• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BASHKIM KADIU NË LIBRIN “ENCIKLOPEDIA E VLERAVE”

September 18, 2021 by s p

Përcjell mesazhe qytetarie, urtësie dhe pajtimi

Kadri Tarelli

Ka vetëm pak dit, fund gushti 2021, që doli nga shtypi, libri i Bashkim Kadiut “Enciklopedia e vlerave”. Një titull që ngacmon kureshtjen dhe fantazinë e lexuesit dhe çdo durrsaku, që e do dhe  e ndjen pulsin e qytetit të lashtë e të ri, sepse aty përfshihen rreth 539 portrete te intelektualëve durrsak, për gjatë një harku kohor prej afro 150 vjetësh.

Me këtë rast u bë edhe përurimi i këtij libri me shumë vlera qytetarie, që u hap dhe u drejtua nga shkrimtari Qemal Vrioni. Nderuan këtë kuvend për librin, dhjetëra intelektualë të Durrësit, shumica “Heronj” të kësaj enciklopedie. Nga paneli drejtues përshëndetën autorin dhe veprën e tij Shpendi Topollaj, shkrimtar, kritik, studiues dhe dramaturg. Më pas Monada Myshketa-Mehmetaj redaktore e librit. Fjalë të ngrohta përdori Mujo Buçpapaj – Drejtori i gazetës kombëtare “Nacional”, si njohës i të gjithë veprimtarisë gazetareske e letrare të Bashkimit. Njëkohësisht përshëndeti edhe poeti Agim Bajrami. Me këtë rast edhe unë vlerësova punën dhe veprën e Bashkimit, duke thënë:

Kushdo që e ka ndjekur sado pak krijimtarinë e Bashkimit, nuk do të habitet, pasi ai me shkrimet e tij ka qenë dhe është pjesë e shtypit qendror e lokal, prej gati 30 vjetësh. Më duhet të shtoj këtu, se ai, si punëtor i palodhur i letrave shqipe, është autor i pesë librave, në të cilët në formë të zgjeruar, ka paraqitur vlerat atdhetare dhe intelektuale të qytetarisë durrsake.

Në një shkrim timin të disa viteve më parë, në kryetitull e pagëzova: “Bashkim Kadiu kronikan i intelektualëve durrsak”, ishte një frymëzim çasti, pasi më bukur do të shkonte “Kronikan i qytetarisë durrsake”. Dikush mund pyesë: Pse ke ndërruar mendje? Do të bindet, pasi nëpër faqet e pesë librave të këtij autori, gjallojnë portrete të qytetarëve durrsak të të gjitha shtresave, ku mund të përmend: klerikë të nderua, atdhetarë, luftëtarë e veprimtarë, titullarë të institucioneve shtetërore, vendore e qendrore, drejtues të sektorëve prodhues, pedagogë, mësues e mësuese të nderuara, drejtorë shkollash, shkrimtarë, poetë, historianë, arkeologë, agronomë e doktorë shkencash, zyrtarë, mjekë, artistë e sportistë, ekonomistë, ushtarakë dhe juristë. Me një fjalë, lexuesi do të gjejë të pasqyruar historinë e zhvillimit të qytetit të Durrësit, por në një formë ndryshe nga sa jemi mësuar. Tani nëpërmjet jetës dhe veprimtarisë të secilit nga “heronjtë” e tij. Pa i bërë bisht shakasë, lexuesi do të gjejë gjyshin, prindin dhe veten, si vlerë dhe pjesë e qyteti. 

Jo pa qëllim i përmenda këto fjalët e fundit, pasi Bashkimi nuk u ndal këtu: Ai botoi së fundmi librin madhor “Enciklopedia e vlerave”, ku vetë titulli tregon vlerën dhe peshën e rëndë të qytetarisë durrsake. Një ide e kahershme e autorit, për t’i mbledhur bashkë në një libër, të gjithë “heronjtë” e tij. Natyrisht punë e madhe i është dashur, duke shtrydhur gjithçka shkruhet në një shkrim, për të nxjerrë “Vajin e ullirit”, si mundim, ushqim, mjekim e detyrim, ndaj lexuesit dhe për lexuesin. Është një formë e njohur për libra të tillë, për të pasqyruar sa më shkurt dhe sa më realist, portretin e secilit. Është një prej kërkesave që ka një libër që quhet enciklopedi.

Ky libër në vetvete, përmban një punë vërtet të madhërishme në pamje, por e vështirë në realizim dhe e dobishme në përmbajtje, që ka kërkuar mund, djersë, lodhje, harxhim kohe disavjeçare, energji dhe shumë dashuri e frymëzim idealisti. Dua të jem i gabuar, por nuk di që dikush tjetër në Shqipëri, të ketë bërë kaq shumë për qytetin e tij. Në këtë rast, vepra e Bashkimit është një shembull që meriton duartrokitje, ndaj duhet përshëndetur, përgëzuar dhe falënderuar me mirënjohje të pakufishme.

Të gjithë librat, kur shkojnë në dorën lexuesit, gjykohen si në formë e përmbajtje, por ajo që mbete është vlera artistike, gjuhësore, shkencore e qytetare, përcjellë nëpërmjet mesazheve që u duhen brezave. Këtu lexuesi jep notën për secilin, në veçanti për libra të tillë.

Besoj se kam të drejtë që, si njohës i të gjithë veprës së Bashkim Kadiut, t’ i çmoj vlerat e këtij libri, në disa këndvështrime: 

Së pari: Libri “Enciklopedi e vlerave”, është një “përmendore” që u ngrihet të gjithë atyre që vunë mendjen, shpirtin dhe fuqitë, në shërbim të qytetit dhe qytetarisë durrsake, si një trashëgimi njerëzore, qytetare e familjare. Çdo kush nga brezat, të sotëm e të nesërm, kanë me çka të mburren, për bëmat e të parëve të tyre, sepse kanë në dorë një “Testament pasurie”, një emër të ndritur, që u mbetet në shekuj, sepse nuk tretet, grabitet apo venitet. Besoj se nuk është pak. Ndaj ky libër meriton që të jetë në çdo bibliotekë shkollash, institucionesh dhe me çdo kusht në çdo familje, jo për të mbushur e zbukuruar raftet, por si “Monument”, që meriton të vendoset sipër oxhakut, në “Odën e burrave” të çdo shtëpi, si ikonë për ta parë e për t’u falur, çdo fillim e mbarim dite. 

Së dyti: Durrësi këtu ka qenë, është dhe do të jetë në shekuj, por janë njerëzit, intelektualët, të diturit, ata që e lartësojnë emrin dhe vlerat e tij në përjetësi. Kështu që, ky libër, “në heshtje si durrsakët”, pa folur e pa ngritur zërin, është një burim mësimi dhe përvoje për brezat e rinj, për ta dashur dhe zhvilluar qytetin tonë famëmadh. Ta dush qytetin dhe të vesh gjithçka në shërbim të tij, nuk është thjesht dëshirë, por detyrim ndaj vendlindjes, të parëve dhe trashëgimtarëve. Le të shërbejë ky punim, si udhërrëfyes e model për ata që do të guxojnë të nisin e të shkruajnë për vlerat e qytetit, sepse historia e Durrësit nuk mbaron këtu.

Së treti: Ky libër përcjell një kumt, që diku thuhet hapur nga disa intelektuale, si nëpër romane, apo shkrime gazete, por që këtu në faqet e kësaj enciklopedie, thuhet pa zhurmë e bujë dhe ndjehet me tepri: Është kambana e “Pajtimit të kombit”, përkundër përçarjes dhe ndarjes: “Ne dhe ata”. Autori nuk i ka përzgjedhur figurat sipas dëshirës dhe bindjeve të tij apo të lexuesit. Ata janë thjesht qytetarë e intelektualë të Durrësit, pa dallim shtresash pasunore, pozitash zyrtare, përkatësi fetare dhe bindjesh partiake, që rrinë pranë e pranë e kuvendojnë pa ju mburrur njëri tjetrit, se kush e do më shumë mëmëdheun. 

Pa dashje, autor Bashkimi, siç e ka edhe emrin, i mëshon në heshtje bindjes atdhetare, se përçarja, sëmundja jonë vrastare, duhet të venitet e të shuhet mes shqiptarëve. Të gjithë e pranojmë me zë apo pa zë, se duhet të jemi bashkë, sepse këtë copë Shqipërie e kemi bashkë dhe duhet ta trashëgojmë së bashku. 

Besoj se Bashkim Kadiu, pavarësisht moshës, nuk do të ndalojë këtu. Për të nuk është stacioni i fundit. Me vullnetin dhe energjinë që ka, besoj se do na sjellë përsëri libra të rinj, shkruar e qëndisur nga penda e tij.

Kadri Tarelli

Gusht 2021.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Bashkim Kadiu, Kadri Tarelli

MOS U NGUT ME KAPËRCIMIN E ETAPAVE

September 18, 2021 by s p

Gjokë Dabaj/

Askush me mend në kokë nuk mund të jetë kundër një Evrope të hapur, kundër një Bote të hapur e rrjedhimisht as kundër një Ballkani të hapur. 

Madje, ku ta gjejë njerëzimi, që njerëzit të lëvizin lumturisht nëpër këtë botë kaq të bukur!?

Por ç’të bëjmë që, midis njerëzve ka edhe njerëz-kafshë, njerëz që kanë pamjen e njeriut, por që nuk janë njerëz?! Me këta ç’të bëjmë?! Me të këtilla qenie ç’të bëjmë?!

Unë nuk do të kisha asgjë kundër vizionit të Ed Ramës për një Ballkan të hapur, nëse ai do të kish gjetur në fjalimet e tij qoftë edhe një cep, ku të prononcohej ç’mendon ai lidhur me lëvizjen e lirë të kriminelëve sërbë. Kriminelët sërbë, siç dihet, jetojnë të lirë në Sërbi dhe jo vetëm në Sërbi. Ata kanë vrarë gra e fëmijë dhe burra të Bosnjës dhe nuk janë ndëshkuar, për veç ndonjë prijësi të tyre, sa për të thënë. Ata kanë vrarë gra, fëmijë e burra shqiptarë të Kosovës dhe nuk janë përgjigjur askund për ato vrasje. Ata kanë djegur me mijëra shtëpi të shqiptarëve nëpër Kosovë dhe në krahina të tjera shqiptare dhe nuk janë përgjigjur askund për të tilla zjarrvënie. Ata kanë rrëmbyer me qindra mijë bagëti nëpër Kosovë dhe, o i kanë therur e ngrënë mish të pjekur po aty, duke u zgërdhirë, ose i kanë çuar me kamionë e me vagonë trenash për në Sërbi. Ata kanë rrëmbyer çdo gjë që u ka pëlqyer nëpër shtëpitë tona, sende të argjendta dhe monedha të argjendta e të florinjta, deri vathë të shkulur prej veshësh të grave e të nuseve dhe rruaza të këputura në fytet e gjokset e grave e të nuseve. Ata kanë përdhunuar me mijëra gra e vajza shqiptare, kudo ku i kanë gjetur e zënë ngushtë, në pamundësi për t’u mbrojtur prej tytave e bajonetave të tyre. 

Këto nuk po do t’i përmendë Ed Rama dhe po i kalon me një fjali të vetme: Të mos shikojmë nga e shkuara!

Të mos shikojmë nga e shkuara! Të mos shikojmë nga e kaluara! 

Por ata janë ende gjallë e shëndoshë e mirë, pa iu përgjigjur askujt për krimet që kanë kryer dhe, jo mund edhe të vijnë, por do të jenë ndër të parët që do të vijnë në bregdetin tonë për t’u larë e për t’u rrezitur. Do të jenë ndër të parët, sepse në Sërbinë e sotme, militarët dhe paramilitarët, kriminelë të pandëshkuar, janë ndër më të lëvduarit dhe ndër më të privilegjuarit. Sepse në Sërbinë e sotme, militarët dhe paramilitarët, kriminelë të pandëshkuar, përbëjnë pjesën më aktive në zgjedhjet që bëhen në Sërbi dhe janë forca vendimtare që të zgjedhin deputetët që duan, si dhe ministrat e kryeministrat që u shërbejnë atyre.

Ed Rama po thotë që biznesmenët të lëvizin lirshëm. Mirë po thotë. Biznesmenëve duhet t’u krijohen mundësi për të bërë biznes. Askush me mend në kokë nuk e mohon një të tillë kërkesë, për kohën në të cilën popujt po jetojnë. Por, si t’ia bëjmë kur po ata kriminelë, që vranë, therën, përdhunuan, plaçkitën e dogjën nëpër vendbanimet e shqiptarëve, sot janë shndërruar në biznesmenë më të fuqishëm nëpër Sërbi?!

Ata do të vijnë të bëjnë tregti në vendin tonë dhe ata do të vijnë të lahen e të rreziten në bregdetin tonë. Dhe, për ironi, në të njëjtët plazhe, ndoshta edhe në të njëjtët hotele, do të mund të gjenden edhe gra shqiptare të përdhunuara, edhe meshkuj sërbë, përdhunues të atëhershëm e tash pushues të lirë, pikërisht falë Minishengenit ballkanik. Përdhunuesit, vrasësit, plaçkitësit, në të njëjtët plazhe me bijtë, bijat, motrat, vëllezërit, bashkëshortët e të përdhunuaravet, të të vrarëve dhe të të plaçkiturve!

A mund të pajtohen kështu dy kombe?! A është e rregullt të thuhet: Ta harrojmë të kaluarën, pa i ndëshkuar prishësit, shkatërruesit e asaj së kaluare?!

Askush me mend në krye nuk duhet dhe nuk mund të jetë kundër ndërtimit të urave mirëkuptuese midis kombeve. Por jo kështu! Jo kështu, sepse kjo rrugë i çon kombet në gjakderdhje të reja!

Duhet katarsis! Duhet kombi fajtor, me përulje, të kërkojë ndjesë e falje! Duhet që vetë Sërbia t’i dënojë e ndëshkojë ata bij të saj, që e kanë prishur kaq keq imazhin e atij kombi! Vetëm atëherë sërbët do të mund të vijnë lirshëm nëpër qytetet shqiptarë dhe nëpër plazhet e Shqipërisë!

Prandaj unë i them Ed Ramës, me dashamirësinë më të madhe: Mos u ngut me kapërcimin e etapave!

 18 shtator 2021  

Filed Under: Analiza Tagged With: Ballkani I hapur, Gjoke Dabaj

Gjergj Fishta është politika e poemës në gjuhë

September 18, 2021 by s p

-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në “Takimet e Dom Mikelit”: Gjergj Fishta është politika e poemës në gjuhë – historia jonë nuk do të mund të bënte pa këtë konfigurim krijimtar/

-Manifestimi letrar, kulturor e shkencor “Takimet e Dom Mikelit” organizohet për 32 vjet me radhë, si aktivitet përkujtimor për Mikel Tarabulluzin, klerikun dhe mësuesin, i cili në vitin 1905 e hapi shkollën shqipe në Stubëll/

STUBËLL, VITI, 18 Shtator 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

Patriotët dhe figurat historike që kanë vepruar në këtë pjesë të atdheut tonë, tregojnë se Stublla e përgjithësisht Karadaku, apo Mali i Zi i Shkupit, përherë ka qenë një nga vatrat e veprimtarisë kombëtare, politike, intelektuale, e hera herës edhe luftarake, kur e ka kërkuar rasti.

Sivjet, këtu te Dom Mikeli, kujtojmë e mendojmë për At’ Gjergj Fishtën. Politikë, poemë dhe gjuhë. Kjo trini duhet parë si dimensionet e kohës së jetuar: politika si e tashmja, poema si e shkuara, gjuha si e ardhmja. Por natyrisht që koha nuk është lineare. 

Koha nuk është e thjeshtë. Koha është prodhimi i përmasave të saj. Te Fishta këto tri përmasa janë operatorët punëtorë të kuptimit. Dhe ç’është më e rëndësishmja për ne, si përmasa të kohës ato ngërthehen mes vete në çdo çast. 

Gjuha është fushë e punës, nuk është fonema e vdekur. Le ta kujtojmë Fishtën si një prej kryesorëve të Kongresit themeltar të Manastirit. Por le ta kujtojmë edhe për ndërtimin poetik të gjuhës. Sepse në lëminë e poemës punon gjuha. 

Në këtë kuptim gjuha është puna e së ardhmes, e poema kontabiliteti i saj në arkivimin e së shkuarës. Puna është gjithnjë në të ardhmen, ashtu sikurse dhe kuptimi. Numri i rrokjeve të vargut është i vogël, por programi është i madh, po citoj “npër gjuhë shqype bota mbarë ka me ju njoftë se ç’fis ju kini”. Gjuha është diferenca nëpër botë, por ajo është dhe karakteristika universale e botës – Leibniz.

Politikan, si anëtar i përfaqësisë në Versajë, apo edhe në kongresin e Manastirit, me thirrjen e shpeshtë ku fton shqiptarët përtej fesë në një projekt të përbashkët, Fishta nuk shpreh më pak se kategorinë themelore të publicitetit, pra të shprehjes më të madhe në një gjuhë. 

Nuk ka politikë pa gjuhë, nuk ka kolektiv jashtë gjuhës, dhe nuk ka gjuhë që nuk mund të mos shprehë politicitetin e njerëzve. 

Gjuha është poema politike në numrin e fjalëve që shpall, në emrat gjeografikë dhe ata historik që liston. Nga një tjetër filozof gjerman, mbase  më i madhi prej tyre “Gjuha është publicitet i qenies historike, dhe si e tillë është politike” – Kant. 

Vetë poema, në mpiksjen e traditës e vendos Fishtën në një vend të veçantë. Natyrisht që mund ta lidhim me diçka mes lirikes dhe epikes. Për Fishtën duket se në një akt themelimi duhet të gjendet gjeografia në të cilën shtjellen breza të shqipes dhe në të cilën lartohen emra të flijimit. 

Kuptohet që andej se Fishta mëton më shumë se kushdo tjetër të arkivojë në lëminë e poemës, në epikën e saj, energjinë e nevojshme të sipërores që mund të bashkojë. Si dhe ne, si dhe në çdo kohë, ai e ndjen se hallka e dobët është kompleksi i inferioritetit. Poema është gjuha politike e synimeve të epërme, e qëllimeve të mbramë – pra, Romantizmi.  
Fishta është politika e poemës në gjuhë. Historia jonë nuk do të mund të bënte pa këtë konfigurim krijimtar.

Me respekt i përshëndes punimet e sesionit të sivjetshëm të takimeve të Dom Mikelit, qofshin të mbara për pjesëmarrësit dhe të gjithë 

Filed Under: Politike Tagged With: Albin Kurti, Gjergj Fishta

NESËR PROMOVOHET NË VATËR “LIDERI NUK LIND…BËHET”

September 18, 2021 by s p

Dielli/

Në selinë qëndrore të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra në New York, neser ditë e Dielë më 19 Shtator 2021, ora 11 am, do të promovohet libri “Lideri nuk lind…bëhet” i autores Iris Halili. Libri vjen si një risi, pasi është i pari i llojit të tij në letrat Shqipe. Botuar nga Shtëpia Botuese Dituria, ai është përzgjedhur nga lexuesit si libri më i mirë i vitit 2020 në kategorinë libër i mendimit, organizuar nga portali më i madh i librit online në Shqipëri “Bukinsit.al”. Autorja Iris Halili vjen me këtë botim pas një kariere të gjatë akademike dhe lidershipi si në Shqipëri ashtu edhe në USA. Ajo është gjithashtu e njohur në shtypin Shqiptar dhe atë të diasporës për artikujt e saj sa për lidershipin, letërsinë apo aktualitetin. Autorja ka qenë prej 10 vjetesh  pedagoge e Letërsisë Moderne në Fakultetin e Letërsisë pranë Univesitetit të Tiranes; Shefe e Kabinetit e Presidentit Alfred Moisiu 2002-2005, Këshilltare e Ministrit Sokol Olldashi 2006 -2007 etj. Prej më shumë se 12 vitesh ajo jeton dhe punon në Miami,  Florida. Në USA ka kryer doktoratën për Lidership dhe Zhvillim Organizatash, dhe aktualisht punon në profesionin e saj si Partnere Biznesi e Burimeve Njerzore.

Libri i saj me i fundit “Lideri nuk lind…bëhet “ dallon për gjuhen e kthjellët dhe të qartë përmes së cilës autorja na përcjell cilësitë/tiparet që dallojnë liderët. Ky libër tashmë është kthyer për lexuesin shqiptar si një manual që në formë lakonike dhe sintetizuese rrëfen rrugën sesi çdo kush mund të bëhet një lidër i sukseshëm apo edhe një ndjekës i ndërgjegjshëm dhe përgjegjës.  Mes shembujsh konkretë nga historia botërore dhe ajo shqiptare, autorja na percjell tiparet e liderve që kanë bërë histori  si për mirë dhe për keq, si dhe shpjegon sesi modelet e tyre të lidershipit kanë përcaktuar fatet e ndjekësve, kombeve apo kompanive që ata kanë drejtuar.

Në promovim pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të blejnë librin 10Usd, të ardhurat e të cilit autorja ka nderin t’ia dhurojë Vatrës.

Promovimi moderohet nga gazetarja Marjana Bulku.

Ju mirëpresim në mjediset e Vatrës.

Filed Under: Featured Tagged With: Iris Halili, Vatra

Dâshnia e shteterrātun

September 17, 2021 by s p

Foto ilustruese: Pikture nga Besa Dauti

Poezi nga  Ndoj Mhilli

Dâshnia e shteterrātun

E dashtun lê’ma buzën të ta puth

të ta puth deri n’agim

lê të tretem, lê të shkrihem

n’buztë e tua deti jem.

Më lê ta ndjej afshin tand

e në të digjemi zjerm

gjersa zemra të më çmendet

në arom’ të gjoksit tand.

Lê’m që trupin të ta përkdhel’

të ta puthë në pafundsi

derisa zemra të të dridhet

në afsh të zjermit tem.

Që na djegë dalë nga dalë

pa e kuptue se ça ndodhi

të firohemi sikur zjarmë’.

Dt. 16. 03.2020.

Në buzë të puth

Lehtë do vij të t’puth në gjumë,

e ti as se si nuk do ta ndjesh’

vetëm në nadje kur të zgjohesh

do ndërmëndësh si në andërr

kush të puthi sot a dje.

Buza jote trëndafil lagun me vesë

buzën teme mbram’ e njomi

pa e ndje deri në t’aguem/agim.

0:49 ‘ 17. 3 . 2019

Mos flej e dashtun

Mos flej e dashtun,

por eja më perqafo mirakandshëm,

e zemrën ma ngrohë në këtë natë të acart’ dimni,

kur malet faqesh zbardhë janë nga bora,

e kur qilla nxi asht nga tërbimi.

Ngjan sikur ajo do më hedhë rrebeshe

furtunash mbi mue!

Pse mos vallë ndokush mendon se jo

edhe mbi jue,

lexues fat’keq të netëve të vona

të mbrujtuna ndër sterset

dhe ndështrashat e ditës,

që kjanë e firon –

harron vështirësitë e jetës tande

në vargjet e mia të vrazhda?!

Hiqi tej se m’nerin përthellë shpirtit ta shtin!

Hej e dashtu zgjohu!

mos fli të lutem!

Por eja ndër andrrat e mia, sëpaku,

e bân’ që prazmi jem

të ngihet në aromën tânde,

prej luleje prandvere.

Bân’ që buza t’më ngrohet

e zemra jeme ngri akull në prazëm,

hareshëm të qeshë,

pa mujtë me ja pâ fundin andrrës a zhgjandrrës.

E dashtun mos flej!

Rri çuet me mue

e ndër biseda të âmbla,

ta harrojmë acarin e ditës së shkume dâm,

që u bjerrë e iku ndër eshtnat tona të kopatuna.

Andrra vazhdon e fundi nuk i dihet,

edhe pse pritet dita me lind,

e bashkë me të gjumi me u shue.

6. 2.2020, ora 2 mesnatë.

Puthmë e dashtun puthmë

Puthmë e dashtun puthmë 

derin në afsh, gjerë në shkatrrim,

nëpër puthje të arratisemi 

nga ky ankth, nga ky rrënim.

Lê të ikim në eter

dhe me engjujt të këndojmë,

si fëmijë të lazdruar

cep e n’cep qillit t’vallzojmë.

Dt. 31. 1. 2020. Ora 23: 35

Sy prej deti

Në sytë e tu det i pacak,

lundroj si marinarë,

që ka humbë në det t’pafund,

e rrethe e çark sillet si i marr’.

Në gjoksin tând m’lê të pushoj,

aty të këndellem, të gjej pak qetësi,

të ik nga jeta plot ndështrasha

të gudulisem si fëmij.

Më lê të prehem âmbël but’,

që të udhëtoj nëpër eter

të ik’ nga zhurma, dhe pislleku …

 e të rilind edhe njëherë.

Dt. 26. 01. 2020, ora 8 :50

Nânë prej guri

Nânë, unë e di se ti mërzitesh

kurë pranë nuk më ke,

e di se ndeshtrashat e mia

jetën ta shterrin ndër eshtna.

Madje tinzisht përlotesh,

kur bijt’ e tu ndeshin në sadopak vështirësi,

e Zotit shpesh i lutesh

për shpritin e shpirtit tand,

tuj e çue zânin kushtrimëtar deri në fron të Hyjit.

Nânat ngjajnë me Amën e Hyjit,

sepse vuejnë, kjajnë,

çjerrën e vajtojnë

për Golgotën e bijve të tyne.

Për kryqzimet e tyne ndër kryqa shekujsh,

të venduemi mbi kondra nga diktatorët,

mâ sakt’ nga padrejtësia e qenieve të mjera njerëzore,

që të zvetnuem nga jeta

 kan’ harrue se janë bij,vllazën e prind të dikujt,

madje, harruen se lindën nga nji nânë,

përndryshe kurrë s’kishin me bâ padrejtësi.

Nânë ti mos kjaj, as mos loto tingzisht për mue,

mos flej, as mos u zgjo/ço me frikë,

se diçka e keqe dikun në një prit’

pabesisht (ka me) më ndodhë.

Ti je bij’ fisi të moçëm rrahë me voj e me uthull,

m’sue me dekje të rânda e me morte të m’dha,

rritë jetimë prej nji nâne burrnesh,

mâ me vlerë se shumë burra fisesh,

burrnue ndër kulla të moçme me kreni t’pashoqe.

Ti je nânë, nânë fisnike, nuk të trembin ândrrat e k’qija,

as zhurmat e pushkëve ndër luginat e bjeshk’ve të nalta.

E di, nânave zemrat iu kjâjnë,

kur bijt e tyne nuk ecin si duhet

në shtigjet e jetës,

por prap’ se prap’ burrneshat nuk përunjen,

e as s’mërziten,

sepse e njohin ngallnjimin e Nânës,

që lnuri faqet me gjakun e birit të vet,

të venduem mbi kryq, pa mujtë në ndihmë me i shkue.

Zemra vendit ju pat zhgule si shumë nânave,

që k’qyrin vdekjen e tmerrshme e t’padrejtë

të bijve të tyne ndër shekuj plot dredhi.

Nânat duhet ta dinë mallkimin paralajmrues

të bâm nân’ kryqin e randë

e ferrat e nguluna përthellë rrashtës:

“bija të Izraelit mos kjani e vajtoni mue por bijtë tuej”.

Nân’ ti mos u mërzit për birin tand

t’patakt, se gjanë e keqe gjâ s’e nget, –

patë thân’ plaku i moçëm në gurë të votrës.

1.2.2020. Ora 2:17 mesnatë.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Ndoj Mehilli, Poezi Dashurie

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2739
  • 2740
  • 2741
  • 2742
  • 2743
  • …
  • 2828
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj
  • Çfarë është një peizazh tingullor?
  • Populli dhe trojet shqiptare në gjeopolitikën e re euro-atlantike
  • Analizë strukturore e sovranitetit, krizës së konsolidimit shtetëror dhe implikimeve gjeopolitike
  • Arti popullor në kryeqytet si ajerngopja në malet e larta
  • “Pjesëmarrja në Bordin e Paqes, vlerësim dhe pëgjegjësi e shtuar për RSh”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT