• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MË E KEQJA KA KALUAR, POR DUHET TË RRIJMË ZGJUAR…

April 13, 2020 by dgreca

MË E KEQJA KA KALUAR, POR DUHET TË RRIJMË ZGJUAR…

Pak a shumë kështu e përcolli mesazhin e tij gjatë ditës së Hënë guvernatori Cuomo. Por ai e vendosi kumtin e tij në fjali kushtore: Më e keqja ka mbaruar nëse vazhdojmë të jemi zgjuar’!Pra, hapni sytë, beteja nuk ka mbaruar. Qëndroni në shtëpi!

Dhe pas asaj fjalie kushtore, ai pohoi realitetin përmes shifrave: njerëzit akoma po vdesin dhe ne po shohim shifrat e tmerrshme, ndërkohë që numri i vdekjeve në rang shteti i tejkaloi 10 mijë, shifër kjo që përbën rreth 43 për qind të totalit të vdekje në SHBA(23 mijë 640), ndërsa numri i të infektuarëve 195 mijëe 655, nga 586 mijë e 866 që është shifra e përgjithshme e të infektuarëve në SHBA(të dhenat e mbrëmjes së vonë të Universitetit John Hopkins). E dhimbshme!

Optimizmin e tij guvernatori e mbështeti tek fakti se numri i të shtruarëve në spitale është ulur nën 19 mijë, ndërkohë që numri i të shtruarëve të rinj është në ulje, ndërsa numri i të shëruarëve ka ardhur në rritje.

Kryetari i Bashkisë Bill de Blasio tha të Hënën se niveli i rasteve të koronavirusit, shtrimet në spitale dhe rasteve të ICU në New York City janë ulur të gjitha. 

       Si zyrtarët e Shtetit ashtu dhe ata të New York City-t e vlerësuan pozitivisht situatën nëpër spitale dhe e përcollën këtë si shenjë shpresë për javët pasuese. Guvernatori tha se situate do të ishte në kontroll përsa kohë që njerëzit do të vazhdojnë të ndjekin kufizimet e qëndrimit në shtëpi. Do të mjaftonte një kthim i vogël pas, dhe ata numra, që ne pamë në ditët e kaluara mund të kthehen shumë shpejt.

6 SHTETE, BASHKËPUNIM PËR HAPJEN GRADUALE TË EKONOMISË 

Gvernatori i shtetit të New Yorkut njoftoi të Hënën se gjashtë shtete do të bashkëpunonin me njëri-tjetrin me qëllim që t’i bëhet ball bashkërisht COVID-19 dhe të rihapet ekonomia.

     Bashkëpunimi ndërshtetror përfshin New York-un, New Jersey, Connecticut, Pennsylvania, Delaware dhe Rhode Island. Cdo shtet do të emërojë një zyrtar të shëndetit publik dhe një zyrtar të zhvillimit ekonomik, dhe shefat e personelit të guvernatorve dhe menjëherë do të fillojë të funksionojë si një grup i përbashkët pune për të dalë me një plan të rihapjes ekonomike bazuar në të dhënat më të fundit.

 Cuomo raportoi se numri i viktimave gjatë ditës së Hënë ishte 671(nga 758 që ishin të vdekurit të Dielën e Pashkës). Kjo bëri që numri i të vdekurve në shtetin e New York-ut arriti në total 10.056. “Ne do të ri-kalibrojmë atë që është thelbësore,” tha guvernatori duke njoftuar rihapjen e ngadaltë të ekonomisë. Ai bëri thirrje për më shumë testime dhe më shumë masa paraprake. 

Departamenti i Edukimit në New York njoftoi të Hënën me 13 Prill se 21 mësues, në mes të 50 punonjësve të arsimit në shkollat publike, kanë humbur jetën nga Coronavirusi.

Në deklaratën e Departamentit të Edukimit theksohet keqardhja për humbjet e jetëve dhe solidariteti me familjet e mësuesve dhe punonëjsve të tjerë të shkollave publike. 

Ndërkohë që debatet mes Governatorit dhe kryebashkiakut për shkollat, të hapen a të mbyllen, vazhduan në fundjavë, Presidenti Donald Trump, tha të hënën, se ai është vendim marrësi përfundimtar për përcaktimin se si dhe kur do të rihapet vendi i goditur nga koronavirusi.Në fakt vendimet për mbylljen e bizneseve jo thelbsore, shkollave etj. janë marrë nga qeveritë lokale. Sipas Kushtetutës, shëndeti dhe siguria publike janë kryesisht në juridiksionin e zyrtarëve shtetërorë lokalë. Dhe shumë prej liderëve të shteteve kanë shprehur shqetësimin se plani i Trumpit për  të kthyer vendin në jetë normale më shpejt, do të kushtojë jetë të humbura, dhe do të rrisë kohëzgjatjen e Pandemisë.

Presidenti u shpreh: Disa po thonë “se është vendim i Guvernatorëve për të hapur ekonominë, jo i Presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë Federale. Le të kuptohet plotësisht se kjo është e pasaktë … është vendimi i Presidentit, për shumë arsye “. Ai shtoi: Administrata dhe unë po punojmë ngushtë me Guvernatorët, dhe një vendim nga unë në bashkëpunim me guvernatorët do të merret së shpejti!(Dielli)

*** 

Media po merret gjithnjë e më shumë me viktimat e panumëruara nëpër shtëpitë e pleqëve.Raporti më i fundit vjen nga Associated Press. Më shumë se 3,300 amerikanë kanë vdekur në shtëpitë e pleqve nga COVID-19 – por ekspertët thonë se kjo është vetëm maja e ajsbergut. Ekspertët thonë se numri i lartë i vdekjeve në institucionet e kujdesit afatgjatë ka të ngjarë të vazhdojë të rritet.

Mbledhja e shifrave prej Associated Press vijnë nga raportet e mediave dhe departamentet e shëndetit. 

Sidoqoftë, ekspertët parashikojnë se, sipas  përllogaritjeve të ndryshme të mbajtura nga disa burime lajmesh, ka të ngjarë që këto shifra të jenë “maja e ajsbergut” e numrit të vërtetë të COVID-19 në këto Shtëpi Pleqsh.

Në shumë shtete që ende përpiqen të kenë qasje të gjerë në testime, vdekjet e lidhura me koronavirusin në këto institucione ka të ngjarë të mos raportohen.

Sidoqoftë, pas presionit të dy senatorëve demokratë, qeveria federale ka filluar ta bëjë këtë raportim.

Në fakt ky nuk është  një problem i ri, as i panjohur. Media edhe më herët e ka trajtuar dhe ka hedhur akuza për mosdeklarimin e vdekjeve të ndodhura në shtëpitë e kujdesit. Me 11 Prill psh NBS NEWS njoftonte se kishin vdekur më shumë se 2 mijë e 200 pacientë prej koronavirusit në shtëpitë e pleqve dhe përcillte një raport të detajtuar nëpr shtete të ndryshme. Koordinatorja e Shtëpisë së Bardhë për Koronavirusin Dr. Deborah Birx tha të Hënën se testimi për të moshuarit duhet të jetë një përparësi.

Pergatiti per Diellin:Dalip greca

Filed Under: Featured Tagged With: Me e keqja kaloi

KRYETARI ELMI BERISHA: Në SHBA ka shumë viktima, edhe shqiptarë, izolohuni!

April 13, 2020 by dgreca

Ju mund ta ndiqni te plote intervisten ne youtube ne linkun qe keni poshte fotos…

Foto-Dielli arkiv-Nga Mbledhja e Keshillit te Vatres.
https://www.youtube.com/watch?v=tHgUP9s8n8s&feature=youtu.be

KRYETARI BERISHA: “Kosova s’e ka luksin për krizë politike në kohë pandemie”, kreu i “Vatrës” kritika për politikanët, thirrje qytetarëve: Në SHBA ka shumë viktima, edhe shqiptarë, izolohuni!

Kreu i Shoqatës shqiptare në SHBA “Vatra”, Elmi Berisha, në një lidhje me “Skype” për News24 duke folur për situatën e rëndë të krijuar në SHBA, dhe kryesisht në Nju Jork, për shkak të përhapjes masive të koronavirusit, deklaroi se Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera të rajonit duhet të marrin mësim nga Nju Jorku dhe të respektojnë me përpikmëri masat, pasi janë vende të vogla dhe e kanë më të lehtë.

Ai falënderoi qeveritë shqiptare për masat e deritanishme, ndërsa shtoi se qytetarët nuk po tregohen të ndërgjegjshëm.

Kreu i Shoqatës Vatra kritikoi ashpër politikanët kosovarë, të cilët janë në krizë për krijimin e qeverisë, pikërisht në këtë periudhë të vështirë të pandemisë.

Berisha tha se shqiptarët e SHBA janë shumë të zhgënjyer me politikanët e Kosovës, të cilët sipas tij, nuk e kanë luksin të merren me çështje që mund të zgjidhen edhe më vonë.

Pjesë nga intervista:

Si është situate në Nju Jork?
Situata është shumë e rëndë, por po bëhet një punë e jashtëzakonshme për të ruajtur shëndetin dhe për të ndalur këtë pandemi të madhe.

Çfarë po bëni ju si shoqatë në funksion të komunitetit shqiptar?
Po luan një rol të rëndësishëm. Në mesin e Vatrës kemi persona, mjekë, inxhinierë, doktorë, që po punojnë 24 orë duke i shërbyer komunitetit shqiptar, por edhe qytetarëve amerikanë. Të moshuarve dhe atyre që nuk kanë shërbim të mirë, Vatra po koordinohet me mjekët për t’iu shërbyer, duke bërë një punë të jashtëzakonshme. Kemi viktima të mëdha, ka dhe shqiptarë, që nuk mund t’i përmend, por ka një numër të jashtëzakonshëm të shqiptarëve të prekur, edhe të atyre që janë në gjendje të rëndë, si dhe të atyre që janë shëruar fatmirësisht.

Vatra aktualisht ka lënë numra telefoni në dispozicion të shqiptarëve atje?
Vatra është në lidhje të drejtpërdrejtë me të gjithë ata shqiptarë dhe me organizata të tjera, që veprojnë në Amerikë, por edhe me organizata në vende të tjera të botës, me të cilat shkëmben informacione, që ndihmojnë për të luftuar këtë pandemi. Jemi në lidhje të vazhdueshme duke ndihmuar, kontribuuar dhe dhënë informatat, që do na shpëtojnë jetën.

Si e shihni situatën në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë?

Lexova që Kosovës po i rritet numri i të infektuarve, kjo është për shkak të mos respektimit të kërkesave. Duhet të izolohemi, pasi është e vetmja mënyrë për të ndaluar këtë sëmundje të rrezikshme. Nëse e duam veten, familjen dhe të tjerët, sigurisht që do të jetë e lehtë të vendosim të vetëizolohemi. Nju Jork është në krizë, vetëm për faktin se densiteti i njerëzve është shumë i madh, kurse në Shqipëri, Kosovë e vende të tjera duhet ta marrin si mësim dhe të kuptojnë se e vetmja mënyrë për të kaluar këtë sfidë është vetëizolimi. Shqipëria po bën një punë shumë të mirë. Respektimi nga qytetarët duhet të jetë pak më dinjitoz, sepse qeveritë e vendeve tona po bëjnë një punë të jashtëzakonshme.

Kosova u përfshi në debate të forta politike në mes të pademinsë, sa ra dhe qeveria. Cili është mesazhi juaj?

Jemi shumë të shqetësuar për situatën në Kosovë, posacërisht në kohën kur gjithë bota po lufton një virus vdekjeprurës, që ka marrë qindra mijëra jetë, gjen luksin që shteti më i ri në botë të merret me çështje që mund të zgjidhen edhe më vonë. Nuk ndihemi fare mirë. Sikur mos të ishin shqiptaro-amerikanët do ishte shumë e vështirë të pranohej ky kufi që është tani, Shqipëria.

Edhe më vonë u bënë përpjekje për të sensibilizuar shtetin e Kosovës. Ne ndihemi shumë të parespektuar dhe nuk ndihemi mirë, sepse në situate të tilla duhet të mobilizohet populli shqiptar për të kaluar kriza, që kanë kapluar botën. Duhet të respektohet Kushtetuta në Kosovë. Por, shëndeti i qytetarëve është dhe duhet të jetë i pari, pastaj qeveria. Uashingtoni kërkon një unitet, që do të ishte përfundimtar për përfundimin e konfliktin me Serbinë. Në vend që të përgatitemi për këtë, ne humbim energji me gjëra dytësore.
Cili është mendimi i Vatrës ndaj politikës së Presidentit Trump në Ballkan dhe mes Kosovës e Serbisë?

Të gjithë shqiptarët e Amerikës kemi shumë arsye që ta besojmë Uashingtonin, Kongresin, Senatin, Pentagonin. Jam shumë i relaksuar për faktin që Presidenti Trump është duke investuar shumë për njohjen reciproke të Kosovës dhe Serbisë. Mendojmë se asnjëherë Amerika nuk do të bënte dicka që nuk është e mirë për shqiptarët. Bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të bëhen transparente sa më parë. Mungesa e transparencës e ka sjellë deri këtu situatën. Edhe liderët e Kosovës duhet sa më parë të koordinohen, të ulen së bashku, të bashkojnë forcat, të koordinohen me SHBA dhe të përfundojnë këtë ankth, që qëndron ende te shqiptarët.

Proceset e Vatrës vazhdojnë?

Më 19 janar të këtij viti mbajtëm takimin zgjedhor, ku u zgjodha kryetar I Vatrës për dy vitet e ardhshme. Unë e kam quajtur si Vatra e shekullit 21, do hapim dyert për të gjithë shqiptarët, do krijojmë një atmosferë atraktive për gjeneratat e reja dhe do krijojmë një bazë të fuqishme, që Vatra të vijojë qindra vite në vijim.(Pjese nga Intervista e dhene me 13 Prill 2020 per Televizionin News 24, publikuar me video edhe ne Balkanweb, Gazeta Panorama etj)

Filed Under: Featured Tagged With: Elmi ferisca-Interviste-news24

MËSUESI ATDHETAR SELAMI KËLLIÇI NGA PERMETI NDËRROI JETË NË DETROIT

April 13, 2020 by dgreca

Në këtë kohë të ngarkuara me lajme dhe njoftime mortore nga Koronavirusi, nga nënkryetari i Vatrës, njëkohësisht kryetari i degës së Vatrës në Jacksonville, z. Adriatik Spahiu, na vjen një lajm i dhimbshëm: Në Sterling Heights Michigan ka ndërruar jetë bashkatdhetari Selami Këlliçi, i cili kishte ardhë nga Shqipëria për vizitë tek vajza e tij, por Pandemia e bllokoi dhe kishte anuluar fluturimin e kthimit. Një sulm kardiak ia ka marrë jetën bashkatdhetarit tonë. 

Po kush ishte Selami Këlliç? 

I përcjellim ngushëllimet më të thella familjes! Në vijim po publikojmë nekrologjinë(Dielli)

KUSH ISHTE SELAMI KËLLIÇI?

 Me hidherim te thelle njoftojme ndarjen nga jeta te njeriut tone te dashur SELAMI KELLIÇI, babait shembullor, mesuesit dhe intelektualit me kulture te gjere, qytetarit korrekt, njeriut kerkues ne jete, shokut dhe mikut fisnik te shqiptareve ne te gjitha trojet shqipfolese, burrit qe me prezencen e tij impononte respekt dhe dashuri. Salami Kelliçi u lind ne Leskaj te Permetit me 12.08.1939. Pas mbarimit te shkolles fillore ne Leskaj, kreu shkollen 7 vjeçare ne Permet. Pastaj u arsimua ne shkollen e mesme pedagogjike “Pandeli Sotiri” ne Gjirokaster dhe me vone studioi ne Institutin e Larte Pedagogjik ne Shkoder. Mesuesi i ri i diplomuar do te kontribuonte me pasion dhe devotshmeri pa u lodhur ne zonat e thella te Skraparit dhe Permetit, here si mesues dhe here si drejtues u karakterizua nga ndjenja e sakrifices ndershmerise duke u ngritur mbi veshtiresite per te kontribuar per krijimin e nje shoqerie me te mire. Dhjetra gjenerata nxenesish do ta kujtojne ate jo vetem si mesuesin e Kimi-Biologjise por edhe i Letersise Historise Gjeografise dhe Matematikes qe ai i donte shume. Ata qindra kolege me te cilet punoi do ta kujtojne shokun e mire, kolegun e mrekullueshem qe nuk u pertua kurre ti ndihmonte me zemergjeresine e tij dhe pastertine e mikut dhe shokut. Koleget dhe qytetaret do e kujtojne Selami Kelliçin per kontributin e tij ne edukimin e shume gjeneratave te reja. Selami Kelliçi eshte dekoruar nga Presidenti i Republikes me urdherin e larte, “Mesues i dalluar“ dhe urdherin e larte “ Naim Frasheri “. Edhe gjate viteve te pensionit ka qene aktiv ne aktivitetet shoqerore dhe publike. Ai kishte nje ndjenje dashurie per te gjitha trojet Shqiptare te cilat i ka vizituar te gjitha, Kosove, viset shqiptare te Malit te Zi dhe viset shqiptare ne Maqedonine e Veriut dhe Çameri. Selami Kelliçi ishte nje prind shembullor dhe i sakrifices qe se bashku me bashkeshorten e tij Lumturine rriten dhe edukuan 5 femije te gjithe me arsim te larte. Gjate vitit tragjik 1997 do te humbiste ne krye te detyres djalin, oficerin Bardhyl Kelliçi ( Deshmor i Atdheut ) nje nder oficeret e rene ne krye te detyres ne tragjedite e Picarit te Gjirokastres. Vitet e fundit te jetes i kaloi ne pension i rrethuar nga dashuria dhe perkujdesja e femijeve te tije, Ardit, Laures, Bledit, Mirit. U nda nga jeta pas nje vizite ne familjen e Laures ne Sterling Heights Michigan duke lene ne trishtim te thelle famijaret e tij.

 *** 

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra bashkohet me ngushëllimet e nënkryetarit të saj, Kryetar i degës në Jacksonville.z. Adriatik Spahiu.Ngushëllime familjarëve në Shqipëri dhe vajzës me familje në Detroit. Pushoftë në paqe shpirti mësuesit Selami Këlliçi!

Filed Under: Komunitet Tagged With: Selami Kelliçi

NACIONALIZMI, SHQIPËRIA ETNIKE DHE LËVIZJA N. – Çl.- Problemi Çam, shpëtimi i hebrenjve

April 13, 2020 by dgreca

Nga Eugjen MERLIKA*/

Nacionalizmi shqiptar vazhdoi gjithmonë të shpresojë se dhe ato treva do t’i bashkoheshin Atdheut, por ajo mbeti vetëm një ëndërr. Arsyeja e kësaj mungese nuk gjindet as në Ditarin e Çianos dhe as në librin e Jakomonit. Na ndriçon këtë pikëpyetje diplomati Karlo Umiltà, në veprën e tij “Jugosllavia e Shqipëria”. Duke qenë emëruar Komisar i Lartë i Qeverisë italiane për krahinat e bashkëngjitura Shqipërisë, ai bën një udhëtim me një grup pune në të gjitha ato treva e, më së fundi, i dërgon një relacion Ministrisë së Jashtëme që, siç thotë ai, u muar për bazë prej asaj, për sa i përket Çamërisë e zonave të tjera t’Epirit.

                        “Sapo mbarova këtë detyrë, ndërsa Komisari i Lartë, Alizoti, kishte shkuar të merrte në dorëzim zyrën e tij në Kosovë e Dibër, Ministria e Jashtme më ngarkoi për të kryer një rreth vëzhgimesh në krahinën që quhej Çamëri e që duhej t’i bashkangjitej më vonë Shqipërisë, nën Komisariatin e Lartë të Xhemil Dinos….

                        Territori i ri paraqitej i varfër e i shkretë e në qytetin e Kosturit pata shpejt përshtypjen se nuk kishte as hije shqiptarësh….

                        Ata ishin maqedonas dhe donin të bënin pjesë në Shtetin maqedon, që do të mund të formohej me popullsi të tjera maqedone deri në Follorinë, Monastir (Bitolje) e Shkup (Skoplje). Nëse në fund të luftës Shteti maqedon nuk mund të krijohej, ata dëshironin të vazhdonin të bënin pjesë në Shtetin grek. Nëse dhe ajo nuk do të ishte e mundur, do të kishin mbetur me qejf nën administrimin dhe mbrojtjen italiane, por në asnjë rast nuk do t’i përshtateshin bashkimit me Shqipërinë, madje kundër një bashkimi të tillë, ishin gati për një kryengritje të përgjithshme….

                        Nga Kosturi u drejtuam për në Gravenè, një qytet i vogël, i banuar në shumicë nga maqedonë e grekë. Asnjë këmbë shqiptari. Dëshirat e tyre ishin të njëjta me ato të Kosturit…. Asnjë nuk donte të dëgjohej të flitej për Shqipërinë….

                        Mbas Grevenès morëm një lloj rruge sapo të hapur që na çoi rrëzë Pindit e prej andej… deri në Mecovo, qyteti më i rëndësishëm i gjithë territorit. Edhe këtu popullsia është e përzierë prej arumunësh dhe grekësh e më shumë se për bujq bëhet fjalë për barij e pylltarë. Nëpërmjet ushtarakëve tanë, munda të flas me shumëkryepleq  fshatrash e me ndonjë kryetar bashkie. Aspiratat e tyre ishin të mbeteshin të bashkuar me Greqinë, mbasi të mbaronte lufta dhe pushtimi ynë ushtarak, për të cilin folën shumë mirë.

                        Për Shqipërinë as që bëhej fjalë, sepse ata e quanin një Vend të prapambetur e pa t’ardhme.”[1]

                        Duke vazhduar udhëtimin e tij në Janinë, Prevezë e Artë dhe në Çamëri, diplomati italian përsërit gjithmonë të njëjtat pohime. Arrin deri aty, saqë edhe në Delvinë e Sarandë “të gjithë ishin të një mendimi, të përjashtonin si të papërshtatëshëm zmadhimin e Shqipërisë drejt jugut, me bashkimin e territoreve të tjera, të banuara , pothuajse krejtësisht nga grekët. Edhe shqiptarët myslimanë ishin kundër bashkimit me çamët e racës dhe besimit të tyre. Nga ajo anë kufijtë shqiptarë ishin mirë ashtu siç ishin.

                        Megjithë ankesat e Xhemil Dinos dhe të atyre si ai që ishin t’interesuar për projektin e rrezikshëm të Çamërisë, Qeveria jonë miratoi plotësisht përfundimet e mija dhe u arrit të bindej dhe Qeveria shqiptare për mungesën e leverdisë për të mbajtur në Shqipëri e jashtë saj një shqetësim në dobi të bashkimit, që tashmë nuk mund të sendërtohej në kundërshtim me opinionin e pothuaj gjithë popullsisë, që do të bëhej viktimë, pa dobi për askënd.

                        Për Çamërinë nuk u fol më dhe vetë Xhemil Dino u kthye nga Tirana në Romë pa bezdisur më Qeverinë tonë.”[2]

                        Këto ishin disa nga konsideratat e diplomatit Umiltà, që nuk shquhet për simpati karshi shqiptarëvet dhe përfaqësuesve të tyre politikë, sidomos për Mustafa Krujën dhe Eqerem Vlorën “ish diplomat turk e nacionalist i zjarrtë, jo më pak se Kryeministri i tij Kruja”[3]

                        Diplomati Umiltà që nuk më duket shumë bindës dhe objektiv në përfundimet e tij, në sajë të mungesës së personave të lartpërmendur në Qeverinë shqiptare, arriti t’a varrosë çështjen çame, duke menduar se i ka bërë mirë atyre popullsive. Ai, së bashku me një pjesë të mirë  të ushtarakëve italianë, shquheshin për qëndrimin kundër shqiptar gjatë luftës, në territoret ku ishte vendosur ushtria italiane. Kjo ndodhte, sipas tij, sepse pakicat serbe e maqedonase ishin më të “emancipuara”, në kuptimin e botës femërore, se sa shqiptaret myslimane të Kosovës apo Dibrës. Kuptohet qartë se pse ushtarakët italianë, në sytë e Komisarit Umiltà, tjetërsonin dhe opinionet e popullsisë, duke e çuar atë në përfundime të gabuara e me aq pasoja të hidhura për çështjen tonë kombëtare.

                        “Ajo që ka dëmtuar më shumë forcimin e marredhënieve mes dy shteteve qe politika jashtazonisht autoritare e Qeverisë shqiptare që, fatkeqësisht u përpoq vazhdimisht të kundërshtonte këshillat e matura e t’arsyeshme që vinin nga Roma. Kur u formua Qeveria Libohova, e keqja ishte bërë dhe maturia arriti shumë vonë.”[4]

                        Ky ishte përfundimi i përfundimeve të analizës së diplomatit Umiltà, një akuzë e fortë kundrejt Qeverisë Kruja, që kishte në qendrën e veprimtarisë së saj çështjen kombëtare, në të gjitha shfaqjet dhe problemet e saj, një Qeveri që propaganda komuniste e kohës dhe historiografia, deri në ditët tona, vazhdon t’a quajë “bashkëpuntore”, “tradhëtare” e “vegël” e pushtuesit italian. Ajo Qeveri erdhi në fuqi më 3 dhjetor 1941 e pati një jetë prej 13 muajsh, deri më 4 janar 1943.

                        “Ministrat shqiptarë shëmbëllejnë me njëri tjetrin. Janë të gjithë të rinj, nuk them si moshë, por si shërbim. Janë të gjithë të veshur thjesht, pak t’ashpër, të pregatitur mirë teorikisht. E shkuara e tyre është pothuajse e njëjtë : kanë vuajtur për Vendin e tyre.. Idetë e tyre janë  të lidhura me disa dogma themelore : bashkimi i Shqipërisë, autonomi e brëndëshme, mbrojtje e racës dhe pasurisë së saj kulturore, bashkëpunim me Italinë në bazën e të drejtave dhe detyrave të përbashkëta. Janë të ndershëm e të varfër. Janë njerëz të veprimit e jo të burokracisë…

                        Komandon ministri shqiptar që, teorikisht, mundet edhe të mos kërkojë kurrë këshillën e këshilltarit. Këshilltari pret të pyetet për të dhënë mendimin e tij. Mbasi e ka dhënë atë nuk e imponon; ministri vendos nëse është apo jo rasti për t’a pranuar. Kështu thotë rendi juridik që rregullon marredhëniet mes ministrit e këshilltarit, pra, në praktikë marredhëniet mes Shqipërisë e  Italisë.”[5]  

                        Kjo është fotografia e Qeverisë Kruja, e bërë nga njëri ndër më të mëdhenjtë e gazetarisë botërore, shkrimtari e historiani Indro Montaneli. Besoj se nuk ka nevojë për asnjë koment, ndoshta është kuadri ideal për çfarëdo Qeveri, në çdo vend të botës, në çdo kohë. Dhe ja portreti i Kryetarit të Qeverisë, gjithënjë simbas Montanelit, në intervistën e botuar në “Corriere della Sera” të datës 21 maj 1942 :

                        “Nuk e shihnja Merlika-Krujën prej dhjetë vjetësh dhe e gjeta pak të ndryshuar. Suksesi dhe  nderimet kanë ndryshuar pak në karakterin dhe qëndrimet e jashtëme të këtij njeriu. Ai ishte veshur pak a shumë si dhjetë vjet më parë e nuk nxjerr në pah rëndësinë e tij me poza e fjalë të mëdha. Vazhdon të flasë i matur e jep përshtypjen se çfarë thotë është e vërtetë….

                        Dua një Shqipëri të bashkuar brënda kufijve të saj natyrorë. Dua që kjo Shqipëri e bashkuar të zhvillojë jetën e saj në paqën e siguruar nga Roma. Ne jemi lidhur me Romën nga rrethana të pandryshueshme historike e gjeografike. Fakti që edhe ne jemi në luftë nuk rrjedh nga që kemi hequr dorë nga një politikë e jashtëme e pavarur, por nga se Shqipëria, për vetë pozitën e saj gjeografike, është e lidhur me fatin e Italisë”.[6]   

            Kjo është paraqitja e Kryeministrit shqiptar në opinionin publik italian, por portretin e tij, në një nga këndvështrimet më të rëndësishme të figurës, e plotëson vetë Mëkëmbësi i Mbretit, Jakomoni : 

            “ Një shfaqje nga ana e Mustafa Krujës të asaj që ishte “burrnia” e tij, pra të aftësisë për të përballuar situata me guxim e zemërgjërësi, e pata pak mbas marrjes së funksionit si Kryetar i Qeverisë. Kishte shkuar tek ai Konsulli i përgjithshëm i Gjermanisë dhe i kishte paraqitur një notë gojore, me të cilën Qeveria naziste kërkonte dorëzimin e më shumë se treqind hebrenjve që, të ikur nga Jugosllavia, kishin gjetur strehë në Shqipëri. Komanda ushtarake gjermane e Beogradit i kishte dhënë lajme të sakta mbi emrat e tyre dhe vëndet ku ishin strehuar në Kosovën shqiptare. Mustafa Kruja erdhi të më kërkojë lejën për t’i lënë të patrazuar në Shqipëri. Nuk kishte në të gjithë Vendin ushtarë gjermanë që të mund t’i njihnin. E quajtëm me vend që hebrenjtë e ikur të shpërnguleshin në krahinën e Gjirokastrës, që kufizohej me zonën greke, të pushtuar nga trupat italiane. Ata do të ishin paisur me një pashaportë shqiptare me emër të rremë e, aty ku do të kishte qenë e nevojshme, të ndihmoheshin materialisht. Këto masa do t’i premtonin Mustafa Krujës t’i përgjigjej, mbas pak ditësh, Konsullit të përgjithshëm të Gjermanisë, se të gjitha kërkimet e bëra në Kosovë, sa i përket emrave të shënuara, kishin dalë të kota.

            Nuk u njoftua zyrtarisht Roma për këtë gjë, por u njoftua privatisht për të Drejtori i përgjithshëm i çështjeve sekrete, Ministri i plotfuqishëm Vidau. Ai ishte njeri me zemër dhe me të merrnim masa, nëpërmjet përfaqësive tona jashtë shtetit, të furnizonim hebrenjtë gjermanë, çekë, polakë, hungarezë e rumunë me pasaporta shqiptare. Ata mund t’i shpëtonin kështu përndjekjeve racore, duke shkuar në Shqipëri.”[7]

            Ky pohim i Mëkëmbësit të Mbretit italian në Shqipëri është një fletë nderi ndërkombëtare, jo vetëm për M. Krujën dhe Qeverinë e tij, por për gjithë Shqipërinë e banorët e saj. Me këto veprime Shqipëria vihet në rradhën e atyre pak Vendeve të Evropës së pushtuar nga nazifashistët, që nuk morën mbi vehte turpin e një krimi, nga më të shëmtuarit e më mizorët në historinë e botës, atë të Holokaustit. Shqipëria e vogël, në sajë të bijve të saj fisnikë, vuri mbi krye një kurorë, të cilën nuk patën guximin e meritën t’a kenë as popuj shumë më të mëdhenj, më të zhvilluar e më të fuqishëm. Ajo kurorë mbante emrin e humanizmit në shkallë eprore, e vlerave njerëzore të respektuara edhe në rrethanat më të errëta të historisë njerëzore. Në sajë të këtij gjesti, Shqipëria ballëlartë mes gërmadhave të përfundimit të luftës, kishte të drejtën e ligjëshme të kërkonte vendin e saj të nderit, në renditjen e fituesve moralë të tragjedisë më të madhe që kishte kaluar njerëzimi.

            Ja si na e përshkruan një nga studjuesit më të pregatitur të historisë sonë, Z. Mergim Korça këtë episod të rrënjosur thellë në kujtesën e tij rinore:

            “ …Atëherë Mustafa Merlika Kruja i tha babait ( Dr. Xhevat Korça E.M.) se duhej të merrnin masa urgjente për t’u ardhur në ndihmë hebrenjve në Kosovë. I telefonuan Ministrit të Punëve të Brëndëshme z. Mark Gjomarkaj si edhe sekretarit të përgjithshëm të Kryeministrisë, z. Engjëll Çoba dhe e lanë të mblidheshin menjëherë në zyrën e Kryeministrit.

            Mbas disa ditësh mësova se Mark Gjomarkaj kishte dërguar në krye të një ekipi të tërë prefektësh, nënprefektësh si edhe nëpunësish të besuar të Ministrisë së Brëndëshme, duke mobilizuar edhe të gjithë autobuzët e shoqërisë S.A.T.A., zotin Engjëll Çoba në Prishtinë si i plotfuqishëm të pajiste me dokumenta shqiptare si edhe me emra shqiptarë sa më shumë hebrenj që t’ishte e mundur e t’i transferonte në Shqipëri…”[8]            

            Por për shtatëdhjetë vjet, përfshirë këtu edhe tridhjetë prej tyre të demokracisë, kjo meritë e madhe e kombit, kjo meteorë e ndritëshme në qiellin e historisë së tij, nuk u zu në gojë, nuk u bë e njohur. Tridhjetë vitet e fundit ishin inercia e pesëdhjetë viteve të regjimit, që u mundua t’a varrosë në katakombet e harresës këtë monument të krenarisë kombëtare, shpëtimin e hebrenjve. Kjo ndodhte vetëm e vetëm sepse ai lidhej me emra si Ahmet Zogu, Mustafa Kruja, Mark Gjomarkaj, Xhevat Korça, Engjëll Çoba, Maliq Bushati, Kolë Bib Mirakaj, at Anton Harapi, Mehdi Frashëri, Lef Nosi, Xhaferr Deva, Fiqiri Dine, Ibrahim Biçaku e sa e sa qeveritarë të tjerë të Shqipërisë etnike, në të gjitha nivelet, që nderuan me veprën e tyre emrin e saj e i lanë brezave t’ardhshëm krenarinë e të qënit bir i një populli që dhunës i kundërvu humanizmin e vërtetë.

Gjeneral Zerva qe udhehoqi masakren kunder popullsise shqiptare Çame.

(VIJON)


[1] Carlo Umiltà   “Jugoslavia e Albania”  F. 128-130  

[2] Po aty  F. 133-134

[3] Po aty  F.147

[4] Po aty  F. 169

[5] Francesco  Jacomoni  di San Savino “ La politica dell’Italia in Albania” F. 163

[6] Po aty  F. 287

[7] Francesco Jacomoni di San Savino  “La politica dell’Italia in Albania” F. 288-289

[8] Mërgim Korça “Histori të Pashkruara” F. 93

Filed Under: Politike Tagged With: Nacionalizmi3

IMAM ISA HOXHA,VAZHDIM I IDEALEVE TË RILINDJES KOMBËTARE 

April 13, 2020 by dgreca

Shkruan: Idriz Lamaj/ DIELLI/

            Imam Isa Hoxha zënë një vend të nderuar në komunitetin shqiptaro-amerikan. Për afër katër dekada i sherben me dedikim këtij komuniteti. Për këtë vlerësohet si udhëheqës shpirtëror musliman shqiptar i cili gjatë dy përiudhave historike, luftës antikomuniste dhe demokracisë, ka dhënë ndihmes të shquar në mbrojtjen e virtyteve më të larta të kauzës fetare e kombëtare. Ka kohë që, tani ky burr i moshës së thyer, cilësohet nga studiuesit si përsonalitet klasik që fenë e atdheun i ka të mishëruara në një të pandar ashtu siç i kishin rilindasit tonë.

         Në veprimtarinë e tij të gjithanëshme dallohet edhe veprimtaria e Qendres Islame Shqiptraro-Amerikane për New York dhe New Jersey. Angazhimi i tij për mbarëvajtjen e kësaj qendre dhe të xhamive të tjera të ndërtuara në këto dy shtete, interesimi për botimin e revistës “Përpjekja Jonë” qe përmbanë 22 vëllime, ku figurojnë qindra shkrime  të tij të fushave të ndryshme, dhe pjesëmarrja aktive në zhvillimet më të rëndësishme te komunitetit, tregojnë edhe një herë karakterin e tij të hekurtë ndaj misionit të tij të shenjët, qe pak shqiptarr të diasporës e kurorëzuan më me sukses se ai. 

         Fjala e zjarrët e Imam Isa Hoxhës në përkujtimet e festave fetare e kombëtare ose te rasteve të tjera të veçanta, pasqyrohet si më së mirit në faqet e shtypit shqiptar si në diasporë ashtu edhe në atdheun e tij etnik. Lutjet e tij drejtuar Zotit dhe Kombit gjatë tre dekadave përbëjnë një kapitull të historisë të mërgatës tonë e cila ende nuk është shuar.

         Këtu sjellim një përmbledhje të këtyre lutjeve të viteve të fundit: Fjalim e lutje me rastin festes të Flamurit, 28 Nëntor 1995: “Le të falenderojmë Perendinë qe na bëri të mundur për të kremtuar serish të lirë, pas gjysëm shekullit vuajtjeje, shtypje, tmerri e gjaku të regjimit komunist në Shqipëri”.

         Fjala dhe lutja e këtij rasti lidhet menjëherë me Shqipërinë etnike:

         “Le të gëzojmë lirinë që u takon, të bashkuar në trojet e tyre, si çdo popull i lirë në botë  për një Shqipëri etnike me Kosovë e Çameri…” (Ilyria, 30 Nëntor, 1995).

         Në përkujtimin e 85 Vjtorit të Kryengritjes të Malsisë Madhe, ku moren pjesë përsonalitete të larta te kulturës tonë Kombëtare, Imam Isa Hoxha si përfasqësues i komunitetit musliman shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadas thotë ndër të tjera:

         “Historia e jonë ka qenë e një kombi plotë vuajtje dhe luftë për të drejtat e tij legjitime”. Duke u lutur për lirimin e popullit shqiptar të Kosovës dhe viseve të tjera të pushtuara nga shtetet sllave dhe Greqia, Imami thotë se “…ajo që ka filluar Skenderbeu luftën dhe epopenë më të gjatë, e ka përfunduar Dedë Gjo Luli. Asnjë popull në Europë nuk ka pasur epope mlë të gjallë që asnjë herë nuk e ndërpreu luftën për 500 vjet. Populli shqiptar kurrë nuk ka qenë në robëri, por gjithmon ka qenë i lirë sepse kurrë nuk i është nënshtruar të huajit…”. (Ilyria, cituar më lartë).

         Ndërkaq, me rastin  e inagurimit të Kishës Katolike në Hardale – NY, në prani të mëse 1000 shqiptarëve, ku merrnin pjesë përsonalitete të ndryshme fetare e politike, Imam Isa Hoxha thotë se ishte i nderuar për ftesën që i ishte bërë “për të marrë pjesë në gëzimin e të gjithë shqiptarëve, pa dallim”, dhe kritikon me vend, qe në fillim, atë që tashmë populli shqiptar e ka denuar rënd:

         “Diktatura komuniste në Shqipëri për 50 vjet i mori shumëçka popullit  shqiptar por nuk ia mori shpirtin dhe ai mundi ta mbajë tl ndezur kandiline tri besimeve fetare.”

          Ai në vazhdim të fjalës së tij vlerësoi se nderimi i faktoreve shqiptare jashtë atdheut, i kishave, xhamive dhe teqeve, janë vepra të përbashkta solidariteti të vëllazërve shqiptar të tri besimeve “ ku dhe jashtë atdheut deshmojnë se jami një trup i pandarë ”.

         Imami Isai e përfundoi fjalën me këtë urim:

         “ Uroj që ky gurthemeli të kryej misionin shpirtëror e kombëtar, të bëhet vend vëllazërimi e bashkimi për mbarë gjakun shjqiptar. Uroj që patriotet e ndershem të bashkohen për të shpetuar popullin shqiptar nga robëria për të ngritur Flamurin e Skenderbeut në Shqipërinë etnike…”. (Ilyria, 5 Dhjetor, 1995).

         Në demonstraten madhështore që u zhvillua në Washington para Shtepisë së Bardhë, ku moren pjesë mijëra bashatdhetar, udhëheqësit shpirtëror të tri  besimeve, Dom Pjeter Popaj, Imam Isa Hoxha dhe At Arthur Liolin, për afër dy muaj u angazhuan në organizimin e demonstratës dhe bashk me të gjitha organizatat shqiptaro-amerikane e kurorëzuan me sukses demonstraten në fjalë. Mesazhet e të tre përlatëve tonë ishin ndër më të prekshmet. At Arthur Liolin pohon se “Bota dhe Ballkani nuk do të gjejnë paqe për sa kohë qe shqiptarët e Kosovës menjanohen e harrohen .” Dom Pjeter Popaj për zërin e popullit shqiptar të Kosovës për liri e pavarësi thotë: “Zëri i popullit është zëri i Zotit”.

         Imam Isa Hoxha me mesazhin e tij: “ Na thrret zëri i atdheut”, thotë ndër të tjera:

         “ Zëri ynë është zëri i shqiptarëve te djegur nga malli për atdheun, zëri i mërgimtarëve qe thrrasin për lirimin e tokave tona të pushtuara. Ky zë nuk u shterr tash një shekull për pavarësinë e Shqipërisë, nuk do të ndalet deri sa Kosova të jetë e lirë dhe deri sa Shqipëria të bëhet ashtu siç duan vet shqiptarët. Ne nuk duhet të harrojmë sakrificat qe po bëjnë shqiptarët në Kosovë, veçanerishtë pas vitit 1981, kur tanket serbe përgjakën rrugët dhe sheshet e Kosovës dhe të trojeve tona për rreth. Nuk duhet të harrojmë 10 majin, demonstraten madhështore të organizueme në Washington dhe New York në mbështetje të rinisë kosovare, luleve qe ranë viktimë e rmikut tonë shekullor serb, vetem pse kërkonin lirinë. Është e drejtë e çdo shqiptari për të luftuar për të drejtën e vet njerëzore dhe kombëtare dhe është detyrë qe na shtron edhe i Madhi Zot qe t’u dalim në ndihëm vëllazërve tonë në atdhe për liri ”. (Ilyria, 26 Mars, 1996).

         Imam Isa Hoxha shihet në fotografi të ndryshme në tavolinën e nderit apo duke diskutuar hallet e Shqipërisë etnike me përsonalitete drejtuese të çështjes shqiptare si presidentin Rugova apo ata të Shqipërisë demokratike, është fjala para ardhjes së socialistëve greko-komunist në pushtet. Figura shtatmalsorit të veshur me uniformen e  klerikut musliman gjithashtu është dalluese në faqet e shtypit tonë. Ai është në krye të demonstrarave, simpoziumeve, ceremonive dhe protestave të fuqishme të zhvilluara në New York, Washington, Tiranë, etj. 

         Gjatë qeverisë  demokratike të Shgqipërisë, pas rënjes të regjimit komunist të Ramiz Alisë, hapen dyertë e misionit shqiptar pranë OKB-së. Komuniteti shqiptar pas 40 vjetësh filloi t’a ndiente veten te nderuar me këtë mision dhe ti shikonte si-vëllazër zyrtarët e këtij misioni. Në rast gëzimi e hidhërimi shkembenin vizita. Aty shpesh herë dukej edhe Imam Isa Hoxha.

         Ja si e vlerësoi ai këtë mision:

         “ Misioni shqiptar me në krye ambasadorin Pllumb Kulla ngriti lartë zërin për Shqipërinë, për Kosovën dhe trojet tjera shqiptare të pushtuara në Ballkan. Ai e kreu këtë detyrë me dinjitet e ndershmëri…”. (Pjesë e fjalimit në mbrëmjen e largimit të  ambasadorit Kulla nga ky mision. Ilyria, 24 Shtator, 1997 ) .

         Tani më keq se në përiudhen e regjimit të Enver Hoxhës. Komuniteti shqiptar në përgjithësi dhe kosovarët në veçanti, e shikojnë këtë mision me urrejtje më të thellë se atëherë. Shqiptarët e Amerikës nuk e njollosin veten me qendrimet politike të rregjimit të sotshëm sllavo – grek, i cili erdhi në fuqi me forcën e armëve dhe u vendos në Tiranë nga Greqia. Ky regjim për shqiptarët e Amerikës është më i turpshem se ai i Enver Hoxhës. Ky regjim ka fyer rënd dinjitetin e një kombi të vuajtur dhe e ka këthyer shtetin shqiptar në një koloni greke, shkolla greke prej foshnjores deri në të mesme. Fakte si këto e të tjera nuk mund të mohohen. Ndaj Kosovës ky regjim ka bërë tradhëtinë më të turpshme duke nënshkruar marrëveshje me serbët në përiudhat më kritike të Kosovës, duke vrar midis Tiranës edhe ministrin e saj të Mbrojtjes dhe duke goditur për vdekje luftën e përgjakshme të Kosovës.

         Shqiptarët e Amerikës janë fyer në sedër për të gjitha këto dhe në veçanti për fyerjen që ky regjim i ka bërë edhe udhëheqsit të tyre të madh shpritëror, Imzot Nolit. Në universitetin e Korçës, i cili mban emrin e Fan Nolit, është inagurua biblioteka greke me ceremoni zyrtare të drejtuar nga ministri Milos (është fjala për P. Milon). Tradhëtit e kësaj shkalle nuk mund të justifikohen nga asnjë shqiptar i vërtet. 

         Një prej kontribuesëve në organizimin kryesor për përgaditjen e Meshes Përkujtimore për Nënë Terezen, 2 Nëntor 1997, ishte edhe Imam Isa Hoxha. Ai e shikonte si detyrë të lartë nderimin e Nënë Terezes dhe kërkonte përgaditje sa më të mirë për meshen përkujtimore:

         “ Është detyrë fetare dhe kombëtare për të gjith bashkatdhetarët tonë, që si vëllëzër të një gjaku qe jemi te nderojmë Nënë Terezen, e cila në jeten dhe vepren e saj dha një shembnull konkret çfarë duhet të jetë dashuria për Zotin dhe njeriun. Nënë Trereza si bijë e Kombit shqiptar dhe nënë e mbarë njrzimit shtoi krenarinë tonë kombëtare, prandaj pjesëmarrja sa më e madhe në meshen përkujtimore, është jo vetëm nderë e krenari por edhe obligim kombëtzar. Kështu ne do të deshmojmë bashkim in dhe vëllazrimin tonë kombëtar, një veçori qe e ka shquar kombin tonë nder shekuj dhe e ka ruajtur qenjen tonë kombëtare nëpër fortunat e historisë.” (Ilyria, 29 tetor 1997).

         Ditën e djelë, me 2 Nëntor 1997 u mbajtë mesha përkujtimore për Nënë Terezen në Katedralen “Saint Patrick” në Manhattan. Kjo Katedralë është një nder Kishatë më të mëdha të New Yorkut qe zënë mëse 4000 njerëz mbrenda. Atë të djelë historike, Katedrala ishte plotë shqiptarë dhe jashtë dyerëve të saj kishin mbetur qindra të tjerë.

         “ Të huajtë që mblidheshin rastësisht në Katedralë si besimtarë apo turistë, ka të ngjar të jenë habitur dhe të pyesin veten ç’po bëhet këtu, kur në Altarin e një tempulli katolik panë të ngjitej një klerik muslman. Për shqiptarët që janë edukuar me tolerancë fetare, raste të tilla janë krejtësisht të kuptueshme, madje edhe të admirueshme sepse Nënë Tereza iu përket të gjithë shqiptarëve. Lutja e Imam Isa Hoxhës kushtuar Zotit për Nënë Terezen, dhe thirrja e tij drejtuar bpopullit shqiptar dhe udhëheqësëve të tij te ndjekin shembullin e Nënë Terezes për të jetuar mnë paqe e harmoni qe sa emocionale aq edhe kuptimplotëte.” (Dielli, dhjetor 1997.)

         Nga altari i kësaj Katedrale të famëshme botërore, ku zakonisht predikojnë fjalën e Zotit vetëm klerikët katolik, Imam Isa Hoxha tha dhe këtë:

         “ Shqiptarët vazhdojnë të vuajnë nga regjime diktatoriale, pikërishtë në Kosovë në Maqedoni dhe në Mal të Zi. Ne nuk duam t’ia kthejmë shpinën popullit shqiptar. Ne duhet të sigurojmë integritetin e atdheut të Nënë Terezes dhe ky integritet duhet të jetë real dhe jo transparent ”.(Ilyria, 7 nëntor,  1997).

         Me rastin e vrasjes te deputetit Azem Hajdari, demokrat i shquar, udhëheqës i ashpër i fushatës antikomuniste në Shqipëri dhe mbështetës i pakompromis i luftës çlirimtare të Kosovës, gazeta “Ilyria” solli një faqe me titull: “Komuniteti Shqiptaro-Amerikan Denon Vrasjen e Azem Hajdarit”, Imam Isa Hoxha iu përgjegj denimit të kësaj vrasje:

         “ Vrasja e deputetit Azem Hajdari është tepër e dhimbëshme, një humbje e madhe swi për familjen ashtu edhe për Kombin shqiptar. Kjo vrasje është akt tragjik me situatën e rëndë në të cilën ndodhet kombi ynë. Është tragjike sidomos prapaskena dhe motivet politike të vrasjes të deputetit Hajdari, qe s’është tjetër por një vrasje e porositur nga qarqe të errta antishqiptare, një vrasje e denuar nga robi dhe nga Zoti. Destabilizimi i Shqipëlrisë nuk ka fiklluar tashi.  Ai ka filluar dhe po vazhdon që nga vitit 1997, kur me dhunë u rerenuan institucionet e shtetit, kur vendi u soll buzë katastrofës, kur u vranë mijra shqiptar të pafajshëm, vrasje këto që po vazhdojnlë edhe sot e kësaj dite. Ekonomia në vend se të ecte përpara ra përtokë, korrupcioni dhe grykësia  qeveritare mori përmasa tragjike. Të gjitha këto kaluan me arrestime, akuza,  kërcnime dhe së fundit me vrasjen e deputetit Hajdari dhe të shoqëruesit të tij, si shenjë hakmarrjeje  ndaj opozitës e cila ka ngritur zërin lartë për të gjithë fatkeqësinë qe i solli vendit pushteti aktual komunist. Prandaj, kërkojmë ndihmen e Zotit, bashkimin e popullit, për hir të situatës qe ka rënduar atdheun tonë edhe për hir të Kosovës.” (Ilyria, 19 shtator, 1998).

         Imam Isa Hoxha, edhe sot, si katër dekada më parë, me energji të pashterrura vazhdon misionin e tij në sherbim të Fesë dhe të Atdheut. Për të, atdhe është vetëm Shqipëria etnike e kuptimit të rilindasëve tonë.

*). SHENIM I SHKURTË BIOGRAFIK:  Isa Hoxha  lindi me 25 Maj 1918 në Bytyç të Malësi të Gjakovës – rrethi i Tropojës.   Mësimet fillestare i kreu në Tropojë, ndërsa një vit në Medrezen e Madhe të Gjakovës. Vitet tjera të mësimeve i vazhdoi në Medrezen e Tiranës. Ai rrjedh nga familja e njohur e Hoxhëve të Bytyçit;   Familje fetare atdhetare,  e cila që nga Lidhja Historike e Prizrenit (1878), ka qenë në ball të lëvizjeve kombëtare.  Gjatë Luftës së Dytë Botërore, familja e  Hoxhëve të Bytyçit angazhohet me armë në dorë në Levizjen e Kreyezive të Gjakovës, në përpjekje për çlirimin e atdheut nga pushtuesitë dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Me ardhjen e komunizmit në fuqi, kjo familje e madhe përjetoi përsekutimet më çnjerzore të cilat mund të përshkruhen vetëm në vëllime shkrimesh. Në vitin 1949 Imam Isa Hoxha  arratiset në Jugosllavi,  ku  për 10 vjet të qendrimit në atë vend kalon një jetë shumë të vështirë, me  transferime të vazhdueshme nga një vend në tjetrin.  Me 1959 emigron në Itali dhe jetonë tre vjet nëpër kampet e refugjatëve.  Me 1962, me ndërhyrjen e Komitetit “Shqipëriua e Lirë”, emigron në SH.B.A., dhe vendoset me banim në New York. Për katër dekada, veprimtaria e tij fetare,  arsimore,  atdhetare,  kulturore dhe kombëtare ishte e panderprer. Ai është autor i shumë studimeve fetare – filozofike të botuara në revistën “ Perpjekja Jonë ”, organ i Qendres Islame Shqiptaro – Amerikane për New York dhe New Jersey, themeluar me inisiativën e tij dhe të Imam Sali Myftisë. Imam Isa Hoxhaishte përsonalitet i nderuar dhe respektuar, krah-pëprkrah me Imam Vehbi Ismalin, Baba Rexhebin, Msrg Zef Oroshin dhe At Arthur Liolinin. Me këtë figurë të shquar të mërgatës politike shqiptare kam zhvilluar disa intervista për emisionin e “Zerit të Amerikës” në gjuhën shqipe. Me të kam pas  bashkëpunim të ngushtë dhe kam ndihmuar me shkrime të ndryshme revistën, “Përpjekja Jonë”. Imam  Isa Hoxha ndrroi jetë në shtëpinë e tij në Old Tapan, West Wood, New Jersey, me 20 Tetor, 2001. Shkrimi i mësipërm: “IMAM ISA HOXHA –VAZHDIM I IDEALEVE TË RILINDJES TONË KOMBËTARE”,  është botuar në revistën “Përpjekja Jonë”, Nr. 21-22, Tetor 1998, fq. 182.,  me pseudonimin tim,  Burim Ali Gusija. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Idriz Lamaj, Imam Isa Hoxha

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 642
  • 643
  • 644
  • 645
  • 646
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT