• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KËNGËTARËT ENDRI DHE STEFI PRIFTI, SI DHE VALBONA MEMA, “NDEZIN” ATMOSFERËN E VITIT TË RI TE SHQIPTARËT NË BOSTON

December 31, 2023 by s p

Nga Fuat Memelli/

Sivjet për të kënaqur shqiptarët e Bostonit e qytetet rreth tij, erdhën nga Shqipëria këngëtarët e shquar, vëllezrit Endri e Stefi Prifti si dhe Valbona Mema. Ishin të ftuar nga grupi i shokëve “ Çunat e Bostonit”. Është ky një grup shokësh nga Shqipëria, Kosova e treva të tjera shqiptare. E kanë quajtur grupimin e tyre “Çuna..”, por në fakt shumica janë burra të martuar e me fëmijë. Ajo që i bashkon është miqësia, është shpirti djaloshar. Një pjesë e tyre u bënë anëtarë të degës së Vatrës në Boston në takimin që u organizua më 17 dhjetor të këtij viti. Mentor Maksutaj, kryetar i degës së Vatrës më thotë se deri tani numëri i antëtarëve ka aritur në 85, shifër e kënaqshme kjo për një kohë të shkurtër. E çelën koncertin vëllëzrit Endri e Stefi me këngët e bukura korçare, për të vazhduar më pas me këngë të krahinave të tjera. Këngët shhqiptare i “ndezin” zemrat e emigrantëve, pasi janë këngë që sjellin “aromë” Shqipërie, Kosove e të trojeve të tjera shqiptare, ku kanë lindur e janë ritur. I duket sikur sjellin zërat e të afërmve të tyre që i mungojnë këtu në Atdheun e dytë. Me këngëtarët bashkohen edhe zërat e pjesëmarrësve që më ngjajn me një kor të madh pa dirigjent. Herë pas here vëllezrit korçarë ndrrohen me këngëtaren e Shqipërisë së mesme, Valbona Mema. Edhe këngët e saj i “ngjitin” pjesëmarrësve, pasi këngët tona tani janë “pronë” e gjithë shqiptarëve kudo ku jetojnë. Emigrantët bëjnë foto me këngëtarët. Janë këto copëza kujtimesh në prag të largimit të vitit të vjetër dhe mbritjes së Vitit të Ri. Pyes Ardi Bocovën, i cili është një nga organizatorët e kësaj veprimtarie, për numërin e pjesëmarrësve dhe ai më thotë se në sallë janë 240 veta. Është një shifër jo e pakët kjo.

Në një moment kur Endri dhe Stefi i kishin lënë skenën Valbonës, i pyes për koncertet që do japin në Amerikë dhe punët e tyre të fundit në Shqipëri. Endri më thotë :” Pyet Stefin se këtë kemi ”zëdhënës” të grupit. Stefi më tha se veç Bostonit, nesër do këndojnë për shqiptarët e Detroitit, ditë tjetër për ata të Teksasit e më pas për ata të Konektikës. Për punët e tyre të fundit në Shqipëri, më thotë se më 21 dhjetor kanë publikuar një këngë të re kushtuar Krishtlindjeve me titull “Vetëm një natë”. Tekstin dhe kompozimin e ka bërë këngëtari i njohur korçar , Mihallaq Andrea. Kjo është kënga e parë në Shqipëri që i kushtohet Krishtlindjeve, thotë Stefi. Më tregon gjithashtu se në Televizionin News 24, për natën e Vitit të Ri kanë regjistruar një program, ku veç tyre do ketë të ftuar edhe këngëtarë të tjerë. Ky program do vazhdojë çdo të hënë. Me këngën e bukur “Kuq e zi” që këndohet nga të mëdhenj e të vegjël në gjithë trevat shqiptare si dhe urimin “Gëzuar Vitin e Ri ! ”, u mbyll ky koncert i bukur.

Filed Under: Reportazh

Mbrëmja e Vitit të Ri një dasëm pa nuse

December 31, 2023 by s p

Satirë nga Rafael Floqi/

Përgatitja për të pritur një vit të ri është një aventurë mahnitëse, një udhëtim në botën e mundësive të pafundme, duke u përpjekur të bësh diçka më shumë se vetëm të presësh me fytyrën në një tortë derisa të vijë mëngjesi i Vitit tjetër. Kështu që, në vend që të hysh në vitin e ri me një deklaratë e zakonshme si të “do të humbasësh peshë” ose “se do të lexoj më shumë libra”, pse të mos shpikim disa mënyra unike për të bërë Vitin e Ri 2024 të ngjallë me energji pozitive dhe ndryshe? Pse jo një mbrëmje e Vitit të ri. Eshtë interesante nuk ka komunitet tjetër që ta festojë së bashku kështu Vitin e Ri. Amerikanët thonë Krishtlindja është për t’u festuar në familje, Viti i ri me miqtë e shokët. Shqiptarët e dinë këtë…

Një mbremje e Vitit të Ri që është më shumë se një festë – është një eksperiencë bajate që nuk harrohet lehtë. Organizatori ka bërë çmos për të ftuar kengetarë nga Shqipëria, por nuk ka dashur të bëjë një koncert të zakonshëm. Qëllimi është i thjeshtë: të shijosh muzikën, të kërcesh sado të dëshirosh, dhe t’i japesh fund vitit të kaluar me një eksplozion të madh me tinguj klarinetash dhe organoje dhe lodrash e dajresh, po pati.

Kush tha se koncertet e Vitit të Ri duhet të jenë një çështje serioze? Këto ngjarje kanë kthyer shfaqjet muzikore në një version të ri të “Dashurisë së Madhe,” ku kengetarët janë si demat e shpërndarë nëpër një dasëm të madhe pa lidhje dhe ku dollarët e jeshilosin sallën e darkës. Kjo është si një një fushatë korrje shirjesh, me organizatorët që nuk shpallin fitoren e parave, ndërsa kengetarët kërkojnë ndoshta edhe këshilla ligjore se si të kthehen pa deklaruar paratë e pa ju anuluar viza.

Fillimi është nxehja, në një hapësirë të vogël ku pjesa e madhe e orkestrës ka humbur në mes të një skuadre të njerëzve të gatshëm për t’i bërë një përshëndetje Vitit të Ri. Kengetarët nisen në skenë, me kostume që mund të jenë nga një filxhan ngjyrosur, deri te një shami që përdoret për të pastruar makinën. Këngët janë nga ata hitet që keni dëgjuar shpesh, por ato janë paraqitur në një mënyrë krejt të re. Kengetarët fillojnë të improvizojnë dhe të krijojnë vargje të reja që nuk kanë asnjë lidhje me origjinalin. Publiku përfshihet në këtë formë të pakontrolluar të shfaqjes, ala instagram, duke rrahur duart dhe duke kërcyer çdo herë që një këngëtar vendos të ndryshojë melodinë.

Midis një kënge dhe një tjetre, një anëtar i publikut del në skenë për një përshëndetje spontane me kengetarin. Nuk dihet a është ky një fans i rregullt apo një person i sapo njohur, që ja ngjit dollarin në ballë, por duke parë fytyrën e kengetarit, mund të themi se çdo gjë po shkon sipas planit. Duartrokitjet dhe zëri i përbashkët i publikut tregon se ata po e shijojnë çdo moment.

Hej, sa selfie u bënë me këngëtarët, pasi sot ka rëndësi kënaqsia, por jo paraqitja artistike. Guxo po deshe të filmosh ndonjë këngëtare të njohur, kur këndon kështu me superpozim, se të hidhet në grykë , pasi ju del në skenë e vërteta.

Para se të fillojnë këto koncerte, organizatorët e kanë krijuar një firmë të quajtur “Enterteinmenti pa Kufi LLC”. Po, kufijtë janë si thonjtë: ata janë thjesht një pengesë për diçka më të madhe. Organizatorët presin fitime të mëdha, por pa ndonjë përgjegjësi fiskale apo morale.

Këngëtarët, nga ana tjetër, janë si vizat, ata vijnë e shkojnë, shpesh herë pa lajme. Disa kanë lënë vendin për disa ngjarje të tjera që i kanë ofruar më shumë. Sipas tyre, kishin marrë kontrata pune me qira, por vërtetë? Kush mund të besojë një këngëtar të njohur? Ata janë si “VIP-at” që mbërrijnë vetëm kur dikush tjetër i paguan faturat.

Për më tepër, disa këngëtarë janë ende duke pritur vizën nga ambasada, ndërkohë që festa e Vitit të Ri po kalon. Ata janë të gatshëm të dalin në skenë, por për viza, duhet ende të dalin nga radha. Përpara ambasadës, ata bëjnë një xhiro të vogël artistike, duke kërcyer dhe duke kënduar për zyrtarët duke shpresuar që do të mund të presin më shpejt se krejt.

Por tregu është ende në një gjendje të tronditur. Ndërsa organizatorët shpallin se janë në fitim, një pjesë e madhe e publikut është ende duke pritur një performancë reale, ndoshta edhe një kengetar që njeh dikush.

Derisa situata nuk ndryshon, ky kaq i quajtur koncert i Vitit të Ri, do të mbetet një ngjarje ku nusja është e zhdukur, dhëndëri nuk ka mbrritur, dhe torta është një fiksim i vitit të kaluar. Gjithsesi, ka ende një shpresë për ndryshim… ose të paktën për një kengetar që ka marrë vizë!

Organizatori i koncertit të Vitit të Ri ka qenë shumë kreativ në zgjedhjen e këngëtarëve këtë vit. Me një kombinim të veçantë të përfaqësuesve nga Gjirokastra, Shkodra, Myzeqeja dhe Korça, kanë krijuar një skuadër të pashoq e cila, në të vërtetë, duket sikur është përzgjedhur nga një kartë lojësh pokeri e pazakontë.

Përfaqësuesi nga Gjirokastra është një pensionist që e ka ndaluar pensionin për të sjellë një dozë nostalgjie dhe një hintë të ftohtë nga koha e kaluar. Ai është gjithmonë i gatshëm për të treguar sa herë ka bërë dorë dhe sa herë është martuar. Nëse do të ishte për të, ai do të këndonte vetëm këngët e dikurshme “O moj Vajzë gjirokastrite!”

Dy vëllezër nga Shkodra janë një ndër kombinimet më të çuditshme. Ata janë të njohur për harmoninë e tyre, por më shumë për debatat dhe përplasjet mes tyre gjatë ndërhyrjeve të tyre në skenë. Secili prej tyre pretendon se është vërtet i famshëm, dhe se këngëtarët nga Shkodra janë gjithmonë më të mirë se ata nga çdo zonë tjetër e vendit. Ata janë bërë me zë për atë këngën “ me ken Shkodran tana i ban”

Kengetarja popullore nga Myzeqeja ka ardhur me një bohçe pëlhure akull të bardhë. Ajo do të këndojë për dashurinë e humbur, bujqësinë dhe përplasjet me traktorin që i kanë ndodhur. Pas shfaqjes së saj, ajo pritet që të ofrojë raki “moon shine” të prodhuar vetë në Lushnje.

Kengetari me çifteli dhe vajza për serenata nga Korça janë një çift i çuditshëm. Kengetari me çifteli është një mashtrues i njohur që pretendon se një çifteli mund të zbulojë çdo sekret të këndshëm të jetës. Me këngën “Kur bjen fyelli ciftelia natën deri vonë”. Ndërsa vajza për serenata është një bukuroshe e kujdesshme e cila është e përkushtuar për të bërë zemrat të rrahin më fort sesa kurrë më parë me vargjet “të dija të vogël ti më qënke 40 vjet”.

Për sa i përket logjistikës së ngjarjes, organizatori ka vendosur të sjellë një zallamahi që do të bëjë llogarinë për të gjitha: sa para ka fituar çdo kengetar, sa ushqim do të duhet për ta mbajtur gjallë në skenë, sa paguajnë kalamajtë që janë aty për të ndihmuar, sa janë pijet në tavolina, dhe sa hileqarë janë kamarierët që janë përpjekur t’i shërbejnë publikut.

Gjithsesi, ky koncert i Vitit të Ri duket se do të jetë një karnaval i çuditshëm, ku vërtetë nuk ka të njëjtën shije, por të paktën, do të jetë një eksperiencë që të gjithë do ta kujtojnë, pavarësisht se çfarë do të ndodhë me mëshirën e guzhinës së tyre që “ngadalë po përgatit mishin e qingjit”.

Festa vazhdon me kërcime që nuk kanë nevojë për rregulla. Këngëtarët ndihen të lirë të kërcejnë mbi tavolinat e ngritura për këtë ngjarje të veçantë. Të gjithë janë përfshirë, duke kërkuar një moment të tyre nën dritën e rampave të shpejtësisë së madhe. Disa prej tyre tentojnë të këndojnë dhe kërcejnë njëkohësisht, duke e bërë një konkurrencë të pafundme për krijimin e videove më të çmendura në media sociale me fansat e tyre.

Në fund të festës, kengetarët bëjnë një përulje, ndërsa publiku nuk do të jetë mjaftuar dhe do të kërkojë “një këngë tjetër!” Për ata që kanë kërkuar këtë fund viti një mbrëmje të pazakontë dhe një përvojë të çmendur, kjo është një festë e Vitit të Ri që do të mbetet në kujtesë për kohë të gjatë. Por vetëm shikoni sa para latë. Sa dollarë për këtë gallatë.

Nëse kjo që shkruajtaj është trillim apo e vërtetë, po s’patët pirë do të ma thoni vetë. Pa harruar së kënduari atë këngën e vjetër “ Ja na erdhi Viti i Ri , sa s’jam i gëzuar…”

Filed Under: Fejton

U bë

December 31, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

“Bereshit”, hebraish do të thotë: në fillim. Pikërisht me këtë fjalë “u bë” fillon libri më i famshëm i të gjitha kohërave. Ose më mirë, koleksioni i madh i librave që, sipas feve të mëdha monoteiste, përmban historinë e fillimit të kohës. Të jesh apo të mos jesh, nga zero në një. Së pari, nuk kishte asgjë, pastaj të gjitha gjërat “u bënë, bereshit, ose u krijuan”. Sikur të fotografonte një moment të saktë dhe të identifikueshëm kronologjikisht, kur historia dhe vetë universi, në një moment të caktuar, nisën të ekzistonin. Zanafilla: origjina. Fjalë për fjalë: “Bereshit – e paharrueshme, e përkthyer “Në fillim…”. Fjalë magjepsëse që ka bërë jehonë për të paktën dy mijëvjeçarë. A nuk është ngushëlluese të besojmë se e dimë se nga vijmë? Ndoshta fjala vendimtare këtu është pikërisht ajo: fe, beso. Korpusi i gjerë biblik, në versionin e tij të krishterë, përfshin gjithashtu katër Ungjijtë e klasifikuar si kanonik. Synimi është i qartë: të lidhet drejtpërdrejt Dhiata e Vjetër me Dhiatën e Re, e shkruar shumë më vonë dhe tërësisht e fokusuar tek një person, i identifikuar si shpëtimtari i njerëzimit, i njerëzimit fatkeq që ka nevojë për shpëtim…nga kush? Nga vetvetja, padyshim. Ose më mirë, nga barra e një mëkati të supozuar origjinal. I fundit nga tekstet ungjillore që u pranua dhe u përfshi në kanunin fetar të krishterë, Gjoni, hapet – më tepër si vetë Bibla – me një frazë spektakolare: “Në fillim ishte Fjala, dhe Fjala ishte me Perëndinë dhe Fjala ishte Zoti.” Në një nivel strikt letrar, ky është një sugjerim i fuqishëm poetik. Të dy librat, Gjoni dhe Zanafilla, duket se flasin për të njëjtën gjë: origjinën e jetës. “Në fillim” është ajo që ata të dy thonë. Ose të paktën, kjo është ajo që “u bë” dhe e lexojmë.

Filed Under: ESSE

GAZETA “DIELLI” URON: GEZUAR VITIN E RI 2024

December 31, 2023 by s p

Në emër të gazetës “Dielli” ju dërgoj urimet më të përzemërta për të gjithë Vatranët, abonentët, lexuesit dhe bashkëpunëtorët e Diellit. Ju shpreh mirënjohjen më të thellë të gjithë kontributorëve për bashkëpunimin e shkëlqyer e besnikërinë ndër vite. Vlerësimet më të larta për mbështetjen tuaj.

Faleminderit me zemër.

Gëzuar e Përshumëvjet Vitin e Ri 2024.

Me respekt

Editori i gazetës “Dielli”

Sokol Paja

Filed Under: Opinion

FEDERATA VATRA URON: GËZUAR VITIN E RI 2024

December 31, 2023 by s p

Vëllezër dhe motra,

Zonja dhe zotërinjë,

Vatrane dhe vatranë,

Të dashur bashkëkombas,

Më lejoni që në emrin tim dhe të strukturave udhëheqëse të Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”, të ju uroj Vitin e Ri 2024, duke ju dëshiruar shëndet të plotë, mirëqenie familjare, harmoni dhe suksese të pa fund në të gjitha fushat e jetës.

Si organizata më e vjetër e kombit tonë në tokën e bekuar të SHBA-ve, po e përmbyllim këtë vit me angazhime dhe aktivitetet të shumta si në rrafshin krijues, kulturor, shkencor, afirmativ por edhe politik dhe diplomatik në interes të kombit tonë.

Gjatë këtij viti kemi pritur dhjetra delegacione të shtetarëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia Veriore dhe trevat etnike nga Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës. Vizita të Presidentëve, Kryeparlamentarëve, Kryeministrave, Ministra të dikastereve të ndryshme, Deputetë, Kryetar komunash, krijues, artist, shkrimtar, akademik dhe publicist të shquar vizituan selinë e “VATRËS” dhe zhvilluan aktivitetet e tyre në bashkpunim dhe asistencë të gjithanshme nga shtëpia e jonë më e vjetër dhe gjithmonë me dyer të hapura në interesin kombëtar.

“VATRA” në vitin që po e lëmë pas ishte shumë aktive në Vashington, Nju Jork, kudo që kërkohej nevoja dhe flitej për Shqipërinë, Kosovën apo viset tjera etnike shqiptare. Ndjehem krenar që ishim pjesë e këtyre takimeve dhe kontribuam shumë aty ku diskutohej për çështje të rëndësishme për perspektivën e trojeve etnike dhe brezave që vijnë.

Të dashur bashkëkombas,

Në vitin që po lëmë pas bashkë me bashkëpuntorët e mij kam bërë disa vizita të rëndësishme në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe trojet e tjera etnike. Kemi nënshkruar Memorandume Bashkpunimi, Marrëveshje të karakterit shkencor dhe hulumtues por kemi qenë edhe pjesë e organizimit të eventeve me rëndësi kombëtare në bashkpunim me institucionet shtetërore, akademike dhe universitare në Tiranë dhe Prishtinë. Kulmi i vizitave jashtë SHBA-ve ishte vizita në Selinë e Shënjtë në Vatikan dhe takimi me Atin e Shënjtë Papa Françesku që ishte nderë dhe privilegj i veçantë për mua, “VATRËN” por edhe një mirënjohje për të gjithë shqiptarët e Amerikës.

Gëzuar për shumë mote,

Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”,

Dr. Elmi Berisha

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1395
  • 1396
  • 1397
  • 1398
  • 1399
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT