• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHQIPËRIA DHE FLAMURI YNË KOMBËTAR NDRIÇOFSHIN PËRJETË

November 28, 2021 by s p

EDITORIAL nga Sokol Paja/

109 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë është një datë historike që shënon mëvehtësinë prej robërisë osmane dhe kthimin e shtetit shqiptar në familjen e madhe europiane. Etërit e Pavarësisë dhe patriotët e lartë të kombit si Luigj Gurakuqi, Nikollë Kaçorri, Mustafa Kruja, Lef Nosi, Pandeli Cale, Iliaz Vrioni, Mit’hat Frashëri, Hasan Prishtina, Isa Boletini e shumë të tjerë të udhëhequr nga plaku i urtë i Vlorës Ismail Qemali, vendosen themelet e shëndosha të atdheut që ne kemi sot, si vizion dhe përmbyllje të projektit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Pavarësia është ngjarja më kulmore në historinë e shtetit shqiptar. Shpallja e Pavarësisë për çdo shtet e çdo komb është një ditë e madhe lirie, shprese, besimi për një të ardhme të ndritur, qytetarë të sigurtë e të mirëqënë në trojet e tyre, për një shtet e vend të zhvilluar, të begatë, të paqtë e garantues të lirive e sovranitetit të çdo qytetari. Shpallja e Pavarësisë dhe Dita e Flamurit, 28 Nëntori është festa më e lartë e kombit tonë, festa e ligjshme e një populli që emocionon dhe bashkon shqiptarët kudo ku jetojnë e punojnë. 28 Nëntori, dita e Pavarësisë dhe e Flamurit Kombëtar mbi të gjitha është një festë krenarie për përkatësinë tonë shqiptare. Është një festë nderimi e respekti për të gjithë burrat e shquar të atdheut tonë që 109 vite më parë sfiduan gjithçka dhe shpallën shtetin shqiptar të lirë e të pavarur. Brezat do u jenë mirënjohës përjetë për aktin e lartë të shkëputjes një herë e përgjithmonë nga robëria e skllavëria osmane për të shijuar lirinë e shumëpritur. Me deklaratën e Pavarësisë shteti dhe kombi u kompaktësua, u formësua, u unifikua, hodhi rrënjë të forta të një vazhdimësie në liri. Festa e Flamurit kombëtar është festa jonë përbashkuese në përkujtim të rezistencës kombëtare ndaj pushtuesve. Është festa e përkujtimit të projektit shtetformues që etërit e Pavarësisë themeluan dhe nisën ta zbatojnë 109 vite më parë. Ky përvjetor i festës së Pavarësisë e gjen Shqipërinë dhe trojet shqipfolëse në një moment të vështirë. Shqipëria e Kosova po shpopullohen, njerëzit nuk e e gjejnë më veten në atdheun e të parëve. Kudo mbizotëron një ide për të ikur, për tu larguar. Klasa politike ka varfëruar në tejskajshmëri popullin. Politika ka tradhëtuar interesat e qytetarëve, njerëzit ndjehen të huaj e të vjedhur në vendin e tyre. Keqqeverisja ka ngulitur idenë se Shqipëria e Kosova nuk bëhen. Një trishtim i madh kur sheh fshatra të braktisur, shkolla që mbyllen çdo ditë, rënie të lindjeve, shpopullim masiv, varfëri ekstreme, rënie të ekonomisë, korrupsion e padrejtësi që përditë vrasin shpresën në trojet tona. Kjo festë Pavarësie e 109 vjetorit duhet të na shërbejë të gjithëve si një thirrje e fuqishme ndaj institucioneve shtetërore, institucioneve të klerit fetar, shoqërisë civile, personaliteteve publike që të themelojmë një besë kombëtare për të shpëtuar vendin tonë, shtetin tonë, kombin tonë nga shpopullimi, braktisja, zbrazja e keqqeverisja. Kjo festë e Pavarësisë është një thirrje e fuqishme ndaj të gjithë bashkombasve tanë kudo në botë që të ndihmojnë e shpëtojnë Shqipërinë, atdheun që e kemi amanet nga etërit themelues të shtetit shqiptar duke investuar në Shqipëri, duke forcuar e mbajtur lidhjen shpirtërore me atdheun, duke i dhënë eksperiencën dhe formimin profesional, duke ofruar ekspertizën ndërkombëtare dhe eksperiencën e konsiderueshme, duke iu përgjigjur thirrjes për të kontribuar në të gjitha format me qëllim që Shqipëria dhe viset tona shqipfolëse mos të ndjehen të vetmuara, por më afër se kurrë me bashkatdhetarët tanë kudo në diasporë. Kjo festë Pavarësie na fton për reflektim se deri ku i kemi përmbushur personalisht detyrat e shenjta ndaj atdheut tonë të shtrenjtë. Shqiptarët në trojet shqipfolëse dhe Shqipëria sot kërcënohen sot më shumë se asnjëherë tjetër nga asimilimi, tretja, thyerja, ndarja, izolimi, copëtimi, shpërbërja si pasojë e shpopullimit masiv, dashakeqësisë së fqinjve, zërit të dobët të reagimit qytetar dhe papërgjegjshmërisë së institucioneve shtetërore. Këmbanat e alarmit të sotshëm do dëgjohen në një kohë kur do jetë shumë vonë. Sot më shumë se kurrë nevojitet një pakt kombëtar për të shpëtuar kombin tonë në Ballkan. Të gjithë aktorët dhe faktorët duhet të ulen dhe të ndërtojnë strategji afatgjata sesi të ndalin shpopullimin, rikthejnë shpresën, rrisin mirëqënien dhe mbi të gjitha të garantojnë liri e barazi shansesh e të drejtash. E ardhmja e Atdheut tonë të çmuar duhet të prevalojë mbi interesat personale të gjithësecilit, mbi orekset e partive politike, mbi egot e liderëve që e kanë marrë peng shtetin prej dekadash. Që shteti ynë e kombi ynë të përparojë e të zhvillohet duhet që të bashkojmë kontributet, të lëmë inatet e përçarjet por të bashkohemi shpirtërisht e të gjithë për një qëllim, lulëzimin e Shqipërisë sonë të bukur. Diaspora ka kapacitete të jashtëzakonshme që Shqipëria duhet ti përfshijë në qeverisje e menaxhim. Eksperienca dhe ekspertiza që mund të gërshetojnë me nevojat e zhvillimit të kohës, do të rrisin standartet dhe përafrojnë vlerat më të cilat Shqipëria kërkon të integrohet në familjen e madhe Europiane. Shqiptarët në diasporë janë ambasadorët më të mirë të imazhit të Shqipërisë. Shkëlqimi, suksesi, modelet e shëndosha zhvilluese e transformuese i japin shpresë Shqipërisë se garancia shtetformuese i vjen nga diaspora. Ne duhet të kujtojmë dhe nderojmë gjithmonë me respekt të thellë dëshmorët e lirisë që më shumë se kurrë në përvjetorët e Pavarësisë, marrin rëndësi dhe vlerë të jashtëzakonshme për sakrificat e tyre sublime. Gjaku i tyre, ëndrrat e përpjekjet e tyre janë themeli i asaj që ne trashëgojmë sot si amanet për të çuar përpara të mirën dhe të mbaren e atdheut tonë. Shqipëria është vend i bekuar dhe të tillë duhet ta bëjmë të gjithë ne. Ende ka kohë, ende ka shpresë, përpara se nesër të jetë shumë vonë. Për një Shqipëri të suksesshme, për një të ardhme të begatë e të lumtur për të gjithë shqiptarët anëmbanë botës uroj nga zemra: Gëzuar Pavarësinë dhe Festën e Flamurit Kombëtar. Zoti e bekoftë Shqipërinë, Zoti i bekoftë Shqiptarët, Zoti i bekoftë miqtë dhe aleatët e përjetshëm të popullit, shtetit e Kombit Shqiptar.

Filed Under: Politike Tagged With: Sokol Paja

VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT GEZUAR FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR DHE 109 VJETORIN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË

November 28, 2021 by s p

Në emër të Federatës, Panshqiptare e Amerikës VATRA, të familjes sime, të të gjithë vatranëve dhe shqiptaro-amerikanëve ju uroj nga zemra: Gëzuar 28 Nëntorin – festën Kombëtare të Pavarësisë së Shqipërisë dhe Flamurit tonë Kombëtar.Kjo ditë është e shenjtë për të gjithë ne. Është një ditë lavdie, krenarie, gëzimi dhe reflektimi të thellë. Solemnisht, sot më më shumë se kurrë, përkujtojmë aktin e lartë patriotik të themelimit të shtetit shqiptar, mëvetësinë që plaku i urtë i Vlorës, Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Mid’hat Frashëri, Lef Nosi, Iljaz Vrioni e shumë personalitet të kombit tonë si firmëtarë të Pavarsisë, e bënë shtetin shqiptar të lirë, të pavarur dhe sovran. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë është moment kulminant i daljes nga robëria osmane pesë shekullore. Sot më lejoni të shpreh nderimet e mia më të thella dhe mirënjohje të veçantë patriotëve të shquar, luftëtarëve të lirisë, dëshmorëve të Atdheut dhe çdo shqiptari që nuk iu dhimbs asgjë në mënyrë që Atdheu të gëzojë lirinë dhe pavarësinë e tij.Në këtë ditë të nderimi dhe mirënjohje ftoj të gjithë shqiptarët që të jemi më të bashkuar, më solidarë, më të dashur, më bashkëpunues me njëri-tjetrin që ta çojmë përpara drejtë përparimit, progresit, zhvillimit dhe lulëzimit atdheun tonë të bukur e të shtrenjtë. Mesazhet e Vatrës në këtë festë Pavarësie janë kombëtare, vëllazërore dhe të përjetshme në shërbim të kombit e çështjes kombëtare. Si Vatër, si komb dhe si shoqëri kemi kaluar në momente të vështira por sot jemi më të bashkuar dhe më të unifikuar se kurrë. I shpreh mirënjohje për punën e bërë të ndjerit Agim Karagjozi, Zotit Gjon Buçaj, Zotit Dritan Mishto, Ahmet Xhafo, Dalip Greca dhe të gjithë patriotëve që kanë kontribuar në Vatër e në Diell që nga themelimi e deri në ditët e sotme. Mesazhet e Vatrës me rastin e Pavarësisë janë këto:1.VATRA do të mbështesë me çdo mjet dhe me çdo kusht Shqipërinë, Kosovën, shqiptarët në rajon dhe çdo shqiptar kudo në botë. Vatra do mbeshtese cdo qeveri zyrtare te votuar nga shqiptaret dhe te njohur nga nderkombetaret si ne Tirane ashtu edhe ne Prishtine. Vatra do mbeshtese ne cdo kohe politikat shteterore ne dobi te kombit tone.2. VATRA do jetë çdo herë një zë unifikues dhe i fuqishëm dhe do të luftojë për Shqiperinë, Kosovën e cdo shqiptar. Vatra do të forcojë rolin e saj dhe bashkëpunimin në Instucionet më të fuqishme të Shtetit Amerikan, do të krijojë miqësi të reja në Senat dhe Kongres dhe do lobojë te ligjvënësit amerikanë në mbrojtje të kauzave shqiptare.3. Vatra do të afrojnë edhe më shumë patriotë shqiptarë në gjirin e saj, bij e bija të nderuar të Shqipërisë e Kosovës, talente dhe pjesëtarë të botës akademike duke bërë krenar çdo shqiptar për formacionin patriotik që do i bashkangjitet elitës shqiptare në VATËR.4. Vatra do të fillojë nga Vatikani e deri në Tokën e shenjtë në Jeruzalem tur diplomatik për njohjen e Pavarëësisë së Kosovës dhe promovimin e identitetit e interesit kombëtar të shqiptarëve kudo në botë.5. Vatra do te mbeshtese ekonomine, tregtine, sipermarrjen e lire dhe inovacionin, ne shtetet shqiptare e trojet kombetare me qellim rritjen e mireqenies se bashkombasve tane kudo jetojne e punojne.Bashkë do të jemi më të fortë. Ne do ta bëjmë atdheun tonë krenar çdo ditë. Zoti e bekoftë Shqipërinë, Kosovën, Amerikën dhe miqtë e kombit shqiptarë.Gëzuar përjetë e mot festa e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Flamurit Kombëtar.

Me respek e nderim

Kryetari i VATRËS

Elmi BERISHA

Filed Under: Featured Tagged With: Elmi Berisha

Ngrihet flamuri shqiptar ne Waterbury, Connecticut

November 28, 2021 by s p

Ceremonine e drejtoi ndihmësi i kryetarit te bashkise Waterbury Monroe Webster. Fjalime mbajten state senator Joan Hartley, kryetari I keshillit te Eldermeneve Paul Pernerewsti, dhe dy perfaqsues te shtetit të Connecticut Ronald Napoli Jr., Geraldo Reyes. Te gjithe perfaqesuesit theksuan rendesine dhe vlerat e medha te komunitetit shqiptar ne Connecticut. Ne vecanti u vleresuan vlerat familjare dhe kulturore te shqiptareve ku spikat suksesi i femijeve shqiptar ne shkollat publike.Mbledhjen e pershendeti edhe presidentja e AAMC Albana Lame dhe presidenti i Komunitetit Hasan Prishtina Xhemal Dani.Kryetari i ditës u zgjodh veterani i luftes Memet Abazi.

Filed Under: Analiza

MINISTRI I PARË I LUFTËS, MEHMET PASHË DËRALLA

November 27, 2021 by s p


Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

(Mjeshtër i Madh)

MINISTRI I PARË I LUFTËS
Ismail Qemali gjatë udhëtimit për për në Vlorë më 1912, porositi që të njoftohej Mehmet Pashë Dërralla i qarkut të Prizrenit që përmblidhte rrethinat e Tetovës, Prizrenit, Gjokovës dhe të Lumës së Kukësit. Me shpalljen e Pavarësisë Kombëtare më 28 nëntor 1912, Kuvendi i mbledhur në Vlorë e në të cilin merrnin pjesë të gjitha viset shqiptare, ministër i Mbrojtjes i qeverisë së kryesuar nga Ismail Qemal Vlora, u caktua Mehmet Pashë Dërralla, i propozuar nga burri i shquar i Kosovës Isa Boletini. 4 dhjetor 1912 gjenerali 69-vjeçar, me përvojë mbi 40 vjet komandimi, zuri vendin parësor në Qeverinë e parë të shtetit shqiptar.Ai bëri betimin për Atdhe e Komb. Ishte betimi më suprem, pasi, siç e thekson historian i kombit Marin Barleti, dashuria për Atdhe është më e madhja nga të gjitha, ajo qëndron mbi çdo dashuri tjetër. Ndaj dhe ushtarakët e emigruan në vende të ndryshme dhe ushtarët e oficerët që ende ishin në shërbimin ushtarak të ushtrisë turke, e mirëpritën caktimin e Mehmetin në postin e ministrit të Luftës.Organizimi, sistemimi, furnizimi e drejtimi ku ndihej më e ngutshme, u vlerësua nga ministri Dërralla, detyra më e parë shtetërore. Kështu ministri i parë i Luftës nisi detyrën e vështirë të cilën në emër të popullit Kuvendi i Vlorës ja ngarkoi këtj burri të shquar të Shqipërisë. Ministri Dërralla u përqëndrua në këto drejtime kryesorë në punën e ministries së Luftës: përpjekjet për sigurimin e mbrojtjen në planin e jashtëm si një parim bazë në politikën e diplomacinë e shtetit, administrate lokale në mënyrë të prerë dhe pa ushqyer asnjë iluzion të merrte në dorë situatën ushtarake e të rendit; autoritetet civilo-ushtarake turke të dorëzoheshin tek shteti shqiptar për të vepruar në bazë të rregullave si një shtet i pavarur; mbrojtja e Shqipërisë më tepër se ushtarake ishte diplomatike dhe përqëndrimi i vëmendjes për të penguar përparimin dhe sprapsjen e trupave pushtuese në vijat e ndaluara etj.Ministri-gjeneral dispononte njohuri teorike dhe përvojë të gjatë organizative në nivel taktik dhe strategjik. Por bazë ai pati dhe traditën luftarake, mjeshtërinë e luftëtarëve dhe të kapedanëve popullorë, të cilat janë dhe baza në fillimin e historikut të ushtrisë së rregullt shqiptare e cila që nga 4 dhjetori 1912 ka përshkruar një rrugë sa orgjinale aq dhe me vlera.
PROFESIONI USHTARAK I KARRIERËS PËLQEHEJ NGA FAMILJET E MËDHA
Lindja, shkollimi dhe edukimin u bë në një familje të pasur ekonomikisht e të pastër në sjellje, tradita atdhetare, kulturë fisnore, ku u konturua fizonomia e ardhshme të personalitetit të tij. Në këtë periudhë kjo trevë sikurse gjithë hapësira shqiptare ishte nën Perandorinë Osmane. Mësimet e para i mori në shkollën e Tetovës e më pas arsimin e mesëm e kreu në Shkup. Tek ai u ngulitën idetë patriotike, vlerat progresive, mospajtimi me robërinë osmane etj. Gradualisht u formuan vlerat e një atdhetari me dinjitet, luftëtar aktiv dhe i devotshëm për liri e Atdhe. Profesioni ushtarak i karrierës pëlqehej, ai konsiderohej privilegj për familjet e madha dhe të pasura ekonomikisht. Duke dëgjuar këshillën e mirë të babait të tij, Hasan pashë Dërrala, akademik dhe ushtarak i kohës, me dëshirë ndoqi studimet ushtarake. Duke shfaqur intelekt, vullnet, korrektësi e pasion, diplomohet në Akademinë e parë Ushtarake për oficerë në Stamboll. Mbarimi me rezultate të shkëlqyera të studimeve ushtarke, emërohet në një regjiment këmbësorie në Anadoll. Këtu shërbeu me përpikmëri të lartë dhe bie në sy për mirë dhe nga të dhënat e përkufizuara “i zellshëm, me prespektivë”, i jepet e drejta për studime në Shkolën e Lartë, Akademitëe Dytë të Shtatmadhorisë. Duke qenë në funksione të rëndësishme si shtatmadhor, demonstroi dije, aftësi profesionale, mbajti raporte të moralshme në detyrë e shoqëri si dhe prirje drejtuesi e organizatori ushtarak.Suksesi në karrierë falë aftësive dhe shkallës së lartë të përkushtimit në të gjitha detyrat e ngarkuara, do ta bënin Mehemtin që në moshën 35-vjeçare të përligjte kualitetet e titullit të “Pashait”, që nënkuptonte atë të gjeneralit. I graduar kështu me gradën më të lartë shërbeu fillimisht si komandues xhandarmërie në Bagdad të Irakut. Më pas në Halep të Sirisë dhe në Selanik, që përfaqësonte një nga portet më të rëndësishëm të Perandorisë Osmane në Ballkan. Mehmet Pashë Dërralla me tëj emërohet në vilajetin e Kosovës për të shërbyer në kryeqendrën e tij në Shkup, në Manastir. Kreu funksionin e komandantit të qarkut të Prizrenit në të cilin bënte pjesë Tetova, Gjakova dhe Luma e Kukësit. Në këtë detyrë gjeneral Dërralla, do t’i jepte fund karrierës si oficer i Ushtrisë Osmane.
JU PËRKUSHTUA ÇËSHTJES KOMBËTARE
Gjeneral Dërralla në shenjë proteste hoqi spaletat dhe yjet e gjneralit të Ushtrisë Osmane dhe iu përkushtua çështjes kombëtare. Ai u vu në dispozicion të Ushtrisë Vullnetare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pikë kthese në jetën e tij ishte Kuvendi i Prizrenit, i cili duke çmuar dhe vlerësuar cilësitë dhe vlerat moralo-atdhetare të tij, ju afrua vendi i këshilltarit në shtabin e Sulejman Vokshit, i cili bënte detyrën e ministrit të Mbrojtjes të Lidhjes. Dukuri ishte se në organizimin politik e ushtarak të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, morën pjesë dhe dhanë ndihmesë dy figura të familjes Dërralla: Hasan Dërralla i ati, më politikan dhe Mehmet Dërralla, i biri, si ushtarak. Betejat e ashpra për afro 3 vjet, e afirmuan Mehmet Dërrallën si prijs të luftës popullore.Gjenerali Dërralla do të kontribuonte në Kuvendin e Pejës, 23-29 janar 1899, një organizatë politiko-ushtarake mbarëshqiptare. Ishin përpjekjet e personaliteteve shqiptarë të vitit 1899, të cilët nën drejtimin e patriotit të shquar Haxhi Zeka, ndërmorën këtë aksion politik dhe luftarak. Kuvendi i Pejës u shtyp pa i mbushur qëllimet dhe objektivat e saj. Mehmet Dërrala ndërroi taktikë. Ai u vu në krye të aksioneve të veçuara e të grupeve të vogla vullnetare, duke iu këndërvënë që në embrion synimeve e veprimeve të monarkive ballkanike që kishin për hapësirën shqiptare. Mehmet Pashë Dërralla u kap nga forcat osmane dhe u internua në shkretëtirat e Irakut prej nga u kthye aty nga viti 1908. 65 vjeçari tetovar u kthye nga Bagdati në Selanik e në Shkup. Mehmet Pashë Dërrallës mori pjesë në organizimin dhe drejtimin e kryengritjeve të mëdha të Kosovës të viteve 1910, 1911 dhe 1912.
THEMELUES I USHTRISË SË PARË KOMBËTARE
Mehmet Pashë Dërralla ka lindur më 31 tetor 1843 dhe mbylli sytë në vitin 1918, po në Tetovë. Bëri 40 vjet (1878-1918) luftë çlirimtare ndaj gjithfarë pushtuesish të Atdheut. U arsimua në tri shkolla ushtarake (gjimnaz, shkollë e lartë, akademi). Ushtarak, oficer dhe në moshën 35 vjeç u bë gjeneral, i përkushtuar dhe specialist në përmasa të një strategu. Ai shërbeu në disa funksione të larta shtetërore e ushtarake, jashtë dhe brenda Shqipërisë. Kudo ishte model i përsosmërisë ushtarake, profesionale dhe teorike. Mehmet Dërralal ka qenë ideator, organizator, udhëheqës dhe frymëzues i mjaft kuvendeve mbarëkombëtare si në Prizren, një ndër protagonistët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të viteve 1878-1881, në Pejë, në Vlorë dhe ishte një nga 40 burrat e shtetit të ri shqiptar që nënshkroi Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë, etj.Ai ka qenë mendimtar, komandant në beteja, drejtues me përmasa strategjike në trevat e Kosovës, por shquhet në kryengritjet e mëdha të viteve 1910, 1911, 1912, 1913. Ishte anëtar i Qeverisë së Përkohshme në Shtetin e parë Shqiptar. Mbajti detyrën e Ministrit të Parë të Luftës në historinë ushtarke kombëtare. Ishte në plotë kuptimin e fjalës themelues i Ushtrisë së parë Kombëtare, në vitet 1912-1914. Ai ishte personalitet që përfaqëson virtytet më të çmuara të një kombi. Ishte i internuar politik nga Stambolli 9 vjet në Bagdat dhe nga Beogradi një vit e gjysëm në burgjet mesjetare të kohës. Ideali i Tij më supreme ishte Atdheu-Kombi, një hapësirë etnike.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Bernard Zotaj

Një vlerësim mbi kryengritjen shqiptare të vitit 1912, dhe sjelljen e autoriteteve otomane ndaj shqiptarëve në agimin e pavarësisë së Shqipërisë

November 27, 2021 by s p

Prof.Dr. Romeo Gurakuqi/

Shqyrtimi i mëposhtëm është pjesë e një kumtimi të ndërtuar mbi dokumentacionin arkivor të konsujve të Mbretërisë së Bashkuar të  Britanisë së Madhe, që gjendeshin në vitin 1912 në qendrat e tre prej katër vilajeteve shqiptare nën Perandorinë Osmane, pikërisht në pragun e pavarësimit të Shqipërisë. Bëhet fjalë për dosjet e nënkonsullatës britanike në Shkup të drejtuar nga Peckham, nënkonsullatës britanike në Monastir nga e cila kanë raportuar Greig dhe Morgan dhe nënkonsullatës britanike në Shkodër drejtuar nga Nikolla Suma, shkodran, të cilave u janë shtuar analizat përgjithësuese të Konsullit të Përgjithshëm Harry Lamb në Selanik. Një rëndësi të veçantë kanë sidomos raportet e zv konsullit britanik në Shkup, Peckam, mbasi Vilajeti Kosovës u bë qendra më e trazuar botës shqiptare në vitin 1912, gjegjësisht në prag të shpërthimit të luftrave ballkanike dhe pavarësimit të Shqipërisë. E ndjeva për detyrë ta botoj pjesën konkluzive të punimit tim, në kuadrin e debatit të hapur nga qarqe të caktuara politike joshqiptare dhe trysnisë së ushtruar mbi studiuesit shqiptarë në muajt e fundit, për rishkrimin, sipas orekseve politike të çastit, të historisë së Shqipërisë nën pushtimin otoman. Kjo trysni po orvatet të imponojë deri edhe vetëpërmbysje të punës së bërë për dhjetëvjeçarë nga studiuesit, të imponojë tërheqje nga puna e bërë, shmangie nga kriteret shkencore, përkulje intelektuale dhe rrumbullakosje të fakteve historike.

TRYSNIA NEO-OTOMANISTE MBI SHQIPËRINË DHE KOSOVËN E FILLIMSHEKULLIT XXI

Trysnia neo-otomaniste mbi Shqipërinë dhe Kosovën e fillimshekullit XXI vjen në një moment fort mirë të studiuar nga ata që e kanë inicuar. Shqipëria dhe Kosova aktuale janë dy shtete të dobëta politikisht, me rryma të forta paqartësie në aspektin identitar arbnor paraotoman, me probleme të rënda në respektimin e shtetit ligjor, me ecje të ngadalshme, dikund edhe të prapësueme, në procesin integrues europian dhe me mungesë përkrahje në totalitet nga tërësia e vendeve të Bashkimit Europian. Kësisoj ajo përpjekje mund të konsiderohet shumë e rrezikshme dhe përçarëse për bashkësinë e qytetarëve të lirë shqiptarë të dekadës së dytë të shekullit XXI, të cilët deri tani e kishin në çështje të zgjidhur teorike, vlerësimin mbi trashëgimin osman në trojet e tyre.

Shqyrtimi i kujdesshëm i mbi 900 faqeve dokumentacion, të dy dosjeve të vitit 1912 më ka mundësuar të rikrijoj një tablo të plotë të ngjarjeve që historiografia i konsideron si kryengritja e përgjithshme e vitit 1912, parë në këndvështrimin e raportuesve britanikë. Dokumentacioni të jep mundësinë të vlerësohet kronologjia e ngjarjeve, niveli i përhapjes së lëvizjes kryengritëse nacionale në Shqipëri, intensiteti i veprimtarisë kryengritëse në të gjitha krahinat shqiptare, rrjedhat e verteta të ngjarjeve në vilajetet shqiptare në vitin 1912, programet politike, situata në ushtrinë turke, gjendja kulturore, niveli i perceptimit politik i shoqërisë shqiptare dhe orientimet politike të krahinave të ndryshme shqiptare në linjat përparimtare apo regresiste shqiptare, impostimet politike të shtresave të ndryshme dhe krahinave të ndryshme të shoqërisë shqiptare në orientimet e jetës së brendshme të Perandorisë Osmane dhe niveli i tronditjes së solli kryengritja mbi shoqërinë politike otomane të kohës.

KRYENGRITJA NË VILAJETIN E KOSOVËS SI PJESË PËRMBYLLËSE E REVOLUCIONIT NACIONAL SHQIPTAR

Së pari, më duhet të saktësoj, se kryengritja e vitit 1912, e filluar në Vilajetin e Kosovës, ka qenë pjesa përmbyllëse e Revolucionit Nacional Shqiptar të viteve 1910-1912. Ajo kryengritje është kulmimi i tretë i rizgjimit më të rëndësishëm të popullit shqiptar nën Perandorinë Osmane, rizgjim i cili ka ndodhur në rrethanat e presionit të thellë shtypës dhe otomanizues të qeverisë së Turqve të Rinj mbi kombin shqiptar, shtypjes së thellë ekonomike mbi popullsinë dhe pasqyrimit të procesit dekompozues të ushtrisë otomane dhe sistemit të arrnuar politik të këtij shteti në vdekje e sipër.

Së dyti, një nxitje të rëndësishme për ngjarjet në Vilajetin e Kosovës kanë luajtur pjesmarrja e disa prej anëtarëve më të rëndësishëm të parisë krahinore në jetën politike turke dhe bashkëveprimi me opozitën Ententiste kundër qeverisë së Komitetit “Bashkim dhe Përparim”. Duhet të saktësohet, se paria e vilajetit njëlloj si paritë e vilajeteve të tjera, i përkiste formimeve të ndryshme politike. Anëtarët e saj kanë pasur vizione jo unitare mbi të ardhmen e vilajeteve shqiptare në Perandori dhe në Ballkan dhe kësisoj janë paraqitur me programe jo plotësisht unitare në përfaqësimin e tyre pranë autoriteteve osmane. Grupet shqiptare të Vilajetit të Kosovës me qendër në Shkup përshkruhen në këtë mënyrë nga diplomati britanik, përsa i perket orientimeve politike. Ai dallon tri grupime politike brenda levizjes shqiptare në Vilajetin e Shkupit: 1. Grupi i parë ishte ai opozitar Ententist (dhe përfaqësohej nga Hasan Prishtina, i cili arriti të fitonte objektivin e vet kryesor, rënien e qeverisë së Komitetit “Bashkim dhe Përparim” dhe kërkonte më pas diçka më shumë se garanci, që Shqipëria nuk do të trajtohej në të ardhmen ashtu sikurse kishte qenë trajtuar në të shkuarën. 13 pikat e kërkuara në programin e përpiliuar nga ai pasqyrojnë në një farë mënyre politikën e këtij grupimi. 2 Grupimi politik Autonomist i përfaqësuar nga Riza Beu (Kryeziu). Kjo parti synonte si hap të fundit, në qoftë se jo autonominë e menjëhereshme, një Guvernator të Përgjithshëm të zgjedhur. 3 Partia Konservatore e përfaqësuar nga Isa Boletini, përfaqësonte fiset malore dhe qëllim i tyre ishte ruajtja e shoqërisë tradicionale, organizuar dhe ruajtur nga zakonet tradicionale të krahinës së tyre, në të cilën ata ishin mësuar të sundonin. (PRO.FO.195 2407. doc.no.67, faqe 256-257, Peckham to Lamb, Uscub, August 12, 1912.)

Së treti, kryengritja e vitit 1912, me epiqendër Vilajetin e Kosovës, është shoqëruar me precipitim të situatës edhe në pjesë të tjera të Shqipërisë, në Vilajetin e Manastirit kryesisht, por edhe në atë të Janinës dhe të Shkodrës. Gjithashtu nga drejtuesit e krahut përparimtar të kryengritjes është pretenduar dhe bërë çfarë ka qenë e mundur në kushtet e Shqipërisë së asaj kohe, që kryengritja e nisur në Kosovë, të shoqërohej me zhvillime të ngjashme edhe në krahina të tjera të Shqipërisë. Në të vertetë, ajo çfarë ka ndodhur në Vilajetin e Kosovës në rrjedhen e muajve maj-gusht 1912, nuk është shoqëruar me të njejtën masë, intensitet ushtarak dhe luftarak edhe në pjesët e tjera të vilajeteve shqiptare, por gjithsesi situata ka qenë ngjashmërisht e tensionuar, mjaftueshëm për të tronditur seriozisht sundimin ottoman në Shqipëri, por edhe për të ndezur përgatitjet e qarqeve të caktuara ballkanike për të ndaluar procesin e krijimit të një entiteti të ri ballkanik që do të mbante njëlloj të ngushtuara hapësirat gjeopolitike të tyre në Ballkan. Emërtimi kryengritje e përgjithshme kësisoj, së paku do të duhet të ridimensionohet, saktësohet, të vendoset në kontekstin e zhvillimeve konkrete të ngjarjeve të periudhës dhe të analizohet në të gjithë elementët e saj përbërës. Nga ana tjetër, që të kesh kryengritje të përgjithshme duhet të kesh një organizatë mbarëkombëtare drejtuese. Një organizatë e tillë nuk është se nuk ka ekzistuar, por asaj i ka munguar një efiçencë në praktikë. Unë besoj se ka qenë jo e mundur në rrethanat e sfondeve të ndryshme kulturore, organizimi dhe mbajtja nën një shtyllë te vetme e të gjitha prirjeve të parisë shqiptare.

ZHVILLIMET POLITIKE USHTARAKE TË KRYENGRITJES SHQIPTARE NË VILAJETIN E SHKUPIT

Së katërti, zhvillimet politike ushtarake të kryengritjes shqiptare në Vilajetin e Shkupit më 1912, i janë bashkëngjitur ç’organizimit të përgjithshëm ushtarak, rebelimeve të herëpasherëshme të ushtrisë otomane në vilajetet e banuara nga shqiptarët. Ky ç’organizim vërtet është përshpejtuar nga vala e papërballueshme dhe masive e kryengritjes në krahinë, por nga ana tjetër, bashkëshoqërimi i kryengritjes me këtë rebelim të ushtrisë si dhe me veprimtarinë e partisë opozitare turke, ka kornizuar shpesh herë ligjërimin patriotik shqiptar, ka moderuar objektivin e pastër antiosman dhe karakterin laik e iluminist përbashkues të të gjithë segmenteve përbërëse të lëvizjes kombëtare shqiptare, duke krijuar në këtë mënyrë një qasje më të prapësueme se programi politik, tehu i qartë antiosman i kryengritësve të Malësisë së Madhe të vitit 1911, programi i Memorandumit të Greçës dhe nga aktiviteti albanianist i qarqeve shqiptare me formim të europianizuem nën ndikimin dhe mbështetjen e fuqishme edhe financiare të  Austrisë, mbrojtësës së vetme madhore të popullit shqiptar.

Së pesti, progamet politike të kryengritjes së vitit 1912 kanë një bazament themelor të përbashkët dhe diferencohen në pikat e tyre kulmore varësisht vendit ku janë prodhuar, ku janë rishkruar, varësisht aspiratave të individëve udhëheqës së krahinave respektive. Dokumentacioni që kemi pasur në dispozicion na mundësoi të dallojmë shkrime programesh politike, vetëm në muajin gusht 1912, një në Vilajetin e Shkupit, një në Shqipërinë e Jugut dhe një në Shkodër. Të tri këto manifeste pretendojnë të jenë pjesë e një lëvizjeje, por ata dallojnë në pikën goditëse të procesit shkëputës nga Perandoria Osmane. Gjithsesi, ndikimi i klasës së otomanizuar dhe turkomane ka qenë një faktor i rëndësishëm frenues që ka përkulur tehun e qartë kombëtarist, albanianist, të unifikuar e mirëfilli separatist të kryengritjes shqiptare të vitit 1912 dhe kjo gjë vihet re krejtësisht qartë sidomos në rrjedhat e ngjarjeve Vilajetin e Shkupit më 1912. Lëvizja e Vilajetit të Shkupit i bashkëngjitej programit më të përparuar politik të Malësisë së Madhe, krahinë e cila, pikërisht në këtë kohë, siç duket serish me nxitjen edhe të Ismail Qemalit, ka avancuar një memorandum me kërkesat e mëposhtme: 1.përkufizimin e kufijve politikë të Shqipërisë; 2.njohjen e flamurit shqiptar; 3.emërimin e një guvernatori të përgjithshëm për të gjithë Shqipërinë, të zgjedhur nga fisnikëria e vjetër shqiptare; 4.Heqjen nga Shqipëria të të gjithë zyrtarëve që u përkisnin racave të tjera dhe emërimin e shqiptarëve në vend të tyre; 5.pranimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, e cila do të duhej të mësohej me germa latine; 6. Pranimi i të gjitha këtyre kërkesave duhej të garantohej prej Fuqive të Mëdha (PRO.FO.195.2406 Inclosure No.1, in Consul-General Lamb’s dispatch No.67 of 22 May, 1912, Translation of letter in “Yeni Asr” of the same date from a correspondent at Uscub.) Me datën 7 gusht 1912 Hasan Prishtina, Mehmet Pashë Tetova, Riza Kryeziu, Isa Boletini dhe Jahja Aga paraqitën një Mazbatë me kërkesa si më poshtë vijon: Albabeti kombëtar me germa latine të përdorej për gjuhën shqipe në katër vilajetet shqiptare;  Një Lice duhej të ndertohej për çdo sanxhak të vilajeteve shqiptare; Gjuha amtare e nxënësve duhej të ishte gjuhë e arsimimit në të gjitha shkollat fillore; Me perjashtim të rasteve të jashtëzakonshme, shqiptarët duhej ta kryenin shërbimin ushtarak në Turqinë Europiane; Qeveria duhej t’i pajiste banorët e krahinave kufitare me armë; Zyrtarët qeveritare duhej të dinin gjuhën shqipe dhe të njihnin zakonet krahinore; Një amnisti e përgjithshme dhe e pakushtëzuar për të gjitha veprat penale që nga fillimi i kryengritjes; Nxjerrja para gjykimit parlamentar (Impeachment) i kabinetit të Said Pashës; Rrugët dhe hekurudhat të ndërtoheshin sa më shpejt që të ishte e mundshme; Ligji zakonor shqiptar të aplikohej në disa krahina dhe lokalitete; Të formoheshin nahije të reja; të fillohej shfrytëzimi i minierave dhe pasurive pyjore; dhe reduktimi i taksës se deles (Aghnan) (PRO.FO.195.2407, doc.no 65, faqe 214, Peckham to Lamb, Uscub 8 August 1912). Ndërkaq, në Memorandumin e shfaqur në Monastir formulohej edhe kërkesa për një guvernator të përgjithshëm europian, në memorandumin e Shqipërisë së Jugut (Sinjë) kërkohej caktimi i një Inspektori të Përgjithshëm për një përiudhë të përcaktuar (PRO.FO.195. 2407 doc no 109, faqe 307- 3089 dhe 309-310. Lamb to Lowther, Salonica 19 August, 1912. Incolure No 1 in Consul General Lamb’s Despatch no 109 of 19,. August 1912), kurse Memorandumi i shfaqur në Shkodër në disa aspekte shkonte shumë përtej dokumentit të Sinjës, duke përcaktuar krijimin e një Asambleje Nacionale Shqiptare, të pavarur nga Parlamenti i Stambollit, i cili do të kontrollonte financat e Shqipërisë dhe forcat e veta territoriale. (PRO.FO.195. 2407 doc no 109, faqe 307- 3089, dhe 309-310. Lamb to Lowther, Salonica 19 August, 1912. Incolure No 1 in Consul General Lamb’s Despatch no 109 of 19  August, 1912.)

SJELLJA E AUTORITETEVE OSMANE NË VILAJETIN E KOSOVËS

Së gjashti, sjellja e autoriteteve osmane në Vilajetin e Kosovës, ndaj shqiptarëve edhe të moderuar pjesmarrës në lëvizje, ka qenë e ashpër, edhe përkunder kodeve të së drejtës zakonore shqiptare. Rasti më flagrant, që ndodhte jo në fillimet të pushtimit barbar pesë shekullor, por në muajt e fundit të agonisë osmane në Shqipëri, ka qenë transferimi, dmth internimi dhe mbajtja nën mbikqyrje si pengje, e grave dhe familjeve të disa prej liderve të kryengritjes shqiptare të Kosovës, të transferuar në Shkup, të cilin dokumentacioni britanik na lejon ta ridimensionojmë dhe faktojmë duke përcaktuar shumë qartë, se sjellja e qeverisë osmane në Shqipëri ishte në konstanten e vet antishqiptare, njëlloj si në ditën e parë të pushtimit edhe pas pesë shekujsh barbarizëm, çkombëtarizim dhe përkulje identitare iliro-arbnore. Ky ka qenë një prej veprimeve më të rënda që ka shokuar opinionin publik në Kosovë. Në këndvështrimin e diplomatit britanik zv.konsullit Peckham, ky veprim përbënte provokimin më të rëndë për nxitjen e një kryengritjeje të përgjithshme shqiptare në Kosovë (PRO.FO.195.2407, doc no. 49, faqe 5, Uscub, July 9, 1912).

Së shtati, punimi sjell një panoramë të plotë të zhvillimeve ushtarake në terren. Mbi të gjitha dokumentacioni mundëson të saktësohet, se ajo çfarë është konsideruar në historiografinë zyrtare shqiptare si pushtim i qyteteve të vilajetit, Prishtinë, Ferizaj, Shkup, ka qenë më së shumti një invadim popullor shqiptar, kryesisht i armatosur, per shkak të mosreagimit të vërtetë ushtarak të ushtrisë turke në kushtet e zgjedhjes se qasjes mosreaguese nga ana e autoriteteve qeveritare qendrore osmane dhe dezintegrimit të njësive ushtarake. Kjo zgjedhje politike e Stambollit ka ardhur për shkak të intensitetit të veprimeve kryengritëse, presionit të gjërë popullor shqiptar kundër pushtimit dhe procesit dezertues në ushtrinë turke, në kushtet e rritjes së ndikimit të opozitës politike në radhët e ushtrisë.

SJELLJA ZYRTARE E STAMBOLLIT NDAJ SHQIPËRISË DHE POPULLIT SHQIPTAR

Në fund fare duhet të theksojmë se sjellja zyrtare e Stambollit ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar edhe në momentet e fundit të agonisë së autoritetit shtetëror otoman në trevat tona, për shkak të goditjes rrënjësore të kryengritjeve 1910-1912, ka vazhduar te jetë e njejtë: një politikë e pasinqertë, dredharake, përherë brutale dhe kriminale, regresive dhe frenuese në aspektin e emancipimit arsimor dhe kulturor, shtypëse në aspektin e lirisë në përgjithësi. Kjo politikë dhe ky veprim ushtarak e la territorin e katër vilajeteve në prag të fillimit të luftrave ballkanike, në një gjendje të mjeruar në pikëpamje të kohezionit material, të papërgatitur në pikpamje të organizimit politik dhe administrativ, dhe krejtësisht e “gatshme” për të qenë një prehë e pambrojtur para stuhisë së shfrenuar të qarqeve shoviniste ballkanike. Kjo situatë rezultoi fatale në përiudhën vijuese, veçanërisht për hapësirat skajore të trojeve të banuara nga shqiptarët, në të cilat, goditja e ashpër ushtarake e ushtrive ballkanike, e gjeti popullsinë në një situatë post-traumatike dhe përgjithësisht të paorganizueme në masën e duhur për të përballuar intensitetin e makinerive ushtarake të shovinistëve fqinjë. Në pikëpamje të përballimit politik të agresionit dhe mbrojtjes së tërësisë territoriale në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, në fund të vitit 1912 dhe fillim të 1913, Shqipëria, ndonëse e identifikuar territorialisht në mendjen e lidershipit rilindas shqiptar, ka qenë e paidentifikueme administrativisht dhe politikisht nga kanceleritë e fuqive, që patën në dorë fatin e të ardhmen e këtij vendi. Kjo sepse presioni shtypës i shtetit osman mbi shqiptarët, mungesa e tolerancës minimale politike për të pranuar programin autonomist për riorganizimin e katër vilajeteve ku shqiptarët jetonin në shumicë, mungesa e tolerancës kulturore edhe në mësimin e gjuhës shqipe dhe ndërtimin e sistemin arsimor shqiptar, nuk u mundësoi shqiptarëve, qoftë edhe në rrjedhën e vitit 1912, të identifikoheshin administrativisht dhe politikisht nën një njësi të vetme territoriale brenda perandorisë, gjë që do ta kishte lehtësuar veprimin politik të fuqisë së vetme mbrojtësë të Shqipërisë, Perandorisë Austro-Hungareze, në diskutimet diplomatike të kohës, respektivisht në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, ku Ballplatz-i u gjend i vetëm në mbrojtje të kombit shqiptar.

E gjithë kjo na nxjerr sërish në përfundimin se kasta drejtuese otomane e Kostandinopojës, operoi mbi popullin shqiptar dhe tokat shqiptare, deri në momentin e fundit të agonisë së sundimit të saj në trevat tona, njëlloj si në ditën e parë të pushtimit, me mentalitetin, mjetet dhe metodat e pushtuesit. Faktet për këtë sjellje gjenden me shumicë, para së gjithash në arkivat otomane, të cilat rezultojnë të jenë të studiuara në mënyrë të papërshtatshme dhe aspak shterruese. Edhe sikur sot dikush apriori të kërkojë të ndryshojë thelbin e pushtimit otoman në Shqipëri, do të duhet të kujtojë që brezat e ardhshëm do të jenë të lirë dhe plotësisht të çliruar nga vargonjtë e presioneve politike, të gërmojnë me kompetencë arkiven e pamasë otomane për Shqipërinë dhe dokumentacionin po aq të gjërë të kancelerive të fuqive të mëdha për periudhën e pushtimit otoman në këtë vend.

Filed Under: Analiza Tagged With: Romeo Gurakuqi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2714
  • 2715
  • 2716
  • 2717
  • 2718
  • …
  • 2940
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT