• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Tinguj e ngjyra Shqipërie, Libri më i ri i Shkrimtarit Anton Çefa

April 30, 2021 by dgreca

Në bibliotekën e Vatrës dhe tek miqtë kanë mbërritur kopejt e para të librit poetik më të ri të poetit,studiuesit, gazetarit Anton Çefa. Libri poetik titullohet “Tinguj e ngjyra Shqipërie” me redaktor ANTON NIKË BERISHA, i cili ka shkruar dhe parathënien. Botues publikuar nga Botimet FISHTA. Studiuesi Anton Nikë Berisha shkruan: Në shtegtimin e deritashëm poetiktë Anton Çefës vërehet një vazhdimësi dhe një ngritje cilësore. Kjo ngjet nga fakti se ai është i lidhur ngushtë me poezinë dhe se ajo është bërë pjesë e rëndësishme ejetës së tij, pikërisht ashtu siç thoshte shkrimtari i shquar meksikan, OctavioPaz: poezia lind nga dashuria për të rijetuar jetën në vargje. Secili që i ka lexuar ose dhe i lexon me vëmendje përmbledhjet e tij të botuara me poezi, nuk e ka vështirë të bindet për këtë. 

Këtë vazhdimësi e dëshmon dhe përmbledhja më e re “Tinguj e ngjyra Shqipërie”, jo vetëm përatë që bën objekt vështrimi poetik, por para së gjitha për qasjen dhe mënyrën e përftimit të tekstit, të gjuhës poetike që përdor, të shumësisë së mendimeve që dalin nga tekstet dhe të prirjes së poezisë së tij që të vërë një komunikim të gjallë me lexuesin.

Janë tri çështje që mbipeshojnë në tekstet poetike më të reja të Anton Çefës: magjia – misteri i poezisë, i gjuhës dhe i atdheut, që në qenësinë e tyre në këtë vepër janë të njësuara dhe bëjnë tërësinë e pandarë.

Libri është ndarë në pesë kapituj: Fjala e Urtë e Ngjalljes, Rrajë të Gjakut Tonë,Kur do të Mbarojë ky Udhëtim; Requiem, Vargje Erotike.

SHËNIME PËR AUTORIN

Anton Çefau lind në Shkodër në v. 1934, në një familje antikomuniste me tradita atdhetare e kulturore. I ati, ShtjefënÇefa, ka qenë një ndër themeluesit kryesorë të Shoqërisë “Bogdani” (1919-1944), një shoqëri e shquar kulturore laike atdhetare demokratike.Kreu shkollën fillore e të mesme dhe Institutin Pedagogjik 2-vjeçar në Shkodër, dy vitet e fundit të arsimit të lartë në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Gjuhës, Letërsisë e Historisë së Shqipërisë – Dega e Korrespondencës. Ka shërbyer si mësues në shkollat 8-vjeçare dhe të mesme. Mbas rënies së diktaturës, ka qenë një ndër themeluesit e gazetës demokratike “Shkodra”, e para gazetë lokale demokratike në Shqipëri, dhe anëtar i këshillit botues të saj. Gjithashtu ka qenë anëtar i këshillit botues të revistave “Rrezja e jonë” dhe “Kumbona e së Dielles”, që filluan të botohen në Shkodër në atë kohë. Për një periudhë të shkurtër, ka punuar si drejtor i Radio Shkodrës. Në vitin 1993, ka emigruar familjarisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitet 1994-2007 ka qenë editor i gazetës “Dielli”, organ i Federatës Panshqiptare Vatra.

BOTIMET:

Ka botuar përmbledhjet poetike:

1-“Dritarja e një britme” (1999).

2-“Heshtja ka tingull guri” (2002).

3-“Fjalë në vargoj të muzgët” (2003).

4-“Flatrime me krahë të premë”– antologji poetike me poezi nga përmbledhjet e mësipërme dhe me disa poezi të pabotuara – (2008).

5-Po në këtë vit, u botua në Bukuresht një antologji poetike me poezi të autorit, e përkthyer në rumanisht dhe e pajisur me shënime kritike nga KopiKyçyku dhe me një parathënie të Ardian-ChristianKyçykut, me titullin “Fereastraunuistrigat” (“Dritarja e një britme”).

6-Në vitin 2016 botoi përmbledhjen poetike “Bardhësi me zdritje bore” .

Ka botuar librat me karakter shkencor:

1-“Në hullitë e fjalës artistike” – Kritikë letrare: syzime-analiza-intervista – (2009).

2-“Noli e Konica – ese” (2016).

3-“Poezia e Iliriana Sulkuqit” (2009).

4-“Sprovë e psikologjisë etnike të popullit tonë” – pjesa e parë – (2012).

5-“Sprovë e psikologjisë etnike të popullit tonë – pjesa e dytë – (2015).

6-“Libri i portreteve” (2015).

7-“Krijimtarie nivelit të lartë shkencore artistik- Mbi disa vepra shkencore dhe letrare të Anton Nikë Berishës” (2015).

8-“Gjurmëve të vlerave të fjalës artistike – Kritikë letrare” (2015).

9-“Noli e Konica” – ese” (2016).

10-“Tradita e didaktikës popullore” (2016).

11-“Faik Konica: Për shpiritën e Vatrës jam responsible unë” (2016).

12-“Atdheu im – Shqiperia” (2017).

13-“Prej fjalës te fjala” – analiza letrare – recensionne – intervista (2017).

14-“Fjala shqipe si zjarri i shejtë”-poezi dhe proza poetike (2018).

Ka gati për botim librat:

1-“Gjergji i lirisë, i lavdisë, i bashkimit dhe i dinjtetit kombëtar – Skënderbeu”.

2- “Fjalët e huaja në gjuhën tonë” – (Përkthime poetike nga italishtja dhe anglishtja).

3- “Ai asht shqiptar, apo jo?!”- Proza.

Filed Under: Opinion Tagged With: Anton Cefa, Tinguj e ngjyra Shqipërie

Gonxhe – Historia e patreguar për fëmijërinë e Nënë Terezës….

April 30, 2021 by dgreca

Gonxhe – Historia e patreguar për fëmijërinë e Nënë Terezës është në rrugën e saj të prodhimit nga Filmat me Ngjyra/

Intervistoi E.B., Nju Jork/

Themelueset e kompanisë “Filmat me Ngjyra” Greta dhe Vilma Zenelaj tregojnë për projektin e shumëpritur për Nënë Terezën – “Gonxhe”. 

Çfarë ju frymëzojë për të shkruar për Nënë Terezën?

Vilma dhe Greta Zenelaj: Duke qenë nga Shqipëria, ne gjithmonë kemi dashur të shkruajmë për të pasi ajo ishte gjithashtu shqiptare, por nuk menduam të shkruajmë për Nënë Terezën kaq shpejt. Ishte gjithmonë në te ardhmen, ne thonim “oh po duhet të bëjmë një film për Nënë Terezën dhe punën e saj në Kalkuta”. Ne nuk e dinim se çfarë saktësisht. 

Vitin e kaluar, 2020, kishim më shumë kohë të lirë. Vilma kishte filluar të shkruante romanin e saj të parë dhe pas dy muajsh ajo donte të bënte një pushim. Ne biseduam dhe menduam se çfarë të punojmë më tej, dhe Nënë Tereza na erdhi në mendje. Ne menduam për punën e saj në Kalkuta dhe pamë disa filma të bërë për të. Ata ishin pothuajse të gjithë të njëjtë vetëm të filmuar në periudha të ndryshme te jetës së saj. 

Ne donim të sillnim një histori të re të Nënë Terezës dhe gjëja me të cilën mund të lidheshim më shumë ishte trashëgimia dhe kultura jonë shqiptare. Ne kishim mendim se Nënë Tereza duhet të ketë patur një ndikim të jashtëzakonshëm gjatë viteve të saj të fëmijërisë për ta frymëzuar atë që të bëhej një shërbëtore dhe një murgeshë. Dhe, pasi kërkuam dhe lexuam për të ne zbuluam se ajo vinte nga një familje shumë e dashur, fetare dhe bamirëse që influenconte komunitetin dhe qytetin e tyre.

Cili është publiku që do ta shikojë këtë film?

Vilma dhe Greta Zenelaj: Ne besojmë se audienca për këtë film është çdokush që ka një kuriozitet ose interes për Nënë Terezën, i cili është i shumtë. Shumica e njerëzve me besim te Zoti do ta shohin këtë film historik dhe inkurajues. Ne besojmë se do të frymezojë shumë individë që ndoshta kanë lënë mënjanë deshirat e tyre dhe jane kenaqur më pak, por nuk është kurrë vonë për të bëre diçka pë të realizuar ëndrrat e tyre dhe të ndihmosh dikë që ka nevojë, në emër të Zotit.

Çfarë sfidash parashikoni për realizimin e këtij skenari, filmi?

Vilma dhe Greta Zenelaj: Asgjë nuk është 100% e sigurtë kur bëhet fjalë për prodhimin e filmave. Nga përvojat profesionale dhe e jetës, sfidat janë një pjesë e jetës. Sfidat mund ta shtyjnë dikë të bëhet krijues dhe ti japi zgjidje problemeve ne një mënyrë tjetër që ndoshta nuk ka ekzistuar më përpara. Kështu që jo çdo sfidë është negative.  Por një nga kufizimet e dukshme mund të jetë pandemia globale. 

Një sfidë tjetër mund të jetë gjetja e lagjes së duhur për të filmuar këtë pjesë të periudhës që të ngjajë me komunitetin e asaj kohe, në Shkup pas largimit te Otomanëve. Shumë nga shtëpitë dhe ndërtesat 100 vjeçare janë zëvendësuar me ato të reja moderne. Pra, nuk jemi të sigurtë nëse do të ndërtojmë një set ose do të punojmë me atë që ka mbetur në ato lagje, por supozojmë se do te vendosim kur të arrijmë atje.

Kush duhet të vijë për të parë këtë film?

Vilma dhe Greta Zenelaj: Të gjithë duhet të vijnë dhe ta shohin këtë film. Kjo do t’i frymëzojë njerëzit, t’i japi kurajo për të ndjekur ëndrrën e tyre.

Ku do të xhirohet filmi?

Vilma dhe Greta Zenelaj: Për momentin nuk është vendosur akoma, por planet tona për xhirime janë Shkupi dhe Shkodra, Shqipëri. Ne kemi filmuar Eagle në Shqipëri dhe me të vërtetë e kemi shijuar atë përvojë, kështu që ne jemi njohur me procesin atje, por ne gjithashtu duam të eksplorojmë se çfarë ofron Shkupi pasi gjithçka ka ndodhur atje, lindja dhe rritja e Nënë Tereza.

Si eshte experienca qe keni me njëra-tjetrën si motra dhe partnere biznesi?

Vilma dhe Greta Zenelaj: Që në vitin 2008 kur themeluam “Filmat me Ngjyra” ne nuk e dinim plotësisht se si do të punonim së bashku. Shumë na këshilluan ‘të mos përziejmë familjen me biznesin’ por ne jemi motra / shoqe të ngushta dhe e njohim njëra-tjetrën mirë, thjesht menduam ‘kemi të njëjtin qëllim në mendje, të bëjmë filma, pjesa tjetër do të zgjidhet, duke bere dhe duke pare, apo jo?’ 

Rezulton se nuk ka asgjë të tillë. Gjatë viteve të punës së bashku ne jemi munduar ti mbajmë gjërat në perspektivë, ti kushtojme vëmendje aftësive tona, cilat janë pikat e forta dhe të dobëta. Në këtë mënyrë askush nuk mbingarkohet ose ngarkohet me me shumë punë sesa duhet. Ne mësuam të delegojmë punën dhe të përqendrohemi në atë që jemi më të prirur duke e zotëruar atë. T’i japim hapësirë njëra-tjetrës për të marrë frymë është thelbësore, dhe të kuptosh që edhe pse jemi motra dhe shoqet të mira dhe sigurisht që na pëlqejnë të njëjtat gjëra, ne jemi dy individë të ndryshëm. 

Ne mësuam ta vlerësojmë njëra-tjetrën. Përgjithsisht është angazhimi dhe përpjekjet tona që e bëjnë të mundur këtë gjë. Sigurisht, ne kemi momentet tona, por nuk i lëmë ato momente të shkatërrojnë gjithçka për të cilën kemi punuar kaq shume. Ne jemi të bekuar që kemi njëra-tjetrën dhe falënderojmë Zotin për këtë.

A keni një ekip produksioni të gatshëm për filmin Gonxhe?

Vilma dhe Greta Zenelaj: Ne e kemi diskutuar skenarin me të tjerët të cilët duan të bashke punojnë dhe ata kanë shprehur dëshirën për t’u bërë partner me ne. Për momentin është akoma shumë herët për të punësuar një ekuipazh pasi vendimi për vendin e xhirimit do të përcaktojë edhe ekipin e prodhimit. Ne preferojmë të punojmë me talente lokal, sepse kane nje zell dhe përkushtim të theksuar. Ata janë gjithmonë aq mirënjohës për përvojën dhe shprehin kënaqësi për të qenë pjestar te filmit. Por ne e dimë që ekipet e xhirimeve kanë tendencë të bëhen familje gjatë xhirimeve, kështu që ne presim me padurim të krijojmë këtë familje të re filmike. Do të jetë një përvojë e re dhe emocionuese.

Çfarë e bën një film të shkëlqyeshëm për ju? A ka disa cilësi që e bëjnë një film më të mirë për ju?

Vilma dhe Greta Zenelaj: Historia është ndoshta gjëja më e rëndësishme. Nëse keni një histori / skenar të mirë, do të bëni që të tjerët të bashkohen me ju dhe t’ju ndihmojnë për ta kthyer atë në një film. Të kesh aktorë të shkëlqyeshëm që sjellin personazhet në jetë, ndihmon në përmirësimin e historisë. Ata nuk kanë pse të jenë aktorë të njohur apo të famshëm, thjesht të mirë. 

Shumë herë ne shohim aktorë të njohur në filma qe nuk e luajnë mirë rolin kjo tregon se ata nuk janë ne karakter dhe nuk jane të interesuar për suksesin e projektit. Duket sikur ata janë atje vetëm për t’u paguar. Mund të jetë gjithashtu faji i regjisorit që neglizhon të drejtojë aktorët e famshëm. Disa regjisorë mendojnë se kanë një aktor famos në filmin e tyre dhe nuk kanë nevojë t’u japin ndonjë drejtim sepse ai / ajo i di të gjitha. Por regjisori ka nevojë të drejtojë çdo aktor. Nuk ka rëndësi nëse ata janë një aktor me përvojë apo një aktor për herë të parë. 

Ndriçimi i skenave, skenografia janë shumë të duhura për skenat, po ashtu një pjesë e rëndësishme e krijimit të filmave. Ju nuk mund të vendosni thjesht një aparat fotografik para një aktori dhe të prisni një mrekulli. Ju duhet të kordinoni fotografitë. Krijusit e filmit po tregojnë historinë përmes kamerës dhe lenteve të saj. Kjo është një mjet shumë i fuqishëm për të maksimizuar intensitetin e filmit.

Ne e duam kinemanë, por duam te dime nga ju si ju ndez dashuria juaj për filmat?

Vilma dhe Greta Zenelaj: Jemi rritur në Shqipëri në një kohë kur na lejohej vetëm të shikonim filma shqiptarë, të cilët ishin mjaft të mirë në të vërtetë, pavarësisht nga propaganda politike. Por në atë kohë, Shqipëria nuk prodhonte shumë filma, kështu që mungesa e bëri atë më të dëshirueshme. Na pëlqente të shikonim filma dhe na duhej të prisnim me muaj për shfaqjen e tyre. Gjithashtu, nëna jonë e donte letërsinë dhe ajo gjithmonë na recitonte poezi dhe histori të famshme. Duke e dëgjuar atë, duke na treguar histori, ne krijuam një dashur per te treguar ngjarje te ndryshme. Të dyja shkruanim poezi që kur kemi qene të vogla dhe më vonë. Por filmat ishin gjithmonë më argëtuesit për ne. Ne thjesht pëlqejmë një film të bukur.

Filed Under: Featured Tagged With: e Nënë Terezës, Gonxhe - Historia e patreguar, për fëmijërinë, Vilma & Greta Zenelaj

Çfarë na mësuan këto zgjedhje?

April 30, 2021 by dgreca

Çfarë na mësuan këto zgjedhje?Një popull që ka të përmbushura nevojat minimale fillon dhe mendon. Të mendosh do të thotë të kuptosh e më pas të krijosh e të kërkosh. Të kërkosh! Kjo është e rrezikshme!Një popull që nuk ka nevoja minimale është dinjitoz dhe vendos denjësisht për ato zgjedhje që kontribuojnë në më të mirën e tij, dhe së të ardhmes së tij dhe pasardhësve së tij. Kjo është e rrezikshme!Një popull që nuk ka nevoja minimale rri dhe lufton në vendin e tij, jeton një jetë ku sfida është përmirësimi i jetesës dhe ambicieve të tij. Është më e lehtë kur boshatiset dhe ikën pjesa më aktive e shoqërisë. Kjo pjesë aktive është rrezik!Një popull që nuk ka nevoja minimale bëhet i bezdisshëm, mezi nënshtrohet. Kjo është e rrezikshme dhe e bezdisshme në pergjithësi!Një popull që nuk ka nevoja minimale është një popull i lumtur. Kjo lumturi do sillte shumë buzëqeshje dhe bashkim midis njëri tjetrit dhe kjo është e rrezikshme. Lojërat nuk kanë kuptim pa përcarje!Një popull që nuk ka nevoja minimale nuk detyrohet të bëjë krime për arsye banale apo nga mllefi që i ka zënë sytë se nuk ka c´humb. Kjo është e rrezikshme! Krimet banale duhen për të mbuluar krimet e vërteta.Një popull që nuk ka nevoja minimale nuk serviloset dhe as nuk shitet aq lehtë dhe lirë. Kjo është e rrezikshme! Po nuk u shite nuk kanë kë të blejnë.Ne jemi një popull i varfër, i lënë qëllimisht ashtu dhe e kuptoj mirë Pse-në. Kush do duartrokiste me zell për fitoren e kush do pikëllohej për humbjen duke parë idhujt e tyre sikur ka zbritur Zoti në tokë edhe pse e dinë shumë mirë që e ardhmja do ishte ekzaktësisht si ka qenë edhe nëse do kishte rrotacion. Në një moment mu duk sikur po përjetoja clirimin e Shqipërisë nga armiku turk dhe mrekullirat po na presin.Prandaj Zonja e Zotërinj, duhet shesh të bëhet përshesh.Tashmë e di! Varfëria qenka burimi i cdo ligësie, poshtërimi dhe shkatërrimi. Tashmë e di pse duhet domosdoshmërisht të ngelemi të varfër. Urime Shqipëria e militantëve të zjarrtë dhe e turmave të bindura. Faleminderit që e bëni të ardhmen të duket më e largët!P.S: Përpiquni të fshihni sekretet e vogla se ato të mëdhatë i mbulon dyshimi publik!Silvana Begaj

Filed Under: Analiza Tagged With: Silvana Begaj

ISHËT E PD QË E DUAN PARTINË SI PROFITERË & KLIENTË

April 30, 2021 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

Fill pas rezultatit paraprak nga zgjedhjet e 25 prillit 2021, kur janë të gjitha indiciet se Edi Rama i ka shpërdorur të gjitha pushtetet plus rrugët e pista për përvetësuar mandatin e tretë duke asgjësuar votën e lirë,ka nisur një fushatë e egër kundër Lulzim Bashës nga ishët e PD-së.

Ishëve nuk u bëhet vonë as për demokracinë, as për Shqipërinë, as për lirinë, por thjesht llogarisin vetëm xhepin e tyre –

Prandaj humbi PD në zgjedhjet e 2013 –

Disa ditë më parë u nda nga kjo jetë Hasan Halili, ish ministër i BUjqësisë i qeverisë Meksi. I madh e i vogël, socialistë e demokratë, të të gjitha ngjyrave shprehën ngushëllimet dhe simpatinë ndaj tij.

E pra ky duhet të jetë modeli i zyrtarit të lartë publik, që ta respektojnë të gjithë, pavarësisht ngjyrave të partisë që përfaqëson, demokracia garë e më të mirëve – jo pushtim i të gjitha pushteteve nga  më i keqi –

Po cilët jnanë ISHËT ?

ISHËT si profil janë përgjithësisht anonimë, profiterë që anojnë nga klientët – në sinonimi. Ish deputetë, ish ministra, ish presidenti, ish-zyrtarët e lartë, deri tek ish sekretaret, që e shohin politikën si lluks, qejf, por kurrë si sakrificë, si shërbim – alla JFK.

Kjo lloj specie gjithmonë është futur në lista pa garë, përfshi edhe vetë Lulzim Basha, por Lulzim Basha ndryshe nga kopeja në fjalë, ka qenë krahu i djathtë i Berishës pikërisht në ato çka i rreshtohen liderit historik të PD si pasuri e patundëshme suksesesh –plus në këtë fushatë zgjedhore Lulzim Basha tregoi një profil serioz dhe ngjalli besim tek elektorati.

Përçudnimi i votës të lirë  si krim elektoral nuk e bën humbës Lulzim Bashën – por tregon se rrezik kombëtar është Edi Rama.

Në vend që të vihet me shpatulla pas murit përgjegjësi i katrahurës – ISHËT orkestrohen dhe i kthehen Bashës.

Dramaturgu i shquar Tom Stoppard, i nderuar me çmim Oskar për skenarin e Shakespeare in Love, por i njohur veçanërisht si mbrojtës i të drejtave të njeriut, (në fund të viteve ’70 si anëtar i Amnesty International, shkon në BRSS dhe takohet me Vladimir Bukovsky-in, që asaj kohe ishte i burgosur nga regjimi sovjetik dhe po ashtu udhëton edhe në Pragë për t’u takuar me Vaclav Havelin) thotë se “Demokracia nuk është procesi i votimit, por procesi i numërimit”,

Ndërsa ISHËVE u ka ardhur ora të hakmerren, për përjashtimin nga lista që u ka bërë Lulzim Basha – e shfaqen nëpër mediat e kapura të Edi Ramës  “si kavie” për t’i sanksionuar “fitoren” udhëheqësit të regjimit hibrid që e ka groposur votën e lirë me Ballat, Gjiknurët dhe me ndihmën e nëntokës.

Edi Rama është përgjegjës për shkatërrimin e sistemi zgjedhor – sepse zhvalorizoi votën e Sovranit me të gjitha mënyrat antiligjore – plus 83 mijë vota baraz gati me 9 deputetë kanë dalë të pavlefshme.

Edi Rama është përgjegjës i shkatërrimi i procesit zgjedhor që i nxori jashtë loje të gjitha exit poll-et, përfshi edhe të mikut të tij të ngushtë Baton Haxhiut.

Disa nga ISHËT e panë si përfunduan në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Ne e pamë rezultatin e Jozefinës, Astrit Patozit, Rudina Hajdarit – po të krijonte parti Bujar Nishani do ta pësonte edhe më keq! E pra, këta janë ISHËT! Që si thotë populli, duhet ta fusin bishtin në shalë, e jo të dalin nëpër ekranët e njollosur të sulltanit Edi Rama, ku çdo natë përmes dizinformimit dhe demagogjisë i bëhet popullit presion psikologjik, por populli tani ka krijuar imunitet, sepse i njeh shumë mirë, me rrënjë e degë.

Andaj sa herë që dalin, duke përrallisur idotësi dhe pallavra – populli ose i lag ekranet e TV me pështyma, ose i vjen që t’i thyejë, ndërsa ISHËT në këtë kontekst  janë vetëm karta të djegura, vendosin vetë të jenë të tillë, dikur profiterë me dashjen e tyre për të vjelë privilegje nga pozicionet e larta zyrtare sot profiterë pa dashjen e tyre për të vjelë neverinë nga opinioni publik!

Filed Under: Politike Tagged With: Elida Buçpapaj, ISHËT, krim elektoral, rrezik kombëtar, Tom Stoppard, Vaclav Havel, Vladimir Bukowsky

ZGJEDHJET NË SHQIPËRI-NUK KA KUFINJ MES SHTETIT DHE PARTISË-SHTET

April 30, 2021 by dgreca

-OSBE-ODHIR: Keqpërdorimi i burimeve të administratës shtetërore, shqetësim më i madh sesa shit-blerja e votes/

-Zgjedhjet në Shqipëri – Gacek: Vëmendje e madhe ndaj çdo ankimi apo rinumërimi votash

  • Drejtuesja e misionit të OSBE/ODIHR, Ambasadorja Urszula Gacek në intervistën për DW e quan shqetësues keqpërdorimin e burimeve të administratës për zgjedhjet e qëndrimin jo të qartë ndaj kufirit mes partisë e shtetit.

DW: Znj. Ambasadore, çfarë ju ka bërë përshtypje deri tani në zhvillimin e procesit zgjedhor për Zgjedhjet Parlamentare, 2021, që u zhvilluan të dielën e kaluar, më 25 prill, në Shqipëri?

Urszula Gacek: Besimi në sistemin zgjedhor që ka filluar të rikthehet. Partitë politike dhe votuesit morrën pjesë. Ajo çfarë do të ndodhë pas ditës së votimit është shumë e rëndësishme. Ne po ndjekim numërimin e votave për të parë, nëse njerëzit mendojnë që shifrat janë një reflektim i ndershëm i realitetit në kutitë e votimit. Do të shikojmë me shumë vëmendje çdo ankim apo rinumërim në ditët në vijim.

DW: Cilat janë sfidat kryesore që misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të ODIHR-it ka përballuar deri tani në vëzhgimin e Zgjedhjeve Parlamentare, 2021?

Urszula Gacek: Kemi pasur dy sfida kryesore: të parën pandeminë Covid -19, që na u desh ta merrnim parasysh për numrin e vëzhguesve, që do sillnim në Shqipëri, vendin se ku do t’i vendosnim, mënyrën sesi do të lëviznim. Për fat të mirë, në Shqipëri, nuk ka kufizime për udhëtimet brenda vendit. Natyrisht, pandemia ndikoi në mënyrën e punës sonë. Kemi realizuar shumë intervista ballë për ballë sidomos në rajone, ku njerëzit nuk përdorin platformën ZOOM. Por ia kemi dalë mbanë duke respektuar masat kufizuese dhe distancimit social. Sfida e dytë lidhet me përmbajtjen e punës sonë dhe ka të bëjë me numrin e madh të amendimeve dhe ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, që u bënë shumë vonë, në tetorin e kaluar dhe prandaj ka pasur shumë mospërputhje dhe paqartësi në raportin mes ligjit zgjedhor dhe rregulloreve.

DW: A ka prekur shit-blerja e votës besueshmërinë dhe integritetin e procesit zgjedhor?

Urszula Gacek: Ne kemi pasur një shqetësim më të madh sesa shit-blerja e votës: keqpërdorimin e burimeve të administratës shtetërore, qëndrimin e turbullt ndaj kufirit mes partisë dhe shtetit. Lidhur me shit -blerjen e votës, është një dukuri për të cilën në zgjedhjet e mëparshme janë bërë rekomandime sesi të trajtohet. Duhet vënë në dukje që shit-blerja e votës nuk i përket një partie të veçantë. Nëse i referohemi informacioneve të besueshme, kemi 33 hetime për shit-blerje votash, që janë hapur para ditës së votimit. Pra nuk ka vetëm një fajtor. Dëmi që sjell shit-blerja e votës në perceptimin dhe besueshmërinë tek sistemi zgjedhor është i dyfishtë. ODIHR ka bërë rekomandime në zgjedhjet e mëparshme lidhur me shit-blerjen e votës. Njëri prej tyre është edukimi i njerëzve që nuk duhet ta shesin votën e tyre. Kemi parë një përpjekje të madhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, (KQZ) në këtë drejtim, komuniteti ndërkombëtar i pranishëm në Shqipëri, Këshilli i Europës, Ambasadat, shoqëria civile. Rekomandmi tjetër, është trajtimi i shkelësve të ligjit, që po e ndjekim me shumë vëmendje. Nëse dikush kapet që shet dhe blen votën ka rëndësi mënyra sesi e trajtojnë autoritetet rastin. Çdo rast duhet trajtuar me drejtësi dhe paanshmëri, që në të ardhmen njerëzit mos ta bëjnë këtë. Nuk është një dukuri që mund të zhduket vetëm në një proces zgjedhor, pra ka dy elemente: edukimin e votuesve dhe ndjekjen penale.

DW: Ambasador Gacek, më lejoni të rikthehem tek shqetësimi për keqpërdorimin e burimeve të administratës publike nga forca politike qeverisëse. A mund të ketë ndikuar në besueshmërinë dhe integritetn e procesit? 

Urszula Gacek:Kur një forcë politike është në pushtet, ka gjithmonë një sërë avantazhesh natyrore, pasi mund ta tregojë veten më shumë. Nga ndjekja e fushatës në 12 qarqet e Shqipërisë me vëzhguesit tanë ndërkombëtarë kemi konstatuar që të gjithë aktorët politikë mbanin fjalime. Nisur nga përmbajtja e tyre, askush nuk mund të hedhë poshtë që biznesi i qeverisë vazhdoi psh. kur dikush shkon hap spitale apo përuron shkolla. Ka patur vizitata inspektuese, të shpeshta nga ministra në objekte të caktuara dhe përdorur ato për fushatë elektorale. Media shqiptare, nga vëzhgimet tona, e ka parë këtë si pjesë të fushatës zgjedhore të partisë në pushtet. Por kur ke logon e partisë në maskën anti-Covid , nëse je duke mbajtur fjalim dhe  thua “Më votoni” atëhere kjo nuk është e lejueshme, e kapërcen kufirin e së lejueshmes. Pra, është fakt që partia në pushtet ka disa avantazhe. Çështja është nëse mund ta përmbash, kufizosh veten që t’i përdorësh këto avantazhe brenda kufirit të lejueshëm. Misioni ynë po analizon pikërisht këtë, nëse ligji zgjedhor e ndalon këtë praktikë, pasi ligji është më strikt sesa rregulloret dhe udhëzimet. Ka paqartësi në ligjin e ri zgjedhor që do t’i shikojmë në detaje.

DW:Çfarë mund të thoni për pjesëmarrjen e zgjedhësve në votim?

Urszula Gacek: Nuk kemi qenë kaq shumë të interesuar për përqindjen e pjesëmarrjes së zgjedhësve në votime. Për dy arsye: Së pari shifrat zyrtare të pjesëmarrësve në votim mund të jenë më të ulëta se 3.6 milionë zgjedhës që figurojnë në listat e zgjedhësve. Kemi të dhëna zyrtare që jashtë Shqipërisë jetojnë rreth 1.6 milionë shqiptarë. Nëse heqim nga kjo shifër fëmijët dhe njerëzit që për arsye të ndryshme nuk kanë të drejtën e votës, atëherë mbeten 1 milionë shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë me të drejtë vote që janë në listat e zgjedhësve. Për shkak të kufizimeve për udhëtim nga pandemia Covid-19, që janë kufizime ndërkombëtare, ata nuk vinin për të votuar. Ndërkohë nuk ka ende dispozita për votimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit të tyre, gjë që nuk përbën një standard ndërkombëtar. Në qendrat e votimit, ku isha të dielën e kaluar, njerëzit ishin të interesuar për të votuar, ndërkohë që mendoj se shqiptarët jashtë vendit nuk kanë të njëjtin interes.

Arsyeja e dytë është që fokusi ynë pas mbylljes së votimit është tek procesi i numërimit, që këtë vit është më i komplikuar pasi në fillim duhen numëruar sesa mandate ka marrë secila parti dhe pastaj duhet vendosur, se cili kandidat duhet të marrë mandatin duke patur parasysh opsionin e votës preferenciale që aplikohet për herë të parë në Shqipëri. Një tregues interesant janë votat e pavlefshme që mund të na dëshmojnë sesa  të informuar kanë qenë zgjedhësit sesi do të votonin nga pikëpamja teknike. Ka pasur disa programe për edukimin e votuesve që u zbatuan me vonesë. Pyetja që ngrihet është nëse këto programe kanë qënë të mjaftueshme apo jo. Votat e pavlefshme janë tregues i problemeve që do të përfshihen në rekomandimet tona në raportin përfundimtar.

DW: Znj. Ambasadore, ju po flisni për rekomandime. Ju lutem a mund të ndalemi tek rekomandimet e misioneve vëzhguese të OSBE / ODIHR-it për zgjedhjet e mëparshme që nuk janë adresuar dhe që kanë ndikuar në procesin e tanishëm zgjedhor dhe sidomos tek votuesit?

Urszula Gacek:Kam parërekomandimet e mëparshme të OSBE/ODIHR-it. Shumë prej tyre janë adresuar plotësisht apo pjesërisht. Por dy prej tyre nuk janë adresuar fare dhe sigurisht do të jepen përsëri. Rekomandim i parë, i paplotësuar, është ai për të patur një raport të ndërmjetëm para ditës së zgjedhjeve lidhur me burimet e financimit për fushatën dhe kandidatët. Votuesi mund të mësojë pas fushatës elektorale nga kush u financuan kandidatët për deputetë. Por do të ishte e preferueshme dhe dëshirueshme që këtë informacion votuesit ta kishin para ditës së votimit, që të merrnin vendimin e tyre se për kë do të votojnë. Votuesit duhet të dinë paraprakisht cili qëndron pas kandidatit para se të hedhin votën dhe jo pas hedhjes së saj.

Rekomandimi i dytë, shumë i rëndësishëm, që nuk është adresuar, është përdorimi i vazhdueshëm i materialeve të partive politike në garë në edicionet e lajmeve. Nuk është fjala për reklama, por edicion lajmesh. Kemi rekomanduar që kjo nuk duhet të ndodhë, por nuk është marrë parasysh. Në raportin tonë përfundimtar do të përfshijmë këto dy rekomandime dhe të tjera që nuk janë plotësuar nga zgjedhjet e kaluara si edhe rekomandime te reja, që dalin nga zbatimi i Kodit të reformuar elektoral, ku ka risi të tila si identifikimi elektronik i zgjedhësve apo votimi elektronik.

Rekomandimet do të përfshijnë edhe ꞔfarë ndryshimet duhen bërë në disa fusha të veçanta. Për këte lypset një diskutim publik përfshirës. Shqipëria si gjithë 57 vendet e tjera, anëtare të OSBE, ka marrë zotime për t’i zbatuar rekomandimet, por kjo në fund të fundit varet nga qeveria. Rekomandimet jepen për t’u zbatuar, kur kjo nuk ndodh ka sanksione. Në përgjithësi konstatojmë që Shqipëria ka zbatuar disa rekomandime në të shkuarën dhe ka parë përfitime prej zbatimit të tyre. Besojmë që rekomandimet tona do të pranohen nga administrata e re, që do të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

DW: A po shënon Shqipëria progres demokratik me zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare 2021, mbështetur në raportin tuaj paraprak dhe sesi po ecën deri tani procesi i numërimit të votave?

Urszula Gacek:ProgresDemokratik? Zgjedhjet janë një pjesë shumë e rëndësishme e progresit demokratik, por jo i gjithë progresi demokratik. Mendoj që pjesë shumë e rëndësishme për progres demokratik, sidomos këtu në Shqipëri, është reforma gjyqësore. Nuk jemi këtu për të gjykuar, nëse refoma në gjyqësor është sipas, le të them, standarteve të Këshillit të Europës ose nëse ligji për mbrojten e të dhënave është konform me standartet e BE. Ne jemi të fokusuar tek zgjedhjet parlamentare 2021, por kjo nuk do të thotë që gjërat që po ndodhin, në periferi të misionit tonë nuk ndikojnë tek zgjedhjet.

DW: A ka gjasa që këto zgjedhje të vlerësohen të lira dhe të ndershme? Nga përvoja ime në pasqyrimin  e zgjedhjeve të mëparshme parlamentare ka ndodhur që në raportin përfundimtar të misionit të OSBE/ODIHR-it vlerësimi ka qenë  “këto zgjedhje janë më të mira se të kaluarat” vlerësim që nuk ka lidhje me përcaktimin”, të lira , të ndershme apo sipas standarteve ndërkombëtare”.

Urszula Gacek: Ne nuk krahasojmë një zgjedhje me një tjetër në analizat tona. Nuk përdorim të dhëna krahasuese. Ajo që marrim nga raportet e zgjedhjeve të mëparshme janë rekomandimet për të parë nëse janë adresuar ose jo. Jemi shume të kujdesshëm të mos bëjmë krahasime për të  treguar një lloj trendi. 

DW:Znj. Ambasadore, gjithsesi a mund t’i shihni këto zgjedhje si një ndikim pozitiv që Këshili Europian të vendosë për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndër-Ministrore, lidhur me hapjen e Negociatave të Anëtarësimit të Shqipërisë në BE? 

Urszula Gacek: BE ditët e fundit doli me një deklaratë lidhur me këto zgjedhje parlamentare, ku përmend raportin tonë paraprak. Kjo është shumë e kënaqshme për misionin tonë pasi ajo që kemi bërë i jep komunitetit ndërkombëtar një informacion të besueshëm për të marrë vendime të mëdha strategjike. Ndërkohë që ne jemi në Shqipëri për të dhënë një vlerësim të bazuar në të dhëna dhe të paanshëm. Ne nuk mund të ndikohemi nga presioni prej asnjë pale, psh. që mund të thotë, se për Shqipërinë duhet të jepen këto apo ato konkluzione, se duhet të hapen negociatat e anëtarësimit. Puna jonë përfundon me raportin përfundimtar me rekomandime. Pastaj administrata e re, shoqëria civile dhe komuniteti ndërkombëtar mund ta përdorë raportin tonë për qëllimet që u duhen atyre.

Ambasadorja Urszula Gacek është drejtuese e misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it

Intervistoi Ani Ruci-DW

Filed Under: Featured Tagged With: Osbe/Odhir, Zgjedhjet shqiptare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 93
  • 94
  • 95
  • 96
  • 97
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT