• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

25-vjetori i Betejës së Koshares

April 4, 2024 by s p

Glauk Konjufca/

Themelimi i UÇK-së është një nga ngjarjet më të rëndësishme të kombit shqiptar në 100 vitet e fundit, ndërkaq Beteja e Koshares është një nga betejat më të lavdishme të luftës sonë për çlirim nga Serbia. Ashtu siç UÇK-ja ia dha çlirimin dhe lirinë Kosovës, Beteja e Koshares ia dha namin UÇK-së si një ushtri që ishte e aftë për ta sfiduar fuqishëm armatën serbo-jugosllave, duke e bërë atë tashmë të paaftë të garantojë kufirin e vendosur dhunshëm mes Kosovës dhe Shqipërisë. Prandaj, jemi mbledhur sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës për të kujtuar këtë betejë historike të UÇK-së e për të nderuar të gjithë dëshmorët e heronjtë e saj, në krye me heroin e Kosovës, Agim Ramadanin, komandantin emblematik të Brigadës 138.

Beteja e Koshares u bë shtegu pa kthim i përpjekjeve gati njëshekullore të kombit shqiptar për çlirim e për bashkim. Kjo betejë ishte sinonimi më i mirë i betimit të ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Shembja e gurit të kufirit me çizmen e komandantit Agim Ramadani e Sali Çekaj, ishte një nga ngjarjet historike të luftës sonë çlirimtare.

Në kontekstin e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, Beteja e Koshares do të vlerësohet së paku për tri aspekte të veçanta të saj:

E para, kjo betejë paraqet operacionin më të madh luftarak të UÇK-së, përveç se po ashtu edhe betejën më të përgjakshme me 111 dëshmorë, qindra të plagosur e me mijëra luftëtarë që ishin në front dhe në luftë të drejtpërdrejtë kundër ushtrisë së ish-Jugosllavisë. Kjo betejë mund të themi që ia ndërroi fizionominë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si një ushtri që tashmë ishte e aftë të ndërmerrte operacione luftarake në shkallë të gjerë kundër Jugosllavisë dhe Serbisë. Pra, Beteja e Koshares do të vlerësohet për cilësitë e saj të larta të një beteje të lavdishme, e realizuar edhe si një operacion luftarak i paparë deri atëherë nga UÇK-ja.

E dyta, kjo betejë shënon një përbashkim të lartë kombëtar, një gjithëpërfshirje të trevave e luftëtarëve që merrnin pjesë nga të gjitha viset e kombit tonë, duke përfshirë edhe mërgatën tonë. Kjo e bën këtë betejë një nga betejat më domethënëse në kuptimin e mobilizimit gjithëkombëtar shqiptar për çlirimin e Kosovës. Sepse, në Koshare luftoi e gjithë shqiptaria!

E treta, Beteja e Koshares është një nga betejat më historike të UÇK-së për faktin që ajo u zhvillua edhe si një operacion krah për krah me aleancën më të fuqishme demokratike të botës, me NATO-n, për ndalimin e spastrimit etnik dhe gjenocidit të Serbisë ndaj popullit shqiptar.

Kjo seancë po zhvillohet pra sot, pikërisht në 75-vjetorin e themelimit të NATO-s.

Pra, Beteja e Koshares është një betejë edhe me karakter ndërkombëtar, jo vetëm sepse aty morën pjesë e luftuan, por edhe ranë dëshmorë edhe tre të huaj, por sepse kjo betejë ia humbi përfundimisht kontrollin Jugosllavisë mbi kufirin e vendosur dhunshëm në mes të shqiptarëve, e po ashtu ia dha goditjen finale Jugosllavisë e Serbisë.

Shënimi i 25-vjetorit të Betejës së Koshares në Kuvendin e Republikës është po ashtu një moment i rëndësishëm i kujtesës dhe reflektimit se rruga jonë për pavarësi e shtetësi është para së gjithash rezultat i sakrificës së popullit e të heroizmit të luftëtarëve e komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lavdi të gjithë dëshmorëve e heronjve të Betejës së Koshares!

Lavdi heroit Agim Ramadani!

Lavdi Luftës Çlirimtare të UÇK-së!

Filed Under: Histori

“75 vjetori i Aleancës së sigurisë dhe vlerave Euroatlantike (NATO)”

April 4, 2024 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

4 Prilli 2024 shënon 75 vjetorin e themelimit të Aleancës së Atlantikut të Veriut, ngjarje që i jep vlera shtesë kombit tonë pasi mirë-përkon edhe me 15 vjetorin e anëtarësimit të RSh në NATO (4 Prill 2009).

Kur 75 vjet më parë, strategu i Luftës së II-të Botërore, “babai themelues”, Komandant i parë i NATO-s dhe Presidenti i SHBA, Dwight D. Eisenhower, e projektoi NATO-n si “një fuqi politiko-ushtarake për garantimin e mbrojtjes kolektive (vendeve anëtare) në rastet e një sulmi nga Bashkimi Sovjetik, ndoshta as Ai vetë Ai nuk e kishte menduar se kishte hedhur themelet e Aleancës më të fuqishme si dhe më të suksesshme të historinë së njerëzimit.

Në 75 vite, NATO jo vetëm ka përmbushur me sukses “misionin e Gjeneralit Eisenhower”, për paprekshmërinë territoriale të vendeve anëtare, por ka shërbyer edhe si një instrument i fuqisë së pamposhtur ushtarake (deterrance); i besimit te paqja, parimet bazë të demokracisë si dhe për promovimin e vlerave perëndimore.

Pas shpërbërjes së traktatit të Varshavës ndër projektet me peshë thelbësore mbetet politika e “Dyerve të Hapura”, e cila ende shërben si “derë e madhe dhe garanci e shtuar” edhe për integrimin në BE të vendeve të lindjes ish-komuniste. Ndërsa pas shkërrmoqjes së BRSS: “NATO ka mbijetuar si dhe dominuar në tregun e sigurisë globale” nëpërmjet një procesi të gjithëanshëm transformimi/modernizimi të konceptit, strukturës, armatimit, planifikimit, forcimit të kohezionit si dhe kulturës së bashkëpunimit mes vendeve anëtare.

Sot në hapësirën e Euroatlatike të 32 vendeve të NATO-s jeton një popullsi rreth 1 miliard banorë; mbart ½ e ekonomisë botërore; ka 8 milionë (4 forca aktive dhe po aq rezervë), ndërsa vetëm 3 vende (SHBA, Franca dhe UK) zotërojnë armë bërthamore për ushtrimin e politikës të shkurajimit të armiqve potenciale [deterrence].

Angazhimet në Kosovë, Afganistan, Irak, Libi, etj, provuan fuqinë e pakonkurrueshme ushtarake dhe peshën kritike të NATO-s në dobi të paqes dhe si një “shkollë e vlerave të demokracisë në të gjithë botën”.

Për fatin e kombit tonë, historia 75 vjeçare e NATO-s kulmon/shndrin me ndërhyrjen ushtarake për të ndalur gjenocidin dhe çliruar Kosovën nga makineria kriminale e Milloshevićit (1999), që edhe pse jashtë artikullit 5, e legjitimoi Aleancën si: “shpresën e paqes dhe të drejtave të njeriun në mbarë globin”. Prandaj nuk do të ishte as fisnike, nëse në çdo 4 Prill të mos e përsërisim mirënjohjen mbarëkombëtare ndaj SHBA/NATO.

75 vjet kanë konfirmuar “rolin jetik të SHBA-së në Aleancën transatlantike”, pasi ajo barrën kryesore të shpenzimeve ushtarake me rreth 1 trilion USD (vitin 2024) ose më shumë se 70 % të buxhetit të përbashkët të NATO-s. Gjithësesi më duhet ta përmend se për shkak të “presionit legjitim të USA/Trump”, NATO në 2024 shënoi buxhetin me të lartë në histori, 32 vendet arritën shifrën rekord në +1.5 trilion € (31 anëtarët e tjerë 500 miliard €) me qëllim modernizimin e aftësive ushtarake si dhe rritjen e kredibilitetit të NATO-s.

Ndërsa ky 75 vjetor mbart edhe“mesazhe të forta shpresë” për vendosmërinë e NATO-s si dhe fundin që e pret Rusinë-Putiniste e cila: “mbas mbi 25 muaj luftë barbare nuk e pushtoi dot me valle, tanke, dronë dhe raketa Ukrainën martire”, ndërsa në fakt ka humbur me turp 40 % të teritoreve të pushtuara, iniciativën strategjike të luftës, betejën për të sfiduar rendin e sigurisë globale, interesat dhe fuqinë ushtarake të NATO-s.

Për më tepër që, lufta neonaziste solli zgjerimin me dy vendet Nordike (Finlandë & Suedi) si dhe mbështetjen me mbi 130 miliardë € armatime moderne, përfshi tanke leopard, sistemet Patriot, avione F-16, etj, të cilat janë prova për kohezionin dhe vendosmërinë e përforcuar të NATO-s, për ta mbështetur Ukrainën deri në fitoren ndaj së keqes të përbashkët (Rusisë – Putiniste).

Po ashtu në kundërpërgjigje të luftës së Rusistë kundër sovranitetit të Ukrainës, rreth 100 mijë trupa aktive, 130 avionë dhe 140 anije luftarake të NATO janë dislokuar në kufijtë lindorë të saj (Poloni, Vendet Balltike, Nordike, Europën Qëndrore dhe Juglindore), duke demostruar fuqinë e pakonkurrueshme ushtarake në mbrojtje të tërësisë teritoriale si dhe të interesave gjeopolitike të Aleancës.

Kështu, nuk mbeten më dilema, as për mendjet e ndryshkura jo vetëm në Kremlin, Beograd, etj që falë qëndresës heroike të Ukrainasve por dhe të mbështetjes pa kompromos të NATO-s, Rusia-Putiniste gjendet sot më e izoluar/diskretituar se asnjëherë me parë (p.sh vetëm Kim-Jongu dhe Vućić, e uruan për vetë-mandatim me bajoneta); rrezikon përjashtimin nga 5-shja vendimmarrëse e KS/OKB dhe siç dihet, Gjykata Ndërkombëtare ka lëshuar “urdhër arresti për krime lufte” ndaj Putinit dhe listën e Gjeneralëve zullumqarë rreth tij.

* * * 15 vjet mbas anëtarësimit në NATO, Shqipëria mbetet edhe më e përkushtuar!

Parasëgjithash, përsëris bindjen strategjike, se Anëtarësimi i RSh në NATO, meriton të mbetet e skalitur në memorjen e historisë kombëtare si: “arritja e dytë gjeopolitike pas shpalljes së pavarësisë në 28 mëntor 1912”.

Si dëshmimtar në datën që RSh u ul në tavolinën vendimarrëse të NATO-s (Samiti i Këln/Strasbourg), sigurisht që e di fort mirë që data zyrtare e pranimit është data 1 prill 2009. Por në 15 vite, vijoj të insistoj fortë për t’i “zhvendosur dhe bashkuar celebrimet protokollare nga 1 Prill me datën e themelimit të NATO-s” (pra 4 Prill 1949). Prandaj, 4 Prillin e rekomandoj se: “gjetje e mënçur”, pasi kapërcen ngarkesat rreth 1 prillit (ditën e gënjeshtrave) si dhe konfirmon një të vërtetë të madhe, që i bën nder kësaj ngjarjeje historike për kombin.

Gjithësesi, duke përsëritur mirënjohjen ndaj SHBA-së, vijoj të refuzoj “tallavanë populiste” se anëtarësimi i RSh në NATO, ishte vetëm një dhuratë ?! Kjo pasi, si ndër dëshmitarët e këtij udhëtimi jam shumë i bindur që kjo arritje (4 prill 2009) ishte meritë e përpjekjeve 15 vjeçare të Tiranës zyrtare (PfP/1994 – MAP/1999 – NATO/2009) për të përmbushur aspiratën shekullore të shqiptarëve drejt perëndimit. Pra anëtarësimi ishte produkt i reformave në fushën e mbrojtjes, i konsensusit të gjerë politik dhe kohezionit kombëtar. Kështu mjafton të përmendim faktin se nga mëvetësia paranojake me 115 mijë forcë aktive dhe marrëzia e gjithë popullit ushtar që konsunonte 25 % të GDP-së para 1990 (qasje që e diskretitoi Kombin dhe i rraskapiti Shqiptarët), mbas anëtarësimit në mbrojtjen kolektive/NATO, FA kanë +9 mijë, ndërsa shqiptarët shpensojnë jo më shumë se 2 % të GDP-së!

Po ashtu në këtë udhëtim 30-vjeçar drejt/pas anëtarësimit në Aleancë (1994-2024), nga konsumatore, RSh është e konfrmuar si kontributore për sigurinë, pasi prej vitit 1996 më shumë se 10.000 ushtarakë kanë kontribuar operacionet e NATO në Bosnjë, Irak, Afganistan, Kosovë, Gjeorgji, Mali, etj.

Gjithësesi, përtej “konfliktualitetit ekstrem, për pasojë gjëmave kombëtare (1997, etj) nga privatizimi dhe shpërdorimi politiko – elektoral i mbiPushtetetit”, anëtarësimi i RSh në NATO mbetet ndoshta arritja e vetme, në mos e vetmja fare si produkt i vullnetit dhe konsensusit politik si dhe mbështetjes së gjerë mbarëpopullore.

Konsideruar këto, do të ishte e padrejtë që të mos sjellim në vëmendje përkushtimin shembullor të ish-Presidentit/Kryeministrit Sali Berisha që nga kërkesa zyrtare për t’iu bashkuar aleancës/PfP në 1992, deri në anëtarësimit e plotë në NATO (4 prill 2009), si dhe të mos përsërisim mirënjohjen e thellë ndaj miqve të mëdhenj të Shqipërisë, si Presidentët Bush, Klinton; Sekretarët Baker, Allbright, Powell, Rice, të Mbrojtjes Perry, Rumsfeld, Gate, etj si dhe për gjeneralët e mirënjohur, Clark, Jones, Stavridis, Petraus, etj, për mbështetjen e jashtëzakonshme në përmbushje të aspiratës së Shqiptarëve.

Po ashtu, përmendim se në 15 vitet e mbas 2009 deri 2024, Tirana zyrtare ka dëshmuar se anëtarësimi nuk ishte kurrësesi stacion i fundit i Shqipërisë, por një epokë e re, me përfitime, sfida dhe përgjegjësi shtesë. Prandaj, kam përshëndetur përfaqësimin dinjitoz në KS/OKB; mbështetjen e pakushtëzuar të vendimmarrjeve të NATO-s; arritjen 2% të GDP-së për 2024, ndërtimin e Bazës Ajrore të Kuçovës, si dhe kontributeve më shumë se modeste që RSh vijon t’i japë jo vetëm Ukrainës.

Por, përtej privatizimit dhe festimeve të tepëuara, fatëkeqësisht të ndara për këtë arritje gjeopolitike të RSh, mbetet e përherëshme përgjegjesia shtetërore për ta ngritur edhe më lartë stekën dhe prestigjin e Shqipërisë në NATO si dhe rolin si “vend-Leader” për ta çliruar rajonin nga urrejtja shekullore dhe në udhëtimin euroatlantik të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Nga ana tjetër, është e artikuluar, ndoshta deri në kakofoni se në reformat e sigurisë, kërkohet gjithëpërfshirje dhe konsensus politik! Por megjithë vendimin historik të Gjykatës Kushtetuese (2015) mbetet ende kritike mirë-harmonizimi 3 pushteteteve kushtetuese mbi vendimarrjet strategjike në fushën e sigurisë dhe interesave kombëtare.

Ndërsa, si ndër kontribuesit udhëtimit 30 vjeçar të Shqipërisë drejt/pas anëtarësimit në NATO (1994 – 2009 – 2024), e çmoj si prioritet transformimin e Sistemit të Sigurisë, pra: “përditësimin e konceptit me atë të NATO-s, modernizimi strukturave, paisjeve; aftësive operacionale dhe kulturës së bashkëpunimit mes agjensive shtetërore, në interes të sigurisë së jetës, shëndetit, pronës, dhe mirëqenies së qytetarëve; rikthimin e besimit në vlerat euro-atlantike; mbrojtjen e interesave kombëtare si dhe përmbushjen e detyrimeve të RSh në NATO”.

Në shtesë, më duhet ta përsëris se në reformat e sigurisë kombëtare, “asnjë groshë nuk vlejnë” privatizimi, politizimi i festës së anëtarësimit; as dalldisjet bollshevike nga fuqia e mbi-Pushtetit si dhe as gajasjet cinike me mjerimin e opozitës të pushtuar nga sekserët dhe egocentrikë të sëmurë, por vetëm…dashuria, përulësia për vendin, përgjegjshmëria e lartë shtetërore si dhe besimi dhe bekimi ndaj partneritetit strategjik me SHBA/NATO.

Për ta përmbyllur: “15 vjet mbas anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në NATO, besoj edhe më fortë se Aleanca më e fuqishme në historinë e njerëzimit do të mbetet e tillë edhe për 75 vitet që vijnë…” !

* Autori, Gjeneral ® Piro Ahmetaj:

Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n,

Zv/President i Këshillit Atlantikut; & ish:

Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,

Këshilltar i Presidentit, Zv/ShShPFA,

Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO.

Filed Under: Politike

Me Vallen Arbëreshe, “Vallen e Pashkës”

April 3, 2024 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Bijtë e Gjergj Kastriotit, Arbëreshët tanë janë trashëgimia jonë e vyer ndërshekullore. Ata vazhdojnë që prej gjysmë mijëvjeçari të mbajnë gjallë gjuhën, traditën e ritet tona të hershme kombëtare.

Dy ditë pas Pashkës, Arbëreshët festojnë ditën e Valles.

“Vallja e Pashkës” lindi gjatë shekullit të XV-të e ka një karakter ritual e historik. Ky kërcim popullor evokon me krenari një nga fitoret më të rëndësishme të Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti të zhvilluar pikërisht në të martën e Pashkëve të vitit 1467.

Për çdo zemër shqiptari kjo është një trashëgimi heroike, patriotike e tejet prekëse, duke nxitur e ushqyer më shumë atdhe-dashuri.

Historia e Arbëreshëve u rrënjos kur prijës të Gjergj Kastriotit u shpërngulën në Itali përpara pushtimit otoman por pjesa më e madhe e tyre u shpërngul në Jug të Italisë pas vdekjes së Gjergj Kastriotit në vitin 1468, rënies së Krujës në vitin 1478 dhe Shkodrës 1479.

Për shkak të pushtimit nga osmanët, grupe të tjera shqiptarësh u larguan nga atdheu i tyre përmes detit Adriatik për në Itali duke themeluar më 30 gusht 1488 “Piana degli Albanesi” siç thuhet nga arbëreshët “Hora e Arbëreshëvet”.

Ruajtja e gjuhës, besimit, traditës, riteve, kostumeve, këngëve etj, i Arbëreshëve prej afro 6 shekujsh është rast unik jo vetëm në Evropë por në mbarë botën.

Arbëreshët kanë ruajtur shumë elemente etnike të kulturës së saj shqiptare, veçantitë e saj kulturore, gjuhësore, fetare (gjuhën, ritin bizantin, veshjet tradicionale, zakonet, muzikën, folklorin).

Ekzistojnë rreth 800 veshje tradicionale vetëm në Horën e Arbëreshëvet, e mbi një mijë në zona të tjera.

Në ditë festash arbëreshët organizojnë parada dhe varin në ballokone qilima disa shekullor, të endur me tezgjah, të trashëguara brez pas brezi në çdo familje. Si motiv ato kanë shqiponjën dykrenare, por edhe lule të kuqe që simbolizojnë ngjyrën e flamurit, si në rastin e Kalabrisë, ku në qilima figuron lulja Geranium Imperial, e cila rritet masivisht në kodrinat e lëndinat e zonës.

Ushqimet tradicionale janë një karakteristikë e veçantë, si kulaçi dhe buka pa maja, mënyra e ngjyrosjes në vezëve të pashkës përmes zierjes në kazan të rrënjëve të kuqe, ndërsa kërcimet dhe këngët përçojnë emocione mallëngjyese për largimin nga atdheu dhe mallin për vendlindjen e tyre, si për shembull kënga për Morenë, vendin e tyre që tashmë e kishin lënë shumë larg.

“Mori e bukura More�Si të le e më së të pë!�Atje kam zotin tatë,�atje kam zonjën mëmë,�atje kam edhe tim vëlla:�Gjithë të mbuluar në dhe!”

Komunitetet Arbëreshe ndodhen jo vetëm në Itali, por edhe në Argjentinë, Gjermani, Francë, ShBA, Kanada, Greqi, Australi, etj, ku me krenari ata vazhdojnë të ruajnë prej shekujsh identitetin arbëresh.

Siç thuhet edhe në këtë këngë arbëreshe:

“O zë i ngrohtë i vendit tim.�O dritë e syve të mi.�Ne jemi bijtë e Kastriotit.�Ne u përkasim dheut të shenjtë.”

Sa e mrekullueshme është kjo!

Sa krenari për ne!

Gjak i shprishur, por një.

Filed Under: Reportazh

Familja Pojani, vatër e lëvizjes kombëtare

April 3, 2024 by s p

Zbulohet dorëshkrimi i rrallë i shkruar për familjen Pojani 20 vjet më parë

Nga Klajdi Lulollari/

Njohja ime me veprën “Qëndresa e vëllezërve Pojani” e gazetarit të mirënjohur të Radio Televizionit Shqiptar, Ndue Ukcama, u mundësua nga znj. Safete Pojani, vajza e Demir Pojanit, pati mirësinë të ma dorëzojë dorëshkrimin e librit i cili qëndronte i pabotuar në arkivën e pasur të familjes Pojani prej vitit 2004.

Mbiemri Pojani kishte kohë që më ngacmonte. Rrugëtimi i ndjekur nga pinjollë të dalluar të këtij trungu dhe raportet e tyre me dheun amë, Shqipërinë, më mban mbërthyer pas rreshtave që shkruhen për ta. Kështu ndodhi edhe me librin në dorëshkrim të autorit Ndue Ukcama. Pyetja që i bëra vetes ishte: Ç’është ky libër? A ka përmbajtje patriotike, kombëtare për Pojanin, Korçën dhe Shqipërinë? Mora përsipër përgatitjen për botim, vetëm pasi e studiova disa herë.

Në parathënien e librit, autori Ndue Ukcama shkruan: “Kam kënaqësinë dhe dhimbjen t’ju ftoj në faqet e këtij libri, që është historia dramatike e një dere fisnike, histori e shkruar, si të thuash, në tre kohë. Nuk ka qenë rastësi nisja e këtij libri. Ai e ka fillimin në vjeshtën e vitit 1996 në Malësitë e Gjakovës, tek rënojat e një shtëpie ku kish hedhur dritë në histori familja Bajraktari, ndër më të njohurat por më të persekutuarat nga komunizmi. Këtu, atë ditë në një qiell të pastër, në një diell të ëmbël e në një dekor mahnitës të bimëve me ngjyra vjeshte, pata fatin e kënaqësinë të dëgjoj Demir Pojanin, kur foli aq bukur, aq qartë dhe aq dhimbshëm për mikun e tij të shtrenjtë Mustafa Bajraktarin, që u martirizua atje, në burgun e tmerrshëm të Burrelit. Duke pyetur mësova se familja Pojani me prejardhje nga Pojani i Korçës e banim në Elbasan i është nënshtruar një kalvari të gjatë sakrificash dhe vuajtjesh me tre vëllezërit, dy motrat dhe nënën Safete. Më vonë miku im gazetar, Zef Lleshi, më rekomandoi përgatitjen e një emisioni televiziv për familjen Pojani. Në ndihmë na erdhi edhe operatori e gazetari i mirënjohur Ilir Buçpapa.”

Ishte nëntori i vitit 2001, kur së bashku me vëllezërit, Demirin, Muhametin dhe Edmondin autori shkoi në Pojan, atje në prehër të Malit të Thatë, ku edhe ka qenë selia qindra vjeçare e kësaj familje. Ka qenë familje elitë në historinë e trevës së Korçës. Në Pojan, ndër njerëzit që takuan ishte Halil Ahmet Hoxha (1919-2004), pasardhës i familjes Hoxha. Të dyja familjet kishin miqësi me njëra tjetrën. Në kujtimet e tij në dorëshkrim Halil Hoxha thekson mes të tjerash: “Stërgjyshi im, Sali efendiu, ishte mik me Mustafa Pashë Gjiritin. Gjyshi im, Ibrahimi ishte shok i ngushtë me nipin e Mustafa Pashës pasi kishin vazhduar bashkë në një klasë gjimnazin e Manastirit, më pas Ibrahimi studioi për ekonomi në Stamboll, ku pas studimeve Mustafai i caktoi një detyrë të rëndësishme.”

Dokumentari tregon familjen e Ilmi Pojanit në një kalvar të gjatë, të jetës së tyre plot sfida. Të gjithë mbetën të mahnitur nga gjithçka që po mësonin për këtë familje fisnike. Rrëfimi vijonte, në ato ditë autori njohu nga afër Safete Pojanin, nënën fisnike, qëndrestare të admirueshme, me zemrën e saj të madhe. Ajo u dha fuqi tre djemve e dy vajzave të qëndrojnë e të mbajnë lart emrin dhe nderin e familjes Pojani.

Ata në të vërtetë, që prej rreth pesëqind vjetësh, njihen e nderohen si atdhetarë të mëdhenj. Lidhjet e pemës gjenealogjike na çojnë tek katragjyshi i tyre legjendar Mustafa Pashë Gjiriti dhe akoma më tej, tek familja Princërore e Gropajve dhe lidhja martesore me Muzakajt. I pari i tyre Hajdarbegu u martua me Annën (Kyranën) dhe patën një djalë Hasanbegun. Atë kohë paraardhësit e Pojanëve me origjinë nga Kosturi jetonin në Zvirinë dhe kishin zotërime të mëdha…

Ja si e kujton Demir Pojani këtë histori “profesor Myqerem Janina, që kishte për grua vajzën e Sulltan Hamitit, ishte në Ballsh, në burg. Kishte respekt për linjën e fisit tonë, pa u takuar me ne. Qe i dënuar herët, ishte njeri i madh, historian i shquar, burrë i ndershëm rreth 85 vjeç. Emri im i dilte si në revoltën e Spaçit e në raste të tjera. Më shkruan një copë letër ku më bën së pari shumë të fala e pastaj pyet: “A e din kush je? Je ndër familjet më të mira në Shqipëri. Ju jeni Muzakë, selia juaj ka qënë në fshatin Zvirinë, atje janë rrënojat tuaja, të cilat nuk e di historikisht pse janë boshatisë dhe keni zënë vend në Pojan. Ti je stërnip direkt i Mustafa Pashë Gjiritit.”

Shumë bij të shquar të kësaj familje u dalluan midis rretheve atdhetare shqiptare me kontributet, angazhimet dhe pjesëmarrjet e tyre në veprimtaritë patriotike.

Në faqet e këtij libri lexuesi do të njihet edhe me fakte të tjera historike, që për arsye të persekutimit komunist, janë mënjanuar ose errësuar fare. Do të njihemi me veprat e ndritshme të gjyshit të vëllezërve Pojani, Demir Beut, kushërinjtë e shquar Orhan, Sami e Mahmud bej Pojani.

Një material të çmuar për rilindasit e kësaj dere na jep edhe Mihal Grameno tek libri “Kryengritja shqiptare”, kurse te “Enciklopedia Turke” e hartuar nga i madhi e i dituri Sami Frashëri shkruhet për jetën e shqiptarit të famshëm, kryeministrit të Turqisë, Mustafa Pashë Gjiritit, ndërsa tek “Bleta Shqiptare” e Thimi Mitkos, kënga e famshme “Ta ngjiti Moskov ta ngjiti/ Mustafa Pashë Gjiriti!”

Ashtu si tek rrënojat e shtëpive në Kasaj të Tropojës, edhe në Pojan prapë rrënoja sarajesh, selia e Pojanëve jetonte vetëm në kujtime, ashtu edhe në Bulgarec tek Agollët, njerëzit e nënë Safetes.

Familjet më fisnike të kohës sistemi i përndoqi me egërsi. Ilmi Pojani me fëmijët e tij, më të madhin trembëdhjetë vjeç, u detyrua të largohej nga fusha e bukur e Korçës, të lerë çdo gjë, të shkojë në malet e Elbasanit e gjetkë. Në Mjekës, fshat në Elbasan, ai filloi të ndërtojë furra, ku gëlqerja i hëngri mushkëritë e i shkurtoi jetën. Ata iknin, diktatura i ndiqte. I ndiqte si kope egërsirash një tufë qingjash. Quhej luftë klase dhe Pojanët, i madh e i vogël, quheshin klasa të përmbysura ose të deklasuar. Të tre vëllezërit, Demir, Muhamet, dhe Edmond Pojani u futën në burgje në periudha të ndryshme. Babai, Ilmi Pojani në vitin 1974 vdes, nënë Safetja u internua në vitet 1983-1988, një kalvar tragjik për këtë familje.

Kur bisedon me Demir Pojanin, – shkruan autori, – këtë burrë të pathyeshëm, i njohur edhe si njëri ndër prometejtë e Burrelit, futesh thellë në atmosferën tragjike të kohës. Ai ka një memorie të jashtëzakonshme. Të duket se nga fjalët e tij, fytyra si shkëmb e sytë që shpesh shkëlqejnë nga pika loti, i sheh ngjarjet dhe njerëzit. Demiri ka një dhimbje të jashtëzakonshme, jo për rininë e tij, që e kaloi burgjeve, se sa për miqtë e tij, bashkëvuajtësit e sidomos për ata që mbetën përjetësisht në këto burgje, mbetën telave me gjëmba si flamuj e kryengritës të përjetshëm.

Janë edhe kujtimet e dhimbshme të nënë Safetes, Muhametit dhe Edmondit, të motrave Bardhylka dhe Vjollca, të gjitha këto vijnë me besnikëri në faqet e këtij libri.”

Pra, në këtë kuptim ky libër i autorit Ndue Ukcama është një autobiografi dhimbjeje, që ka vlera të pazëvendësueshme për hulumtimet e krimeve të komunizmit në Shqipëri, mbështetur këto edhe në dokumente, letra, kartolina, akt-akuza, kujtime të bashkëvuajtësve e të tjera.

Për këtë, duke filluar nga takimi i parë me Demir Pojanin, – vazhdon autori, – u binda unë dhe cilido që do të ishte në vendin tim se duhej të hidheshin këto dëshmi që ushqejnë historinë në një libër, që nuk është thjesht një kujtesë historike për familjen Pojani, por pjesë e asaj kujtese të vuajtjes e qëndresës mbinjerëzore të të burgosurve politikë në pesëdhjetë vjet të diktaturës komuniste.

Lidhur me këtë, pra me qëndresën e tyre përballë torturave, vuajtjeve çnjerëzore, provokimeve, vëllezërit Pojani në faqet e fillimit të librit, bëjnë edhe një deklaratë mirëkuptimi me lexuesit dhe bashkëvuajtësit.

Pjesë kryesore e librit janë dosjet e hetimit e të gjykimit. Demiri ka tetë dosje hetimi dhe gjykimi, është dënuar katër herë. Muhameti katër dosje – dënuar dy herë, Edmondi dënuar një herë.

E pra, përderisa historia kërkon e ka nevojë të ndriçojë me fakte e dokumente kohën e egër të diktaturës, monografi të tilla, libra si ky për kalvarin e vëllezërve Pojani, janë të nevojshëm.

Për figurat e shquara të fisit Pojani, do të ishte e pamundur të pasqyrohen kontributet e tyre atdhetare në një monografi të vetme, por kjo do të realizohet në botime të veçanta. Puna ka filluar me ndërtimin e pemës gjenealogjike të Fisit Pojani-Gropaj, evidentimin e rolit që kanë patur në themelimin e fshatit, bamirësive që kanë bërë, organizmin, mbështetjen dhe financimin për lëvizjen kombëtare në kryengritjet anti osmane e greke, ngritjen dhe aktivizimin e klubeve patriotike, çetës së Pojanit, gazetës “Korça”, hapjen e shkollave shqipe, bursat që iu siguronin nxënësve për të studiuar në Universitetin e Stambollit në degë si mësuesi, teologji, mjekësi, drejtësi, bashkë me shumë foto të figurave të kësaj familje, dokumente të arkivit qendror të shtetit shqiptar, të arkivit të Stambollit, të cilat janë në proces përkthimi nga osmanishtja.

Të gjitha këto materiale të mbuluara nga pluhuri i qëllimtë i harresës do të përgatiten për botim pasi tregojnë për ngjarje dhe figura të shquara të historisë sonë kombëtare.

Filed Under: Sociale

DËMET E MENTALITETIT BAJRAKTAR DHE KOMUNIST

April 3, 2024 by s p

Prof. Thanas Gjika/

Në vitin 1992 mbi 75 përqind e popullit shqiptar ia dha votën partive opozitare. Ky rezultat tregoi se populli ishte i pakënaqur nga jeta nën regjimin komunist dhe përkrahësit e Partisë Socialiste fituan më pak se 25 përqind, pra kjo parti në mars 1992 kishte si elektorat pakicën e popullit, vetëm ish-komunistë dhe ish-sigurimsa që ishin përlyer me krime dhe kishin përfituar dukshëm prej ish-regjimit diktatorial.

Mirëpo në zgjedhjet e vitit 2013 dhe më pas ky raport ka ndërruar në mënyrë drastike kundër partive të së djathtës, të cilat nuk kanë marrë më shumë se 40 përqind të elektoratit. Thjesht dhe shkoqur, kjo do të thotë se partitë e së djathtës nuk kanë ditur të menazhojnë elektoratin e Shqipërisë.

Udhëheqësit e partive të djathta që erdhën në pushtet në mars të vitit 1992 u vetëkënaqën, menduan se e kishin me vete një herë e përgjithmonë shumicën e popullit shqiptar. Nuk iu futën seriozisht punës për të konsoliduar elektoratin e tyre, nuk punuan për të brumosur veten dhe mbarë popullin me mentalitetin e ri demokratik. Duke qenë se shumica e udhëheqësve të partive të djathta, por dhe të partive të majta shqiptare, ishin bij të familjeve me origjinë fshatare provinciale, të lidhura para vitit 1992 me pushtetin komunist, në mentalitetin e tyre sundonin mendësitë e vjetra: bindmu dhe mbështetmë mua se unë të siguroj jetën, kush nuk mendon si unë është armiku im.

Pushtetarët e së djathtës, të kënaqur nga fitorja e zgjedhjeve dhe duke pasur të tilla dobësi në mentalitetin e tyre, filluan të mos i zbatonin me rigorozitet ligjet e shtetit të ri, që krijuan, nuk jepnin sa e si duhej shembuj se çdo qeveritar ishte i barabartë përpara ligjit si çdo qytetat tjetër. Hatërllëku, akraballëku dhe rushfeti morën përmasa të papara.

Në gazetat e së djathtës dhe në ato të së majtës u ushqye si më parë lufta e klasave. U mbush shtypi me sharje e fyerje. Gazetat “Rilindja Demokratike”, “Republika”, etj shanin e kritikonin me fakte e pa fakte anëtarët dhe përkrahësit e Partisë Socialiste. Po ashtu gazeta “Zëri i Popollit” shante e fyente me të drejtë e pa të drejtë, madje dhe shpifte kundër anëtarëve dhe simpatizantëve të Partive të së djathtës.

Në këtë situatë jo demokratike, në këtë situatë lufte klasash, kuptohet se përfitoi Partia Socialiste për të mbledhur rreth vetes gjithë ish-anëtarët dhe simpatizantët e dikurshëm të Partisë së Punës. Shumë njerëz që kishin votuar për partitë e së djathtës u trembën nga kjo luftë. Gazeta “Zëri i Popullit” dhe agjitatorët e Partisë Socialiste filluan t’i trembin e tu thoshin: “Ju nuk e keni vendin tek elektorati i djathtë, atje sundojnë ballistët dhe kuislingët, kriminelët e Luftës Antifashiste. Ata ju duan sa për votë, një ditë do t’ju dënojnë, etj”.

Nga ana tjetër partitë e së djathtës nuk krijuan ligje për dënimin e krimeve të komunizmit, nuk ua kthyen pronat pronarëve të vërtetë. Historianë, me përjashtime të pakta, nuk punuan seriozisht për të sqaruar me studime objektive se pse shumica e ballistëve u detyruan të gabonin, të lidheshin me pushtuaesin gjerman pasi Partia Komuniste nën presionin e Miladin Popovicit e Dusahn Mugoshës e mohoi Marrëveshjen e Mukjes (gusht 1943) dhe e shpalli Ballin tradhëtar. Po ashtu historianët nuk sqaruan se disa atdhetarë të mirënjohur u detyruan të gabonin duke marrë pjesë në qeveritë shqiptare që krijuan pushtuesit italo-gjermanë jo se ishin tradhëtarë, por për të shpëtuar çfarë mund të shpëtohej në rrethanat e pushtimit, etj. Këto probleme ende nuk janë kthjelluar si duhet duke vënë interesat kombëtare mbi ato politike partiake.

Ndonjë historian me bindje komuniste vijon ende t’i fryjë luftës së klasave duke thirrur në Televizionin Shteteror Shqiptar se demokratët kërkojnë: “Tu pritet koka atyre që kanë jetuar në komunizëm”, shpifje monstruoze që nuk e ka thënë ose shkruar asnje demokrat. Ky historian harron se në vitet e tranzicionit nuk u ënua fare, madje nga profesor u emërua akademik…

Natyrisht fajin kryesor e kanë udhëheqësit numër një të dy partive të mëdha, të cilët e ushqyen luftën e klasave dhe bajraktarizmin në radhët e anëtarëve të partive e të pushtetit dhe krijuan oligarkët, që sundojnë sot ekonominë dhe politikën e vendit.

Për të mirën e kombit shqiptar, kjo situatë mentaliteti duhet shkatërruar sa më parë. Nga ana e saj opozita shqiptare duhet të riorganizohet duke bashkuar në gjirin e vet gjithë partitë e së djathtës, pavarësisht nga diferencat e nuancat. Partia demokratike e bashkuar ka për detyrë të bëjë brenda saj zgjedhje të reja dhe të dalë me një platformë të qartë ekonomike e politike ku mund të gjejë plotësimin e nevojave të veta shumica e popullit shqiptar. Po ashtu dhe Partia Socialiste ka nevojë për rigjenerim e jo thjesht për shtimin e radhëve me kuadër të ri, por pasurim me mentalitet të ri demokratik të anëtarëve të vet.

Mentaliteti i luftës së klasave i kamufluar si luftë partike e ka shpënë popullin shqiptar në përcarje e amiqësi. Një shqiptar anëtar i Partisë Demokratike, ose simpatizant i saj, e shikon dhe e quan shqiptarin me bindje socialiste si armik të papajtueshëm. Po ashtu dhe një shqiptar anëtar i Partisë Socialiste ose simpatizant i saj e quan dhe e trajton si armik të vetin. Nuk pranojnë të bashkëpunojnë, të diskutojnë e as të pijnë kafe në një tavolinë. Me një fjalë janv ende provincialë, patriarkalë, vuajnë nga mentaliteti bajraktar e komunist, ndryshe nga qytatarët e botës së zhvilluar demokratike. Në vendet demokratike të botës euro-atlantike, ku jetoj prej 28 vjetësh, partitë, kryetarët dhe anëtarët e tyre nuk nxitin urrejtje ndaj partive, kryetarëve dhe anëtarëve të partive të tjera. Secili ecën sipas programit të partisë së vet. Gjatë votimit populli zgjedh këtë ose atë kandidat duke u nisur nga programi që ai përfaqëson dhe jo nga fakti se çfarë pasurie, çfarë shkollimi ka, a është miku im, etj.

Në këtë fushë rol të rëndësishëm mund të luajnë gazetarët e opinionistët tanë, të cilët për fat të keq shumica deri sot i kanë shërbyer përcarjes që ushqenin partitë politike…

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1055
  • 1056
  • 1057
  • 1058
  • 1059
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT