• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A mund të shpëtojmë nga “goditjet në tru”?

October 4, 2025 by s p

Përktheu Rafael Floqi 

Shkencëtarët mendojnë se së shpejti mund të shërojnë dëmtimet e trurit nga një goditje në tru. Studiuesit që induktuan goditje në tru te minjtë dhe më pas transplantuan qeliza staminale nervore njerëzore në trurin e tyre zbuluan se neuronet dhe enët e gjakut u rigjeneruan.

Pasojat e një goditjeje në tru mund të jenë katastrofike. Në varësi të kohës që truri mbetet pa oksigjen dhe lëndë ushqyese për shkak të ndërprerjes së qarkullimit të gjakut, komplikimet mund të variojnë nga humbja e kujtesës deri te dëmtimi i të folurit dhe madje edhe paraliza. Disa pacientë shërohen, ndërsa të tjerë jetojnë me dëme të përhershme — rreth gjysma e të mbijetuarve nga goditja në tru mbeten të paaftë për shkak të dëmtimit të trurit. Tani, transplantet me qeliza staminale mund të jenë një ditë në gjendje të kthejnë pas dëmet që deri tani konsideroheshin të pakthyeshme.

Neuroshkencëtarët Christian Tackenberg (nga Universiteti i Cyrihut) dhe Ruslan Rust (nga Universiteti i Kalifornisë Jugore) bashkëpunuan për të eksploruar një terapi të mundshme që përdor qeliza staminale pluripotente — të cilat mund të shndërrohen në pothuajse çdo lloj indi — për të trajtuar simptomat që mbesin pas një goditjeje në tru. Ata induktuan goditje në tru te disa minj dhe transplantuan qeliza staminale nervore njerëzore në trurin e tyre, duke treguar se këto qeliza kanë potencialin për të krijuar neurone të reja dhe për të aktivizuar procese të tjera rigjeneruese.

“Qelizat staminale nervore] mbijetojnë për më shumë se pesë javë, diferencohen kryesisht në neurone të pjekura dhe kontribuojnë në reagime të indeve të lidhura me rigjenerimin, duke përfshirë angiogjenezën, riparimin e barrierës gjak–tru, uljen e inflamacionit dhe neurogjenesën,” shkruan Tackenberg dhe Rust në një studim të publikuar së fundmi në revistën Nature Communications.

Çfarë lloj goditjeje u përdor në eksperiment?

Ekzistojnë dy lloje kryesore të goditjeve në tru:

  • Ishemike, që ndodh kur një arterie që çon gjak në tru bllokohet (zakonisht nga një mpiksje gjaku për shkak të akumulimit të pllakave),
  • dhe hemorragjike, që ndodh kur një enë gjaku çahet dhe gjaku rrjedh në indet përreth, duke rritur presionin në tru.

Studiuesit zgjodhën të induktonin goditje iskemike te minjtë, pasi ato janë shumë më të zakonshme te njerëzit — rreth 1 në 4 të rritur përjeton një goditje iskemike gjatë jetës.

Si u zhvillua eksperimenti?

Pas një jave nga goditja, minjtë — të cilët ishin gjenetikisht modifikuar që trupi i tyre të pranonte qeliza njerëzore — morën transplant me qeliza staminale nervore njerëzore në zonat e dëmtuara të trurit. Goditja kishte shkaktuar reduktim të madh të qarkullimit të gjakut, dëmtim të indeve dhe dobësi motorike.

Menjëherë pas trajtimit, lezionet (dëmtimet) filluan të zvogëloheshin pak. Përparimi i qelizave të transplantuara u monitorua me anë të imazherisë biolumineshente. Duheshin dy javë që sinjalet ndriçuese të fillonin të rriteshin — gjë që sugjeron se trurit i dëmtuar i duhet kohë për t’u stabilizuar përpara se trajtimi të funksionojë plotësisht.

Rezultatet ishin të jashtëzakonshme

  • Inflamacioni u ul.
  • U gjeneruan neurone të reja, të cilat komunikonin me neuronet ekzistuese.
  • Zgjerimet neuronale (neuritet) arritën në:
    • Korteksin motorik (kontrollon lëvizjet vullnetare),
    • Korteksin somatosensor (përpunon ndjesi si prekja, presioni, dhimbja),
    • dhe korteksin cingulat, që luan rol në:
      • marrjen e vendimeve,
      • kujtesën punuese,
      • formulimin e përgjigjeve,
      • dhe kryerjen e detyrave.

Por përmirësimet nuk u kufizuan vetëm te qelizat e trurit. Transplanti ndihmoi edhe në rigjenerimin e qelizave që formojnë enët e gjakut.
Në mënyrë interesante, rrjedhja nga enët e reja të gjakut ishte më e vogël — ndryshe nga zakonisht, pasi enët e reja pas goditjes priren të jenë më të brishta dhe rrjedhëse, gjë që mund të ulë në mënyrë të rrezikshme presionin e gjakut.

Si rezultat i rigjenerimit të trurit, aftësitë motorike të minjve u përmirësuan.

“Këto zbulime mund të kenë rëndësi jo vetëm për terapinë e goditjeve në tru, por edhe për trajtime të një game më të gjerë të dëmtimeve neurologjike akute që përfshijnë humbje të neuroneve,” shkruajnë Rust dhe Tackenberg.

A është kjo terapi e zbatueshme për njerëzit?

Ende nuk janë bërë prova klinike të qelizave staminale nervore te njerëzit për këtë lloj trajtimi.
Por ka aspekte të terapisë që mund të përshtaten për përdorim te njerëzit.

Studiuesit tani po kërkojnë mënyra më të thjeshta për dorëzimin e qelizave, si për shembull:

  • injeksione, në vend të transplantimeve më invazive që u përdorën te minjtë.

 E ardhmja: jo vetëm mbijetese — por rimëkëmbje dhe mirëqenie

Në një të ardhme të afërt, mund të jetë e mundur jo vetëm të mbijetosh nga një goditje në tru, por edhe të rikuperohesh plotësisht dhe të lulëzosh, falë fuqisë së qelizave staminale. Dhe keshtu mallkimi “të  raftë damllaja!” do të jetë pa kuptim.

Filed Under: Sociale

Dhjetë vjet nga suksesi i projektit të teksteve për mësimin shqip në diasporë

October 4, 2025 by s p

Hazir Mehmeti, Vjenë/

Arritje në afirmimin e vlerave të gjuhës shqipe në gjithë Evropën.

 Pedagogu e metodisti i njohur nga Zvicra, Prof.  Basil Schader dhe ekipi i tij  Nuhi Gashi, nga Ministria e Arsimit e Kosovës dhe Hazir Mehmeti, mësues dhe hartues, pranuan çmimin në Sallën Solemne të Shkollës së Lartë Pedagogjike të Gracit  nga Jan Sisko, Ministër i Arsimit të Austrisë dhe Gunther Abuja nga Qendra Austriake e Gjuhëve.

  Kanë kaluar dhjetë vite nga projekti, por ai mbeti vlerë e pa mohuar për mësimin e nxënësve shqiptarë në mërgatë. Tekstet mësimore që ne i quanim -Fletore Tematike, sipas formës së re mësimore bazuar në metodat e reja mësimore, ku nxënësi kursehet nga pesha e librave me tema të grumbulluara shpesh pa nevojë. Struktura didaktike e fletoreve ishte e afërt me nxënësin, e lehtë, ku nxënësi mund të punon i pavarur në një kohë relativisht të gjatë të orës mësimore. 

Ky projekt nuk do harrohet për: a – ishte projekti më serioz në kohën e mungesave të theksuara të teksteve mësimore në diasporë;  b- ishte projekti më i kompletuar me temat e gjithanshme që prekë hapësirën kurrikulare të mësimit në diasporë; c- Ishte projekti më serioz i bazuar në rrethanat specifike të mësimit amtar dhe përshtatur me plan programet e shkollave të vendeve ku nxënësit mësojnë.   Materiale mësimore janë akoma të shfrytëzuara dhe pjesë e punës së mësueseve në diasporë.  
Kjo nuk u arrit lehtë e shpejt, por në koordinim me Ministrinë e Arsimit të Kosovës dhe  Shkollës së Lartë Pedagogjike të Zyrihut, projekt i drejtuar nga miku ynë i njohur Prof. Basil Schader. Falënderimi i shkon mikut dhe gjithë atyre që dhanë shumë për realizimin e tij.
      Nga shtypi po japi shkrimin asaj kohe nga shumë agjenci mediave, mes tyre edhe agjencia austriake e lajmeve në gjermanisht.  

Përfundimi dhe ndarja e shpërblimeve të projektit të përmasave evropiane u mbajt në qytetin e Gracit, në Austri me 24 shtator 2015 në  ditën  e Gjuhëve Amtare në Evropë. Projekti kishte  për qëllim mësimin e gjuhëve amtare në gjithë kontinent përmes projekteve cilësore që e ngritin nivelin e gjuhëve aty ku ka komunitete të ndryshme. Kjo është specifike në kohën tonë në të gjitha vendet, sidomos vendet e zhvilluara. Ky projekt organizohet sipas modeleve të vendeve përkatëse që nga viti 1998 dhe janë paraqitur në konkurrim deri me tani rreth 900 projekte. Këtë vit konkurruan gjashtëdhjetë projekte nga të cilët u shpërblyen shtatë prej tyre. Mes tyre projekt i shpërblyer është projekti i hartimit të teksteve për mësimin e gjuhës shqipe i drejtuar nga Prof. Basil Schader.  

Ky projekt ishte fryt i bashkëpunimit të Shkollës së Lartë Pedagogjike të Zyrihut dhe Ministrisë së Arsimit të Kosovës, i mbështetur financiarisht nga Qendra Ndërkombëtare e Fondit për Projekte (IPE). Nëntëmbëdhjetë tekstet e këtij projekti tani disa vjet shpërndahen falas për të gjithë nxënësit shqiptarë në mërgatë.   Ekipi i autorëve ishte i përbërë nga ekspertë nga Kosova dhe diaspora.  Besa Luzha, Hazir Mehmeti, Lush Culaj, Muhamet Ahmeti-Metis, Nexhat Maloku, Nexhmije Mehmetaj, Rifat Hamiti, Rizah Sheqiri, Shefkije Islamaj, dhe Xhevat Syla. Kordinatorë të projektit ishin Basil Schader, Nuhi Gashi dhe  Arif Demolli. 

 Drejtuesi i projektit, Basil Schader  dhe ekipi i tij Nuhi Gashi nga Ministria e Arsimit e Kosovës dhe   Hazir Mehmeti, mësues në Vjenë dhe autor, pranuan çmimin në Sallën Solemne të Shkollës së Lartë Pedagogjike  nga Jan Sisko  Ministër i Arsimit të Austrisë dhe Gunther Abuja nga Qendra Austriake e Gjuhëve. 

   Në sallën e bukur nën tingujt e muzikës së lehtë programin e udhëhoqën Mag.Karin Weitzer dhe Alexandra Wojnesitz. Nikoqiri, rektorja e Shkollës së Lartë Pedagogjike (PH- Graz) në Steirmark, Elgrid Messner  e hapi tubimin solemn. “Në Grac fliten 150 gjuhë dhe numri i nxënësve me gjuhë tjetër amtare (jo gjermane) në dhjetë vjetët e fundit është rritur në 20%. Në vitin e kaluar shkollor ishin 10 mijë e tetëqind nxënës me gjuhë amtare jo gjermane… Ne synojmë arsimin integrues internacional te pedagogeve/ve tanë. Universiteti i Gracit ofron studime nga shumë gjuhësia dhe shumë kultura.”  Jan Sisko, Ministër i Arsimit të Austrisë, mes tjerash tha:  “Konkursi përkrahet nga Komisioni Evropian dhe secili shtet ka lirinë e formës së organizimit. Ditën e Gjuhëve Evropiane e festojmë që nga viti 1998 ku në konkursin shpërblyes deri tani kanë konkurruar rreth 900 projekte prej të cilëve 166 projekte janë cilësuar si të shkëlqyeshme… Mendoj, se puna e përbashkët, në shkollimin gjuhësor luan rol të veçantë dhe ne do mbështesim projekte të kësaj natyre.” Pjesëmarrësve ju drejtuan edhe Ursula Panuschka nga agjencia –Mësojmë Tërë Jetën, Gunther Abuja –Qendra Austriake e Gjuhëve.

    Pas pjesës zyrtare Prof. Basil Schader dhe grupi i tij, prezantuan tekstet e reja me strukturën e tyre didaktike-metodike bashkëkohore sipas standardeve të kohës. U dha filmi nga ora mësimore me tekstet e reja, çka zgjoi interesimin e ekspertëve përkatës të universiteteve, shkollave dhe mësuesve nga shumë gjuhë. Personazhi i filmit ishte Hazir Mehmeti, mësues me përvojë nga Vjena i cili prezantoj pjesë nga metodologjia e punës me tekstet e reja, pas së cilës u hap debati. Ai gjithashtu si autor, para të pranishmëve prezantoi librin e tij  i A-B-C – Fiebel- Albanische (Abetare). Ai u sqaroi mbi strukturën dhe metodikën e punës si tekst i parë për mësimin e shkronjave në gjuhën shqipe në Austri. A-B-C Fiebel ishte pjesë e projektit të përfunduar, alfabetimi . Struktura didaktike, shkrimi, lojërat, figurat, mundësia e leximit, hapësirat e shkrimit të standardeve që i përgjigjen rrethanave e mësimit amtar në diasporë. Ky libër u botua nën përkujdesjen e Ministrisë së Arsimit të Austrisë krahas abetareve të reja në gjuhën kroate dhe turke. Pas prezantimit dhe debatit ofertat nga ekspertët për bashkëpunim në fushën e materialeve mësimore ishte e madhe. Ekspertë të gjuhëve e vlerësuan lartë projektin dhe tekstet bashkëkohore në gjuhën shqipe. 

Në disa ambiente, brenda e jashtë objekteve në qytet u organizuan aktivitet kulturore në shumë gjuhë; lexime, recitime, lojërave teatrale, këngë, valle.  Në këto aktivitet morën pjesë dhe nxënësit shqiptarë nga Graci, të prirë nga mësuesja Bukurije Limani.  Përfaqësuesi për mësimin në diasporë nga  Kosova, Nuhi Gashi, i vizitoj nxënësit, u njoftua me gjendjen e vijueshmërisë, pengesat dhe sfidat e të mësuarit në gjuhën shqipe.

Jan Sisko, Nuhi Gashi, Basil Schader, Hazir Mehmeti, Günther Abuja

 dhe  drejtuesja e programit. (24 shtator 2015, Grac Austri)

Filed Under: Interviste

Përurimi i Monumentit të Tafil Buzit në Tepelenë

October 4, 2025 by s p

Dr. Dorian Koçi/

“Ra një vesë e zbuti dhenë,

Zbriti Tafili në Tepelenë…”

Këto vargje popullore, të mbajtura gjallë në kujtesën e popullot, janë dëshmi e nderimit dhe kujtimit që populli shqiptar i ka bërë figurës së Tafil Buzit (1792–1866), njërit prej udhëheqësve kryengritës më të spikatur të shekullit XIX. Me përurimin e monumentit të tij në qytetin e Tepelenës, historia e tij merr një vend të merituar jo vetëm në kujtesën lokale, por edhe në kujtesën kombëtare. Tafil Buzi ishte udhëheqës i disa kryengritjeve të rëndësishme antiosmane në Shqipërinë e Jugut, kryesisht në krahinën e Vlorës, Mallakastrës, Tepelenës dhe Labërisë. Kryengritjet e tij (1830, 1833, 1834 dhe 1847) nuk ishin vetëm reagime sporadike ndaj taksave të rënda apo shkeljes së privilegjeve vendore, por shfaqje e një ndërgjegjeje të re politike dhe administrative për të ruajtur autonomie dhe vetëqeverisjejen brenda Perandorisë Osmane.

Tafil Buzi ishte një figurë që bashkonte traditën e luftëtarit popullor me ndikimin e aristokracisë lokale të Jugut shqiptar. Ai nuk ishte thjesht prijës ushtarak, por një zë i fortë i pakënaqësisë popullore, që përmes kryengritjeve të tij pasqyronte aspiratat për liri dhe për vetëvendosje.

Shekulli XIX në Shqipërinë e Jugut shënon një periudhë të veçantë, kur aristokracia lokale shqiptare kishte marrë një fizionomi të qartë politike dhe ushtarake, sidomos në vijim të kohës së Ali Pashë Tepelenës. Ky segment shoqëror – bejlerët, agallarët dhe prijësit krahinorë – jo vetëm kishin krijuar lidhje të ngushta me Perandorinë Osmane, por kishin fituar edhe një traditë të ushtrimit të pushtetit dhe të vetëqeverisjes krahinore.

Pas rënies së Ali Pashës (1822), shumë prej këtyre familjeve e prijësve kërkuan të ruanin hapësirat e pushtetit që kishin fituar në kohën e tij. Kryengritjet e Tafil Buzit duhen parë pikërisht në këtë kontekst: si përpjekje për të mbrojtur traditën e vetëqeverisjes lokale, të trashëguar që nga koha e Pashallëkut të Janinës, dhe për të kundërshtuar centralizimin e reformave osmane të Tanzimatit.

Kryengritjet e Tafil Buzit dhe të bashkëluftëtarëve të tij janë pjesë e një procesi më të gjerë rezistence shqiptare, që shënon kalimin nga reagimet lokale ndaj pushtetit qendror në një lëvizje që, dekada më pas, do të ushqejë idenë e pavarësisë kombëtare. Megjithëse ato nuk arritën gjithmonë të kenë sukses të plotë ushtarak, rëndësia e tyre qëndron në faktin se i dhanë popullit shqiptar përvojën e organizimit politik dhe ushtarak, duke e bërë atë pjesë të rrjedhave të mëdha historike të shekullit XIX.

Sot, kur në Tepelenë përkujtohet Tafil Buzi me monument të realizuar nga skulptori Vladimir Llakaj ky gjest nuk është vetëm nderim për një figurë historike, por një akt i kujtesës kolektive që na kujton se rezistenca, vetëqeverisja dhe liria janë vlera të trashëguara thellë në kulturën shqiptare. Ai mishëron një epokë të tërë ku aristokracia dhe populli, male e fusha, pushkë e këngë, u bashkuan në një ideal të përbashkët.Monumenti i Tafil Buzit është një thirrje që kujtesa historike të mos mbetet vetëm në libra, por të jetojë në sheshe, në këngë dhe në mendjen e brezave të rinj.

Filed Under: Histori

SHBA dhe BE duhet të mbështesin marrëveshjen Kosovë–Serbi me njohje reciproke si bosht thelbësor

October 4, 2025 by s p

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/

Njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë boshti i një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse sepse:

Zgjidh përfundimisht çështjen themelore të statusit;

Krijon themele për siguri afatgjatë dhe integrim euro-atlantik;

Eliminon pengesat juridike për anëtarësime ndërkombëtare;

Është objektiv i artikuluar publikisht nga aktorët kyç ndërkombëtarë, BE dhe SHBA, të cilët e shohin normalizimin e plotë vetëm përmes njohjes reciproke.

1. Arsyetimi politik

Qartëson çështjen kryesore. Pa njohje reciproke, marrëdhënia mbetet e përkohshme dhe e brishtë. Marrëveshjet teknike lehtësojnë përkohësisht tensionet, por nuk e adresojnë problemin themelor – sovranitetin e Kosovës.

/Hap rrugën për integrim në BE dhe NATO. Normalizimi i plotë është kusht i panegociueshëm për avancim në procesin e anëtarësimit euro-atlantik. Njohja reciproke e largon këtë barrierë.

-Ndërpret instrumentet e destabilizimit. Statusi i paqartë shfrytëzohet nga aktorë të jashtëm për tensione gjeopolitike. Njohja reciproke e zvogëlon hapësirën për ndërhyrje destabilizuese.

2. Arsyetimi juridik dhe kushtetues

-Sigurim i subjektivitetit ndërkombëtar. Njohja reciproke përforcon vlefshmërinë e traktateve, marrëveshjeve dypalëshe dhe pjesëmarrjen e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

-Garanci për zbatim juridik. Marrëveshja gjithëpërfshirëse duhet të përfshijë mekanizma ndërkombëtarë verifikimi, arbitrazhi dhe monitorimi për të shmangur moszbatimin.

-Balancim mes sovranitetit dhe të drejtave të komuniteteve. Njohja reciproke mund të shoqërohet me garanci për komunitetet, duke respektuar sovranitetin e Kosovës dhe njëkohësisht duke ofruar siguri për pakicat.

3. Dimensioni diplomatik dhe praktikat ndërkombëtare

-BE dhe SHBA si garantues. Politikat e tyre zyrtare theksojnë se vetëm normalizimi i plotë me njohje reciproke është objektivi i procesit të dialogut.

-Dinamika e njohjeve të reja. Rritja graduale e numrit të shteteve që e njohin Kosovën forcon pozitën ndërkombëtare të saj dhe rrit presionin për një marrëveshje përfundimtare.

-Garancitë ndërkombëtare. Modele të ngjashme ndërkombëtare tregojnë se marrëveshjet e suksesshme kanë qenë gjithmonë të shoqëruara me garanci të fuqishme nga aktorët globalë.

4. Strategjia negociatore

Pako politike me faza të kushtëzuara:

-Faza 1: Deklaratë politike për njohje reciproke dhe klauzola bazë për zbatim.

-Faza 2: Marrëveshje teknike për administratën, policinë dhe integrimin ekonomik me afate të qarta.

-Faza 3: Garanci ndërkombëtare dhe përfitime konkrete (integrim evropian, liberalizim vizash, mbështetje financiare dhe sigurie).

Mekanizma zbatimi dhe verifikimi: Komision i përbashkët i mbështetur nga BE/OSBE/SHBA, arbitrazh ndërkombëtar dhe klauzola të detyrueshme.

Garanci për komunitetet lokale: Rregullime kushtetuese dhe masa për mbrojtje të të drejtave kolektive dhe individuale, nën mbikëqyrje ndërkombëtare.

Paketa stimuluese për të dyja palët: Për Serbinë, integrim dhe investime; për Kosovën, konsolidim juridik dhe anëtarësime ndërkombëtare.

5. Rreziqet dhe mitigimi

-Kundërshtimi i brendshëm politik. Zbutet me fushata shpjeguese dhe përfitime të prekshme.

-Ndikimi i aktorëve të tretë (Rusi, Kinë). Zbutet me koordinim të ngushtë SHBA–BE dhe garanci sigurie.

-Moszbatimi teknik. Shmanget me mekanizma të fortë monitorimi dhe kushtëzim të qartë të përfitimeve.

6. Kalendari praktik i implementimit

-0–3 muaj: Deklarata politike dhe korniza për njohje reciproke.

-3–12 muaj: Marrëveshje teknike dhe fillimi i zbatimit me monitorim ndërkombëtar.

-Pas 12 muajsh: Vlerësim ndërkombëtar, hap i parë për integrim në BE dhe avancim në njohje multilaterale.

Çdo marrëveshje që shmang ose vonon njohjen reciproke nuk zgjidh problemin, por prodhon kriza të reja politike, juridike dhe shoqërore. Vetëm njohja reciproke siguron bazën për paqe të qëndrueshme, konsolidim shtetëror dhe integrim euro-atlantik.

Prandaj, SHBA dhe BE duhet ta bëjnë të qartë se dialogu Kosovë–Serbi ka vetëm një epilog të pranueshëm: njohjen reciproke si marrëveshje përfundimtare dhe të detyrueshme ndërkombëtarisht.

Filed Under: Politike

“Bijtë e Shqipes” organizon Festivalin e Ushqimit , Kulturës dhe Biznesit shqiptar

October 4, 2025 by s p

Qindra njerëz në mjediset e jashtme të Shoqatës “ Bijtë e Shqipes” në Filadelfia, me dhjetëra të tjerë nëpër rrugët që drejtoheshin drejt shoqatës, ditën e diel, datë 27 shtator, prej orëve të para të mëngjesit deri pasdite vonë. Festivali i Ushqimit , Kulturës dhe Biznesit shqiptar u shndërrua në një Festë të madhe. Këshilli Drejtues i Shoqatës i angazhuar plotësisht shumë kohë më parë, kishte përgatitur dhe realizuar me shumë kujdes për më shumë se një muaj, listat e vendorëve, bizneseve pjesëmarrëse, vendodhjes së tyre, reklamimin dhe pasqyrimin, e këtij eventi jo vetëm në social media, por me postera, tabela, banderola të vendosura kudo në Northeast. Orët e para me shumë nxitim të mëngjesit (vendosja e tendave , çadrave, nga bizneset dhe të ndihmuara nga vullnetarët të drejtuar nga KD), do të pasoheshin nga alegria, gëzimi, gjallëria në 7 orë në vijim.

Takime miqësore ( miq, shokë që kishim kohë pa i parë ), shijimi i ushqimit të shijshëm tradicional, prezantimi me bizneset , shqiptarë që kishin ardhur nga New York, Washington, Maryland dhe New Jersey, dhe nga Connecticut, Rrok Merdita, fëmijë që rendnin të gëzuar, do ta ndiznin më shumë atmosferën. Por oborri i shoqatës nuk do të ishte bosh, me qindra njerëz, vizitorët shqiptarë dhe të huaj do të bashkoheshin në ritmin e vallleve dhe këngëve shqiptare të interpretuar pasion dhe profesionalizëm nga këngëtarët: Kristina Marku, Ariol Shpuza, Mikel Bego, muzikantët Flamur Hafesllari, Pashk Marku dhe Dj Tonini.

Të gjithë në valle, të rinj , fëmijë , të moshuar. Sa shumë të rinj dhe sa shumë energji përcollën ! Kryetari i shoqatës “ Bijtë e shqipes z. D. Matraku dhe dy nënkryetarët z. M. Koboçi dhe D. Gjuzi do të falenderonin të gjithë të pranishmit, të gjithë vendorët pjesëmarrës, bizneset, vullnetarët, muzikantët. Vençarisht bizneset që sponsorizuan festivalin, këtë aktiviteti kaq të bukur, të lirshëm dhe kuptimplotë. Shtëpia jonë e madhe mbahet nga shpirti ynë i madh dhe të dielën ajo ishte shumë gjigande. Në epilogun e kësaj dite , gjithë vendorët, bizneset, pjesëmarrësit pas falenderimit për shoqatën për organizimin e këtij eventi u larguan me pyetjen: “ Kur do të organizohet Festivali tjetër??!

Rudina Bani – mësuese e shkollës “ Gjuha Jonë”

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 136
  • 137
  • 138
  • 139
  • 140
  • …
  • 2781
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT