte edhe para kohës së Konstatinit të Madh ,pra shumë më herët dhe si të tillë ishte normale që ato burime kishtare serbe të ceknin lidhjet e Perandorisë Romake me serbët dhe ndodhitë e kohës ku serbët ishin pjesëmarrës. Në ato rrethana që egzistonin e të mos përmendet Liciniusi ishte dhe është e pa kuptueshme. Nuk është fjala vetëm për qëndrimin e tij ndaj Krishterimit si ideologji por edhe për shtetin e popullit që ai e udhëhiqte , e ai popull që jetonte qoft në anën e epërme të Danubit në Daki , qoft në lindje të Danubit në Anadollinë Serbe Liciniusi ishte Serb.
“ Në çdo rast , nëse nuk përmendet Liciniusi si serb ,historia e Serbisë nuk është komplete , pa marrë parasyshë se cilën imperatori ai e udhëhiqte. “ .“ Të shofim se si shkrimtarët tonë kishtarë (serb fxh) të vjetër e përmendnin Liciniusin si Serb edhe si imperator. Kështu në Gjenealogjinë e Karlovcit shkruhet :” Ky ,Licininusi ishte sundues dhe zotëri dalmatas , me origjinë serbe dhe i rodit të Konstantinit djalit të Bela Uroshit.”
“Në atë gjenealogji shkruhe se lindja e Krishtit lidhet me kohën e sundimit të imperatorit Augustus, prap se prap përmendet Liciniusi serb i cili e muarr motren Konstanitinit për grua”

Pa dashur të komentoj më tepër po i japi edhe ato se çka shkruan Miroslav Qosoviç””Kam shkruar për projektin poltik me anë të të cilit serbizmi është menduar si ideologji politike në gjysmën e parë të shek XIX-të ,dhe që i pari njeri që e ka filluar përhapjën e serbizmit ishte Sima Milutinoviç Sarajlija. Dhe me këte kuptohet që asnjë Petroviç , Balshiq , apo Vojisavljeviç nuk e konsideronte vetën serb për nga kombi apo për nga përkatësia etnike “

11.05.13 Gjakovë

Filed Under: Komente Tagged With: Fahri Xharra, perandor i Romes, Shajkaqa

BLERTË A.PREBREZA, KA NISUR UDHËN E LETËRSISË…

May 12, 2013 by dgreca

-Përurohet në Tiranë libri i dytë në prozë, “Fati dhe stinët” i krijueses nga Fushë-Kosova –
Nga Prof. MURAT GECAJ
1.
Një telefonatë e paparitur në banesën time, më bëri të ngrihem si në “alarm”. Kolegu e miku im, shkrimtar e publicist nga Prishtina, Xheladin Mjeku, në mbrëmjen e së shtunës më informoi se pas një ore, do të përurohej një libër i ri, me autore një krijuese nga Fushë-Kosova. Ndërsa shpejtoja të arrija në orën e caktuar, në mjediset e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve të kryeqytetit, sillja ndërmend disa krijuese femra. Rasti e ka sjellë, që kam marrë pjesë në përurime ose dhe kam shkruar për librat e tyre të rinj. Me nderimin dhe kënaqësinë ndaj punës e talentit të shprehur, në ato botime, me poshtë po i renditi emrat e tyre. Siç vërehet lehtë, shumica e tyre jetojnë dhe punojnë në emigracion, gjë që shprehet, me mall e dhimbje edhe në krijmtarinë e tyre. Ato janë: Enkelejda Kondi (Francë), Raimonda Moisiu (Nju Jork), Alketa Dervishaj (Tiranë), Dëshira Haxhi (Greqi), Vilhelme Venari (Vlorë), Zyrafete Manaj (Suedi), Belantina Venari (Elbasan), Makfire Canolli (Nju Jork), Enxhi Bardhaj e Anila Dahriu (Itali), Lumturi Ymeri-Bersava (Tiranë), Shadije Hotnjani (Gjermani), Shefqete Gosalci e Albulena Pllana (Prishtinë) e të tjera.
Salla, ku ishte organizuar përurimi, kishte gjallëri të veçantë. Përveç krijuesve të shumtë nga Tirana, ndodheshin nga media e shkruar dhe ajo elektronike. Ndërsa ishin të pranishëm afër 40 shkrimtarë, poetë e publicistë, të adhur posaçërisht nga Prishtina e qytete tjerë të Kosovës dhe shumica e tyre nga Fushë-Kosova, ku jeton me familjen, e reja krijuese, Blertë A.Prebreza. Ndër ta, ishin edhe krijuesit Xheladin Mjeku, Nebih Bunjaku e Ismail Simnica dhe mungonte, sigurisht “me arsye”, poeti dhe publicisti i njohur nga ajo krahinë, Skënder Zogaj, për të cilin u dërguan përshëndetje të përzemërta. Por, ndoshta, do të ishte i pranishëm aty edhe krijuesi i talentuar dhe i paharruar, Adem Berisha-Gjurgjeviku, sikur të mos ishte ndarë përgjithnjë e tragjikisht nga jeta, pikërisht një vit më parë!
Mirëseardhjen, në atë tubim festiv, ua uroi të ftuarëve jo vetëm Blerta, por dhe disa pjesëtarë të tjerë të familjes: i jati, Arsimi e xhaxhai dhe dy motrat.
2.
Fjalën e hapjes e mbajti redaktori i librit të ri, me novela ose skica, “Fati dhe stinët”, Demir Gjergji. Pastaj, me radhë, u ndalën në vlerat e këtij botimi, krijuesit e njohur: Asllan Qyqalla, Behar Gjoka, Izet Hoti, Rexhep Shahu, Hysen Ndreu, Kozeta Zavalani, Nazmi Bitri, Fahri Fazlliu, Xhelal Lufta, Shefqete Gosalci. Emocione shkaktoi edhe fjala, në emër të familjes, nga motra e Blertës, Rina. Ndërsa u ndoqën me interes edhe recitimet e pjesëve të këtij libri, nga Agim Xheka. Si zakonisht, në fund u shprehi falënderimet e përzemërta, si folësve dhe pjesëmarrësve, autorja e librit, Blertë Prebreza. Po kështu, ajo falënderoi familjen e saj për mbështetjen, që i japin në udhën e gjatë të krijimtarisë.
Pastaj, autorja ua dhuroi pjesëmarrësve, me shënimin e saj të ngrohtë, librin e ri dhe së bashku morën pjesë në koktejin e rastit. Në këtë tubim të bukur dhe mbresëlënës, pjesëmarrësit bënë mjaft fotografi, për kujtim.
3.
Blerta ka lindur më 22 nëntor 1993, në Prishtinë. Dëshira për të krijuar i lindi që në shkollën fillore “Selman Riza” të Fushë-Kosovës. Shpesh herë, është aktivizuar në veprimtaritë e ndryshme kulturore-artistike, që janë organizuar aty dhe u dallua me krijimet e para të saj. Për këtë arsye, ka merituar “Mirënjohje” dhe vlerësime të tjera.
Kënaqësi e veçantë për të, familjarët dhe mesuesit e nxënësit e shkollës së saj, ishte publikimi i librit të parë me tregime, “Hija e dritës”, nga SHB “Sas” e Prishtinës, në vitin e kaluar. Por ajo nuk u ndal me kaq, në udhën e bukur e të vështirë të letërsisë. Kështu, sivjet përzgjodhi pesë novela ose skica dhe i paraqiti në SHB “Ada” të Tiranës, me drejtor Roland Lushin. Kujdesi i përbashkët, bëri që edhe ky libër të shihte dritën e botimit. Kështu, Blerta arriti të merrte përgëzime e vlerësime, në përurimin e organizuar dje, në Tiranë. Ndër të tjera, krijimet e saj shquhen për aktualitetin e tyre dhe ndjenjat e holla, që i përshkojnë.Siç u pohua aty, krahas vazhdimit të maturës, tani Blerta po punon për përfundimin e një romani. Gjithashtu, e vijon bashkëpunimin me gazetat e Kosovës, si “Zëri”, “Koha ditore”, “Kosova Sot” etj. dhe është pjesëmarrëse në emisione të ndryshme, në radio e televizion.
E urojmë sinqerisht këtë autore të re, për vendosmërinë e saj, në udhën e krijimtarisë, duke e konkretizuar këtë punë edhe me botimin e dy librave të parë!
Tiranë, 12 maj 2013

Filed Under: Kulture Tagged With: Blerte Prebeza, Fati dhe stinet, Murat Gecaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5449
  • 5450
  • 5451
  • 5452
  • 5453
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT