• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Stop the Time” – 2 Tetor 2025, Glanzstoff Hallen, St. Pölten, Austri

September 26, 2025 by s p

Në këtë ekspozitë kolektive do të marrë pjesë edhe artisti shqiptar nga Kosova, Resul Jusufi, me veprën e tij, instalacionin  të titulluar “Stop the Time”.

  Një vështrim mbi veprën “Stop the Time” dhe rrugëtimin artistik të Resul Jusufit

“Ndalo Kohën” (  STOP THE TIME )

Instalacion nga Resul Jusufi

Si artist, gjithmonë kam ndjerë një tension të brendshëm në raport me kohën – ndjesinë se gjithçka kalon shumë shpejt, ndërkohë që unë vetë dua vetëm të ndalem, të marr frymë dhe të mos e humbas veten. Nga kjo nevojë e brendshme lindi instalacioni „Stop the Time“ – një përpjekje për t’i vënë kufi iluzionit të kontrollit dhe për të krijuar një hapësirë ku koha – qoftë edhe vetëm për një çast – të mos ekzistojë.

Koha është një iluzion i pandalshëm – një rrymë që na tërheq të gjithëve me vete, pa marrë parasysh sa shumë përpiqemi ta masim, ta kontrollojmë apo ta ndalojmë. Në këtë instalacion, artisti Resul Jusufi krijon një hapësirë ku koha nuk funksionon më sipas rregullave të zakonshme. Ajo shpërbëhet – në fragmente, numra, shenja dhe objekte të heshtura.

Në qendër ndodhet një mural monumental (300 x 250 cm), i përshkuar nga numra të shpërndarë, gjurmë spontane dhe simbole që kujtojnë shenjat e përditshmërisë urbane – grafite, shifra, rrethe. Kjo gjuhë vizuale është zgjedhur qëllimisht e thjeshtë: jo një iluzion formal, por një forcë e drejtpërdrejtë shprehëse. Numrat dhe rrethet e çrregullta bëhen metaforë për rrjedhën dhe fragmentimin e kohës.

Përpara muralit, mbi dysheme, ndodhet një koleksion orësh mekanike – objekte të përditshme që dikur matnin jetën tonë. Tani ato janë ndalur. Dialogu midis pikturës dhe orëve reale krijon një tension poetik: koha si ide abstrakte përplaset me kohën si fakt i prekshëm.

Instalacioni ngre pyetje thelbësore:

  • Si e kemi jetuar jetën tonë deri më tani?
  • Kujt ia kushtojmë orët, minutat, ditët tona?
  • A është ritmi me të cilin jetojmë një përparim – apo po humbasim lidhjen me vetveten?

Vepra nuk jep përgjigje. Përkundrazi – sfidon publikun të ndalet, të dëgjojë heshtjen e orëve të ndaluara dhe të përballet me një pyetje ekzistenciale:

A është e mundur të ndalojmë kohën – apo jemi vetëm të burgosur brenda saj?

„Stop the Time“ është një reflektim mbi kalueshmërinë, kujtimet dhe ndjesinë e kontrollit.
Është një ftesë për të përjetuar një çast jashtë kohës – një hapësirë ku vizitori nuk është thjesht spektator, por pjesë e procesit të të menduarit dhe ndjesisë.


“Arti është ushqim për shpirtin.”

Resul Jusufi është një artist multidisiplinar, i cili punon në fushat e pikturës, instalacionit, teatrit dhe filmit të shkurtër. Veprat e tij dallohen për një gjuhë unike vizuale, ku abstraksioni dhe simbolizmi bashkohen në mënyrë të guximshme dhe harmonike.

Me energji, liri krijuese dhe thellësi emocionale, arti i tij tejkalon me vetëdije kufijtë tradicionalë të artit bashkëkohor. Eksperimentimi me teknika dhe materiale të ndryshme zë një vend qendror në procesin e tij krijues.

Çdo vepër mbart një fuqi unike shprehëse – e mundësuar nga një “kaos” vizual i qëllimshëm, që shërben si mjet për të transmetuar energjinë e brendshme dhe spontanitetin.

Përmes ngjyrave të forta, formave të lira dhe simboleve të mbushura me kuptim, Jusufi krijon vepra që nxisin reflektim dhe hapin dialogë emocionalë.

Temat që trajton janë universale dhe i japin artit të tij një dimension të thellë filozofik dhe shoqëror. Falë kësaj, veprat e tij arrijnë të komunikojnë me një audiencë të gjerë dhe të larmishme në mbarë botën.

Veprat e tij janë ekspozuar në shumë ekspozita ndërkombëtare – përfshirë Austrinë, Gjermaninë, Zvicrën, Italinë, Poloninë, Kosovën, SHBA-në, Tajvanin dhe më gjere .

Arritje të rëndësishme:

  • 2022 – Fitues i Luxembourg Art Prize për arritje të jashtëzakonshme artistike
  • 2023 – Përfshirje në listën e 100 artistëve më të rëndësishëm bashkëkohorë nga Bindaas Artist Group, Indi
  • 2024 – Fitues i Gold Award në Busan International Art Festival, Koreja e Jugut
  • 2025 – Prezantimi i veprës „Art Saves the World“ në Times Square, New York

Jusufi thotë:

“Arti është mënyra më e mirë për të thyer paragjykimet mes njerëzve dhe ura më e fortë për t’i lidhur ata.”

Resul Jusufi ka lindur në Kosovë dhe prej disa vitesh jeton e punon në qytetin Gracit /Austri.

Filed Under: Kulture

Gabriela Tabárez: pasardhëse shqiptare në Argjentinë që ruan traditat e gjyshit të saj

September 26, 2025 by s p

Intervistoj Mihal Ciko

Gazetar/

Nga Buenos Airesi për gazetën tonë

Një rrugëtim nga Korça në Buenos Aires

Gabriela Tabárez, nënkryetare e Shoqatës Patriotike Shqiptare “Skënderbeu” në Buenos Aires, tregon historinë e saj dhe të gjyshit të saj, Xhelal, i cili emigroi nga Korça në Argjentinë në vitin 1930, në moshën 25 vjeçare. “Gjyshi im erdhi këtu për shkak të gjendjes ekonomike, por gjithmonë mbajti dashurinë për Shqipërinë në zemër,” tregon Gabriela.

Ruajtja e traditave dhe identitetit shqiptar

Gabriela ndan me lexuesit sesi kultura dhe traditat shqiptare u transmetuan brez pas brezi: “Që kur isha e vogël, ndjeja dashuri për Shqipërinë dhe për gjithçka që gjyshi im më mësoi – këngët, vallet, dhe festat kombëtare.” Ajo tregon se aktiviteti i saj në Shoqatën “Skënderbeu” është një mënyrë për të mbajtur gjallë lidhjen me origjinën e saj.

Përvoja në Shqipëri

Në vitin 2019, Gabriela mori pjesë në diasporën shqiptare të organizuar në Tiranë: “Kur zbrita për herë të parë në Tiranë, nuk mund të përmbaja lotët. Ishte një ndjenjë çlirimi dhe gëzimi, por edhe një hije trishtimi. Ndiqja hap pas hapi historinë e gjyshit tim dhe ndjeva se po e nderoja atë në çdo moment.”

Për të ardhmen e diasporës shqiptare

Gabriela është mësuese dhe formuese e mësuesve të rinj: “Përpiqem të përcjell kulturën shqiptare tek fëmijët e mi dhe ata që unë formoj si mësues. Marrim pjesë të gjithë në festat kombëtare, duke ruajtur kështu lidhjen e gjallë me traditat tona.”

Mesazhi për brezat e rinj

“Është e rëndësishme që të mos harrojnë prejardhjen e tyre, të njohin historinë e familjeve të tyre dhe të ruajnë kulturën, gjuhën dhe traditat. Kjo është mënyra më e mirë për të nderuar sakrificat e gjyshit tim dhe të gjithë emigrantëve shqiptarë,” përfundon Gabriela. 

Filed Under: Emigracion

Pse netët pa gjumë bëjnë kujtimet e këqija më të vështira për t’i harruar?

September 26, 2025 by s p

Fatjona R. Lubonja Ed.D/

Le ta imagjinojmë: je në festën e një miku, duke pirë një gotë verë të kuqe dhe papritur situata përkeqësohen. Para të gjithëve, pengohesh, gota juaj përmbyset, duke e spërkatur përmbajtjen e saj në divan apo tek miku juaj. Pavarësisht se sa kohë ka kaluar, të shohësh atë mik do të të kujtojë gjithmonë atë moment të sikletshëm. Ky shëmbull është i thjeshtë, por mund të jetë një situatë kur dikush të kritikon, apo një koment, një veprim i sikletshëm, një thashethem, etj… Kaq do të mjaftone t’ju linte pa gjumë? Pra, pse disa njerëz duket se janë në gjendje t’i largojnë këto kujtime të pakëndshme, ndërsa të tjerët nuk mund t’i shpëtojnë? Përgjigja kryesisht sillet rreth cilësisë së gjumit.
Kjo lidhje midis gjumit dhe kujtesës nuk ka të bëjë vetëm me histori të sikletshme festash., apo me një opinion. Problemet me gjumin dhe kujtimet ndërhyrëse janë tipare kryesore të shumë gjëndjeve të shëndetit mendor, duke përfshirë depresionin, ankthin dhe çrregullimin e stresit post-traumatik, (Xue. Y.,et . al., 2025).

Studiuesit kanë zbuluar se mungesa e gjumit pengon aftësinë e trurit për të “hequr” kujtimet e pakëndshme. Duke përdorur skanime të trurit, ata kanë treguar se pa gjumë të mjaftueshëm, truri ka vështirësi të aktivizojë rajonet që normalisht na ndihmojnë të bllokojmë mendimet e padëshiruara. Në veçanti, mungesa e gjumit me lëvizje të shpejtë të syve (REM), faza e ciklit të gjumit me shumë ëndrra duket se e dobëson këtë sistem mbrojtës mendor (Harrington, M. O. , et. al., 2024). Rezultati? Kujtimet e këqija kalojnë më lehtë dhe qëndrojnë më gjatë. Me kalimin e kohës, kjo mund të ushqejë shqetësimin, të forcojë mënyrat negative të të menduarit dhe ta bëjë më të vështirë rregullimin e emocioneve. Një nga mënyrat se si trut jonë zakonisht përballet me kujtimet e dhimbshme është përmes shtypjes direkte, duke e shtyrë mendimin jashtë vetëdijes. Kur kjo funksionon, gjurmët e kujtimit dobësohen, duke e bërë më të pamundur që të shfaqen përsëri në të ardhmen. Por ky proces varet shumë nga gjumi. Njerëzit që flenë mirë janë shumë më të aftë në procesin e “mbylljen e derës” ndaj mendimeve invazuese, ndërsa ata që kanë patur mungesë gjumi kanë vështirësi, duke lënë kujtimin të jetë i lirë për të ndërhyrë përsëri më vonë. Me fjalë të tjera, një natë e mirë gjumi nuk ndihmon vetëm për tu ndjerë të freskët por edhe ndihmon trurin tuaj të mbajë në kontroll kujtimet invazuese. “Natën e Mirë! E nesërmja është një ditë e re!”

Fatjona R. Lubonja Ed.D. është studiuese & autore e shumë shkrimeve dhe ka studiuar Neuroshkencë & Shkencat e Shëndetit në Columbia University, në NY, dhe specializuar në Harvard University, MA #fatjonalubonja

Filed Under: ESSE

Për letërsinë e mërgatës dhe trashëgiminë historike të emigracionit shqiptar në Amerikë

September 26, 2025 by s p

Për letërsinë e mërgatës dhe trashëgiminë historike të emigracionit shqiptar në Amerikë.

Filed Under: Emigracion

Burrneshat!

September 26, 2025 by s p

Në shpirtin e pathyer të kombit shqiptar ngrihet një figurë që i ngjan një shkreptime të brendshme, një drite të heshtur që mban mbi supe peshën e rendit, të ligjit dhe të vetë jetës. Burrnesha nuk lind si zgjedhje e rastësishme, por si përgjigje ndaj nevojës, si dëshmi e një kohe ku fjala ishte ligj dhe nderi ishte kufi i paprekshëm. Ajo vjen si flakë e betuar, e ndezur jo për veten e saj, por për shtëpinë, fisin dhe vijimësinë e gjakut.

Çdo burrneshë është një kujtesë e gjallë e sakrificës, një trup që bëhet institucion, një individ që shndërrohet në simbol. Betimi i dëlirësisë nuk është thjesht një ndalim, por një ngritje, një çast ku liria personale shndërrohet në shërbesë të madhe. Zëri i saj fiton peshë në kuvend, fjala e saj bëhet garanci për shtëpinë, kujdesi i saj për pasurinë dhe për gjakun është akt i qartë i përgjegjësisë. Ky është çasti kur muzika nis, një simfoni e vogël, e thjeshtë në dukje, por e mbushur me solemnitet, që buron nga tradita dhe nga norma.

Burrnesha është provë se një shoqëri e fortë shpik forma të jashtëzakonshme për të ruajtur jetën, duke e kthyer një vajzë në dritë të shtëpisë, në mur të familjes, në gjurmë të pathyeshme të kombit. Në themelin e rendit shoqëror shqiptar, burrnesha mishëron tri shtylla që ndërthurin juridiken, ekonomiken dhe etiken: Jus, Oikos, Ethos. Këto nuk janë vetëm kategori përshkruese, por module të domosdoshme të mbijetesës së një shoqërie që i qëndroi kohës përmes ligjit të zakonit.

Jus. E drejta zakonore nuk ishte abstraksion, por realitet i përditshëm. Duke i njohur burrneshës status të plotë, Kanuni e bënte atë subjekt juridik të barabartë me burrin. Në këtë mënyrë, një trup femëror merrte funksion shoqëror mashkullor, jo si përjashtim i rastit, por si pjesë e rendit. Një akt i tillë dëshmon se ligji zakonor dinte të krijonte forma të jashtëzakonshme për të ruajtur ekuilibrin e komunitetit.

Oikos. Shtëpia ishte qendra e kozmologjisë shqiptare.

Pa trashëgimtar mashkull, vijimësia kërcënohej.

Burrnesha, duke marrë barrën e kujdestarisë së tokës dhe emrit, kthehej në bosht të ekonomisë morale dhe materiale. Ky akt përmbante një logjikë të brendshme hegeliane, mohimi i vetvetes për t’u ngritur në nivelin e përgjegjësisë universale.

Ethos. Fjala e dhënë dhe nderi ishin kufij të padukshëm, por më të fortë se çdo mur. Betimi i burrneshës nuk ishte vetëm solemnitet personal, ishte sakrament shoqëror që ushqente besimin kolektiv. Këtu qëndron thelbi,individi flijohej për të ruajtur rendin, duke shndërruar një akt moral në institucion shoqëror.

Kuptimi i burrneshës nuk lind nga interpretimi i sotëm i shpejtë, por nga rikthimi në horizontin ku ajo u formua.

Hans-Georg Gadamer (1960) na mëson se e shkuara kërkon të lexohet me “sy të saj,” me një horizont ku doke, frikëra dhe mundësi përbënin gjuhën e kuptimit.

Vetëm duke hyrë në këtë kohë e duke e dëgjuar me fjalorin e saj, figura e burrneshës shfaqet si institucion i rrënjosur në traditë, jo si projeksion modern. Në planin filozofik, Georg Wilhelm Friedrich Hegel (1807) e shpjegon këtë akt përmes dialektikës së sakrificës. Heqja dorë nga vetja nuk është humbje, por ngritje në një shkallë më të lartë të përgjegjësisë universale.

Betimi i burrneshës e kthen lirinë private në shërbim të jetës së përbashkët, duke i dhënë qenies formë të re. Këtu flijimi nuk është pasivitet, por akt krijues që larton dinjitetin dhe siguron vazhdimësi. Në aspektin antropologjik, Claude Lévi-Strauss (1949) e sheh shoqërinë si rrjet nyjesh që lidhin shtëpinë, nderin dhe forcën. Burrnesha shfaqet si nyja që mbyll qarkun dhe stabilizon strukturën, i jep shtëpisë zë, së drejtës trajtë, ekonomisë qëndrueshmëri. Nuk është episod i rastësishëm, por arkitekturë funksionale që lidh marrëdhëniet dhe ruan rendin. Kështu, kuptimi i saj lind nga ndërthurja e hermeneutikës, dialektikës dhe strukturalizmit, një figurë që, përmes flijimit, bëhet shtyllë e jetës së përbashkët.

Skena e Pragut

Ky ritual është akti solemn ku një vajzë, duke bërë betimin e dëlirësisë, merr rolin e burrit në familje.

Ai shndërron një zgjedhje personale në institucion shoqëror, garanton vijimësinë e shtëpisë, ruan nderin dhe pasurinë, dhe bëhet nyja që lidh brezat në kujtesë.

Mali hesht, por heshtja e tij është një tekst i lashtë që flet pa fjalë.

Ajri i freskët mban erën e barit të tharë, sikur të ishte kujtesa e tokës që ka parë shumë stinë, shumë lindje e shumë ikje.

Zogjtë, të ngrirë në fluturim, duken si nota të pezullta mbi një partiturë të padukshme, duke paralajmëruar solemnitetin e çastit. Pranë pragut, një vajzë e re vendos dorën mbi fjalën e dhënë.

Ky gjest, i thjeshtë në dukje, bart peshën e një institucioni, është akti ku individi shkrin lirinë e tij në shërbim të shtëpisë dhe fisit.

Sytë e të afërmve rrethojnë vajzën si unaza drite, dëshmitarë që e shndërrojnë aktin personal në marrëveshje shoqërore.

Heshtja rreh si daulle e brendshme, duke shënuar ritmin e një betimi që kalon përtej saj, për t’u bërë pjesë e kujtesës kolektive.

Dëshira personale shuhet, jo si zhdukje, por si transformim.

Hegeli do ta quante një ngritje dialektike, ku mohimi i vetes është themel për një “po” më të lartë ndaj jetës së përbashkët.

Kur qafa ngrihet dhe fryma vulos paktin, ky çast bëhet arketip.

Shtëpia fiton shpëtim, gjaku vijon, emri lulëzon.

Kjo skenë nuk është thjesht një ritual, por një akt ontologjik, një vajzë bëhet nyje që lidh të shkuarën me të ardhmen, duke e shndërruar sakrificën në kujtesë të pavdekshme.

Në zemrën e mendimit tradicional shqiptar, burrnesha ngrihet si figurë që mishëron rendin moral, ku jeta është e mira më e lartë, familja qendra e universit shoqëror dhe vijimësia garant i kujtesës.

Ajo shndërrohet në flakë të vatrës, simbol i një dritëruese që orienton brezat, mbron emrin dhe ruan ekonominë morale të lidhjeve.

Fëmijët që rriten, pasuria që qëndron, kujtimet që kalojnë dorë më dorë janë dëshmi e një kontinuiteti ku figura e saj mbetet bosht.

Hermeneutika e terrenit, siç e formulon Gadamer (1960), kërkon të lexojë këtë figurë jo nga jashtë, por në horizontin e saj: burrnesha nuk është metaforë, por institucion që mban gjallë një ekuilibër shoqëror.

Etika e së mirës së përbashkët, sipas traditës aristoteliane dhe të zhvilluar në mendimin bashkëkohor (MacIntyre, 1981), e shfaq burrneshën si mekanizëm që ndërthur interesin individual me atë kolektiv.

Në këtë akt, flijimi personal bëhet themel i kohezionit komunitar.

Ekonomia morale e saj e shtyn njeriun drejt përkushtimit e durimit, duke zhvendosur qendrën e gravitetit nga vetja te tjetri. Kështu, burrnesha nuk është vetëm figurë sociale, por nyje filozofike që lidhet me idenë e të mirës, të drejtës dhe të sakrificës.

Ajo është amaneti i brezave, i shkruar jo në letër, por në jetët e mbajtura së bashku.

Në planin e dukshëm, burrnesha shfaqet si akt social, por në thellësi ajo është figurë që mbart kuptime të shumëfishta filozofike dhe antropologjike.

Shkenca e skenës publike, sipas Hannah Arendt (1958), e lexon jetën e përbashkët si hapësirë shfaqjeje ku individët marrin kuptim përmes veprimit.

Në këtë dritë, burrnesha nuk është thjesht një përjashtim i traditës, por një figurë që e ngre jetën private në nivel publik, duke i dhënë asaj dinjitet politik e moral.

Analiza e pushtetit, siç e përshkruan Foucault (1977), na mëson se disiplinat nuk janë vetëm kufizime, por edhe mekanizma prodhues që krijojnë subjekte.

Betimi i burrneshës nuk duhet parë si kufizim i thjeshtë, por si akt krijues që e bën individin subjekt të një roli të ri: përfaqësues, garant, kujdestar.

Dekonstruksioni, në frymën e Derrida-s (1967), zbulon nyjet e fshehta të teksteve dhe traditave.

Figura e burrneshës, e lexuar me këtë sy, nuk është kontradiktë mes gjinisë biologjike dhe rolit shoqëror, por shpalosje e një strukture që mbijeton duke kapërcyer kategoritë binare.

Në këtë triptik të kthjellët, hermeneutikë e rrënjës, dialektikë e përgjegjësisë dhe strukturë e marrëdhënieve, burrnesha shfaqet si simbol që e tejkalon vetveten.

Kuptimi i saj nuk është vetëm në fjalët e betimit, por në terrenin ku ai betim ngjizet, në pranimin publik që e shndërron aktin personal në monument kolektiv.

Gjuha arrin kulmin e saj kur çdo fjali është një zbulesë, një dritë që ndriçon kuptimin. Paul Ricoeur (1977) theksonte se metafora nuk është zbukurim, por krijim i ri realiteti. Në këtë frymë, fjala e burrneshës duhet të ruajë qartësi kristalore dhe muzikalitet të brendshëm.

Periudhat e saj marrin frymë, duke krijuar hapësira për mendim, ndërsa tranzicionet rrëshqasin pa ngërç, si ujë që gjen rrugën e tij natyrore.

Ritmi i tekstit ngjan me një partiturë simfonike: hyrja që ngre siparin e figurës, lëvizjet që shtresojnë kuptime, intermezzo që ngulit një skenë arketipale, kulmi që e larton simbolin dhe mbyllja që vulos kujtesën.

Ky ritëm i brendshëm nuk është teknikë stilistike, por mekanizëm i të kuptuarit, është mënyra si fjala e kthen një akt lokal në monument universal.

Emblema e burrneshës, e thjeshtë por madhështore, qëndron në imazhet e saj, si flakë që ndez pragun dhe udhën e brezave, si fije drite që lidh të shkuarën me të ardhmen, si ton i ulët që mban harmoninë e orkestrës shoqërore.

Në këtë mënyrë, burrnesha nuk është vetëm figurë antropologjike, por një simbol hermeneutik që mishëron urën mes historisë dhe përjetësisë.

Pragu është vendi ku historia dhe e përditshmja takohen.

Ai ruan gjurmën e një dore të mbështetur mbi fjalë, një dorë që nuk përfaqëson vetëm individin, por gjithë peshën e brezave.

Aty qëndron amaneti, i shndërruar në tri shtylla: ligji që i jep formë jetës së përbashkët, ekonomia që mban peshën e mbijetesës dhe etika që hap horizontin e së ardhmes.

Siç kujton Aristoteli në Etika Nikomake (384 p.e.s.), e mira e përbashkët nuk është shuma e interesave private, por një qëllim i lartë që u jep kuptim të gjithëve.

Burrnesha mishëron pikërisht këtë, një akt individual që shndërrohet në themel të përbashkësisë.

Debati mbi burrneshën fiton cilësi kur nuk e sheh si kuriozitet ekzotik, por si institucion që lind nga terreni i zanafillës, nga një rend zakoni që i dha shoqërisë shqiptare instrumente mbijetese.

Hans-Georg Gadamer (1960) do të kujtonte se interpretimi i vërtetë nderon horizontin ku u formua një praktikë, pa ia marrë kuptimin me projeksione të sotme.

Në këtë dritë, burrnesha del si figurë që flet për sakrificën, nderin dhe përgjegjësinë, tre nocione që ndërtuan strukturën morale të një kombi.

Zgjedhja që paraqet burrnesha është e kthjellët, të ripërtërijmë sendin në të vërtetën e tij, pa shpërfytyrime, të ripërtërijmë familjen si qendër të kujdesit, të arsimit dhe të përkushtimit, të ripërtërijmë jetën si e mirë themelore mbi të cilën ndërtohet çdo gjë.

Në këtë horizont, burrnesha nuk është thjesht figurë e së shkuarës, por flaka e jetës shqiptare, një dritë që s’venitet.

Fjala e saj e dhënë bëhet mburojë e shtëpisë dhe udhë për kombin, një kujtesë se shoqëria që e mban fjalën e dhënë mbetet e pathyeshme edhe përballë stuhive të kohës.

Arian Galdini

Autor i librit “Neoshqiptarizmi”

Foto: telegrafi.com

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 147
  • 148
  • 149
  • 150
  • 151
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT