• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një histori jo vetëm familjare për dhembshurinë dhe moralin

November 10, 2025 by s p

Nga Visar Zhiti/

Përse, kur një nënë me djalin në burg, që shkonte për ta takuar, udhëtonte aq gjatë gjithandej bashkë me të bijën, e cila gjithashtu kishte me vete të bijën e saj, një vogëlushe që ndoshta aq ishte, sa një buqetë lulesh… po përse, pra, e merrnin nga pas? Duke e hequr nga lodrat, nga shkolla, nga… Nga ç’e hiqnin tjetër, ç’donin t’i jepnin më shumë? Sipas rrëfimit, ajo vogëlushe shkonte me mamin dhe gjyshen për të parë dajën, që ta përqafonte, qoftë edhe përmes hekurave të burgut. Buqeta metaforike e luleve rritej me vezullime lotësh përsipër si pikla vese, ndërsa burgu s’mbaronte e s’mbaronte… Mund të shkruhej një poezi kështu? Atëherë ishte e ndaluar! Shqipëria tmerrësisht e varfër dhe e egër, me halle dhe çështje të rënda ekzistenciale, si lule kishte plagët, ndërsa rrugë ishin edhe rrugët e lotëve faqeve të saj. Tre breza, dy zonja dhe një vogëlushe, zonjushëz, nga një familje, në epokën kur s’lejohej të përdorej fjala “zonjë” ose shihej me përçim a si fjalë armiqësore dhe familja ndërkaq po tronditej, në një rrugëtim infernal. Po përse e merrnin me vete atë vogëlushe? Përveç ngushëllimit që sillte, por edhe gëzimit, çfarë tjetër parandihej? Besoj është një dukuri e rrallë, a vetëm e letrave shqipe, që sot bij dhe bija shkruajnë për prindërit e tyre, për t’i ribërë ata, kam thënë, sepse ishte një kohë e keqe dhe me absurd mizor – diktatura, thënë qartë – që donte t’i zhbënte duke i përndjekur, duke i dënuar me internime e burgje, por edhe duke ua marrë jetën fare, vetëm pse s’mendonin siç do të donin sundimtarët dhe ishin kundër regjimit të tyre, shpesh edhe duke vepruar, sepse kishin një ëndërr, një ideal të lartë, duke e dashur atdheun si një familje të madhe etj.

Nënat e të dënuarve, motrat dhe bashkëshortet e tyre, edhe fëmijët, ndiheshin të dënuar dhe ashtu ishin. Kalvari i tyre ishte po aq i rëndë, edhe më shumë i pabesueshëm. Ndërkaq rropateshin në punërat më të rëndomta, nën stres dhe përndjekje, për të nxjerrë bukën e gojës, mbanin familjen e mbetur dhe nderin, rendnin burgjeve për tek ata, të burgosurit e tyre, iu gjendeshin për t’u çuar ca ushqime, shpresë e dashuri, duke përfunduar edhe vetë ndonjëherë po aq keq në prishje të familjeve, çmendinave, brenda telave me gjemba dhe hekurave. Por shpesh e më shpesh ato janë përballur dhe kanë qëndruar me dinjitet. Edhe qëndresa për të qenë grua është një epikë e mrekullueshme, ndër faqet më të bukura në historinë tonë, nëse do të kishim një histori të moralit dhe të dhembjes. Kur kështjellat tona binin një nga një dhe pllakoste nata shumëshekullore e pushtimit, teksa burrat dhe djemtë që rriteshin i merrnin nizamë a shkonin maleve për të ndezur një kryengritje të re skënderbeiane, ishin gratë ato që mbanin shtëpinë dhe gjuhën. Dhëmbët e rënë të plakave u bënë më të fortë se bedenat/ pirgjet e kështjellave.

Nina nanat, lutjet e tyre para qirinjve, këngët dhe vajet, përrallat, qëndismat, veshjet, vallet ndër dasma, shamia si pëllumb, lotët si brilantet, ruajtën vatrën dhe gjuhën, familjen dhe atdheun. Kur u desh, edhe gratë rrëmbyen armët dhe dolën malit për liri, komite e partizane, edhe mësuese, dhe krijonin parti, shkruanin libra, përballuan edhe gjyqe duke qëndruar si heroina, duruan ndarje dhe burgje, të denja, duke mbetur gra dhe çudia, duke ruajtur mirësinë, por edhe delikatesën dhe duke u përpjekur të jenë të bukura. Pse jo? Edhe me bukuri sfidohej shëmtia, e keqja dhe diktaturat e tyre. Me t’u rrëzuar Muri i Berlinit shembet edhe perandoria komuniste, po kështu edhe diktatura në Shqipëri. Edhe vendi ynë hapet dhe merr rrugën e demokracisë, duke iu bashkuar kulturës perëndimore, të ndërprera aq gjatë… dhe vjen edhe një letërsi tjetër, krejt ndryshe nga ajo e realizmit socialist, e cila s’ishte as realiste dhe as social-iste. Letërsi sirtarësh e quan kritika letrare në botë dhe studimet, por ata që e lëvruan te ne rëndom nuk kishin as sirtarë, as shtëpi, as jetët e tyre. Nga vuajtja dhe dhembjet, nga burgjet dhe internimet, bashkë me ata që u liruan, u lirua edhe ajo, letërsia tjetër, me poezitë, tregimet, me dramat e romanet, me memuaret, të vetës së parë të gjitha, që sollën – e kemi thënë shpesh – atë që mungonte: të vërtetat dhe moralin, aq sa i duhen çdo letërsie. Dhe vazhdon lëvrimi edhe sot e kësaj dite. Ajo u begatua artistikisht dhe me anën tjetër tonën, me dëshmitë e atyre që kishin shkuar burgjeve për të takuar njeriun e tyre. Po shkruanin edhe ata kalvarin e tyre, traumën, sfilitjet, keqtrajtimin, mirësitë e befta që s’duhet të jenë befasi, shpresën etj.

Në këtë prurje trallisëse si një mrekulli janë librat e grave, rrëfimet e tyre, me poezinë dhe muzikën brenda që e kanë vetëm ato. Së fundmi, na vjen edhe libri risi Eleganca e lotëve, me autoren Iris Halili, pedagoge, e njohur për artikujt dhe studimet letraro-psikologjike apo të lidershipit. Kësaj here ajo kujton, por nuk bën thjesht autobiografi a një monografi. Libri i saj në formën më sqimatare është edhe një analizë e kohës totalitariste, kur kaloi fëmijërinë dhe rininë e hershme. Ajo vazhdon Requirem për gjyshen time të mirë që shkroi në vitin 2017, atë ngrohtësi, por edhe shqetësimet e kohës dhe të rritjes, analiza apo psikanaliza sociale, që autorja arrin t’i ndërlidhë edhe artistikisht, duke u dhënë zërin e saj prej fëmije, përzier me zërin e gjyshes e të familjarëve apo tashmë me zërin e gruas dhe të epokës që do të vinte duke na çuar atje në kohë reale. Rrëfimi çelet me njeriun e parë që autorja ka në kujtesën e saj dhe vazhdon me detaje fëmijërore, në dukje të thjeshta, por që kanë çiltërsinë e duhur për të kuptuar dhe hapet me dëshmitë e burgut, përballë atyre dyerve të hekurta e mizore, të para me habinë e një fëmije, që në kujtesë do t’i mbeteshin telat me gjemba, rojat me armë, oficerët dhe turmat e të burgosurve, kokat e tyre të qethura si copa shkretëtire. Irisin e vogël e merrnin me vete mamaja dhe gjyshja për të takuar dajën. Irisit i janë ngulitur në irisin e kujtesës ato udhëtime çudane, që për atë merrnin edhe ngazëllim jete, me stacione, trena, biseda të rriturish, ofshama, peizazhe malore, lumenj, lot, çanta të rënda, pritje, shfaqjen tronditëse të të burgosurit të tyre që dukej sikur dilte nga nëntoka, nga galeritë e ferrit. Në dukje një akt i thjeshtë: ca udhëtime familjare për të takuar një të dashur në rrethana të pamëshirshme. Por, në thelb, është një akt i mbushur me një domethënie të thellë psikologjike dhe historike. Siç thotë Judith Herman, trauma nuk është thjesht një ngjarje e kaluar, por një realitet që jeton dhe frymëzon brenda familjeve dhe breznive.

Gjyshja, duke marrë me vete mbesën e vogël, përpiqej, pa e ditur, të mbante gjallë kujtesën e vuajtjes, duke e bërë atë pjesë të përditshmërisë së fëmijës, në mënyrë që plagët të mos mbesnin pa u parë nga e ardhmja, të kishin dëshmitar dhe të mos shuheshin në harresë. Kështu do të mund të përçohej jo vetëm dhembja, por edhe shpresa dhe forca për të përballuar realitetin e egër. Kishte ardhur një kohë dhe po donin ta gjithmonëzonin duke trumbetuar si humanizëm barazinë, por, në fakt, kjo kishte sjellë ndarjen më humnerore mes njerëzve: Barazitizmi nuk është humanizëm, këtë mos e harro. Ata nuk ishin humanë, ishin xhelozë e smirëzinj dhe këtë moral vendosën. Ndaj edhe rreth vetes frymëzuan njerëzit e tillë se sistemi jep modelin, më pas njerëzit përshtatin apo jo karakterin e tyre me të. Është përmbajtja e asaj që thoshte gjyshja dhe Irisi na e tregon sa me fjalët e saj aq edhe me të vetat. Në pasurim të librave të kujtesës, siç po duan ta quajnë dhe ta ndajnë letërsinë me temë burgjet, internimet, traumat dhe pasojat e tyre, Iris Halili kërkon të sjellë edhe delikatesën e gruas në atë kohë të vrazhdë, me luftë klasash – luftë civile në kohë paqeje, sipas meje.

Nëna e saj i përket asaj fisnikërie të klasave të përmby sura, siç i quanin, familje atdhetare dhe e pasur, një pasuri e vënë me punë e dije, pa shfrytëzuar të tjerë, siç do të akuzoheshin nga fitimtarët pas Luftës së Dytë Botërore, që do të sillnin një realitet më të pashpresë se pushtimi dhe luftërat. Nënës bashkëshorti i merr arratinë jo vetëm për t’i shpëtuar ndëshkimit kapital nga pushteti i ri shtypës dhe i hakmarrjeve me gjak, por si të gjithë ata patriotë që u ndien të mundur, pra, që e humbën atë betejë, por jo luftën dhe shkuan nëpër Europë e Amerikë të vazhdonin përpjekjet atdhetare. Jeta e tyre kaloi nën zhgënjime në luftën e ftohtë mes Perëndimit dhe Lindjes. Ndërsa në atdhe, kur kësaj nëne i rritet djali, jetim me babain gjallë dhe arrin të bëhet inxhinier ndërtimi, dukshëm i talentuar, por edhe qytetar i hijshëm dhe këto ishin “pengesa”, fëmijët e armiqve s’duhej të ishin as të aftë e as të bukur, e arrestojnë dhe e burgosin. Në gjyq do ta akuzonin për sabotim dhe agjitacion e propagandë kundër Partisë dhe shtetit, më saktë Partisë-shtet, diktaturës së saj. Është simbolike në libër kur njëri nga dëshmitarët në gjyq është pikërisht njëri nga shokët e djalit, tashmë të pandehur, që nëna e kishte pritur sa e sa herë në shtëpi duke shtruar tryezën me gatime të shijshme që dinin t’i bënin vetëm duart e saj.

Autorja na tregon se kishin edhe një fletore me recetat e gatimeve të nënës. Kulinaria është edhe kulturë dhe ka studiues në botë që zhvillimet e historisë së njerëzimit i kanë parë nëpërmjet ndryshimit të pjatave të ngrënies. Dhe rrëfimi vazhdon se dëshmitari në gjyq kishte ardhur me xhaketën që ia kishte dhuruar ai që ishte në bankën e të akuzuarit dhe po e dënonin pa mëshirë. Nëna bënte ecejake në sallën e gjyqit, në kujtesën e së ardhmes. Dhe do të vinte një ditë e t’i thoshte së mbesës: Kjo ishte shoqëria ku individi përdor shtetin për t’u hakmarrë ndaj shokut të fëmijërisë që kishte qenë më i kamur a më i mençur se ai, apo më i edukuar se ai. Kjo ishte shoqëria ku artisti apo shkrimtari përdorte shtetin për të dënuar një artist që i bënte hije krijimtarisë së tij. Kjo ishte shoqëria ku dënoheshe pa folur fare, vetëm se dikush të donte të varrosur pa vdekur ende. Kjo ishte epoka kur Partia Komuniste shqiptare krijoi njeriun e ri të idealit komunist. Autorja ndan bindjen e saj se sistemi komunist aktivizoi ligësitë te njerëzit dhe ishte një provë e madhe karakteri për çdo njeri. Historia vetjake dhe ajo sociale lidhen, na kujton Maurice Halbwachs, ku memoria kolektive është një rrjet i ndërlikuar vuajtjesh dhe shpresash. Gjyshja nuk do të donte të ndante vuajtjen me brezin e ardhshëm, por po përbashkonte atë që do të bëhej e kaluar me atë që do të vinte si ardhmëri. Ura e heshtur po ngrihej, jo nga inxhinieri i ndërtimit tashmë i dënuar, por nga mbesa vogëlushe. Dhe si lëndë do të kishte kujtimet, dhembjen.

Dhe unë i njoha ato personazhe.

Siç mund ta shpjegonte Michel Foucault, kur pushteti përpiqet të kontrollojë edhe trupin, edhe kujtesën, veprime të tilla familjare, intime, janë forma rezistence, forma të vogla lirie që mbrojnë të njerëzishmen dhe dinjitetin në një botë të shtypur. Nisin nga brenda vetes, qoftë edhe me një dyshim të paqartë, me një gjest hutimi, me një buzëqeshje a vërshë llimën e një melodie, me një varg apo duke ndjekur me sy një re që kalon mbi telat me gjemba të burgut. Edhe Iris Halili Elegancën e lotëve e sheh si formë të qëndresës. Ndërkaq, ne si retë na shpërngulën në burgun e akullt të Qafë-Barit, të cilin unë do ta rrëfeja në burgologjinë time të dytë Ferri i çarë. Dhe kam një pjesë se si e kujtoj atë: Inxhinieri Dine Fratari buzëqeshi. S’ngjante si e burgosur buzëqeshja e tij e pastër. Ashtu i ri, tërë zell, çdo rruginë këtu, qoshe muri, shesh, shkallë, me grupin e vet të punës, e ndreqte (me fantazi), sajonte vende çlodhjeje, stola, lulishtëza të vogla, copa të munguara qytetthi… Ne po qëndronim derisa u hodhëm në revoltën e madhe, formë sulmi e dëshpëruar për lirinë. Dhe më pas, kur bëj kronikën e revoltës sonë, atë të të burgosurve në Qafë-Bari, kam edhe këtë dëshmi: Komandanti dha urdhër të ngrihej mjeku, të gjithë mjekët. Mos i prekni, u tha policëve. Shpejt pas murit, i urdhëroi. Mbase ka të vdekur. Kë do të pushkatojnë pastaj, të vdekurit? Na duan të gjallë. Pas murit. U shkulën me forcë dhe kryetari i burgosur i riedukimit, Zhabolli… mure ulëritëse, të përgjakura dhe inxhinieri i ndërtimit, Fratari, Dinia, ah, pse… policët qëllonin ku të mundnin, mure të çmendura, mure qelish, të komandës, të Komitetit Qendror të Partisë, Muri i Berlinit, Muri i Madh Kinez, m-uri, ka-m-uri për një ulërimë… dhe për bukë. Dhe ja ç’ndodh me mikun e Dines. E kam futur si një monolog që i ngjan një deliri, por është i vërtetë: Po ku jam? Brenda në arkivol.

Dëgjo, ti do të firmosësh listën me 36 emra të grupit që udhëhoqi revoltën politike të Qafë-Barit. Unë s’e di që revolta ishte politike dhe s’di të ketë pasur ndonjë organizim a grup. Dalip, e kupton ç’po thua? E dimë që ishte ashtu. Asgjë nuk na kushton t’i vëmë kapakun arkivolit, 5-6 gozhdë. Të pëlqen të varrosesh i gjallë? Pra, firmos këtë letër, ja edhe tjetra, vendimi që do të lirohesh. Zgjidh mes dy letrave… S’janë kocka që thyhen. […] Po miku im Dine Fratari? E hoqëm, e flakëm në një tjetër burg, shumë e kanë rrahur edhe atë, dhe Lekë Mirakajn, dhe… po ti f irmos, të thamë, kam porosi nga ministri. Nuk të pres shumë, mund ta kthejmë edhe ndryshe. Ç’bëhet kështu, hetuesí është kjo brenda në arkivol? Është ai, arkivoli i kampit, që na e bëtë peshqesh, s’duhet më për të vdekurit, por për të gjallët… Nuk do të firmosësh? Vërini kapakun arkivolit. Edhe harresa e qëllimtë është një arkëmort për ato që duhet të jenë ende gjallë.

Duke treguar për protagonisten, nënën e Dines, zonjën Ganimet Gjilani Fratari, mbesa e saj, Iris Halili, me librin Eleganca e lotëve mban gjallë një amanet të saj, edhe pse i pashkruar, vetë atë dhe risjell edhe gra të tjera, shoqe të saj, të goditura rëndshëm nga regjimi dhe harresa, si shkrimtaren e parë grua në letrat moderne shqipe, zonjën Musine Kokalari, apo edhe zonjën luftëtare Drita Kosturi etj. Po edhe miqtë, si At Zef Pllumi dhe Pjetër Arbnori etj. Bashkë jemi më gjallë. Në shtëpinë e re të Dines në Tiranë kam shkuar edhe unë të takoja nënën e tij. Shkoja me Edën time me një tufë lulesh në dorë. Edhe Eda ka pasur stërgjyshen ashtu, të pamposhtur, ikte me kalë të takonte djalin e saj në burgun e kënetës së Maliqit, merrte me vete edhe nusen e djalit. Diktatura ishte në fillimet e saj. Në atë burg ishin edhe shkrimtari Mitrush Kuteli, edhe poeti dhe filozofi Arshi Pipa që u arratis etj. Dhe më ndërmend një skenë tjetër nga libri i Irisit kur diktatura po i afrohej fundit, një nga ato udhëtimet natën tek ktheheshin nga burgu – udhëtuan me një tren pune, u futën si fshehurazi në lokomotivën që do të ketë hingëllirë si një kalë metalik i azdisur. Gjyshi i Edës sime, Dane Zdrava, u shua në burgosjen e dytë të tij, në atë vit që arrestuan Dinen dhe mua, edhe pse ai i kishte bërë aq e aq të mira dhe shërbime qytetit të tij, Beratit – solli kinemanë e parë atje, makinat shirëse, bënte pajën e vajzave të miqve të tij kur martoheshin, hapi edhe dyqanin e modës në Tiranë, kurse në Romë prenotonte sallat e takimeve që bënte shkrimtarja Musine Kokalari me miqtë.

Ndaj ky libër është një mirënjohje dhe dëshmi për të gjitha gratë dhe vajzat që vuajtën, një pjesë internimeve e burgjeve dhe një pjesë duke shkuar burgjeve për t’iu gjendur pranë familjarëve të tyre. Ishin këto gra dinjitoze që mbajtën familjet dhe kuptimin e saj shenjtërisht të pacenuar nën sundimin e diktaturës komuniste. “Familja është vendi ku thuhet çdo gjë, duhet çdo gjë dhe pranohet çdo gjë dhe ku çdo gjë jashtë mureve të saj është adaptim”, – tregon Irisi se ç’i thoshte gjyshja, që vazhdimisht lutej me besimin në Zot. Dhe ky besim ishte forcë e pazëvendësueshme shpirtërore, e prekshme, kur s’lejohej ta prekje. E kujtojmë zonjën Ganimet në shtëpinë e saj. Në sallonin mes asaj qelqnaje shandanësh e servisesh edhe ajo ashtu e qelqtë vezullonte, gjithë sharm dhe fisnikëri. E folura e saj kishte ngrohtësinë e çajit që na shërbente me aq delikatesë. Magjepsesha kur tregonte për librat që po lexonte, edhe ata të poezive të mia, të porsabotuar, edhe për shkrimet nëpër gazeta. Shqipëria po ndryshonte… Dinia ndërkohë ikte, kishte punë plot me ndërtimet. Ne vazhdonim bisedën.

Traumën Kai Erikson e kuptonte si plagë jo vetëm të individit, por të shoqërisë së tërë, një plagë që kërkon të shërohet në trupin dhe shpirtin kolektiv. Jeta dhe kujtesa duhet të vazhdojnë, se brezat duhet të lidhen, pavarësisht diktaturave dhe postdiktaturës… Një përkujdes i tillë duket se është edhe libri i Irisit, me çështje të mëparshme, me retrospektiva, me të tashmen dhe perspektivën, me krahasime kohësh apo edhe me ndërprerje mes tyre. Ndërkaq, është edhe himn i qëndresës së gruas, me ëndrrën, edukatën dhe mallkimin në buzët e realitetit, me delikatesën e saj dhe bukurinë femërore, siç e thamë, deri edhe me veshjen dhe modën, me ato ndjesi që mbeten përjetësisht të brishta si vetë femra. Patjetër, edhe me lotët.

Është një befasi domethënëse që titulli Eleganca e lotëve del nga një pikturë, portreti i protagonistes, realizuar nga një hebre në kohën e holokaustit, kur ai gjeti mbrojtje dhe strehim në familjen e saj, në shtëpinë e tyre dhe në këtë libër. Thurima e madhe e kësaj letërsie që erdhi nga ferri më ndërmend qilimin mitik të Penelopës, që dukej i pambarimtë si vetë dhembja, që kalon nga njëri libër në tjetrin, shthuret në ditët e kujtesës, shthuret në natën e harresës, por fijet në avlëmend janë rrëketë e lotëve, të dukshëm dhe të padukshëm.

Përse, kur një nënë me djalin në burg, që shkonte për ta takuar, udhëtonte aq gjatë gjithandej bashkë me të bijën, e cila gjithashtu kishte me vete të bijën e saj, një vogëlushe që ndoshta aq ishte, sa një buqetë lulesh… po përse, pra, e merrnin nga pas? Duke e hequr nga lodrat, nga shkolla, nga…? Nga ç’e hiqnin tjetër, ç’donin t’i jepnin më shumë? Të jetë ndier ajo që nuk do të mund të shprehej në fjalë, një parandjenjë e rëndësisë së kujtesës, një forcë e brendshme që do t’i ndihmonte brezat e ardhshëm të saj të përballonin të kaluarën dhe të mbijetonin më përtej? Të ishte një formë shërimi për më pas? Apo thjesht që të shkruante këtë libër, Eleganca e lotëve.

Filed Under: LETERSI

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams, pret një event të posaçëm për Organizatën Albanian Roots dhe komunitetin shqiptaro-amerikan

November 10, 2025 by s p

Albanian Roots Media/

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams, organizoi një event të veçantë në nder të Organizatës Albanian Roots dhe komunitetit shqiptaro-amerikan, për të vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm që shqiptarët i kanë dhënë qytetit të Nju Jorkut, si dhe për të theksuar premtimet e mbajtura nga administrata e tij ndaj komunitetit.

Në këtë aktivitet morën pjesë edhe familja Rusi, përfaqësuar nga Sal Rusi, i cili së bashku me Marko Kepin dhe Bedrana Dukën mundësuan organizimin e Paradës së Parë të Albanian Roots në Nju Jork — një moment historik për komunitetin shqiptar në SHBA.

Eventi u hap nga z. Eli Rusi, i cili përshëndeti të pranishmit duke mirëpritur Valltarët e Albanian Roots me performancën tradicionale “Vallja e Dibres”. Pas prezantimit, Kryetari Adams u shpreh me mirënjohje për organizatën Albanian Roots dhe komunitetin shqiptaro-amerikan, duke theksuar se shqiptarët janë një forcë pozitive dhe një shtyllë e rëndësishme e zhvillimit të qytetit.

Në ngjarje ishin të pranishëm edhe Ambasadori i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, z. Ervin Bushati, si dhe Ministrja për Punët e Jashtme, znj. Miriam Shyti. Atmosferën e pasuroi edhe pjesëmarrja e artistit të njohur shqiptar, Gëzim Nika, i cili u mirëprit ngrohtësisht nga të ftuarit.

Eventi shërbeu si një moment i rëndësishëm bashkimi, vlerësimi dhe reflektimi mbi rrugëtimin, arritjet dhe kontributin e komunitetit shqiptaro-amerikan në zemrën e qytetit më të madh në botë.

Photo Credit : Dritan Haxhija

Filed Under: Komunitet

Prof. Dr. Fejzulla Berisha vizitoi Vatrën

November 10, 2025 by s p

Profesori i nderuar Prof. Dr. Fejzulla Berisha i shoqëruar nga aktivisti i çështjes kombëtare z.Lirim Vinca vizituan Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Ata u pritën nga sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj dhe editori i Diellit. Në fjalën e mirëseardhjes Dr. Camaj u shpjegoi miqve historinë e jashtëzakonshme të Federatës Vatra e Gazetës Dielli, dhe kontributin e shquar në dobi të çështjes kombëtare ndërsa editori përshëndeti miqtë në emër të kryetarit të Vatrës Dr. Elmi Berisha, nënkryetarit z.Alfons Grishaj, Kryesisë, Këshillit të Vatrës dhe shprehu respekt të thellë për mbështetjen që Prof. Dr. Fejzulla Berisha i ka dhënë gazetës Dielli me shkrime, analiza, komente dhe opinione. Prof. Dr. Fejzulla Berisha u shpreh i emocionuar mbi vizitën në Vatër, historinë dhe kontributin e Vatrës e shqiptarëve të Amerikës për Shqipërinë natyrale. Vatra e Dielli tha Prof. Berisha janë krenari kombëtare dhe dinjitet për çdo shqiptar. Prof. Dr. Fejzulla Berisha është ekspert i shquar i së drejtës publike dhe ka lindur më 13 Shtator 1955 në Grabovc të Prishtinës. Studimet universitare dhe master i kreu në Prishtinë, doktoraturën në Tiranë në fushën e të Drejtës Publike dhe ka përfunduar edhe një sërë specializimesh në fushën e të Drejtës Publike, në Akademinë e të të Drejtës Publike të Kroacisë si dhe ne vendet tjera të Europës. Prof.Dr.Fejzulla Berisha ka dhënë kontributin e tij në Universitetin e Prishtinës, Universitetin e Tiranës, Universitetin e Tetovës, Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, Universitetin “Haxhi Zeka” Pejë, Universitetin “FON” në Shkup, Kolegjin Universitar AAB – Prishtinë etj. Në përfundim të vizitës emocionuese Prof. Dr. Fejzulla Berisha i shoqëruar nga aktivisti i çështjes kombëtare z.Lirim Vinca u bënë anëtarët më të rinj të Federatës Vatra.

Filed Under: Vatra

Vatra “Long Island” dhe shkolla “Gjergj Fishta” – New York, suksese në misionin tuaj kulturor, qytetar dhe patriotik

November 9, 2025 by s p

Prof. Luigj Gjoka*/

Të dadhur vatranë të Long Island dhe nxënës të shkollës “ Gjergj Fishta”. Një vit më parë ndodhen dy ngjarje të rëndësishme për komunitetin shqiptar të Long Island, N Y. Siç tashmë është e njohur, Federata Pan- Shqiptare e Amerikës “Vatra” themeloi degën e saj në Long Island dhe inauguroi shkollën shqipe “Gjergj Fishta”. Gjatë këtij viti, kjo degë e Vatres, e drejtuar nga historiani Dr Paulin Marku dhe shkolla “ Gjergj Fishta” e drejtuar nga mësuesja, Fabiola Marku Gjinaj, të ndihmuar nga anëtarë dhe miq të Vatres, me përkushtim dhe pasion prej misionari, kanë realizuar një varg aktivitetesh kulturore në përkujtim të datave historike kombëtare, ku fëmijtë e mrekullueshëm të shkollës “Gjergj Fishta” këndonin këngë dhe kërcenin valle të zgjedhura nga gjithë viset shqiptare. Nuk mund të lemë pa përmendur edhe përkujtimin e 17 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ditë në të cilën “Vatra” e Long Island kishte organizuar një aktivitet në nivelin e një simpoziumi shkencor, ku u mbajtën disa kumtesa të rëndësishme për etapat në të cilat shqiptarët e Kosovës kaluan deri sa ia arriten te fitorja e pavarësinë së mohuar në shekuj.

Pra, në këtë një vjetor, dega e re Vatres në Long Island vjen me rezultate të prekshme në qëllimin e saj për të informuar, festuar e argëtuar shqiptarçe, për të mos harruar rrënjët tona shqiptare, për të ruajtur krenarinë tonë kombëtare, duke i shërbyer në këtë mënyrë edhe gjeopolitikës së shqiptarëve dhe forcimit gjithnjë e më shumë të marrëdhënieve me ShBA. I keni parë këngëtarët e sportistët e famshëm shqitarë, që e theksojnë identitetin e tyre kombëtar shqiptar duke formuar simbolin e shqipomjës me gishtat e duarve, apo duke mbështjellë trupin me flamurin kombëtar në çdo rast suksesi. Disa e quajnë këtë shfaqje të nacionalizmit shqiptar. Jo, nuk është hiç e vërtetë; shqiptarët kanë luftuar për çlirim kombëtar dhe kurrë për të pushtuar territore të popujve të tjerë. Po, shiptarët janë patriotë, dhe nuk do të heqin dorë nga patrotizmi deri sa të ekzistojnë mbi dhe nacionalistë që pretendojnë të pushtojnë ose aneksojnë toka e territore shqiptare. Kjo botë është e bukur dhe interesante sepse është e larmishme.

Shqiptarët duhet t’i parqesin botës historinë e tyre të hershme Iliro – Dardane – Epirote, gjuhën e tyre të vjetër, kulturën e pasur burimore,etnografinë e veçantë etj, si dhe rolin e shqiptarëve të famshëm në perandoritë e mëdha dhe kudo nëpër botën e qytetruar. Diaspora shqiptare ka luajtur dhe luan një rol të rëndësishëm në përmirësimin e imazhit të shqiptarëve në botën e sotme, por edhe në lidhje me çeshtjen kombëtare dhe problemet që kanë të bëjnë me demokracinë dhe përsosjen e saj. “Vatra” e shqiptarëve të Amerikës njihet për rolin e saj historik në lidhje me çeshtjet e shqiptarëve në “Gadishullin Ilirik”. Nuk mund të thuhet i njëjti vlerësim i qendrueshëm për poltikanët shqiptarë të Ballkanit. I uroj suksese të mëtejehme degës së Vatres në Long Island dhe shkollës “Gjergj Fishta” në misionin e tyre kulturor, qytetar dhe patriotik.

*Fjalë përshëndetëse e dërguar me rastin e 1 vjetorit të themelimit të Vatrës “Long Island” dhe shkollës shqipe “Gjergj Fishta” – New York.

Filed Under: Komunitet

The Strongest Link prezantohet në Vatër – Historia gojore flet me zërin e të mbijetuarave të përdhunimeve në Kosovë 1998-1999

November 9, 2025 by s p

Rafaela Prifti/

Prezantimi i librit The Strongest Link i autoreve Anna Di Lellio dhe Garentina Kraja paraditen e së shtunës në Vatër është shprehje e vëmendjes që Federata Pan-Shqiptare e Amerikes Vatra dhe Dielli ë japin temave të drejtësisë, në këtë rast të fokusuar tek forca e të mbijetuarave të dhunës seksuale përpara, gjatë dhe pas luftës në Kosovën e viteve 1998-1999. Tema e ndjeshme e dhunimeve nga forcat serbe edhe pas 30 vjetëve është ende e shtyrë në hije ose e mbështjelle me forma të ndryshme stigmatizimi. Dr. Pashko Camaj, Sekretar i Vatrës, i cili ju uroj mirëseardhjen të pranishmëve, shprehu vlerësim për kontributin që sjell libri në dokumentimin e historisë sonë. Më tej, editorja e Anglishtes Rafaela Prifti e ftoi Dr. Anna Di Lellio të jepte një përmbledhje të librit, shkruar me bashkëautoren Garentina Kraja, eksperte e Marrëdhënieve Ndërkombetare, e cila nuk mundi të vinte në këtë takim.

“Përmes rrëfimeve të veta, shumë personale, njëzet gra, përshkruajnë terrorin e luftës dhe traumat që i vuajnë edhe sot. Emrat i tyre i kemi ndryshuar, dhe bisedat i kemi mbajtur në prani të psikologëve. Ka qenë me rëndësi të mbrojmë identitetin e tyre në një vend të vogël ku gjithkush e njeh njëri-tjetrin,” vërejti Dr. Di Lellio. Ajo lexoi disa fragmente nga libri duke i konkretizuar ngjarjet me shembuj dhe figura të njohura që e bënin audiencën ta ndiente përmbajtjen së afërmi.

Titulli i librit The Strongest Link (Hallka më e Fortë) është përkthim i një botimi italian nga shekulli 16-të, shpjegoi Profesoresha me origjinë italiane, e cila është njohëse e mirë e shqipes dhe autore e shumë punimeve dhe librave të shkencave humane. The Oral History of the Wartime Rape Survivors in Kosovo – Historia gojore e te Mbijetuarave të Përdhunimit të Luftës në Kosovë është vecse një fraksion i ngjarjeve që ndodhën aty dhe, mesatarisht, vetëm një e një mijëta e rasteve të njoftuara që arrin shifrën mbi 20,000 por rrëfimi i tyre ka ndikim shumë të madh. Sic e përcaktoi Di Lellio, tubimet e seminaret, intervistat dhe analizat televizive flasin për pasojat e traumat, por “janë të mbijetuarat ato që jetojnë me traumën për ditë në shtëpitë e tyre.”

Dr. Di Lellio i vlerëson shumë komentet e dërguara nga lexuesit dhe i ftoi pjesëmarrësit të komunikojnë nëpërmjet emejlit, në shqip ose anglisht, pas leximit të librit.

Për studiuesin dhe gazetarin e njohur Elez Osmani nga Kosova, i cili dha një kumtesë të plotë për librin “që thyen heshtjen” sic e quajti ai, ishte hera e parë që takohej me Profesoreshën, veprën e së cilës e ka përcjellë me kujdes duke e vlerësuar shumë ndihmën e saj për Kosovën.

“Njëzet e pesë vjet pas lufte, ndërsa drejtësia ende vonohet për të mbijetuarat e dhunës seksuale dhe mohimi e shtrembërimi i historisë nga Serbia nuk dënohet fuqishëm, vlen të përsëritet qëndrimi i Vatrës së bashku me shoqatat e komunitetit shqiptar se UCK-ja u ngrit në luftë për të mbrojtur shtepitë dhe familjet e tyre ndaj një fushate të egër të shfarosjes etnike. Si ju përgjigjeni atyre që thonë sot se ka pasur raste dhune nga të dyja anët apo se ashtu është lufta?” – pyeti Rafaela Profesoreshën Di Lellio. “I përgjigjem duke ju referuar Holokostit, ku është e qartë se kush janë viktimat dhe kush janë shkaktarët e dhunës dhe fajtorët për të!”

Dr. Di Lellio falenderoi organizatorin e prezantimit Gazetën Dielli dhe të pranishmit duke shprehur mirënjohje për pjesëmarrjen dhe interesimin për librin The Strongest Link.

Filed Under: Featured Tagged With: Rafaela Prifti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 236
  • 237
  • 238
  • 239
  • 240
  • …
  • 2940
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT