• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lashtësi dhe shkallë e lartë zhvillimi e kulturës sonë popullore

September 12, 2021 by s p

Nga Anton Çefa

Si një popull i lashtë me veti e atribute intelektuale e ndjenjësore të pasura, ilirët krijuan një kulturë popullore materiale e shpirtërore të një niveli të lartë zhvillimi, çka nuk mund ta pohojmë për një kulturë të shkruar. Nivelet e larta të kulturës së hershme ilire përfaqësohen me kulturën e ashtuquajtur Hallstatt, një vend në hapësirat alpine të Austrisë. Antropologu i shquar amerikan C. S. Coon, ka shkruar “Ilirët qenë krijuesit e qytetnimit të hekurit në Euvropën Juglindore, në nji kohë kur emni i Romës dhe i Athinës nuk ishin ndie ende” 1). “Kultura e Hallstatt, shkruan ai, asht lidhë me degën iliriane të gjuhëve indoeuropiane. Kjo asht e para herë në histori që nji gjuhë mund të identifikohet me nji kulturë dhe me nji racë në zhvillimin e popujve indoeuropianë” 2). Materiale të ngjashme me ato të Hallstatt-it janë gjetur më vonë edhe në Glazinac të Bosnjës, në Prozor të Kroacisë dhe në vendin tonë:  në Koman, në Krujë, në Bukël (Mirditë), etj.

Në lëmije të kulturës shpirtërore ilire, trashëgojmë vepra arti me vlera të shquara artistike, sidomos, në fushën e arkitekturës dhe të skulpturës, në përgjithësi, të ndikuara nga arti helen e më vonë ai romak, por që kanë vulën e origjinalitetit ilir. Për t’u përmendur, ndër shumë të tjera, janë portat e portikët në qytete, varret monumentale të Selcës së Poshtme, amfiteatri i Durrësit, nimfeu dhe monumennti i Agonotetëve në Apoloni, koka skulpturore e hyjneshës së Butrintit, koka e ashtuquajtur e Demostenit, mozaikët e Arapajt, Apolonisë, Durrësit. 3).

Fatkeqësisht, nuk kemi asnjë dokument të shkruar në gjuhën ilire. Është e tepërt të themi që na mungon një letërsi e tyre e kultivuar, siç e kanë grekët e romakët, edhe pse barabitemi në moshë me ta e edhe ua kalojmë, edhe pse kemi qenë e jemi që në lashtësi komshinj të tyre. Nga shkrimi i tyre njohim toponime, antroponime, disa glosa të vjelura nga autorë grekë e latinë dhe nga rrasat e varreve dhe disa fjalë që janë interpretuar si huazime ilire në greqishtën e vjetër dhe në latinishten. Disa emra të epopeve të “Iliadës” dhe të “Odisesë”, si Akili, Laerti e ndonjë tjetër, dhe disa leksema që gjenden në këto dy epope janë shpjeguar me shqipen si një nënshtresë pellazgjike ose si fjalë që i përkasin dorianëve, fis ilir që invadoi Greqinë qysh në kohët parahistorike, në periudhën e invadimit të madh të popujve. Përpjekjet e filohelenëve t’i interpretojnë me greqishten, nuk kanë pasur sukses. 

Gjithsesi, rrënjët e kulturës sonë popullore lëndore e shpirtërore janë të ngulura thellë në kulturën ilire, sidomos në atë të antikitetit të vonë, kohë e ngjizjes së etnosit arbër. Duke folur për popullin tonë dhe lidhjen e tij gjenetike me ilirët, studiuesi i shquar kroat Sufflay ka thënë: “Baza etnike e këtij populli, në kohën e vjetër kje nji faktor i fortë i historis, i cili njihej me emnin Ilir. Pastaj u zhduk për synin e histori-shkruesit ndër pshtjellimet e gadishullit ballkan, por fshehtasi bashkëpunonte në lulëzimet gjuhësore e folklore të kombeve ballkanike. Ma në fund, kur u shndrrue në emnin Shqyptar (arbnuer), dha sheje të reja të fuqis së vet krijuese” 4). 

A jemi ne thjesht bij fisesh ilire barinjsh të pagdhendur që jetuan të rrasur ndër shpella e pyje të padepërtueshme dhe nuk kultivuan gjuhën e shkruar, apo pozicioni gjeografik i trojeve ilire dhe më vonë i atyre shqiptare solli me vete pushtimet e huaja romako-barbaro-bizantino-sllavo-turke, që i zhdukën shkrimet e tyre – këtë shkenca nuk e ka dëshmuar deri tani. Shtetet e organizuara ilire dhe qytetet e lulëzuara, niveli i lartë i kulturës popullore dëshmojnë një shkallë të lartë qytetërimi, që na bën të besojmë më së tepërmi në hipotezën e dytë. 

Lidhur me këtë çështje, Karl Patsch, në veprën e tij “Ilirët” na ka lënë një hamendësim që ka një kahje objektive, por që nuk mund të mohojë kategorikisht veprimtarinë e tyre në lëmin shkrimor: “Interesat shpirtërore të ilirëve, ka shkruar ai, nuk do të kenë qenë të mëdha, mbasi ata pjesën më të madhe të kohës ia kushtonin luftës dhe kohën e lirshme e përdornin ndër argëtime në të ngrënë e në të pirë” 5). Ndërsa Çabej, duke folur për shqiptarët, ka shkruar: “Përbri shpirtit të energjisë dhe karakterit rezolut qëndron mungesa e prirjes për mistikë. Sepse shpirti i popullit shqiptar është krejt realist dhe i kësaj bote” 6). Shënojmë që këtu leksemën mistikë e ka përdorur si prirje ndaj vlerave shpirtërore, siç e përdorin në ndonjë rast të huajt; pra është po ajo që shpreh Patsch për ilirët. Për ta sqaruar më tej këtë çështje, ai ka shkruar: “Në përshtatje me këtë drejtim shpirtëror veprimtaria historike e shqiptarit u ka zhvilluar kryesisht në lëmë administrative dhe militare”. Në një rast tjetër, duke folur për romantizmin në letërsinë e vendeve të Europës Lindore dhe Juglindore, ai ka shkruar: “Mungesa e shpirtit spekulativ, e cila i karakterizon këto kombe të mbetura prapa në shumë pikëpamje, pati për rrjedhim që problemet e jetës dhe të shpirtit nuk u bënë këtu aq shqetësuese si gjetiu në Europë” 7).

E vërtetë është që ne nuk kemi “Iliada”, “Odise”, “Eneida”, etj., po kjo nuk do të thotë që tek ilirët, arbërit dhe shqiptarët e mëvonshëm ka munguar veprimtaria shpirtërore. Impulset e kësaj natyre ata i kanë sendërgjuar në fushën e kulturës popullore, ku ne përfaqësohemi denjësisht. Elemente rëndësore të etnokulturës sonë të lashtë janë studiuar dhe çmuar nga të huajt dhe janë bërë pjesë e thesareve të kulturës botërore. “Vlefta e një populli nuk matet me gjerësinë e tokës e me numrin e frymëve. Kombi ynë, i mbledhur nga një varg kontingjencash të kohëve, në një truall të ngushtë, ka mbetur i vogël, po të mëdha kanë qenë cilësitë e talentet e racës gjatë periudhave historike të vjetra e të reja” 8), ka shkruar eruditi ynë Hasan Dosti. Dihet që çdo popull, i madh a i vogël, gjatë historisë ka jetësuar kërkesat e veta shpirtërore origjinale, që e dallojnë nga popujt e tjerë.

Janë të një rëndësie të dorës së parë elementet përbërëse të kulturës shpirtërore, që krijoi populli ynë që në shekujt e hershëm të brumosjes së vet etnike. Në mjegullnajat e kohëve nuk kanë humbur rrënjët e krijimit të një etike të fisme humane që e dallon popullin tonë nga popujt e tjerë të afërt dhe të largët, dhe që u ruajt gjatë shekujsh nga breznia në brezni nga të parët tanë, dhe shërbeu për t’u dhënë frymën rregullimit shoqëror të jetës, zakoneve, etj. Tipare të tilla shpirtërore si nderi, burrëria, besa, mikpritja, dhe përbërës të tjerë të siluetës shpirtërore të popullit tonë janë emblematike në historinë shpirtërore të popujve. Ato kanë tërhequr gjithnjë vëmendjen e të huajve që janë njohur me popullin tonë.

Këtë botë të pasur shpirtërore, që përbën tharmin e shpirtit shqiptar, populli ynë e krijoi si një kanunësi të jetës, e zbatoi me një përkushtim të lartë dhe e ruajti si thesar për t’ua lënë trashëgim breznive, trashëgim që ka ardhur deri në ditët tona.

Na është dëshmuar kjo kanunësi nëpërmjet të së drejtës zakonore, në të cilën virtytet tona janë dhënë në mënyrë sinkretike me kodin juridik. Elementet e kësaj kanunësie etike, populli ynë i veshi me rrobe juridike, duke i bërë gjeneratorin organizativ themelor të jetës. Siç dihet, fiset ilire qeveriseshin në bazë të disa rregullave ligjore tradicionale dhe janë treguar konservatorë në ruajtjen e tyre. Zavalani ka shkruar: “Elementi i qindrueshem i shoqnis së atëhershme ishte fisi, i cili vetqeverisej në bazë të disa rregullave ligjore tradicionale që kanë gjetë ma vonë shprehjen e tyne në Kanunin e Lekë Dukagjinit” 9). Edhe mbas pushtimit romak, ilirët e ruajtën vetëqeverisjen e tyre mbi bazën e së drejtës zakonore, siç na e pohon E. Koliqi në studimin e vet: “E Drejta e Kanunit Shqyptar dhe E Drejta Romake”10). Dhe kështu, kjo “ligjë gojdhânore, e vetmja qi u ruejt gjer sot n’Europë”, siç shprehet ai, ka ardhur deri në ditët tona.

Shqiptarët e ruajtën dhe e pasuruan të drejtën zakonore, trashëguar prej të parëve tanë dhe e ripërtrinë në mesjetë nën emrin e princit Lekë Dukagjini, aq bukur përmbledhur nga Gjeçovi, të Prijësit dhe Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skendërbeu, mbledhur e kodifikuar nga Dom Frano Illia, dhe nën emrin e “Papa Zhulit”, që më vonë, në gjysmën e parë të shek. XIX, u aktualizua dhe u njoh si “Shartet e Idriz Sulit”, të cilat u kodifikuan tash së voni, nën emmrin “ Kanuni i  Labërisë” nga Ismet Elezi. 

Kanunësia zakonore është një dëshmi e pakundërshtueshme e një rangu të lartë qytetërimi të një populli. “Nevoja e një ligji zakonor apo të shkruem, ka shkruar Ardian Ndreca, dallon popujt e qytetnuem prej atyne barbarë, mbasi popujt me ligje kanë ma tepër mundësi me mbijetue dhe me u imponue në rrjedhën e shekujve” 11). 

Është për t’u shënuar se në dallim me kanunet e lashta e mesjetare të popujve të tjerë, si p. sh. me Kodin e Hamurabit a me Kodin e Stefan Dushanit, e drejta jonë zakonore dallon për një frymë të lartë fisnikërie, çka tregon jo vetëm një shpirt human, po edhe një shkallë të lartë qytetërimi.

Studiuesi dhe përkthyesi në anglisht i Kanunit, shkencëtari i nderuar Leonard Fox, ka shkruar: “Kanuni është shprehja dhe pasqyrimi i karakterit shqiptar, i cili mishëron një moralitet të pakompromis, të bazuar tek drejtësia, nderi dhe respekti për vetveten dhe për të tjerët”12).

Vlera të padiskutueshme të një kulture të lashtë, populli ynë ka jetësuar në folklorin tonë, në këngët, vallet, përrallat, fjalët e urta, gjëzat, lojërat, etj. Në të gjitha fushat e saj, krijimtaria e popullit tonë përbën një fond qytetërimi të hershëm, me vlera të larta artistike, dëshmi e një imagjinate të freskët e mbështetur në një përvojë jetësore të pasur dhe të pjekur, dhe të një shijeje estetike të hollë, të një vlerësimi tejet të lartë të së bukurës.

Shpirti artistik i popullit tonë i derdhur ndër vargje ka krijuar kryevepra letrare që zënë vende të merituara krahas krijimeve, në këto fusha, të popujve të tjerë. Mjafton të përmendim baladat e këngët legjendare, sidomos Eposin e Kreshnikëve, ku ndriçojnë si lapidar mbi ballin e kombit virtytësia e jetës shqiptare, dëshira për liri dhe vullneti për të mos iu nënshtruar të huajit. “Gjatë luftës për ekzistencë me tri nga perandoritë më të fuqishme të kohëve: romaken, bizantinen dhe otomanen, populli ynë krijoi, veç të tjerave, edhe një ‘perandori të katërt’, perandorinë e tij poetike, e cila nuk ka cenuar kurrë kërkend, përkundrazi ka qenë përherë, në tërësinë e saj, një mesazh miqësie për popujt e tjerë”, ka shkruar Ismail Kadare.13). Eposi ynë renditet krahas Edave e Sagave të popujve skandinavë, Nibelungen të gjermanëve, Këngës së Rolandit të francezëve dhe Cidit spanjol.

Me të njëjtën bukuri shkëlqimore rrezaton proza popullore, në mënyrë të veçantë përralla, një dëshmi tjetër po aq e fuqishme e vlerave morale e estetike dhe të një imagjinate tejet të pasur, që gjithashtu i siguron të drejtën popullit tonë për t’u rreshtuar me indianët, arabët e keltët, popujt që kanë krijuar përrallat më të vjetra të njerëzimit.

E gjithë kjo pasuri shpirtërore është skalitur në gjuhën tonë, e cila na lartëson dhe na bën të krenohemi për lashtësinë, vendin e veçantë që zë në prehrin e gjuhëve indoeuropiane, pasurinë, bukurinë, origjinalitetin dhe rezistencën e saj ndaj gjuhëve të pushtuesve.

Një dëshmi tjetër e gjallë e shpirtit shqiptar krijues artistik është etnomuzikologjia jonë me rrënjë në lashtësitë e antikitetit. “Dëshmitë e para të muzikës shqiptare i përkasin antikitetit. Ilirët e zhvilluan muzikën në të gjitha drejtimet që njohu muzika e kohës së tyre” 14). “Muzika dhe vallet popullore kanë një vazhdimësi të pandërprerë që nga kohët e lashta e deri më sot” 15). Një monument i një rëndësie të jashëzakonshme në fushën e etnomuzikologjisë sonë është iso-polifonia, që UNESCO e ka shpallur “Kryevepër e trashëgimisë popullore të njerëzimit” 16). Burimin e iso-polifonisë, studiuesi Vasil S. Tole e gjen tek “E qara me botë” 17). Të qarët në grupe është i njohur edhe në Shqipërinë e Veriut, ku quhet gjamë.  Një gjamë të tillë, të zhvilluar në ditët tona në Dukagjin,   e ka treguar At Zef Pllumi në “Rrno vetëm për me tregue-II”. Ai e ka cilësuar atë si “doken më të vjetër, pa dyshim parahistorike”18). Udhëtari anglez Th. Hughes ka shkruar në librin e tij “Travels in Sicily, Greece and Albania”, botuar në Londër, në vitin 1820, që në të njëjtën mënyrë si vajtonin me logori gratë gjirokastrite kishte qarë Uliksin Penelopa e tij. 19). “Lidhjet me kulturën muzikore polifonike të lashtësisë së vonë ilire janë dëshmi e origjinalitetit dhe të karakterit autokton të polifonisë popullore shqiptare”, ka shkruar muzikologu Beniamin Kruta. 20).

  Qytetërimi i lashtë dëshmohet kudo në kulturën tonë popullore. Janë të njohura vallet tona, një manifestim dhe përqendrim i bukurisë fizike dhe shpirtërore së bashku, i shkathtësisë dhe i krenarisë. “Vallet pirike, të cilat luheshin në lashtësi, interpretohen edhe sot e kësaj dite në Shqipëri. Çamçja në Jug dhe vallja e shqiponjave në Veri janë të njëjta me vallet pirrike të lashtësisë, që pasqyronin momente luftarake në beteja.” 21). Të magjepsur prej valles kombëtare të palikarëve shqiptarë dhe Çamçes, grekët i bënë ato të tyret. 

Një dëshmi tjetër po aq me vlerë e gjejmë te kostumet, fryt krijimtarie jo vetëm i dorës dhe i mendjes, por edhe i një shijeje aq të hollë estetike. Nga moria e pafund e kostumeve, po përmend këtu më të lashtat e më karakteristiket: xhubletën, që është prototipi i xhubletës ilire dhe që përdoret edhe sot në Malësi të Madhe dhe në Dukagjin, dhe fustanellën, të cilën Bajroni e pati quajtur “kostumin më të bukur në botë”; prandaj edhe e lakmuan grekët dhe e huajtën, duke e bërë kostumin e tyre kombëtar.

 Kultura jonë popullore ka aq shumë përbërës që dëshmojnë fisnikëri shpirtërore, sa është e vështirë të trajtohen në një artikull. Po bie këtu si shembull lojërat popullore, në dukje fare të papërfillshme. Ndërsa pushtuesit dhe fqinjët tonë romakë, që realizuan një kulturë të kultivuar të një niveli aq të lartë, dëfreheshin në arena gladiatorësh, duke parë njerëzit e kafshët të copëtonin njëri-tjetrin, populli ynë krijoi një ansambël të mahnitshëm lojërash, që mund të përcaktohen me një epitet fare të thjeshtë: njerëzore; por që dëshmon me një vërtetësi të padiskutueshme shpirtin artist e dinjitoz të popullit tonë, për të cilin egërsia është krejt e huaj.

Duke menduar këtë shkallë të lashtë e të lartë qytetërimi shqiptar me rrënjë ilire, vetvetiu të shkon mendja tek mungesa e kulturës së shkruar tek ilirët dhe letërsinë sonë artistike të dokumentuar aq vonë. Është e vështirë të pranosh që një popull me këtë potencë shpirtërore krijuese kaq të fuqishmme, një popull që krijoi një psikologji të veten autentike, një normë zakonore të rregullimit të jetës, një folklor aq të pasur, një epos original me vlera të padiskutueshme artistike,  një etnomuzikologji krejt të veçantë, etj., etj., të mos ketë lindur individualitete që të hedhin në letër veprimtarinë e tyre shpirtërore krijuese, atë veprimtari që do të kishte vendin  e vet të merituar në prehrin e kulturës së lavëruar botërore. A nuk patën edhe ilirët kërkesa të tilla shpirtërore si fqinjët e tyre grekë e romakë? Studiuesi Thoma Kacorri ka shkruar: “Megjithëse ilirishtja ka qenë gjuhë e shkruar, ende nuk kemi gjetur ndonjë tekst të saj. Kjo zbazëti duhet mbushur doemos.” 22).

Është jo vështirë, po e pamundur të besosh se ilirët nuk patën një kulturë të shkruar; më e mundshme është të pranosh se historia e gjatë e pushtimeve i bëri të paqena veprat e tyre. Edhe ne bijve të tyre nuk na qeshi fati. Është fakt historik i hidhur që në periudhën e errët 500-vjeçare të sundimit osman shqipja qe gjuhë e ndaluar, e helmuar, e masakruar. Vetëm më 1555 kemi veprën më të vjetër që ka arritur në duart tona në gjuhën tonë “Mesharin” e Gjon Buzukut, gjuha e të cilit dëshmon pa mëdyshje për një traditë shkrimi të përiudhës paraosmane, dhe vetëm më 1836 kemi veprën e parë të letërsisë sonë me vlera të mëdha artistike, e edhe këtë të shkruar dhe të botuar në vend të huaj. 

Referenca

1). C. S. Coon, “The Races of Europe”, p. 182, cituar sipas Tajar Zavalanit, “Histori e Shqipnis”, Botues “Phoenix & Shtëpia e Librit”, Tiranë, 1998, f. 18.

2). C. S. Coon, vepër e cituar, p. 182, cituar sipas T. Zavalanit, vepër e cituar, f. 18.

3). Akademia e Shkencave e RPSSH, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Shtypur në Kombinatin Poligrafik, Tiranë, 1985, Zëri “Shqipëria-Artet figurative dhe arkitektura”, f. 1055. 

4). Sufflay, “Serbët dhe Shqiptarët”, II, f. 33-34, Tiranë, 1926. Cituar sipas Atë Marin Sirdani, “Ndriçime të historisë, të kulturës dhe të artit shqiptar”. Zgjodhi dhe përgatiti për shtyp Anton Nikë Berisha, “Shpresa”, Prishtinë, 2002, f. 16.

5).“Ilirët” prej Hofrat Dr. Karl Patsch, përkthyem prej Karl Gurakuqit, Shtypshkroja “Nikaj”, Tiranë, 1922. 

6). Eqrem Çabej, “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”, Përgatiti për shtyp Brikena Çabej, MÇM, 1994, f. 27.

7). Eqrem Çabej, vepër e cituar, f. 78-79.

8). Hasan Dosti, “Gjashtëdhjet-vjetori i fletores ‘Dielli”, në “Seminari Ndërkombëtar i Federatës Panshqiptare “Vatra”, Përmbledhë nga Dr. Med. Hamdi H. Oruçi, f. 187. 

9). Tajar Zavalani, vepër e cituar, f. 21.

10). Ernest Koliqi, “E Drejta e Kanunit Shqiptar dhe E Drejta Romake”, sipas “albanovaonline.com”.

11). Ardian Ndreca, “Ndikimi i Kanunit në ruejtjen e identitetit shqiptar”, “Hylli i Dritës”, nr. 1 / 2007, f. 42.

12). “Kanuni i Lekë Dukagjinit – The Code of Lekë Dukagjini”, Gjonlekaj Publishing Company, N. Y. 1989, Leonard Fox, “Introduction”, p. xix.

13). Ismail Kadare, Vepra letrare 12, “Autobiografi e popullit në vargje”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1981, f. 58.

14). Akademia e Shkencave e RPSSH, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Zëri “Muzika”, f. 734, autorë Simon Gjoni dhe Zana Shuteriqi.

15). Thoma Kacori, “Shqiptarët janë pasardhësit e ilirëve”, “Revista Haemus”, nr. 18-20, v. 2003, f. 25.

16). Cituar sipas Prof. Dr. Agron F. Fico, “Isopolifonia shqiptare, kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit”, “Illyria”, nr. 1723, dt. 19-21 shkurt, 2008.

17). Vasil S. Tole “Pse qanë kuajt e Akilit”, cituar sipas Prof. Dr. Agron Fico “Burimi i iso-polifonisë shqiptare dhe poemat e Homerit”, “Illyria, nr. 2075, 12-15 gusht, 2011.

18). At Zef Pllumi, “Rrno vetëm për me tregue-II”, Botues “Hylli i Dritës”, 1997, f. 136- 140. 

19). Shpëtim Mema, “Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e udhëtarëve anglezë”, Shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1988, f. 129.

20). Akademia e Shkencave e RPSSH, “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Zëri “Polifonia popullore”, f. 856, autor Beniamin Kruta.

21). Thoma Kacori, shkrim i cituar, f. 21.

22), Idem, ibidem, f. 26.

Filed Under: Kulture Tagged With: Anton Cefa, Kultura Popullore

SHPËTIMI I SHQIPËRISE PO AFRON  

September 12, 2021 by s p

Thanas L. Gjika*

*Ky shkrim është një qëndrim personal i autorit dhe nuk përfaqëson mendimin dhe qëndrimin e Vatrës.

Sivjet më 21 qershor gjatë kthimit me autobuz me grupin e Rotarianëve korçarë nga Shkodra në Korçë u hap biseda lidhur me zgjedhjet e 25 prillit. U shpreha mendimin se politika amerikane kishte zgjedhur si të keqen më të vogël, të përkrahte në ato zgjedhje Partinë Socialiste. Kur në pushtet të jetë PS-ja, Amerika do të ndihmojë rigjenerimin e Partisë Demokratike. Pas rigjenerimit të PD-së SHBA-të do t’i futen punës për sjelljen e kësaj partie në pushtet për të goditur PS-ë. Më kundërshtuan duke më thënë se klasa politike shqiptare është një e vetme e lidhur pavarësisht nga ndarja në partira politike dhe nuk mund të luftohet, gjë që nuk lejon rigjenerim politik.

Mirëpo SHBA-të e gjetën rrugën e shpëtimit me anën e shpalljes së Sali Berishës “Non grata” prej Departamentit te Shtetit. Ky vendim e detyroi Lulzim Bashën të mbajë qëndrim dhe të kërkojë largimin e Sali Berishës nga PD dhe nga grupi i saj parlamentar. Ky vendim i detyron anëtarët e PD të pozicionahen nëse do të mbrojnë interesin personal të Sali Berishës dhe të jenë antiamerikanë, apo do të mbrojnë interesin e tyre dhe të Shqipërisë dhe të jenë proamerikanë. Kuptohet se shumica e anëtarëve të PD-së nuk mund të bashkohen me S. Berishën.

Lulzim Basha pas këtij vendimi do të bëhet udhëheqësi real i PD-së dhe kjo do ta forcojë atë politikisht dhe do ta kthejë PD-në në një forcë politike të vërtetë poramerikane. Kjo do të shpjerë në forcimin e PD-së dhe së shpejti do të sjellë nevojën për zgjedhje të reja, të cilat do t’i fitojë Partia Demokratike e rigjeneruar dhe e forcuar si forca e vetme poramerikane në Shqipëri. Kjo parti pas ardhjes në pushtet do të vijojë goditjen e korrupsionit dhe do të kryejë përfundimisht Reformën në Drejtësi, pra shpëtimin e Shqipërisë.

Filed Under: Komente Tagged With: shqiperia, Thanas L Gjika, zgjedhjet ne Shqiperi

Rëndësia e fjalorit Etimologjik të Gjuhës Shqipe të Prof. Dr. Kolec Topallit

September 12, 2021 by s p

Nga Mehmet Elezi

Në vitin 2018 nëpër libraritë e Tiranës doli Fjalor Etimologjik i Gjuhës Shqipe. Vepër e Akademisë? Jo, vepër e një akademiku të vetëm. Autor ishte prof. dr. Kolec Topalli. 

Ani pse një prej gjuhëve më të vjetra të Europës dhe mbase të botës, gjuhës shqipe i mungonte një fjalor etimologjik.  Fjalori i Majerit ishte i vjetëruar dhe  i paplotë qysh kur doli, për shkaqe që dihen. Çabej, me Studimet Etimologjike në Fushë të Shqipes, hapi themelet.  Zbrazëtia e krijuar prej ikjes së tij të parakohshme nuk u mbush me asgjë.  Përpjekjet e ndonjë autori të huaj nuk përbënë dot lajm në albanologji. 

Të mos flasim me eufemizma. Kolec Topalli përbën fenomen në gjuhësinë shqiptare të 30 vjetëve të fundit. Sikur vetëm Fjalorin Etimologjik të Gjuhës Shqipe të kishte nxjerrë prej duarve të veta, do të kish qenë e mjaftueshme. 

Por ky Fjalor nuk është vepra e vetme e Topallit. Fjalori është maja e një piramide, që autori  ndërtoi me punimet e tij. Janë 18 vepra me peshë në fushën e gjuhësisë historike. Ndër to edhe Gramatika Historike e Gjuhës Shqipe (2011), punë e vëllimshme, me vështrime të reja. 

Fjalori Etimologjik mund të vlerësohet si kurora në krye të kësaj piramide. 

Nuk më takon me hy në vlerësime të natyrës gjuhësore për të, për më tepër vepra sapo kishte dalë. Vepra me gati dy mijë faqe është punë shkencore e mirëfilltë. e miratuar për botim nga Këshilli Shkencor i Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë të Qendrës së Studimeve Albanologjike. Është mbështetur me recensionet shkencore të profesorëve më të njohur të fushës.

Etimologjia, dhe në përgjithësi çështjet e historisë së gjuhës, janë hapësira të frikshme për dijetarin. Të mbushura me prita e pabesi. Lumë i nëndheshëm, nëpër të cilin duhet me notue, duke iu shmangur vorbullave e puseve pa fund. Nëpër terr, nëpër terr. Me ndonjë xixë të rrallë, të shkrepur aty-këtu nga paraardhës dhe kolegë të shquar. Hulumtimi nëpër to lyp formim shkencor të thellë, të qëndrueshëm, në universitete të mëdha. Lyp zotërim të shumë gjuhëve. Të reja e sidomos të vjetra. 

Topalli pati studiuar këtu, në Shqipëri. S’ka pasur fatin me punue në krah të një Çabeji, që ishte akademi lëvizëse mbi dy këmbë të gjata. As fatin e thjeshtë me qenë student në Tiranë s’e ka pasur. U diplomua  me korrespondencë, pa shkëputje nga puna.

Si arriti në këto kushte me studiue gjuhë të vdekura e dukuri që vijnë nga honet e fshehta indoeuropiane? Gjërave u duhet vënë emri që u takon. Botimet e tij flasin për një kërkues shumë të talentuar. Për intuitë e guxim shkencor jo të zakonshëm. Për vullnet profesional, që thyen shumëçka. 

Ky Fjalor ishtë ngjarje. Që vinte nga bota e VIP-ave të njëmendtë. E talenteve të heshtur, të përkushtuar. Të pambështetur. Jo rrallë të nemur, të përjashtuar. Të liçitur.

Ekranet dhe shtypi shqiptar duhej të gjëmonin. 

Nuk ndodhi.

E gjeta profesorin në shtëpi të mbledhur, nën peshën e një mjekimi të vështirë të kohëve të fundit.  Guxova me e pyetë, duke i marrë leje paraprakisht. Po, tha. 

Çfarë po? 

Po, Fjalorin Etimologjik të Gjuhës Shqipe autori e kishte botuar me pensionin kursimet e veta, me tirazh modest. . Akademia e Shkencave i tha s’kemi fonde. Shteti nuk e mori përsipër. 

Pushtetarët bëjnë shpenzime të çmendura luksi, flitet e shkruhet përditë. Disamilionëshe vilat, Makina, udhëtime…  Politikanë që harrohen me gjethin e parë, veç në u mbajtshin mend për bëmat, luajnë me pare, shpërdorojnë pasuritë e shqiptarëve. Për Fjalorin Etimologjik të Gjuhës Shqipe shteti nuk u gjet një shumë e papërfillshme. Sa? Në fund të fundit sa duhet me botue një libër!

Mund të përfytyrohet me ndodhë kështu në një vend të qytetëruar? Në një shtet sadopak serioz, ku interesi kombëtar është përparësi?

Kombet kanë shumë gjëra të shenjta. Ne shqiptarët po ashtu. Absolutisht e shenjtë për ne është gjuha shqipe. Herë të lirë dhe më shpesh të robëruar, të shpërndarë e të copëtuar nëpër disa shtete e me disa fe, ajo që na ka mbajtur të bashkuar gjatë historisë së mundimshme ka qenë gjuha shqipe, vetëm ajo. Gjuha shqipe ishte dhe mbeti ADN-ja jonë. Gjaku shqiptar identifikohej nëpërmjet saj.  E vetmja që na bashkon prapë të tërë, ajo është. Kush do t’i zinte në gojë shqiptarët, në qoftë se sot do të ishim duke folur e duke shkruar në gjuhët e fqinjëve a të dikujt tjetër?

Fjalorët etimologjikë, siç shkruan autori në parathënie, “janë pasqyrë e historisë së gjuhës”. Dhe, në një kuptim më të gjerë, “janë pasqyrë e historisë së vetë popullit që e flet atë… Nëpërmjet këtyrë fjalorëve dëshmohet karakteri i veçantë i shqipes si një gjuhë indoeuropiane… e cila ka ndjekur një rrugë vetiake zhvillimi”.  

Fjalori Etimologjik i Gjuhës Shqipe është një shtyllë mbajtëse për Atë që na mban. Për ngrehinën mijavjeçare të Gjuhës Shqipe. 

Kur një pushtet shpërfill gjënë më të shenjtë të kombit, nuk jep as një thërrimëz për të, çka mund të pritet më pas? 

Filed Under: Kulture Tagged With: Kolec Topalli, Mehmet Elezi

The Philosophical Hour: Ju flet Arshi Pipa

September 12, 2021 by s p

 © Melsen Kafilaj

C:\Users\Admin\Desktop\Pipa-Blue.jpg

Në librin e tij “Tradhëtia e Intelektualëve” (1927) mendimtari francez Julien Benda duke folur “për kataklizmën e nocioneve morale të atyre që edukojnë botën” ngre gishtin e akuzës në drejtim të Intelektualëve, duke argumentuar se këta tradhtarë moral jo vetëm që e kanë braktisur kauzën e tyre por gjithashtu janë kompromentuar duke u përfshirë në lojën e ethshme të pasioneve politike dhe interesave materiale. Ky konstatim është mjaft aktual për pjesën dërrmuese të intelektualëve shqiptar të ditëve tona por ai nuk zë vënd në rastin e filosofit, kritikut  dhe intelektualit par excellence Arshi Pipa.

Arshi Pipa është modeli i intelektualit antikonformist shqiptar e me kartë të papërlyer morale i cili për asnjë çast nuk hoqi dorë prej vokacionit të vet, nuk e politizoi intelektin, nuk mori ndonjë anësi politike, nuk bëri kurrë kompromis me parimet dhe idetë e veta dhe mbi të gjitha e ruajti të shenjtë guximin për të qënë kritik dhe për ta thënë gjithmonë hapur të vërtetën. (Veritas) Nëse do të flisnim me gjuhën e Paul Tillich “Ai pati kurajon për të qënë Vetvetja, duke e ndarë mëndjen se përmes cilës rruge duhet të ecte.” 

Për Pipën, mendimi është atributi më themelor i qënies njerëzore (E mira ime absolute– do ta quante ai) i cili jo vetëm që e diferencon njeriun prej specieve të tjera por gjithashtu e ngre atë në një nivel më të lartë, duke i dhënë dinjitet dhe shtysë për progres.“Ndryshe nga të gjitha speciet e tjera që kanë tendencën për tu ruajtur, vetëm njeriu përpiqet që ta tejkaloj vetveten- shprehet Ai.Kjo i detyrohet pikërisht faktit se vetëm njeriu është i pajisur me mendimin”.Të mendoje brenda ferrit të burgjeve komuniste, vazhdon filosofi ynë i cili e pësoi vet një fat të tillë të hidhur në këto skëterra çnjerëzore ishte një akt lirie dhe gjithashtu një akt mbijetese. Kjo na kujton paksa neuropsikiatrin vjenez Viktor Frankl i cili teksa rrëfente vuajtjet e tij të tmerrshme në kampet naziste të përqëndrimit do të pohonte: “Ishte kultura e fituar e mëparëshme dhe të menduarit ato që pikërisht më mbajtën gjallë.”

Arshi Pipa kishte një marrdhënie autentike me lirinë.Në ditët tona po ndodh gjithmonë e më rrallë që të dëgjosh prej të ashtuquajturve “intelektualë” një frazë kaq domethënëse si ajo e tij:“Liria është fati ynë.Ne nuk mund të jemi indiferentë ndaj fatit tonë.”Aq më pak ti shohësh që e mishërojnë atë në jetën publike apo dhe atë private.Ndërsa Pipa ynë e mishëroi këtë vlerë të paçmueshme edhe në burg.Po ashtu si filosofi stoik, Epikteti ai pohonte me zë të lartë:“Kanë prangosur trupin tim por nuk kanë mundur të prangosin shpirtin tim.Dhe- gjë vërtetë e mrekullueshme- kur trupin tim e kanë bërë pothuajse një kufomë, atëherë mendimi ka fituar lirinë.” Të shkruarit përbën një akt lirie.Nuk duhet të na habisë fakti që traktati i parë i mirëfilltë filosofik shqiptar “Skicë e një konceptimi mbi jetën” (1955) është ngjizur pikërisht në zemër të Errësirës dhe ka dalë prej dyerve të privimit.

Kulturologu i madh George Steiner në librin e tij “Pas Babelit” (1975) i mëshon faktit se intelektuali duhet të jetë një hulumtues i paepur dhe një pohues konsekuent i së vërtetës.Pipa jo vetëm që e afirmon këtë fakt me jetën dhe veprën e vet por gjithashtu ai ofron një këshillë të vyer për gjithë atë “aradhë intelektualësh” pa shtyllë kurrizore, pa kurajë intelektuale dhe të nënshtruar prej klientelizmit politik të cilët heshtin kur pushteti shtyp dhe bën padrejtësi, mbyllin sytë kur korruptohet arsimi, drejtësia, shëndetësia etj dhe i bëjnë temena autokratit të radhës…“Guxim pra! Duhet shumë guxim për ta arritur të vërtetën.Duhet guxim për ta kërkuar të vërtetën, ashtu siç duhet guxim për ta thënë apo për ta mbrojtur të vërtetën.Dhe a nuk është maksimumi i guximit që të pranosh gabimin tënd?Një element guximi është i domosdoshëm për ta ndërtuar të vërtetën.Guximi kërkon besim tek vetvetja.Besimi është kusht i guximit ashtu sikurse guximi është kusht i fitores.”

Si një mendimtar liberal dhe një intelektual me kulturë të gjerë evropiane Arshi Pipa është kategorikisht kundër dogmave dhe monopolizimit të së vërtetës prej Njëshit, Partisë, individëve apo grupeve të caktuara të cilët rëndom në ditët tona e pretendojnë atë, duke e shpallur prej amvonave të larta dhe duke kërkuar që ta imponojnë në popull si të vërtetë finale.Ja sesi do të shprehej Pipa ynë me tonin e një ithtari Volterian: “E vërteta nuk mund të jetë ekskluzive, në kuptimin se ajo duhet të jetë vetëm e imja ose e jotja dhe e askujt tjetër.Kush mendon se vetëm ai është zotëruesi i së vërtetës ndërsa gjithë të tjerët që nuk mendojnë si ai gabohen, ai jep një provë intolerance.Mirëpo e vërteta është tolerante.Ajo asnjëherë nuk do ti kapërcej kufijtë e tolerancës për të kaluar në dogmatizëm.Dhe dogmatizmi është binjak me fanatizmin.Mendja që nuk arrin t’u njohë të tjerëve të drejtën e së vërtetës është e dënuar që të mos e prek kurrë të vërtetën e saj.”

Por filosofi ynë brilant Pipa ka edhe një “merak” tjetër për punonjësit tanë të administratës publike, të cilët instrumentalizohen, binden verbërisht dhe bëjnë “çka do Shefi”, pavarsisht se aktet e tyre mund të jenë në kundërshtim me interesin publik dhe të mirën e përbashkët.Për këtë qëllim ai kujdeset që ti udhëzojë ata përmes etikës deontologjike (të detyrës): “Nuk duhet të mendohet se njeriu duhet t’i bindet me servilizëm, me pëlqim të verbër këtij individi apo atij institucioni; ai do të zbriste kështu në pasivitetin kafshëror.Jo, njeriut i është dhënë arsyeja për të mos e pranuar në mënyrë pasive rregullin e gjërave, i është dhënë arsyeja që të mendojë, të kritikojë dhe po të jetë e nevojshme të korrigjojë, deri edhe të mohojë, në rastin më të skajshëm.”

Ndryshe nga “kolegët” e tjerë intelektualë të cilët e kanë braktisur kauzën dhe e kanë humbur besimin tek fuqia e Edukimit, Arshi Pipa e mban ende lart pishtarin e tij iluminist dhe kërkon që ta çoj shoqërinë drejt përparimit moral dhe progresit human.Ai beson se njeriu në thelb është i mirë dhe se “madje edhe tek njeriu më i degjeneruar ekziston një shkëndijë virtyti”. Ja sesi do të shprehej ai tek “Skica” (1955) :“Çdo njeri është i aftë që të jetë i virtytshëm, dikush për hir të një prirjeje të natyrshme, dikush tjetër për hir të edukimit.Të parin duhet të udhëheqësh, të dytin duhet ta riformosh ose ta ndryshosh.Unë i besoj edukimit, madje e theksoj, duke e bërë edukimin, në kuptimin e gjerë të fjalës, jo vetëm momentin metodologjik të moralit , po vet moralin në veprim, në të dy polet e tij, individual dhe masiv, si pedagogji dhe politikë.Dhe nuk më shkurajon fakti se ligësia është aq e madhe në botë, saqë edukimi nuk merr shumë pah.Ne edukojmë kafshët, i bëjmë shtëpiake, i zbusim dhe i bëjmë më inteligjente; a nuk do të mund të edukonim veten tonë?Vetëm kush e vlerëson vetveten më poshtë se një kafshë, mund të mos ketë besim tek edukimi.Dhe pikërisht për arsyen se unë e kam këtë besim, mund ta respektoj dhe ta dua njeriun kështu siç është ai sot; sepse në fakt,unë dua dhe respektoj tek ai jo atë që është sot, por për atë që do të jetë nesër:më të mirën e tij,kuintesencën e tij njerëzore;unë dua dhe respektoj tek ai njerëzoren, dmth idealin tek i cili njeriu mund të arrijë dhe do të arrijë.”

Pipa, filosofi që nuk e njohim ende ofron edhe një gjerdan mendimesh të tjera të çmuara mbi kohën, hapësirën, shkencën, religjionin, poezinë, etj madje edhe një ide të tillë “futuriste” e vizionare, shpalosur 2 vjet përpara nënshkrimit të Traktatit të Romës (gur-themeli i BE) në Burgun e Burrelit: “Kombi, ky prodhim tipik i kulturës moderne vazhdon të jetë i gjallë, por jeta e tij është e pasigurtë.Fuqitë botërore të sotme e kanë tejkaluar qyshkur.Drejtimi i lëvizjes evolutive është drejt supershtetit, shtetit botëror.”Një ide që nëse i zëmë besë futurologut francez Jacques Attali ka gjasa që të nis aty nga viti 2030.

Por në fund, siç i pëlqente të shprehej dhe mendimtari ynë liberal: “E vërteta është personale” dhe gjithësecili është i lirë ta pranojë apo refuzojë këtë mendim.Tek e fundit, njeriu është masa e universit.Ju keni masën tuaj dhe unë masën time.

                                                                                                                              © Melsen Kafilaj

Filed Under: Featured Tagged With: Arshi Pipa, Melsen Kafilaj

NJË MUAJ PA RAMUSH TAHIRIN INTELEKTUALIN LARGPAMËS

September 12, 2021 by s p

Vdes politologu Ramush Tahiri

Shkruan: NUHI BYTYÇI

U bë një muaj kur u nda nga jeta politikologu, gazetari, publicisti dhe analisti politik Ramush Tahiri. Ai padyshim ishte njëri prej gazetarëve, publicistëve dhe politikologëve më të spikatur, jo vetëm në Kosovë, por edhe në mbarë hapësirën etnike shqiptare. I diplomuar në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të Zagrebit, Ramushi u dallua nga kolegët e tij në gazetën e atëhershme “Rilindja” me shkrimet e tij analitike politike. Që nga ajo kohë kam pasë rastin që ta takohem dhe bisedoj me Ramush Tahirin, kurse me angazhimin e tij dhe timin në alternativën e atëhershme politike shqiptare në fillim të viteve 90-ta, më konkretisht në Kryesinë e Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës kemi pasur rastin që të bashkëpunojmë dhe të kontribuojmë në emancipimin politik të shqiptarëve të Kosovës dhe në krijimin e forontit unik kundër regjimit okupues serb. Gjatë angazhimit të tij në pozicionin e nënkryetarit të PSHDK-së, Ramish Tahiri shquhej për zgjuarsinë, nivelin e lartë politik dhe intelektual, i cili proceset e atëhershme shoqërore e politike i shihte me largpamësi, me një vizionaritet shumë të qartë dhe ishte i përkushtuar e i vendosur për një të ardhme më të ndritshme të popullit shqiptar, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë në rajon. Ai besonte dhe punonte për të realizuar synimin e popullit të Kosovës në rrugëtimin e tij drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Duke e përfaqësuar PSHDK-në në Këshillin Koordinues të Partive Politike Shqiptare të Kosovës dhe në ish-Jugosllavi, Ramushi dha kontribut të jashtëzakonshëm për krijimin e frontit unik politik dhe ekzekutiv të shqiptarëve kundër regjimit okupues serb. Me zgjedhjen e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës në ekzil, në krye me Bujar Bukoshin, Ramush Tahiri pranon detyrën mjaft me përgjegjësi dhe plot sfida, atë të Nënkryetarit të Qeverisë dhe njëherësh të Ministrit të Mbrojtjes së Kosovës. Edhe me këtë rast, Tahiri u shqua si njeri pragmatist dhe unifikues, duke bërë përpjekje për koordinimin e të gjitha aktiviteteve dhe veprimeve të Qeverisë dhe të Parlamentit të Kosovës në ekzil. Pas formimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe fillimit të përgatitjeve për luftë frontale në Kosovë kundër policisë dhe ushtrisë serbe, Ramush Tahiri bashkëpunoi ngushtë me Fehmi Lladrovcin dhe drejtues të tjerë të UÇK-së, duke kontribuar në mbështetjen e parezervë të luftës së UÇK-së nga oficerët e atëhershëm shqiptarë në Kroaci, Slloveni dhe vendet  evropiane dhe angazhimin e tyre në frontet e luftës në Kosovë. Më kujtohet kur në vitin 1996 e 1997 shkoja në Tiranë të montoja disa telereportazhe dhe dokumentare nga Kosova dhe diaspora jonë për TV Shqiptar, Ramush Tahirin e kam takuar dhe kam biseduar me të deri sa ai punonte në reaksinë e gazetës “Rilindja” që botohej në kryeqytetin shqiptar. Ramushi e vlerësonte të domosdoshme ndërrimin e strategjisë politike paqesore në Kosovë, duke e parë rezistencën e armatosur si rrugëdalje të vetme për lirinë e Kosovës.   Atë e kam takuar disa herë bashkë me gazetarin e ri, Ali Ukën, i cili shkruante artikuj interesantë, sidomos për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.                                    Ndërkaq, pas përfundimit të luftës dhe çlirimit të Kosovës, Ramush Tahiri dha kontribut të posaçëm në ndërtimin e institucioneve të para të Kosovës së re.              Ai ishte këshilltar politik i Kryetarit të parë të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Dacit, këshilltar i Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, si pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i proceseve dhe analist i dëshmuar i çështjeve politike në shtetin e ri demokratik të Kosovës. Ramushi, si politikolog dhe intelektual i nivelit evro-perëndimor, shumë i mprehtë, i qetë dhe përherë që gjente zgjidhje të qëndrueshme për të gjitha problemet shoqërore. Po e veçoj me këtë rast edhe bashkëpunimin me kolegun dhe mikun tim Ramush Tahiri me rastin e realizimit të filmit dokumentar kushtuar heronjve të Kosovës Fehmi Lladrovci dhe Xhevë Krasniqi-Lladrovci. Ramushi në mënyrë të argumentuar e me mburrje fliste për figurën humane e atdhetare të Fehmiut dhe të Xhevës, duke më dhënë edhe disa fotografi nga koha e studimeve në Zagreb, vizita në Shqipëri dhe gjatë luftës në Kroaci. Kështu ai e begatoi dokumenztarin tim për 2 heronjtë e lirisë së Kosovës.                                                                                                         E takoja shpesh dhe këmbenim mendime për proceset e vështira të shtetndërtimit në Kosovën e re, atëherë kur bashkëpunonte në vazhdimësi me Radiotelevizionin e Kosovës, ku si analist politik paraqiste pikëpamjet e tij për proceset konkrete politike. Ishte i vetëdijshëm për gabimet e klasës politike të pasluftës, i kritikonte bartësit e gabimeve që e ngadalësonin procesin e ndërtimit të një shteti të mirëfillët demokratik, por gjithnjë me maturi dhe me çasje konstruktive për domosdonë e eliminimit të tyre dhe ndërtimin e një shteti më të qëndrueshëm dhe me perspektivë për të ardhmen e brezave të rinj. Ramush Tahirin do ta kujtojmë përherë si njeri të mirë, koleg me vyrtyte të larta humane, profesionale, parasëgjithash me vizione frymëzuese kombëtare.

Filed Under: Kronike Tagged With: Nuhi Bytyci, perkujtim, Ramush Tahiri

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2745
  • 2746
  • 2747
  • 2748
  • 2749
  • …
  • 2826
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Çfarë është një peizazh tingullor?
  • Populli dhe trojet shqiptare në gjeopolitikën e re euro-atlantike
  • Analizë strukturore e sovranitetit, krizës së konsolidimit shtetëror dhe implikimeve gjeopolitike
  • Arti popullor në kryeqytet si ajerngopja në malet e larta
  • “Pjesëmarrja në Bordin e Paqes, vlerësim dhe pëgjegjësi e shtuar për RSh”
  • 106 VITE NGA KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES-THEMELI I PARLAMENTARIZMIT DHE VETËQEVERISJES SË PLOTË TË SHTETIT SHQIPTAR
  • Grenlanda “Molla” e Shekullit 21
  • Ne nuk harrojmë!
  • NË 20 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI, NDERIM DHE MIRËNJOHJE PRESIDENTIT HISTORIK TË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA
  • Pjesëmarrja dhe rezultatet e nxënësve nga Kosova në Neo Science Olympiad 2026 – Orlando, SHBA
  • IKJA E KORIFEUT APO BORXHI NDAJ NJI FJALE PER ISMET UKE BERISHEN
  • Dr. Ibrahim Rugova, emri që nuk shuhet
  • ROMANI “NISHANI”, NJË HISTORI TRONDITËSE
  • “Amerika nën akull: Vorteksi Polar shkakton kaos 100 makina palë në Michigan”
  • Diaspora shqiptare e Kosovës – Gjuha si vijë mbrojtjeje

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT