• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

 “Nëse do ta qëndisja kohën”

October 8, 2025 by s p

Poezia “Nëse do ta qëndisja kohën” e autorit Loka, fituese e Çmimit të Parë në seksionin për të huajt në Festivalin Ndërkombëtar Poetik “Lucius Annaeus Seneca”, edicioni 2025.

Dr. Sarë Gjergji

Poezia “Nëse do ta qëndisja kohën” e autorit Loka, fituese e Çmimit të Parë në seksionin për të huajt në Festivalin Ndërkombëtar Poetik “Lucius Annaeus Seneca”, edicioni 2025, përfaqëson një ndër zërat më të thellë dhe më të përpunuar të poezisë bashkëkohore shqiptare, duke ndërthurur ndjeshmërinë intime me reflektimin filozofik. Fitimi i këtij çmimi në një nga festivalet letrare më prestigjioze të Italisë dëshmon për pjekurinë estetike, përmasën universale dhe fuqinë shpirtërore të këtij krijimi. Kjo poezi ndërton një dialog të qetë mes njeriut dhe kohës, mes kujtesës dhe harresës, mes dashurisë dhe pritjes. Ajo nuk është vetëm një vështrim i brendshëm, por një akt meditativ që shkon përtej përvojës individuale dhe prek esencën e ekzistencës njerëzore. Qysh në titull, metafora “qëndisja e kohës” shfaqet si thelb i poetikës: njeriu përpiqet ta krijojë, ta ndalojë e ta kuptojë kohën, duke e kthyer në kujtesë dhe në art.

“Nëpër labirinthe

do të vendosja gurë,

për ta shënuar frymën time.”

Këtu qëndisja e kohës bëhet metaforë e dëshmisë njerëzore, e përpjekjes për të mos humbur në rrjedhën e padukshme të ekzistencës. Guri, si simbol i qëndrueshmërisë, është kujtesa që sfidon harresën. Në këtë aspekt, poezia vendoset në traditën e filozofisë stoike që i jep emrin festivalit: Lucius Annaeus Seneca, njeriu që besonte se “koha është prona jonë më e çmuar dhe më e shpërdoruar.” Në vargjet që pasojnë, poezia shfaq tensionin midis padurimit njerëzor dhe meditimit shpirtëror. Njeriu i poezisë është një udhëtar që kërkon qetësi në rrugën e tij, por e njeh dobësinë e vet, luhatjen mes etjes dhe dorëzimit:

“Nëse në padurimin e çastit

do të më ngatërrohen këmbët

dhe duart do të më dridhen…”

Kjo përplasje ndërmjet nxitimit dhe pritjes e vendos folësin në zemër të paradoksit ekzistencial: dëshira për ta zotëruar kohën, por edhe dorëzimi përballë saj. Në këtë kuptim, poezia ngjan me poetikën e heshtjes dhe të dritës që e gjejmë te Ungareti, apo me meditimin kohor të Montale, ku çdo fjalë është një reflektim mbi kufijtë e jetës dhe ndjeshmërisë. Pjesa qendrore e poezisë është një himn i përmbajtur për dashurinë. Pas metaforave të kohës dhe pritjes, ajo gjen strehë në praninë e tjetrit:

“Do të më mjaftonte 

hija jote

dhe një shtrojë e butë shprese,

për mbulojë 

veç yje që digjen

me zjarmi dhe ethe.”

Në këto vargje, dashuria nuk është përvëluese, por shpëtuese. “Hija jote” është dritë e brendshme, një strehë që zbut lodhjen e udhëtimit njerëzor. “Yjet që digjen me zjarmi dhe ethe” përfaqësojnë pasionin, por edhe dritën kalimtare të jetës, një ndërthurje e bukurisë dhe përkohshmërisë që përshkon gjithë krijimin. Në përfundim, poezia kalon në një ton melankolik dhe filozofik. Humbja e pritjes bëhet humbje e ndjeshmërisë njerëzore:

“Nëse do ta humb pritjen,

s’do ta kuptoj ecjen,

javët dhe muajt

ku vij e nga shkoj,

ditët do të iknin të verbra

e netët do të vinin të shurdhta.”

Në këtë pikë, poezia tejkalon kufijtë e ndjenjës dhe bëhet meditim mbi kuptimin e jetës.

Pritja është jeta vetë; humbja e saj është humbja e ndjesisë së kohës, e aftësisë për ta dalluar dritën nga errësira, ditën nga nata. Ky pasazh final e mbyll qarkun simbolik të poezisë, duke e kthyer njeriun në një qenie që jeton vetëm për sa kohë di të presë, të ndiejë dhe të shënojë frymën e vet në kohë. Poezia si qëndisje e përjetësisë. “Nëse do ta qëndisja kohën” është një poezi që ndërthur filozofinë e qenies me estetikën e ndjeshmërisë. Ajo përçon universalitet, qetësi dhe tension të brendshëm. Forca e saj qëndron në thjeshtësinë e vargut, në ekuilibrin midis mendimit dhe emocionit, dhe në një ritëm të ngadalshëm që ndjek frymëmarrjen e meditimit.

Ky krijim e bën njeriun të ndalojë përpara misterit të kohës dhe të kujtojë se jeta nuk matet me ditë, por me thellësinë e frymës që e shënon secilin çast. Në këtë mënyrë, poezia fituese e “Seneca”-s është më shumë se një tekst poetik: ajo është një akt filozofik dhe estetik, një mënyrë për ta kthyer kohën në art, për ta qëndisur përjetësinë në fjalë.

Nikollë Loka

Nëse do ta qëndisja kohën 

Nëse do ta qëndisja kohën,

nëpër labirinthe

do të vendosja gurë,

për ta shënuar frymën time.

Nëse në padurimin e çastit

do të më ngatërrohen këmbët

dhe duart do të më dridhen,

para se ta shtrydh pritjen,

etjen për ujë

do ta lë nën një krua.

Do të më mjaftonte

hija jote

dhe një shtrojë e butë shprese,

për mbulojë

veç yje që digjen

me zjarmi dhe ethe.

Nëse do ta humb pritjen,

s’do ta kuptoj ecjen,

javët dhe muajt

ku vij e nga shkoj,

ditët do të iknin të verbra

e netët do të vinin të shurdhta.

Të dyja 

do të më duken njësoj.

Filed Under: ESSE

Mikel Marchianò, in memoriam…

October 8, 2025 by s p

QSPA/

Sot më 8 tetor, në ditën e lindjes përkujtojmë shkrimtarin, albanologun, humanistin që u mor me studimin e folklorit dhe dialekteve të arbëreshëve, Mikel Marchianò.

M. Marchianò lindi në katundin arbëresh Maqi, në provincën e Kozencës, më 8 tetor 1860. Ai u diplomua për letërsi në Universitetin e Napolit dhe më pas dha mësim në shkolla të mesme të ndryshme ku më 1894 u caktua si titullar i latinishtes dhe greqishtes në gjimnazin “Vinçens Lanca” në Foggia. Si mësues dhe edukues, Marchianò-i mendonte se shkolla ishte “palestra e dijes” dhe roli i mësuesit ishte të mëtonte që ta zhdërvjellësonte dhe aftësonte mendjen e studentëve që ato të ishin të gatshëm t’i përgjigjeshin thirrjes së atdheut në rast nevoje. Ndër veprat e tij më të spikatura përmendim: “Origjina e fabulës greke dhe raporti i saj me fabulat orientale” (1899), “Shqipëria dhe vepra e Jeronim de Radës” (1902), “Kërkime mbi etnografinë dhe gjuhën trako-ilire” (e pabotuar që nga 1903) dhe “Kolonitë shqiptare të Italisë dhe letërsia e tyre” (1913).

U nda nga jeta më 8 dhjetor 1921. Sipas Marchianò-it, historia e kolonizimit shqiptar mbetet ende për t’u shkruar dhe kushdo që do t’i përvishet kësaj detyre të vështirë do të duhet t’i kushtojë jo pak mund. Megjithatë, kolonitë më të lulëzuara të Shqipërisë janë ato të Italisë. Nuk mungojnë monografi të veçanta rreth tyre, ose shkrime të shpërndara në vëllime, revista dhe gazeta, ku flitet gjerë e gjatë për origjinën, ritet, zakonet, gjuhën dhe letërsinë. Ndër to bën pjesë edhe libri “Kolonitë shqiptare të Italisë dhe letërsia e tyre” me autor Michele Marchianò, botim i Qendrës së Studimeve dhe Botimeve për Arbëreshët (QSPA), përkthyer me mjeshtëri në shqip nga origjinali italisht dhe me pasthënie nga Dr. Elda Katorri.

Librin e plotë në versionin online e gjeni në faqen e QSPA duke trokitur linkun në vijim: http://qspa.gov.al/botime/

May be an image of diary, book and text

See insights and ads

Boost post

Like

Comment

Share

Filed Under: ESSE

‘Medaljen e Nderit për Shërbime të Dalluara’

October 8, 2025 by s p

Dr. Dritan Demiraj/

Ishte kënaqësi të merrja pjesë në mbrëmjen gala të zhvilluar nga Shoqata Amerikano-Shqiptare e Zbatimit të Ligjit (AALEA) dhe të pranoja me respekt një vlerësim të veçantë: ‘Medaljen e Nderit për Shërbime të Dalluara’ në fushën akademike të gjeopolitikës, sigurisë dhe të mbrojtjes.

Kjo organizatë dinjitoze e cila drejtohet nga nje oficer shume profesinist me rrenje te forta Shqiptare Elton Shametaj, ka në gjirin e saj përfaqësuesit më të mirë të komunitetit Amerikano-Shqiptar, të cilët prej dekadash kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm në fushën e inteligjencës, sigurisë publike dhe të zbatimit të ligjit në shtetet e New Yorkut dhe në New Jersey, ka kanë bërë krenar duke përfaqësuar vlerat më të larta të Kombit Shqiptar.

Është pikërisht puna e jashtëzakonshme, profesionalizmi, serioziteti dhe përkushtimi i këtyre ambasadorëve më të mirë të vendit tonë në SHBA, të cilët kanë luajtur një rol të veçantë në forcimin e aleancës midis Shqipërisë, Kosovës dhe SHBA-ve.

Personalisht kam qënë gjithmonë pranë të gjitha organizatave ‘Think Tank’ këtu në SHBA, shoqatave të ndryshme, etj duke ofruar mendimet e mia modeste, botimet e mia, intervistave të shumta në televizione, pjesëmarrjeve në workshope akademike, bashkëpunim me Kongresin, Senatin në analiza të hollësishme për çështje të ndryshme globale dhe në të gjitha rastet sipas kërkesës duke asistuar studentët Shqiptaro-Amerikanë në universitete në përgatitjen e temave të programeve të tyre të masterit dhe të doktoraturës.

Ndryshimet e sotme gjeopolitike në të cilat po kalon sistemi politik ndërkombëtar, riformatimi i botës dhe kalimi në një botë multipolare, kërkojnë jo vetëm ndjekjen e ngjarjeve të rëndësishme nga TV, por analiza të thella, profesionale, të njëanshme dhe realiste, me qëllim që dy vendet tona Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës në aleancë dhe bashkëpunim strategjik të ngushtë me SHBA-të, të përcaktojnë rreziqet, kërcënimet dhe të forcojnë fushat të cilat lidhen me inteligjencën, sigurinë publike dhe mbrojtjen kombëtare.

Në të kaluarën por edhe në vazhdim, jam i përkushtuar të shtoj më tej përpjekjet në këtë drejtim, duke sjellë në jetë për publikun dhe gjithë të interesuarit në këto fusha libra të tjerë, të cilët botohen për herë të parë në hapësirën Ballkanike por jo vetëm.

Ndërkohë siç e kam premtuar gjatë takimeve me kryeministrin Albin Kurti dhe me ish kryeministrin Ramush Haradinaj, ngelem i përkushtuar që në rast se është e nevojshme jam i gatshëm të jap kontributin tim modest në këtë fushë.

Edhe një herë shpreh mirënjohjen e thellë për: ‘Medaljen e Nderit për Shërbime të Dalluara’ me motivacionin:

Shoqata Amerikano-Shqiptare e Zbatimit të Ligjit

Medalja e Nderit për Shërbim të Dalluar.

I jepet Dr. Kolonel (Ret) Dritan Demiraj.

Në nderim të përjetshëm për shërbimin e tij të jashtëzakonshëm dhe të palëkundur ndaj Kombit Shqiptar.

Një komandant ushtarak i paepur, strateg vizionar dhe studiues i shquar, Dr. Demiraj ka formësuar shtyllat e mbrojtjes kombëtare, kundër-terrorizmit dhe mendimit gjeopolitik përmes udhëheqjes së tij të pakrahasueshme dhe forcës intelektuale.

Me mbi 60 libra të publikuara dhe dekada shërbimi në nivelet më të larta të sigurisë dhe detyrës publike, trashëgimia e tij mbetet si një mbrojtës i sovranitetit të Shqipërisë, një simbol i integritetit dhe i një zë urtësie për brezat që do të vijnë.

Me mirënjohje të thellë dhe të përhershme,Shoqata Amerikano-Shqiptare e Zbatimit të Ligjit (AALEA).

New York, October the 6th 2025.

Me kete rast dua ti shpreh mirenjohjen me te thelle familjes time, pa mbeshtetjen e se ciles nuk do te kisha mundur asnjehere te arrija keto suksese.

Për të gjithë të interesuarit, më poshtë në foto gjeni titujt e disa nga librat e kolanës të gjeopolitikës, sigurisë, mbrojtjes dhe të kundër-terrorizmit tashmë të botuara në SHBA dhe ne Shqipëri.

Filed Under: Vatra

Fuqia e Dritës – Festivali Ndërkombëtar i Video Artit Gjon Mili 2025 në Manhattan

October 8, 2025 by s p

Rafaela Prifti/

Festivali Ndërkombëtar i Video Artit “Gjon Mili” International Video Art Festival (IVAF) Gjon Mili 2025 prezantoi një përzgjedhje dinjitoze të krijimeve nga artistë shqiptarë dhe të huaj për pesë ditë-netët e fundit të shtatorit dhe fillimit të tetorit në mjediset e Producers Club Theaters dhe natën e mbylljes në Dolby Screening Room, Nju Jork. Risia e edicionit të tretë të festivalit është ardhja në Nju Jork, pas Korçës dhe Dhërmiut, “e kësaj përvoje unike artistike, ku arti bashkëkohor vizual bashkon kultura, gjuhë dhe përvoja njerëzore të ndryshme,” thanë organizatoret Yllka Gjollesha dhe Suela Bako në natën e hapjes.

Të dyja ato i japin përparësi vijimit të misionit të festivalit si urë lidhëse mes vendeve dhe krijuesve, të vetëdishme për trashëgiminë dhe emrin e fotografit dhe artistit të madh shqiptaro-amerikan Gjon Mili. Nëpërmjet bashkëpunimit të tyre regjizorial, Suela Bako dhe Yllka Gjollesha ia kanë kushtuar filmin dokumentar Light/Dritë pionierit të dritës stroboskopike dhe lëvizjes në artin vizual, që ishte në programin e natës së fundit në Dolby. Në ceremoninë e mbylljes u shfaqën filma të përzgjedhur nga artistë të ftuar në këtë edicion dhe premiera amerikane të disa produksioneve. Mes tyre dokumentari i shkurtër Në Mes In Between (2025, 13’) nga regjizori Samir Karahoda, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare https://www.instagram.com/samirkarahoda/?hl=en është një vëzhgim i hollë i kundërvënieve që shoqërojnë emigrimin shqiptar. Filmi i shkurtër Kadillak dhe Manaferra Cadillac and Blackberries (2022, 17’) nga Suela Bako, sjell një portret prekës të rezistencës nën diktaturën komuniste https://www.instagram.com/bakosuela/?hl=en

Nën emërtimin The Skin of the Light /Lëkura e Dritës, përzgjedhjet e jurisë së IVAF 2025 kishin përfshirë krijime që hulumtojnë identitetin, kujtesën, marrëdhënien e njeriut me natyrën, si edhe qasje origjinale të ndriçimit, tingullit dhe lëvizjes. Nga programi i Festivalit të vinte dëshira t’i shikoje të gjitha seancat e tij, duke nisur nga shfaqjet e filmave të paradites dhe pasdites së datës 27 shtator, gjatë të cilave u prezantuan vepra të artistëve nga Italia The Music Box and The Tree of Life, nga Shtetet e Bashkuara The Inherit and Quary, nga Bjellorusia Lake, nga Mbretëria e Bashkuar Elemental Feelings, nga Kina Let it Grow, nga Australia In the Shadow of Small Acts etj.

Unë arrita në orët e mbrëmjes së hapjes së Festivalit që nisi me shfaqjen e filmit të gjatë dokumentar Alexander nga Ardit Sadiku. Shumë mund ta mbajnë mend historinë e bujshme të arratisjes së Aleksandër Grudës nga Shkodra me anije ushtarake në vitin 1992, por dokumentari, ku rrëfimtar është vetë Aleksandri, arrin të përçojë tek shikuesi triumfin e shpirtit njerëzor mbi egërsinë dhe terrorin që mban në këmbë diktaturën.

Prania e Aleksandër Grudës në shfaqjen e filmit dokumentar dhe fjalët përshëndetëse të këtij shqiptar-amerikan me banim në Nju Jork e emocionuan publikun. Pak minuta më vonë, në sallën e katit të dytë të Producers Club Theaters, gjendja emocionale mori tjetër kahje në aktin e monologut komik të aktorit Romir Zalla. Mes urimeve e përgëzimeve të shumta nga miq e dashamirë për standup-in e parë në Amerikë, vinte edhe dëshira për të mos e lënë të kalojë shumë kohë deri në shfaqjen e ardhshme. “Interpretimi plot humor dhe finesë i aktorit të mirënjohur Romir Zalla, solli shumë të qeshura me stand-up komedinë e tij,” tha Tefta Bejko, bashkëproducente me 90 Production Film Company.

Ajo e quajti festivalin “një dhuratë të çmuar për ne në diasporë. Ai na sjell pranë vepra artistike e kinematografike që, ndonëse shpesh nuk kanë mundësi tjetër distribucioni, mbartin një nivel të lartë artistik dhe na bëjnë të ndiejmë më afër kinemanë tonë.”

Në datat 2-4 tetor, juria e Festivalit vlerësoi me çmime në kategoritë e video artit dhe artit eksperimental, animacionin, performancën, realitetin virtual dhe dokumentarin e krijuesve nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Holanda, Irani/Mbreteria e Bashkuar dhe Kanadaja.

Ashtu si teknika stroboskopike e shqiptaro-amerikanit nga Korça Gjon Milit e bëri të dukshme dritën dhe lëvizjen në fotografi, edhe Festivali Gjon Mili IVAF 2025 në tërësinë e tij iu dha artdashësve larminë e krijimeve të artistëve si edhe aftësinë e pakufizuar të subjekteve të artit vizual dhe kinemasë.

https://www.instagram.com/producersclub/?hl=en
Selections 2025
Home

Foto – Takim në Muzeun Metropolitan të Artit MET në Manhattan gjatë ditëve të Festivalit, Romir Zalla, Suela Bako, Rafaela Prifti, Mimoza dhe Izmir Bako.

Filed Under: Politike Tagged With: Rafaela Prifti

“Trump/Stubb, dy arkitektët e rendit të ri botëror”!

October 8, 2025 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Plotë 80 vjet më parë (Tetor 1945), në vend të Lidhjes së Kombeve krijuar në 1919 (që dështoi në ndalimin e Luftës së 2-Botërore), u themelua Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB/UN) me vendet fituese dhe neutrale të luftës. Edhe mbas zgjerimit (sot 193 shtete) mbetet me të njejtin mision: “forcimin e bashkëpunimit midis shteteve, zhvillimin ekonomik, masave të mirëbesimit dhe ruajtjen e paqes në botë”.

Sigurisht e ndoqa me vëmëndje profesionale të shtuar Sesionin e 80-të të Asamblesë së OKB-së që u zhvillua në New York nga 23-29 Shtator. Në vijim (për këdo të interesuar) gjeni përmbledhje rreth krizës së rendit global (OKB) si dhe mesazheve gjeopolitike nga kjo ngjarje e përvitshme:

Pikësëpari, pse ishte veçantë/Historik ky Sesion i Asamblesë së OKB-së ?:

Për shkak të sulmit neo-naziste të Rusisë-Putiniste: “Jo vetëm për pushtimin e Ukrainës-Martire por edhe ndaj rendit global, vlerave, interesave si dhe fuqisë ushtarake të Aleancës Euroatlantike”; përshkallëzimit të përballjes me ekstremistët/terroristët në Lindjen e Mesme; demokracitë fasadë dhe shtetet e dështuara; rikthimit të frikshëm te gara e armatimeve si dhe zotërimin e Inteligjences Artificiale (AI). Mbi të gjitha, për shkak të krizës së rëndë të besimit mbi rolin e OKB-së, në këtë udhekryq kritik për paqen, sigurinë dhe vlerat e qytetërimit.

Sesioni radhë/Shtatorit 2025, do mbetet historik “jo vetëm për incidentet me axhensorin, teleprompter dhe mikrofonin”, por për shkak të rikthimit edhe më të fuqishëm si dhe për qasjen radikale (në opinion tim shumë të drejtë) të Presidentit Trump-2 për ta shkundur nga themelet sistemin burokratik të OKB, bashkë me të edhe Rendin Global të Paqes dhe Sigurisë.

Përveç qasjes së njohur Trump-2, ajo që bëri diferencën në këtë Sesion, ishte kurajua, përmbajtja realiste dhe njerëzore, ftohtësia/mënçuria Skandinave dhe modestia zyrtare e Presidentit Aleksandër Stubb: “3 shtyllat baze të Politikës së Jashtme = Vlerat, Interesat dhe Fuqia”. Ndërsa shtoi se: “për vendet e vogla si Finlanda, mbeten vetëm 2 të parat, pra vlerat dhe interesat”, qasje që u vlerësua si: “fjalimi më inspirues në 80 vitet/takimet e OKB-së”. Pra për ta ndriçuar vlerën e modestisë, që e bëri të madh fjalimin/Presidentin e Finlandës, duhet të konsiderojmë disa shifra krahasuese: “Finlanda ka rreth 6 milon banorë, sipërfaqe 330.000 km², GDP-nominale 312 Bilion € dhe të ardhura majore 4500 €; pra respektivisht dy, 12, dhjetë dhe 8 herë me shumë/madhe se RSh (!)”.

Shifrat flasin më fortë se mijra fjalë, për këdo që ka vesh, dijeni dhe përgjegjshmëri për vlerat dhe interesat gjeopolitike. Gjithësesi, përtej fjalimeve rutinë (pa përmbajtje) të mbi 120 kryetarëve të shteteve, ishin edhe disa vende të vogla që u ndoqën me Zero interes, kryesisht: “për shkak të nivelit të përfaqësimit dhe protagonizmit për tu mëshiruar, pa folë për kapjen për xhakete dhe bisedat në koriodore, radhët e sqorcuara për foton me Presidentin Trump, por që do mbeten vetëm në arkivën e krizës së OKB-së”.

Së dyti, duke marrë për referencë qasjen radikale të Trump-2, por dhe mesazhet e mënçura të Presidentit të Finlandes Aleksandër Stubb, në vijim po ndaj gjetje dhe rekomandime gjeo-politike nga ky Sesion:

A. Koha për një Rend i Ri Botëror: “të ndërtuar jo mbi frikën apo fuqinë e armëve, por mbi vlerat, interesat përbashkëta, drejtësinë dhe dinjitetin njerëzor”. Ndërsa rendi aktual është në kolaps (agoni), na nevojitet një Rend i Ri që reflekton realitetin dhe jo nostalgjinë e pas luftës së 2-Boterore. Reforma me një filozofi dhe për një rend ku sovraniteti nuk është arsyetim për tirani, por përgjegjësi. Thënë këto pyetja ndaj çdo vendi mbetet: “A do rrimë spektatorë të një rendi që po shëmbet” ?

B. Reformimi thelbësor i Këshillit të Sigurimit (KS): “Jo më një klub i mbyllur, ose një muze i fituesve të Luftës së 2-Botërore, por një forum i ndërgjegjes dhe përgjegjësisë globale”. Ndërsa, “mekanizmi i Vetos” konsiderohet si një murtajë morale që e ka kthyer KS në një teatër absurd. Kështu ndër propozimet e Presidentit Stubb, spikat ajo për një reformë pragmatiste të KS, pra: “zgjerimin e përfaqësimit të përhershëm (nga 15 në 20), duke shtuar 2 vende nga Afrika, 2 nga Azia dhe 1 nga Amerika Latine. Kjo pasi sot, më shumë se 60% e popullsisë botërore është praktikisht pa zë në KS”.

Rishikimin e të drejtës së Vetos për 5 vendet me status të përhershëm, duke pezulluar përdorimin e Saj ndaj çdo vendi që shkelmon Kartën e OKB-së ose ka shkaktuar konflikte të armatosura (si në rastin e Rusisë ndaj Ukrainës). Sigurisht reforma e KS, konretisht propozimi mbi VETO-n, do të përballet me rezistencë, jo vetëm nga Rusia dhe Kina, por edhe nga vende me status të përhershëm ose përkohshëm.

C. Nga e shpërbërë, në një Botë si një e tërë. Një rend të ri global që reflekton tre elementët thelbësorë të sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, ose: “trinomin e vlerave, interesave dhe fuqisë”. Gjithësesi: “çdo vend ka të drejtë të shprehet për mënyrën e ndërtimit të rendit të sigurise”. Ky universalizëm është e ngjashme me idenë revolucionare e shekullit XXI: “të ndërtojmë paqe jo me gjunjë të përkulur para të fuqishmëve”. Në këtë kontekst, Finlanda e vogël: “nuk po kërkon të drejtojë botën, por ndoshta po kontribuon për të treguar rrugën që duhet të ndjekë”.

D. Nga e polarizuar (disa fuqive), në Botën e shumë vlerave. Në dukje teknike, por në thelb është dallimi mes luftës dhe bashkëjetesës paqësore, pasi: “Multipolariteti është ndarje e pushtetit, Multilateralizmi është ndarje e përgjegjësisë”. Sot, kemi një botë me shumë fuqi, por pa një sistem që i bashkon ato. Pra një anarki të organizuar nga paraja dhe armët, dërsa shtetet po braktisin parimet dhe vlerat universale. Për ta thënë më thjesht: “nëse nuk ndërtojmë një rend të ri me rregulla të përbashkëta, do të jetojmë në anarki të kontrolluar nga AI, interesat e më të mëdhenjëve dhe aleatëve të tyre”.

E. Të drejtat e njeriut, si themelet e paqes dhe sigurisë. Mbetet ende heshtje cinike, ku Autokratët/Udhëheqësit e gjithëpushtetshëm flasin për paqe, ndërkohë që shtypin edhe popujt e vet, flasin për bashkejetesë paqesore dhe janë rikthyer garës për armet vrasëtare. Ndërsa, të drejtat e njeriut nuk janë një kapitull dytësor por themeli i paqes dhe së qëndrueshme ndërkombëtare. Po ashtu barazia gjinore, aksesi në edukim, etj janë ndër shtulltat e sigurisë dhe jo çështje “filantropike” si deri më sot.

F. Global South: “nga përfitues, në bashkë-kontribues”. Ndryshe rritja e rolit të vendeve në Afrikë, Azi, Amerika Latine, pra mjaft më si “përfitues ose subjekte të politikave”, por si aktorë me zë dhe me legjitimitet për të udhëhequr. Në shekullin XXI, nuk mund të ketë institucione globale që nuk përfaqësojnë realitetet demografike, ekonomike dhe politike të botës. Pa një përfshirje e këtyre vendeve, nuk mund të ketë as stabilitet, as drejtësi dhe as zgjidhje afatgjata.

Në shtesë, gjeni edhe 5 gjetje, ose këshilla strategjike për Tiranën & Prishtinën Zyrtare:

Si vende të vogla, RSh dhe Kosova që nuk kanë peshe në tryezat e vendimmarrjeve të mëdha, por kanë arsye shtesë për një përfaqësim sa më dinjitoz, jo vetëm me funksionarë të emëruar, por Personalite me Zë/mirënjohur në Institucionet ndërkombëtare (USA/OKB/NATO/BE), për njohje të reja të Kosovës, mbrojtjen e integritetit, vlerave si dhe zhvillimin e interesave mbarë-kombëtare.

Ndryshimet që po i imponohen rendit global të sigurisë, përfshi qëndrimet radikale të Trump-2 apo dhe ato pragmatike të Presidentit Finlandez, etj, i çmoj si një mundësi historike për të Transformuar Sistemin e Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare, duke jetësuar platformën e përbashkët: “2-Shtete Sovrane, 1-Komb i vetëm”. Përtej (mos) përfaqësimit me figura inferiore në forumet globale, luftës primitive për mbajtjen/marrjen e pushtetit, është në interesin kombëtar të konfirmohet/më: “si artikulli-5, ose çdo sulm ushtarak ndaj Kosovës, konsiderohet i tillë edhe ndaj RSh dhe anasjelltas”!

Për shkak të angazhimeve me personalitete/kolegë në Washington, etj, siguroj se kjo “platformë e vonuar” do mbështetet nga USA pasi përtej “dashurisë për pushtetarët/politikanët e radhës”, interesat Amerikane i gjej të ndërthurura me mbajtjen e supremacisë gjeopolitike në Rajon. Raketat Javelins, Amendamenti i Kongresmenit Republikan, Brian Mast për ta vendosur anëtarësimin e Kosovës në NATO si prioritetet të politikës amerikane në Ballkan, etj: “janë mesazhe të vendosmërisë për të mbrojtur statuskuonë dhe interesat gjeopolitike të ShBA në Ballkan”.

Posaçërisht, mbrojtjen e statuskuosë dhe sovranitetit të Kosovës si dhe zhvillimi i interesave gjeopolitike në Rajon dhe Mesdhe, Shqipëria dhe Kosova, mund t’i realizojnë vetëm duke skalitur mirënjohjen kombëtare si dhe forcuar më tej bashkëpunimin strategjik me SHBA. E përditësuar kjo: “Prishtina Zyrtare nuk do duhet kurrësesi të ndërmarrë vendimamarje (pa u konsultuar) që minojnë themelet e besimit dhe dialogut strategjik me USA, që ende mbajnë peshë kritike për sigurinë dhe ardhmërinë Euroatlantike të Kosovës”. Thënë këtë insitoj që: “paranojat enveriste mbi sovranitetin apo mëvetësinë e mbrojtjes”, mund të ushqejnë ushtrinë e bollshevikëve mëndjendryshkur, por në Rendin e Ri Global që po vjen/lind, i gjej si thikë e helmatisur në shpinën e interesave kombëtare dhe ardhmërisë së shqiptarëve.

Rritjen e buxhetit të mbrojtjes deri 5 % të GDP-së përveçse një kërkesë kritike nga Trump/NATO e çmoj si legjitimitet ndërkombetar por edhe oportunitet historik për të modernizuar fuqinë ushtarake. Pra, 5 %, ose për mbi 1.2 Miliard € duhen programe për modernizimin e armatimeve dhe sistemeve të gjeneratës së fundit që rrisin aftësitë mbrojtëse si dhe deterrence/shpaguese ndaj çdo vendi që kërcënon sovranitetin territorial dhe interesat gjeopolitike të RSh/Kosovës.

Autori: Gjeneral ® Piro Ahmetaj:

Senior Ekspert për çështjet e Sigurinë Kombëtare,

Rajonit si dhe marrëdhëniet me USA/NATO.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 128
  • 129
  • 130
  • 131
  • 132
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT