


Drita Gjongecaj/
Në një mbrëmje të bukur Gala, Shkolla Shqipe “Children of the Eagle” festoi 10 vjetorin e aktivitetit të saj në shërbim të ruajtjes së gjuhës dhe kulturës shqiptare në New York. Na nderuan me pjesëmarrjen e tyre dhe me fjalën e rastit, Znj. Emina Cunmulaj Nazarian, Konsull Nderi e Republikës së Shqipërisë në Florida, filantropiste dhe modele me famë botërore. Si e Ftuar e Nderit, Znj. Cunmulaj iu drejtua pjesëmarrësve me një fjalë të ngrohtë duke i mëshuar sidomos rolit të nënave në ruajtjen e gjuhës dhe traditës shqiptare.
Kënaqësi e vecantë ishte të kishim të pranishme znj. Atifete Jahjaga, ish Presidente e Republikës së Kosovës, një model i shkëlqyer dhe frymëzim për gratë shqiptare kudo në botë. Nga Kosova jonë kishim edhe znj. Remzije Istrefi-Peci, Gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese.
Në mbrëmje përshëndeti edhe z. Mark Gjonaj, Kryetar i Këshillit Koordinues të Diasporës, si dhe ish Këshilltar në Bashkinë e NY.
E pranishme ishte znj. Emiljana Ulaj, e zgjedhur vitin e kaluar si Westchester County Legislator.
Nuk mungonin mysafirë të nderuar edhe nga shteti fqinjë, New Jersey. Ishte kënaqësi e vecantë të kishim present znj. Violeta Berisha, Kryetare Bashkie, e para shqiptare në këtë rol në historinë e Amerikës.
Po ashtu, fotografi Fadil Berisha, një nga më të njohurit në fushën e tij edhe përtej kufijve të Amerikës.
Falenderim edhe për të gjithë miqtë e organizatës dhe shkollës shqipe “Children of the Eagle”, të ftuarit, prindët, mësuesit, nxënësit dhe anëtarët e Bordit Drejtues të AADLC.
Me vlerësime mirënjohjeje u nderuan Organizata AAWO Motrat Qiriazi, Federata Panshqiptare Vatra, z. Tony Musaj, nënkryetar i Shoqatës Humanitare “Open Hand Association” si dhe Albanian Culture TV.
Në vazhdim, mirënjohje u shpërndanë për dy nga anëtaret e Bordit Drejtues, znj. Marjana Zeneli Bulku dhe Dr. Arjeta Ferlushkaj Kotrri për kontributin e tyre të vecantë e afatgjatë në drejtimin e Organizatës AADLC.
Të gjithë anētarët aktualë të Bordit Drejtues të Oranizatës së Dy Gjuhëve dhe Kulturave Paralele Shqiptare Amerikane AADLC u vlerësuan me Proklamata nderuese nga Bordi i Legjislatorëve të Westchester County: Mirjana Lukic, dr. Azeta Kola, Marjana Bulku, dr. Arjeta Ferlushkaj dhe Hegland Doci.
Në një atmosferë të bukur, u nderuan me pllakatë mirënjohjeje të gjithë mësuesit dhe koordinatorët e shkollës që mundën të ishin prezentë dhe që kanë dhënë kontributin e tyre vullnetar në suksesin e kësaj shkolle. Vjosa Nikci, një nga mësueset e para të kësaj shkolle, si dhe Cindy Sylaj, koordinatorja e parë pranë shkollës sonë shqipe përshëndetën të pranishmit me fjalën e tyre.
Nuk munguan fëmijët dhe të rinjtë e shkollave të mesme që ndjekin programin e shkollës shqipe. Ata interpretuan bukur dhe me ndjenjë recitime, këngë e valle shqiptare duke e shtuar harenë e mbrëmjes.
Falenderojmë edhe bizneset shqiptare për dhuratat a cmuara që u përdorën për shortin Raffle në ndihmë të shkollës: Brucaj Eyewear, Shoppingforluxury, ArtbyEralda, prindërit e nxënëses Eva Byberi me një kostum tradicional për fëmijë të moshës 10-11 vjeç, Posh Beauty Boutique, Aurora Beauty Salon, Alba CPA Associates, si dhe Ana’s Bakery.
Në këtë short u dhuruan edhe libri “The Old Bridge – Ura e Vjetër” nga autorja Arjeta Ferlushkaj Kotrri, si dhe tri vende për të ndjekur në verën e 2024 programin BALI (Two Week Leadership and Debate Training Program at Hunter College).
Mirënjohje për të gjithë ata që e mbështesin programin e Shkollës Dy-Gjuhësore “Children of the Eagle’’ në forma të ndryshme. Vetëm së bashku mund të krijojmë programe të suksesshme e afatgjata.
Ju mirëpresim në aktivitete dhe kurorëzime të tjera të radhës.