• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Vëllai i pengut”, një libër i vlefshëm për të tria kohët

February 11, 2013 by dgreca

Nga Gëzim ZILJA/

Reshat Agaj ishte nga ata të paktët shqiptarë i viteve tridhjetë që pasi mbaroi studimet jashtë shtetit, u kthye në atdhe për të punuar e jetuar. Ishte një nga intelektualët e spikatur të asaj kohe jo vetëm në rrethin e Vlorës, por edhe më gjerë. Me shkollën e kryer jashtë shtetit e diplomën e ekonomistit, ai ndoshta do të bënte një jetë si gjithë njerëzit e kësaj bote të lidhur fort me familjen dhe tokën që e lindi. Por nuk qe e thënë. Në fund të jetës së tij ai shkroi kujtimet e veta si një amanet për njerëzit e afërt dhe të fisit të tij. Për librin është shkruar edhe më parë dhe në këto shënime të mia nuk dua të përsërisë ato që janë thënë por dua të diskutoj për disa aspekte të tjera të veprës. Po të qe për gjithë sa shkruan Reshat Agaj, nuk do të mjaftonin dy-tri fletë A4, por sigurisht një libër tjetër, ndoshta me më shumë faqe se ai i Reshatit. Në shtator të vitit të kaluar, doli në qarkullim ribotimi i librit “Vëllai i pengut”, i shkruar nga Reshat Agaj, i plotësuar dhe me komente nga shkrimtarë e personalitete të ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Në këtë libër me kujtime që autori e quan “radhor” tregohet jeta e tij e kaluar në vuajtje e tortura të pabesueshme, thjesht se u ndodh apo ishte në anën tjetër të barrikadës jo në atë të komunistëve. Ashtu si shkruan ish-Kryeministri i qeverisë së parë demokratike pas diktaturës Aleksandër Meksi: “Fajet e tij ishin dashuria për atdheun, dashuria për liri dhe drejtësi shoqërore.” Ndërsa vetë Reshat Agaj për librin e vet shprehet: “I shkruaj kujtimet e jetës sime, jo se janë të rëndësishme për historinë se unë jam njeri i thjeshtë pa ndonjë pozitë politike të lartë, por sepse ato janë të rëndësishme për njerëzit e fisit tim që do të vijnë pas meje. Këtë radhor dhe të tjerë radhor ua lë kujtim fëmijëve të mi”. Tridhjetë e dy vjet pasi ka mbaruar së shkruari kujtimet e veta, vërejmë se ato kanë vlerë jo vetëm për pasardhësit e fisit të tij, por për gjithë shoqërinë shqiptare, për të shkuarën, për të sotmen dhe për të ardhmen. Ne duhet të njohim historinë tonë, ne duhet të dimë nga vijmë dhe ku shkojnë, ne duhet të kuptojmë se ajo luftë vëllavrasëse dhe regjimi komunist dyzetvjeçar, e përçau dhe u përpoq të ngrinte si kult urrejtjen ndaj njeriut, duhet të kuptojmë se urrejtja të çon drejt greminave, shkatërrimit e vdekjes dhe se vetëm me dashuri mund të ndërtohet e të ngrihet një shoqëri ku njerëzit të ndihen të barabartë para ligjit. Ky është një nga mesazhet më të fuqishme që jep Reshat Agaj në kujtimet e tij.

Jo pak është shkruar këto njëzetë vjet për atë periudhë sidomos nga një grup i madh njerëzish që provuan burgjet dhe tmerret e tjera të diktaturës. Ne i lexojmë dhe kuptojmë (dhe ky është një mesazh tjetër i autorit) se për të jetuar në një botë më të mirë njerëzit duhet të punojnë me këmbëngulje, ndershmëri, vetëmohim e duke sakrifikuar. Ndryshe e keqja e zezë mund ta pllakosë sërish shoqërinë shqiptare ose progresi drejt një bote më të mirë do të shënohet me hapa breshke.

Ndoshta pak nga idealistët dhe atdhetarët e asaj kohe e kuptuan që në fillim se komunizmi sllav në Shqipëri, do të shkaktonte aq gjakderdhje, vuajtje dhe varfëri. Kur ajka e shoqërisë shqiptare do ta quaja, ai grup intelektualësh dhe luftëtarësh e kuptoi se çfarë përfaqësonte në të vërtetë komunizmi, e panë veten në burgje, në internime apo para togës së pushkatimit. Ndoshta Reshat Agës kurrë nuk ia merrte mendja se shokët e tij me të cilët ishte rritur si Kadri Hazbiu, Mehmet Shehu e Hysni Kapo do të shndërroheshin në kriminelë të atij kalibri sa të vrisnin pa iu dridhur qerpiku vëllezërit dhe të afërmit e tyre të pafajshëm në emër të idealit absurd komunist. Takimet e tij gjatë burgut me këta dy “shokë fëmijërie” janë të dhimbshme dhe tronditëse. Ja si thotë njeriu i mirë dhe patrioti Reshat Agaj në një takim me Mehmet Shehun shokun e dikurshëm të shkollës, që madje i kishte dedikuar edhe vargje ku shprehte dashurinë vëllazërore për Reshatin. Kjo ndodhte në vitin 1937. Dymbëdhjetë vjet më vonë Mehmet Shehu, tashmë njeri i rëndësishëm i diktaturës, takon autorin e librit në burg. Ka një dialog aty të riprodhuar me aq vërtetësi, ku del hapur humanizmi, trimëria dhe zgjuarsia e Reshat Agës dhe cinizmi, mashtrimi dhe padrejtësia kriminale e Mehmet Shehut. Zoti Agaj shkruan; Kur erdhi pranë meje (Mehmet Shehu. shën. im) që isha midis Xhelal Shaskës dhe Rrok Gerës u ndal, më njohu menjëherë dhe tha këto fjalë: “ E more Reshat, është mirë këtu ku je nashtinë? Ti deshe të sillje këtu, mua dhe miqtë e mi, por ne qemë më të zotët dhe të suallmë tyj këtu, bashkë me shokët e tu”. Unë i tretur dhe i rraskapitur u çudita kur dëgjova këto fjalë nga numri një i regjimit… E mora veten dhe i thashë: “Unë shoku Memet s’kam dashur të sjell asnjë njeri në burg e jo më tyj, që kemi qenë njëherë shokë të dashur.” Ky dialog me Mehmet Shehun dhe të tjerë me Kadri Hazbiun, tingëllojnë aq aktualë sot kur njerëz gjithfarësh ish-komunistë ish-sigurimsa dhe lloj-lloj qelbësirash, shkruajnë në shtyp e dalin në TV, duke dashur të rehabilitojnë këto figura gjakësorësh që vranë, izoluan e varfëruan popullin shqiptar për dyzet e pesë vjet me radhë. Reshati nuk pati fatin (vdiq më 1981) të shoh me sytë e vet si përfunduan udhëheqësit komunistë Shehu e Hazbiu. Ndoshta në ëndrrat e tij profetike Reshati ynë i dashur e ka parë fundin e tyre, edhe pse nuk na e thotë në kujtimet e veta.

Pas një endjeje të gjatë në perëndim dhe një eksperience të jashtëzakonshme Reshat Agaj, tashmë një burrë i pjekur, shkruan për komunizmin duke i bërë një analizë të shkëlqyer: “Që komunizmi është një sistem jete dhe një filozofi ekonomike që mbahet në këmbë vetëm me fuqinë e diktaturës dhe të shtypjes në çdo llojshmëri të shtetit komunist u provua katërcipërisht në këtë pasluftë. Ai s’ka asgjë të përbashkët me lirinë e individit dhe liritë që ai premton janë liri nën kërbaçin e partisë jo liri personale në kuptimin e gjerë të fjalës liri. Njeriu në këtë sistem është një vegël e pakuptimtë në makinën e madhe të partisë …” Por ai rrëfen e rrëfen dhe ne mësojmë jo vetëm për jetën e tij tragjike personale, por edhe për një brez të tërë njerëzish të shkëlqyer që diktatura internoi, burgosi, vrau madje i la dhe pa një varr. Me pak fjalë, por me një ngarkesë të madhe emocionale, z. Agaj na përshkruan fatin e intelektualëve që ndihmuan në tharjen e kënetës së Maliqit. Ai përmend disa nga ata që u dënuan në gjyqin e famshëm të Maliqit, veçanërisht figurën e inxhinier Kujtim Beqirit, diplomuar me Medalje të Artë në Vjenë, shokut dhe mikut të tij të ngushtë, qëndrimin e tij burrëror para bishave komuniste që e dënuan me varje në litar. Ja si përshkruan ai një ditë terrori në kënetën e Maliqit: “Aq i tmerrshëm ishte terrori i asaj dite saqë, kur e pashë veten në pasqyrë të dielën që erdhi, vura re se që nga mesi i ballit e deri prapa kokës një vijë e bardhë ishte formuar në flokët e kokës time. Këta flokë më ishin zbardhur në çast”

Kur lexon vuajtjet e të burgosurve që punonin në Kënetën e Maliqit, mendja të shkon te ferri. Pa shumë ngarkesa letrare, por me një gjuhë të rrjedhshme e të kuptueshme, me durim, deri në hollësi e me një vërtetësi që të çarmatos përshkruhet sesi rropateshin të burgosurit e pafajshëm në mes mushkonjave, shushunjave e morrave, nën kërbaçin e pushkët e policëve që në çdo çast nuk e kishin problem tua merrnin jetën me një plumb pas koke skllevërve të kënetës. Nëse ka një ferr, nëse ka pasur një Aushvic, Buhenvald e Treblinka ku njerëzit piqeshin në furra e mbyteshin në dhoma gazi, në Shqipëri ka pasur një kënetë Maliqi ( dhe jo vetëm kjo) ku njerëzit janë masakruar, janë varrosur të gjallë e të vdekur, në baltën e ujërat e ndenjura të asaj kënete. Faleminderit Reshat që nuk na lë të harrojmë se ç’është e çka bërë komunizmi shqiptar me ato që shkrove në atë radhorin tënd të çmuar.

Në kujtimet e Reshat Agës ne njihemi me një njeri të mirë patriot, të besës e të fjalës por edhe me një njeri të ndjeshëm të dashur që do e respekton familjen, fisin, vëllanë, gruan e fëmijën. Si një njeri i traditës shqiptare ai habitet dhe nuk është dakord me martesën e Leka Zogut me një grua të divorcuar e me fëmijë. Dhe i vjen keq. Por nga ana tjetër ngrihet deri në madhështi figura e gruas shqiptare. Ka disa gra të fisit të tij që ai përmend në librin e tij që të mahnitin me vlerat e sjelljet e tyre. Vetë gruaja e tij është një shembull i pabesueshëm I ndershmërisë dhe qëndresës. Vetëm njëzet e dy vjeçe, tremuajshe shtatzënë, pas arratisjes së burrit të vet ajo vuri shaminë e zezë në kokë, i vuri shpatullat familjes, rriti plot sakrifica dhe dinjitet vajzën e saj të vetme dhe nuk u martua kurrë. Pas 44-vjetësh, ajo “takoi” burrin e vet atje në SHBA, ku i vendosi një tufë lulesh mbi varr. Asnjëherë njeriu nuk e di sa i fortë është, do të thosha, derisa fati nuk e ka përballur me fatkeqësinë. Megjithatë, Reshat Agaj është optimist. Ja si shkruan ai që unë mendoj se është amaneti i tij i fundit: ”Unë besoj ngulmërisht, besoj në një ditë lirie për popullin e shumëvuajtur shqiptar dhe këtë besim të thellë ma kanë frymëzuar ëndrrat e mia të cilat unë i besoj thellësisht me tërë fuqinë e shpirtit të shumëvuajtur. Vetëm Zoti i jetës e di nëse unë do t’ia arrij kësaj dite ose jo”. Kjo të kujton një nga thëniet e poetit tonë kombëtar Naim Frashëri: “Që do të bëhet Shqipëria unë e di, po a do të arrij unë i varfëri të shoh gjë”. Po Shqipëria do të shtoja unë, i zgjat pambarimisht punët e mira, e i bën aq ngadalë sa që një jetë njeriu nuk mjafton.

Së fundmi, dua të përmend punën e kujdesshme e të palodhur të bashkëshortëve Finlanda Agaj-Gjonzeneli, Teki Gjonzeneli dhe fëmijëve të tyre për të na i dhënë këto kujtime në formën e një guri të çmuar. Gjaku nuk humbet, soji është soj, më thoshte im atë dikur. Në këtë rast kjo thënie e tij vërtetohet plotësisht.(kortezi REPUBLIKA)

Filed Under: Kronike Tagged With: Gezim Zilja, Vellai i Pengut

11 Shkurt 2008 : 5 vjet nga vdekja e mikut të madh të shqiptarëve Tom Lantosh

February 10, 2013 by dgreca

Tom Lantosh, ishte i përcaktuar nga kurajo, optimizëmi dhe përkushtimit të palëkundur për parimet e tij dhe të familjes së tij!

Nga BEQIR SINA, New York

WASHINGTON D.C: Më shkurt 2008 vdiq ish kongresisti demokrat i Kalifornisë Tom Lantosh – një mik i madh i shqiptarëve në kongresin amerikan. Pesë vjetë më parë kët lajmë e njoftoi zëdhënësja e zyrës së tij, Lynne Weil teksa deklaroi se :” Në mëngjesin e 11 shkurtit 2008 80-vjeçari Lantosh vdiq në spitalin Bethesda Naval Medical Center në Maryland .

Kur vdiq Lantosh, tha Weil, ai ishte i rrethuar nga gruaja e tij Annette Lantos, vajzat Annette dhe Katrina , dhe 18 nipër e mbesa e tij si dhe dy nipërit e mbesat e mëdha-.Gruaja e tij Annette Lantos, mbas vdekjes së burrit të saj në një deklaratë, për shtypin amerikan tha ” se jeta e burrit të saj ishte “përcaktuar nga kurajo, optimizëmi dhe përkushtimit të palëkundur për parimet e tij dhe të familjes së tij.”
Zëdhënësja e zyrës së tij, Lynne Weil në emër të familjes sqaroi se :” I ndjeri Lantosh pasi u diagnostikua me kancer të ezofagut në fund të dhjetorit 2007, njoftoi vetë se nuk do të kërkonte më rizgjedhjen në zonën elektorale ku ai përfaqësoi në Kongres për 30 vjet vend-banimin e tij pjesën jugperëndimore të San Franciskos dhe rrethinat në jug të tij duke përfshirë edhe shtëpinë e familjes Lantos në San Mateo Kaliforni.. Lantosh, i cili u bë kryetar i fuqishëm i Komitetit të Kongresit për Politikën e Jashtme të SHBA, deklaroi se sëmundja nuk do të lejojë të përfundojë mandatin e tij 14-vjeçar, ndërsa i ishte nënshtruar dy trajtimeve të kancerit në fyt.
“Tom Lantosh ka qenë një ndër të vetmit kongresmen në Shtetet e Bashkuara që i mbijetojë Holokaustit një luftëtar anti-nazist, mund të marrë një shkollim, ngriti një familje, dhe kishte privilegjin të shërbyer tre dekada e fundit të jetës së tij si një anëtar e Kongresit. Lantosh në fillim të vitit 2007 la një mesazh të fort për SHBA, kur deklaroi se : “Unë kurrë në jetën time nuk do të jemë në gjendje të shpreh mirënjohjen time të plotë, për atë që kam ndjerë thellësisht në këtë vend të madh.”
Tom Lantosh ka lindur 1 shkurt 1928 në Budapest në një familje të klasës së mesme hebre, Lantosh ishte 16 vjeç kur nazistët pushtuan Hungarinë dhe e dërguan atë në një kamp të punës. Ai u arratis dy herë nga kampi dhe në fund ai u sterhua në një shtëpi të sigurt i ndihmuar nga një ish diplomati suedez Raoul Wallenberg. Me shumicën e familjes së tij të vrarë nga nazistët, Lantosh u bashkua me bllokun e rezistencës. Ai mbërriti në Shtetet e Bashkuara në vitin 1947 mbasi ksihte marrë një bursë kolegji. Dhe, mbasi mori një diplomë në master në ekonomi në Universitetin e Uashingtonit dhe një doktoraturë në ekonomi në Universitetin e Kalifornisë Berkeley-. Lantosh dha mësim 30 vjet në Universitetin Shtetëror të San Franciskos, deri sa pati fituar për herë të parë një vend në vitin 1980 në Dhomën e Përfaqësuesve – Kongresin e SHBA.
Në Kongres, Lantosh ka folur për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut kudo në botë, të bazuar në njohuritë e tij mbi shkeljen e të këtyre lirive dhe të drejtave, sidomos në Shqipërinë komuniste dhe liritë e të drejtat e njeriut në Kosovë dhe viset shqiptare nën sundimin sllavo – komunist. Për këtë, Lantosh njihet dhe do të kujtohet gjatë si bashkë-themelues i Komitetiti të Kongresit për të Drejtat e Njeriut – Grupit të Përfaqësuesve në vitin 1983.

Në Maj 1990, Ish-Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Perez de Cueller, Kongresmeni Amerikan, Tom Lantosh, dhe ish kongresmeni Jospeh J. DioGuardi, ishin të parët nga prendimi që mbërrijnë në Shqipërin komuniste, totalitare,e të izoluar tërësisht, e mbytyr në skamje e mizori, që bënë një vizitë
treditore. Ata u takuan me ish kryetarin e at’hereshëm të fundit komunist, Ramiz Alinë, dhe i kërkuan atij të ndrronte kursin, e të hapte vendin e tij drejt perendimit.
Lantosh, mbetet kështu një nga mbështetësit e palodhur i njerëzve të shtypur. Ai gjatë karjerës së tij nuk ka ngurruar të ndërmarrë hapa të pazakontë, kur ka qenë fjala për rrëzimin e tiranëve. Ai ka qenë i gatshëm të takohet me udhëheqës të tillë si Ramiz Alia në Tiranë, Gaddafi në Libi, me udhëheqjen e Koresë së Veriut dhe me shumë të tjerë, të cilët nuk janë aspak popullorë dhe me të cilët është një rrezik të takoheshe.

Rrezik në kuptimin e politikës së brendëshme amerikane. Tom Lantosh gjithnjë e ka kuptuar se sa rëndësi do të kishte hapja e këtyre vendeve dhe se një pjesë e kësaj hapjeje, e heqjes qafe të këtyre diktatorëve, ishte hyrja në këta vende. Ai ishte i gatshëm të rrezikonte emrin e tij personal duke u takuar me, Ramiz Alinë, Moumar Al Gadafin, me udhëheqjen e Koresë së Veriut dhe me shumë të tjerë.

Pas tri dekadash në shërbimi publik, anëtari i njohur i Kongresit amerikan, Tom Lantosh, njëri nga mbështetësit e fuqishëm të të drejtave të njeriut, u tërhoq krejt paprimtas, në dhjetor të vitit 2007 nga diagnoza e kancerit të fytit. Demokrati Lantosh, kryetar i Komisionit të Jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve, ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në përhapjen e lirisë në botë, portreti i kongresmenit Lantosh është i njohur gjithashtu edhe si një nga mbështetësit e pavarësisë së Kosovës shumë kohë përpara se kjo çështje të merrte rëndësinë që ka sot në skenën ndërkombëtare.

I ndihmuar nga miku i tij i madh Joseph J. DioGuardi, Presidenti i Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane , lobit të parë dhe të vetëm shqiptarë në SHBA, ai u bë një nga përkrahsit dhe mbështetëstit më të fuqishëm në Kongresin Amerikan i çështjes së Kosovës, dhe i të drejtave të shqiptarëve nën sundimin e barbarë të Millosheviqit.

Ai u dallua në aktivitetin e tij edhe si mbrojtës i çështjes shqiptare në tërësi, kampioni i lirisë e i demokracisë në Shqipëri. Si bashkëthemelues i grupit të Kongresit për të Drejtat e Njeriut në vitin 1983, Lantosh ka mbështetur ndihmën për ish vendet komuniste të Europës Lindore dhe të ish Bashkimit Sovjetik. Ai ka qenë një kritik i hapur i shkeljeve të të drejtave të njeriut në botë, edhe kur zëri i tij ishte zë i pakicës së vogël.

Në fillim të vitit 2004 ai udhëhoqi delegacionin e parë të kongresit për Libinë në më shumë se 30 vjet, duke u takuar personalisht me Kadafi Gadafit dhe duke i bërë thirrje administratës së Bushit për të treguar “besim të mirë” për udhëheqës të Afrikës Veriore në zotimin e tij për të braktisur programet e armëve bërthamore. Më vonë atë vit, Presidenti Bush hoqi sanksionet kundër Libisë.

Zonja Shirley Cloyes DioGuardi, e cila është Këshilltare e Çështjeve Ballkanike e LQSHA, ka, thënë mbas vdekjes së tij se “, Lantosh ka qënë sipas saj “i perkushtuar emocionalisht dhe intelektualisht” për t’a ndihmuar popullin shqiptar. Ai ka qënë i zotuar që “t”i trajtoje problemet e tyre në nivelet më të larta në Washington DC, pra, dhomën e përfaqësuesve – Kongresin Amerikan.”Kongresmeni demokrat i Kalifronisë, Tom Lantosh, ka qënë i gatshëm për të ndërkombëtarizuar Çështjen e Shqiptarëve kudo,. Tom Lantosh, ka qënë ligjëvënës demokrat, i Kalifornisë, ai ishte me origjinë hebreje, i mbijetuari nga kampet e çfarrosjes – Holokausitit.

Ndërkohë, duhet të përmendet se Tom Lantosh është nderuar edhe me çmimin “Paqe për Ballkanin”: një shqiponjë prej alabastri të gëdhëndura në Shqipëri, nga skulptorët shkodran, ku shqiponja shqiptare qëndron krenare mbi një copë dru qershie, që shërben si bazë dhe mbanë të gëdhëndur një kushtim në formën e mbishkrimit “Albanian American Civic League – Balkan Peace Award- July 2, 2003”. Ky çmim ndahej sipas traditës, që kishte krijua kjo organizat lobiste, Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane, dhe iu dha atij gjatë një ceremonie impresive, mbushur plot me ndjenja të forta respekti, në kryeqytetin amerikan, Uashington DC, më 2 Korrik 2003.

Në emër të të gjithë shqiptarëve, demokratë dhe liridashës kudo, Tom Lantosh përkujtohet edhe sot për veprat historike të Kongresistit që ka lënë pas vetes. I ndjerë Tom Lantos që ai i cili bashkëthemeloi me Presidentin George W. Bush Fondacion Memorial – Viktimat e Komunizmit, dhe i cili gjithashtu ishte arkitekti nismëtar i njohjes së plotë diplomatike të Shqipërise nga Shtetet e Bashkuara në qershor 1990, me rivendosjen e marrëdhënive diplomatike mbas 50 vjet të prishura nga Enver Hoxha dhe të pavarësisë së Kosovës në shkurt 2008.

Në këtë kontekest, DioGuardi presidenti i LQSHA, ka thënë, atëhere se ia jepte këtë çmim mikut të tij dhe të shqiptarve Tom Lantosh, pasi ai ka dëshmuar pa ekuivoke, mbështetjen e tij për aspiratat demokratike të shqiptarve të Kosovës. Lantosho ka thënë DioGuardi, ka dhënë kontributin institucional gjatë kësaj periudhe, si dëshmi se po vepronë sipas interesave jetësore të vetë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e komunitetit ndërkombetar i angazhuar, për të arritur paqe të qendrueshme dhe stabilitet në Ballkan, e me gjerë . DioGuardi, ka deklaruar se e pati bërë këtë zgjedhje për Lantosh, për të rikujtuar punën e madhe, që ka bërë ai për pavarsinë e Kosovës, Rezolutat për Kosovën. Njëra prej tyre e cila është dhe e para në historin e rezolutave të Kosovës në kongres; Rezoluta që njihet H. Con. Res. 162 dhe është paraqitur në vitin 1987, korrik 15, kongresi 100-të e firmosur nga 55 kongresmen amerikan

Grupe të shqiptarëve të udhëhequr nga DioGuardi, në çdo fushatë kan mbështetur Tom Lantoshin, siç treguar ata;” Këtë e kan bërë për të nderuar figurën e kongresmenit Tom Lantosh, i cili njihej edhe si një mik i dëshmuar i shqiptarëve dhe veçanërisht, për lidhjet e tij me ish kolegun në kongres, zotin Joseph J. DioGuardi. Por, edhe për një respekt, për punën e tij si ish – Kryetari i Komitetit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Tom Lantos, do të mbetet një mik i shquar i shqiptarëve, i njohur në Washington si kampion i të drejtave të njeriut, avokati për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe kongresmeni që bëri aq shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në disa seanca dëgjimore sponsorizuar nga DioGuardi, dhe shëmbjen e komunizimit në Shqipëri.Ai u dallua edhe me kolegët e tij në Kongresin e SHBA, ish kongresmenin republikan i Illinoit, i ndjeri Henry Hyde, ish kongresmenin republikan i New Yorkut, tani në pension, Ben Gilman, dhe kongresmenin republikan të Kalifornisë Dana Rohrabacher, teksa ata dy dekadat e fundit nxorrën disa rezoluta, të sponsorizuara nga Liga Qyetare, kundër regjimit të Millosheviqit që po ushtronte dhunë dhe genocid të paparë ndaj shqiptarve në torjet e tyre etnike. Ata e ngritën zërin disa herë duke kërkuar së bashku me kongresmen dhe senator, të tjerë, miq të shquar dhe të dëshmuar të shqiptarëve në Washington, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për më shumë të drejta për shqiptarët në trojet e tyre .

Filed Under: Featured Tagged With: 5 vjet nga vdekja, Beqir Sina, Tom lantosh

A E DI KRISTO PAPA SE ÇFARË KANË THËNË STUDIUESIT GREKË PËR ÇAMËRINË?

February 10, 2013 by dgreca

– Kristo Papa, e din mirë, që ka një varg studiuesish grek, si Zonja Elefteria Manda dhe Jorgos Margaritis, që thonë:  “Krimet e pashëmbullta dhe çpopullimin e territoreve çame e kanë krahasuar me genocidin nazist ndaj hebrejve./

– Aleksandër Lambert është shprehur se: “Europa duhet të jetë krenare që të ketë në gjirin e saj kombin shqiptar… Janë një popull me vlera historike dhe kulturore./

 Nga Rasim Bebo/

Javën e fundit të janarit 2013, u intervistua nga Artur Zhei, deputeti grek i “Agimit të Artë” Kristo Papas. I cili nxorri shumë vrerë nga goja e tij kundër vendit tonë. Kristo Papa Thotë: “Shqipëria është një shtet i krijuar artificialisht,  njëqindvjeçar, në rajonin tonë. Këta kusarëve na shtypin vëllezërit tonë grek. Duhet ti bëjmë që të kuptojnë njëherë e mirë se çfarë do të thotë Greqi. (1)

Ndalu pak z. Kristo se e keni marë me shumë nxitim, Maks Zotaj citon Prof. Robert Temple i cili thotë: “Grekët dhe hebrejtë janë shumë të vonshëm në historinë e lashtë, sa që mund të themi, që bëhet fjalë për mijëra vite distancë (“të parët janë shqiptarët”). Emrat Greqi dhe Hebre, u degjuan vetëm pas shek të 10 për hebrejtë dhe të 7 për grekët p.e.s. (2).

Ndërsa, Aleksandër Lambert thotë: “Europa duhet të jetë krenare që të ketë në gjirin e saj kombin shqiptar… Janë një popull me vlera historike dhe kulturore. Janë ENGJEJ. Këtë e kanë treguar me shembuj gjatë gjithë periudhës së sigurimit të mbijetesës së tyre. Askush nuk mund t’u ndërrojë bindjen shqiptarëve për dinjitetin e tyre kombëtar, për të cilin ata kanë të drejtë të jenë krenar. (3).

Kristo Papa vazhdon: “Çështja çame për ne nuk egziston, për fat të keq që diskutohet në këto çaste. Çështja çame është zgjidhur njëherë e përgjithmonë në periudhën 1944-1945 nga strategu i guximshëm dhe i zoti, Napolon Zerva me ushtrinë e tij. Ata pak banorë myslimanë të zonës bashkëpunuan me armikun kundër grekëve dhe morën përgjigjen e duhur. Çamët nuk janë grekë në asnjë rast. Ata goditën dhe luftuan Greqinë dhe ajo tokë nuk u përket. Ajo është tokë greke. (4).

Kristo Papa, e din mirë, që ka një varg studiuesish grek, si Zonja Elefteria Manda dhe Jorgos Margaritis, që thonë:  “Krimet e pashëmbullta dhe çpopullimin e territoreve çame e kanë krahasuar me genocidin nazist ndaj hebrejve. Këta shkruajnë: “…regjimi që kishte vendosur në vendin fqinj Fronti Çlirimtar i Shqipërisë, nuk pranoi të vazhdonte raprezalje në kuriz të minoritetit grek, që jetonte në vendin fqinj. Në kundërshtim me praktikat e vazhdueshme ballkanike, gjaku nuk u shpërblye me gjak dhe dëbimi nuk u shpërblye me dëbim. …Vendi ynë “mesoi qytetërim”…sigurisht nuk vjen nga pala greke. (5).

Çamëria u pushtua nga Greqia, në mars 1913, një popull autokton,  pasardhës i pellazgëve dhe Epirotëve të më vonshëm e sot shqiptarë, të masakruar nga krimineli Zerva. Ndërsa minoritetit grek i ardhur me trastën e lypsit në krah përpara rreth 200 vjetëve, filluan të punonin tokat e agallarëve të Gjirokastrës dhe Delvinës në Dropull dhe Vurg. Sali Berisha me ligjin agrar 7501 dekretoi dhënien në pronësi të tokave shqiptare më 1994. Gëzojnë të gjitha të drejtat sipas konventave ndërkombëtare dhe grekët prap na akuzojnë duke e ngritur kurdoherë minoritetin grek si mollë sheri.

Për “Protokollin e Korfuzit”. Komisioni ndërkombëtar i ngarkuar nga Fuqitë e Mëdha vijoi negociatat me autoritetet greke, ku ishin të pranishëm edhe “epirotët” e Zografit. Negociatat u mbyllën më 17 maj 1914 me “dispozitat e Korfuzit”, të cilat do t’iu parashtroheshin Kryeqyteteve Europiane, që lipsej të garantonin vënien e tyre në jetë, miratimi erdhi më 2 korrik 1914. “Dispozitat konfirmuan domozdoshmërinë e tërheqjes së plotë të forcave greke, prej Shqipërisë së Jugut”. (6).

Kristo Papas thotë: “…zgjidhja e vetme për çështjen e Vorio-epirit formulohet: Liri në Vorio-Epir. Kjo nënkupton: Ushrtinë greke do të jetë në Vorio-Epir. Ta dini këtë…”. Atëhere neve na ipet një shans i ngjashëm si i Milosheviçit që sulmoi Kosovën dhe Kosova u çlirua dhe u bë shtet i pavarur Shqiptar. Tani pritet rasti i Çamërisë dhe trojeve të tjera shqiptare. Gjithmonë është folur: “Pa Kosovë dhe Çamëri nuk ka Shqipëri”. Nëqoftëse doni ta përsëritni si në dy rastet e kaluar që u ka ndodhur, urdhëroni se u presim…

A.) Më 15 maj 1919 iu vërsulët mizorisht Anadollit, Izmirit dhe Thrakës. Dhe siç dihet, duke u vërtitur nëpër gjumë për të mbledhur mjengullën në thes, u rrëzuat nëpër buza e humnera aq keq sa thyet jo vetëm turrinjtë po edhe kokën. Gjatë verës së vitit 1922 u dërmuat e u shkatërruat përfundimisht. Kokë varur duke u rrukullisur e zvaritur u përplasët në bregdetin turk të Izmirit me 9-9-1922, shpëtuan më pak se gjysma, falë luftanijeve angleze që u tërhoqi.(7).

B.) Rasti tjetër është kur renegati shqiptar ish Ministri i Mbrojtjes Kiço Mustaqi erdhi me forcat greke në vitin 1997 dhe ngriti flamurin grek në Shqipërinë e Jugut. Por, gëzimin ua preu, Magdalena Ollbrajt kur ju tha: “Ju pushtuat Shqipërinë e Jugut, ne nuk e ndalojmë Turqinë qe t’u bjerë juve dhe qeveria turke u dha ultimatumin, ju u kthyet mbrapa me kokë varur pa arritur lumin e Shkumbinit, që ia kishit vënë syrin. Mbas 20 vjetëve kthehet në Shqipëri tradhtari Kiço Mustaqi, në vend që ta çonin përpara skuadrës së pushkatimit, jo që jo, por e priti Edi, Saliu, Fatosi e Janullatosi me nderime dhe bankete. Në biseda midis shokësh, Kiçua mburr demokracin greke dhe i vjen keq që ajo demokraci i mungon Shqipërisë. Mësoni ju shokët e banketeve: Po të aplikohej demokracia greke këtu në Shqipëri nuk do të kishte ngelur këmbë minoriteti, Dule, Tavo, Ksera me. Nëse ju filloni agresionin të cilin Janullatosi po e pregatit shkëqyeshëm për dy dekada dhe ju z.

***Ngjyra e verdhë është harta     e Greqisë vjetër

Kristo Papa me kërcënimin e pa fre që po dëgjojmë, ne shqiptarët u presim, se kështu do të vijë rasti i pritur si i Kosovës për të vendosur kufirin te kufiri i “Greqis së Vjetër” që kalon në jugë të Epirit dhe të Thesalisë dhe në veri të Eubesë. (shiko hartën ne enciklopedinë Amerikane, vol. 13, f. 377, bot. 1828, korigjimi në vitin 1971). (9).

 

 

VENDBANIMET ARVANITASE

Prapë kërkon dhe pretendon Greqia, “pushton Epirin e Veriut”  me ushtrinë e vdekur. Është në ngjajshmëri si varrezat e ushtarëve greke me kufoma shqiptarë   që ka ngritur Janullatosi për gjatë kësaj kohe. Ju kërkoni një hapësirë më të madhe… Gazeta kombëtare prej dy ditësh ka publikuar fakte që tregojnë se Athina zyrtare ka kërkuar nga Shqipëria lejen për të kryer kontrolle në 696 vende për eshtrat e ushtarëve të rënë para 72 viteve të luftës italo-grek. Sot ju sjellim një tjetër të dhënë, e cila zbulon se të 696 vendet…përkojnë saktësisht me kufijtë i magjinarë të “Eprit të Veriut”. Është e çuditshme se ky numur është i njëllojtë me 696 fshatra arvanito-shqiptare që ka zbuluar A. Belushi në Greqi. (A. Fico, “ILLIRIA” 28-3-2005).

 

… Kërkimet fillojnë: në Korçë, Pogradec, Gjirokastër, Përmet, Tepelenë, zbret në fshatrat e bregdetit në afërsi të Kepit të Gjuzës në Karaburun. Greqia kërkon eshtrat e ushtarëve të vrarë gjatë luftës italo-greke “pas 72 vjetëve”. Ç’farë absurditeti, Taciti Romak thoshte: “Humbi turpi, sundon poshtërsia, zanati i shpifjes nuk njeh turpin! Shpifja gjithmonë kërkon të vrasë të vërtetën … të vrasë historinë.  Këto pika kërkimi arrinë deri në afërsi të Elbasanit, ku asnjë këmbë ushtari grek nuk ka shkelur prej shekujsh. Këto kërkesa, kane arritur sa të kërkojnë autonomin e kësaj zone, e cila më pas do t’i bashkohet “tokës mëmë”.

Në këto fshatra shqiptare në Greqi rrjedh në dejet e tyre gjak shqiptari. Të parët e tyre ishin heronjtë mijëvjeçar të historisë greke dhe kurdoherë kanë marrë si dhuratë pabesinë. Ka nipër të tyre që kanë humbur idetitetin dhe nuk dinë ç’kërkojnë. (10).

A. De. Lamartine, pohon: “E vetmja gjë e patundur te shqiptarët është pasioni për pavarësi dhe lavdi. Ky pasion për lavdi është tipar mbizotërues i karakterit dhe burim i trimërisë së tyre. Shqipëria është toka e heronjëve të të gjitha kohëve”. (“Historia e Turqisë”, Laipcig, Ë. Ëerhard, 1885). (11).

Ky zotëri flet për vlerat e luftës dhe përpjekjeve të heronjve tanë duke i bërë të tyre Pirron e Epirit, Teuten, Gentin e me radhë Skënderbeun, udhëheqësit e revolucionit 1821 etj. Ç’farë maskarade luan greku me emisaret e saj!  Kristo Papas na akuzon se kemi vjedhur flamurin. Ne i referohemi historisë, që grekut nuk u njihej as nami as nishani atëhere. (Ju quheni grek pas vitit 1826), Volteri i antikitetit,  Lukiani i shek II-të shkruan: “Shqiponja jeton tani në qiell, rri mbi skeptrin mbretëror dhe vetëm sa s’bën edhe folenë në kokën e Zeusit” (Vepra të zgjedhura. Bot. shqip 1979, f. 17). Ne shqiptarët prej kësaj shqiponje të Zeusit e  kemi origjinën e Flamurit tonë.

Vazhdon Kristo Papa: “Popullsitë në veri të Greqisë janë popullsi që përbëhen nga grekë të cilët ndërruan besimin dhe fituan një ndërgjegje të rreme kombëtare, ndërsa shume mirë do të kishte mundësi që jo vetëm Vorio-Epiri por edhe e gjithë Shqipëria të jetë një rrethinë apo një periferi e Greqisë.

Në Leipzig, Johan Tutman shkruan: “Asnjë populli vjetër i botës në të cilën jetojmë, nuk është aq i panjohur për europianët e perëndimit, i përket prejardhjes, historisë dhe gjuhës sa ç’janë shqiptarët … Ata janë një popull kryesor, i lashtë dhe i rëndësishëm…

Presidenti i greqis (arvanitas) Karlos Papulias përshëndeti organizatën e OMONIA-s me rastin e 22 vjetorit të themelimit, ka shprehur hapur krenarin e tij për helenizimin e trojeve që i cilëson vorio-epirotë. Prani shekullore e helenizimit në shtëpitë strëgjyshërore si një burim frymëzimi e krenarie për gjithë grekët … Shpreh shqetësim për rrezikun e mbylljes së shkollës greke në Korçë ku mësojnë 370 nxënës dhe 80 femijë të shkollës fillore dhe të kopshtit, veç kësaj kundërshtuan hapur ligjin që parashikon prerjen e 18.000 pensioneve të minoritarëve që nuk kanë punuar asnjë ditë në Greqi. Ky është helenizimi i paguar nga greku për minoritetasit pa rrënjë që janë në Shqipëri. (12).

Lajosh Taloci (1834-1916) shpall hapur: “Nuk egziston popull tjetër në Ballkan, as ai i greqise së re, që mund të ndjekë historinë e fisit të vet, ashtu me rend kronollogjik, qysh prej kohëve të lashta gjer në ditët tona, sikurse populli shqiptar”. (13).

Veprimtaria heleniste për gjatë këtyre dy dekadave të zhvilluara në praktike nga Janullatosi dhe të shprehura në teori nga Kristo Papa është një degradim për shtetin grek, aq më tepër kur ruajnë “Ligjin e Luftes pas mbi shtatë dekada, kurdoherë mendojnë për të bërë një intervecion kundra Shqipërisë.                             Aref Mati zbuloi historinë e manipuluar të Greqisë, nga Universiteti i Sorbonës. Ai mori titullin “Doktor në shkencen e historisë së antikitetit (Greqia antike) Të Universitetit Paris – Sorbonë”. Kështu që ky është njeriu që përmbysi një mit fals, që vuri bazat e një historie të re. Puna e Arefit do të kthehet në pikë referimi në bibliografi, për të gjitha shkencat e botës që do të merret këtej e tutje me antikitetin europian. Tezat e tij u pranuan përfundimisht në sferat akademike të Francës. Ky është dhe suksesi më i madh që kemi korrur ndonjëherë në këtë fushë. (15).

Referenca

1. Interneti “Shqiptarët do ti përzëme” 16-4-2012

2. Maks Zotaj “Orakulli i Dodonës” gazeta “ILLYRIA”, 6-2-2006, f. 24.

3. Aleksandër Lambert, “Europa duhet…” internet 22-10-2011.

4. Kristo Papa “Jeni racë plaçkitës” internet  29-1-2013.

5. Jorgos Margaritis  “Bashkëpuntorë… “,  bot. 2009, f. 147.

6. Ferdinando Saello, “Shqipëria 6 muaj…”, bot. 2001, f. 70, 78.

7. Ibrahim Hoxha, “Viset kombëtare…”, bot. 2000, f. 99.

8. Rasim Bebo, “Artikuj dhe ngjarje”, bot. 2012, f. 245.

9. Enciklopedia Amerikane, vol. 13, f. 377, bot. 1828, 1971.

10. “Greqia pushton Epirin e Veriut” internet 16-4-2012.

11.  A. De Lamartine “Historia e Turqis Laipzig” W. Wehard 1885.

12. Internet Presidenti grek përshëndet 16-4-2012

13. Lajosh Taloci 1834-1916 (R. Bebo “Artikuj dhe ngjarje”, f. 8).

14. Përparim Demi “doktoratura e Arif Matit” Illyria 22-12-2011, f. 24.

15. Internet “Shqipëria e Madhe” Dhimbje koke për Greqin, 24-4-2002.

Rasim  Bebo  Addison  Çikago shkurt 2013

Filed Under: Opinion Tagged With: Cameria, Kristo papas, rasim bebo

PERSE U TERHOQ KRYEMINISTRI BERISHA NGA PROPOZIMI PER PASAPORTA?

February 10, 2013 by dgreca

Kryeministri Sali Berisha ka sqaruar se pse eshte terhequr nga propozimi i tij i meparshem per pasaporta shqiptare edhe per kosovaret. Ai tha se është tërhequr nga vendimi për të pajisur me pasaportë edhe shqiptarët e Kosovës. Kryeministri pohoi se nuk mund të ndërmerret një nismë ligjore me Kosovën, për shkak se ky shtet ka aplikuar për liberalizimin e vizave me BE-në dhe se një marrëveshje e tillë do të dëmtonte procesin. “Kjo për momentin ka një problem ligjor me Kosovën dhe kjo masë nuk mund të adaptohet pa një marrëveshjeje të veçantë me qeverinë e Kosovës. Qeveria e Kosovës po negocion me Bashkimin Europian procesin e liberalizimit të vizave. Dhe në këto kushte, ne nuk duam në asnjë mënyrë të cenohet ky proces shumë i rëndësishëm për Kosovën e pavarur. Pasi të finalizohet ky proces, dy qeveritë do të ulen të negociojnë një marrëveshje për këtë çështje. Por, për të gjithë shqiptarët e tjerë, qeveria shumë shpejt do t’u njohë atyre shtetësinë shqiptare. Ne do të veprojmë në këtë mënyrë për të gjithë shqiptarët që jetojnë në zonën e ‘Shengen’-it, që jetojnë në vende që kanë marrëdhënie të njëjta me Shqipërinë me zonën e ‘Shengen-it”, theksoi Berisha. Ai theksoi se ata qe do të marrin nënshtetësi nuk do të mund të votojnë në këto zgjedhje, për shkak se kundërshton opozita.
“Tani vjen problemi i votimit. Ne u përpoqëm për t’ua dhënë këtë të drejtë bashkëkombësve tanë, që ata të votojnë. Opozita e kundërshtoi këtë me disa teza të regjimit të vjetër. Por, sidoqoftë, zgjedhjet janë zgjedhje dhe qeveria është e detyruar të bëjë gjithçka për të siguruar opozitën në transparencën e këtij procesi. Kështu që në këto zgjedhje nuk qe e mundur që shqiptarët jashtë Shqipërie të mund të votojnë, të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare. Dhe unë deklarova publikisht se ky vendim nuk nënkupton të drejtën e votës për këto zgjedhje. Kjo do të zgjidhet menjëherë me vendimin që do të merret për pak javë për shtetësinë e tyre dhe të drejtën e votimit pas këtyre zgjedhjeve. Sepse nuk dua që të krijohet përshtypja se po bëhet për të fituar vota”, tha Berisha.

Filed Under: Politike Tagged With: Kryeministri Berisha, per Koosven, terhiqet nga propozimi i tij

Letër e Hapur: Kush janë Kosovarët para botës?/

February 10, 2013 by dgreca

– Drejtuar qytetarëve dhe politikanëve të  KOSOVES/

Nga Ermira Babamusta, Ph.D./

Eksperte e Punëve të Jashtme – New York, Prishtinë /

 Pyetja është: Kush janë shqiptarët para botës? Si njihet Kosova për botën? Fatkeqësisht ose nuk e njohin fare Kosovën si shtet dhe gjeografinë e saj, ose ato të paktë që e kanë dëgjuar si emër, e identifikojnë Kosovën me Serbinë, luftën dhe dhunën. Gjatë misionit tim hulumtues – diplomatik në Prishtinë Nëntor 2012-Janar 2013, diplomatë të huaj europian, në takime private më treguan ‘off records’ (jo zyrtarisht) arsyet pse shqiptarët refuzohen për integrimin europian në BE. Arsyeja kryesore sipas fjalëve të tyre është që “ne [disa shtete europiane] nuk i duam ‘ato lloj’ ose ‘ato kafshë’ [shqiptarët] të hyjnë në BE” dhe se “nuk ka të bëjë me plotësimin e standarteve’,të cilat janë thjesht formalitet dhe një ‘checklist’, por me sjelljen dhe kulturën e vendasve”. Pra liberalizimi i vizave dhe hapja e kufijve bllokohet për arsye se europianët nuk i konsiderojnë shqiptarët si ata vetë. Kjo lloj përshtypje ose gjykim tregon se: 1) të huajt nuk e njohin mirë kulturën shqiptare dhe se çdo popull ka të mirat dhe të këqijat e tij, por ato shikojnë vetëm negativet tek ne dhe 2) egzistojnë sjellje të shqiptarëve që duhen rishikuar, ndryshuar sipas mentalitetit të kohës moderrne, siç ecën dhe përparon e tërë bota duhet të ecim dhe ne.

Vlerat shqiptare që na krenojnë dhe duhet t’i njohi dhe respektojë edhe bota

Nëse ia duam të mirën vetes si qytetarë, dhe nëse duam të mirën e kombit shqiptar, duhet të kemi një zë të fuqishëm dhe të bashkuar në këto pesë aspekte:

1. Aspekti Historik

Krenari: për figurat historike dhe një histori dhe gjuhë të lashtë shqiptare. Pavarësisht synimeve pushtuesve të huajve gjatë shkekujve, ku Shqipëria shikohej si pikë strategjike urëlidhëse Europë-Azi, shqiptarët luftuan për lirinë dhe mbrojten e tokave të tyre. Madje ishin shqiptarët, ato shqiptarë të zgjuar dhe intelektual, që u bënë mbretër, princa dhe udhëheqës në shtete të ndryshme të botës nëpër dekada të ndryshme të historisë.

Problem: kur historia e vërtetë shqiptare shtrembërohet në librari prestiogjioze me famë botërore si Libraria e Kongresit në Washington DC, ku influencat sllavo-maqedonase, shtrembërojnë historinë e kombit dhe gjuhës shqiptare. Publikime të tilla nuk duhet të lejohen. Intelktualët shqiptarë duhet të ngrejnë zërin për të mbrojtur historinë shqiptare para botës.

Kujdes: ndaj propagandave anti-shqiptare, që janë me influencë nëpër botë dhe ndaj synimeve të shteteve të huaja.

Rekomandime: 1) Kosova duhet t’i japi mundësi financimi dhe edukimi qytetarëve për studim dhe trajtim jashtë shtetit, si mënyrë arsimore-kulturore për të shkëmbyer ide dhe treguar kulturën tonë me të tjerët. Duke nxjerrë persona të edukuar dhe adekuatë, kemi një zë më të fortë dhe prezanim më pozitiv për veten tonë para botës. 2) Dipllomatët shqiptarë duhet ta dinë rëndësinë strategjike të Shqipërisë-Kosovës si urëlidhësja kryesore midis Europë-Azi. Duhet ta shfrytëzojnë këtë pikë në lidhjet që krijojnë me kombet e huaja. Për këtë arsye dhe Amerika, mikja më e madhe e shqiptarëve, ka hapur bazën më të madhe ushtarake në botë – në Kosovë. Në këtë rast interesat amerikane i shërbejnë dhe Kosovës. 3) Politikanët e Kosovës duhet a) të zgjegjin mirë prioritet vendore në interes të Kosovës, b) të njohin mirë interesat e shteteve të huaja, c) të zgjedhin kush janë miqtë dhe cilët armiqtë dhe d) të jenë largpamës ndaj interesave vetiake të disa shteteve (jo për të mirën e Kosovës) dhe e) duhet të forcojnë lidhjet me aleatët e tyre.

2. Aspekti Politik

Krenari: kur në aspektin ndërkombëtar Kosova nëpërmjet Ministrisë së Diasporës, Punëve të Jashtme, Sigurisë dhe Mbrojtes ka arritur sukseset dhe arritjet më të larta. Kosova është i vetmi vend që për një kohë të shkurtër ka krijuar një qeverisje nga zero, kur ka patur vakum total politik. Deri tani ka arritur 98 njohje për pavarësi (njohja e fundit nga Pakistani) dhe vazhdon të ketë sukses në traktate shumëpalëshe ekononomike, në marrëveshjen e IBM-së për manaxhim e përbashkët të kufirit, etj. Kosova është i vetmi vend në botë ku politikani harxhon nga buxheti personal për të mirën e kombit. Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, z. Behgjet Pacolli është i vetmi politikan jo vetëm në Kosovë, por në botë që ka shpenzuar nga buxheti i tij personal 10 milion euro në vitin 2012 për njohjen e Kosovës. Pavarësisht kritikës që egziston ose opinionit politik ndaj tij si lider, duhet vlerësuar dhe respektuar ky fakt përmendur më lart, që nuk e bën asnjeri në botë për kombin e tij.

Problem: kur politika e brendshme e Kosovës është ajo e jashtme. Kosovës i mungon një program-strukturë e qartë për zhvillim ekonomik vendor.

Kujdes: kur partia e cila je anëtarësuar të hap derën për të punësuar, ose të drejta të tjera. Por po e njëjta parti të jep shkelmin kur nuk je dakord me bindjet partiake. Kjo është ‘liri me pranga’.

Rekomandime: Një ekonomi dhe një ushtri e fortë janë dy gjërat më kryesore të një shteti. Kosovës i mungojnë të dyjat. Po nuk u forcuan këto dy pika kulminante Kosova do mbetet shtet i dobët. Në drejtimin politik Kosovës i duhet një Skënderbe, një lider që prioritet ka të mirën dhe vetëm të mirën e kombit.

3. Aspekti Social-Ekonomik

Krenari: kur 1) kur tokat pjellore të Kosovës kanë furnizuar dikur të gjithë ish-Jugosllavinë; 2) diaspora shqiptare përfshihet në top përqindjen e personave më të pasur në botë (Amerikë, Europë top 50%); 3) në diasporë shqiptarët kanë arritur majat si biznesmena, avokatë, studentë, politikanë, artista, doktorë, gazetarë, etj.

Problem: kur 1) një bujk në Kosovë i leverdis të marrë autobuzin 1 orë për në Prishtinë për të shitut paketa cigare dhe karta për mbushje telefoni, se ka përfitim më shumë sesa të punojë dhe prodhojë tokën e tij; 2) kur mediat e huaja mbulojnë në shumicën e rasteve, vetëm problemet dhe veprimet e ulta të shqiptarëve; 3) kur politikanët e huaj në fushatat e tyre përmendin ‘dormenat’ ose ‘punëtorin e picerisë’ që është shqiptar si të vetmet arritje të shqiptarëve në Amerikë.

Kujdes: ndaj 1) produkteve të Serbisë, si misri që vjen nga Serbia shkakton kancer (me fakte kjo); 2) produkteve të importuar si mishi. A e dini që i duhet 60 ditë të vijë mishi në Kosovë? Mishi që konsumet në Kosovë, porositet në Brazil. Pas dy javësh arrin në New York, pas 28 ditësh niset për në Montenegro-Maqedoni-Kosovë, udhëtim gati 2 muajsh. Për këtë udhëtim të gjatë aplikohen shumë kimikate për ta bërë pamjen e mishit‘të freskët,’ të cilat janë të dëmshme për shëndetin e njeriut; 3) kujdes nga produktet që prodhohen jashtë shtetit, nuk do të thotë që janë më të mira në qualitet ose më të shëndetshme, përkundrazi.

Rekomandime:organet përkatëse të shtetit të Kosovës duhet të përkrahin bujkun e Kosovës dhe duhet të rriten investimet drejt zhvillimit ekonomik vendor. Pas luftës qeveria e Kosovës shpërndau 200-300 lopë meqë Serbia i mori/vodhi kafshët e bujqësisë. Vetëm lopë dhe disa të holla të pakta nuk mjaftojnë për sukses ekonomik vendor. Është alarmuese fakti që ekonomia e Kosovës mbahet nga tregtia e mallrave (të blera më lirë jashtë shtetit dhe shiten më shtrenjt të Kosovë) dhe nuk ka asnjë prodhim vendor përveç ujit, birrës dhe gurëthyesve. Restoratent në Kosovë duhet të krijojnë kontrata me bujqit në vend për t’i furnizuar me perime-ushqime të freskëta sipas sezonit. Bujkut dhe biznesmenavë fillestarë duhet t’i jepen disa përfitime 2-5 vitet e para si përshembull 0% në interes ose përqindje mjaft e ulët nëse biznesmeni merr kredi nga banka. Konsumatori i Kosovës duhet të blejë ushqime organike, të rritura dhe prodhuara në vend, dhe të informohet për produktet që konsumon.

4. Aspekti Artistik-Kulturor

Krenari: kur kujton paraardhësit e denjë shqiptar, Ilirët me kulturën dhe traditën e tyre, e cila ruhet edhe sot në të gjitha trojet shqiptare. Në aspektin artistik-kulturor shqiptarët e diasporës kanë arritur majat në secilën fushë/zhanër të artit që ia futur. Është një dhunti, një aftësi e shqiptarit të shkëlqejë falë punës, inteligjencës dhe dedikimit të tij. Përveç kësaj, ndikim ka patur dhe përkrahja e fuqishme e shtetit ku imigranti shqiptar, ka patur mundësi të eci përpara, zhvillohet si individ në zanatin e zgjedhur dhe të ketë përkrahje financiare dhe të tjera nga shteti ku banon në emigrim (mundësi që nuk egzistojnë në Kosovë). Pra vetë shteti vlerëson artin dhe kulturën dhe investon në këtë drejtim.

Problem: kur 1) artistët e talentuar të Kosovës nuk kanë mjete, vende praktike, mbështetje në financa, si dhe përkrahje si nga qytetarët dhe nga qeveria; 2) rinia – e ardhmja Kosovës harxhon kohën kot nëpër kafene tërë ditën duke pirë paketa duhani.

Rekomandime: Duhet patur më shumë programe dhe përkrahje për aktivitete artistike dhe mediat shqiptare brenda dhe jashtë vendit duhet të shkruajnë me shumë dhe vlerësojnë më shumë arritjet e talenteve shqiptare brenda dhe jashtë vendit.

5. Aspekti Ligjor

Sukses: Kosova konsiderohet si një nga shtetet me më shumë rregulla dhe ligje.
Problem:
Një shtet aq më shumë ligje të ketë, tregon që aq shumë probleme ka! Problem kur ligjet hartohen, por nuk zbatohen!

Për më shumë këtë temë do e zgjeroj në hulimtimin tim shkencor të doktoraturës, që jam duke e përfunduar. Të interesuarit për të marrë pjesë në punimin tim mund të më dergojnë kërkesë për të plotësuar anketën tek adresa ermirab@yahoo.com . I jam mirënjohëse personaliteteve të respektuara të Kosovës për takimin dhe kontributin e tyre në punimin tim si: Zëvendës Kryeministre e Republikës sëKosovës, znj. Edita Tahiri, Zëvëndësministrin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Basri Musmurati, Këshilltarin Politik, Ministria e Punëve të Jashtme, z. Pëllumb Kallaba, Drejtorin për Investime dhe Hulumtime të Diasporës, z. Naim Dedushaj, Shefin e Kabinetit, Këshilltar i Lartë Politik i Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z. Mehmet Hajrizi, Shefin e Sektorit për Bashkpunim me Agjencione, Dep. i Ministrisë FSK-së, N. Kol. Enver Dugolli, Nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës, z. Glauk Konjufca, Ish-kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, z. Ismail Kastrati.

Akoma jam në pritje të pranimit të kërkesës të takimit me Presidenten znj. Atifete, Kryeministrin Thaçi, Zv. Kryeministri z. Pacolli, Ministrin e Jashtëm z. Hoxhaj. Synimi i punimit tim është të krijoj një profil politik për liderët shqiptar dhe të theksoj sukseset dhe arritjet në Kosovë para dhe pas pavarësisë. Punimi do japi rekomandime për situatën në Kosovë me fokusim punët e jashtme. Ky punim i tillë është mjaft i domosdoshëm, kur publikimet në perëndim, nuk portretizojnë një imazh pozitiv për Kosovën ose nuk përmendin arritjet që ka bërë vendi. Theksoj rëndësinë e këtij punimi në nivel ndërkombëtar dhe inkurajoj pesonat e përmendur më lart si dhe ekspertë me njohuri në çështje lidhur me Kosovën të me kontaktojnë.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ermira Babamusta, leter e hapur

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5573
  • 5574
  • 5575
  • 5576
  • 5577
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT