• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shoqata “Iliria” në Saint Louis, 4 vite në shërbim të komunitetit dhe çështjes kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

March 15, 2024 by s p

Muaji Mars ka nisur të ketë një domethënie simbolike për ne shqiptarët në Saint Louis. Është shënjuar si themeli i bashkimit tonë, për ato gjëra që kemi të trashëguara e bartur në vetvete nga historia, kultura e traditat tona. Të gjitha këto gjejnë shprehjen e tyre më domethënëse në gjuhën tonë, e çmuar tashmë edhe nga shkenca gjuhësore e kohës për lashtësinë dhe vlerën e saj të veçantë.

Shoqata “Iliria” lindi si një domosdoshmëri ndërkomunikuse, kuptohet për ata që e duan, që e vlerësojnë dhe japin kontributet e tyre të mundshme. Veç bashkëlidhjes, shoqatat shqiptare kurdo e kudo që kanë funksionuar, jo vetëm kanë bashkuar shqiptarët, mbështetur e lartësuar mëmëdheun, por në të njëjtën kohë kanë ngritur në reliev edhe figura të shquara të saj në fushat shoqërore, ekonomike e profesionale, intelektuale e shkencore.

Gjatë muajve të dimrit 2019-2020 në kafenetë, në vendtakimet e shqiptarëve diskutohej domosdoshmëria për të patur një shoqatë që të na bashkonte në identitetin dhe vullnetin tonë të njësuar. Nga biseda u kalua gradualisht në veprime konkrete. Mblidheshim të gjithë çdo javë. Secili sillte argumente dhe kërkesat e veta. Diskutohej jo veç për ngritjen, por sidomos për mbarëvajtjen dhe jetëgjatësinë e shoqatës. U shqyrtuan disa statute ekzistuese, si ai; i shoqatës së Filadelfias, të Torontos etj., dhe u hartua një i përshtatshëm me kërkesat tona. “Nuk duhet të ngremë shoqatë të kryetarëve por të shqiptarëve!”. Ky fenomen negativ që pasqyrohet edhe në politikën e sotme shqiptare, do të kapërcehej përmes riciklimit të kryetarëve më vonë. Shoqata duhej të kishte një vendqëndrim dhe logjistikën e domosdoshme, shpenzimet e të cilave do të mbuloheshin me anë të kuotizacionit dhe donacioneve të atyre që do të kishin fisnikërinë e dhurimit… Festimet, pelegrinimet e organizimet argëtuese të kishin bazë një kuotë individuale e shoqata me fondet e mbledhura të ishte si një garanci amortizuese. Veprimtaritë promovuese artistiko-kulturore, kulinare etj., të bëheshin me shpenzime sa më të reduktuara nga shoqata ose donacione të mundshme, etj. Të gjitha këto në përvojën e kësaj periudhe kanë treguar se qenë të drejta dhe funksionale.

Hapja e shkollës (gusht 2021) për mësimin e gjuhës shqipe, qe një vendim i rëndësishëm dhe hap guximtar i suksesshëm. Realizimi mblodhi energji pozitive se kushdo dha ndihmesën materiale dhe intelektuale, sidomos personeli mësimdhënës. Rëndësi vendimtare pati mbështetja e vetë prindërve. Për nxitjen individuale e pse jo edhe evidentimin e talenteve, u organizuan fotoekspozita historike e fotografike individuale; u promovua autor libri, u organizua ekspozita “Piktorët e vegjël”, recitime e koncerte festive në fundvitet shkollore. Për argëtimin fizik e pse jo dhe të nxitjes së talenteve të fushës, u ngritën e po funksionojnë grupet sportive të futbollit. U afruan specialistët më të mirë të fushave përkatëse. Serioziteti e njëmendshmëria për të bërë hapat e mundshëm gjeti menjëherë edhe bujarinë dhe mbështetjen e pa kursyer nga bizneset shqiptare.

Sidoqoftë ende hera-herës ngrihet pyetja: Pse është e nevojtshme një shoqatë?

Ka një shpjegim të shpejtë e të thjeshtë: “Të jemi bashkë, të formatohemi e të argëtohemi së bashku!” Nuk është pak kjo, por është mirë të hedhim një vështrim paksa më në brendësi. Për Hans Blumenberg-un (studiues e filozof gjerman) themelore janë “hapësira-koha dhe pozicionimi”. Në këtë trekëndësh kemi vendndodhjen, ecurinë e përditshme me barrët e saj si dhe, tërësinë tonë të brendshme, aq kontradiktore e të ndërlikuar. Pra individi natyrshëm ka stimulin (nxitjen) dhe reagimin. Çka kuptohet me këtë? Studimet antropologjike përcaktojnë se forca reaguese i kushtohet më tepër “afirmimit” sesa “mbijetesës”. Afirmimi në kuptimin e përmbushjes e paraqitjes individuale që është një zinxhir i gjatë për t’u shqyrtuar si duhet. Nuk është vendi për teorizime, të cilat do t’i marrim të mirëkuptuara, duke mundësuar disa kapërcime, siç vëmë këmbët mbi gurët për të kapërcyer ujin… Nuk mund të ketë afirmim në mëvetësi, jashtë një mjedisi kundrues, shqyrtues, kritik e vlerësues. Ne nuk jemi qenie shoqërore vetëm si forcë fizike pune, kemi identitetin e personalitetin tonë. Këto i afirmojmë në raportet profesionale tek punët që bëjmë, komunikimet dhe shqyrtimet e rastit. Por brenda nesh lëvrin vrullshëm një përrua psikik, që jep një produkt të pa shmangshëm shpirtëror. Në rastet më të shpeshta kjo gjallesë e jona shtypet, deformohet e ndrydhet në pamundësi afirmimi… Stimulimi ynë i brendshëm, shpesh është si ajo manushaqja mes ferrave, se atë e mbulojnë zakone, paragjykime, vetëpengimi dhe mungesa e një mjedisi të emancipuar. Nuk janë të gjithë mësimdhënës, inxhinierë, juristë, ekonomistë, mjekë apo infermierë, arritje që kërkojnë aftësi, përqendrim e këmbëngulje… që e kanë duken. Janë piktorë, shkrimtarë, këngëtarë, koleksionistë, fotografë amatorë e profesionalë, janë edhe amvisa, artiste të punës së dorës e shumë zanate e aftësi të mbetura fshehur. Është në shëndetin individual e shoqëror afirmimi i tyre. Një nga mjediset më të mundshme, më praktike e vlerësuese është shoqata. Duke e parë kështu, shoqata nuk ngjason me organizimin e një ndërmarrje ekonomike, por është organizim shpirtëror i një grupi të caktuar, që e përjetojnë si të tillë, kontribuojnë dhe e bëjnë të tillë.

Të gjitha këto duan bashkëpunim. Hapja dhe zgjerimi i aftësive të tilla krijuese i japin një frymëmarrje e gjallëri jetës sonë shoqërore. Si e tillë ka nevojë për ripërtëritje të vazhdueshme për forma e nisma të reja organizative, individë të rinj me ide nxitëse. Ky është kontribut në të mirën e hapësirave tona shpirtërore e më gjerë si shqiptarë e shqiptaro-amerikanë.

Gëzuar gjithë shqiptarëve dhe kontributorëve të shoqatës “Iliria” Saint Louis për këtë përvjetor dhe urime për suksese të mëtejshme!

Ndue Gjika,

Shkrimtar dhe nismëtar i shoqatës

Filed Under: Komunitet

1936 / KUR AMBASADORI HUGH G. GRANT I PREZANTOI PRESIDENTIT ROOSEVELT PISTOLETAT SHQIPTARE TE BLERA NE SHKODER

March 15, 2024 by s p


Hugh G. Grant (1888 – 1972) — Franklin Delano Roosevelt (1882 – 1945)
Hugh G. Grant (1888 – 1972) — Franklin Delano Roosevelt (1882 – 1945)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 15 Mars 2024

“The Atlanta Constitution” ka botuar, të martën e 15 shtatorit 1936, në faqen n°9, një shkrim rreth pistoletave shqiptare të prezantuara nga Hugh G. Grant asokohe presidentit Roosvelt, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Armë zjarri shqiptare iu prezantuan presidentit

Burimi : The Atlanta Constitution, e martë, 15 shtator 1936, faqe n°9
Burimi : The Atlanta Constitution, e martë, 15 shtator 1936, faqe n°9

Uashington, 14 shtator. — (AP.) — Sot, një palë pistoleta dueli shqiptare iu prezantuan Presidentit Roosevelt nga ministri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Hugh G. Grant, nga Birmingham.

Grant, i kthyer në këtë vend me leje dymujore, tha se pistoletat i kishte blerë në Shkodër, Shqipëri.

Ai planifikoi të qëndronte në Uashington rreth një javë më shumë, pastaj të vizitonte Virxhinian për disa ditë. Ai tha se ndoshta do të shkonte në Birmingham pas dy ose tri javësh.

Ai shoqërohej në SHBA nga zonja Grant dhe vajza e tyre e vetme.

Filed Under: Analiza

BE: Po presim përfundimin e hetimeve për Banjskën nga autoritetet e Kosovës

March 14, 2024 by s p

Gjeraqina Tuhina |Bruksel|RTK/

Zyrtarët e Bashkimit Evropian vazhdojnë të insistojnë se pa i përfunduar Kosova hetimet lidhur me sulmin në Banjskë, Brukseli nuk mund të bëjë asnjë lëvizje apo të marrë qëndrim lidhur me këtë ngjarje.

Këtë pozicion të Bashkimit Evropian e ka përsëritur zëdhënësi i institucioneve Peter Stano, duke nënvizuar se kohëzgjatja e këtij procesit varet nga autoritete kompetente të Prishtinës zyrtare:

“Ishte ky një sulm shumë brutal dhe i dënueshëm në territorin e Kosovës. Dhe, autoritetet e Kosovës janë duke e hetuar. Përveç dënimit të sulmit dhe kërkimit të sqarimeve, qëndrimi i Bashkimit Evropian ishte se presim një hetim të duhur. Pra, qëndrimi ynë është se presim përfundimin zyrtar të hetimit nga autoritetet e Kosovës, kurdo që të jetë gati. Dhe pastaj në bazë të këtij hetimi, ne do të vendosim hapat ose qëndrimin tonë. Ky është qëndrimi ynë. Nuk na takon ne të komentojmë për afatet kohore. Kjo është në duart e autoriteteve të Kosovës”, ka theksuar Stano.

Ai rikujtoi se reagimi i Bashkimit Evropian më 24 shtator ishte i qartë. E përsëriti të njëjtën edhe sot dhe nënvizoi domosdoshmërinë që të dilet me rezultatet e hetimeve.

“Të gjithë ne jemi të interesuar të kemi qartësi se kush e ndërmori atë sulm, kush e mbështeti dhe kush është përgjegjës. Por për të pasur përgjigje për këto pyetje, duhet të shohim raportin përfundimtar nga hetimi e jo dokumente që po publikohen apo lëshohen nga palët e treta. Kjo, është procedurë normale, ligjore lidhur me cilindo krim sulm apo incident. I bëni hetimet dhe pastaj nxirrni përfundime”, ka shtuar Stano.

Bashkimi Evropian vazhdon të kërkojë nga Serbia bashkëpunim në hetimet lidhur me Banjskën. Më herët ishte thënë se ka gatishmëri për vendosjen e masave në rast se hetimet vërtetojnë lidhjen drejtpërdrejtë të shtetit serb me këtë sulm. Megjithatë, me kalimin e kohës, mundësitë për masa ndaj Serbisë zbehen.

Filed Under: Analiza

Prof. Genti Kruja zgjidhet President i Këshillave Ndërfetarë të Europës

March 14, 2024 by s p

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë/

Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja zgjidhet President i Këshillave Ndërfetare të Europës, pjesë e organizatës “Fetë për Paqe” (European National Interreligious Bodies, Religions for Peace Europe).

Gjatë muajit shkurt 2024 Bordi i Presidencës i Organeve Kombëtare Ndërfetare Evropiane në organizatën “Fetë për Paqen” në Evropë shpalli zgjedhjet për President të ri të Këshillave Ndërfetare të Europës.

Pas thirrjes për nominim të kandidatëve, Bordi Drejtues emëroi unanimisht Prof. Genti Kruja, si Presidentin e ri të Këshillave Ndërfetarë të Europës, i cili prej dy vitesh mbante dhe detyrën e Zëvendës Presidentit të këtyre organeve. Ai është zgjedhur kështu me një mandat tre vjeçar në krye të organeve kombëtare ndërfetare evropiane.

Bordi Drejtues ka shprehur vlerësimin për prof. Krujën dhe punën e tij ndër vite për promovimin e dialogut ndërfetar në Evropë, si dhe mbeten në pritje të rritjes së frymës së bashkëpunimit ndërfetarë gjatë këtij mandati.

Prof. Genti Kruja pason ish-Presidentin Dr. Luigi de Salvia, i cili vazhdon të jetë anëtar i Bordit Drejtues të Këshillave Ndërfetarë të Europës dhe President i “Religions for Peace” Itali.

Kush është Genti Kruja?

Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja me profesion sociolog është pedagog i Sociologjisë, Sociologjisë së Fesë, Komunikimit Ndërkulturor dhe Dialogut Ndërfetar në Kolegjin Universitar Bedër. Ai është anëtar i Bordit të Administrimit të Universitetit dhe Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.

Prof. Kruja ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në shumë konferenca ndërkombëtare mbi Arsimin, Lirinë e Besimit dhe Dialogun Ndërfetar. Ai është autor i librave “Shqiptarët përballë sfidave të mirëkuptimit ndërfetar” (2008) dhe “Historia e Dialogut Ndërfetar” (2023), botuar nga Instituti i Dialogut “PRIZMI”, si dhe autor i disa studimeve dhe artikujve të ndryshëm shkencorë në lidhje me “dialogun ndërfetar”.

Në vitin 2021, ai u zgjodh anëtar i programit të Bashkimit Evropian “Global Exchange on Religion in Society”. Më 2022 mori pjesë në programin e shkëmbimit, mbështetur nga Departamenti i Shtetit në Universitetin Seattle, Uashington, SHBA. Po në këtë vit, ai u zgjodh ekspert i Lirisë së Besimit në OSBE, Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR). Gjatë vitit 2023 ai ishte pjesë e Programit Ndërkombëtar të KAICIID, si dhe prej vitit 2022 mbante detyrën e zv/Presidentit të Organizmave Kombëtare Ndërfetare Evropiane-Fetë për Paqe, Evropë.

Më 15 shkurt 2024 ai u zgjodh President i Organeve Kombëtare Ndërfetare Evropiane (ENIB) në organizatën “Fetë për Paqe”, Evropë (European National Interreligious Bodies, Religions for Peace Europe).

Filed Under: Analiza

Kryesia e “VATRËS” në Boston vendosi buqeta me lule tek vend prehja e Fan S. Nolit

March 14, 2024 by s p

Me rastin e 59 vjetorit të ndarjes nga kjo jetë të Fan S. Nolit, Kryesia e “VATRËS” bëri homazhe dhe lutje për shpirtin e tij.

Kryetari i saj, z. Maksutaj, vendosi lule pranë varrit të Nolit duke kujtuar punën e madhe që ai bëri për të mirën e komunitetit shqiptar në SHBA dhe kombin në tërësi.

Ndërkohë Zv/Kryetari i “VATRËS” në Boston, Hirësia e Tij Peshkop Theofan Koja, bëri “Shërbesën e Përshpirtjes” në gjuhën shqipe, pikërisht nga përkthimet fetare që vetë Noli i ka shkruar!

Me rastin e këtij përvjetori të 59-të të fjetjes së Nolit, “VATRA” në Boston në bashkëpunim me Shoqatën e Studentëve Shqiptarë të Harvardit do të prezantojnë librin e ish gazetarit të “Zërit të Amerikës”, Ilir Ikonomi, “Fan Noli – Apostulli”.

Promovimi i librit bëhet të shtunën më 16 mars 2024, ora 12:00 deri 2:00pm në adresën: Boylston Hall 103 Harvard Yard, Cambridge, MA 02138

Fan S. Noli ndërroi jetë më 13 Mars 1965 në Fort Lauderdale të Shtetit të Floridës në SHBA, ku kaloi vitet e fundit të jetës mes miqve.

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1263
  • 1264
  • 1265
  • 1266
  • 1267
  • …
  • 2947
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT