• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një shtet i huaj nuk mundet të vendosë fatin e Partisë Demokratike

September 26, 2021 by s p

Nga Agustin Mirakaj*

*Ky shkrim është një qëndrim personal i autorit dhe nuk përfaqëson qendrimin dhe opinionin zyrtar të Federatës Vatra.

Bërthama e Partisë Demokratike është e përbërë nga interesaxhinj dhe jo idealistë. 330 humbës mbajnë peng Partine Demokratike dhe i qëndrojnë pranë humbësit në vazhdimësi për interesa personale. Lideri që unë dhe Ju mbështetëm ka shkatërruar frymën e lirisë. Ka shkundur Partinë Demokratike, partinë që i hapi sytë dhe zemrat shqiptarëve pas një makthi 50 vjeçar komunist.Lideri i partisë duhet të ketë shtyllë kurrizore e në këtë rast, liderit të PD-së i mungon. Nëse lideri i PD do të kujdesej vërtetë për Shqipërinë, ai do të hapte rrugën për dikë me më shumë aftësi, për të sjellë ndryshimin në vend e mos ta mbante partinë peng për vite e vite me radhë. Ai vendos dhe vepron si diktator në partin tonë, pa u menduar 2 herë.Harron se aleati strategjik për momentin është vetëm sipërfaqësor dhe tmerrsisht shkatërrues. Frika nga gjykimi i të huajve (komunist) nuk i lejon Partisë Demokratike të mendojë për të ardhmen por vetëm besimi dhe mbështetja juaj mund të ndriçojë rrugën e të cilës Partia Demokratike do të udhëtojë për ta bërë Shqipërinë perëndimore.Sot Shqipëria nuk do të ishte në hartë nëse nuk do të ishte për punën e palodhur të patriotëve që e kanë dashur kaq shumë Shqipërinë. Ata gjithmonë kanë punuar me të huajt për ta ndërtuar Shqipërinë dhe jo për ta shkatërruar atë.Tashmë dukshëm Partia Demokratike është bërë vegël e të huajve. Ku me forcë, pa të drejtë, kërkojnë heqjen e simbolit të demokracisë duke shantazhuar vetëm një njeri, kryetarin, njeriun që ne së bashku e besuam se do ishte i pathyeshem nga cilido, entitet i brendshëm apo i jashtëm. Kryetari i Partisë Demokratike duhet të jetë shpresë dhe jo fatkeqësi e një kombi.Vlerat e Partisë po rezikohen nga e majta radikale, nga të huajt të cilët kërcënojnë këdo për të shkatërruar LIRINË. Lirinë tonë që e fituam me shumë përpjekje nga komunistët, vite më parë. Ata duan të heshtin zërin tonë, të shkatërrojnë Zërin e lirisë dhe Demokracisë në Shqipëri.Komunistët gjithmonë kanë përdorur armën e përçarjes midis nesh. Këtë bën e keqja, këtë do e keqja; që ne Shqiptarët të mos jemi asnjëherë të bashkuar. Bëhuni të fortë ndaj së keqes dhe reagoni tani për të ardhmen e vendit tonë, për Shqipërinë e së ardhmes.Në demokraci askush nuk mund të jetë mbi votën. Uniteti ynë është mjeti i vetëm për të sjellë uraganin e fitores ndaj mafjes së kuqe dhe atyre që mundohen të shkatërrojnë egzistencën e lirisë në Shqipëri.NEW YORK – USA26 Shtator 2021

Filed Under: Analiza Tagged With: Agustin Mirakaj

Kuvendi i Parë Ndërkombëtar mbi Arbëreshët

September 26, 2021 by s p

Flet Drejtoresha Ekzekutive prof Diana Kastrati.

Nesër në Tiranë çel punimet Kuvendi i Parë Ndërkombëtar mbi Arbëreshët me temë “Gjendja aktuale e studimeve mbi Arbëreshët”. Kuvendi do të shtrihet në dy ditë të plota pune 27-29 shtator 2021 pranë Muzeut Historik dhe, paraditen e dt.29 do të ketë një konferencë shtypi në mjediset tona të QSPA-së mbi përfundimet e Kuvendit. Të ftuarit kumtues janë emra të spikatur të botës akademike brenda e jashtë Shqipërisë si Italo Sarro, mikja e gjithë shqiptarëve, studiuesja e mirënjohur veneciane Lucia Nadin, profesoreshë Eda Dërhemi nga SHBA, profesor Dhori Qiriazin nga Greqia etj. Por ky Kuvend synon t’u lërë skenën edhe protagonistëve që mbajnë gjallë jetën kulturore të komuniteteve arbëreshe në Itali si Papas Antonio Bellusci-t, Agostino Giordano-s, presidentit të Federatës së shoqatave arbëreshe Damiano Guagliardi etj. Kuvendi, përmes referimeve e diskutimeve, do të nxjerrë në pah gjendjen aktuale të studimeve të kryera ndër kohëra, në gamën që ngërthejnë lëmi, të tilla si: gjuhësia, letërsia, historia, antropologjia, publicistika dhe kultura në përgjithësi. Këto referime pritet të kontribuojnë për të dritësuar fushat dhe aspektet e pastudiuara deri më tani, si dhe të shtrojë çështje për zgjidhje për të ardhmen e gjuhës dhe kulturës arbëreshe. Kjo nisëm akademike është ndërmarrë nga Qendra e Studimeve dhe e Publikimeve për Arbëreshët (me akronimin QSPA), e cila drejtohet nga prof. Diana Kastrati dhe përbëhet nga 8 studues dhe 4 punonjës të administratës. Që prej fillimit të vitit të shkuar ky institucion i ngritur me qëllim realizimin e studimeve të thelluara, në shërbim të ruatjes dhe promovimit të gjithës dhe kulturës së komunitetit arbëresh në Itali dhe Zarë të Kroacisë, ka zhvilluar aktivitete intensive në këto aspekte. Brenda vitit të parë të punës së Qendrës janë përgatitur për shtyp dhe botuar katër libra studimore, prej të cilëve njëri është pjesë e kolanës Thessaurus, përkatësisht: “Jeronim De Rada, Vepra historiko-filologjike”. Kuruar nga Prof. Jup Kastrati (in memoriam), “Santori–Poet dhe Dramaturg”, Prof. Klara Kodra, “Rrugëtim në ngulimet arbëreshe, (50 kartolina gjigante arbërore në tokën italiane)”, Antonio Bellusci, Ornela Radovicka, si dhe punimi i studiuese së QSPA-së Dr. Silvana Ninit, me temë: “Një rrugëtim etnografik mbi veshjet e arbëreshëve të Italisë së Jugut”. Gjithashtu, sapo ka dalë nga shtypi edhe numri i parë i revistës shkencore të QSPA, me titull “Continuum”, revistë e cila ka angazhuar studiues nga brenda dhe jashtë Shqipërisë me trajtesa shkencore dhe pjesëmarrje në debatin mbi rrezikun e shuarjes së gjuhës tek arbëreshët. Ndërkaq edhe pse brenda një harku të shkurtër kohor, stafi i QSPA po angazhohet për realizimin e gjashtë botimeve të tjera shkencore brenda vitit 2021, ndërsa përsa i përket kërkimit shkencor mbas punimeve të Kuvendit janë planifikuar të realizohen edhe dy konferenca të tjera: në muajin nëntor, në bashkëpunim me Akademinë e Studimeve albanologjike, do të mbahet konferenca “Shteti shqiptar dhe Arbëreshët (rasti i arbëreshëve të Italisë dhe arbneshëve të Zarës në Kroaci”. Aktiviteti i tretë ka sërish përmasa ndërkombëtare dhe është hera e parë që në Shqipëri realizohet një konferencë e kësaj natyre. Në dhjetor të këtij viti, në bashkëpunim me FEL (Fondation for Endangerd Languages) me seli në SHBA, (Federata e gjuhëve në rrezik), do të mbahet Konferenca Ndërkombëtare “Gjuhët e Rrezikuara dhe Diaspora”, në kuadër të së cilës do të vijnë për të kumtuar në Tiranë studies nga e gjithë bota.Risitë e Kuvendit diturak – studimorMiratimi i ngritjes së Qendrës së Studimeve dhe Botimeve për Arbëreshët (QSPA) nga qeveria shqiptare, u bë në 2019, kurse konkretizimi i fillimit të punës në janar të 2020.Personalisht jam thirrur për të marrë përsipër ngritjen e saj, në 25 dhjetor të 2020. Kam filluar punën si Drejtore ekezekutive më 10 janar të 2021, akoma pa një staf përreth. Duke i mbetur objektivitetit, më duhet të theksoj se ishte një përgjegjësi shumë e madhe jo vetëm në nivel personal, por edhe për studiuesit e rinj të përzgjedhur që panuan të bëhen protagonistë e dëshmitarë të historisë së fillimit e formëzimit të një institucioni të tillë me rëndësi parësore kombëtare. Stafi ka filluar punën më 11 mars të 2020, e një ditë më pas filloi edhe izolimi për shkak të pandemisë. Gjithsesi, vizioni, platforma e objektivave, detyrave dhe punëve për t’u kryer brenda vitit 2020, kanë qenë të qartë që më 11 mars. Ndër këto veprimtari, krahas ngritjes së rrethit të bashkëpunëtorëve të jashtëm të cilët ishin studiues me emër në këto lëmi studimi e kërkimi, nisjes së punës për botimin e librave, strukturimit të Revistës studimore të Qendrës, ishte edhe organizimi i një Kuvendi diturak – studimor që, siç e sqaroni edhe ju, ishte parashikuar të mbahej në shtatorin e kaluar. Pas një pune të pafund të të gjithë stafit për ideimin e tij, mbledhjen e thirrjen e studiuesve me emër në nivel kombëtar e ndërkombëtar, e të tjera yçkla të pafundme që lindnin rrugës për një sipërmarrje të këtyre përmasave, aktiviteti u shty, me shpresën e përmirësimit të gjendjes në nëntor. Pjesën tjetër e dimë të gjithë si rrodhi. Ndaj kësaj here, si riorganizimi, ashtu edhe konkretizimi i saj për ne të Qendrës merr dyfish rëndësi e përgjegjësi. Tema e Kuvendit përligj edhe përpjekjen tonë për të evidentuar situatën aktuale të studimeve për arbëreshët, një hap i domosdoshëm për ne për të kuptuar realisht në ç’stad ndodhen këto studime, por, po aq, për të orientuar dhe kristalizuar edhe rrugën tonë kryesore të kërkimit shkencor. Një pjesë e të ftuarve që do të kumtojnë në këtë Kuvend kanë qenë edhe në organizimin e vitit të kaluar, si prof.Klara Kodra, prof.Ymer Ciraku, prof. Emil Lafe, prof. Italo Sarro, prof. Lucia Nadin, papas Antonio Bellusci, z. Agostino Giordano, të tjerë janë shtuar, kurse disa syresh që kishin shprehur miratimin dhe aderimin për të qenë kumtues në vitin e kaluar, sivjet, disa prej tyre si për shkak të moshës, po aq të frikës së përligjur nga pandemia, apo për shkak të impenjimeve të tjera të marra ndërkohë, nuk do të jenë, si p.sh prof. Rexhep Qosja (i cili ka qenë ndër të parët që ka dhënë miratimin entuziast për pjesëmarrje me kumtim), prof. Sabri Hamiti, prof. Gjovalin Shkurtaj etj. Do të jenë dy ditë të ngjeshura pune, nga mëngjesi deri në darkë. Ndërsa dita e tretë parashikon një konferencë shtypi brenda mjediseve të punës të QSPA-së ku, 4 a 5 studiues pjesëmarrës në Kuvend, do t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të kulturës mbi të ardhmen e çështjeve më të nxehta të studimeve arbëreshe.Letërsia e kultura arbëreshe në territorin shqiptar e jashtë tijDo të flitet e debatohet mbi çështje të tilla si: studimet retrospektive arbëreshe; mbi dokumentimin e ripërpunimin e miteve të krijuara mbi lëvizjet e para të arbëreshëve në tokën italiane; mbi autorë të spikatur të kulturës së shkruar arbëreshe të së kaluarës, por po aq edhe të ardhmes; mbi domosdoshmërinë e përhapjes dhe shtrirjes së letërsisë e kulturës arbëreshe në territorin shqiptar e jashtë tij; mbi vëzhgimet e fenomeneve gjuhësore të arbërishtes e të dallimeve apo të përbashkëtave midis elementëve gjuhësorë të arbërishtes së dikurshme e të sotme; mbi përkthimin e disa veprave të autorëve arbëreshë; mbi përkthimin e liturgjisë ortodokse; por edhe mbi debatin shumë sensitiv të kohëve të sotme moderne, atij mbi rrezikimin eventual të gjuhës arbëreshe si dhe të mënyrave të matjes së këtij rrezikimi; të krizës identitare e gjuhësore të arbëreshëve të Kalabrisë dhe planit për të ecur në të ardhmen; të trashëgimisë kulturore të ruajtur tek Arvanitasit në Elladhë etj. Kërkime, studime dhe botime mbi botën arbëresheMë lejoni të bëj një parashtesë të domosdoshme sipas meje dhe që, e kam përsëritur sa e sa herë mediatikisht: vëmendja e studiuesve shqiptarë ndaj botës arbëreshe, ka qenë gjithmonë cilësore. Studimet e tyre kanë përbërë dhe përbëjnë bazën mbi të cilën ngrihet edhe puna e Qendrës. Kërkime, studime dhe botime mbi botën arbëreshe janë bërë edhe vazhdojnë të bëhen edhe në këto kohë. Në gjykimin tim, nuk mungon interesi, përkundrazi, por mbase ka munguar strategjia e koordinimit të gjithë kësaj pune e bërë kryesisht në bazë të një vullneti individual. Kjo përsa u përket botimeve. Ndërsa nëse flasim për organizime të kësaj fare siç është edhe Kuvendi i fund shtatorit me fokus ekskluziv arbëreshët, i ideuar dhe organizuar tërësisht nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, këto mbase kanë qenë të nevojshme të ishin zhvilluar përgjatë këtyre viteve. E këtu vijmë edhe tek rëndësia që ka kjo Qendër e cila duke qenë përfaqësuese e strategjisë së shtetit shqiptar ndaj çështjes arbëreshe, është ngritur me këtë qëllim e funksion themelor: përbashkimin brenda dhe jashtë Shqipërisë të forcave intelektuale që merren me studimin e universit arbëresh, bazuar në parimin e respektimit të lirisë dhe mëvetësisë akademike, por të mbështetur në një vizion afatgjatë që synon jo vetëm rijetëzimin e mbajtjen gjallë të trashëgimisë kulturore të shkruar e jo, por edhe krijimin e instrumenteve të duhur që garantojnë jo vetëm memorizimin e kësaj historie retrospektive arbëreshe, por edhe asaj të ardhme. Gjuhët e rrezikuara nga zhdukjaPikërisht në funksion të këtij qëllimi që sapo shprehët ju, do të shërbejnë këto dy ditë. Por, jam e kënaqur t’ju them paraprakisht se nuk do të jetë vetëm ky Kuvend që do të bëjë të mundur pasurimin e strategjisë sonë të skicuar tashmë; në nëntorin e këtij viti, do të jetë një tjetër aktivitet i kësaj natyre, i organizuar në bashkëpunim me Institutin e Historisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike, që do të merret eksluzivisht me panoramën e strategjive të shtetit shqiptar ndaj çështjes arbëreshe që nga lindja e tij deri më sot; ndërsa në mes të dhjetorit do të kemi një veprimtari ndërkombëtare me pjesëmarrjen e linguistëve dhe sociolinguistëve nga të gjitha kontinentet, në bashkëpunim me Federatën e Gjuhëve në Rrezik (FEL) me seli në SHBA ku kjo e fundit do të festojë 25 vjetorin e krijimit të saj pikërisht në Tiranë. Ftesa që na erdhi nga FEL për të mbajtur konferencën e tyre të radhës në bashkëpunim me Qendrën tonë këtu në Tiranë, ishte privilegj, nderim e përgjegjësi e madhe për ne. Midis debateve e diskutimeve mbi gjuhët e tjera të globit që janë rrezikuara nga zhdukja, do të ketë një sesion të veçantë kushtuar arbërishtes. Ky i gjuhëve të rrezikuara nga zhdukja, është edhe një nga debatet më të nxehta akademike aktualisht në nivel ndërkombëtar. Do të jenë rezultatet e këtyre tri aktiviteteve të rëndësishme studimore që do të përbëjnë edhe bazën prej ku do të ngrihet edhe strategjia e ardhshme e punës së Qendrës së Studimeve për Arbëreshët. Federata e Shoqatave Arbëreshe në Kalabri (FAA)Kjo pyetje përbën edhe thelbin e ndryshimit të institucionit tonë me ato simotra studimore në Shqipëri. Po shpjegohem më qartë: rrugëtimi kronologjik i studimeve mbi Arbëreshët në Shqipëri në bashkëpunim me Arbëreshët e Italisë në veçanti, si çdo fenomen tjetër që varet nga faktorë politikë më së pari, por edhe strategjikë kulturorë, ka njohur periudha lulëzimi, nëse mund të shprehemi kështu, po aq sa edhe një kurbë në zbritje. Nëse realisht ne duam ta bëjmë pjesë të qenësishme e të natyrshme tonën këtë trung shqiptar të mbetur jashtë kufijve, nëse vërtet jemi aq të ndërgjegjshëm sa të kuptojmë se fati na ka “përkëdhelur” duke na e sjellë akoma këtë “xhevahir” antropologjik të ruajtur fuqishëm pas thuajse gjashtë shekujsh, nëpërmjet e falë një “kryeneçësie” të paprecedentë të kësaj popullate për të qenë “Arbëreshë” në gjuhë, doke, zakone, veshje e kulinari, ose është ky momenti vendimtar i ndërveprimit, ose (pa bërë Kasandrën), vështirë se do të ketë një të dytë. Duke i mbetur besnikë këtij arsyetimi logjik do të thosha, ne kemi ngritur tashmë e po vazhdojmë të ngrejmë urat konkrete të bashkëpunimit. Ky i fundit parasheh përfshirjen, jo thjesht të studiuesve, por të të gjithë aktorëve kryesorë; duke filluar nga Federata e Shoqatave Arbëreshe në Kalabri (FAA) me të cilët kemi nënshkruar një protokoll marrëveshjeje, e duke vazhduar me aktorët politikë si me Kryetarët e Komunave, Presidentët e Krahinave; duke vazhduar me aktorët e jetës së përditshme kulturore arbëreshe. I gjithë ky mozaik i pasur njerëzor, përbën bazamentin tonë të ndërveprimit. Muzeu i përhershëm mbi ArbëreshëtNë këtë kuadër, futet më së pari hartimi i Fjalorit Enciklopedik të Arbëreshëve, një projekt afatgjatë që lips bashkërendimin dhe bashkëpunimin e të gjitha forcave akademike brenda dhe jashtë Shqipërisë. Një projekt tjetër ambicioz i QSPA-së është edhe ai i ngritjes së Shtëpisë së Arbëreshëve, apo Vatrës së Arbëreshëve në Tiranë, një qendër multifunksionale që do të bëjë të mundur jo thjesht konservimin, por edhe ridimensionimin ndërveprues të Arbëreshëve me vendin amë. Kjo Shtëpi do të strukturohet në tri hapësira: në bibliotekë të hapur e në shërbim të publikut, ku synimi kryesor është ai i shndërrimit të kësaj biblioteke në një vend të frekuentuar nga studiuesit, por edhe nga studentët e drejtimit të Gjuhës dhe letërsisë shqipe për të realizuar tema diplome dhe doktorature me tema mbi Arbëreshët. Hapësira e dytë do të shërbejë si Arkiv, ku materialet që do të vijnë nga miqtë tanë përtej detit, do të depozitohen aty në bazë të rregullave të njohura të mirëmbajtjes së dokumenteve e dorëshkrimeve. Më lejoni t’ju them se që tani janë gati një sasi e mirë dokumentacioni të ndryshëm që do të bëhen pjesë e kësaj Shtëpie. Hapësira e tretë do të shërbejë për ngritjen e një Muzeu të përhershëm mbi Arbëreshët, e cila do të përmbajë brenda edhe një hapësirë për ekspozita të përkohshme pikture, skulpture apo fotografike, apo edhe librash, me pjesëmarrjen e artistëve e krijuesve arbëreshë e shqiptarë. Vetëm në këtë mënyrë, mund të shndërrohemi përfundimisht pjesë e një “trupi” të vetëm. E, për ta mbyllur, më lejoni ta sendërtoj idenë time të fundit me vargjet kumtplote e emocionuese të poetit tonë Mjeda: “Por gazmo ndër gjith kto t’vshtira Përse ende s’sharrove kret; Diçka ‘mbet ndër ato t’mira Mbas dymij e ma shum vjet. T’ka mbet gjuha që po ndihet N’fush e mal qi ti zotnon; Gjith ku hija jote shtrihet, Ku shqiptari zan’ e lshon!” (Dielli)

Filed Under: Politike Tagged With: Diana Kastrati, Kuvendi i Parë Ndërkombëtar mbi Arbëreshët

AT GJERGJ FISHTA DHE AKADEMIA E SHKENCAVE E SHQIPËRISË – NJË HAP PËRPARA, DY MBRAPA

September 26, 2021 by s p

                          

Frank Shkreli

See the source imageKa disa vite që me penën time të pavarur e tepër modeste – pa pasur nevojë t’i them kujt tungjatjeta do të thoshte Fishta — kam bërë thirrje dhe kam kërkuar rivlersimin e veprës, jetës dhe të figurës së madhe të At Gjergj Fishtës nga entet zyrtare të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës, me besimin se pa vlerat e At Gjergj Fishtës, po varfërohet kultura dhe po de-shqiptarizohen trojet shqiptare.  Fatkeqsisht, gjatë 30-viteve të tranzicionit të ashtuquajtur “post-komunist” në Shqipëri – ndonëse librat e At Gjergj Fishtës botohen dhe mund të blihen dhe të lexohen nga kushdo që dëshiron, një përmirsim nga ç’ndodhte në regjimin komunist kur veprat e tija ishin rreptësisht të ndaluara – këto tre dekadat e fundit, trajtimi zyrtar nga nivelet më të larta qeveritaro-shtetërore dhe akademike, s’ishte gjë tjetër veçse një vazhdim i trajtimit të egër anti-kombëtar ndaj Poetit të Madh të Kombit, nga ana e ish-regjimit komunist të Enver Hoxhës, i dënuar, i dëbuar dhe i përjashtuar, ç’prej vitit 1940 kur edhe ndërroi jetë Gjergj Fishta.  

Por ja, thonë se shpresa vdes e fundit dhe në këtë moment të fundit, pas 3 dekadave “post-komunizëm”, më në fund, me kënaqësinë më të madhe mësova për mbajtjen e një konference në Tiranë, të organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë (ASHSH), kushtuar 150-vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës. A mund të jetë ky fillimi i një rehabilitimi zyrtar i kësaj figure të madhe të Kombit, një hap i parë i rivlerësimit të veprave dhe kontributit të tij — të përjashtuar dhe të harruar — në shumë fusha të kulturës dhe historisë kombëtare. Mbetet për tu parë, por me thënë të drejtën u emocionova prej gëzimit duke mos u besuar syve ndërsa lexova çdo fjalë e fjali nga njoftimi dhe nga përmbledhjet e kumtesave që u mbajtën me këtë rast, të botuara në faqën e internetit të (ASHSH), përfshir fjalën e Kryetarit të Akademisë, Z. Skender Gjinushit dhe ekspertëve të tjerë pjesëmarrës kushtuar Fishtës dhe veprave të tija, në këtë 150-vjetor të lindjes.

Megjithë vonesën e pajustifikuar prej tre dekadash “pluralizëm” (por më mirë vonë se kurrë, thotë populli), për të bërë vlerësimin e nevojshëm të figurës dhe veprës së At Gjergj Fishtës, unë e vlerësoj dhe e përshëndes nismën ose hapin e parë në këtë drejtim nga një ent zyrtar prestigjoz i shtetit shqiptar, siç është Akademia e Shkencave e Shqipërisë, megjithëse nuk jam i qartë se si do shkohet përpara.

Sipas njoftimit të (ASHSH), Konferenca akademike “ad honorem”), me rastin e 150-vjetorit të lindjes, (1 tetor, 1871) “Nderimi, mbijetesa dhe rikthimi i Fishtës në tri kohët e letërsisë”, është hera e parë, ose “një hap” i parë, siç e cilësoi Akademiku Gjinushi.  Siç duket, Z. Gjinushi i mati fjalët me kujdes – për të mos shkelur ndonjë vijë të kuqe në lidhje me trajtimin e Gjergj Fishtës — pasi ndoshta as ai nuk e di se si do të shkohet përpara në vlerësimin e Fishtës.  Sepse, ashtu si këto 30-vjetë të kaluara të një tranzicioni të pafund për një demokraci të vërtetë, zyrtarisht, ashtu si në kohën e regjimit të Enver Hoxhës — Fishta gjithnjë konsiderohet si “reaksionar”, “tradhëtar”, “bashkpuntor i agjenturave të huaja”, e ku ta dijë unë se çfarë epitetesh të tjera fyese janë përdorur kundër Gjergj Fishtës që nga periudha enveriste, e që mbeten edhe sot pjesë e fjalorit të disave për të përshkruar Fishtën. 

Por, megjithëse është hera e parë që Akademia e Shkencave e Shqipërisë ndërmerr një veprim të tillë, tre dekada pas shembjes së Murit të Berlinit, prapseprap, kjo  është një ngjarje që duhet të mirëpritet dhe të përshëndetet nga të gjithë ata që admirojnë veprat dhe kontributet e shumta të At Gjergj Fishtës por edhe nga të gjithë ata që besojnë në liri, demokraci dhe në lirinë e fjalës në veçanti — që personaliteti i Gjergj Fishtës si “poet, orator, estet, studiues, publicist, mendimtar dhe botues”, trajtohet, më në fund, në një forum shkencor të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.  Akademiku Skënder Gjinushi u shpreh me rastin e hapjes së konferencës se, “Akademia e Shkencave, me këtë konferencë, po hedh një hap për të inkurajuar mirësekthimin e Fishtës”, duke shtuar se ky, “Nuk është kthim i djalit plangprishës, por i poetit të dëbuar, i cili ka pritur dekada të tëra të na thoshte, ashtu siç shkroi njëri prej pasuesve të tij, Martin Camaj: Unë jam i jueji, ju jeni të mitë. Ose siç pati shkruar Naimi: Unë jam në shpirtin tuaj / Mos më merrni për të huaj”, ka thënë në fjalën e hapjes së konferencës, Kryetari i Akademisë së Shkencave, Akademik Skënder Gjinushi. 

Kryetari i Akademisë së Shkencave u shpreh gjithashtu se konferenca e javës që kaloi ishte vetëm një hap, “për të inkurajuar mirësekëthimin e Fishtës”, duke lenë të nënkuptohet se dikush tjetër mban frenat që pengojnë, për të mos thenë që ndalojnë gjithnjë, rivlerësimin e plotë të At Gjergj Fishtës.  Po kush mund të jenë këto forca të errëta, që për 30-vjetë ndalojnë “mirësekëthimin e plotë të Fishtës?  A janë këta politikanët aktualë hipokritë të të gjitha ngjyrave që para botës euro-atlantike na paraqiten sot si pro-perëndimorë të flakët — a po janë nostalgjikët e Enverit, politikanë dhe akademikë — të cilët për 30-vjetë tani sillen si anadollakë dhe talebanë të anti-vlerave kulturore dhe kombëtare ndaj figurave më të nderuara, monumente të historisë dhe kulturës së Kombit shqiptar?  Figura, si At Gjergj Fishta, njëri prej personaliteteve shqiptare më pro-perëndimore në historinë e Kombit, ç’prej kohës së Gjergj Kastriotit-Skenderbe. 

Kujt i pengon ende sot, 30-vjet pas shembjes së komunizmit zyrtar në Shqipëri, figura dhe vepra e At Gjergj Fishtës dhe pse?  Pse u deshën tri dekada që të mbahej një konferencë – “një hap i parë” për “mirësekëthimin e Fishtës” – sipas vet Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë?  Kush i pengon hapat e tjerë që duhet të merren në këtë drejtim dhe pse duhet të matet me hapa të tjerë rivlersimi i Gjergj Fishtës? Kush e jep lejen dhe kush i përcakton “hapat” për një rivlersim të tillë?  A është Fishta një hajdut a person i korruptuar që duhet të kalojë nepër “vetingun” politik të “drejtësisë” së re të pushtetarëve të Tiranës?  Si është e mundur që 30-vjet pas shembjes së komunizmit, At Gjergj Fishta mbetet, zyrtarisht, ende i padëshiruar dhe i përjashtuar, i etiketuar me damkën “tradhëtar” dhe i lënë pas dore nga politika zyrtare si dhe nga kultura, shkenca dhe akademia – si “armik” e “reaksionar”, ashtu siç konsiderohej edhe nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, megjithëse Fishta nuk jetoi as nuk veproi asnjë ditë nën atë regjim?  Këto do ishin ca pyetje që vet pjesëmarrësit duhej të bënin në konferencën e javës që kaloi, kushtuar 150-vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës. 

Sot, këta politikanët e sodit që gjithnjë refuzojnë Fishtën na paraqiten para audiencave prestigjoze amerikane dhe ndërkombëtare si properendimorë ku e kur ua lypë nevoja, por refuzojnë Fishtën, promovuesin e vërtetë të vlerave perëndimore dhe arkitektin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Nuk mund të pretendosh se je properendimorë dhe kundër ose indiferent ndaj At Gjergj Fishtës.  Këtë duhet ta dinë edhe diplomatët perëndimorë në Tiranë!

Frank Shkreli: At Gjergj Fishta, arkitekt i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, vazhdon të jetë i padëshiruar në vendin e vet | Gazeta Telegraf

Në mungesë të pyetjeve më lartë dhe të përgjigjeve nga autoritetet shqipotare për një vlerësim të vërtetë dhe më të gjithanshëm të kontributit të Gjergj Fishtës në jetën kombëtare, sidomos kontributeve të tija në fushën politike dhe kombëtare, konferenca e Tiranës, siç duket, për të mos dashur të turbullonte ujërat e zeza të jetës aktuale politike dhe akademike shqiptare — e kishte gjetë të arsyeshme të përqëndrohej më shumë tek kontributet e Fishtës, jo në fushën politike, por në fushën albanologjike, një fushë kjo e sigurt për ta trajtuar Fishtën.  Ndërkohë që sipas të gjitha gjasave, nuk dihet se cili do të jetë “urdhëri zyrtar” për hapa të tjerë, sa i përket “rikthimit” të At Gjergj Fishtës dhe nga kush do jepet leja: Kryeministri, Kuvendi, Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, Presidenti, nga kush?  Vendim shumë i vështirë ky për Tiranën zyrtare!!! Edhe sot pas 80-vjetësh e kanë frikë Fishtën.

Po pse ky trajtim për 80-vjet i Gjergj Fishtës nga Atdheu tij për të cilin jetoi e punoi gjithë jetën dhe pse “Fishta u fshi nga defteri” nga regjimi komunist, siç  pyeste dikur Profesori i ndjerë shqiptaro-amerikan dhe ish i burgosur i regjimit enverist, Arshi Pipa në një artikull (Fishta dhe Komunizmi) Frank Shkreli: Gjergj Fishta dhe komunizmi | Gazeta Telegraf, të botuar në gazetën Shqiptari i Lirë në Nju Jork me 31 Janar, 1961.  Në atë artikull, Profesori i nderuar shkruante se 2-3 vitet e para të sundimit komunist, Fishta ende nuk konsiderohej si një subjekt “tabu”.  Por, megjithëkëtë, shkruan ai, qysh në fillim të regjimit, shihej se nga frynte era.  Nëpërmjet “qarkoresh, këshillash, qortimesh e porosishë, mësuesve të gjuhës dhe letërsisë”, u ishte dhënë urdhëri që të vinin në dukje anën “reaksionare”, jo vetëm të Gjergj Fishtës por edhe të Faik Konicës.  Kështu filloi dalngadalë të “përgatitej terreni”, sipas Profesor Arshi Pipës, për eliminimin e Gjergj Fishtës dhe të veprave të tij.

Kjo ndodhi, sipas Profesor Arshi Pipës, “Në një kohë kur Shqipëria po rrëshqiste ndër krahët e Jugosllavisë, për t’u bërë republikë e shtatë e saj dhe udhëheqja komuniste shqiptare nën diktatin e Beogradit nuk mund t’ia falte Gjergj Fishtës shprehjet e tij kundër Jugosllavisë.”  Si përfundim, thekson Pipa në artikullin e tij, botuar në gazetën e Nju Jorkut, “Shqiptari i Lirë”, të vitit 1961, “Me eliminimin e fraksionit nacionalist brenda partisë, të kryesuar nga Malëshova dhe Dishnica dhe më vonë nga fraksioni autonomist Nako Spirua – të tre këta kundërshtarë të politikës pro-jugosllave – triumfoi vija ekstremiste e çiftit Hoxha-Xoxe, të cilët për arsyet e tyre personale dhe partizane ishin gati të sakrifikonin interesat dhe vlerat kombëtare”, ka shkruar Arshi Pipa. 

Se si kjo “vijë ekstremiste” komuniste ndaj Fishtës ka mbijetuar sot e 80-vjetë më parë – sidomos këto tre dekadat e fundit — as dreqi nuk mund ta marrë me mend, as ta kuptojë, se si dhe pse për pothuaj një shekull?

A person sitting in a chair

Description automatically generated with medium confidence

                                                       Profesor Arshi Pipa

Profesor Arshi Pipa: “Fishta u sakrifikua pikërisht si përfaqësuesi madhor i vlerave kombëtare”. Profesor Pipa është shprehur, se ajo që e dallon patriotizmin e At Gjergj Fishtës nga të tjerët është, “Karakteri militant, luftarak, i patriotizmit” të tij. Të tjerët, sipas Arshi Pipës, më shumë kanë mbrojtur, ndërsa Fishta ka mbrojtur dhe ka sulmuar. “Ai ka sulmuar të gjithë ata persona ose shtete të vogla, ose fuqi të mëdha, të Lindjes e të Perëndimit, të Krishtit ose të Muhametit, që kanë synuar robërimin, pushtimin, copëtimin e Shqipërisë. Ata që kanë cenuar tagrin e popullit shqiptar, ata që kanë fyer dinjitetin dhe krenarinë kombëtare”, ka shkruar Profesor Arshi Pipa për patriotizmin e Fishtës.

Por një përgjigje e pjesëshme ndaj kësaj pyetjeje mund të jetë se Fishta i përkiste urdhrit françeskan, ka shkruar Prof. Pipa, një pjesë e madhe të cilëve janë vrarë nga regjimi enverist, një pjesë kanë vdekur nëpër burgjet komuniste të Shqipërisë, ka arsyetuar Profesor Arshi Pipa. Fishta, si përfaqësuesi më i njohur i françeskanëve nuk mund të lihej pa prekur, sipas tij.  Një arsye tjetër se pse At Gjergj Fishta dhe vepra e tij ishte ndaluar nga regjimi komunist, kishte të bënte me “rendin ideologjik botëror” të asaj kohe, shprehej Pipa në artikullin e tij. “Binomi i famshëm i Fishtës ‘Atme e Fe”, ishte krejtësisht i papranueshëm për komunistët”, është shprehur Arshi Pipa.  Ndërsa në fund të artikullit, me rastin e 20-vjetorit të vdekjes së Poetit të Kombit, botuar në Nju Jork në Janar të vitit 1961, Profesori i nderuar shqiptaro-amerikan Arshi Pipa bën pyetjen: “A do të mbetet Fishta përgjithmonë armiku numër një?” Ai shprehej optimist, duke thënë: “jo përgjithmonë” ka nënvijuar ai. Pipa shpresonte se ndryshimi zyrtar i regjimit komunist ndaj At Gjergj Fishtës dhe veprës së tij, do të ndodhte, kur sipas tij, “komunizmi të ndërroj qime”.  Profesor Arshi Pipa do të habitej shumë po të jetonte sot se, megjithëse komunizmi në Shqipëri mund të ketë “ndërruar qime” Fishta ende mbetet i përjashtuar, ose të pakën jo i mirëseardhur dhe i pa pranuar, zyrtarisht. 

 “Ujku qimën e ndërron, por vesin jo”, thotë një fjalë popullore.  Mbetet për tu parë nëse Konferenca në150-vjetorin e lindjes së At Gjergj Fishtës, organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, shënon vërtetë, hapin e parë zyrtar, “për të inkurajuar mirësekthimin e Fishtës” – siç u shpreh Kryetari i kësaj Akademie, Z. Skënder Gjinushi.  Presim gjithashtu, për të parë nëse ujku, vërtetë, ka ndërruar jo vetëm qimën por edhe vesin, përfshir qendrimin armiqësor 80-vjeçar ndaj At Gjergj Fishtës, në këtë 150-vjetor të lindjes së Poetit Kombëtar.  Kombi shqiptar sot, më shumë se kurrë, ka nevojë për paqë dhe pajtim të shqiptarit me shqiptar. Siç tha edhe ditët e fundit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, “Ka ardhur koha të kujtojmë dhe të mendojmë për At Gjergj Fishtën”.  

Kështjella shqiptare është e tronditur në themel. Sot, më shumë se kurrë, Kombi shqiptar ka nevojë për mësuesin e madh të dashurisë për Kombin — At Gjergj Fishtën! Mos hezitoni, kemi pritur mjaft dhe me durim për 80-vjetë!

Frank Shkreli

May be an image of 1 person and text that says 'TIRANE AKADEMIA E SHKENCAVE SHQIPERISE SEKSIONI SHKENCAVE SHOQERORE DHE ALBANOLOGJIKE Konferencë shkencore ad honorem në 150-vjetorin e Gjergj Fishtës Nderimi, mbijetesa dhe rikthimi i Fishtës nè tri kohet e letërsisë 23 shtator 2021 ora 10.00 Gjergj Fishta (1871-1940) Në sallën "Aleks Buda" të Akademisë sẽ Shkencave, me pjesëmarrje fizike online Zoom Meeting 394894 Meeting 3948 3941 Passcode: 142794'

                   May be an image of 2 people, people sitting, people standing and indoor“Fishta ka qenë gjithnjë aty ku po ndodhte historia me gjithë dritëhijet e veta; është një emër që nuk mund të ndahet prej momenteve më të rëndësishme të saj.”, tha Kryetari i Akademisë, Skender Gjinushi ndërsa e përqëndroi kumtesën e tij në tri meritat e mëdha të Fishtës si krijues.

               May be an image of 4 people and people standing Njëri prej ligjëruesve në konferencë, Imzot Gjergj Meta, nënkryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë e vlerësoi atin françeskan Gjergj Fishta (1871-1940), si figurën më të madhe dhe më të fuqishme e letërsisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të XX, i cili më shumë se cilido shkrimtar tjetër i dha shprehje artistike shpirtit kërkues të Shtetit të ri sovran shqiptar.

A person in a uniform

Description automatically generated with low confidence

                                          I Madhi At Gjergj Fishta

Filed Under: Opinion Tagged With: At Gjergj Fishta

Pse dështon Shqipëria?

September 26, 2021 by s p


Altin Gjeta/

Kombet dështojnë sepse nuk ia mbërrijnë të krijojnë institucione politike të hapura dhe përfaqësuese. Kjo nuk iu jep mundësi shumicës së qytetarëve të marrin pjesë në jetën politike, ekonomike dhe sociale të vendit, dhe të shpalosin talentin e tyre të lirë. Institucionet politike të hapura nuk kontrollohen nga një grusht njerëzish sepse ekzistojnë mekanizmat e kontrollit dhe llogaridhënies si zgjedhjet e lira dhe të ndershme, drejtësia e pavarur, shoqëria civile, media e pavarur etj. Për rrjedhojë, instituionet e hapura janë pothuajse kusht për prosperimin dhe zgjerimin e lirisë individuale dhe kombëtare. Burimet natyrore, kultura dhe gjeografia humbasin rolin determinues në zhvillimin e një shteti me institucione të hapura. P.sh Japonia, Izrael etj.Përkundër, kombet që ndërtojnë institucione politike të mbyllura, për rrjedhojë sisteme ekonomike ekskluzive dhe shfrytëzuese, prodhojnë mjerim. Mobutu në Kongo akaparoi pushtetin dhe sundoi për vite. Megjithëse kongolezët jetonin në skamje, presidenti zotëronte vila në Europe dhe jetonte si aristokrat. Ai nuk kishte asnjë arsye të hapte vendin, t’i bënte institucionet politike përfaqësuese sepse rrezikonte pushtetin dhe fitimet që rridhnin prej tij.Në 100 vjet shtet, Shqipëria ka ndërtuar institucione politike dhe ekonomike ekskluzive. Mbledhja grusht rreth partisë dhe udhëheqësit e ka bërë Shqipërinë një nga vendet më të prapambetura në Europë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Altin Gjeta

VATRA DËNON SULMET DHE DHUNËN SERBE NË VERI TË KOSOVËS

September 26, 2021 by s p

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA dënon me forcë sulmet, dhunën dhe provokimet serbe në Veri të Kosovës. Kosova është shtet sovran. Çdo akt që cënon sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës, Institucionet Demokratike, rendin dhe sigurinë publike të qytetarëve në Kosovë, lirinë, të drejtën dhe pronën e qytetarëve në Kosovë do të dënohen me ashpërsinë më të madhe dhe refuzohen me përbuzje e neveri. Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA u bën thirrje Institucioneve dhe qytetarëve në Kosovë për qetësi, maturi dhe unifikim. Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA dhe shqiptaro-amerikanët i bën thirrje Departamentit të Shtetit Amerikan, Kongresit Amerikan, Senatit Amerikan, Kancelarive Perëndimore dhe shteteve që njohën pavarësinë dhe ndihmuan në konsolidimin e shtetin e Kosovës në mbarë botën, që të ndërhyjnë sa më parë për të goditur me ashpërsinë më të thellë barbarizmat serbo-ruse që vënë në rrezik jetën e qytetarëve në Kosovë, Institucionet, integritetin territorial, paqen dhe sigurinë në Ballkan.

Kryetari i Vatrës

Elmi Berisha

Filed Under: Featured Tagged With: Elmi Berisha, Vatra, Veriu i Kosoves

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2723
  • 2724
  • 2725
  • 2726
  • 2727
  • …
  • 2828
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj
  • Çfarë është një peizazh tingullor?
  • Populli dhe trojet shqiptare në gjeopolitikën e re euro-atlantike
  • Analizë strukturore e sovranitetit, krizës së konsolidimit shtetëror dhe implikimeve gjeopolitike
  • Arti popullor në kryeqytet si ajerngopja në malet e larta
  • “Pjesëmarrja në Bordin e Paqes, vlerësim dhe pëgjegjësi e shtuar për RSh”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT