• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË PELLGUN E TURPSHËM TË POLITIKËS BARBARE SHQIPTARE

August 13, 2019 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/

Kur mendonim se absurditetet e klasës aktuale politike shqiptare – më shkon goja të them, “klikës politike” shqiptare, ishin shterrur tanimë, ja shënohet absurditeti i radhës, ose më mirë të themi turpi i radhës.   Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe njofton se nja tre javë më parë është vendosur në Parkun e Liqenit në Tiranë, një memorial kushtuar viktimave të grushtit të dështuar të shtetit në Turqi, tre vjet më parë, më 15 korrik të vitit 2016.  Si lajm, dukej absolutisht i pa besueshëm!   Si është e mundur, pyesnin njerëzit?   Çfarë i duhet Tiranës dhe Shqipërisë një monument me emra të huaj, krejtësisht të panjohur për botën shqiptare, për një grup njerësish të renë në vendin tyre, qindra killometra larg Shqipërisë.   Cili është kontributi i tyre për Shqipërinë?   Kush e aprovoi atë projekt dhe pse autoritetet më të larta shqiptare vazhdojnë të heshtin megjithse publiku shqiptar kërkon shpjegim. 

Ndonëse media të ndryshme në Tiranë ishin lajmëruar nga Ambasada e Turqisë për të marrë pjesë në inaugurim tri javë më parë, ekzistenca e monumetit nuk është “zbuluar” deri pak ditë më parë.  Ambasada e Turqisë në Tiranë kishte bërë punën e vet, kishte njoftuar të gjithë për këtë ngjarje.   Ambasada turke nuk e bëri aspak tinëzisht, ata shikojnë interesat e vendit të tyre, megjithëse është e pa parë dhe pa dëgjuar që një seli diplomatike, një ambasadë, të organizojë një paradë të tillë publike rrugëve të Tiranës.   Por autoritetet shqiptare, Kryeministria dhe Bashkia e Tiranës, që duhet të kenë dhënë patjetër miratimin e një projekti të tillë, madje as opozita e cila ka marrë pjesë me përfaqsuesit e vet në këtë ceremoni – për arsyet e veta që vetëm ata i dijnë — nuk kanë thënë asgjë për këtë ngjarje deri më tani.  Një heshtje kjo e territ të një nate shqiptare! 

Si është e mundur që për tri javë nuk e pa askush këtë memorial të ngritur pranë liqenit dhe as kush nuk foli.   Ku ishte media shqiptare?   Si është e mundur që ky projekt, që siç duket është i vetmi projekt ku pozita dhe opozita shqiptare na paskan rënë dakord për miratimin e tij, sepse për asgjë tjetër këta dakord nuk bien, sidomos kur është fjala për mbrojtjen e interesave madhore të Kombit shqiptar.   Një gjë e pabesueshme kur të merren parasyshë grindjet aktuale politike midis Partisë Socialiste dhe asaj Demokrate, që po e çojnë vendin drejt greminës.   Çka fshihet pas këtij bashkpunimi pozitë-opozitë dhe heshtja e tyre për ngritjen e këtij monumenti?   Një tjetër marrëveshje sekrete?  Në minimumin, shqiptarët duhet të kërkojnë një shpjegim nga qeveria qendrore dhe nga Bashkia e Tiranës se si the tek u realizua ky projekt dhe të mbajnë përgjegjës aktorët kryesorë, përfshirë opozitën e cila deri në këtë moment nuk ka bërë asnjë koment.   Toka shqiptare u përket shqiptarëve!

Ndonëse Kryeministria dhe Bashkia – me një arrogancë të pa parë dhe me pa-papërgjegjësinë më të madhe ndaj shqiptarëve — refuzojnë të japin ndonjë shpjegim të besueshëm se si dhe pse u vendos dhe si u miratua një monument i tillë, atëherë duhet të flitet me emra dhe të kërkohet llogari politike, publikisht.   Pse vendosi kjo klikë (pozitë dhe opozitë) e Tiranës të sjellë në trojet shqiptare grindjet politike midis partive të ndryshme turke në vendin e tyre?  Çfarë ka të bëjë grushteti në Turqi më Shqipërinë dhe me shqiptarët dhe të tjera pyetje.   I vetmi koment sipas Zërit të Amerikës erdhi në një prononcim pardje nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës.  Z.  Veliaj, i cili në takime me perendimorët e shet veten si pro-perëndimor dhe si një politikan i ri i edukuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me vlera perëndimore, nuk shpjegoi psehen e këtij projekti por sulmoi me një denigrim kritikët e këtij monumenti të vendosur në zonën më të pëlqyer të Tiranës.   Z. Veliaj i cilësoi kritikët e monumentit, si “të lodhur nga vapa” e verës, sipas tij duke thënë: “Ndaj, për të gjithë ata që vapa e gushtit i kapi në ngut për fletërrufe, s’ka ndodhur asnjë hata, le më tradhti apo ndonjë shkelje e kësaj natyre”.   Tirana sipas tij, “është zemër madhe dhe ka vend për të gjithë.”   Vetëm për shqiptarë jo, Z. Veliaj, për ta nuk ka vend në Tiranë.   Ja një sugjerim i nderuar Z. Kryetar:  për shqiptarë si At Gjergj Fishta, për shembull, për të cilin nuk është gjëndur vend as në Tiranë as në ndonjë cep të territorit shqiptar.   Edhe dy sugjerime të tjera për krerët e Tiranës vijnë nga prokurori shqiptaro-amerikan, Z. Gjon Junçaj i cili thotë se në Shqipëri mungojnë memoriale për të vrarët në Kosovë apo shqiptarët e vrarë në Mal të Zi.   Ai shkruan se në “Në vitet 1998-1999, mijëra burra, gra dhe fëmijë shqiptarë u vranë në tërë Kosovën.  Emrat e tyre nuk janë renditur në parkun publik në Tiranë.  Jam i sigurt që mijëra vizitorë kosovarë në Shqipëri çdo vit do ta vlerësonin këtë shenjë respekti.” Shkruan ai.   Ndërsa sugjerimi tjetër i Ish-Këshilltari Ligjor kundër Korrupsionit në Ambasadën Amerikane në Tiranë, dhe ekspert i OPDAT, Gjon Juncaj, i bën thirrje politikës shqiptare se para se të vendoste këtë memorial turk në kryeqytetin e shqiptarëve duhet të ndërtonte një memorial për shqiptarët e vrarë.i tij i dytë ka të bëjë në masakrat e shqiptarëve në Mal të Zi nga Mbretëria Serbo-malazeze, ndërsa shkruan se, “Në vitin 1919, 74 burra shqiptarë u morën nga shtëpitë e tyre malore në Hot dhe u ekzekutuan së bashku nga ushtria e Mbretërisë së Serbisë dhe Malit të Zi. Ata u hodhën së bashku në një varr masiv, ku mbeten edhe sot e kësaj dite, 100 vjet më vonë.  Një nga ata burra është gjyshi im i madh.   Unë dhe anëtarët e tjerë të familjes shqiptare dëshirojnë të shohin emrat e tyre edhe në park.   Ne do t’i donim këto përmendore në parkun e Tiranës sepse ne nuk besojmë se ato i përkasin një parku në Stamboll”, thekson Junçaj duke përfunduar se edhe turqit do të pajtoheshin me ne për këtë, dhe shprehet se, “Ne nuk kemi lekë, euro, lira turke, apo ndikim politik për të paguar.  Vetëm derdhja e gjakut shqiptar.   Shpresojmë që kjo është një monedhë që do të pranoni gjithashtu”, shkruan ai në një thirrje që ua drejton me fjalët, “Të dashur politikanë të Tiranës” dhe botuar në median shqiptare.

Oh, tani mu kujtua Z. Veliaj, se në Turqi ka pasur disa grushtshtete gjatë dekadave të kaluara.   Në mendimin tim, viktimat e atyre grusht-shteteve nuk meritojnë asgjë më pak se viktimat e grushtetit të fundit në Turqi.   Pasi Tirana, sipas teje, është zemër gjërë për të gjithë, duhen konsideruar edhe ngritja e memorialeve të tjera edhe për ato viktima turke, por kam drojë se kështu u hapë derën ndërtimit të memorialeve për viktimat e grusht-shteteve anë embanë botës.   Të tilla gtrusht-shtete ndodhin shpesh diku në botë. 

Ishte një kohë që me optimizmin tim të natyrshëm kisha shpresë në brezin e ri të politikanëve shqiptarë, të atyre që nuk ishin njollosur nga komunizmi, se me githë vështirsitë, me kalimin e kohës do t’ia dalin të bënin shtet, një shtet të lirë e demokratik bazuar në vlerat evropiane, siç e kërkuan shumë Shqipërinë si e gjithë Evropa, pas shembjes së komunizmit, 30-vjet më parë.   Fatkeqësisht, shoh se dita ditës po dështon edhe teoria ime se një brez i ri politikanësh shqiptarë siç janë Zotërinjt Rama, Basha, Veliaj e të tjerë – do ta bëjnë shtetin.   Këta përbëjnë, mendoja unë gabimisht, klasën e re politike shqiptare të sofistikuar, madje edhe të edukuar ose që kanë shërbyer në perëndim dhe të cilët shpesh na i hedhin në fytyrë “vlerat perëndimore”, si bazë e personit dhe veprimtarive të tyre politike.   Çfarë hipokrizie!

Jo se bota perëndimore është e përsosur, sepse nuk është dhe as nuk pretendon të jetë e tillë, por përpiqet dita ditës, të përsosi vlerat e një shoqërie të lirë siç janë, demokracia, barazia, shteti ligjor, lufta kundër tiranisë dhe korrupsionit, pavarësia, të drejtat dhe liritë e përgjithshme universale të njeriut, e tjera.   Se si këto vlera universale përfaqësohen në veprimaritë e kësaj klase politike siç është në ky memorial, vetëm këta që e kanë aprovuar ngritjen e tij, mund ta dinë?   Arroganca zyrtare në lidhje me këtë memorial dhe shkelja flagrante e këtyre vlerave në miratimin e këtoj proejkti nga zyrtarët shqiptarë, më solli ndër mend fjalët e ish-Presidentit amerikan Ronald Reagan, cili kishte thënë me një rast në lidhje me diktaturën në përgjithësi dhe diktatorët në veçanti, se:  Unë di të merrem me diktatorët, por duhet të ruhemi nga ata që me këmisha të bardha e me krevata bredhin zyrave të ndryshme të burokracisë duke marrë vendime prej diktatori, në favor të kauzave diktatoriale – atyre duhet tu ruhemi, ka thënë Reagan, se me vet diktatorët merrem unë.

Në të vërtetë, ndonëse i jashtzakonshëm për nga natyra –inaugurimin e këtij monumenti turk në Tiranë duhet ta shikojmë edhe nga pikëpamja ndërkombëtare, nga ajo e diplomacisë, influencave të huaja në trojet shqiptare dhe në këndveshtrimin e marrëdhënieve Turqi-Shqipëri.   Unë kam paralajmëruar shpesh për influencat ruse dhe turke në Ballkanin perëndimor, por që këto dy shtete autokrate do të gjenin bashkpuntorë të zellëshëm në nivelet më të larta shtetëtore në Ballkan, për t’i thelluar këto influenca në dëm të interesave dhe vlerave perëndimore në atë pjesë të botës, nuk ma merrte mendja.  Por ja ku jemi sot, Serbia nga një anë kërcënon Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara me lidhje më të forta me Rusinë putiniste, madje edhe në fushën ushtarake siç u pa kohët e fundit me dërgimin e armëve ruse në Serbi.   Kryeministri shqiptar, Z. Edi Rama kërcënon Bashkimin Evropian dhe paralëmoron për influenca të huaja në Shqipëri dhe në Ballkan, por në realitet ka në mend lidhjet e ngushta personale që ai gëzon veçanërisht me udhëheqsin e Turqisë, Z. Erdogan, ndërkohë që po afrohet tetori.   E gjithë kjo po ndodhë, në një kohë kur lidhjet midis autokratëve Putin-Erdogan dhe vendeve të tyre, po forcohen në shumë fusha — sidomos në fushën ushtarake — ndërkohë që marrëdhëniet e Moskës dhe Ankarasë me Shtetet e Bashkuaraa dhe me Bashkimin Evropian, mund të konsiderohet se janë në nivelin më të ulët në këto 30-vjetët e fundit.   Ndonëse nuk pritet një përgjigje pozitive nga Bashkimi Evropian për hapjen e negociatave në tetor, Shqipëria – pa marrë parsyshë retorikën e Tiranës zyrtare në lidhje me këte çështje — duket se është përcaktuar qartë për rrugën që dëshiron të ndjekë në të ardhmen. 

Por, t’i lemë mënjanë ndërlikimet që vijnë nga influencat e huaja dhe ti shikojmë gjërat nga këndveshtrimi i historisë, i interesave dhe vlerave të Kombit Shqiptar.   Rënja pre nën influenca të huaja politike dhe kulturore, është një rast tjetër që ndihmon në zverdhjen e identitetit dhe dinjitetit kombëtar.   Përballë këtyre ngjarjeve, kam drojë se shqiptarëve nuk u ka mbetur më gjë nga historia dhe as nga mësimet dhe amanetet fisnike të stërgjyshërve tanë.   Ata, të cilët me burrërinë e tyre shekullore dhe me lirinë kreshnike, mbrojtën nderin dhe identitetin e shqiptarit kudo dhe kurdoherë.   Dy gisht nderi në shteg të ballit, shqiptari i ka pasur gjithmonë!  

Mund të them se, bazuar në një dyzinë bisedash me shqiptaro-amerikanë që kanë lexuar për vendosjen e këtij monumenti në Tiranë – unë u bashkohem atyre duke shprehur dëshprimin dhe zhgënjimin e thellë ndaj kësaj ngjarjeje si dhe për mungesën e sinqeritetit dhe të transparencës nga ana e qeverisë shqiptare dhe Bashkisë së Tiranës për t’u thënë shqiptarëve të vërtetën në lidhje me këtë episod, në vargun e shumë ngjarjeve dramatike të atmosferës politike në Tiranë këto vitet e fundit.   Sjellje të tilla, nga ana e qeverisë dhe e klasës politike shqiptare në përgjithësi, vetëm forcojnë bindjen e skeptikëve kudo, se në Shqipëri asgjë nuk ndryshon për më mirë, vetëm ndryshojnë ngjyrë gjërat dhe pushtetarët, gjithmonë në dëm të interesave kombëtare dhe të mirëqenjes së shqiptarëve në përgjithësi.  Në pritje të daljes nga ky pellg shpesh i turpëshëm i kësaj politike barbare, e cila është në kundërshtim të plotë me vlerat për të cilat Kombi shqiptar është përcaktuar me kohë!

Filed Under: Featured Tagged With: Frank Shkreli- Politike Barbare-Pellg i turpshem

Veseli: Bashkimi Evropian po funksionon me standarde të dyfishta

August 12, 2019 by dgreca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se beson që Bashkimi Evropian po funksionon me standarde të dyfishta, meqë për të “është e pakuptueshme heshtja e Brukselit ndaj mosnisjes së proceseve për shumë masakra serbe të zbardhura, gjyqeve të zvarritura apo lëna në mes”.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, Veseli ka thënë se lirimi i parakohshëm i ish-pjesëtarit të njësisë “Akrepat”, Miodrag Sholaja, nga autoritetet e Serbisë, është një akt i turpshëm.

“Kosova nuk duhet të lejojë që historia të manipulohet dhe viktima të barazohet me xhelatin”, ka shtuar ai.

Javën e kaluar është bërë e ditur se Miodrag Sholaja, i dënuar për masakrën ndaj civilëve shqiptarë në Podujevë më 1999, është liruar me kusht, pasi ka vuajtur dy të tretat e dënimit të tij.

Gjykata e Apelit në Beograd, në vendimin e datës 31 korrik, ka marrë vendim për lirimin e tij, tre vjet para përfundimit të dënimit, pasi ka kryer 12 nga 15 vjetët sa ishte i dënuar me burgim.(Europa e Lire)

Sholaja ka qenë i dënuar për pjesëmarrje në masakrën e Podujevës, në mars të vitit 1999, ku pjesëtarët e njësisë “Akrepat” qëlluan për vdekje 14 civilë shqiptarë, shtatë fëmijë prej moshës dy deri në 15 vjeç, dhe shtatë gra.

Përveç tij, Veseli ka përmendur edhe lirimin e një viti më parë të Sasha Cvjetanit, i cili po ashtu ishte liruar pa përfunduar dënimin e tij me burgim.

Cvjetan ka qenë një tjetër anëtar i njësisë “Akrepat” i dënuar me 20 vjet burg, për pjesëmarrje në masakrën e vitit 1999 në Podujevë.

Ndaj këtij vendimi, në emër të dy familjeve Duriqi dhe Bogujevci pati reaguar e mbijetuara e masakrës, Saranda Bogujevci.

“Kjo na bënë të kuptojmë si familje që Serbia nuk është e interesuar sa i takon drejtësisë. Nuk është e interesuar që t’i dënojë dhe të mbajë dënimin për kriminelët e luftës për krimet që i kanë bërë në Kosovë dhe nuk janë duke e marrë seriozisht këtë çështje. Si familje jemi shumë të zhgënjyer e të mllefosur dhe është e papranueshme që një person të lirohet për krimet të luftës”, pati thënë Bogujevci.

“Akrepat” fillimisht u krijuan si një formacion paramilitar në territoret e Kroacisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

Filed Under: Politike Tagged With: Kadri Veseli-Bashkimi Europian

NE AUSTRALI NDERROI JETE VEPRIMTARI MASAR KRASNIQI

August 12, 2019 by dgreca

KA NDËRRUAR JETË VEPRIMTARI I ÇËSHTJES KOMBËTARE MASAR KRASNIQI/
Nga Hajro HAJRA, Arizona/
Më 7 gusht 2019 në qytetin Gold Coast (Queensland, Australi) ka ndërruar jetë në moshën 90-vjeçare veprimtari i shquar i çështjes kombëtare,Masar Krasniqi. I lindur në tetor të vitit 1931 në Prishtinë, për shkak se ishte i përndjekur politikisht, ai është detyruar ta braktisëvendlindjen fare i ri, në moshën 21-vjeçare. Që nga viti 1950, kur është shtrënguar ta lërë atdheun e tij të shtrenjtë, Kosovën, deri në vitin 2007 ai ka jetuar në Zelandë të Re, ndërkaq 12 vjetët e fundit të jetës së tij në Australi, ku edhe ka vdekur.Ndonëse larg Atdheut, ai kurrë nuk ka reshtur së vepruari për çështjen kombëtare. Atdhe i tij nuk ka qenë vetëm Kosova, ku ai ka lindur. Atdhe ka qenë Shqipëria, Atdhe kanë qenë të gjitha trojet shqiptare për lirinë e të cilave ka luftuar gjatë gjithë jetës së tij.Angazhimi i tij për çështjen kombëtare është intensifikuar, sidomos në kohën kur Kosovës iu morën edhe ato pak të drejta që kishte. Ishte koha kur shqiptarët e Kosovës po largoheshin masivisht nga puna dhe po privoheshin nga çdo e drejtë dhe liri qytetare e kombëtare. Ishte fundii viteve ‘80 dhe fillimi i viteve ’90. Lëvizjet për këto të drejta e liri të shqiptarëve në Kosovë kishin marrë hov dhe Masar Krasniqi ishte vënë tërësisht në shërbim të çëshjtes kombëtare.Themelimi i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane në janar 1989, nga ish-kongresisti Joseph J. DioGuardi, mik e bashkëpunëtor i afërt i Krasniqit dhe zgjedhja e këtij të fundit në kryesinë e saj, si përfaqësues i interesave të lobit amerikan për Shqipërinë, për Kosovën,për Maqedoninë dhe për trojet e tjera shqiptare, shënon kulmin eangazhimit të Masar Krasniqit për kauzën shqiptare.Që nga vizita e dytë e Ibrahim Rugovës në SHBA, në prill 1990, Masar Krasniqi e ka shoqëruar Rugovën pothuaj në çdo takim me personalitete të shquara të Amerikës e të shteteve të ndryshme të Europës dhe pjesë eshumë prej këtyre takimeve, sidomos në SHBA, ka qenë edhe ish-kongresisti me prejardhje shqiptare, Joseph J. DioGuardi.Masar Krasniqi ka takuar shumë personalitete të huaja e shqiptare dhe të gjitha këto takime kanë qenë në shërbim të çëshjes kombëtare. Nënën Terezë e ka takuar në Zelandë të Re në vitin 1970 dhe në Shqipëri në prill 1993 (gjatë vizitës në Shqipëri të Papa Gjon Palit II). Krasniqi ka takuar dhe Ibrahim Kelmendin, atdhetarin e veprimtarin preshevar sidhe atdhetarin e veprimtarin Luan Gashi, edhe ky mërgimtar si vetë Krasniqi. Pjetër Arbnorin e ka takuar disa herë, vetë ose bashkë me DioGuardin, në kohën kur ai ishte kryetar i Kuvendit të Shqipërisë (1992-1997). Kongresistin republikan, Benjamin Gilman, mikun e madh tëshqiptarëve e të Kosovës, i cili më 1992, bashkë me Tom Lantosh kishte bashkësponsorizuar Rezolutën e paraqitur në Kongres nga LQSHA-ja, e cila bënte thirrje për njohjen e pavarësisë së Kosovës, e ka takuar 4-5 herë.Në fund të këtij shkrim-përkujtimi për Masar Krasniqin, një kritikë, e sugjerim njëherësh, për pushtetarët e Kosovës: ky bir Kosove, i injoruar në të gjallë, të dekorohet pas vdekjes, së paku me një mirënjohje.

Filed Under: Featured Tagged With: Hajro Hajra-Nderroi Jete-Masar Krasniqi

TEQEJA BEKTASHIANE NE DETROIT FESTOI KURBAN BAJRAMIN

August 12, 2019 by dgreca

  • Dega e Vatres ne Michigan uroi Dervish Eltion Pashai/*

–      Dega e Vatres ne Michigan uroi Dervish Eltion Pashai/

Komunittei bektashi i Detroitit me rrethina kremtoi Kurban Bajramin. I pranishem ishte Kryetari I Bordit te Teqes z. Ekrem Bardha, proesorja e njohur amerikane dhe mikja e Teqes, Trix, perfaqesuesit e Vatres z. Alfons Grshaj dhe kryetari I deges se Vatres Mondi Rakaj e te tjere.Duke iu drejtuar te pranishmeve Dervish Eliton Pashaj, tha:Bismilahi Rrahmani Rrahim! 
Në emër të Zotit, Mëshiruesit, Mëshirbërësit! 
Ilavdëruar qoftë ai i madhi Zotë, qe ndriçoj zemrat e kuptimtarve me driten e shpalljes dhe udhezimit.Ai qe stolisi krahroret e ndjekesve te bindur me stolin e dijes,butesis dhe ndergjegjes.Ai qe udhehoqi gjithe njerezine nden udheheqen e Profeteve te tije e sidomos profetit te fundit, Muhammedit paqa e shpetimi Zotit qoftë mbi te e ne te gjithë.
 Të nderuar vëllezër dhe motra besimtarë!
Miqe dhe te ftuar, te nderuar kryetar i bordit te teqes z.Ekrem Bardha, Muhiban dhe dashamires bektashinje.
Zonja dhe zoterinj bashke-atdhetar. 
Dear professor Trix. Te dashur femije. 
Në këtë mbrëmje, manifestimin e së cilës e filluam sot,që është shumë domethënëse, si për nga ritet formale e po ashtu edhe nga ana përmbajtja jetsore e saj. Kjo dite para botës mbarë paraqet elemente e fese që, absolutisht, e bëjnë këtë më madhështoren dhe më humanen për njerëzimin. Kurban Bajrami kultivon dhe ruan me fanatizëm raportet me Krijuesin e Madhëruar dhe ato me njerëzit, krijesat e Tij. Kjo festë sa është shpirtërore është edhe shoqërore.
Nëse Fitër Bajrami simbolizon fillimin e epokës kur’anore, pra fillimin e shfaqjes se Fese në skenë nëpërmjet revelatës së fundit.Kurban Bajrami na vjen si një festë që simbolizon përmbylljen e kësaj shpalljeje në kuptim të shpalljes së saj prej qiellit dhe assesi të përfundimit të misionit te kuranit për të na mësuar.
Të nderuar bashkudhëtar të veprës të mrekullueshme të shenjtorit, baba Rexheb!Me lejoni qe kete dite sot tja dedikojmë largimit nga kjo botë themeluesit te komunitetit Bektashian ketu ne SH.B.A hiresis se tije Baba Rexhebit,me simbolikën e veçantë ne prag te kurban Bajramit, na bëjnë të shohim realitetin e sotëm më shpresëplotë dhe më të bashkuar me njeri-tjetrin. Tek e fundit, bashkimi dhe vëllazërimi kanë qenë dhe mbeten aktet më madhorë dhe substanca e filozofisë bektashiane.Përmes kësaj filozofie, tarikati bektashian jo vetëm mundi të mbijetojë në kohëra dhe lëvizje tektonike të fuqishme fetare, por edhe sot, pas 800 vjetësh, arrin të shpërndahet në territore të rinj shpirtërorë në gjithë botën. Ne ndihemi veçanërisht krenarë që tarikati ynë, si një pasuri e vyer brenda Islamit, mundi të lindë dhe të zhvillohet përmes një harmonie të mrekullueshme edhe në këtë tokë të bekuar, në këtë vend të shenjtëruar siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për çdo shqiptarë që dallgët e fatit e hodhën në këte kontinet, në këto dekada ka dhënë dhe vazhdon të jap ende sot, kontributin e saj të çmuar jo thjesht në mbajtjen gjallë të frymës së Haxhi Bektash Veliut, por edhe lidhja unikale midis atdheut dhe besimit.Kur flasim për teqenë tonë,pa dyshime mendja na shkon kurdoherë tek klerikët, tek këta shërbestarë të vuajtur dhe të përulur, jeta e të cilëve u shkrih dalëngadalë brenda misionit të tyre fisnik, brenda dashurisë pambarim të tyre ndaj Zotit dhe njerëzve që i rrethuan.
Por unë do të theksoja sot, se një nga shtyllat e fuqishme ku u mbajt dhe mbahet si një “zonjë e rëndë” kjo teqe, është padyshim prania juaj e sinqertë, mbështetja dhe kruajua që i kini dhënë në mote, jo thjesht dervishëve dhe baballarëve, por vet tarikatit bektashian. Pa këtë ndihmë, të dashur besimtarë, pa praninë tuaj shpirtërore dhe fizike, është shumë e vështirë të imagjinosh se si shkëndijat e besimit mund të mbanin gjallë zjarrin e erenlerëve, në këtë vend me mijëra kilometra larg nga foleja ku lindi bektashizmi. Prandaj gjej rastin sot t’ju uroj nga shpirti, me shpresën se Zoti i Lartë do mi dëgjoj lutjet.Është plotësisht e kuptueshme se ngritja e kësaj teqeje këtu në Detroit, zgjerimi i saj në hapësira të reja shpirtërore dhe fizike, shndrimi në një vatër atdhetarie të përjetshme, lidhen në mënyrën më organike me veprën dhe jetën e baba Rexheb. Gurët e themelit të vendosur nga ai shenjtor, në majin e largët të vitit 1954, ishin dëshmia më e madhe se çdo vepër e ngritur mbi dashurinë e të Madhit Zot, është e destinuar të rritet dhe të jetojë në pafundësi, gjithmonë nëse ecet në udhët e Tij, në stacionet e ndriçuara prej Tij. Këta gurë të rëndë themeli janë ndërkaq Shembull për ne, klerikët dhe besimtarët e sotëm, për të mbajtur gjallë traditat më të vyera, për të dëshmuar në çdo hap përpjekjet për t’u afruar virtyteve më të bukura, duke hedhur dritë në shpirtra për të arritur përsosmërinë e tyre. Për njerëzit vullnetmirë, përsosja e shpirtit nuk ka fund.
Te nderuar te pranishem dhe ju qe na ndiqeni nepermjet ekranit.
Siç e dini unë kam ndarë mese 10 vite të mija duke sherbyer në këtë teqe, dhe me të paharruarin baba Arshi. Në qindra e qindra biseda, baba Arshiu përcillte figurën mistike të myrshidit tonë, baba Rexhebit kurdoherë përmes mallit të patretur dhe amanetit të përjetshëm për Shqipërinë. Si rrallëkush në historinë e bektashizmit shqiptar dhe atij botëror, këta dy klerikë, mbajtën të pashuar në shpirtrat e tyre jo vetëm mallin për vatanin, por edhe shpresën e madhe se drita e Zotit do të kthehej serish atyre anëve. Jo vetëm unë por edhe shumë nga ju të pranishëm sot në këtë sallë, do të kujtojmë gjatë memorien e çuditshme të këtyre klerikëve për Gjirokastrën dhe Vlorën, për njerëzit e kolonjes, për burrat që u dalin zot fateve të kombit, në ditët më të vështira për të. 
Në misticizëm, shpesh largësitë fizike janë të papërfillshme, ndërsa në rastin e këtyre dy klerikëve, në kuptimin e mijëra kilometrave për tek atdheu, ato nuk ekzistonin fare.
Motra dhe vëllezër! 
Këta rreshta dua t’i mbyll me lutjen që myrshidi dhe shenjtori ynë, baba Rexhebi përfundonte fjalën e tij të urtë në vitin e largët 1964, në dhjetëvjetorin e krijimit të teqesë. Midis të tjerave ai do të kumtonte: “Me kaq i lutem të Madhit Zot, që të mbrojë kurdoherë Amerikën, vendi që na strehon me kaq bujari dhe Shqipërinë, vendi ku pamë për herë të parë dritën e diellit. Dhe përfundojë me fjalët e engjëjve të Zotit: “Paqe në tokë njerëzve me vullnet të mirë!”
Edhe njëherë ju faleminderit të gjithëve ju që erdhët sot në këtë kremtim të shënuar të përvjetorit të kalimit nga jeta të baba Rexhebit! Paçi uratat e tij!
Gezuar tju gjeje edhe Kurban Bajrami! 
Zoti ju bekoftë të gjithëve! Amin! 
Nje falenderim I posaçem u percoll per sponsorat e darkes: 
1-Nency Topulli 
2-ilir Hasani 
3-Fatmir Adem 
4-Hysen Halim 
5-Mynyr Zeqir Nazifi 
  
Pijet u sponsorizuan nga z.Mentor Rama.
 
DEGA E VATRES UROI DERVISH ELTION PASHAI PER KURBAN BAJRAMIN
 
Me rastin e festes se Kurban Bajramit , dega e Vatres ne Detroit, e perfaqesuar nga z. Alfons Grishaj dhe Kryetari Mondi Rakaj, uruan dervish Eltion Pashai.Zyrtare te Vatres ne Michigan , bene nje vizite ne Teqen Bektashiane per te uruar Festen e Kurban Bajramit. 
Ne biseden vllazerore , me Kreun e Teqes, Dervish Helidon Pashain, u permend edhe figura e Vatranit te madh , Baba Rexhepit, i cili kontribuoi fuqishem perkrah, figurave te medha te Vatres. 
Teqja Bektashiane, ka qene dere e hapur per Vatren ne vite, ku kane milituar figura kryesore si Rifat Gurrazezi me shoke.  
Kreu i Teqes Bektiashiane beri disa sugjerime te nevojshme per Vatren, te cilat u pranuan me kenaqesi nga perfaqesuesit te Vatres. 
Me kete rast Dega e Vatres Michigan, i uron te gjithe besimtaret Bektiashiane dhe Muslimane, Gezuar Kurban Bajramin.

Filed Under: Featured Tagged With: Teqeja e Detroit-Dervish Eltion Pashai- Vatra

Kujtime të pashuara

August 12, 2019 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Për ata që besojnë në utopi, ajo ofron pamjen e një bote arti, ku, përfundimisht, barrierat e ngjyrave dhe klasave çmontohen. Në kohëta ttë zymta, kur çdo gjë duket pashpresë, është e natyrshme të ëndërrosh një botë utopike në të cilën këto probleme nuk janë më – në fakt, njerëzit e kanë bërë këtë për shekuj. Utopia nuk është thjesht një fantazi idealiste, ajo frymëzon njerëzit të ndryshojnë.
Fjala utopi rrjedh nga një para-greqishte që do do të thotë “pa-vend”. Në anglisht ka një konfuzion midis utopisë “pa vend” dhe utopisë “vend i mirë”, “vend i lumturisë”. Kjo tregon se ajo që më parë merrej pēr çmenduri, sot është gjë e mirë, që duhej bërë. Por fillimi jo gjithmonë është i pëlqyeshëm, si hidhërimi vjen pas ëmbëlsisë, se utopia, ëndrrra, është këndvështrimi nga ku njeriu dallon të ardhmen, sheh sesi bota ndryshon.
Jo ku je lerë, por ku të parët e tu u lindën, është vendi yt. Pyet çdo libohovit, kudo që ndodhet në botë, dhe do të thotë të njëjtën gjë.
Libohova e viteve 1960, gumëzhinte, edhe pse zërat qe krijonin këtë kor, ishin të mbytur nga hallet e frika. Ishin zëra të kolektivizuar.
Shkoja nga Tirana në Libohovë per të kaluar pushimet e verës. Me mamanë, merrnim autobusin nga Tirana në Gjirokastër, pastaj me “Korrierë” (fjalë italisht e mbetur nga koha e luftës për makinë transporti udhëtarësh) mbërrinim në Libohovë. Sa zbrisnim, aty na priste xhaxhai, që unë e thërrisja “Babo”; një burrë plak, i hollë, i gjatë, bjond me sy të kaltër e hundë të mprehtë, kështu e mbaj mend; shumë i urtë, gjithmonë me zë të shtruar të butë; ishte njeri i shëtitur, kishte qenë deri ne Amerikën e largët. Më vonë, kur jeta më solli në Amerikē, pas kërkimeve, gjeta se “babo”, Bajo Lulushi kishte jetuar nē Amerikë në shtetin Main dhe pas disa vitesh ishte kthyer në Libohovēn e tij. Në ato kohëra, para Luftës së dytë, shqiptarët që emigronin në Amerikë banonin në grupe në një banesë ose apartament për të kursyer paratë. Në arkivat në Amerikë kam gjetur se Bajo dhe një shoku i tij po nga Libohova, me mbiemrin Shtino dhe 2 a 3 shqiptarë të tjerë, kishin zënë një apartament me qira në shtetin Main ku edhe punonin. Kështu bënin të gjithë shqiptarët ato vite, punonin në Amerikë e ktheheshin në vendlindje për të ndërtuar një shtëpi, t’u martuar e përmirësuar jetën për të gjithë pjestarët e familjes. Babo e Aneja (Feimeja), bashkëshortja e tij, kishin patur edhe një djalë, i cili ato vite ishte mbytur në lumë, unë nuk e mbaja mend, dhe ata nuk flisnin shumë rreth tij për të larguar dhimbjen që kishin përbrenda. Por familja sikur ishte mësuar me dhimbje; një xhaxha ishte pushkatuar nga partizanët në Loçan afër Libohovës në shkurt 1944; një tjetër kishte përfunduar në burg.
Gjyshi, nga nëna, jetonte në Nepravishtë, vetëm, megjithëse vajzën, Teto Faton, e kishte pranë. Babazoti kshte humbur djalin gjatë luftës dhe jetonte me pensionin e lidhur nga shteti; 17 vjeçari, ishte vrarë si partizan, ngrirë nga bora në malet e Vishegradit në Bosnje.
Ato vite, gjatë verës e ndaja kohën, i shoqëruar, me gomar a në këmbë shkoja sa në Libohovë e Nepravishtë. Çdo ditë pazari, të dielave, në sheshin pranë rrapit shumëshekullor, të Libohovës, fshatarë nga rrethet sillnin për të shitur ose këmbyer ato pak prodhime qē kishin mundur t’i grumbullonin a ruanin nga dora zhvatëse e shtetit. Nën hijen e rrapit të madh ishte kafeneja, gjithnjë plot me njerëz që flisnin shtruar. Pas banakut qëndronte, djali i xhaxhait tim, Sudua, djalë mjaft simpatik.
Është kjo një nostalgji për kohëra që një fëmijë nuk arrinte t’i kuptonte; sot janë thjesht kujtime të një fëmije 10 vjeçar i cili kur u rrit e filloi t’i kuptojë gjërat, mori udhët e botës për të ndryshuar veten.

Filed Under: Opinion Tagged With: Astrit Lulushi-Kujtime të pashuara

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 916
  • 917
  • 918
  • 919
  • 920
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT