• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Commodus

December 28, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Perandoria Romake ishte një epokë magjepsëse në histori, e mbushur me personazhe më të mëdhenj se jeta dhe histori intriguese. Kur bëhet fjalë për perandorë të cilësuar si të tmerrshëm, bie në sy një emër: Perandori Commodus, siç përshkruhet edhe në filmin The Gladiator, me Joaquin Phoenix si Commodus, megjithëse me pak devijime, por me fund të njëjtë historik.

Commodus, i lindur në vitin 161, ishte djali i perandorit Marcus Aurelius. Megjithatë, ngjizja i tij erdhi në rrethana mjaft skandaloze. Thuhet se nëna e tij, Faustina, u angazhua në një lidhje me një gladiator të quajtur Eklektus. Kjo marrëdhënie e paligjshme besohet se ka rezultuar në lindjen e Commodus, duke e bërë atë trashëgimtar perandorak.

Pavarësisht nga ky fillim i diskutueshëm, Commodus do të vazhdonte të bëhej një nga perandorët më famëkeq në historinë romake. Mbretërimi i tij, i cili zgjati nga viti 180 deri në vitin 192, u shënua nga një sërë vendimesh të dyshimta dhe sjellje të çrregullta. Disa historianë spekulojnë se konceptimi i tij i trazuar mund të ketë kontribuar në veprimet e mëvonshme dhe në paqëndrueshmërinë e tij mendore.

Commodus kishte një magjepsje të thellë me luftimet gladiatoriale, shpesh duke marrë pjesë vetë në lojëra. Ky obsesion e bëri atë të vishte armaturën dhe të luftonte si gladiator, gjë që nuk i pëlqente elitës romake. Pikërisht gjatë këtyre spektakleve ai shfaqi një gjakmarrje dhe shpërfillje ndaj jetës njerëzore, duke fituar reputacionin si perandor mizor dhe tiranik.

Një ngjarje veçanërisht e tmerrshme e lidhur me Commodus ishte “Gjuetia e Romës”. Në këtë spektakël makabër, perandori lëshoi ​​qindra kafshë të egra në Koloseum dhe vazhdoi t’i gjuante, duke shfaqur aftësinë e tij si gjahtar. Ngjarja tronditi dhe tmerroi qytetarët e Romës, duke çimentuar më tej reputacionin e Commodus si një udhëheqës i çmendur.

Commodus gjithashtu e imagjinonte veten si rimishërimi i Herkulit, duke shkuar aq larg sa e riemërtoi Romën si “Kolonia e Herkulit” dhe duke adoptuar titullin “Hercules Romanus”. Ai madje porositi statuja të tij në maskën e heroit mitik, duke ushqyer më tej iluzionet e tij të madhështisë.

Nga fundi i mbretërimit, teprimet dhe sundimi tiranik i Commodus çuan në pakënaqësi të përhapur mes popullit romak. Në vitin 192, u krijua një komplot nga anëtarët e oborrit perandorak për ta vrarë atë. Komploti pati sukses dhe Commodus u vra, duke i dhënë fund mbretërimit të tij të trazuar.

Commodus sjell në mendje kohën e sotme, mund të thotë dikush:

Njëri, mjek i Bllokut; tjetri se me kë ngjan nga bijtë atje dhe i treti përflitet, edhe ky me të padrejtë, si nip i Mbretit. Pastaj, secili mund te shëmbëllehet si organizator i lojës Gjuetia e Romës.

Filed Under: Kronike

Turneu “Vllaznimi” me plot sukses përmbylli edicionin e 14-të të tij, FC Kraja shpallet Kampion!

December 28, 2023 by s p

Titulli kampion nga Struga kalon në Krajë, FC Kraja me plotë meritë këtë edicion fitoi kupën dhe u shpall kampion i turneut “Vllaznimi” duke mposhtur në finale ekipin FC Future pas një loje tepër atraktive nga të dy skuadrat!

FC Kraja është kampion i edicionit të 14-të të turneut Vllaznimi që mbahet në kujdesin e QKSHA-Struga në New Jersey.

Interesimi edhe këtë vit ishte tejet i madh. 24 skuadra morën pjesë me nga 10 futbollistë në turneun futbollistik më të madh në mbarë diasporën shqiptare.

Ndeshje shumë konkuruese dhe lojtarë cilsorë dhuruan spektakël para qindra spektatorëve që me orë të tëra qëndruan në sallën sportive në Turf City deri në ndeshjen finale ku kësaj radhe u përballën dy skuadra nga Malësia e madhe. Fc Future dhe FC Kraja. Ndeshja në kohë të rregullt përfundoi me rrezultat të barabartë që më pas FC Kraja përmes gjuajtjeve nga penaltitë të shënojë fitore dhe të ngre lartë kupën e kampionit dhe çekun në vlerë prej 1500$.

Këtij organizimi sportiv spektakolar nuk mund ti mungonte edhe aspekti artistik. Shfaqja në fushë e vashave të Shoqërisë artistike të QKSHA-së ishte impresionuese për publikun i cili e duartrokiti masivisht paraqitjen që i dha ngjyra këtij evenimenti unikal.

Komuniteti i QKSHA-Struga, drejtuesit dhe vullnetarë të kësaj qendre në vazhdueshmëri kanë dëshmuar unitet dhe aftësi për organizime të tilla spektakolare duke bërë bashkë skuadra dhe futbollistë nga gjitha trojet etnike shqiptare që për çdo vit më 25 Dhjetor ditën e Krishtlindjeve tubohen në New Jersey për këtë organizim sportiv madhështor.

Futbolliati i talentuar, Semiri nga ekipi nënkampion Fc Futurë u zgjodh golashënuesi më i mirë me gjithësej 10 gola të shënuar ndërsa trofeun e portierit më të mirë e fitoi portieriri i ekipit kampion Jetmir Kovaçi.

Vendi i dytë përveç trofeut mori edhe një çek në kundërvlerë prej 750$.

Fatmir Mimini një aktivist i përvitshëm i këtij turneu këtë vit ishte kryetar i turneut, ai falenderoi të gjithë vullnetarët që kontribuan në këtë organizim si dhe uroi ekipin kampion për fitoren.

Përfaqësuesi i FC Kraja njëkohësisht edhe drejtues i Shoqatës Kraja shprehu mirënjohjne dhe konsideratën e lartë për organizatorët, ai theksoi se ky titull është i mirëseaedhur dhe i rëndësishëm për futbollistët dhe pêr gjithë komunitetin që ai përfaqëson.

Pa asnjë dyshim kjo ishte një ditë tepër argëtuese për të gjithë pjesmarrësit, ndërsa një falenderim dhe mirënjohje shkon për mbështetësit e këtij turneu, themeluesit, QKSHA-Struga, sponsorët dhe gjithë vullnetarët që nga mëngjesi deri në darkë u kujdesen për mbarëvajtjen e tij.

Futbollistët, stafi dhe tifozët e FC Kraja ditën më së miri ta festojnë këtë sukses që filloi në sallën sportive në Turf City dhe me siguri do të vazhdojë edhe me organizime të tjera me antarët dhe komunitetin e tyre.

Faton A. (New Jersey)

Filed Under: Sport

Gramatikë e gjuhës Shqipe nga misionari Amerikan Dr. Elias Riggs

December 28, 2023 by s p

Artur Vrekaj, Massachusetts/

Dr. Elias Riggs ishte misionar Amerikan dhe një gjeni shumëgjuhësh që ju përkushtua përkthimit dhe botimit të gramatikave gjuhësore të popujve të shtypur nën regjimin Osman. Fakti që Dr. Elias ra në kontakt më 1833 e 1834 me Shqiptarët e Peloponezit, të Hydras dhe Specias flet shumë duke ja bërë më të lehtë bashkëbisedimin në gjuhën Shqipe, si dhe më pas punën krijuese për një gramatikë të Shqipes. Elias zotëronte shtatëmbëdhjetë gjuhë.

Më 1859, sipas David Hosaflook, misionar në Shqipëri, Dr. Elias Riggs dhe Theodore Byington udhëtuan në trojet shqiptare për tu njohur nga afër me Shqiptarët dhe gjuhën e tyre.

William Eleroy Curtis në librin “Around the Black sea”, botuar më 1911 rrëfen:

“Kur Elias ishte djalë i ri, shumë pak kohë para se ai të shkonte në terren (Turqia Europiane), ai ishte në shoqërinë e Shqiptarëve për disa javë, ndërsa udhëtonte në atë provincë (Shqiptare).

25 vjet më vonë në një takim të misionarëve Amerikanë të Turqisë Europiane, ishte caktuar një komitet që do të organizonte përgatitjen dhe publikimin e gramatikës së gjuhës Shqipe.

Gjatë diskutimeve Dr. Elias nuk foli, por pas vendimit të fundit dhe zgjedhjes së komitetit ai ju shpreh qartazi kryetarit se disa vite më parë, ndërsa ishte në Shqipëri, ai kishte mbajtur shënime të shkrurtra lidhur me gjuhën Shqipe dhe do të ishte shumë i kënaqur t’ja jepte komitetit, të cilin mund të ndihmonin për punën e tij. Kryetari mori textin e gramatikës së gjuhës Shqipe nga Elias dhe e falenderoi atë.

Kur anëtarët e komitetit u takuan më vonë dhe studjuan tekstin e “ shënimeve të shkurtra” të Dr. Elias, ata u befasuan, sepse gjetën pothuaj të plotë gramatikën e gjuhës Shqipe; më të plotën që kishin marrë deri atëherë, e cila u bë themeli i librit që u botua fill pas këtij takimi. “

James L. Barton, sekretar i Bordit Amerikan të komisionerëve për misionet e huaja me qëndër në Boston, Massachusetts në tremujoren “Envelope series” nën kryetitullin “Free Albania, a momentous situation confronting the American board”, botuar në Tetor 1913 konfirmon se :

“Misioni i bordit Amerikan për Turqinë Europiane ka qënë qysh në fillim i interesuar në këtë racë të fuqishme. Dr. Elias Riggs qysh herët në karrierën e tij misionare ishte në mes të Shqiptarëve për një kohë të shkurtër, përgjatë së cilës ai ka praktikuar talentin e tij të shkëlqyer në përgatitjen e një gramatike për gjuhën Shqipe.

Kjo gramatikë u ruajt në dorëshkrim përafërsisht për dhjetë vitet e fundit, deri kur ajo u soll në dritë u provua të ishte një vlerë e madhe për komitetin e misionit të Turqisë Europiane, i cili ishte përkushtuar të punonte për gjuhën Shqipe.”

Misionarët Amerikanë duke vepruar nën vëzhgimin e trefishtë të Turqve, Grekëve dhe Sllavëve me lëvrimin e gjuhës së folur e të shkruar Shqipe përshpejtuan hapërimin kombëtar në trojet etnike përmidis fundshekullit të 19-të dhe fillim shekullit të njëzetë megjithë sakrificat e jetës së tyre.

Filed Under: ESSE

Rruga Ismail Qemali në New York

December 28, 2023 by s p

Nga Mimoza Dajçi/

Për të parë nga afër Rrugën “Ismail Qemali” në Staten Island në New York udhëtuam me anije mbi lumin Hudson. Megjithëse moti ishte me shi, udhëtimi shkoi mirë e u duk interesant. Jo larg nga Manhattan-i mund të shikoje Statujën e Lirisë. Në Molin tjetër na priste patrioti dhe Kryetari i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Staten Island” Naser Nika, i cili është një ndër organizatorët kryesorë të emërimit të kësaj rruge me emrin e firmëtarit të Pavarësisë së Shqipërisë Ismail Qemali. Për këtë nismë të rëndësishme Z. Nika tha se, një kontribut të veçantë ka dhënë edhe i biri i dëshmorit Mustafë Qorraj nga Kosova, Shpëtim Qorraj dhe Dr. Bahri Ceka.

Më 3 qershor 2023, komuniteti shqiptar në Staten Island, New York, festoi emërimin e rrugës “Ismail Qemali”. Moment historik ky në nderim të njërit prej udhëheqësve më të shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe kryetarit të parë të Shtetit Shqiptar. Emërimi i kësaj rruge me emrin “Ismail Qemali” në Staten Island në New York, shënoi njëherësh një sukses të veçantë edhe për komunitetin shqiptar në New York.

Sipas Z. Nika, në ceremoni morën pjesë kryetari i qytetit të New York, Eric Adams, kongresmenja Nicole Malliotakis, Asambleistët Samuel Pirozzolo, David Carr, etj. Naser Nika, i cili njihet si një veprimtar i palodhur i komunitetit në SHBA, tha se në qershor të viti 2024 në Staten Island do të emërohet edhe një rrugë me emrin e Heroit të Popullit “Isa Boletini”, i cili megjithëse i sëmurë rëndë, duke mbajtur premtimin ndaj Plakut të Urtë sëbashku me 400 luftëtarët e tij udhëtoi drejt Vlorës për të qenë i pranishëm në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Për emërimin e rrugës “Ismail Qemali” dhe më pas për emërimin që do të kemi për rrugën “Isa Boletini” Z. Naser Nika tha se kemi patur bashkëpunim të mirë me Dr. Bahri Ceka, anëtarët e Shoqatës Shqiptare-Amerikane në Staten Island dhe mbështetjen e politikanëve të Zonës.

Emërtimi i rrugës “Ismail Qemali” pason me emërimin e disa rrugëve të tjera në SHBA, ku mund të përmendin Rrugët “Nënë Tereza”, “Skënderbeu”, “Fan Noli” të cilat u vendosën nën kujdesin dhe interesimin e disa përfaqësuesve të suksesshëm të komunitetit tonë në bashkëpunim të mirë me liderët e politikës amerikane. Të cilët me arritjet e tyre në fusha të ndryshme të jetës, përkushtimit, kohës që japin në jetën sociale mes komuniteteve krijuan një imazh mjaft pozitiv edhe në arenën politike e vendimmarrëse në Amerikë. Pasi asgjë nuk vjen si dhuratë nga qielli pa sakrificë e lodhje. Ne si diasporë duhet të ndihemi krenarë për këta njerëz të mirë e patriotë që shpenzojnë kohën e tyre të çmuar në dobi të çështjes kombëtare shqiptare e popullit amerikan. Njeherësh falenderojmë SHBA për mikëpritjen, mbështetjen e vlerësimin që na kanë dhënë e kanë treguar historikisht ndaj shqiptarëve qysh në kohën e Presidentit Woodrow Wilson, Presidentit Klinton, Presidentit Bush, Presidentit Obama etj. Ku mund të veçojmë përmbysjen e diktaturës komuniste më të egër në Shqipëri dhe Pavarësinë e Kosovës.

Filed Under: Komunitet

KOHËT LASGUSHIANE

December 27, 2023 by s p

-Sot, në datëlindjen e tij -/

Nga Visar Zhiti

Grimca vezulluese si pluhur i mbetur yjesh, – kështu më duken ato ç’mund të kujtoj unë për poetin Lasgush Poradeci, e di, janë fare të pakta, varfanjake, por ai vetë llamburit ashtu si poezia e tij…

E kisha parë vetëm dy herë, dikur, kur isha student, – po i thosha Edës time, – ndiej dhimbje që s’isha përpjekur ta shihja më shumë, se pastaj e kami takuar statujë, shpesh e më shpesh…

Desha të shtoj se kur e shohim si statujë, – s’e kam fjalën për vete, por për kohën, – kujtohemi befas që ai paskësh qenë gjallë pothuajse tani afër, bashkëkohës, ndërsa kur ishte gjallë, e dinim të vdekur si rilindasit, Naimi, Asdreni…

Siç dukej përgatitej shumëkohësia e tij, mbase kështu nis pavdekësia.

Në shkolla na e përmendnin poetin Lasgush Poradeci për ta kritikuar si poet të mbyllur në Kullën e Fildishtë, etj, etj, që s’kuptonte Realizmin Socialist, madje u përhapën rrëfimet se ai s’kuptonte shumëçka tokësore,

s’dinte ç’kohe i përkiste, më tepër ishte i qiellit ashtu si dhe poezia e tij qiellore.

Do të ishte shkrimtari Ismail Kadare që me një shkrim brilant të tij do të kthente vëmendjen e botës letrare shqiptare tek ai, Lasgushi qenkej gjallë…

Ndoshta në burg, ne, të burgosurit politikë të atëhershëm, – ata që donin poezinë dhe në ferr, – bisedonim më

hapur për atë, na ngushëllonte fosfori i mistikës së vargjeve të tij, që s’mund të kalbeshin aq kehtë në atë kohë mortore.

Diçka kam thënë në librat e mi, në burgologjitë:

1.

Miku im i atëhershëm, pastaj i burgosur politik, poeti Frederik Rreshpja më tregonte “se Fishta me Lasgushin janë takuar në Kafen e Madhe në Shkodër dhe kanë shkëmbyer libra me autograf njëri me tjetrin. I thotë Fishta Lasgushit:

– Edhe un’ mund t’baj lirika t’bukra si tuat, por kam frig se des shpejt.

Gjallë mbeti Lasgushi, por nuk shkruan më…

2.

E ftuan një ditë në Fakultetin e Letërsisë, gabuam, thanë. U pataksën ca nga studentët, kujtuan se vinte fantazmë, kur e panë ashtu të vogël e të imët, e kishin ditur të vdekur. E pyetën:

– Ç’është realizmi socialist?

– Bërtit: unë, ti, ne, ne! Ja, ky është… – tha Mjeshtri plak. Mbi leshrat e argjendtë dukej sikur i kishin ngecur yje.

– Po ju keni përkthyer Majakovskin? – e ndëpreu sekretari i rinisë.

– Për bukën e gojës, – u përgjigj kopshtari magjik i qiejve.

(Nga libri “Rrugët e Ferrit”)

3.

“Një si copëz ylberi prej druri u tund mbi kryet e botës. Ishte bastuni i Lasgush Poradecit. Po zbriste nga shkallët e Lidhjes së Shkrimtarëve, i kishin hipur xhindet, më pa të mbështetur pas murit dhe iu duka i druajtur, a bëri sikur iu duka ashtu, pa kurajë, prandaj dhe më bërtiti:

– Po ti futu, mos ki zor, e çfarë janë ata?! – dhe tregonte me bastunin nervoz andej nga salla e madhe plot me shkrimtarë. – Maskarenj janë, shko, kë do, kape!

– Pres një…

– A, kujtova se kishe turp prej tyre, turp të kenë ata, – u nervozua sërish, – duke e valëvitur shkopin e tij hakërrues.

Faber, mërmërita i mrekulluar. Ç’të thosha? Zoti Lasgush m’u duk pak, pale shoku… gjëja më e papërshtatshme, e meritoja kokës bastunin e tij. Unë latinisht s’dija, nga më erdhi kjo fjalë, farkëtar, më kishte mbetur në mendje, Faber… dhe iku, ashtu i paktë, i bardhë, duke u mbështetur në shkopin e tij. Dita fërgëllonte e ftohtë, me një diell anemik. Liriku ynë qiellor, parnasiani i vetëm, që e dinin të vdekur, kishte tundur edhe një herë shkopin e tij fantazmë, si dhunim kundër perëndive të reja. Dhe ndoshta do të ndalte pak më tej. Mos i duhej të ikte andej nga selvitë e Medresesë? Do të nxirrte nga xhepi i thellë i palltos një orë të madhe me zile, nga ato të tryezave a të murit, për ta parë. S’dihej pse e mbante ashtu, për ç’trill. Mbase për sfidë.

Ora e poetit duhet të jetë e madhe…”

(Nga libri “Ferri i çarë”)

Ishte koha kur shkoja andej nga Lidhja e Shkrimtarëve, para se të më burgosnin, çoja poezi në gazetën “Drita” e revistën “Nëntori”, po pse i botoni atij, – ankoheshin ndoca, – ai nuk e ka “biografinë të mirë”… dhe unë kërkoja të takoja Kryetarin, Dritêro Agollin, miqtë Zija Celan, Bardhyl London, etj.

4.

“Im atë guxonte dhe rrinte me të internuarit, ndjehej si ata gjithmonë, me studiuesin dhe shkrimtarin Lazër Radi, me piktorin Lek Pervizi, me poetin Pano Taçi. Më kërkonte skeçe, – tregon ky i fundit, – për t’i vënë në skenë, pa emrin tim natyrisht, por që të merrja ndonjë honorar. Një herë pritëm Lasgushin qiellor, më donte, dhe në burg më kishte sjellë cigare dhe kafe, – dëshmon Panua, – nejse, pimë nga një gotë dhallë në klub dhe “u grindëm” se kush do të paguante. Më takon mua, kishte thënë Hekurani, jam më vendas… këtu e bëj unë pazarin…”

(Nga libri “Kryengritje shqiptare në parajsë” – poezi nga Hekuran Zhiti)

* * *

Bukur! – thashë me vete. Im atë e paskësh takuar Lasgushin dhe në Lushnjë, në klubin “Myzeqeja”përballë Komitetit dhe i paska paguar ai tre gotat e dhallit… të varfër… dhe në këtë varfëri “Mahnitëse!” – shtova, përsëri me veten time, që Lasgush Poradeci, faberi, ai i hutuari i xhindisur, që dukej se s’i dinte punët tokësore, si jashtë realitetit, i paskësh çuar kafe dhe cigare poetit Pano Taçi në burg, atëhere, kur ata, të burgosurit politikë braktiseshin nga shokët dhe miqtë, madje dhe denoncoheshin prej tyre, me letra Partisë, Enverit, Degës… kurse Lasgushi i prapë, i kundër me gjithçka në socializëm… Po e adhuroja ende më shumë.

– Dëgjo ti, Shehu i Vogël, – thoshin se i kishte thënë Lasgushi shkrimtarit të ri Bashkim Shehu, djalë i Kryeministri të ashpër Mehmet Shehu, – thuaji atij tët ati, Shehut të Madh, të më çojë mua ambasador në Greqi dhe të shikosh sa mirë do të venë punët, jo me…

Ndërsa Bashkim Shehu ishte përgjigjur se, nëse do të kujtohej ndonjëherë babai i tij, do të thoshin se kishte qenë kryeministri në kohën e Lasgushit… – kështu thoshin.

Kur dola nga burgu, e kopjova me dorë gjithë poezinë e tij, të botuar në Kosovë në përmbledhjen “Vdekja e Nositit”, përgatitur nga studiuesi Sabri Hamiti, e ruaj ende bllokun e bukur, librin ma dha fshehurazi për ca ditë i internuari Bilbil Cami, ia kishin sjellë, s’e di si, njerëzit e tij nga Dibra e Madhe. Vonë më treguan se Lasgushin e gëzoi shumë ky botim, u ndje i çharruar dhe nga kopjet e pakta që pati, u dhuronte me autograf poetëve më të njohur të Realizmit Socialist, atyre që i afroheshin, ndokujt duke i shkruajtur “Nimfës shtat-hedhur të Partisë” dhe ndonjë tjetri “Borisë së Partisë”, kështu thoshin. Sa fin dhe dinak! Nuk mund ta akuzoje dot për lëvdatën… – bisedonim buzagaz.

Dhe lexoja me ëndje veprën e plotë të Lasgushit, që doli pas rënies së diktaturës, miqësinë emblematike me bashkëqytetarin e tij, Mitrush Kutelin, bashkëpunimi i tyre, ai, ai u përkujdes që në fillimet, në mërgim në Rumani, për poezinë lasgushiane, aq sa duket se e kemi dhuratë prej tij dhe të mendosh që jemi në vendin, ku duan ta rroposin njëri-tjetrin…

Më pas pashë librat me kujtime për Lasgushin, të Petraq Kolevicës, të Meri Lalaj, etj, studimin e bashkëqytetarit tjetër të tyre, Luan Topciu, gjyshi i të cilit kishte qenë mik me Lasgushin, etj, etj, rilexoja novelën e Kadaresë, portretin marramendës, të përhirësuar që i krijoi, do të shkruaja për romanin filozofik të Robert Martikos, kohën qiellore të poetit, etj, u njoha me vajzën e Lasgushit, Marien, e pyesja gjithë kërshëri duke pirë kafe në ndonjë bar dhe më ngazëllenin ato që dëgjoja. Lasgushi po sfidon harrimet e qëllimshme, – thosha, – fjala e tij e papërsëritëshme perlëzonte, – ishte poeti që Shqipëria i jepte botës, – nënvizoja atë që kishte thënë që herët Eqrem Çabej i madh.

Kërkoj nga imazhet e Lasgushit, në fytyrën e tij ka kohë poezie dhe Europë, aristokraci, rini syzjarrtë dhe pleqërim sokratik, vetmi murgu të shenjtë.

Ndërsa në shtatoren e tij në vendlidje, buzë liqenit, ku ai shëtiste me qenin, shkojnë adhurues, poetë të rinj, udhëtarë të rastësishëm, vënë lule.

Ndalëm një herë dhe ne, unë me shkrimtarin Andreas Dushi, folëm për të. Mbase në bronzin tij, më pak i gjallë, aty është Lasgushi. Më i keqkuptuar se kudo… i ridënuar në heshtje bronzi…

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1402
  • 1403
  • 1404
  • 1405
  • 1406
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT