• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PROTESTË GJITHËKOMBËTARE ANTI-SERBE ANTI-RUSE PRO-AMERIKANE

December 20, 2021 by s p

Nga MA. AGIM ALIÇKAJ

         Protesta e datës 20 Dhjetor 2021 në ora 4 pasdite në Tiranë është me rëndësi jetike për ekzistencën dhe mirëqënien e kombit shqiptar. 

         Ardhja e armikut dhe urrejtësit të përbetuar të popullit shqiptar, bashkëpuntorit më të afërt të kriminelit Milosheviç Aleksandar Vuqiç në Tiranë paraqet kulmin e nënçmimit të mbarë kombit shqiptar. Është shkelje e drejtpërdrejtë mbi gjakun e qindra-mijërave viktimave të regjimeve barbare serbe, që nga zbritja e tyre nga shpellat e Karpateve dhe okupimi i tokave Ilire.

         Nuk ekziston kurrëfarë dileme se Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është i shitur dhe nën kontroll të plotë të kriminelit Vuqiç. Bisedat e fshehta, por edhe sjelljet e hapura të tij gjatë viteve të fundit tregojnë se kishte marrëveshje me te për faljen e krimeve serbe dhe ndarjen Kosovës. Pas dështimit të këtij projekti të ndyer anti-kombëtarë dolën me idenë për një projekt tjetër më perfid, kinse për “Ballkan të hapur” që nënkupton largimin e Shqipërisë nga Evropa dhe Amerika dhe futjen e saj në zonën e interesit Serbo-Ruso-Kinezo-Iranian.

         Ardhja e Edi Ramës në krye të PS-së dhe marrja e pushtetit për tri mandate ishte fatëkeqësi kombëtare. Me hajni, dallavere, forma të ndryshme të korrupsionit dhe kriminalitetit ia arriti ta kompromitojë proçesin zgjedhor duke e  futur Shqipërinë në kontroll të plotë të bandës së tij udhëheqëse.

         Ramës këtë ia mundësoi edhe tërhjekja nga lidershipi i PD-së i liderit anti-komunist Sali Berisha dhe ardhja në krye e një politikani të paaftë, Lulzim Basha. Kjo, edhe me fajin e Sali Berishës. Edhe pse politikan i dështuar, Basha po mundohet të mbetet me zor Kryetar i PD-së me ndihmën e Edi Ramës dhe një pjese shumë të vogël të anëtarësisë së PD-së. Nuk e ka të qartë fare se populli është ai që mund ta jep dhe ta heq pushtetin, jo Edi Rama, as ambasadorët e shteteve tjera, qofshin edhe shtete mike.

         Shqipëria nënë është në një nevojë të dëshpëruar për ndryshime. Me të gjitha të mirat dhe të këqijat, Sali Berisha është në këtë moment i vetmi lider që mund të sjell ndryshime, të krijojë opozitë të vërtetë demokratike pro-amerikane, konservative, nacionaliste në Shqipëri dhe të ia ndalë turrin anti-shqiptarëve dhe anti-amerikanëve si Edi Rama, Vuqiçi dhe Putini.

         Shpallja e tij non-grata nga DASH, si e dyshimtë dhe pa fakte, sidomos përpjekja e Bashës për ta larguar nga grupi parlamentar i PD-së, pati ndikim pozitiv në kthimin e Sali Berishës në jetën politike të Shqipërisë. Populli shqiptar ka vuajtur shumë dhe është shumë i ndjeshëm ndaj padrejtësive. Për këtë arësye, përkrahja nga populli demokrat i Shqipërisë për Sali Berishën u shtua shumëfish, gjë që është e dukshme nga pjesëmarrja masive në foltore dhe referendum për shkarkimin e Lulzim Bashës.

         Të shpresojmë se do të ndodhë edhe në Shqipëri ngritja në pushtet e liderëve të kalibrit të Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit, ardhja e të cilëve e shpëtoi shtetin e Kosovës nga ndarja dhe shkatërrimi. Të pakorruptuar, të aftë dhe të pakompromis, janë shpresa e vetme e ndërtimit dhe ngritjes së Republikës së Kosovës. Pritet nga lideri Sali Berisha, t’i gjej dhe afrojë kuadrot e tillë të cilët nuk i mungojnë as  Shqipërisë, e ata do të jenë në gjendje ta reformojnë dhe forcojnë PD-në që të bëhet e gatshme për ta marrë pushtetin.

         Politikanët tanë dhe të gjithë tjerët duhet ta kuptojnë se nuk është e thënë që të gjithë zyrtarët amerikanë duhet të jenë të mirë dhe pro-shqiptar. Edhe ata bëjnë gabime.Por, kushtetuta dhe demokracia e vërtetë amerikane jua gjenë vendin të gjithëve gjatë kohës. Të gjithë janë të përkohshëm. Mospajtimi me ndonjërin prej tyre është gjë normale siç ishte rasti me ish-Ambasadorin  pro-serb Grenell. Kjo nuk të bënë  automatikisht anti-Amerikan. Përkundrazi, në rastin e Grenell, ata që e kundërshtuan ate ishin pro-Amerikanët e vërtetë. Kjo spjegohet shumë thjesht, përkrahja e Serbisë është kundër interesave strategjike amerikane.

         Duhet filluar nga protesta e të Hënës, me sa më më shumë flamuj shqiptar dhe amerikan, me parulla pro-Amerikane dhe pro-Evropiane si dhe anti-Serbe dhe anti-Ruse. Pritet dhe shpresohet se kësaj proteste të madhe do t’i bashkangjiten shqiptarët e të gjitha Trojeve Tona dhe kushdo që ka mundësi nga Diaspora patriotike. Është moment historik për të jua treguar vendin Ramave, Vuqiçave dhe Putinave. Nuk ka force në botë që mund ta nënshtrojë kombin e bashkuar shqiptar. 

Filed Under: ESSE

NË KËRKIM TË ESHTRAVE TË POETIT KOMBËTAR AT GJERGJ FISHTA OFM

December 20, 2021 by s p

Fritz RADOVANI

Letër e hapun Nr. 4:

TË GJITHË ATDHETARËVE SHQIPTARË

MBRENDA E JASHTA ATDHEUT! 

“UNË DO TË VAZHDOJ ME JU SHKRUE DERISA.., PENA E EME, T’ JU THERIN ESHTNAT TUEJA!”, thonte, një Dijetarë !

JEMI NË PRAGUN E VITIT 2022. 

TË PËRJETËSIMIT TË POETIT KOMBËTAR AT GJERGJ FISHTA OFM.

Për dijeni: 

Argjipeshkvisë Shkoder dhe Tiranë,

Kuvendit Françeskan Shkoder, Lezhë, Troshan,Mirditë.

Këshillit Ndërfetar të Shqipnisë, Tiranë,

Z.Prefektit të Shkodres,

Z.Kryetarit të Bashkisë së Shkodres, 

Z.Prokurorit të Shkodres,

Z.Drejtorit të Organeve të Ruajtjes së Rendit në Shkoder,

Të gjitha organeve të Shtypit dhe mjetëve të Informacionit Shqiptar!

Shtoj:  Argjipeshkvinë e Tivarit, 

Argjipeshkvinë e Prizrenit, 

Famullinë e Tuzit dhe të Grudës,

Këshillit të Pleqve, të Fshatit Fishtë, Lezhë.

Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipnisë Tiranë,

Z. Ardian Marashi, Kryetar i Inst. Stud. Albanologjike. Tiranë. 

Universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkoder dhe të gjithë Rinisë Universitare,

Diasporen Shqiptare të Malësisë së Hotit dhe të Grudës,

Diasporën Shqiptare nga Tivari deri në Kep të Paganës…  

ESHTNAT  E  AT GJERGJ  FISHTËS O.F.M. JANË  NË  RRËMAJ !…

Një prift i ri, kur pat takue At Meshkallën dhe i tregoi se Imz. Ernesto Çoba, i kishte mësue  këtij kushtet që duhet me heshtë, Mëshkalla i tha: “Shko e thuej Monsinjorit, me të mësue kushtet që duhet me folë, se me heshtë kemi heshtë boll!… 

Edhe unë, tue rikujtue porosinë e At Meshkallës, po flas, se boll kam heshtë!… 

Aty rreh vitit 1980, kam shkue ndër vorre të Rrëmajt me u interesue për një vorr të një familjarit tem. Kam takue të Ndjerin Gjon Gjergji, ish roje e vorreve. Mbasi kemi bisedue për problemin personal, Gjoni me një dashamirësi dhe me njëfarë afrimiteti, më mori për krahu dhe u nisëm në drejtim të Kapelës së vorreve. 

Mbas pak minuta heshtje, më tha: “Do të shkojmë bashkë në një vend sekret, kam besim se nuk ke me folë me njeri, mbasi kjo që po të tregoj asht gjithmonë me rrezik ba me folë…” 

Ecëm nga ana e majtë e Kapelës, kaluam vorrët e motrave stigmatine, numroi 1,2,3,4, selvijat dhe tek e katërta, ndaloi. U afruam tek muri dhe aty më shikoi në sy dhe, më tha: “Fritz, Pashë Shpitnat e Atyne të vdekunve që ke në këte vend, dhe që, nga njohja me Ta, po të besoj edhe ty, të lutem mos me folë me asnjeri pa ardhë ajo kohë që ti ke me pasë mundësi me tregue,… se je i ri e njëditë…

këtu, unë kam futë një thes qimentoje me Eshtnat e At Gjergj Fishtës…”. 

U stepa në vend. Pak minuta nuk kemi shkëmbye asnjë fjalë. Për me sigurue kujtesën teme, kam shikue pranë vorrin e një grues së re që kishte një foto në porcelan. Kam numrue edhe njëherë selvijat dhe jemi kthye me Gjonin në drejtim të Kapelës. Aty jemi ndalue prap. 

Gjoni më kuptoi mirë vetëm me të shikueme se cila mund t’ishte pyetja ime: “Si mundën me kenë në Rëmaj Ato Eshtna shumë të përfoluna dhe të “tretuna” në lumin Drin, pranë Urës së Bahçallekut?”….

Më shpjegoi se: “Ka shkue në një mbasdreke, rreth orës 15.00 në shtëpi të Gjonit, ish Drejtori i Ndermarrjës që merrej me riparimin e Kinema Puntori (ish Kisha e Fretenve), i Ndjeri Shyqyri Rrjolli, dhe i ka kërkue me shkue për një problem urgjent në Rrëmaj. Gjoni ka marrë çelsat, ka hypë në makinën e Shyqyriut dhe janë gjetë për 3 minuta aty, nga rruga Canej ku banonte Gjoni. 

Kanë hy me makinë deri tek Kapela, janë ndalue dhe, kanë shkue tek vendi ku kishte mendue Shyqyriu, me varrosë “thesin e qimentos”. Gjoni me një lopatë ka hapë një gropë të vogël, po Shyqi, i ka marrë lopatën dhe e ka thellue ai vetë ma shumë gropën, tue shkue afro 50 – 60 cm. thellësi. E kanë mbulue dhe porosia ishte që Gjoni nuk duhët të fliste me asnjë përson.

Shyqyriu i kishte tregue Gjonit, se dikush e kishte urdhnue me i nxjerr Eshtnat e Fishtës nga Kisha dhe me i tretë në lumin Drin. Shyqyriu ka urdhnue një punëtor me i futë Eshtnat në thes dhe me ia çue në zyre, prej ku, mbas orarit të punës Shyqyriu do të shkonte dhe ti hidhte në lumin Drin. Mbasi punëtori ka lanë thesin në zyre të Shyqyriut ka ikë, po Shyqyriu e kishte mbajtë thesin tri ditë në zyre dhe kur ka vërejtë se asnjeri nuk interesohet ma për atë çeshtje, ka shkue tek Gjoni, dhe i ka besue për veprimin që kanë krye bashkë me te në vorrezat e Rrëmajit”. 

Për këte çeshtje, mbas vitit 1992, unë kam vue në dijeni tre përsona, Anton Benussin, Ernest Përdodën dhe në 1995, kur po riparohej Kisha Françeskane, At Konrrad Gjolaj, i cili, mund ta ketë bisedue me At Z.Pëllumbin. Unë dhe A.Benussi  jemi gjallë… tjerët jo!… 

Mendoj, se nuk duhët vazhdue ma mos me folë, edhe pse “demokratët” shqiptarë janë bijtë e baballarëve që kanë çvarrosë At Gjergj Fishtën. Por, tue u nisë se, ndoshta, ka mbetë ndër to një tjetër “Shyqyri Rrjoll”, që asht pak e vështirë me e mendue se ka, pranova me tregue këte sekret, për të cilin po ndodhi një përsëritje e së keqës maparshme me At Fishtën: 

TURPI  DO TI  MBETËT  VETËM  SHKODRËS  DHE  VETËM  ASAJ! 

Shenim: 

•Në muajn Tetor 2007, kam vue në dijeni me këte letër Institucionet Fetare Katolike të Shqipnisë, të cilët, nuk janë denjue me mu përgjigjë. 

•Amanetin e të Ndjerit Gjon Gjergji nuk mendoj me e marrë me vedi.

•Mekenëse At Fishta ishte mik i babës sem, të Ndjerit Kol Radovani, për shpenzimet e hapjes së gropës ku asht sot dhe bajtjes deri tek Vorri simbolik në Kishën Françeskane të Gjuhadolit, në Shkoder, ju përgjegjem personalisht, mbasi të përfundoni punimet. 

Melbourne, 20 Dhjetor 2021                                  Fritz RADOVANI

Filed Under: Ekonomi

GUXIMI PËR TË JETUAR…

December 20, 2021 by s p

Nga Atjon Zhiti

Shkrimet si student i filozofisë të Atjon Zhitit tërhoqën vëmendjen për shqetësimin dhe sinqeritetin, sintezën, dashurinë për njerëzit dhe vendin, për mendimin rinor që mbartin.  Pas daljes së librave të tij “Për atë që dua(m)”, në Tiranë dhe “Jam Atjoni” në Prishtinë, me artikuj dhe traktate siç i quante, të botuara dhe në median shqiptare kudo në botë, përsëri befason kur zbulohen shënime në fletoret e tij apo në kompjuter, konspektime me interes, tema që do të donte t’i botonte apo prisnin që t’i shtjellonte më gjerë. Këta tre artikuj të rinj, që ai ka lënë dhe nuk janë në librat e tij, se u gjendën më pas, edhe pse të vegjël, thonë shumë, që nga korrektesa e referimeve e deri tek aktualiteti që mbartin. Po i botojmë sot, në ditën e ikjes, po ai është gjithmonë mes nesh… 

Tema: RACIZMI GJINOR (Diskriminimi)

  Sot në botën që ne jetojmë, shohim që përballemi me një shoqëri në thelb maskiliste. Harrojmë që “Gratë janë edukatoret e para të sojit njerëzor” dhe si të tilla duhen trajtuar me respektin dhe dashurinë që meritojnë. Githë jetën jemi në dorën e një gruaje që kujdeset për birin, bashkëshortin apo atin e saj. Përpara saj gjendet gjithmonë një mashkull, superior ndaj saj patjetër, por jo deri në diskriminim. Sa bukur e thote Hygoi i madh “Ju sodisni yjet për dy arsye: se shkëlqejnë dhe janë të paarritshem, por përbri jush është një shkëlqim edhe më i brishte, dhe me një të fshehte edhe më të thellë, gruaja”. Por sa keq që fjalët e tij janë vetëm fjalë, që dëgjohen dhe kaq. Dëgjohen vetëm me veshë. Ne, njerëzit, jemi të çuditshëm, kemi kaq shumë mospëlqime edhe nën të njëjtën çati, kaq shumë hatërmbetje, diskriminime, racizëm, të cilat mund të përfundojnë dhe në tragjedira të mëdha. Femrat vetë nga brishtësia që i karakterizon, të cilën Zoti ua ka dhuruar jo për inferioritet, por për nevojë kujdesjeje, duhet të jenë pikërisht kështu, të kujdesura nga shoqëria mashkullore. “Uji më i shtrenjtë në botë janë lotët e grave” dhe si të tilla duhen ruajtur me fanatizëm e jo të shpenzohen pamëshirshëm dhe dhembshëm, aq më pak nën përdorimin e dhunës.

  Dhuna është e shumëllojshme, si ekonomike, sociale, psikologjike që manifestohet përmes kërcënimeve fizike. Gruaja kërcënohet me shkurorëzim. nëse nuk lind djalë, kjo është një injorancë, raste të tilla ka pasur dhe ka akoma edhe sot, kjo nuk mund të justifikohet assesi, duke menduar se kjo është rruga e zgjidhjeve të problemeve. Burri ushtron dhunë ndaj gruas edhe kur është i dehur, në presionin e alkoolit, të cilat përfundojnë tragjikisht, kjo dukuri fatkeqësisht është e pranishme edhe në shoqërinë tone.

  Vërtet thuhet që gruaja ka dalë nga brinja e mashkullin ne librat e Zotit, por gjithashtu thuhet: “Trajtoni mirë gratë tuaja, jini të sjellshem me to, sepse ato janë partneret tuaja dhe ndihmëtaret tuaja të besuara”, dhe këtë e marrim si një prekje dhe këshillë hyjnish duke e ruajtur brishtesine e asaj, që quhet “Grua”.  

Tema: LIRIA E FJALËS (Gojështhurje)

Të ndjehesh i lirë është një nga të drejtat themelore të individit. Por me fjalën liri përfshin shumë nëntema të saj. Një ndër më të rendesishmet është liria e fjalës. Ne jemi një popull që dikur lirinë e kemi pasur tabu të paprekshme, aq të paprekshme sa as nuk mund të mendonim të lirë e jo më të flisnim. Por kjo tanimë i përket së shkuarës, sepse sot jetojmë një realitet krejt të kundërt. Sot jo vetëm mendojmë e shprehemi lirisht, por nuk arrijmë të ndajmë lirinë tonë të fjalës nga gjykimi, gojështhurja, fyerja ndaj të tjerëve. Liria e shprehjes mbron jo vetëm të drejtën për të dhënë informacion, por edhe të drejtën për të marrë informacion, pra mbrohet jo vetem folësi, por edhe shkruesi apo konsumuesi i ideve, informacioneve dhe opinioneve. “Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes; aty ku s’ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë.” Dhe njeriu, ky është nje qënie e lirë, por që ka limite në lirinë e tij. Sepse siç thuhet, “Liria ime mbaron aty ku fillon liria e tjetrit”. Pavarësisht se fjala na dhurohet ta përdorim lirisht, ne bëjmë gabimin më të madh: “Njerëzit kërkojnë lirinë e fjalës si kompesim për lirinë e mendimit, të cilën rrallë e përdorin” dhe kjo na çon në rrugë të gabuar, në rrugën e gojështhurrjes, ofendimit deri në injorance. Pas këtij përdorimi na vjen ndot nga pasojat e pakëndeshme që perfundojnë deri në tragjizëm. Sa e sa veta janë vrarë për një fjalë goje dhe kjo nuk është liri e shprehjes, por kjo na çon në humbje të kontrollit të vetvetes dhe në ndërmarrjen e veprimeve të pakthyeshme me pas. Të gjithë thonë se unë kam të drejtë dhe se personi tjetër nuk më vlerësoi dhe nuk u soll si duhet, gjithnjë është tendenca për ta vlerësuar veten tonë, ndërkohë duke kundërshtuar dhe ofenduar palën tjetër. Por ne nuk kuptojmë që në një debat të fyeshem, duhen dy persona. Nuk e kemi menduar ndonjëherë që, nëse dëshirojmë të kemi një bashkëbisedim të frytshëm dhe debat pa ofendime, atëherë duhet ta fillojmë bisedën me mirënjohje dhe lavdërime të virtyteve ndaj bashkëbiseduesit tjetër, por jo, më e lehtë është fyerja, sepse kemi në dorë “lirinë e fjalës”. E tillë është natyra njerëzore, nxitini ata që me kënaqësi t’i kryejnë detyrat, t’i zgjidhin problemet dhe situatat e pakëndshme dhe asnjëherë mos u mundoni të jeni imponues dhe qortues duke dashur të arrini atë që ju doni, dhe do ta arrini, sepse një fjalë e mirë vlen me shumë se çdo gjë tjetër.

Tema: GUXIMI – FITORE APO HUMBJE

  “Arritjet e mëdha kërkojnë ambicie të medha”. Këtë na këshillon Herakliu antik, që bashkë me këshillen e tij na jep forcë të guxojmë. Çdo qenieje në këtë planet i është dhënë guximi si dhuratë, që na shtyn të ecim përpara në rrugën e fitores tonë. Sepse për mua guximi është padyshim një fitore. Dhe nëse zhgënjehesh sërish, ke fituar shumë. 

  Të jesh guximtar, do të thotë absolutisht të jesh triumfues me pishtarin e flakës së fitores në duar. “Guxo të bësh atë çka i ka hije njeriut, kush guxon më tepër, nuk është njeri.” Kjo është përballja e parë me të mbinatyrshmen, me Zotin. Por mos të harrojmë, që guximi është instiktiv, ai rrjedh përbrenda duke mos treguar një arsye.

  Përdorimi në mënyrë të mençur i guximit, në momentin e duhur dhe për gjëra jo të dëmshme për veten dhe të tjerët, është tregues i një personi të suksesshëm dhe jo të një personi të humbur. 

  Mbi të gjitha guximi është nevoje instiktive e individëve për të ecur përpara në triumf. Këshilla e Morgan Freeman “Unë gjithmone ju them fëmijëve të mi që, nëse shtriheni, të tjerët do të shkelin mbi ju, por nëse vazhdoni të ecni, qoftë dhe zvarrë, të ecni, se dikush gjithmone do t’ju zgjasë dorën. Gjithmonë. Por duhet të vazhdosh të vallëzosh, duhet t’i mbash këmbët në lëvizje”, lëvizje që nënkupton moslejimin të jesh i nënshtruar, pavarësisht rrethenave në fund të fundit ky është guxim.

  Guximin nuk mund ta quajmë vetëm fryt të fitimtarëve. Ai që përdor guximin, është në të gjitha rastet fitimtar, duke rritur besimin e tij për të vazhduar përpara. Por guximtarët i ndajmë në të mençur dhe jo të mençur, por jo në fitimtar dhe humbës. Ata janë fitues, pasi dhe nëse marrin pasoja të pakëndëshme nga guximi i tyre, ata sërish kanë fituar një përvojë të vlefshme për jetën e tyre.

“Fati ndihmon vetëm guximtarët.” Dhe kjo është një fitore.

C:\Users\User\Desktop\A.V.E\nga dhe per Atjonin\Atjoni nga Gjergji 1.JPG Atjon Zhiti, portret nga piktori Gjergj Kola

Filed Under: Politike

KOSOVA DHE SJELLJA JODIPLOMATIKE E JOSEP BORELIT

December 20, 2021 by s p

Prof. Xhelal Zejneli 

Më 8 dhjetor të vitit në vazhdim, kryeministri i i Kosovës Albin Kurti pati një takim me përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe për Çështje të Sigurisë, njëherazi edhe nënkryetar i Komisionit Evropian Jozep Borel (Josep Borrell, 1947-). Me këtë rast, diplomati evropian me prejardhje spanjolle, përdori një diskurs politik që është në kundërshti me rregullat e diplomacisë të botës demokratike. I tha kryeministri të Kosovës, Albin Kurtit që ta implementojë marrëveshjen e arritur ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për themelimin e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. 

Diplomati i lartë evropian, spanjolli Borel duhet ta dijë se roli i tij në dialogun e Brukselit nuk është të japë urdhra. Në dialogun e Brukselit midis palëve, Boreli nuk është asgjë më shumë se ndërmjetësues apo lehtësues. Maksimumi që pritet prej tij është të luajë rolin e tertium interveniens dhe jo të shndërrohet në urdhërdhënës apo në punëdhënës.  

*   *   *

Në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, njëfarë marrëveshjeje për themelimin e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe u arrit më 19 prill të vitit 2013. Kjo farë marrëveshje që përmban 15 pika, u nënshkrua nga kryeministri i Kosovës i asaj kohe, Hashim Thaçi dhe nga kryeministri i Serbisë, njëkohësisht edhe ministër i Policisë, Ivica Daçiq (1966-). Ivica Daçiqi është kryetar i Partisë Socialiste të Serbisë. 

Sipas marrëveshjes së sipërthënë, me themelimin e Bashkësisë (asociacionit) së komunave me shumicë serbe, shpërbëhen strukturat paralele serbe në veri të Kosovës. Në Bashkësinë e komunave serbe në Kosovë do të përfshiheshin komunat: Mitrovica veriore, Zubin Potoku, Leposaviqi, Zveçani, Shtërpca, Kllokot-Vërboci (Graçanica), Novobërda, Ranillugu dhe Parteshi. Sipas disa të dhënave, këto komuna përfshijnë një sipërfaqe prej 1.708 km2  dhe një popullsi prej 123.979 banorë.    

*   *   *

Më 23 dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se 23 parime të marrëveshjes për krijimin e Bashkësisë së komunave serbe në Kosovë, nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Me fjalë të tjera, janë në kundërshti me Kushtetutën e Kosovës. Nuk mund të ketë asociacion mbi baza etnike dhe me përmbajtje legjislative, gjyqësore dhe ekzekutive.   

*   *   *

Pretendimet e Beogradit janë që Bashkësia e komunave serbe në Kosovë të ketë ingjerenca legjislative, gjyqësore dhe ekzekutive. Pasi të themelojë një asociacion të këtillë, me ingjerenca legjislative, gjyqësore dhe ekzekutive, këtë farë asociacioni Beogradi shumë shpejt do ta shndërronte në një entitet serb në Kosovë. 

Pas krijimit të bashkësisë serbe në Kosovë, me ingjerenca legjislative, gjyqësore dhe ekzekutive dhe pas shndërrimit të tij në entitet serb, do të kishim një shtet brenda shtetit. Do të kishim brenda Kosovës një dodik republikë. Kjo kreaturë fantomike fare nuk do t’i bindej Prishtinës, do të vepronte si njësi apo si shtet i pavarur dhe sakaq do të shfaqte tendenca qendërikëse, me synimin e shkëputjes dhe të bashkëngjitjes Serbisë. 

Rast të ngjashëm kemi në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ajo përbëhet prej dy entiteteve: Federatës Myslimano-Kroate dhe Republikës Serbe. Në krye të Republikës Serbe në BH është Millorad Dodiku. Ky njeri është në listën e zezë amerikane, në listën e personave të padëshiruar.  Entiteti serb në BH fare nuk i bindet pushtetit qendror në Sarajevë. Ai sillet si shtet më vete, si shtet i pavarur dhe vazhdimisht shfaq tendenca qendërikëse. Qëllimi i tij është të shkëputet nga BH-ja dhe t’i bashkëngjitet Serbisë. 

Nga sa më sipër del qartë se krijimi i entitetit serb në Kosovë, pashmangshëm shpie në bosnizimin e Kosovës.  

*   *   *

Si është e mundur që Josep Boreli t’i kërkojë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit krijimin e Bashkësisë së komunave serbe në Kosovë, në një kohë kur Republika Serbe e BH-së synon të shkëputet prej saj dhe ta zhbëjë atë si shtet?! A nuk do të ndodhte e njëjta edhe me Kosovën?! Në emër të kujt flet Josep Boreli? Në emër të Brukselit apo në emër të Madridit?

*   *   *

Është mirë që Beogradi të krijojë tre entitete brenda Serbisë: entitetin shqiptar në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë); entitetin boshnjak apo mysliman në Sanxhak; si dhe entitetin hungarez në Vojvodinë, ku jetojnë 26 minoritete.

Krijimi i bashkësisë serbe në Kosovë është në kundërshti, edhe me planin e Marti Ahtisarit edhe me Kushtetutën e Kosovës. 

Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pakicat apo minoritetet e Kosovës, përfshi edhe minoritetin serb, i gëzojnë të gjitha të drejtat, sipas standardeve më të larta të Bashkimit Evropian, i gëzojnë të gjitha të drejtat. Duke qenë se minoritetet e Kosovës i gëzojnë të gjitha të drejta si në asnjë vend tjetër të Unionit, atëherë s’ka sesi të mos shtrohet pyetja: Përse duhet krijuar një entitet serb në Kosovë?!

Nga sa më sipër rezulton se Beogradit nuk i interesojnë të drejtat e serbëve në Kosovë, por shkëputja e një pjese të territorit të saj. Duket qartë se ndaj Kosovës, Beogradi ka synime territoriale. Kjo është në kundërshti të plotë me parimet e BE-së për mosndryshimin e kufijve. Kjo bie ndesh me parimet e Unionit për respektimin e lirive dhe e të drejtave të njeriut. Parime themelore të BE-së janë respektimi i vlerave demokratike për minoritetet dhe ndryshimi i kufijve për të krijuar shtete etnikisht të pastra. 

Nuk duhet harruar se BE-ja ka në gjirin e vet edhe shtete antidemokratike. E tillë është Greqia, si një prej shteteve më jodemokratike të Unionit. Greqia mohon ekzistimin e bashkësive etnike historike, siç janë shqiptarët dhe bashkësia sllavofone. Lëre që i mohon, por edhe i shtyp ata, ka ushtruar gjenocid mbi ta, i ka vrarë, i ka dëbuar. Ata që kanë mbetur, ka tentuar t’i asimilojë me metoda më barbare. 

A e ka parasysh Brukseli se Serbia e sotme është Serbi e madhe. E madhe, për arsye se brenda kufijve të saj e mban Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) të banuar prej shqiptarëve; Sanxhakun, të banuar prej boshnjakëve (myslimanëve); dhe Vojvodinën, të banuar prej hungarezëve dhe 26 grupeve të tjera etnike? Duhet shtuar se në vitin 1945, me akuzën kolaboracionistë të nazistëve, Beogradi dëboi nga Vojvodina qindra mijë gjermanë.

Serbia, jo vetëm që nuk e lejon krijimin e entitetit shqiptar në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), por edhe ushtron gjenocid të heshtur mbi shqiptarët e kësaj zone.  

Brukseli e ka gabim që merret me themelimin e Bashkësisë serbe në Kosovë. Në vend që të merret me një punë të këtillë, BE-ja duhet të merret me Serbinë, me këtë Serbi e cila i shkel liritë dhe të drejtat e njeriut, e cila ushtron gjenocid të heshtur ndaj shqiptarëve në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë). 

BE-ja duhet të merret me Serbinë e cila e ka getoizuar edhe Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), edhe Sanxhakun të banuar nga boshnjakë (myslimanë), ndërsa Vojvodinën e banuar nga qindra mijë hungarezë dhe ku jetojnë 26 grupe etnike, e shfrytëzon ekonomikisht në mënyrën më barbare.    

Pakica serbe në Kosovë përbën 4 për qind të popullsisë së përgjithshme të saj. Po qe se për një grusht serbësh do të krijohej në Kosovë një entitet i veçantë, atëherë ç’do të ndodhte me shqiptarët në Maqedoni të cilët përbëjnë një të tretën e popullsisë së saj?! Askush në rajon nuk meriton të ketë entitet, siç e meritojnë shqiptarët në Maqedoni.

Po të shkohet me logjikën e krijimit të entiteteve në rajon, atëherë do të duhej të kishin entitetin e vet edhe turqit në Bullgari, edhe hungarezët në Rumani dhe në Sllovaki etj. S’ka shtet në BE që nuk përmban në gjirin e vet grupe etnike, pakica apo minoritete. Atëherë, përse pakica serbe në Kosovë duhet të jetë e privilegjuar?!    

*   *   *

A e ka parasysh faktin BE-ja se Serbia e sotme e Vuçiqit është shteti më destruktiv dhe më destabilizues i Evropës? Serbia e Vuçiqit:

– ka pretendime territoriale ndaj Kosovës; 

– ka pretendime territoriale ndaj Kroacisë,  

– nuk e njeh ekzistencën e Malit të Zi; 

– synon ta aneksojë Republikën Serbe dhe ta zhbëjë  BH-në nga harta politike dhe gjeografike e rajonit;

– Kisha Ortokse (fashiste) Serbe nuk e njeh ekzistimin e Kishës Ortodokse Maqedonase. 

 Serbia e sotme është konsoliduar në pikëpamje ekonomike, politike dhe ushtarake. Në ekonominë serbe kanë investuar Rusia, Kina, Turqia, Gjermani, Franca, ndonjë shtet arab. Serbia është furnizuar me armë nga Rusia. Lloje të caktuara armësh Serbia ka marrë edhe nga Kina dhe nga Franca. S’ka dyshim se sasi të caktuara armatimesh i prodhon edhe vetë. 

Është për t’u habitur sesi Brukseli, d.m.th. Berlini dhe Parisi e mbështesin një Serbi që militarizohet dhe që nxit edhe militarizimin e tërë rajonit të varfër?! 

Është për të ardhur keq sesi Brukseli, d.m.th. Berlini dhe Parisi, e mbështesin një Serbi që e sjell në rajon Rusinë e Vlladimir Putinit si dhe Kinën, shkelësin më të madh në botë të lirive dhe të të drejtave të njeriut?!

Përse Berlini dhe Parisi e ledhatojnë dhe e përkëdhelin një Serbi e cila është satelite politike historike e Rusisë dhe përçuese e interesit rus në rajon?! Kjo vërtet mbetet e paqartë. 

Në vend që Serbisë t’i vihen sanksione dhe embargo, ajo favorizohet. 

*   *   *

Filozofia politike e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel bazohej në baraspeshimin e kundërthënieve dhe të interesave të palëve në konflikt. Kjo filozofi politike e Merkelit drejtpërsëdrejti shkonte në favor të Serbisë. Kjo politikë e Merkelit nënkuptonte arritjen e njëfarë marrëveshjeje midis Prishtinës dhe Beogradit. Filozofia politike e Merkelit e la të hapur “çështjen” e Kosovës. Gjermania ishte lokomotivë e BE-së. Merkel ishte në krye të kësaj lokomotive. Ish-kancelarja Merkel, brenda 16 vjetëve të qëndrimit të saj në krye të Gjermanisë nuk ia doli ta mbyllë “çështjen” e Kosovës.

Nuk duhet harruar se ish-kancelarja Merkel dhe presidenti i Francës, Emanuel Makron e vizituan Beogradin, por jo edhe Prishtinën. Kjo është për të ardhur keq.  

S’mund të ketë marrëveshje midis Prishtinës dhe Beogradit. S’mund të ketë kompromis midis tyre. E vetmja marrëveshje midis tyre është që Serbia:

– të njohë pavarësinë e Kosovës; 

– të njohë sovranitetin dhe tërësinë e tokave të saj; dhe 

– të respektojë të drejtat kombëtare të shqiptarëve në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë). 

*   *   *

Është për të ardhur keq sesi Brukseli, d.m.th. Berlini dhe Parisi nuk e çmojnë dhe nuk e vlerësojnë sa duhet politikën paqësore, stabilizuese dhe konstruktive të Kosovës në rajon. Është për të ardhur keq sesi BE-ja nuk e çmon dhe nuk e vlerëson sa duhet orientimin dhe përcaktimin properëndimor të shqiptarëve në rajon.      

*   *   *

Nuk mund të flitet për dialog midis Prishtinës dhe Beogradit në një kohë kur kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq flet me gjuhën e forcës, ndjek politikën e forcës dhe kanoset me forcë. Nuk mund të flitet për dialog midis palëve të sipërthëna në një kohë kur Serbia sjellë pranë kufirit të Kosovës forca ushtarake, të shoqëruara nga ambasadori i Rusisë. 

Nuk mund të ketë dialog midis palëve të sipërthëna kur si ndërmjetësues apo si lehtësues figurojnë dy figura që vijnë nga vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Josep Boreli vjen nga Spanja, ndërsa Mirosllav Lajçaku vjen nga Sllovakia. 

Në dialogun e Brukselit midis Prishtinë dhe Beogradit, në mënyrë të tërthortë merr pjesë edhe Moska. Deri më sot, Vuçiqi dhe Putini janë takuar 19 herë. Lidhur me “çështjen” e Kosovës, Serbia është shndërruar në peng të Rusisë. Vuçiqi nuk është veçse peng i Putinit. “Çështjen” e Kosovës, Beogradi synon ta paraqesë si problem gjeopolitik midis Rusisë, në një anë dhe ShBA-së, në anën tjetër. Është për të ardhur keq sesi një Rusi e madhe 200 vjet punon kundër interesave jetikë të një populli të vogël që s’i ka borxh askujt, siç janë shqiptarët.       

S’ka përse të vazhdojë dialogu midis palëve të sipërthëna në një kohë kur Vuçiqi deklaron se Serbia kurrë s’ka për ta njohur pavarësinë e Kosovës. Ai shton njëherazi se Rusia e sotme e Vlladimir Putinit nuk qenkësh ajo e vitit 1999, kur ShBA-ja ndërhyri ushtarakisht kundër forcave pushtuese serbe në Kosovë dhe kundër caqeve ushtarake në Serbi. 

*   *   *

Nga sa më sipër rezulton se Bashkimi Evropian nuk është në gjendje ta mbyllë çështjen e rrumbullakimit të pavarësisë së Kosovës. E vetmja forcë që i del zot Kosovës është Amerika.  

   Në vend të dialogut, Kosova duhet ta paditë Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime kundër Njerëzimit, për gjenocidin e kryer në Kosovë gjatë historisë politike të kohës më të re,  d.m.th. në periudhën e viteve 1877/78 e deri në vitin 1999. Në vend që të marrë pjesë në dialogun e Brukselit, kryetari i Serbisë, Vuçiqi duhet të ulet në bankën e të fajësuarve në Hagë dhe të përgjigjet për krime lufte. Në kohën e Sllobodan Millosheviqit, ai ishte ministër. Sot ai, politikën e zjarrvënësit të Ballkanit e vazhdon me përpikëri. 

*   *   *

Shqiptarët sot nuk e kanë mbështetjen e perëndimorëve, siç kanë pasur në vitet ’90 të shekullit XX. Nuk u bë lufta dhe nuk u çlirua Kosova nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe nga ShBA-ja që një kastë politikanësh dhe pushtetarësh të pasurohen brenda natës. Inteligjencia shqiptare duhet të jetë në krye të përgjegjësisë historike dhe jo të mbrojë interesat meskinë. Është një inteligjencie thellësisht oportuniste dhe konformiste. Madje edhe poltroniste. Është një inteligjencie, e shndërruar në instrument të politikës dhe të pushtetit. Kjo tregon se në botën shqiptare s’ka hapësirë demokratike, s’ka mendim kritik, s’ka kritikë politike, as kritikë sociale. Atëherë, ku është dallimi midis inteligjencies së kohës së monizmit dhe kësaj të kohës së pluralizmit dhe demokracisë parlamentare?! 

Ku ishin akademitë e shkencave të të dy shteteve shqiptare në kohën kur zhvillohej dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit për themelimin e të ashtuquajturës bashkësi serbe?!

Shqiptarët duhet t’i kthejnë sytë kah Uashingtoni dhe jo të merren me punë bravash. Pavarësia e Kosovës dhe mbrojtja e saj është interes mbi interesa për çdo shqiptar në gadishull dhe në rruzullin tokësor.  

Prof. Xhelal Zejneli     

Filed Under: Analiza

ZGJEDHJET PËR KRYETARIN E VATRËS DO TË ZHVILLOHEN MË 26 SHKURT 2022

December 20, 2021 by s p

Dielli

Komisioni Përgatitor për Kuvendin e Përgjithshëm Zgjedhor në Federatën Panshqiptare të Amerikës VATRA shpalli të hapur zyrtarisht fushatën për Kryetar të Vatrës dhe caktoi datën 26 Shkurt 2022 si datë në të cilën do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme për kryetarin e Vatrës dhe organet drejtuese të Federatës Vatra. Komisioni Përgatitor Zgjedhor me përbërje:  Besim Malota -Kryesues, Armin Zotaj- Anëtar, Bashkim Musabelliu- Anëtar, Elton Mara – anëtar, Mondi Rakaj – Anëtar, caktoi datën 20 Janar 2022 si datën e fundit në të cilën Komisioni Përgatitor Zgjedhor do të pranojë kandidaturat dhe platformat e kandidatëve për Kryetar të Federatës Vatra. Kuvendi i Përgjithshëm Zgjedhor do të zhvillohet në New York. Zgjedhjet mbahen konform Kanunores në fuqi të Vatrës që daton që nga viti 1926. Të gjitha vendimet e Komisionit Përgatitor Zgjedhor do të botohen në gazetën Dielli në Print dhe në platformën Online të gazetës Dielli.

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2671
  • 2672
  • 2673
  • 2674
  • 2675
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT