• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ARRATISJA E VLLAS ARAPIT NGA BRIGADA E PARË E USHTRISË NACIONALÇLIRIMTARE

March 12, 2024 by s p

Enver Memishaj – Lepenica/

Dossjer

Vllas Arapi ishte ndër komunistët e parë që parapa se Partia Komuniste po shndërrohej në një Parti Terroriste dhe e braktisi atë.

Botohet për herë të parë: Çfarë deklaronte Vllas Arapi pas arratisjes nga forcat komuniste?

E:\Rikuperim\Lufta, B. K.Trakte A. Çami 10.11.23\FEA-873\F.270APL---12-040.jpg

Tefta Arapi, ish profesoresha ime, në vitin 1993, më foli për udhëtimet që kishte bërë në fshatrat e Kavajës, Rrogozhinës, Beratit etj duke kërkuar gjurmët e të vëllait, Vllas Arapit dhe më tregoi edhe nje fletore të trashë, ku kishte mbajtur shënime. Ajo më kërkoi mua nëse mund të shkruaja një artikull për Vllas Arapin, a ndofta edhe një libër për të.

Në atë kohë kjo ishte si një ndërmarje e vështirë për mua, prandaj e refuzova, dëshirë ose më mirë ëndërr, që do ta realizonte Fatosi, vëllai saj, me librin  “Kush ishte Vllas Arapi”.

Pas kaq vitesh, në kujtim të profesores time dhe në vlerësim të veprës së Vllas Arapit po botoj 

këtë artikull bazuar në dokumente historike, që botohen për herë të parë.  

  1. Familja patriotike e Tol Arapit.

Tol Arapi është një familje e njohur patriotike e Vlorës. Ai kishte lindur në Vlorë në vitin 1881, ku ndoqi shkolën greke dhe më pas emigroi në Stamboll ku i vdiqën edhe të dy prindërit. Që herët është aktivizuar në lëvizjet patriotike, duke marrë pjesë në çetat kryengritëse të viteve 1911 – 1912. 

Në qeverinë e Ismail Qemalit kreu detyrën e komisarit të policisë dhe ka luftuar kundër rebelëve në vitin 1914. Mori jesë në Luftën e Vlorës 1920, dhe në përfundim të kësaj lufte u rifut komisar policie, ndërsa kur Qazim Kokoshi u zgjodh kryetar bashkie, Tol Arapi do të emrohej komisar në policinë bashkiake.  

Ka propaganduar e luftuar që në kishën ortodokse të flitej shqip dhe në vitin 1922 ka marrë pjesë në Kongresin Kishtar në Berat, si delegat i Vlorës, kongresi që themeloi Kishën Autoqefale shqiptar. 

Gjatë Luftës Antifashiste Tol Arapi e ktheu shtepinë e tij në bazë të rëndësishme të lëvizjes antifashiste. Djali i madh Vllasi dhe Liria, vajza, u bënë flamurtarë të rinisë vlonjate. Për këtë arsye më 8 maj 1942 familja e tij iu nënshtrua një kontrolli e bastisje nga pushtuesi, por më parë familja kishte mundur t’i largone materialet kompromentuese. 

Më 26 dhjetor 1942, sapo mbritën në Vlorë mercenarët e Halil Alisë, e arrestuan Tol Arapin dhe dy ditë më pas më 28 dhjetor 1942 i dogjën shtëpinë dhe atë bashkë me 40 e ca vlonjatë i internuan në Gërmen të Burrelit.

Më 13 shkurt 1943 vlonjatët e internuar në Burrel, me anën e një telegrami, i kërkojnë Kryesisë së Këshillit të Ministrave lirimin e tyre: “Ne një grup vlonjatësh gjendemi të internuar në Fushën e Përqëndrimit Gërrmen – Burrel. Këto ditë disa u liruan. Tash kemi mbetur 24 persona pleq, plaka, gra e kalamakër të cilët natë e ditë presim me padurim që ajo zemër mëshirë plotë që lirojë të parët, ajo zemër të ketë dhimbsuri e mëshirë edhe për lirimin tonë që të kthehemi nëpër vatrat tona të djegura, mbasi jemi krejt të pa fajshëm. 

Burrel 13.2.43.

Tol Arapi, Abas Përpa me t’ ëmën, Ali Çela me t’ tëmën, Vasil Speci me 5 fëmijë, Ibrahim Bino e fëmija, Sefer Taipi, Isa Çakërri, Shehap Dervishi, Telemak Mitro e Dhimitër Mitro, Mahmut Xhelo, Sotir Papajani e fëmija, Hamit Radhima, Nure Taipi, Llambi Mone”.1)  

Prindërit e Tolit, Stavri dhe Aspasia kishin lindur 13 fëjë por do të rronin vetm dy, ndërsa Tol Arapi dhe e shoqja Katina do të lindnin 9 fëmijë 5 djem dhe 4 vajza. Është për t’u theksuar se të 9 fëmijët e Tolit rrojtën dhe megjithëse të varfër kryen arsimin e larta dhe lanë gjurmë të mira në historinë e qytetit të Vlorës.

Vllasi Arapi (1922 –1946), kreu shkollën tregëtare në Vlorë.

Liri Arapi (1923 – 1991), kreu arsimin e lartë pedagogjik në Napoli Itali. Liria u arrestua më 14 qershor 1942 së bashku me Sulltana Çakërrin dhe Xhemil Çakërrin, por me miqtë e xha Tolit mundi të lirohej më 15 korrik 1942 nga ku doli në mal partizane. 

Pirro Arapi (1925 – 2022), kreu arsimin e lartë pedagogjik në Itali.

Fatos Arapi (1930 – 2018), u diplomua në Sofie ekonomist dhe u bë i famshëm si poet e shkrimtar.

Petrit Arapi (1931-1977), ekonomist i lartë.

Shqiponja (1932), Bubulina Arapi (1933 – 1976), dhe Tefta Arapi (1935 – 1995) ishin mësuese dhe i fundit Astriti (1937) ishte inxhinjer.

Tetë prej fëmijëve të Tol Arapit e gëzuan jetën. Ndryshe ndodhi me djalin e tij të madh Vllasin i cili pati një fund tragjik.

Tol Arapi vdiq në Vlorë në vitin 1962 dhe u varros në vendin e origjinës në Zvërnec.2)

2.Vllas Arapi ishte ndër komunistët e parë që parapa se Partia Komuniste po shndërrohej në një Parti Terroriste dhe e braktisi atë.

Vllasi i njohur me pseudonimin e luftës “Pelivani” ose “Pelivan Vlora”, lindi në qytetin e Vlorës më 22 shkurt 1922. Ai ishte një nga të rinjtë komunistë entuziastë, aktivë, i zgjuar, trim dhe i përkushtuar për çdo sakrific për lirinë dhe Atdheun e tij. Në prill 1942 doli ilegal, ndërsa e motra Liria do të arrestohej në qershor 1942.

Prefektura e Vlorës më 5.10.1942 në një listë ku figurojnë 32 vetë të arratisur politik nga Vlora ndërmjet të cilëve Mitat Dautaj, Xhemil Çakërri, Mynyr Xhindi, Naun Hondro, Hysni Abazaj, Jonus Mersini, Neki Hoxha nga Gjormi etj., për Vllas Arapin shkruan: “Vllas Arapi i biri Tolit dhe i Katinis, lindur e banues në Vlorë, vjeç 19, student, dënuar nga Gjykata Ushtarake e Tiranës për propagandë subversive”.3)

 “Më datën 17 janar 1943 qe vra me të shtime rovolveri marshalli Mario Lombardi kamandant i stacionionit të Skelës në Vlorë. Autorët komunista deshën me një gjest të këtillë deliktuoz për të hequar nga kjo jetë një nënoficer i cili kishte kryer shërbime të dukëshme në fushatën e policisë politike, aq më tepër mbasi dinte mirë edhe gjuhën shqipe. 

Pas këtij delikti Komanda e Përgjithshme vendosi që të pushkatoheshin katër komunista nëse brenda mëngjezit të ditës tjetër  të mos dorëzoheshin autorët e deliktit të kryer. Kështu që, në mesditë të datës 18 katër të burgosur Mitaq Sallata, Astrit Kokoshi, Pavllo Kafia dhe Tole Bitri qenë pushkatue afër spitalit civil…” 4)  

“Autorët e vrasjes së marshall Lombardi janë identifikuar kriminelët Sallata Lefter dhe Vllas Arapi të arratisur”, shkruan Shtabi i Policisë Mbretërore të Vlorës.5) 

Në monografinë që Fatos Arapi i kushton Vllasit, nuk e thotë troç, por na lë të kuptojmë se atentatori marshallit Lombardo ishte pikërisht vëllai tij, Vllasi. 

Në shkurt 1943 Vllas Arapi dërgohet në Mallakastër si përgjegjës partie. “Ai ishte karakter krejt i ndryshëm nga Mehmet Shehu. Si luftëtar, ai e pranonte luftën, e pranonte  ashpërsinë e luftës, por ishte kundër terrorit dhe vrasjeve që mbillte Mehmet Shehu ngado që shkonte. Nuk e honepsi kurrë as therjen që iu bë karabinierve në Mallakstër , as vrasjen e fshatarëve në Divjakë… Shqetësimi tjetër i Vllasit janë marrëdhëniet me nacionalistët”. F. 101

Më 15 gusht 1943 Vllas Arapi do të trasferohet në Brigadën e Parë. “Sipas dëshmive ai herë gjëndet në batalionin e dytë herë në të tretin, herë përgjegjës rinie, herë komisar kompanie por në më të shumtën e kohës ai është partizan i thjeshtë… Komandant i batalinit të tretë emrohet Gjeli Argjiri, i cili, sipas pohimeve të tija është ai që ka pushkatuar Anastas Lulën… Caktimi i Vllasit partizan i thjeshtë në batalionin e tretë…, nuk është veprim i pa menduar i Mehmet Shehut”. F. 119   

 Në dimrin e vitit 1944, Brigada e Parë e Mehmet Shehut, marshon në kondita jashtëzakonisht të vështira  për të shpëtuar Shtabin e Përgjithshëm që kishte mbetur i rrethuar. 

Në këto momente të vështira Vllas Arapi i thotë Mehmetit: “Pse duhet të sakrifikohen tre batalione për 12 – 13 vetë? Ata udhëheqin një ushtri e s’dalin dot vetë nga rrethimi?…”. f.125

Terrori që ushtronte Mehmet Shehu ndaj partizanve, luftën kundër Ballit Kombëtar dhe çdo kundërshtari të tij i thelluan kontraditat e Vllas Arapit me Mehmet Shehun i cili tentoi ta eliminonte, por ai mundi t’i shpëtojë pritës së tij dhe u arratis nga Barigada e Parë më 6 prill 1944.

“Më 6 prill dezertoi nga rreshtat tona Vllas Arapi (Pelivani) nga Vlora, shkruan Mehmet Shehu, i  cili më datën 12 ka mbajtur një fjalim në Fier kundër Brigadës sonë dhe kundër Partisë Komuniste. Ky element ka qenë kurdoherë alarmues dhe sidomos kohët e fundit. Në Sulovë kishte dhënë shenja dyshimi. Na shpëtoi nga duart”. 6), 7)

3. Deklarimet e Vllas Arapit pasi u arratis nga forcat komuniste.

Pasi u arratis nga Brigada e Parë e Mehmet Shehut, Vllasi u bashkua me forcat e Ballit Kombëtar. 

Ai mbajti takime e fjalime ne qytete e Shqipërisë së Mesme ku denoncoi dhunën dhe terrorin e Partisë Komuniste. Më poshtë deklarimet e tij: 

“ Nga rradhët e Dushanit në gjirin e atdheut. Dekllarata me rëndësi të Vllash Arapit

“Rini! Mblidh mëndjen, shtrëngo brrylat e rradhët se po të afrohet diktatura më e ndyrë dhe më e përgjakshme që ka parë faqja e dheut, në të cilën nuk do të jemi veçse skllevër dhe një turmë bagëtish”. 

Në fillim të muajt prill, një i ri 23 vjeçar i nisur nga Maliqi i Korçës, duke kaluar përmes kaq rreziqesh fill i vetëm, pasi përshkoi një rrugë të gjatë nëpër Opar, Tomorricë, Sulovë, zbret në Berat dhe paraqitet në Komandën e Ballit Kombëtar. Ky djalosh që dorëzohet ishte Vllash Arapi nga Vlora, një prej përgjegjësve kryesorë të Brigadës Partizane të Mehmet Shehut.

Kush është Vllash Arapi?! 

–  Ky është i mbiqujtur “Pelivani”, të cilin s’ka burrë, i ri dhe grua, besojmë, që të mos e njohë e që të mos e ketë dëgjuar emrin në Toskëri. Vllash Arapi qysh dy vjet më pare, ka zhvilluar një aktivitet të madh në krahinën e Vlorës e të Mallakastrës, për përhapjen e idesë nacionalçlirimtare. Por si shumë të rinj edhe Vllash Arapin e vrau një ditë ndërgjegja, dhe ky i hapi sytë më në fund dhe e pa realitetin. 

Prandaj nga rradhët e Dushanit u hodh në gjirin e Atdheut, i cili i pret bijtë e gabuar me dhimbje e dashuri. 

“Pelivani” dridhet kur kujton lemeritë që egzistojnë në rardhët e Partisë Terroriste. Por megjithëkëtë nuk mungoi që këto ngjarje që të ngjethin mishtë, tmerrojnë shpirtin dhe trondisin  ndërgjegjen ti vërë botërisht në dije të popullit. Në një seri  konferencash që mbajti në Fier, Lushnjë e Berat, Vllash Arapi përshkroi me lotë në sy “ferrin” që ekziston në Partinë Terroriste.

–  Jeta fillon. Vllash Arapi: Në çetat terroriste ishte bërë e padurueshme  mungesa e bukës, e veshjeve, municioneve dhe sidomos nga vrasjet e kota që Partia bënte kundër popullit, ballistëve e partizanëve. Ajo Parti qëndron mbi gjak dhe mbahet në këmbë vetëm me anën e terrorit. 

Për të vlen më tepër një fyshek se sa një njeri. Parrulla “Liri e popull” që përdor partia ka qenë dhe vazhdon të jetë një mashtrim i math. Për popullin  e mjerë ka vetëm lemeri….

Një përshkrim i Brigadës në Veri.

–  Një muaj e gjysëm më parë Mehmet Shehu mbajti një ligjëratë duke ekzaltuar ushtarët e Brigadës së Parë me këto fjalë: “Shokë, jemi të ngarkuar të bëjmë një udhëtim të gjatë në Veri të Shqipërisë, udhëtim që ka për mision veprimtarinë më të shkëlqyer të Partis. Kjo rrugë është e rrezikshme, se do të kalojmë vende të vështira, të mbuluara me borë, në toka armike, ku nuk do të gjejmë bukë e strehë, por neve do ti kapërcejmë këto, qoftë sikur të hamë edhe kuaj të ngordhur. Nuk mund të vëmë në dije qëllimin e misionit tone, sepse atëherë të gjithë çetat partizane që janë në Jug do të pasojnë Brigadën duke lënë frontin bosh. Për të kryer këtë mision mjafton Brigada e Parë”.

Brigada u nis dhe kaloi në malet më të larta të Shqipërisë së Mesme.

Maj 1944.

–  Hyri në Martanesh, në Gollobordë, doli në Gur të Bardhë, shkoi në Shëngjergj, në Pezë dhe andej hyri në Sulovë e në Tomorricë. Gjatë këtij udhëtimi lamë 101 veta të vrarë, të ngrirë nga bora, të zhdukur e mbytur në Shkumbin. Në çdo katund që vamë na pritën me pushkë dhe raprezaljet tona kanë qenë të përgjakshme. Vetëm në Martanesh vramë 25 veta nga populli. Kështuqë numri i partizanëve dhe katundarëve të vrarë arriti pothuaj 200 veta!

Misioni iudhëtimit të Brigadës. 

–  Kur  muarmë vesh qëllimin e udhëtimit, u dëshpëruam të gjithë, sepse Brigada shkoi në Dibër për të marrë Ernver Hoxhën dhe Spiro Moisiun të cilët nuk i gjetëm atje, mbasi kishin ikur më përpara. Të gjithë u tmerruam kur pamë se për të marrë dy veta nga krerët e partisë në Dibër, u sakrifikua jeta e 200 shqiptarëve!

Të gjithë menduan se në rast se nevoitet shpëtimi ndonjë Dushani ose Mehmet Shehu për ta shpurë në Tiranë, ose më ndonjë vend tjetër të sigurtë, do të duhesh të sakrifikohej jeta e 1000= shqiptarëve. 

Flamuri i Skënderbeut u hodh poshtë.

–  Kur u kthyem nga udhëtimi i gjatë dhe plot peripecira, në Moglicë të Oparit, u bë atje ceremonia e hedhjes poshtë të Flamurit Kombëtar, i cili u zëvendësua me një tjetër me drapër e çekan! 

Tani në beretat e partizanëve nuk shihet më Flamuri i Shqipërisë, por drapëri e çekani me yllin e kuq në krye. Në fjalimin që mbajti Mehmet Shehu në këtë rast, midis të tjerave, tha: “Flamuri i Shqipërisë nuk ishte gjë tjetër veçse një reckë e qelbur për t’u hedhur poshtë”. 

Gjithashtu atë ditë u proklamua edhe qeveria proletare.

Pothuaj të gjithë të rinjtë u dëshpëruan thellësisht për hedhjen e Flamurit Kombëtar poshtë, por e mbajtën veten me zor nga frika e terrorit. 

Shumica e madhe e rinisë është penduar.

–   Shumica e madhe e të rinjëve, që bëjnë pjesë në rreshtat e partisë, janë penduar, mbasi e shohin me sytë e veta greminën në të cilën po e hedh qeveria nacionalçlirimtare atdheun e mjerë. Shumë prej të rinjve kanë mundur të largohen dhe të kthehen në vatrat e tyre.  Shumë të tjerë duan të largohen por nuk gjejnë dot rastin. 

Nacionalizmi shqiptar duhet të bëjë ç’është e mundur për t’i ardhur në ndihmë dhe për t’a shpëtuar rininë nga kuçedrat e terrorit të këlyshëve të Dushanit e Miladinit.

Të gjithë të rinjtë që janë kthyer në shtëpitë e veta mbas thirrjeve dhe kërcënimeve që u bëri partia, u përgjigjën: “Mjaft më!” 

Unë largimin tim nuk e vendosa përnjëherësh, për një arsye, ose për një tjetër, por për shumë arsye. Ishin ngjarje dhe fakte të përditëshme, që si pikat e ujit njëra mbas tjetrës e mbushën kupën dhe u derdh. Me një vështrim retrospektiv të veprimeve, të luftrave, të krimeve të përditëshme, të djegieve e të rrënimeve ku mësova se e ashtëquajtura nacionalçlirimtare nuk punonte për çlirimin e atdheut, por për zhdukjen e racës arbënore.

Ikja nga rreshtat e Partisë është shumë e zorshme mbasi rrjeti i kontrollimit dhe i spiunazhit është shumë i fortë. S’ka njeri në rradhët e partizanëve që të ketë guximin t’i hapet shokut dhe t’i propozojë largimin, sepse e di me siguri se fjala e tij do të raportohet dhe si shpërblim të menjëhershëm do të hajë plumbin ballit.

Populli i Malësive nga ana tjetër është tepër i mërzitur prej një lufte të tillë, prej çkatërrimeve dhe prej rrëmbimit të bukës e i bagëtive që bëhen nga ana e çetave partizane. 

Brigada shumë, por vetëm me emër.

–  Brigadat janë të shumta por vetëm me emër pasi janë shpartalluar krejt. Ajo që qëndron më mirë në këmbë është Brigada e Parë, edhe kjo në sajë të Batalionit të Parë të formuar prej vlonjatësh e kurveleshas. Brigadë e cila vepron nën grushtin e tmerrshëm të katilit Mehmet Shehu. Brigada e Parë ka qenë njësia më e fortë e fuqive partizane, por edhe kjo u prish dhe u demoralizua nga grushtet e rënda që hëngri në Patos, në krahinën e Vlorës dhe tani në fund në udhëtimin që bëri në Gegëri, udhëtim i cili i kushtoi rëndë dhe i shkaktoi demoralizimin e partizanëve më të vendosur. 

Vlen të shënohet se një grusht tepër të rëndë Brigada e Parë e hëngri nga një fuqi e Ballit Kombëtar te Mali i Bardhë afër Qafës së Dardhës kur po kthehesh nga udhëtimi. Kjo fuqi e Ballit që komandohesh nga Muahrrem Kapllani që siç mora vesh më vonë përbëhej nga 120 vetë mundi t’i presë hovin Brigadës, ti shkaktojë shumë dëme dhe të mos e lërë të kalojë.

Pra sot çetat partizane nuk përbëhen më si më parë vetëm nga vullnetarë të rregullt, por nga turma të rekrutuara me zorr, e me frikë që luftojnë sepse nga mbrapa u qëndrojnë komisarët politikë me mitraloza e armë në duar që kështu e bëjnë të vështirë ikjen.

Shkaqet e luftës kundër Ballit Kombëtar.

–   S’ka asnjë dyshim se luftën kundër Ballit Kombëtar e çeli Nacionalçirimtarja. Shkaku ka qenë sepse u konstatua se masa më e madhe e popullit kishte prirje nga nacionalizmi dhe sepse Balli duke u organizuar çdo ditë, do ti përfshinte të gjitha forcat dhe energjitë e Shqipërisë. Partia Terroriste te Ballin Kombëtar shihte armikun më të madh jo vetëm si fuqi luftarake por edhe si fuqi morale intelektuale tepër të shëndoshë. 

Parrulla e të gjithë partizanëv ishte: “Duhet të bëjmë ç’është e mundur që t’a eliminojmë Ballin”.

Dushani, Miladini dhe Partia.

–   Fuqia më e madhe e partisë janë dy serbët: Dushani dhe Miladini. 

Roli i Dushanit ishte kryesor, sepse ishte ky që jepte udhëzime për t’i vënë në praktikë. Miladini ishte këshilltar politik dhe mendimtari i kësaj maqine të tmerrshme. Të gjithë krerët shqiptarë me rëndësi të kësaj organizate nuk ishin veçse kukulla, që zbatojnë në mënyrë të verbër urdhërat e serbëve. 

Këta dridheshin prej Dushanit e Miladinit dhe u bënin atyre shumë kallëzime e hipokrizira për t’i patur në konsideracion dhe për t’i graduar. 

Dëshpërimi dhe pasioni i krerëve terroristë.

–  Dëshpërimi dhe pasioni i krerëve të Partisë Terroriste ka mbërritur kulmin e tërbimit, kaq sa shpesh herë thonë që neve na nevoitet të hyjmë nëpër qytete vetëm dy orë, për t’u dhënë mësimin e fundit reaksionarëve shqiptarë. 

Merreni me mënd se ç’mynxirë mund të ngjajë sikur të realizohet ëndrra e këtyre të çmendurve.

Për hakmarrje kundër Polisit dhe Çermenikës që pengoi marshimin e Brigadës së Parë në udhëtimin e fundit, Mehmet Shehu është betuar se do t’i therë të gjithë meshkujt nga 6 deri në 60 vjeç.

Një thirrje popullit dhe rinisë.

–   Vllash Arapi, duke përfunduar deklaratat e tij u drejton këtë thirrje popullit dhe

rinisë shqiptare:

“Popull Shqiptar! 

Bashkoju i gjithë si një bllok nën hijen e Flamurit të Kastriotit dhe me besën e burrninë e të parëve që të karakterizon, vërsulju terrorit, se për ndryshe të presin ditë më të zeza. Duhet ta dish, se sot është në lojë ekzistenca e një rrace që ka mundur të shpëtojë gjatë kaq shekujsh invazionesh.

“Rini! 

Mblidh mëndjen, shtrëngo brrylat e rradhët se po të afrohet diktatura më e ndyrë dhe më e përgjakshme që ka parë faqja e dheut, në të cilën nuk do të jemi veçse skllevër dhe një turmë bagëtish”. 

Maj 1944.                                                                   Balli Kombëtar “ 8)

4. Vrasja e Vllas Arapit. 

Pas arratisjes nga Brigada e Parë, Vllas Arapi qëndroi me forcat e Ballit Kombëtar në Shqipërinë e Mesme duke propoganduar kundër terrorit dhe luftës civile të Partisë Komuniste. Pas çlirimit në vitin 1945 ai do të bashkohej me grupet antikomuniste që i bënë qëndresë regjimit komunist.

Për këtë arsye familja e Tol Arapit nuk shpëtoi as nga persekutimi i komunistëve të cilët me të ardhur në fuqi, në vitin 1945 “e mbajtën tre muaj në burg, atë edhe vjehrrën e tij plakë”. 

“Një ditë në rrugë Kadri Hazbiu takoi nënën e Vllasit, tek e cila gjatë luftës kishte ngrenë bukë disa herë. Ai e përshëndeti atë dhe i dha një pusullë ku shkruhej: “Xha Toli, i thoni Vllasit të dorëzohet dhe të pres me gëzim dënimin që do t’i japë Partia”. 

Por xha Toli nuk u dorëzua dhe nuk i besoi ish shokët komunistë të Vllasit. Në letrën e fundit ai i shkruante të birit: “Plumbin e fundit vetes. Nuk dua të të shoh në duart e këtyre. Më paç uratën. Toli” 

Gazeta “Flamuri” botim i Ballit Kombëtar në emigracion, në vitin 1950 shkruante: “Në Shqipërinë e mesme…, çetat e Vlash Arapit me shokë i banë të pa sigurta rrugët dhe atakuan sa herë me sukses e trimëri qendra e fuqi komuniste”. F. 185

Këta burra patriot si Vllas Arapi që e kundërshtuan me armë diktaturën komuniste u përndoqën me terror. Në saje të përndjekjes Vllas Arapi është vrarë natën duke u gdhirë 6 qershor 1946. Ai u vra me tradhëti nga agjentë të Sigurimit të Shtetit të infiltruar në grupet e rezistencës antikomuniste. “Vllasin e sollën të vrarë me qerre nga fshati Domës. Unë e pash Vllasin të vrarë në morg, i zhveshur, me shtatë plagë në trup. Fytyrën komplet të rregullt dhe trupin shumë të lidhur. E kam parë vetë dhembin e florinjtë në gojën e tij. Fshatarët thoshin se është trim mbi trimat. Për ta varrosur e mori policia. Pasi është vrarë Vllasi, është dorëzuar fshatari që ka qenë me të. Atë e mori Babë Myslimi në mbrjtje”, ka deklaruar zv/kryetar i Degës Brendshme të Kavajës. 

Familja e Tol Arapit u vesh me të zeza edhe Liria, e motra, që ishte partizane dhe komuniste u vesh me të zeza.     

5. Nuk e denim se do të dilte kështu… 

Ata që u munduan të eliminonin Vllas Arapin, lanë me lëkurën e tyre një pjesë farë të vogël të krimeve që kishin kryer:

Mehmet Shehu në dhjetor të vitit 1981vriste veten, në vilën e tij të sapo ndërtuar . Kadri Hazbiu, sipas tregimeve, kur e shpinin ta pushkatonin në të vërtetë kishte vdekur shumë kohë më parë nga torturat në hetuesi. Gjeneral Argjiri mbërthyer prej një krize të rëndë nervore po në ato kohëra , hidhej nga ballkoni i shtëpisë duke thirrur: “Nuk e denim se do të dilte kështu…” 

P Ë R F U N D I M

Sa herë që lexojmë ose shkruajmë për atë sistem çnjerëzor të diktaturës komuniste më vjen ndër mend ajo shprehja profetike e Luigj Gurakuqit, që pati fatin të mos i shihte shqiptarët se si vriteshin mes njëri-tjetrit gjatë viteve të fundit të Luftës së Dytë Botërore, i cili do të shkruante që në vitin 1919-ën “Duhet ta dini ju shqiptarë se anmiqtë e atdhesë e të kombit tënë punojnë, siç kanë punuem gjithmonë…për me na qitun para botës…jo si një komb që meriton jetën e vet më vete, por si disa fise qi s’kanë pasun kurrë bashkim njani me tjetrin, si njerëz të egjër e të padisiplinë qi, po të lihen më vete, kishin me ngranë shoqi-shoqin për së gjalli…”9)

B U R I M E T:

  1. AQSH, F. 149.I, D. 450, f. 170-171
  2. Shih për më shumë: Tol S. Arapi “Që të bëhej Shqipëria”, albin, Tiranë 1996
  3. AQSH, F. 149, D. 1199, f. 120 – 121  
  4. AQSH, F. 153, V. 1943, D. 223, F. 10 – 14
  5. AQSH, F. 153, V. 1943, D. 283, f. 5
  6. M. Shehu Vepra të zgjedhura Vëll. I Tiranë 1981, f. 241
  7. Citimet janë marrë nga Fatos Arapi “Kush ishte Vllas Arapi”, “Dita 2000”, Tiranë 2000
  8. AQSH, F.270 APL, D.12, f.40
  9. “Historia e popullit shqiptar”, vëll. III, Toena, Tiranë, 2007, fq. 132 .

m

                                    Vllas Arapi në vitin 1942                   Vllasi partizan

E:\DCIM\100KM863\100_2614.JPG

Letra e fundit e Vllasit që u dërgoi prindërve nga arratia

E:\Rikuperim\Lufta, B. K.Trakte A. Çami 10.11.23\FEA-873\F.270APL---12-040.jpg

Trakti i Ballit Kombëtar me deklarimet e Vllas Arapit, në konferencat që ka mbajtur në Shqipërinë e Mesme. 

C:\Users\User\Documents\Enver\CAD-1EC\F.149-I-450-170.jpg
C:\Users\User\Documents\Enver\CAD-1EC\F.149-I-450-171.jpg

Vlonjat të internuar në Burrel ndërmjet të cilëve Tol Arapi kërkojnë lirimin.

E:\Rikuperim\Azis Çami 19.5. 2023 Kom. Brataj\BB1-DC2\F.688---7%28840%29-002.jpg

Tol Arapi uron Sulejman Delvinën, Luigj Gurakuqin etj.

C:\Users\User\Documents\Enver\CAD-1EC\F.149-I-450-206.jpg

Filed Under: Analiza

Një dritë në historinë dhe kulturën çame – Hajredin Muhamet Shabani (Balua)

March 12, 2024 by s p

Ina Qatja/

Në zemrat tona emrat e atyre që kanë kontribuar në ruajtjen dhe pasurimin e trashëgimisë sonë shpesh shkëlqejnë si yje në qiellin e errët. Një prej këtyre yjeve ishte Hajredin Muhamet Shabani, njohur ndryshe si Hajredin Balua, një patriot, folklorist dhe aktivist i palodhur në ruajtjen dhe lëvrimin e traditave dhe këngës Came në Shqipëri. Hajredini lindi më 1923 në Arpicë, Camëri ku kreu studimet e para. Aty jetoi dhe u rrit deri në periudhën fatkeqe për atë vend te bekuar. Pas emigrimit nga Camëria ne vitin 1944 si pasojë e genocidit Grek në moshë fare të re Hajredin Balua u vendos dhe përfundoi shkollimin e tij në qytetin e Vlorës. Ai solli me vete historinë dhe pasurinë kulturore të Camërisë në këtë qytet bregdetar, duke ndriçuar një dritë shprese për të ardhmen. Në një periudhë të vështirë si ajo e komunizmit, Hajredini arriti të pasqyrojë resurset e Camërisë në një kohë kur shpërndarja e vlerave ishte sfiduese. Nga pikëpamja e karrierës profesionale dha kontributin e tij duke punuar në pozicione drejtuese si Teknik dhe Përgjegjës infrastrukture në Drejtorinë e mirëmbajtjes se rrugëve gjatë periudhes së komunizmit duke marrë vlerësime si punonjës.

Që prej krijimit të ansamblit folklorik “Çamëria” në vitin 1978, Hajredini ishte një nga shtyllat e tij si këngëtar i këngëve folklorike të zonës së Çamërisë. Gjatë kësaj kohe, ai ka kontribuar fort jo vetëm në këndimin e isos dhe këngës epike çame, por edhe në krijimin e këngëve të bazuara në folklorin çam. Hulumtues i përkushtuar i trashëgimisë kuturore Came , Hajredini dha një kontribut të cmueshëm si mbledhës folklori. Së bashku me z. Fatos Merorapaj, ai përpiloi volume të shumta, duke përfshirë “Fjalët e Urta Came,” “Tregime Mitike Came,” dhe “Proza Popullore Came.” Me devotshmëri të theksuar, ata kujdeseshin që çdo fije e kësaj kulture të mbetej e pandryshuar dhe e pasur për brezat e ardhshëm.

Në fushën e artit, ka lënë gjurmë të thella. Ai ishte një poet dhe kompozitor i talentuar, ka krijuar shumë poezi për figurat e njohura came si Marko Bocari, Bubulina, Ali Demi etj. Kënga e tij “Delvina me Camerinë” ende ka një vend të vecantë në zemrat e atyre që e ndjekin me dashuri traditën came.

Më 17 janar 1992, një dritë e madhe shuhet nga bota jonë, por trashëgimia dhe kontributi i Hajredin Muhamet Shabanit Balos, vazhdon. Duke qenë një ngjallës i kulturës Came në qytetin e Vlorës, ai shpalli një udhëkryq të njëjtë midis origjinës dhe bashkëkohësisë, duke lënë një trashëgimi të pasur që vazhdon të frymëzojë brezat e ardhshëm. Hajredini një emër që mbetet i nderuar dhe kujtohet si pionier i ruajtjes së pasurisë kulturore came në qytetin bregdetar të Vlorës. Le të nderojmë dhe të vazhdojmë ta kujtojmë me respekt këtë figurë të shquar të historisë dhe kulturës came.

Filed Under: Reportazh

#SiSot, më 12 mars të vitit 1891, lindi juristi, letrari e politikani Mirash Ivanaj

March 12, 2024 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

Shquhet si reformuesi i arsimit shqiptar në kabinetin e Ahmet Zogut të vitit 1933. Studimet i kreu në Itali, për t’u kthyer më pas në atdhe me dy doktorata, njërën në fushën e jurisprudencës dhe tjetrën në fushën e letërsisë. Me t’u vendosur në Shqipëri, Ivanaj u angazhu në drejtim të arsimit dhe të publicistikës. Në vitin 1932, u bë pjesë e politikës dhe e jetës parlamentare.

Projektligji i 11 prillit 1933 që u quajt “Reforma Ivanaj”, u sulmua jo vetëm në shtypin e kohës, por edhe në arenën ndërkombëtare, duke u bërë subjekt gjykimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, si rrjedhojë e kyçjes së shkollave fetare në vend.

Pushtimi italian do të sillte largimin e Ivanajt nga Shqipëria drejt Lindjes së Mesme. Në vitin 1945 do të rikthehej në tokën mëmë, pas garancisë së qeverisë së re për pushimin e procesit gjyqësor kundrejt tij. Emri i tij, si pjesë e listës së intelektualëve, do të përfshihej në listat e sigurimit të kohës. Si rezultat, “Profesori” do të arrestohej më 15 maj 1947.

U akuzua si mbështetës i regjimit të shkuar si edhe bashkëpuntor i anglo-amerikanëve. U dënua me 7 vjet heqje lirie dhe në prag të përfundimit të dënimit, humbi jetën në burg. Bashkëlidhur, kërkesa drejtuar Masonerisë Italiane, ku ndër të tjera Ivanaj ankohet për shkollat në veri që kanë rënë në dorë të Klerit. Po ashtu, dorëheqja e Ivanaj si ministër Arsimi drejtuar kryeministrit, pas 30 gushtit të vitit 1935.

#ArkivatFrymëzojnë

#ArkivatKujtojnë

#MirashIvanaj

#FototekaAQSH

#AQSH

Filed Under: Kulture

Hoxhë Hasan Tahsini për gjuhën shqipe dhe për krijimin e një gjuhë të përbashkët botërore para se të shpikej Esperanto

March 12, 2024 by s p

Processed with VSCO with 1 preset

Prof.As.Dr. Hasan Bello/

Në nekrologjinë e shkruar nga Sami Frashëri në vitin 1881 për Hoxhë Hasan Tahsinin thuhet se, ai kishte filluar të mësonte që në moshën e fëmijërisë dhe deri sa mbylli sytë. Për këtë arsye, intelektuali dhe enciklopedisti më i njohur i Perandorisë Osmane e krahasonte atë me filozofin e njohur të qytetërimit arab, Ibën Sina-in (Avicinën). Me këmbëngulje të rrallë për gjysëm shekulli Hoxhë Hasan Tahsini kishte grumbulluar një “det diturishë” nga shkenca të ndryshme si: fizika, matematika, astronomia, biologjia, kimia, psikologjia, gjuhësia dhe letërsia.

Hoxhë Hasan Tahsini ishte intelektual aktiv. Ai ishte drejtuesi i lobit shqiptar në Stamboll, i cili duke nisur nga viti 1867 përpiqej për shkrimin e gjuhës shqipe dhe mbrojtjen e interesave kombëtare. Më 24 prill 1874, zëvendëskonsulli britanik në Janinë i raportonte ambasadës në Stamboll se ai bridhte fshat më fshat të Shqipërisë dhe nën pretekstin se po mblidhte lëndë për një fjalor dhe gramatikë i predikonte bashkatdhetarëve të vet lirinë kombëtare. Kjo, sipas Hoxhë Hasan Tahsinit mund të realizohej vetëm me anë të arsimit dhe gjuhës shqipe. Për këtë qëllim ai do të bëhet promotor i hartimit të alfabetit.

Në qershor të vitit 1879, konsulli francez në Janinë i shkruante Ministrisë së Jashtme në Paris se dy nga përfaqësuesit më të shquar të lëvizjes kulturore në Shqipëri ishin Hoxhë Hasan Tahsini dhe Kostandin Kristoforidhi “të cilët po përpiqeshin të përpunonin gjuhën shqipe deri në nivelin e një gjuhe të shkruar dhe të përhapnin gjithashtu arsimin në gjuhën amtare duke i ngritur një barrierë helenizmit”. Në librin e tij “Psikologjia”, Hoxhë Hasan Tahsini i kushton një vend të posaçëm raportit mes gjuhës dhe mendimit, duke hyrë në disiplina të veçanta e të panjohura mirë në ato vite si psikolinguistika.

Hoxhë Hasan Tahsini u mbështet në pikëpamjet e matematicienit dhe filozofit idealist gjerman Leibnic (1646-1716), i cili në veprat e tij ishte përpjekur të bashkonte shkencën me fenë. Kjo do ta bëjë Hoxhë Hasan Tahsini modelin e ulemasë bashkohorë në të gjith perandorinë. Për çështjen e gjuhës, ai e përkthyeu Leibnic-in fjalë për fjalë: “Më epni një palë shkronjëza të mira t`u jap nji gjuhë fort të mirë, më epni nji gjuhë të mirë t`u jap nji qytetërim fort të mirë”. Sipas tij, alfabeti i gjuhës shqipe duhej të hartohej në mënyrë që t`i përgjigjej të gjithë tingujve, të ishte i thjeshtë dhe të shmagnte paragjykimet politike. Hoxhë Hasan Tahsini ishte personaliteti kryesor që argumentoi me fakte shkencore përse shqipja nuk mund të shkruhej me gërma arabe. “Ne jemi komb i veçantë,-deklaronte ai,-kemi gjuhën tonë të veçantë, andaj duhet të jetojmë më vete, si edhe të tjerët”. Ai mendonte që idenë e tij për alfabetin e shqipes ta përpunonte dhe botonte në revistën “Mexhmua Ulum” si alfabet për një gjuhë të përbashkët botërore. Madje, ai ishte hartues i një alfabeti ndërkombëtar nga e majta në të djathtë, para se Ludwik Lejzer Zamenhov ose Doktor Esperanto të krijonte gjuhën artificiale me të njëjtin emër në vitin 1887. Ky është një dimension tjetër i panjohur i kësaj figure.

Në mbledhjet e Komitetit të Stambollit, ku bënte pjesë Sami Frashëri, Jani Vreto, Pashko Vasa etj, Hoxhë Hasan Tahsini parashtroi një projekt origjinal për përpilimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Por, pas diskutimesh të shumta, në vitin 1879 komisioni aprovoi projektin e Sami Frashërit, i cili ndryshonte me atë të Hoxhë Hasan Tahsinit në aspektin grafik.

Në një letër të hapur për shtypin e kohës, Hoxhë Hasan Tahsini vlerësonte përpjekjen e shqiptarëve për të rregulluar dhe siguruar shpenzimet e duhura që nevojiteshin për të përpiluar një fjalor, për të hartuar rregullat gramatikore dhe të sintaksës “të kësaj gjuhe që është më e përsosura në gjuhët e Evropës dhe për të redaktuar dhe botuar disa revista të dobishme me karakter shkencor dhe moral”. Ai mendonte se qëndrimi në errësirë dhe padituri i shqiptarëve ishte shkaktuar nga mungesa e shkronjave të përshtatshme. “Sado që janë të vogla si këmbët e milingonës,-theksonte ai,-shkronjat janë arma më e fushqishme e përparimit dhe e diturisë, prandaj t`i pranosh ato pa treguar kujdes të veçantë është më e dëmshme se të zgjedhësh një armë e, pa e vrovuar, të luftosh me të”. Sipas tij, po të mos krijonim një alfabet për një gjuhë, që të ishte e përshtatshme për këtë shekull, i sigurtë, i saktë dhe i mbrojtur nga ndikimet politike, shkronjat e tij do të dukeshin si të huaja dhe nuk do të përfitohej ajo që duhej.

Në personalitetin e Hoxhë Hasan Tahsinit mishërohet njëkohësisht ndjenja e patriotizmit, figura e klerikut dhe intelektualit poliedrik. Prandaj ideologu i çështjes kombëtare dhe ish-nxënësi i tij Sami Frashëri e konsideronte atë si profesorin e të gjithë rilindasve.

Filed Under: Histori

NJË COPËZ HISTORIE

March 12, 2024 by s p

Ilir Ikonomi/

Kjo foto, e cila mund të quhet e rrallë, është marrë nga lutja në qiell të hapur që Fan Noli mbajti në Durrës më 10 mars 1914, tri ditë pas arritjes së Princ Vidit. Vonë e kuptova që fotografia i përkiste asaj dite historike.

Në foto duket Fan Noli duke folur. Ballin ia kanë mbuluar zbukurimet me lule që kanë mbetur në Durrës nga festimet për pritjen e Vidit.

Në krahun e tij të majtë është prifti i njohur katolik Dom Nikollë Kaçorri dhe përpara tyre nacionalisti i flaktë Dervish Hima me qeleshen e bardhë, të dy duke duartrokitur.

Ishte hera e dytë që Noli vinte në Durrës dhe populli e njihte famën e tij.

Shërbesa u mbajt në Sheshin e Jallës buzë detit afër Konakut, siç quhej pallati i Vidit.

Lutja e Nolit ishte historike sepse për herë të parë mbahej në shqip. Mitropoliti i Durrësit, Jakovos, nuk kishte lejuar që ajo të bëhej brenda në kishë, kambanorja e së cilës duket në sfond. Nëpër kishat ortodokse të Shqipërisë nuk lejohej përdorimi i gjuhës shqipe.

Noli u detyrua ta mbante lutjen mbi një tribunë të sajuar, siç shihet në foto. Kishte ardhur garnizoni holandez, myftiu me hoxhallarët dhe qytetarë të tjerë të Durrësit. Përpara ceremonisë, Dervish Hima foli për bashkimin e tri feve në Shqipëri.

Sipas gazetës Ushtimi i Krujës, përfaqësuesit e feve hipën në tribunë bashkë me At Nolin dhe me At Damianin e Beratit, të cilët nisën t’i luten Perëndisë për Mbretin dhe Mbretëreshën në gjuhën amtare.

Kur Fan Noli i lutej Perëndisë, shkruante gazeta, “përfaqësuesit e feve katolike dhe myslimane, hoxhët dhe priftërinjtë, me një ulësi të madhe drejtonin lutjet e tyre tinzore para Perëndisë… Gjindja thoshte Amin dhe entuziazmi rritej kur gjindja shifte nji bashkim ndërmjet hoxhëve dhe priftënve… Korrespondentët e huej habiteshin kur shikonin në tribunë priftën e hoxhë të bashkuem për mbushjen e nji akti të shenjtë”.

Bashkimi dhe harmonia e të trija feve në Shqipëri ka qenë gjithmonë reale dhe jo fantazi, siç përpiqen ta paraqesin disa nihilistë. Kjo foto e dëshmon fare bukur këtë – diçka që besoj se rrallë e gjen në ndonjë vend tjetër.

Pas lutjeve, Fan Noli mbajti një fjalim, ku protestoi kundër Jakovit. Ai tha: “Mitropoliti grek i Durrësit, duke meshuar dje përmendi emrat e mbretërve të Serbisë, Greqisë, të armiqve të atdheut, të atyre që therën fëmijët dhe gratë tona të pafajshme dhe nuk përmendi sunduesin e vendit (Vidin)”. “Të gjithë e me gjithë zemër e me zell të madh, të bashkuar tok t’i japim ndihmë mbretit dhe bashkë me të të luftojmë për lumturinë e kombit shqiptar”.

Noli arriti në Durrës më 9 mars nga Triestja. Misioni i tij ishte themelimi i një kishe ortodokse kombëtare shqiptare, siç kishte bërë në Amerikë në vitin 1908, kur themeloi kishën shqipe në Boston. Por ai qëndroi në Durrës më pak se dy javë, për shkak të gjendjes së turbullt të krijuar në jug nga kryengritja epirote.

Fotografia është marrë nga libri italisht “Albania: un regno per sei mesi”, me autor diplomatin Ferdinando Salleo. Autori shkruan se kishte gjetur rastësisht në një treg vjetërsirash një koleksion me foto nga Durrësi. Koleksioni kishte qenë pronë e ministrit të jashtëm italian Markezit San Giuliano. Libri është botuar edhe në shqip, përkthyer mjeshtërisht nga Virgjil Muçi.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1268
  • 1269
  • 1270
  • 1271
  • 1272
  • …
  • 2947
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT