• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kryeministri Kurti në Kralan: Përgjegjësia dhe e vërteta ndodhet në arkivat e Beogradit zyrtar

April 2, 2024 by s p

Kralan, Gjakovë, 2 prill 2024/

Në 25 vjetorin e masakrave të kryera nga forcat e armatosura të Serbisë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Kralan të Gjakovës përkujtoi të vrarët në masakrën ndaj popullsisë civile në këtë fshat.

Duke bërë homazhe fillimisht të varrezat e dëshmorëve në afërsi të shkollës së emëruar “8 Dëshmorët”, kryeministri Kurti theksoi se shumica dërrmuese e të vrarëve nga urdhërdhënësit dhe ekzekutorët në Serbi, gjatë luftës së fundit në Kosovë, ishin civilë të pambrojtur dhe janë po ata çmimi ynë i paguar për lirinë që sot e gëzojmë.

“Më vjen shumë mirë që shkolla e mban emrin “8 Dëshmorët”, sepse duhet t’ua kujtojmë të gjithë brezave, edhe atyre aktual edhe atyre që vijnë pas nesh, edhe fëmijëve që nuk kanë lindur ende, do të bëhen nxënës në këtë shkollë një ditë, se liria të cilën ne e gëzojmë, shteti të cilin e ndërtojmë dhe e zhvillojmë i ka rrënjët pikërisht te ky çmim i lartë që e kemi paguar me gjakun e dëshmorëve dhe martirëve të kombit”, tha kryeministri.

Kryeministri Kurti vendosi lule te lapidari në të cilën janë të shkruar 88 emra të shqiptarëve, të cilët siç tha, u vranë sepse ishin shqiptarë dhe dëshironin të jetojnë të lirë në tokën e tyre stërgjyshore. Nga mijëra banorë nga rajoni të grumbulluar në Kralan, të ndarë burrat prej grave dhunshëm nga forcat serbe, u vranë 86 civilë të paarmatosur, derisa rrugës për deportim në Shqipëri u vranë dy të tjerë. 11 nga viktimat e këtij krimi kanë qenë fëmijë, ndërkaq 18 prej të vrarëve janë gjetur në afërsi të liqenit Peruçac në Bajina Bashta të Serbisë.

Fakti që kriminelët i kanë vrarë shqiptarët dhe ua kanë rrëmbyer kufomat, tregon se sa shumë ata janë përgjegjës për këtë krim të dyfishtë, andaj Kryeministri theksoi se përgjegjësia dhe e vërteta ndodhet në arkivat e Beogradit zyrtar të cilët duhet t’i kthejnë mbi 1600 trupat e më të dashurve tanë, të cilët vazhdojnë të mungojnë edhe 25 vjet më vonë.

“Ju bëjmë thirrje edhe faktorit ndërkombëtar që të bëjnë trysni mbi Beogradin, në mënyrë që të ketë drejtësi për Kosovën, për viktimat e shumta gjithandej, të pranverës së vitit 1999, meqenëse pa drejtësi, plaga vazhdon të kullojë e familjet e martirëve vazhdojnë që të kenë ankth e vuajtje, meqenëse shumë prej tyre nuk e dinë se ku i kanë trupat e pajetë e më të dashurve të tyre”, përfundoi kryeministri Kurti.

Dëshmitarët kanë rrëfyer se si mes 2 dhe 4 prillit të vitit 1999, forcat ushtarake dhe policore të Serbisë, torturuan qindra burra dhe djem shqiptarë, të rrethuar me tanke në një fushë në Kralan. Pas dy ditësh rrahje e keqtrajtimi, më 4 prill, nga grupi i djemve dhe burrave, të cilët janë mbajtur në livadh, gjatë gjithë kohës të rrethuar me tanke, pa ujë dhe pa ushqim, një numër i madh i tyre është liruar. Janë mbajtur 86 prej tyre, ndër të cilët edhe 11 të mitur. Që nga ajo ditë, askush nga ta më nuk është parë i gjallë.

Në këto homazhe, kryeministri shoqërohej nga Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Agon Dobruna, zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Ali Tafarshiku, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha Bunjaku, deputët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Mimoza Kusari Lila dhe Agon Batusha, si dhe zyrtarë të nivelit qendror e lokal.

Filed Under: Rajon

Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit

April 2, 2024 by s p

Bujar Leskaj/

Si sot, 33 vite më parë në Shkodër, u vranë nga regjimi i Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë katër Pishtarë të Demokracisë dhe u plagosën 87 qytetarë të tjerë, të cilët protestonin paqësisht kundër grabitjes së votës së lirë dhe dhunimit të zgjedhjeve të 31 marsit nga partia- shtet.

Firmëtari, themeluesi, anëtari i kryesisë së PD, studenti me bindje të hershme liberale, demokrati aktiv që nga takimi me Ramiz Alinë e deri tek organizimi i PD në Shkodër, i dashuri dhe i shtrenjti Arben Broci; të rinjtë veprimtarë të PD: Nazmi Kryeziu, Bujar Bishanaku dhe Besnik Ceka u vranë pabesisht, sepse guxuan t’ia thonë pa frikë diktaturës se koha e saj kishte përfunduar njëherë e mirë dhe shqiptarët kishin zgjedhur Lirinë, Demokracinë, Prosperitetin dhe Europën!

2 prilli 1991 dëshmon se shqiptarët janë të gatshëm të përqafojnë Lirinë me çdo çmim, duke iu kundërvënë tiranisë!

Heronjtë e 2 prillit nuk janë vetëm heronjtë e Shkodrës, djepit të qëndresës antikomuniste dhe demokracisë! Ata janë heronjtë e gjithë Shqipërisë!

Ëndrra, dëshira, guximi dhe përpjekja e Arben Brocit dhe e të gjithë atyre që sakrifikuan jetën dhe derdhën gjakun e tyre për ta bërë Shqipërinë një vend të lirë, qëndrojnë në themelet e ndërtimit të shtetit demokratik, të cilin kemi ende shumë punë për ta ndërtuar!

33 vite më pas, emrat e 4 martirëve të 2 prillit, thërrasin në ndërgjegjen tonë për të na thënë se e keqja ende nuk është mposhtur!

Martirët e votës së lirë, Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Bujar Bishanaku dhe Besnik Ceka me aktin e tyre sublim, me jetën e dhënë për t’u bërë të pavdekshëm, na ftojnë të bëjmë gjithçka për përmbysjen e këtij sekti, të ngritur mbi diktaturën e drogës, krimit, korrupsionit, vjedhjes së vullnetit e votës së lirë të shqiptarëve.

Lavdi përjetë martirëve të 2 prillit !

Filed Under: Opinion

Shaban Murat Jashari, mësuesi, luftëtari

April 2, 2024 by s p

Shqiponjë Osmanaj/

Shaban Murat Jashari ishte mësues dhe si njeri i arsimit, dijes dhe kulturës e dinte që nuk ka dinjitet pa atdhe të lirë. UÇK-ja është burim i ndërgjegjes, moralit dhe guximit! Nuk ka detyrë më të shenjtë se të jesh mësues, arsimimi dhe edukimi janë themeli i një shteti të fortë, arsimimi dhe edukimi sjellin liridashës, burra që krijojnë kohën. Një mësues si SHABAN MURAT JASHARI edukoi familjen, breza të tërë në Drenicë dhe i dha mësim botës se si intelektualët zëvendësojnë penën me pushkën kur i thërret atedheu.

Shtëpia e Jasharëve ishte shkollë për atdhedashuri, ishte mburojë e motiv për luftëtarët e lirisë dhe jo rastësisht LIRIA KA EMËR. Ukshin Hoti ishte profesor universitar, Jakup Krasniqi ishte mësues e shumë patriotë që krijuan kohën për liri dhe nuk pranuan gjunjëzimin në këmbim të privilegjeve.

Koha ka qenë për të gjithë, por jo të gjithë ju përgjigjën vatanit në kohë. Për dikë… ishte kohë pa kohë e dikush nuk kishte kohë…Por, fatkeqësisht emblema e UÇK-së dikujt i pengon edhe sot dhe me nostalgji kujtojnë privilegjet e ish regjimit! Privilegjet gjithmonë kanë prodhuar servilë, egoistë e antivlera nacionale. Një thënie e përshkruan më së miri nocionin njeri frikacak/servil…

“Heronjtë vdesin, maskarenjtë e shijojnë lirinë”, e ne kemi edhe heronj të gjallë të cilëve po ju mohohet liria padrejtësisht dhe falë sakrificës së tyre kemi Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik.

Rikujtim: Ata janë në izolim jo si individë e as si parti politike, ata janë trungu i emblemës e i lirisë sonë. Ata ishin mësues, arkitektë, mjekë, gazetarë dhe bujq, mbi të gjitha ata e kishin një profesion të përbashkët, IDEALIN PËR LIRI!

Ata kulmuan mbi armikun e jashtëm dhe bashkëpunëtoret e tyre. Ata me armatim e paarmatim ishin në vijën e frontit.

Ata nuk luftuan për privilegje, ata e kishin tashme privilegjin më unik në botë, emrin luftëtar lirie, ata e kishin vdekjen shoqëruese.

Ata e panë vdekjen me sy, por fati disa nga ta i bëri heronje e disa i heroizoi për së gjalli.

Ka ikur koha e sundimit serb…

Ka ikur rreziku për okupim…

E bashkë me serbët ikën edhe privilegjet e individëve të caktuar, por mbetën ata dhe dëshpërimi i tyre!

Ruajini majat e sukseseve në profesion me nder e dinjitet, nostalgji-Jugosllavia është shpërbërë moti, zgjohuni nga gjumi plot ankth, tregojini egos suaj se keni gjak shqiptari dhe se kryeqyteti ynë është Prishtina e jo Beogradi.

Faleminderit UÇK, faleminderit NATO, pa UÇK-në nuk erdhi NATO, pa ju që goja e mendja ju qet me nder me thanë”…” erdhi liria, ju nuk ishit në atë kohë, ju jeni t’pakohë!

Filed Under: Fejton

Saga e Ilias, Xhemilia dhe Jusuf Vrionit: subjekt i gatshëm për një roman

April 2, 2024 by s p

Prof.as.dr. Hasan Bello/

Një nga familjet më të njohura shqiptare ishte ajo Vrionasve të Beratit e cila jetonte në një ansambël arkitekturor prej katër shtëpishë, të rrethuara me një mur të lartë në lagjen “Mangalem”. Në pamje të parë ato ngjasonin me një kala të vogël dhe konsideroheshin si sarajet më të bukura të Shqipërisë.

Kontributi i kësaj familjeje shtrihet thellë në historinë e Shqipërisë, duke vijuar me Mehmet Ali Vrionin, i cili në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit do të luaj një rol të rëndësishëm fillimisht si deputet në Parlamentin e parë osman (1876-1877) dhe më pas si kryetar i Lidhjes për degën e Beratit. Në prill-qershor 1879 Mehmet Ali Vrioni sëbashku me Abdyl Frashërin udhëtuan drejt kryeqyteteve europiane për tu takuar me diplomatë dhe personalitete të njohur për të sensibilizuar opinionin publik ndërkombëtarë lidhur me çështjen shqiptare.

Mehmet Ali Vrioni që për disa vite kishte ushtruar detyrën e mytesarifit (nënprefektit) në këtë periudhë do të martohet me një vajzë nga familja bertase Vokopola, e cila bashkë me bukurinë thuhet se i solli dhe pasuri të madhe. Në vitin 1882 çiftit u fali Zoti një djalë të cilin e quajtën Ilias. Por gëzimi në këtë familje nuk zgjati shumë. Një aksident tragjik i mori jetën bashkëshortes së Mehmet Aliut, duke e lënë foshnjen jetim. Pas disa kohësh ai u martua me një çerkese të quajtur Mihiri hanëm që nuk zgjati pasi në vitin 1890 atdhetari i njohur ndërroi jetë.

Iliasi i vogël u rrit me përkujdesin e njerkës, e cila nuk kishte fëmijë dhe xhaxhait të tij, patrioti Azis Pashë Vrioni. Pas mbarimit të arsimit bazë ai u dërgua për të vijuar studimet e larta në Stamboll, në Mylkijen e famshme (fakultetin e Shkencave Politike dhe Administrative) nga auditoret e së cilës dilnin drejtuesit kryesorë të administratës osmane. Në vitin 1904 ai u diplomua me rezultate të larta. Ndërsa në vitin 1908, në moshën 26 vjeçare u zgjodh kryetar i bashkisë së Beratit. Deri në vitin 1912, Ilias Vrioni do të përpiqet për zhvillimin e arsimit kombëtar dhe përmirësimin e jetës së bashkëqytetarëve. Gjatë kësaj periudhe, ai bashkëpunoi ngushtë me klubet patriotike, të cilat luftuan për zgjerimin e shkollave në gjuhën shqipe. Ai do të luaj rol kryesorë për zgjedhjen e Ismail Qemalit dhe xhaxhait të tij, Azis Pashë Vrioni si deputetë në Parlamentin e dytë osman. Kjo pavarësisht fushatës së xhonturqve për t`i penguar këto kandidatura.

Në Kuvendin e Vlorës, Ilias Vrioni mori pjesë si përfaqësues i Beratit dhe me kërkesë të Ismail Qemalit iu ngarkua detyra e këshilltarit të Ministrisë së Brendshme. Angazhimi politik i Ilias Vrionit ka disa kulme. Ai fillon në këtë periudhë, por në fakt pas Kongresit të Lushnjës në janar të 1920 ku ai ishte pjesmarrës aktiv, Ilias Vrioni do të bëhet disa herë kryeministër dhe ministër i Jashtëm. Për shkak të kontributeve, formimit dhe besimit që ai gëzonte edhe në vitet e Republikës dhe Monarkisë shqiptare ai do të luaj një rol të rëndësishëm. Kryesisht, Zogu e ngarkoi atë të merrej me politikën e jashtme si ministër dhe diplomat. Në vitin 1932, ai ndërroi jetë në Paris ku shërbente si ambasador.

***

Në vitin 1909 Ilias Vrioni ashtu si të gjithë pinjollët e familjeve (oxhaqeve) të mëdha shqiptare u martua me vajzën e Hysen Pashë Dinos. Xhemilia ishte një vajzë e shkolluar dhe tepër e emancipuar për kohën. Ajo i përkiste një familje po aq të njohur çame nga Preveza, e cila kishte nxjerrë funksionarë të lartë në administratën osmane, patriotë dhe intelektualë të njohur brenda dhe jasht Shqipërisë. Ajo kishte mbaruar një shkollë femërore në Stamboll dhe zotëronte shumë mirë përveç shqipes, frëngjishten, italishten, greqishten dhe turqishten. Xhemilia solli në Berat edhe pianon së cilës i binte shumë mirë dhe brenda një kohe të shkurtër filloi t`ua mësonte vajzave të tjera.

Epilog i dhimbshëm

Me Ilias Vrionin që vdiq relativisht herët Xhemilia pati tre fëmijë, Mehmet Aliun i cili pas shkollimit në Paris shkoi në Itali dhe sëbashku me të motrën, Nihalin e martuar atje për shkak të regjimit komunist nuk u kthye më kurrë në Shqipëri. Ndërsa fëmija i tretë, përkthyesi dhe intelektuali i njohur Jusuf Vrioni, i diplomuar po në Paris për drejtësi dhe ekonomi u kthye në Shqipëri ku për 13 vite vuajti në burgjet komuniste.

Xhemilia vdiq në Tiranë në vitet 70-të pa u takuar me dy fëmijët e tjerë që ndodheshin në Itali dhe pa e parë Jusufin në detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në UNESKO pas viteve 90-të. Por, ajo përjetoi edhe diçka të tmerrshme në vitin 1946, kur komunistët hapën sarkofagun dhe nxorrën nga varri bashkëshortin e saj, ish-kryeministrin, ish-ministrin e Jashtëm, ish-ambasadorin dhe nënshkruesin e deklaratës së pavarësisë, Ilias Vrionin për ta hedhur në një vend që nuk dihet as sot. Përveç kësaj, “barbarët e kuq” iu vërsulën edhe sarajeve të Vrionasve, për të zhdukur me kazma nga faqja e dheut ato pak gjurmë të familjeve fisnike shqiptare.

Foto: wikipedia.org

Filed Under: Politike

MALESORËT NJË POPULL QE KA RRËMBYER ARMËT PËR LIRI

April 2, 2024 by s p

Kujtimet e një vullnetari italian në kryengritjen e Malësisë së Madhe.

Përgatiti Rafael Floqi

Ky shkrim është shkëputur nga libri i ushtarakut dhe gazetarit italian Eugenio Vaina de Pava “ALBANIA CHE NASCHE”, “Shqipëria që lind” botuar në Catania më 1914. Autori dy librave për Shqipërinë e para Luftës së Parë Botërore Eugenio Vaina (1888-1915), qe i diplomuar në Fakultetin e Arteve në Firences, iu bashkua lëvizjes politike katolike italiane mazziniane gjatë viteve të tij studentore. Fillimisht ai u interesua për çështje morale dhe etike, por më pas u fokusua tërësisht te politika. Fillimisht interesimi i tij ishte i drejtuar kah Ballkani dhe problemet e kombit shqiptar. Në botimet e tij më vonë ai mbrojti rolin aktiv të Italisë në ngjarjet e Luftës së Parë Botërore, veçanërisht sepse pjesëmarrja italiane në këtë luftë do të kontribuonte në bashkimin e Venezia- Giulias me Italinë dhe në shkatërrimin e Monarkisë Hasburge. Ai ra si ushtar italian në territorin slloven në malet Kërn menjëherë pas fillimit të luftës (ofensiva e dytë e Soçës).

Ky libër dhe veçanërisht kapitulli në fjalë që flet për lëvizjet kombëtare të shqiptarëve, është i mbushur krahas perspektivave dhe analizave të thella historike të çështjes së Shqiptarëve dhe të kryengritjes së Malësisë së madhe, edhe me detaje konkrete që vizatohen më syrin e një gazetari të huaj simpatizant të luftës të popullit shqiptar për liri, por dhe të një dëshmitari të vetë fakteve, duke qenë vullnetar italian garibaldin në këtë luftë ai bëhet dëshmitar i pabesive të Malit të zi, ndaj luftës të malësorëve për liri nga pushtuesi shekullor turk.

Idealin që e shtyn. autori e ka shprehur bukur në parathënien e librit, kur ndër të tjera shprehet : “ Nuk është e mundur që në çdo komb ku liria ekziston ende në zinxhirë ose vetëdija kombëtare e dëshpëruar ose në formim e sipër, që të gjeni disa njerëz me vullnet të mirë që janë besimtarë të vendosur se nuk mund të arrihet vëllazërimi i popujve të ndryshëm, përmes mohimit të Atdheut, por vetëm përmes zhvillimit të lirë dhe harmonik të të gjitha aftësive të tyre morale dhe ekonomike, në ditën kur do të rikthehen në të drejtat e tyre dhe ata të ndërgjegjësohen për detyrat dhe misionin e tyre, se çfarë është vendi i tyre në botë?”

Rrëfimi, është i mbushur sa me digresione historike të tablosë të luftës të popullit shqiptar në vitin 1911 aq dhe me analiza të së ardhmes. Leximi i këtij fragmenti është më tepër një tablo e plotë e një harte ushtarake beteje e kryengritjeve shqiptare të viteve 1910-1912, si dhe të arritjeve dhe mangësive të tyre, gjë që çoi rrëmujshëm drejt pavarësisë kombëtare më 28 Nëntor, por jo me një Shqipëri të plotë etnike të katër vilajeteve.

***

Jo vetëm malësorët por agjitatorët patriotë u mashtruan. Kryengritja shqiptare e cili duhej të shpërthente spontanisht në disa pika, përkundrazi qe e parakohshme, kaotike, e papërgatitur, pa ndjekur direktivat e atyre që shpeshherë kërkonin të vinin pas për ta rikthyer; pa marrë frymëzim tjetër, veçse me vonesë dhe pjesërisht nga idealet e tyre; si forca natyrore, të papërmbajtshme dhe të pashërueshme me ilaçe të përkohshme. Asaj i duhej të çonte deri në fund në gjurmët e origjinës së saj të trazuar dhe të pa reflektuar me gjithë të mirat dhe të këqijat e tyre. Megjithatë ajo i dha asaj forcë të mjaftueshme entuziazmit për të shtypur forcat mbizotëruese të armikut në përleshje të vogla, për të rezistuar në mënyrë të admirueshme, për t’u përhapur fitimtar për të katërtën herë deri në Shkup; duke e bërë atë të habitur edhe nga vetë madhësia e triumfit të saj, e paaftë për të përfituar prej sa, e paaftë për t’u organizuar, shumë pak e shkathët për të marrë një pozicion të dobishëm, në përmbysjen e re të luftës ballkanike që po vinte, gati për t’u shpërbërë menjëherë në një mijë ambicie dhe rivalitete personale

Parashikimet e shumta, kanë mbetur gjithmonë në statusin e projektit. Ishte absurde të besohej se një popullatë mund të kishte besim te zyrtarët, që as nuk flasin dhe as nuk shkruajnë të vetmen gjuhë që ata njohin, ose që të kryejnë operacione policore, të tilla si çarmatimi, me karakter hakmarrës ose grabitës barbar (në tokat që kanë një ndjenjë shumë e mirë nderi dhe dinjiteti personal i tyre) duke përdorur rrahjen publike ndaj drejtuesve më me autoritet dhe pa dhënë asnjë dëmshpërblim për armatimet artistike, shpesh me vlerë të madhe që u konfiskoheshin.

Por thellë në thellësi dhe nën të gjitha këto ankesa të paparashikuara, ekzistonte ndjenja e një shqetësimi moral, që nuk ishte ndjerë më parë, dhe kishte dalë papritur nga rinovimi politik, nga liria e papritur e diskutimit, nga ndryshimi i thellë, madje edhe i interesave ekonomike, të provokuara nga ardhja në pushtet të Partisë xhonturke. Kjo parti tepër e re dhe me iniciativë, me besim të thellë në fatin e racës turke dhe të fesë myslimane, ishte e gatshme të bënte që forca e arsyes së shtetit osman të ndihej në të gjitha anët e Perandorisë, dhe pa ndonjë zbutje e përkujdesje. Pastaj meritat dhe gabimet e saj. Ajo besonte në shtetin osman deri aty sa midis një myslimani separatist dhe një të krishteri besnik ajo preferonte, si në Epir, pa hezitim këtë të fundit, të gatshëm të zbatonte parimet e një sistemi tatimor dhe ushtarak absolutisht uniform, pa marrë parasysh askënd.

Kështu, në luginën e egër të Drinit të Bardhë, së pari u ngritën shqiptarët e Pejës, të Gjakovës, të Prizrenit, tashmë armiqësor ndaj reformave maqedonase të periudhës 1904-1908 të drejtuar nga Hilmi Pasha, të prekur tashmë thellë në privilegjet e tyre tradicionale, kundër urdhrit të çarmatimit të pranverës së vitit 1909.

Xhavid Pasha theu zakonet e vjetra të transitit dhe me vetëm një mijë e katërqind burra dhe tre bateri kaloi fushën e Gjakovës dhe rajonin e Pejës, duke djegur kullat e bejlerëve të pasur, duke arritur t’i çarmatosë me dhunë shumicën e rajoneve të arritshme më lehtësisht. Kërkesat e drejtuesve të kryengritjes ishin ende shumë të kufizuara: Zenel beu i Pejës, p.sh. është shembulli më ilustrues, ai duke folur atë verë me publicistin francez Jaray, thjesht i tha: “Dikur ne nuk e paguanim të dhjetën, tani duan të na bëjnë që ta paguajmë; më parë nuk e bënim shërbimin ushtarak, përveç rasteve kur donim ose në rast rreziku; tani duan që të gjitha fiset të japin ushtarë ose në këmbim pesëdhjetë lirave turke; dhe përballë këtyre nevojave të reja, të gjithë shqiptarët kanë të njëjtat interesa.”

Kjo Ishte thjesht si një interval mes dy revoltave dhe Xhavid Pasha, nuk gabonte kur i tha të njëjtit udhëtar francez, se do duhej të rikthehej shumë shpejt aty “për t’u dhënë një mësim të mirë atyre zotërinjve shqiptarë”.

Personi që kreu represionin e dytë vitin e ardhshëm ishte po ai Turgut Pasha, emër ky që më vonë mbeti i famshëm ndër shqiptarët si një simbol legjendar i egërsisë së pamëshirshme turke. Megjithatë, kësaj here aksioni i përgatitur ishte më i madh dhe rezistenca e kryengritësve ishte më e organizuar, e më këmbëngulëse dhe më e bashkuar. Të udhëhequr nga Isa Buletini, ata kishin pushtuar qafën shumë të rëndësishme të Kaçanikut, një çelës strategjik i fushës së Kosovës, duke ndërprerë hekurudhën midis Shkupit dhe të Mitrovicës. Ndonëse të pakët në numër, ata u rezistuan për një kohë të gjatë në atë pozicion të shkëlqyer, duke zmbrapsur me trimëri çdo sulm frontal, derisa u larguan nga ushtria turke në krahun e tyre dhe u detyruan të hiqnin dorë nga fusha. Një këngë e Malësorëve që u referohet atyre betejave me vrull të bukur epik thotë:

“Kaçanikut i raft pika

Nuk e din se çka është frika

Nand sahat tuj therr me thika

Pas shtypjes së revoltës në Kosovë, luftërat e reja, jo indiferente, i prisnin trupat turke të drejtuara për në dimër për në Shkodër, ku me disa qindra qenë drejtuar drejt Shalës, ku gjithsej tetë familje, të vendosura në Qafën e Agrit në rrugën Gjakovë-Shkodër (Udhëheqësit Mehmet Shpendi dhe Marash Delia) mundën të mbanin aty trupat e shumta të Turgutit për njëzet e katër ditë gjatë gushtit të atij viti. Këta, pasi i kapërcyen malet me vështirësi, mbërritën në Shkodër në shtator dhe filluan menjëherë çarmatimin. Kështu në mënyrë të pakuptimtë, vetë ushtritë turke përhapën farat e pakënaqësisë së re, ndërsa vazhdonin, duke favorizuar një mirëkuptim të përgjithshëm; “Sepse pleqtë, thonë Malësorët, na kanë thanë: se pa dy pisqolla dhe një kamë, sa të jetosh, vedin mos e lanë”.

Me përhapjen e rebelimit midis fiseve katolike të malit të Shkodrës, duke iu afruar kufijve dhe detit, rëndësia autonomiste dhe pasojat e atyre fakteve në shtetin fqinj, që shpresonte ta kthente atë nga ambiciet e tij pushtuese, u intensifikuan dhe më gjerë, ndërsa në Evropë, fuqitë e ndryshme i ndiqnin me interes të menjëhershëm këto zhvillime.

Pedagogjia më e mirë revolucionare është veprimi dhe në luftim, aty revolta bëhet e vetëdijshme; pra, për shkak të dukurisë së njohur të heterogjenezës së qëllimeve, ndërgjegjja kombëtare e kryengritjes shqiptare u zhvillua pak nga pak, nga ndjenja parake të një natyre tjetër, nga motive lokale e të rastit që ishin shumë të ndryshme, deri në ato themelore kombëtare drejt lirisë kombëtare.

Për muajin maj 1911, pas marrëveshjeve të përbashkët ndërmjet të krishterëve të Shkodrës dhe myslimanëve të Kosovës, u përgatit bashkërisht një rinisje e kryengritjes; por më 23 mars ,lëvizja u nis befas, para kohe nga Mali i Zi, i cili filloi fushatën kundër Tuzit, me disa qindra pushkë dhe subvencione të kufizuara të furnizimesh, që ishin nën kontrollin ekskluziv të vet. Malësorët katolikë nga përtej kufirit nuk ishin zgjuar ende. Kështu që në fillim mungonte njëkohësia, që ishte kusht i domosdoshëm për triumfin e kryengritjes dhe ndihma nga vullnetarët që priteshin nga Italia dështoi, ndërsa të paktët mes tyre që ndjenin turpin e mosveprimit u larguan më kot.

Kryengritja ishte një flakë kashte, gjigante për një moment, që dogji karakollet e brezit të kufirit dhe u ndez deri në portat e Shkodrës, por që duhej të shuhej në mënyrë të pariparueshme përballë përparimit metodik e të durueshëm të dyzet mijë asqerëve të Turgut Pashës dhe të dhjetë baterive të tij përgjatë brigjeve të liqenit. Në fillim të majit pozicionet që dominonin malwsorët në luginën e ngushtë të Cemit, përgjatë kufirit me Malin e Zi, u humbën dhe u rimorën disa herë me tërbim, por më në fund ato ranë në duart e turqve nga mungesa e municioneve.

Malësorët u tërhoqën për herë të fundit me pushkë të zbrazura nga Mali i Deçiqit kur u ndeshën në rrëzë të malit me mushkat e ngarkuara me fishekë të bllokuara aty me urdhër të oficerëve malazezë.

Turgut Pasha më pas, në një nga proklamatat e tij, shpalli faljen, me kusht dorëzimin, pa kushte të tetë udhëheqësve kryesorë të kryengritjes, përkatësisht të liderit kryesor: Sokol Baci dhe të krerëve Fran Pali, Ded Gjoni, Mirash Luca, Tom Ujka, Luc Marku, Mehmet. Shpendi dhe Mirash Pali. Por malësorët në një takim mbresëlënës të mbajtur më 12 maj në Pikalë ,vendosën ta vazhdojnë sërish rezistencën.

Pastaj filloi lufta guerile: duke u ngjitur në shkrepat gjithnjë e më të ashpra, në pyjet alpine, nëpër shkretinat shkëmbore deri në fushat e largëta të borës së pellgut ujëmbledhës, duke “bërë”, sipas këshillës së Garibaldit, një Trentino “shqiponjash”. Malësorët nuk pushuan së ngacmuari armikun fitimtar. Shqiptari luftoi me pushkë dhe nuk kishte nevojë për topa, siç mëson Evropa. Me një kore bukë, me gjysmë opinge – luftoi natën në dritën e hënës; — luftoi edhe në zemër të errësirës… Vëllezër janë dhe si vëllezër e kalojnë jetën”, kështu thoshte një këngë e asaj kohe.

Marshimi i paepur i armikut po mbyllej, kolona e Ethem Pashës që kthehej nga Kosova, pasi kishte tentuar disa herë më kot të kalonte në qafat e Selcës, u palos drejt Vuklit dhe në luftimet e fillim qershorit dhe arriti të bashkohej me ushtrinë e Turgutit. duke i prerë plotësisht kryengritësit nga pjesa tjetër e Shqipërisë, në afërsi të kufirit jugor të Malit të Zi.

Aty, që përfshiheshin deri në njëzet vullnetarët e fundit italianë, që as atëherë nuk deshën ta ngrenë flamurin malazez dhe protestuan në fytyrë të zyrtarëve të atij vendi: “Ai është mbreti juaj, jo i yni”, në çdo shenjë përkushtimi që do të janë shoqëruar me favore materiale shumë të mëdha.

Kjo ishte agonia: kishte zëra për negociata, armëpushime, një hap i Rusisë në Stamboll i kundërbalancuar menjëherë nga një nga ndërhyrje Gjermane në Cetinë. Këtu (më lejohet një vend për një kujtim personal) kur një mëngjes, të kampuar tek ura e Tamarës për një tentativë ekstreme në vijën turke, na zgjoi zëri i ashpër i oficerëve malazezë, që na bërtisnin të shkonim të dorëzonim armët tona pasi “paqja u arrit”.

Kryengritësit, të uritur dhe të lodhur, me familjet e tyre peng të bamirësisë malazeze, patën guximin të qëndrojnë edhe dyzet e tetë orë në pozitat e tyre, pa bukë, pa fishekë. Pastaj zbritën në Podgoricë dhe unë ende i kam në sytë e mi gojët e tyre të thara, të shpërfytyruara nga uria dhe ankthi, të cilat bërtisnin. duke na takuar ne italianët që ktheheshim nga malet në mbrëmjen e 3 gushtit, se na kishin tradhtuar, se nuk donim të ktheheshim në shtëpitë e djegura dhe të shkatërruara nga turku, se “s’e lamë Evropën që të arrinte të kuptonte luftën e tyre.

Pas rreshtave të trupave, në sheshin e madh të kazermave të Podgoricës, çdo pamje e lirisë, pa diskutim ishte hequr; emigrantët shkodranë që mund të kishin ndriçuar bashkatdhetarët e tyre u dëbuan me forcë; udhëheqësit ende të prirur për rezistencë u rrëzuan ose u burgosën. Më 11 u nënshkrua një protokoll i paketuar mirë, me një klauzolë sekrete të bashkangjitur për kompensim në favor të Malit të Zi. Pak rëndësi ka, nëse këto shpresa më vonë u shuan dhe i dhanë një pretekst, ndër të tjera, edhe luftës ballkanike; por fiksuesit dhe biznesmenët që shpresonin për të ardhura bujare nga bonifikimi i liqenit, qenë ata që shpallën paqen malazeze. si tepër bujare për malësorët e mundur.

Pastaj nisi pastrimi i kampit nga shqiptarët; u ndërmor një gjueti e ashpër për kontrabandën e armëve dhe gazetave; burg dhe dëbim për shkelësit: nuk duhet folur më për çështjen shqiptare. Qeveria malazeze mori peng familjarët e krerëve të Dedë Gio Lulit, Gjin Nikës dhe Mehmet Shpendit, të cilët nuk mundën ta ringjallnin revoltën; megjithatë nëpërmjet besnikëve të tij Sokol Baci ai e mbajti Malësinë gjer në pranverën e vitit 1912, ndërsa i gjithë rrethi i Kosovës, pas një një sërë përplasjesh të suksesshme, hartoi në Shkup një plan autonomie shumë më organik se lëshimet e herëpashershme të Podgoricës. Në fakt, kryengritja fatkeqe e vitit 1911, në mos për asgjë tjetër, i shërbeu të paktën asaj: që të siguronte që koncesionet e dorëzimit, të përcaktuara me tyre si për palë të barabarta, të mbeteshin si një bazë ligjore për pretendimet e ardhshme autonomiste dhe të krijonte marrëveshje midis malësorëve kryengritës dhe agjitatorëve evropianë, duke dhënë mësim për të dyja palët nga zhgënjimi dhe domosdoshmëria supreme për të arritur ta bënin vetë Shqipërinë.

Emri të paktën i “qeverisë provizore” i nisur nga kalabrezo-shqiptari Terenc Toçi përballë mureve të vjetra të Lezhës, demonstratat e vonuara të mirditorëve, kërkesat e bëra për armë nga krerët shqiptarë të Epirit, agjitacionet e grupit kryengritës të kryesuar që nga Korfuzi nga Nikolla Ivanaj, dëbimet e shkaktuara, shërbyen për të demonstruar qëndrueshmërinë reale të çështjes shqiptare, në të gjithë tërësinë e saj, deri në vjeshtë.

Turqit, siç pritej, nuk i përmbushën kremtimet: asnjë shkollë kombëtare s’u hap, asnjë rrugë, asnjë zyrtar vendas për Shqipërinë e Epërme; dhe në Shqipërinë e Poshtme dhe Qendrore, me gjithë premtimet e Ministrit të Brendshëm Haxhi Adil Beut gjatë udhëtimit të tij elektoral, asnjë shkollë nuk u rihap, e nuk u ndreq asnjë padrejtësi.

Duke e kapur pushtetin në mënyrë spazmatike. në acarimin e luftës së gjatë në Tripoli, në Turqi Partia Bashkim dhe Përparim zhvilloi zgjedhjet e vitit 1912 me arrogancën më të pacipë, në mënyrë që të anulonte çdo mundësi diskutimi në parlamentin e ri. Shumë vonë edhe vetë kjo parti e kuptoi këtë gabim dhe u përpoq ta korrigjojë, duke lënë pak liri në zonat e thirrura për të votuar së fundi, e frikësuar dhe e penduar për mungesën totale të një valvule sigurie për pakënaqësinë e vendit.

Por qysh nga fillimi i majit 1912 në Kosovë dhe në Drinin e Bardhë, duke marrë si pretekst nga ardhja e disa inxhinierëve për të studiuar një linjë hekurudhore ushtarake nga Mitrovica në Pejë, revolta shqiptare rifilloi për të katërtën herë, nën udhëheqjen e krerëve të zakonshëm, por me drejtimin më të lartë tani të burrave ushtarakë e politikë, si kolonelëve Bajram Curri dhe Riza Beut, si ish-deputetëve Hasan bej Prishtinës, Nexhib bej Dragës të Shkupit, dhe Jahia Agës së Prizrenit e të tjerëve, të cilët të mundur në terrenin elektoral nga kandidatët e komisionit, më në fund i dhanë rrugë një uniteti drejtimi dhe një ndërgjegjësimi për qëllimet që u kishin munguar në të gjitha lëvizjet e mëparshme dhe që u shfaqën në memorandumin e Junikut, i karakterizuar qartë nga kërkesat: për një administrate të vetme për të gjithë Shqipërinë, nën një inspektor të përgjithshëm, me gjuhën zyrtare shqipe, me shkollën, ushtrinë dhe buxhetin e vet.

Epërsia e përkohshme e armëve nuk u vlejti turqve. Kryengritësit e lejuan veten të kapeshin, ndoshta nga një tradhtar, në Pejë nga mesi i qershorit, në një pritë mizore ku pothuajse dy mijë prej tyre u vranë dhe vetëm, disa qindra shpëtuan, duke u përplasur dëshpërimisht me unazën e hekurt të trupave osmane, duke rifituar numrat dhe vrullin e tyre në luftën malore. Në korrik, një rrethanë e papritur u erdhi në favor të tyre, erdhi lajmi se një grup oficerësh shqiptarë të garnizonit të Manastirit, që i përkisnin partisë së Antantës Liberale, të ftuar të lëviznin kundër kryengritësve u hodhën në të kundër, duke refuzuar të shkojnë të luftojnë kundër vëllezërve të tyre, dhe duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë xhonturke. Kështu ata rinovuan taktikat e revolucionit të 1908-ës: dhe ashtu si atëherë trupat e Selanikut bënë kauzë të përbashkët me ta; dhe qeveria e Stambollit ndryshoi.

Më pas, nga kalimet e pambrojtura të pellgut ujëmbledhës, ushtria e malësorëve shqiptarë u përhap në rrafshin e Kosovës, mori Prishtinën dhe pothuajse pa gjuajtur një të shtënë pushtoi Shkupin, të udhëhequr edhe një herë nga luftëtari legjendar Isa Buletini. I cili pasi pushtoi qytetin, nuk kreu asnjë dhunë, gjë që ishte e admirueshme në sytë e korrespondentëve evropianë, për rendin që mundi të vendoste dhe ta ruante atje. Nga Shkupi ku ai vendosi ligjin: ai donte nga Turqia pranimin e memorandumit të Junikut; dhe meqenëse qeveria e zvarriti, ai kërcënoi të ngrinte në këmbë të gjithë Maqedoninë, të zbriste deri në detin Egje gjer në Selanik. Të gjitha kërkesat e tyre atëherë, përveç njërës, u pranuan dhe kryengritja u shpërbë dhe u kthye në shtëpi me armët e mbushura, paqësisht.

Pra, për dy muaj, pra nga gushti deri në tetor 1912, e gjithë Shqipëria gëzonte, të paktën ligjërisht, një autonomi të madhe të fituar me aq shumë vështirësi, dhe njerëzit më të mirë të saj që po përgatiteshin të korrnin frytet, me pëlqimin besnik të qeverisë së Said Pashës, kur një vorbull e papritur erdhi për t’ua prishur planet e tyre, edhe një herë, që nga themelet.

Shtetet ballkanike e kuptuan se pushtimi i shumëpritur i Shqipërisë do t’u ikte nga duart, se provincat turke të Evropës do të çliroheshin pa pasur nevojë për ndërhyrjen e tyre; dhe pa vonesë u hodhën në sulm, kështu Mbreti Nikolla para kujtdo tjetër, hodhi zarin e luftës, pavarësisht nga zhgënjimi i paqes së afërt të Lozanës.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1059
  • 1060
  • 1061
  • 1062
  • 1063
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT