• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PUSHTIMI I UKRAINËS NGA RUSIA DHE “BALLKANI I HAPUR”

February 27, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli

See the source imageSenatori republikan i Shteteve të Bashkuara, Mitt Romney kishte të drejtë sa i përket Rusisë.  Përafërsisht, ky është titulli i mjaft artikujve të ditëve fundit — pas agresionit rus kundër Ukrainës — në mediat amerikane, duke sjellur në kujtesë debatin e Senatorit republikan të shtetit Utah, Z. Mitt Romney me ish-Presidentin demokrat, Z. Barak Obama, 10-vjet më parë, në lidhje me rrezikun që parasite gjithnjë Rusia për Amerikën.  Senatori Romney, në atë kohë kandidat i Partisë Republikane për President, (në vitin 2012), gjatë fushatës përball presidentit demokratit Barak Obama dhe zevendës presidentit Joe Biden, kishte deklaruar se, “Pa asnjë dyshim, Rusia është armiku gjeopolitik numër një i Amerikës”. “Rusët”, ka thenë Senatori Romney, “luftojnë për të gjitha kauzat e aktorëve më të këqij në botë”, ishte shprehur ish-kandidati i Partisë Republikane për president, gazetarit të CNN, Wolf Blitzer. Në atë kohë, administrata amerikane Obama/Biden si dhe miqtë e tyre në media, por edhe establishmenti politik, sulmuan Senatorin Mitt Romney për “pikëpamjet e tija të prapambetura”, dhe për komentin e tij që përcaktonte Rusinë si, “armiku gjeopolitik numër një i Amerikës”, e që nënkupton, natyrisht, njëherazi edhe armik i Perëndimit. 

Ish-Presidenti Barak Obama, në një debat televiziv të fushatës për president të viti 22012, ka kritikuar ashpër Senatorin Romney për komentin që ai kishte bërë për Rusinë, duke iu përgjigjur, me përqeshje: ku jeton ti, ke harruar që, “Lufta e ftoftë ka marrë fund 20-vjetë më parë”.duke lenë të nënkuptohej se ora e Senatorit Romney kishte ngelur në periudhën e luftës së ftoftë dhe se duke cilësuar Rusinë si armkun gjeopolitik numër një të Amerikës, ai nuk kishte haber se kush ishin kërcënimet e jashtëme ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara 10-vjetë më parë.

Por, pas sulmit të para disa ditëve të Rusisë kundër Ukrainës, duket se ish-presidenti Obama ka ndryshuar pikëpamjet e tija në lidhje me Rusinë, ndërsa reagoi në lidhje me sulmin rus kundër Ukrainës duke thekësuar ndërlikimet historike të këtij krimi shtetëror, dhe shtoi se pasojat e këtij akti ilegal dhe armiqësor do të shtrihen përtej kufijve të Ukrainës.  “Për një kohë të gjatë tani kemi vërejtur forcat përçarëse dhe autoritare që po ngrenë kokë anë e mbanë botës, duke sulmuar idealet e demokracisë. të shtetit ligjor, barazisë, lirisë individuale, lirisë së fjalës, lirisë fetare dhe vetvendosjes. Pushtimi i Ukrainës nga Rusia tregon se ku çojnë këto prirje të rrezikshme – dhe se ato duhet të kundërshtohen”.  Pak si vonë, Z. President Obama, por megjithkëtë duhet vlerësuar komenti i tij. Rusia, historikisht, gjithmonë ka përbërë një rrezik gjeopolitik ndaj interesave të Shteteve të të Bashkuara dhe ndaj lirisë, demokracisë dhe pavarësisë së popujve.

Por, pas sulmit të Rusisë kundër Ukrainës, mediat amerikane, me prirje të majta e të djathta, si dhe përfaqsues të politikës amerikane, përfshir demokratë — pas agresionit rus në Ukrainë, po rikujtojnë deklaratën e Senatorit Romney të 10-viteve më parë, duke i dhenë kredinë se ai paska patur të drejtë sa i përket Rusisë së Putinit. Si shembëll, deklarata kongresistit demokrat nga Kalifornia, Ted Lieu, sikurë përmbledh të gjitha reagimet dhe komentet ndaj deklaratës së dikurshme të senatorit republikan në një intervistë me CNN, se “Agresioni i Putinit ndaj Ukrainës, vërteton se Mitt Romney kishte të drejtë kur e ka quajtur Rusinë, armikun gjeopolitik numër një të Shteteve të Bashkuara”.

Një ndër kritikët e deklaratës së Mitt Romney ka qenë në atë kohë edhe Madeleine Albright (ish-Sekretarja e Shtetit), por e cila, disa vite më vonë, më 2019, i kërkoi ndjesë Senatorit Romney për kritikat e saj ndaj tij në lidhje me Rusinë, duke thenë se, “Unë personalisht, i kërkoj ndjesë Senatorit Romney, pasi besoj se ne kemi nënvlerësuar zhvillimet në Rusi”.  Ajo kërkoi ndjesë publikisht gjatë një dëshmie para Komisionit të Dhomës së Përfaqsuesëve në shkurt të 2019, në lidhje me regjimet autoritare dhe për rreziqet që ato paraqesin për sigurinë botërore. Sidoqoftë, shumë ishin të gabuar në lidhje me objektivat e Rusisë putiniste, sidomos në Evropë, por edhe në botë, gjatë këtyre 20-viteve të fundit, përfshir ish-presidentët amerikanë, Bill Clinton, Xhorxh Bush i ri dhe Barak Obama, si edhe një numër udhëheqsish evropianë, përfshir ish-Kancelaren gjermane Angel Merkel dhe Gerhard Schroeder. Senatori Mitt Romney në një deklaratë me rastin e pushtimit të Ukrainës nga Rusia kiritkoi ashpër ish-presidentët amerikanë Obama dhe Trump duke thenë se “dekada e 80-ave na bëri thirrje për veprim, e ne nuk iu përgjigjëm”, tha Senatori Romney në një deklaratë dhe shtoi: “Pushtimi i Ukrainës nga Putini është hera e parë në 80-vjet që një fuqi e madhe pushton një komb sovran, pa asnjë justifikim, pa provokim, por edhe pa nder”, u shpreh senatori republikan nga shteti Utah.

Ku ishte bota perëndimore, NATO, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, kur Putini pushtoi Krimenë në vitin 2014? Çfarë provash tjera donin të kishin se çfarë po përgatiste Putini për Evropën? Po për Ballkanin Perendimor? E di njeri?  Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u pyet të premten gjatë një konference me shtypin në lidhje me nismën e tij dhe të presidentit serb Vuçiq, “Ballkani i Hapur”, se çfarë ndikimi mund të ketë pushtimi rus i Ukrainës në nismën e tyre ballkanike. Siç dihet, sipas shumë vërejtësve politikë, vendas dhe të huaj, ajo nismë e ka origjinën në Moskë, ndërsa Z. Rama u pyet edhe për marrëdhëniet e Tiranës zyrtare me Beogradin, pas sulmit rus në Ukrainë.  Sipas medias, Kryeministri Rama u përgjigj duke thenë se, “Sa i përket Serbisë, natyrisht, që është një rast për ata që nuk lënë rast pa u marrë me Ballkanin e Hapur për të spekuluar përsëri. Nuk kemi pasur mungesë qartësie e pozicioni për Serbinë, nga pikëpamja e politikës së vet të jashtme kur kemi nisur procesin. Do të shikojmë në vijim shumë gjëra, jo në raport me Serbinë, por në raport se si do të zhvillohet ky proces.”  Sipas kësaj deklarate, Kryeministri i Shqipërisë nuk e ka ndër mend të ndryshojë asgjë sa i përket “raportit me Serbinë”, dmth as nuk do të rishikojë nismën e tij “Ballkani i Hapur”, një pjellë kjo e Serbisë dhe Rusisë, me qëllimin përfundimtar për të përhapur influencën ruse në Ballkan, por pa një luftë të nxhetë si kjo në Ukrainë, që Sekretari i Përgjishëm i OKB-së, Antonio Guterres e cilësoi si, “momenti më i rrezikshëm për sigurinë në Evropë, në një gjeneratë”.  

E solla këtë shembëll të debatit amerikan të 10-viteve më parë si dhe kujtesën këto ditë në median amerikane rreth atij debati midis dy ish-kandidatëve për president, Obama dhe Romney, në vitin 2012 — por edhe “mea culpat” nga të dy krahët e politikës amerikane – që sot kërkojnë falje duke vlerësuar Senatorin Mitt Romney, për largpamësinë  ndaj rrrezikut që paraqet Rusia për Amerikën dhe për botën. Se kishte të drejtë sa i përket rrezikut që paraqet Rusia ndaj interesave amerikane dhe perëndimore, por jo vetëm. Por edhe për të venë në dukje një problem tjetër, nismën Rama/Vuçiq të “Ballkanit të Hapur”, në raport me ato që po ndodhin sot në Ukrainë dhe për të venë në dukje qëndrimin e Serbisë ndaj këtij akti kriminal. Serbia dhe Bjellorusia janë të vetmet vende në Evropë që nuk dënuan sulmin ushtarak të Ukrainës nga Moska. Ishte për tu çuditur që gjatë konferencës me shtypin, Kryeministri shqiptar edhe kështu u përpoq të mbronte qendrimin e mikut të tij Vuçiqit ndaj agresionit rus në Ukrainë duke thënë se Vuçiqi është shprehur në “mbështetjte të integritetit territorial të Ukrainës”, sikur kjo e falë Vuçiqin për mos dënimin, nga ana e tij, të sulmit barbar rus në Ukrainë.  Fatkqesisht, duket se disa ende nuk e kanë kuptuar se Vuçiqi dhe Putini janë kopje të Millosheviqit! 

Ndërsa për “Ballkanin e Hapur”, megjithëse kundërshtohet ç’prej fillimit, vendosmërisht, nga qeveria e Republikës së Kosovës dhe nga shumica e shqiptarëve kudo, Kryeministri Rama u përpoq të justifikonte këtë nismë në konferencën me gazetarët të premtën, se “është një projekt i mbështetur shumë fort nga Shtetet e Bashkuara… dhe nga shumë aleatë e partnerë…dhe nuk shoh asnjë problem, fare, fare, për tu fokusuar ose për tu shqetësuar…”, tha Kryeminsitri Rama.  Me sa di unë, nuk ka një qendrim të qartë të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin e Hapur. Me sa dihet tani, qëndrimi i SHBA-ve, i shprehur nga i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar është se, “Nëse në nismën “Balkani i Hapur” (Open Ballkan) nuk përfshihen të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, atëherë ajo nuk do të funksionojë”.  Në këtë deklaratë unë nuk shikoj një mbështetje të fortë nga Shtetet e Bashkuara për “Open Balkan”, siç pretendon Edi Rama.  Por, si shumica e shqiptarëve jam i vetdijshëm se alternativa Vuçiq-Putin ose Rusi/Serbi nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë në interesin e shqiptarëve, ashtu siç nuk është nisma “Ballkani i Hapur”, siç nuk ishte as “Mini-Shengeni Ballkanik”, para tij. 

Për të justifikuar një nismë politike rajonale, siç është “Ballkani i Hapur”, pa pjesëmarrjen e Kosovës — duke thenë se e mbështesin fort SHBA-të — është papërgjegjësi personale dhe kombëtare.  Shtetet e Bashkuara edhe kur gabojnë, reflektojnë për mungesat dhe gabimet politike dhe po të jetë nevoja, kërkojnë edhe ndjesë. “Ballkani i Hapur”, si nismë e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, nuk është as nuk mund të jetë krijesë dhe as e mbështetur si ide nga Shtetet e Bashkuara, sepse ajo u shërben kryekput interesave serbo-ruse në Ballkanin Perëndimor.  Sepse siç ka thenë Senatori republikan Mitt Romney 10-vjet më parë, Rusia është armiku gjeopolitik numër një i Amerikës jo vetëm i vlerave të saj, por edhe i lirisë, demokracisë dhe pavarësisë së kombeve, përfshirë Shqipërinë e Kosovën si dhe mbarë rajonin. 

Sa i përket nismës së “Ballkanit të Hapur”, është shqetësues dhe alarmues fakti se pse Kryeministri i Shqipërisë nuk heq dorë nga një nismë e dështuar, ende pa filluar, por aq e rrezikshme për kombin shqiptar madje edhe si ide, sidomos pa pjesëmarrjen e Kosovës – përball agresionit rus në Ukrainë dhe ambicjeve serbo-ruse në rajonin e Ballkanit.  Shumë ekspertë po thonë se agresioni rus në Ukrainë është një përpjekje nga Putini për të vendosur një rregull të ri ndërkombëtar, përtej Ukrainës.  Prandaj nisma “Ballkani i Hapur”, duhet të shqetësojë të gjithë ata që u intereson demokracia dhe të drejtat e njeriut, kudo. 

Të gabosh është njerëzore, Z. Rama. Të kërkosh ndjesë është hyjnore. Gjëja më e mirë do të ishte të heqësh dorë nga “Ballkani i Hapur” dhe në, heshtje e pa bujë, të bashkrendosh politikat e interesave kombëtare në bashkpunim me institucionet përkatëse të Shqipërisë, por sidomos me autoritetet e Kosovës, por edhe me partnerët strategjikë të kombit!  Putini e filloi në Ukrainë, por sipas disa ekspertëve, objektivat e tija ekspansioniste shkojnë përtej Ukrainës. Kjo është edhe arsyeja që Vuçiqi nuk e dënon pushtimin e Ukrainës nga Rusia, ndërkohë që mbështet me gjithë fuqi e shpirt nismën, tashti famëkeqe, por edhe një nismë e pa nder e pa burrëni, “Ballkani i Hapur”.

Frank Shkreli

Filed Under: Politike

Në Bronx Diaspora Shqiptaro Amerikane protestoi për mosemërimin e rrugës “Fan Noli”

February 27, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Ditën e shtunë në orën një mbasdite Diaspora Shqiptaro Amerikane u mblodh në Bronx dhe protestoi plot kulturë për t’i vendosur një rrruge në Morris Park të Bronxit emrin e burrit të ndritur të Kombit Shqiptar dhe Amerikan Fan Stelian Noli. Z.Mark Gjonaj “Nderi i Kombit”ish Këshilltat në Bashkinë e Nju Jorkut dhe Ansambleist në shtetin e Nju Jorkut së bashku me Vatrën nën drejtimin e kryetarit të saj z.Elmi Berisha udhëhoqën këtë protestë kundër bllokimit të emërimit të rrugës me emrin e Fan Nolit.  Ata akuzuan këshilltaren Marjorie Velazquez e cila ka bllokuar emërimin e rrugës “Fan Noli” rrugë në seksionin Morris Park të Bronxit ku iu bashkuan dhe shumë aktivistë të njohur të komunitetit në protestë. Për gjithë Diasporën Shqiptaro Amerikane emërimi i rrugës me emrin e ndritur të Fan Nolit do të ishte një nga lajmet më të bukura çka do të bënte krenar çdo shqiptar e bir shqiptar në çdo cep të globit sepse është nje vlerësim që i bëhet kontributit të jashtëzakonshëm të Fan Nolit.  Po në këtë ditë u bë Kuvendi i Vatrës ku u mbajtën zgjedhjet dhe ishte planifikuar që pas zgjedhjeve të inagurohej kjo ditë e madhe për Kombin.  Moderatorja zonjusha Ornela Beshiri e cila e drejtoi me profesionalizëm këtë protestë kritikoi ashpër këshilltaren Velazquez për këtë situatë të nderë që krijoi në komunitetin shqiptaro amerikan në Bronx.  Pas Himneve kombëtare të Shqipërisë dhe të Amerikës pastori David Hernquist bekoi protestën nën emrin e Zotit. U mbajt një minutë heshtje si homazh për të rënët në luftë në Ukrainë gjatë pushtimit të Rusisë urdhëruar nga Vladimir Putini. Kryetari  ri i rizgjedhur i Vatrës përshëndeti protestuesit dhe tha se ne do të përpiqemi fort deri në emërimin e rrugës së Fan Nolit, pasi ai e ka merituar me kohë dhe do të vazhdojmë protestat derisa të zgjidhet ky ngërç tejet pengues.  Fan Noli ishte kryeministër shqiptar dhe themelues i Kishës Ortodokse Shqiptare, i cili dha gjithashtu nje kontribut për shumë vite në SHBA. Sot ne kemi Vatrën e tij prej 110 vitesh dhe vazhdon të jetë krenari kombëtare. Në këtë protestë përshëndetën mjaft politikanë të zgjedhur amerikanë dhe ajo që të bën përshtypje dhe të krijon respekt është se midis tyre Ansambleisti Michael Benedetto gjithmonë është pranë kauzës së çështjes shqiptare. Do të ishte një gjë e shkëlqyer për Komunitetin Shqiptaro-Amerikan. Nuk e di pse ka një pengesë, tha Benedetto.  Në protestë folën dhe kritikuan ashpër si znj. Nathalia Fernadez Ansambleiste e shtetit të Nju Jorkut një mike e madhe e shqiptarëve. Z.Ardhmir Malziu ndihmës këshilltar në Bashkinë e Nju Jorkut gjithashtu moderoi një pjesë të programit gjatë protestës dhe me ovacione u mirëprit Z.Gjonaj shqiptari i parë i zgjedhur në Këshillin e Bashkisë së Nju Jorkut.  Ai tha: “Fan Noli është hero. Të hiqet ky moment krenarie kulturore dhe të kapet pas politikës së imët është një shuplakë për të gjithë ne.  Ne do të luftojmë si shqiptaro-amerikanë, sepse ne  kontribuojnë shumë për qytetin tonë, dhe nuk do të lemë askënd t’i mohojë këto kontribute si të pa rëndësishme. Këtë protestë kundër bllokimit të rrugës me emrin e Fan Nolit e përshëndetën dhe nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit të cilët festuan me madhështi 14 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.  Ata përshëndetën me këngën: “Xhamadani vija-vija” drejtuar nga artistja e mirënjohur Valbona Peraj.  Ata janë rritur në shkollë me Fan Nolin dhe vargjet lapidar të tij si Mbahu nëno mos ki frike se ke djemtë në Amerikë janë të ngjizura në shpirtin e tyre. Protestuesit dhe gjithë Diaspora Shqiptaro Amerikane shpreson se së shpejti do të bëhet inagurimi i rrugës me emrin e Fan Nolit. Fan Noli nderohet nga Diaspora dhe në Shqipëri si themelues i Federatës Pan Shqiptare “Vatra” kampion i letërsisë, historisë, teologjisë, diplomacisë, gazetarisë, muzikës, bashkimit kombëtar dhe ekumenizmit. Ai luajti një rol të rëndësishëm në konsolidimin e Shqipes si Gjuhë Kombëtare e Shqipërisë me përkthime të shumta të kryeveprave të letërsisë botërore.  Ai gjithashtu shkroi gjerësisht në anglisht: si studiues dhe autor i një sërë botimesh për Skënderbeun, Shekspirin, Bethovenin, tekste fetare dhe përkthime. 

26 Shkurt, 2022

Bronx, New York

Filed Under: Opinion

Ekspozita “Besa- Kodi i Nderit” në Toronto në kujtim të Holokaustit

February 25, 2022 by s p

Shani Pnishi/


Përvjetorin e katërmbëdhjetë të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Toronto të Kanada e shënoi së bashku me organizatën hebreje të këtijh qyteti “Yad Vashem”. Të dyja bashkorganizuan ekspozitën me fotografi të shqiptarëve të Kosovës dhe trojeve tjera shqiptare që i dolën në ndihmë popullit mik hebre në periudhën më të vështirë për ta, në Luftën e Dytë Botërore. Ekspozita e quajtur “Besa- Kodi i Nderit” u hap në prani të një numri të konsiderueshëm të komunitetit shqiptar dhe hebre në Kanada. Ngjarjen e përshëndetën me mesazhe dashamirësie edhe kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau dhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Në fjalën e saj presidentja Osmani vuri theksin tek njohja që vitin e kaluar i erdhi Kosovës nga Izraeli, ndërkohë që kryeministri Trudeau vuri theksin tek fjala shqipe “besa”, që do të thotë premtim dhe që u vu në funksion të ndihmës së hebrenjve gjatë okupimit nazist.Në fjalën e tij konsulli i përgjithshëm i Kosovës në Toronto Donat Syla ndër të tjera u shpreh: “Tashmë dihet botërisht se shqiptarët ishin ndër kombet e vetme në botë të cilët gjatë periudhës së Holokaustit nuk i dorëzuan hebrenjtë që po persekutoheshin gjithandej në Evropë. Përkundrazi, Shqipëria ishte i vetmi vend evropian që kishte më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore sesa para saj. Nëse gjurmojmë më thellë në histori ky nuk është akti i vetëm human që shqiptarët kanë bërë për hebrenjtë në të kaluarën. Autori Noel Malcolm në librin e tij ‘Agents of Empire’ tregon se në shekullin XVI kur hebrenjte po persekutoheshin në Evropën Perëndimore ata po gjenin strehim në trojet shqiptare. Sipas tij, në vitin 1520 së paku 2700 hebrenjë që kishin ikur nga pjesët e tjera të Evropës ishin vendosur në Vlorë. E Vlora është vendi ku shqiptarët shpallën pavarësinë në vitin 1912 për të jetuar në një shtet të përbashkët, por për shkak të padrejtësive historike një pjesë e konsiderueshme e territorit të banuar me shqiptarë mbeti jashtë territorit të Shqipërisë, siç mbeti edhe Kosova dhe shumë pjesë të tjera në ish- Jugosllavi”.Kjo ngjarje mori edhe mesazhe përshëndetëse nga kryeministri i Ontarios Doug Ford dhe kryebashkiaku i Torontos, John Tory. Morën pjesë në ekspozitë dhe iu drejtuan me fjalë përshëndetëse mysafirëve ministri Parm Gill, i cili ka shërbyer për disa vite si ministër për Shtetësi dhe Multikulturë në Qeverinë e Ontarios, dhe konsulli i përgjithshëm i Izraelit në Toronto Idit Shamir, e cila shoqërohej nga zëvendesit e saj Shani Azulai dhe Jordan Falkenstein. E gjithë ngjarja u shënua me prezencën e përfaqësuesve nga vende të ndryshme nga mbarë bota duke filluar nga konsullja e ShBA Susan Crystal, Magdalena Pszczolkowska e Polonisë , Thomas Schultze e Gjermanisë, si dhe konsulli i Republikës së Maqedonisë Veriore Ilir Islami nga Maqedonia e Veriut. Në postimin e tij në Facebook, konsulli i përgjithshëm i Kosovës në Toronto pas kësaj ngjarjeje shkruan: “Ajo çka e bëri të veçantë këtë event ishte pikëtakimi në Kanada, në një sinagogë hebreje ndërmjet dy popujve të lashtë: shqiptarëve dhe hebrenjëve, të cilët kanë shumë të përbashkëta në rrugëtimin e tyre historik, por edhe në vizionin e tyre për një botë më të mirë në të ardhmen për dy kombet tona”.

Filed Under: Komunitet

DIELLI ME SHQIPTARËT NË ITALI, KURSI I GJUHËS SHQIPE “IMPARARE L’ALBANESE A PADOVA”

February 25, 2022 by s p

Erida Çela Perlala, kordinatore e kursit të gjuhës shqipe në Padova – Itali, në një bashkëbisedim me Editorin e Diellit të Vatrës në New York Sokol Paja, rrëfen organizimin e mësimit shqip në Padova, aktivitetet patriotike, kulturore dhe edukative, sfidat për ruajtjen e gjuhës, kulturës, traditës dhe identitetit kombëtar në mërgatën shqiptare të Italisë.


KURSI I GJUHËS SHQIPE “ IMPARARE L’ALBANESE A PADOVA”


Kursi i gjuhës shqipe “ Imparare l’Albanese a Padova” ka filluar në vitin 2013-ën nga dëshira si nënë për të rimarrë në dorë atë boshllëk të krijuar në fëmijën tim të dytë, përsa i përket të folurit shqip. Ndërrmarrja është thjesht vullnetare, me dëshirën e mirë që fëmijët tanë ta shkruajnë dhe ta flasin gjuhën tonë të bukur. Motivi i kursit tonë është “ Gjuha ruhet aty ku shkruhet”. Kjo përpjekje e filluar nga unë në 2012 në Montegrotto Terme, ku unë banoj, vazhdon deri më sot 2022, me pjesëmarrjen dhe aktivizimin e mësueseve vullnetare që ju shtuan kësaj inisiative. Mësimi i gjuhës shqipe në kursin tonë ka ndjekur gjithmonë tre drejtime të cilat kemi kërkuar t’i përmbushim brënda limiteve të kohës në disponim: Alfabetizimi, Ideniteti Kombëtar – njohja e historisë së kombit tonë, heronjtë, personazhet shqiptare, veshjet popullore, veglat musikore, vallet e këngët si edhe njohja e bukurisë naturore të Shqipërisë – Gjeografi, Përdorimi i gjuhës nëpermjet aktiviteteve, eskursioneve, mbrëmjeve tematike dhe dëfryese të organizuara çdo vit.


HISTORIKU I KURSIT “IMPARARE ALBANESE A PADOVA”


Unë jam Erida Çela, me profesion inxhiniere mekanike, sot mësuese dhe istruktore e sporteve në ujë. Në maj të 2008, në bazë të përvojës time si istruktore noti, formimit shkollor dhe kurseve plotësuese në Itali, bashkë me dy kolegë të tjera dhe mbështetjen e bashkëshortit tim krijuam shoqatën sportive “Aquasport Terme Asd”, që do të zhvillonte kurse për mësim noti fëmijë dhe të rritur si edhe kurse të acquagym në ujë termal të pishinave të hoteleve në zonën termale ku jetojmë. Në 2012 filluam gjithashtu përpjekjet për të hapur një kurs të gjuhës shqipe për fëmijët e imigrantëve shqiptare në Padova. Viti I-rë 2012- 2013 pas kërkesës tonë Patronatit të Montegrotto Terme (prane kishës së komunës sonë) për një ambjent (klasë për zhvillimin e mësimit) e filluam këtë kurs të shtunave mbasdite, por megjithë publicitetin që bëmë, fëmijët ishin vetëm dy, Erik dhe Jona Perlala, që janë fëmijët e mi. Mësuesi, Ermal Petushi, student në Padova për Arkitekturë i ndoqi për dy muaj, por më pas u tërhoq nga kjo detyrë për arsye se filloi të punonte te shtunave në një bankë. 2013- 2014 Mësuese Erida Çela, nxënës 4 fëmijë, dy orë në javë nga tetori 2013 në qershor 2014. Vitet 2014- 2015, Mësuese Erida Çela dhe Meriban Çela (mamaja ime, që kish studiuar pedagogji, në Tiranë, me ndihmon për t’i ndarë fëmijët në dy nivele).a.fëmijët e rinj të sapoardhur(tre)-mësuese Meriban Cela.b.fëmijët me një vit kurs( katër)-Mësuese Erida Cela, 7 fëmijë.


MËSUESIT E ANGAZHUAR TE KURSI I GJUHËS SHQIPE “IMPARARE L’ALBANESE A PADOVA”


Në vitin 2015- 2016 mësuese vullnetare: Erida Çela, Meriban Çela, Besnike Kuniqi (me dipllomë inxhinieri elektrike dhe mediatore kulturale në Itali), Engjëllushe Agaj me eksperiencë në Shqipëri për mësimin parashkollor dhe Ermira Parruca – mësuese e muzikës. Fëmijët 10 u ndanë në tre nivele (të sapo ardhur, me një vit kurs , me dy vite kurs). 2016- 2017 grupit të mësueseve vullnetare iu shtua një mësuese e re, e dipllomuar ne Tiranë dhe më eksperiencë në shkollat e mesme për mësimin e frengjishtes. 12 -15 fëmijë të ndarë në tre nivele. 2017- 2018 , i njëjti formacion mësuesish, tre fëmijë u larguan se filluan shkollën e mesme (superiore), shtohen tre fëmijë të rinj. 2018- 2019 ndryshon formacioni i mësueseve, pra krahas Erida Çela mesuese e Grupit “ Imparare Albanese a Padova” 2013 – 2018, Besnike Kuniqi ( 2015 –2019) , Engjëllushe Agaj (2015- 2022), Kozeta Gjika (2016- 2022), nga tetor 2018 për vitin shkollor 2018-2019 u shtuan mësueset Geti Pici- mediatore kulturale dhe Dallëndyshe Hyseni 2018-2022 ( 12 fëmijë). Në 2020 – 2021 gjatë pandemisë Covid-19 mësimi u zhvillua jo në bibliotekë si më parë, por online me ndihmën e Google Meet me dhe fëmjët më të mëdhenj 9-10 vjeç (për aq sa ishte e mundur dhe fëmijët ishin të gatshëm). Mosha e fëmijëve, që ka ndjekur kursin tonë në këto vite ka qenë nga 5 deri 13 vjeç. Në 2021-2022, kursi i gjuhës shqipe të grupit “Imparare l’Albanese a Padova” nisi në Komunën e Albignasegos, ku mësuese Dallëndyshe eshtë banuese.. Kursi filloi në tetor me pjesëmarrjen e 20 -24 fëmijëve, parashkollore 4-5vjeç, 6-7 vjeç niveli i parë i gjuhës dhe 8-12 vjeç niveli i dytë. Mësueset në rol Dallëndyshe Hyseni për parashkollorët u mbështet nga mësuesja e re Alda Qoshja, Engjellushe Agaj për fëmijët e nivelit të I-rë dhe mësuese Kozeta u mbështet nga mësuesja e re Klaudia Gjika për fëmijët e nivelit të dytë.


AKTIVITETET PATRIOTIKE, EDUKATIVE DHE KULTURORE


Disa nga aktivitet e zhvilluara në këto vite: Shkurt 2013- Koncert per 5 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në Abano Terme, PD. Nga 2015 deri sot, organizimi i eventit me mësues, nxënës e prindër për ditën e flamurit , pra çdo nëntor. Eskursion me femijët në Venezia dhe Vjenë për gjurmët shqiptare, si dhe në Kështjellën e Gradarës dhe San Marino, për njohjen e vëndit ku jetojmë. Çdo vit bëhet rikujtimi i datave kryesore historike të Shqipërisë, Kosovës dhe heronjve të kombit tonë. Disa vite kemi festuar festën e gruas me aktivitete dëfrimi (recitim,valle, këngë dhe ushqime, pije etj / mësues, prindër e fëmijë. Disa aktivitete kemi thirrur përfaqsues komunash dhe shoqatash të tjera të cilët na kanë ndjekur në këto vite. Në mars 2019 organizuam shfaqjen “Burrnesha “ me regji të Valbona Xibri për festën e gruas, ku ftuam përfaqsues të dy komunave fqinje dhe shoqatash të tjera si në qytetin ku jetojmë edhe jashtë në qytetet përreth. Grupi i mësuesve tonë të “ Imparare Albanese a Padova” bashkpunon prej vitesh me mësues të kurseve te tjera të hapura në Itali dhe jashtë saj, si dhe bën pjesë si pjesë e shoqatës “ Aquasport Terme Asd” në Federatën Kombëtare të Shoqatave Shqiptare në Itali (FNAI). Mësues të kursit tonë kanë marrë pjesë edhe në seminaret rajonale dhe ndërkombëtare të organizuara në Itali, Shqipëri , Kosovë dhe Kroaci.

KUSH ËSHTË ERIDA ÇELA PERLALA ?


Erida Çela Perlala, kryer studimet e larta per inxhinieri mekanike Tiranë dhe Padova të Italisë, aktiviste nga 2009 për komunitetin shqiptar në Itali , një nga organizatorët kryesorë të Besëlidhjes së Re në Krujë, 6 shtator 2012, si edhe Protestës“100 Vjet Shqipëri e Copëtuar” me pjesëmarrje aktive Milano e Tiranë, korrik 2013, zëdhënëse e Shoqatës UNIKOMB me qendër në Trevizo nga viti 2012, mësuese dhe nismëtare e kursit të gjuhës shqipe në Padova, aktiviste në grupin nismëtar për formimin e Federatës të shoqatave shqiptare në Itali, FNAI 26 prill 2015 dhe anëtare e këshillit të kësaj federate dhe sot sekretare e saj. Administratore e disa grupeve në FB me qëllime kombëtare historike e kulturore. Sot punoj aktualisht si presidente e një shoqate sportive ne pishinat termale Padova me profesion mësuese noti dhe gjimnastikë në ujë, gjithashtu kordinatore e grupit te mësueseve në Padova “ Imparare Albanese a Padova”.

Filed Under: Politike

Requiem për poetin Bardhyl Londo

February 25, 2022 by s p

Gezim Zilja/

U mbush java që s’të shohim më o  Bardhyl Londo! Gazetat dhe TV-të shkruajtën e folën të gjitha për ty. Në këtë shkrim do të përsëris diçka, që ti ke thënë por u vërtetua sërish, kur shpirti yt i bukur nuk kishte as 24 orë që shëtiste i qetë, në lëndinat dhe mrekullitë e parajsës. Erdha me shkrimtarin Lazër Stani, mikun tënd të vjetër e bëm homazhe në sallonin e godinës së Kuvendit. Ndenjëm pak në oborr, duke takuar miqtë e tu të shumtë, që lotonin për ty. Pamë tek-tuk qeveritarë e kuvendarë të pikëlluar, duke bërë homazhe e vendosur kurora. Sigurisht, ti i dashur Bardhi nuk shikon gjë këtu në tokë, se parajsa është shumë lart atje në qiell, andaj pa lejen tënde do të shkruaj nja dy fjalë, që zemra s’mi mban dot e shpirti s’më del po nuk i shpreha. Nuk do të flas për poezitë e tua. Për to është shkruar, shkruhet e do të shkruhet derisa të flitet e të botohen libra në gjuhën shqipe. Unë do të shkruaj për atë që ti nuk më lejove atëherë, duke më thënë se: “kam shkruajtur vet, për problemin e pushimit nga puna prej Ministreshës së Kulturës. Asgjë. Kjo shoqëri është krejtësisht e kalbur dhe e politizuar, prandaj nuk ia vlen.” Po unë them se ia vlen, që të rithuhen e rishkruhen ca dukuri, që kjo shoqëri të kuptojë se lufta kundër urrejtjes midis njëri-tjetrit, padrejtësisë e militantizmit është detyrë e përhershme qytetare. 

   Këto kohët e fundit bashkë me disa miq të tu, vinim te Varri i Bamit, te pallati parafabrikat në anë të rrugës, ku banoje, se ti nuk mund të vije te “Pazari” ku takoheshim më parë. Atje në tavernën pas pallatit hidhnim dhe ndonjë gotë e bisedonim. Kishe çfarë përfitoje nga ai grup miqsh sepse flisnim për letërsinë, teatrin, mjekësinë, dashurinë, politikën e çdo gjë tjetër. Të çmoja jo vetëm urtësinë dhe mençurinë por veçanërisht se ishe i drejtpërdrejtë, me një sinqeritet çarmatosës.  Në vitin 2013 ty i paharruari Bardh Londo, (doje me pak se një vit të dilje në pension)  bashkë me shkrimtarin Lazër Stani, (që është ende i papunë) të pushuan nga puna sapo pushtetet u ndërruan. Të dy ishit nga ajo racë njerëzore, që jeton ndershmërisht me pagën, pa i njohur vjedhjet e hatëret. Dikur në tavolinë kemi bërë këtë dialog: 

Unë: Bardhi! Cili qe ministry, që ju pushoi nga puna,?

Ti:  Ik o Gëzim, mos na rokanis kokën. Tani do shkruash ti?

Unë:  Jo! Jam thjesht kurioz!

Ti:  E kam harruar. 

Unë: Po shkaku?

Ti: Si mijëra të tjerë, që ishim në qeverinë demokratike: pa shkak. 

Me  thjeshtësinë që të karakterizonte, duke parë me ata sytë e tu të thellë, ku rrathët e zinj nën qepalla dalloheshin tashmë që larg, iu drejtove Bujar Asqeriut: “Ty Bujar, që dole vjet në pension me që je dhe Mjeshtër i Madh, të bën ndonjë ceremoni lamtumire me këtë rast?” Bujari, hapi fort gojën, qeshi me atë zërin e tij si bubullimë, bëri pastaj një “pëëëëëëf”  të stërzgjatur dhe deklaroi : “Bardhi të lutem! Na lër ta pimë rehat këtë qelqe (gotë), hë të kam vëlla! Ditën që mbusha moshën e pensionit më lamëroi sekretarja të tërhiqja librezën dhe paga mu pre atë ditë. Kam luajtur mbi 150 role. Në teatër kam kaluar gjithë jetën time qysh nga shkolla e mesme. Asnjë telefonatë, asnjë fjalë, kurrfarë ceremonie, apo falënderimi. Po se mos vetëm mua! Aktorë të mëdhenjë, kanë shkuar në botën tjetër sikur të mos kishin ekzistuar fare dhe kanë lënë amanet: Nga shtëpia në varreza! Është çështje nderi, respekti, mirënjohjeje… Po bereqaversën! Nuk ma bënë si ty dhe Lazrit që ju flakën nga puna…!”

Çudi i dashur poet i mijëra shqiptarëve: Si nuk shkroi një gazetë tjetër qoftë dhe një gërmë, kur të pushuan nga puna, nëntë vjet më parë, dhe tani po “qajnë e lajnë” për ty?! Po këta gazetarë, pronarë gazetash e TV-ësh ishin dhe atëherë dhe ti po aq i famshëm sa sot!? Nuk e kuptonin thua që kjo përzënie nga puna ishte një “pushkatim” për poetin, si në kohën e diktaturës? Dhe e fundit: Erdhi për homazhe edhe ministresha që të largoi nga puna. Shumë e pikëlluar dukej. E ndoqa me vëmendje gjatë gjithë kohës. Vendosi një kurorë të madhe me këmbaleca për të shprehur dhembjen e respektin për ty. Sado mundohej, të dukej e mërzitur sa kaloi kangjellat e oborrit gjithë gjallëri u tha shoqërueseve: ” Ç’ditë e shkëlqyer sot, plot diell. Një kafe në Dajt do të ishte mrekulli.” Bëri disa hapa para dhe u kthye: “Hë pra, thoni tani? Nuk më rri bukur ky kostumi gri i hapur? Shkon me këtë pallto e shall kashmiri…” Hypi në makinën e parkuar mbi trotuar dhe urdhëroi: Në Dajt… Mu kujtua një thënia jote ato ditë, kur mblidheshim bashkë. Vure kokën midis pëllëmbëve të duarve dhe fole tepër i trishtuar: “Këtu në Shqipërinë tonë, i harrojnë dhe i vdesin për së gjalli poetët e artistët. Kur ata largohen nga kjo botë i nderojnë e dekorojnë. Madje i përcjellin me homazhe e muzikë funebre.”  Ka më shumë se tridhjetë vjet, që përsëritet kjo maskaradë o Bardhyl Londo! U përsërit edhe me ty para një jave. Këtë besoj e ke ditur edhe vet. Ne miqtë e shokët e tu nuk do të harrojmë derisa të piqemi, po qe e thënë edhe për ne, atje në parajsë, ku ti nxitove e shkove! Lamtumirë përgjithmonë, miku ynë!

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2388
  • 2389
  • 2390
  • 2391
  • 2392
  • …
  • 2774
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT