• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Manhattani kuq e zi për Çamërinë Martire

June 9, 2019 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

Manhattani çdo vit vishet kuq e zi nga shqiptarët e Diasporës të organizuar nga “Rrënjët Shqiptare” me president z.Marko Kepi si dhe stafin e tij si Nik Beqaj zv/president, Besmir Buranaj Hoxha etj. 

Manhattani një herë në vit mirëpret gjithë shqiptarët për të vërshuar në rrugën kryesore “Amerika”, 6 Avenue, për Paradën Internacionale që organizohet për emigrantët e të gjitha kombësive.

Mijëra shqiptarë me simbolet kombëtare, flamujt kuq e zi, me veshjet tradicionale dhe elegante të grave dhe burrave morën pjesë në një manifestim madhështor në Manhattan.  Çdo Paradë shqiptare i është kushtuar një kauze të rëndësishme kombëtare, sivjet i kushtohej Çamërisë martire, genocidit grek me në krye gjeneralin famëkeq Napoleon Zerva të cilët dëbuan me dhunë, vranë, masakruan, përdhunuan qindra gra, vajza dhe fëmijë nga tokat shqiptare çame.  Sot Çamëria ndodhet nën Greqinë dhe është mohuar me dhunë historia martire çame. 

Marshalli i Paradës ishte gazetari i shquar Marin Mema I cili ka dhënë nje kontribut tejet të vyer për historinë kombëtare.  Presidenti i ogranizatës “Rrënjët Shqiptare” z.Marko Kepi e prezantoi me plot respekt dhe dashuri dhe midis të tjerash tha se gazetari Mema është non grata në Greqi dhe Serbi, ngase emisionet e tij dokumentare zbulojnë të vërtetën e hidhur historike rreth historisë së shqiptarëve në Çamëri dhe Kosovë. 

Gazetari Marin Mema u mirëprit me entuziazëm, oratoria e tij dhe mesazhi ishte i qartë të qëndrojmë të bashkuar, të luftojmë për tokat tona, të njihet historia e mohuar si historia çame për të cilën dhe jemi mbledhur sot këtu në zemër të Amerikës në Manhattan…

Me duartrokijte u mirëpritën në skenë z.Sali Bollati që ishte njëkohësisht dhe marshall nderi si dhe i lindur dhe rritur në Çamëri.  Z.Bollati është një avokat i denjë i çështjes çame dhe tërë jetën e tij ka luftuar që kurrë historia të mos I harrojë krimet çnjerëzore qëu ushtruan në familjen e tij si dhe në gjithë Camërinë. Sali Bollati që 7 vjeç pa me sytë e tij krimet çnjerëzore, masakrat brutale duke dëbuar me dhunë mijëra çamë, banorë të Çamërisë, nga shtëpitë e tyre ku kishin jetuar me shekuj dhe i nxorrën jashtë kufirit mbasi u kishin rrëmbyer tokat dhe pasuritë.  Të vrarët të gjakosurit, ishin fëmijë dhe pleq.  

Oratorët kryesorë ishin si ish kongresisti amerikan, Arbëreshi Joe Di Guardi, burri që tronditi Hitlerin e Ballkanit Sllobodan Milloshevicin, Miss Nju Jorku Florinda Kajtazi, znj.Nazo Veliu me origjinë çame dhe sekretare e organizatës Pan Shqiptare “Vatra”, Ilir Ademi Kryetar I Organizates “Çamëria” Amerikë etj… 

U falënderuan donatorët për organizimin e Paradës, por ajo që do të më ngelet në mendje ishte donacioni i prof.Sami Repishtit, shqiptari që u persekutua në diktature dhe arriti të jetë në Amerike elita intelektuale, donacioni i Tij nuk ishte mijëra dollarë ishte vetem 20 dollar, por mesazhi i Tij ishte për çështjen kombëtare, atë 20 dollar Rrënjët Shqiptare do ta ruajnë përgjithmonë në arshivën e tyre.  Biznesmeni dhe burri patriot Bruno Selimaj u falënderua si donator, ai nuk mbajti fjalim me fjalë të mëdha, por i foli shpirti dhe zemra duke thënë se: Unë nuk flas me fjalë të bukura, nuk jam orator, por aman Atdheun e dua shumë…

Presidenti Marko Kepi falënderoi z.Sevdai Kastrati për gazetën “Zëri i Çamërisë” si dhe shpërndau tek shqiptarët Hartën Etnike të Kombit, sensibilizim për gjithë Shqiptarët anë e mbanë botës se: Bashkimi i Kombit do të realizohet së shpejti…

Programin e aktiviteteve e drejtoi artisti i shquar Frederik Ndoci.  Në këtë paradë disa grupe valltarësh të veshur me kostumet tradicionale kërcyen valle çame dhe nga trevat shqiptare të cilët ishin përgatitur nga Angjelina Nika.  Valentina Veizaj që po rritet në paradë këndoi këngë shqiptare dhe u mirëprit me duartrokitje. Grupi cheerleader kuq e zi ishte pergatitur nga znj.Aferdita Delaj.

Në këtë paradë morën pjesë disa organizata shqiptaro-amerikane si organizata më e vjetër shqiptare Vatra me kryetar te saj z.Dritan Mishto.  Në makinën e tyre sivjet ishin nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life”, të cilët për më shumë se një muaj rresht u pëgatitën me projekte për Çamërinë, ndërkohë u bë mësim i hapur rreth historisë së Çamërisë, në të cilën nderoi me pjesëmarrjen e tij gazetari i shquar, marshall i Paradës Marin Mema.

Gjithashtu në këtë paradë morën pjesë shoqatat shqiptaro amerikane si: “Skenderbej”, “Ana e Malit”, “Plavë e Gucia”, “Kraja”, “Dibra”, “Albanian Youth Center”, “Bijtë e Shqipes”, “Albanian Excellence” etj, personalitete të larta, grupe shqiptarësh, familje të ndryshme të cilët me plot entuziazëm përcollën oratorët me fjalimet e tyre si dhe parakaluan përgjatë bulevardit “Amerika” me plot krenari dhe dashuri për Kombin.

Manhattani u ndez kuq e zi, flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjet Shqiptare dhe gjithë shqiptarët e Diasporës.

Së shpejti TV “Alba Life” do të transmetojë aktivitetin në kanalet televizive. 

Autorja është shkrimtare, publiciste, gazetare për TV “Alba Life”, mësuese dhe themeluese e Shkollave Shqipe në New York

8 Qershor, 2019

Manhattan, New York

Filed Under: Featured Tagged With: Keze Kozeta-Zylo-Parada-Cameria

DUALITET

June 9, 2019 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/

Mendimet dhe ndjenjat lindin, me ose pa vullnetin tonë, dhe ne përdorim fjalë për t’i shprehur ato. Që në fillim të jetës së tij, njeriu pllakoset nga harresa. Ne jemi të lindur, por nuk e mbajmë mend atë. Foshnjërinë, gjithashtu. Fëmijërinë e herëshme e kujtojmë vetëm në fragmente; dhe jetojmë, duke humbur kuptimin e jetës. Sa e kotë është të mendosh se fjalët mund të depërtojnë misterin e qenies njerëzore; duke i përdorur, ato vetëm mund ta bëjnë më të dukshme injorancën tonë. A është lindja fillimi? Apo është vdekja përfundimi i qenies sonë?
Trupi është i prishur dhe shpirti është i pavdekshëm- me këto ide janë marrë Pitagora, Sokrati dhe Platoni. Jeta në Tokë është vetëm një imitim i papërsosur i jetës ideale në qiell, thonin ata. Krijuesi, Zoti, Natyra, ose si të duash quaje, mund të shfaqet mes njerëzve vetëm nëpërmjet dijes dhe arsyes. Rasti i natyrës njerëzore, me një trup që prishet dhe një shpirt të padukshëm, e ka bërë të pamundur identifikimin e një kuptimi të vetëm të jetës.
Aristoteli nuk shmang mundësinë e dualitetit, kur thotë se mendja është jomateriale dhe si e tillë, e pavdekshme. Ai argumenton se mendja nuk duket si organet e tjera të trupit, pasi i përmbledh të gjitha rolet, jo vetëm disa, siç bëjnë, për shembull, sytë që janë vetëm për të parë dhe veshët, vetëm për të dëgjuar. Pikëpamjet të tilla dualiste mbi jetën konsideroheshin të vërteta dhe deri vonë, mbizotëronin.
Sot njerëzit mendojnë se Jeta, ose çfarëdo që e quajmë atë që jemi dhe ndjejmë, është gjë e pashpjegueshme. Mjegullimi në mendje na pengon. Dhe ndoshta është mirë që jemi të mbrojtur nga njohja e asaj që është njëkohësisht kaq e padepërtueshme, përndryshe do të na thithte, duke kapërcyer funksionet që i duhen për arritjen e qëllimit të saj.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi-Dualiteti

KUFOMA POLITIKE E EDI RAMËS MBAN ERË…

June 9, 2019 by dgreca

Opinion nga Asllan Bushati/

Nga 28 prilli deri më 23 maji bëra një vizitë private  në Shqipëri. Qëllimisht nuk takova asnjë politikan (as djathtas e as majtas), megjithse kam miq  e të njohur në të dy krahët. Arsyeja ishte e thjeshtë: desha të testoj e të pjek  më tej mendimet e mija politike nëpërmjet kontakteve të drejtpërdrejta e  personale me njerzit për problemet e kohës që po kalojmë.

Kam qenë e vazhdoj të jemë shumë i shqetësuar për situatën shumë të  rëndë e të komplikuar politike, ekonomike, shoqërore, sociale, kulturore, etike, morale , psikologjike etj, të vendit tim në këtë  tranzicioni kaq të  gjatë. Prandaj i pyeta shumë nga  dashamirët e mi se cfarë mendonin ata? Nga përgjigjet e tyre  më erdhi si rrufe në mendje një thënie e  Ramiz Alijës  se:” Shqipëria është vend i vogël dhe e mira dhe e keqja duken brenda ditës”. Kanë kaluar gati tridhjetë vjetë dhe e mira sa duket zhbëhet  nga mentaliteti dhe primitivizmi që  Ramiz Alija  dhe idhulli i tij  E.Hoxha  ngulët në mendjen e majtistëve shqiptar. Kurse e keqja është ngulur këmbëkryq jo deri në kockë por deri në palcë.

Marrë shkas nga sa më sipër, po e  përsëris për të disatën herë se pikpamjet e mija politike janë të djathta. E deklaroj këtë   se kam  krijuar bindjen e plotë se: me qeveri e administratë më të vogël,  me taksa më të ulta, me më shumë liri për biznesin, me më shumë siguri për njerëzit e  pronën, me më shumë investime në arsim e shëndetësi, me  zgjedhje të lira, shtet ligjor e demokratik, me një kooperim më të mirë me investuesit e mëdhej ndërkombëtar, vendi im do të zhvillohet më shpejt e do të jetë më i begatë.

 Por kjo nuk më pengon të them se e pranoj opsionin e së majtës si një alternativë dhe mundësi (sipas filozofisë të së majtës europiane), por aspak sipas versionit enverist  e kriminal të rilindjes së Edi Rames. Kjo filozofi allarilindase (në se mund të quhet e tillë) është shëmtia më e madhe  e asajë euro-perendimore dhe ka rezultuar madje  edhe anti kombëtare.

Sot institucionet të  pavarura nuk ka në Shqipëri. Gjykata Kushtetuese dhe e Lartë janë shkatërruar, Prokuroria është shkërmoqur e vepron nën urdhërat politik të  Ramës dhe e ashtuquajtura  rilindja socialiste është kthyer në një shtet shypës e shfrytëzues brenda shtetit. Pra  Edi Rama ka gjithë shembëlltyrën e një tirani pamaskë, pa kundërshtarë, pa institucione e pa media kundër tij. Ai ka paret e taksapaguesve (por edhe të krimit) shqiptarë dhe i trajton ato si pronë personale të Kryeministrit. Individi në Shqipëri  tashmë ndiehet totalisht i pa mbrojtur, banda të hajdutëve ordiner e profesionistë bëjnë kërdinë duke vjedhur në fshat e në qytet, njerzit janë të shantazhuar nga bandat vetiake  e të lidhura me Qeverinë. Nuk ka qelizë të segmenteve të shtetit e të shoqërisë që nuk janë punësuar militantët socialist e enverist fanatikë. Realiteti shqiptar po ju a kalon edhe filmave të hollivudit.

Për Edi Ramën e bandën e tij, pretendimet e opozitës dhe përgjimet e zbardhura nga Bild, (për blerjen masive të votive në 2017-tën), nuk janë as të ligjeshme , as të vërteta dhe as nuk përbëjnë asnjë fakt që të vërtetojnë paligjëshmërinë e Qeverisë aktuale e aq më pak lidhjen e saj me botën e krimit. Turp për të gjithë ju të së majtës shqiptare që e sollët në fuqi këtë farë të keqe duke i bërë një dën shumë të madh vehtes dhe  gjithë populit shqiptar.

Edhe Ju ndërkombëtarë që punoni në Tiranë, (kush më shumë e kush më pak), keni formësuar staturën e një gjysëm guvernatori urdhër dhënës dhe keni pranuar stabilitetin-“stabilokracinë” (edhe rrënues e shkatërrimtar)  në Shqipëri si më të rëndësishëm se demokracia.  Jeni bërë njësh me Edi Ramën duke mbyllur sytë e veshët edhe për veprimet kriminale e skandaloze të tij. Jeni bërë shtypës të zërit opozitar duke mbërritur deri atje sa i keni thënë hapur Lulzim Bashës se :”po shtove edhe një presje në dokumentin (në 2017-tën) që po ju servirim për firmë do ta konsiderojmë refuzim”. Cdo ditë thoni përralla e gjëra të ditura  edhe nga adoleshentët e barinjë në mal si: e hëna vjen para të martës, nënta para dhjetës, gushti pas korrikut, parlamenti është vendi i diskutimeve etj, sikur ne shqiptarët nuk dimë asgjë. Jeni  treguar krejt të njëanshëm e thjeshtë proqeveritar dhe tashmë jeni edhe të pabesueshëm. Turp edhe për ju. Historia do t’ju gjykojë si të pa ndershëm.

Opozita e tanishme, kam binjen e plotë se do të hyjë në historinë e Shqipërisë, si një mekanizëm që bëri e bën luftë primore për demokraci e shtet ligjor. Si një forcë që projektoi e udhëhoqi luftën kundër kriminelve në parlament e në segmentet e shtetit. Që e vuri reformën në drejtësi në binarë kushtetues dhe që pranoi edhe sakrificë sublime për votën e lirë si baza e themeli i një shteti demokratik. Lulzim Basha e Oert Bylykbashi me shokë,  ju mësuan shqiptarëve e ndërkombëtarve se cdo me thene mendim juridik bashkohor europian e demokratik.

Me qetësi, prudencë e largpamësi, udhëheqja e PD-së dhe e opozitarëve afër saj, udhëhoqën revolten popullore e cila medoemos  do të cojë  në rrëzimin e diktaturës së rilindjes së Edi Ramës, fundi i së cilës nuk është i largët. Edi Rama është tashmë në pikiadë të pandalëshme. Ai është një kufomë politike që mban erë të keqe në cdo cep të Shqipërisë dhe në cdo segment të jetës.

Tani që Presidenti Ilir Meta, ja hoqi Edi Rames 30 qershorin si mundësi përplasje e premise për një konfrontim civil, duhet pritur që një mendje e sëmur si e tija të pjellë ndonjë idiotësi tjetër për të mbajtur pushtetin edhe  me dhunë e gjakderdhje. Opozita lypset të jetë e përgatitur që të shmangi me cdo kusht një konfrontim civil.

Edi Rama zgjedhjet e parakohëshme i quan herezi , jo normale  dhe poshtruese personale. Ky është mentaliteti i diktatorit, por socialistët e vërtetë duhet të kuptojnë se ndryshimi i sistemit  në Shqipëri është domosdoshmëri për të sotmen dhe të ardhmen. Të gjithë duam një Shqipëri për të gjithë , demokratike, ligjore “si gjithë Europa”.

Filed Under: Politike Tagged With: Asllan Bushati-Kufoma politike-Edi Rama

New York, bashkëpunim me Policinë e Kosovës

June 7, 2019 by dgreca

-Policia e Kosovës nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Departamentin Policor të New Yorkut (NYPD)/

NEW YORK, 7 Qershor 2019-Gazeta DIELLI/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, i shoqëruar nga stafi i tij, në këtë rast drejtori i Departamentit të Burimeve Njerëzore Taibe Canolli, drejtori i Divizionit Kundër Krimit të Organizuar, Florie Hajra dhe zyrtari nga ICITAP-i amerikan,  Richard Staples, po qëndrojnë për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kanë realizuar takim me Komesarin e Policisë së New Yorkut, James P. O’Neill, si dhe kanë realizuar vizita në Akademinë Policore, departamente të ndryshme, Homland Security (Doganë dhe Polici Kufitare), në muzeun memorial etj.

            Kjo vizitë disa ditore është e një rëndësie të veçantë dhe ka për qëllim vazhdimin e avancimit të bashkëpunimit ndërpolicor ndërmjet dy vendeve, si dhe intensifikimin e marrëdhënieve policore me interes të përbashkët.

            Si rezultat i takimeve zyrtare dhe bashkëpunimit të ndërsjellë, sot me 07.06.2019, nga drejtori Qalaj dhe komesari O’Neill u  nënshkrua një memorandum bashkëpunimi, i cili vlerësohet si i pari me vendet e Ballkanit.

            Përmes nënshkrimit të këtij memorandumi synohet vendosja e bashkëpunimit sa më cilësor, në shkëmbimin e informacioneve policore, në luftën kundër krimit të organizuar, krimit trans-kufitar, parandalimin e kriminalitetit, veçanërisht në format komplekse të krimit të organizuar, krimit me elemente ndërkombëtare si dhe veprave tjera penale, përfshirë edhe shkëmbimin e praktikave më të mira policore.

           Me rastin e nënshkrimit të këtij memorandumi të dy vendet vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera të të dy policive në të gjitha fushat policore si dhe nevojën e avancimit të bashkëpunimit të mëtejmë edhe në të ardhmen./b.j/-PS: Me shume foto shihni ne Facebook- Gazeta Dielli

Filed Under: Politike Tagged With: Policia e Kosoves-Bashkepunim- Policia e Nju Jorkut

Kostaq Stefa – kur bukuria shndërrohet në provë materiale të krimit

June 7, 2019 by dgreca

nga Shpend Sollaku Noé/

Në shtetin e shëmtuar që vriste atdheun e bukur. Të metamorfozës së medaljeve të ringjallura si pranga, të zinxhirëve e drynave me çelësa të hedhura në lumë. Të damkosjes së trurit me vula inkandeshente. Të rrënqethjes së barit. Të llurbës që dërgoi nën trikëmbësh auditorin. Të plumbit pas veshit që përdrodhi besën. Të ligjit të pjellë prej urrejtjes që vuri nën thembër të brishtën e mbetur pa mbrojtje. Të thikës pas shpine që theri përqafimin.

Kostaqi i bukur

   Këto rreshta janë diçka nga historia e një bojskauti të inteligjencës së re shqiptare, të flijuar në altarin e tiranisë. Shiheni me vëmendje këtë zotëri të vitit 1927: është Kostaq Stefa. Vetëm 22 vjeçar – tashmë qysh prej një viti pedagog në Shkollën Teknike të Harry Fultz-it, në Tiranë, pasi kish mbaruar në të njëjtën shkollë aq mirë sa të emërohej po aty. Një beratas modern, i bukur në mendje, i bukur në moral. Zotësia dhe pastërtia e shpirtit do ta shpinin po atë vit, në fatlumin 1927 të zgjidhej kryetar i organizatës së parë shqiptare të bojskautasve. Formimi fizik, moral e shpirtëror i rinisë së gjithandejme ishte qëllimi i këtij organizmi botëror. Këndvështrim i mbetur modern edhe sot  për ata që kanë lindur të bëhen prijësa. Sepse beratasi i bukur Kostaq Stefa i kishte të gjitha premisat për të qenë një prijës.

   Si të gjithë ata që kanë ardhur në këtë botë që të bëjnë mirë, ai djalosh beratas iu kushtua edhe Kryqit të Kuq.

  Si pothuaj të gjithë djemtë modernë, ishte edhe sportiv i zellshëm, në tenisin prej tij të preferuar.

  Kostaqi kish qenë edhe me fat, sepse kish lindur në një familje që asnjëherë nuk i ishte shmangur detyrës ndaj atdheut. Tradita familjare i nguste patriotizmin pa kushte. Që do të ishte edhe një tjetër nga bukuritë e këtij djali të përzgjedhur qysh prej lindjes për t’u bërë i shquar.

Që ajo bukuri të ishte e plotë mungonte diçka që rasti e solli krejt natyrshëm: Leni.  

Eleni e bukur

Bijë e Jançeve, bukuri tipike e viteve ‘30. Po të kish lindur gjëkundi tjetër, mund të ishte bërë aktore e dëgjuar. Elegante, me vështrim depërtues, e veshur sipas modës së fundit, nuk kish sesi t’i shpëtonte një tjetër syri të mençur, atij të Kostaqit. S’pati nevojë për shkuesi. Ai e ftoi në shtëpi sapo e pa me motrën e tij, Elpiniqin. Nuk qe e domosdoshme t’i deklaronte shuarjen e yjeve nëse ajo nuk do të pranonte: mesazh i shpirtit u bënë ca biskota në formë zemre. Që bojskauti ynë sapo i kish sjellë prej Londre. Ishte bërë një djalosh i bukur, do ta pëshkruante më vonë Kostaqin ajo. Kish flokë të dredhura e të ndara në mes, hundën e drejtë, faqet në të cilat gjendej gjithmonë një tis i kuq; buzët të plota…Sjelljet prej zotërie të trashëguara.

Ajo ishte ende nxënëse e Normales së Korçës në vitin më të bukur të bojskautit mangalemas, në të papërsëritshmin për ta: 1927. Syrit të saj të mençur e të mprehtë nuk do t’i shpëtonte ai ngazëllim i brendshëm i djaloshit ndërsa i ofronte herë pas here kutinë e biskotave londineze. Një zemër këtu, një zemër atje, përcjellja dhe propozimi i lumtur për një jetë të përbashkët që u bë edhe alfa e krijesave që sollën në jetë.

Familja e bukur – shtylla kurrizore e atdheut të ardhshëm

   Alfredoja, Vangjushi, Elda, Vitorja dhe Parashqevia – camërdhokja që sapo kish mbushur një vjeç. Këta pesë fëmijë, të gjithë si yje, i krijoi çifti i bukur Taçi e Leni. Për ta ngritja e familjes qe një art i vërtetë. Atdheu kishte nevojë të rritej. Si mund të zhvillohej më tej nëmos nëpërmjet fëmijëve të bukur?

Çfarë duhej t’u kish kërkuar më shumë shteti shqiptar shtetasve të tij? Eleni e Kostaqi i kishin plotësuar e tejkaluar të gjitha detyrimet ndaj Shqipërisë: ishin inteligjentë, kishin studjuar në shkollat më të mira shqiptare dhe të Evropës, kishin lozur pa hezitim rolin e tyre kur atdheu kish qenë në nevojë,  e shihnin orientimin e vendit të tyre drejt Perëndimit si diçka të natyrshme, të lindur me ADN e shqiptarit.

Një skenar i një filmi të mohuar, i zhvilluar kokëposhtë

   Ia kish kërkuar atdheu edhe atë sakrificë të lartë: shoqërimin drejt shpëtimit të tridhjetë amerikanëve të rënë andej nga Belshi. Mjekë, infermiere, ekuipazh i avionit. Ishim miq me amerikanët, ishim aleatë. Kishin qenë korrierët partizanë ata që i kishin përcjellë nëpër dhiare deri në Berat, për të mos rënë në dorën e gjermanit. Shtabi partizan i Beratit ia kërkoi Kostaqit atë detyrim. Boyskauti ynë e quajti nder. Dy prej infermiereve ushtarake amerikane u strehuan tek Stefët. Për tu nisur sa më parë drejt shpëtimit. Rrugëtim i pashkelur ndonjëherë as prej Kostaqit.

  Në librin “Ikja nga Shqipëria” të Anjes Mangeriçit, përshkruhet me besnikëri të fakteve sesi nën drejtimin e atij profesori mangalemas, u përshkrua itenerari pothuaj i pamundshëm: Berat – Dobrushë – Vërzhezhë – Leshnije – Zhulat – Progonat – Dhoskat – Gjirokastër – Tërbaç – Dukat. Ndarja pranë bregdetit. Kthimi i vetëm i Kostaqit për në Berat meriton një vepër letrare më vete. Por ai nuk e kish mendjen tek lavdia, por tek Leni e fëmijët. Dhe as që i shkonte ndërmend që sapo kishte përcjellë armiqtë e ardhshëm.

Ajo që duhet të ish bërë pika e tyre e forcës e familjes së Bukur Stefa, sipas logjikës së mbrapshtë të tiranisë u kthye në sferën e tyre të Sifizit.

Flamujt që nuk u shpalosën më

Ishin tre në mbledhjen e Beratit, atë të stërtrumbetuarën e tetorit të 1944-ës. Në rrjedhën e zhvillimeve të mëvonshme dy prej atyre flamurëve – Union Flag dhe Stars and Stripe – do t’i merrnin vorbujt, do të mbetej vetëm ai i mesit, me drapër e çekan. Askush brenda kufirit të shtetit nën yllin që kullonte gjak nuk duhej më të shihte miqësinë dhe krenarinë në valëvitjen e tyre.

 Ajo që së pari përflitej, fatkeqësisht ndodhi.

Në mbëmjen e 8 shtatorit të 1947-ës, në portën e Stefajve dikush troket me këmbë. Në emër të popullit. Të popullit të kujt, kërkon të kuptojë gjuhën e terrorit Kostaq Stefa. Të popullit të tyre, sigurisht, jo të popullit tim. Janë tre. Ushtarakë. I shquari djalë mangalemas nuk kish dashur t’i besonte si të vërteta lajmet e marra në Tiranë sipas të cilave amerikanët, britanikët dhe gjithkush që kishin punuar me ta, sipas gjykimit sllav të cilit atdheu i shqipeve po i nënshtrohej, tashmë ishin të gjithë armiq.

Ku ishte vendosur arrestimi i tij, në Moskë apo Beograd?

   Profesor Stefa detyrohet t’i kthejë shpinën shtëpisë. Leni e tij dhe të katër fëmijët më të rritur – Tina ishte vetë disa muajshe – do të mbajnë përgjithmonë në paradhomat e kujtesës atë kurriz atësor që e përpiu errësira.

Pjelladreqët e territ dhe akuzat e sajuara

As që i kishin kaluar ndërmend Eleni Jançe Stefës se të gjitha ato veçori të mrekullueshme të Taçit të saj do të konsideroheshin krime. Krim sepse fliste e shkruante shkëlqyer anglishten? Krim sepse shpëtoi mjekë e infermierë nga asgjësimi i sigurtë prej nazistëve? Krim sepse kish mbaruar Tekniken e Herri Fullcit? Krim sepse kish qenë 22 vjeçar pedagog? Krim sepse kish studjuar në Firence? Krim sepse kish qenë profesor edhe në Qytetësen e Beratit? Krim sepse kish ndërtuar një familje sipas traditës patrotike të prejardhësve? Krim sepse ishte i pastër si pika e vesës në Tomor?

Sa herë do t’ia kish përsëritur vetes këto pyetje kur u sekuestruan pasurinë dhe nuk u lanë asnjë kuvertë, kur i përzunë edhe nga streha e tyre – kështjellë e shumëbrezave Stefa – , për ta përplasur me 5 fëmijë në furrën e pjekjes poshtë shtëpisë; kur pa në dorën e policit sahatin e Taçit prej 500 napolonësh flori as edhe të regjistruar në letrën e konfiskimit; kur do ta pushonin nga mësuesia; kur të pesë engjëjt e saj dhe ajo vetë do të mbeteshin në dorën e miqve  e farefisit.

E mendoj shpesh atë zonjë të çmuar Eleni Stefa, sa herë që më kujtohet nëna ime. Ne ishim gjashtë fëmijë kur na e dënuan babanë. Dhe na u bënë shpëtimtarë dajat krutanë, i miri kushëri Gani Duro në Berat, por edhe miqtë e shumtë. Nuk mund të harroj sidomos një Vit të Ri, kur shoqërova mamanë nga Lushnja, në muzg, nëpër shi, bubullima e llucë, deri në Plug, tek një mikeshë e saj të internuar atje – Nebaet Kollçinaku – për të kërkuar borxh, pasi nuk kish mbetur asnjë lek edhe për të blerë ca portokalle!  Për të tjerat as që bëhej fjalë. Sido që ndodhi, babi ynë të paktën doli i gjallë prej minierës së kromit. Të pesë fëmijët e Kostaqit nuk do ta shihnin më të jatin.

Nuk qenë lëmosha ato që njerëzit e mirë u ofruan Elenit e të bijve, por mbijetesa me kokën lart.        Mbijetesë që nuk ndoti aspak veçoritë e vyera familjare të Stefëve deri në 18 janarin e vitit 1993.

Ish gjendur gropa ku kishin hedhur Kostaqin dhe tre beratasit e tjere. Elenit i erdhi ora të ballafaqohej me të hamendurën. Sidoqoftë, mendoi se mund të konsiderohej “me fat”. Burbuqe Haxhiademi nuk arriti ta mbushte me substancë mermerin e Ethemit të saj. Aldo Renato Terrusi e kërkon akoma dëshpërimisht të jatin e groposur në burgun e Burrelit e sa të tjerë. E sa të tjerë… që bredhin nëpër eter pa asnjë banesë të fundit.

Në shtetin e shëmtuar që vriste atdheun e bukur. Të metamorfozës së medaljeve të ringjallura si pranga, të zinxhirëve e drynave me çelësa të hedhura në lumë. Të damkosjes së trurit me vula inkandeshente. Të rrënqethjes së barit. Të llurbës që dërgoi nën trikëmbësh auditorin. Të plumbit pas veshit që përdrodhi besën. Të ligjit të pjellë prej urrejtjes që vuri nën thembër të brishtën e mbetur pa mbrojtje. Të thikës pas shpine që theri përqafimin.

Rëndësia e gjetjes së eshtrave të Taçit të saj të hijshëm, sidoqoftë, e kish përfshirë të gjithën. Ajo e mendoi gjatë atë çast të pushkatimit, atje, buzë përroit në Uznovë, në vitin e murgët 1948.  Me të qeshurën e plasaritur përjetë, me lotin e shkretuar.Ajo, Eleni kokonë, i dëgjoi përsëri e përsëri ato krisma. U ngjeth. Në buzë të gropës së përbashkët. Mbylli sytë. Në vesh përceptonte qartë psherëtimën e Kostaqit të bukur: “Ah, Leni im, më pushkatuan, o shpirt, më 3 mars, pas mesnatës. Qemë katër ne të mbyturit në gjakun tonë. I kisha njohur. Ishte Tajfur Haznedari, nëpunësi i bashkisë, ishte edhe avokati Hamit Myftiu, ishte edhe Babai i Teqesë Bedri Cakranji. Nuk po ta rrëfej sesi ramë pranë njeri-tjetrit. U përpoqëm të ishim bashkë, që të katër. Nuk u përqafuam dot. Njërin krah ma kishin thyer. Duart i kishim të lidhura me zinxhirë. Zinxhirët të mbyllyr me dryn. Të mbyllur edhe përtej vdekjes. Me çelësin të hedhur larg, drejt trojeve ku flitej sllavisht. Ky dryn që shihni tani në mes të eshtrave të parakrahëve të mi. Sa më kanë dhembur ato eshtra! Dhe bënte ftohtë, shumë ftohtë pasi na mbuluan me baltë. Ndieja të dridhura vazhdimisht… Deri sa u ngjita atje lart, përmbi Taben e Kalasë. Ju shihja si në pëllëmbën e dorës. Ju kam ndjekur çdo çast, por nuk zbrisja dot deri tek ju. Kishte shumë egërsira nëpër rrugë, qenër që pëllisnin, dosa që lehnin. Më piku malli për ty, Leni im e shtrenjtë. U dogja shkrumb për fëmijët tanë. Si ia bënin pa përkëdheljet e mia Fredoja, Elda, Toti dhe Tina? Vangjo a ia arriti të mësohej pa mua? Qemë shumë të lidhur”. “Ah, Taçi im, asnjëhere nuk u mësua Vangjo me humbjen tënde, as të tjerët. Qe ai, bashkë me Fredon që t’u gjendën të parët kur të zbuluan nga nënbalta”.

Qiell që rrotullohet rreth syve të Elenit të bukur; tokë që trandet që prej përbarqeve. Meteorë që rrëshkasin e përthyhen sikur të ishin bij vetëtimash. Qiell i rrafshët që përkulet mbi baltë. “Po të shpjemë në një vend me dritë, Taçi. Nuk ke për të pasur më ftohtë”.   

Diciturat e Fotografive: 1- Kostaq Stefa pedagog tek Teknikja e Harry Fultzit. 2- Kostaqi dhe Eleni te porsamartuar 3- Familja Stefa ne vitin 1942. Me ta edhe motra e Kostaqit si edhe bashkepunetorja shtepiake e familjes Stefa. Tina nuk kishte lindur akoma 4- Shtepa e Stefajve ne Mangalem

Filed Under: Histori Tagged With: Shpend Sollaku Noe'-Kostaq Stefa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 990
  • 991
  • 992
  • 993
  • 994
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT