• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

JEHONA E VJOSËS, SIMFONI E TRADITËS NË MEMALIAJ

August 19, 2025 by s p

Ramazan Çeka/

Polifonia që ktheu Memaliajn në kryeqendrën e folklorit shqiptar.

Në qendër të Memaliajt, aty ku Vjosa rrjedh e pandalshme me madhështinë e saj të amshuar, u ndez për të dytin vit radhazi flaka e Festivalit Folklorik “Jehona e Vjosës”, duke kthyer qytetin në kryeqendër të folklorit mbarëkombëtar. Në kulmin e gushtit, në sheshin “Minatori”, mbi 150 artistë dhe 20 ansamble nga të gjitha trevat shqiptare u mblodhën për të dhuruar një magji që do të mbetet e paharrueshme.

   Çdo këngë, çdo valle, çdo ritëm shpalosi pasurinë e folklorit tonë. Publiku u bë pjesë e një magjie të përbashkët, ku traditat e veriut dhe të jugut, e gjithë Shqipëria dhe trojet shqiptare, u takuan në një valle që bashkonte gjithë kombin. Ishte një simfoni që lidhte traditat dhe emocionet në një ritëm të vetëm.

   Dy netë të mbushura me emocione të papara, garë të fortë dhe interpretime të shkëlqyera e shndërruan Memaliajn në një sofër mikpritëse. 

Parada e kostumeve tradicionale, ekspozita e pikturave e fotografive, tingujt e polifonisë dhe ritmet e valleve shpalosën një pasuri shpirtërore që e bëri publikun të ndjejë krenari e nostalgji njëkohësisht.

   Atmosfera solemne e ditës së parë u shndërrua në një zjarr emocionues në natën e dytë, kur skena u mbush me ngjyra, zëra dhe ritme të papërsëritshme. Në këtë festival, çdo këngë ishte një amanet i brezave, çdo valle një lutje e hershme, dhe çdo melodi një urë që lidhte të djeshmen me të sotmen. 

   Drejtori artistik i festivalit, z. Viktor Aliu, theksoi se ky event synon të aktivizojë dhe promovojë grupet polifonike, duke ruajtur jetën folkorike si trashëgimi shpirtërore të popullit tonë dhe duke transmetuar tek brezat e rinj dashurinë për folklorin dhe traditën. Ky festival tashmë është pjesë e kalendarit kulturor kombëtar dhe premton të mbajë gjallë traditën për shumë vite.

   Ky festival, ndryshe nga të tjerët, ka një hapësirë të gjerë gjeografike, duke bashkuar çdo vit grupe të ndryshme nga të gjitha trevat e Shqipërisë dhe trojet shqiptare, dhe duke nxjerrë në pah pasurinë dhe gjallërinë unike të folklorit burimor. Veçoria e tij qëndron pikërisht në diversitetin e grupeve të përfshira, të cilat vijnë nga komunitete të ndryshme, duke dëshmuar pasurinë dhe larmishmërinë e trashëgimisë sonë kulturore.

   Çmimet u dorëzuan nga emra të nderuar dhe u bënë një kurorë për artin, duke e kthyer ceremoninë në një moment solemn. Juria, e përbërë nga personalitete të artit dhe kulturës; dirigjenti Ermir Dizdari, specialisti i kulturës z. Sejmen Gjokoli dhe shkrimtari z. Feti Zeneli, vlerësoi me profesionalizëm grupet më të spikatura, duke shpërblyer talentin dhe pasurinë e folklorit tonë.

   Çmimi i Parë – Ansambli “Lunxheria”

   Çmimi i Dytë – Grupi Polifonik “Lazarat” & Ansambli “Haziz Ndreu”

   Çmimi i Tretë – Grupi Polifonik “Memaliaj” & Ansambli “Ferizaj”

   Çmimi i Publikut – Shoqëria Artistike “Gurra e Picarit”

   Çmimi Special i Festivalit – Ansambli Artistik “Kaltersia”

   Diploma “Simboli i Trashëgimisë” – Grupi “Krojet e Velçës”, Ansambli “Drenica”, Rapsodët e Deçanit dhe Ansambli “Mat”.

   Moderatorja Migena Kraja, me profesionalizmin dhe sharmin e saj, u shndërrua në pasqyrë të suksesit; ajo i dha festivalit hijeshi dhe bukuri, duke e kthyer çdo çast në një përjetim të veçantë, të mbushur me magji.

   Sheshi u mbush me qytetarë, me emigrantë të kthyer për pushime dhe me mysafirë nga të gjitha trevat, që u shkrinë në një valë entuziazmi të papërshkrueshëm, një pëlhurë emocionesh që i bashkoi të gjithë. Shumë prej tyre pohuan: “Në këtë qytet ndjehesh vërtet artist.”

   Festivali, i organizuar nga Shoqata “AlbAccess Open” në bashkëpunim me Bashkinë Memaliaj dhe me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, dëshmoi se trashëgimia shqiptare nuk është vetëm kujtim, por një thesar që vazhdon të frymojë dhe të gjallërojë zemrat e njerëzve.

   “Jehona e Vjosës” tashmë është kthyer në traditë, një festival që jeton në zemrat e publikut si një frymëmarrje e përhershme e kulturës sonë. Është një festë që rizgjon kujtesën dhe lidhjen e brezave me Memaliajn, një urë që bashkon shqiptarët kudo që janë, një pasqyrë ku shohim vetveten të ndriçuar nga drita e trashëgimisë sonë.

   Në atmosferen kulmore të kësaj feste, mbetet e qartë: Folklori shqiptar nuk është vetëm një kujtim i së kaluarës, por një gjallëri që frymon me çdo këngë, me çdo hap dhe me çdo valle. Në Memaliaj, këto ditë gushti, festivali foli me zërin e polifonisë, vallëzoi me ritmet e trevave dhe u përjetua si një solemnitet festiv, një poezi e gjallë e trashëgimisë kombëtare.

Filed Under: Reportazh

Shqipëria digjet, Tullaci krihet  – “Fluturon, fluturon… Canadair”

August 19, 2025 by s p

Fejton nga Rafael Floqi 

Resize the graphic to display the full text and complete figure

Shqipëria këtë verë nuk është thjesht “vendi i shqiponjave”, por vendi i zjarreve. 50 mijë hektarë pyje e tokë janë bërë hi nga janari deri sot, duke kaluar rekordin e vitit të kaluar, e ende kemi përpara muajin më të nxehtë. Një jetë njerëzore humbi në Gramsh, por ky është një detaj i vogël në skenarin ku protagonisti kryesor nuk është zjarrfikësi, por kryeministri i vendit, i ulur rehat në vilën luksoze të Dhërmiut, duke shkruar statuse për “lehaqenë” në vend që të shohë flakët që po i hanë vendin.

Ligji thotë se duhet të kemi një zjarrfikës për çdo 1,500 banorë dhe 14 zjarrfikës për stacion. Realiteti? Shqipëria ka 0.8 zjarrfikës për 1,500 banorë dhe vetëm 0.9 makina për 10,000 banorë. Mjete të kohës së qepës, lopata e bidona, dhe pas “operacionit” djemtë e zjarrfikësit shtrihen të rraskapitur në asfalt, si ushtarë të braktisur pas beteje. Kamerat termike mungojnë, avionët zjarrfikës janë fantazi, dhe strategjia e vetme e qeverisë është: “Lëreni të digjet, pastaj bëjmë një foto nga ajri për Facebook.”

Ndërkohë, kryeministri – në vitin e 13-të të pushtetit – jo vetëm nuk mban përgjegjësi, por shan gazetarët dhe i përqesh qytetarët që kërkojnë llogari. Ai harron premtimin e 25 marsit 2025: “Këtë verë do të kemi dy avionë zjarrfikës në gatishmëri për Shqipërinë.” Sot avionët nuk ekzistojnë, por gënjeshtrat po – dhe ato fluturojnë më shpejt se çdo helikopter i huazuar nga fqinjët.

Shqipëria është kthyer këtë verë në një furrë gjigante. 50 mijë hektarë tokë dhe pyje janë bërë hi, një jetë njerëzore është humbur në Gramsh, dhe në shumë zona tymi ka zëvendësuar ajrin. Por në bregdetin e Dhërmiut, lideri i kombit ka hapur një resort të ri të komunikimit publik: “Mirëmëngjesi me shezlong”.

Zjarrfikësit luftojnë me lopata, bidona dhe shishe plastike – arsenal i vitit 1978 – ndërkohë që ligji kërkon shumëfishin e forcave e pajisjeve që kemi. Kamerat termike? Luks. Avionët zjarrfikës? Përrallë. Dhe kur del pyetja: “Po premtimi i dy avionëve për këtë verë?”, vjen spektakli i ri veror i qeverisë – një lojë popullore që luhet direkt nga shezlongu:

Rama (si udhëheqës loje):
“Fluturon, fluturon… zog golashë?!”
Publiku: “Fluturooon!”

“Fluturon, fluturon… peshk shulaku?!”
Publiku: “Jo!”

“Fluturon, fluturon… Canadair?!”
Publiku: “Po!”
Rama: “Jo, nuk fluturon, se edhe po të fluturonte, nuk do bënte punë!”

Dhe loja vazhdon derisa flakët të bëjnë punën e tyre. Dhe Rama pikturon i qetë…

Në mars të këtij viti, Rama tha me solemnitet:“Flota jonë ajrore do të ketë këtë verë dy avionë zjarrfikës në gatishmëri.”

Por gushti erdhi dhe avionët jo. Në vend të tyre, kemi krahasime filozofike me Greqinë: “Edhe ata kanë 77 avionë e digjen.” Pra, sipas kësaj logjike, më mirë mos të kemi fare avionë – se zjarri shuhet më shpejt me status në Facebook se me ujë nga ajri.

Ironia është se në gushtin e vitit 2012, opozitari Rama e përqeshte Berishën: “Shqipëria digjet, kryeministri krihet!”. Sot Shqipëria digjet, kryeministri krihet… por me krem kundër diellit, me krehër imagjinar dhe me një refren të ri: Fluturon, fluturon… Canadair? Jo! Nuk fluturon!

Çdo verë, skenari është i njëjtë: zero parandalim, reagim i vonuar, pajisje të pakta, ndihmë nga jashtë. E vetmja gjë që ndryshon është retorika. Dikur zjarret ishin armë politike kundër pushtetit, sot janë pretekst për të fyer qytetarët dhe për të bërë humor me tragjeditë.

Në Shqipërinë e vitit 2025, avionët zjarrfikës nuk fluturojnë. Fluturon vetëm propaganda. Dhe krehri i një kryeministri që, edhe në mes të tymit e hirit, di të luajë një lojë fëmijësh për të mos u marrë me punën që i takon.

Sepse ndërsa vendi digjet, Tullaci krihet… dhe pyetja e vetme që dëgjohet mbi zhurmën e flakëve është: Fluturon, fluturon… Canadair?
Publiku: “Po!”
Rama: “Jo!”

Dhe vendi përcëllohet…

Filed Under: Fejton

MOTIVIMI I TË MËSUARIT TË  GJUHËS SHQIPE NË DIASPORË NËPËRMJET  PËRDORIMIT TË TEKNOLOGJISË 

August 19, 2025 by s p

Lindita Budini  

Shkodër 15 Korrik,2025

 HYRJE 

Në kushtet kur teknologjia dhe paisjet elektronike janë në përdorim masiv edhe  mësuesve të gjuhës shqipe në diasporë u nevojitet “shfrytëzimi” i tyre për të motivuar si mësimdhënien dhe mësimnxënien. Kjo jo vetëm sepse sjell metoda bashkëkohore  dhe interaktive në mësimdhënie, por ndihmon nxënësit e gjuhës shqipe në diasporë të motivohen që të përmirësojnë kompetencat gjuhësore në mënyrë më efikase dhe më të shpejtë. Studimet kanë treguar që nxënësit që përdorin aplikacione gjuhësore ose  platforma online të mësimit të gjuhës së huaj kanë një nivel më të lartë motivimi. Jo  vetëm kaq por ata janë më të integruar dhe më të familiarizuar me cështje të ndryshme  sociale dhe kulturore të gjuhës që ata mësojnë. Por në anën tjetër tregohet gjithashtu se  këto rezultate të larta varen dhe nga qëndrimi, dëshira dhe aftësia e mësuesve për të implementuar teknologjinë në orën e mësimit. 

Duke qënë se shumica e mësuesve të gjuhës shqipe në diasporë janë të arsimuar në institucionet e Shqipërisë, në periudha kohore para se teknologjia të bëhej një mjet i  fuqishëm në përdorim, ndihet një nevojë e madhe që mësuesi të marrë trajnime të  vazhdueshme në përdorimin e kompjuterit po aq sa edhe në metodat bashkëkohore. Kjo  e thënë sepse përdorimi i teknologjisë në ambientet e klasës nuk ka të bëjë vetëm me  përdorimin e kompjuterit. Nqs duam të kemi nxënës të motivuar atëherë dhe ne si  mësues na duhet të kërkojmë metoda dhe teknika më efikase që rrisin interesin dhe e  bëjnë të mësuarit më shumë argëtues.  

Ky prezantim ka si qëllim, që nëpërmjet rezultateve të një pyetësor të sjellë kontributin  e tij për të theksuar rëndësinë e teknologjisë në motivimin e nxënësve që mësojnë gjuhën shqipe. Gjithashtu në pjesën e fundit ky punim sjell një listë me aktivitete që  mund të përdoren lehtësisht nga mësuesit. (Aktivitetet janë prezantuar gjatë orës së punëtorisë në seminar). 

MOTIVIMI DHE PËRDORIMI I TEKNOLOGJISË 

Motivimi është faktori kyc në arritjen e qëllimit për të mësuar një gjuhë të huaj. Duke  u këshilluar me fjalorin fjala “motivim” përkufizohet si entuziazëm, dëshirë, arsye ose  zell për të bërë dicka. Gardner (2001) identifikon tre komponentë thelbësor të motivimit  për të mësuar një gjuhë të huaj: përpjekjen për të përvetësuar gjuhën, dëshirën për të  arritur qëllime specifike dhe sjelljen pozitive ndaj të mësuarit të gjuhës. Ne si mësues  mund ta kuptojmë dhe madje ta përcaktojmë motivimin e secilit nxënës duke i parë këta elementë në përgatitjen dhe arritjet e tyre. Ashtu si e thekson dhe Dörnyei (2001),  motivimi qoftë i brendshëm ose i jashtëm; me orientim instrumental ose integrues  (Gardner &Lambert 1972), (Ushoida 2011) luan një rol vendimtar në përcaktimin e  suksesit ose dështimit në cdo përpjekje mësimore.  

Është teknologjia e përdorur në orën e mësimit motivi që mban gjallë vazhdueshmërinë e të mësuarit? Le të marrim shembullin e një makinë luksoze. Nqs nuk ka karburant  nuk mund të lëvizë. Nqs zotëruesi i saj nuk ka patentë patjetër që do të kapet nga policia.

2 

Por mund të lind edhe pyetja nësë vërtet do na duhej një makinë e tillë kaq e shtrenjtë. Ose nqs jemi shumë njerëz a nuk do ishte më mirë të përdornim transportin publik?1 

Pra, ashtu si konsiderimi i cdo detaji në përdormimin e makinës për të arritur në destinacion, në të njëjtën mënyrë, mësuesi dhe nxënësi duhet të përzgjedhin teknologjinë në arritjen e objektivave të mësimit. Pa patur një ide të qartë të përdorimit  të teknologjisë edhe rezultatet e të mësuarit nuk do të jenë të kënaqshme -nxënësi do të humbasë interesin dhe për mësuesin ora e mësimit do bëhet një rutinë e mërzitshme dhe  e lodhshme. Dudeney (2022) vë në dukje se teknologjia vetë, nuk i motivon nxënësit  për një kohë të gjatë, por në kombinim me një mësues të mirë, aktivitete interesante  dhe materiale të dezinjuara mirë, mund të luajë një rol domethënës që ti mbajë nxënësit të angazhuar në të mësuarin e gjuhës. Në fund të fundit ne synojmë të kultivojmë te  nxënësit pavarësinë për të mësuar edhe jashtë ambienteve të klasës duke i mbajtur të  apasionuar në qëllimet që ata duan të arrijnë. 

Për mësuesit nuk është e nevojshme të mendojnë të krijojnë orën më të shkëlqyer të mësimit duke përdorur sa më shumë teknologji, por të realizojnë objektivat e vendosur duke integruar edhe teknologjinë nëse shihet e arsyeshme. Sipas Stanley (2013) mund  të ndiqet një listë me pyetje të thjeshta që qartësojnë mësuesit nëse përdorinmi  teknologjisë është një ide e mirë për atë orë mësimi. 

1. Pse të përdoret teknologjinë?  

2. Për kë është më i mirë përdorimi i teknologjisë? 

3. Për cfarë mund të përdoret teknologjiamë mirë? 

4. Ku duhet të përdoret teknologjia? 

5. Kur duhet të përdoret teknologjia? 

6. Si duhet të përdoret teknologjia? 

Sipas Stanley këto pyetje nuk kanë si qëllim të kritikojnë përdorimin e teknologjisë por  më shumë kanë tendencën të vënë një baraspeshë midis aftësisë që mësuesi ka në përdorimin e teknologjisë dhe përzgjedhjes së mjetit teknologjik për aktivitetin e  radhës. Sipas Reinders (2022) teknologjia mund të luaj një rol tranformues dhe me vlere  në mësimdhënie vetëm kur përdoret me qëllime pedagogjike. Ky transformim do të ketë më shumë rezultate kur mësuesit janë trajnuar për të qënë përdorues konfident dhe  entuziast të teknologjisë me qëllim që të nxisin interes të vazhdueshëm, përgjegjësi për  të mësuarin dhe motivim të lartë gjatë procesit të të mësuarit të gjuhës në të gjitha  kompetencat gjuhësore. 

STUDIMI 

Pyetësori i formuluar në Google Form, pati si qëllim të mbledh opinionet e mësuesve  rreth përdorimit të teknologjisë. Ky pyetësor u bazua në disa nga pyetjet e ngritura nga  

 1 Shembull i marrë nga “Our experts advise on Using Technology to motivate learners” fq. 9

3 

(Stanley 2013) të përmendura më sipër. Sipas tij teknologjia duhet të jetë pjesë e asaj që mësuesi është duke bërë në orën e mësimit, dhe jo një pushim, lehtësim ose  shpërblim për nxënësin. Këtij pyetësori ju përgjigjen rreth 37 mësues nga 8 shtete në  diasporë: 18 mësues nga Greqia, 11 mësues nga Italia, 2 mësues nga Austria, 2 mësues  nga Gjermania, 1 mësues nga Anglia, 1 mësues nga Kanadaja, 1 mësues nga Suedia  dhe 1 mësues nga Norvegjia. Mësuesit ishin të moshës nga 25 vjec deri në 51vjec e lart.  Gjithashtu pjesa më e madhe e mësuesve të pyetur kishin kryer studimet për mësuesi  në universitet e Shqipërise, dhe vetëm një pjesë e konsiderueshme kishin kryer studime  të tjera në vendet ku jetojnë përkatësisht.  

ANALIZË E PYETJEVE TË PYETËSORIT 

⮚ A i përdorni paisjet teknologjike gjatë orës së mësimit?  

Për të krijuar një ide sa më të qartë nëse teknologjia përdoret gjatë orës së mësimit të  gjuhës shqipe në diasporë 4 prej 37 mësuesve ju përgjigjen negativisht, dmth nuk  përdorin teknologji në një orë mësimi. Edhe pse është një numër i vogël përsëri lihet  vend për të ngritur disa pyetje të konsiderushme: 

– nëse mësuesit nuk janë të qartë me termin teknologji, pasi të gjithë jemi të  pajisur me një telefon celular të lidhur me internetin;  

– nëse mësuesit mund të kenë mungesë aftësie dhe njohurie në përdorimin e  mjeteve teknologjike në ambientet që japin mësim ose e thënë më mire mbartin  një frikë nga teknologjia;  

– ose nëse klasat ku japin mësim kanë mungesa të aparateve teknologjike.  

Prandaj ndërsa përpiqemi ti japim rëndësi të mësuarit të gjuhës shqipe në diasporë,  duhet ti japim po aq rëndësi dhe zhvillimit professional të mësuesve dhe aspekteve të  tjera që plotësojnë formimin e tyre. Në artikullin “Nuk ka vend në klasë për analfabetët  dixhital”, botuar në gazetën Guardian (2012), Gavin Dudeney thekson: 

“Ndërsa teknologjia është po aq pjesë e jetës personale dhe profesionale sa janë  edhe stilolapsat dhe librat, kam frikë se do të dështojmë të luajmë rolin tonë në  paisjen e tyre (të nxënësve) për të ardhmen. …” 

Gjithashtu ai parashikon se nëse mbetemi kryesisht analfabetë në terma dixhitalë,  rrezikojmë të përfundojmë si një bezdi e parëndësishme në jetën e përditshme të  njerëzve që pretendojmë se i ndihmojmë, pasi realiteti është se të rinjtë e sotëm janë më  shumë të përditësuar me risitë e teknologjisë sesa ne mësuesit. 

⮚ Kujt i shërben përdorimi i teknologjisë? 

Në përgjigjen e pyetjejes së mësipërme shumica e mësuesve e shikojnë teknologjinë si  një mjet të nevojshëm si për mësuesin edhe për nxënënsin. Më poshtë po ju sjell një  tabelë të përfitimeve që kanë nxënësit dhe mësuesit nga përdorimi i teknologjisë.2 

 2 Përfitimet u referohen nxënësve dhe mësuesve të anglishtes, marrë nga “Our experts advise on Using  Technology to motivate learners” Oxford University Press. fq. 10

4 

Përfitimet për nxënësit Përfitimet për mësuesit
Mundësi për tu ekspozuar me gjuhën si brenda  ashtu dhe jashtë ambientit të klasësMësuesi pasuron të mësuarit me një larmi  aktivitetsh
Përdorim i gjuhës autentike Mësuesit mund të përdorin lirshëm gjuhën  autentike
Fleksibilitet në të mësuar dhe pavarsi e  përdorimit të mjeteve teknologjike që nxënësi ka  në përdorimMësuesi i fokuson nxënësit dhe u jep udhëzime  drejt një përdorimi pedagogjik dhe të  përgjegjshëm të paisjeve
Gjuha mësohet në lidhje me vendodhjen,  interesin, nevojat ose situatat relevante të  nxënësitMësuesit i drejtojnë nxënësit në atë që është  reale për të mësuar
Nxënësit kanë mundësi të përfshihen në  komunitete sociale onlineMësuesit u krijojnë nxënësve mundësi  komunikimi dhe bashkëpunimi edhe jashtë  klasës duke krijuar rrjete komunikimi
Nxënësit kanë mundësi të përfshihen në vet vlerësim të përdorimit të gjuhësMësuesit monitorojnë rezultatet dhe  identifikojnë problemet

Sic duket nga tabela përfitimet e mësuesve janë më shumë punë diagostikuese,  feedback, më shumë monitorime dhe më shumë burime për tu përdorur. Ashtu si në cdo  aspekt jetësor teknologjia në përvetsimin e një gjuhe ka si qëllim të sjell cilësi në  rezultate dhe kursim kohe në përgatitjen e materialeve të përdorura gjatë orës së 

mësimit. 

⮚ Ku dhe si mund të përdoret teknologjia? 

Pyetjet e tjera mblodhën informacion se kur dhe si duhet të përdoret teknologjia. Duke  u bazuar në përgjigjet e dhëna nga mësuesit arrihet në përfundimin se cfarë do lloj mjeti  teknologjik që përdoret duhet të jetë në masë të caktuar, në bashkërendim me librin e  kursit dhe në një kohë të limituar për të mos humbur objektivat e caktuara për orën e  mësimit. Këto përgjigje zbulojnë angazhimin e mësuesve për të përqafuar metodat e  reja që mundësohen nga përdorimi i teknologjisë sipas njohurive, mundësive dhe  aftësive të gjithësecilit. Është për tu theksuar gjithashtu se në përgjigjet e tyre mësuesit  kishin të qartë idenë se me përdorimin e teknologjisë duhet konsideruar dhe mosha e  nxënësve duke parashtruar kështu dhe cështjen e sigurisë së fëmijëve. 

KONKLUZIONE DHE REKOMANDIME 

Ky studim solli, së pari, mendime nga studiues të mësidhënies kryesisht të gjuhës  angleze të cilët hedhin dritë mbi faktin se teknologjia është e nevojshme për të motivuar  nxënësit gjatë procesit mësimor të një gjuhe. Së dyti, u sollën rezultatet e një pyetësori  që treguan se mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë e konsiderojnë teknologjinë si një 

mjet të rëndësishëm që ndihmon mbarëvajtjen e mësimit dhe angazhimin e nxënësve si  brenda dhe jashtë mureve të klasës.  

Po në anën tjetër mbetet akoma një domosdoshmëri realizimi i studimeve dhe kërkimeve më konkrete, me qëllim që rezultatet të konsiderohen për qëllime edukative  dhe arsimore vecanërisht për mësuesit e diasporës sic janë trajnimet, përgatitja e 

5 

materialeve didaktike dhe dixhitale në ndihmë të tyre apo dhe për krijimin e rrjeteve të  punës që kontribojnë në rritjen e cilësisë në mësimdhënie në diasporë dhe mërgatë. 

Teknologjia luan një rol të rëndësishëm në arsim dhe domosdoshmërisht dhe në mësimin e një gjuhe të huaj. Mësimi i gjuhës shqipe në diasporë duhet të përdorë teknologjinë jo vetëm në përshtatje me mësimdhënien e lëndëve të tjera edukative por  dhe si një mjet motivimi për nxënësit me qëllim që orët e mësimit të jenë të pëlqyera  dhe të mësuarit të marri formën autonome dhe të ketë jetgjatësi.  

REFLEKTIM 

Si mësues të përkushtuar të gjuhës shqipe në diasporë, misioni ynë kryesor është t’i  orientojmë nxënësit tanë, të cilët tashmë i përkasin gjeneratës së tretë të shqiptarëve  jashtë vendit, të mësojnë gjuhën shqipe si mjet i një komunikimi që mban gjallë lidhjen  dhe bashkimin me të afërmit e tyre në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe kudo  ku familjarët e tyre gjenden. Roli ynë si mëuses kapërcen promovimin e të sjellurit në  klasë mjete novatore, metoda efektive apo informacionet e fundit për të realizuar orën  më të mrekullueshme të mësimit. Në këtë kontekst orët e mësimit marrin formën e  përgatitjes së udhëtimeve me destinacione të larmishme dhe shumë domethënëse për  cdo nxënës drejt tokës amë. 

Filed Under: Kulture

Dita Botërore në Kopshtet Kulturore të Cleveland-it – 24 Gusht 2025

August 19, 2025 by s p

Merrni pjesë në një ditë të paharrueshme plot muzikë dhe Paradën e Flamujve, ku kultura të ndryshme nga e gjithë bota do të përfaqësohen në një atmosferë festive në Kopshtet Kulturore të Cleveland-it.

📅 Data: 24 Gusht 2025

📍 Vendi: Cleveland Cultural Gardens

🇺🇸

🌍 One World Day at the Cleveland Cultural Gardens – August 24, 2025

Be part of an unforgettable day filled with music and the Parade of Flags, where cultures from around the globe are represented in a festive atmosphere at the Cleveland Cultural Gardens.

📅 Date: August 24, 2025

📍 Location: Cleveland Cultural Gardens

Filed Under: Komunitet

Përpjekjet e para të diplomacisë kosovare në ekzil për të sensibilizuar liderët perëndimorë

August 19, 2025 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Letra e Nikë Gjeloshit drejtuar Helmut Kohl (1993) në Arkivin Politik të Minstrisë së Jashtme të Gjermanisë.

Letra e nënshkruar nga Nikë Gjeloshi, në atë kohë zëvendëskryeministër i Qeverisë në ekzil të Kosovës, i është dërguar kancelarit gjerman Helmut Kohl në prill 1993. Dokumenti i takon një periudhe kritike, kur pas shpërbërjes së Jugosllavisë luftërat në Kroaci dhe Bosnje po zhvilloheshin me intensitet, ndërsa Kosova mbetej nën presion të madh ushtarak dhe politik nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit. Përfaqësuesit politikë të Kosovës kërkonin mbështetje ndërkombëtare për çështjen e pavarësisë dhe për ta shmangur shpërthimin e një lufte të re në rajon.

Përmbajtja kryesore

Letra artikulon disa pika themelore:

– Paralajmërimi për rrezikun e konfliktit në Kosovë – Gjeloshi e paraqet situatën si të ngarkuar me rrezik, duke e lidhur paqen e Kosovës me stabilitetin e Evropës.

– Kritika ndaj regjimit të Millosheviqit – theksohet se Serbia po mbante trupa të mëdha ushtarake në Kosovë për të ushtruar presion mbi shqiptarët, duke ndjekur një strategji të destabilizimit rajonal.

– Argumentimi historik dhe juridik – kujtohet vendimi i padrejtë i Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913) dhe Konferencës së Paqes në Versajë, kur Kosova u nda nga territoret shqiptare, duke theksuar se populli shqiptar kurrë nuk e kishte pranuar këtë ndarje.

– Referenca tek e drejta ndërkombëtare dhe parimet e vetëvendosjes – Gjeloshi e lidh kauzën kosovare me parimet e reja të rendit ndërkombëtar pas Luftës së Ftohtë, duke përmendur referendumin e vitit 1991 dhe zgjedhjet parlamentare të vitit 1992 si shprehje të vullnetit demokratik.

– Apel për mbështetje gjermane dhe perëndimore – theksohet se Kosova ka potencial njerëzor, burime natyrore dhe vullnet demokratik, duke u paraqitur si faktor që do të kontribuonte në paqen rajonale dhe evropiane.

Letra e Gjeloshit ka një vlerë të veçantë si dëshmi e përpjekjeve të diplomacisë kosovare në ekzil për të sensibilizuar liderët perëndimorë. Ajo tregon se elitat politike të Kosovës e perceptonin çështjen jo si një problem të izoluar, por si pjesë e rendit të ri evropian pas Luftës së Ftohtë. Në këtë kuptim, dokumenti reflekton qasjen e lidershipit të atëhershëm ksoovar: kombinimin e legjitimitetit historik me kërkesën për mbështetje ndërkombëtare në bazë të parimeve të demokracisë dhe të drejtës së popujve për vetëvendosje.

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 211
  • 212
  • 213
  • 214
  • 215
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT