• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPTARËT DHE EURO-INTEGRIMI I MAQEDONISË QË U SHPALL SI SYNIM I PËRBASHKËT, POR U SHNDËRRUA NË PROJEKT ME BARRË TË PABARABARTË 

November 11, 2025 by s p

Sa më shumë shqiptarët e trajtonin Perëndimin si fat historik dhe garanci ekzistence, aq më shumë një pjesë e elitave maqedonase e shihnin atë si proces që duhej kontrolluar, modifikuar dhe zvarritur. Nëse shqiptarët flisnin me gjuhën e idealit, elitat maqedonase flisnin me gjuhën e interesit. Nëse të parët besonin se integrimi do të shndërronte shtetin në hapësirë të barazisë qytetare, të dytët e përdornin integrimin si makijazh politik për të shmangur transformimin real. 

Nga Prof.dr.Skender ASANI

Në historinë moderne të Maqedonisë, euro-integrimi nuk ka qenë kurrë vetëm një proces teknik; ai ka qenë projekt identiteti, akt legjitimimi dhe shpesh instrument i pushtetit. Por pas kësaj fasade të retorikës evropiane, janë shfaqur dy realitete të kundërta: njëri idealist, që e pa Evropën si horizont emancipimi dhe barazie; tjetri pragmatik, që e përdori atë si mburojë për ruajtjen e status quo-së së brendshme. Kjo dykuptimësi e procesit ka prodhuar një histori kontradiktore, ku shqiptarët u shfaqën si shtytës të pandalur të orientimit perëndimor, ndërsa elitat maqedonase si administruese me hezitime, kalkulime dhe frikë nga barazia e brendshme që Evropa nënkupton.

Sa më shumë shqiptarët e trajtonin Perëndimin si fat historik dhe garanci ekzistence, aq më shumë një pjesë e elitave maqedonase e shihnin atë si proces që duhej kontrolluar, modifikuar dhe zvarritur. Nëse shqiptarët flisnin me gjuhën e idealit, elitat maqedonase flisnin me gjuhën e interesit. Nëse të parët besonin se integrimi do të shndërronte shtetin në hapësirë të barazisë qytetare, të dytët e përdornin integrimin si makijazh politik për të shmangur transformimin real. Kështu, çdo krizë, çdo kompromis, çdo vonesë u shpjegua si “çmim për Evropën”, ndërsa në thelb shërbeu për ruajtjen e asimetrisë së pushtetit dhe të mendësisë hegjemoniste.

Në këtë lojë të gjatë të perceptimeve, shqiptarët nuk hynë si spektatorë, por si garantë të kursit perëndimor. Ata investuan më shumë se kushdo tjetër në arkitekturën e këtij orientimi nga Marrëveshja e Ohrit e deri te anëtarësimi në NATO, duke mbajtur mbi supe peshën e reformave dhe stabilitetit, shpesh në dëm të vetvetes. Subjekti politik shqiptar që lindi nga Marreveshja e Ohrit nuk ishte thjesht një parti; ishte kolona e shtetit, ura midis paqes dhe transformimit, garancia që Maqedonia do të qëndronte në kursin euro-atlantik. Por ky mision, sa historik aq edhe tragjik, pati një kosto ekzistenciale: sa më shumë ky subjekt mbronte proceset shtetërore, aq më shumë zvogëlohej politikisht; sa më shumë siguronte paqen, aq më shumë akuzohej për stagnim; sa më shumë gar synonte Perëndimin, aq më shumë rrezikonte të mbetej pa vend në brendësinë e tij. Historia, në mënyrë ironike, i ndëshkon ata që mbajnë urën, para se të kalojnë mbi të.

Kështu, euro-integrimi, që u shpall si projekt i përbashkët, u shndërrua në projekt me barrë të pabarabartë. Shqiptarët investuan besim, energji dhe durim; elitat maqedonase shpesh investuan taktika vonese, krizash të simuluara dhe premtime që zhdukeshin në mjegullën e tranzicionit. Integrimi u përdor për të shtyrë reformën, jo për ta përshpejtuar; për të mbuluar asimetrinë, jo për ta shëruar atë. U krijua një doktrinë e heshtur: “stabiliteti sot, barazia nesër” por “nesër” u bë formula e përhershme e mosbarazisë.

Shqiptarët nuk e sfiduan asnjëherë orientimin perëndimor; ata sfiduan padrejtësinë brenda tij. Sepse një shtet nuk evropianizohet duke u njohur nga Brukseli, por duke njohur vetveten në frymën e vlerave të Evropës: në respektin për barazinë, në reciprocitetin e të drejtave dhe në dinjitetin qytetar të paprekshëm. Kjo është arsyeja pse euro-integrimi i Maqedonisë sot nuk mund të matet vetëm me nënshkrime marrëveshjesh, por me sinqeritetin e brendshëm për ta bërë shtetin pjesë të Evropës së vlerave, jo vetëm të Evropës së institucioneve.

Dhe sot, kur procesi integrues përplaset me lodhjen politike, me rikthimin e nostalgjive sllave dhe me instrumentalizimin e retorikës evropiane për qëllime të brendshme, bëhet e qartë se rreziku më i madh nuk vjen nga jashtë, por nga brenda: nga mungesa e vullnetit për ta bërë Perëndimin pjesë të ADN-së institucionale të shtetit.

Kjo është koha për ta thënë me zë të lartë: Evropa nuk është më premtim i ardhshëm, është provim i tashëm. Dhe Maqedonia nuk mund të kalojë këtë provim duke ruajtur logjikën e vjetër të dominimit etnik e institucional. Shqiptarët e kanë dhënë provimin e tyre me stabilitetin, me besimin, me përkushtimin ndaj kursit perëndimor. Tani është radha e tjetrit, e shtetit, që ta provojë se nuk kërkon integrim për legjitimitet të jashtëm, por për transformim të brendshëm.

Sepse pyetja nuk është më: “A do të shkojmë drejt Perëndimit?”, por: “A do të guxojmë të bëhemi Perëndim brenda vetes?”

Nëse kjo pyetje mbetet pa përgjigje, atëherë procesi euro-integrues rrezikon të shndërrohet në një referendum moral për të ardhmen e shtetit: midis idealit që frymëzon dhe politikës që devijon; midis Perëndimit si fat dhe instrumentalizimit të tij si alibi. Dhe në këtë referendum të heshtur, shqiptarët për të disatën herë në histori do të jenë përsëri busulla që e mban anijen në drejtim, edhe atëherë kur spiranca e së vjetrës përpiqet ta ndalojë lëvizjen.

Ky është alarmi i kohës: Euro-integrimi nuk është më strategji; është provë ekzistence.
Dhe kush dështon ta kuptojë këtë, rrezikon të mbetet jo vetëm jashtë Evropës, por edhe jashtë historisë.

Filed Under: Emigracion

Gëzuar festën e veteranëve të ushtrisë-Happy Veterans Day!

November 11, 2025 by s p

Gezuar festen gjithë kolegëve tanë në ushtrinë Amerikane dhe ne Forcat e Armatosura Shqiptare.

Pa marre parasysh faktin që jam larguar përkohësisht nga vendi, kam kënaqësinë dhe privilegjin që të mos shkëputem nga profesioni më i bukur dhe dinjitoz për 35 vite në ushtrinë shqiptare.

Pavarësisht një formati tjetër pak me ‘civil’, përsëri stërvitja e pjesëtarëve të agjensive të ligjit është një privilegj i madh qe jo çdo kush e ka jashtë vendit.

Në të njëjtën kohë, dëshiroj të uroj gjithë pjesëtarët e kontigjenteve të Forcave Speciale dhe Komando Shqiptare me të cilet pata privilegjin, kenaqesine dhe pergjegjesine te kontribojme ne interes te paqes globale, te luftojme krah per krah ushtrise me te forte ne bote ne terrenet me te rrezikshme te globit, duke shpalosur anet dhe cilesite me te mira te Kombit Shqiptar.

Nje pjese e tyre jane sot ne ROS, nje pjese kane dale ne lirim, nje pjese jane larguar padrejtesisht nga puna, por ka nga ata qe arriten deri ne majen e shtetit si President Republike, Ministra të Brendshem, Shef Shtabi te Pergjithshem, deputete perfaqesues te popullit ne Parlamentin Shqiptar por jo vetem duke pasqyruar anen me patriotike, profesionale dhe te pergjegjshme te ushtarakut Shqiptar.

Me këtë rast kujtojmë heronjtë tanë të cilët ranë në krye të detyrës. I paharruar qoftë kujtimi i tyre.

Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja.

Dr. Dritan Demiraj – “Nderi i Kombit”

Filed Under: Histori

VATRA FTON SHQIPTARËT E AMERIKËS NË FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR MË 28 NËNTOR 2025 NË NEW YORK

November 11, 2025 by s p

VATRA FTON SHQIPTARËT E AMERIKËS NË FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR MË 28 NËNTOR 2025 NË NEW YORK.

Filed Under: Vatra

PANAIRI I LIBRIT TIRANA 2025, SFIDA DHE PERSPEKTIVA TË BOTIMEVE SHQIPTARE NË EPOKËN DIGJITALE

November 11, 2025 by s p

Nga dr. Mujë Buçpapaj/

Prej datës 12 deri më 16 nëntor 2025, Pallati i Kongreseve në Tiranë do të mirëpresë Panairin e Librit “Tirana 2025”, një ngjarje themelore e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë që, prej rreth tri dekadash, konsolidon rëndësinë e saj si forumi kryesor i reflektimit mbi zhvillimet editoriale, ekonomike dhe kulturore të librit shqip. Ky panair, përtej funksionit ekspozitiv, është një laborator i ideve dhe politikave kulturore, ku ndërthuren dimensioni ekonomik, misioni shoqëror dhe vizioni strategjik për të ardhmen e industrisë së botimeve shqiptare në raport me transformimet rajonale dhe globale.

Industria e botimeve shqiptare përballet sot me një kompleks sfidash strukturore, të cilat përfshijnë kostot e larta të shtypjes, mungesën e kapitalit qarkullues, si dhe një infrastrukturë ende të brishtë të shpërndarjes. Edhe autorë të njohur shpesh botojnë tirazhe modeste, prej 30–50 kopjesh, si pasojë e barrierave financiare që kufizojnë qarkullimin e librave. Libraritë, që në modelet ndërkombëtare janë qendra të rëndësishme edukative dhe kulturore, mungojnë në mbi 70 për qind të qyteteve shqiptare, duke u detyruar të funksionojnë më shumë si kancelari sesa si institucione të mirëfillta kulturore. Ky boshllëk strukturor e bën industrinë e librit një sektor që mbijeton më shumë përmes pasionit se sa përmes politikave të qëndrueshme ekonomike.

Në planin rajonal, sfidat janë po aq të dukshme. Librat shqip të botuar në Prishtinë, Shkup, Tetovë apo Ulqin rrallë arrijnë në tregun e Tiranës, ndërsa botimet e kryeqytetit kanë shpërndarje të kufizuar jashtë vendit. Fragmentimi i tregut ballkanik, mungesa e bashkëpunimit logjistik dhe kostoja e lartë e transportit pengojnë krijimin e një hapësire të unifikuar të librit shqip. Kjo mungesë e integrimit rajonal ndikon drejtpërdrejt në qarkullimin e ideve, në zhvillimin e lexueshmërisë dhe në aftësinë konkurruese të botuesve shqiptarë në tregun ndërkombëtar.

Në vendet e rajonit dhe më gjerë në Europë, panairet e librit janë shndërruar në platforma strategjike për zhvillimin e industrisë botuese dhe diplomacisë kulturore. Në Frankfurt, Londër, Paris, Bolonjë apo Beograd, shteti dhe bashkitë mbështesin financiarisht pjesëmarrjen e botuesve, shpesh duke subvencionuar pavionet kombëtare dhe duke ofruar hapësira falas për botuesit e vegjël dhe autorët e rinj. Këto panaire janë jo vetëm qendra ekspozimi, por ekosisteme të bashkëpunimit profesional, ku ndërtohen marrëveshje ndërkombëtare për të drejtat e autorit, përkthime, bashkëprodhime dhe rrjete të reja distribucioni. Shembujt e Beogradit, Sofjes apo Bolonjës tregojnë se mbështetja e strukturuar publike dhe partneriteti me sektorin privat garantojnë qëndrueshmëri, ndikim kulturor dhe zhvillim të qëndrueshëm të industrisë së librit.

Në këtë kontekst, mbështetja institucionale dhe politikat publike mbeten vendimtare për mbijetesën dhe përparimin e industrisë botuese shqiptare. Pa mekanizma të qëndrueshëm financimi dhe pa legjislacion që inkurajon sponsorizimin e kulturës dhe librit, sektori rrezikon të humbasë funksionin e tij kulturor e edukativ. Modelet europiane dëshmojnë se ligjet e sponsorizimit, që lejojnë përfshirjen e sipërmarrjeve private në mbështetjen e artit dhe kulturës, nxisin qarkullimin, krijimtarinë dhe aksesin më të gjerë të lexuesve ndaj librit.

Një aspekt konkret që kërkon vëmendje të menjëhershme nga qeveria shqiptare është heqja e tarifave të pjesëmarrjes për botuesit në panairet kombëtare të librit. Së paku një herë në vit, shteti duhet të mundësojë pjesëmarrje falas për të gjithë operatorët e tregut, nga botuesit e mëdhenj te iniciativat e vogla, libraritë e pavarura dhe platformat digjitale. Përvoja e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës e njohur si Piramida, e cila organizoi në vitin 2007 nën drejtimin tim, një panair libri falas për të gjithë pjesëmarrësit, duke vetëfinancuar rreth 70 mijë euro, tregoi se një model i tillë prodhon rezultate të matshme: rritje të numrit të botuesve, ulje të çmimeve të librave dhe një pjesëmarrje të jashtëzakonshme të lexuesve. Një politikë e tillë nuk duhet parë si shpenzim buxhetor, por si investim strategjik në kapitalin kulturor kombëtar.

Në të njëjtën linjë, botuesit shqiptarë mund të përfitojnë gjerësisht nga programet e Bashkimit Europian që mbështesin zhvillimin e industrive kulturore dhe krijuese. Nisma të tilla si Creative Europe, Digital Europe Programme dhe European Collaborative Cloud for Cultural Heritage ofrojnë fonde për përkthimin, botimin dhe qarkullimin ndërkombëtar të librave, si dhe për trajnimin e stafit, digjitalizimin e proceseve editoriale dhe modernizimin e teknologjive të shtypjes. Përmes pjesëmarrjes në konsorciume ndërkombëtare, botuesit shqiptarë mund të rrisin standardet profesionale, të hyjnë në rrjete të shpërndarjes ndërkombëtare dhe të avancojnë drejt transformimit digjital. Programet si Circulation of European Literary Ëorks nën Creative Europe mbështesin përkthimin dhe promovimin e letërsisë evropiane, ndërsa projektet e Digital Europe synojnë ngritjen e kapaciteteve digjitale në fushën e kulturës. Këto janë mundësi konkrete për të modernizuar industrinë shqiptare të librit dhe për ta integruar atë në ekosistemin kulturor të kontinentit.

Një tjetër dimension kyç lidhet me transformimet globale në mënyrën e prodhimit dhe konsumimit të librit. Në mbarë botën, libri i printuar përballet me konkurrencën e vazhdueshme të formateve digjitale e-book dhe audio-librave, të cilët kanë ndryshuar thellësisht mënyrën se si lexuesit ndërveprojnë me tekstin. Kjo kërkon nga botuesit shqiptarë të zhvillojnë strategji multiformate, që ruajnë traditën e librit të shtypur duke integruar teknologjitë bashkëkohore. Për tregun shqiptar në Ballkan, me kapacitete financiare dhe infrastrukturore ende të kufizuara, kjo sfidë mund të shndërrohet në mundësi nëse shoqërohet me mbështetje institucionale dhe politika që nxisin inovacionin dhe qasjen e qëndrueshme në të gjitha formatet.

Një sfidë po aq e rëndësishme është aktivizimi i brezave të rinj në kulturën e leximit. Në një epokë ku vëmendja shpërndahet nga mediat digjitale, është e domosdoshme që programet arsimore, bibliotekat dhe botuesit të bashkëpunojnë në nisma krijuese: programe leximi në shkolla e universitete, klube leximi, evente interaktive, gamifikim të përvojës së leximit dhe promovim të librave përmes rrjeteve sociale. Këto strategji synojnë të krijojnë një ekuilibër të ri kulturor mes leximit të printuar dhe konsumit digjital, duke ruajtur identitetin kulturor dhe estetik të librit.

Nëse mungon ndërhyrja dhe mbështetja e qeverisë, industria e librit të printuar në Shqipëri rrezikon një tkurrje progresive brenda dekadës së ardhshme. Pa subvencione, politika fiskale lehtësuese dhe investime në shpërndarje e teknologji, shumë botues të vegjël do të zhduken, tirazhet do të bien ndjeshëm dhe libri i shtypur do të mbetet një produkt elitar, i paarritshëm për publikun e gjerë.

Pas 10 apo 20 vjetësh, në mungesë të ndërhyrjes publike, tregu do të dominohet nga formate digjitale dhe platformat ndërkombëtare, ndërsa libri i printuar shqip do të ekzistojë më shumë si objekt simbolik e koleksionist, sesa si instrument i gjallë i komunikimit kulturor. Vetëm një politikë kulturore aktive dhe e qëndrueshme mund ta mbrojë librin e shtypur si pjesë të identitetit dhe kujtesës kulturore kombëtar

Në këtë kuptim, Panairi i Librit Tirana 2025 është shumë më tepër se një ekspozitë vjetore, ai është një hapësirë reflektimi kombëtar, një platformë e dialogut profesional dhe qytetar mbi misionin emancipues të librit. Pjesëmarrja në këtë panair nuk është vetëm një akt tregtar, por një akt qytetar dhe kulturor, një investim në të ardhmen e shoqërisë shqiptare, në përforcimin e vetëdijes sonë kulturore dhe në rigjallërimin e leximit si akt i lirisë dhe mendimit të pavarur.

Në përmbyllje, urojmë suksese Panairit të Librit Tirana 2025, organizatorëve, botuesve, autorëve dhe lexuesve, duke ftuar publikun e gjerë të bëhet pjesë aktive e këtij procesi, duke vizituar edhe pavionin e Botimeve Nacional që do të jetë pjesë e këtij panairi. Le ta shohim librin jo si mall të tregut, por si energjí kulturore, që formëson mendimin, nxit qytetarinë dhe përforcon identitetin tonë europian.

*Autori i shkrimit është themelues dhe botues i gazetës letrare dhe kulturore, javores Nacional, drejtues i Botimeve Nacional, Tiranë, poet me njohje nderkombëtare, studiues i letërsisë dhe promovues nderkomëtar i letërsisë.

Filed Under: Analiza

“Paradigmat e vetmisë në poezi” – një urë shpirtërore mes letërsisë shqiptare dhe rumune

November 11, 2025 by s p

Shtëpia botuese Onufri, një nga emrat më të njohur të botimeve letrare në Tiranë, ka njoftuar daljen nga shtypi të librit më të ri të studiuesit Dr. Luan Topçiu, me titull “Paradigmat e vetmisë në poezi”. Vepra, me rreth 400 faqe, përbën një nga botimet më të rëndësishme të këtij sezoni kulturor dhe do të jetë së shpejti e pranishme në Panairin e Librit të Tiranës.

Ky libër qëndron në kufirin midis kritikës letrare, filozofisë dhe poetikës krahasimtare, duke iu drejtuar si studiuesit të fushës, profesorëve të letërsisë, studentëve, ashtu edhe lexuesit që kërkon të kuptojë më thellë aktin krijues, kompleksitetin e tij dhe dimensionet shpirtërore të njeriut ballkanik. Me një qasje të balancuar mes racionalitetit dhe intuitës, autori ndërton një analizë të pasur mbi vetminë dhe mallin si përvoja themelore të qenies njerëzore, duke ndërthurur filozofinë, psikologjinë, gjuhësinë dhe estetikën poetike në një studim gjithëpërfshirës.

Në parathënien e librit, akademiku rumun Prof. univ. Dr. doc. Alexandru Balaci, anëtar i Akademisë Rumune, e vlerëson veprën si “një studim të shkëlqyer në fushën e letërsisë krahasimtare”, duke theksuar se “autori dëshmon aftësi të rralla për të dhënë gjykime me vlera shkencore për ndërlidhjet kulturore ndërmjet lirikës shqiptare dhe asaj rumune.”

Me gjuhën e pasur dhe stilin e matur akademik, “Paradigmat e vetmisë në poezi” është më shumë se një studim letrar – është një meditim mbi njeriun dhe vetminë e tij krijuese.

Autori ndërton një urë shpirtërore mes Shqipërisë dhe Rumanisë, duke bashkuar dy letërsi që ndajnë të njëjtin ritëm të brendshëm, të njëjtën ndjenjë të mallit apo histori të ngjashme.

Ky botim i ri i Onufrit vjen si një ngjarje e rëndësishme kulturore, që pasuron bibliotekën shqiptare me një vepër studimore të nivelit të lartë dhe që do të jetë e pranishme në Panairin e Librit të Tiranës në ditët në vijim.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 233
  • 234
  • 235
  • 236
  • 237
  • …
  • 2940
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT