• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

140 VJETORI I TEATRIT SHKODRAN APO 70 VJETORI I TEATRIT KOMUNIST

November 9, 2019 by dgreca


Në foto regjisori Andrea Zef Skanjeti (1906-1992) /

Nga Kolec P. Traboini/ Ka një grupim njerëzish (soj robi – thotë populli)  me mentalitet të ngulfatur në vitet e komunizmit, që gjithçka e lidhin me atë kohë të mbrapsht. Kështu ishte për përvjetorin e Ushtrisë,10 korriku,  por u bë mirë që e ndryshuan dhe ja lanë meritat të vërtetës historike. Po kështu bënin për përvjetorin e Policisë, por edhe atë mirë bënë që e rregulluan. Se shteti nuk ka lindur kur vendosi diktaturën Enver Hoxha me pushkët me gjalmë. Këto ditë të fillimit të nëntorit, Shkodra festoi plot me bujë 70 vjetorin e Teatrit. U bënë ceremoni, dekorime, u botua libri. Mire bene qe u bene. Kemi nevojë për pak gëzim, qofte dhe pa shkak te arsyeshëm. Mirëpo hesapet bëhen gjithherë pas dasmës. Regjisori Andrea Zef Skanjeti, një prej nipave të Motrës Tone dhe Kol Idromenos, regjisor me reputacion e kontributin më të madh në Teatrin e Shkodres ka shkruar një libër me titull “100 vjet teatër në Shkodër 1879-1979:  botuar nga shtëpia botuese KAD 2002. Mendoj se më mirë se i ka ditur punët i ndjeri Andrea Skanjeti, nuk i di sot askush brenda apo jashtë atij teatri. Aq me tepër që festojnë 70 vjetorin e teatrit “Migjeni” kur ky emër i është vënë Teatrit në Shkodër kur u bë ndërtesa e re në vitin 1958. Pra nëse festohet përvjetori i Teatrit “Migjeni” duhej thënë 60 vjetori Ndërtesë -Teatrit. Nëse festohej teatri profesionist ( i kohës se komunizmit) nuk do te ishte e arsyeshme të përmendej emri i Migjenit  sepse ai ju vu 10 vjet më vonë. Por problemi më i rëndësishëm, që e sjell këtë festim në stonaturë të plotë është se Shkodra nuk ka pas vetëm një sallë Teatri në kapërcyell të shekullit të 20 pra rreth vitit 1900 e pak me parë apo pak më pas. Shkodra kishte jo një, por shtatë (7) lokale teatrore: 1- Salloni i Kolegjit Saverian ndërtuar më 1890 me 450 vende. 2- Salloni i Shkollës Franceskane me 300 vende. 3- Salloni i Shkollës Stigmatine me 250 vende. 4- Salloni i Shkollës së Parrucës ndërtuar nga Austro-Hungarezet si Kino-Teatër me 400 vende. 5- Kinoteatri “Rozafa” me 400 vende. 6- Salloni i Shoqerisë “Bogdani” me 350 vende. 7- Salloni i Shoqërise “Vllaznia” me 400 vende. Vazhdoni e festoni për gjysmagjelin e përrallës apo po deshët kokërrmisrin, ndërsa faktin se në fillim të shekullit të shkuar Shkodra ishte një nga qëndrat teatrore më të mëdha jo vetëm në Shqipëri por në mbarë Ballkanin. Këtë fakt historik lëreni në harresë, siç latë nën hije në këtë përvjetor Andrea Skanjetin, autor i 22 dramave e komedive melodramave e tjerë, ka përkthyer 27 pjesë teatrale, ka vënë në skenë 75 pjese teatrale shqiptare dhe të huaja me 20 platforma regjisoriale, që është figura më emblematike e Teatrit të Shkodrës, pinjoll i përbashkët i dinastisë Idromeno- Skanjeti që qëndron denjësisht në historikun e artë të kulturës shkodrane dhe asaj kombëtare. Nuk ka asnjë alibi nëpërkëmbja e historisë se një populli, ku ndër të tjera hyn dhe kultura. Nuk e di pse duhej festuar me theks 70 vjetori i Teatrit, se Shkodra ka nje histori me teater 140 vjeçar. Lexoni librin e Andrea Skanjetit. Diferencën në art nuk e përben fakti se aktorët i paguan shteti apo e nxjerrin rrogen e vet me krijimtari te pavarur. Pastaj që në 1945 ka pas një trupë teatrore në Shtepinë e Kulturës në Shkodër. Është vënë në skene edhe pjesa “Juda Makabe” e Gjergj Fishtës me regjisor Zef Zorbën, poetin që e burgosën, por që duhej nderuar në çdo përvjetor Teatri. Ju kujtoj se askush nuk mund ti dalë përpara Andrea Skanjetit, mirëpo nuk e pashë në listen e atyre që u lauruan. Gjithësesi Trupa e Teatrit në Shtëpinë e Kultures ka qenë pa pagesë e aktorët punonin me pasion. Nëse e duam me çdo kusht atë ditë, pra ditën e Themelimit të Partise së Enver Hoxhes 8 nëntor (1949), si ditë e themelimit të Teatrit të Shkodrës, shumë mirë ta quajnë 70 vjetori i marrjes se rrogave nga shteti komunist. Por arti teatral nuk ka filluar në atë ditë. Mua më vjen keq se disa që na shiten për të djathtë e kinse antikomunistë, bëjnë politikën e ekstremistëve fanatikë të mbetura si rudimente të monizmit. Kur do të zhveshemi nga slloganet dhe mëndësia e kohës së poshtër të komunizmit që po na ndjek nga pas deri na varr? Historia nuk është një shteg që ndan shtëpinë me rrugën e mund të kalojmë nëpër të sa here të duam e mund të bejmë me të çfarë të duam. Ajo është një rrugë solide, shekullore, nëpër të cilën kalojnë qindra breza dhe ne nuk mund të sillemi me të si të ishim pronarë e as kalimtarë të papërgjegjshëm. Le ti referohemi një ngjarje historike që sjell në vëmendje Vladimir Stojani Burill, një shekull më parë, më 11 gusht të vitit 1919 u shfaq në Teatrin e Shoqnisë “Vllaznia” drama me 3 akte “Erminia e vorfën”, shkruar prej Kolë Gurakuqit, që shënon pos të tjerash një ngjarje në traditat e Teatrit të Shkodrës.  Hipën në skenë e luan bashkë me aktorët e tjerë e para aktore femër në Shqipëri, vajza shkodrane Roza Kakarriqi (Shoshi), për të cilën nuk u kujtua askush nga organizatorët. Po ka edhe te tjerë kontribues të mëdhenj të harruar nga se krijuan plot pasion para se të vinte koha të cilës arbitrarisht i konsiderojnë themelimin e Teatrit të Shkodrës, flas si institucion artistik e shpirtëror  e jo si ngrehinë apo si ekip rrogëtarësh në borderonë e shtetit komunist. Një djalë i vdekur 20 vjeç, studenti Ndue Pal Shllaku (1922-1942) ka qenë një aktor i talentuar i teatrit të Shkodrës, ka vdekur në vitin 1942. Pra Teatri Shkodran nuk e ka as fillimin e as mbarimin në 8 nëntorin e vitit 1949. Është rasti të sjellim një njoftim të shkurtër për këtë djalë të talentuar me fat tragjik. Ndue P. Shllaku u lind më 25 shkurt 1922 në Shllak. Ishte biri i Pal Vuksanit dhe i Katrinës së Kolë Ndout, e cila ishte bijë Dushmani. Babai i vdiq shumë herët duke e lenë jetim një vjeç dhe u rrit e u shkollua në Shkodër. Ka lëne dorëshkrime 30 poezi, 10 novela e novelëza, një ditar, një përrallë dhe shumë përkthime, me një dramë origjinale të titulluar “Omeri i ri” që arriti ta shkruaj vetëm aktin i parë. Në mars të vitit 1942, kur ishte në vitin e fundit të gjimnazit të Shkodrës, u sëmur rëndë. Dy muaj më pas, ndërron jetë në moshën 20 vjeçare, në kohën me të bukur të stinës e të jetës, më 28 maj 1942. Jeta e tij si një baladë jetimi, një tragjedi e dhimbshme për çdo zemër e për çdo skenë, aq pasiononte aq e shkurtër, si një meteor që aty nis e aty mbaron, por gjithësi i ka lënë gjurmët e dritës të cilat së pari duhen parë dhe së dyti duhen kujtuar. Nëntor 2019

Mine coins – make money: http://bit.ly/money_crypto

Filed Under: Analiza

FACEBOOK – MBROJTES I LIRISE SE SHPREHJES APO BURGOSES I SE VERTETES

November 8, 2019 by dgreca

Letër e hapur e Aaron Sorkin për Mark Zuckerberg/

Mark,

Në vitin 2010, shkruajta skenarin e filmit “Rrjeti Social” dhe e di e se ti do doje të mos e kisha shkruar. Ti protestove se filmi kishte pasaktësira dhe se Hollivudi nuk e di se ç’do të thotë të bësh një gjë vetëm për hir të këtij akti. (Në të vërtetë e dimë mirë – me këtë punë merremi për ditë.)

Nuk iu kundërvura akuzave të tua publike ndaj filmit si trillim sepse kam kaluar një pjesë të mirë të jetës në teatër, por ti ashtu si edhe unë e di mirë se skenari është kontrolluar me mikroskop nga një ekip avokatësh të studios së filmit që punojnë për një klient dhe një qëllim: Të mos paditen nga Mark Zuckerberg!

Ironia nuk më shqitej kur lexoja copëza nga fjalimi yt në Georgetown University, ku ti mbroje në emër të lirisë së shprehjes, modelin e Facebook-ut për reklamat me përmbajtje të pavërtetë publikuar nga kandidatët e fushatës. E admiroj përkushtimin tënd ndaj lirisë së shprehjes. Edhe unë e kam fort për zemër Amendamentin e Parë. Por edhe më me rëndësi është fakti që është gurthemeli i demokracisë sonë dhe duhet të qëndrojë i patundur.

Prandaj kjo nuk mund të jetë pasoja që dëshirojmë ti dhe unë, që të zbrazësh gënjeshtra në rezervat e ujit të cilat qelbin vendimet më të rëndësishme që duhet t’i marrim bashkarisht. Ato mashtrime kanë efekte konkrete dhe shumë të rrezikshme për rezultatet e zgjedhjeve, për jetën tonë dhe atë të fëmijve tanë.

Mos permend Larry Flint. As Larry Flint nuk do ta thoshte këtë. Nuk bëhet krahasimi me industrinë pornografike prej së cilës njerëzimi nuk pret të marr informacion. Gjysma e popullsisë amerikane thotë se Facebook-u është burimi kryesor i lajmeve për ta. Zgjidhja e problemit do ishte që ata të drejtoheshin tek një tjetër burim lajmesh ose që ti të vendosësh që Facebook-u të publikojë informacion të verifikuar.

Në afishen e filmit “Rrjeti Social” është shkruar batuta ‘Nuk mund të bësh 500 milion veta miq pa bërë disa armiq.’ Kjo shifër është tejkaluar disa herë sepse pas nëntë vitesh një e treta e planetit përdor Facebook-un.

Dhe pikërisht aty, ka një publikim që deklaron se Joe Biden i pagoi një miliardë dollarë Prokurorit të Ukrainës për të mos e hetuar djalin e tij. Çdo milimetër e publikimit është gënjeshtër dhe mban logon tënde. Kjo nuk është mbrojtje e lirisë së shprehjes, por vrasja e së vërtetës.

Ti dhe unë e mbrojmë lirinë e shprehjes për të mos lejuar që dikush të burgoset apo eliminohet sepse tha diçka që nuk gëzon popullaritet por jo për t’i hapur rrugën gënjeshtrave drejt e tek elektorati amerikan.

Edhe pasi skenari im për filmin “Rrjeti Social” i plotësoi kërkesat e ekipit ligjor të studios Sony, ne dërguam një kopje –sipas premtimit në një takim – tek një grup nëpunësish të kompanisë tënde dhe i ftuam të jepnin sugjerime. (Një prej tyre pyeti nëse mund të ndërroja emrin e universitetit të Harvard-it dhe nëse duhej të ishte në film emri i kompanisë Facebook.)      

Pas përfundimit të xhirimeve të filmit, caktuam një shfaqje preliminare për drejtuesen operative, Sheryl Sandberg. Ajo u ngrit në këmbë në mes të filmit, u kthye nga producentët në fund të sallës dhe tha: “Si mundeni t’ia bëni këtë një çilimiu?” (Ti ishe 27 vjeç në atë kohë por nejse, e marr vesh se ç’donte të thoshte.)

Unë uroj që drejtuesja e Facebook-ut të hyj në zyrë dhe të anoj pakëz nga ty (siç sugjeron ajo në librin e saj) dhe të thotë: “Si mundet t’ua bëjmë këtë dhjetra milionë çiliminjve? Vërtet do publikojmë se Kamila Harris ndërsente zagarë në bodrumin e një pizerie ndërsa Elizabeth Warren zhduku provat që vërtetojnë se ndryshimi i klimës është fars apo se klika sekrete shtetërore i ka shitur drogë Rashida Tlaib dhe Colin Kaepernick?”

Nuk është formuluar -ende- ligji që e quan të përgjegjshëm platformën që mbart reklama të publikuara nga përdoruesit për përmbajtjen e reklamës së publikuar në të, siç ndodh me studiot e filmave, rrjetet televizive dhe botuesit e librave e revistave. Pyet Peter Thiel, që financoi një padi ligjore për shpifje kundër platformës Gawker dhe e çoi në falimentim dhe mbyllje të biznesit. (Duhet ta kesh numrin e tij në telefon sepse ka qenë një nga investuesit e parë për Facebook.)

-Aaron Sorkin është dramaturg dhe skenarist amerikan, me prodhimtari shumë të suksesshme në teatër dhe film. Për përshtatjen e skenarit të filmit “Social Network” 2010 (Rrjeti Social), Sorkin u nderua me çmim nga Akademia e Kinematografisë.  

Përktheu Rafaela PRIFTI                             

Filed Under: Featured Tagged With: Aaron Sorkin - Mark Zuckerberg-Rafaela Prifti

IMORALITETI APO AMORALITETI…

November 8, 2019 by dgreca

NGA ALFONS GRISHAJ/

         Në shekuj fjalët më të anatemuara janë: Imoral dhe amoral! Këto dy fjalë hyjnë në sistemin e dytë të sinjaleve (filozofi) që  krijonë  mundësinë e orientimit shkrimor dhe atë verbal. Megjithëse si terminologji, termin amoral e hasim të përdoret në shekujt XVIII e më vonë , për herë të parë (në mos gabohem), e hasim tek Marcus Aurelius në “Meditime”.

Linguistët e huaj shpjegojnë se imorali njeh mirë aktin e vet, kurse amorali e bën gabimin por nuk e kupton ose nuk ka dëshirë t’a kuptojë.

Ndërsa, amoralja në shqip presupozon humbjen e normave morale, kurse imoralja, nënkupton direkt mungesën e ndershmërisë së mashkullit apo femrës.

Pa hyrë në filozofi, duke “përjashtuar” animizmin dhe apologjetikën,  dimë që morali është tërësia e parimeve dhe normave  që përcaktojnë sjelljen e qenies tonë në rrethana të caktuara shoqërore,  politike, familjare,  ekonomike; manifesti i principeve të larta humane.  

Me një zanore (A ) apo  (I)  ndryshon kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Këto dy fjalë, shumë herë i ngatërrojnë dhe i përkufizojnë si të njëjta, por nuk janë të tilla. Po cila  fjalë është  më prush?

Sipas mendimit tim, Imoraliteti ka të bëjë me personat që udhëhiqen nga pasioni kundër koshiencës, e cila impulsohet nga  momenti, xhelozia, fatkeqësia apo instikti. Fakti është (fatkeqi kur kap momentin e braktis kurthin…), se instikti është aq i egër sa injoron normat e sanksionuara që shoqëritë i kanë (ndryshuar) vendosur në shekuj. Imoraliteti nuk është dashuri, por zbavitje instinktive kafshërore! St. Agustini thoshte: “Pas kontaktit seksual të gjitha kafshët janë të mërzitura”. Më vonë, këtë citat do ta huazonte dhe do ta bënte si të vetin  filozofi gjerman  Artur Shopenhauer.  

Nëse ndonjëri e koncepton prostitucionin si dashuri, do të ishte një kontravers djallëzor. Dashuria nuk është instikt shtazor, por çelësi i universit,  perceptimi  apogje i shkallës hyjnore.

Qëherthi, në shoqërinë e shekullit XVIII e më pas,  amoraliteti ishte më tepër i papranueshëm dhe më i frikshëm se imoraliteti, sepse  amorali është  mohues,  nuk ka ndërgjegje, nuk ka subkoshiencë. Amoraliteti  është legenmbajtëse e veseve të këqija në pafundësi. Amoralja mund të përdorë imoralen për qëllimet e veta, ashtu siç përdorën romakët, kurtizanen e bukur Eftibida për të përçarë dhe thyer ushtrinë e Spartakut, apo kur, nëpëmjet bukuroshes Lldiko  helmuan  Atilën e pathyeshëm. Mbase në atë kohë nuk përdorej termi amoral, por rastet përkojnë katërçipërisht si ilustrim aktual.  

Si atëherë dhe sot, amoralët e përdorin imoralitetin për të peshkuar, që nga politikanët  deri tek kriminelët. Pra, si shumë politikanë  dhe kriminelët janë dashnorë të imoralitetit dhe imoraliteti viktima e tyre. Tek  të dyja palët  shkalla e rrezikut është e njëjtë. Ata frymëzohen  deri në ekstazë (trofe e privilegjeve apo  dhunës), për të gëzuar aktin final.

Sipas mendimit tim, amoraliteti është oazi që notojnë njerëzit me dy fytyra, politikanët e korruptuar, banditët, gënjeshtarët, mashtruesit,  fallsifikatorët  etj. 

Amoralët janë ushqyesit e gramit në fushat e shoqërisë që çojnë në deformimin e historisë, shkencës, shtetit;  asfiksojnë zhvillimin deri në vrasjen e qelizave të jetës,  siç është dhe ligji i abortit !!!

Dhe në fund, dy fjalët e titullit  do t’i përkufizoj:

Dramë dhe Tragjedi !

Filed Under: Politike Tagged With: Alfons Grishaj-Imoraliteti-Amoraliteti

KUR FESTA S’ËSHTË PËR TË GJITHË, KUJTOHET THEMELIMI I PARTISË DHE ARRESTIMET E SAJ…

November 8, 2019 by dgreca

Nga Visar Zhiti/

Të jesh arrestuar në 8 nëntor, shumë vite më parë, kur në këtë datë përkujohet themelimi i Partisë së Punës, dikur Partia Komuniste e më pas Partia Socialiste e Shqipërisë, pra të jesh i arrestuari i kësaj partie, ka një dualitet të rënde në festë, qoftë dhe në fetën e pa shpallur dhe të braktisur të saj tani ashtu siç e kishte të fshehtë dhe vetë themelimin …

Pushteti i asaj partie dënonte kundërshtarët e saj dhe përndiqte këdo që e mendonte si të të tillë..

Nëse tani, përkujtohet shëmbja e Murit të Berlinit, që ndante mirzorisht botën dhe njerëzit dhe perandoria komuniste ka 3 dekada që ka rënë, pra kur nderohen viktimat, qëndrestarët, disidentët, kundërshtarët, martirët e totatalitarizmit, të ngresh në qiell, qoftë dhe për ca ditë, heronjtë vetëm të asaj partie, kauza e së cilës solli rrënime të vendit dhe gjak të popillit, pra jo heronjtë përbashkët të atdheut dhe lirisë, pavarsisht bindjeve, para të cilëve biem në gjunjë, pra ndarja e heronjve dhe ngritja tendecioze e disave, është hap pas, akt i pa pranueshëm, antihistorik, me pasoja në besim dhe moral. Dhe ndoshta jo vetëm kaq. Dhe përgjegjësia është e përbashk:et.

Po sjellim këtu pjesë nga burgologjia “Rrugët e ferrit”, ku rrëfehet se si është përjetuar një arrestim në atë ditë, në 8 nëntir, që ndryshoi tërësisht rrjedhën e një jetë, por dhe gjithë jetën e vendit.

Kështu nis, nga ndjesitë e para të gjithkujt……

ARRESTIMI NË RRUGË:

Më arrestuan në ditë feste, më 8 nëntor, në mesditë…

          Sipas një ligji të pashkruar, në data të tilla të shënuara nuk duhej të bëheshin arrestime, të mos dukeshin pranga në festë, jo egërsi e qen policie, por, edhe nëse do të ishte i shkruar, nuk ndryshonte gjë. Thuhej se përjashtoheshin rastet flagrante, por gjithsesi të mos prishej hareja, se populli duhej të gëzonte medoemos, madje me forcë. Brohorimat, vallet, fjalimet, ai ngazëllim gjeneral, si mund të turbulloheshin, kur për to ishte derdhur gjaku lumë? Natyrisht, që të ndërtohej një botë e re, socializmi – dhe ku? – në gojë të ujkut, mes armiqve të jashtëm e të brendshëm…

      – Ej, ti, ec me ne!                                                                                             Pse, mbaroi festa, pa filluar? S’do të kishte veprimtari të tjera, tjetër akt, vetëm kaq? Ç’ishte kjo e ndalur në rrugën kryesore, afër sheshit të qytetit verior, Kukësi i Ri, ku që prej disa vjetësh punoja si mësues, por larg, pas malit të parë, edhe më larg, pas malit tjetër, tjetrit, male prapë, në fundin e botës?!…   Një arrestim, jo shumë larg urës së madhe, ku ujërat e dy Drinave, i Ziu dhe i Bardhi, megjithatë nuk dremitnin. (Lumi fle, por jo armiku, thoshte proverbi popullor).                                                                                     …S’m’u dha të kundërshtoja, ndoshta ngaqë e njihja thirrësin, një gjatosh i zbërdhulët si negativ, operativi i zonës. Por po bënte të ashprin… ai e mbante dorën të rrasur në xhepin e xhupit dhe një si tytë formësohej aty. Revolveri…     Po këta njerëz përreth, të rastësishëm? Pse po më shikonin aq vëngër? – Futu! – gati më shtynë.                                                                              Te vendi përpara, anash shoferit, një qenie e trashë dukej si e plandosur. Ndërkohë dhe na priste. Ku e kisha parë? Qytet i vogël, të gjithë njiheshin… nënkryeta… Dega e Punëve të Brend… Në ndenjësen e pasme të makinës, në anë, qe strukur një polic (po ky, çne?!), që nxinte si perdja e zezë mbi xhamin e mbyllur. Dhe menjëherë ndjeva një të shtyrë. Operativi gjatosh u shtrëngua pas meje duke u palosur. Ajo thirrja e tij me kërcëllimë dhëmbësh u përsëdyt rrapëllyeshëm me mbylljen e derës. Heshtje dhe pezm për pak çaste. Qenia e trashë u kthye përkëtej. Me ballë tmerrësisht të ngushtë, aq sa dukej sikur flokët e sertë i fillonin fill mbi vetullat.                                                                        – Je i arrestuar! Ti!                                                                                          – Pse? – u trondita.                                                                                            – Ta tregojmë atje…                                                                                     – Vërini prangat! – Befas, i pashë duart e mia të shtrënguara me hekura, aq shpejt m’i vunë, polici sigurisht, kurse operativi, po në atë çast, gati m’i shkuli jakat, teksa i shikoi me zell e kompetencë, se mos kisha helm në to.                     Sikur nuk më thanë: në emër të popullit je i arrestuar? Të jetë rrëmbim dhe jo… “Gazi i degës” shkrofëtiu përhumbshëm dhe pastaj ngarendi egërshan nëpër ankthin gjithë xixëllima të padurueshme. Pallatet shembeshin pas meje, pa zhurmë, në shurdhëri. Pse u kthyem prapë? Jo, po iknim, por pallatet ishin tmerrësisht njëlloj. S’e kuptova ku ndaluam, pse i ngjitëm ca shkallë, ç’pati që bërtiti një shkurtan përtej një tryeze, ndërsa mua, pa m’i hequr prangat, më kontrollonin, duke më marrë gjithçka, stilografin, paratë e pakta, letrat nëpër xhepa, mbanin procesverbal për to, këpucët, çfarë, hiqi, edhe rripin, kërkonin medoemos të kisha orë. Ku e ke orën, ë? S’kam, s’u besoj orëve, dhe pastaj zbritëm shkallët. Shkallë prapë. Sa më poshtë shkonim, aq më tepër pakësohej drita, derisa edhe shkallët u bënë prej terri.                                           

      NË QELI DHE KUNDËR FLOKËVE

      Më flakën në një qeli boshe, pa asgjë, veç mureve të trasha, ciklopike – shiheshin te dera, te dritarja ngushtalaqe në fund – rrafsh me tokën përmatanë. Pra, ishte nëntokë këtu. Hekurat e saj të trashë si gjarpërinj me kokë e bishta të prerë, të kokolepsur radhë-radhë, e ndanin atë pak pamje në katrorë dhe e bënin vepër kubiste, pra të dënueshme. Përsipër, për të shtuar sigurinë, ishte mbërthyer edhe një rrjetë e ashpër teli, edhe ajo me katrorë fare të vegjël, që më sollën ndër mend plëndësa kafshësh të mëdha.                       Ndërkohë isha ende me pranga. Kurrë nuk i kisha pasur duart aq keq, të fyera dhunshëm, megjithëse ç’nuk kisha prekur më parë, plehra, thika, edhe armë zjarri, u kisha dhënë dorën maskarenjve, ndodhte, kisha shfletuar gazeta, fjalime të diktatorit, i kisha larë pellgjeve. Përkundruall, dera e rëndë, e errët, me një sportel të vogël, vuv. Rrëshqiti, u hap përgjysmë dhe një copëz fytyre vëzhgoi ca, pastaj e mbylli me trokëllimë. Ç’kanë me mua? Po rrija pa lëvizur, më këmbë. Përsipër, në anën tej, në një si zgavër katrore mbi portë, ishte llamba. E gjithë kamarja e saj qe e mbështjellë po me atë rrjetë teli si edhe frëngjia. Përhumbshëm, m’u nëpërmendën turinjtë e ngritur të një qeni prej flakësh, që ia kishin zënë gojën ashtu, për të mos më kafshuar tani. Dyshemeja e drunjtë lëshoi një rënkim.

       *   *   *

      Njëri nga policët se kë thirri, i cili, me t’u futur brenda, pa folur me askënd, hapi një çantë të zezë, më hodhi një vështrim, u turbullua një grimë, desh tha diçka, që i ngeci, sikur më njohu, por prapë u bë i huaj, i largët përfundimisht. Ai, pikërisht ai, afroi drejt kokës sime diçka të zezë, tip revoleje. Kështu do të më vrisnin, kot? E ndjeva diçkanë e zezë, bëri trak dhe çuditërisht unë s’rashë. Po gumëzhinte koka ime brenda apo çfarë? Cullufe kaçurrelash binin përdhe si copa mermeri të errët. Po dërrmonin ndonjë statujë kështu, jeniçerët i binin me topuz? Grumbulli i flokëve si një grumbull muzgu po shtohej mbi këmbët e mia të zbathura. Ah, po më qethnin, ç’mëkat! Berberi ai. Qethje e pazakonshme, i lidhur me pranga. Eh, të gjithë kështu i qethin këtu, sigurisht me pranga, por unë e kam për herë të parë e për herë të parë më bënin tullë. Po më vinte më keq se nga vetë arrestimi. U meka fare. Nuk fola. Edhe flokët nuk paskëshin qenë të mitë, çështje shtetërore edhe ata, dihej. Do t’i hidhnin te plehrat apo do t’i digjnin? Kisha pasur flokë të bukur, të dendur, i urrenin…

      Në qeli po ndihesha më i shkretë dhe i fyer fare. Mirë që është frika, thashë me vete. Dhe ajo brerja e largët. Kokën e rrjepur si prej akulli e zura me duar, ndoshta për ta ngrohur sadopak a që ta mbroja të mos rrokullisej, por edhe duart s’i urdhëroja dot. Kishin ende ftohtësinë e prangave. Edhe dimri duhet të jetë afër, punë ditësh, punë prangash… Gjithçka dhe të gjithë tani do t’i kisha kundër. Ndërsa ankthi shtohej, frika ime po mpakej, ngaqë s’mund të më mbronte. Dhe kështu sikur donte të ikte, të më linte vetëm. Jo, jo, prit aty, ti, frika ime! Më duhesh. Edhe akuza më duhet, që të përballem. Akuza është si flokët, do të më jepte forcë. Mosfaji i ngjan kokës së qethur poshtërueshëm. E njënjëshme. Copëz shkretëtire. I ngjan mëkatarit pa asnjë mëkat. Gjëra të dëgjuara këto. Kur një kohë është e fajshme, është faj të mos bësh faje. Por e pëson keqas.

       HETUES DHE MINJ

      – …agjitacion dhe propagandë… – sikur më akuzuan, kur më çuan sërish të prangosur, s’di se ku, nëpër një mesore tjetër dhe po ajo mugëtirë, iknim dhe iknim për të mbërritur, ndoshta te po ajo karrige ku më qethën, në një pasdite të përgjysmuar, në një dhomë të zhveshur, jo, ishte e tjetërllojshme, më e pasigurt, si në një tjetër realitet, ku asgjë s’të ndihmonte.                      – Kush më akuzon? – pyeta zymtë.

      – Organet e Sigurimit të Shtetit. – Rreptësia e përgjigjes sikur më solli më në vete.

      – Prano! – më urdhëroi qetësisht një zë tjetër.

      – Çfarë? – u çakërdisa unë.

      – Fajin.

      – Cilin faj?

      – Që ke bërë.

      – Ma thoni ju, se nuk e di.

      – Këtu s’bëhet shaka dhe s’të hyn në punë zgjuarsia, nëse e di veten të tillë, – po ngulmonte zëri më i rreptë, gati në hakërrimë.

      – Po kush jeni ju? – guxova të them. Vërtet, kush ishin, ç’simbolizonin?

      – Siç nuk është zakon këtu, po të paraqitemi, po ta bëjmë këtë nder. Unë jam kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, Agron Kokona, dhe shoku tjetër është shefi i Hetuesisë, Nexhat Selimi, e kemi ndër më të mirët në Republikë dhe ka zbërthyer armiq shumë të mëdhenj e grupe të tëra armiqësore, që kanë merituar plumbin, kuptove? – po fliste me të butë më i vjetri prej atyre të dyve, nëse ishin dy, sepse më vinin përqark më shumë zëra e fytyrat më rishfaqeshin: njëra me më shumë rrudha, maskë plaku babaxhan, pa shprehje,             e ftohur, gri, donte të ngjante për mirë, si e rënduar nga përvoja, kurse tjetra, e nxehur, e kuqërremtë, kacafytëse, edhe pse pa flokë, më e re, që gjithsesi i kishte duruar me shkëlqim konsumimit. – Po ta përsërit, se ndoshta je i hutuar, se e dimë, shkollarët hutohen kollaj. – Po, po, dy fytyra përsëriteshin dhe muri i shpëlarë përreth.

      – Mos e përkëdhel, shoku kryetar, – e ndërpreu tjetri dhe më hodhi një vështrim përvëlues, aq sa e plasariti maskën e vet. U përqendrova i tëri për të kuptuar sa më shumë.                                                                                      – As ne s’jemi prej këndej, vijmë nga Jugu, – nisi të fliste maska kryetar, vjetërane e tëra, – punojmë ku do Partia, ku ka nevojë atdheu, por s’jemi ankuar si ti. I kemi provat që ti je fajtor, po deshe prano, po deshe jo, me dru kokës nuk do të të biem.                                                                                                 – Hëpërhë.

      – …

      – Ndize një cigare, – tha kryetari dhe më zgjati një kuti të drunjtë me duhan të hapur.

      – Nuk di ta dredh, – thashë.

      – Ta dredhim ne, – tha kryetari. Edhe ai, besoj, me kuptimin tjetër. E vërejta. Ishte shumë thinjosh, i tymtë, çka e bënte ca hijerëndë. Pasi përgatiti cigaren për mua, ma dha ta njomja me gjuhën time letrën e saj, për ta ngjitur. Më bëri përshtypje. Ndezi çakmakun e tij dhe ma afroi siç bëjnë njerëzit.

      – Do të punojmë bashkë, – u mëshoi fjalëve kryehetuesi pas tymit që e përmbyti shpejt dhomën e vogël ku kishim rënë. Nuk pyeta dot se çfarë quante punë ai. Që ta shkulje tjetrin nga jeta e vet dhe ta mbyllje mes këtyre mureve nën dhe?

          *   *   *

      Makina e shkrimit kërcëllinte e zezë.

      …Në hetuesi po merresha rëndom natën. Pastaj vetëm natën. Pas mesnate. Afër mëngjesit. I pranguar. Të sqaroja armiqësinë time, që Partia të mendonte për mua. Ka shumë rëndësi pendimi dhe të tregoja përgjumësh… shokët… ata e kishin më shumë fajin… që kisha rënë në këtë rrugë të gabuar… nëpër ankth më kërkohej se ç’kishin ndër mend të bënim. O-r-g-a-n-i-z-a-t-ë ?! Çfarë? Ç’thamë kur u pushkatua ministri i Mbrojtjes? Ku donim të arratiseshim, kur? Po të tregoja, pra, po të isha i sinqertë me Partinë, do të dënohesha më pak, po, por edhe mund të lirohesha. Jo, jo, ti s’lirohesh. Ti do të dënohesh e do të ridënohesh. Pse s’do që ndëshkimi i Diktaturës së Proletariatit të bjerë mbi ata që të morën më qafë, që desh të morën më qafë, ë, pse s’flet? Ç’është kjo kokëfortësi që do të të thyejë kokën?

      E vazhdonin të derdheshin mbi mua sharjet e bërtitjet si vërshim llumi mbi gjumin tim të keq, në qeli, dhe e përmbytnin dyshemenë sërish, ashtu siç kishin bërë një gjysmë ore më parë a në mijëvjeçarin që shkoi, gjatë seancës më të fundit të hetuesisë, kur mbi përgjumjen time më këmbë, i lidhur me pranga, ndërsa pyetesha ulëritshëm, ndieja rrëketë e baltës, vërsuljen e saj, moçalin gjithpërpirës. Befas dilte prej andej një qen-robot, më hidhej, më ngulte dhëmbët metalikë në mish, varej rëndshëm e kërkonte të mbërrinte skeletin tim, për ta brejtur. Djersë apo gjak rridhja?

                                                                                                                                      *   *   *

      Këta të dy merreshin me mua tani. Ai, miu që njihja, pak si gri, me një xixëllimë sysh të gjilpërtë, që dilte nga një vrimë e dyshemesë, ndalej, më afrohej, pranonte ndonjë thërrime buke, që ia jepja, por, kur më gjente shtrirë, vinte e shëtiste nëpër trupin tim. Ia ndieja gudulisjen më shumë në qafë. Nuk doja ta trembja, prisja derisa të ikte vetë. Seç e thërriste në vrimën e tij dhe ikte me vrap. Vështrimi i tij përndizej, prushëronte shumë më tepër në sytë e hetuesit. Kishte shtuar këmbënguljen dhe ashpërsinë. Më goditës dhe primitiv. Sikur është dobësuar dhe i flihet. Ku do të ketë qenë? Mungoi kaq gjatë! Në hetuesi të tjera, në ndjekje bandash, me pushime, në pushkatime, jashtë shtetit fshehurazi? Apo aty, pas derës e më përgjonte, ndërsa unë vërdallisesha i trallisur kafazërisht? Eh, të kisha çuar miun! Nuk besoj, ai është i mirë, i gjorë… Si ti…

      – E pse ke frikë të jesh armik? – më ndërpreu sikur unë të kisha kundërshtuar një blatim.

      – S’kam dhe aq frikë, – i thashë, – por s’jam.

      – Kemi prova. Je kundërshtar, armik, njëlloj janë.

      – Prova janë betejat…

      – Ato pret ti, i pandehur, – më ndërpreu, – por ne jemi fitimtarë! – Dhe u kujtua të shtojë: – Të ndërtosh socializmin, nuk të duket betejë ty? Serioze, madhështore! Maskara!

      * * *           Po rrija më këmbë në mes të qelisë. Nga trupi im vareshin poshtë jo vetëm copa lëkure të shkruara, por edhe vena të shkulura, të këputura keq, inde, nerva, fije lidhëse të shqyera me dhëmbë, damarë të përgjakur, nga rridhnin ndjenja dhe mendime dhe tërë siguria e ruajtur deri më tani. Ndihesha fajtor. U binda. Kisha qenë. Pse s’ndenja i tërhequr mes qetësisë prej vdekjeje. Pse guxova të jem normal këtë herë mes çmendurisë së përgjithshme? Dhe po ndëshkohesha me të drejtë. S’kisha pse të kërkoja falje ose mëshirë. Me shpejtësi trallisëse po vazhdonte hemorragjia prej vetvetes. Po boshatisesha mrekullisht. Çengela e ganxha, e kavo, linja të tjera të padukshme që më lidhnin dikur me botën dhe nuk më dukeshin asgjë, tani qenë këputur dhe unë mes tyre, me këmbët ngatërruar nëpër to si në një kurth kaotik, kisha shtangur. Nuk ndieja më gjë. Kishin vdekur edhe valët në ajër. Në një cep të vuajtjes, që kaq shpejt u bë e pakohë, gjeta përçartjen e një poezie për gjyqin tim. Më priste kjo ditë e ferrit që në gjallje.             

Filed Under: Opinion Tagged With: Visar Zhiti- I arrestuar me 8 nentor

Et’hem Haxhiademi dhe Lushnja të risjellë nga një çast fatlum…

November 7, 2019 by dgreca


Kremtimi i Festës së pavarësisë në Lushnje, 28 Nëntor 1925- /

Nga Shpend Sollaku Noé/

Ndoshta edhe jo aq prej rastit, por prej këmbënguljes. Dhe është një risjellje e rëndësishme, tronditëse, ndoshta pse e arritur në befasi. Pikërisht, në çastet kur ti mendon se je shkëputur tërësisht prej pjesës tjetër të botës që nuk quhet Park Kombëtar i Divjakës dhe Karavastasë, Mbërrin një mail me pak rreshta. Eshtë Hortensia Haxhiademi. Ajo shkruan rrallë, por kur e bën, nxjerr diamante prej baltës. Ka dërguar disa foto. Por që unë nuk arrij t’i hap. Jam brenda një pylli të virgjër. Kam një celular dhe një tablet me vete, por fusha e internetit është jo edhe aq e fortë. E shtyj ballafaqimin me atë mail në ditët pas kthimit në Itali. 


Nënprefekti i Lushnjes, Et’hem Haxhiademi, në mes të dy xhandarëve lushnjarë, 1 shtator 1928

Sapo ndihem më mirë pas udhëtimit të kthimit in primis hap postën elektronike.  Sigurisht që ai i Hortensias është i pari që lexoj. Të paparashikueshme emocionet që më dhuruan ato foto të të madhit gjysh të saj Et’hem Haxhiademi.

Janë dëshmi të rralla historike, për tragjedianin e madh, por, edhe sidomos, për Lushnjen. Në to risillen fakte të rëndësishme historike të qytetit myzeqar. Ato foto po i rendit ashtu si i dërgoi mbesa e poetit. Vetëm për të mos ngatërruar lexuesin, pse jo edhe kritikët letrare, historianët e letersisë apo edhe të asaj të përgjithshme. Eshtë një formalitet, pasi që të gjitha janë shumë të rëndësishme. Për Shqipërinë, për Lushnjen ku Haxhiademi punoi dhe ku shkroi një nga tragjeditë e tij më të mëdha; për Elbasanin ku lindi – qytetin vazhdimisht të përskuqur prej turpit që birin e tij të shquar e ka lënë ende me një varr të zbrazët; për të gjithë dashamirët e shumtë e të eturit për të vërteta historike.

Me këtë përcjellje të shkurtër po ju sjell dy prej këtyre fotove, ato që i kanë rezistuar më mirë zbehjes së kohës.

Njëra, që botohet për herë të parë, risjell festimin e Pavarësisë së Shqipërisë në Lushnje, më 28 Nëntor 1925. Foto e rëndësishme sipas meje, pasi fikson jo vetëm ditën e shënuar për kombin, por edhe mjaft personazhe të Lushnjes së atëhershme. Prej veshjes lihet të kuptohet niveli ekonomik e shoqëror i parisë së Lushnjes, serioziteti me të cilin festohej, besimi që përcillnin tek të tjerët. Rreth emrave të pjesëmarrsëve mbetet të bëhet një studim i plotë prej historianëve të specializur për atë periudhë historike.

Fotoja e dytë, edhe ajo botohet për herë të parë, risjell nënprefektin e Lushnjes, Et’hem Haxhiademi, në mes të dy xhandarëve lushnjarë. Fotoja është e 1 shtatorit të viti 1928. Vihet re në të eleganca e veshjes së poetit si dhe e uniformave të dy përfaqësuesve të tjerë të rendit. Në sfond shfaqet ndërtesa të cilën brezat e fundit e mbajnë mend si shtëpi kulture apo edhe bibliotekë, para se nihilistët me ngjyrë gjaku ta hidhin në erë me dinamit. Foto e denjë për muze në të gjithë vendet e qytetëruara. Në mos në atë të Lushnjes, të Elbasanit, të Tiranës; qoftë për dekorin tashmë të zhdukur, qoftë për praninë e tragjedianit të madh Et’hem Haxhiademi, që tragjedinë më të ngjethshme e përjetoi mbi lëkurën e tij.

Filed Under: Featured Tagged With: Shpend Sollaku Noe'- Et'hem Haxhiademi- Lushnja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 832
  • 833
  • 834
  • 835
  • 836
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT