• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vatra “Long Island” dhe shkolla “Gjergj Fishta” – New York, suksese në misionin tuaj kulturor, qytetar dhe patriotik

November 9, 2025 by s p

Prof. Luigj Gjoka*/

Të dadhur vatranë të Long Island dhe nxënës të shkollës “ Gjergj Fishta”. Një vit më parë ndodhen dy ngjarje të rëndësishme për komunitetin shqiptar të Long Island, N Y. Siç tashmë është e njohur, Federata Pan- Shqiptare e Amerikës “Vatra” themeloi degën e saj në Long Island dhe inauguroi shkollën shqipe “Gjergj Fishta”. Gjatë këtij viti, kjo degë e Vatres, e drejtuar nga historiani Dr Paulin Marku dhe shkolla “ Gjergj Fishta” e drejtuar nga mësuesja, Fabiola Marku Gjinaj, të ndihmuar nga anëtarë dhe miq të Vatres, me përkushtim dhe pasion prej misionari, kanë realizuar një varg aktivitetesh kulturore në përkujtim të datave historike kombëtare, ku fëmijtë e mrekullueshëm të shkollës “Gjergj Fishta” këndonin këngë dhe kërcenin valle të zgjedhura nga gjithë viset shqiptare. Nuk mund të lemë pa përmendur edhe përkujtimin e 17 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ditë në të cilën “Vatra” e Long Island kishte organizuar një aktivitet në nivelin e një simpoziumi shkencor, ku u mbajtën disa kumtesa të rëndësishme për etapat në të cilat shqiptarët e Kosovës kaluan deri sa ia arriten te fitorja e pavarësinë së mohuar në shekuj.

Pra, në këtë një vjetor, dega e re Vatres në Long Island vjen me rezultate të prekshme në qëllimin e saj për të informuar, festuar e argëtuar shqiptarçe, për të mos harruar rrënjët tona shqiptare, për të ruajtur krenarinë tonë kombëtare, duke i shërbyer në këtë mënyrë edhe gjeopolitikës së shqiptarëve dhe forcimit gjithnjë e më shumë të marrëdhënieve me ShBA. I keni parë këngëtarët e sportistët e famshëm shqitarë, që e theksojnë identitetin e tyre kombëtar shqiptar duke formuar simbolin e shqipomjës me gishtat e duarve, apo duke mbështjellë trupin me flamurin kombëtar në çdo rast suksesi. Disa e quajnë këtë shfaqje të nacionalizmit shqiptar. Jo, nuk është hiç e vërtetë; shqiptarët kanë luftuar për çlirim kombëtar dhe kurrë për të pushtuar territore të popujve të tjerë. Po, shiptarët janë patriotë, dhe nuk do të heqin dorë nga patrotizmi deri sa të ekzistojnë mbi dhe nacionalistë që pretendojnë të pushtojnë ose aneksojnë toka e territore shqiptare. Kjo botë është e bukur dhe interesante sepse është e larmishme.

Shqiptarët duhet t’i parqesin botës historinë e tyre të hershme Iliro – Dardane – Epirote, gjuhën e tyre të vjetër, kulturën e pasur burimore,etnografinë e veçantë etj, si dhe rolin e shqiptarëve të famshëm në perandoritë e mëdha dhe kudo nëpër botën e qytetruar. Diaspora shqiptare ka luajtur dhe luan një rol të rëndësishëm në përmirësimin e imazhit të shqiptarëve në botën e sotme, por edhe në lidhje me çeshtjen kombëtare dhe problemet që kanë të bëjnë me demokracinë dhe përsosjen e saj. “Vatra” e shqiptarëve të Amerikës njihet për rolin e saj historik në lidhje me çeshtjet e shqiptarëve në “Gadishullin Ilirik”. Nuk mund të thuhet i njëjti vlerësim i qendrueshëm për poltikanët shqiptarë të Ballkanit. I uroj suksese të mëtejehme degës së Vatres në Long Island dhe shkollës “Gjergj Fishta” në misionin e tyre kulturor, qytetar dhe patriotik.

*Fjalë përshëndetëse e dërguar me rastin e 1 vjetorit të themelimit të Vatrës “Long Island” dhe shkollës shqipe “Gjergj Fishta” – New York.

Filed Under: Komunitet

The Strongest Link prezantohet në Vatër – Historia gojore flet me zërin e të mbijetuarave të përdhunimeve në Kosovë 1998-1999

November 9, 2025 by s p

Rafaela Prifti/

Prezantimi i librit The Strongest Link i autoreve Anna Di Lellio dhe Garentina Kraja paraditen e së shtunës në Vatër është shprehje e vëmendjes që Federata Pan-Shqiptare e Amerikes Vatra dhe Dielli ë japin temave të drejtësisë, në këtë rast të fokusuar tek forca e të mbijetuarave të dhunës seksuale përpara, gjatë dhe pas luftës në Kosovën e viteve 1998-1999. Tema e ndjeshme e dhunimeve nga forcat serbe edhe pas 30 vjetëve është ende e shtyrë në hije ose e mbështjelle me forma të ndryshme stigmatizimi. Dr. Pashko Camaj, Sekretar i Vatrës, i cili ju uroj mirëseardhjen të pranishmëve, shprehu vlerësim për kontributin që sjell libri në dokumentimin e historisë sonë. Më tej, editorja e Anglishtes Rafaela Prifti e ftoi Dr. Anna Di Lellio të jepte një përmbledhje të librit, shkruar me bashkëautoren Garentina Kraja, eksperte e Marrëdhënieve Ndërkombetare, e cila nuk mundi të vinte në këtë takim.

“Përmes rrëfimeve të veta, shumë personale, njëzet gra, përshkruajnë terrorin e luftës dhe traumat që i vuajnë edhe sot. Emrat i tyre i kemi ndryshuar, dhe bisedat i kemi mbajtur në prani të psikologëve. Ka qenë me rëndësi të mbrojmë identitetin e tyre në një vend të vogël ku gjithkush e njeh njëri-tjetrin,” vërejti Dr. Di Lellio. Ajo lexoi disa fragmente nga libri duke i konkretizuar ngjarjet me shembuj dhe figura të njohura që e bënin audiencën ta ndiente përmbajtjen së afërmi.

Titulli i librit The Strongest Link (Hallka më e Fortë) është përkthim i një botimi italian nga shekulli 16-të, shpjegoi Profesoresha me origjinë italiane, e cila është njohëse e mirë e shqipes dhe autore e shumë punimeve dhe librave të shkencave humane. The Oral History of the Wartime Rape Survivors in Kosovo – Historia gojore e te Mbijetuarave të Përdhunimit të Luftës në Kosovë është vecse një fraksion i ngjarjeve që ndodhën aty dhe, mesatarisht, vetëm një e një mijëta e rasteve të njoftuara që arrin shifrën mbi 20,000 por rrëfimi i tyre ka ndikim shumë të madh. Sic e përcaktoi Di Lellio, tubimet e seminaret, intervistat dhe analizat televizive flasin për pasojat e traumat, por “janë të mbijetuarat ato që jetojnë me traumën për ditë në shtëpitë e tyre.”

Dr. Di Lellio i vlerëson shumë komentet e dërguara nga lexuesit dhe i ftoi pjesëmarrësit të komunikojnë nëpërmjet emejlit, në shqip ose anglisht, pas leximit të librit.

Për studiuesin dhe gazetarin e njohur Elez Osmani nga Kosova, i cili dha një kumtesë të plotë për librin “që thyen heshtjen” sic e quajti ai, ishte hera e parë që takohej me Profesoreshën, veprën e së cilës e ka përcjellë me kujdes duke e vlerësuar shumë ndihmën e saj për Kosovën.

“Njëzet e pesë vjet pas lufte, ndërsa drejtësia ende vonohet për të mbijetuarat e dhunës seksuale dhe mohimi e shtrembërimi i historisë nga Serbia nuk dënohet fuqishëm, vlen të përsëritet qëndrimi i Vatrës së bashku me shoqatat e komunitetit shqiptar se UCK-ja u ngrit në luftë për të mbrojtur shtepitë dhe familjet e tyre ndaj një fushate të egër të shfarosjes etnike. Si ju përgjigjeni atyre që thonë sot se ka pasur raste dhune nga të dyja anët apo se ashtu është lufta?” – pyeti Rafaela Profesoreshën Di Lellio. “I përgjigjem duke ju referuar Holokostit, ku është e qartë se kush janë viktimat dhe kush janë shkaktarët e dhunës dhe fajtorët për të!”

Dr. Di Lellio falenderoi organizatorin e prezantimit Gazetën Dielli dhe të pranishmit duke shprehur mirënjohje për pjesëmarrjen dhe interesimin për librin The Strongest Link.

Filed Under: Featured Tagged With: Rafaela Prifti

PAVARËSIA DHE SHQIPTARËT NË REVOLUCIONIN XHONTURK, NJË HAP MË PRANË REALIZIMIT TË ASPIRATAVE TË TYRE KOMBËTARE PËR LIRI

November 9, 2025 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Gjatë epokës hamidiane, nacionalizmi në Perandorinë Osmane ishte një dukuri e përhapur si ndër popujt jomyslimanë edhe ata myslimanë dhe jo vetëm një projekt turk. Turqizmi ishte pjesë e një mozaiku të lëvizjeve identitare që reflektonin shpërbërjen e rendit osman dhe lindjen e ideve moderne të kombit. Në fund të shek. XIX, Perandoria Osmane po përballej me krizë të brendshme dhe me rritje të ndjenjave kombëtare te popujt e saj. Përpjekjet e reformave të Tanzimatit dhe më pas politika e centralizuar e Abdyl Hamitit II krijuan tensione mes identitetit osman dhe identiteteve etnike lokale. Kjo solli lindjen e shumë lëvizjeve që kërkonin autonomi kulturore ose politike.

Në këtë situate, turqizmi përpiqej të afirmonte identitetin turk brenda Perandorisë, etnitë që gjendeshin ende nën sulltanin: shqiptarët, arabët dhe kurdët zhvilluan ndjenja të ngjashme vetëdije për dallimet e tyre kulturore, gjuhësore dhe historike me turqit, madje edhe grupe më të vogla si çerkezët, që kishin ardhur si refugjatë, filluan të ruanin vetëdijen për origjinën e tyre. Por niveli i ndërgjegjes kombëtare ndryshonte. Shqiptarët kishin arritur në një fazë të pjekur që solli pavarësinë kombëtare, pra në një gjendje shoqërore kur ishin shtuar kërkesat e tij dhe ishte rritur vetëdija e përbashkësisë etnike, gjuhësore, historike dhe kulturore.

Lëvizja Kombëtare Shqiptare u zhvillua në rrethana tepër të vështira politike dhe diplomatike, sepse nuk gjeti mbështetje reale ndërkombëtare. Në atë kohë, Fuqitë e Mëdha europiane si: Britania e Madhe, Austro-Hungaria, Rusia, Franca dhe Italia e shihnin Shqipërinë ende si pjesë integrale të Perandorisë Osmane, prandaj çdo lëvizje shqiptare për autonomi apo pavarësi u konsiderua “si çështje e brendshme osmane” dhe jo si problem kombëtar më vete që duhej trajtuar në arenën ndërkombëtare. Nga ana tjetër, përçarjet krahinore dhe fetare e bënin të paqartë vizionin politik të Lëvizjes Kombëtare; një pjesë kërkonte autonomi brenda Perandorisë; një tjetër pavarësi të plotë.

Kjo e dobësoi qëndrueshmërinë e Lëvizjes antiosmane para opinionit ndërkombëtar. Ishte koha kur Fuqitë e Mëdha u angazhuan për ruajtjen e status quo-së, pasi diplomacia evropiane kishte frikë se shpërbërja e Perandorisë Osmane do të sillte një luftë të përgjithshme në Ballkan, prandaj preferuan ta ruanin integritetin e saj territorial përmes reformave dhe jo të nxisnin krijimin e shteteve të reja. Ndryshe mendonin shtetet fqinje ballkanike: Serbia, Greqia, Mali i Zi dhe më vonë Bullgaria, që kishin interesa të kundërta me ato të shqiptarëve. Ato mbështetën përkohësisht kryengritjet shqiptare në rastet kur këto dobësonin Perandorinë Osmane, por kurrë nuk i përkrahën kërkesat kombëtare shqiptare për autonomi apo pavarësi. Në fakt, planifikimet e tyre ushtarake dhe diplomatike kishin për qëllim ndarjen e territoreve shqiptare midis tyre, në përputhje me projektet e tyre nacionaliste.

Në gjysmën e dytë të shekullit XIX, pas Kongresit të Berlinit (1878), shqiptarët e panë qartë se fuqitë evropiane dhe shtetet fqinje nuk do ta mbronin çështjen shqiptare. Autonomia politike dhe kulturore brenda Perandorisë Osmane dukej e vetmja rrugë e mundshme për të shmangur copëtimin e trojeve shqiptare. Por për ta arritur këtë, duhej ndryshuar vetë sistemi politik i Perandorisë, i cili e mbante çdo komb nën kontrollin e rreptë të Sulltanit dhe burokracisë osmane. Kështu, një pjesë e intelektualëve shqiptarë të formuar në shkollat osmane ose evropiane si: Ismail Qemali, Nexhip Draga, Hasan Prishtina etj. e kuptuan se për t’u përmbushur objektivat kombëtare, duhej më parë të përmbysej regjimi absolutist i sulltan Abdyl Hamiti II dhe të vendosej një sistem kushtetues që do të garantonte të drejta politike për popujt e Perandorisë.

Politika e Sulltanit, që synonte t’i paraqiste shqiptarët si “kurorën e Perandorisë” dhe si element besnik të pushtetit osman, nuk arriti t’i largojë ata nga vetëdija e përkatësisë së tyre kombëtare. Përkundrazi, klasa e re intelektuale dhe politike shqiptare, e frymëzuar nga lëvizjet kombëtare europiane, e kuptoi se ardhmëria e kombit nuk mund të mbështetej më mbi strukturat e një perandorie në shthurje, por mbi krijimin e një shteti të pavarur kombëtar, sipas modeleve moderne të Evropës së kohës. Në këtë kuptim, lëvizja kombëtare shqiptare gjeti përkohësisht një pikë takimi me lëvizjen e turqve të rinj (xhonturqve), e cila synonte rikthimin e Kushtetutës së vitit 1876 dhe vendosjen e një monarkie kushtetuese.

Por, ky bashkim interesash ishte më shumë taktik sesa strategjik. Shqiptarët e shihnin përmbysjen e regjimit si një hap drejt autonomisë kombëtare dhe ruajtjes së tërësisë territoriale të Shqipërisë, ndërsa turqit e rinj synonin forcimin dhe unifikimin e Perandorisë nën një identitet të vetëm osman apo turk. Për shqiptarët, liria kishte kuptimin e autonomisë politike e kulturore, ndërsa për xhonturqit ajo nënkuptonte modernizimin e shtetit osman, pa e prishur unitetin e tij.

Revolucioni i vitit 1908 u perceptua fillimisht si një frymë e re lirie dhe reformash, që premtonte përmbysjen e autokracisë së Sulltan Abdyl Hamitit II dhe rikthimin e Kushtetutës së vitit 1876. Për shqiptarët, ky zhvillim dukej si mundësi për të fituar autonomi administrative, arsim shqip dhe përfaqësim politik, pa qenë e nevojshme shkëputja e menjëhershme nga Perandoria Osmane. Në këtë kontekst, bashkëpunimi me turqit e rinj kishte dy motive të qarta: Për të shfrytëzuar ndryshimet kushtetuese në dobi të zhvillimit kombëtar shqiptar brenda Perandorisë; për të forcuar pozitën politike të shqiptarëve në raport me fqinjët ballkanikë, që synonin copëtimin e trojeve të shqiptarëve. Mirëpo, ky bashkëpunim, qe në fillim i mbështetur mbi ideologjinë e osmanizmit (osmanlıcılık) dhe të konstitucionalizmit dhe kishte kundërthënie të brendshme. Për shqiptarët, osmanizmi ishte një mjet për të fituar barazi e liri; për xhonturqit, ishte një mjet për uniformizim dhe centralizim, që në praktikë do të nënkuptonte asimilim kulturor e politik të kombeve joturke. Kjo bëri që shumë shqiptarë ta kuptonin se osmanizmi binte ndesh me aspiratat e tyre për autonomi.

Të huajt kërkonin një shtet të unifikuar, ndërsa shqiptarët kërkonin njohje të veçantë për gjuhën, arsimin dhe administratën lokale. Koha e parë e sundimit të xhonturqve do të ishte më liberale në raport me çështjen shqiptare, sidomos në fushën e arsimit dhe të kulturës. Prej ngadhënjimit të revolucionit e deri në pranverën e vitit 1909, duke shfrytëzuar liberalizmin e jetës shoqërore dhe politike, patriotët shqiptarë u angazhuan në hapjen e klubeve dhe të shkollave shqipe. U nxorën shumë gazeta dhe revista shqipe që i dhanë hov zhvillimit të arsimit dhe kulturës kombëtare e krahas me të edhe ngritjes së vetëdijes kombëtare.

Revolucioni xhonturk do të bënte ndryshime të mëdha në Perandorinë Osmane. Ky revolucion do të sillte edhe ndryshime të theksuara te shqiptarët, të shoqëruara me përplasje të madhe midis nacionalizmit shqiptar dhe atij turk. Revolucion tregoi qartazi se Lëvizja Kombëtare Shqiptare nuk mund të priste që programi i saj politik të realizohet përmes lëshimeve të xhonturqve. Revolucioni kushtetues i vitit 1908 ishte një moment i dyfishtë në historinë shqiptare: njëherazi “shpresë për ndryshim” dhe “fillim i zhgënjimit politik”. Ai shënoi kulmin e afrimit me turqit e rinj nën flamurin e osmanizmit dhe konstitucionalizmit, por edhe pikën e kthesës, kur shqiptarët kuptuan se rruga e tyre drejt lirisë nuk mund të përputhej me interesat e një Perandorie që kërkonte uniformizim, dhe jo barazi.

Turqit e rinj filluan të ndalojnë hapjen e shkollave shqipe, të mbyllin gazetat dhe klubet shqiptare, dhe të centralizojnë administratën, duke e parë çdo kërkesë kombëtare si kërcënim ndaj unitetit të Perandorisë. Kjo solli zhgënjimin e shqiptarëve dhe kalimin nga faza e bashkëpunimit në atë të kundërshtimit të hapur, që do të shpërthente me kryengritjet e viteve 1909 -1912 dhe do të përfundonte me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 1912.

Filed Under: Komente

“Zbardhja e së vërtetës është virtyt”

November 8, 2025 by s p

Elez Osmani/

“Një Histori Gojore e të Mbijetuarave të Përdhunimit gjatë Luftës në Kosovë” – Anna Di Lellio dhe Garentina Kraja, Seria e Historisë Gojore e Oksfordit.

Në jetën e popujve ka ngjarje historike që kanë peshë të veçantë historike, jo vetëm për territorin që çlirohet, por edhe për mbarë historinë kombëtare. E tillë është edhe lufta për çlirimin e Kosovës. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, as nuk piku nga qielli, as nuk doli nga dheu. Ajo ishte përgatitur nga breza të tërë të atdhetarëve shqiptarë, në mënyrë që në nëntorin e vitit 1997, kur doli publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të fillonte realizimi konkret i kërkesave të shqiptarëve për të mos jetuar në robëri. Do të thotë, çlirimi i Kosovës nuk është vetëm ngjarje për jetën e popullit shqiptar të Kosovës dhe të viseve që kishin mbetur jashtë shtetit amë, Shqipërisë.

Çlirimi i Kosovë është ngjarje me përmasë kombëtare, sepse më Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është hapur procesi i madh historik i bashkimit kombëtar. Prandaj, mund të thuhet, se vetëm me luftë çlirimtare, jo vetëm fitohet liria, por edhe ndryshojnë rrethanat historike në jetën e një kombi, në këtë rast të Kombit shqiptar. Madhështia historike qëndron në faktin se Kosova është pjesë e lirë e kombit shqiptar, pra është e pavarur, si shtet.

Por, edhe i gjithë ky rrugëtim historik, në jetën e popullit të Kosovës dhe të popullit shqiptar në përgjithësi, e kishte një çmim të rëndë në rrugën e zhvillimit historik. Jo vetëm pse lufta është luftë, gjë që sjellë shumë shkatërrime dhe humbje të jetëve të njerëzve, deri edhe të fëmijëve të pafajshëm, por edhe pse përpara kishim një armik shekullor, që hartonte programe për zhdukjen e shqiptarëve, që nuk respektonte ligjet e luftës, e të mos flasim për moralin e luftës së tyre.

Prandaj, sot në këtë takim, jam i emocionuar, thjeshtë për shkak se tema bosht, që trajtohet në librin e posa botuar, nga Profesoresha Anna Di Lellio dhe Garentina Kraja, të zgjon ndjeshmërinë, dhembjen, keqardhjen, për personazhet e librit, që janë nënat, motrat, nuset dhe vajzat tona. Por, meriton që të diskutojmë të vlerësojmë dhe t’i përgëzojmë autoret për punën e vyer, duke e përballur lexuesin me një realitet që vështirë se mund të gjendet në historinë e përbotshme të luftërave.

Libri, Një histori gojore e të mbijetuarve të përdhunimit gjatë kohës së luftës në Kosovë”, para së gjithash, për gratë që kanë rrëfyer historitë e tyre të dhembjes dhe të çnjerëzimit, pra të jetës së tyre, para, gjatë dhe pas luftës së Kosovës në vitet 1987-1999, thonë autoret. Përkundër faktit se ato kanë përmbledhur rrëfimet e vërteta, origjinale, të dhembshme, te atyre që janë të mbijetuara të dhunës seksuale nga forcat serbe ushtarako-policore dha paramilitare, gjatë luftës. Vlerësohet se mbi 20,000 gra ishin viktima të dhunës seksuale gjatë luftës. Në anën tjetër, për gati më shumë se dy dekada pas përfundimit të saj, pak të mbijetuara kanë dalë hapur për të dhënë rrëfimet tragjike për ato akte çnjerëzore që kanë përjetuar.

Në librin ” Një histori gojore e të mbijetuarve të përdhunimit gjatë kohës së luftës në Kosovë”, Anna Di Lellio dhe Garentina Kraja, i kanë vënë vetes qëllim që ta thyejnë atë heshtje, duke paraqitur historinë gojore të grave që i mbijetuan përdhunimit, nga forcat e armatosura pushtuese gjatë Luftës në Kosovë. Me zërat e tyre, njëzet gra, nëna dhe motra tona, përshkruajnë terrorin e luftës, si dhe makthet që kanë përjetuar, gjë që i ndjekin ato edhe sot e gjithë jetën.

Përmes këtyre rrëfimeve, lexuesve u jepet një pamje e shkurtër, se si është të jesh grua, jeta e së cilës është ndryshuar dhe shkatërruar nga një regjim i dhunshëm serb , dhe nga lufta, e cila këtë shpërfytyrim njerëzor e përdorte për t‘ulur dinjitetin e një populli dhe për të vënë në dilema pa rrugëdalje forcat çlirimtare të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës.

Ndërsa rrëfejnë, pra e rikujtojnë atë pjesë të tragjedisë së përgjithshme, edhe si dhembje dhe mjerim personal, përvoja që datojnë pothuajse 30 vjet më parë, ato në të njëjtën kohë, zbulojnë një anë tjetër të tragjedisë që i kishte rënë hise popullit shqiptar, se si dhuna seksuale mund të përdoret dhe përdoret në luftërat bashkëkohore, edhe si mjet për ta GJUNJËZOR ASPIRATËN PËR LIRI TË NJË POPULLI, andaj ajo nuk duhet të lihet në harresë, as nuk mund të mohohjet e të heshtet, sepse ka prekur palcën e asaj që quhet dinjitet jetësor dhe liridashës i një populli.

I kuptoj edhe vështirësitë e autoreve, traumat dhe streset nga ato rrëfime tragjike të dëgjuara, por, mendoj, se kanë arritur me sukses të paraqesin në ato rrëfime dëshmi të pabotuara më parë, edhe pse janë vetëm njëzet të mbijetuara, të cilat kanë përjetuar përdhunimin gjatë luftës.

Rasti i Ellen Gardner

Duke përdorur kështu një qasje, ku historia gojore është pjesë e historisë së një populli, që nuk duhet të lihet në harresë, autoret kanë arritur për t’u ofrojnë lexuesve një perspektivë të nuancuar të jetës së të mbijetuarave, në vend që thjesht të përshkruajë viktimizimin e tyre. Libri përshkruan përshkallëzimin e dhunës në Kosovë gjatë viteve 1998 dhe 1999, kur forcat serbe kishin filluar fushatën e spastrimi etnik të popullsisë shqiptare, që është akti më i lartë i gjenocidit ndaj një populli. Rrëfimet, secili në mënyrën e vet, e lidh luftën, me përjetimet që ju kishin rënë hise. Ato janë bartur nga një vend në tjetrin, ngase në përpjekjet e tyre dhe të familjeve të tyre për të gjetur një strehë të sigurt, gjë që del se nuk e kishte askush, rrjedhimisht as këto motra dhe nënat tona që kanë rrëfyer tragjedinë e tyre, si pjesë e tragjedisë së përgjithshme të kombit tonë.

Aty rrëfehet brutaliteti kundër civilëve në zonat rurale të Drenicës dhe të Dukagjinit, por edhe gjetiu nëpër Kosovë, ku UÇK-ja ishte më e pranishme, por edhe në zona ku nuk kishte pasur aktivitete të armatosura. Ndërsa burrat, disa ishin ushtarë e disa ikën nga vdekja e sigurt duke u fshehur në malet e ndryshme të Kosovës, gratë u bënë kujdestare të familjeve të tyre. Qofshin gra të rritura, apo vajza të reja, askush nuk u kursye nga tërbimi i forcave pushtuese serbe, kurse në anën tjetër, u thoshin viktimave të tyre, ndërsa i rrihnin, i mbytnin dhe i përdhunonin, se po u bënin këtë vetëm pse ishin shqiptarë.

Kujtoj se kam të drejte të pohoj se këto skena tmerri i ka dëgjuar që atëherë edhe autorja Garantina, si gazetare e “Kohës Ditore”, e cila ishte gazeta me e besuar dhe citohej edhe nga ndërkombëtarët. Garentina Kraja është studiuese, gazetare dhe ish-këshilltare politikash. Karriera e saj përfshin mbi dy dekada raportimi, kërkimi dhe këshillimi politik në Kosovë dhe vende të tjera në Ballkanin Perëndimor, duke filluar nga mbulimi i luftës së viteve 1998-99, në vendin e saj të lindjes, në Prishtinë.

Anna Di Lellio është Profesoreshë e Asocuar në Masterin e Arteve në Marrëdhënie Ndërkombëtare (MAIR) në Universitetin e Nju Jorkut. Si eksperte për Kosovën, ajo është bashkëthemeluese e Iniciativës së Historisë Gojore të Kosovës. Ajo ka dhënë mësim në Universitetin e Kolumbias, Kolegjin Sarah Lawrence, Shkollën e Re dhe Universitetin Amerikan në Kosovë.

Profesoresha Anna Di Lellio, është sociologe dhe analiste politikash me një gamë të gjerë interesash dhe përvojash, nga politika dhe kultura amerikane te nacionalizmi, siguria dhe ndërtimi i shtetit në Ballkan. Hulumtimi dhe botimet e saj përqendrohen në Kosovë, ku ajo punoi për vite me radhë,

Ajo është redaktore e librit “The Case for Kosova: Passage to Independence” (Himni, 2006) dhe autore e librit ” Beteja e Kosovës 1389: një epikë shqiptare” (I.B. Tauris, 2009). “Dimri i gjatë 1945” Kushtuar masakrës së Tivarit të bërë nga partizanët e Titos, së bashku me ndihmën e partizanëve shqiptarë.

Në vitin 2015 ajo u nderua me Medaljen Presidenciale nga Presidentja Atifete Jahjaga për kontributet e saj ndaj kombit në fushën e kulturës. Ana Di Lellio dhe Kraja rrëfimet e dëgjuara dhe të publikuara i kanë vënë brena një konteksti të një historie shtypjeje shtetërore, spastrimi etnik dhe të një mungesës së përgjithshme të drejtësisë edhe në rrafshin ndërkombëtar. Duke i thurur historitë e këtyre grave së bashku dhe, duke i vendosur ato brenda një linje historie kronologjike, këto histori mund të lexohen, ashtu siç mund të dëgjohen, për të qenë dëshmi të hartimit të historive kombëtare, jo vetëm si rrjedhë e ngjarjeve, por edhe si përjetim njerëzor. Pra, në rrëfimet e tyre shpërfaqet , një histori guximi dhe force e atyre femrave.

Rrëfimet dhe historitë e të mbijetuarave, brenda ngjarjeve më të gjera historike, në mënyrë shumë dokumentare, i ofron çdo lexuesi, mundësinë të kuptojnë se si dhuna seksuale u përdor si armë në këtë luftë. (ani pse disa e quajtën konflikt të armatosur)

Më duhet ta them pa ngurrim, se profesoresha, koautorja, Anna De Lellio se bashku me gazetaren, publicistën, Garantina Kraja kanë bërë një punë te shkëlqyer, sepse e publikojnë një pjesë të të vërtetave, si këto rrëfime të tmerrshme të atyre vajzave dhe grave, që për kaq shumë kohë është heshtur, për arsye të njohura. Ndaj, mund të thuhet, me të drejtë, se zbardhja e së vërtetës është virtyt.

Filed Under: Komente

NË MAGJINË E KËNGËS DHE VALLES SHQIPE NË ITALI

November 8, 2025 by s p

Nereida Xhakolli/

Kohët e fundit qyteti i paqes, Rovereto përjetoi dy evenimente kulturore të bukura, ku protagonistë ishin kënga dhe vallja. Në evenimentin e parë artdashësit e Roveretos, veçanërisht ata të komunitetit shqiptar, pritën me interes të madh e ngrohtësi një mysafir special e jo të zakonshëm, Ansamblin e Këngëve e të Valleve të Tiranës “Muza shqiptare”, që jemi mësuar ta njohim me emrin Ansambli i Shtetit. Ishte iniciativa e bukur dhe e lavdërueshme e baletmaestrit Enkel Zhuti dhe e tri shoqatave të zonës, që bashkëpunuan me të, për ta sjellë këtë trupë exellente në qytetin tonë.

Natën e parë ansambli i ardhur nga Tirana, dha shfaqje për artdashësit në qytetin e Bolzanos. Kurse të nesërmen pati një pritje shumë më të gjerë e entuziazmuese në Rovereto, në auditorin e pranë muzeut Mart. Një sallë e mbushur plot me artdashës së të gjitha moshave. Rreth 400 spektatorë. Na kujtoheshin ata dokumentarët e dikurshëm kur Ansambli i Shtetit me yje të valles si Besim Zekthi, Lili Cingu, Rexhep Çeliku e të tjerë shkonin nëpër shtete të ndryshme ku bënin jehonë të jashtëzakonshme me bukurinë e këngëve, valleve e kostumeve të zonave të ndryshme të Shqipërisë.

Këtë traditë ansambli “Muza shqiptare” e ka ruajtur dhe po e ngre më lart. Në pjesëmarrjen e tij, si këngëtarët, ashtu edhe valltarët janë në moshë të re dhe kjo premton që ata do ta çojnë lart e më lart emrin e këtij ansambli. Repertori është ai i njohuri, këngë e valle nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Koreografët dhe drejtori artistik ishin përpjekur të sillnin majën e diamantit të artit popullor shqiptar. Me një interpretim të përsosur si të valltarëve, ashtu edhe të këngëtarëve dhe instrumentistëve. Spektatorët e ardhur jo vetëm nga Rovereto e tërë Trentino, por edhe nga Novara, Milano, Padova e Azzanë Decimo, duke iu përgjigjur atmosferës dhe entuziazmit që krijoi ansambli, pothuajse u shkrinë bashkë me trupën, duke kënduar e duke vallëzuar në sallë. Kishte mes tyre spektatorë të të të gjitha moshave, që nga fëmija 2-vjeçar e deri tek nëna 90 vjeçe. Një pjesë e mirë e spektatorëve ishin italianë, që prej vitesh ndjekin me simpati e me kënaqësi aktivitetet artistike të shqiptarëve.

Në paraditen e shfaqjes, si “zonjë shtëpie”, pata kënaqësinë që disa nga spektatorët mysafirë që kishin ardhur nga larg, si anëtari i këshillit komunal të Azzano Decimo, Ervin Ramalliu me familjen e tij e të tjerë, t’i shoqëroja në kodrën ku ndodhet Kambana e Paqes. Ata jo vetëm u njohën me historikun e kësaj kambane, por qëlluan edhe në momentin e duhur për të dëgjuar tingujt e saj në nderim të të rënëve në luftra. Si të rriturit, ashtu edhe fëmijët blenë dhurata që kanë lidhje me këtë simbol të paqes në Rovereto.

Evenimenti i dytë ishte Festfolk 2025, organizuar si çdo vit tjetër nga shoqata “Artisti” dhe drejtuesi i saj, muzikanti Alaksandër Kolshi. Ky aktivitet është bërë tashmë një traditë prej më shumë se 12 vite. Edhe këtu, në skenën e festivalit, ngjiten për dy netë me radhë grupe artistësh, këngëtarë, valltarë, instrumentisë të të gjitha etnive përfaqësuese në zonën e Trentinos. Secili grup vjen me kostumet, këngët, vallet e meloditë e vendit të vet. Aleksandri në gjithë këta vite, jo vetëm është shquar për organizimin e një aktiviteti, që tashmë ka një historik të pasur, por ka ditur të afrojë një numër të madh grupesh e pjesëmarrësish, që i japin gjallëri jetës kulturore-artistike në qytet. Këtë e dëshmoi më së mirë edhe festivali i sivjetëm, që solli një larmi të madhe pasurish kulturore e artistike të popujve të ndryshëm.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 238
  • 239
  • 240
  • 241
  • 242
  • …
  • 2941
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Historia e Krizës së Kosovës 1999-2000 përmes Zarfave Postare
  • Ali Dino – deputeti i Çamërisë dhe artisti i shquar
  • “Rikoshete e fatit” dhe “Nusja e Topiajve”, botimet më të reja nga shkrimtarja Raimonda Moisiu -Sade
  • Zgjidhje urgjente për kërkesat e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut
  • STILISTIKA DHE BOTA E PERSONAZHEVE
  • Nga kërcënimi te kompromisi: Realpolitika e armëpushimit Trump–Iran
  • KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE E VITIT 1911 DHE RËNDËSIA E SAJ HISTORIKE
  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT