• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DRITË-HIJET E SHQIPTARIT TË MADH FAIK KONICA

January 6, 2024 by s p

Kosta Nake/

ME PENË, PENEL DHE PALLË NË PËLLËMBË

Një pasqyrë e vlerësimeve të Faik Konicës për figurat e njohura të kombit:

Abdyl Frashëri: Mjekra e gjatë, pak e thinjur, balli i lartë e i gjerë i jepnin Abdyl beut një hije me të vërtetë madhështore; po sytë – dy sy të mëdhenj e të thellë, që kishin shkëlqimin e yjve dhe forcën e çelikut – dëftenin më shumë gjithë flagën, gjithë fuqinë e këtij burri. (f.115)

Naim H. Frashëri: Naimi e mësoi, e ngjalli, e rriti kombin shqiptar, e gatiti udhën për një propagandë kombëtare më përparimtare. Naim bej Frashëri pati edhe një tjatër nder: kuptoi dobinë që mund të nxjerrë kombësia jonë nga bektashizmi. Kam besuar e thënë se Naim beu: Ish mendjengushtë. Kish një karakter vulgar. Ish një zero i shkëlqyer në fushë të letrave. Ish një atdhetar shumë i nxehtë. Nuk jam i shtrënguar, sepse një njeri ka qenë atdhetar, ta lëvdoj për tjatër se për atdhesiën e tij. (f.118 dhe 247)

Jeronim de Rada: Po ku është madhëria e Radës? Në dashuri të nxehtë e kurrë të lodhur për Shqipërinë. Ç’bukuri në këtë jetë të kthyer tri të katërta shekulli me një mendim, të mbështetur më një shpresë! Ç’mësim i madh për ne të gjithë! (f.126)

At Shtjefën Gjeçovi: Një nga njerëzit më të lartë që ka patur Shqipëria, një lartësi e përulur. (f. 128)

Bajram Curri: Liberal në mes të despotizmës, patriot në mes të tradhëtisë ose të ftohtësisë kundrejt Atdheut, i patrembur në armët po përkrahës i brezit të ri dhe i idealit të një Shqipërie të shtruar në qetësi dhe në punë, Bajram Curri kish shumë virtyte të bukura, po virtyti më i shkëlqyer i tij ish një besnikëri e patundur në fjalën që jepte. (f.130)

A.Z.Çajupi dhe “Baba Tomori”: Gjuha e auktorit, i cili duket se është lab, është e fortë e e hijshme pa lulka të tepra e të panevojshme. Mund të shtoj edhe që është e kulluar. Na leu një vjershëtor! (f.238)

Asdreni dhe “Rreze dielli”: Gjuha e z. Asdren është e qëruar, e kulluar dhe e gjallë. (f.242)

*

Kur është fjala për figura të së kaluarës, qasja e Konicës ndaj tyre është më realiste, me një prirje pozitiviste në funksion të ushqimit të ndjenjave atdhetare. Kështu gjen rastin të kujtojë 500-vjetorin e Gjin Bua Shpatës më 29 tetor 1899 (Vepra 1, f.76), vazhdon me Don Noc Nikajn “një shqiptar mjaft inteligjent, shumë aktiv, një çikë kokëfortë, po që gëzon një farë influence reale mbi shefat malësorë.” (po aty, f.118) Në dy letra që i drejton Asdrenit përdor togfjalëshat vlerësues “i dhëmbshur atdhetar” (po aty, f.113) dhe “i shtrënjtë atdhetar” (po aty, f.114). Kurse më parë e kishte lavdëruar për gjuhë e veprës poetike “Rreze dielli” që “është e qëruar, e kulluar dhe e gjallë.” (po aty, f.242)

Fjalë të mira shkruan edhe për Hasan Hysin (nga Bitincka) të cilit iu besua menaxhimi i gazetës “Shqiptari i Amerikës”, “atdhetarit të njohur” për “patriotizmën e tij.” (po aty, f.250, 252)

Ka edhe vlerësime të tjera me pikatore për figura të tjerë, por është më i ashpër kur lë penën mbi tavolinë dhe heq shpatën nga brezi.

Fshikullimi i parë për Ismail Qemalin. Në vitin 1899 ai ishte “…njeri me vlera e me dinjitet të madh, patriot.” (Vepra 3, f.59), në vitin 1901 e akuzon se ka qëllim “të devijojë të gjitha përpjekjet tona në favor të Greqisë” (Vepra 4, f. 98). Në vitin 1913 iu kundërvu qeverisë së Vlorës dhe u bashkua me qeverinë e Durrësit sepse iu ofrua presidenca e pleqësisë për Shqipërinë e Mesme. “Në doni paqën dhe nderën e Shqipëri mundohuni të qeverisni si lipset viset që mbani nënë zgjedhë tuaj.” (Vepra 4, f.188)

Pasi nuk i ka lënë baltë nën thua Ahmet Zogut deri në vitin 1939 duke e lavdëruar dhe sharë, ndarja përfundimtare është e hidhur. Më 6 dhjetor 1940 e quan “batakçi dhe vagabond që meriton përbuzjen e çdo shqiptari patriot” (Vepra 4, f.276), më 3 prill 1942 në letrën dërguar Dervis Dumës, e quan “një përzierje të çuditshme e dy personazheve shekspirianë, Dogberri dhe Jago. (po aty, f.278)

Shahin Kolonjën që e pati lavdëruar në vitin 1901 duke e vënë përballë Ismail Qemalit (Vepra 3, f.73-74), një vit më vonë, në letrën dërguar Asdrenit e quan “shtazë e egër e zënë në grackë në male të Kolonjës.” (Vepra 4, f.114) Përveç ca problemeve që lidheshin me 2 mijë franga të shpërdoruara, Shahini ishte i keq sepse për të “Naimi ishte kryeja e fundi i Shqipërisë” (po aty, f.121), kurse Konica nuk e pranonte Naimin as si poet të vogël.

Goditjet e fundit me pallë Konica i lëshon mbi Kosta Çekrezin. Pakënaqësia lidhej me luftën politike në vitet 1940-41: “Çekrezi shpreson ta njohin si kryetarin e shtetit shqiptar në mërgim dhe kështu të marrë fonde nga Kombet e Bashkuara.” (Vepra 4, f.282) Ai përdor një gjuhë të hidhur që me siguri u ka pëlqyer edhe politikanëve të sotëm: “Çekrezi, si agjent greko-serb, është i prirur t’i bëjë dëm të madh Shqipërisë; ndërsa si njeri i pagdhendur që nuk lahet kurrë, i besdis të gjithë me erën e trupit.” (po aty, f.284)

Kosta ishte devolli, prandaj iu drejtova për ndihmë monografisë së Andon Andonit “I treti, i munguari” (Naimi 2016) i cili pohon se “Konica dhe Noli nuk e donin për shok,” (f.223) se “marrëdhëniet e tij me të dy, por sidomos me Konicën janë të ngrira, të acarta…” (po aty, f.222)

Nuk i thonë kot: “Gjella me kripë dhe kripa me karar.” Po këta politikanët tanë, kur s’u pëlqen gjella, i hedhin një grusht me kripë që të mos e hajë askush.

TRE KAZANË

Në vitin 1904, duke iu përgjigjur një letre të Gaspër Jakovës, Konica përmend fjalën “kazan”: “Unë s’mbledh fjalë-kazanash prej shërbëtorësh të dbuar.” (Vepra 3, Dudaj 2001, f.146) Në këtë rast bëhet fjalë për shtypin e shkruar dhe përputhet me përdorimin pas 110 vitesh nga Edi Rama i cili e modernizoi si “kazan mediatik.”

Kazani rishfaqet në vitin 1922 kur shkruan për Shqipërinë e Mesme e cila e shikon kabinetin qeveritar “me dhëmbë të shtrënguara dhe me një zemërim të përmbledhur, që do t’u pëlcasë nonjë ditë me forcën e një kazani të vulosur dhe plot me avull të përvëluar.” (po aty, f.226)

Këtu kazani mund të na kujtojë enët që përdoren për zierjen e bërsive të rrushit ose të kumbullës për të nxjerrë raki, ose atyre bidonave të qumështit të kooperativës që filluan të përdoreshin të mbyllur për zierjen e mishit. Me sa kam dëgjuar, Kryeministri nuk e ka përdorur ende me këtë kuptim fjalën “kazan,” por këtë mund ta bëjë “revolucioni demokratik”.

Në vitin 1923 kazani u rishfaq kur Konica hodhi idenë e një konfederate ballkanike. Ballkani sipas tij ishte “një kazan turbullimesh.” (po aty, f.262)

Mendoj se këtu përdorimi sinonimik është “fuçi baruti.”

Kazani ka qenë një enë e rëndësishme e familjeve fshatare pasi përdorej për dy funksione të rëndësishme: i pari dhe kryesori për zierjen dhe larjen e çarçafëve dhe rrobave të bardha, e dyta për zierjen e misrit të thatë duke i shtuar hi dhe lidhej me ceremoni fetare. Lidhja me rrjetin e ujit të rrjedhshëm e shtëpive fshatare dhe futja e lavatriçeve e zhvendosi kazanin nga skena familjare, tani në një formë të posaçme ka mbetur vetëm në punishtet e rakisë dhe ka fituar një status të veçantë për produktin që rrjedh pikë-pikë me shprehjen “balli i kazanit”.

AHMET ZOGU NË SYTË E KONICËS

(Vepra 2 dhe 3, Dudaj 2001)

Si të gjitha figurat historike të Shqipërisë është një figurë plot dritë dhe hije, si të gjitha figurat e burrave të shtetit shqiptar, është parë ose krejt i bardhë, ose krejt i zi. Faik Konica është një nga kontributorët që ka ushqyer, kultivuar dhe ngulitur një traditë të tillë negativiteti. Që të zgjedhësh një qëndrim të pavarur vetjak ndaj një figure, kjo është diçka krejt normale, por kur këtë e hedh në tregun mediatik, atëherë mund t’i sjellësh një dëm të madh e të pariparueshëm historisë së kombit. Kjo ka bërë që para dhe pas shpalljes së Pavarësisë, para dhe pas Luftës ANÇ, portreti i sundimtarit paraardhës jo vetëm të lyhet me katran, por edhe të ndalohet shfaqja e fytyrës së tij për popullin të cilit i përket. Me këtë mendësi mohimi të trashëguar, bashkë me shembjen e kishave dhe të xhamive në vitin 1967 u dogjën, u përvetësuan, u zhdukën dokumenta të pazëvendësueshme; me shkatërrimin e muzeve të fshatrave në fillim të tranzicionit u asgjësuan edhe dokumente të çmuara që nuk kishin lidhje me diktaturën e proletariatit dhe sistemin monist.

Faik Konica pati dy qëndrime të kundërta jo vetëm për Ahmet Zogun, por edhe për figura të tjera tepër të njohura si Fan Noli dhe Naim Frashëri, por le të qëndrojmë te Ahmet Zogu. Duke qenë më tepër lëvrues i letërsisë dhe më pak aktivist politik, Konica mund të ishte kufizuar vetëm te portreti i Mbretit Zog:

Pamja: 175 cm i gjatë, i hollë, leshverdhë, sykaltër, vishet bukur, flet një shqipe të pastër dhe të lehtë, ka sens humori. Sportet që do më tepër janë të hipurit kalit, gjahu, edhe të rënët me not. Ka një kuptim të hollë të shakasë, i rëndë kur e do nevoja edhe i mvrojtur në orët e punës, i pëlqen gazi fisnik dhe shakatë në orët e pushimit e të çlodhjes. (Vepra 3, f.414) Mbreti Zog është burrë me shije krejt sade. E urren shkëlqimin dhe ceremonitë e Oborrit i ka unjur gjer në pikën më të fundit, sjellet e tij janë demokratike. (Vepra 3, f.415) Mbreti Zog i Shqipërisë është një burrë shteti i ri po shumë i rëndë, një karakter plot me forcë dhe me zotësira të rralla, i cili, me sa ka fuqinë, i jep pjesën e ndihmës së tij paqes së përgjithshme në botë. (Vepra 3, f.419) Zogu kishte katër të mira që s’i kishte Esat pashë Toptani: njihte gjendjen e Shqipërisë pas ndarjes nga Turqia, kishte ndjenjën e kombësisë, nuk bënte dallime gegë e toskë, kishte dëshirën për ta parë Shqipërinë shtet të organizuar. (Vepra 3, f.391)

Le të shohim shkrimet publicistike të Konicës në maj 1924:

“Qarket zyrtare të Romës paskan kuptuar më në funt se Ahmet Zogolli nuk është gjë tjatër veçse një spiun i Serbisë… kur tërë bota e dijin që nuk ish veç një komitaxhi serb me maskën e një qeveritari shqiptar… fakti është që Ahmet Zogolli, malok analfabet, pa nonjë frymë idealizme, kish zgjedhur për pasqyrë dhe shembull të tij Esat Pashën, të cilin e imitonte jo vetëm n’intrigat e jashtme e të brendëshme, por gjer në mënyrën e ecjes e të foljes. (Vepra 3, f.313) Po atë vit sjell edhe njoftimin: “Gjyqi për vrasjen e Mamurrësit e dënoi në mungesë me 10 vite burg. (Vepra 3, f.342)

Në mars 1926 Konica bën një biografi të gjatë te “Dielli” duke u kujdesur ta ngrerë lart figurën e Zogut si president dhe e përmbyll me idealet politike të tij:

I dha fund anarkisë, vendosi disiplinën në vend, ndaloi rebelët dhe demagogët, çrrënjosi shoqëritë e fshehta, ndaloi përdorimin e feve për intriga politike, kërkoi bashkëpunimin gegë e toskë, kërkoi të përmirësohet gjendja e bujkut, udhëzoi të përkrahen mësimet, artet dhe letrat. (f.398-399)

Në vitin 1939, në librin e tij “Shqipëria – kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore”, kapitulli X “Lamtumirë Shqipërisë së Zogut,” e rimerr edhe një herë figurën e Ahmet Zogut si kryeministër, president dhe mbret duke zgjedhur një pozicion emocional kur deklaron: “E përbuz mbretin për këto arsye:

Asnjëherë nuk e kam dëgjuar të thotë një të vërtetë, kurrë nuk e ka mbajtur fjalën e besës, nuk ka asnjë ndjenjë përgjegjësie, është i pashpirt, i pandershëm, egoist, i pangopur, ai urren të gjithë ata që kanë vlera dhe janë të ndershëm, injoron gjërat themelore dhe u jep rëndësi groteske çikërrimave, i gjithë regjimi i Zogut nuk ishte gjë tjetër veçse një karnaval i gjatë me një fund tragjik.” (Vepra 2, f.325-26)

Në fund Konica nuk i kalon në heshtje arritjet e Zogut, por ato nuk bëjnë më asnjë përshtypje.

Politikanët e sotëm kanë mbledhur, përpunuar dhe hedhur në treg gjërat më të zeza të kësaj trashëgimie dhe këtë nuk e bëjnë për të mbrojtur interesin publik, por për të hapur me mish e me thonj rrugën e tyre drejt kolltukëve të pushtetit dhe thasëve të privilegjeve. Shprehja “Dridhe, Like!” është shpalosur me tërë neverinë e saj në këto 33 vite tranzicion sui generis të Shqipërisë sonë të rrjepur e të sfilitur.

MES NOLIT DHE ZOGUT

Është për të ardhur keq sepse Konica si njeri me kulturë të gjerë, shpesh është detyruar të mbajë qëndrime kontradiktore, duke shkruar jo ato që ka brenda, por ato që i mbështillen nga jashtë si ato vorbullat e ajrit që ne u thoshim xhind dhe të detyrojnë të shtrëngosh kapelën me dorë për të mos ta rrëmbyer e degdisur s’dihet se ku.

Pamë skajimet e mësipërme për figurën e Ahmet Zogut, mjerisht sa herë shan Zogun, lavdëron Nolin dhe anasjelltas.

Noli i mirë: “Atë Noli do të mbetet në histori të Shqipërisë si burri që arriu i pari, me hir të vullnetit dhe të hollësisë së tij, të këlthasi zyrtarisht gjuhën shqipe në meshë. Leshzi, me sy të mprehtë, një fizionomi të qeshur, gati të presë një shaka dhe ta kthejë me uzurë, mendjehapur, njohës i gjuhëve romane dhe skandinave, atë Noli nga kultura, nga mendësia dhe nga karakteri më kujton shpesh kishtarët e Përlindjes italiane.” (Vepra 1, f.133)

Pas ardhjes në pushtet të Ahmet Zogut, në maj 1925, portreti i Nolit kthehet në karikaturë: “Fan Noli nuk ish veç një dordolec prapa të cilit fshihej kryetari i vërtetë i guvernës, Luigji Gurakuqi.” (Vepra 3, f.362) “Fan Noli … çfaq një mëndje fshataraku të pagdhendur që ka vetëm llustrë të jashtme…”(po aty, f.406) “Një nga gjërat më qesharake të Nolit është mania për analogjira të lajthitura.” (f.411)

Ai e pranon se ftohja e parë me Nolin filloi kur Zogu kryeministër u plagos në hyrje të Parlamentit dhe Konica i dërgoi Zogut një kabllo simpatie të kthjellët. Ai harron ato që ka shkruar për vete dhe e qorton Nolin se flet për Mbretin Zog si gjoja i pakulturuar. (po aty, f.410)

POLITIKA, SA E VËSHTIRË!

(Vepra 4, Dudaj 2001)

Një vend i rrudhur dhe i ngucur për shkak të fqinjve lakmitarë që i zgjeruan territoret e veta duke e zhvatur dhe rrjepur Gadishullin Ilirik, e ka patur të vështirë të orientohet në politikat ballkanike; pas çdo ndihme të ofruar nga njëri në kushte të vështira përballjeje me tjetrin, kanë ardhur borxhet e harraçet vrastare. Ky çorientim pasqyrohet edhe te njerëzit e këtij vendi që kanë mëtuar t’i dalin zot, por janë dorëzuar para përfitimeve financiare, gradave ose karriges së pushtetit të përkohshëm. Kështu ka ndodhur edhe me Faik Konicën, një mendje e ndritur, por thellësisht kontradiktore në marrëdhënie me bashkëkohësit shqiptarë, por edhe në raportet me institucionet e vendit dhe ato të huaja.

Në rrafshin kombëtar, në dy faqe Konica flet për Apolloninë që një shekulli më parë njihej si Pojana dhe ku dikur kishin zbritur Oktaviani me Agripën dhe ku kishte ardhur për t’i marrë Mark Antoni. Kur bëhet fjalë për perandorë, “enthuziazma s’i vë dot fre penës.” (f.243). Deri këtu ai shfaqet si atdhetar i kulluar. I palëkundur është edhe për kujdesin që duhet treguar ndaj gjuhës shqipe, madje në disa raste nuk nguron që t’u tërheqë vëmendjen letërkëmbyesve për huazimet dhe trajtat e gabuara gjuhësore. Një nga këto dëshmi është letra që i dërgon Hristo D. Qiriasit: “Më shkruani prapë: ‘vëjuerë’, ‘dëgjonetë’, ‘të parëtë’. Ljathiteni shumë… Ju këshilloj t’i qëroni veshët tuaj nga hallva që të dëgjoni mirë: kini për të vënë re ahere që populli jashtë staneve thotë ‘dëgjohet’, ‘të parët’. (f.166). Por Konica sfidon Kongresin e Manastirit dhe nuk është vështirë të zbulohet qejfmbetje nga që një ftesë e dërguar me vonesë është mënjanim nga diskutimet e atjeshme. “Ku u dëgjua që një kongres letrar të jetë si një kurvëtore: Kush të dojë le të vijë! Nuk ka këtu njerës të xgjedhur me arësye dhe të ftuar, s’ka një progamë pune… Duhet çështja e alfabetit të xgjidhet në Elbasan.” (f.161) Mohimi i tij shkon në ekstrem kur shkruan: “…përparimi i Shqipërisë është lidhur në mos të njohur të këtij kongresi.” (po aty, f.162) Në vazhdën e këtij qëndrimi, në letrën e datës 9 nëntor 1908 ai qëndron i palëkundur në qëndrimin e vet: “Një kongres për abenë do të mblidhet, mos kini frikë. Po “the right Congress, by the right men, in the right ime, at the right place.” (po aty, f.165)

Konica ishte i paqartë me qëndrimin që duhej mbajtur ndaj atyre që pretendonin se ishin pasardhës të Skënderbeut. “Pasardhësi i fundit që rridhte direkt prej Skënderbeut qe markezi de Sant-Angelo që u vra në betejën e Pavias. Të gjithë pasardhësit e tjerë rrjedhin prej dejeve femërore.” (f.86) Kishte dy kandidatë që nuk e pranonin njëri-tjetrin: markezi Aulette dhe markezi de Aladro. Prej këtu origjina zbret në plan të dytë dhe ngrihet ai që paguan më shumë për çështjen shqiptare.

Në rrafshin ndërkombëtar, në fund të shek. XIX Konica është pro Austrisë dhe kundër Italisë. “Për ata që s’marrin vesh nga politika, ne themi se Austria është e vetmja fuqi e cila e dëshiron ekzistencën e një Shqipërie të fortë e patriotike.” (f.78) Prej numrit të parë të “Albania” deri në korrik të vitit 1904 Konica pati interesimi dhe mbështetjen e Austrisë në atë ndërmarrje të vështirë, prandaj në një letër për një zyrtar austriak, krahas mirënjohjes rreh gjoksin se një ndër katër synimet e revistës së tij ishte “shuarja e çdo ndikimi italo-shqiptar”, “ia preva rrënjët ndikimit në rritje të italo-shqiptarëve.” (f.141)

PROGRI SI FIDANISHTE E KULTURËS DHE ATDHETARISË

Romanet “Martesa e Lejlës” (Le marriage de Leila) dhe “Sotiri dhe Mitka” të Gjonit të Krujës (Jean de Kroia), janë shkruar në frëngjisht dhe përkthyer nga Fotaq Andrea. Çështja e parë e madhe është ajo e autorit: Kush fshihet pas Gjinit të Krujës? Dy janë kandidatët kryesore: Faik Konica dhe Aladro Kastrioti. Lezi Gjini është mishërim artistik i piktorit Theohar Gjini nga Progri, fshati i Devollit, që ka qenë një fidanishte e kulturës shqiptare dhe jo vetëm e kulturës, por edhe atdhetarizmit. Duke kërkuar të dhënave të tjera për piktorin, nuk gjen asgjë, përveç një shkrimi të Viktor Demirasit botuar në gazetën “Devolli” të 6 qershorit 2010. Të duket se gjen një llampë të ndezur aty ku mendon se ishte një dhomë e errët ku mund të orientohesh vetëm duke prekur muret.

Theohar Gjini u lind në Progër rreth vitit 1880. U rrit jetim nga nëna e tij Mira. Kushtet e vështira ekonomike e detyruan të emigronte në Rumani që në moshë shumë të re ku prograrët ushtronin mjeshtërinë e muratorit. Theohari mundi të shkollohej atje. Faik Konica shkruante: “Zoti Theohari, një shqiptar i kulluar, një atdhetar i vërtetë, mbaroi në Bukuresht shkollën e Mjeshtërive të Bukura e doli ndër të parët.” (Albania nr.10, fq.40, Bruksel). Me mbështetjen e shoqërive patriotike, në mënyrë të veçantë të Nikolla Naços, Theohari hapi dy ekspozita personale me piktura më 1905 dhe 1907 ku me finesë artistike trajtoi edhe motivet shqiptare. Suksesi i tyre ishte i madh. Mihal Grameno, i entusiazmuar nga pritja e ngrohtë që i bëri kritika rumune pikturave të tij, shkruan: “Një artist shqiptar me të cilin mund të krenohet gjithë kombi është Theohar Gjini nga Progri, i cili ndodhet në Paris duke habitur botën me veprat e tij artistike. Në dy ekspozitat që hapi në Bukuresht, shtypi roman e ngre në qiell duke treguar vleftën e pikturave të tij e duke njohur një pritje të shkëlqyer.” (Gazeta “Lidhja Orthodokse” 17 nëntor, 1909, fq.4) Pas suksesit të këtyre dy ekspozitave, ndoshta edhe me mbështetjen e Aladro Kastriotit, i vetëquajtur princ dhe pretendues i kurorës mbretërore të Shqipërisë si trashëgimtar i familjes së Kastriotëve. Më 1906 Theohari u vendos në Paris, në një banesë në rrugën “Pajoun nr. 5.” Nikolla Lako iu bë krah atje për të vazhduar studimet në Akademinë e Parisit dhe për hapjen e ekspozitave në Francë. Po atë vit princi Aladro Kastrioti i dha atij çmimin “Skënderbeu”. Vdiq nga mesi i shekullit XX në Paris. Theohari ishte një plak i urtë që vinte herë pas here në ambasadën shqiptare në Paris.

Ndryshe nga të dhënat e mësipërme, autori e vendos piktorin në Vjenë ku bëhet i famshëm me portretin “Zonja myslimane/shkodrane/shqiptare” për të cilën ka pozuar Lejla, bija e një shqiptari që kishte patur sukses në biznesin e tij në Trieste dhe udhëtonte nëpër qytetet e famshme të Europës. Një prej të njohurve i thotë Lezit se piktori austriak Hans Mackart dhe piktori hungarez Mihajli Munkazi ishin si foshnja ende në gji para tij. (Martesa e Lejlës, f.153) Faik Konica ka shkruar për Theohar Gjinin dhe ka futur Aladro Kastriotin si personazh historik real në roman, gjë që e bën më të sigurt lidhjen midis karaktereve të një vepre artistike, autorit të veprës dhe figurave të tjera historike. Fakti që dashuria lind mes dy të rinjve shqiptarë, djali nga Progri dhe vajza nga një baba me origjinë nga Shkodra dhe nëna me origjinë nga Vlora, arrijnë të krijojnë aromë Shqipërie dhe rivaliteti i Lezit shqiptar me dy djem të huaj Fritzi dhe Teodori, na bën tifoz me djalin tonë të talentuar por edhe trim, sepse i përgjigjet pa frikë ftesës për duel me kapitetin Frantz.

Po çudirat nuk mbarojnë këtu. Te romani pasues “Sotiri dhe Mitka”, dy heronjtë e titullit janë përsëri që të dy nga Progri dhe kaq mjafton që të ngre pyetje të njëpasnjëshme dhe konkluzioni hipotetik: midis autorit të romaneve dhe fshatit Progër mund të ketë patur lidhje të ngushta, më e pakta një krushqi. Prograrët Sotir Furrxhi dhe Mitka Shetro, të dy furrëtarë, marrin rrugën e emigrimit drejt Amerikës, hapin biznese dhe kanë sukseset dhe dramat e tyre.

Çudia e fundit është e një lloji krejt të veçantë: Shohim Mitkën në sallon duke lexuar librin “Martesa e Lejlës.” (Sotiri dhe Mitka, f.277)

Konkluzion: Të dy romanet, të sjellë brenda një libri, janë një duet që këndon një këngë për djemtë e mirë të Progrit.

Filed Under: Emigracion

David Balaj i bashkohet Kryesisë së Federatës Vatra

January 6, 2024 by s p

Patrioti dhe veprimtari i çështjes kombëtare në mërgatën e Amerikës z.David Balaj i bashkohet Kryesisë së Federatës Pan-shqiptare të Amerikës VATRA. Davidi është djali i patriotit të shquar të kombit tonë Zef Balaj, Senatorit të Përjetshëm të Vatrës. Familja Balaj ka rreth 50 vjet që kontribuon për Vatrën. Në çdo aktivitet kombëtar, në çdo fushatë për Vatrën, për komunitetin shqiptar, në çdo manifestim patriotik për çështjen shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zef Balaj ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm. Në dekadën e fundit sidomos, Zef Balaj ka qënë ndër figurat kryesore të Federatës Vatra. David Balaj me vlerat e tij profesionale dhe intelektuale, me suksesin e tij, me kontributin e tij dhe modelin e djalit të shkëlqyer shqiptar lindur e rritur në Amerikë, është vlerë e shtuar për Vatrën, ai respekton dhe ruan traditën e familjes patriotike Balaj. Më herët David Balaj ka qenë anëtar i Këshillit të Vatrës.

Filed Under: Vatra

I përjetshëm nderimi dhe kujtimi për gjeneral Abaz Kupin

January 6, 2024 by s p

Lurian Mena*/

Kam nderin të jem sot midis ajkës së zogizmit dhe nacionalizmit shqiptar në këtë ceremoni perkujtimore të gjeneral Abaz Kupit!

I lindur dhe rritur në një familje nacionaliste krutane Abaz aga do të shpaloste gjatë jetës së tij virtytet e trimnisë, besnikërisë dhe mprehtesisë në gjykime dhe vendime!

I vendosur për të qenë në anën e duhur të historisë Abaz Aga vihet nën urdhrat e gjigandit shtetformues Mbretit Zog, si komandant i Krujes dhe me pas si major i xhandarmerise se Durresit 1932-1939!

Ishte pikerisht ne kete status kur ai do te udhehiqte qendresen me largpamese dhe domethenese qe shteti monarkik shqiptar me ne krye mbretin Zog kishte organizuar kundrejt nje superfuqie te asaj kohe sikurse ishte Italia fashiste!

Do te ishte data 9 prill e cila do t’i zbardhte faqen Shqipnise ne rezistencen ndaj te keqes dhe do te skaliste ne perjetesi emrin e ketij njeriu trim e vizionar!

Ka kaluar afro gjysem shekulli nga vdekja e Abaz ages por Shqipnia londineze vazhdon te jete e pushtuar qe prej Nentorit te 1944.

46 vite diktature Enveriane dhe 33 vjet demokraci fars Ramiziane.

Nese ne 46 vite diktature elitat nacionaliste zogiste u vrane, persekutuan, burgosen, ne farsen me emrin demokraci makineria e sigurimit te shtetit u perpoq me cdo kusht ta linte ne hije te vetmen parti tradicionale konservatore dhe kombetare Partine Levizja e Legalitetit!

Megjithate pertej pengesave te shumta te mireorganizuara nga ish sigurimi i shtetit dhe prej degeve besnike te partise se punes si Ps dhe Pd , PLL me perpjekjet heroike te legalisteve qendrestar te burgjeve e internimeve si edhe me ndihmen e pakursyer te diaspores zogiste, arrin te futet ne jeten politike duke u bere faktor i rendesishem ne mbare Shqipnine, sidomos ne Shkoder!

Gjate kesaj farse 33 vjecare PLL ka patur uljet e ngritjet e saj por edhe momente te rendesishme te cilat per fatin e keq te shqiptareve nuk kane arritur te konkretizohen, me vendosjen e monarkise e cila do t’i sillte shqiptareve dinjitetin dhe stabilitetin e shume kerkuar!

Gjithsesi pavaresisht luhatjeve, pengesave, sulmeve te ndryshme gjate ketij 33 vjecari PLL ka arritur te pastrohet nga cdo vegel e ish sigurimit te shtetit dhe me plot gojen mund te quhet nje parti e shendetshme, por a mjafton kjo?

A mjafton vetem pjesemarrja ne politiken kombetare apo ne duhet te synojme te marrim vendin qe na e kane vjedhur keto 33 vjet?

Fort te dashtun legaliste te diaspores, sot si asnjehere ne keto 33 vjet jemi para nje mundesie ideale per te rimarr vendin qe na takon ne politiken shqiptare si e vetmja alternative e vertete e djathte!

Por kjo nuk mund te arrihet pa bashkimin e te gjithe legalisteve kudo qe ndodhen!

Vete i madhi Zot e ka sjelle situaten politike ne vend ku e ashtuquajtura parti e djathte PD te laje haqet per ate cka u ka bere te djathteve te vertete ne keto 33 vjet!

Duhet te nxitojme e te perfitojme nga kjo situate sidomos duke pasur perpara 100 vjetorin e Triumfit te Legalitetit dhe zgjedhjet e pergjithshme te 2025!

Bashke ja dalim!

Shqipnia duhet te jete baza e te ardhmes se femijeve tane pavaresisht vendit ku kane le e jane rrit!

I perjetshem kujtimi i Gjeneral Abaz Kupit. Rroft Princ Leka i II, Rroft Shqipnia Etnike.

*Nënkryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit.

Filed Under: Analiza

Legalistët e Amerikës përkujtuan gjeneral Abas Kupin në 48 vjetorin e ndarjes nga jeta

January 6, 2024 by s p

Sokol Paja/

Legalistët e Amerikës përkujtuan Gjeneral Abas Kupin në 48 vjetorin e ndarjes nga jeta. Partia “Lëvizja e Legalitetit”- dega e SHBA-së, në bashkëpunim me familjen Kupi, miq, media, veprimtarë, patriotë të spikatur në diasporë, organizata e shoqata patriotike në Amerikë, u mblodhën te varri i Gjeneral Abas Kupit, në varrezat Maple Grove Cemetery, në Kew Gardens, Queens New York; për të përkujtuar 48 vjetorin e vdekjes së një prej udhëheqësve më të shquar të nacionalizmit shqiptar dhe veprimtarit të shquar të nacionalizmit shqiptar në mërgatën e Amerikës. Ceremonia përkujtimore filloi me lule e nderime pranë varrit ku prehet në paqen e përjetshme Gjeneral Abas Kupi. Takimin përkujtimor e hapi me fjalimin kryesor nënkryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit z.Lurian Mena i cili ndër të tjera tha: “Abas Kupi gjatë gjithë jetës së tij shpalosi virtytet e trimnisë, besnikërisë dhe mprehtesisë në gjykime dhe vendime. Nën urdhrat e gjigandit shtetformues Mbretit Zog, si komandant i Krujës dhe më pas si major i xhandarmarisë së Durrësit 1932-1939! Do të ishte data 9 prill e cila do t’i zbardhte faqen Shqipnisë në rezistencën ndaj të keqes dhe do të skaliste në përjetësi emrin e Abas Kupit si trim e vizionar” tha ndër të tjera z.Mena.

Kryetari i Legalitetit për Shtetet e Bashkuara të Amerikës z.Hakik Mena lexoi një fjalim kushtuar jetës dhe veprës, aktivitetit patriotik e atdhetar të Abaz Kupit përgatitur nga av.Ilir Kukaj.

Përshëndetjen e Kryetarit të Legalitetit në Shqipëri z.Shpëtim Axhami, e lexoi për të pranishmit z.Ahmet Hoti, nënkryetar i PLL për Amerikën. Nderim Kupi foli në emër të familjes dhe shpjegoi aspekte të veçanta të veprimtarisë patriotike të Legalitetit në dobi të atdheut e kombit shqiptar. Editori i Diellit përshëndeti në emër të Federatës Vatra e gazetës Dielli duke theksuar se nderimi për Gjeneral Abas Kupin është respekt dhe nderim për historinë tonë kombëtare qëndresën antifashiste e antikomuniste. Editori u shprehu mirënjohjen legalistëve për mbështetjen që i kanë dhënë Vatrës me dekada. Z.Marko Kepi presidenti i “Rrënjëve Shqiptare” shpalosi lidhjen familjare me legalitetin dhe u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të ruajmë e trashëgojmë idealin kombëtar e mbretëror ndër shqiptarë.

Familja Kupi për të gjithë të pranishmit shtroi një drekë përkujtimore në Reef Restaurant & Bar.

Filed Under: Politike

Buqeta me lule për ditëlindjen e Fan Nolit nga Vatra e Bostonit

January 6, 2024 by s p

Flamur Vezaj/

Sot në ditën e lindjes së dijetarit të madh të kombit shqiptar Peshkop Fan Noli, kryetari i degës së Vatrës në Boston z.Mentor Maksutaj bashkë me disa vatranë, patriotë e aktivistë të komunitetit shqiptar në Boston, zhvilluan një vizitë përkujtimi, nderimi dhe respekti në vendin ku prehet vigani i letrave shqipe! Ata bënë homazhe dhe vendosen buqeta me lule, duke kujtuar me respekt punën e palodhur e kolosale që Peshkop Fan NOLI bëri për Shqiptarinë dhe bashkimin e mërgatës shqiptare të Amerikës pranë Federatës Gjithë Shqiptare Vatra.

z.Maksutaj, si kryetari i degës së Vatrës në Boston, u betua para varrit të Peshkop Nolit, se “ne, komuniteti shqiptar e në veçanti Vatra, do të vazhdojmë të ndjekim rrugën e Nolit, Konicës dhe gjithë patriotëve të tjerë ndër vite, për të mirën e kombit shqiptar” në Amerikë e trojet etnike. Gjatë homazheve, folen edhe vatranët e tjerë të pranishëm, të cilët kujtuan Peshkop Nolin për kontributet e jashtëzakonshme për Federatën Vatra, gazetën Dielli, komunitetin shqiptar, çështjen kombëtare e interesin e kombit në arën ndërkombëtare. Noli dhe Vatra shënuan historinë e shqiptarëve. Vatra ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm për kombin shqiptar dhe komunitetin tonë në mërgatën e Amerikës dukë dhënë një kontribut madhështor në historinë e kombit tonë.

Vizita e z.Maksutaj e vatranëve pranë vendit ku prehet Peshkop Noli, ishte e para në cilësinë e kryetarit të zgjedhur të Vatrës në Boston e cila po organizohet në mënyrë të shkëlqyer për të qënë zë i fuqishëm i shqiptarisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjithashtu, vatranët bënë homazhe edhe te memoriali i gjeniut të medias Faik Konicës, eshtrat e të cilit pushojnë në Shqipëri.

Bashkë me kryetarin Maksutaj, në homazhet e nderimit ishin edhe vatranët Subi Cako, Petrit Alibeaj, Jorid Çelaj, Flamur Vezaj, Dorjan Tozaj, Neri Mersuli, Lindita e Gëzim Meçe dhe Artur Vrekaj.

Rroftë Vatra, rroftë Dielli.

Rroftë Kombi Shqiptar🇺🇸🇦🇱🇽🇰

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1386
  • 1387
  • 1388
  • 1389
  • 1390
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT