• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)

January 22, 2026 by s p

Saimir Kadiu/

110 vjet me pare lindi lojtari i madh shqiptar Riza Lushta… Asnje shkrim apo ndonje kujtese per shqiptarin e pare qe ka luajtur me Juventusin ne Serie A. Ai ishte pjesë e një skuadre të bukur si Juventusi, por jo shumë të suksesshme ne fillimvitet 40’ të dominuar nga kushërinjtë e tyre “Granata”.

Riza Lushta megjithatë arriti të shënojë emrin e tij në historinë e lavdishme të Juventusit dhe ishte një nga arkitektët kryesorë të suksesit te fitimit te Kupes se dyte te Italise nga “Zonja e vjeter” e futbollit Italian.

Lushta mbrriti ne Itali nga Kampionati shqiptar i futbollit te paraluftes, ku ai luante ne rradhet e Sport Klub Tiranes…me te cilen fitoi katër tituj kampioni të Shqipërisë (në vitet 1934, 1936, 1937 dhe 1939) dhe kupën e parë të Shqipërisë në vitin 1939.

Gjate viteve shqiptare te Lushtes, ai ishte edhe shenuesi me i mire i kampionatit shqiptar ne vitet 1936 dhe 1937.

Kishte lindur me 22 janar 1916 ne Mitrovice te Kosoves, ne nje familje te pasur tregtare.

Babai i tij Shabani kishte dy femije, djalin Rizain dhe vajzen Magbule. Meqe i ati Shabani, ishte nje tregtar i pasur dhe i njohur jo vetem ne Mitrovice, por edhe me gjere, djalin e vete Rizain qysh heret e dergoi per shkollim ne Shqiperi, sepse asokohe ne Kosove nuk ekzistonin shkollat shqipe.

Ne Tirane, Riza Lusha kreu shkollen fillore, dhe u regjistrua ne shkollen e mesme teknike shqiptaro-amerikane.

Ishte kjo e para shkolle profesionale politeknike ne Shqiperi, e cila ne literaturen e paraluftes eshte quajtur, Shkolla Teknike Amerikane ose Shkolla e Hari Fulcit (Harry Trevly Fultz).

Lushta, pavarësisht se nuk ishte qendërsulmues në kuptimin e vërtetë të fjalës, kishte një sens të caktuar për golat! Në sezonin e tij të parë nën hijen e Mole duke luajtur si mesfushor i majtë, ai shënoi nëntë gola së bashku me Guglielmo Gabetto i cili shënoi gjashtëmbëdhjetë dhe më pas iu bashkua Toros.

Sezonin vijues 1941-42, ai ishte përgjithmonë në qendër të sulmit për shkak të dështimit të amerikano-jugorit Banfi, pasardhësi i Gabettos: “Ishte një sezon pozitiv për mua, edhe nëse përfunduam në vendin e gjashtë; me gjashtëmbëdhjetë golat e shenuar isha golashënuesi numër një i Juventusit dhe gjithashtu në kampionatin tim të tretë dhe të fundit në Juventus, rezultatet e përballuan situatën me shtatëmbëdhjetë gola, vetëm dy më pak se Sentimenti III. Pastaj erdhi ndërprerja per shkak te luftës”, kujtonte Riza vite më vonë.

Në atë vit Juventusi fitoi edhe trofeun e Kupës së Italisë të fituar në finale kundër Milan (e quajtur Milano nga ligjet fashiste).

Riza ishte protagonist mbi të gjitha në ndeshjen e kthimit të fituar 4-1 nga bardhezinjtë falë një hat-trick pas barazimit të arritur në ndeshjen e parë 1-1 në fushën e kuqezinjve.

Lushta ishte golashënuesi më i mirë i turneut me 8 gola, lojtari i parë jo-italian që arrinte këtë sukses.

Ky ishte formacioni i JUVENTUS ne kete ndeshje: Peruchetti – Foni, Rava – Depetrini, Parola, Locatelli – Colaneri, Varglien II, Lushta, Sentimenti III, Bellini. (Trainer Monti).

Foni, Rava, Locatelli. Peruchetti, Depetrini, Parola ishin lojtare te perfaqesues italiane.

Lushta ka mbërritur në Juventus me fat. Në kohën kur ai luajti për “dei galletti pugliesi” ne Bari në maj 1940 u përball me Juventusin dhe Bari fitoi 2-1 falë nje dygoleshi të shënuar nga Riza, i cili luajti një ndeshje madheshtore.

Borel II, e vuri re nga tribuna dhe mbështeti blerjen e tij . Juventus mundi konkurrencën nga Venezia dhe Fiorentina falë ndërmjetësimit të presidentit të atëhershëm, Count De la Forest.

Dhe që nga ajo ditë jeta e tij u lidh me Zonjën e Vjetër…

Juventusi në atë kohë luante me “il Metodo”, e shpikur nga Vittorio Pozzo dhe Hugo Meisl dhe Lushta luante si mesfushor i majtë, por nuk u kufizua vetëm në vrapimin dhe mbajtjen e topave. Ai kishte, në fakt, një sens të mirë të golit, i cili u rafinua duke pasur pranë tij elementë të kalibrit të Meazza, Borel, Sentimenti III, Locatelli. Dhe para kësaj Colaussi dhe Gabetto.

Ai luajti me ngjyrat bardhezi deri në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe më pas kaloi në Napoli, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e lavdishme të Juventusit!

Riza Lushta ka luajtur në Francë me ekipin AS Cannes (1948-1951) dhe në Itali në Seria A me ekipet A.S. Bari (1939-1940) Juventus F.C. , Napoli (1945-1946) dhe Alessandria (1946-1948) në Seria C me ekipin Siena (1951-1952) dhe në Seria D me ekipet Forlì (1952-1953) dhe Rapallo (1953-1954).

Ai përmbylli karrierën e tij në viti 1954 në moshën 38 vjeçare.

Në Seria A ka zhvilluar 170 ndeshje dhe ka shënuar 68 gola.

Me Juventusin ne Serie A ka luajtur 85 ndeshje (46 gola) gjatë viteve 1940-45.

Stadiumi I Mitrovices ne Kosove mban emrin e tij.

Vdiq 29 vjet me pare me 6 shkurt 1997 ne Torino.

Ende sot nuk ka asnje lojtar shqiptar qe ka luajtur ne ligat kryesore evropiane te kete shenuar me shume gola se Riza Lushta.

Ai nuk luajti asnje ndeshje me perfaqesuesen shqiptare.

Perpjekjet e Loro Boricit, per ta patur pjese te perfaqesueses kuqezi ne Ballkaniaden e vitit 1946 ne Tirane deshtuan…

A eshte Riza Lushta futbollisti me I madh shqiptar.., “Riza Pasha” sic e cilesonte Guerin Sportivo ?

Perfitoj nga ky postim per shtuar edhe diçka shume te rendesishme.

Lushta kishte talentin e madh, por ishte mbeshtetja prinderore e fisnikut tiranas SELMAN STERMASI qe mundesoi kalimin e Lushtes ne Itali…

Mirenjohja e Lushtes nuk mungoi asnjehere per te…

Ne vitet 60’ Lushta I kishte dhuruar nje teleivizor bamiresit te tij ( asokohe kjo ishte nje dhurate shume speciale).

Kam degjuar qe kur Partizani luajti ne Torino kunder Torinos ne vitin 1968 drejtuesve te ekipit Partizani iu terhoq vemendja perse kishin takuar Lushten…per te cilin ishte instaluar harresa duke mos iu permendur emri ne historine e futbollit shqiptar.

Nuk di te kete ndonje bust, rruge apo institucion sportiv me emrin e Riza Lushtes…

Nuk u ftua asnjehere te vinte ne Shqiperi, as ne kohen e miqve te Fosco Dinucit dhe as ne kohen e demokracise.

Turpi vazhdon…

Filed Under: Sport

Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)

January 22, 2026 by s p

Veri Talushllari/

Edhe sot, pas 85 vitesh, kur tregon atë ngjarje, Qemane Kadiasi-Hajdarasit i dridhet zëri dhe herë herë i shkojnë lotë. Qemaneja është tezja ime, motra më e vogël e nënës sime, Parizes, dhe unë dhe ime motër, Egla, që kemi ardhur nga Amerika ta takojmë, i kërkojmë t’na tregojë për tragjedinë e familjes së nënës sonë siç e ka dëgjuar dhe përjetuar. Ajo vetë ishte vetëm disa muajshe kur ndodhi ngjarja, dhe plagën reale dhe atë shpirtërore i ka mbartur në trup e në shpirt tërë jetën e saj. Kur e goditi copa e predhës ishte në djep, dhe askush nuk u kujtua të merej me të në atë llahtarë, ndërsa gjaku i rridhte nëpër oborrin e shtëpisë. Të mëdhenjtë që i shpëtuan goditjes vrapuan pas më të rriturve të vrarë e të plagosur, të përhapur nëpër shtëpi. Por si i thonë, jetëgjata nuk bëhet jetëshkurtër, dhe tezja ime e mirë, me një kujtesë të mrekullueshme, e rrethuar me një tufë djem e vajza, nipër e mbesa, është ulur e tregon:

-Po ç’të të them more bir. Ishte janar atë ditë. Janar i ’41së. Mesditë. Kishim ngrënë drekë dhe sejcili merej me diçka. Babai, Izeti, po rregullonte opingat ulur në mes të odës, nënia, Pemja, lante rrobat në oborr me një sy mbi mua në djep, mamaja juaj, Parizja, dy vjeç e ca fëmijë, luante, Perifani, vëllai, 12 vjeç djalë ishte në odën tjetër e të tjerët aty përreth. Kishim shtëpi të mirë, të madhe për atë kohë, dykatëshe. Faqen që shikonte nga Mali i Tomorrit e kishin lyer me gëlqere. Nga që dukej së largu, grekët e morën në shenjë.

-Po grekët ku ishin?- e pyes.

-Grekët mor bir ishin ca te Hani i Xhipe Shahinit në Kodovjat të Gramshit, por kishte dhe në Ermënj… Shtëpinë tonë e morën si shenjë, se ta thashë, dallohej që larg. Goditën dhe në Çorrotat, u vra e ëma e Njazi Çorrotatit mu në vatër. Vetë Njaziu mbeti sakat, me një krah të prerë. Pasi goditën në Çorrotat, ata qenër ju kthyen fshatit tonë, Zhepës. Ra predha drejt e mbi çatinë e shtëpisë sonë or të keqen tezja, për atë tmerr e llahtarë që s’ka gojë ta rrëfejë. Baba Izeti vdiq në vend, mbase më shumë nga tymi e pluhuri, se trupi nuk ju prish. Vëllait, Perifanit i ra copa e predhës në kokë, po nuk vdiq aty. Edhe unë e motra, mamaja juaj, u gjakosëm, unë në ije,Parizja në pulpën e këmbës. Të tjerët, nëna Peme, dy vëllezërit, Avniu dhe Iljazi, xhaxha Selmani me hallo Xheken dhe djemtë, shpëtuan.

-Po të këqiat nuk mbaruan aty mor bir-vazhdon tezja mes lotësh. -Babain nuk mund ta varrosnin në varrezat e fshatit, se grekët, po të shikonin grumbull njerëzish, u a hidhnin predhën pa një pa dy. Kishin frikë kur shihnin shumë njerëz bashkë, se mos i sulmonin. Po edhe për terror, donin ta frikësonin popullin, ta bënin vendin pjesë të Greqisë. Prandaj babain e varrosën si mundën. Tani halli ishte të shpëtonin djalin, Perifanin. Spitali ushtarak grek ishte matanë malit, përtej Gurit të Prerë, në Rosover. Halli të çon edhe te hasmi or të keqen, dhe nënia me djalin në krah vajti, por doktorët grekë nuk ishin njerëz, ishin katilë, nuk kishin zemër., nuk e mjekuan djalin. U ngjitën në Qafën e Gjarpërit dhe zbritën në Kovaçanj, ku ishte spitali tjetër i ushtrisë greke. Po edhe aty doktorët më katilë. Njëri tha që “Nuk e zë me dorë pa ardhur e ëma te unë!”.

-Po pse, ç’e donte Neken?!- pyeti me naivitet njëri nga të vegjlit. Neke i thoshim gjyshes ne dhe fëmijêt tanë.

-Po ishte e re, e bukur more bij. Asaj ditëzezës i luante mëndja e kokës nga hallet që i ranë, burrin të sapo varrosur, djali po i vdiste, në shtëpi kish lënë një tufë fëmijë në qiell të hapur, dy vajzat e vogla të plagosura, ai maskara e kish mëndjen te qejfi. Dhe e la djalin të vdiste. Aty, në Kovaçanj dhe e varrosën,. Vonë, pas lufte e morëm.

Por ishte grua e fortë gjyshja dhe stërgjyshja juaj. Jo çdo njeri bën atë që bëri ajo. Vetë burrë vetë grua, si i thonë fjalës, i vuri shpatullat shtëpisë, na rriti dhe na martoi me nder e sakrifica. Por në ato vite kishim dhe xhaxhain, Selmanin, ishim një zjarr, një vatër, një magje, kafshitën bashkë e ndanim. Kishte vëllazëri, kishte njerëzillëk në ato kohra.

– Po më tej?- e shtyjmë bisedën ne më të mëdhenjtë, që sigurisht kemi dëgjuar për këto ngjarje të dhimbshme, por nuk i kemi askund të shkruara apo të regjistruara.

-Nënes sonë nuk ju mbyllën ato ditë hallet or ju paça! Se lufta vazhdonte. Vëllai ynë i madh, Avniu, nuk mund të ndahej nga shokët, u lidh me partizanët, e një natë, ndërsa furnizonin çetat me municion, u vra. Pas lufte u shpall dëshmor i Atdheut, por nënes dhe gjithë shtëpisë ju shtua dhe një vdekje, një dhimbje, po ju pre dhe një krah pune, atëherë kur shtëpia kish aq nevojë për të. Po prapë nëna Peme nuk e uli kokën, nuk u dorëzua.

I dashur lexues. Këto ngjarje kanë ndodhur 85 vjet më parë, por plagët e atyre krimeve që grekët kanë bërë mbi tokën tonë, mbi popullin tonë.

Filed Under: Interviste

Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë

January 22, 2026 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Masakra e Reçakut përfaqëson një nga krimet më të rënda të kryera kundër civilëve shqiptarë të Kosovës gjatë konfliktit të armatosur të viteve 1998–1999 dhe zë një vend qendror në Aktakuzën e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY). Sipas të dhënave të Tribunalit, kjo masakër nuk përbënte një incident të izoluar, por ishte pjesë e një fushate të gjerë, të përhapur dhe sistematike dhune, të ushtruar nga forcat e Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) dhe të Serbisë kundër popullsisë civile shqiptare në Kosovë.

Duke filluar nga 1 janari 1999 dhe deri në datën e ngritjes së aktakuzës, forcat e RFJ-së dhe të Serbisë, sipas Tribunalit, vepruan me urdhër, inkurajim ose mbështetje të drejtpërdrejtë të figurave më të larta shtetërore dhe ushtarake: Slobodan Millosheviq, Milan Millutinoviq, Nikola Sainoviq, Dragoljub Ojdaniq dhe Vlajko Stojilkoviq. Ky fakt dëshmon se dhuna e ushtruar ndaj civilëve shqiptarë nuk ishte spontane apo e rastësishme, por e lidhur ngushtë me struktura vendimmarrëse shtetërore dhe mekanizma të organizuar të pushtetit.

Megjithëse dhjetëra verifikues të OSBE-së ishin të pranishëm në Kosovë për të monitoruar situatën e sigurisë, armiqësitë nuk u ndalën. Përkundrazi, organizatat ndërkombëtare dhe ato për të drejtat e njeriut dokumentuan vrasje të shumta të civilëve shqiptarë, duke konfirmuar përmasat dhe natyrën sistematike të krimeve të kryera.

Ngjarjet e 15 janarit 1999 në Reçak

Sipas Aktakuzës së Tribunalit, më 15 janar 1999, në orët e hershme të mëngjesit, fshati Reçak, në komunën e Shtimes, u sulmua nga forcat e RFJ-së dhe të Serbisë. Sulmi filloi me granatime nga njësitë e Ushtrisë Jugosllave (VJ), duke krijuar një gjendje terrori dhe pasigurie të skajshme për popullsinë civile. Më pas, policia serbe hyri në fshat dhe filloi kontrolle sistematike shtëpi më shtëpi, një metodë e përdorur gjerësisht në operacionet represive kundër civilëve.

Banorët e fshatit që tentuan të largoheshin për t’i shpëtuar policisë u qëlluan në vende të ndryshme të Reçakut. Një grup prej rreth 25 burrash të paarmatosur u përpoqën të fshiheshin në një ndërtesë, por u zbuluan nga forcat policore. Ata u rrahën brutalisht, u nxorën nga ndërtesa dhe u dërguan në një kodër aty pranë, ku u ekzekutuan me armë zjarri. Në total, rreth 45 shqiptarë të Kosovës u vranë në dhe përreth Reçakut, çka përbën një vrasje masive të civilëve.

Kualifikimi juridik i krimit

Tribunali e përfshiu Masakrën e Reçakut në kuadër të krimeve kundër njerëzimit dhe shkeljeve të ligjeve ose zakoneve të luftës. Elementet kryesore që mbështesin këtë kualifikim juridik janë:

statusi civil dhe i paarmatosur i viktimave;

natyra e organizuar dhe sistematike e operacionit;

përfshirja direkte e forcave shtetërore, policore dhe ushtarake;

dhe lidhja e qartë e kësaj masakre me një fushatë më të gjerë dhune në Kosovë.

Pasojat dhe dimensioni i drejtësisë ndërkombëtare

Masakra e Reçakut pati ndikim të drejtpërdrejtë në reagimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe shërbeu si një moment kyç që çoi në organizimin e Konferencës së Paqes në Rambuje në shkurt 1999. Megjithëse bisedimet përfshinë përfaqësuesit më të lartë të Serbisë dhe RFJ-së, si dhe delegacionin shqiptar të Kosovës, ato dështuan në mesin e marsit 1999, duke hapur rrugën për përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.

Megjithatë, pavarësisht përfshirjes së Masakrës së Reçakut në aktakuzat e ICTY-së, Tribunali i Hagës nuk dënoi asnjë udhëheqës serb drejtpërdrejt për këtë krim, ndonëse faktet, dëshmitë dhe hierarkia komanduese policore dhe ushtarake ishin të njohura dhe të dokumentuara. Kjo krijon një hendek të dukshëm mes të vërtetës faktike dhe rezultatit juridik.

Kur kjo situatë krahasohet me proceset e zhvilluara para Gjykatës Speciale në Hagë, ku në masë të madhe janë ricikluar dëshmitarë dhe materiale nga proceset e mëparshme gjyqësore të UNMIK-ut, bëhet e qartë se ekziston një tendencë për të krijuar një baraspeshë artificiale midis krimit shtetëror serb dhe krimeve sporadike individuale që kanë ndodhur në Kosovë gjatë ose pas luftës. Krime të tilla, në forma të ndryshme, janë evidentuar edhe në shoqëri të tjera pas konflikteve të armatosura, përfshirë Gjermaninë pas Luftës së Dytë Botërore, si dhe në shumë vende që kanë dalë nga lufta.

Filed Under: Emigracion

FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN

January 22, 2026 by s p

Avni Alcani/

Në trevat e Kandavisë antike (Librazhdi i sotëm), si dhe përgjatë luginës së lumit Genesis (Shkumbini i sotëm) ka kaluar një nga rrugët më të vjetra dhe më të famshme në botë, rruga antike me emrin “Via Egnatia”, e cila bashkonte dy pjesët e Perandorisë Romake, atë Perëndimore dhe pjesën Lindore të saj. Rruga zinte fill në qytetin e Romës dhe, nëpërmjet Via Appia-s, lidhte Romën me pjesët lindore të gadishullit Apenin, duke dalë në Adrikatik, në qytetin antik të Dyrrahut. Emrin “Via Egnatia” ajo e mori për nder të konsullit romak Egnatius. Rruga e përshkonte mes për mes të gjithë gadishullin e Ballkanit, nga Durrësi në Kostandinopojë, dhe u shërbente romakëve për lëvizjen legjioneve ushtarake të Romës, për pushtimin e viseve të tjera lindore, si dhe për shkëmbimin e mallrave nga Roma në vendet e pushtuara dhe anasjelltas.

Pjesa më e madhe e kësaj rruge, nga stacioni i Klodianës (Peqini i sotëm) dhe deri në stacionin romak të Tres Tavernas (Qukësi i sotëm), kalonte nëpër luginën e lumit Genesis. Gjatë rrugës ishin ndërtuar disa ura prej guri. Nuk ka të dhëna historike se kur janë ndërtuar këto ura, por gjurmët e disa prej tyre ruhen ende, siç janë disa fragmente muresh dhe urash, si ura në fshatin Çopanaj të Peqinit, ura e madhe e Topçiasit, fragmente muresh në Mirakë, ura e kullimit të ujrave në Dardhë të Librazhdit (fig. 2), disa fragmente urash në fshatin Qukës etj. Ura e Çopanajt, e cila ndodhet mbi përroin me të njëjtin emër, ruhet ende në gjendje shumë të mirë. Ura ka vetëm një hark, i cili ka një formë (konike) mjaft interesante, ndryshe nga urat e tjera prej guri të lumit Shkumbin (fig. 1). Ajo është i ndërtuar me gurë të skalitur, që janë të lidhur me llaç gëlqereje. Pjesa e sipërme e harkut është e ndërtuar me tulla të lidhura gjithashtu me me llaç gëlqereje. Mendohet se ura është ndërtuar rreth shek. të 2- të pas Kr. Në vitet 30-të të shekullit të kaluar mbi urën egzistuese u ndërtua një urë moderne, përmasat e së cilës janë rreth 3.17 metra, e cila, fatmirësisht, e ka mbrojtur urën nga shkatërrimi.

Rruga Egnatia ka ekzistuar përgjatë gjithë periudhave historike. Gjatë pushtimit otoman, përgjatë luginës së Shkumbinit ishin ndërtuar dhe rindërtuar disa ura prej guri, si ura e Polis-Gostimës, ura e Haxhi Beqarit, ura e Kamares, ura e Qukësit, ura e Prenit në Bushtricë dhe ura e Golikut. Këto ura kishin një arkitekturë dhe bukuri të jashtëzakonshme, të cilat patën tërhequr vemendjen e disa prej udhëtarëve të huaj. Një e tillë, p.sh., ishte ura e Qukësit, e memorizuar në vitin 1848 nga piktori anglez Eduart Lir, si dhe ura tjetër (po në Qukës), që ishte fotografuar nga ushtarë austriakë gjatë Lufës së Parë Botërore. Të dy këto ura sot nuk ekzistojnë. Po në këtë periudhë (otomane) është fotografuar dhe pikturuar ura me harqe e Haxhi Beqarit në Mirakë nga autorë anonimë, e cila, gjatë Luftës së Dytë Botërore, u shkatërrua plotësisht nga bombardimet e anglezëve (fig. 3). Gazetari dhe shkrimtari britanik, Bernard Newmen, gjatë viteve ’30 te shekullt të 20-të, ndërmori një udhëtim me biçikletë në disa vënde të Ballkanit Perëndimor. Ai ishte mahnituar nga bukuria e urave prej guri mbi lumin Shkumbin, të cilat i përshkroi në librin e tij me kujtime “Derë e pasme e Shqipërisë”. Ai i përshkruante ato si “ura me një bukuri magjepëse, si në ëndërr” (B. Newmen: “Albanian Back-door”, London 1936).

Në drejtim të rrjedhës së lumit Bushtrica, rreth 3 kilometra sipër urës së Bushtricës, ndodhet “i fshehur” një kanion madhështor me një bukuri të jashtëzakonshme, me emrin “Kanioni i Menikut”. Ky kanion është monumenti natyror më i bukur dhe më veçantë që ndodhet në trevat e rrethit të Librazhdit. Veç bukurisë magjepëse ky kanion mbart një monument të jashtëzakonshëm, siç është ura antike, që quhet “Ura e Prenit”. Nuk dihet se si dhe kur është ndërtuar dhe as përse quhet me këtë emër. Ajo është e ndërtuar sipër kanionit, në një lartësi prej 50 metrash. Ura ka qenë pjesë e një degëzimi të rrugës antike “Egnatia”. Sipas arkitekturës së saj dhe mjeshtërisë (teknikës) së ndërtimit, ajo duhet të jetë ndërtuar para shumë vjetësh. Ura ka një mjeshtëri ndërtimi dhe një bukuri të jashtëzakonshme, që e bën atë që të jetë për nga ndërtimi monumenti më i veçantë dhe më original në Shqipëri. Rreth viteve 60-të të shekullit të kaluar mbi urën egzistuese u ndërtua një urë moderne, e cila shërbente për shfrytëzimin e mineralit të hekur-nikelit, e cila e ka mbrojtur urën nga shkatërrimi i saj (fig. 6).

Jo të gjitha urat prej guri të i patën rezistuar kohës dhe shkatërrimit të tyre të plotë. Vetëm shumë pak prej tyre kanë mbijetuar deri në ditët tona. Fati i disa prej urave prej guri të rrugës “Egnatia” në lumin Shkumbin, si djegia dhe shkatërrimi i tyre, i ka përndjekur ato ndër shekuj. Dëshminë më të herëmshme e kemi nga një autor i shekullit të 5-të , siç është historiani bizantin Malhu, i cili ka përshkruar djegien e një ure mbi lumin Shkumbin. Gjatë një beteje që zhvilluan bizantinët kundër gotëve në vitin 459, shkruan ai, mbreti i gotëve, Teodoriku i Madh, u ndesh me Adanadin, të dërguarin e Perantorit bizantin, i cili e sulmoi ushtrinë gote në urën e Mirakës. Për të shpëtuar ushtrinë dhe familjen e tij nga gotët, ai e dogji urën mbi lumin Shkumbin (“Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë”, 2002, f. 409). “Ndërkohë ushtria bizantine, – shkruan arkeologu Neritan Ceka, – e goditi në befasi praparojën e ushtrisë gote, e cila po zbriste përgjatë rrugës Egnatia, ndërmjet të cilëve gjendej nëna dhe vëllai i Teodorikut. Familja mbretërore shpëtoi duke djegur urën mbi lumin Shkumbin, sigurisht në Mirakë” (N. Ceka: Ilirët, Tiranë 2000, faqe 274).

Në të gjithë gjatësinë e lumit Shkumbin sot ruhen të plota vetëm dy ura me harqe prej guri të periudhës osmane: ura e Golikut (Monument Kulture e kat. I) në Mokër të Pogradecit (fig. 5) dhe ura e Kamares (Monument Kulture e kat. I) në fshatin Mirakë të Librazhdit. Ura e Kamares është ura më e madhe prej guri mbi lumin Shkumbin dhe një nga urat më të bukura në Shqipëri (fig 4). Kurse urat e tjera, si ura e me harqe e Qukësit, e pikturuar nga Eduart Lir, sot nuk egziston. As ura prej guri, e rindërtuar po në atë vënd, nuk ekziston. Ato ruhen vetëm në pikturën e Lirit dhe në një fotografi e bërë nga ushtria austriake. As ura e famshme me harqe, e quajtur Ura e Haxhi Beqarit në Mirakë, sot nuk ekziston (fig. 3). Disa foto të Luftës së Dytë Botërore dëshmojnë se në këtë periudhë ajo ka qenë e shkatërruar pjesërisht. Fati i kësaj ure u vendos gjatë Luftës së Dytë Botërrore, gjatë dimrit të vitit 1943-1944, e cila u bombarduar nga avionët luftaranë të ushtrisë aleate (britanike), të cilët sulmonin ushtrinë gjermane.

Por fati i keq po i ndjek urat prej guri deri në ditët tona. Ura më fundit e shkatërruar është ura me një hark mbi lumin Gostimë, e cila kishte një pamje të mrekullueshme dhe shumë të bukur. Për fat të keq, ura u shkatërrua plotësisht në vitin e afërt 2024 nga vërshimet e lumit Gostimë (fig. 5). I bëj thirrje organeve shtetërore përgjegjëse, pushtetit lokal, si dhe të gjithë komunitetit dhe banorëve të fshatrave të Polisit, që ta ringrejnë përsëri urën ashtu siç ka qenë, pasi ajo është një vepër e mrekullueshme monumentale e trashëgimisë sonë kulturore dhe historike. Të gjitha mundësitë janë, pasi gurët dhe një pjesë e urës janë ende aty (sa pa i rrëmbyer lumi edhe ato). Të njëjtin fat i keq mund ta ndjekë edhe urën e Prenit mbi kanionin e mrekullueshëm të lumit të Bushtricës, i cili, jo vetëm duhet të shpallet menjëherë Munument Kulture i mbrojtur nga Shtetit Shqiptar, por duhet urgjentisht t’i bashkohet në administrim Parkut Kombëtar të Maleve të Kuqe (Shebenikut).

Filed Under: Kulture

Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt

January 22, 2026 by s p

Studim nga Rafael Floqi/

Figura e Gjergj Kastriotit Skënderbeut ka qenë për shekuj me radhë qendra gravitacionale e kujtesës historike shqiptare. Në traditën tonë letrare dhe historiografike, ajo është ndërtuar fillimisht nga Barleti, më pas nga letërsia arbëreshe, Rilindja Kombëtare dhe historiografia e shekullit XX. Në këtë shtresëzim të gjatë tekstesh, heroi i Krujës shfaqet kryesisht si një luftëtar i vetëm, i vendosur ballë për ballë me Perandorinë Osmane, në një skenë që, shpesh, duket e shkëputur nga dinamika e gjerë mesdhetare.

Vepra e Athanas Gegajt, L’Albanie et l’invasion turque au XVe siècle (Paris, 1937), paraqet një moment kthese në këtë traditë. Ajo synon ta nxjerrë Skënderbeun nga izolimi romantik dhe ta vendosë në kontekstin e plotë diplomatik e juridik të kohës së vet. Në qendër të një prej kapitujve më origjinalë të kësaj vepre qëndrojnë marrëdhëniet midis Shqipërisë së Skënderbeut, mbretit Alfons V të Aragonës dhe Republikës së Venedikut gjatë viteve 1451–1458. Përmes një aparati të gjerë dokumentar – nga arkivat e Kurorës së Aragonës e deri te bullat papnore dhe korrespondencat ndërballkanike – Gegaj përpiqet të rindërtojë trekëndëshin mesdhetar Napoli–Shqipëri–Venedik, ku Shqipëria nuk është më periferi, por nyje strategjike e një sistemi të gjerë fuqish.¹

Në optikën e Gegajt, figura e Alfonsit V del shumë më e rëndësishme sesa ishte perceptuar deri atëherë në historiografinë shqiptare. Ai nuk është thjesht një mbret i Italisë së Jugut, por një princ mesdhetar tipik i Rilindjes, trashëgimtar i normanëve, Hohenstaufenëve dhe Anzhuinëve në pretendimet mbi Italinë dhe gadishullin ballkanik. Si sovran i Aragonës dhe i Napolit, Alfonsi ndërton një projekt të qartë për krijimin e një pranie të fuqishme aragonese në pellgun lindor të Mesdheut. Sipas Gegajt, ai është, përveç Papëve, i vetmi sundimtar laik i shekullit XV që e kupton, në mënyrë koherente dhe afatgjatë, rrezikun osman.

Kjo kuptesë materializohet në një varg traktatesh të lidhura në një hark kohor shumë të shkurtër. Më 5 shkurt 1451 Alfonsi nënshkruan një traktat me despotin Demetër Paleolog në More; më 26 mars 1451 lidhet Traktati i Gaetës me Skënderbeun; më 7 qershor të po atij viti firmoset marrëveshja me Aranitët, për t’u pasuar më pas nga lidhje me Gjin Zenebishin, familjen Tocco, Pjetër Spanin e të tjerë.

Ky zinxhir marrëveshjesh bën të qartë se Shqipëria nuk del si rast i veçuar, por si nyja më e fortë e një rrjeti bazash aragonese përgjatë bregdetit adriatik e jonian, të menduara si trampolinë për ndërhyrje në Ballkan dhe njëkohësisht si brez mbrojtës për Italinë.²

Në këtë kuadër, Traktati i Gaetës i 26 marsit 1451 merr një rëndësi qendrore. Gegaj analizon me kujdes tekstin e tij, duke e vendosur në kontekstin e së drejtës feudale, por pa rënë në kurthin e një lexim i thjesht juridik. Sipas traktatit, Skënderbeu dhe “baronët e Shqipërisë” angazhohen t’i dorëzojnë mbretit të Napolit qytetin e Krujës, kështjellën dhe zotërimet, nëse ai dërgon forca për të mbrojtur vendin. Ata pranojnë sovranitetin napolitan mbi pushtimet e reja që mund të kryhen me ndihmën e Alfonsit, ndërsa vetë Skënderbeu premton të shkojë personalisht, pasi të jetë çliruar prej turqve, për t’i bërë homazh vasali mbretit.

Në pamje të parë, dhe sidomos në leximin e ngurtë të disa historianëve si Marinescu, ky dokument mund të interpretohej si një akt dorëzimi i plotë: një princ i vogël ballkanik që ia vë vendin në dorë një mbreti të madh mesdhetar. Por Gegaj e kundërshton këtë lexim. Ai ndalet posaçërisht te formula “tributo o heraci” që përdoret në tekst për të përshkruar shumën e parave që shqiptarët do t’i paguajnë Alfonsit pasi të dëbohen turqit. Duke ndjekur terminologjinë fiskale të kohës, Gegaj argumenton se nuk bëhet fjalë për tribut shtetëror që prek sovranitetin, por për haraçin ekonomik mbi bagëtitë, një taksë e zakonshme mbi kullotat jashtë territorit, të përhapur në zonat kufitare të Ballkanit.³ Kjo i heq bazën tezës se Skënderbeu ka qenë “tributar i sulltanit” për tokat e veta, një tezë që shpesh është përdorur për të relativizuar autonominë e tij politike.

Nga ana tjetër, detyrimet e Alfonsit V janë të konsiderueshme. Ai angazhohet të dërgojë trupa, furnizime, barut, sulfur, drith, të respektojë privilegjet e Krujës si qytet i lirë dhe të Arbënisë në përgjithësi, si dhe të konfirmojë privilegjet e zotërinjve shqiptarë që i nënshtrohen. Gegaj vëren me të drejtë se suzereni këtu është, në njëfarë mase, më i “lidhur” se vasali: ai nuk mund të ndryshojë rendin e brendshëm të Krujës dhe nuk mund ta transformojë këtë protektorat të negociuar në një aneksim të mirëfilltë. E vetmja prani e drejtpërdrejtë napolitane është një garnizon i vogël, prej rreth njëqind këmbësorësh, i vendosur në Krujë me kërkesën e vetë Skënderbeut, dhe i përzier me elemente vendas. Kjo prani nuk mjafton për t’i dhënë kuptim tezës së Marinescut se “Kruja nuk i përkiste më Skënderbeut” dhe se ai “vazhdoi luftën i privuar nga kryeqyteti”.

Në këtë pikë vlera e Gegajt bëhet e dukshme edhe krahasuar me historiografinë moderne shqiptare. Kristo Frashëri, në monografinë e tij voluminoze Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Jeta dhe vepra (1405–1468), e lexon Traktatin e Gaetës në të njëjtën frymë: si një kompromis të domosdoshëm strategjik, ku Skënderbeu ruan komandën politike dhe ushtarake, ndërsa Napoli funksionon si garanci financiare dhe ushtarake në prapavijë.⁴ Në anën tjetër, Oliver Jens Schmitt, në monografinë e tij në gjermanisht për Skënderbeun, vendos më shumë theks mbi varësinë financiare dhe politike të Skënderbeut nga fuqitë perëndimore, duke e parë atë si pjesë të një qarkullimi më të gjerë komandantësh mercenarë. Megjithatë edhe Schmitt, ndryshe nga leximi ekstrem i Marinescut, nuk e mohon se në fushë të betejës dhe në rendin e brendshëm të Shqipërisë, Skënderbeu mbetet aktori qendror.⁵

Pjesa tjetër e kapitullit të Gegajt e shtrin analizën nga Napoli drejt Venedikut. Autori e sheh politikën venedikase në Ballkan të udhëhequr nga tri objektiva: ruajtjen me çdo kusht të zotërimeve bregdetare, garantimin e tregtisë me turqit dhe shmangien e çdo fuqie të re ushtarake që mund të cenonte ekuilibrat e portit të Shën Markut. Në këtë këndvështrim, Venediku është i interesuar për një Shqipëri të qetë, por jo domosdoshmërisht për një Skënderbe të fortë. Kjo shpjegon hezitimin fillestar për ta mbështetur atë me trupa dhe mjete dhe edhe më tepër ankthin që krijon në Senat lajmi i traktatit të lidhur me Napolin. Përgjigjja është e menjëhershme: ndërpritet pensioni që i paguhej Skënderbeut, aktivizohen lidhjet me Dukagjinët dhe fisnikë të tjerë të pakënaqur, dhe rivaliteti Napoli–Venedik projektohet drejtpërdrejt në strukturat e brendshme shqiptare.

Rënia e Kostandinopojës në vitin 1453, me ambicien e shprehur të Mehmetit II për të shtyrë kufijtë drejt Italisë, sjell një ripozicionim të dukshëm. Venediku, i goditur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga politika agresive e sulltanit, ashpërson qëndrimin ndaj osmanëve dhe rishikon raportin me Skënderbeun. Ai konfirmon klauzolat e paqes, pranon ndërmjetësimin e tij në konfliktin me despotin serb Brankoviç, lejon që një zyrtar venedikas ta shoqërojë në udhëtimin në Napoli dhe në Romë. Kjo dinamikë tregon se “keqkuptimi” Skënderbeu–Venedik nuk është i strukturuar mbi armiqësi parimore, por mbi llogari politike në ndryshim; në çastin kur rreziku osman merr përmasë ekzistenciale, interesat afrohen.

Një meritë tjetër e Gegajt është se ai nuk e paraqet botën arbërore si një bllok të pandarë uniteti. Ai nuk e fsheh faktin se traktati me Alfonsin V pati edhe një “efekt anësor” të dukshëm: krijoi tronditje dhe pakënaqësi në një pjesë të fisnikërisë, e cila nuk e shihte me sy të mirë dorëzimin formal të Krujës një sovrani të huaj. Ky revoltë e brendshme u ushqye nga propaganda e Venedikut dhe e turqve, duke çuar drejt atentatit të vitit 1452 në pyllin e Krabit, drejt tradhtisë së Moisi Golemit, Hamza Kastriotit dhe Gjergj Balshës, si dhe drejt krizave të tjera që rrëzimi i fortifikimit të Beratit i bëri gjithnjë e më të dukshme.

Gegaj i sheh këto kriza në dritën e një psikologjie historike të veçantë: shqiptarët kanë një traditë të fortë mosdurimi ndaj suzereniteteve të huaja dhe shpesh refuzojnë t’i japin vetes madje edhe një “mbret të vetin” në kuptimin klasik dinastik. Në të njëjtën kohë, ai nënvizon se kjo popullsi, ndonëse nuk arrin të ndërtojë një shtet të fuqishëm e të qëndrueshëm, as nuk nënshtruar lehtë; përkundrazi, në strukturën osmane shqiptarët ngjiten shpejt deri në rangjet më të larta të administratës dhe komandës ushtarake. Kjo ambivalencë midis mungesës së unitetit dhe energjisë së jashtëzakonshme për t’u imponuar, e cila përbën një shenjë të fortë të historisë shqiptare, është trajtuar më vonë edhe nga autorë të tjerë modernë, si Schmitt apo studiues të historisë shoqërore ballkanike.⁶

Në plan metodologjik, vepra e Gegajt ka meritën e padiskutueshme që e nxori studimin e Skënderbeut nga kufijtë e ngushtë të historiografisë kombëtare dhe e futi në qarkullimin ndërkombëtar. Përdorimi i arkivave aragoneze, krahasimi i kujdesshëm i Barletit me kronika të tjera si ajo e Anonimit të Antivarit, konsultimi i burimeve venedikase dhe raguzane i japin librit të tij një dimension burimor që e afron me standardet e sotme të kërkimit historik. Pikërisht kjo e bën të mundur debatimin e tij me autorë të mëvonshëm: Kristo Frashëri e ndjek shpesh Gegajn në interpretimin e traktateve dhe në vlerësimin e rolit të Alfonsit V; Oliver Jens Schmitt, ndonëse i afrohet çmitizimit më radikal dhe analizës shoqërore, e pranon rëndësinë e rrjetit mesdhetar të aleancave të Skënderbeut që Gegaj e kishte ndriçuar dekada më parë.⁷

Në përfundim, mund të thuhet se kapitulli i Athanas Gegajt mbi Skënderbeun, Alfonsin V dhe Venedikun mbetet edhe sot një pikë referimi e rëndësishme për çdo përpjekje serioze për ta kuptuar Shqipërinë e shekullit XV. Ai e lëviz vështrimin nga legjenda drejt sistemit ndërkombëtar, nga figura e vetmuar heroike drejt trekëndëshit të ndërlikuar Napoli–Shqipëri–Venedik, nga leximi i thjesht juridik i traktateve drejt analizës së tyre si instrumente të mbijetesës në një hapësirë ku shtetet, principatat, republikate tregtare dhe perandoritë përplaseshin pareshtur. Krahasimi me historiografinë moderne tregon se shumë nga intuitat e Gegajt janë konfirmuar, disa janë zgjeruar, të tjera janë rivënë në diskutim, por në të gjitha rastet vepra e tij mbetet një themel mbi të cilin ngrihen debatet e sotme shkencore. Në një simpozium ku kërkohet të rishihet roli i Skënderbeut në historinë mesdhetare, rikthimi tek Athanas Gegaj nuk është thjesht një homazh ndaj një autori të hershëm, por një domosdoshmëri shkencore për ta kuptuar më qartë se si një principatë e vogël ballkanike mund të bëhej nyje e një rrjeti aleancash dhe konfliktualitetesh që shtrihej nga Aragonia në Bosfor dhe nga Shkodra në Romë.

Shënime

Athanas Gegaj, L’Albanie et l’invasion turque au XVe siècle, Paris, 1937.

Po aty, kapitulli mbi politikën lindore të Alfonsit V dhe marrëdhëniet me Skënderbeun dhe Aranitët.

Po aty, analiza e formulës “tributo o heraci” në tekstin e traktatit të Gaetës.

Kristo Frashëri, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Jeta dhe vepra (1405–1468), Tiranë, 2002.

Oliver Jens Schmitt, Skanderbeg. Der neue Alexander auf dem Balkan, Innsbruck, 2009.

Po aty; shih gjithashtu debatet mbi strukturat shoqërore të koalicionit skënderbegian.

Për rolin e Gegajt në zhvillimin e studimeve skënderbegiane shih edhe recensionet e viteve ’30 në revistat historike evropiane dhe përdorimin e tij nga autorët shqiptarë të pas viteve ’60.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 102
  • 103
  • 104
  • 105
  • 106
  • …
  • 2930
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kullat e familjeve të mëdha patriotike si objekte të trashëgimisë historike
  • ALARM SIGURIE DHE NDËRGJEGJËSIMI KOMBËTAR
  • Edith Durham – Shqiptarët dhe serbomalazezët në 1910-1912
  • Public Statement from VATRA
  • “Universi Biblik” si pasuri e Muzeut të Artit Mesjetar
  • Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit!
  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT