• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqiptarët  nga mesjeta në historinë e re : Midis politikës koloniale dhe asaj perandorake

March 5, 2024 by s p

Prof.Muhamed Mufaku/

Në fund të vitit 2023, Instituti për Trashëgiminë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup nxori librin “Hasan Kaleshi: Studime filologjike dhe kulturore të shqiptarëve”, që e përgatitën dy filologët tanë të njohur, Qemal Murati dhe Feti Mehdiu. Shumica e punimeve në këtë libër me 475 faqe botohen për herë të parë, kurse disa prej tyre u botuan në veprat të zgjedhura të Hasan Kaleshit (1-10) që dolën me rastin e 100-vjetorit të lindjes, përkatësisht gjatë viteve 2022-2023 në botim të shtëpisë botuese “Dija” në Prishtinë.

Ky botim që e nxori një institucion shkencor me peshë në Shkup, dallohet me dy parathënie, të Qemal Muratit dhe Feti Mehdiut, që kanë një frymë kritike dhe një porosi ndaj atyre që morën vendimin për “anashkalimin” e Hasan Kaleshit në Kosovë: mendimin për Kaleshin si shkencëtar e japin vetëm filologët dhe historianët e jo kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës Mehmet Kraja “i cili nuk është as historian as filolog i mirëfilltë” (fq.12).

Kaleshi si “shkencëtar me akribi të rrallë dhe albanolog i rendit të parë”, sipas Q.Muratit, paraqiti teza të reja që ngjallën interesim e reagime të ndryshme në nivel evropian, jugosllav dhe shqiptar. Kuptohet, mund të diskutohet ose të kontestohet ndonjë tezë a ndonjë mendim i Kaleshit, por nuk mund të “anashkalohet” tërë opusi i tij që ka nja 400 njësi bibliografike të paraqitura në konferenca ndërkombëtare dhe të botuara në revista të njohura shkencore.

Me gjithë vendimin e pashkruar deri më 2022 për “anashkalimin” e tij, punimet e Kaleshit inspiruan gjeneratën e re të historianëve në Kosovë e në Shqipëri, të cilët shkuan shumë më larg se Kaleshi. Si shembull mjafton të vështrohet një libër me peshë shkencore që u botua në Tiranë nga Instituti i Historisë më 2019.

Autori i këtij libri është Ardian Muhaj, kurse vetë titulli – “Nga Ballkani në Mesdhe: Shqiptarët prej mesjetës në agimin e kohës së re” – tregon risinë që na solli në historiografinë shqiptare. Ky, në të vërtetë, është një version shumë i zgjeruar i punimeve të Kaleshit, të cituara në këtë libër, për shtrirjen e shqiptarëve në kohën e sundimit osman. Kështu, Kaleshi u përqendrua më shumë në Ballkan e Anadolli, në sajë të burimeve që i kishte në dispozicion, kurse tani me Muhajin na del se shtrirja e shqiptarëve në kohën osmane është shumë më gjerë sa kap një hapësirë të madhe prej Oqeanit Atlantik deri tek Oqeani Indian.

Sikurse Kaleshi që kaloi postdoktoratën në Gjermani dhe u kthye si përfaqësues i Shkollës filologjike gjermane me metodologji të bazuar në arkivat e ndryshme dhe na solli kontribute të reja për çka u zgjodh anëtar i Akademisë Shkencore Arabe më në Kajro 1967, Muhaj magjistroi dhe doktoroi në Universitetin e Lisbonës, duke lëvruar në disa arkiva e duke sjellë kontribute të reja, për çka u zgjodh anëtar i Akademisë se Shkencave të Portugalisë më 2008. Ndaj, ç’na solli Muhaj në këtë libër me teza e të dhëna të reja na kujton Kaleshin e ri kur erdhi në Institutin Albanologjik të Prishtinës më 1967, pra nuk do të mund të na sillte ato teza e të dhëna të reja po të kryente studimet në Prishtinë dhe t’i besonte fjalët e disa profesorëve se Kaleshi “mbronte tezat serbe për shqiptarët”.

Shqiptarët midis dy fuqive botërore

Me zgjerimin e Mbretërisë Serbe të Dushanit në Ballkan deri në Vlorë dhe kurorëzimin e tij në Shkup më 1348 si “Perandor i serbëve, bullgarëve, grekëve dhe shqiptarëve” – perandori kjo që u shpartallua pas vdekjes së tij më 1355 – filloi konkurrenca për dominim në këtë rajon midis Sultanatit osman dhe Republikës Veneciane. Kështu, kur forcat osmane kaluan Bosforin dhe me përparimin e tyre në Ballkan, me çka Edereneja u bë më 1371 kryeqytet i ri i Perandorisë Osmane, Republika e Venedikut shtronte dominimin e saj në Adriatik dhe në Mesdhe duke krijuar një perandori tregtare-ushtarake që shtrihej prej Venedikut deri në Qipro. Kështu, mu në kohën kur forcat osmane arritën në Kosovë dhe në Shqipërinë e jugut, Venediku krijoi “Albaninë veneciane” në Shqipërinë veriore më 1396. Me këtë zhvillim paralel, shqiptarët u gjetën nën sundimin e dy fuqive botërore të asaj kohe, por me dy politika të ndryshme ndaj popullsisë shqiptare: politika koloniale dhe politika perandorake.

Politika koloniale ishte ajo që e ndiqte Republika e Venedikut, jo vetëm në “Albaninë Veneciane”, por në të gjitha kolonitë e saj në Adriatik dhe në Mesdhe, që ishte “tipar thelbësor i politikës venedikase për shekuj të terë”. A. Muhaj e sqaron këtë politikë kështu: “Venediku nuk njihte asnjë autoritet lokal në kolonitë që pushtonte dhe krejt zinxhiri i pushtetit i takonte vetëm qytetarëve të Venedikut, ndërsa popullsitë lokale përjashtoheshin nga çdo hallkë e pushtetit” (fq. 77). Pra, kjo “politikë përjashtuese” e popullsisë vendase nuk praktikohej vetëm ndaj shqiptarëve në “Albaninë Veneciane”, por në të gjitha kolonitë e Venecias.

Politika perandorake ishte ajo e Perandorisë Osmane, e cila ishte “përfshirëse”. Me fjalë të tjera, me përjashtim të postit të sulltanit, të gjitha postet e tjera administrative dhe ushtarake ishin të hapura ndaj popullsisë vendëse. Kështu, shumë shpejt, u paraqit një elitë ushtarake-administrative shqiptare në postet më të larta të Perandorisë Osmane qoftë në qendrën e re (Stambolli) ose në vilajetet me shumicë shqiptare. Kuptohet, përveç shqiptarëve në këto pozita u paraqitën atëherë serbët, grekët e të tjerë. Kjo politikë u praktikua po në atë kohë “kur venedikasit i kishin përjashtuar shqiptarët nga çdo lloj pjesëmarrjeje në administrimin e zotërimeve të tyre në Shqipëri dhe i kishin zhveshur tërësisht familjet fisnike vendase nga çdo lloj pushteti”(f.80).

Kjo politikë perandorake ose përfshirëse u duk qartë në shekullin XVI kur shqiptarët u ngritën në pozita më të larta sikurse me Ahmet pashë Dukagjinin, i cili i u bë dhëndër i sulltan Selimit I dhe sedriazëm- kryeministër gjatë viteve 1512-1515, duke hapur rrugën për djalin e tij Mehmet pashë Dukagjinin që të bëhet vali i Egjiptit dhe i Halepit,pra dy vialete me dalje në Mesdhe. Më vonë u paraqit Ibrahim pasha Pargaliu në postin e sadriazemit-kryeministrit më 1522-1536.

A. Muhaj vëren dhe përcjell rivalitetin midis shqiptarëve dhe serbëve që kulmoi në emërimin e sedriazemit ose kryeministrit, i cili ushtronte ndikimin e vet për emërimin e njerëzve të vet në pozita të larta ushtarake-administrative në qendër dhe në vilajetet osmane. Kështu, me vrasjen e Ibrahim pashë Pargës më 1536 forcohet shumë lobi serb me ngritjen e Rrustem pashës, i cili futi njerëz të vet në funksione të larta dhe vetë u bë sadriazemi-kryeministri gjatë 1544-1553 dhe 1555-1561. Pas tij erdhi në këtë post Mehmet pashë Sokoloviq 1565-1579 që kishte ndikim të madh sa që sulltan Sulejmani I e përtëriu Patrikanën serbe në Pejë më 1557 duke emëruar vëllain e tij Makarius në krye të saj (fq.254). Por, megjithatë, lobi shqiptar përsëri paraqitet në pushtet në fund të shekullit XVI dhe në fillim të shekullit XVII me Sinan pashë Topajanin, i cili zuri postin e sedriazemit-kryeministrit pesë herë, kurse me vonë u paraqit edhe dinastia e qyprilinjve.

Me këtë politikë përfshirëse, elita shqiptare zinte pozita në trevat shqiptare, kurse të tjerët që kishin pozita në qendër të Perandorisë ktheheshin në vendlindje duke ngritur objekte të ndryshme fetare dhe ekonomiko-shoqërore. Me këto ndërtime do të ngrihen bërthama të qyteteve të reja si Korça, Gjakova, Kaçaniku e të tjera dhe zhvillohen qytetet Shkodra, Berati, Vlora, Ulqini dhe të tjera qendra tregtare me qasje në tregtinë ndërkombëtare.

Hovi i shqiptarëve deri në letërsinë spanjolle

Me këtë zhvillim të hovshëm, A. Muhaj përqendrohet në bregun e Adriatikut, ku do të paraqitet Vlora si porti kryesor kurse më vonë, edhe me Ulqinin që të bëhen dy qendra të mëdha shqiptare për detari e tregti ndërkombëtare. Në këtë pjesë të librit kemi të dhëna interesante për shtrirje të madhe të shqiptare në Mesdhe, duke pasur flota që shkonin deri në Tripol, Tunizi e Algjeri, kurse më vonë kemi detarë shqiptarë që në kuadër të flotës osmane arritën në Oqeanin Atlantik për zbulimet e reja gjeografike, si dhe në Detin e Kuq dhe në Oqeanin Indian në luftë për dominim me Portugalinë. Prania shqiptare bëhet aq e dukshme në Mesdhe sa që A. Muhaj ia kushtoi një pjesë të librit për “Personazhet shqiptare në letërsinë spanjolle të shekullit të artë” (fq. 113-123).

Kuptohet, sikurse Kaleshi, A. Muhaj na solli një kontribut origjinal në bazë të arkivave evropiane e osmane dhe burime të kohës. Mund të diskutohet ndonjë qasje a mendim i tij në ndonjë revistë shkencore, por mbetet për habi fakti se si kaloi në heshtje, në Kosovë, një libër i tillë deri më tani?

Filed Under: Rajon

Shkolla Shqipe “Children of the Eagle” festoi 10 vjetorin e themelimit

March 5, 2024 by s p

Drita Gjongecaj/

Në një mbrëmje të bukur Gala, Shkolla Shqipe “Children of the Eagle” festoi 10 vjetorin e aktivitetit të saj në shërbim të ruajtjes së gjuhës dhe kulturës shqiptare në New York. Na nderuan me pjesëmarrjen e tyre dhe me fjalën e rastit, Znj. Emina Cunmulaj Nazarian, Konsull Nderi e Republikës së Shqipërisë në Florida, filantropiste dhe modele me famë botërore. Si e Ftuar e Nderit, Znj. Cunmulaj iu drejtua pjesëmarrësve me një fjalë të ngrohtë duke i mëshuar sidomos rolit të nënave në ruajtjen e gjuhës dhe traditës shqiptare.

Kënaqësi e vecantë ishte të kishim të pranishme znj. Atifete Jahjaga, ish Presidente e Republikës së Kosovës, një model i shkëlqyer dhe frymëzim për gratë shqiptare kudo në botë. Nga Kosova jonë kishim edhe znj. Remzije Istrefi-Peci, Gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese.

Në mbrëmje përshëndeti edhe z. Mark Gjonaj, Kryetar i Këshillit Koordinues të Diasporës, si dhe ish Këshilltar në Bashkinë e NY.

E pranishme ishte znj. Emiljana Ulaj, e zgjedhur vitin e kaluar si Westchester County Legislator.

Nuk mungonin mysafirë të nderuar edhe nga shteti fqinjë, New Jersey. Ishte kënaqësi e vecantë të kishim present znj. Violeta Berisha, Kryetare Bashkie, e para shqiptare në këtë rol në historinë e Amerikës.

Po ashtu, fotografi Fadil Berisha, një nga më të njohurit në fushën e tij edhe përtej kufijve të Amerikës.

Falenderim edhe për të gjithë miqtë e organizatës dhe shkollës shqipe “Children of the Eagle”, të ftuarit, prindët, mësuesit, nxënësit dhe anëtarët e Bordit Drejtues të AADLC.

Me vlerësime mirënjohjeje u nderuan Organizata AAWO Motrat Qiriazi, Federata Panshqiptare Vatra, z. Tony Musaj, nënkryetar i Shoqatës Humanitare “Open Hand Association” si dhe Albanian Culture TV.

Në vazhdim, mirënjohje u shpërndanë për dy nga anëtaret e Bordit Drejtues, znj. Marjana Zeneli Bulku dhe Dr. Arjeta Ferlushkaj Kotrri për kontributin e tyre të vecantë e afatgjatë në drejtimin e Organizatës AADLC.

Të gjithë anētarët aktualë të Bordit Drejtues të Oranizatës së Dy Gjuhëve dhe Kulturave Paralele Shqiptare Amerikane AADLC u vlerësuan me Proklamata nderuese nga Bordi i Legjislatorëve të Westchester County: Mirjana Lukic, dr. Azeta Kola, Marjana Bulku, dr. Arjeta Ferlushkaj dhe Hegland Doci.

Në një atmosferë të bukur, u nderuan me pllakatë mirënjohjeje të gjithë mësuesit dhe koordinatorët e shkollës që mundën të ishin prezentë dhe që kanë dhënë kontributin e tyre vullnetar në suksesin e kësaj shkolle. Vjosa Nikci, një nga mësueset e para të kësaj shkolle, si dhe Cindy Sylaj, koordinatorja e parë pranë shkollës sonë shqipe përshëndetën të pranishmit me fjalën e tyre.

Nuk munguan fëmijët dhe të rinjtë e shkollave të mesme që ndjekin programin e shkollës shqipe. Ata interpretuan bukur dhe me ndjenjë recitime, këngë e valle shqiptare duke e shtuar harenë e mbrëmjes.

Falenderojmë edhe bizneset shqiptare për dhuratat a cmuara që u përdorën për shortin Raffle në ndihmë të shkollës: Brucaj Eyewear, Shoppingforluxury, ArtbyEralda, prindërit e nxënëses Eva Byberi me një kostum tradicional për fëmijë të moshës 10-11 vjeç, Posh Beauty Boutique, Aurora Beauty Salon, Alba CPA Associates, si dhe Ana’s Bakery.

Në këtë short u dhuruan edhe libri “The Old Bridge – Ura e Vjetër” nga autorja Arjeta Ferlushkaj Kotrri, si dhe tri vende për të ndjekur në verën e 2024 programin BALI (Two Week Leadership and Debate Training Program at Hunter College).

Mirënjohje për të gjithë ata që e mbështesin programin e Shkollës Dy-Gjuhësore “Children of the Eagle’’ në forma të ndryshme. Vetëm së bashku mund të krijojmë programe të suksesshme e afatgjata.

Ju mirëpresim në aktivitete dhe kurorëzime të tjera të radhës.

#aadlc#childrenoftheeagle

Filed Under: Komunitet

#SiSot, më 5 mars të vitit 1891, u lind në Korçë ati i pikturës moderne e bashkëkohore shqiptare, Vangjush Mio

March 5, 2024 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

Në gjallje, Mio u vlerësua më së larti për mjeshtrinë e dëshmuar në pikturën realiste shqiptare. Ndërsa në ditët tona, i njihen edhe atributet e themeltarit të historisë së artit pamor profesionist përgjatë shekullit të XX-të. Kësodore, vepra e tij qe mënjanë klisheve të diktuara me përdhunë nga kornizat e realizmit socialist.

Mësimet e para i ndoqi në vendlindje. Talenti për pikturën gjeti shteg për t’u shpalosur që prej auditorit të Arteve të Bukura në Bukuresht të Rumanisë, ku kreu studimet e larta. Kthimi në Korçë në vitin 1919, do të shenjohej nga hapja e ekspozitës së parë vetjake, e para në historinë e arteve figurative në vend. Fitimet e akumuluara nga shitja e këtyre pikturave, i mundësuan një bursë studimesh në Institutin e Arteve të Bukura të Romës, ku u çertifikua njëherazi si piktor dhe restaurues.

Mes gjinive të pikturës të lëvruara prej tij bëjnë pjesë portretet, kompozimet, nudot dhe peizazhet, që kanë prani të konsiderueshme në tërësinë e veprës së tij. “Dimri në Korcë”, “Aspekte nga Drenova”, “Dishnica”, “Boboshtica”, “Vithkuqi”, “Manat e Drenovës”, “Kositësit e barit” etj, janë disa nga titujt e peizazheve të tij më të lakuar. Mio numëron 500 piktura, 200 vizatime dhe 80 bocete, të cilat ruhen në shtëpinë e tij, Muzeun “Vangjush Mio” në Korçë.

Bashkëlidhur, dekreti i Presidiumit të Kuvendit Popullor Nr.3361 datë 06.11.1961 për miratimin e propozimit të qeverisë mbi dekorimin e Vangjush Mios me titullin “Piktor i Popullit i Republikës Popullore të Shqipërisë”, lista e kuadrit të personalit mësimor të Liceut të Korçës ku është dhe Vangjush Mio, kumtesa për jetën dhe veprat e Vangjush Mios nga Andon Kuqali dhe qarkore e Drejtorisë së Përgjithshme të Postë-Telekomunikacioneve dërguar Drejtorive dhe Degëve të Postë-Telekomunikacioneve “Mbi cirkularin e emisionit të pullave kushtuar pikturave të Vangjush Mios”.

#ArkivatFrymëzojnë

#ArkivatKujtojnë

#AQSH

#VangjushMio

#FototekaAQSH

Filed Under: Kulture

BETEJA E SHEKULLIT QË NDRYSHOI HISTORINË E KOSOVËS

March 5, 2024 by s p

Dr. Lulzim Nika/

Sot në Drenicën fisnike, e të krenarisë, trimërisë e patriotizmit të pashoq, në Prekaz këtë kala të pamposhtur të lirisë që e ka shkruar historinë e lavdishme të kombit shqiptar me gjakun e bijëve dhe bijave të saj më të mirë, historinë e lirisë së Kosovës.

U përula me nderim e respekt para jetës dhe veprës të Adem e Hamëz Jasharit.

Në mëngjesin e 5 marsit të vitit 1998, shteti kriminal serb do të sulmojë kullën e Komandantit Historik të UÇK-së Adem Jashari dhe gjithë familjen e tij. Lufta e ushtrisë çlirimtare në fillim hasi në vështirësi nga faktori ndërkombëtar që dhanë deklarata kundër veprimtarisë çlirimtare te UÇK-së.

Në 26 vjetorin e Epopesë së Jasharëve, përkulemi me respekt para sakrificës sublime

në këtë ditë të shënuar të Epopesë së UÇK-së, kujtojmë me nderim qëndresën heroike të Familjes Jashari.

Vendimi që u mor në zyrën e kriminelit S.Millosheviq, kryetar i Serbisë, dhe me përkrahjen e shumicës se këshilltarëve të tij, që të zhduket familja e Komandantit Adem Jashari, dhe që me ketë të shuhet ideja për një luftë çlirimtare e shqiptarëve të Kosovës, doli e dështuar. Kjo llogaritje ishte e gabuar, që duke u përdorur makineria ushtarake serbe ndaj një familje embleatike, siç ishte familja e Adem Jasharit, të shuhet ideja e lirisë së Kosovës.

Pas rënies së Komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij, shqiptarët e Kosovës mundën frikën ndaj regjimit serb dhe filluan të rreshtohen masivisht në radhët e UÇK-së.

Beteja treditore, më 5, 6 dhe 7 mars 1998 nga familja Jashari në Prekaz të Skënderajit vuri themelet e lirisë së Kosovës.

Sot, në këtë ditë të shënuar, kujtojmë sulmin mbi familjen Jashari. Sakrifica e tyre u bë dritë e lirisë së Kosovës. Kjo betejë ndryshoi historinë, sepse u bë frymëzim për çdo shqiptar që t’i merrte armët e të luftonte për liri.

Ato ditë të kësaj beteje epike, edhe ata më skeptikët, më pesimistët, e panë se rruga e vetme që çonte drejt lirisë, ishte lufta çlirimtare. Kjo betejë, pra u bë frymëzim për shumë të rinj e të reja që u rreshtuan në radhët e UÇK-së dhe kështu kombi shqiptar anekënd trojeve të veta, u bashkua në këtë rrugë të fitores së madhe historike.

Përjetësisht, do t’u jemi mirënjohës ndaj atyre grave dhe burrave, që u flijuan dhe u bënë gurthemel i lirisë së Kosovës.

I përjetshëm qoftë kujtimi, respekti e vlerësimi për ta!

Lavdi

Filed Under: Reportazh

Fjala e kryeparlamentarit Glauk Konjufca, në seancën e sotme solemne të Kuvendit për nder të Epopesë së UÇK-së

March 5, 2024 by s p

Shumë i dashuri Baci Rifat,

Të nderuar anëtarë të familjes Jashari,

Faleminderit që po na nderoni në Kuvend me praninë tuaj!

E nderuara Presidente, Vjosa Osmani Sadriu,

Kryeministër Kurti,

Të nderuar deputetë,

Zëvendëskryeministra,

Ministra të Kabinetit Qeveritar,

Të dashur Ambasadorë,

Faleminderit që jeni të pranishëm këtu!

I nderuar President Sejdiu,

Të dashur të pranishëm,

Përfaqësues të institucioneve tona të rëndësishme shtetërore,

Për kombet në botë më e rëndësishmja është liria.

Por vjen një pikë kur liria bëhet e barabartë me ekzistencën.

Pikëprerja e lirisë me ekzistencën është dinjiteti.

Ekzistenca pa liri është jetë pa dinjitet.

Jeta bëhet jonjerëzore, jetë e pajetueshme.

Sakrifica madhështore e Jasharëve na ka ngritur kombëtarisht në nivelin më të lartë të dinjitetit dhe të krenarisë.

Jasharët në krye me Ademin e Hamzën, me Bacin Shaban e të gjithë familjarët, gra e burra, pleq e fëmijë, u sakrifikuan kolektivisht në luftë të drejtpërdrejtë për liri.

Ata kolektivisht e zbatuan parimin ideal të jetës – Liri a Vdekje!

Kur kombi arrin ta përcaktojë këtë princip rënia bëhet liri e liria bëhet domosdoshmëri.

Liria është si ajri, por ajo nuk rri pezull.

Ajo ngrihet mbi themele të forta.

Kurse rrënjët e saj shtrihen thellë në tokën e të parëve tanë.

Siç thoshte Hamza – ne do të jemi këtu, sepse nuk kemi ku të shkojmë: guri peshon në tokën e vet.

Themelet e lirisë sonë rrinë të patundura mbi gjakun e dëshmorëve.

Kosovës nëpër vena i rrjedh gjaku i dëshmorëve.

Rënia heroike e Jasharëve i dha jetë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kurse Ushtria e Kosovës, e njësuar me popullin, e çliroi atdheun tonë nga Serbia.

Pavarësia e shtetit tonë është rezultat i këtij procesi.

Nuk e di kurrë se a janë fjalët të afta ta thonë krejt ngjarjen.

Nuk e dimë kurrë se a mund ta kuptojmë plotësisht përmasën e kësaj sakrifice.

Druaj nëse vërtet mund t’i dalim hakut ne të gjallët heroizmit të tyre.

Por një gjë të thjeshtë me siguri e di sa është i sigurt edhe gjaku i tyre – se sa të ketë komb shqiptar mbi dhe, secili do të vijë ne Prekaz, e do të frymëzohet, aty ku u ngjiz liria.

Lavdi Jasharëve! Zoti e bekoftë kombin tonë të pamposhtur!

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1281
  • 1282
  • 1283
  • 1284
  • 1285
  • …
  • 2947
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT