• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ITSHKSH bën bashkë në Letnicë poetët me krijimet e tyre kushtuar Nënës Tereze

August 29, 2022 by s p

Drejtori  ITHKH, prof.dr. Skender Asani, tha se kjo orë letrare po mbahet jo ratësisht në Letnicë, sepse pikërisht këtu Nëna Tereze e ka marrë dritën nga Zoti dhe bekimin për të qenë në shërbim të miqësisë dhe dashurisë botërore, duke e shndërruar Gonxhen shqiptare nga Shkupi në Nënën Tereze të botës.

Letnicë, 28 gusht – Karvani i Manifestimit kulturor-shkencor “Drita e Gonxhës” sot vazhdoi marshutën në Letnicë të Vitisë, me organizimin e orës letrare, në të cilën u lexuan krijime letrare kushtuar Nën Terezës. Ora letrare u mbajt në Kishën e Letnicës, me ç’rast ITHKSH faleminderon famullitarin e kësaj kishe, Don Marjan Demën, i cili ofroi mikëpritje dhe kushte që kjo orë letrare të mbahet në një atmosferë sa më dinjitoze.

Drejtori  i ITSHKSH, prof.dr. Skender Asani, tha se kjo orë letrare po mbahet jo rastësisht në Letnicë, sepse pikërisht këtu Nëna Tereze e ka marrë dritën nga Zoti dhe bekimin për të qenë në shërbim të miqësisë dhe dashurisë botërore, duke e shndërruar Gonxhen shqiptare nga Shkupi në Nënën Tereze të botës.

Ora letrare u bë në bashkëpunim me Ars klubin letrar “Beqir Musliu” nga Gjilani dhe Shoqata e shkrimtarëve “Ramadan Musliu” nga Vitia.

I pranishëm në këtë manifestim ishte edhe Don Lush Gjergj, i cili tha se ideja për të organizuar këtë orë letrare pikërisht në Letnicë ndërlidhet me thirrjen që Nëna Tereze kishte marrë më 14 gusht 1928  për të qenë misionare e paqës dhe dashurisë.

Poetët që lexuan në këtë orë letrare erdhën nga disa rajone dhe përfaqësues të disa brezave, duke filluar nga Ibrahim Kadriu, Anton Nikë Berisha, Prend Buzhala e deri te Sabit Rrustemi, Sadete Tërnava, Gani Bytyçi, Nexhat Rexha, Ahmet Selmani, Alisa Bekteshi, Sarë Gjergji dhe Marigona Muja.

Udhëheqësi i kësaj ore letrare, Emin Azemi, në cilësinë e kryeredaktorit të revitës “Drita e Gonxhës” , duke u ndërlidhur me misionin e shenjtë të Nënës Tereze tha se përderisa astronautët për të shkuar në hapësirë iu nevoitet një stacion astronomik, Nën Tereza Letnicën e pati stacion prej ku u nisë në misionin e saj të shenjtë.
“Itaka që u përdor si metaforë poetike, për të gjithë ata që duan të kthehen aty ku kanë lindur, që nga Homeri e deri në ditët e sotme, në mendësinë e Nënën Tereze, kishte pësuar një përmbysje, sepse ajo jetën e saj nuk e përfundoi në vendlindjen e saj por në Kalkutë, ku edhe u bë pjesë e dhembjes dhe vetmisë, duke hequr dorë vullnetarisht nga kënaqësitë që sjell jeta në këmbim të shërbimit ndaj të tjerëve, ndaj të sëmurve dhe  ndaj të vetmuarve”, tha Emin Azemi. 

Ai në fund elaboroi edhe kuptimin e një toposi poetik, siç është El Dorado.
“Të gjithë e synojnë El Doradon, vendin e premtuar, për të realizuar ëndrrat e jetës, por vetëm N.Tereza u bë vet El Dorado për të tjerët, sepse vetëm ashtu ajo do të përmbushte qëllimin dhe vendimin që kishte marrë në Letnicë në natën e 15 gushtit të vitit 1928, për të të shkuar në mision për t’i përkushtuar tërësisht Zotit dhe shpëtimit të shpirtrave”, nënizoi Azemi.
ITSHKSH faleminderon Drejtorinë e Kulturës në Komunën e Vitisë, sidomos drejtorin Valmir Sahitin, për mbështetjen institucionale të kësaj ore letrare.  

Filed Under: Reportazh Tagged With: Emin Azemi

2 gusht 1943, Marrëveshja e Mukjes, shans i bashkimit, peng i tradhëtisë

August 2, 2022 by s p

Emin Azemi/

Ky është edhe titulli i një libri, por që në vetvete shpjegon shumëçka dhe nuk lë shumë hapësirë për interpretime të shumanshme.

Marrëveshja e Mukjes u nënshkrua më 2 gusht 1943 në fshatin shqiptar të Mukjes midis Ballit Kombëtar dhe Partisë Komuniste të Shqipërisë për të bashkërenduar rezistencën shqiptare në Luftën e Dytë Botërore.
Një mosmarrëveshje u ngrit në lidhje me statusin e Kosovës. Ndërsa Balli Kombëtar propozoi për të luftuar për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, përfaqësuesit komunistë kundërshtuan ashpër. Më në fund u arrit një kompromis, ku çështja e Kosovës të vendosej në një referendum të popullit të saj në fund të luftës.

Marrëveshja u konsiderua kundërrevolucionare nga Partia Komuniste e Jugosllavisë, i deleguari i të cilëve pranë Partisë Komuniste të Shqipërisë Svetozar Vukmanoviç-Tempo ushtronte ndikim të konsiderueshëm mbi komunistët shqiptare e veçanërisht mbi drejtuesin e tyre, Enver Hoxha. Si pasojë, kjo marrëveshje u dënua zyrtarisht nga Enver Hoxha në një takim të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë.

Pjesëmarrësit:

Hasan Dosti, Mit’hat Frashëri, Thoma Orollogaj, Skënder Muço, Hysni Lepenica, Isuf Luzaj, Kadri Cakrani, major Raif Fratari, Nexhat Peshkëpija, Halil Mëniku, Ismail Petrela, Vasil Andoni, N.Kolonel Jahja Çaçi, Myslim Peza, Abaz Kupi, Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Omer Nishani, Sulo Bogdo, Shefqet Beja, Medar Shtylla, Stefan, Haki Stërmilli, G. Nushi

Filed Under: ESSE Tagged With: Emin Azemi

A mundet Rama ta ndihmojë Kosovën duke qenë jokritik ndaj Vuçiqit?

June 22, 2022 by s p

Rruga nëpër të cilët lëviz narrativi i Ramës mbi Kosovën, ka pësuar kalbje të brendshme në mënyrën se si ai i qaset Vuçiçit, duke ia dhënë luksin atij të sillet si të dojë nëpër forume ndërkombëtare ku është i pranishëm edhe kryeministri shqiptar. Jo njëherë ka ndodhur që në prani të Ramës është mohuar Kosova si shtet nga ana e krerëve serbë dhe mosreagimi do të quhej taktikë diplomatike, por kur mohohet edhe gjenocidi i kryer në Kosovë atëherë kufiri në mes të diplomacisë dhe shkurtpamësisë zhduket fare

Shkruan Emin AZEMI

Rama në Prishtinë erdhi pas vizitës që ia bëri familjes së Hashim Thaçit. Këtë vizitë ai ka mundur ta bëjë edhe më herët, por vetëm Rama e di arsyen se pse pikërisht një ditë para mbledhjes së përbashkët të të dy qeverive atij i kujtohet të na tregojë se e “kishte marrë malli shumë për Hashimin”. Në anën tjetër ai u kujdes ta reahatoj Kurtin se ndaj tij nuk ka kurrfarë qëllimi komplotist për ta rrëzuar nga pushteti, siç kishin shkruar disa media në Prishtinë. Por, e kundërta e asaj çka deklaron Rama, është fryma e asaj që mbetet e pathënë zëshëm dhe sidomos mbetet hija e një lidhjeje të fuqishme me ish-pushtetarët e Kosovës, e cila herë herë eklipson marrëdhëniet aktuale me Albin Kurtin dhe  me Vjosa Osmanin.

Rama nuk është proserb, por mënyra si i qaset serbëve a bën atë më naiv se ç’është në të vërtetë. Ai ende nuk beson se “qasja jonë e ndryshme ndaj Serbisë dëmton qasjen apo qëllimin përfundimtar”. Sipas Ramës edhe atëherë kur Serbia mohon gjenocin e kryer në Kosovë dhe kur Vuçiqi angazhohet që Kosova përgjithmonë të mbetet në kaudër të juridiksionit serb, qëllimi përfundimtar mbetet i padëmtuar.
“Janë dy rrugë të ndryshme drejt të njëjtit qëllim, njohja e Kosovës nga Serbia dhe paqja e drejtë që i takon shqiptarëve të Kosovës, gjithë rajonit”, tha Rama para gazetarëve pas përfundimit të mbledhjes së përbashkët të të dy qeverive.
Rrugët nëpër të cilët lëviz narrativi i Ramës mbi Kosovën, ka pësuar kalbje të brendshme  në mënyrën se si ai i qaset Vuçiçit, duke ia dhënë luksin atij të sillet si të dojë nëpër forume ndërkombëtare ku është i pranishëm edhe kryeministri shqiptar. Jo njëherë ka ndodhur që në prani të Ramës është mohuar Kosova si shtet nga ana e krerëve serbë dhe mosreagimi do të quhej taktikë diplomatike, por kur mohohet edhe gjenocidi i kryer në Kosovë atëherë kufiri në mes të diplomacisë dhe shkurtpamësisë zhduket fare. Ende mbetet e paqartë arsyeja e këtij mirëkuptimi të mëndafsht të Ramës ndaj serbëve të këqinj, ndërkohë që Vuçiçi kalon shumë më keq me disa kritikues në Beograd se sa me Ramën, sidomos kur është në pyetje qasja ndaj Kosovës.

Tani nuk jemi në periudhën e luftës së ftohtë, atëherë kur Tirana zyrtare nuk mund të impononte fuqinë e saj diplomatike në forumet ndërkombëtare për të dënuar terrorin serb në Kosovë, përfshi diktaturën ushtarake të vendosur në Drenicë menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, pastaj shpërnguljen e kosovarëve në shkretëtirat e Anadollit në vitet 50/60 su dhe aksionin famëkeq të mbledhjes së armëve të viteve 50/60.
Por, tani jetojmë në një kohë tjetër, por Edi Rama si duket ende nuk e ka kuptuar se në marrëdhëniet shqiptaro-serbe, pesëdhjetë për qind e problematikave burimin e kanë në Kosovë. Kur Rama mundohet t’i mohojë këto problematika dhe ta paraqet si minor problemin e diferencave që ka me Kurtin sa i përket raporteve me Serbinë, duke e trajtuar këtë si çështje debatesh akademike, me këtë ai harron rolin që ka Tirana në menaxhimin e temave që kapërcejnë kufinjtë adminitsrativë-shtetëror.

Askush nga Prishtina nuk ka kërkuar nga Rama që të ndërprejë marrëdhëniet me Beogradin, por është e pafalshme për kryeministrin shqiptar që idetë e bashkëpunimit rajonal fillimisht t’i diskutoj në Beograd, e pastaj t’i çoj selame Prishtinës për pjesëmarrje në darkën e ftohur të Ballkanit të hapur. Pra, Rama nuk bën ndonjë gabim të madh që dëshiron të afrohet me serbët, por kjo nuk guxon të ndodhë duke injoruar  faktin se Kosova ende trajtohet si problem i brendshëm i politikanëve serbë dhe ç’është më keq Serbia në sytë e Ramës shikohet si një fëmijë i pafajshëm që padrejtësisht e ngarkojnë me shejtanllëqe të pabëra.
  Në diskursin e Vuçiqi dhe të politikës zyrtare serbe, Kosova është pjesë integrale e Serbisë, prandaj çdo kapërcim në heshtje i këtij diskursi serb nga ana e Ramës, prodhon armiqësi brendashqiptare dhe miqësi pa kushte me serbët e këqinj. Këtu e ka burimin edhe refuzimi për të pranuar Ballkanin e Hapur, një iniciativë kjo që mbështete në raporte defektuoze e konfliktuoze të atyre që nuk e njohin madje e urrejnë njëri tjetrin. 

Filed Under: Emigracion Tagged With: Emin Azemi

DY VITE SHKËLQIM PËR ANSAMBLIN NACIONAL NË KRYE ME SHKODRAN TOLAJN

November 13, 2021 by s p

Emin Azemi/

Siç thoshte Tony Robbins se “njerëzit e suksesshëm nuk janë me fat por ata janë të aftë të bëjnë dicka ndryshe nga të tjerët” , Shkodran Tolaj me modestinë dhe përkushtimin e tij, me ide dhe kreativitet origjinal dhe të pakopjueshëm duke marrë përsipër edhe udhëheqjen menaxheriale edhe artistike ka arritur të jetë model sukses

Plot 2 vite me shkëlqimin e Ansamblit Nacional të këngëve e valleve popullore shqiptare në RMV dhe sukseset e drejtorit Shkodran Tolaj i cili shquhet si tenor dhe një artist i rrallë i përmasave kombëtare që ka marrë përsipër barrën dhe përgjegjësinë jo të lehtë të  udhëheqjes së këtij institucioni me rëndësi jetike për shqiptarët në RMV. Figura e tij prej drejtuesi lidhet me shprehjen e famshme “Durimi, puna dhe shpresa” janë tre elemente që përbëjnë formulën e suksesit dhe si duket këto më së miri gërshetohen tek ai. Është ndër të rrallët që mos themi i vetmi drejtues i cili për dy vite nuk ka munguar asnjë ditë të vetme në punë,nuk ka marrë asnjë ditë pushimi dhe nuk ka lënë asnjë obligim për të nesërmen edhe në kohën më të rëndë të pandemisë globale. Mishërimi i tij me këtë institucion ka bërë që Ansambli të ngritet shpejtësi institucion dhe ky proces i sendërtimit institucional është më i vështiri po vetëdija se ky institucion duhet të rritet cdo ditë artistikisht sepse institucionet e vonuara të shqiptarëve duhet të arrijnë të ecin në hap me të tjerët ka sjellur dinamikë të punës që për shumkë mund të jetë e paimagjinueshme.

Siç thoshte Tony Robbins se “njerëzit e suksesshëm nuk janë me fat por ata janë të aftë të bëjnë dicka ndryshe nga të tjerët” , Shkodran Tolaj me modestinë dhe përkushtimin e tij, me ide dhe kreativitet origjinal dhe të pakopjueshëm duke marrë përsipër edhe udhëheqjen menaxheriale edhe artistike ka arritur të jetë model suksesi. Si artist i përmasave mbarëkombëtare, i rritur në Evropë ku diciplina është mbi të gjitha ka bërë që ky institucion të frymojë me një klimë të hapur dhe vizione të qarta jashtë kufizimeve lokale. Kjo dëshmohet me një numër të madh të realizimeve artistike që do përmendim. Në fillim të mandatit nëntor 2019 ishte pjesë e realizimit të  koncerteve në Tetovë, Kumanovë, Gostivar, Kërcovë, Strugë (16-24 nëntor) të cilat koncerte tashmë kanë kaluar në tradicionale dhe mbahen cdo nëntor.

Shkodran Tolaj duke u nxitur nga një shkollë e mirëfilltë e klasikëve të cilët institucionet i ngritën mbi bazën e vlerave të së kaluarës ka arritur që të arkivojë dhe rikthejë me koncerte premierë: 1.Musa Piperkun nga Dibra dhe tërë krijimtarinë e tij të suksesshme të viteve 70-80 –koncert premierë me 22 gusht 2020 mbajtur në sallën e tv 21 Shkup dhe transmetuar në të gjitha rrjetet e këtij televizioni ,2.Trio Zajazin nga Kërcova- dhe këngët më të bukura të këtij grupi legjendar folklorik –koncert premierë 10 tetor 2020, mbajtur në sallën e tv 21 Shkup dhe transmetuar në të gjitha rrejtet e këtij televizioni, 3. Lorenc Antonin nga Shkupi- kompozitorin e parë nga Maqedonia dhe  veprat premierike si “Skenderbeu ngadhnjimtar”, “Malësorja” e e shumë të tjera- koncert premierë dhënë në sallën e Armatës në Shkup me 1 nëntor 2020 transmetuar ne Televizionin e Maqedonisë, programi në gjuhën shqipe” 4. Shaban dhe Enver Stafaj nga Gostivari të cilët krijuan kulturën qytetare muzikore në RMV- koncert premierë i mbajtur me 08.10.2021 në Filharmoninë e Maqedonisë, transmetuar në Televizionin e Maqedonisë, program në gjuhën shqipe.

Koncerte të sukseshme dedikuar festave kombëtare e që kanë bërë bujë të jashtëzakonshme janë :1. Koncerti i Pavarësisë së Kosovës dhe udhëtimi i parë i Ansamblit në Kosovë më 17 shkurt 2020- u transmetua në të gjitha rrjetet e Televizionit 21, 2. Koncerti i28 nëntorit 2020 në Shtëpinë e Armatës dhe Sheshin Skenderbeu transmetuar në Televizionin e Maqedonisë dhe Televizionin 21 në të gjitha rrjetet, 3.Koncerti i 60 vjetorit të këngëtarit të muzikës epike Ilir Shaqiri që u mbajt me 17 shkurt 2021 për Pavarësinë së Kosovës në Filharmoninë e Maqedonisë- I transmetuar direkt në televizionin e Maqedonisë, program në gjuhën shqipe dhe në Radiotelevizionin shqiptar.

Të tilla koncerte kanë vënë bazamentet e identifikimit të Ansamblit Nacional dhe tashmë kanë krijuar një arkivë të pasur të këngëve dhe programeve të cilat janë të xhiruara dhe konsiderohen si pasuria më e madhe institucionale.  Koncertet tradicionale vjetore që u mbajtën nëKërcovë (16 tetor 2020) Gostivar (12 dhjetor 2020) Kumanovë (16 dhjetor 2020), Tetovë (18 dhjetor 2020), ishin evenimete që publiku i priti me dashamirësi posaqërisht pas një periudhe pandemike dhe nevojës së madhe për art e kulurë ndonëse Ansambli ka rezultuar të jetë  i pari institucion me programe online duke punuar edhe në kohën më të rëndë të mbylljes globale për të sjellur dhjetëra realizime artistike kurajuese për jetën dhe senzibilizuese për gjendjen në të cilën kalonte njerëzimi. Në atë kohë posaqërisht kishte sukses projekti “Triumfi I jetës” realizuar nga këngëtarët dhe orkestra e ansamblit. Paralelisht me sukseset brenda vendit ansambli numëron këto festivale ndërkombëtare : 1. pjesëmarrje në Mal të Zi me 8 mars 2020, 2.Pjesëmarrje në festivalin ndërkombëtar nëEmiratet Arabe 18-25mars20213.Pjesëmarrje në festivalin ndërkombëtar në Veliko Tarnovo, 25-31 korrik 2021  4.Pjesëmarrje në festival ndërkombëtar në Spanjë, 2-12 gusht 2021.

Sa i përkest sektorit të valleve aty është bërë një konsolidim i jashtëzakonshëm dhe kjo falë emrave të koreografëve që kanë punuar. Instalimi i shkollës së vallëzimit shqiptar të Sadik Batkut punuar me profesorin Artan Ibershimi konsiderohet si hapi më i duhur në ngritjen profesionale të vallëtarëve. Falë një pune të jashtëzakonshme sivjet u arrit të realizohet një valle tejet e rëndë teknikisht vënë në skenë nga Robert Nuha “Vallja e paqes” e cila e paraqiti ansamblin në dimension tjetër, bashkëkohor dhe kombëtar. Një punë e tillë e Nuhës bashkë me kompozitorin Valton Beqiri kanë bërë që artistët tanë të sjellin dinamizmin, energjinë, plastikën dhe gjithcka që i duhet një vallëtari profesionist. Kjo valle u vu në skenë në koncertin për shënimin e 20 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit me 08.08.2021 në Teatrin e Operës dhe Baletit në Shkup. Shumë shpejtë do të jepet  premiera e valles me motive nga Reka që do të paraqesë një fillim gjurmimi të rrënjëve shqiptare, inskenuar nga koreografi Dilaver Kryeziu dhe vallja e Prespës me kostumet origjinale dhe elementet tejet specifike qëështë punuar nga koreografi Genc Kastrati. Nga vallet e sukseshme të repertorit janë  Vallja e Kërcovës, vallja e parë e menduar koreografikisht dhe profesionalisht që i dedikohet kësaj zone fare të paprekur dhe  shëndërrimi i suitës orkestrale “Malësorja”të Lorenc Antonit në koreografi të Artan Ibershimie cila edhe është xhiruar edhe si videoprojekt. Së shpejti adhuruesit e muzikës së mirëflltë kombëtare do të kenë në duar3 AudioCD, 1. Cd të Trio Zajazit, 2. Cd të Lorenc Antonit dhe Musa Piperkut dhe 3. Cd me program të autorëve të ndryshëm. Më këto regjistrime të bëra në studion më profesionale në Maqedoni e më gjerë dhe prodhimin e CD-ve do të arkivohet plotësisht programi artistik dy vjecar edhe në aspektin audio-material përvec atij video që e posedojnë mediat dhe ansambli në arkivën e vet.

Pra për dy vite falë një pune kolosale janë realizuar plot 4 koncerte tematike dedikuar personaliteteve të shquara nga Maqedonia, 3 audio Cd që kanë përmbledhur tërë programin dy vjecar, 6 koncerte premierë për shënimin e datave të rëndësishme kombëtare e shtetërore, 5 valle premierë,  9 koncerte tradicionale në qytete, 5 pjesëmarrje  jashtë shtetit dhe 1 cmim të parë në festival ndërkombëtar.

Gjithsejt plot 32 projekte të suksesshme të cilat duan përkushtim të jashtëzakonshem pa përmendur punën kolosale në ngritjen e institucionit në pikëpamje administrative duke vendosur rend në stafin artistik e administrative me krijim të normativave dhe rregulloreve të punës dhe realizim të punësimeve të reja në sektorin e administratës dhe artistëve Për punën e bërë ansambli ka marrë dy cmime brenda dhe jashtë vendit 1. Cmimi “The best of the best” në spektaklin “Grand prix” që organizoi Televizioni 21 me 27 shjetor 2020- çmim ky për Shkodran Tolaj që vlerësohet si drejtori më i suksesshëm nga të gjithë drejtorët e  institucioneve kulturore në RMV për vitin 2020 2. Çmimi i parë për Ansamblin shqiptar nga juria profesionale në festivalin ndërkombëtar në Veliko Tarnovo ku morën maksimum të pikëve për prezantimin artistik (311 pikë), 31 korrik 2021. Më e rëndësishmja është që drejtori Tolaj me mbështetje të institucioneve përkatëse ka arritur të sigurojë adresë dhe hapësirë për administratën e Ansamblit dhe tashmë ky institucion ka “tapi” dhe adresë të përhershme që është një hap drejt realizimit të ëndrrës për posedimin e hapësirave vetanake edhe për stafin artistik. Shkodran Tolaj udhëhiqet nga motoja “ngritja institucionale dhe Ansambli janë mision kombëtar i shenjtë dhe përkushtimi ndaj një detyre të tillë është përgjegjësi dhe krenari njëkohësisht”. Kjo qasje padiskutim ka sjellur dy vite shkëlqim për Ansamblin Nacional të këngëve e valleve popullore shqiptare në RMV . Prezantimet e radhës të cilat vecse janë pregatitur janë premiera “Nëntori i Alfabetit” që do të shfaqet me rastin e 113 vjetorit të Kongresit të Manastirit me 22 nëntor në Manastir  dhe premiera “Nëntori i flamurit” që do do të shfaqet me rastin e 109 vjetorit të shtetit shqiptar në Teatrin e Operës dhe Baletit në Shkup.

Filed Under: Politike Tagged With: Emin Azemi

(MOS)FAKTORIZIMI I SHQIPTARËVE PËRBALLË LOJËRAVE OBORRTARE MAQEDONASE

November 11, 2021 by s p

Lojërat oborrtare  të segmenteve të caktuara politike të shqiptarëve, të veshur lirë me kimonot e industrisë karamelizuese,  kanë trimëruar LSDM –në  dhe VMRO-në që  të projektojnë ide për shtetndërtim pa shqiptarët. Por, edhe logjika e segmenteve të caktuara të politikës shqiptare në Maqedoni për të zaptuar një copë pushtet në oborrin e kryeministrit maqedonas, ende pa ndodhur faktorizimi i vërtetë i shqiptarëve, ka degjeneruar kuptimin e përfaqësimit dinjitoz- institucional të tyre.

Nga Emin AZEMI

Nga segmente të caktuara të politikës shqiptare, por edhe të një pjese të shoqërisë shqiptare në Maqedoni, LSDM dhe VMRO ende perceptohen  si faktorizues dominantë, pa të cilët nuk ngrohë dielli në oborret e varfëra të shqiptarëve, Deri më tani nuk ka ndodhur (me ca përjashtime) që ky faktorizim të bëhet në saje të unitetit brendashqiptar dhe ofertës së përbashkët kundrejt politikës maqedonase. Duke e hetuar këtë dobësi të shqiptarëve, Gruevski më parë dhe Zevi tani, , prodhojnë karamele për të joshur ambiciet karamelizuese oborrtare të aparatçikëve shqiptarë. Këta të fundit, të joshur nga kjo industri informale karamelësh, jo rrallë këmbejnë kauzat e tyre kombëtare-partiake me ndonjë favor të vockël që mund ta marrin nga politikanët sllavë.

Shtetndërtimi maqedonas a është i mundur  pa shqiptarët

Lojërat oborrtare  të segmenteve të caktuara politike të shqiptarëve, të veshur lirë me kimonot e industrisë karamelizuese,  kanë trimëruar LSDM –në  dhe VMRO-në që  të projektojnë ide për shtetndërtim pa shqiptarët. Deklaratat e mëhershme të Gruevskit se maqedonasit duhet të marrin shumicën e vendeve në Parlament për t’u ikur kushtëzimeve të shqiptarëve, apo livadhisjet e Zaevit nëpër vendbanimet shqiptare për të ‘’peshkuar’’ sa më shumë shqiptarë ‘’indiferentë’’, flet edhe njëherë për falsitetin e marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase, që zakonisht projektohen mbi interest unitare të njërës palë dhe mbi inferioritetin e palës tjetër.

Sado që t’i trajtojmë si nevoja për  për konsum të brendshëm dhe për efekt elektoral këto angazhime të politikanëve maqedonas, ato si e të tilla, megjithatë, janë sinjal i keq se Maqedonia vazhdon farsën e shtendërtimit të njënashëm, duke i trajtuar shqiptarët si kontributorë, por jo edhe si shteformues të Maqedonisë. Në defektet e këtij keq-drejtimi kanë shumë faj edhe forcat kryesore  politike shqiptare, të cilat me sjelljet dhe qëndrimet e tyre, jo rrallë kanë lajthitur edhe faktorin politik maqedonas, tek i cili kanë injektuar një lojalitet blanko për shumë çështje, e sidomos për çështje të karakterit ndëretnik. Në disa raste fitohej përshtypja se ndonjë politikan shqiptar, në tentativën e tij të pasuksesshme për të korrigjuar imazhin e keq të Maqedonisë në botë, bënte edhe ministrin e Jashtëm, por pa dimensionin e përfaqësimit të interesit dhe legjitimitetit shqiptar. Shumë kancelari të botës që janë vizituar nga politkanë të tillë, sot janë shumë të bindur se shqiptarët në Maqedoni nuk kanë kurrfarë problemi me politikën refuzuese maqedonase dhe çdo përpjekje tani për ta prezentuar këtë politikë ndryshe nga ajo që është reklamuar kohë më parë, del komike  dhe e paefektshme.

Marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe maqedonasve mund të degradohen edhe në të ardhmen në përmasa brengosëse nëse nuk intervenohet shpejt në gjetjen e një kompromisi afatgjatë, duke ndërhyrë në ato çështje që barasvlerësojnë cilësinë  e përfaqësimit përmes projekteve konkrete e shumë urgjente dhe kapacitetin e shtetndërtimit, përmes kuadrove profesionalë e jo aparatçikëve të dëgjueshëm që frik e frikë bëhen të ‘’ditur’’ duke kaluar natën nëpër ofiqinat e fotokopjimit të diplomave.

Argatët shqiptarë në oborret politike maqedonase

Sigurisht që në të kaluarën Gruevski nuk do ta përdorte diskursin e tij ksenofobik sikur të mos ishte edhe një qëndrim jo shumë i qartë i bashkësisë ndërkombëtare kundrejt Shkupit zyrtar, për faktin se ajo si tepër i ka kushtuar vëmendje raporteve të jashtme të Maqedonisë dhe fare pak është marrë me raportet e brendshme të saj. Marrja gjatë gjithë kohës e bashkësisë ndërkombëtare (Brukseli, Uashingtoni) me kontestin që ka Maqedonia me Greqinë dhe sfidat që ajo i kishte në rrugën e (mos)integrimeve euro-atlantike, krijoi një bindje të sforcuar tek forcat nacionaliste maqedonase se politikat e tyre retrograde, të orientuara kryesisht kundër shqiptarëve, mund të kalojnë pa u ndëshkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Të urojmë që këto lajthitje të mos ndodhin edhe tani në vlugun e këtyre turbulencave politike për shumicë të re/ të vjetër parlamengtare, sidomos kur politikat e përgjumura të Zaevit mund të prodhojnë argatë të rinjë të industrisë së karamelave, kur shqiptarët si zakonisht tregohen degustues të zellshëm të produkteve të tilla.

Logjika e segmenteve të caktuara të politikës shqiptare në Maqedoni për të zaptuar një copë pushtet në oborrin e kryeministrit maqedonas, ende pa ndodhur faktorizimi i vërtetë i shqiptarëve, ka degjeneruar kuptimin e përfaqësimit dinjitoz- institucional të tyre. Gara për t’i nxjerrë syrin njeri tjetrit dhe vrapi për të siguruar sa më shumë vota në favor të partisë së Zaevit, i bënë një pjesë të shqiparëve të Maqedonisë do fare kopje të zbehta të sanço pançove pa brekë, të cilëve do t’ua kishte zili edhe Servantesi po të ishte gjallë.

Jo pak shqiptarë, tash dhe në të kaluarën, kush më shumë e kush më pak, kush më hapur e kush më tinëz, kanë bërë gara  që të jenë më afër partive të caktuara maqedonase dhe axhendave të tyre  për të siguruar edhe një mandat qeverisës dhe shumë më larg projekteve e ideve që do të mund të galvanizonin ecjen e shqiptarëve me energji të përbashkëta drejt një ardhmërie të përbashkët.

Politikanët dhe aktivistët e ndryshëm mund ta konsiderojnë  legjitime zgjedhjen e rrugëve dhe strategjive për të synuar pushtetin, por kur ato bëhen jotransparente dhe shumë ordinere, për qëllime të ngushta grupore e individuale, atëherë janë të kota përpjekjet e tyre për të na bindur se të gjitha këto manovrime i bëjnë për të mirën e shqiptarëve. Mjafton të shikohet në retrospektivë se cilat kanë qenë marrëdhëniet e politikanëve shqiptarë me situatat e caktuara në prag të zgjedhjeve.Me saktësi matematikore mund të vërehen se ata u ngelin besnik manirave të tyre për të bërë politikë të pasinqertë e besëprerë ndërmjet veti, por shumë të hapur e të sinqertë me partnerët maqedonas.

Perceptimi i vetvetes si oborrtarë të vegjël me ambicie të mëdha për përfitime personale, i bën aparatçikët e caktuar shqiptarë edhe më të lexueshëm para publikut shqiptar, sepse përvoja dhe memoria kolektive ka siguruar një minimum standard mbamenjejej sa për të dalluar sinqeritetin nga dallavera, interesin publik nga ai personal. Patriotizmi i harxhuar i këtyre tipave mund të zgjojë ndonjë adrenalinë të fjetur dikund-dikund, por jo edhe kundërvënie ndaj politikave karameizuese të Zaevit e Gruevskit.

Në funksion të strategjisë për të zgjedhur gjoja midis shiut e breshrit, disa megafonë dhe reprezentë të shoqërisë civile, që zakonisht flasin njëfarë gjuhe të unitarizmit të tejkaluar maqedonas, ua kanë imponuar votuesve shqiptarë edhe një alternativë që shkon përtej kampusit elektoral shqiptar, duke e prezantuar LSDM-në si ventilin e vetëm ku mund të shfryhen frustrimet dhe pakënaqësitë e shqiptarëve.Përpjekja për ta paraqitur shoqërinë shqiptare pa alternativë politike e civile, ndërkohë që ajo është prezente dhe shumë aktive, e bënë edhe më problematike marrëdhinen që mund të krijojë politika maqedonase me një pjesë të shqiptarëve, duke ua hequr atyre akrepat e orës politike. Nëse ndodhë kjo, atëherë tiktaku i kohëmatjes për një pjesë të shqiptarëve në të ardhmen mund të trokas në ndonjë sahatkullë të Strumicës a Vallandovës, ndërkohë që brirat e politikës shqiptare mund të thyejnë rekorde absurd të brendapërleshjes për do funksone që reahtojnë individë, por jo edhe shqiptarët. Këta të fundit kanë nevojë të faktorizohen përmes projekteve urbane, sociale, kulturore e ekonomike të përfaqsuesve legjitimë të tyre, e jo përmes sponzorizimeve jeniçere që impjanet parapolitike  i paketojnë si ‘’produkte vendore’’, paçka se etiketat e tyre mund të  jenë shtypur që moti në ofiçinat politikave asimiluese.

Mungesa e platformave kombëtare dhe dominimi i atyre partiake

Mungesa e platformave kombëtare dhe dominimi i atyre partiake për përdorim ditor, ka bërë që cilësia e përfaqësimit institucional të shqiptarëve të limitohet në kornizat e një vasaliteti të pakuptimtë. Fuqia politike e faktorit vendimmarrës maqedonas gjithmonë është varur nga shkalla e kohezionit brendashqiptar dhe për fat të keq kjo fuqi ka ardhur duke u rritur fal mungesës së bashkëpunimit dhe bashkërendimit të forcave politike të shqiptarëve.

Në emër të organizimit autokton e autentik të jetës politike, shqiptarët e Maqedonisë u larguan nga idetë pak a shumë panshqiptare dhe kjo nuk mbeti pa u reflektuar pastaj në marrëdhëniet politike e institucionale me maqedonasit.

Prishtina, si qendër, që për vite të tëra nuk shkolloi vetëm profesorë, mjekë, inxhinierë shqiptarë nga Maqedonia, por krijoi parakushte edhe për një pikë referuese të zhvillimeve të shumta në politikë dhe në jetën kombëtare përgjithësisht, gradualisht dhe padrejtësisht filloi të zëvendësohet nga Tetova. Kjo e fundit arriti të grumbullojë partiakisht trurin e shqiptarëve, por jo edhe të ridimensionojë fuqinë ndikuese të intelektualëve në politikë, siç e bëri Prishtina me dekada të tëra. Kjo qasje tepër e ngushtë që kishte për bazë ekskluzivisht përshtatshmërinë dhe dëgjueshmërinë partiake në dëm të kapaciteteve intelektuale e krijuese shqiptare, kryesisht atyre të shkolluar në Prishtinë, i bëri dëm të pariparueshëm politikëbërjes shqiptare në Maqedoni.

Kjo zhveshje e politikës nga bagazhi intelektual i ndihmoi procesit të degradimit të ideve nga niveli i shteformimit në skema konjukturale që kushtëzoheshin prej marrëdhënieve politike të partneritetit shqiptaro-maqedon brenda koalicioneve bashkëqeverisëse. Një skematizim i tillë i organizimit politik të shqiptarëve, solli surrogate të papëlqyeshme të teknologjisë së pushtetbërjes, duke nxjerrë në pah pragmatizmin partiak para kauzave afatgjate kombëtare.

Deri më tani nuk ka ndodhur që një parti politike shqiptare , fituese e zgjedhjeve në elektoratin shqiptar, të ketë refuzuar pjesëmarrjen në bashkëqeverisje me ndonjë parti tjetër maqedonase, për shkak të ofertës substanciale që ajo ka ofruar. Deri më tani nuk ka ndodhur që partia më e madhe politike shqiptare që ka dal e para në zgjedhje, të ketë përfshirë në platformën e saj (bashkë)qeverisëse edhe ndonjë gjetje interesante nga platformat e partive tjera simotra shqiptare në Maqedoni.

Rrëshqitja e shkallëshkallshme e shqiptarëve në hendeqet e kolacionimeve me maqedonasit

Dy opsionet dominante maqedone që kishin prejardhje të ndryshme ideologjike – VMRO dhe LSDM – me kalimin e viteve u bënë fatpërcjellëse të pashmangshme të shkëlqimit dhe rënies së lavdisë politike të shqiptarëve të Maqedonisë. Si një hije që ndjek udhëtarin e lodhur në shkretëtirë, ishin pikërisht këto dy opsione dhe për pasojë politikëbërja shqiptare, me apo pa vetëdije, u bë peng i ambicies së pashpjeguar për ‘’bashkëshortësi’’ të përjetshme me këto dy parti kontradiktore maqedone.

Kjo rrëshqitje e shkallëshkallshme e filozofisë politike të shqiptarëve të Maqedonisë në pragamtizmin banal të bashkëjetesës së dy tendencave etnike që pajtoheshin vetëm për çështje të politikës së ditës dhe për ndarjen e ndonjë trofeu që sjell pushteti, pamundësoi krijimin e frymës së bashkërendimit dhe bashkëpunimit brendakombëtar të shqiptarëve. Ndasia brendashqiptare sikur u bë lajtmotiv i politikave të papjekura që bashkëqeverisjen me partitë maqedone e shndërroi në dogmë nga e cila as sot e gjithë ditën nuk po lirohemi.

Ky dogmatizim i teknologjisë së bashkëqeverisjes ka nxjerrë nga përdorimi energji të shumta krijuese e intelektuale të shqiptarëve në Maqedoni dhe diasporë .

Shqiptarëve të Maqedonisë iu nevojitet një front i vetëm veprimi e mendimi, në mënyrë që politikat e tyre të mos jenë zgjatime karikaturale të doktrinave djathtiste e majtiste maqedonase. Hapësirë për opozitarizëm të shpifur brendashqiptar nuk ka gjithaq, sepse ajo hapësirë duhet mbushur me idetë e parrumbullaksuara të një zgjimi kombëtar dhe një kundërvënie intelektuale doktrinave maqedone të cilat ende shkëlqimin e tyre e masin me errësirën e sinkopave shqiptare.

Në Maqedoni plot mandate deputetësh e kryeministrash janë fituar duke i sharë shqiptarët. Kjo “vjelje” rentabile e votave nacionaliste për të siguruar mandat politik mbi urrejtjen dhe mosdurimin ndëretnik, ka funksionuar në të kaluarën si mjet që kompensonte ofertat e mirëfillta për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie.Por, nuk e paskemi ditur që kjo sezonë gjahu mbi shqiptarët, të përsëritet sërish në Maqedoni.

Nuk duhet patur kurrfarë dileme se dallimi i VMRO-së dhe LSDMës në raport me shqiptarët qëndron vetëm në ideologjitë e tyre dhe secila në mënyrën e vet arrin të prolongojë pikërisht ato çështje që avancojnë statsusin e shqiptarëve.Prandaj është koha që shqiptarët t’iu kthehen partive të tyre dhe të kërkojnë me ngul nga ato të jenë reprezentuese të denja të interesave të shqiptarëve. Çdo iluzion tjetër që krijon përshtypje të rrejshme për gjoja dashamirësinë e partive maqedone kundrejt shqiptarëve, duhet të na shërbej si shkollë politike që na mëson të dallojmë demagogjinë prej vizionit, multietnicizmin e rrejshëm prej bashkëjetesës së sinqert, shqipfolësit e partive maqedone prej politikanëve të ndershëm shqiptar etj. etj.

Që palët e konfrontuara në Maqedoni të mos kenë edhe në të ardhmen spiranca avokatie ku do të mund t’i lidhnin barkat e tyre të lodhura, njëri në Sofje te Borisovi e tjetri në Moskë te Putini, atëherë imponohet si e domosdoshme një prani më e shtuar e diplomacisë amerikane në Maqedoni, që do të rezultonte në formimin e një qeverie kalimtare këtu, me një rol më domethënës të shqiptarëve, e cila brenda dy viteve do të arrinte t’i “hekuroste” shumicën e gungave në relievin e trazuar politik të Maqedonisë.

Paradoksi i marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase qëndron tek mosdefinimi i pozicioneve që do të bënte diferencimin substancial në mes të lojalitetit blanko dhe kooperativitetit. Shqiptarët në Maqedoni janë të shquar për një lojalitet gandist kundrejt politikave shtetformuese maqedonase, mirëpo, çuditërisht, nuk e kanë rrumbullakësuar për vete procesin e shtetformimit.

Shqiptarët në Maqedoni ishin edukuar politikisht të jenë lojalë ndaj shtetit, sepse moslojaliteti i tyre, siç iu kanë thënë,  po e prishka shtetin. Nga zelli i madh për të mos lejuar prishjen e shtetit, shqiptarët u bënë aq shumë lojalë sa harruan ta faturojnë për interesa të tyre këtë qasje ekstreme lojaliste.

Sa iu shpagua shqiptarëve kostoja e lojalitetit, duke filluar nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta e deri më sot?  Nëse në vitet nëntëdhjetë shqiptarët vepronin nën ombrellën e një kushtetute që nuk po e shprehte realitetin shumetnik të shtetit, po në vitet njëzetë e këndej, si është realiteti?

Lojaliteti i shqiptarëve si terapi gjeopolitike

Nëse në vitet nëntëdhjetë Gligorovi u thoshte shqiptarëve: rrini urtë, mos kërkoni shumë, se po e irritoni VMRO-në nacionaliste, tani shqiptarëve u thuhet gati e njëjta gjë, por me një konotacion dhe ambalazh tjetër. Tani u thuhet shqiptarëve se duhet të rrinë urtë sepse rrymat proruse dhe pro-serbe e shfrytëzojnë këtë si adut për ta destabilizuar Maqedoninë dhe, për pasojë, për ta rrezikuar kauzën e saj evropiane. Lojaliteti i shqiptarëve përdoret si terapi gjeopolitike, sepse  vetëm shqiptarët qenkan ata që po i përcaktokan kauzat evropiane të shtetit! Madje, me çmim që ata të jenë ekstremisht lojalë, ndërkohë që autorët dhe redaktorët maqedonas, në librat e tyre shkollorë, pa fije turpi dhe papengueshëm, mund  t’i trajtojnë shqiptarët si ardhacakë dhe si uzurpatorë.

Në njërën anë shqiptarëve u kërkohet të jenë lojalë ndaj shtetit të Maqedonisë, kurse, në anën tjetër, ata trajtohen si një trup i huaj i këtij shteti.Madje, shqiptarët si “ardhacakë” dhe si “uzurpatorë” qenkan përcaktuesit gjeopolitik të Maqedonisë evropiane (!).

Tani thuhet se janë bërë ndryshime kushtetuese, por shqiptarët sërish nuk janë një komb shtetformues në Maqedoni. Janë avancuar shumë çështje, siç është çështja e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe dhe ajo e përfaqësimit adekuat, por  të gjitha këto çështje nuk janë bërë kategori kushtetuese. Mjafton të shikohet Ligji për Shtetësi ku kusht për marrjen shtetësisë së Maqedonisë është njohja e gjuhës letrare maqedonase. Askund nuk përmendet gjuha shqipe dhe, për pasojë, plot shqiptarë janë refuzuar të pajisen  me shtetësi vetëm sepse nuk e kanë zotëruar mirë (me shkrim dhe me gojë) gjuhën letrare maqedonase. Sikur gjuha shqipe të ishte kategori kushtetuese, shqiptarët do ta merrnin me automatizëm shtetësinë e Maqedonisë, por kjo nuk po ndodh, sepse sovraniteti shtetëror ende buron nga shtylla shtetformuese e popullit maqedonas.

Shqiptarët në mes të të drejtave ligjore dhe kufizimeve kushtetuese

Kushtetutshmëria e një të drejte është më e lartë se ato që definohen  me ligje, sepse këto të fundit dinë të jenë edhe kontradiktore dhe me shumë dubioza, siç është, bie fjala, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, në tëcilin askund nuk përmendet gjuha shqipe, për arsye të boshllëqeve kushtetuese, kështuqë shqiptarët, megjithatë, rangohen si qytetarë të rendit të dytë, pas maqedonasve, të cilët janë shtylla e kombit shtetformues.

Në planin praktik kjo është lehtësisht e vërejtshme dhe e prekshme, madje edhe tepër eksplicite, për arsye se liderët maqedonas, bie fjala, mund të takohen kur t’u teket dhe të vendosin si t’u teket, pa marrë mundin që për këtë të kenë edhe miratimin paraprak të politikanëve shqiptarë. Ky miratim mund të vijë post-festum, por kjo flet për diçka tjetër.

Për çka flet kjo?

Kjo flet se maqedonasit e shohin veten si shtyllë të kombit shtetformues, kurse shqiptarët i shohin si mbështetës (“потпирачи”) të këtyre shtyllave.

Në dipotrinë maqedonase, shqiptari duhet të jetë ekstremisht lojal ndaj shtetit ( të maqedonasve) dhe ata (maqedonasit) vendosin se sa të drejta (ose sa kg. të drejta) duhet t’i kenë shqiptarët. Të drejtat e shqiptarëve aktualisht u ngjasojnë marrëdhënieve në mes të shitësit dhe blerësit që blen mall me veresi. Ky i fundit, për të mos hyrë shumë borxh, është i detyruar që groshën të mos e blejë me kilogram, por kokrra-kokrra, shalqirin ta blejë me flegra, kurse akulloren ta shijojë duke e lëpirë xhamin e ëmbëltores.

Në dioptrinë maqedonase në Maqedoni nuk jeton kombi autokton shqiptar,  por “një pjesë të kombit shqiptar” që ndodhet dikund, jashtë territorit të Maqedonisë. Kjo i bie që shqiptarët në Maqedoni, pasi që janë pjesë e kombit shqiptar, janë do kalimtarë të rastit që i kanë hapur çadrat dhe përkohësisht janë vendosur në tokën e “shenjtë maqedonase”. Me fjalë të tjera, shqiptarët , sipas Kushtetutës aktuale,  e kanë statusin e banorëve nën çadra me stacionim të përkohshëm, kurse madhësia e çadrave si edhe hapësira që zënë ato aktualisht përcaktohen  me ligj.

Në dioptrinë maqedonase nuk ka gjuhë zyrtare shqipe në Maqedoni, por ka një popullatë  prej 20 për qind që e flet atë gjuhë.

Nesër me iu tekë romëve me u bë 20 për qind, komod mund ta përdorin zyrtarisht gjuhën e tyre, sepse këtë ua garanton ligji.

Perceptimi për lojalitetin ekstrem të shqiptarëve ndaj shtetit të Maqedonisë  shpërfaqet edhe në një rrafsh tjetër. Nëse dje gruevizmi shërbente për të kamufluar feudalizmin oligarkik të një kaste njerëzish që politikën e mbindërtonin mbi një doktrinë mafioze për t’u pasuruar, zaevizmi sot po e përdor një doktrinë krejt tjetër, e cila mund të jetë shumë më e dëmshme, sepse përmes asimilimit politik të shqiptarëve, ai po mundohet të katapultojë koncepte të paqarta si “një shoqëri për të gjithë”, me kusht që fuqia faktorizuese e shqiptarëve të reduktohet në përfaqësime grupore dhe individuale.

Shqiptarët nuk i kanë fajet pse Zaevi qëndron keq në sondazhe kundrejt VMRO-së (edhe sipas sondazhit të fundit)  dhe është e pandershme që ata (shqiptarët)  të përdoren vetëm si “doping” në garën politike LSDM-VMRO.

Për rrjedhojë, ashtu siç ndodh me efektet e antidopingut që, pa humbur kohë, i diskualifikon pjesëmarrësit në garat sportive, ngjashëm ndodh edhe me këtë arenën tonë qesharake politike, ku shqiptarët, menjëherë pas zgjedhjeve, nga “fusha sportive” i vendosin në “tribunën e shikuesve”. Ka plot shqiptarë sot që, duke qenë në “tribunën e shikuesve”, mundohen të na bindin se Zaevi është burrë më i mirë se Gruevski dhe mjaftohen me faktin se Gruevski nuk është fizikisht në pushtet, por harrojnë se  hija e tij, gruevizmi, vazhdon të mbetet gjallë nëpër institucione të caktuara.

Gruevizmi ende është pjesë e praktikave të pushtetit aktual, sidomos në sistemin e drejtësisë, ku ka plot procese të montuara nga koha e Gruevskit (Monstra, Kumanova, Alfët, etj.) por që vazhdojnë të prodhojnë efekte dëshpëruese edhe në kohën e Zaevit. Të gjithë ata shqiptarë që kanë votuar për Zaevin këtë e kanë bërë edhe me bindjen se këto procese të montuara do të rishqyrtohen dhe drejtësia do të vendoset në binarët normalë, duke i liruar nga burgimet e përjetshme njerëzit e pafajshëm, siç janë djemtë e rastit “Monstra”, të rastit “Kumanova”, të rastit “Alfa”(Rexhail Qerimin nga Opaja e Kumanovës dhe Almir Drpljani nga Shkupi) dhe një rast tjetër që ka të bëjë me një shqiptar nga Xhepçishti i Tetovës.

Aspiratat ekstra-territoriale të serbëve të Kosovës dhe shtetformësia e shqiptarëve të Maqedonisë

Procesi shtetformues i shqiptarëve në Maqedoni duhet  patjetër të përmbyllet, sepse është tendencë e kohës që kjo çështje të mos ngelë barrë e gjeneratave të ardhshme, të cilat do t’i kenë problemet e njëjta si ne tani, nëse statusi i tyre vazhdon të trajtohet me ligje kontradiktore e konfuze.

Një parlament dydhomësh dhe një kushtetutë që do të derivonte statusin shtetformues të shqiptarëve do të ishin zgjidhjet optimale për shqiptarët në Maqedoni. Në të kundërtën, shqiptarët në Maqedoni do të mund të ndjekin modelet dhe formulat  e zgjidhjes së çështjes serbe në Kosovë, sidomos tani, në prag të përmbylljes së dialogut Kosovë –Serbi. Bashkësia ndërkombëtare, BE dhe SHBA, para se ta detyrojnë Prishtinën zyrtare të bëjë kompromise në favor të kërkesave që përkufizojnë statusin ekstra territorial të serbëve të Kosovës, do të duhej të bëhen gati të dëgjojnë edhe kërkesat e shqiptarëve në Maqedoni për avancimin e statusit të tyre shtetformues.

Matematikisht dhe logjikisht do të duhej të hidhen në kantar këto kërkesa dhe të shihet se cilat janë më të kapshme dhe më pak të dëmshme për stabilitetin e rajonit: kërkesat për status ekstraterritorial të serbëve të Kosovës apo  kërkesat e shqiptarëve në Maqedoni për avancimin e statusit të tyre shtetformues?

Shkup, 11.11. 2021

Filed Under: Komente Tagged With: Emin Azemi

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHQIPTARËT NË ARIZONA FESTUAN 7-8 MARSIN
  • “24 Marsi, data e mirënjohjes Kombëtare ndaj USA dhe NATO-s” !
  • Diaspora Amerikane në Nju Jork proteston: “Save Drin River, Save Dibra”
  • Vatra jonë arsimore “Shkolla Shqipe” në Zvicër hapi edhe një klasë në Feuerthalen, në kantonin e Zyrihut
  • DUKAGJINI KËRKON RRUGËN!
  • Sot, kujtojmë 143- vjetorin e lindjes së Mit’hat Frashërit
  • KUR PRISHESHIN TEMPUJT, ME SHOKUN E KLASËS VISARIN…
  • Sot 126 vjet nga numri i parë i “Albania”-s me botuesin vetëm 22 vjeç
  • Guri i budallait dhe mendja e zgjuar
  • “Strategjia e Mbrojtjes dhe Zhvillimit të interesave Kombëtare”!
  • Kalendar: 24 Marsi 1999, Dita që i hapi shteg Lirisë e Pavarësisë së Kosovës
  • LIRIE (LYDIA) MEMETI, NJË HISTORI SHQIPTARE FRYMËZUESE
  • Vjena – Qytet i Requiemeve – Requiem për Musinenë!
  • Tregimi për zonjat e suksesit shqiptar- ideja që jeton pa kohë
  • Ish-diplomati Syla, ftesë qeverive tona t’i promovojnë shtetet në SHBA, Kanada dhe Izrael

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT