• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vetëvendosje dhe LDK pajtohen për krijimin e koalicionit qeverisës

October 10, 2019 by dgreca

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës pas një takimi të mbajtur të enjten janë pajtuar për fillimin e bisedimeve për krijimin e koalicionit qeverisës pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 6 tetor në Kosovë.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, tha se janë pajtuar që të qeverisin bashkë me LDK-në.

“Kosova ka humbur shumë kohë dhe pritjet e qytetarëve janë shumë të larta. Pa humbur kohë ne kemi filluar bisedimet duke nisur me idenë e përbashkët për një qeveri sa më efikase dhe një shtet sa më të fuqishëm, synimi jonë është që t’i dalim zot nevojave të qytetarëve dhe ta orientojmë shtetin nga drejtësia, zhvillimi”, tha Kurti.

Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministre, Vjosa Osmani, tha se te dy partitë treguan vullnetin e mirë për të qeverisur bashkë.

“Sapo zhvilluam takimin tonë të parë me LVV-në për të diskutuar mundësitë e bashkë qeverisjes. Sot kemi diskutuar në nivel të parimeve jo të detajeve më e rëndësishmja është se të dy partitë treguan vullnetin e mirë për të qeverisur bashkë dhe vullnetin e mirë për të punuar në interes të qytetarëve”, tha Osmani.

Ajo ka shtuar se do të presin numërimin edhe të votave me postë, votave me kusht para arritjes së një marrëveshje finale.

Gjatë këtij takimi, Kurti dhe Osmani kanë bërë të ditur se është diskutuar sa i përket reduktimit të numrit të ministrive dhe zëvendësministrave. Po ashtu, ata kanë bërë të ditur se do të krijohen grupet punuese të të dyjave partive për të diskutuar detajet dhe për të harmonizuar programet.

Në takim ishte i pranishëm edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa, i cili përmes një postimi në Facebook ka deklaruar se do të punojnë për përafrimin e objektivave qeverisëse.

“Në ditët në vijim do të punojmë në përafrimin e objektivave qeverisëse, ndërkaq pasi të përfundojë krejtësisht procesi i numërimit të të gjitha votave dhe të dihet subjekti i parë, do të përpiqemi të gjejmë zgjidhje për mënyrën e participimit në Qeveri. Vendimin përfundimtar për bashkëqeverisje do ta marrin organet përgjegjëse të LDK-së”, tha Mustafa.

Të nderuar qytetarë
U takuam sot me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, z. Kurti, diskutuam mundësitë e bashkëqeverisjes, LDK- VV, si dy subjekte që dolën fituese në këto zgjedhje. 
Në ditët në vijim do të punojmë në përafrimin e objektivave qeverisëse, ndërkaq pasi të përfundojë krejtësisht procesi i numërimit të të gjitha votave dhe të dihet subjekti i parë, do të përpiqemi të gjejmë zgjidhje për mënyrën e participimit në Qeveri. 
Vendimin përfundimtar për bashkëqeverisje do ta marrin organet përgjegjëse të LDK-së. IM

Para nisjes së këtij takimi, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili në bazë të rezultatit të zgjedhjeve pritet të jetë mandatari i ardhshëm për kryeministër të Kosovës ka thënë para medieve se ky është fillimi i qeverisë së re.“Ky është fillimi i Qeverisë së re, po punojmë për koalicion qeveritar që do ta çkapë shtetin nga e keqja”, tha Kurti.

Në zgjedhjet e fundit, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani janë parë si dy figurat kryesore për pozitën e kryeministrit të ardhshëm të Kosovës. Ndërkaq, tani rezultati preliminar zgjedhor e favorizon për kryeministër liderin e Vetëvendosjes Albin Kurti.

Ndryshe nga e kaluara, kur pas zgjedhjeve parlamentare ishin shënuar vonesa të theksuara në konstituimin e institucioneve qendrore, duke iu referuar zgjedhjeve të fundit të 6 tetorit, analistët politikë në Prishtinë nuk parashikojnë se do të ketë vonesa të mëdha.

Filed Under: Ekonomi, Featured Tagged With: Albin Kurti- Vjosa Osmani- Gati marreveshja

NJË POEMË E PA NJOHUR E KUDRET KOKOSHIT

October 10, 2019 by dgreca

KUDRET KOKOSHI//

Nga Enver MEMISHAJ/

Kudret Kokoshi lindi në Vlorë, më 18 shtator 1908. Arsimin e mesëm dhe të lartën për Drejtësi i kreu në Itali ku  fitoi gradën doktor i shkencave juridike. Kishte pasion letërsinë dhe kreu edhe këtë fakultet. Në vitin 1934 u kthye të shërbente në atdheun e tij. Gjatë luftës ishte udhëheqës dhe ideolog i Ballit Kombëtar. Në maj të vitit 1944, u arrestua nga Gestapua gjermane dhe u internua Mathauzen. U lirua në dhjetor 1944 dhe iu propozua të bënte karrierë në perëndim, por ai preferoi të kthehej në atdhe. Sapo erdhi në Shqipëri, më 5 qershor 1945, komunistët e arrestuan dhe e dënuan me vdekje. Vuajti në burgun e Burrelit deri më 25 dhjetor 1964. Vdiq në Vlorë më 26 prill 1991.

                                                        *        *       *                                                                         

Poema “I përpjekuri”, që ne e botojmë me titullin “Luftëtari” është me shkrim dore në 6 fletë të shkruara nga të dy anët plus fletën e shtatë të shkruar nga një anë dhe në fund është shënuar Bs. As. 1948. Fotokopjuar në 13 fletë format. Nuk ka emër autori. Faqja e parë fillon me numurin 000029 deri në 000035.
Duke krahasuar traktet e Kudret Kokoshit me shkrim dore që kemi gjetur në arkivin e MPB në dosjen 281 me shkrimin e kësaj poeme arrimë në përfundimin se autori i kësaj poema është Kudret Kokoshi. Edhe përmbajtja e poemës na bind se autori është Kudret Kokoshi, pasi më mirë se ai nuk e njihte jetën dhe bëmat e Hazis Sharrës.
Poema botohet duke i qëndruar besnik origjinalit, pa bërë asnjë ndryshim.
Në vitin 1992, Dino Alemi, kunati Kudret Kokoshit më dha një fletore ku Kudret Kokoshi, me shkrim dore kishte përmbledhur gjith krijimtarinë e tij në poezi. Unë botova shkrimin „Në kujtim të poetit dhe patriotit Kudret Kokoshi“ të shoqëruar me disa poezi që i nxorra nga fletorja e tij. (Gazeta „Zgjimi“, organ i Partisë Demokratike Vlorë, nr. 16, dt. 20.8.1992)
Në këtë fletore nuk gjendet poema “I përpjekuri“ alias „Luftëtari“, po kështu kjo poemë nuk gjendet as  në librin Kudret Kokoshi “Drithmë jete“, përmbledhje e plotë me poezitë e poetit botuar nën kujdesin e Visar Zhitit dhe Eda Agaj nga Shtëpia Botuese „Naim Frashëri Tiranë 1995. Pra, nga sa del poeti e ka shkruar këtë poemë në burg në vitin 1948, fakt që duket edhe nga numurimi i faqeve: 000029 deri në 000035 dhe kur ka bërë përmbledhjen e poezive nuk e ka pasur poemën, apo nga vetcensurimi nuk e ka hedhur në fletoren që përmblodhi gjith krijimtarinë e tij. Poema është gjendur në duar të studjueses dhe poetes Laureta Petoshati, që mësonte prej Kudretit gjuhën italiane e cila ia dha Shpëtim Sharrës, nipit të Hazis Sharrës.

Kudret Kokoshi
                                                              

LUFTëTARI
Luftëtarit Antifashist:
Hazis Sharrës, rënë më 8 tetor 1943 nga plumbat e pabesisë komuniste.

Që i vogël i përpjekur,
Zemrën eshtër, kokën hekur,
I egërtë e i përhedhur,
Syrin pish dhe ballin vrenjtur.
Hall i madh për at e nënë,
Dy gurë bashkë kurrë s’i pat lënë.
Që i vogël shum i gjallë,
Dy copa druri gëzhdallë,
I kish kobure dhe pallë,
Gryk e palltos dhe qemeri,
Si nishane oficeri,
I zgjidhte shokët me radhë,
Grupe-grupe si ushtarë.
I ndante në dy kumandë,
Si armiq ballë për ballë,
Për në luftim i lëshonte,
Bërtiste kur komandonte,
Çikëndi syri i ndriçonte.
……………………………………
Porsi dem e kishte zënë,
Dy gur bashk, kurr s’i pat lënë.
                     * * *
U rrit e vajti në shkollë,
Ndëgjoi historinë kombtare,
Që çilimi në Stambollë,
Thosh një libër abetare.
Dukej çdo bëhej një ditë,
Gjergji i vogël, yll me dritë.
E një ditë erdhi dita,
Me treqind e ca shqiptarë,
E la luftën për Huniadhë,
Në mëngjes si agimi të parë,
Ai burrë e la Turqinë,
I la gradat dhe ushtrinë,
Erth në Krujë ngriti flamurin,
Shqipen e Lekës dhe Burrit.
Çilimi duke dëgjuar,
Historinë kombëtare,
Rrin n’ lloi duke menduar,
Ato luftëra legjendare,
Dhe në lodra djaloshare,
Përkujtonte historinë,
Vet në ballë e prita e zjarre,
Me at anë që e kish të tijnë,
Si shqiptarit ja jep feja,
I thoshnin Zize rrufeja.
…………………………………
Si me barot të qe zënë.
Dy gurë bashk, kurrë s’i pat lënë.
                          * * *
Rritur para kohe djali,
Fryrë llëra edhe gusha,
Si rritet ujku rrëzë mali,
Si rritet demi në fusha.
I fortë porsi dragua,
Shkoi brisku përmbi faqe,
Zuri qielli u errësua,
Erdhi koha lyer me gjaqe.
– Më erdhi rradha dhe mua!
u thirri shokëve Azizi,
e la vashën të fejuar,
dhe lezetet pas kurrizi.
Veshi opingat e lakta,
U hoth e dolli në male,
Dy tri fjalë po të sakta,
Në Bestrovë u ra gjermanëve,
Në qafë te Gurra e Vakëfe,
Me dy çeta shum të pakta,
Si petriti shkon përpara.
– O burra se Hazis Sharra,
U vërvit në vijë të zjarrit,
Thirri Durua që ish si dará.
Kreshpanjak e goxha djalë,
Pas Azizit ra borija,
Në zjarr e gjallë djalëria,
Me dorë brenda istikamit,
Çuditi syt’ e gjermanit,
Që në male të Ballkanit,
Kjo ishte herë e parë,
Që pa luftë e pa shqiptarë.
O burra në istikam,
Se u fut brenda Azizi,
Bashkë me Barjam Selmanë,
Bërtiti Qerim Harizi,
Grykë për grykë me gjermanë,
Iu gjet Metja pas kurrizi,
Njeriun e preu mekami,
Një për sheshi e rrukullisi.
Zu një oficer të gjallë,
Një top që qëlloi nga Vrizi.
I dogji s’u gjety nishanë,
Kur u ngrit në këmbë Azizi,
Tym e mjegull më ç’do anë,
Njerma në Breg të Orizit,
Mblodhi shokët që kish mb’anë,
Armikut prapa kurrizi,
Në gjurmë të thembrës në lukth.
Iku armiku u dërrmua,
Kur e pa që si dragua,
Binte labi si sqifteri,
Binte vdekja, binte tmerri,
Fush e luftës mbytur n’ gjak.
Binin lebrit si vetëtimë,
Nëpër llohë me suferinë,
Atje tek Azis Sharra,
Sa po t’i dëgjonin zënë,
Nëpër zjarr e nëpër gjëmë.
Azizi shkonte përpara,
Azizi që çilimi,
Dy gurë bashkë kurrë s’i pat lënë.
Rynë vullnetarët në Vlorë,
Shokët e zjarrit e zgjodhë,
Kumandant të djalërisë,
Me shokë dorë për dorë,
Në Qabe që i thonë Vlorë,
Për agimin e lirisë.
Një dorë në kraharuar,
Njërën dorë përmbi vetull,
Armë dhe gjerdan shtrënguar,
Një kamzhik nënë sqetull,
Gjithnjë i gjallë i përpjekur.
Hazizi që kishte qënë,
Dy gurë bashk kurr s’i pat lënë.
Një natë t’errët dimërore,
Pas një muri një katua,
Një dorë e ndyrë trathëtore,
Mbëshehur e siguruar,
Zbrazi armën mizore,
Tek shkonte udhës Azizi,
Një batare pas kurrizi.
U kthye djali i gjallë,
Me gjith plumbat që pat marrë,
Për t’u thënë nja dy tri fjalë,
U afrua tek pusija,
Nëpër dritë të bataresë,
Shkuli koburen me pesë,
Qëlloi nga dil shkëndija.
– I bini prapa kurrizit,
Se është plagosur Azizi.
– Thirri një nga gjakësorët:
Ikni kush mund të shpëtojë,
S’ka nëjet që të mbarojë,
Erdhi na zuri me dorë,
Në terr ulërinin mizorët.
…………………………………
Dhe një çast zhurma pushoi,
Duall e iknë nga katoi,
Si minjtë buzë përroi.
                * * *
I pështeti krahët murit,
Vështroi dy kupat e gjurit,
Vdekj’ e shkretë q’i përgjunji,
Pështyjti prej ndyrësisë,
Përmbi hekura të pusisë,
Si plak i urtë prej mërzisë:
Oh, or dobiçë të Rusisë
Shitët flamur ‘ e lirisë – !
Ra luani siç kanë rënë,
Viganët e historisë,
Heronjt q’emër u kan vënë,
Epokavet të njerzisë,
Martirët që e kan bërë,
Me gjak bukën e lirisë.
Ra dragoi si bie burri,
Ashtu si ra Barjam Curri,
Në shpellë të Dragobisë.
Ashtu si ra Gurakuqi,
Mërgimin me gjak e skuqi,
Jetimi i mëmë Shqipërisë.
Ra si ra Qazim Koculi,
Ati i Kombit e i lirisë,
Ra si ra Avni Rustemi,
Si ra Spiro Ballkameni,
Si ra Marku i Marka Gjonit,
Princi i princave fisnikë.
Gjaku i pastër i Bib Dodit,
Kapedani për Mirditë,
Ra në çark si bije luani,
Ashtu si ra Azis Çami.
Si ra Shahin Nuredini,
Ashtu si i pat rënë i biri,
Si Nekiu dhe Tasimi,
Si ra Demir Kallarati,
Si ra Hamdi Bej Çeprati,
Si ra Nuredin Ilazi,
Si Sehiti e Ejup Kazazi.
Si ra Rrapo Meto Plaku,
Si Pashuk Bibë Miraku,
Me të nipin, djal i ri,
Ndoc Mirakaj bir zotni,
Djalë për shkollë e dituri.
Si ra Gjeto Mir Uruçi,
Si ra në Vlorë Abdul Kuçi,
Ati i ligjit në liri,
I shenjtë për drejtësi,
Që nuk ju tremb syri burrit,
Këndoi hymnin e flamurit,
Udhës për në pushkatim,
Thirri i qetë e me guxim:
– Mba mend e mëso moj Vlorë
Kur të t’vijë t’a bëçë me borë,
Azis Sharra, ra si bienë,
Ata që duan idenë.
Që për mëmë e besë e fenë,
Kan Shqipërinë e atdhenë.
Sa shekuj që shkojnë e venë,
Viganë për dorë i bienë.
Rojë e gjallë për mëmëdhenë.
Si ra Leka për fitore,
Për një shqipe dykrenore,
Si ra Pirrua nga Stranica,
N’Argos me tjegull mbi kokë.
Si ra Hysni Lepenica,
Bashk me trimat në Grehot,
Si bjenë të mëdhenjtë në prita.
Si Skënder Muçua me shokë,
Si bien për të ngjallë lirinë,
Yjet që shkruajnë historinë,
Krahë për krahë me Perëndinë.
I përpjekuri Bs. As. 1948Përgatiti për botim Enver Memishaj

Filed Under: Opinion Tagged With: Enver Memishaj-Poema e panjohur- Kudret Kokoshi

ALBIN KURTI, KANDIDATI PER KRYEMINISTER DHE INTERVISTA E VITIT 2000

October 10, 2019 by dgreca

KOMENT NGA ASLLAN BUSHATI/

Në emisionin “Opinion”( TV Klan),  të gazetarit Blendi Fevziu,  më 9 Tetor 2019 u transmetu një  intervistë e gjatë me Albin Kurtit  në prag të marrjes nga ana e tij, të detyrës së Kryeministrit të Kosovës. Emisioni u mbyll me  një intervistë të Zotit Kurti për median ndërkombëtare,  realizuar në ambientet e  një burgu  serb në vitin 2000,  i cili ishte dënuar me 15 vite  për aktivitet politik kundër regjimit  të Milloshevicit.Komentin tim po e filloj nga kjo e fundit , e cila në gjykimin tim ishte (brilante)  e thënë shkurt në shqip ishte e mrekullueshme, në formë,  në përmbajtje dhe në mesazhin që bartëte. Kjo intervistë do të përsëritet gjatë,  e breznitë e ardhëshme shqiptare  shpresoj se  do ta kujtojnë me respekt, në qoftë se vetë Zoti Kurti nuk e “ndot” atë .

 Zotin Kurti nuk e njoh personalisht, por nga  medias kam krijuar një “njohje mediatike”, nëse mund të quhet e tillë. Nga kjo “njohje” dhe ky përceptim, kam arritur të vecoj si tipare  dalluese të tij: atdhetarinë, karizmën, oratorinë, të folurit kuptueshëm e me fjali të shkurtëra, artikulimi i gjërave të vështira me simbolikë të thjeshtë, këmbënguljen etj. Por ndonjëherë  edhe politikanin e pabindur ndaj rregullave, demostrues,  disi agresiv e të pa përmbajtshëm. 

Mund të jemë edhe gabim në këto që them, por gjykimi im nuk i imponohet askujt , nuk e rëndon atë si person e si lider, dhe  aq më pak nuk bëhet me asnjë qëllim të keq. Përkundrazi.

Në përgjigjet e  të gjitha pyetjeve, Zoti Kurti  them se  ishte i drejtpërdrejtë, pa sofizma, pa doreza diplomatike, pa figura letrare, e pa qëndrime të dyzuara, siç ndodh rëndomtë, me shumë politikanë. Kjo e bëri intervistën sipas meje, më dinamike dhe të pëlqyeshme.

Para disa ditësh kam bërë një shkrim për pritshëritë e zgjedhjeve në Kosovë. Në këtë shkrim kisha parashikuar  fitoren e dukshme të  opozitës ( gjë që doli e vërtetë). Madje   mendoja se  LDK-ja dhe VV-ja do të ishin me sasi  deputetësh të barabartë, por diferenca do të bëhej se LDK-ja do të kishte të paktën një a dy mijë vota më shumë. E pranoj se marzhi i gabimit tim paska qenë diku tek 0,5 përqind .  Por kjo nuk prish anjë punë. Kryevendin zgjedhor  ta gëzojë VV-ja dhe Albin Kurti, aq më tepër që këta, nuk kanë qenë asnjë herë në drejtimin e Shtetit të Kosovës. Le ta provojnë dhe shpresojmë të mos na zhgënjejnë.

Në këtë intervistë një vend të rëndësishëm zunë  zhvillimet e pritëshme me Serbinë. Unë  përgjithsisht mbeta  i kënaqur me ato që  dëgjova nga Zoti Kurti. Bisedimet, mendohet se  do të fillojnë shpejt, gjë që është e domosdoshme, Kosova do të prezantohet me dinjitet, me argumenta të qënsishme , me statusin e të barabartit, me kufij të paprekshëm dhe në fund me një marrveshje për njohjen reciproke .

Në planin e jashtëm,  sipas Zotit Kurti, do të mbeten partnerë strategjik SHBA dhe BE me një modulim më pragmatik me Gjermaninë, Francën, Mbretrinë e Bashkuar e Italinë ( duke pasur parasyshë edhe përvojën positive të Sllovenisë e Polonisë). U kënaqa që nuk permendej prej tij ndonjë i ashtuquajtur “vëlla”.

Në planin e brendëshëm, i përsëritur disa herë ( dhe në aleancë  me LDK-në), sllogani themelor do  të jetë: ”barazi, drejtësi, zhvillim”.  Po ashtu do të shkohet drejt zvoglimit të  numurit të ministrive duke i dhënë më shumë hapsirë  kualitetit në qeverisje me figura të spikatura nga brenda Kosovës  e nga diaspora . Do të krijohen forma të reja të organizimit të brendshëm strukturor  e bankar që do të shtojnë punësimin, do të luftojnë korrupsionin dhe do të mbështesin zhvillimin e gjithanshëm ekonomik të Kosovës. 

Akuzave për qëndrime ekstreme majtiste , Zoti Kurti ju përgjigj se VV-ja  dhe ai  i përkasim spekterit të  majtës social-demokrate dhe se idhulli i tij ka qenë udhëheqsi afrikano-amerikan Luter King. 

Kurse akuzës për islamist, ai tha se është një e pavërtetë  dhe një artificë e shpikur nga kundërshtarët politik të VV-së në Kosovë , sepse në debatin për veshjen e grave  “me apo pa shami”, ne kemi qenë kundër ndalimit të shamisë , por nuk e kemi kërkuar mbajtjen e saj.

Në lidhje me Shqipërinë tha se si hap i parë  do të shikoj marrveshjet e firmosura   me synim realizimin e atyre që nuk janë bërë. Po ashtu foli për forume  e politika të përbashkëta në disa fusha, për  përafrim pikpamjesh e qëndrimesh  e deri tek mundësia e bërjes së  një hekurudhe  nga Mitrovica deri në Vlorë.

Unë përgjithsisht mbeta i kënaqur nga intervista , por sic thotë populli “nga e thëna në të bërë është midis një detë  i tërë”. Shpresoj e dëshiroj (sic do shqiptar në trojet etnike e në diasporë), që ato që u premtuan të bëhen realitet i prekshëm  për   gjithkënd  në  Kosovë e Shqipëri.

Filed Under: Politike Tagged With: Asllan Bushati-Koment-Intervista-Albin Kurti

NËNA“LEFKO”(Lefkothea Bozhiqi) NDËRROI JETË

October 9, 2019 by dgreca

 Nëna Lefko, siç thërrisnin të vegjël dhe të rritur në Pelham Park, Bronks, nuk do ta shohim më, zërin e saj të dashur e të ëmbël, nuk do ta dëgjojmë më. Ajo grua aq e sjellshme, e respektuar dhe e dashur me të gjithë, të mëdhenj e të vegjël, shkoi të pushoi përgjithmonë. Nënë Lefkothea Bozhiqi, bashkëshortja e Mihalit, ndërroi jetë ditën Hënë, 7 tetor 2019.Ajo la në pikëllim të thellë bashkshortin Mihal Bozhiqi, vajzën Elida me bashkshortin e saj, mbesat Jona dhe Elina.

      Familja njofton Komunitetin shqiptar se shërbimet funerale do të organizohen ditën e Enjte me 10 tetor 2019, nga ora 5. 00.P.M. deri në 9.00.P.M.në Shtëpinë Mortore: Ralph Giordano Funeral Home, që ndodhet në adresën: 1727 Crosby Ave., Bronx, NY 10461. Tel i Funeralit: (718)829-5580. Ndërsa varrimi do të organizohet ditën e Premte, 11 tetor 2019, në orën 11.00 .A.M.në Oakwood Cemetery, në adresën:315 Lexington Ave., Mt. Kisco, NY.

                   ***

Lefkothea passed away on Monday, October 7, 2019. The family will receive relative and friends at the Ralph Giordano Funeral Home, 1727 Crosby Ave., Bronx, NY on Thursday, October 10, 2019 from 5:00 P.M. to 9:00 P.M. Prayer Services will be held at the funeral home on Thursday at 8:00 P.M. A Graveside Service will be held at Oakwood Cemetery, 315 Lexington Ave., Mt. Kisco, NY on Friday, October 11, 2019 at 11:00 A.M. Visitation at the Ralph Giordano Funeral Home from 5:00 PM to 9:00 PM on October 10, 2019.

Filed Under: Opinion Tagged With: Lefkothea Bozhiqi, nderroi jete

RRETH BOTËS ME MUZIKË…

October 9, 2019 by dgreca

-Mbresa nga koncerti në Boston i tre artistëve të shquar shqiptarë: Inva Mula, Olen Cesari dhe Genc Tukiçi-/

 Nga Fuat Memelli/*

“Rreth botës me muzikë ” kështu ishte titulluar koncerti  që dhanë të martë në mbrëmje tre artistët e shquar shqipttarë: sopranoja Inva Mula, violinisti Olen Cesari dhe pianisti e kompozitori, Genc Tukiçi .

Është një titull që i shkon koncertit të tyre, pasi prej vitesh ata krahas Shqipërisë, japin koncerte edhe nëpër botë. Në këtë mënyrë kanë nderuar jo vetëm veten, por edhe Shqipërinë, duke u bërë ambasadorë të kulturës e artit shqiptar. Koncerti i tyre në Boston, ishte i gjashti i dhënë në kontinentin amerikan, ku 2 prej tyre ishin në Kanada dhe 4 në Amerikë. Salla e “Regent Theater” ishte mbushur si rrallë herë. Rreth 500 shqiptarë kishin ardhur për të parë koncertin e bashkëatdhetarëve të tyre, nga Bostoni e qytetet e tjerë rreh tij.

Të them të drejtën në fillim kisha një merak se vallë do kete shumë shqiptarë, pasi ata ( mendoja unë) pëlqejnë më shumë muzikën e lehtë dhe atë popullore, por isha gabuar. Pjesëmarja e tyre e madhe , dëshmoi se ata e duan edhe muzikën operistike, edhe pianon. Krahas shqiptarëve kanë ardhur edhe shtetas të kombësive të tjera, miq të shqiptarëve. Fjalën e rastit e mbajti Edlira Athanas, e cila tok me Shoqatën “ Mass.Besa” ishin organizatorët e këtij koncerti. Para 4 ditësh Edlira përcolli për në botën e përtejme, babain e saj, tenorin e shquar, Gjoni Athanas .Kanë qënë ditë të ngarkuara për të, por ajo me kurjao i përballoi këto dy ngjarje të rëndësishme. Pianisti e kopmpzitori, Genc Tukiçi, ishte i pari që çeli programin. “Në fillim do të luaj një pjesë që ia dedikoj xhaxhait tim” theksoi ai. Më pas mësova se ai e quante xhaxha Gjoni Athanasin, shokun e ngushtë të babait të tij, Ibrahim Tukiçi. Gishtat e tij fluturojnë mbi tastierë. Rrugën artistike Davidi e ka nisur që në vogëli. I ritur në një familje artisti dhe i diplomuar në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe pastaj në Shkollën e Muzikës në Paris, kariera e tij njohu ngjitje të suksesëshme. Krahas Shqipërisë, Davidi ka lualtur edhe në salla koncertesh të njohura si në Paris, Zvicër,Vjenë, Neë York, Romë, Londër, Luksenburg, etj.

 Më pas e ka rradhën violinist dursak, por edhe me nënshtetësi italiane, Olen Cesari. Luan në fillim një potpuri për violinë. Edhe ai tashmë nuk i përket vetëm Shqipërisë.Veç koncerteve në vendin tonë, ka dhënë edhe në Itali, Vjenë, Paris, Neë York, Madrid, Brazil,etj. Ai ka luajtur në violinë para tre papave si Gjon Palit të dytë, Ratzinger dhe papa Franceskut. Është fitues i disa çmimeve si ai i Komunitetit Europian, i çmimit ” Music Global Award” etj. Olen Cesari është një nga shëmbujt e emigrantëve shqiptarë që kanë shkëlqyer nëpër botë pas viteve ’90.

 Skena është pastaj për artisten e madhe me famë botërore, sopranon Inva Mula.e cila pritet me duartrokitje.”Jam e lumtur që kini mbushur sot këtë sallë. Unë do të këndoj në fillim këngën “Globi rrotullohet”.Të gjithë emigrantët më duken sot sikur kanë hipur në një glob që rrotullohet”. Në sallë jehon më pas zëri i bukur i sopranos. Kjo këngë e kompozuar nga babai i saj, artisti i madh, Avni Mula, na çon vite larg kur ajo u këndua në një nga festivalet e Radio Televizionit Shqiptar dhe u bë aq e dashur për publikun. Të gjithë e njohin sopranon tonë, vajzën e dy artistëve të shquar, Avni dhe Nina Mula, por dua them shkurt disa fjalë për karierën dhe vlerësimet për të. Pasi mbaroi Konservatorin e Tiranës e dha disa shfaqje të suksesëshme në Shqipëri, në vitin 1993 mer pjesë në një shfaqje të organizuar në Paris nga këngëtari i shquar  Plaçido Domingo dhe fiton çmimin e parë si soprano. Interpreton role të rëndësishme të operave botërore dhe jep shfaqje krahas Shqipërisë  edhe në Francë, Itali, Los Angelos, Bon, Ëashington, Neë York, , etj. Në Shqipëri krahas interpretimit si soprano, në dy pjesë ka qënë edhe si regjisore. Në vitin 2012 është nderuar nga presidenti i Republikës me titulline lartë “Nder i Kombit” , ndërsa në vitin 2016   është vlerësuar nga qeveria franceze me titullin “ Kalorëse e artit dhe letrave”, që është një titull shumë prestigjioz për artistët. Programi vazhdoi me një gërshetim të bukur të pjesëve shqiptare me ato të muzikës botërore. Olen Cesari na çon larg, duke luajtur në violinë një tango argjentinase, ndërsa Davidi luan në piano “Marshin turk” aq i njohur në botë. Inva na çon në muzikën italiane, duke interpretuar “Karuzon” të kompozitorit të shquar, Luçio Dala. “Karuzo  ishte një emigrant, thotë Nina dhe nëpërmjet tij kompozitori na sjell dashurinë e mallin e mërgimtarit për vendlinjen e tij, Italinë”

Një nga momentet kulmore të programit ishte homazhi që u bë për artistin Gjoni Athanas, ndarë nga jeta para disa ditësh në Boston.”Kam qënë e vogël kur e kam njohur Gjonin, tha Inva. Ai ka kënduar me dy prindërit e mi, ka kënduar edhe më Ibrahim Tukiçin, si dhe me Gjoni Athanasin. Ai u largua nga kjo botë por për ne do mbetet i paharruar”..Në një ekran të madh jepet pastaj një video montazh i përgatitur nga vajza e tij, Edlira. Ai këndon në fillim vetëm e pastaj me dy miqtë e tij, Avni Mulën e Ibrahim Tukiçin. Në mbyllje Gjoni këndon nga ekrani këngën “Lule borë”, e cila vazhdohet pastaj në skenë nga Inva dhe Edlira. Ka qënë amanet i Gjonit që kjo këngë të këndohet në koncertin e Invës dhe vajza e tij, Edlira, ia plotësoi dëshirën. Megjithë dhimbjen për babain, Edlira këndoi. Kështu u ka ndodhur  edhe disa artistëve tanë si dhe nëpër botë::u ka qëlluar të këndjnë ose luajnë në teatër, ditën që kanë patur vdekje në shtëpitë e tyre.

Në mbyllje Inva shoqëruar në piano e violinë nga dy miqtë e saj, këndoi potpuri këngësh korçare si dhe këngën e bukur” Vjata kalova, gjithë Arbërinë”. Tok me të këndon e gjithë salla. Programit prej afro dy orësh, i vjen fundi e artistët largohen por salla brohoret: “Duam prapë!”.Inva dhe muzikantët rikthehen e vahzdojnë edhe disa minuta. Duartrokitjet si dhe buqedat me lule, ishin shpërblimi më i madh për ta.

 Shumë pjesëmarrës nuk largohen pa bërë foto me Invën dhe artistët e tjerë. Para largimit i mora një intervistë Invës për mbresat nga kjo shfaqje:” Ka qënë një koncert që më emocionoi shumë, mua dhe kolegët e mi. Ishte një publik i jashtzakonshëm. Bostoni është një qytet që ka një histori të pasur dhe një sharm të veçantë. Ishte hera e parë që vija këtu, jo vetëm unë por edhe kolegët e mi. Homazhi që bëmë për Gjoni Athanasin, i shtoi edhe më tepër emocionet për ne. Ai ka qënë shok, mik , bashkëudhëtar në skenë me babanë e nënën time si dhe me babanë e Davidit. Kjo lidhje e Gjonit me prindërit tanë si dhe me  dy vajzat e tij, Edlirën  Mirelën,  ishte një emocion i dyfishtë”.’

I morëm ndonjë mbresë edhe disa nga pjesëmarrësve. Mark Kosmo, kryetar i Shoqatës “MassBesa”: Qe një koncert i jashtëzakonshëm. Ai më bëri që ta dua më shumë jetën.Tre artistët na dhanë energji të gjithëve dhe na bënë të jemi më të motivuar”.

Kubanezi Cesar Perez-Rodriguez, ish student i Universitetit të Harvardit, i martuar me Gledisin, vajzë shqiptare, u shpreh “ Ishte hera e parë që merja pjesë në një koncert të artistëve shqiptarë. U kënaqa shumë nga interpretimi i tyre dhe nga gërshetimi i bukur i muzikës shqiptare me atë botërore”.

Sterjo Shkodrani, piktor:” Na kishte munguar një koncert i tillë në Boston. Ata na sollën pranverë në këtë stinë të vjeshtës”. Mirupafshim Inva, Olen dhe David! Ju presim përsëri në Boston!

*Per me shume fotografi shihni ne Facebook Dielli vatra

Filed Under: Featured Tagged With: Fuat Memelli-Rreth Botes me muzike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 860
  • 861
  • 862
  • 863
  • 864
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT