• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nacionalizmi pozitiv i kryeministrit Berisha

February 5, 2013 by dgreca

 Nga Dr. Enver Bytyçi/

Kryeministri i Shqipërisë, Dr. Berisha, ka lëshuar para katër ditësh një deklaratë të pazakontë. Në Konferencën e Sigurisë në Mynih ai është shprehur ashpër kundër frymës antishqiptare që ende ekziston në popujt e rajonit të Europës Juglindore. Prej kohësh këtë atmosferë nacionaliste antishqiptare ai e ka emërtuar si “Albanofobi”. Në Mynih, aty ku burrat e shteteve më të fuqishme të botës moderne mblidhen prej dekadash për të shfaqur konceptin e sigurisë planetare e për të formuluar politikat e së nesërnes, Berisha mbajti një fjalë rasti , të cilën shumë analistë e kanë cilësuar si “spektakolare”. Ai pohoi një realitet të dhimbshëm në Ballkan, i cili mbarset çdo ditë me urrejtje dhe armiqësi kundër shqiptarëve. “Unë kam bindjen se albanofobia, në të gjitha qëndrimet kundrejt shqiptarëve, është e gjallë e në veprim dhe ajo kërcënon seriozisht stabilitetin në rajon, u shpreh ai.

  1. 1.     Eksperimenti antishqiptar i “klonimit” të identitetit.

Më tej thkesoi disa ide: Së pari ai kundërshtoi me forcë përpjekjet për “klonimin” e pesë kombeve shqiptare. “Nëse ju shihni hartën e Europës, nuk gjeni vend tjetër të rrethuar nga bashkkombas dhe deti, siç janë sot shqiptarët të ndarë në 5 shtete. Unë besoj se nëpërmjet procesit të Bashkimit Europian, kufijtë bëhen të pa rëndësishëm, por e rrezikshme është idea sipas të cilës meqenëse shqiptarët janë të copëtuar në 5 shtete duhet të shndërrohen në 5 kombe të ndryshme nga njeri- tjetri. Kjo është tërësisht e papranueshme. Kjo do të prodhonte dhe provokonte reagimin e kundërt”, theksoi Berisha në Konferencën e Mynihut. Kjo frazë ishte thjesht pohimi i një realiteti të dhimbshëm, të cilin shqiptarët e kanë përjetuar si një dramë me pasojë zhdukjen fizike të tyre gjatë shekullit të kaluar. Mirëpo pohimi i këtij realiteti të hidhur mbetet njëra anë. Konteksti në të cilin është përmendur ndarja e territoreve shqiptare në pesë shtete është ana tjetër e medaljes, e cila merr vlerë të shtuar në kohën të cilën e jetojmë. Kryeministri shqiptar e quan këtë proces si “klonim” të një identiteti tjetër, të ndryshëm nga identiteti shqiptar. Dhe  dihet tashmë se klonimet  janë ngjizje artificiale dhe prodhojnë zgjidhje gjithashtu artificiale. Në këtë kuptim emërtimi i përdorur nga zoti Berisha ishte me vend dhe shumë i guximshëm. Madje mund të përkthehet në një akuzë për vetë komunitetin ndërkombëtar, i cili jo vetëm e toleron, por dhe e nxit në masë të madhe procesin e një “klonimi” të tillë të identitetit të shqiptarëve.

Kundërshtimi i hapur në tavolinën e diskutimeve për perspektivën e paqes e sigurisë botërore i përpjkjeve për ndryshimin e identitetit të shqiptarëve është dhe do të mbetet si një akt dhe vepër e papërsëritshme në historinë e marrëdhënieve të Shqipërisë me partnerët e saj. Aq më tepër se ky reagim bëhet në qendrën më të rëndësishme të diskutimeve për sigurinë globale, në një konferencë, e cila shpreh në themel politikat e sigurisë, të cilat i adapton NATO, Bashkimi Europian dhe SHBA-të. Thelbin e diskutimit të kryeministrit Shqiptar e përbën pikërisht mospajtimi me situatën e albanofobisë rajonale e kontinentale si dhe me planet për ndryshimin e identitetit të shqiptarëve.

  1. 2.     Pajtimi në modelin gjermano – francez

Së dyti:  Berisha nuk është se vetëm pohon. Në të vërtetë në fjalën e tij në Mynih ai ka paralajmëruar rreziqet që paraqet albanofobia dhe “klonimi” i identiteve të ndryshme në shtetet ku jetojnë shqiptarët. Duke iu përmbajtur zgjidhjes që kishte rekomanduar më 1992 po në Mynih, sa i përket konfliktit në ish-Jugosllavi e në Kosovë, ai sërish kërkon që shqiptarët të mos paragjykohen dhe të trajtohen me realizëm e pa diskriminim. Në këtë rast kritika shkon në mënyrë diplomatike te institucionet e Bashkimit Europian. Deputeti gjerman e ka pyetur pikërisht që të qartësohej mesazhi i qëndrimit kritik të kryeministrit shqiptar. Dhe si përgjigje ai ka marrë rekomandimin, sipas të cilit shqiptarët duhet të integrohen në BE, njësoj e njëkohshëm me vendet e tjera të rajonit. Kjo është dhe mbetet zgjidhja më e mirë, thekson zoti Berisha. Dhe më tej ai kërkon pajtimin e kombeve ballkanike në modelin e pajtimit gjermano-francez, i cili kishte hapur rrugën e krijimit të Europës së Bashkuar. Ky model pajtimi është i domozdoshëm në rajonin ballkanik. Por, sipas Berishës, kjo kërkon doemos zbatimin e marrëveshjeve rajonale. Ndër to ai shquan Marrëveshjen e Ohrit, por edhe marrëveshjet e tjera si ajo pas konfliktit në Preshevë. Natyrisht që Plani i Ahtisaarit për Kosovën shihet prej tij si një marrëveshje ndërkombëtare, të cilën në rastin e pajtimit duhet ta pranojë Serbia. Nëse i hyjmë analizave për procesin e realizimit të këtyre marrëveshjeve, atëherë çdo kush do të dallonte faktin se ato janë sabotuar në masën më të madhe dhe rrezikojnë të lihen në harresë.

Kryeministri i Shqipërisë kujton se marrëveshjet për zgjidhjen e konflikteve në Kosovë ishin të imponuara. E megjithatë shqiptarët edhe si të tilla i kanë pranuar ato. Ndërkaq detyrimet e Serbisë, Maqedonisë për zbatimin e këtyre marrëveshjeve nuk janë zbatuar. Nuk është zbatuar gjithashtu rezoluta 1244, e cila parashihte administrimin ndërkombëtar të Kosovës, por që veriun e saj ndërkombëtarët e lanë qëllimisht nën administrimin e Serbisë. Nuk është zbatuar Plani i presidentit Ahtisaari, i cili udhëhiqte panelin e konferencës në momentin kur Berisha fliste, sepse serbëve nuk iu imponua ky plan, siç ndodhi me shqiptarët. Nuk u zbatua Marrëveshja e Ohrit, edhe pse atë e nënshkruan të gjitha subjektet politike maqedone e shqiptare në Maqedoni. Nuk u zbatua nga ana e Beogradit as marrëveshja për zgjidhjen e konfliktit në Luginën e Preshevës e për rrjedhojë Serbia vijon të sillet me shqiptarët njësoj si në kohën e Miloesheviçit.

Ndërkohë që Berisha paralajmëron se pajtimi është rruga më e mirë e bashkëjetesës së kombeve në Europën Juglindore, ai i qorton me tone të rrepta sjelljet e udhëheqësve serbë e maqedonas ndaj shqiptarëve, kur thotë se “Në rast se nga njëra anë tjetri flet për perspektiven e marrëdhënieve bilaterale dhe nga ana tjetër feston datat e fillimit të fushatave të shfarosjes së kombit shqiptar, imagjinoni vetë se çfarë mesazhi fqinjësie është kjo”. Një mesazh  të tillë, të qartë e të sinqertë,  kryeministri shqiptar e transmeton te partnerët e tij ndërkombëtarë. Një realitet të tillë, kur shqiptarët fyhen dhe Beogradi e Shkupi zyrtar festojnë krimet që ata kanë bërë kundër shqiptarëve, ndjehet çdo ditë, çdo orë dhe çdo minutë. Mesa duket në këtë realitet duhet kërkuar deklarimi i zotit Berisha i 25 nëntorit të vitit të kaluar në festrimet e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë në Shkup, kur kërkoi që shqiptarët “të punojnë çdo minutë, çdo orë, çdo  muaj, çdo vit për bashkimin e tyre”.

  1. 3.     Mesazhet e kryeministrit

Nga të gjitha deklarimet e derisotme, të cilat kulmuan të shtunën e kaluar në Mynih, është e udhës të qëmtojmë disa mesazhe të kthellta të kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha:

Së pari, mesazhi kryesor u drejtohet institucioneve vendimmarrëse të Bashkimit Europian. Këta e kanë për detyrë dhe obligim të kushtëzojnë integrimin e vendeve të Ballkanit Perendimor në mënyrë të drejtë dhe pa diskriminimin e një pale e favorizimin e një pale tjetër. Komisioneri Europian për zgjerimin, Stefan Fyle, duke folur në fillim të dhjetorit të kaluar në Komisionin e Senatit Francez të çeshtjeve të jashtme dhe europiane, ka lënë të kuptohet se politika europiane në rajonin tonë është e diferencuar, çfarë përkthehet automatikisht si politike diskriminuese. Sipas tij temat kryesore që bëjnë të mundur integrimin kanë të bëjnë me forcimin e shtetit të së drejtës, reformat gjyqësore, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimin e mendimit të lirë, konsolidimin e ekonomisë e stabilitetin financiar, rritjen e mirëqenies, bashkëpunimin rajonal e lidhjet bilaterale midis vendeve fqinjë. Por nëse të gjitha këto kushte janë të domozdoshme për cdo vend aspirant për integrim në BE, praktikisht Stefan Fyle pranon se për disa ka privilegje e për disa vende të tjera, si Shqipëria, sakrilegje në rrugën drejt Brukselit. Në atë komision francez Fyle, kur flet për Serbinë thotë se “Në Serbi udhëheqja është e angazhuar që të ndjekë rrugën e integrimit europian”, duke shprehur një kënaqësi të dukshme për këtë orientim të Beogradit. Nga kjo dhe praktika e përdorur duket qartë se për Serbinë nuk vlejnë kriteret themelore, të përcaktuara në traktatet europiane e të përmendura më lart nga ana e zotit Fyle, sa i përket integrimit. Ndërsa Shqipërisë dhe Kosovës u kërkohen standarde shumë të larta të aplikimit të demokracisë, Serbisë i mjafton të deklarohet pro integrimit europian dhe të vlerësohet për këtë. Ndërsa në Shqipëri nuk bën punë as fakti që mbi 80 përqind e qytetarëve janë pro integrimit, për Serbinë është e mjaftueshme që kryeministri ose presidenti i vendit të jetë “proeuropian”. Të gjitha argumentet e tjera, të cilat i plason opozita jonë në tregun e brendshëm e atë europian, janë thjesht përceptime e jo realitete. Madje në disa fusha imediate, si ekonomia, stabiliteti financiar, bashkëpunimi rajonal dhe në marrëdhëniet fqinjësore, në kontributet për paqe e stabilitet në kontinenet, Shqipëria përmendet si model i sjelljes ndërkombëtare. Por ajo nuk shpërblehet për këto sjellje, përkundrazi shpërblimet i korr Serbia e ndonjë vend tjetër problematik i Europës dhe i rajonit.

Analizuar nga kjo pikëpamje deklarata e Berishës në Mynih synon ndryshimin e përceptimit europian për rolin e zhvillimet në Shqipëri dhe nxit aktorët europianë për të unifikuar standardet e pranimit në BE. Diferenca në kërkesat për standardet e integrimit është pasojë e diplomacisë aktive të vendeve të rajonit, sidomos Serbisë dhe Greqisë, me qëllim zvarritjen e integrimit të Shqipërisë në komunitetin e bashkësisë europiane. Ndërsa diplomacia aktive e këtyre vendeve është e motivuar me albanofobinë e trashëguar nga kohët e konflikteve të dhunshme midis shqiptarëve dhe serbëve.

  1. 4.     Alternativa e integrimit apo e bashkimit?!

Kryeministri Berisha në djalën e tij në Mynih tërhoqi vëmendjen se Bashkësia Europiane nuk mund të vazhdojë të lëvdojë politikat konstruktive të shtetit Shqiptar sa i përket marrëdhënieve rajonale e fqinjësore e nga ana tjetër të shpërblejë ata që punojnë për destabilizimin e Europës Juglindore, përkatësisht Serbinë e ndonjë vend tjetër të ngjajshëm. Aq më pak mund të joshen shqiptrët me lëvdata ndërkombëtarësh për të shkuar drejt krijimit të një identiteti sipas interesave të Serbisë. Nëse do të vijohet kjo politikë europiane në rajon, atëherë shqiptarët kanë të drejtën të zhgënjehen dhe të ndërpresin taktikën e moderacionit të dëshmuar deri më sot. Në fund të fundit shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Serbinë Jugore apo në Mal të Zi e në Greqi nuk janë të vetmit përgjegjës dhe të vetmit aktorë e faktorë që mund ta ruajnë paqen e stabilitetin rajonal. Nëse Serbia, Greqia, Maqedonia nuk i përgjigjen pozitivisht angazhimit të politikave shqiptare në këtë drejtim, atëherë kjo do të ngjante me iluzionin e një martese solo, pa partner. Aq më keq, nëse Brukseli përkrah dhe shpërblen politikat destruktive të Serbisë dhe ndonjë vendi tjetër në rajonin tonë dhe ironizon konstruktivitetin e shqiptarëve në rajon. Në këtë rast BE-ja në vend të paqes do të përballej me vazhdimin e konfliktit dhe vazhdimi i konfliktit do të kishte si zgjidhje të vetme krijimin e një shteti unik të shqiptarëve, shtet i cili herë quhet “Shqpëri etnike”, herë tjetër “Shqipëri e Madhe”, nga dikush si “Shqipëri natyrale”, por që në konceptin tim do të ishte vetëm një Shqipëri në përmasat territoriale reale në hapësirën ku jetojnë në vijmësi e pashkëputje shqiptarët.

Zoti Berisha ka theksuar se janë dy rrugë për bashkimin e shqiptarëve. Njëra rrugë, dhe më e mira, është e do të mbetet “bashkimi në Bruksel”. Por sa kohë që Brukseli e refuzon këtë strategji, herë për hatër të pesë vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, herë për hatër të Serbisë e Greqisë e herë për hatër Edi Ramës këtu në Tiranë, atëherë shqiptarëve u lind e drejta që para se të shkojnë në BE të rifitojnë kufijtë realë të një shteti të përbashkët.

Alternativën e bashkimit të shqiptarëve shumë analistë dhe ekspertë e quajnë si aventurë. Madje Edi Rama duke sulmuar qëndrimet e Berishës ka vënë në dukje se kreu i mazhorancës “I dëmton interesat e shqiptarëve dhe marrëdhëniet me partnerët tanë amerikanë” kur shfaqet me platformën e bashkimit kombbëtar. Ndërsa një nga përkrahësit më ta zjarrtë të kreut të opozitës, profesori i historisë, Pëllumb Xhufi, në një koment të tijin në gazetën “Koha Ditore” të Kosovës, javën e shkuar i konsideron qëndrimet e Berishës si “nacionalizëm elektoral”. Një vlerësim të tillë e hasim edhe tek studiuesi austriak i çeshtjeve shqiptare, Oliver Jens Schmitt e te disa autorë të tjerë. Dhe në parantezë më duhet të them se pohimet e Berishës në Mynih, para një audience elitë të botës së sotme të qytetëruar, mund të jetë gjithçka tjetër, por aspak një lloj “nacionalizmi elektoral”. Do të ishte e tepërt të plasohej në atë kuvend ndërkombëtar të sigurisë globale një pohim i tillë për arësye elektorale, sepse të gjithë ata që e dëgjuan zotin Berisha do t’i kundërviheshin interesave elektorale të tij.

  1. 5.     Ballafaqim me idetë e kundërshtarëve të Berishës

Por le të kthehemi te qëndrimet e politizuara të zotit Xhufi e më tej të komentatorit nga Prishtina, Halil Matoshi. Pëllumb Xhufi shkruan se “Ridalja e Sali Berishës në rolin e nacionalistit duhet të jetë një kambanë alarmi: Kryeministri po kërkon t’i japë një tjetër goditje pas shpine Shqipërisë”. I mësuar dhe edukuar nga diktatori Hoxha, në oborrin e të cilit ka qëndruar si dhëndër, zoti Xhufi spekullon në modelin doktrinar të diktaturës, kur qëndrimet atdhetare të dikujt, në rastin konkret të kreut të ekzekutivit shqiptar, i shpjegon me pohime të tilla si “goditje pas shpine Shqipërisë”. Nuk ia vlen të citosh më tej ato çfarë zoti Xhufi tjerr në logjikën e një ideologjie destruktive kundër kreut të PD-së dhe të mazhorancës, pasi në to nuk dallon gjë tjetër, përveçse mëllef, hakmarrje, dhunë psikologjike, në stilin e kryetarit të PS-së, zotit Rama.

Por bën përshtypje një përpjekje e analistit të njohur e të zgjuar, Halil Matoshi, i cili intervenimin dhe projektin e bashkimit të shqiptarëve në një shtet të vetëm e konsideron si aggresion të Shqipërisë për të shtënë në dorë provincën me emrin “Kosovë”. Krahasimi i tij me politikën e Serbisë, dikur të Italisë fashiste e modele të tjera, të cilat i ka kaluar Kosova në periudha të caktuara të shekullit të kaluar ,është tronditës. Ai shkruan se deklarimet e Berishës janë “tendencë e hapur për aneksim të Kosovës nga Tirana zyrtare”. Nuk është nevoja të shkohet më tej në gjykimet e zotit Matoshi, për të dalluar se ai është kategorisht e madje dhunshëm kundër bashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës. Prej kohësh ai provokon me idenë e “kombit kosovar”, me qëllim që të mbjellë dasinë midis shqiptarëve. Madje i referohet edhe konstitucionit të trashëgimisë historike të ndryshme, duke veçuar zhvillimet historike, veçmas në kohën e diktaturës komuniste. Me këtë rast lexuesi nuk e ka të vështirë të vlerësojë se dëmi i politikave izolacioniste të komunizmit është aq i madh sa ka deformuar palcën e bashkimit kombëtar, së paku në mendjen e disa analistëve, që duan ta interpretojnë këtë kohë historike si kufirin e ndarjes së përjetshme midis shqiptarëve.

Megjithatë pohimet e kryeministrit shqiptar në harkun kohor prej 25 nëntorit të Shkupit e deri në 2 shkurtin e Mynihut dëshmojnë për të kundërtën e konstatimit të palogjikë të zotit Matoshi, të zotit Xhufa e të tjerëve kundërshtarë të opsioneve të zotit Berisha. Duket sikur kjo pjesë e shoqërisë shqiptare me dashje kërkon që të vijojë në pafundësi urrjetja raciste e serbëve, grekëve e maqedonasve ndaj shqiptarëve. Duket sikur këta nuk ndajnë të njëjtin mendim sa i përket ralitetit ballkanik. Duket sikur ata janë dakort me opsionin e krijimit të pesë identiteve ndër shqiptarët e madje rekomandojnë, së paku për Kosovën një identitet të ri jashtë kontekstit dhe konstitucionit Shqiptar. Duket gjithashtu sikur kundërshtarët e Berishës jo vetëm janë kundër bashkimit kombëtar, por e konsiderojnë “tradhëti kombëtare” thirrjen për të respektuar interesat dhe të drejtat e shqiptarëve në rajonin ballkaniko-perendimor. Çdo interpretim tjetër lidhur me debatet dhe dilemat e shfaqura, e të cilat perifrazohen si tone nacionaliste, do të ishte i gabuar. Askush nuk mund ta anashkalojë faktin se Bersiha ka të drejtë absolute kur flet për albanofobi në Ballkan, ose kur ai kundërshton ndryshimin e identitetit të shqiptarëve sipas përkatësisë shtetërore, çka nuk ka ndodhur tek asnjë komb tjetër në botë.

Ndaj dhe Oliver Jens Scmitt ka të drejtë kur vlerëson se nacionalizmi aktual i Berishës “është një nacionalizëm pozitiv”, pra një patriotizëm në mbrojtje e jo ofensiv. Kjo do të thotë se opsionet e kryeministrit shqiptar nuk rrezikojnë askënd, asnjë vend ballkanik, nuk drejtohen kundër Serbisë, Greqisë apo Maqedonisë, edhe pse në Beograd, në Athinë e në Shkup ka patur reagime të ashpra deri anulim vizitash në Tiranë. Ato thjesht i drejtohen opinionit shqiptar, opinionit të vendeve të rajonit e për më tepër opinionit euro-atlantik me paralajmërimin se shqiptarët nuk do të pranojnë ndërrimin e identitetit dhe se çdo përpjekje e tillë do të çojë në destabilizim ose bashkimin e tyre në një shtet kombëtar të vetin. Nëse ky konstatim interpretohet si përpjekje e Shqipërisë për destabilizim ose ndryshim të kufijve me dhunë, atëherë nuk është më faji i Berishës. Me këtë lloj intepretimi shantazhoi Edi Rama kur paralajmëroi kryeministrin të “heqë dorë nga parullat nacionaliste”, duke interferuar në “prishjen e marrëdhënieve me amerikanët”. Por edhe në këtë rast realiteti ka shumë mundësi të veprojë kundër Edi Ramës. Në princip amerikanët dhe shtetet e së drejtës nuk janë kundër bashkimit. Ato kanë dëshmuar edhe këto vitet e fundit se dënojnë ndarjet, qofshin këto dhe ndarje politike të llojit çfarë kreu i opozitës shqiptare i ka provokuar dhe promovuar në Shqipëri. Ndërkaq në këtë analizë nuk e shoh të nevojshme të komentoj disa njoftime të shtypit të huaj, sipas të cilit amerikanët në këtë ose atë kohë parashikojnë krijimin e një shteti shqiptar të bashkuar.

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Dr. Enver Bytyci, i kryeministrit Berisha, nacionalizmi pozitiv

TRAGJEDI SHQIPTARE NE TEXAS

February 5, 2013 by dgreca

Dy motra14 dhe 17 vjeçe mbetën të vdekura në aksident.Vëllai i madh, dhe dy të tjerë mbeten të plagosur dhe u shtruan në spital/ Nga Beqir SINA/
    KLIGORE – TEXSAS : Sipas gazetës Kligore News Herald : Liradona Bojkaj dhe Mërgimtare Bojkaj që të dyja studente nga shkolla e pavarur Kilgore Independent School District, mbetën të vdekura në një aksident ditën diel në Teksas. Ngjarja tragjike që mori jetën e dy vajzave fare të reja nga Kosova, me banim në Teksas, ndodhi kur u përplasen me automjetin e tyre në jug të autostradës State Hwy. 259 afër qytetit Kilgore. Ndërkohë, që tre pasgjerë e tjerë, mes tyre dhe vëllai i madh i dy viktimave të ndodhur në të njëjtëtin automjet, janë dërguar në spitalet lokale për trajtim të mëtejshëm.Sipas Departamentit të Policisë(Trooper) për Siguri Publike, zëdhënsit të saj Jean Dark, thuhet se :” Përplasja ndodhi në rreth orës 10:00 të mesnatës e ditës së diel. Simbas hetimeve paraprake automjeti drejtohej nga shoferia  Hava Shala, 33 vjeçe, nga qyteti Kilgore, e cila po udhëntote drejt veriut në autostradën Statet Hwy 259 – në drejtim për në veri të qytetit Henderson, kur në tentativë për të shmangur një objekt që i ka dal në rrugë, doli nga rruga dhe u përplasë fuqishëm me hekurat mbrojtës të rrugës.     Drejtuesia e automjetit Hava Shala, shtoi zoti Dark, e cila drejtonte një automjet të tipit Honda – SUV të vitit 2001, duket se për momentin e humbi kontrollin ndaj automjetit dhe e përplasi fuqishëm atë në manovër e sipër mbas hekurave, saqë minevena filloi të shkatërrohet derisa ai është kthyer disa herë në mes të rrugës.

    Hava Shala shoferia e automjetit dhe pasagjeri në sediljen e parë Bennie Shala, 37 vjeç, pas aksidentit u transferuan në East Texas Medical Center në Henderson, tha ai, duke shtuar se gjendja e Murtezait dhe të Hava Shalës së paku është aktualisht duke u përmisur.
“Përplasja është ende nën hetim,” tha Dark dhe shtoi se ky : “Raport nuk është përfundimtar” sipas tij. 
Tre pasagjerët e tjerë ishin në ulset e mbrapëme të automjetit kur ndodhi aksidenti.

 Gazeta Kligore News Herald më tej shkruan se nxënësia e klasës së 8-të  Liradone Bojkaj, 14 vjeçe, nga shkolla Maude Laird Middle School, u deklarua e vdekur e para – qysh në vendngjarje. Motra e saj, nga shkolla e mesme Kilgore High School Junior Mergimtare Bojkaj, 17 vjeç, e cila kishte dalë nga makina gjatë përplasjes vdiq më vonë në një spital aty afër zonës në qytetin Tyler.
     Vëllai i vajzave, Murteza Bojkaj, 19 vjeç, edhe ai një student nga shkolla e mesme Kilgore High School Junior megjithse kishte dal nga makina gjatë përplasjes, dhe u gjetë i gjallë në rrugë u transportuar në Spitalin më të afërt në Trinity Mother Frances Hospital, për trajtim, dhe mendohet së së bashku me tre të tjerët është jashtë rrezikut për jetën.
 Superintendenti i Përkohshme nga shkolla e mesme Kilgore High School Junior Dennis Williams ka lëshuar një deklaratë pas mësimit të aksidentit fatal, që mori jetën e dy studenteve të reja të kësaj shkolle.
   “Ne jemi thellësisht të pikëlluar, kur kemi marrë lajmin e kombshëm në këtë mëngjes se kemi humbur dy studentet më të mirë në një aksident me automjetin e tyre natën e fundit,” tha ai. Mësuesit dhe nxënësit stafi i shkollës, sot janë duke vizituar shokët e klasës së dy vajzave, për të ngushëlluar ato për humbjen tronditëse, duke shtuar se sot të gjitha: “Zemrat tona dhe mendimet tona janë me familjen e kësaj humbje të rëndë.” tha Superintendenti i Përkohshme nga shkolla e mesme Kilgore High School Junior Dennis WilliamsMurtezai, ka qenë një student i diplomuar në vitin 2011 në shkollën e mesme Kilgore High School Junior dhe ka luajtur në ekipin e futbollit të Shkollës Kilgore.Sipas një nga mësuesve të kësaj shkolle Greg Brown, një numër i studentëve, sot ditën martë kan vendosur  për të vizituar të shokun e tyre në spital, si edhe ata do të shprehin ngushëllimet pë humbjen shoqeve të klassës së tyre Mergimtare dhe Lirodona.
“Unë për vete jam thellësisht i pikëlluar me humbjen e papritur e dy vajzave kaq të mira,” tha Brown, duke shtuar se Liradona ishte një anëtare i ekipit të tenisit MLMs dhe një ndihmëse në bibliotekën e Shkollës.     Drjetori i Shkollës April Cox, u shpreh për gazetën lokale Kilgore News Herald se:”Ne jemi të pikëlluar se kanë humbur jetën dy anëtar të familjes sonë,” tha drejtori MLMs April Cox. “Gjithkush sot në qytetin tonë janë në zi për humbjen. Ato të dyja gjithmonë kishin një buzëqeshje në fytyrën e tyre dhe kan qenë me të vërtetë të respektuar në familjen e tyre dhe shoqërinë tonë” tha Cox, duke shtuar se”Lutjet tona të shkojnë të gjitha për familjen e saj.”
    Qytetarët e qytezës Kilgore në Teksas, kan hapur një fond për mbledhje mjetesh për familjen Shala dhe  Bojkaj në një xhirollogari, që është e hapur nga qytetarët dhe bëhet nëprmjet Bankës së Kilgores “Citizens Bank of Kilgore”. Banka gjendet në adresën  301 East Main St., ndërkohë, që një filial i saj ndodhet në Kilgore’s Brookshire’s në adresën 747 N. Henderson Blvd.

Filed Under: Kronike Tagged With: Beqir Sina, tragjedi shqiptare ne Texas

Merlin Tushe në Inaugurimin Presidencial të Obamës

February 5, 2013 by dgreca

Amerika është vërtetë një ëndërr/

Nga Adi Ashiku/

Jo vetëm për ne shqiptarët, por edhe për amerikanët pjesëmarrja në Ceremoninë e Betimit të Presidentit të SHBA përbën një eveniment të rëndësishëm e shumë sensacional. Për të marrë pjesë në këtë ditë Inaugurimi ishte ftuar edhe e reja shqiptare Merlin Tushe.

Gjatë bisedës me miq e shokë të saj, mjekë e nëpunës të ndryshëm në spitalin Montefiore në New York, ku ajo punon, mori jo vetëm urimet e tyre por edhe në shenjë dashamirësie dëgjoi t’i thonin “ndihemi xhelozë” që je ftuar në këtë eveniment të rrallë edhe për vetë amerikanët. Merlini u ftua në këtë ceremoni si një e re që ka patur rezultate të shkëlqyera në studimet e saj gjatë viteve të universitetit.

Ajo nuk është e para, sigurisht as e fundit ndër shqiptarë që kanë marrë pjesë e do të marrin në këto festime madhështore, por fati ia solli edhe asaj në derë që këtë ditë të ishte prezente mes personaliteteve të larta të Amerikës, si politikanë, studentë të shkëlqyer, artistë, gazetarë etj.

Hyrje ekskluzive në këtë Inaugurim i ishte rezervuar vetëm studentëve dhe të diplomuarve që falë rezultateve të tyre të larta dhe arritjeve te shkëlqyera akademike ishin rradhitur në 5%-shin e më të mirëve në Amerikë e mbarë botën. Mjerë për vendin tonë për largimin  e trurit e Bravo për SHBA, që dinë të vlerësojnë njeriun –  gjeni,  duke i dhënë atë që i takon.

Shprehja e njohur amerikane “Nuk ka rëndësi nga vjen, por ku shkon e çfarë bën në të mirë të vetvetes e mbarë qytetërimit”, i përshtatet shumë edhe Merlinit, e të gjithë të rinjve që kanë treguar veten se adaptimi në tokën e re është një obligim që duhet realizuar me sukses.

Ishte një pjesëmarrje me kritere selektive, prandaj edhe SHBA kanë si parim thithjen e individit me nivel të lartë intelektual dhe vlerësojnë specifikën e tyre, studjojnë elementët nëpër universitete, kolegje, shkolla të mesme e fillore, e më pas përzgjedhin më të mirin/mirën e të mirëve, për t’i vlerësuar në të ardhmen.

Merlini me aftësitë e saj edukative jo vetëm që është shquar gjithmonë si një nxënëse e studente shumë e mirë, por është dalluar edhe si një femër me virtyte të larta në familje, shoqëri e institucionin ku punon, të cilët herë pas here e kanë vlerësuar me Çmime e Mirënjohje të ndryshme.

Ajo është edhe një muzikante e talentuar. Me violinën e saj luan në Orkestrën Simfonike të Universitetit Albert Einstein në New York, ku kanë patur rast edhe shumë shqiptarë të ndjekin koncertet ku ajo merr pjesë.

Në ditën e Inaugurimit të Presidentit Obama, (ceremonia e 57-të përsa i përket rradhës së historisë amerikane), Merlini pati rast të qëndrojë pranë me shumë artistë, njerëz të njohur të kinematografisë, apo fushave të ndryshme të shkencës e teknikës amerikane. Duke u ndodhur pranë tyre e ndjente veten vërtetë të privilegjuar që ishte pjesë e asaj shoqërie të vlerësuar e ftuar për raste vërtetë madhore.

Dita e betimit në mandatin e dytë të Presidentit Obama përkoi me 21 Janarin, që është dita e Martin Luther King Jr., liderit të shquar të Lëvizjes për të Drejtat Civile afrikano – amerikane. Pas Ceremonisë së Betimit e parakalimit tradicional të Presidentit Obama me Zonjën e Parë Michelle Obama, të ftuarit e grupit ku Merlini bënte pjesë, sipas një intenerari të përcaktuar u angazhuan në vizita në muze, në disa konferenca zyrtare e seminare politikë, ku midis të tjerëve referuan ish Governatori i shtetit të Floridës Jeb Bush, Reverend Jesse L. Jackson Sr. etj, si dhe ndoqën një mbrëmje Gala.

Moti ishte me diell por i ftohtë, e megjithatë për të ndjekur inaugurimin e Presidentit të 44 të SHBA, kishin ardhur njerëz jo vetëm nga të gjithë anët e Amerikës, por edhe nga shtete të ndryshme të botës, e megjithatë kudo vihej re rregulli e qetësia publike. Forcat e sigurisë ishin në nivelin më të lartë të tyre. Edhe vullnetarë të shumtë ishin angazhuar për mbarëvajtjen e Inaugurimit presidencial, deri tek nxënësit e shkollave të mesme. Kudo kishte kontrolle e postoblloqe, e askush nuk mund të hynte për të parë paradën në Pennsylvania Avenue të Washington, D.C. pa kaluar nëpër “skanerin” policor.

Pjesëmarrja e Merlinit në këtë ceremoni do të mbetet një eksperiencë e paharruar, si dhe realizim i vërtetë i ëndrrës amerikane.

Filed Under: Kulture Tagged With: Aida Ashiku, Merlin Tushe, ne inaugurimine presidentit, Obama

NJERZIT ME DOSJE JANË SI KUAJT’ E KARROCAVE…

February 5, 2013 by dgreca

Në 45 vjetorin e Revolucionit Kultural/ NE FOTO: LABIRINTET E PAFUND TË DOSJEVE NË SHQIPNI

Nga Fritz RADOVANI/ Të gjitha perpjekjet e një shteti komunist porsa merr frenat e drejtimit në dorë janë që me pasë një rrjetë sigurimi sa ma të madh dhe me sa ma shumë njerzë, që kanë nenshkrue me dashje apo me dhunë bashkpunimin e tyne me organet e diktaturës dhe të shpifjes antinjerzore. Kur kam pyet në vitin 1992 një shkodran Mark Uli, komunist i vjeter, që kishte ba disa deklarata nder gjyqe të viteve 1945 – 46, kunder bashkqytetarëve të rijë në moshë që nuk kishin la as duert e tyne me gjak por u pushkatuen, si shpjegohet që ju keni kerkue pushkatimin e tyne, më asht pergjegjë: “Ishte ajo kohë që nuk kemi pa me sy ma larg se deri tek maja e hundës!”

            Kur ende partia komuniste ishte në ilegalitet ajo angazhoi antarët e saj në sigurimin e shtetit, të njohuna organet e ndjekjes, në frontin demokratik, prej të cilëve shumica u pushkatuen. Ata që u zgjodhën deputetë u konsideruen tradhëtarë, e në fakt shumica e tyne ashtu ishin, mbasi kur kerkohej nderhymja e tyne per me u dorzue ndonjë qytetar që ishte arratisë nder male, gati të gjithë u kapen nga forcat e ndjekjes se “shokët deputetë” njoftonin vendin e ndodhjes së tyne.

            Vendet ku rekrutoheshin rinia apo të arrestuemit në sigurimin e shtetit ishin të shumta, tue fillue nga aksionet e hapjes së rrugëve, hekurudhave, shkollave e teknikumeve, ushtrisë dhe vendeve të preferueme të punës, e deri vonë nder disa fakultete të zgjedhuna nder shkolla të nalta e universitete. Ndersa me të arrestuemit ishte kushti i parë per dënime të “lehta”. Një nga pikat e dyshimta ku janë njollosë shumë shqiptarë asht kenë zona kufitare, pa hy me folë per marrveshjet e sigurimit shqiptar me organet e spijunazhit të shteteve fqinjë. Një fushë kaq e gjanë rrekrutimi agjentash me një veprimtari të panderpreme 47 vjeçare, ka sjellë sot tek ne një shtet pa kolonë vertebrale, të pafuqishem me qendrue as nder karroca handikapesh, mbasi i duhet me u ruejtë edhe nga fluturimi i një insekti që asht tue ngordhë mos ta kafshojnë si “hakmarrje” e veprave të tyne kriminale, që u dalin para syve në të gjitha anët e vendit, madje deri nder varreza…

            Tue perjashtue veprat terroriste të organeve të diktaturës, mbas tyne njerzit ma damsjellës të shoqnisë shqiptare kryesisht nder institucione, qendra pune e fabrika apo kooperativa dhe ferma bujqësore, janë kenë sekretarët e partisë e mbas tyne drejtorët, të cilët angazhonin me krye këto vepra jo vetem operativët e sigurimit të kudondodhun, por dhe brigadierët e turneve.

            E gjithë veprimtaria e tyne permblidhej në “Dosje”…të shefave të kuadrit, të ushtrisë, të degës së mbrendshme, të hetuesisë, të kryetarit të degës, të gjykatave, të arkivit ministrisë së mbrendshme, të gjykatës së naltë, të kuvendit popullor dhe e “njoftimeve personale të shokut komandant Enver Hoxha”, ku mbyllej “cirku” i terrorit dhe i masakrave, me dekorimin dhe urdhnat që u jepeshin vrasësve ma të “dalluar” në sherbim të krimit nga PKSh, apo PPSh…

            “Dosja” sot mbetet e mbyllun! Ajo nuk hapet se vneri i tyne, i shpifjeve dhe i krimeve ma të pergjakuna mbulon rrugat e ndertesat ma të flliquna ku kurdiseshin këto vepra makabre.

            “Dosja” sot i paraprinë zgjedhjeve, vendeve të punës e deri tek “ma të respektuemit” që ndodhen nder zyret e bizneseve në marrdhanje me të huejtë… ju lutem mos u ngatrroni me shumë nga punojsit e ambasadave, të cilët kanë edhe një dosje ma shumë: “Në sherbim të shtetit huaj…”

            Nder komunistët e vjeter “Dosja” e Ramiz Alisë asht ma e mbushuna me dollarë e euro, mbas tij vijnë zevendsit e bashkpuntorët e tij…që “nuk varen më nga kobra Nexhmije Hoxha.”, mbasi asht plakë dhe ka frikë se vdes pa e ngranë pasuninë e vume me “djersen e ballit”…

            Po mbas saj kush mujt me ia kalue këta njëzetedy vjetë? – Janë jo pak në gara…

            Me ia kalue asht e vështirë. Ajo dhe grueja e Komeinit janë ma të pasunat në Botë!

            “Dosjet” e tyne janë nen peshen e randë të disa tonelatave të arit… Kanë me ngordhë edhe dy a tre breza të tyne pa dijtë ku i kanë “as dosjet e bankave nderkombëtare”, mbasi per tjera nuk po pyet ma kush. Krimet janë “harrue”, se sigurisht u mbyllet goja me nga një çek edhe shumë “institucioneve” nderkombëtare, që po “plasin” me i hapë “Dosjet” e krimeve të komunizmit!

            Vetem me dashtë me hapë “Dosjet” e kriminelave shqiptarë, do ti duhej atyne që do të kerkonin me i lexue ato, me ua lirue Selinë e O.K.B., e nuk dij a ua nxen…me çka asht ba tek ne.

            E pra, mjaft prej “Dosjeve” i “kemi zhdukë” per mos me zanë zyret me to. Një pjesë e mirë që punuen per zhdukjen e tyne, sot betohen: “Le të dalë një dhe të thotë se unë kisha dosje, isha sekretar partie, po nuk i kam bërë një të keqe njeriu…I bëri kujt partia ynë një vrasje apo burgosje? Kurrë! Punuam në hetuesi apo në Kuvendin Popullor, në gjykata apo prokurori, firmuam ndonjë pushkatim, po “ata” ishin armiqë, e meritonin, e di gjithkushi!..”

            “Sot kemi të tjera probleme”…Kaloi 100 vjetori i Pavarsisë, tashti duhet të mendojmë per votimet, si do ti organizojmë “fitoret” të gjithë bashkë, të lidhun e të bashkuem dhe me “armiqtë” tanë, duhet me e thanë haptas nga pushtuesit turq apo sllavë neve dhe “partisë sonë” (atëherë dhe sot) “nuk na erdhi ndonjë e keqe…” Mendojnë me vete!

            Asht dhe “frika” se në atë ecjen e tyne disi të veçantë njerzit me “dosje” kanë pasaporta, patenta, automjete, motorra, aeroplana…tunele, bunkera…anije, motoskafe, dekorata, çmime…

            Nuk ka mbetë emen i nderuem e i pa nderuem pa u ba “dekoratë” apo “çmim nderi”…

            Të maskohesh me “lirinë artistike” për me provokue opinjonin asht krim fund e krye.

            Nuk ka mbetë “prof. dr. e akademik” i vjeter e i ri pa shkrue një gja per një tjeter…

            Tue fillue nga politikanët pothuej të gjithë janë ba shkrimtarë, artistë e biznesmenë…

            Shumica e tyne duken sikur merren me art e letersi...ecin të marrakotun tue mendue si të “krijojnë” vepra letrare, teatrale, tv., filmike, monumente, etj. Sigurisht, vazhdojnë mashtrimin e vjeter tue shkrue sot të kunderten e asaj që kanë shkrue dje, po tue e modifikue dhe tue ruejtë në shkrimet e tyne po ata cilësi të dobta të karakterit e të moralit të vet, që i dhanë bashkë me helm pa u kursye per 50 vjet Rinisë dhe gjithë Popullit Shqiptar. Vetem në Shqipni ndigjohet shprehja: “Vertetë e kam shkruar...por kam dashur të them...”. Sikur ajo që asht shkrue nuk thotë “asgja”.

            A kemi shumë të tillë në Shqipninë “demokratike”? – Koha po tregon se po!

            Ata janë si kuajt e karrocave…Shikojnë vetem “punen” e vet! Mos i pritni rrugen!

            Kujdes! E mundohuni, mos me i mbetë në “kujtesë” të tyne po, dhe as me ua kujtue “Fjalimin Programatik të 6 shkurtit 1967”, dita ma e zezë per të gjithë Popullin Shqiptar!!

 

            Melbourne, Shkurt 2013.

Filed Under: Opinion Tagged With: Australi, Fritz radovani, Meburn, Njerzit me Dosje

PRINCI LEKA II FITON TE DREJTEN E PRONAVE

February 5, 2013 by dgreca

Leka Zogu II fiton të drejtën ligjore për të kërkuar kthimin e pronësisë/

Leka Zogu II, i njohur si Princ Leka, fiton të drejtën ligjore për të kërkuar kthimin dhe kompensimin e dy pasurive të familjes së tij, një prej të cilave është Pallati i Brigadave.
Me pretendimin se janë pronë e gjyshit të tij, Mbretit Zog, dhe se deri tani e ka pasur të pamundur ta kërkojë këtë të drejtë, Leka Zogu II i është drejtuar Gjykatës në janar 2013. Pak ditë më parë togat e zeza kanë pranuar kërkesën e Princ Lekës për rivendosje në afat të kërkesës së tij drejt Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për këto prona.
Sipas vendimit të Gjykatës, pronat në fjalë janë dy pasuri të paluajtshme, të njohura si “Pallati i Princeshave”, sot Biblioteka e Librit të Huaj, si dhe “Pallati Mbretëror”, sot Pallati i Brigadave, njoftojnë mediat në Shqipëri.
Në vendimin e shpallur më 25 janar nga gjyqtarja Blerona Hasa, thuhet se kërkuesi, Princi Leka, nuk ka pasur mundësi të kërkonte më parë kthimin dhe kompensimin e pronës, pasi nuk zotëronte dokumentet e pronësisë.
Sipas vendimit, këto dokumente trashëgimtari i vetëm i familjes mbretërore i ka “shtënë në dorë” vetëm pas datës 17 janar 2013. Referuar ligjit përkatës, ish-pronarët mund t’i drejtoheshin AKKP-së deri më datë 31 dhjetor 2008. Pas kësaj date e drejta për të depozituar kërkesën mund të bëhej vetëm nëpërmjet gjykatës.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5583
  • 5584
  • 5585
  • 5586
  • 5587
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT