Ju mund ta ndiqni te plote intervisten ne youtube ne linkun qe keni poshte fotos…
KRYETARI BERISHA: “Kosova s’e ka luksin për krizë politike në kohë pandemie”, kreu i “Vatrës” kritika për politikanët, thirrje qytetarëve: Në SHBA ka shumë viktima, edhe shqiptarë, izolohuni!
Kreu i Shoqatës shqiptare në SHBA “Vatra”, Elmi Berisha, në një lidhje me “Skype” për News24 duke folur për situatën e rëndë të krijuar në SHBA, dhe kryesisht në Nju Jork, për shkak të përhapjes masive të koronavirusit, deklaroi se Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera të rajonit duhet të marrin mësim nga Nju Jorku dhe të respektojnë me përpikmëri masat, pasi janë vende të vogla dhe e kanë më të lehtë.
Ai falënderoi qeveritë shqiptare për masat e deritanishme, ndërsa shtoi se qytetarët nuk po tregohen të ndërgjegjshëm.
Kreu i Shoqatës Vatra kritikoi ashpër politikanët kosovarë, të cilët janë në krizë për krijimin e qeverisë, pikërisht në këtë periudhë të vështirë të pandemisë.
Berisha tha se shqiptarët e SHBA janë shumë të zhgënjyer me politikanët e Kosovës, të cilët sipas tij, nuk e kanë luksin të merren me çështje që mund të zgjidhen edhe më vonë.
Pjesë nga intervista:
Si është situate në Nju Jork?
Situata është shumë e rëndë, por po bëhet një punë e jashtëzakonshme për të ruajtur shëndetin dhe për të ndalur këtë pandemi të madhe.
Çfarë po bëni ju si shoqatë në funksion të komunitetit shqiptar?
Po luan një rol të rëndësishëm. Në mesin e Vatrës kemi persona, mjekë, inxhinierë, doktorë, që po punojnë 24 orë duke i shërbyer komunitetit shqiptar, por edhe qytetarëve amerikanë. Të moshuarve dhe atyre që nuk kanë shërbim të mirë, Vatra po koordinohet me mjekët për t’iu shërbyer, duke bërë një punë të jashtëzakonshme. Kemi viktima të mëdha, ka dhe shqiptarë, që nuk mund t’i përmend, por ka një numër të jashtëzakonshëm të shqiptarëve të prekur, edhe të atyre që janë në gjendje të rëndë, si dhe të atyre që janë shëruar fatmirësisht.
Vatra aktualisht ka lënë numra telefoni në dispozicion të shqiptarëve atje?
Vatra është në lidhje të drejtpërdrejtë me të gjithë ata shqiptarë dhe me organizata të tjera, që veprojnë në Amerikë, por edhe me organizata në vende të tjera të botës, me të cilat shkëmben informacione, që ndihmojnë për të luftuar këtë pandemi. Jemi në lidhje të vazhdueshme duke ndihmuar, kontribuuar dhe dhënë informatat, që do na shpëtojnë jetën.
Si e shihni situatën në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë?
Lexova që Kosovës po i rritet numri i të infektuarve, kjo është për shkak të mos respektimit të kërkesave. Duhet të izolohemi, pasi është e vetmja mënyrë për të ndaluar këtë sëmundje të rrezikshme. Nëse e duam veten, familjen dhe të tjerët, sigurisht që do të jetë e lehtë të vendosim të vetëizolohemi. Nju Jork është në krizë, vetëm për faktin se densiteti i njerëzve është shumë i madh, kurse në Shqipëri, Kosovë e vende të tjera duhet ta marrin si mësim dhe të kuptojnë se e vetmja mënyrë për të kaluar këtë sfidë është vetëizolimi. Shqipëria po bën një punë shumë të mirë. Respektimi nga qytetarët duhet të jetë pak më dinjitoz, sepse qeveritë e vendeve tona po bëjnë një punë të jashtëzakonshme.
Kosova u përfshi në debate të forta politike në mes të pademinsë, sa ra dhe qeveria. Cili është mesazhi juaj?
Jemi shumë të shqetësuar për situatën në Kosovë, posacërisht në kohën kur gjithë bota po lufton një virus vdekjeprurës, që ka marrë qindra mijëra jetë, gjen luksin që shteti më i ri në botë të merret me çështje që mund të zgjidhen edhe më vonë. Nuk ndihemi fare mirë. Sikur mos të ishin shqiptaro-amerikanët do ishte shumë e vështirë të pranohej ky kufi që është tani, Shqipëria.
Edhe më vonë u bënë përpjekje për të sensibilizuar shtetin e Kosovës. Ne ndihemi shumë të parespektuar dhe nuk ndihemi mirë, sepse në situate të tilla duhet të mobilizohet populli shqiptar për të kaluar kriza, që kanë kapluar botën. Duhet të respektohet Kushtetuta në Kosovë. Por, shëndeti i qytetarëve është dhe duhet të jetë i pari, pastaj qeveria. Uashingtoni kërkon një unitet, që do të ishte përfundimtar për përfundimin e konfliktin me Serbinë. Në vend që të përgatitemi për këtë, ne humbim energji me gjëra dytësore.
Cili është mendimi i Vatrës ndaj politikës së Presidentit Trump në Ballkan dhe mes Kosovës e Serbisë?
Të gjithë shqiptarët e Amerikës kemi shumë arsye që ta besojmë Uashingtonin, Kongresin, Senatin, Pentagonin. Jam shumë i relaksuar për faktin që Presidenti Trump është duke investuar shumë për njohjen reciproke të Kosovës dhe Serbisë. Mendojmë se asnjëherë Amerika nuk do të bënte dicka që nuk është e mirë për shqiptarët. Bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të bëhen transparente sa më parë. Mungesa e transparencës e ka sjellë deri këtu situatën. Edhe liderët e Kosovës duhet sa më parë të koordinohen, të ulen së bashku, të bashkojnë forcat, të koordinohen me SHBA dhe të përfundojnë këtë ankth, që qëndron ende te shqiptarët.
Proceset e Vatrës vazhdojnë?
Më 19 janar të këtij viti mbajtëm takimin zgjedhor, ku u zgjodha kryetar I Vatrës për dy vitet e ardhshme. Unë e kam quajtur si Vatra e shekullit 21, do hapim dyert për të gjithë shqiptarët, do krijojmë një atmosferë atraktive për gjeneratat e reja dhe do krijojmë një bazë të fuqishme, që Vatra të vijojë qindra vite në vijim.(Pjese nga Intervista e dhene me 13 Prill 2020 per Televizionin News 24, publikuar me video edhe ne Balkanweb, Gazeta Panorama etj)